Gjuha shqipe dhe letërsia 12

Page 1

Gjuha shqipe dhe letërsia

12 Gjuha shqipe dhe letërsia 12
Albana Deda Natasha Poroçani Vjollca Osja Elsa Skënderi Kledi Shegani Flora Koleci

Albana Deda Natasha Poroçani Vjollca Osja

Elsa Skënderi Kledi Shegani Flora Koleci

Gjuha shqipe dhe letërsia 12

(libër i integruar)

BOTIME

Prishtinë, 2022

Lejohet për botim teksti shkollor për klasën e dymbëdhjetë, me vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nr. xxx, të datës xxx.

Miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit Korrik, 2015

BOTIME

Drejtoi botimin: Arlinda RRUSHI Recensentë të MASHTi-t: Shkёlqim Millaku, Vesel Islami, Drenushё Morina Redaktore: Aida BARO Korrektor: Beniamin SHURDHI Blerina Çizmja Paraqitja grafike dhe Kopertina: Elvis BEJTJA Shtypi: Shtypshkronja Pegi, Lundër, Tiranë ISBN: ?????

© Botime Pegi sh.p.k, dega në Kosovë, gusht 2022 Të gjitha të drejtat për këtë botim në gjuhën shqipe janë tërësisht të zotëruara nga Botime Pegi shpk. Ndalohet çdo riprodhim, fotokopjim, përshtatje, shfrytëzim ose çdo formë tjetër qarkullimi tregtar, pjesërisht ose tërësisht, pa miratimin paraprak nga botuesi.

Botime Pegi: cel: +355 069 40 075 02; e-mail: botimepegi@botimepegi.al; web: www.botimepegi.al Sektori i shpërndarjes: cel: +355 069 20 267 73; 069 40 106 88; e-mail: marketing@botimepegi.al Shtypshkronja Pegi: cel: +355 069 40 075 01; e-mail: shtypshkronjapegi@yahoo.com

HYRJE

Teksti “Gjuha shqipe dhe letërsia 12” është mbështetur mbi kërkesat e parashtruara në programin e paraqitur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës. Përmbajtja e tij përfshihet në fushën kurrikulare Gjuhët dhe komunikimi. Ky libër është hartuar për Gjimnazin e Shkencave Shoqërore dhe Gjuhësore, si dhe për Gjimnazin e Shkencave Natyrore.

Teksti “Gjuha shqipe dhe letërsia 12”, nëpërmjet njohurive që përmban, parashikon thellimin e njohurive gjuhësore, letrare dhe kulturore të fituara më parë. Synimi parësor i tij është dhënia e njohurive të plota të përdorimit të strukturës së gjuhës shqipe në kontekstet letrare dhe joletrare.

Ky tekst i ndihmon nxënësit në formimin individual, duke u dhënë mundësi të zgjerojnë njohuritë historike të hapësirës kulturore, letrare e gjuhësore. Përmes kësaj, nxitet aftësimi në përdorimin e gjuhës shqipe me qëllim strukturimin më të mirë të mendimeve, gjykimeve dhe aftësive të tyre krijuese. Niveli i përvetësimit të shkathtësive të komunikimit (të dëgjuarit, të lexuarit, të folurit, dhe të shkruarit) zhvillohet sipas kërkesave të klasës, shkallës dhe nivelit.

Teksti është ndërtuar në bazë të parimit të integrimit (të sugjeruar edhe nga Programi i MASHTK), parim i cili shtrihet në dy linja:

· integrimi i gjuhës me letërsinë, në mënyrë të tillë që të dyja lëndët t’i shërbejnë njëra-tjetrës në formimin e individit si përdorues korrekt i gjuhës shqipe, njohës i mirë i letërsisë shqipe dhe asaj të huaj, pra një individ i pajisur me kompetenca më të gjera kulturore, historike e filozofike. integrimi i fushave të ndryshme të komunikimit, si: integrimi i artit letrar me atë pamor, integrimi i komunikimit me gjuhën shqipe, i shkencës me gjuhën e letërsinë etj. Teksti mund të përdoret edhe si dy tekste më vete: gjuha dhe letërsia. Mësimet e letërsisë janë mbështetur në metodën analitike të trajtimit të koncepteve, shtjellimin e tyre të argumentuar me fragmente nga veprat dhe më pas, sintetizimin e materialit me pyetje referuese. Fragmentet janë zgjedhur nga veprat më përfaqësuese të autorëve të sugjeruar nga programi.

Tekstet e gjuhës janë mbështetur në prurjet më të fundit të gjuhësisë shqiptare dhe asaj bashkëkohore. Tekstet demonstruese janë përzgjedhur nga veprat më të mira të autorëve shqiptarë e të huaj. Çdo mësim teorik gjuhe është pasuar nga mësimi praktik i përdorimit të njohurive të marra teorikisht. Në këtë kontekst, mësimet janë hartuar sipas një aparati pedagogjik mjaft origjinal, të realizuar si rezultat i konsultimit me tekste bashkëkohore të të njëjtit nivel në arsimin europian dhe si rrjedhim i shfrytëzimit të përvojës së autorëve të huaj në këtë fushë. Aparati, gjithashtu, ndërthur katër fushat e orientimit të programit: të dëgjuarit, të lexuarit, të folurit dhe të shkruarit:

1. Në shtjellimin e programit është shfrytëzuar metoda përshkruese dhe analizuese, në kuadër të integrimit të njohurive. Kjo do të thotë se temat e gjuhës janë shtjelluar dhe renditur në funksion të analizës së temave të letërsisë.

2. Aparati pedagogjik është ndërtuar mbi bazën e një logjike spirale, e cila parashikon që rubrikat të vijnë sipas një vijimësie logjike analize, duke u rimarrë nga rubrika pasardhëse dhe duke e deshifruar dhe duke shtuar anë të reja në kuadrin e analizës.

Për temat teorike gjuhësore, nën emërtimin e një rubrike të madhe Studim teksti, janë parashikuar këto nënrubrika shtjelluese:

3

Verifikoni njohuritë (në të cilën synohet aftësimi në të lexuar, në të dëgjuar dhe në të kuptuarit e njohurive të dhëna në materialin teorik);

· Ushtrohuni përmes tekstit (e cila parashikon shkathtësimin nga ana praktike, nëpërmjet ushtrimeve që kanë lidhje me analizat e teksteve të llojeve të ndryshme);

· Sfida e të shkruarit (kjo rubrikë është lënë më e lirshme në varësi edhe të mundësive që ofron teksti dhe parashikon sprova që lidhen me të shkruarin. Rubrika është në vijim të asaj paraprijëse dhe e konkretizon edhe formalisht atë). Për sa i përket trajtimit të teksteve letrare, janë parashikuar dy aparate pedagogjike. Njëri ka lidhje me elementet teorike të dhëna dhe është i ngjashëm me atë që paraqitet në tekstet e gjuhës (studim teksti, verifikoni njohuritë, ushtroni mendimin kritik dhe, me raste, sfida e të shkruarit). I vetmi ndryshim është rubrika Ushtroni mendimin kritik (në të cilën synohet që nxënësi të aftësohet në lidhje me të menduarin kritik, përmes punës individuale, punës në grup, hulumtimit, vëzhgimit dhe reflektimit të fenomeneve e proceseve, duke nxitur njëkohësisht të folurit publik, debatin mbi bazë argumentesh etj.).Në lidhje me analizat e teksteve letrare, është aplikuar një aparat që u përshtatet plotësisht kërkesave të programit, të cilat e perceptojnë analizën e teksteve të llojeve të ndryshme (pra, edhe të tekstit letrar) si analizë stilistike, gjuhësie teksti apo si analizë kritike diskursi, analiza të cilat u mungojnë teksteve tona të nivelit parauniversitar. Nën një emërtim sërish të njëjtë me atë të aparatit të tekstit gjuhësor “Studim teksti”, janë parashikuar këto rubrika:

· Nga teksti te kuptimi (nëpërmjet të cilës synohet nxitja e aftësimi i njohurive që kanë të bëjnë më të dëgjuarit, të lexuarit dhe të kuptuarit);

· Nga teksti tek analiza e ndërtimit (që ka të bëjë përgjithësisht me identifikimin e strukturës kompozicionale të një fragmenti, koherencës së saj dhe strukturave specifike stilistike që dallohen gjerësisht në të);

· Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës (nëpërmjet së cilës synohet që nxënësi të shkathtësohet në lidhje me identifikimin e vlerave të fjalës si njësi e ndërtimit të kohezionit të tekstit, pra jo vetëm në kuadrin e pasurisë leksikore të saj, po si njësi ndërtuese e elementeve stilistike, figuracionit etj.);

· Nga teksti te përdorimi (nëpërmjet së cilës synohet të identifikohet vlera reale e përdorimit të njësisë, fjalës në strukturë, në përdorim, pra funksioni stilistik i saj dhe vlerat konotative që merr ajo);

· Nga teksti te reflektimi (nëpërmjet së cilës synohet nxitja e të menduarit kritik, debatit, reflektimit në lidhje me çështje që trajtohen në tekst, po edhe të çështjeve të tjera që lidhen me rrethanat jetësore të qenies);

· Nga teksti te të shkruarit (nëpërmjet së cilës synohet nxitja e aftësive krijuese të nxënësit, pa iu imponuar, por duke e drejtuar nëpërmjet analizës së dhënë nga rubrikat paraprijëse, madje në raste të caktuara duke e stimuluar edhe në imitimin e teknikave kompozicionale të autorëve të veprave të ndryshme).

Duhet të theksojmë se në raste të caktuara, veçanërisht në disa mësime gjuhe, nuk është respektuar skema strikte e aparatit pedagogjik, pasi janë konceptuar si orë ushtrimesh.

·
Letërsi4

PËRMBAJTJE

Hyrje 3

Përdorimi i gjuhës në funksione stilistike 7

Letërsia moderne (I) 21

Stili në gjuhë dhe letërsi 31 Franc Kafka 43

Rendi leksikor, morfologjik dhe sintaksor i teksteve 58

Letërsia moderne shqipe 65

Format e ligjërimit letrar dhe joletrar 74

Faik Konica 83

Artikulimi gjuhësor, nga fjalia e thjeshtë te paragrafi 98

Lasgush Poradeci 102

Njohja e veçorive gjuhësore që lidhen me paragrafin dhe tekstin 116

Ernest Koliqi 126

Variacionet historike, shoqërore dhe kulturore të përdorimit të gjuhës 141 Mitrush Kuteli 146

Logjika letrare dhe joletrare e periudhës së përbërë me bashkërenditje dhe me nënrenditje 168

Millosh Gjergj Nikolla - Migjeni 180

Pasurimi i fjalorit kritik dhe gjuhës analitike 197

Letërsia moderne II Profile autorësh 203

Horhe Lui Borhes 214

Albert Kamy 221

Gabriel Garsia Markez 226

Diskursi argumentues dhe bindës i një eseje 237

Përdorimi i gjuhës në media të ndryshme 243

Prania dhe mosprania e figurës 249

Zhvillime letrare shqipe 254

Martin Camaj 262

Drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi i teksteve 281

Ismail Kadare 289

Stili dhe gjuha e zakonshme 309

Frederik Rreshpja 315

Arti i intervistimit 323

5

At Zef Pllumi 331

Profile autorësh 338

• Kasëm Trebeshina 338

• Fatos Kongoli 343

• Mihal Hanxhari 348

Poezia arbëreshe 354

Leksikologjia dhe raportet leksikologjike 357

Ali Podrimja 365

Përdorimi kreativ i gjuhës 376

Profile autorësh 378

• Teki Dërvishi 378

• Sabri Hamiti 385

• Eqrem Basha 388

Rrahman Dedaj 394

Folja dhe ligjërimi 402

Azem Shkreli 406

Profile autorësh 414

• Arif Demolli 414

• Zejnulla Rrahmani 414

• Ymer Shkreli 415

• Mehmet Kraja 415

• Kim Mehmeti 416

Anton Pashku 417

Regjistri gjuhësor, idiolekti dhe norma 435 Letërsia bashkëkohore shqipe 443

6

Gjuhë PËRDORIMI I GJUHËS NË FUNKSIONE STILISTIKE

Stilet funksionale të gjuhës I

Çdo gjuhë e gjallë ka një fond bazë elementesh dhe strukturash gjuhësore, të cilat janë në zhvillim të vazhdueshëm. Ato janë pjesë e njohjes mbi botën për çdo përdorues të gjuhës. Përdoruesi e shfrytëzon këtë fond për të realizuar komunikimin. Në varësi të situatës së komunikimit (vendi ku zhvillohet, marrësi të cilit i drejtohet, qëllimi që do të arrihet, formimi i marrësit dhe i dhënësit, origjina e tyre, shtresa sociale dhe intelektuale së cilës i përkasin etj.) ky fond bazë dhe elementet e tij, shfaqen në mënyrë të larmishme nëpërmjet atyre që quhen variacione gjuhësore (Kini parasysh p.sh. si flisni në klasë dhe si flisni në shtëpi për të njëjtën çështje.).

Në varësi të sferës së përdorimit dhe funksionit të këtyre lloj teksteve, stilet funksionale klasifikohen në: stili i veprimtarisë shkencore e teknike; stili i veprimtarisë juridiko-administrative; - stili i veprimtarisë shoqërore e politike; - stili i veprimtarisë letrare artistike.

Variacionet që ndërtohen mbi bazën e elementeve dhe strukturave që ngërthejnë sfera të caktuara të jetës, të tilla si: shkenca, jurisprudenca, administrata, shkolla, media etj. janë quajtur stile funksionale. Këtu hyn edhe stili i letërsisë artistike, i cili prodhohet dhe i përket një përdoruesi të vetëm.

Stili i veprimtarisë shkencore e teknike

Sfera: Stili i veprimtarisë shkencore e teknike lidhet me transmetimin e njohjes dhe të dijes nga fusha të ndryshme të shkencës dhe teknikës, si ajo e shkencave shoqërore, e shkencave natyrore, e teknikës, e teknologjisë etj. Këto dije përcillen nëpërmjet një niveli të lartë abstragimi të gjuhës.

Funksioni: Kumtimi është funksioni kryesor i këtij lloj stili. Nëpërmjet këtij funksioni realizohet përshkrimi i koncepteve dhe fenomeneve shkencore (në librat shkollorë, artikuj e monografi përshkruese etj.), parashtrimi dhe debati i tezave dhe kundërtezave (artikuj e monografi që parashtrojnë teza/kundërteza etj.), hartohen manuale udhëzuese (ato të teknikës) etj.

Leksiku: I gjithë teksti ndërtohet mbi bazën e fushës leksikore në të cilën përfshihet çështja që diskutohet (emri, si klasë fjalësh bën pjesë në fushën kuptimore të morfologjisë dhe kjo e fundit, në atë të gjuhësisë). Këto fusha leksikore përfshijnë terminologji të përcaktuara saktësisht, si dhe formula e formulime në trajtën e përkufizimeve, aksiomave etj. (emër i përgjithshëm/i përveçëm; emri përmbledhës emërton tërësi frymorësh, vetash dhe shprehet me formën e numrit njëjës.). Ndërtimi: Fjalitë ndërtohen mbi bazën e një linje logjike arsyetimi (Ndarja e parë tek emrat bëhet mbi bazën e kriterit kuptimor. Në bazë të këtij kriteri, emrat i kemi...).

Ato mund të përshkruajnë një fenomen ose të argumentojnë një çështje të caktuar (emri me tiparet e tij si klasë fjalësh nga pikëpamja e trajtave gramatikore). Rimarrjet ndodhin për efekt të argumentimit të një teze ose mohimit të saj (Emri i trajtuar nga pikëpamja e

7Gjuhë

kuptimit dhe emri i trajtuar nga pikëpamja e trajtave. Në artikuj të ndryshëm shkencorë gjeni shpesh rimarrje të tilla me efekt argumentues: Keni mësuar se emri konkret emërton objekte dhe sende që shihen dhe preken. Sipas kësaj logjike, edhe shijet janë konkrete, edhe ndijimet e të ftohtit e të ngrohtit janë konkrete.)

Fjalët që realizojnë lidhjen e rrjedhës logjike të arsyetimit apo lidhjen mes fjalive, i përkasin regjistrit formal. Ato mund të jenë lidhëza, ndajfolje, parafjalë apo struktura tipike të këtij stili etj. (kështu, pra, d.m.th. në këtë kontekst, sepse, meqenëse, sipas, në bazë, duke qenë se etj.).

Regjistri i ligjërimit është i lartë dhe formal. Në të nuk lejohen elementet me efekte emocionale dhe subjektive (pasthirrmat, pjesëzat emocionale etj.).

Shembulli i sjellë më poshtë është shprehje e përdorimit të gjuhës sipas këtij stili.

Uliksi (Ulysses)

Shikimi i poleve të Diellit Që prej viteve ‘60, një numër i madh satelitësh dhe sondash kanë studiuar Diellin, megjithatë, të gjitha këto e kanë vëzhguar yllin tonë nga ekuatori i tij, nga i njëjti këndvështrim që kemi nga Toka. Deri më sot, vetëm një sondë ka qenë në gjendje ta vëzhgojë Diellin nga këndi i poleve të tij: Uliksi (Ulysses), një sondë europiane e lëshuar në Tetor 1990. Uliksi gjendet në orbitën polare të Diellit që prej 1994-ës. Ai ka vëzhguar se erërat diellore fryjnë dy herë më fuqishëm në pole sesa në ekuator. Gjatë viteve 2000 - 2001, sonda kaloi mbi polet veriore dhe jugore, gjatë një kohe kur Dielli ishte veçanërisht aktiv.

Nuk është e lehtë të drejtohesh te polet diellore. Uliksi fillimisht shkoi në Jupiter për të përdorur forcën gravitacionale të planetit gjigant. Më pas, trajektorja e tij u harkua dhe ai u gjend 343 km nën polin diellor jugor në shtator 1994. Ai mbërriti në polin diellor jugor në qershor 1995.

Disa ndër tiparet e gjuhës së stilit shkencor e teknik janë:

Sfera: Teksti përmbledh fjalë të një fushe leksikore specifike të shkencës së astronomisë (Diell, orbitë, pole, sondë etj.).

Funksioni: Funksioni stilistik i ligjërimit është kumtues.

Në tekstin më lart kumtohet një informacion, pra, teksti synon ta informojë lexuesin mbi fakte shkencore në fushën e astronomisë, përkatësisht, në lidhje me eksplorimin e Diellit nga polet.

Leksiku: Siç thamë më lart, fjalët që gjenden në tekst i përkasin fushës leksikore të astronomisë (Diell, pole, ekuator, orbitë polare, vëzhgoj etj.).

Informacioni që përcillet është objektiv dhe duhet të përcillet me vërtetësi.

Në tekstin më lart mund të dallohen referenca të sakta vitesh, hapësirash, emërtimesh (vitet ‘60; tetor 1990; që prej 1994-ës; 2000-2001, Toka, Jupiteri, Dielli etj.), të cilat janë të verifikueshme.

(Përshtatur nga “Të kuptojmë Universin”)
8 Gjuhë

Shmanget sa të jetë e mundur dykuptimësia dhe qëndrimet emocionale.

Nga një lexim i kujdesshëm mund të dallohet se fjalët e tekstit të mësipërm janë përdorur në kuptimin e parë, pa konotacione. Ky kusht është i lidhur me objektivitetin e tekstit, si tipar i dallueshëm i këtij stili. Objektiviteti i këtij lloj teksti kërkon që fjalët të përdoren në kuptimet e para dhe jo në kuptimet e figurshme. Kështu, fjala “Diell” i referohet yllit që ngroh Tokën dhe nuk është përdorur si simbol apo metaforë (Dielli nderohej nga shumica e racave në lashtësi./Ti je dielli im.).

Ndërtimi: Fjalitë e tekstit duhet të kenë organizim logjik, shtjellim pa kundërthënie dhe sistemim në tërësinë e vet.

Në tekstin më lart, fjalitë janë renditur sipas një koherence që ka në bazë renditjen kronologjike në përgjithësi (Vini re vitet që iu referohen përpjekjeve për të arritur studimin e Diellit nga këndet.).

Fjalitë janë të zgjeruara me grupe fjalësh dhe pjesë fjalish që përgjithësisht, janë në marrëdhënie nënrenditjeje mes tyre. Kjo bën që të vihen në përdorim mjete lidhëse më të ndërlikuara, si lokucionet lidhëzore, apo fjalë lidhëse që nuk hasen rëndom në të folurin e përditshëm.

Mbizotërojnë ndërtimet emërore përkundrejt atyre foljore (Në tekstin më sipër kemi përdorim të lidhëzës shkakore meqenëse, përemrit lidhor që etj., të cilat janë më se të zakonshme në këto lloj ndërtimesh.).

Gjatë përdorimit të foljeve, vëmë re dendurinë e mënyrës dëftore (Vihen re përdorimet e foljeve jam, kam dhe vëzhgoj, që gjithashtu janë pjesë e këtij stili.).

Në tekstin më sipër, i cili organizohet në varësi të një renditjeje kronologjike faktesh, janë të pranishëm rrethanorë kohe që bëjnë lidhjen mes fjalive dhe shmangin monotoninë (që prej viteve...; deri më sot etj.).

Stili i veprimtarisë juridiko-administrative

Sfera: Stili i veprimtarisë juridiko-administrative mbulon tri aspekte të mëdha të organizimit shtetëror të jetës së një vendi, që kanë të bëjnë me pushtetin legjislativ (parlamenti), pushtetin ekzekutiv (administrata shtetërore) dhe atë gjyqësor (sistemi gjyqësor).

Funksioni: Funksioni i këtyre teksteve është informues, rregullues, udhëzues. Nëpërmjet këtij stili informohet mbi një rregull, një procedurë, një akt etj. Po kështu, rregullohet me ligje, shkresa zyrtare e marrëdhënie mes palëve, si dhe udhëzohen institucione të hierarkive të ndryshme në lidhje me zbatimin e legjislacionit etj.

Leksiku: Leksiku i këtij stili është i përqendruar në fushën leksikore të ligjeve dhe shkresave administrative. Për këtë arsye, ai përmbledh një numër të madh fushash të tjera leksikore, në varësi të objektit të ligjit a shkresës. Gjithsesi, ka një grup fjalësh që, përgjithësisht, mund të quhen veçori të kësaj fushe leksikore, të tilla si: ligj, projektligj, nen, sanksionoj, abrogoj, kërkesë, procesverbal, i nënshkruari, paditësi, i padituri, legjitimon etj.

Fjalët duhet të përdoren vetëm në një kuptim. Dykuptimësia është e palejueshme në këto tekste. Nuk pranohen elemente subjektive dhe emocionale.

Ky stil gjuhësor përdoret për hartimin e ligjeve, hartimin e akteve dhe udhëzimeve për zbatimin e tyre dhe për kontrollin që ushtrohet mbi zbatimin ose moszbatimin e tyre. Shembulli i mëposhtëm, i cili është Neni 36 i Kushtetutës së Kosovës, është shprehje e këtij stili.

9Gjuhë

Ndërtimi: Ndërtimi i këtij lloj stili është i standardizuar. Kjo do të thotë se kur hartohet një ligj, dihet renditja e pjesëve përbërëse të tij. Fillimisht shënohet ligji, numri, data kur është miratuar, pastaj renditen nenet dhe, poshtë secilit prej tyre, pikat sqaruese në lidhje me objektin e ligjit. Një pjesë e mirë e ligjeve, në fillim, kanë përkufizimin mbi terminologjinë e ligjit.

Fjalitë ndërtohen me folje në mënyrën dëftore, në kohën e tashme e shpesh në formën joveprore. Kjo gjë bëhet për arsye se regjistri i këtyre teksteve është shumë formal dhe objektiv.

Edhe foljet modale e veçanërisht folja duhet dhe mund, të shoqëruara me folje në lidhore ose pjesore, janë pjesë e këtyre teksteve.

Lokucionet parafjalore, parafjalë dhe lidhëza të caktuara të regjistrit formal janë të zakonshme në këtë tekst (në bazë..., në emër..., sipas, duke qenë se, për arsye se etj.)

Në këto tekste, zakonisht, përdoret veta e tretë njëjës (Juria vendosi).

Fjalitë janë të përbëra dhe lidhen me lidhëza bashkërenditëse shtuese (dhe, edhe), kundërshtore (por, kurse, ndërsa etj.), ose nënrenditëse të ndryshme (kur, ku, meqenëse, me qëllim që, në mënyrë që, nëse etj.).

Mjaft të përdorshëm janë edhe emrat prejfoljorë të veprimit (emërim, sanksionim, abrogim etj.).

Përdoren shpesh në funksion përfshirjeje edhe përemrat e pacaktuar: gjithkush, kushdo, secili etj. (veçanërisht tekstet që përshkruajnë të drejtat e liritë e njeriut).

Në tekstin në vijim po ilustrojmë tiparet e tekstit juridiko-administrativ:

Neni 36 [E Drejta e Privatësisë]

1. Çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera.

2. Kontrollet e cilësdo banese ose cilitdo objekti privat, që mendohet se janë të domosdoshme për hetimin e krimit, mund të bëhen vetëm deri në shkallën e domosdoshme dhe vetëm pas miratimit nga ana e gjykatës, pas shpjegimit të arsyeve pse një kontroll i tillë është i domosdoshëm. Shmangia nga kjo rregull lejohet, nëse është e domosdoshme për arrestim të ligjshëm, për mbledhjen e provave që ka rrezik të humbasin ose për mënjanimin e rrezikut të drejtpërdrejtë dhe serioz për njerëzit dhe për pasurinë, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Gjykata duhet t’i miratojë veprimet e tilla në mënyrë retroaktive.

3. Fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimit tjetër, është e drejtë e pacenueshme. Kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të vendimit gjyqësor, nëse është e domosdoshme për ecurinë e procedurës penale ose për mbrojtjen e vendit, në mënyrën e parashikuar me ligj.

4. Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale. Mbledhja, ruajtja, qasja, korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre rregullohet me ligj.

(Kushtetuta e Kosovës)

10 Gjuhë

Disa ndër tiparet e gjuhës së stilit juridiko-administrativ janë:

Sfera: Fusha e legjislacionit

Funksioni: Kumtues dhe parashkrues, domethënë jep udhëzimet përkatëse për ruajtjen privatësisë.

Leksiku: Gjithçka paraqitet në emër të ligjit dhe të shtetit, ndaj nuk mund të flitet për stilin individual të hartuesit, por duhet ndjekur një model i mirëmenduar e i paracaktuar në formë dhe në përmbajtje.

Norma e detyrueshme e këtij lloj stili është standardi. Vihet re se teksti më lart nuk ka shmangie dialektore apo ligjërimore.

Gjuha duhet të jetë e drejtpërdrejtë dhe të mos lërë vend për dykuptimësi apo për paqartësi.

Të gjitha fjalët janë me kuptimet e fushës leksikore që i përmbledh, përkatësisht fushës juridike, të drejtave që lidhen me privatësinë (e drejtë, privatësi, ruajtje, cenim, banesë, objekt privat, telefoni etj.). Një pjesë e tyre janë terminologji (neni, e drejtë, privatësi, gjykatë etj.).

Ndërtimi: Mbizotërimi i stereotipave (ndërtimeve tip) në të shkruar e në të shprehur, si tipar i këtij stili është i dallueshëm në tekstin më lart. Kështu, jepet koka e nenit, pastaj specifikimet e tij. Renditja bëhet sipas një logjike të qartë: fillimisht, kush e gëzon këtë të drejtë (çdokush) dhe kush jo. Renditja e pikave në vijim sqaron elementet konkrete të privatësisë.

Janë të pranishme grupet karakteristike të këtij stili: është e domosdoshme, në mënyrën e përcaktuar me ligj, në bazë të vendimit gjyqësor etj.

Foljet që përdoren më së shumti këtu janë në kohën e tashme, mënyra dëftore, joveprore (mendohet, lejohet, kufizohet), ose janë kallëzues të përbërë, të ndërtuar me foljet mund dhe duhet, të shoqëruara me folje në lidhore (mund të bëhet; mund të kufizohet etj.).

Janë të pranishëm emrat prejfoljorë të veprimit a të vepruesit (hetim, shmangie, arrestim etj Nuk mungojnë as këtu fjalitë stereotip të mbylljes (Secili person gëzon të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale. Mbledhja, ruajtja, qasja, korrigjimi dhe shfrytëzimi i tyre rregullohet me ligj.).

Fjalitë janë të përbëra dhe lidhen me përemra lidhorë (objekti privat, që mendohet), lidhëza kushtore (Shmangia nga kjo rregull lejohet, nëse është e domosdoshme për...).

11Gjuhë

Verifikoni njohuritë

1. Dalloni pohimin e saktë nga ai i gabuar. i saktë i gabuar Tematika e një teksti përcakton stilin gjuhësor të shkrimit.

Gjuha e përdorur në kartëmonedha i përket stilit juridiko-administrativ. Një informacion shkencor mund të jepet vetëm nëpërmjet stilit shkencor-teknik.

Një tekst pa gabime drejtshkrimore, përmbush kërkesat për tekstin e shkruar.

2. Cila nga fushat e mëposhtme nuk i përket stilit të veprimtarisë shkencore e tek nike. Qarkoni përgjigjen e saktë dhe argumentoni pse. a) fusha e shkencave shoqërore; b) fusha e shkencave natyrore; c) fusha e së drejtës ligjore; d) fusha e teknikës dhe e teknologjisë.

3. Cili është funksioni i stilit shkencor dhe i stilit juridiko-administrativ? Ilustroni përgjigjen me tekste të secilit stil.

4. Të dyja stilet kanë tipare në fushën e leksikut. Dalloni këto tipare, duke i ilustruar me tekste të ndryshme që i përkasin secilit prej tyre.

5. Të dyja stilet kanë tipare specifike në ndërtim. Dallojini ato, duke dhënë shembuj nga tekste që iu përkasin këtyre stileve.

Ushtrohuni përmes tekstit

6. Teksti i mëposhtëm ka elemente që nuk janë pjesë e tij. Dallojini ato dhe thoni pse nuk duhet të jenë. Zëvendësojini me diçka të përshtatshme. Shtoni ndonjë element që mund të jetë i domosdoshëm për ndërtimin.

a) Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe i lumtur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.

b) Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e saj, sipas dëshirës, në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve brenda kufijve të saj.

c) Hijeshia e fushës së Kosovës është ndër më të rrallat.

d) Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.

7. Në tekstin e mëposhtëm, dalloni fjalët, grupet që nuk i përkasin këtij stili dhe thoni pse. Zëvendësojini me diçka që iu përshtatet.

Për t’u mbrojtur kundër trupave të huaj, trupi ka disa mënyra plotësuese të mbrojtjes. Epiderma, e cila funksionon si bastion fizik, ndihmohet nga lotët, yndyra, pështyma dhe lëngjet gastrike, të cilët përmbajnë luftëtaret kimike (acidet, enzimat etj.). Nëse një patogjen arrin të përçajë vijën e parë të mbrojtjes, trupi, ose kështjella mbrojtëse, i përgjigjet sulmit me një reaksion inflamator, apo me një përgjigje të veçantë imune allashqiptarçe. Në të dyja rastet, rruazat e bardha të gjakut luajnë një rol madhor, duke arritur në rajonin e infektuar nëpërmjet enëve të gjakut dhe atyre limfatike dhe duke shkatërruar trupat e huaj e qelizat e prekura. Një trup i shëndoshë në mendje të shëndoshë.

Përshtatur nga “Të kuptojmë trupin e njeriut”.

STUDIM TEKSTI
12 Gjuhë

8. Lexoni tekstin më poshtë dhe dalloni fushën leksikore të fjalëve të tij duke i grupuar. Vini re kuptimet me të cilat janë përdorur ato. Ndani terminologjinë nga fjalët e tjera të kësaj fushe leksikore.

Tragjedia e ka origjinën shumë të lashtë, në antikitetin grek dhe është shkruar në vargje. Tragjedia trajtonte tema, të cilat quheshin të rëndësishme, pasi ato lidheshin me individë të veçantë, të shquar (heronj apo hyjni) dhe jepeshin me një stil të lartë, deklarativ. Heroi kryesor i tragjedisë përgjithësisht është i pafajshëm, por veprimet e tij lidhen me një faj të së shkuarës. Ai është i paradënuar të përfundojë në fatkeqësi ose në vdekje; zakonisht lufton për të realizuar një qëllim të lartë, por për fat të keq, dënohet, pasi mjedisi përreth nuk e kupton. Mesazhi që merret prej tragjedisë është kundërshtimi dhe lufta ndaj së keqes dhe dhunës. (Kujto “Prometeu i mbërthyer”)

9. Në tekstin më lart, dalloni si janë lidhur fjalitë me njëra-tjetrën, cilat janë mjetet që i lidhin ato, foljet dhe kohët e tyre. Dalloni shprehjet stereotip që janë karakteristike për këtë lloj teksti.

10. Lexoni tekstin më poshtë dhe dalloni fushën leksikore të fjalëve të tij, duke i grupuar. Vini re kuptimet me të cilat janë përdorur ato. Ndani terminologjinë nga fjalët e tjera të kësaj fushe leksikore.

NENI 1 - OBJEKTI DHE BAZA LIGJORE E MARRËVESHJES

1.1 Kjo marrëveshje ka për objekt dhënien me qira të automjetit të përshkruar në faqen e parë të kësaj marrëveshjeje, nga ana e Qiradhënësit, në përdorim të përkohshëm të Qiramarrësit, përkundrejt kushteve të përcaktuara në këtë marrëveshje.

1.2 Legjislacioni mbi të cilin palët mbështeten për hartimin, interpretimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje është legjislacioni shqiptar, konkretisht, Kodi Civil, dispozitat mbi kontratën e qirasë, Kodi Rrugor, si dhe legjislacioni i zbatueshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë.

NENI 2 - PËRKUFIZIME

Me terminologjinë e përdorur në këtë marrëveshje, do të kuptohet:

2.1 Automjeti: është sendi i luajtshëm objekt i kësaj kontrate, i cili lihet në përdorim të përkohshëm të Qiramarrësit nga ana e Qiradhënësit, përkundrejt shpërblimit. Qiramarrësi është përgjegjës për sendin gjatë gjithë kohëzgjatjes së marrëveshjes, duke treguar kujdesin e duhur në përdorimin e sendit dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor prej drejtuesit të automjetit.

11. Në tekstin e ushtrimit 10, dalloni ndërtimet stereotip të këtij teksti, kohën, mënyrën e foljeve të përdorura në të dhe formën e tyre, lidhëzat karakteristike dhe parafjalët e këtij stili. Dalloni llojin e prejardhjes tek emrat e këtij tipi fjalëformimi.

Sfida e të shkruarit

12. Gjeni dhe lexoni disa ligje të kodit penal dhe civil. Nënvizoni mjetet gjuhësore që mendoni se i përkasin veçanërisht kësaj fushe.

13. Mblidhni informacion dhe shkruani një tekst në stil shkencor për bletën. Lexojeni në klasë dhe arsyetoni renditjen e fakteve të bërë nga ju, llojin e fjalëve, lidhëzat dhe fjalët e parafjalët e caktuara, llojin e leksikut dhe fushën semantike të përzgjedhur, objektivitetin apo subjektivitetin në konceptimin e tekstit etj.

13Gjuhë

Gjuhë

Stilet funksionale të gjuhës II

Stili i veprimtarisë politiko-shoqërore

Veprimtaria shoqërore e politike është në zhvillim të pandërprerë dhe sot njeh një përhapje si kurrë më parë, falë edhe sofistikimit e modernizimit të mjeteve të komunikimit e veçanërisht, medieve të llojeve të ndryshme. Tradita e gjatë e të kumtuarit dhe të shkruarit për një publik të gjerë, ka çuar në formësimin e një stili të caktuar gjuhe, i cili zhvillohet në mënyrë të pandërprerë. Për këtë ndikojnë faktorë të ndryshëm, si ai historik, shoqëror-ekonomik, infrastrukturor etj.

Sfera: Sfera ku zhvillohet ky stil përfshin tekstet që hasen në jetën politike e shoqërore të përdoruesve (botimet e organizatave politike e shoqërore, tekstet e ligjërimet politike e shoqërore, fjalime, debate, diskutime etj.). Ky stil realizohet në formë të shkruar dhe të folur. Sferën mediatike, që shihet si pjesë e stilit politiko-shoqëror, por që në fakt përfshin një numër shumë më të madh e të larmishëm tekstesh, do ta trajtojmë më vete si tekst mediatik.

Funksioni: Funksioni i këtij lloj stili është kumtues e ndikues. Ky stil nuk mjaftohet vetëm me dhënien e një informacioni, por ka si qëllim të ndikojë te marrësi mendimin, idenë e tij.

Leksiku dhe ndërtimi: Leksiku i stilit politiko-shoqëror shfaqet shumë i larmishëm, pasi ai përfshin fusha leksikore të llojeve të ndryshme. Një gjë e tillë shpjegohet edhe me llojin e larmishëm të informacionit që gjendet në të (Në këtë stil, ndër të tjera, shfaqet fusha leksikore politike, e cila ndërthur fjalë që lidhen me ideologji të caktuara: të djathtët, të majtët, të qendrës, ekologjistët, votë, votim, pozitë, opozitë, pakt social, kandidat, votoj, i votuar etj.).

Vihet re se fjalët nuk përdoren vetëm në kuptimet e para, po një pjesë prej tyre kanë edhe konotacion, pra, përdoren me elemente emocionale. Kjo lidhet me veçantinë e këtyre teksteve, të cilat mund të përmbajnë edhe elemente subjektive e emocionale në to (madje në lloje të caktuara tekstesh, si: ligjërimet politike, opinionet etj., në mënyrë që të ndikojnë sa më shumë te marrësi, e rrisin elementin subjektiv e personal).

Metafora, ironia, satira etj., hasen shpesh në këto tekste.

Në këto lloje tekstesh vihen re edhe ndërfutje të elementeve të tjera, si: dialektore, ligjërimore, subjektive, që nuk janë pjesë e standardit. Në mjaft fushata politike, kandidatët, në mënyrë që të marrin sa më shumë vota, përdorin dialekte dhe regjistra të ndryshëm, sipas grupmoshës, origjinës, formimit të marrësve. Megjithatë, duhet thënë se në tekstet e shkruara, veçanërisht në broshurat e organizatave shoqërore, por edhe politike, këto ndërhyrje janë më të pakta se ato që realizohen në të folur. Nuk mund të përcaktohen kufizime në përdorimet e pjesëve të ligjëratës dhe trajtat e tyre. Ato specifikohen sipas llojit të tekstit, p.sh., në fushatat politike zgjedhore përdoret më shumë koha e ardhme (në kuadrin e premtimeve), kurse në një tubim përkujtimor përdoren kryesisht kohët e së shkuarës, e pakryera, e kryera e thjeshtë etj. Në një pjesë tekstesh të këtij stili përdoret edhe elipsa (mungesa e gjymtyrëve). Një gjë e tillë bëhet për të goditur lexuesin dhe vihet re veçanërisht në një pjesë titujsh, që janë për botim në media. Në jo pak raste, titulli nuk ka lidhje me brendinë e tekstit.

Ibrahim Rugova
14 Gjuhë

Parullat dhe ndërtimet stereotip janë tipar i një pjese tekstesh. Kështu, partitë politike kanë jo vetëm simbolet, por dhe parullat e tyre për çdo fushatë politike. Edhe nismat shoqërore e zbatojnë një gjë të tillë (p.sh.: Stop dhunës ndaj grave! Muaji i librit! Dita e poezisë!).

Shembulli i sjellë më poshtë, është shprehje e përdorimit të gjuhës sipas këtij stili.

Gjak, mundim, lot dhe djersë “Do t’i thosha parlamentit, ashtu si u kam thënë atyre që kanë hyrë në këtë qeveri: Unë nuk kam asgjë për të ofruar, përveçse gjak, punë, lot dhe djersë. Përpara nesh kemi një sprovë të rëndë. Përpara nesh kemi shumë muaj luftë dhe vuajtje. Ju pyesni, cila është politika jonë? Unë mund të them: të bëjmë luftë, nga deti, toka dhe ajri, me të gjithë madhështinë dhe forcën që Zoti mund të na japë; të bëjmë luftë kundër një tiranie monstruoze, që asnjëherë nuk është pranuar në katalogun e zi dhe të dhimbshëm të krimeve njerëzore. Kjo është politika jonë. Ju pyesni, cili është objektivi ynë? Unë mund të përgjigjem me një fjalë: Është fitorja, fitorja me çdo kusht, pavarësisht gjithë terrorit, fitorja, sado e gjatë dhe e vështirë mund të jetë rruga, sepse pa fitore, nuk ka mbijetesë”.

(13 maj 1940, Dhoma e Ulët e Parlamentit, Fjalimi i Uinston Çërcillit si Kryeministër.)

Disa ndër tiparet e këtij teksti janë:

Sfera: Teksti i përket fjalimit politik mbajtur në parlamentin britanik dhe është transmetuar në radio.

Funksioni: Kumton dhe veçanërisht synon të ndikojë e të bindë. Është Lufta e Dytë Botërore. Ai kërkon që të informojë Parlamentin për pozicionin e qeverisë së tij dhe të ndikojë e bindë atë se rruga do të jetë e gjatë dhe e mundimshme, por kjo është rruga që duhet ndjekur.

Leksiku: Teksti i mësipërm ka një dhënës dhe një marrës tipik në kuadrin e fushës leksikore të fjalive politike: Kryeministri dhe Parlamenti. Ai flet në vetë të parë njëjës (ka lidhje me bindjen e plotë dhe përgjegjësinë që ka), kur i drejtohet personalisht, por pastaj kalon në vetën e parë shumës (flet në emër të sakrificës së përbashkët).

Këta dy pjesëmarrës të këtij komunikimi dhe konteksti kur zhvillohet ky fjalim kushtëzojnë edhe mjaft fjalë që i përkasin fushës tjetër leksikore, që është ajo e luftës: luftë, vuajtje, terror, tirani, fitore etj.

Po kështu, nevoja e luftës në çdo anë e në çdo front jepet nëpërmjet grupeve parafjalore që janë vënë në një shkallëzim ngjitës (nga deti, nga toka, nga ajri).

Përgjegjësia e tij politike përfaqësohet nga foljet: them, përgjigjem.

Teksti ka tone patetike (të ngritura, të zjarrta) në varësi edhe të funksionit që ka. Që në titull dallohen këto tone përmes enumeracionit të katër emrave që i përkasin fushës semantike të sakrificës në luftë (gjak, mundim, lot dhe djersë).

Nuk është e vështirë të dallohen pjesë fjalish që formohen nga të njëjtat grupe fjalësh. Kjo është karakteristikë e fjalimeve politike, pasi rrisin tonet bindëse e patetike (Përpara nesh kemi... /Ju pyesni.../ Unë mund të them...)

Në tekst gjenden edhe trope (metafora dhe epitete metaforike: një tiranie monstruoze, që asnjëherë nuk është kaluar në katalogun e zi dhe të dhimbshëm).

15Gjuhë

Është i dukshëm elementi poetik që krijohet nga përsëritjet e të njëjtave fjalë, madje të të njëjtave grupe. Kjo krijon aliteracion. Gjithë teksti ndërtohet mbi bazën e dy fjalëve që organizojnë gjithë tekstin: politika (që do të ndjekin - lufta) dhe objektivi (fitorja), që shërbejnë si bërthama organizuese.

Stili i veprimtarisë letrare artistike

Sfera e këtij stili përfshin të gjitha krijimet artistike që realizohen nëpërmjet gjuhës së shkruar apo të folur. Dy janë degëzimet e mëdha të krijimtarisë artistike: nga njëra anë, krijimtaria gojore popullore, pra, folklori (krijim anonim) e nga ana tjetër, krijimtaria e shkrimtarëve, domethënë, letërsia e kultivuar (krijim individual).

Gjuha e letërsisë artistike është e hapur për të gjitha përdorimet e mundshme gjuhësore, kur kjo përzgjedhje ka kryesisht një synim të caktuar artistik letrar. Nëndarjet e mëdha të letërsisë janë: proza, poezia dhe drama.

Proza është një lloj ligjërimi letrar që vjen nga përpunimi artistik i rrëfimit të gjuhës së gjallë dhe i monologut. Aty ndërthuren të gjitha format e tjera të gjuhës së shkruar e të folur.

Poezia është shfaqja më e epërme e përdorimit gjuhësor, e cila edhe në paraqitjen shkrimore dallon nga mënyrat e tjera të komunikimit. Në ligjërimin poetik, vëmë re një organizim të të gjitha niveleve të gjuhës, duke shfrytëzuar mjete të tilla, si: përftesa fonetike, prozodike, shkrimore, leksikore, sintaksore etj. Drama shfaqet në dy mënyra të dallueshme: tragjedi dhe komedi. Këtu mbizotëron mënyra skenike e të rrëfyerit, çka do të thotë që i gjithë ligjërimi është në gojën e personazheve, ndërkohë që mungojnë fjalët e autorit.

Disa ndër tiparet e gjuhës së stilit të veprimtarisë letrare artistike janë:

Sfera: Në këtë stil futen tekste që i përkasin prozës, dramës, poezisë etj.

Funksioni: Letërsia ka funksion estetik, pra, do të sublimojë te marrësi ndjesinë e së bukurës. Nëpërmjet saj, jo vetëm kumtohet diçka, por njëkohësisht synohet të kultivohet dhe të edukohet shija estetike.

Leksiku: Leksiku në stilin e letërsisë artistike ka një larmi të jashtëzakonshme. Fjalët përdoren në të gjitha kuptimet në funksion të figurshmërisë dhe krijimit të estetikes.

Janë të zakonshme shtresimet leksikore të ndryshme: krahinorizmat, dialektizmat, frazeologjitë, neologjizmat, huazimet etj.

Subjektiviteti është në shkallën më të lartë, ndaj edhe në këtë nivel intensifikon figurat e rrafshit kuptimor (tropet, si: metafora, metonimia, ironia, epiteti etj.).

Nga pikëpamja sintaksore kemi një numër të jashtëzakonshëm strukturash që janë krijime individuale (madje sot letërsia moderne luan me deformimin e strukturës). Shfaqen figurat e sintaksës poetike (elipsa, antiteza, inversioni, anafora, epifora etj.).

Nga pikëpamja fonetike realizohet efekti poetik në poezi edhe në prozë (asonancë, konsonancë, aliteracion etj.).

Një rol të rëndësishëm në organizimin gjuhësor të letërsisë artistike luajnë edhe rimarrjet me fjalë ose me struktura të tëra. Një gjë e tillë rrit efektin poetik.

16 Gjuhë

Foljet mund të ndryshojnë kuptimet kohore të mësuara nga ju në gjuhë (e tashmja historike, ku folja ka formën e kohës së tashme të mënyrës dëftore, po veprimi është zhvendosur në të shkuarën) në varësi të stilit të një autori dhe parimeve organizuese të tij.

Një shembull i stilit i letërsisë artistike paraqitet më poshtë.

PARADOKS

Kur fola, më thanë: hesht!

Kur heshta, më thanë: fol! Folehesht, heshtefol jeta ime.

Disa ndër tiparet e këtij teksti janë:

Sfera: Letërsi artistike, poezi.

Funksioni: Teksti ka funksion estetik, ngjall ndjesinë e së bukurës.

Leksiku: Gjuha e letërsisë artistike bën të mundur që edhe në tekste të shkurtra të realizohen efekte të jashtëzakonshme, që reflektojnë magjinë e krijimit dhe të krijuesit, si dhe ndjesinë estetike te lexuesi.

Autori ka përzgjedhur në titull një fjalë që njëkohësisht, është edhe figurë. Siç dihet, paradoksi parashikon një situatë e cila, në pamje të parë, duket absurde dhe e palogjikshme, por që në fund pohohet se ka një logjikë, mbështetet në argument ai përfundim që u duk absurd në fillim. Pak a shumë, ky është kuptimi i fjalës nga pikëpamja leksikore. Në këtë mënyrë, autori na përgatit edhe për kuptimin e përmbajtjes (një situatë paradoksi), por edhe për ndërtimin (duke kundërvënë njësi në kontrast me njëra-tjetrën). Nëse lexon poezinë, vëren se ky konstatim që doli edhe nga analiza e titullit, reflektohet realisht në të, pasi aty gjejmë dy situata të kundërta: të folurit-heshtja (foljet: fol-hesht).

Dy vargjet e para janë identike në ndërtim. Kanë ndryshuar vendet vetëm foljet, për të realizuar paradoksin. Njëkohësisht, një ndërtim i tillë reflekton ritëm të njëjtë dhe aliteracion të theksuar, duke mos e ndier mungesën e rimës së jashtme.

Foljet janë organizuar në disa mënyra. Kemi folje në të kryerën e thjeshtë (dëftore) që identifikojnë procesin në veprim, si një e shkuar mbarëkohore, pasi nuk jepet asnjë referencë me kohën konkrete (fola, heshta) dhe po të njëjtat folje në urdhërore, njëjës (hesht, fol). Edhe këto përdorime janë në kuadër të ndërtimit të kontrastit dhe perceptimit të paradoksit.

Këtë kontrast e paradoks, poeti e përmbledh në vargun e tretë me dy fjalë-paradoks (folehesht/heshtefol). Një organizim i mrekullueshëm, mjaft i përmbledhur e lakonik, që paraqet fatin e qenies njerëzore nën imponimin, diktatin e tjerëve (ata thanë).

(Veç rrafshit universal, poezia mund të interpretohet edhe në rrafsh kombëtar e individual. Këto janë elemente që pastaj shtohen edhe nga analiza e kontekstit të krijimit të poezisë.)

17Gjuhë

Verifikoni njohuritë

1. Plotësoni tabelën e mëposhtme sipas modelit të dhënë.

Stili i veprimtarisë shkencore e teknike shtetërore e administrative shoqërore e politike letrare artistike funksioni informues, shkencor, edukativ autori një ose më shumë marrësi kryesisht, bota e arsimit dhe e shkencës gjuha e përdorur e qartë, e thukët, abstraguese, jo emotive përdorimi i gjuhës standarde i detyrueshëm

2. Qarkoni pohimin e saktë.

Disa ndër tiparet e gjuhës së stilit të veprimtarisë shoqërore e politike janë:

a) Me anë të ligjërimit politiko-shoqëror synohet të ndikohet mbi mendimet, qëndrimet dhe vlerësimet e lexuesve ose të dëgjuesve.

b) Mesazhi që përcillet synon informimin dhe nëpërmjet tij, formimin e prirjeve, shijeve, bindjeve, botëkuptimit të të tretëve.

c) Informacioni është gjithnjë objektiv dhe në përputhje me realitetin.

d) Qëndrimi i autorit është gjithnjë objektiv dhe jo emocional.

3. Qarkoni pohimin e gabuar.

Disa ndër tiparet e gjuhës së stilit të veprimtarisë letrare artistike janë:

a) Gjuha në letërsinë artistike ka funksion estetik.

b) Ligjërimi nëpërmjet këtij stili synon pikë së pari t’i japë informacion të saktë lexuesit.

c) Ligjërimi nëpërmjet këtij stili nuk lë hapësirë për interpretime të dyfishta.

d) Ndryshe nga stilet e tjera, këtu fiton rol parësor ana krijuese e autorit, organizimi individual i tekstit.

4. Dalloni tiparet e leksikut dhe të ndërtimit në stilin politiko-shoqëror dhe gjeni shembuj të teksteve ku përdoret.

5. Dalloni tiparet e leksikut dhe të ndërtimit të stilit të letërsisë artistike dhe ilustrojeni me shembuj.

Ushtrohuni përmes tekstit

6. Lexoni me zë tekstin e mëposhtëm.

a) Përcaktoni me shkrim llojin e tekstit të mëposhtëm duke dhënë tiparet e tij.

b) Shkruani funksionin, sferën në të cilën bën pjesë.

c) Dalloni dhe argumentoni me shkrim elemente karakteristike të fushës leksikore, ku bën pjesë. Dalloni elementet e ndërtimit dhe mënyrën e renditjes së fjalive, llojin e tyre etj.

STUDIM TEKSTI
18 Gjuhë

d) Dalloni dhe argumentoni me shkrim raportin mes elementit objektiv dhe atij subjektiv.

e) Dalloni dhe argumentoni me shkrim tonet e tekstit, duke gjetur fjalët dhe grupet që krijojnë në këtë imazh. “Të dashur vëllezër! Nata pesëqindvjeçare aziatike po kalon. Perandoria e kalbur po shembet. Fuqitë e mëdha evropiane po bëjnë plane djallëzore. Fqinjët grabitqarë po i mprehin thikat për të na rënë pas shpine. Populli ynë gjendet para një fataliteti. Nga çdo anë na kanoset rreziku. Të bëhemi syçelë e vigjilentë. T’u dalim zot trojeve tona stërgjyshore. T’i mbrojmë qysh i kemi mbrojtur gjithmonë, me gjak. Këtë mund ta bëjmë vetëm të bashkuar, si një grusht i vetëm... Tërë pasurinë pata me e shkri për shkollat shqipe. Por, të pabesët, turqit e rinj, na tradhtuan. Nuk i realizuan premtimet. Kabineti i Hilmi Pashës i mohoi të gjitha. Ai vetë pat deklaruar para deputetëve se: Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në Perandorinë tonë, janë shqiptarët. Është frikë e madhe nga ky komb të mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe të mos mëkëmbet, të mos marrë dituri në gjuhën e vet dhe atëherë e mori lumi Turqinë e Evropës. Të gjitha këto i kundërshtova ditën e enjte, më 11 janar 1912, kur u mblodh Parlamenti. Aty i pata paralajmëruar haptas: Po nuk u përmbushën kërkesat tona, do të plasë revolucioni. E ndër të parët që do t’i rrok armët do t’jem unë. Si sinjal të kryengritjes e pata lënë: “Kur t’i mbathi opingat e të dal në Drenicë”. Dhe, e mbajta fjalën. I shita të gjitha magazet e mia në Shkup, se na duhen para dhe erdha këtu. Sot, në kullën e këtij trimi besnik po e ngrinim flamurin e lirisë, atë të Skënderbeut dhe po i shpallim luftë TURQISË.

7. Lexoni me zë tekstin më poshtë.

a) Dalloni dhe argumentoni me shkrim elemente të stilit që i përket (rimë, të brendshme e të jashtme, ritëm, rolin e numërorëve të përdorur në organizimin e poezisë dhe fjalët të cilave iu referohen ata, vini re ngjashmëritë, ndryshimet në dy vargjet e para) dhe thoni efektin e tyre.

b) Vëreni vargjet e fundit, dalloni dhe argumentoni me shkrim ngjashmërinë.

c) Argumentoni me shkrim nëse ndryshimi ka lidhje me përmbajtjen apo me formën, ndërtimin për arsye të rimës. Në fund, dalloni për cilin tipar të karakterit e ka fjalën.

Dy e nji

Dy veshë na kemi e veç nji gojë t’ vetme, Se shumë sende me ndi i duhet t’urtit, Por fjal’t me i k’pute për s’shkurtit.

Dy sy prap kemi e veç nji goje t’ vetme, Se shume sende me k’qyrun asht nevoja, E pak me folun goja.

8. Lexoni tekstin poshtë. Dalloni dhe argumentoni me shkrim sferën së cilës i përket. Në të janë shtuar fjalë që nuk i përkasin atij. Ato gjenden te grupet e nënvizuara. Gjejini dhe thoni pse nuk janë pjesë e këtij teksti.

“Shumë gjenerata të mëparshme e të gjithfarëllojshme, si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja, fëminore fëmijët tani, do të rriten me Skënderbeun, mikun tim, do të rriten me heroin e vet. Do të ndihen dhe do të diagnostikohen më të qetë edhe dëshmorët e shumë brezave dhe ata të luftës së fundit e parafundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot Kosova është e lirë dhe e çliruar dhe e bënë të lirë nipat e tij dhe miqtë e kumbarët e Skënderbeut”.

(Ibrahim Rugova, 28 nëntor 2001)

19Gjuhë

9.

Lexoni tekstin poshtë. Dalloni dhe argumentoni me shkrim sferën së cilës i përket. Në të janë shtuar fjalë që nuk i përkasin atij. Ato gjenden te grupet e nënvizuara. Gjejini dhe argumentoni me shkrim në fletore pse nuk janë pjesë e këtij teksti.

Vetvetiu nji frazë muzikore i u zgjue ndër funde t’errta e të shndritshme të shpirtit e kokës e duel, dredhadredha, tue u zhvillue e kadalshme. Kujtim i avullt e akullnajor i ndonji kânge të harrueme? E muer me qemane e vilincel. Ajo frazë e shkurtë i a mbushte zêmrën me nji kënaqsí të çuditëshme. U shtrî përmbys tue e këndue me vete. E, qe, papritë, nji shkulm melodije i kaloi nëpër shpirt e treti, pa lanë gjurmë. Kërkoi e hulumtoi durueshëm tue gërmue mbrêndë në mênde; mori përsëri, dhetë herë rrjesht mbi ç’do tel të qemanes, frazën muzikore dhe politike qi i a kish dyndun shpirtin ç’në themel, e, si pakujtuemas, ajo themë pesë gjashtë notash nisi të zhdrivillohet, të zgjatohet, të lakohet, të plotohet e zbraztohet deri qi, në fund, lulzoi e papritun/e papritur në gjasë të nji kaçube kaçash plot bubuqe qi, sa e prekë nji frymë e voktë flladi dhe nji rreze e artë dielli, çelë menjiherë e mbushet unjí me drandofille.

10. Lexoni pjesët e mëposhtme dhe përgjigjuni me shkrim këtyre pyetjeve:

a) Ç’kanë të përbashkët këto pjesë?

b) Në ç’stil gjuhësor është shkruar secila prej tyre?

c) Cilat janë tiparet kryesore që i dallojnë këto tekste? Ilustroni me elemente dhe pjesë nga teksti çdo tipar.

i. Familja e vogëlushit të sëmurë kërkon ndihmë nga shteti, pasi e ka të pamundur të përballojë shpenzimet për kurimin e tij. I pyetur nga stafi i gazetës sonë, mjeku pohon se medikamentet për të luftuar një sëmundje të tillë nuk gjenden lehtësisht në qendrat tona spitalore.

ii. Familja (lat. familia, nga famulus – rob shtëpie, shërbëtor) është njësia shoqërore më e vogël e përbërë nga dy ose më shumë persona, të cilët kanë midis tyre lidhje martesore, gjaku ose birësimi; që jetojnë në të njëjtin mjedis për një kohë relativisht të gjatë, kanë marrëdhënie kulturore dhe ekonomike të përbashkëta, si dhe përkujdesen për njëri-tjetrin.

iii. Unë jam dakord me idenë që ne nuk mund të ecim në rrugën postmoderne, duke mbivlerësuar dhe shenjtëruar pa sens mase familjen si strukturë, duke ekzagjeruar rolet sociale brenda saj, as duke e konsideruar qëndrueshmërinë e strukturës klasike të saj, përtej nevojave të zhvillimit dhe dinamikës së jetës postmoderne.

iv. I përhumbur, me shikimin ngulur askund, vazhdoi të fliste duke thënë se në fund të fundit, gjithçka e kishte bërë për hir të familjes.

11. Dëgjoni me kufje ose në Youtube, tekstin e mëposhtëm: (https://www.youtube.com/ watch?v=ggEFmLqUFLI) Argumentoni me shkrim se si ndikon të dëgjuarit në përcaktimin e llojit të stilit. Cilat të dhëna gjuhësore bëhen më të dukshme?

Është nder i madh për mua që me bekimin tuaj, t’ju drejtohem në cilësinë e presidentes së vendit tonë, për 5 vitet e ardhshme. Vendimi juaj më vesh me shumë përgjegjësi. Dashuria për Kosovën ka qenë motivimi më i madh në rrugëtimin tim politik. Sot është dita e Kosovës, sepse përfaqësuesit tuaj po e përmbyllin me dinjitet procesin, është dita ku dëshmojmë se me vendosmëri ne dimë të përballojmë sfidat dhe t’i japim kuptim. [...]

Sot Kosova zgjodhi edhe një herë presidente grua. Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato dëshirojnë, aty ku ëndërrojnë çdo natë. Pavarësisht profesionit që dëshironi, mos ndalni hapin e juaj kurrë. Unë do t’iu mbështes me gjithë mundësitë që kam, do të jem pranë jush kur do të sfidoheni dhe do të krenohem me ju kur do të triumfoni”.

(Pjesë nga fjalimi i parë i Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës: "Jemi model edhe për shtete më të konsoliduara, fitoren ua dedikoj grave kosovare”)

(“Kanga e re”, Ernest Koliqi)
20 Gjuhë

Letërsi

LETËRSIA MODERNE (I)

Karakteristikat themelore të letërsisë moderne

Ç'është Modernizmi?

Termi Modernizëm u përdor për të emërtuar një lëvizje kulturore e letrare, që i pati fillesat rreth vitit 1890 dhe arriti kulmin në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX. Pas këtyre viteve, mund të flasim për zhvillimin e një modernizmi të vonë, i cili i pati zgjatimet e veta deri në fund të gjysmës së parë të shekullit XX. Qysh në fillimit e veta, Modernizmi u karakterizua nga prirja drejt eksperimenteve, veçanërisht nga përpunimi i formës dhe ndërgjegjësimi se dija nuk është absolute. Kjo diktoi edhe ndryshime në mënyrën e perceptimit të realitetit dhe konceptimit të shkencës. Po ashtu, zbulimi i dimensionit të kohës si kohë e brendshme nga Bergsoni, eksplorimi i anëve të errëta të pavetëdijes nga Frojdi, përpunimi i teorisë së relativitetit nga Ajnshtajni, ndikuan që koncepte të tilla, si: e ardhmja, e shkuara dhe e tashmja, hapësira dhe koha, shkaku dhe pasoja, vetëdija dhe pavetëdija, të mos konsiderohen më si të dhëna absolute, por relative. Nga ana tjetër, zhvillimi me ritme të shpejta i teknologjisë dhe ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Parë Botërore bënë që shumë njerëz të vinin në dyshim të ardhmen e njerëzimit. Pyetja se çfarë po ndodhte me botën, do të zgjonte një ndjeshmëri të re me natyrë ekzistencialiste te shkrimtari i epokës moderne.

Në letërsi dhe arte:

Modernizmi, me formën e shfaqjes së tij, është parë si reaksion ndaj metodës së Realizmit dhe Romantizmit dhe si një shkëputje tërësore nga stilet tradicionale që lëvroheshin deri në atë kohë. Modernizmi kërkonte forma të reja shprehjeje dhe ndjeshmëri të re estetike për të shënuar ritmet e reja të zhvillimeve shoqërore e industriale të kohës dhe për të pasqyruar kompleksitetin e jetës moderne urbane.

Modernizmi ishte ndërtuar mbi ndjesinë e tëhuajtjes, të vetmisë, larg turmës dhe qytetërimit të zhurmshëm. Ai shoqërohej me një sërë kontradiktash që karakterizonin tipare të ndjeshmërisë moderne, si: tëhuajzimi, vetmia, absurdi, dualiteti, kaotizmi, kontrasti, kundërvënia etj.

Temat dhe motivet kryesore të teksteve moderniste

Tekstet moderniste përshkohen nga idetë e një jete kaotike apo të një bote pa Zot, ku gjithçka është e mundur. Në to ndihet ndikimi i fortë që ushtroi realiteti tronditës i periudhës midis dy luftërave botërore.

Këto tekste kanë disa karakteristika.

Ato paraqesin situata absurde, ku përfshihet njeriu, pa ditur si të dalë. Njeriu, të cilin e akuzojnë për kryerjen e një krimi, që as nuk e di se e ka bërë dhe as nuk e sqarojnë se çfarë ka bërë.

Kjo është situata e romanit “Procesi” të Kafkës (Franz Kafka). Personazhi kryesor, Jozef K., nëpunës i zakonshëm banke në një qytet të panjohur, një

Letërsi 21

mëngjes, teksa zgjohet nga gjumi, e gjen veten në praninë e dy policëve, të cilët e akuzojnë për një krim dhe i përmendin se ka nisur një proces gjyqësor ndaj tij, por pa i treguar as atij, as lexuesit se për ç’krim bëhet fjalë. Gjithë përpjekjet që bën Jozef K., në mënyrë absurde, shkojnë për të përligjur pafajësinë e tij, e jo për të vepruar, në mënyrë që të kundërshtojë fajësinë. (Kur ai ngulmon me fjalë se është i pafajshëm, prifti i përgjigjet: “Por kështu flasin fajtorët”). Jozef K. ekzekutohet pa e mësuar kurrë se për çfarë akuzohej. Po ashtu, te Kafka ndihet motivi i vetmisë së njeriut, që përpëlitet mes ankthit për shpagim dhe mekanizmave absurdë të një shoqërie të prapambetur. Ndihet motivi i refuzimit dhe i përjashtimit të individit nga familja e shoqëria (Këto situata vihen re sidomos te veprat “Metamorfoza” dhe “Amerika”). Ndihet absurditeti i ekzistencës përballë autoritetit tiranik të pushtetit (të çfarëdolloj forme), që e asgjëson njeriun pa asnjë arsye. Në tekstet moderniste vërehet përdorimi i efekteve të kujtesës dhe pavetëdijes për të eksploruar përvojat personale, raportet me kohën, veten, shoqërinë: me rregullat dhe zakonet e saj. Këto efekte shërbejnë edhe për të eksploruar krizat e brendshme, që vijnë nga “dyzimi” i vetes përballë shtrëngesave të shoqërisë.

Kështu, me ciklin e romaneve “Në kërkim të kohës së humbur”, Marsel Prusti (Marcel Proust) orvatet të rikthejë të shkuarën nëpërmjet teknikës së kujtesës së pavullnetshme, e cila bën të mundur kapërcime të mëdha në kohë dhe hapësirë, duke shpërbërë, kësisoj, edhe procedimet e njohura që kishin dyshja kohë – hapësirë në prozën tradicionale. Në këtë cikël romanesh të Prustit vihet re një deformimi i vazhdueshëm i kohës dhe i hapësirës. Në rrëfim u jepet rëndësi ndodhive, që i binden vetëm kohës subjektive, asaj të botës së brendshme dhe psikologjike të personazhit. Kujtesa e pavullnetshme ka të bëjë me eksplorimin e përvojave personale të së shkuarës. Ngacmimet që vënë në punë kujtesën vijnë nga faktorë të ndryshëm. Një ndër ta është edhe raporti që krijojnë shqisat me objekte të caktuara, të cilat përçojnë ndjesi të së kaluarës. Kështu, fillojnë e rishfaqen kujtimet: një kujtim tërheq pas vetes një tjetër, për të krijuar më pas një tablo kujtimesh, nëpërmjet të cilave autori rikthen, me një fuqi mahnitëse e me detaje të imëta, një botë të tërë të jetuar dikur. P.sh., shija e biskotës, të quajtur madëlenë, dhe aroma e çajit ringjallin te personazhi periudhën e fëmijërisë me të gjitha detajet e saj.

Në tekstet moderniste vërehet edhe kërkimi i rregullit e i kuptimit në një botë kaotike e pa kuptim; zëvendësimi i heroit ideal me antiheroin; zëvendësimi i optimizmit me pesimizmin e deri në cinizëm; refuzimi i historisë dhe zëvendësimi i saj me të kaluarën mitike; shtimi i interesit për kulturat primitive.

Pikturë e Zh. Brak
Letërsi22

Tek “Uliksi”, një nga veprat më përfaqësuese të Modernizmit në letërsi, Xhojsi (James Joyce) paraqet një pikëpamje shumë pesimiste për natyrën njerëzore. Blumi, Moli dhe Stefan Dedalusi, personazhet kryesore të veprës, paraqesin modelin tipik të antiheroit. Xhojsi i ka portretizuar si figura satirike, që ilustrojnë më së miri degradimin dhe kolapsin e qytetërimit perëndimor. Këto figura të venitura e të vetmuara “përfaqësojnë tkurrjen që pëson heroikja në një realitet të vrazhdë, të rrëmujshëm e pa kuptim, që karakterizon jetën moderne”. Portretin e zvetënimit kulturor dhe shpirtëror të kohës moderne na e përçon edhe poema “Këngë dashurie e Alfred Prufrokut” e poetit Tomas S. Eliot (Thomas Stearns Eliot). Prufroku shënon figurën e antiheroit, e njeriut të paqëllim, të pavendosur, e të frustruar. Ai është protagonisti tipik i modernizmit, që ka humbur besimin në shoqëri, fe dhe mjedisin përreth, ka humbur dinjitetin dhe identitetin para turmës. Ai duket se ka humbur gjithashtu çdo pretendim për veprim heroik. Poezia e Eliotit është një analizë e shqetësimit dhe dyshimit që ka mbërthyer njeriun modern, i cili thuajse e ka humbur ndjenjën e sigurisë te vetja dhe besimin te shoqëria.

Rishikimi i marrëdhënies së tekstit modernist me lexuesin

Siç thamë më lart, tekstet moderniste karakterizohen kryesisht nga refuzimi i traditave mbizotëruese (Romantizmi dhe Realizmi) të shekullit XIX, pra edhe nga refuzimi i marrëdhënies që ishte vendosur (në një konsensus të heshtur) midis autorit dhe lexuesit. Realizmi kishte si shqetësim kryesor anën e paraqitjes së realitetit larg retorikës, duke ngulmuar se imitonte përditshmërinë, ndaj lexuesi gjente vetveten dhe e kishte të lehtë për t’i shkuar deri në fund fabulës, që ishte e strukturuar sipas parimit kronologjik shkak-pasojë. Modernizmi e prishi këtë pritshmëri. Shkrimtarët

Pikturë e P. Pikaso.
Letërsi 23

modernistë priren ta sfidojnë vazhdimisht lexuesin, duke i ofruar forma e stile komplekse, të vështira për t’u kapur. Në teknikat e shkrimit modern ndihet parapëlqimi për teknikën e pranëvënies dhe të fragmentimit, si dhe të këndvështrimit të shumëfishtë, të dhënë përmes një ndërgjegjeje të veçantë dhe individuale. Kjo gjë e sfidon lexuesin që të rivendosë vetë një koherencë kuptimore në format e fragmentuara. Ndaj, ky lloj shkrimi kërkon tashmë një lexues që nuk dëfrehet, por që është i zoti të vihet në mendime, një lexues të kultivuar.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Çfarë shënjon fjala “modernizëm” në letërsi? Cilët janë faktorët socialë, shkencorë dhe letrarë që ndikuan në lindjen e Modernizmit?

2. Pse Modernizmi u shoqërua me kërkesën për forma të reja shprehjeje?

3. Cilat janë tiparet e ndjeshmërisë moderne? Përpiquni të gjeni tipare të tjera (përveç atyre që janë dhënë në tekst) nga librat që keni lexuar apo nga literaturat që mund të shfletoni.

4. Plotësoni tabelën sipas kërkesave:

Tiparet e stilit modernist Stili romantik Stili realist Dallimet mes tyre

5. Cilat janë disa nga temat kryesore të shkrimit modernist? Gjeni tema të tjera.

6. Pse tekstet moderniste kërkojnë një lexues të kultivuar, “që të jetë i zoti të vihet në mendime”?

7. Çfarë kuptimi kanë për ju fjalët: tëhuajzim, vetmi, absurd, dualitet? Ushtroni mendimin kritik

8. Diskutoni mbi tezën: “Tekstet moderniste përshkohen nga idetë e një jete kaotike apo të një bote pa Zot, ku gjithçka është e mundur”. Ilustroni mendimin, duke përdorur argumente nga vepra të tjera të Kafkës apo të autorëve të tjerë modernistë që njihni.

9. Siç e kemi cilësuar më lart, kujtesa e pavullnetshme ka të bëjë me eksplorimin e përvojave personale të së shkuarës. A ju ka ndodhur t’ju vijnë ndër mend modele të së shkuarës në mënyrë të pavullnetshme?

10. Ju tashmë njihni cilësitë e heroit ideal dhe antiheroit të modernizmit. Në ç’raporte qëndrojnë ata me njëri-tjetrin?

Sfida e të shkruarit

11. Modernizmi ka ngacmuar shumë shkrimtarë e mendimtarë të shfaqin idetë e tyre mbi vlerat dhe pasurinë që solli kjo rrymë në letërsinë botërore. Pasi të bëni kërkime mbi këto ide, jepni mendimin tuaj në një ese argumentuese: “Shekulli XX, konteksti i duhur për ardhjen e modernizmit në letërsi dhe art”.

Letërsi24

Letërsi

Veçoritë formale të rrëfimit në prozën moderniste

Proza moderniste ka natyrë eksperimentale. Në të ndihet mungesa e rrëfimit kronologjik, sipas parimit tradicional shkak-pasojë dhe, në vend të tij, autorët modernistë përdorin teknikën e rrëfimit të ndërprerë. Kjo teknikë mundëson kalimin nga një nivel rrëfimi në një tjetër e, po ashtu, lejon praninë e një sërë narratorësh të ndryshëm, të cilët realizojnë pikëvështrime të shumëfishta mbi rrëfimin.

Romani “Këlthitja dhe mllefi” i Uilliam Folknerit (William Faulkner) është cilësuar si një nga tekstet më të vështira narrative të modernizmit amerikan. Teksti është i ndarë qartazi në katër pjesë, të cilat strukturojnë katër narrativa të ndryshme dhe kjo për shkak të faktit se ekzistojnë narratorë të ndryshëm në secilën prej tyre: e njëjta seri ngjarjesh apo pasojat e tyre janë prezantuar nga këta narratorë, por lexuesi ka përshtypjen që i tërë teksti është një lloj gjëegjëze dhe “detyra” e tij është të riorganizojë ngjarjet që janë shfaqur këtu në mënyrë të shthurur

Kur flija me Vardamanin, një herë pata makth kur mendova se isha zgjuar, por s’mund të shihja dhe s’mund të ndieja, s’mund ta ndieja shtratin nën mua dhe s’mund të mendoja se çfarë isha, s’mund të mendoja për emrin tim, s’mund të mendoja madje se jam vajzë, s’mund madje as të mendoja, madje as të mendoj, se dua të zgjohem dhe as nuk kujtoja dot se cila ishte e kundërta e zgjimit, kështu që çfarë mund të bëja ishte se e dija që diçka po më ndodhte, por s’mundja të mendoja dot për kohën dhe papritur e dija që diçka po ndodhte, se era fryu dhe më ktheu prej atje ku nuk po fryja unë në dhomë dhe Vardamani ishte në gjumë dhe të gjitha këto u kthyen përsëri nën mua dhe vazhduan sikur një mëndafsh i freskët rrëshqiste ngadalë nëpër këmbët e mia lakuriq.

“Duke dhënë shpirt”, U. Folkner, përktheu G. Zela

Në prozën moderniste, fillon të zërë vend edhe teknika e vetëreflektimit për aktin e të shkruarit dhe për natyrën e letërsisë.

Novela “Tonio Kregër” e Tomas Manit (Thomas Mann) eksploron problemin e artistit, i cili, në përkushtimin e tij ndaj të shkruarit, detyrohet të privohet nga kënaqësitë e jetës së zakonshme. Tonio përballet vazhdimisht me dyzimet e veta shpirtërore: sakrificën që kërkon arti nga njëra anë dhe plotësimin e kënaqësive personale. Tonios i pëlqen të jetë në shoqërinë e miqve, por natyra artistike nuk e lejon.

Mos më flisni për prirje, Lisaveta Ivanovna! Letërsia s’është prirje, por mallkim, që ta dini. Kur fillon ta nxjerrë kokën ky mallkim? Herët, tmerrësisht herët, në një periudhë të jetës kur duhet të kishim ende të drejtë të jetonim të qetë e në harmoni me Zotin e me Gjithësinë. Filloni ta ndieni veten të veçuar, në kundërshtim me të tjerët dhe i pakuptuar nga ata, nga njerëzit e zakonshëm e për së mbari; humnera e ironisë, e dyshimit, e kontradiktave, e njohjes, e ndjenjave që ju ndan nga njerëzit, thellohet shumë e më shumë, ndiheni i vetmuar, dhe tani s’ka më mundësi marrëveshjeje. Çfarë fati! Sidomos po të supozosh që zemra ju ka mbetur aq e gjallë, dhe aq… dashuruese sa t’ia ndiejë tmerrin... Vetëdija për vlerën tuaj ndizet, sepse e ndieni veten të shënuar në ballë mes një mijë të tjerëve dhe e kuptoni që kjo s’i shpëton kujt. Kam njohur

Fragment nga filmi me të njëjtin titull
Letërsi 25

një aktor gjenial që, në jetën e përditshme, i duhej të luftonte një druajtje e një mungesë vullneti të sëmurë. Ndjenja e theksuar që kishte për vlerën e tij, e bashkuar me faktin se ai s’dinte ç’të paraqiste, ç’rol të luante në jetë, e katandisën ashtu atë artist të përsosur dhe atë njeri të mjerë... Artistin, atë të vërtetin, jo një nga ata për të cilët arti është një mjeshtëri qytetari, por artistin e paracaktuar nga fati dhe të mallkuar, e njeh edhe në mes të një turme, mjaft që ta kesh syrin pak të mprehtë. Në fytyrën e tij lexohet ajo ndjenja që ka si njeri veç të tjerëve, si njeri që s’i përket pjesës tjetër të botës, si njeri i njohur nga të gjithë dhe i vëzhguar nga të gjithë, diçka edhe mbretërore, edhe e sikletshme njëherësh.

“Tonio Kregëri”, T. Mann, përktheu D. Omari

Një teknikë shumë e rëndësishme e që u bë shpejt tipar evidentues i shkrimit modernist është ajo e përroit të ndërgjegjes. Nëpërmjet teknikës së përroit të ndërgjegjes synohet të jepet një ekuivalent tekstual për rrjedhjen e ndërgjegjes së një personazhi fiksional. Nëpërmjet kësaj teknike, të krijohet përshtypja se lexuesi po përgjon rrjedhjen e përvojës së vetëdijshme në mendjen e personazhit. Kjo teknikë vjen nëpërmjet formave të ndryshme stilistike. Rrëfimi ndërtohet nga lloje të ndryshme fjalish, duke përfshirë ligjëratën e zhdrejtë të lirë, që karakterizohet nga kapërcime asociative në sintaksë dhe në shenjat e pikësimit.

Pjesë e teknikës së përroit të ndërgjegjes është edhe monologu i brendshëm, i cili paraqet rrjedhat e mendimit të personazheve nëpërmjet ligjërimit të brendshëm, të heshtur, si një rrjedhë mendimesh të verbalizuara. Monologu i brendshëm zbërthen mendimet e trazuara të personazheve që flasin në heshtje me veten. Nga pikëpamja gramatikore, ligjërimi paraqitet në vetën e parë dhe në kohën e tashme, si dhe i shoqëruar nga fjalë deiktike1. Gjithashtu, për të imituar rrjedhën e lirë e të pastrukturuar të mendimit, në ligjërim mund të përdoret edhe dialogu në veten e tretë. Një teknikë tjetër e rëndësishme e rrëfimit modernist është ajo e flashback-ut (kthimit pas, e njohur ndryshe edhe si retrospektivë). Nëpërmjet kësaj teknike, rrëfimtari e ndërpret rendin kronologjik të rrëfimit të ngjarjes kryesore, për ta kthyer lexuesin pas në kohë, në ngjarjet e kaluara në jetën e një personazhi. Në këtë mënyrë, flashback-u mbush disa hapësira boshe në ecurinë e veprimit narrativ. Kjo teknikë e ndihmon lexuesin që ta njohë ngjarjen nga brenda dhe të mësojë më shumë për një personazh apo për vetë ngjarjen.

Në romanin “Zemra e errësirës” të Zhozef Konradit (Joseph Conrad), teknika e retrospektivës përbën pjesën më të madhe të gjuhës së tij rrëfimtare, duke krijuar një histori brenda historisë. Kështu, të ulur në bordin e një anijeje të vogël, të ankoruar në lumin Tamiz, ekuipazhi pret të kthehet batica që të nisë lundrimin. E ndërsa dielli zhytet në horizont, Marlout, njërit prej anëtarëve të ekuipazhit, kjo pamje i kujton kohën e kaluar si kapiten i një anijeje lumi në Kongo, dhe nis

1Termi deiktik lidhet me një fjalë a grup fjalësh, kuptimi i të cilave varet nga ajo që është folur, për çfarë është folur. Deiktiku rimerr pra këto të dhëna. Në këtë funksion mund të jenë përemrat vetorë (unë, ti etj.), ndajfoljet kohe, vendi (atëherë, aty etj.).

Uliksi i Xhejms Xhoisit, Loui Jover
Letërsi26

të rrëfejë historinë e tij. Ky kthim pas është një shmangie ndaj linjës që kishte marrë rrëfimi dhe na ndihmon për të njohur më mirë karakteristikat e këtij personazhi.

Teknika e përdorimit të shumë zërave narrativë (polifonia e zërave) shërben për ta paraqitur ngjarjen nga këndvështrime të ndryshme, por edhe për ta pasuruar tekstin me stile e regjistra të ndryshëm me anë të të cilëve paraqiten këta zëra (p.sh., te romanet e Folknerit, te poema “Tokë e shkretë” e Eliotit).

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cili është funksioni i rrëfimit të ndërprerë në prozën moderniste?

2. Cilat veçori të rrëfimit modernist ndeshen te romani “Këlthitja dhe mllefi” i Folknerit? Renditni disa prej tyre.

3. Çfarë dini për teknikën e përroit të ndërgjegjes? Si mendoni, pse konsiderohet si teknikë shkrimi identifikuese e prozës moderniste?

4. Çfarë specifikash gjuhësore e karakterizojnë diskursin e përroit të ndërgjegjes?

5. Ç’funksion luan monologu i brendshëm? Shpjegoni pse është pjesë e teknikës së përroit të ndërgjegjes.

Ushtroni mendimin kritik

6. Si mendoni, teknika e flashback-ut ndihmon fabulën apo subjektin e veprës narrative?

7. Cilat funksione përmbush prania e shumë zërave narrativë në tekstet moderniste?

8. Lexoni sërish fragmentin e “Tonio Krëgërit” dhe diskutoni në lidhje me procesin gjatë të cilit kalon heroi/antiheroi modernist. A lidhet me këtë fragment? “Filloni ta ndieni veten të veçuar, në kundërshtim me të tjerët dhe i pakuptuar nga ata, nga njerëzit e zakonshëm e për së mbari; humnera e ironisë, e dyshimit, e kontradiktave, e njohjes, e ndjenjave që ju ndan nga njerëzit, thellohet shumë e më shumë, ndiheni i vetmuar, dhe tani s’ka më mundësi marrëveshjeje. Çfarë fati! Sidomos po të supozosh që zemra ju ka mbetur aq e gjallë, dhe aq… dashuruese sa t’ia ndiejë tmerrin”.

9. Në fragmentin e romanit “Duke dhënë shpirt”, shikoni llojin e kallëzuesit të përdorur më së shumti. Shpjegoni kontrastin mes “s’mund të mendoja” dhe “dija” dhe lidhjen e tyre me teknikat e letërsisë moderniste.

Kthim pas në kohë
Letërsi 27

Letërsi

Tiparet e poezisë moderniste

Një pikë e rëndësishme fillese e modernizmit mund të konsiderohet vepra poetike “Endjet” (1897) e Stefan Malarmesë (Stéphane Mallarmé).

Në këtë vepër, Malarmeja hedh poshtë idenë mbi të cilën ishte mbështetur Realizmi, se gjuha është referenciale dhe se fjalët janë shenja të një realiteti paraprak. Për Malarmenë, gjuha e poezisë është sugjeruese, evokuese dhe realiteti nuk është tjetër veçse një interpretim nga një perspektivë e veçantë. Poezia ndihmon për ta krijuar realitetin. Po kështu, Malarmeja hedh poshtë idenë romantike që e konsideronte poezinë si shprehje të subjektivitetit të autorit, sepse, sipas tij, poeti futet në realitetin e gjuhës, realitet i cili përcakton si ndërgjegjen e poetit, ashtu edhe botën së cilës ai i referohet. Malarmeja, sikurse të gjithë modernistët, tërhoqi vëmendjen te fuqia e fjalëve për të qenë burim i nuancave të reja kuptimore, te fuqia e tingujve të fjalëve, te kombinimet e veçanta të fjalëve brenda njësisë poetike, te kapja e thelbit të poezisë. Duke dashur të jetë e lirë edhe në formën e organizimit, poezia moderniste refuzoi strukturat tradicionale të ndërtimit të vargut sipas modeleve të njohura metrike e rimike, sepse ato pengonin lirinë e zgjedhjes së fjalëve dhe format e shprehjes, ndaj, poetët modernistë zgjodhën të përdornin eksperimentimet me vargun e lirë.

Po ashtu, poetët modernistë refuzuan konceptin tradicional se poezia duhet të na mësojë, pra rolin “e mësimdhënëses” së poezisë dhe kërkuan çlirimin e poezisë nga elementet didaktike dhe sentimentale, sepse poetët modernistë nuk e konceptojnë dot se funksioni i tekstit poetik është që t’i mësojë lexuesit vlerat dhe qëndrimet. Në këtë kuptim, poezia moderniste i largohet parimit dulce et utile të Horacit (bashkimit të së këndshmes me të dobishmen), për të evokuar një shkrim ndjellës, që kurrë nuk nënvlerëson aftësinë interpretuese të lexuesit.

Poema moderne organizohet me fjalë të vendosura në një mënyrë të caktuar, jo për hir të idesë që duhet të transmetojnë, por për hir të organizimit ritmik, rimik, sintaksor etj. Si i tillë, teksti poetik nuk lejon parafrazim varfërues, por vetëm një lexim që thekson autonominë e diskursit letrar. Në poezinë moderne, shenjuesit kanë një autonomi të caktuar në lidhje me kuptimin, kjo vihet re p.sh., te kaligramat e Apolinerit apo edhe në poezi ku elementi fonologjik bëhet i rëndësishëm, pa iu referuar direkt një kuptimi të veçantë. Në poezinë moderniste vihet re prirja për të përzier zhanre apo struktura të ndryshme. Kështu, p.sh., kemi poemat në prozë të Rembosë (Arthur Rimbaud), të Sent Xhon Persit (Saint-John Perse), Uajldit (Oscar Wilde), poezinë polifonike, të përfaqësuar nga Paundi (Ezra Pound),

Paul Verlaine dhe Arthur Rimbaud (ulur, majtas), Henri Fantin-Latour, nga 1872.
Letërsi28

Shfaqjet e këtyre njerëzve në turmë Petale në degën e lagur, të murrmë.

“Në stacionin e metrosë”, E. Paund, përktheu G. Krasniqi

kaligramat nga Apolineri (Guillaume Apollinaire) dhe Huidobro (Vicente Huidobro), poemat kolazh nga Elioti etj. Poema, në kontekstin e modernitetit, priret të ketë elemente fshehtësie dhe errësimi të qëllimshëm. Teksti poetik e magjeps lexuesin, por ai nuk mund ta deshifrojë lehtësisht atë. Teksti i mësipërm i Paundit, në fakt, është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e poezisë moderne. Mbi të gjitha, për faktin se ai ndryn në vete një shkallë kondensimi poetik që nuk kishte ndodhur më parë (një poezi që me aq pak fjalë, arrin të mbartë aq shumë kuptime); së dyti, pranëvendosja e dy imazheve komplekse, pa i shpjeguar ato, por duke ia lënë lexuesit të vendosë një marrëdhënie ndërmjet tyre, e bën këtë poezi t’i afrohet tipit të teksteve me fund të hapur (“sepse imazhi nuk është ide, - thotë Paundi, - por një nyje rrezatuese idesh”). Siç shihet, poezia është shumë e shkurtër, ashtu siç e kërkonte edhe manifesti i tij, duke eliminuar fjalët e tepërta, të cilat nuk i ndihmonin paraqitjes së imazheve (imazhi, sipas Paundit, është vetë ligjërimi. Imazhi është fjalë përtej gjuhës së shprehur). Nga ana tjetër, poezia ilustronte edhe parimin tjetër të “regjistrimit të atij çasti, kur një gjë e jashtme dhe objektive, e transformon veten në një gjë të brendshme dhe subjektive”. Po kështu, edhe subjekti është më se i zakonshëm. Megjithatë, kuadri i poezisë operon me analogjinë që ngrihet nëpërmjet simbolit të metrosë.

Gijom Apoliner, Kaligram, Poemë 22, 1915

Një model i poemës në prozë është edhe teksti “Ag” i Artur Rembosë.

Përqafova agun e verës. Ende s’lëvrinte gjë në ballinën e pallateve. Uji ishte i vdekur. Hijnajat nuk i shqiteshin udhës së pyllit. Eca, duke zgjuar frymët e gjalla e të vakëta, dhe gurët e çmuar vështruan, dhe heshtur u ngritën flatrat.

E para përshtypje, në shtegun tash të përmbytur nga vezullime të befta zbehane, qe një lule që më tha emrin e saj. Qesha me ujëvarën bionde që flokëshprishet mes bredhash: në majën e argjendtë sërish njoha dean.

Ahere i ngrita velat një e nga një. Në udhë, duke lëvizur krahët. Nëpër fushë, ku ia kallëzova gjelit. Në qytetin e madh ajo përvidhej përmes kambanoreve e kupolave dhe, tek rendte si një lypës mbi skela mermeri, unë e ndiqja.

Në krye të rrugës, pranë një pylli dafinash, e rrethova me flatrat e saj të mbledhura, dhe për një çast i ndjeva trupin e pamatë. Agu dhe foshnja u rrëzuan në rrëzë të pyllit.

Kur u zgjova ishte mesditë.

Shkrimtarët modernistë

Artur Rembo, përktheu A. Çani

Modernizmi pati përfaqësuesit e vet, të cilët sollën risi në teknikat dhe format e të shkruarit të poezisë dhe prozës, duke projektuar modele të reja shkrimore e duke kultivuar shije e ndjesi të reja estetike. Ata reformuan konceptin për zgjedhjen e temave, të funksionit të letërsisë dhe rolit të krijuesit. Për të karakterizuar teknikën

Letërsi 29

e shkrimtarëve modernistë, kritiku Valter Alen (Walter Allen) pohon se “... Ky brez e thyen sipërfaqen realiste të gjërave dhe, përkundër racionales, mekanikes dhe shkencores, ata e vënë theksin tek irracionalja, e pavetëdijshmja dhe mitikja. Për këta krijues, realiteti qëndron në ndërlikueshmërinë labirintike, që fshihet poshtë sipërfaqes së gjërave. Ky perceptim modernist as që mund të mendohej më parë...”. Ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë moderne, mund të përmenden: Stefan Malarme, Oskar Uajldi, Henri Xhejms (Henry James), Zhozef Konrad, Ruben Dario (Rubén Darío), Huan R. Himenes (Juan Ramón Jiménez) - në fillesat e modernizmit; Ezra Paund, Marsel Prust, Franc Kafka, Xhejm Xhojs, Toma S. Eliot, Virgjinia Ulf (Virginia Woolf), Uilliam Folkner, Ernest Heminguej (Ernest Hemingway) etj.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cila është marrëdhënia e poezisë moderniste me format tradicionale të organizimit të vargut?

2. Pse poezia moderne e përqendron vëmendjen te përzgjedhja e fjalëve dhe mënyra e vendosjes së tyre në varg?

3. Pse poezia moderne nuk deshifrohet lehtë? Cilat elemente ia vështirësojnë nxjerrjen e kumtit?

4. A mendoni se parafrazimi e varfëron tekstin poetik në përgjithësi, e sidomos atë modern? Shoqërojeni me argumente përgjigjen tuaj.

5. Evidentoni pohimet e Malarmesë. Shpjegojini me fjalët tuaja ato.

6. Ndërtoni me to tri teza thelbësore mbi poezinë. Përdorni fjalët kyç si ndihmëse për tezat tuaja.

7. Si e kuptoni shprehjen e kritikut Valter Alen në lidhje me përcaktimin e brezit të modernistëve: “Ky brez e thyen sipërfaqen realiste të gjërave dhe, përkundër racionales, mekanikes dhe shkencores, ata e vënë theksin tek irracionalja, e pavetëdijshmja dhe mitikja”?

Ushtroni mendimin kritik

8. Çfarë kuptoni me pohimin e modernistëve se: “funksioni i poezisë nuk është që t’i mësojë lexuesit vlerat dhe qëndrimet”? A bashkoheni edhe ju me këtë qëndrim? Jepni mendimin tuaj, duke e shoqëruar me argumente.

9. Krahasoni mes jush përfundimet mbi tri tezat e ngritura nga pohimet e Malarmesë dhe debatoni mbi to. A keni pika takimi? Ku ndryshoni?

10. Poetët lirikë modernë shfaqen si gjenerata më e gjallë, më shprehëse, më emotive. Shpjegoni lidhjen e këtij dinamizmi në kontekstin e poezisë moderne, duke e ilustruar me shembuj.

11. Teksti i Rembosë “Ag”, nga pikëpamja e zhanrit, klasifikohet si tekst i ndërmjetëm: poemë në prozë, një formë e shkrimit modern. Renditni elementet e sferës poetike dhe ato prozaike dhe diskutoni se cilat dominojnë më shumë.

Xhorxho Morandi, "Natyrë e qetë", 1918
Letërsi30

Gjuhë STILI NË GJUHË DHE LETËRSI

Gjuha si komunikim

Komunikimi është një mjet shumë i rëndësishëm i jetës. Ai është një proces i përhershëm, jo vetëm ndërmjet njerëzve, por edhe ndërmjet kafshëve (Patat në qiell fluturojnë në formën e germës V, milingonat ecin në kolonë, qentë komunikojnë mes tyre me të lehura etj. Kafshët komunikojnë mes tyre nëpërmjet tingujve, me të cilat ato shprehin mesazhe të ndryshme.).

Njerëzit komunikojnë mes tyre për nevojat e jetës së përditshme si të ushqyerit, të strehuarit, të veshurit, për dhimbjen, për gëzimin, por edhe për ekonominë në përgjithësi, bashkëjetesën, artin, politikën etj. Janë pikërisht këto nevoja, të cilat kushtëzojnë procesin e komunikimit.

Të komunikosh do të thotë të hysh në marrëdhënie me të tjerët, të transmetosh njohuritë, mendimet, gjykimet, ndjenjat. Gjuha është ndërtuar në mënyrë të tillë që të përvetësohet dhe të përdoret si mjet i efektshëm i grumbullimit dhe shkëmbimit të përvojës.

Gjuha regjistron në fjalë dhe fjali konceptet dhe gjykimet e njeriut për botën, parimet e shoqërisë njerëzore dhe lejon që këto njohuri të ruhen (me anë të shkrimit) e t'u përcillen brezave pasardhës. Në këtë mënyrë, gjuha mundëson edhe komunikimin mes brezave.

Për të komunikuar, njerëzit ndërtojnë tekste, të cilat i përdorin në kontekste të caktuara. Për të shprehur sa më saktë mendimet, ndjenjat, kumtet etj., gjuha fiton kuptime të tjera, të cilat reflektohen në ndërtime të reja jo të zakonshme për elementet gjuhësore. Në këtë mënyrë përftohet pikërisht ai që quhet organizim dytësor.

Organizimi dytësor parashikon ndër të tjera gërshetimin e mjeteve gjuhësore të niveleve të ndryshme në përshtatje me situatën dhe pjesëmarrësit e komunikimit. Kështu, nëpërmjet devijimeve nga kuptimet e para realizohen edhe kuptimet e figurshme, që përmbledhin ndjesi, emocione të ndryshme etj.

Lulja u vyshk./Zemra u vyshk.

Në shembullin më lart vihet re se vetëm nëpërmjet ndryshimit të një fjale në këtë grup fjalësh, ndryshon tërësisht situata, kuptimi, imazhi i gjithë grupit, duke marrë një vlerë emocionale mjaft të lartë, atë që përcjell kjo metaforë. Fjala zemra, e vendosur pranë foljes vyshkem, nuk gjen përdorim të zakonshëm. Përdoruesi i vë bashkë për të realizuar një kuptim të ri që, në fakt, nënkupton plakjen, rënien e zemrës. Prandaj, ai ka ndryshuar përdorimin e kësaj fjale në ndërtimin e saj të zakonshëm (p.sh zemra rreh).

Këto kuptime që merr fjala në këtë ndërtim të pazakontë quhen kuptime të figurshme, kurse ndërtimi i ri ku u përdor ajo, është pikërisht organizimi dytësor i saj.

Në këtë kontekst, stilistika e vështron gjuhën të lidhur me komunikimin, me nevojat shoqërore dhe individuale, me funksionin gjatë përdorimit të saj real e praktik. Pra, ajo sheh se cilat janë mjetet dhe ndërtimet gjuhësore në këtë organizim, për ta bërë

Komunikimim mes të rinjsh.
31Gjuhë

sa më të efektshëm komunikimin. Në këtë mënyrë ajo bën krahasimin mes ndërtimeve në të cilat realizohen kuptimet e para (ndërtimet denotative) dhe atyre ku realizohen kuptimet e reja, nëpërmjet organizimit dytësor (ndërtimet konotative e jo vetëm). Nga një proces i tillë identifikohen edhe devijimet në ndërtim, që pastaj çojnë edhe devijime në kuptim e imazh. Kështu, dallohen dhe përcaktohen edhe tiparet tip të situatave të ndryshme, të cilat reflektohen në tipare specifike të elementeve të niveleve të tilla të studimit gjuhësor si ai fonetik, semantik, morfologjik, sintaksor etj. Sistemi i këtyre mjeteve të zgjedhura nga përmbajtja e nga vlera shprehëse dhe të përdorura në përshtatje me kërkesat e një fushe të caktuar të veprimtarisë shoqërore përbën stilin gjuhësor. Në terminologjinë tradicionale, ky koncept quhet edhe stil funksional, sepse është shfaqje e funksionit të veçantë që merr gjuha në një fushë të caktuar.

Këto lloj tiparesh, sipas stilesh, realizohen në ligjërim të shkruar, por dhe të folur.

Diskursi dhe objekti i analizës së tij

Me diskurs apo përftesë ligjërimore do të kuptojmë aktivitetin e personave që flasin, shkruajnë apo lexojnë, domethënë, çdo akt përdorimi të gjuhës, pra çdo praktikim të aftësisë sonë ligjërimore që i referohet një produkti konkret gjatë të folurit, të shkruarit apo të lexuarit. Diskursi është një veprimtari ligjërimore individuale, nëpërmjet së cilës individët tregojnë kompetencën e tyre gjuhësore.

Ai përkufizohet me ndihmën e tri elementeve: situatës komunikative, si njohuri dhe nga pikëpamja ku realizohet të thënët, ndërveprimit (të thënët realizohet mes dy a më shumë personave që komunikojnë mes tyre) dhe përdorimit (të thënët është e destinuar të artikulohet, të dërgohet nga thënësi te marrësi dhe të kuptohet nga marrësi).

Objektet e analizës së diskursit (ligjërimi, shkrimi, biseda, ngjarja komunikuese) përkufizohen në mënyra të ndryshme në lidhje me sekuencat koherente të fjalive, propozimeve, fjalimit ose bisedave. Çdo njësi e ligjërimit është e lidhur me të paktën një njësi tjetër të një ligjërimi të caktuar përmes një lidhjeje kuptimplote. Një formë e veçantë e krijimit ose riprodhimit krijues nëpërmjet figurave artistike, të mishëruara me lëndën gjuhësore është letërsia, e cila shquhet për gjerësinë e funksioneve të saj, sepse luan edhe rol njohës, kombëtar, moral, psikologjik etj. Sfera e këtij stili përbëhet nga të gjitha krijimet artistike me anë të fjalës së shkruar dhe të folur.

Funksioni i veçantë i gjuhës në letërsinë artistike është estetik; gjuha jo vetëm mishëron një përmbajtje, jo vetëm kumton një informacion letrar, por edhe synon të ketë ndikim estetik, të ngjallë ndjenjën e së bukurës.

Një tekst letrar është përgjithësisht i pajisur me fjalë të figurshme (konotacion), tekst me shprehësi përherë të pranishme, i përbërë nga fjalë dhe grupe fjalësh me kuptim të figurshëm. Përtej planit të parë, kuptimit të drejtpërdrejtë të fjalëve dhe fjalive të shqipes, kemi edhe domethënien e tyre, interpretimin semantik. Pra,

Letërsia, kolazh artistik nga Xhejms Kenlajn (James Koehnline)
32 Gjuhë

fjalët dhe fjalitë nuk janë thjesht për të kumtuar një informacion, por janë pjesë përbërëse e informacionit artistik. Në çdo rast, zgjedhja gjuhësore e ka të domosdoshëm motivimin artistik, i cili u lejon shkrimtarëve t’u drejtohen edhe përmasave të tjera të gjuhës, domethënë, ta kapërcejnë kuptimin e parë të fjalëve. Pra, një vepër mund të shkruhet edhe në gjuhën e pesë shekujve më parë, edhe në dialekt, me synime të veçanta. Letërsia përbën një stil të hapur, ku shfrytëzohen të gjitha mundësitë e organizimeve të stileve të tjera. Gjuha shqipe ka tablonë e vet stilistike dhe pa dyshim që larmia e figurave letrare përbën mozaikun më domethënës të shqipes dhe vlerave të saj. Vlerat stilistike lidhen me etapa të ndryshme të zhvillimit gjuhësor, shoqëror dhe të përpunimit që pësojnë fjalitë e shprehura me anë të gjuhës.

Duke u mbështetur në ndërtimin e figurave dhe në funksionin e tyre stilistik e artistik, kemi këtë ndarje:

Figurat e kuptimit: personifikimi, krahasimi, paralelizmi figurativ, simboli, alegoria, hiperbola, litota, similituda, kontrasti, antiteza, grotesku.

Figurat e fjalëve dhe shprehjeve, tropet: metafora, metonimia, sinekdoka, ironia, sarkazmi, epiteti, alegoria, eufemizmi.

Figurat e sintaksës poetike: inversioni, enumeracioni, shkallëzimi (ngjitës/zbritës), elipsa, asindeti, polisindeti.

Figurat e leksikut, fjalorit poetik: sinonimet, antonimet, homonimet, arkaizmat, neologjizmat, dialektizmat, barbarizmat (huazimet).

Figurat e shqiptimit poetik (figura tingullore dhe të intonacionit): aliteracioni, anafora, epanalepsa, apostrofi, asonanca, konsonanca, onomatopeja, pyetja retorike, reticenca, pasthirrma.

Figurat e kuptimit

Figurat stilistike Kuptimi

Figurë letrare stilistike, me anë të së cilës sendit ose kafshës i vishen tiparet e njeriut.

Shembulli

Personifikimi

Krahasimi

Figurë letrare stilistike që vendos ballë për ballë dy frymorë, dukuri, sende, të ngjashëm nga ana e jashtme. Qëllimi i krahasimit letrar është ta zbulojë imazhin plotësisht përmes veçorive të përbashkëta.

"Fatmirosh më qenke" Thotë zonja dhelpër, "Bukurinë tënde nuk e ka zog tjetër".

"Vetulla e saj ndrejt si fiskaja, shteku i ballit si shteku i malit,"

Paralelizmi figurativ

Vënia e një dukurie të natyrës përballë me një gjendje shpirtërore ose me një veprim njerëzor, zakonisht me anë ndërtimesh sintaksore të ngjashme.

Përkulet qiparisi nga maja në rrëzë, Po qan vasha mbi varrin e trimit.” Populli

33Gjuhë

Figurat stilistike Kuptimi

Simboli është një figurë me kuptim të dyfishtë, e cila paraqet një send, një frymor a një dukuri nëpërmjet një sendi, një frymori a një dukurie tjetër, që bëhet përfaqësues dhe ngjall lidhje të përafërta. Zakonisht, ideja është abstrakte dhe simboli që e përfaqëson atë është konkret, si p.sh.: paqen e simbolizon pëllumbi.

“Dhe u sulën mbi Feniksin e urtë tufanët, korbat, uria E rrahën, e kapën, e molisën

dhe mortja përmbi i qëndroi, po ai prapë fluturoi.”

Hiperbola

Të zmadhuarit së tepërmi të cilësive dhe të veprimeve të njerëzve ose të dukurive të natyrës për të nxjerrë në pah një ide, një mendim, një cilësi, si dhe për të shprehur më me forcë qëndrimin emocional.

E kundërta e hiperbolës. Autori thotë më pak, duke lënë të kuptohet më shumë.

"Hanko mos kalo mbi varre se të vdekurit i ngjalle të gjallët i vdiqe fare."

Popullore

Litota

Similituda

Krahasim i zgjatur, kur të dy krahët e krahasimit nuk janë dy fjalë, por dy fjali.

Litota përdoret shpesh në gjuhën e përditshme dhe në folklor. P.sh. në shprehjet "jam një hap larg", "kthehu në sekondë", "një djalë një gisht i gjatë" etj.

Disa thonë se shkrimtarët i zgjedhin fjalët, ashtu si bleta zgjedh nektarin nga lulet.”

Kontrasti

Vënia përballë në mënyrë të theksuar e dy karaktereve njerëzore, dy sendeve a dukurive, por duke kundërvënë figura a tablo të tëra, jo anë të veçanta, si tek antiteza.

"Lum për ty o i madhi Zot/ fort po shndrin ai diell e pak po nxeh."

Grotesku

Mënyrë shprehjeje ose mënyrë paraqitjeje, në të cilën bashkohen anë të stërmadhuara, të vëna në kontrast të fortë e të papritur, duke i shformuar deri në përqeshje.

Figurë stilistike që vë përballë dy gjendje, dy kënde të kundërta për ta ndriçuar me forcë një ide kryesore. Për të formuar antitezën shërbejnë antonimet.

Të ndryshme gjuhë, të folme tmerr, Plot fjalë dhimbjesh zemërim i thellë, Përplasje duarsh tok me zë të çjerrë.”

Antiteza

(Theksojmë se antiteza në raste të caktuara e ka të nevojshme kontekstin për t’u kapur kuptimi. Kjo quhet antitezë kontekstuale: “Atje nisi, atje mbaroi, atje krisi , atje pushoi” Noli.).

Figurat e fjalëve dhe shprehjeve, tropet

Tropet Kuptimi

“Bilbil ky shekull orë e çast ndërrohet; Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet.”

Shembull

Metafora

Përdorimi i një fjale a i një shprehjeje me kuptim të figurshëm në bazë të krahasimit sipas ngjashmërisë; është një krahasim që ndërtohet pa lidhëza.

Ndër trandofille, Ndër zamakë nga Ku qeshet kopshti, Idhnim mos mba.”

Shembulli Simboli
34 Gjuhë

Metonimia

Përdorimi i një fjale a i një shprehjeje në vend të një tjetre, duke u mbështetur në afrinë që kanë sendet e dukuritë në hapësirë a në kohë, në lidhjet e tyre sipas lëndës, sipas funksionit etj.

Sinekdoka

Përdorimi i një fjale emërtuese, duke i dhënë një kuptim më të gjerë ose më të ngushtë, duke përmendur pjesën për të tërën ose të tërën për pjesën, njëjësin për shumësin etj.

Ironia

Tallje e hollë, e fshehur me intonacion lavdërues, që nënkupton të kundërtën. Përdorimi i fjalës me kuptimin e antonimit të saj.

Paradoksi

Është ajo figurë që pohon një ide absurde, në pamje të parë në kundërshtim me logjikën. p.sh paradoksi i famshëm i Sokratit: e di që nuk di asgjë

Sarkazmi

Shkalla më e lartë e ironisë, e cila merr një karakter të hidhur, sulmues, kur shpreh urrejtje dhe përbuzje të thellë, denoncon, demaskon dhe godet, por bën edhe përgjithësime.

Epiteti

Është një fjalë përcaktuese, zakonisht mbiemër, që i shtohet një emri për t’i pasuruar kuptimin, duke i dhënë bukuri artistike, duke shprehur një vlerësim, një qëndrim nga autori, ose duke i vënë në dukje një anë. Çdo epitet është mbiemër, por jo çdo mbiemër është epitet.

Alegoria

Shprehje e ideve dhe e mendimeve në një vepër artistike tërthorazi, nëpërmjet figurave të gjalla e konkrete, prapa të cilave nënkuptohet një domethënie tjetër. Alegoria ndërtohet mbi bazën e simboleve.

Eufemizmi

Fjalë ose shprehje që përdoret në vend të një fjale a shprehjeje tjetër, të cilën nuk duam ose nuk duhet ta zëmë në gojë.

Fatos Arapi

Çajupi

“Këtu dergjet Don Kishoti Ish i fort’ e ish i zoti Botën prapa desh ta kthente Dhe me ushtën ta mbërthente.”

Servantes

"Do t'të vrasim Jezu, se të kemi baba/ Do t'të vrasim Mesi, se të kemi usta."

"Mjerimi rrit fëmin në hije të shpive t'nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis, ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive."

Migjeni

"Se si pëshpërisin pikat e shiut në errësirën e qullur, pikat e shiut na freskonin të puthurat."

"Manushaqe bukuroshe/pse s'ngre kryet përpjetë/po rri e mpitë dhe e qetë/pa shiko shoqet e tua/si u rritën u zbukuruan."

Themi "ndërroi jetë" për të mos thënë "vdiq" , "qoftë largu" për "dreqin"

"Tungjatjeta, Fatos. Më fjete me mesjetën te koka dhe nuk e dite ..."
“Me Shqipëri të luftohem Kam frikë mos turpërohem.”
35Gjuhë

Verifikoni njohuritë

Me çfarë lidhet përdorimi i gjuhës në funksione stilistike?

Çfarë është stili funksional?

Çfarë kuptoni me termin diskurs?

Kujt i referohet diskursi?

Plotësoni edhe ju me nga një shembull tabelat e figurave stilistike.

Ushtrohuni përmes tekstit

6. Qarkoni dhe gruponi figurat stilistike në këto vargje:

“Dhe vallja rrokulliset tutje, Në kohëra hedhur si hobe, Prilli përsipër i hedh lule, Dhjetori borën shkund atje” I. Kadare “Vallja shqiptare”

7. Lexoni tekstin e mëposhtëm dhe gjeni figurat stilistike.

“Fshati ynë? A e di: merr me mend një liqen të bukur rrethuar me male të larta, të bleruara dimër e verë, me dëllinja e me pisha. Merr me mend edhe një vargmal, siç është Mali i Thatë e prej tij një fushë që shtrihet tatëpjetë e vjen puthitet me ujërat e liqenit. Merr me mend se nga kjo fushë shkëputet një gadishull, që futet edhe më thellë në liqen. Këtu është fshati ynë dhe të gjithë miqtë që na vijnë mbeten gojëhapur.” S. Spasse

8. Gjeni disa krahasime për:

a) një fytyrë të qeshur; c) një mjedis bregdetar; b) një njeri të dashur; d) një luftëtar të rënë në fushën e betejës.

9. Ktheni krahasimet në metafora:

Qielli ishte bërë si pus. ……………………………

Ajo ishte si lule pranvere…………………………. Sytë e saj si diej shkëlqenin gjithë dritë……………….

10. Gjeni disa fjalë të urta, ku të përdoren figura stilistike dhe diskutoni domethënien dhe përdorimin e tyre.

11. Krijoni figura stilistike:

a) një personazh për të personifikuar një emocion; b) një simbol për të dhënë një mesazh; c) një alegori për të shprehur një situatë; d) një hiperbolë për të shprehur një qëndrim emocional.

Sfida e të shkruarit

12. Zgjidhni pesë fjalë në fjalorin e gjuhës shqipe dhe krijoni me to figura stilistike. Përdorini në një tekst, duke respektuar sekuencat koherente të fjalive.

STUDIM TEKSTI
1.
2.
3.
4.
5.
36 Gjuhë

Gjuhë

Koncepti i stilit, stilistika

Ngjyrimi shprehës është vetia që kanë copëzat e ligjërimit për të tërhequr vëmendjen. Për natyrën krijuese të gjuhës, pikërisht ky ngjyrim merr vlerë parësore, pasi ngjyrimet subjektive shoqërohen me ndryshime përkatëse të ligjërimit. Origjinaliteti mund të shfaqet edhe si krijim në gjuhë dhe e reja mund të ketë ngarkesë shprehëse, e cila thekson karakterin krijues të gjuhës dhe formëson stilin e autorit.

Gjatë leximit, përballemi me pikëpamje të ndryshme dhe, në këtë proces, lexuesi shndërrohet në "shkrimtar". Kjo aftësi për të riinterpretuar në mënyrë më të përmirësuar atë që lexohet është element kritik i gjuhës. Gjuha, ky mjet kryesor komunikimi, është objekt i studimit të stilistikës gjuhësore (në të cilën studiohen veçantitë stilistike të çdo lloj teksti), kurse organizimi i veçantë gjuhësor (si përdorim individual) në veprën letrare është objekt i studimit të stilistikës letrare. Autorë të ndryshëm realizojnë figura të ndryshme letrare në tekstet e tyre. Ata krijojnë edhe individualitetin e tyre letrar, apo stilin. Forca shprehëse e figurave stilistike del jo si zbukurim i jashtëm, por si vendosje e marrëdhënieve të reja ndërmjet mjeteve gjuhësore, duke nisur nga tingujt e veçantë e deri te ndërtimet sintaksore e përftimi i kuptimit në tërësinë e tekstit. Figurat stilistike përdoren nga shkrimtarët për të arritur efektin shprehës, për t atmosferën historike, koloritin e mjedisit dhe për karakterizimin e gjuhës së personazheve. Stili është i perceptueshëm dhe nisur nga një këndvështrim i ndryshëm nga gramatika, na lejon që të zbulohen të tjera marrëdhënie në tekst. Njësia fillestare në nivelin stilistik është stilema, e cila i përket përdorimit të gjuhës (p.sh.: kopshti qeshet). Stilemat janë njësi të përbëra, që përcaktohen në marrëdhënie brenda një teksti. Ato kanë afërsi, ngjashmëri ose kontrast me diçka tjetër. Stilemat nuk janë asnjanëse, por kanë ngarkesë ose ngjyrim, janë vepruese nga ana stilistike, kanë informacion plotësues përveç atij themelor, duke lejuar të nënkuptohen edhe lidhje jashtëgjuhësore. Mjaft shprehje idiomatike e togje të qëndrueshme lindin si stilema në një tekst dhe më pas kalojnë në përdorim të përgjithshëm, p.sh.: perdja e hekurt është përdorur për herë të parë në një fjalim të U. Çërçillit, më 1946 e më pas hyri në përdorimin e përgjithshëm.

Më poshtë, po paraqesim figurat e sintaksës poetike, të intonacionit poetik dhe të fjalorit poetik (leksikut).

Aristoteli
37Gjuhë

Figurat e sintaksës poetike

Figura Kuptimi Shembulli

Inversioni  (anasjella)

Ndryshimi i rendit të zakonshëm të fjalëve në fjali për të theksuar kuptimin e një fjale ose për t’i dhënë fjalisë forcë shprehëse.

"mbi gjokse pellgjesh tani tundet i arti medaljon i hënës."

Renditja njëra pas tjetrës e fjalëve që kanë lidhje kuptimore.

Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar”.

Shkallëzimi ngjitës dhe zbritës

Kur fjalët renditen njëra pas tjetrës në kuptim progresiv: ngjitës ose zbritës.

“Në fillim i ngriu buzëqeshja në buzë, pasta iu rrudhën vetullat, pastaj u nxi i tëri dhe sytë nisën t’i zmadhoheshin.”

“O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë, fushat e gjera me lule që ju kam ndër mend ditë e natë.”

Elipsa

Figura stilistike që krijohet, kur heqim nga tërësia e tekstit ndonjë fjalë a pjesë, e cila nënkuptohet, pa prishur kuptimin, me qëllim që t’i japim shprehjes më shumë gjallëri, hijeshi a shpejtësi.

“Malet me gurë, fushat me bar shumë, arat me grurë, më tutje një lumë.”

Figurë stilistike, në të cilën, me qëllim, lihen mënjanë lidhëzat për t’i dhëne shprehjes gjallëri e intonacion të shpejtë, efekt poetik.

“Nëna, motra, nusja dalin, ngrehin krahët të të ndalin...”

"Dhe toka, dhe qielli, dhe deti, edhe vetë peshqit

Polisindeti

Figurë stilistike me të cilën poeti bën përsëritjen e një lidhëze ndërmjet fjalëve dhe fjalive të ndryshme, duke e ngadalësuar ecjen e frazës për theksim.

Do të mësonin të artikulonin fjalë Vetëm e vetëm që të flisnin me ty. Atëherë si të mos dua unë Që jam i tëri njeri?"

38 Gjuhë

Figura të intonacionit poetik

Figura Kuptimi Shembulli

Aliteracioni Aliteracion kemi kur përsëriten të njëjtat zanore ose të njëjtat bashkëtingëllore (ose të dyja) në të njëjtin varg/fjali ose në disa vargje/fjali.

- me bashkëtingëllore: "Tokën kur e gërryjnë rrebeshet dhe i dalin rrënjët rrëpirave ashtu ta gërryen trupin tënd shekujt derisa të dolën dejet dhe brinjët..."

- me zanore: "Ku ke qenë o trëndelinë /Pse kujton mua të zinë..."

Popullore

Asonanca Asonancë kemi kur dy vargje në fund të tyre kanë dy fjalë që zanoren e theksuar dhe zanoret e tjera që vijnë pas kësaj i kanë të njëjta, po jo bashkëtingëlloret. Rima që krijohet në këtë rast quhet asonancë.

Konsonanca Konsonancë kemi kur dy vargje përfundojnë me të njëjtën bashkëtingëllore, po jo zanoret. Rima që krijohet në këtë rast në këtë rast quhet konsonancë.

Onomatopeja  Është fjalë tingullimituese ose përshkrim i dukurive a i sendeve, duke shfrytëzuar imitimin e zhurmave e të zërave.

“Fryni era u çil taraba/ n’ kam Halil se Abdyl Aga/ me treqind sejmenë për mbrapa/ t’anë n’opanga pa çarapa...”

"Shkoqet në pëllëmbë kalliri Kokrrat e grurit si yje, Një dimër e një verë Brenda tyre..."

"Krk-krk-krk kthehet qymyri në shpinë të kalit. Krk-krk-krk dhe krisma monotone e patkojve të kalit që ndeshin për gurë." Migjeni

Reticenca Reticenca përftohet kur mendimi ndërpritet dhe pas saj vihen tri pika. Një gjë e tillë bëhet zakonisht, kur diçka nënkuptohet ose i lihet dikujt për t’u nënkuptuar.

Pyetja retorike Pyetja retorike është kur një pyetje e ka të nënkuptuar përgjigjen në mënyrë të qartë. Ajo realizohet për të theksuar pikërisht atë që nënkuptohet.

Pasthirrma Përftohet nëpërmjet thirrjes, e cila synon të përcjellë një gjendje shpirtërore të ngritur, një emocion pozitiv ose negativ.

"Me zjarr... ju flas me zjarr... Në gjoksin tim kam hapur varr Që t’i jap shpresë edhe t’ia marr..."

“Përse të venë në det / mendimet o zemra ime?”

"Oh si s'kam një grusht të fuqishëm t'ja ngjesh mu në zemër malit që s'bzan!"

39Gjuhë

Apostrofi Ndërhyrje emocionale me anën e së cilës thërrasim pranë gjërat e largëta ose të afërta, të gjalla ose të vdekura, që t’i bëjmë të pranishme, konkrete dhe që të ndikojmë kështu në ndjenjat dhe emocionet e të tjerëve.

Anafora Përsëritja e një fjale a grupi fjalësh në fillim të dy a më shumë vargjeve dhe fjalive.

“Lamtumirë o mori Shkodër! Lamturmirë, o ti Cukal! Zhduket Buna nën një kodër, Zhduket Drini nën një mal.”

"anës detit i palarë, anës dritës i paparë, pranë sofrës i pangrënë, pranë dijes i panxënë,"

Epanalepsa Përsëritja e një fjale a togu në fund të vargut të parë dhe në fillim të vargut të dytë.

Epifora Përsëritja e së njëjtës fjalë në fund të disa vargjeve.

"Ushtojn malet prej ortiqesh prej ortiqesh kah po bijn nër gropa..."

Martesa e Halilit

“Se gjith grat e krahinës ku janë se gjith vashat e Jutbinës ku janë bash si motra qi po m'duken.”

Figura të fjalorit poetik (leksikut)

Figura Kuptimi Shembulli

Sinonimet  Fjalë të ndryshme me kuptime të ngjashme apo të njëllojta që janë të zëvendësueshme me njëra-tjetrën.

“Do të tretem, të kullohem, Të digjem, të përvëlohem, Që t’u ndrinj mir’ e të shihni, Njëri-tjatërin të njihni”.

Antonimet Fjalë me kuptim të kundërt, që i përkasin së njëjtës klasë fjalësh.

“Vetëm ti në grackë Shqipëri nuk re, E vogla vigane, e moçmja e re.”

Homonimet Fjalë që shkruhen dhe shqiptohen njëlloj, por kanë kuptime të ndryshme.

“Tekdo që vete thotë me vete.”

Figura Kuptimi Shembulli
40 Gjuhë

Figura Kuptimi Shembulli

Arkaizmat

Fjalë a shprehje të vjetra, që përdoren pak ose nuk përdoren fare.

Neologjizmat Fjalë të reja, që krijohen për të pasuruar gjuhën ose për të zëvendësuar fjalët e huaja.

“Jakëni o shokë të rrimë, rreth druvezës e të pimë.”

N. Frashëri

“Njerëzit, me prirjen e natyrshme për t’i nxjerrë nga kujtesa gjëmat e përbashkëta, e kishin harruar klimën e veçantë, që krijohej në prag të anktheve të mëdha, atë mpirje e atë shurdhëri shkretimtare në kohën e zbrazët midis shpalljes së kërcënimit dhe goditjes së parë.”

Krahinorizmat Fjalët karakteristike për të folmen e një krahine të caktuar.

“As inat, as ashk, as sedër! Qull fare! Çervish i themi qullit, ne korçarët…”

Barbarizmat Fjalë nga gjuhët e huaja që kanë hyrë në shqipe në periudha të ndryshme.

“Sonte është tamam aksham. Nuk është as mbrëmje, as soir, e aq më pak vjecer, por është aksham.”

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë figurat e sintaksës poetike? Plotësoni tabelën me nga një shembull dhe diskutojini në klasë.

2. Sillni shembuj të figurave të intonacionit poetik, duke u ndarë në grupe dhe duke treguar karakteristikat e secilës figurë.

3. Për krijimin e figurave të fjalorit poetik (leksikut), cilat klasa fjalësh shërbejnë më shumë? Ilustroni me shembuj secilin rast.

4. Cilët nga shkrimtarët shquhen për neologjizma në veprat e tyre?

5. Diskutoni rreth përdorimit krijues të gjuhës.

6. Diskutoni rreth futjes së fjalëve të huaja në leksikun e gjuhës shqipe. A janë në të gjitha rastet të panevojshme fjalët e huaja? Argumentoni përgjigjen tuaj.

7. Gjatë situatave të ndryshme ligjërimore, në të cilat përfshiheni gjatë ditës, çfarë përdorni më tepër: fjalë të vjetra, fjalë të huaja apo krahinorizma? Si e shpjegoni këtë sjellje tuajën gjuhësore?

41Gjuhë

Ushtrohuni përmes tekstit

8. Cilat figura stilistike janë përdorur në vargjet e mëposhtme?

“Lumja ti, moj Korç’ o lule, Që i le pas shoqet e tua, Si trimi në ballë u sule, Ta paçim për jetë hua!”

"Dhe dallëndyshja erdhi… Si shpirt n’ ekstazë, në hovin e shejt u shtri me qiellin rroket, me diellin puthet, dridhen krahët në hare ~ mandej poshtë vërsulet tue dhurue me cicërim përshëndetje një mijë."

9. Me ndihmën e prindërve dhe gjyshërve, gjeni 5-10 fjalë që nuk përdoren në mënyrë aktive në leksikun e gjuhës shqipe (Fjalët mund të kenë të bëjnë me objekte që nuk përdoren më ose me dukuri që kanë reshtur së ekzistuari.).

10. Për fjalët e huazuara: inkurajoj, ekzagjeroj, ndërlikoj, neutralizoj, dedikoj, evidentoj, gjeni gjegjësen e tyre në shqip dhe shprehje frazeologjike. Më pas, formoni fjali me to. P.sh. insistoj – ngul këmbë

11. Në tekstin e mëposhtëm, fjalët e nënvizuara zëvendësojini me sinonimet e tyre. A pësojnë ndryshime fjalitë? Argumentoni përgjigjen tuaj.

Ngado ndihej pranvera. Në qiell lundronin lehtë ato retë e bardha dhe gjithnjë në lëvizje, që shihen vetëm në maj dhe qershor, të cilat duke luajtur vrapojnë nëpër hapësirën e kaltër, për t’u fshehur pastaj, papritmas, prapa maleve të larta: përqafohen dhe shkëputen, herë duke u lidhur si shami, herë duke u prerë në rripa dhe duke u vendosur më në fund në majë të maleve. Era vazhdonte të frynte dhe i lëkundte aq shumë pemët, ende të lagura nga shiu, saqë dëgjoheshin kërcitjet e tyre të lehta dhe mijëra pika që binin përposh dhe ndrinin si shkëndija.

12. Në fjalët e urta dhe njësitë frazeologjike, gjeni fjalët antonime dhe tregoni se ç’pjesë ligjërate janë.

I miri mbahet mend për mirë, i ligu për të ligë.

Fjalë pak e punë shumë.

I lirë në miell, i shtrenjtë në krunde.

Të fut në pus dhe të nxjerr pa lagur.

Një fytyrë i vinte, një fytyrë i shkonte.

Shkon duke qeshur, vjen duke qarë. Sfida e të shkruarit

13. Shkruani një tekst me temë: “Unë e flas bukur shqipen”, ku të përdoni të paktën 10 (dhjetë) figura stilistike.

42 Gjuhë

Letërsi

Franc Kafka

Franc Kafka (Franz Kafka) lindi më 3 korrik 1883, në Pragë, pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze të kohës (sot Republika Çeke). Kaloi një fëmijëri të vështirë e të vetmuar, për shkak edhe të marrëdhënieve të acaruara me familjarët e tij, e sidomos me të atin (kjo marrëdhënie neurotike do të bëhet motiv për disa vepra të tij). Ndoqi studimet për drejtësi në Universitetin e Pragës dhe, pas diplomimit, u punësua si ekspert ligjesh në Institutin e Sigurimeve. Kafka shkroi shumë, por vetëm një pjesë e veprave u botuan sa qe gjallë. Pjesa më e madhe e tyre u botua pas vdekjes, nën kujdesin e mikut të tij, Maks Brodit, të cilit, për ironi, Kafka i kishte lënë amanet që t’ia digjte krijimet. Nga veprat kryesore të Kafkës mund të përmendim romanet “Amerika”, “Kështjella”, “Procesi”; novelat “Metamorfoza”, “Në koloninë ndëshkimore”; prozën autobiografike “Letër babait”; vëllimin me tregime “Artisti i urisë” etj. Tregimi apo më mirë të themi parabola “Para ligjit” ka shërbyer si zanafillë për “Procesin”, që më pas është bërë pjesë e këtij romani. Kafka vdiq më 3 qershor 1924, në Vjenë.

Krijimtaria e Kafkës zakonisht ndahet në tri faza. Faza e parë, ose e hershme, ku përmblidhen krijimet, botuar përgjithësisht në revista letrare, që janë shkruar deri në gjysmën e parë të vitit 1912. Të tilla janë: përmbledhja me tregime “Përshkrimi i një beteje” (1909); “Meditime” (1912) ; tregimi “Kaldajisti”, i cili do të shërbejë si kapitulli i parë për romanin “Amerika”. Kjo fazë është parë si parapërgatitore për periudhën e dytë, e cila konsiderohet si më e rëndësishmja dhe që vulosi emrin e Kafkës në letërsinë botërore. Faza e dytë, që zë fill me nisjen e kompozimit të romanit “Procesi” – një rrëfim që Kafka vetë e konsideroi si një prirje për të shkuar drejt një stili të ri të shkruari – përfshin edhe romanet “Metamorfoza”, “Amerika ose i zhdukuri”, “Kështjella”, novelën “Në koloninë ndëshkimore”, përmbledhjen me tregime “Mjeku i fshatit” dhe mbyllet me shfaqjen e tuberkulozit, në gusht të 1917-s. Faza e tretë përmbledh veprat e vona, të tilla si ”Letër babait”, “Artisi i uritur”, të cilat i shkroi gjatë periudhës së qëndrimit për kurim në fshatin e vogël Zurau, në shtëpinë e motrës së tij, Otlas, e derisa vdiq në sanatoriumin e Kierlingut, afër Vjenës.

Franc Kafka në muzeumin Grevin të figurave prej dylli në Pragë.

Franc Kafka është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë botërore të shekullit XX dhe konsiderohet si përfaqësuesi tipik i prozës moderniste. Siç kemi mësuar tashmë, rrëfimi modernist shënon një ndarje të thellë nga konvencionet shkrimore të romanit realist të shekullit XIX.

Tekstet moderniste nuk organizohen më sipas parimit të zhvillimit kronologjik e koherent të ngjarjeve, por nga një rrëfim që vjen i ndërprerë e i fragmentuar.

Shfaqja e modernizmit kafkian: temat, stili dhe veprat
Muzeu i Franc Kafkës në Pragë
Letërsi 43

Personazhet nuk janë më ato tipiket, që veprojnë në rrethana tipike e që janë të motivuara nga parimi i arsyes në mendime dhe veprime, por janë personazhe atipike, te të cilat mungon motivimi në të menduar e veprime; ato vetëm konstatojnë dhe dëshmojnë situatat, pa ndonjë emocion. Në prozën moderniste, reflektimet mbi situata e ngjarje kanë më tepër rëndësi sesa vetë ngjarjet.

Këto karakteristika gjenden edhe në veprat e Kafkës. Përveç tyre, në poetikën e rrëfimit modernist kafkian vihet re edhe një përzierje e elementeve të fantastikes me realen. Kjo përzierje shpesh ndërton realitete të tilla artistike, sa lexuesi e ka të vështirë të vendosë kufirin e dallimeve mes të perceptueshmes dhe të paperceptueshmes, për shkak edhe të procedimeve surrealiste që fut në lojë Kafka. Një tjetër tipar evidentues i stilit të tij është edhe përdorimi i modelit të të shkruarit në formën e një tregimi-parabolë, i cili i mundëson lexuesit të ndërtojë rrjetën e analogjive me situata të caktuara. Në veprat e tij, Kafka shfaqet si mjeshtër i përshkrimit të situatës së absurdit dhe ndjesisë së përndjekjes në të cilat vërtitet njeriu modern.

Temat që lëvron Kafka

Tjetërsimi i njeriut, raporti i individit me ligjin dhe drejtësinë, mungesa e guximit për të vepruar, nënshtrimi dhe frika ndaj autoritetit, gjendja permanente e frustracionit dhe paranojat e përndjekjes, janë disa prej temave dhe motiveve të veprës së tij.

Figurat që ndeshen në stilin e tij

Përdorimi i alegorisë dhe paradoksit me situatat dhe realitetin, si dhe përdorimi i groteskut dhe simbolikat e gjendjeve janë elemente karakteristike të stilit të tij. Përgjithësisht, veprat e Kafkës janë parë nën veshjen e alegorisë, veshje e cila i sugjeron lexuesit të kërkojë një kuptim të dytë, të fshehtë, nën atë që rrëfehet në sipërfaqe.

Te novela “Metamorfoza”, alegoria është mjeti bazë me të cilin operon autori: tjetërsimi i Gregor Zamzës fsheh në vetvete idenë se shoqëria moderne i izolon njerëzit nga njëri-tjetri; një shenjë e izolimit është edhe transformimi i tyre. Novela fillon pikërisht me këtë transformim, i cili shoqërohet edhe me praninë e fortë të groteskut: Gregor Zamza zgjohet një ditë dhe e sheh veten të shndërruar në një kandërr gjigante. Gjatë leximit të tekstit, arrijmë të kuptojmë se ky transformim është shenjë e jetës që ka bërë personazhi. Puna dhe jeta që bënte, ishin jashtëzakonisht izoluese dhe rutinore: përditë e njëjta gjë, e përsëritur mekanikisht, si të ishte objekt. Ai nuk kishte miq të ngushtë dhe as lidhje shpirtërore. Një fakt ironik, që e përforcon këtë, është vënia në dukje, në tekst, se zbukurimi kryesor në dhomën e tij ishte fotografia e një gruaje, të cilën ai e kishte shkëputur nga një

Muzeu Gugenhajm, Bilbao (Metomorfoza në arkitekturë, shprehje e shoqërisë moderne)
Letërsi44

revistë. Kjo tregon se Gregori ishte aq i izoluar, saqë nuk kishte njeri të vërtetë që ta meritonte një vend në zemrën e tij. Edhe marrëdhëniet me familjen ishin tjetërsuar. Tjetërsimi i Gregorit në familje është sërish një alegori e marrëdhënieve familjare në shoqërinë moderne, ku njerëzit, ndonëse jetojnë fizikisht pranë, janë të tëhuajtur për njëri-tjetrin, ku vlera materiale dhe nënshtrimi ndaj autoritaritetit i kanë dhunuar raportet njerëzore. Edhe situatat te romanet “Procesi” dhe “Kështjella” i kërkojnë lexuesit të ndjekë linjën alegorike të leximit. Nëpërmjet kësaj linje, lexuesi kupton se edhe këtu situatat shënojnë gjendjen absurde të njeriut modern, i cili jeton në një botë që i duket e pakuptimtë dhe armiqësore, për aq kohë sa ai nuk mund të depërtojë në mekanizmat labirintikë dhe absurdë të saj. Paradoksi shoqëron pothuajse të gjitha situatat ku vendoset Josef K.-ja. Madje edhe sjellja e tij është paradoksale.

Veprat e Kafkës mbartin alegorinë e njeriut modern, pa Zot, i paaftë për të kuptuar jetën dhe për të shpjeguar enigmat e saj. Ky njeri nuk beson dhe nuk shpreson tek asgjë, ndaj edhe nuk gjen asnjëherë zgjidhje. Personazhi i Kafkës karakterizohet si rob i punës, i dënuar me izolim dhe përjashtim, i nënshtruar nga autoriteti dhe pafuqia për të vepruar, i mbërthyer nga një gjendje fajësie e përhershme, i huaj për veten dhe për të tjerët. Në të gjithë krijimtarinë e Kafkës, nga tregimet te novelat e romanet, nëpërmjet simboleve që deshifrohen me vështirësi, lojërave të ndërlikuara me situatat, hapësirave gjeometrike dhe mjediseve të zhveshura, vërtitet alegoria e jetës njerëzore si një dënim i vazhdueshëm dhe gjendje universale.

Mbi përdorimin e termit “kafkian”

Për veçantinë që shfaq, stili i të shkruarit të Kafkës, stili kafkian, ka marrë peshën e një termi letrar, i cili përshkruan gjendje dhe situata që evokojnë realitete burokratike shtypëse, që përndjekin dhe asfiksojnë njeriun. Këto situata shoqërohen edhe me një mjedis të ankthshëm e surreal, i cili ngjall ndjenjën e pakuptimësisë, çorientimit dhe pafuqisë (si ato që Kafka përshkruan veçanërisht te “Procesi” dhe “Metamorfoza”). Personazheve që lëvrijnë në një mjedis të tillë kafkian shpesh u mungon mënyra e qartë e veprimit për t’u shpëtuar situatave labirintike. Elementet kafkiane përgjithësisht shfaqen në veprat ekzistencialiste. Por sot termi e ka tejkaluar sferën letrare dhe përdoret edhe në fusha të tjera, për të përshkruar dukuri dhe situata komplekse të jetës reale, që janë të pakuptueshme, të çuditshme apo të palogjikshme.

Kafka dhe bashkëkohësit e tij modernistë

Veprat e Franc Kafkës kanë në fokus vetminë e njeriut, që përpëlitet mes ankthit dhe mekanizmave absurdë të një shoqërie tjetërsuese, si dhe absurditetin e ekzistencës

Egon Shile, Inspektori i përgjithshëm Benesk dhe djali i tij Oto (1913).

Piktura tregon pasojat rrënuese psikologjike që shkakton figura autoritare e babait, që e shtyp djalin me imponimin e modelit të tij jetësor.

Letërsi 45

njerëzore. Këto tema janë trajtuar edhe në krijimtarinë e shumë autorëve të tjerë modernistë, bashkëkohës të Kafkës, si Prusti e Xhojsi. Kështu, Marsel Prusti, vetminë dhe tëhuajzimin i ka temë qendrore në të gjitha krijimet që përbëjnë ciklin e romaneve “Në kërkim të kohës së humbur”. Prej vetmisë dhe tëhuajzimit nga mjedisi dhe shoqëria, personazhi detyrohet të gjejë strehë në kujtimet e së kaluarës. Në veprën e tij, nëpërmjet magjisë së kujtesës, ai arrin të shkëputet nga realiteti dhe të hidhet në botën e përjetimeve të së shkuarës. Janë detajet ato që e bëjnë të rijetojë pjesë të një kohe tjetër. Edhe Xhejms Xhojsi te “Dublinasit” (1916), por sidomos tek “Uliksi” (1922), rrëfen aventurat që e shpien njeriun modern në kufijtë e tjetërsimit. “Dublinasit” është cilësuar si metaforë e paralizës ekzistenciale të njeriut modern. Duke rikrijuar jetën e Dublinit - të dashur dhe të urryer njëherazi prej tij - Xhojsi portretizoi jo vetëm fytyrën morale të qytetit, por edhe gjendjen e paralizës së botës dhe të njeriut modern. Struktura e pesëmbëdhjetë tregimeve që përmblidhen te “Dublinasit” duket realiste; përshkrimet e mjediseve, personazhet dhe situatat jepen me imtësi dhe me një saktësi të çuditshme, ndërkohë që stili është neutral e i pangjyrë dhe nuk i tradhton emocionet. Po ashtu, edhe toni është i njëtrajtshëm. Këto personazhe të përditshme, këto ngjarje të zakonshme dhe këta mekanizma psikologjikë të çmontuar me ftohtësi bëhen simbole dhe emblema të një gjendjeje ekzistenciale. Kjo gjendje reflekton situatën në të cilën ndodhet njeriu modern, i helmuar nga paaftësia e tij për të vepruar dhe i paralizuar nga institucionet e veta (familje, atdhe, fe).

ILUSTRIME LETRARE

Lumturi arratisëse

(Nën hijen e vashëzave të lulëzuara)

Sapo më kishte zënë syri, jashtë udhës me gunga që po ndiqnim, tri pemë që duhet t’i shërbenin si hyrje një rrugine të mbuluar dhe që formonin një vizatim, të cilin nuk e shihja për herë të parë, nuk arrija dot të sillja ndër mend vendin nga i cili ngjanin sikur qenë shkëputur, por e ndieja se dikur e kisha pasur të afërt atë vend; kështu që shpirti im u përplas pas një viti të largët dhe çastit që po jetoja, dhe rrethinat e Balbec-ut u lëkundën dhe unë nisa të dyshoja se ajo shëtitje qe një hamendësim, se Balbec-u vetë ish një vend ku kisha shkuar vetëm me anë të imagjinatës sime, se zonja de Villeparisis qe një personazh romani, ndërsa tri pemët, realiteti që gjen kur ngre sytë nga libri në të cilin po lexoje përshkrimin e një vendi ku besoje se ndodheshe vërtet. Vështroja tri pemët, i shihja mirë, por shpirti im ndiente se ato fshihnin diçka ku ai nuk hynte dot, tamam si ato objektet që ndodhen shumë larg dhe gishtërinjtë tanë të zgjatur në fund të krahut të nderë, çikin hera-herës vetëm mbulesën e tyre, pa arritur të kapin gjësend. Atëherë pushojmë një grimë që të marrim vrull dhe ta shtrijmë krahun më fort, për të arritur më larg. Por që shpirti im të përmblidhej, të merrte vrull, më duhej të isha vetëm. Sa do të doja të përvidhesha, siç bëja për t’iu shmangur prindërve, kur dilnim shëtitje andej nga Guermentes-t.

“Në kërkim të kohës së humbur”, përktheu M. Meksi

Marsel Prust
Letërsi46

Xh. Xhojs

Një rast i dhimbshëm

Kaluan katër vjet. Zoti Dafi iu kthye po asaj mënyre të sheshtë të jetuari. Dhoma ku banonte, dëshmonte ende rregullin në mendjen e tij. Në raft kishte vendosur disa disqe të reja muzike dhe nëpër etazherë ndodheshin dy vëllimet e Niçes: “Kështu foli Zarathustra” dhe “Shkenca e gëzuar”. Rrallëherë, shkruante nëpër fletushkat mbi tavolinë. Në një fjali të hedhur dy muaj pas ndarjes me zonjën Siniko thuhej: ‘Dashuria mes një mashkulli dhe një mashkulli tjetër është e pamundur, sepse nuk mund të ketë marrëdhënie seksuale; miqësia mes mashkullit dhe femrës është e pamundur, sepse aty ka marrëdhënie seksuale”. Edhe koncerteve iu rrinte larg, nga droja mos e takonte. I ati vdiq, ortaku më i ri i zyrës bankare u largua nga puna. Dhe ai sërish shkonte në qytet çdo mëngjes me tramvaj dhe çdo mbrëmje kthehej nga qyteti pas darkës së lehtë në rrugën Xhorxh duke shfletuar gazetën e mbrëmjes në vend të ëmbëlsirës(….) Kur arriti kreshtën e kodrës Magazin, ndaloi dhe vështroi në kahun e rrjedhës së lumit Dublinin, dritat e tij të shtruara ndizeshin të kuqe e mikpritëse nëpër natën e ftohtë.

Xhovani Fatori (1825-1908), Juga e bardhë. Protagonistët e veprave të Kafkës goditen nga fati si “kallamishtet në erë”, ose si kjo pemë e goditur nga Juga e bardhë në bregun e detit Tirren.

“Dublinasit”, përktheu I. Azizi
Xhejms Xhois
Letërsi 47

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë karakteristikat e modernizmit kafkian?

Si arrin Kafka të na japë shkrirjen e kufijve mes fantastikes dhe reales? Ç’rol luan përzierja e këtyre dy sferave në poetikën e rrëfimit kafkian?

Çfarë dini për parabolën? A është ajo formë letrare? Cilat janë modelet e parabolave që njihni?

Cilat janë disa prej temave që lëvron Kafka? Ilustrojini ato me veprat që keni lexuar nga Kafka.

Ç’funksion luajnë alegoria dhe grotesku në veprat e Kafkës?

Si karakterizohen personazhet e Kafkës?

Si e kuptonin termin stil kafkian? Çfarë përmbledh ai?

Si e gjykoni krijimtarinë e Kafkës krahasuar me atë të Xhojsit dhe Prustit? A kanë takime mes tyre?

9. Çfarë ndjesish ngacmojnë te rrëfimtari i fragmentit “Lumturi arratisësh” tri pemët që i shfaqen? Cila pjesë e kujtesës vihet në punë?

10. Çfarë domethënieje ka prania e librave të Niçes në etazherët e personazhit të Xhojsit? Pse rrëfimtari specifikon vetëm ata dy libra?

Ushtroni mendimin kritik

11. Novela “Metamorfoza” është ndërtuar mbi bazën e dy figurave: alegorisë dhe groteskut. Si mendoni, pse e përdor Kafka alegorinë në këtë vepër? Po në lidhje me përdorimin e groteskut, a mendoni se Kafka e shpreh ankthin e dilemave ekzistenciale të njeriut modern nëpërmjet paraqitjes së njeriut grotesk? Diskutoni në klasë.

12. Improvizoni një situatë kafkiane. Evidentoni karakteristikat që mendoni se e bëjnë atë situatë të quhet e tillë. Diskutoni në grupe.

13. Si shfaqet krijimtaria e Kafkës krahasuar me atë të bashkëkohësve të tij? A kanë raporte të brendshme ata? Nëse po, ku qëndron kjo marrëdhënie?

14. Zoti Dafi, personazhi i tregimit të Xhojsit, ka ngjashmëri të madhe me një personazh të Kafkës. Identifikoni personazhin dhe flisni për çfarë ngjashmërish bëhet fjalë.

15. Si mendoni, situatat në të cilat ndodhen personazhet e Kafkës dhe ato të Xhojsit, a e përçojnë ndjesinë e një paralize që ka mbërthyer njeriun modern, shoqërinë moderne? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke iu referuar fragmenteve nga teksti i secilit autor.

16. Te fragmenti i Xhojsit, stili përgjithësisht është neutral dhe i pangjyrë, ndaj fjalët janë zhveshur nga ngjyresat stilistike, por ka grupe fjalësh të cilat përsëriten me një funksion të caktuar stilistik. Evidentojini ato dhe shprehni mendimin tuaj në lidhje me funksionin që përmbushin në tekst.

17. Te fragmenti i Prustit, rrëfimtari ndalet dhe përshkruan gjatë kënaqësinë e kthimit në kujtimet e së shkuarës? Si mendoni ju, pse rrëfimtari i kthehet së shkuarës? Çfarë gjen tek ajo? Ilustroni mendimin duke iu referuar fjalive të tekstit.

Sfida e të shkruarit

18. Përpiquni të shkruani një tregim, të ngjashëm me modelin e Prustit. Lexojeni në klasë dhe diskutoni bashkërisht, duke dhënë vlerësimin për tregimin më të mirë.

STUDIM TEKSTI
2.
3.
4.
5.
6.
7.
8.
Letërsi48

ANALIZË E VEPRËS

Para ligjit

Parabolë apo tregim?

“Para ligjit” u botua për herë të parë në vitin 1915. Që atëherë është konsideruar herë si tregim e herë si një tekst i shkruar në formë parabole. Arsyet kanë të bëjnë me mënyrën se si e ka ndërtuar tekstin Kafka. Kështu, elementet që vihen re në këtë tekst dhe që e bëjnë të ngjashëm me parabolën janë: përqendrimi i fabulës te dilema e personazhit/fshatarit: ta kalojë tani apo më vonë portën e ligjit; të përballet apo jo me rojtarët e fuqishëm; veshja e tekstit me një narrativë të thjeshtë në dukje, por që sugjeron kuptim të fshehtë nëpërmjet gjuhës alegorike; prirja për të ndërtuar rrjetën e interpretimeve analogjike me ngjarjen e dhënë; mungesa e emrave identifikues të personazheve (personazhet identifikohen me emra përgjithësues, si: fshatari, rojtari); mjedisi i zhveshur ku zhvillohet ngjarja etj. Nga ana tjetër, ajo që e vë në diskutim ngjashmërinë e këtij teksti me parabolën klasike është fakti që nuk përmban asnjë rregull të artë që sugjeron se si duhet të veprohet, si dhe nuk sugjeron asnjë mënyrë sjelljeje. Po ashtu, ka një prani të fortë të elementit simbolik, i cili ofron interpretime të shumëfishta e shpesh të palidhura me njëra-tjetrën. Ndaj, kjo mënyrë të shkruari është një model alla kafkian i shartimit të tregimit me parabolën, një tregim parabolik kafkian

Motivet e veprës

Tregimi “Para ligjit” duket se është ndërtuar në mënyrë të tillë që të evidentohet një motiv mjaft i përdorur në veprat e Kafkës: marrëdhënia e njeriut me autoritetin. Frika përballë autoritetit ia rrudh guximin njeriut dhe e bën atë të shfaqet i nënshtruar, i bindur. Po ashtu, ky tregim përvijon modelin e njeriut modern - pa iniciativë dhe i pazoti për të marrë përgjegjësi mbi vete, plot dilema dhe i zhgënjyer - që e lëshon veten në rrjedhën e fatit, pa guxuar ta ndryshojë; njeriut që shkon drejt fundit pa e kuptuar asnjëherë arsyen e privimit nga të drejtat e tij.

Alegoria e sistemeve autoritare

Përgjithësisht, tregimi “Para ligjit” është parë si një alegori për sistemet burokratike dhe mënyrat se si autoriteti ushtron pushtetin simbolik mbi qytetarët e tij. Në një plan më të

Para ligjit, Lluis Hortalà
Letërsi 49

gjerë, tregimi mund të lexohet edhe si një kritikë mbi idenë e drejtësisë dhe vetë ligjit, të cilin Kafka e portretizon si një ideal të paarritshëm.

Personazhet

Personazhi i tregimit, i identifikuar si fshatari, dëshiron të hyjë te ndërtesa e ligjit, por pengohet nga rojtari. Ai nuk ia thotë arsyen pse nuk lejohet, por as fshatari nuk kërkon ta dijë. Ai thjesht bindet, tërhiqet dhe pret kohën kur rojtari do t’i hapë rrugë. Por ajo kohë nuk vjen kurrë. Fshatarit i mungon guximi për të vepruar. Ai nuk këmbëngul asnjëherë të dijë pse tani nuk i lejohet. Madje ai nuk këmbëngul as të provojë ta kalojë portën, ndonëse rojtari e sfidon: “Meqë po të josh kaq shumë, provoje njëherë të hysh, megjithëse unë të ndaloj”. Përballë sfidës së autoritetit nxjerr kokën frika, pafuqia, ndjesia e gabimit, ndaj “ai vendos më mirë që të presë, derisa t’i japin leje të hyjë”. Kështu, ai e kalon pjesën tjetër të jetës duke pritur për lejen, që nuk i jepet kurrë. Përpjekjet e tij kufizohen vetëm te lutjet që i drejton rojtarit, i cili me pengesën që bën, e shfaq më të qartë përmasën e nënshtrimit dhe frikës që karakterizon fshatarin. Mungesa e emrave individualizues i bën personazhet të qëndrojnë vetëm si funksione të qëllimeve të tyre. Dhe, si të tilla, ato vihen përkundër njëri-tjetrit në raport me motivin për të cilin ekzistojnë: fshatari kufizohet në personifikimin e një dëshire - dëshirës për të njohur Ligjin; rojtari është kufizuar në funksionin e pengesës së qëllimit të fshatarit; ndërsa motivi, identiteti i Ligjit, mbetet i fshehur. Secili prej tyre, në fakt, është një simbol i caktuar, i hapur për interpretime të ndryshme.

Elemente të rrëfimit

Tregimi rrëfehet në kohën e tashme nga një narrator omnishent (i gjithëdijshëm). Frazat dhe veprimet jepen aq të qarta, sa lexuesit i krijojnë iluzionin se e ka rrokur kuptimin e tekstit. Por prania e alegorisë i kujton se poshtë sipërfaqes së tekstit, fshihet një kuptim tjetër. Madje, ky tekst mund të ketë shumë mundësi interpretimi, falë përdorimit të simboleve.

Para ligjit, Kayla Leung
Letërsi50

ILUSTRIM LETRAR

Para ligjit

Para ligjit qëndron një rojtar. Te ky rojtar vjen një fshatar dhe i lutet që të hyjë te ligji. Por rojtari i thotë se nuk mund ta lejojë të hyjë tani. Fshatari mendohet një çast, pastaj pyet nëse do t’i lejohet të hyjë më vonë. “Mundet, - thotë rojtari, - por jo tani.” Meqë porta për te ligji rri si gjithmonë e hapur dhe rojtari bën mënjanë, tjetri përkulet për të parë brenda përmes portës. Kur e vë re këtë gjë rojtari, buzëqesh dhe thotë: “Meqë po të josh kaq shumë, provoje njëherë të hysh, megjithëse unë të ndaloj. Vetëm ki parasysh: unë jam i fuqishëm. Dhe unë jam veç rojtari i shkallës më të ulët. Sepse nga njëra sallë në tjetrën ndodhen rojtarë që janë njëri më i fuqishëm se tjetri. Jo më të tjerë, por edhe unë nuk mund ta duroj as pamjen e të tretit”. Fshatari nuk i kishte pritur këto vështirësi; ligji duhet të jetë i hapur gjithmonë e për të gjithë, mendon ai, po kur e vështron tani më me kujdes rojtarin me qyrkun e tij, hundën e madhe me majuc, mjekrën e gjatë, të hollë e të zezë prej tartari, ai vendos më mirë që të presë, derisa t’i japin leje të hyjë. Rojtari i jep një fron të vogël dhe e lë të ulet anash, para portës. Aty rri ulur ai përditë e për vite të tëra. Bën shumë orvatje që ta lënë të hyjë, e lodh rojtarin me lutjet e tij. Rojtari herë pas here e merr në pyetje, e pyet për vendin e tij e për shumë të tjera, por ato janë pyetje indiferente, siç i bëjnë zotërinjtë e mëdhenj, e në fund i thotë po një gjë, se nuk mund ta lejojë të hyjë. Fshatari që ka marrë gjithfarë gjërash për udhëtimin e tij, i harxhon ato të tëra, edhe ato më të vyerat, për ta korruptuar rojtarin. Ky vërtet i pranon, por edhe i thotë: “Po i pranoj vetëm që mos të të ngelë peng ndonjë gjë.” Në ato vite të shumta, fshatari e vështron rojtarin thuajse pa ndërprerje. Ai i harron rojtarët e tjerë e veç ky i pari i duket e vetmja pengesë për të hyrë te ligji. Mallkon rastësinë fatkeqe, gjatë viteve të para, pa druajtje e me zë të lartë, por më vonë, teksa plaket, vetëm sa hungëron me vete. Bëhet si fëmijë e ngaqë duke e vrojtuar rojtarin në gjithë këto vite, i ka vënë re edhe pleshtat në jakën prej gëzofi, fillon e u lutet pleshtave që t’ia ndërrojnë mendjen rojtarit. Tekefundit, i dobësohet drita e syve dhe nuk di nëse vërtet po erret tani rreth e përqark apo nëse janë sytë e tij që e gënjejnë. Mirëpo, në këtë errësirë dallon befas një vezullim, që shpërthen i pashuar nga porta e ligjit. Tani nuk i ka mbetur shumë për të jetuar. Përpara se të vdesë, vijnë e i mblidhen në kokë përvojat e gjithë kësaj kohe, në një pyetje të vetme, të cilën deri më tani ende nuk ia ka bërë rojtarit. I bën shenjë me dorë atij, pasi nuk mundet ta drejtojë dot më trupin e vet në ngërç. Rojtarit i duhet të përkulet fort, ngaqë dallimi në lartësi ka ndryshuar shumë në dëm të fshatarit. “Ç’kërkon të marrësh vesh tani? – pyet rojtari. – Paske qenë i pangopur.” “Si ka mundësi, të gjithë lakmojnë të hyjnë te ligji, – i thotë fshatari, – mirëpo në gjithë këto vite, askush nuk ka kërkuar të hyjë këtu përveç meje.” Rojtari e kupton se tjetrit i ka ardhur fundi e për të arritur zëri deri te veshi i tij, i ulërin: “Po këtu nuk mund të hynte askush tjetër, pasi kjo hyrje ishte e caktuar vetëm për ty. Tani po shkoj që ta mbyll”.

Letërsi 51

TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në hyrje të tregimit njihemi me një rojtar dhe një fshatar. Si është marrëdhënia mes tyre? Ju si lexues, si e kuptoni lidhjen e kësaj marrëdhënieje me vetë ligjin?

2. Rojtari në fillim e pret me buzëqeshje fshatarin dhe pastaj e grish ta provojë të hyjë te ligji. Si e kuptoni këtë sjellje të rojtarit? Si lidhet ajo me nëntekstin që kërkon të përcjellë fjala e rojtarit?

3. Vërejmë disa luhatje te mendimet e fshatarit para se të përpiqet të hyjë te ligji. Çfarë mendonte ai përpara? Pse ndryshon mendim?

4. Fshatari i ofrohet me ryshfete rojtarit. Rojtari i pranon, e megjithatë nuk e lejon fshatarin të hyjë brenda ligjit. Lexoni në tekst fragmentin dhe tregoni si i keni kuptuar ju arsyet e kësaj sjelljeje.

5. Ndonëse dy personazhet qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, vihet re një ndjenjë e përgjithshme vetmie dhe pothuajse mungesë komunikimi. Ilustrojeni me situata të caktuara nga teksti dhe argumentoni arsyet.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Teksti është i ndërtuar mbi fjalinë e shkurtër (më së shumti) dhe tonet e ftohta. Identifikoni disa prej tyre. Analizoni se si lidhet kjo formë ndërtimi me qëllimin e autorit. A është kjo një zgjedhje për të mos e ndikuar lexuesin?

7. Krahas fjalisë së shkurtër, në tekst vihen re fjali që karakterizohen nga mosprania e gjymtyrëve kryesore, pra fjali eliptike. Si ndikon ky ndërtim në tekstin e nënkuptuar? A e ndihmon ai lexuesin në procesin e të kuptuarit? Po në koherencën e tekstit, si ndikon kjo gjë?

8. Në këtë tregim ndihet fort prania e paradoksit, absurdit dhe ironisë. Merrni në analizë disa prej situatave ku janë të pranishme këto elemente. Analizojini ato duke shpjeguar si ndihmojnë në procesin e të kuptuarit të mesazhit.

9. Ky tekst është ndërtuar përgjithësisht sipas modelit të parabolës. Duke iu referuar elementeve tekstuale që e afrojnë atë me parabolën (të cilat i kemi renditur në teori), evidentojini ato nëpërmjet të dhënave nga teksti. Çfarë ka të veçantë teksti i Kafkës nga forma e parabolave klasike?

10. Fabula rrëfehet nga një narrator i gjithëdijshëm. Rrëfyesi sjell të dhëna të plota e të sakta për rojtarin, fshatarin dhe vetë ligjin. Kthehuni në tekst dhe identifikojini ato.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Fabula e tregimit ka një nëntekst të fortë, i cili zë fill te simbolika e disa elementeve bazë të tij: ligji, rojtari, porta. Ndaluni te kuptimet e para të këtyre fjalëve. Më pas, krahasojini ato me kuptimet e reja që marrin në tekstin e Kafkës. Në ç’raport ndodhen mes tyre kuptimet? A kanë një nivel të ri shprehësie ato?

12. Duke u përpjekur të zbulojmë simbolikën e rojtarit, të fshatarit dhe ligjit, ne prodhojmë vazhdimisht kuptime të tjera, që na i sugjerojnë këto simbolika, si p.sh.: njeriu në kërkim të lumturisë – ai kurrë nuk e arrin atë; njeriu në kërkim të Zotit – ai kurrë nuk e kupton atë etj. Përpiquni të gjeni të tjera kuptime, që ju sugjeron simbolika e njësive të mësipërme.

13. Teksti ka nevojë për disa lexime. Pasi të keni bërë leximin e parë nga i cili keni përthithur kuptimin e tij, rilexojeni atë për të perceptuar nëntekstin alegorik. Shpjegoni alegorinë. Shfrytëzoni vlerën e simbolikave që analizuat në pyetjen e mëparshme.

STUDIM
Letërsi52

14. Fjalia: “Tekefundit, i dobësohet drita e syve dhe nuk di nëse vërtet po erret tani rreth e përqark apo nëse janë sytë e tij që e gënjejnë”, luan me shqisën e të parit. Cila ngjyrë është dominuese në të? Cilën ndjenjë përcjell ajo te lexuesi?

15. Ky është një tekst i përkthyer dhe përkthyesi ka pasur vështirësi më së pari në përdorimin e fjalëve të zhveshura nga ana figurative, por me synimin për të realizuar nëntekstin. Si mendoni ju, a ia ka arritur këtij qëllimi përkthyesi?

Nga teksti te përdorimi

16. Lexoni fjalinë: “Meqë porta për te ligji rri si gjithmonë e hapur dhe rojtari bën mënjanë, tjetri përkulet për të parë brenda, përmes portës”. Në këtë fjali kemi një përdorim të tillë të gjuhës, e cila realizon jo vetëm disa veprime (palëvizjen e portës, lëvizjen e rojtarit dhe fshatarit), por ndihmon edhe për të kuptuar marrëdhënien mes tyre. Evidentoni cilat mjete gjuhësore janë përdorur për të realizuar këtë.

17. Kur fshatari kërkon të dijë nëse do të lejohet të hyjë më vonë, rrëfyesi preferon të përdorë fjalitë mungesore: “mundet” , “por jo tani”. Si e kuptoni ju këtë përdorim në këtë kontekst? Po përgjigjen në tërësi?

18. Në tregim përdoren fjali të tilla që vetëm brenda kontekstit u del kuptimi, për shembull, shprehja e thënë nga rojtari: “Po i pranoj vetëm që mos të të ngelë peng ndonjë gjë”. Nëse nuk do të ishte alegoria, kjo thënie mund të interpretohej edhe si një mjet korruptimi. Por konteksti e shmang këtë. Shpjegoni si kontekstualizohet kjo thënie në përputhje me qëllimin e rojtarit.

19. Rojtari përshkruhet “... me qyrkun e tij, hundën e madhe me majuc, mjekrën e gjatë, të hollë e të zezë prej tartari” . Mbiemrat nuk marrin vlerën e epitetit, sepse nuk kanë ngarkesë emocionale. E megjithatë, në imazhin e lexuesit, rojtari vjen i egër dhe i ftohtë. Në ç’mënyrë e fitojnë këtë shprehësi mbiemrat në imagjinatën e lexuesit? A ndikon konteksti në të?

20. Tregimi mbyllet me fjalinë: “Po këtu nuk mund të hynte askush tjetër, pasi kjo hyrje ishte e caktuar vetëm për ty. Tani po shkoj që ta mbyll”. Përcaktoni nënshtresimet kuptimore që sjell kjo frazë. Lidheni me mesazhin e tregimit.

Nga teksti te reflektimi

21. Tregimi “Para ligjit” përfaqëson autoritetin e pushtetit burokratik. Si e gjykoni ju peshën e këtij pushteti mbi individin? A vlen kjo edhe për ditët e sotme?

22. Kur fshatari shfaq interes për ligjin, rojtari i thotë: “Vetëm ki parasysh: unë jam i fuqishëm. Dhe unë jam veç rojtari i shkallës më të ulët”. Kjo tregon se sistemi burokratik ka hierarkinë e tij. Si e kuptoni ju marrëdhënien e individit me hallkat e sistemit? Argumentoni përgjigjen tuaj.

23. Sjellja e fshatarit para ligjit tregon gjendjen e frikësuar të individit para autoritetit të sistemit burokratik. Nga e ka burimin kjo frikë? Mendoni se ka sisteme ku kjo frikë nuk ekziston? Pse?

24. Tregimi ofron edhe modelin e njeriut “modern”, por pa veprim, pa zotësi. Mendoni se edhe në kohët tona këto modele vijojnë të ekzistojnë? Si e ushqen sistemi ekzistencën e tyre?

25. Kafka është një nga autorët që e trajtoi deri në qelizë dëmin që i bën individit sistemi burokratik. Sa bashkëkohor është ky shqetësim i Kafkës? Sillni shembuj nga jeta për të argumentuar përgjigjen tuaj.

Nga teksti te të shkruarit

26. Shkruani një ese argumentuese, nisur nga kjo shprehje: “Po këtu nuk mund të hynte askush tjetër, pasi kjo hyrje ishte e caktuar vetëm për ty. Tani po shkoj që ta mbyll”.

Letërsi 53

ILUSTRIM LETRAR

Në Katedrale

Lidhja e tregimit “Para ligjit” me romanin “Procesi”

Tregimin “Para ligjit” Kafka e përfshiu në kapitullin IX të romanit “Procesi”, por duke ia theksuar edhe më tepër natyrën e parabolës. Si tregimi, ashtu edhe romani, shtrojnë pyetje rreth natyrës së ligjit dhe pështjellimit të shkaktuar nga tërësia e rregullave të fshehta e të çuditshme, që e bëjnë të pamundur qasjen e individit ndaj Ligjit dhe proceseve ligjore. Të dyja këto vepra kanë në thelb kritikën ndaj një sistemi gjyqësor të padepërtueshëm dhe, po ashtu, ndaj paaftësisë së njeriut për të vepruar, për të kundërshtuar pengesat.

Personazhi kryesor i “Procesit”, Jozef K., arrestohet papritur për një krim të paspecifikuar dhe e kalon pjesën tjetër të historisë duke u përpjekur të zbulojë se cili ishte krimi i tij dhe si të mbrohej. Në një moment, teksa ndodhet në Katedrale (që siç thamë, është edhe titulli i kapitullit), personazhi dëgjon nga prifti një parabolë dhe përfshihet në interpretimin e kuptimit të saj, duke u nisur nga pozicioni në të cilin ai ndodhet, që duket se është i ngjashëm me atë të personazhit të parabolës. Ajo parabolë është pikërisht tregimi “Para ligjit”. Dhe është një alegori e jetës së vetë Jozef K.-së. Në thelb, fshatari dhe Jozef K.-ja janë njësoj; i vetmi ndryshim është mënyra se si vdesin në fund: fshatari vdes në pleqëri, duke pritur të kalojë portën e të njohë Ligjin, ndërsa Jozef K.-ja vritet teksa pret të njihet me fajin që ka bërë. Por pak rëndësi ka fundi. Situatat e tyre janë njësoj. Imazhi i zhgënjimit dhe i mungesës së shpresës është i dukshëm. Të dyja krijimet i përshkon pafuqia përballë autoritetit. Kauza e fshatarit është e humbur që në fillim, njësoj si ajo e Jozef K.-së. Asnjëri nuk vepron për të kundërshtuar gjendjen në të cilën ndodhen.

Në lidhje me gjyqin. Ka një parabolë, e cila flet për këtë gënjim: Na ishte një rojë, që rrinte e ruante para Ligjit. Vjen një burrë nga fshati dhe kërkon të hyjë brenda. Roja i thotë: jo. Njeriu mendohet pak dhe e pyet nëse mund të hyjë më vonë. “Mundet, – iu përgjigj roja, – po tani për tani, jo...” Dera që të çon te ligji është e hapur, roja tërhiqet në një anë dhe burri hedh sytë brenda. Roja e sheh dhe ia plas gazit. “Po deshe futu brenda, pavarësisht se të thashë që është e ndaluar. Vetëm hap sytë: unë jam i fortë, por jam i fundit për nga fuqia. Përpara çdo salle është nga një rojë, njeri më i fuqishëm se tjetri, madje nga i treti e lart, as unë nuk u bëj dot ballë”. Burri nuk priste që të kishte kaq vështirësi. Ligji, mendon ai, duhet të jetë i hapur për të gjithë dhe vazhdimisht. Po kur pa rojën e mbështjellë me pallto gëzofi, hundëgjatë, mjekrën po ashtu të gjatë e të prerë tatarçe, vendosi të presë derisa të merrte leje për të hyrë. Roja i jep një stol dhe ai zë vend pranë derës. Atje qëndron me vite. Bën përpjekje për të hyrë dhe e lodh rojën me kërkesat e pafundme. Roja e mundon me pyetje të gjata dhe i kërkon të dhëna për atdheun e tij, çfarë zakonesh kanë, si jetojnë atje zotërinjtë e lartë. Më në fund, i thotë se nuk mund ta lejojë që të hyjë brenda. Burri që e kishte parashikuar se udhëtimi mund të zgjaste, kishte marrë me vete gjithçka duhej dhe i fal rojës

Përmendorja e Franc Kafkës në Pragë.
Letërsi54

gjërat më me vlerë që ai ta linte të hynte brenda. Ky ia merr e i thotë: “Po i pranoj vetëm që ti të mos thuash se nuk i ke provuar të gjitha mënyrat”. Gjatë atyre viteve ai rri e vrojton rojën. (….)(….)Është plakur shumë dhe nuk e dallon më nëse është ditë apo natë (…….). Nuk mund të çohet, po i bën me shenjë rojës që të afrohet. Ai vjen dhe detyrohet të përkulet shumë, sepse tjetri ka mbetur një grusht njeri. “Çfarë kërkon të dish? – e pyeti roja. Prapë ke gjëra që dëshiron të marrësh vesh? Fol”. Njeriu i thotë: “Të gjithë njerëzit duan të futen te ligji. Po si shpjegohet që unë kam shumë vite këtu dhe s’kam parë njeri që të ketë kërkuar të hyjë?” Roja e vë re se njeriu është nga fundi dhe, duke e ditur se është rënduar nga veshët, i thërret: “Askush tjetër nuk mund të hynte këtu, sepse kjo hyrje ishte caktuar vetëm për ty. Tani s’jam më i nevojshëm. Po shkoj ta mbyll.”

– Atëherë del se roja e kishte gënjyer atë njeri, – tha K., që e kishte ndjekur me interes tregimin.

– Mos u ngut, – ia bëri prifti, – mos e prano mendimin e tjetrit pa e gjykuar më parë me kujdes. Unë ta tregova historinë sipas tekstit origjinal. Aty nuk thuhet gjë për mashtrim.

– Kjo nuk mund të mohohet. Roja ia tha ato fjalë, kur pa se njeriu nuk kishte më mundësi të kapërcente derën.

– Atë nuk e kishin pyetur më parë. Mos harro se ai ishte vetëm rojë dhe, si i tillë, kryente detyrën e tij.

– Pse thua që ai kryente detyrën? – pyeti K. – Unë mendoj ndryshe. Detyra e tij ishte të dëbonte që andej të huajt dhe duhej ta kishte lënë të hynte atë njeri, sepse ajo ishte dera e tij.

– Ti nuk po i përmbahesh tekstit, – vërejti kleriku. – Po e ndryshon. Te historia përmenden dy pohime të rëndësishme të rojës lidhur me hyrjen brenda: një në fillim e një në fund. I pari thotë: “Tani nuk mund të të lë të hysh”; i dyti: “Kjo hyrje ishte e caktuar vetëm për ty”. Sikur këto pohime të kundërshtonin njëritjetrin, do të kishe të drejtë se roja kishte gënjyer. Po këtu nuk ka kundërthënie. Përkundrazi. Kumtimi i parë lidhet me të dytin; madje mund të thuhet se roja i kapërcen kompetencat kur i tha se mund të hynte më vonë, ndërkohë që ai duhej t’i thoshte se nuk mund të hysh dhe kaq. Shumë komentues habiten se si roja bëri atë aludim, pasi ishte njeri i saktë dhe e kryente besnikërisht detyrën. Ai qëndroi aty shumë vite dhe vetëm në fund e mbylli derën. Ai është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e asaj detyre, sepse thotë: “Jam i fuqishëm”. Por respekton edhe hierarkinë, sepse thotë: “Jam roja i fundit për nga fuqia”. Nuk është llafazan dhe nuk flet kot. Vetëm në të rrallë bën ndonjë pyetje pa rëndësi, siç thotë teksti. Nuk është njeri që korruptohet, pasi edhe kur pranonte ndonjë dhuratë, e bënte që të qetësonte tjetrin. Roja as mërzitet, as zemërohet; aty thuhet se njeriu e ka lodhur rojën me kërkesat e tij të pafundme. Të mos harrojmë edhe paraqitjen e tij të jashtme. Ajo zbulon një karakter pedant, me atë hundë të madhe majuce, me atë mjekër të gjatë tartare, me qime të zeza e të rralla. Ku të gjesh rojë më të lidhur me detyrën e tij?! Mirëpo te roja shfaqen edhe disa shenja në favor të atij që kërkon të hyjë brenda dhe, duke aluduar për një mundësi të tillë në të ardhmen, ai ka kaluar kompetencat e tij.

Letërsi 55

TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Krahasoni tregimin “Para ligjit” me përmbledhjen që i është bërë atij në këtë fragment. Evidentoni detajet e munguara. A ju ndikojnë ato në kuptimin e tekstit pasardhës? Pse?

2. Dialogu i priftit me Jozef K.-në duket si një gjëegjëzë. Si e kuptoni ju këtë dialogim? A kuptohet që prifti po kërkon të japë një tjetër version nga mendimi i Jozef K.-së? Ilustroni përgjigjen tuaj me të dhëna nga teksti.

3. Si vepron Jozef K.-ja para fjalës së priftit? Po fshatari para fjalës së rojtarit? Krahasoni dy mënyrat e tyre të sjelljes dhe vëreni nëse ka diferenca.

4. Jozef K.-ja mban anën e fshatarit, duke ngulmuar se ai është “i gënjyeri”. Çfarë e shtyn Jozef K.në të mendojë kështu? Cilat janë qëndrimet e tjera të tij në favor të fshatarit?

5. Si e perceptoni ju marrëdhënien e priftit me Jozef K.-në? Si e kuptoni synimin e fjalës së priftit? A ju krijon analogji qëndrime me të tjera apo fjalime?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Në këtë fragment kemi një tekst të përfshirë brenda një teksti tjetër. Flisni për mënyrën e ndërtimit të të dyja teksteve. Evidentoni specifikat e zhanrit të secilit.

7. Në këtë rimarrje, ajo çka ka ndryshuar cilësisht nga teksti i parë tek i dyti është rrëfimtari. Nëse teksti i parë ka një rrëfimtar të jashtëm, të ftohtë, i dyti ka një rrëfimtar konkret, i cili nuk është në të njëjtin status si rrëfimtari i parë. Tregoni se ku dallojnë dy rrëfimtarët.

8. Nga ana ndërtimore, teksti i parë është një motiv për tekstin e dytë. Argumentoni këtë fakt, duke u nisur nga motivimet e dy teksteve.

9. Në ndërtimin e këtij teksti vëmë re ndërthurjen e alternuar të dy ligjëratave: e zhdrejta, dialogimi (ligjëratë e drejtë) dhe përsëri ligjërata e zhdrejtë. Kthejeni këtë fragment në tekst dramatik: një nxënës të interpretojë priftin e një tjetër, Jozef K-në. Dëgjojeni para klasës dialogimin. Si vijnë ligjërimet? A kanë të njëjtin intonacion? A varet intonacioni nga mënyra e komunikimit mes personazheve? Po nga përmbajtja?

10. Monologu i fundit i priftit është ndërtuar mbi analiza logjike. Ky monolog ka formën e parabolës së vetë tregimit “Para ligjit”; pra: përqendrohet te fabula; tek alegoria, tek interpretimi analogjik i ngjarjes, te mungesa e emrave identifikues, te mjedisi i zhveshur. Kthehuni në tekst dhe evidentoni këto elemente të parabolës.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Thamë që fabula e tregimit “Para ligjit” ka një nëntekst të fortë, i cili zë fill te simbolika e disa elementeve bazë të tij: ligji, rojtari, porta. Krahasojeni këtë nëntekst me nëntekstin e tregimit të dytë, duke u ndalur te të tjera elemente: prifti, Jozef K. Mbani në vëmendje sugjerimet dhe interpretimet që i bën Jozef K.-ja situatës së fshatarit.

12. Fragmenti nis me fjalinë: “Në lidhje me gjyqin”. Pasi ta keni lexuar veprën, analizoni se çfarë kuptimi të ri merr grupi në lidhje me. Mbështeteni mendimin tuaj tek ecuria e ngjarjeve deri në momentin e gjyqit. Si arrin ky mjet lidhës të integrojë tregimin “Para ligjit” me vetë gjyqin?

13. Në këtë fragment, personazhi ka emrin dhe vetëm një shkronjë identifikuese për mbiemër. Çfarë vlere konkretizuese merr kjo germë? A kthehet ajo në simbol? Pse? A gjeni pika takimi me vetë autorin e veprës? Argumentoni përgjigjen tuaj me të dhëna biografike të autorit.

STUDIM
Letërsi56

14. Nga mënyra se si e tregon prifti ngjarjen, shumë fjalë marrin kuptim tjetër. Thoni si realizohet kjo.

15. Interpretoni kuptimin ironik që merr shprehja: “Unë ta tregova historinë sipas tekstit origjinal. Aty nuk thuhet gjë për mashtrim”.

Nga teksti te gjuha në përdorim

16. Në interpretimin që i bën parabolës së tregimit, prifti flet me gjuhën e njeriut të fesë apo me atë të burokratit të sistemit gjyqësor? Argumentoni përgjigjen, duke iu referuar ligjërimit të priftit.

17. Në dialogimin me priftin, autori shprehet se K. e kishte ndjekur me interes tregimin. Ndaluni te rrethanori i mënyrës. Ai merr një tjetër kuptim në këtë kontekst. Me çfarë lidhet interesi i tij? Lidheni këtë me funksionin e rrethanorit të mënyrës në gjuhën shqipe. A shfrytëzon prifti këtë mënyrë të dëgjuari? Si e shfrytëzon?

18. Në analizën e tij, prifti argumenton ekzistencën e dy kumteve në thënien e rojtarit: I pari thotë: “Tani nuk mund të të lë të hysh”; i dyti: “Kjo hyrje ishte e caktuar vetëm për ty”. Sipas priftit, këto dy kumte lidhen me njëri-tjetrin. Kthehuni në tekst dhe rilexoni frazën që po analizojmë. Shpjegoni se cilat janë dy kumtet dhe si qëndrojnë ato përballë njëri-tjetrit.

19. Prifti i bën një përshkrim rojës me të gjitha cilësitë e tij morale, të cilat i nxjerr nga tregimi i parë. Teksti i parë këto nuk i ka të dukshme, por të kuptueshme. Si është bërë e mundur kjo? Si qëndrojnë dy ligjërimet përballë njëri-tjetrit në këtë këndvështrim? Cila aftësi e gjuhës në përdorim të ndihmon në secilin rast?

20. Në tekstin e parë përkthyesi ka përdorur gjithë aftësitë e shqipes për ta dhënë idenë të nënkuptuar. Po në analizën e fjalës së priftit, cilat aftësi të gjuhës shqipe ka përdorur përkthyesi?

Nga teksti te reflektimi

21. Lexoni romanin “Procesi” dhe evidentoni ngjashmëritë e Jozef K.-së me personazhin e tregimit “Para ligjit”. A është historia e fshatarit e projektuar në atë të Jozef K.-së? Argumentoni përgjigjen, duke u mbështetur te të dyja veprat.

22. A është e njëjtë pesha e pushtetit burokratik në të dyja rastet? Ilustroni përgjigjen.

23. Thuhet se parabola që Jozef K.-ja dëgjon nga prifti është një lloj alegorie e jetës së tij, a e lexoni edhe ju si të tillë?

24. Romani “Procesi” dhe tregimi “Para ligjit” janë një akuzë ndaj sistemit dhunues e të padepërtueshëm gjyqësor në shoqërinë moderne. Cilat janë problematikat e tjera që vë në dukje romani dhe tregimi? Evidentoni disa prej tyre.

25. A ju duket se romani “Procesi” dhe tregimi “Para ligjit” i kanë projeksionet e tyre edhe në ditët e sotme? Diskutoni në klasë.

Nga teksti te të shkruarit

Lexoni më poshtë gjykimin e Albert Kamysë për Kafkën. Krijoni një almanak, ku të përfshini punimet tuaja reflektuese mbi këtë temë.

“I gjithë arti i Kafkës është ta detyrojë lexuesin ta rilexojë. Zgjidhjet e tij ose mungesa e zgjidhjeve sugjerojnë shpjegime, por që nuk zbulohen qartë dhe që kanë nevojë për t’u dukur të bazuara, që historia të lexohet nga një kënd i ri. Ndonjëherë ka një mundësi të dyfishtë interpretimi, nga ku rrjedh domosdoshmëria e dy mënyrave të të lexuarit. Këtë gjë kërkonte autori”.

(Albert Kamy, “Shpresa dhe absurdi në veprën e Kafkës”)

Letërsi 57

Gjuhë

Rendi leksikor, morfologjik dhe sintaksor i teksteve

Keni mësuar se fjala është një shenjë. Ajo shenjon një imazh të caktuar, i cili herë pas here përcjell ndjesi të caktuara. Në këtë kontekst, gjuha si mjet komunikimi, përbëhet nga sistemi i shenjave. Si e tillë, ajo shfaqet me rrafshe të ndryshme: morfologjike, sintaksore, leksikore dhe fonetike etj. Këto kategori janë të lidhura në shkallë të ndryshme me njëra-tjetrën. Lidhja e ngushtë mes këtyre rrafsheve dhe njësive përbërëse të tyre, shenjave të niveleve të ndryshme, kushtëzohet nga lloji i tekstit ku përdoret edhe marrësi i tij. Le të vlerësojmë ndryshimet mes tyre. Një lexues i zakonshëm, i cili ka pak përvojë leximi, kur ndodhet përballë një teksti arrin të përcaktojë nëse ka të bëjë me një poezi apo me një artikull ekonomik, me një manual motori apo me një tregim. Për ta përmbledhur, ky lexues arrin të dallojë një tekst letrar nga një tekst joletrar. Për ta bërë këtë dallim, lexuesi nuk mbështet vetëm te përmbajtja e tekstit në fjalë. Brenda një teksti gjallojnë shumë elemente, shenja gjuhësore, të cilat i përkasin sa një teksti letrar, aq edhe atij joletrar. Ky dallim varet nga qëllimi i shkrimit të tekstit, dhe reflektohet edhe në mënyrën si organizohen shenjat gjuhësorë të niveleve të ndryshme, në raport me rendin leksikor, morfologjik dhe sintaksor të fjalëve në fjali. P.sh. përshkrimin e një qyteti e gjejmë si në një vepër letrare, ashtu edhe në një guidë turistike. Por nëse reflektojmë mbi dy tekstet, do të dallojmë që strukturat leksikologjike, sintaksore dhe ato morfologjike reflektojnë dy tipologji të ndryshme shkrimi. Teksti letrar mund ta ndryshojë rendin leksikor, sintaksor dhe atë morfologjik në funksion të qëllimit të ndërtimit të një imazhi të caktuar estetik, ndërsa teksti joletrar ka natyrë objektive në respektim të normës letrare. Po ashtu, edhe përmbajtja semantike e fjalës në tekstin letrar zhvendoset nga kuptimi i parë drejt konotacionit (shprehësisë), ndërsa teksti joletrar është më i ngurtë ndaj kësaj zhvendosjeje, për shkak të karakterit objektiv që ai bart.

Shembuj analize

Pranvera është një nga stinët e vitit dhe vjen pas dimrit. Pranvera fillon midis datave 20 dhe 21 mars në hemisferën veriore dhe midis datave 22 dhe 24 shtator në hemisferën jugore. Në këtë periudhë të vitit, ditët fillojnë të jenë më të gjata se netët. Në pranverë, temperaturat janë më të ngrohta se gjatë dimrit. Kjo stinë karakterizohet nga fakti që bimët fillojnë të lulëzojnë dhe lindin shumë nga pasardhësit e kafshëve të ndryshme.

Fillimi i pranverës mund të jetë astronomik, d.m.th. sipas pozicionit të tokës ndaj diellit, ose fenologjik d.m.th. sipas zhvillimit të bimëve.

Sipas astronomisë, pranvera fillon kur në fundin e dimrit nata dhe dita barazohen.

Sipas fenologjisë, pranvera fillon me lulëzimin e disa llojeve të bimëve pranverore, specifike këto për vende të ndryshme. Në vendet e hemisferës veriore, kjo fillon zakonisht në muajt mars, prill dhe maj, kurse në hemisferën jugore në muajt shtator, tetor dhe nëntor.

Në meteorologji, pranvera fillon gjithmonë më 1 mars.

Enciklopedia për të rinj

1 58 Gjuhë

1. Regjistri i tekstit të parë është formal. Këtë e tregojnë fjalitë e thjeshta dhe përdorimi i fjalëve në kuptimin e tyre të parë.

2. Mungojnë fjalët e figurshme dhe fjalitë kanë respektuar rendin sintaksor të gjuhës shqipe.

3. Norma drejtshkrimore, gramatikore dhe leksikore është e përdorur me përpikëri, që do të thotë se janë respektuar Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, pra standardi.

4. Leksiku i përdorur i përket fjalorit profesional.

5. Informacionet ndjekin një rend logjik në koherencë. Evidentoni në tekst karakteristikat e tekstit joletrar.

2Poshtë, në Drimonë, kish ardhur vera; lart në male ishte ende pranverë dhe jo pranverë dokudo. Pranverë bujëmadhe. Shkrinte akulli dhe dëbora e përhime, e ngjeshur dimrit shtrat mbi shtrat në rrembat e fellëtirat, buçisnin rrëketë e përrenjtë, gurgullonin kronjtë begatorë. Harlisej bari i ri shumë i hollë dhe bleronin drurët e shkurret të veshura me gjeth të brishtë, gati të tejpashëm. Aty-këtu zbardhte, skuqte a zverdhte ndonjë pemë e ngarkuar me lule. Ajri ishte i fortë sa ta prisje me thikë, plot amëza aguliçesh, vjollcash dhe stolish të tjera pranverore.

Mos harrojmë që antiteza ka në bazë antoniminë ose kontrastin antonimik.

Në tekstin e dytë, fjala merr vlerë të madhe shprehëse. Kontakti juaj i parë me tekstin është përmasa vendore poshtë dhe lart. Perceptimi i kësaj përmase realizohet me anë të antonimeve, që shërbejnë për të nisur një peizazh, i cili duket sikur do të burojë nga antiteza.

Të dyja fjalitë ku gjenden antonimet, në dukje bashkërendisin mendimin (sintaksa, marrëdhënie bashkërenditëse), sepse mund të bashkohen me lidhëzën dhe, por në fakt qëndrojnë në opozitë kuptimore (semantika), sepse fjalia e dytë jep zanafillën e qëllimit të rrëfyesit për të ngacmuar kënaqësi shpirtërore dhe qetësi fizike te lexuesi, atë që ndien njeriu kur është në malet e Drimonës, në një pranverë të vonë.

Çfarë imazhi ndërton në vetëdijen e lexuesit fusha semantike e toponimit Drimonë?

Cilat shqisa marrin pjesë në tablonë që ndërtohet në përfytyrimin e lexuesit dhe çfarë ndjesish përcjell ky imazh?

Antonimia, siç e thamë, ka dy përbërësit poshtë-lart. Nga këto dy shenja, vetëm njëri zgjerohet: shenjuesi lart. Gramatikisht dy fjalitë (Poshtë, në Drimonë, kish ardhur vera- Lart në male ishte ende pranverë dhe jo pranverë dokudo) bashkërendojnë thëniet nga ana sintaksore, pra mund të funksionojnë si fjali me bashkërenditje, por kuptimisht ato krijojnë antonimi:

Imazhi që realizon fjalia e parë është një imazh i butë, i ëmbël, ku detaji Drimonë, ngacmon një seri lidhjesh mendore, që depërtojnë në arsyen e lexuesit.

59Gjuhë

Analizoni nga ana fjalëformuese fjalët dokudo dhe bujëmadhe. Tregoni konotacionin e pjesëve të secilës.

Analizoni shprehësinë që marrin fjalët e reja të formuara.

Si qëndrojnë në raport me njëra-tjetrën?

A ia ka arritur qëllimit të tij rrëfyesi ndërsa vendos pranë njëra-tjetrës këto fjalë?

Si e perceptoni kuptimin e foljes bart në këtë kontekst analize?

Çfarë marrëdhënieje kuptimore realizon mbiemri e madhe duke u vendosur mbi kumtin e parë?

Le të shohim se cilat imazhe dhe ndjesi synon të përmbushë fjalia e dytë, e cila në fakt i hap rrugë pjesës së dytë të fragmentit.

Fjala pranverë është një shenjë; shenjon njё nga stinët e vitit; ka një mision të cilin nuk mund ta përmbushë krejt e vetme: duhet të ngacmojë te lexuesi ndjesitë që sjell stina e pranverës. Për të realizuar këtë mision, i duhen të tjera shenja, me të cilat të aktivizojë imazhe që ekzistojnë në vetëdijen e lexuesit, por edhe t’i bëjë bashkë ato. Në hapësirën mendore të nxënësit, termi pranverë vjen me një seri ngacmuesish: rrethanorë ose jo; konkretë ose jo; objektivë ose jo. Pranvera e zakonshme është dalja nga dimri, një rrobë më pak – lehtësi; aroma e luleve, kënga e zogjve, diell më shumë, dritë më shumë, ekuinoks etj. Në pavarësi të plotë nga tërësia e imazheve dhe ndjesive që flenë në vetëdijen e lexuesit, teksti shfaq tjetër hapësirë dinamike, të vrullshme dhe pasionante, nisur përsëri nga një antonimi kontekstuale-dokudo/ bujëmadhe, por këtë herë më të plotë: rimarrja e shenjës, i nënshtrohet ligjësive të brendshme sintaksore. Përballë grupit pranverë dokudo vendoset grupi pranverë bujëmadhe, ku shenjohen objekte të ndryshme, por me funksione të njëjta: ndajfolja dokudo është një kumt i pandryshueshëm, ndërsa mbiemri bujëmadhe ka dinamikën e lëvizjes dhe të përshtatjes, duke marrë vlerën e një epiteti metaforik.

Epiteti metaforik bujëmadhe bart në kumtin e tij dy të shenjuar: bujë dhe e madhe. Mjetet e përdorura për të krijuar epitetin metaforik janë të natyrës leksikore (kuptimi i fjalëve përbërëse) dhe fjalëformuese (kompozitë)

Në një tekst, mesazhi është bashkësia e mjeteve fizike (shenjave) dhe e kuptimit. Le ta shohim me kujdes këtë proces.

Vlerën e parë kuptimore e bart emri bujë. Buja është një dialektizëm, që në gjuhën tonë kryesisht merr ngjyrime të variueshme nga konteksti: bëri bujë të madhe lajmi, emri i tij ka bujë, bëmat e saj bënë bujë nëpër fshat, ende i mban vlagë buja etj., por gjithmonë kumton zhurmë, fjalë, nam me përmasa të mëdha hapësinorë e kohore.

Konotacionin e fjalës së re të krijuar bujëmadhe, e përcaktojnë tri mekanizma: enumeracioni, metafora dhe loja e gjuhës me shqisën pamore e dëgjimore.

Ç’imazhe ju ngacmon secila prej foljeve që përmendëm?

Konkretizojini imazhet me fjalë.

Krijoni fusha kuptimore me emra që derivojnë kuptimisht nga secila prej foljeve.

Foljet që krijojnë enumeracionin: shkrinte (akulli), buçisnin (rrëketë), gurgullonin (krojet), harlisej (bar), bleronin (drurët), zbardhte, skuqte, zverdhej (pema) duhen ndarë në tri grupe, sipas qëllimit të përdorimit.

Në grupin e parë foljet shkrinte, buçisnin, gurgullonin, që në veshjen e tyre qoftë fonetike, qoftë kuptimore ngacmojnë shqisën e të dëgjuarit.

Fonetikisht, foljet karakterizohen nga një numër i lartë bashkëtingëlloresh dhe kuptimisht shenjojnë kuptime që ngacmojnë zhurmën e secilit prej veprimeve shenjuese. Kur shqisa e të dëgjuarit nis aktivitetin e

60 Gjuhë

Ndërtoni nga tri fjali ku foljet harlis dhe bleron të përdoren në disa kuptime. Imazhet që vijnë nga fjalitë tuaja, a përkojnë me imazhet që përcjellin këto folje në përdorimet e Kutelit?

saj, kryefjala krijon lidhjen e varësisë me kallëzuesin, duke e konkretizuar imazhin, plotësuar atë dhe duke vënë në lëvizje edhe shenja të ndërmjetme si përcaktorë e rrethanorë, por në rrafshe kuptimore shumë të larta, krahasuar me kuptimin e tyre të parë. Atëherë krijohet imazhi i një pranvere plot zhurma jete, me një bukuri marramendëse, që do t’i shkonte për shtat violina e Antonio Vivaldit.

Grupi i dytë i foljeve harlisej, bleronin, ngacmon shqisën e të parit. Nëse bëjmë një kërkim për shtresat kuptimore që përcjell kjo folje në shqipe e gjejmë, atë sipas konteksteve, me këto ngarkesa shprehësie:

1. E bëj të marrë fuqi e të zhvillohet shumë, e bëj të rritet e të shtrihet tej mase, na vjen kuptimi – është harlisur trupi i vajzës;

2. Merr fuqi e zhvillohet shumë, rritet e shtrihet tej mase, harliset – e gjejmë në përshkrime të natyrës;

3. E harboj, e azdis (edhe keq.), – semantikisht përcjell një gjendje erotike të ekzaltuar.

Në kontekstin kutelian, harlisja sjell një imazh ku bashkohen të gjitha, një natyrë që po buit, që të ekzalton dhe të jep paqe njëkohësisht, por mbi të gjitha një natyrë në lëvizje të brendshme.

Folja bleronin, e përdorur gjerësisht në prozën poetike të Kutelit, kalon herë nga natyra e herë nga vajza, duke shenjuar në të dyja rastet të njëjtin kumt, një bukuri në rritje, në lulëzim, një ndjesi tërheqëse dhe tunduese. Këto dy folje përcjellin dinamikë lëvizjeje gazmore, sepse një bar që harliset është një bar që po rritet; një bar që lëviz nga një fuqi e brendshme dhe jo nga era; një dru që bleron është një dru ku jeta të grish, të fton, ku ti gjen një motiv për të ndaluar e shijuar.

1Pragmatikë quhet shkenca që merret me studimin e thënies dhe situatës thëniesore, në kontekste thëniesore.

Në grupin e tretë janë ngjyrat: zbardhte, skuqej, zverdhte. Nëse do të përpiqeshim të paraqitnim në formë grafike kuptimin e foljeve, ku boshti numerik të tregonte horizontalisht kuptimin sipas procesit natyror, dhe ai vertikali kuptimin sipas pragmatikës1, atëherë do të përftonim një vijë të lakuar: skuqej zbardhte zverdhte Kjo është në kuptimin e parë të termave, por për ta zhvendosur domethënien, gjymtyrët homogjene e shpërndajnë kumtin e tyre në hapësirë të përcaktuar (rrethanori i vendit, aty-këtu dhe kryefjala ndonjë pemë e ngarkuar me lule). Aty-këtu zbardhte, skuqte a zverdhte ndonjë pemë e ngarkuar me lule, duke e risjellë ngjyrën në lëvizje jete. Diku lind një lule (zbardh), diku gufmon (skuq), e diku tjetër vyshket (zverdh).

Dëgjoni tekstin nën melodinë “Pranvera (Primavera)” të Vivaldit. A marrin tjetër ngarkesë kuptimore fjalët? Përshkruani ndjesitë tuaja ndërsa lexoni Kutelin, tani që kaluat përmes analizës së tekstit.

61Gjuhë

TEKSTI

Ushtrohuni përmes tekstit

Gjirokastra është një nga qytetet e Shqipërisë, qendra e prefekturës me të njëjtin emër. Pas ligjit të reformës administrative të vitit 2015, ish-bashkitë Antigonë, Cepo, Lazarat, Lunxhëri, Odrie dhe Picar u shkrinë në Gjirokastër. Në regjistrimin e vitit 2011 (më i fundit i kryer në vend), banorët e këtyre qendrave arrinin në 8837; që nga viti 2021, të dhënat e regjistrimit për popullsinë aktuale të njësisë së re administrative nuk janë ende të disponueshme.

E vendosur në pjesën jugore të vendit, Gjirokastra është një nga qytetet më të vjetra shqiptare: e ndërtuar mbi një kodër rreth 300 metra të lartë me pamje nga një luginë midis Malit të Gjerë dhe lumit Drino, emri i saj në greqisht do të thotë kështjellë argjendi. Njihet si “Qyteti i një mijë shkallëve” dhe karakterizohet nga shtëpitë e stilit otoman me ati të gurta, me ballkone prej druri dhe me rrugë kalldrëmi. Kalaja historike e Gjirokastrës (një nga më të vjetrat në vend) ndodhet në majë të një kodre.

Qyteti antik tregon takimin e kulturave greke, romake, bizantine, turke dhe shqiptare dhe është përfshirë në vendet e trashëgimisë botërore.

Që nga viti 2005, Gjirokastra është përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

1. Teksti shfaq tipare të tekstit informues. Përcaktojini ato.

2. Analizoni se si realizohet rendi logjik në këtë tekst.

3. Qarkoni përgjigjet e sakta:

Rendi sintaksor i fjalive brenda tekstit është ndërtuar sipas rregullit gramatikor të fjalisë në drejtshkrimin e gjuhës shqipe.

Përdorimi i figurshëm i fjalëve brenda fjalive ka krijuar zhvendosje të strukturës së fjalive. Pjesët komentuese në kllapa nuk i përgjigjen natyrës formale të shkrimit.

Grupet e fjalëve reformës administrative; regjistrimin; karakterizohet nga shtëpitë e stilit otoman; takimin e kulturave në këtë kontekst i përkasin fjalorit profesional.

Zbatimi me përpikëri i normës drejtshkrimore, gramatikore e leksikore përputhet me karakteristikat tipologjike të këtij teksti.

4. Tregoni vlerën përgjithësuese që merr fjala “qytet” në secilin prej rasteve të përdoruara në tekst.

5. Konsultohuni me Fjalorin e Gjuhës Shqipe për fjalët e mëposhtme dhe përgjigjuni pyetjeve: Fjala e vendosur e ka zgjeruar kuptimin në këtë kontekst apo ka ruajtur atë fillestar.

Grupi kalaja historike ka nënshtresuar një kuptim tjetër, i cili ngrihet mbi kuptimin e parë. E cenon kjo gjë natyrën joletrare të tekstit?

Kjo ndodhi një pasdite dimri në fshatin Perendjellkino, ku bashkë me shokë të tjerë të institutit “Gorki” shkonim për të bërë ski. Nuk më kujtohet mirë se si filloi biseda, por dihet se nuk ka gjë më të natyrshme për një shoqëri me njerëz të kombësive të ndryshme, sesa një bisedë rreth qyteteve të lindjes. Po flitej për qytete të jashtëzakonshme, të zbukuruara nga malli i ndarjes, për qytete me diell apo hënë të çuditshme, me blerime, me liqene dhe ura që ngriheshin natën si fantazma. Kur më erdhi radha mua, unë thashë se, sado që t’u dukej e pabesueshme, unë isha nga një qytet vërtet i çuditshëm, ku, po të ishe i pirë dhe të rrëzoheshe në rrugë, në vend që të bije në hendek, mund të bije mbi çatinë e një shtëpie tjetër. Qeshën të gjithë dhe, për të mos më quajtur gënjeshtar, më thanë se isha fantazist. Për fatin tim, midis tyre ishte një shkrimtar grek, i cili, pas thyerjes së partizanëve grekë në

STUDIM
1 2 62 Gjuhë

Gramos, kishte qenë mjekuar ca kohë në Gjirokastër. Ai pohoi fjalët e mia dhe bile shtoi se për të ishte një nga kujtimet më të paharruara kontakti i tij i parë me Gjirokastrën. Kishim vite në male, tha ai, dhe mendoni se për herë të parë pas një kohe kaq të gjatë, na doli përpara një qytet që u ngjante përrallave. Në qoftë se është kështu, si është e mundur që ti s’ke shkruar asgjë për këtë qytet, tha një letonez. Nuk u kuptua mirë se kujt iu drejtua kjo pyetje, grekut apo mua, por, për çudinë time, greku tha: “Ku e di ti që nuk kam shkruar?” Hm, ia bëra unë me vete. Greku paska shkruar për të, kurse mua as më ka rënë ndër mend një gjë e tillë.

6. Pasi keni lexuar pjesën, kuptoni që një element shumë i rëndësishëm i saj është rrëfimi. Vini re hyrjen: “Kjo ndodhi një pasdite dimri.” Ky ndërtim sintaksor ngjason me strukturën hyrëse të përrallës. Cila pjesë e fjalisë e përcjell këtë ndjesi: përdorimi i përemrit si kryefjalë; loja me foljen ndodhi, e cila të kujton emrin ndodhi; rrethanori i shprehur me grup emëror një pasdite dimri; të gjitha bashkë.

Argumentoni përgjigjen tuaj.

7. Në fjalinë “Po flitej për qytete të jashtëzakonshme, të zbukuruara nga malli i ndarjes, për qytete me diell apo hënë të çuditshme, me blerime, me liqene dhe ura që ngriheshin natën si fantazma.”, analizoni metaforat, duke shpjeguar shumëkuptimësinë që marrin emrat dhe mbiemrat. Jepni mendimin tuaj se përse janë përdorur në rend të njëpasnjëshëm ato. Krijoni lidhjen me strukturën e hyrjes së rrëfimit.

8. Fjalia “Kur më erdhi radha mua, unë thashë se, sado që t’u dukej e pabesueshme, unë isha nga një qytet vërtet i çuditshëm, ku, po të ishe i pirë dhe të rrëzoheshe në rrugë, në vend që të bije në hendek, mund të bije mbi çatinë e një shtëpie tjetër” përshkruan në mënyrë metaforike arkitekturën e qytetit të Gjirokastrës. Në guidën turistike më lart, identifikoni paragrafin që përshkruan gjithashtu arkitekturën e qytetit. Krahasoni dy fragmentet duke u mbështetur: në ndërtimin sintaksor të fjalive (rendi i gjymtyrëve në funksion të shprehësisë); në fjalorin e përdorur (objektiv, subjektiv); në përdorimet e kohëve dhe mënyrave të foljeve.

9. Rrëfyesi luan me kuptimin e dy fjalëve gënjeshtar dhe fantazist. Analizoni: lidhjen kuptimore mes dy fjalëve; lidhjen e kuptimit me kontekstin. Po ju si do ta emërtonit rrëfimin?

10. Teksti karakterizohet nga ndërthurja e dy ligjëratave: e drejtë dhe e zhdrejtë. Identifikojini ato dhe argumentoni:

a) dialogun e brendshëm që shfaqet në këtë integrim ligjëratash. Rrëfyesi i flet vetes apo lexuesit? Analizoni nëntekstin që sjell pyetja retorike;

b) integrimin e ligjëratave me strukturën hyrëse të rrëfimit.

Ismail Kadare, “Kronikë në gur”
63Gjuhë

Sfida e të shkruarit

11. Lexoni fjalinë-paragraf:

Me vlerësimin që i bënte qytetërimit të ri evropian, si një shkallë më e përparuar e zhvillimit shoqëror në krahasim me qytetërimin osman të lidhur me sistemin feudal, që mbizotëronte në Perandorinë Osmane, Sami Frashëri mbronte një të vërtetë tjetër historike, nga e cila dilte vetvetiu përfundimi se Perandoria Osmane, që ngrihej mbi themelet e sistemit feudal, duhej të shembej dhe mbi gërmadhat e saj duhej të ndërtohej një shoqëri e re në një Shqipëri të pavarur dhe në një Turqi të re.

Argumentoni me shkrim pse është tekst joletrar. Mbani parasysh në këtë argumentim: identifikimin e fjalorit; llojet e fjalive; llojin e marrësit; rendin sintaksor të fjalive, rendin morfologjik dhe atë leksikor.

12. Lexoni tekstin letrar dhe analizojeni me shkrim sipas modelit që trajtuat në mësim.

Mbani parasysh në analizë: ndjesitë që përcjell teksti; lidhjen e ndjesive me sintaksën e fjalisë; lidhjen e ndjesive me format morfologjike të fjalëve; fushat semantike leksikore.

Liqeni

Flas me ty, ti hesht e luan me valë. Ti s’je më syri im as loti i saj. Flas me ty, ti shikon pulëbardhat.

Për Shën-Naumin paske zemër t’gjerë.

Flas me ty, ti kotesh mrekullie. Më vjen të zbres në fund t’fundit, të vdes i gjelbër me alat.

Azem Shkreli
64 Gjuhë

Letërsi LETËRSIA MODERNE SHQIPE

Karakteristikat e shfaqjes së letërsisë moderne

Në letërsinë shqipe, shfaqja e interesimit për mjetet e shprehjes dhe për formën e shkrimit të tekstit letrar është e lidhur ngushtë me periudhën e modernitetit. Kjo periudhë, siç dihet, shoqërohet me problematika të reja, të cilat lindën nga:

eksplorimi i jetës sociale dhe botës së brendshme të individit; hulumtimi i ndjenjave, emocioneve dhe përvojave njerëzore; depërtimi në psikikën e trazuar të njeriut të kohës, brenda të cilit përplasen kultura e trashëguar dhe ajo e kultivuar; përballja e individit me trysninë e botës urbane etj.

Të gjitha këto problematika sugjeronin lëvrimin e temave të reja, të cilat duhet të dilnin nga trajektorja e frymës patriotike e misionare, nga gjuha retorike dhe nga forma e shprehjes që kishte pasur letërsia jonë e Rilindjes. Ndaj, në përpjekjen për krijimin e trajtave dhe strukturave të reja letrare dhe për t’i gjetur forma të tjera shprehjeje kësaj ndjeshmërie të re, lindën modelet e letërsisë moderne shqipe. Emrat e Konicës, Lumo Skëndos, Poradecit, Nolit, Kutelit, Koliqit e Migjenit do të shënjoheshin si krijuesit e këtyre modeleve dhe përfaqësuesit e kësaj letërsie.

Pagëzuesi i termit dhe modelet e kritikës së kohës

I pari që bëri përkufizimin e letërsisë moderne shqipe ishte Eqrem Çabej në shkrimin “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”. Në këtë shkrim, Çabej e përcakton letërsinë moderne si periudhë “në të cilën ideja kombëtare i lë udhën idesë njerëzore”. Fillesat e kësaj letërsie ai i shihte te vepra e Asdrenit, te kërkesa që Asdreni shfaqi në lidhje me përpunimin e gjuhës poetike “me fjalë e mënyra foljeje të ra, delikate e stërmagjike”. Ndërsa te Lasgushi, Çabej do të shihte përfaqësuesin e stilit modern të të shkruarit në poezi. Duke përcaktuar karakteristikat e poezisë së Lasgushit, Çabej do të profilizonte kështu edhe stilin e ri të poezisë moderne. Për Çabejin, thellësia dhe koncentrimi i mendimit, errësimi i frazës poetike janë shenja të dukshme të modernitetit. Pas Çabejt, është Skënder Luarasi ai i cili në punimin “Letërsia moderne në Shqipëri” do të orvatet të trajtojë specifikat e modernitetit në letërsinë shqipe. Po ashtu, edhe te ky punim, Lasgush Poradeci do të shënjohet si pararendës i një letërsie të re. Interesimi për formën, idetë dhe ndjeshmërinë do të evidentoheshin si elemente që japin tendencën moderne të këtij poeti.

Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci, Grac, Austri.
Letërsi 65

Një emër i rëndësishëm që i dha zë kësaj etape të re të letërsisë shqipe është Faik Konica, i cili nëpërmjet krijimeve origjinale (novela, romani, proza poetike etj.) dhe mendimit kritik do të përpunonte forma e teknika të reja të shkruari dhe, po ashtu, një kërkesë e shije të re në të gjykuarin e vlerës së veprave. Në punimin e tij “Kohëtore e letrave shqipe” do të parashtronte konceptin që ai kishte për kritikën, natyrën dhe statusin e saj. Në këtë shkrim, Konica formulon parimin e parë që duhet të ketë letërsia moderne: ndarjen e konceptit të atdhesisë nga ai i letrëtyrës (“ ...për mua, atdhesia dhe letrëtyra janë dy gjëra”, thotë Konica). Kështu, Konica artikulon kërkesën e krijimit letrar si vlerë estetike më vete, pa marrë parasysh qëllimin. Konica mpreh “lapsin”, duke filluar i pari të dëshmojë modelin e kritikut që u duhet letrave shqipe. Në gjykimin kritik të Konicës kaluan emrat dhe veprat e De Radës, Naimit, Asdrenit, Çajupit etj.

Pas Konicës, ai që ndërton një model të ri kritike është Mitrush Kuteli. Në shqyrtimin që i bëri poetikës së Lasgush Poradecit dhe asaj të Fan Nolit, Kuteli e ktheu vëmendjen te rëndësia që kanë elementet formale, specifike në ndërtimin e tekstit poetik. Këto elemente përbëjnë “vleftën e një vepre poetike”, sipas Kutelit. Ndaj ai studion vlerën që kanë fjala, fjalori poetik, rima, ritmi, fonologjia në poezinë e Lasgushit. Sipas Kutelit, rëndësia që i jep Lasgushi fjalës poetike si element i parë poetik, do ta bënte atë të shquhej ndër poetët elitarë të shqipes. Në punimet e tij, Kuteli i largohet shqyrtimit të përmbajtjes, të mesazhit të veprës dhe përqendrohet tek analiza e formës, duke e parë veprën si një organizim të veçantë gjuhësor. Kështu, në punimet e tij për artin e Poradecit e të Nolit, Kuteli do të realizonte praktikisht një nga format e kritikës formaliste të kohës, duke përcaktuar kriteret që e bëjnë një vepër letrare të tillë e duke na dhënë një model mjeshtëror se si mund të këndvështrohet një vepër pa e “deformuar” atë.

Një kontribut tjetër në kritikën letrare jep edhe Krist Maloki, i cili në punimet për Naim Frashërin dhe Lasgush Poradecin (“A është poet Lasgush Poradeci?”) inauguron formatin e kritikës psikanalitike dhe të kërkimit tematologjik në letërsinë shqipe.

Revistat letrare

Përgjithësisht, siç ka ndodhur edhe në letërsinë moderne botërore, një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit kritik dhe të frymës së debatit e polemikës për çështje e fenomene të ndryshme letrare (nga ato të funksionit estetik të artit/letërsisë, te diskutimet e polemikat për çështje të thelluara teoriko-letrare, për çështje që kanë të bëjnë me natyrën dhe format që i duhen kritikës), kanë luajtur edhe gazetat dhe revistat e kohës. Në periodikët letrarë janë botuar krijime origjinale të autorëve të rinj, që sillnin modele e forma të reja moderne letrare në letërsinë shqipe; janë botuar kritika, recensione, analiza dhe studime mbi autorë dhe vepra konkrete. Revistat letrare kanë mundësuar ngritjen e një atmosfere dialogu letrar mes krijuesve, studiuesve dhe lexuesve, duke ndikuar në ngritjen e shijes letrare. Nga këto revista mund të përmenden “Albania” e Konicës, “Diturija” e Mit’hat Frashërit, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, “Hylli i Dritës” i Fishtës, “Shkëndija” e Koliqit, “Fryma” e Myzafer Pipës, “Kritika” e Arshi Pipës etj.

Format dhe zhanret letrare të letërsisë moderne shqipe. Autorët

Siç e dimë, gjatë periudhës së romantizmit (e njohur si periudha e Rilindjes Kombëtare), forma letrare më e lëvruar ishte poezia, në të tria llojet e saj: lirike, epike dhe liriko-epike (apo epiko- lirike). Ndërsa format e tjera – proza dhe drama – qenë më të pakta dhe jo të zhvilluara në nivelin e poezisë. Poezia e lëvruar gjatë Rilindjes karakterizohej nga forma e matur e vargut, gjuha retorike e himnizuese dhe trajta të ngulitura. Në letërsinë moderne, lirika merr një zhvillim edhe më të madh. Në poezinë moderne vjen thyerja e

Letërsi66

modeleve të formës tradicionale të poezisë. Tashmë kërkohen mjete të reja shprehjeje dhe një gjuhë e re poetike për të mishëruar në varg ndjeshmërinë dhe temat e reja me të cilat përballej individi. Po ashtu, kërkohet që edhe vargu të çlirohet nga rregullat metrike klasike, duke i hapur kështu rrugë shkuarjes drejt vargut të lirë. Në këtë periudhë, autorët që sjellin forma, modele e ndjeshmëri të re poetike janë Lasgush Poradeci, Noli, Migjeni e Gaspër Pali.

Por në letërsinë moderne një zhvillim të madh e cilësor shënjoi edhe proza, sidomos tregimi dhe novela. Në fakt, zhvillimit të tregimit i parapriu lëvrimi i një forme të re, si proza poetike, e cila në Europë identifikohej me emrat e Bodlerit (Baudelaire), Rembosë (A. Rimbaud) dhe Uajlldit (O. Wilde), ndërsa në letërsinë shqipe me ata të Faik Konicës dhe Lumo Skëndos. Format moderne të novelës e tregimit do të lëvroheshin nga Koliqi, Migjeni e Kuteli. Këta autorë konsiderohen si themeluesit e prozës së shkurtër moderne shqipe. Nëpërmjet ndërtimeve të veçanta strukturore, formave të reja të modeleve të rrëfimit dhe depërtimeve të thella në psikologjinë e personazheve, këta autorë inauguruan trajtën e shkrimit modern në prozë.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë problematikat nga e morën nxitjen temat e reja në letërsinë moderne?

2. Cili qe pagëzuesi i termit “letërsi moderne”? Ç’karakteristika i njihen kësaj periudhe letrare?

3. Pse Lasgushi përcaktohet si përfaqësuesi tipik i letërsisë moderne? Cilat janë karakteristikat e poezisë së tij që ia japin këtë vend?

4. Çfarë dini për Faik Konicën? Pse konsiderohet si themelues i kritikës në letërsinë shqipe?

5. Cili është mendimi i Konicës për raportin atdhesi-letrëtyrë? Si paraqitet ky raport në letërsinë e Rilindjes? Diskutoni arsyet.

6. Ku dallohet poezia moderne nga ajo tradicionale? Shkruani disa tipare të poezisë tradicionale, të cilat lirika moderne i hodhi poshtë.

Karakteristikat e poezisë tradicionale Karakteristikat e poezisë moderne

7. Cilat janë karakteristikat e prozës moderne shqipe?

Ushtroni mendimin kritik

8. Interesimi për mjetet e shprehjes dhe formën e shkrimit letrar është i lidhur me periudhën e modernitetit. Diskutoni arsyet pse. Mbështetini argumentet, duke iu referuar edhe karakteristikave të modernizmit në letërsinë botërore.

9. Konica i mëshon anës letrare në krijimin artistik, duke ia hequr aspektin misionar letërsisë. A mendoni se është i drejtë ky qëndrim? Diskutoni në klasë dhe jepni gjykimin tuaj, duke u mbështetur edhe në shembuj konkretë.

10. Pse shënimet e Kutelit përfaqësojnë një model të ri kritike? Ku mbështetet kritika e tij? A mendoni se ky model kritike është më efikas për studimin e vlerave dhe risive të një vepre letrare? Argumentoni përgjigjen. Sillni edhe një model kritike e cila mbështetet tek idetë dhe mesazhet e veprës. Bëni krahasimin me modelin e Kutelit.

11. Çfarë dini për Krist Malokin? Po për kritikën psikanalitike? Hulumtoni mbi ta.

67Gjuhë

ILUSTRIM LETRAR

Modelet e kritikës:

Modeli i Faik Konicës dhe Mitrush Kutelit Ç’është kritika letrare? – Kritika është një gjykim, – një gjykim i vlerës së librave. Po në letra si në jetë, munt të thuhet se janë dy mënyra gjykimesh: Gjykimi i shkurt e i prerë, i pa-mpshtetur n’arësyera; edhe gjykimi i gatitur me dëftime e me çpikje, e i sjellë si një rrjedhë e pritur, jo i hedhur si një urdhër mizori. Kur del një njeri e më thotë se akësh libër është “fort i bukur” munt të ketë të drejtë, po nuk jam i shtrënguar t’i zë besë fjalës së tija. Edhe një çaush a një dragat munt të presë me hanxhar gjykime t’atilla. Kritika është një punë tjatër, dhe ca mê e vështirë. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër nuk arrin të këcej a të çfryj: duhet të çfaq përset’ e pëlqimit a të çpëlqimit t’im, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua. Ashtu, kritika bëhet edhe ajo vetë një veprë letrare. Methudha e kritikës letrare. – S’duhet kurrë harruar që kritika letrare është subjektive. Nuk është një shkencë ku çdo e thënë munt të provonet me dy-e-dy-bëjnë-katër. Është vetëm një përshtypje. Kur shkruan një kritikëtar se një vepër është e bukur, duhet kuptuar se ajo vepër i u-duk atij e bukur. Po lipset shtuar se, në qoftë kritikëtari një njeri i ushqyer me letrat e mira, nuk e gjeti veprën si të bukur pa “nonjë” mënyrë arësyeje. Në të tjera fjalë, kritika, sado që nuk është një shkencë, ka një metodë më vete. Kjo metodë është përqasja. Ç’do gjëndrë letrare (genre littéraire), si tragjedia, komedia, pralla etj., ka disa kryevepra të cilat njihen prej njerësve të një kohe – prej njerësve me letra e me shije – për pasqyra. Kritikëtari, i mësuar t’admirojë ato pasqyra të njohura, e përqas me ‘to çdo veprë të re dhe e gjykon pas tyre. Edhe kur nuk i zê ato kryevepra në gojë, kujtimi i tyre peshon mbi kritikë të tija. Nuk them se kryeveprat kanë një vlerë absolute edhe se çdo vepr’ e re qi largohet nga mënyra e tyre duhet dënuar; t’ish ashtu, letrëtyra do të qe një punë e vdekur, si dija e Çinasve, edhe nukë do të lindeshin për ditë shkolla letrare të reja. Desha të thom vetëm se kryeveprat janë pikët e përkrahjes (les points de comparaison) pas të cilave, shpesh edhe pa ditur vetë, kritikëtari gjykon veprat e reja. Këtej kuptohet se sa e vështirë është një kritikë shqipëtare:

Fragmenti i mëposhtëm është shkëputur nga punimi i Konicës “Kohëtore e letrave shqipe”, botuar në revistën “Albania” më 1906. Ky punim është cilësuar nga studiuesit si dokumenti i themelimit të kritikës letrare shqiptare. Në të, Konica u përpoq të krijonte një sistem vlerësimi, duke marrë në konsideratë natyrën dhe funksionin letrar e kulturor që duhet të ketë kritika.

Faik Konica
68 Gjuhë

se kur na mungojnë kryevepra në gjuhë kombëtare, pas ç’pasqyrave do t’i ndihim gjykimit t’onë? (…)

Atëdhesië edhe letrëtyrë. Të huajve munt t’u vijë çudi që të ndiej nevojën të thom ç’kini për të kënduar, po për disa Shqipëtarë, duket se gjërat më të ndara kanë nevojë të çkoqiten. Mbani pra ndë mëntt se, për mua, atëdhesia edhe letrëtyra janë dy gjëra. Një shkronjës munt të ketë edhe atdhesi edhe talent, a munt të mos ket’ as këtë as atë, a munt të ketë njerën pa tjatërën. Nuk duhet pritur prej meje, sepse një vetë qenka atdhetar i mirë, të kasnecojë se, ipso facto, paska edhe vlerë mendore a një pendë të bukur.

“Kohëtore e letrave shqipe”

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Cili është koncepti i Konicës për kritikën letrare? A përputhet ai me konceptin që kemi sot për të?

2. Ç’argumente sjell Konica për të mbështetur mendimin e tij se kritika është subjektive? A keni ju një gjykim tjetër? Nëse po, argumentojeni, duke iu referuar modeleve që keni lexuar.

3. Si përcaktohet metoda e kritikës që sugjeron Konica? Përpiquni ta riformuloni atë, duke ruajtur fjalët kyç: përqasje; kryevepër; vepër e re; gjykim.

4. Pse Konica e ndien të nevojshme të flasë për dallimin në mes atdhesisë dhe letrëtyrës? Si qëndronte marrëdhënia e këtyre dy elementeve në letërsinë e Rilindjes?

5. Pse Konica e gjykon të vështirë mundësinë e ekzistencës së një kritike shqiptare në kohën e tij? Me çfarë lidhej kjo vështirësi?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Konica e ndërton mendimin e tij për kritikën në formë eseje. Duke parë organizimin e fjalive dhe natyrën e tyre, diskutoni se çfarë lloj eseje është teksti i mësipërm.

7. Në çfarë dialekti është shkruar eseja? Nënvizoni disa ndërtime fjalësh, të cilat janë karakteristike të dialektit të cilit i përket teksti.

8. Cilat elemente të ndërtimit i japin kësaj eseje edhe vlera estetike? Evidentojini ato në tekst.

9. Siç vihet re, fjalitë në këtë ese janë përgjithësisht të shkurtra. Diskutoni arsyet e përzgjedhjes së këtij “tipi fjalie” nga Konica.

10. Lexoni fjalinë e mëposhtme dhe analizoni mënyrën se si Konica i realizon kuptimet e kundërta të fjalëve. “Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër nuk arrin të këcej a të çfryj: duhet të çfaq përset’ e pëlqimit a të çpëlqimit t’im, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua.”

Letërsi 69

Nga teksti, te shumëkuptimësia e fjalës

11. Gjeni figurat stilistike të përdorura në këtë ese dhe thoni funksionin që kryejnë ato.

12. Konica tërheq vëmendjen se, sipas tij, kritika duhet të jetë subjektive. Çfarë kuptimi merr për ju fjala “subjektive”, kur flitet për gjykimin e veprave letrare? A mund të na çojë gjykimi subjektiv në një vlerësim të drejtë të vlerës letrare të veprës?

13. “Se kur na mungojnë kryevepra në gjuhë kombëtare, pas ç’pasqyrave do t’i ndihim gjykimit t’onë?” Në pohimin e mësipërm, Konica përdor fjalën “pasqyrave”. Çfarë shënjon ajo? Në ç’kuptim e përdor ai këtë: të drejtpërdrejtë apo figurativ? Me cilën fjalë mund ta zëvendësonit sot këtë fjalë?

14. Në letërsinë shqipe, për një periudhë të gjatë, veprimtaria atdhetare dhe letrare janë parë dhe vlerësuar në funksion të njëra-tjetrës. Po për Konicën, ç’kuptim ka binomi: atëdhesië edhe letrëtyrë?

15. Analizoni kuptimin që merr shprehja figurative: “Edhe një çaush a një dragat munt të presë me hanxhar gjykime t’atilla.”. Çfarë figurash përdor Konica në këtë fjali?

Nga teksti, te reflektimi

16. Për Konicën ka dy lloj gjykimesh: “gjykimi i shkurt e i prerë, i pa-mpshtetur n’arësyera; edhe gjykimi i gatitur me dëftime e me çpikje, e i sjellë si një rrjedhë e pritur, jo i hedhur si një urdhër mizori.”. Si mendoni ju, a qëndron edhe sot kjo ndarje? Argumentoni përgjigjen, duke sjellë në vëmendje tezat e sotme për kritikën letrare.

17. Në fund të paragrafit të parë, Konica hedh idenë se “kritika bëhet edhe ajo vetë një veprë letrare”. A ju duket se me këtë tezë Konica përafrohet me konceptin modern të kritikës si metaletërsi? Diskutojeni në klasë, duke kërkuar edhe ndihmën e mësuesit/es.

18. Ndonëse Konica pohon se kritika nuk është një shkencë ku dy e dy bëjnë katër, por është subjektive, është përshtypje, ai pranon se gjithsesi ka një metodë më vete, që është përqasja, krahasimi me kryeveprat e zhanreve të caktuara. A mendoni se është koherent mendimi i Konicës? Po në lidhje me metodën, a mendoni se duhet të ketë një metodë të vetën kritika? Argumentoni mendimin tuaj.

19. Si e gjykoni ju konkluzionin në të cilin del Konica: “Këtej kuptohet se sa e vështirë është një kritikë shqipëtare: se kur na mungojnë kryevepra në gjuhë kombëtare, pas ç’pasqyrave do t’i ndihim gjykimit t’onë.”. Për çfarë etape të zhvillimit të letërsisë sonë bëhet fjalë?

20. Për Konicën, “atdhesia dhe letrëtyra janë dy gjëra”. A ju duket bindës argumenti që parashtron për të përligjur mendimin se këto dy koncepte duhet të shihen të shkëputur nga njëri-tjetri? Hapni një diskutim në klasë në lidhje me marrëdhënien e këtyre dy koncepteve në letërsinë shqipe.

Nga teksti, te të shkruarit

21. Shkruani edhe ju një ese që ka si objekt kritikën letrare.

Letërsi70

ILUSTRIM LETRAR

Vështrime kritike mbi veprën e Lasgush Poradecit

Ky fragment është shkëputur nga studimi i gjatë me titull “Poeti Lasgush Poradeci – vështrim kritik”, botuar në Bukuresht, më 1937. Punimi u botua si libër më vete, duke u bërë kështu libri i parë në historinë e kritikës sonë letrare. Sipas studiuesit Sabri Hamiti, ky punim (si edhe ai që bëri për poezinë e F. S. Nolit) është shembulli më i mirë i “kritikës së brendshme të letërsisë, në të cilën kërkohet para së gjithash stili dhe poetika e autorit. Këto dy studime të Kutelit, në shumë pika, kanë mbetur të pakalueshme edhe sot.”.

Forma. – Në herarkinë e elementeve që përbëjnë vleftën e një vepre poetike, forma ose trajta zë vendin e parë. Kuptimi ose përmbajtja nuk vinë përveçse në radhën e dytë. Kjo gjë shpjegohet e kuptohet lehtë. Sepse, sa e sa mundin të kenë mendime të nalta e mbase hyjnore, sa e sa mundin të kenë ndjenja të thella e të këthjellta, sa e sa mundin të ndjejnë e të shijojnë shpirtërisht bukuritë e jetës dhe të natyrës –gazin e ditës, magjinë e mbrëmjes ose misterin e natës, – sa e sa mundin të përmbushin vepra të nalta, po të gjithë këta dyke mos patur mundësinë e brendëshme t’i shprehin këto ndjenja e mendime të veshura me veshjen e poezisë, pra të formës, nuk janë vjershëtorë. Janë e mbeten – ndofta – mendimtarë, shkencëtarë, shkrimtarë, e mbase heroj, po jo vjershëtorë. Kjo është arësyja për të cilën në vëzhgimin e veprës poetike të Lasgushit, ne fillojmë me formën, dyke përmbledhur në këtë fjalë fjalorin, përfytyrimet, rimën, ritmin, fonologjinë e stilin përgjithërisht. Fillojmë me fjalorin.

Fjalët janë mjetet nërmjetësonjëse për të përshkruar realitetin e për të shprehur ndjenjat e mendimet, janë gurët me të cilët ngrihet a naltësohet ndërtesa e poezisë. Populli e ka shprehur këtë afrim të gurëve e të fjalëve me vargjet: Gurë gur bëhet kalaja, -- Fjalë bëhen bejtet ku pasqyrohet fryma e tij analitike e rrallë dhe mundësitë e tij metaforike. Sa për stilin, ky nuk është përveç se mënyra e radhosjes të fjalëve në vargje. Sgjedhja e fjalëve, kalitja dhe radhitja e tyre sërësërë varg e-varg pasqyrojnë shkallën e ndjesisë artistike të një shkrimtari. Këtë ndjenjë Lasgush Poradeci e ka të zhvilluar në një shkallë të naltë, ku nuk ka gjetur të tjera gjyrma përveç gjyrmave anonime të këngëtorëve popullorë që janë gjyrmat në histori të kolektivitetit shqiptar. Inspiratën poetike e cila sbret si një shkëndijë prej së

Shtatorja e Mitrush Kutelit, Pogradec
Letërsi 71

nalti, nga bota transcedentale, Lasgushi e konsideron piksèpari si një frymëzonjës të fjalës:

Sbret një yll prej lartësije, Një të ndritur shkrepëtim

Posi flakë e posi hije Ajo ryn në zemër t’ime.

E kuptoj me shpirt të sosur Si kullon dale-nga-dale,

E si fjalës së palosur

Mi hap kindën e një pale...

Naimin e quan Lasgushi Fjalëtor i mallëngjyer dhe gjuhën vetë e quan Verb’i Perëndisë - si pas vargut të Ungjillit të Shën Joanit “Që përpara herëse ishte Fjala”- dyke nënëvijuar kësilloj vendin që ze fjala si element i parë poetik. Përmjet fjalorit, Lasgushi shquhet haptazi nga gjithë poetët e tjerë të shqipes. Lasgushi ka një fjalor të tij, një fjalor të cilit dalëngadalë do stërvitemi t’i themi lasgushian. Elementet kryesore, tipike, të këtij glosari janë fjalët e lashta e të rralla të pa përdorura përpara tij në letraturën e kultivuar, fjalët e thurrura dy e tri bashkë sipas shpirtit të gjuhës shqipe dhe fjalët e reja të nxjerra nga fjalët e vjetra pas harmonisë së shqipes. Përmjet kësaj trinije e përmjet mënyrës ose stilit të përdorimit të fjalëve në vargje, Lasgushi ka përtëritur shqipen dyke i dhënë ngjyra të reja, ndriçim të ri e gjallëri të re. Radhosim këtu më poshtë disa fjalë të lashta e të rralla të këputura nga vepra e Lasgush Poradecit. Disa lule: zëmbak, trendelinë, junap, jargavan, borsilog.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Pse Kuteli e konsideron formën si elementin e rëndësishëm në ndërtimin e një teksti letrar?

2. Pse vetëm mendimet dhe idetë nuk e bëjnë dot poezinë? Cilat elemente teknike i nevojiten një teksti që të konsiderohet poezi?

3. Cilat elemente të poezisë së Poradecit merr në studim Kuteli?

4. Si e kuptoni shprehjen e Kutelit se “Fjalët janë gurët me të cilët ngrihet a naltësohet ndërtesa e poezisë”? Ilustroni përgjigjen me vargje nga poezia e Poradecit ose ndonjë poeti tjetër.

5. Cili element, sipas Kutelit, e shquan Lasgushin nga poetët e tjerë të shqipes?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Analizoni ndërtimin e fjalive në këtë punim të Kutelit. Krahasojini ato me ndërtimin e fjalive te punimi i mësipërm i Konicës. Flisni për ndryshimet.

7. Edhe ky punim është i shkruar në dialekt. Përcaktoni dialektin dhe nënvizoni fjalë, shprehje apo forma ndërtimesh që janë karakteristike të atij dialekti.

Lasgush Poradeci
Letërsi72

8. Sipas Kutelit, glosari (fjalori) i Lasgushit përbëhet nga: a) b) c)

9. Për të parashtruar argumentet e tij, se forma apo trajta kanë rëndësi të dorës së parë në vlerën e një vepre poetike, Kuteli i ndërton fjalitë sipas një rendi anaforik: “sa e sa mundin”; “sa e sa mundin”; “sa e sa mundin”... Si mendoni, pse e përdor këtë formë? A është ky ndërtim një mënyrë për të tërhequr vëmendjen tek argumentet që sillen?

10. Teksti karakterizohet nga një ligjërim i ngritur. Evidentoni në tekst tiparet që paraqet ky lloj ligjërimi.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në këtë shkrim kritik ka herë pas here fjalë me ngjyrime poetike. Evidentojini ato dhe shpjegoni funksionin e tyre.

12. Gjeni figurat stilistike që përdoren te poezia e Lasgushit.

13. Ç’kuptim ka për ju shprehja “fjalës së palosur”?

14. Në vlerësimin që Lasgushi i bën Naim Frashërit, ai përdor përcaktimin “Fjalëtor i mallëngjyer”. Ç’kuptim mbart për ju ky përcaktim dhe me çfarë figure është realizuar?

15. Në këtë paragraf është përdorur fjala ndjenjë, ndjesi: “Sgjedhja e fjalëve, kalitja dhe radhitja e tyre sërë-sërë varg e-varg pasqyrojnë shkallën e ndjesisë artistike të një shkrimtari. Këtë ndjenjë Lasgush Poradeci e ka të zhvilluar në një shkallë të naltë”. Çfarë kuptimi mbart ajo, po të kemi parasysh tekstet poetike të Lasgush Poradecit?

Nga teksti, te reflektimi

16. Çfarë dini ju për poezinë e Lasgush Poradecit? A ju përkojnë ato që dini dhe keni mësuar për vlerat e poezisë së këtij autori, me ato që sjell Kuteli në kritikën e tij?

17. Si e kuptoni krahasimin që bën Kuteli mes fjalëve si “gurët” me të cilët ndërtohet poezia dhe shprehjes popullore “gurë, gurë bëhet kalaja”. A mendoni se qëndron kjo qasje? Argumentojeni mendimin tuaj.

18. Duke dashur të tregojë se ideja, mendimi sado të rëndësishme të jenë, nëse nuk janë ngritur me një gjuhë poetike dhe nuk janë organizuar sipas parimeve poetike, nuk e ndërtojnë poezinë, Kuteli ka përcaktuar në mënyrë të hapur kriteret e vlerësimit të poezisë. Lexojeni të plotë paragrafin dhe jepni argumentet tuaja nëse e gjykoni të drejtë mendimin e Kutelit.

19. Kur ndalet te fjalori poetik i Lasgushit, Kuteli pohon: “Përmjet fjalorit, Lasgushi shquhet haptazi nga gjithë poetët e tjerë të shqipes”. Mendoni edhe ju se ky element i krijimtarisë së Lasgushit e dallon poezinë e tij nga të tjerët?

20. Pasi të keni lexuar të plotë kritikën e Kutelit për Poradecin, përpiquni të gjeni dhe të lexoni edhe punimin e Krist Malokit, “A është poet Lasgush Poradeci”. Diskutoni mbi ç’kritere e ndërtojnë kritikën Kuteli dhe Maloki. A mendoni se instrumentet e gjykimit që përdor Krist Maloki janë letrare?

Nga teksti, te të shkruarit

21. Shkruani një ese refleksive me titull “Në fillim ishte fjala”.

Letërsi 73

Gjuhë FORMAT E LIGJËRIMIT LETRAR DHE JOLETRAR

Standardi dhe gjuha e letërsisë

Shqipja standarde, e zhveshur nga ngjyrimet dialektore dhe krahinore, shfaqet në shumicën e dokumenteve shtetërore dhe akademike, për të siguruar se do të kuptohet sa më qartë nga përdoruesi, pavarësisht vendit ku jetojnë. Në ditët tona, shqipja standarde përdoret vazhdimisht edhe në letërsinë artistike. Sidoqoftë, shumë mjete gjuhësore që dalin nga kornizat e standardit janë të pashmangshme për t’u përdorur nga autorët, të cilët duan që, përmes shkrimit dhe stilit të tyre të dallueshëm, të përcjellin sa më mirë mendimet dhe emocionet e tyre, ashtu siç ata i përjetojnë. Në varësi të autorit dhe temës së veprës, gërshetuar me gjuhën standarde, gjejmë fjalë arkaike (të vjetra), krahinorizma, huazime, trajta ndërtimi në kundërshtim me normën e deri në gabime të qëllimshme gramatikore. Ajo që i përligj gjithë këto “shmangie” është motivimi artistik dhe natyra e autorit, e cila vendoset edhe më tepër në dukje përmes këtyre pjesëzave personale, në një shkrim kryesisht standard dhe kjo shkon shumë përtej origjinës krahinore të tij.

Gjuhën, njerëzit e përdorin për të dhënë një përmbajtje, me një qëllim, për një auditor, me një rast dhe një kohë të caktuar, duke shprehur një qëndrim. Është e rëndësishme që gjuha t`i përshtatet përmbajtjes dhe rastit që e ka kërkuar. Për këtë arsye kemi dy tipologji shkrimesh: shkrimi letrar dhe shkrimi joletrar, të cilët dallojnë mes tyre nga disa karakteristika:

1. Shkrimi letrar ka funksion estetik, ndërsa shkrimi joletrar ka funksion shkencor dhe praktik.

Cilësia kryesore e gjuhës së letërsisë është bukuria e shprehjes. Ky është një lloj i veçantë ligjërimi, që ka si tipar kryesor funksionin estetik, domethënë jo vetëm thuhet diçka, por edhe ngjall një ndjenjë estetike, ndërsa në shkrimin joletrar, ka shumë rëndësi saktësia e asaj që kumtohet, si dhe aftësia për t`u përdorur në praktikë.

a. Shkrim letrar:

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue që me këng të trimnoj, me fjalën tënde të ndrydhun të ngrej fuqitë prej gjumit…

Këndova (dhe kur m’ishte ndalue) se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun (Esad Mekuli)

Ky shkrim ngjall ndjenjën e së bukurës dhe të krenarisë për popullin të cilit i përket poeti. Ndërsa kritika letrare mbi poetin Esad Mekuli ka funksione njohëse dhe vlerësuese: Libri “Për ty” i Esad Mekulit, që doli më 1955 në Prishtinë, u pa menjëherë një ngjarje letrare, madje kulturore. Qe libri i parë poetik i një autori vendës, i autorit që tashmë ishte bërë autoritet, si krijues e veprimtar kulturor; edhe më tepër, u bë libër kult për brezin e mëpastajmë; dhe më e rëndësishmja, mbeti libri themelor i autorit, sado që ky botoi libra të tjerë gjatë katër decenieve të tjera (S. Hamiti)

Esad Mekuli
74 Gjuhë

2. Shkrimi letrar përmban ndenja, emocione, ndërsa shkrimi joletrar është i pasur me fakte objektive dhe data.

Autorët e shkrimeve letrare punojnë me të gjitha anët e gjuhës, që nga tingujt e deri te ligjërimet, për t`u përçuar lexuesve ndjesitë e tyre. Ndërsa në shkrimet joletrare të dhënat, faktet, argumentet përdoren për të argumentuar, saktësuar, faktuar pohimet e tekstit.

- Do vijë se më pëlqen. Ai është njeri i vërtetë. E ka kuptuar se këtë jetë nuk e bëra ngaqë më pëlqente, po më zvarritën. Ai e di se edhe unë e dua, do të vwijë se kur është pranë meje ëndërron, çlodhet, bëhet trim kundër atyre që tallen dhe shkulin lulet e dashurisë. Do të vijë patjetër. Kështu ma thotë zemra. E në ardhtë ç’do t’i them? Nuk do t’i them asgjë. Vetëm të jetë pranë meje. Është nata e fundit... ah sikur të kishte të tillë roje dashuria!... (“Qyteti i fundit”, P. Marko)

Teksti i mësipërm përcjell ndjesitë e pasigurisë (fjalia e shkurtër), luftës së brendshme të personazhit (fjali e gjatë e tone bindëse, retiçenca, pyetje retorike etj).

Para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me Shqipërinë.

Qëndroi tri vjet në burg. Mirëpo, ai u burgos përsëri në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990. Nga burgu u lirua vetëm pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1990.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Europian me çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 19981999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet të Francës për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

(“insajderi.com”)

Të dhënat faktike (gjyqi, burgu, çmimet) e mbështesin argumentin e tekstit mbi vlerën e padiskutueshme të atdhetarit Adem Demaçi.

3. Shkrimi letrar është i shkruar me gjuhë të pasur me figuracion dhe elemente stilistike, me shprehësi subjektive, ndërsa shkrimi joletrar vjen me leksik të qartë dhe të kuptueshëm, me shprehësi objektive (ka raste që shfaqet edhe një gjuhë figurative).

Shkrimtarët janë hulumtues të pasurisë gjuhësore të shqipes, të mundësive të saj shprehëse. Ata e përdorin gjuhën shqipe, e përpunojnë atë dhe e përsosin nëpërmjet organizimeve origjinale. Fjalët e fjalitë në shkrimin letrar kanë kuptimin e tyre të parë, që vijnë nga visari kulturor i shqipes, por kanë edhe kuptime të dyta, kuptimet artistike, pra subjektive. Ndërsa gjuha e tekstit joletrar, në të shumtën e rasteve, është e drejtpërdrejtë. Ajo shfrytëzon tërë pasurinë e kuptimeve dhe formave të të shprehurit të shqipes, për të saktësuar, qartësuar dhe përçuar informacionin. Për këtë, ajo përdor fakte, argumente, por me një stil objektiv dhe praktik.

Posi... U ba Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin: Rrnoftë Shqipnija! Ti i mençëm, përgjigje tue bërtit në kupë të qiellës: Rrnoftë, po! e shpejt me porosit flamujt. Na shkyeju: rrnoftë! e ti shit, ban pare tue tregtue mbi ndiesit t’ona. Lojë e bukur, por s’të ka dale...

(“Tregtar flamujsh”, E. Koliqi)
Petro Marko
75Gjuhë

Metonimia (të marrët, të mençurit), ironia, kontrasti janë mjete shprehëse që e mbushin me bukuri diskursin e personazhit kryesor. Ti si lexues shijon inatin dhe mllefin e tij. Njëkohësisht si lexues arrin në disa interpretime të gjuhës së përdorur. Ajo që sot njohim si letërsia e vjetër në gjuhën shqipe i përket historikisht periudhës së Mesjetës, ku sistemi shoqëror ishte ai feudal dhe ideologjia sunduese ishte ajo fetare. Në mënyrë konvencionale ajo fillon me shkrimin e parë shqip (1462) dhe përfundon më 1870 me fillimin e Lëvizjes për Rilindjen Kombëtare. Përmbajtja e kësaj letërsie është kryesisht fetare, por nga ajo periudhë kemi edhe vepra shkencore dhe didaktike, si: Fjalori latinisht-shqip i F. Bardhit, Gramatika e Andrea Bogdanit, poezitë e Budit, krijimet e rrymës së bejtexhinjve etj. Shkrimi më i vjetër shqip, që njohim deri më sot, i përket vitit 1462 dhe libri i shkruar në gjuhën shqipe, me sa dimë deri tani, është Meshari i Gjon Buzukut, botuar më 1555. Ky është libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, por jo libri i parë i letërsisë shqiptare. Letërsi shqiptare të shkruar në gjuhë të tjera ka pasur edhe më parë. Vepra më e rëndësishme e këtij lloji është Historia e Skënderbeut e Marin Barletit botuar rreth viteve 1508-1510.

(Teste për Maturën shtetërore, “Pegi”, 2013)

Në këtë tekst joletrar, vërejmë se gjuha nuk ka shprehësi figurative. Fjalët përdoren në kuptimin e tyre të parë, pa lënë vend për interpretime të dyta e të treta. Madje fjalët janë përzgjedhur sa më afër kuptimit që i lidh me synimin e tekstit.

4. Shkrimi letrar mund të jetë në gjuhën standarde ose dialektore, sipas zgjedhjeve që bën autori, ndërsa shkrimi joletrar zakonisht shkruhet në gjuhë standarde (por ka edhe raste kur vjen në dialekt).

Duke përvetësuar sa më mirë normën letrare për trajtat e fjalëve, për ndërtimin dhe drejtshkrimin e tyre, ne si përdorues të gjuhës do të arrijmë të ndiejmë më mirë shijen e varianteve krahinore, historike, stilistike, vetjake dhe efekteve të tyre. Në këtë kuptim, nga kjo njohje e plotë, arrijmë të shijojmë e përdorim më mirë e bukur edhe dialektet.

M’ke lypë motrën para se mejdanin, m’ke lypë berret para se çobanin e jam dredhë n’ket log për me t’kallxue, se ne t’parët nji kanu na kanë lanë:

“Armët me dhanë përpara e mandej gjanë, kurr balozit motrën mos m’ja dhanë, për pa u pre n’at fushën e mejdanit!

Por shtërngou, baloz, se t’ka ardhë dita, se ktu i thonë-o Gjergj Elez Ali!

(“Kënga e Gjergj Elez Alisë”, folklor)

Përdorimi i gjithë mjeteve shprehëse dialektore ka ardhur bashkë me terrenin fizik ku ka lindur kjo këngë. Në të janë të gjalla mjetet shprehëse të dialektit gegë, të cilat populli i ka shfrytëzuar për t’i dhënë ngjyrat krahinore heroit dhe vetë ngjarjes.

“‘Krokodilët e detit të luftës u sulën shumë herë kundër mureve, por fati...’. Kjo ishte një frazë e vështirë për ta mbaruar dhe atij i dhembte kryet. Ai mund të shkruante: ‘por fati nuk u buzëqeshi atyre’; por fjala

Gjergj Elez Alia pikturë nga Gazmend Leka
76 Gjuhë

‘buzëqeshi’ iu duk e pështirë. Për ç’buzëqeshje mund të bëhej fjalë në këtë fundgusht të zi? E la pendën dhe vështroi i menduar fletët e kronikës, të mbushura me shkrimin e tij të kërrusur si nga pleqëria”.

(“Kështjella”, I. Kadare)

Sikurse shihet, standardi i përdorur nga autori nuk e pengon tekstin të jetë po aq i pasur në tërësinë e ndjesive, imazheve dhe emocioneve që përcjell, sa edhe ai në dialekt.

Ndërsa shkrimi joletrar përdor zakonisht standardin, duke qenë se audienca e gjerë dhe synimi i tij kërkojnë unifikim shprehësie dhe mundësi perceptimi të sakta.

Tashmë, teksa ndryshimet në klimë po çojnë drejt rritjes së temperaturave globale, po krijohen ajsbergë të rinj. Antarktida krijon shumë më tepër se Groenlanda. Ajsbergët e Antarktidës janë shumë më të mëdhenj, ndonjëherë duke arritur përmasat e shteteve të vogla. Të dhënat e fundit tregojnë se në Antarktidën Perëndimore, që nga viti 1940, temperatura është rritur me -15,2 gradë Celsius, duke e bërë këtë zonë, së bashku me veriperëndimin e Afrikës Veriore dhe të Siberisë, një ndër rajonet që po ngrohen më shpejt në Tokë. Si rezultat i gjithë këtij procesi, kanë lindur me mijëra ajsbergë. (Tekst mësimor)

Po kjo nuk do të thotë që edhe në dialekt nuk vijnë tekstet joletrare: Kushdo që asht arratisë prej Shqipnisë enveriste e ka ba aktin heroik, dhe sot ne na duhet me kuptue se pika e kalimit kah ish-Jugosllavia ka pasë “o qafën, o nafakën”. Pra, o me dekë o me mbijetue. Që nji pjesë e emigracionit me pasë nji rol antikomunist, antisistem (ndaj diktaturës komuniste shqiptare) asht njilloj sikur nji aleancë emigrantësh shqiptarë sot me u ba kundër qeverisë aktuale në Shqipni. E madje me u financue edhe prej lobeve, organizatave të hueja.

5. Në shkrimet letrare nuk është e rëndësishme ruajtja e kronologjisë, ndërsa në shkrimet joletrare zakonisht ruhet rendi kronologjik.

Tekstet letrare mund ta zhvillojnë përmbajtjen e tyre në mënyrë lineare, d.m.th. duke respektuar rendin kohor apo rendin e ngjarjeve, me pak fjalë hap pas hapi; por mund edhe të mos e respektojnë këtë vijueshmëri, por të kthehen pas në të shkuarën, të shkojnë në një të ardhme imagjinare, apo edhe t’i ndërthurin rendet kronologjike. Kjo shmangie bëhet vetëm për arsye shprehësie. E rëndësishme është të ruhet koherenca e tekstit. P.sh., mund të përmendim poemën heroike "Odiseja" të Homerit, ngjarjet

Kështjella e Krujës
77Gjuhë

e së cilës nisin pasi kanë përfunduar aventurat e Odisesë, në kohën kur ai ka arritur në ishullin e Nausikës së bukur. Për të bindur pleqësinë e ishullit se ai vërtet është Odiseja, heroi i Trojës dhe mbreti i Itakës, detyrohet të kthehet pas në kohë, për të treguar gjithë udhëtimin e tij 10-vjeçar drejt Itakës. Në rrëfim e tij, Homeri kthehet pas në kohë, por ruan vijueshmërinë logjike të ngjarjeve, pra ruan koherencën. Kjo ruajtje koherence vlen për të gjitha tekstet, pra edhe për atë joletrar, i cili zakonisht e ruan edhe rendin kronologjik.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Nga dallohet shkrimi letrar nga ai joletrar në aspektin e: funksionit; gjuhës së përdorur; llojit të përshkrimit; rendit kronologjik të përshkrimit.

2. E vërtetë (V) apo e gabuar (G)?

Shkrimi joletrar ka funksion estetik dhe përmban ndjenja dhe emocione të përshkruara me gjuhë stilistike. Në shkrimin letrar nuk ka shumë rëndësi ruajtja e kronologjisë.

Autorët e veprave letrare mund të devijojnë nga gjuha standarde shqipe për t’i pasuruar tekstet e tyre me elemente personale dhe krahinore që u japin atyre më shumë kuptim. Shkrimi joletrar zakonisht është në gjuhë dialektore dhe përshkrimi është subjektiv.

3. Cilin lloj ligjërimi [letrar (L) apo joletrar (J)] do të përdornit për të shkruar: një mesazh me postë elektronike për mësuesin tuaj; një punë kërkimore; një ese me temë të lirë; një fletëpalosje për ngrohjen globale; një fletë në ditarin tuaj; një përshkrim për kafshën tuaj shtëpiake.

4. Cilat janë përparësitë dhe mangësitë e shkrimit të veprave letrare në gjuhë standarde?

5. Cilat janë disa nga elementet e shkrimit të teksteve letrare që dalin jashtë standardit gjuhësor? Cilat janë përparësitë apo mangësitë e tyre?

6. Çfarë mendoni se do të ndodhte nëse tekstet shkollore apo zyrtare do të shkruheshin në dialekt dhe jo në gjuhë standarde? Diskutoni në klasë.

Herbert Xhejms Drejpër, Uliksi dhe sirenat
78 Gjuhë

Ushtrohuni përmes tekstit

7. Merrni një artikull gazete. Shqyrtoni të dhënat e shkrimit joletrar. Renditini ato në fletore, duke i faktuar edhe me shembuj nga teksti që keni zgjedhur.

8. Merrni një tekst të lëndës së biologjisë. Ndaluni te njëri nga mësimet dhe vëreni nëntemat brenda temës së dhënë. A është ruajtur kronologjia?

Shk ruani arsyet se pse duhet të ruhet kronologjia në këtë lloj teksti.

9. Lexoni fragmentin e mëposhtëm:

Në agullimë, sapo regëtinte drita e përthyer, kriste valtheve kënga e ferrakut të dehur nga vesa e freskia, nga era e plisit, e gjethit dhe e luleve, nga tërë ndryshmëria që kish sjellë ringjallja e dheut, kthimi i jetës. Kohë pas kohe, kur hapeshin mirë e mirë fletët e portave të dritës dhe pushonte mbreti i zogjve këngëtarë, hynin në valle lyshtra të shumta shpendësh pendëmurrmë, pendëhirtë e pendëshkruar, që ia thoshin sikush në gjuhë të vet. Këngët e tyre të hovshme bashkoheshin, zienin, lartoheshin, uleshin, shuheshin pothuaj fare, pastaj lartoheshin përsëri. Të gjithëve u përgjigjej nga kupa e qelqtë e qiellit të kulluar lauresha e padukshme me ca kumbime kambanëzash të arta, varur në fije drite.

A mund të shndërrohen në pikturë këto radhë?

Evidentoni tri figura dhe tregoni se në cilin objekt do ta shndërronit figurën, duke e argumentuar me shprehësinë e fjalëve.

10. Lexoni tekstin e mëposhtëm. Shkruani në fletore mënyrën gjuhësore me të cilën është arritur emocionaliteti në të.

Malka më shumë bisedonte me kalin, sesa me njerëzit dhe më shumë kujdesej për të, sesa për pesë kalamajtë dhe të shoqen. Kur errej krejt, e fuste në ahur, i hidhte në kurriz një rrobë për t’i pirë djersën dhe, duke ia mbushur grazhdin me bar, i thoshte: – U lodhe shumë sot, Kiçooo! Po mos kujto se unë nuk u lodha. Sigurisht, o bukurosh, ti je lodhur më shumë. Prandaj ha, të bëftë mirë! Por, po nuk punuam, me se do t’i ushqejmë ata pesë kalamaj dhe atë të shkretë grua? Tani ngopu, o xhan i Malkës, këputi dhe një gjumë në këmbë, si bën raca jote e bekuar, kurse mua këtu më ke. Po të ishte dimër, ai flinte atje, në grazhd, mbi bar, mbuluar me një jorgan të vjetër e të leckosur. Në verë flinte përjashta. Rrallë i kalonte netët në kasolle, me gruan dhe fëmijët. Më keq se aq, zor se rronte njeriu.

11. Përballë frazës “Dje kam studiuar tërë ditën kodin”, një marrës që nuk e njeh kontekstin, do të ndihej i çorientuar. Çfarë tregon fjala "kod"? kodin penal; kodin rrugor; kodin e Da Vinçit;

(“Buka”,
F. Gjata)
79Gjuhë

kodin sekret të komunikimit; kodin ushtarak; kodin kalorësiak.

Ndërtoni një fjali për secilën nga alternativat. Përdorni të dyja llojet e shkrimeve.

12. Lexoni me zë të dyja fragmentet: njëri i përket teksti letrar, ndërsa tjetri, tekstit joletrar.

Mjekja Rushen Golemi njihet si e para kirurge grua në Shqipëri.

E lindur në Durrës më 16 korrik 1935, Rusheni është vajza e Mahmut Golemit, i njohur si prefekt në shumë qytete të Shqipërisë, por edhe si Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë.

Për Rushenin është realizuar edhe një dokumentar në vitet ‘70-‘80, si kirurgia e parë grua në Shqipëri, ndërsa ka qenë dalluar për aktivitete sportive, sidomos në volejboll dhe atletikë.

Rushen Golemi do të ishte ndër të parat studente të degës së mjekësisë.

“Nga Durrësi shkuam vetëm dy gjimnazistë. I gjithë fakulteti kishte vetëm 48 studentë, nga të cilët vetëm 8 vajza. Në fund përfunduam shkollën 61, sepse disa studentë u kthyen nga jashtë dhe na u bashkuan rrugës. Pedagogët i kishim thuajse të gjithë nga Rusia, ndërsa shqiptarët ishin asistentë të tyre”,- rrëfente ajo vite më parë në një intervistë për një të përditshme.

Ajo iu përkushtua profesionit të mjekes kirurge dhe operacionin e parë e ka kryer në vitin e katërt të fakultetit. Në vitet ’90, ajo u angazhua në politikë, pa harruar në asnjë moment dedikimin e saj në shpëtimin e jetës. Rushen Golemi ishte nëna e tri fëmijëve, e dy binjakeve Inis dhe Iris, si dhe e djalit Konstandin, ndërsa ka 7 nipër e mbesa. U nda nga jeta më 27 shkurt 2018.

(“Kush ishte Rushen Golemi, e para mjeke kirurge në Shqipëri”, Publikuar më: 27.02.2018, Portali Durrës Lajm)

Të dielave, kur ajo merrej me lulet, mua më dukej sikur operonte. Duke i rregulluar nëpër vazo, na shpjegonte se si lulet merrnin frymë, se si rriteshin e kërkonin shërbim ashtu si dhe njerëzit. Se si donin dashuri! Se donin lule të tjera pranë. Dukej sikur duart e saj, ishin krijuar për to. “Janë si ne njerëzit”, thoshte dhe shpesh mbillte lule të ndryshme në të njëjtën vazo. Ishte krijuese edhe pse mbase këtë gjë nuk ia njihte vetes. Me gërshërë e me doreza veshur duarve, i mungonte veç maska e sallës së operacionit e na mësonte edhe ne të bënim të njëjtën gjë. E bënte aq seriozisht gjithçka dhe pasi përfundonte punën, nisnim të pastronim vendin dhe më pas kontrollonte me kujdes punën tonë. Ishte një siklet më vetë ai kontroll pasi ishte tepër, po tepër kërkuese. Shpesh na thoshte “jo, s’është bërë siç duhet, bëje përsëri,” duke më bërë ta urreja atë moment. E kam urryer për vite atë lloj kërkese aq strikte, por ka kohë që jam bindur, mendoj se pikërisht ajo disiplinë, ishte një nga shtysat e saj për të arritur atë çka donte!

(“Rushen Golemi, ky testament shpirti”, Iris. K. Jorgo)

a) Krahasoni dy shkrimet. Evidentoni pesë dallime gjuhësore mes tyre.

80 Gjuhë

b) Rishkruajeni në fletore tekstin joletrar, duke i ndërruar rendin kronologjik. Lexojeni mes jush. Flisni se çfarë ndodhi me kuptimin e tekstit.

c) Duke iu referuar tekstit letrar, shkruani në fletore të dhënat gjuhësore që tregojnë marrëdhënien e autores me nënën e saj.

d) Si na ndihmon raporti i afërt i autores së tekstit letrar ta njohim më mirë personazhin që përshkruhet? A mund të arrihet e njëjta gjë përmes tekstit joletrar?

e) Duke shfrytëzuar njohjet mbi funksionet e gjuhës në shkrimin letrar dhe joletrar, evidentojini ato në secili prej dy teksteve të mësipërme.

f) Pasi të keni lexuar të dyja tekstet, diskutoni në klasë se cili është më interesant dhe ju nxit dëshirën të lexoni më tepër për Rushen Golemin. Pse?

13. Lexoni tri tekstet e mëposhtme.

Një vransinë si plumbi pushonte mbi qytetin gjithë ditën. Jeta zhvillohej e ngathët, disi xvarrisej. Gjethët e para të vjeshtës këputeshin nga dega, zig-zak e bajshin udhën nëpër ajër e sa përkitëshin tokën si me thanë: qé, këtu asht vendi ynë. Por, aty para muzgut, pa-pritë, fryni një erë e rreptë. U shkrepën xhamat ndër dritore dhe dyert e lagjes mbarë; gjethët si të tërbueme fluturojshin në të gjitha anët, derisa ma në fund u qetsojshin në ndoj qoshe. E n’oborr, mbas shtëpis’ së Selim Mesit, teshat e lame, që gjithë ditën shtrie nuk u terën, tashti filluen të valaviten, të rrahen, të fluturojnë, të shkrahen nëpër tokë bashkë me gjethë.

Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjeter, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë te Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një bare, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajme Dit’ e Verës. Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtmë të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t’rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t’ këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t’odave. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të races s’onë. Nuk i bëjnë dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë

E bukura, si kategori estetike, ka vend edhe te shkrimi, veç duhet punë për ta arritur e përvetësuar atë. Të shkruarit nuk është vetëm anë formale, por edhe përmbajtje. Të shkruash do të thotë edhe të formulosh mendime, të organizosh fjali, të shprehësh ide e të transmetosh kulturë e mesazhe. Të lexuarit dhe të shkruarit janë dy procese të lidhura fort mes tyre. Edhe “arti i të shkruarit” nga nxënësit nuk është më pak i rëndësishëm nga arti i “të folurit”, i “të dëgjuarit” e i “të lexuarit”.

1 2 3
(“Matanë gardhit, asgja e re”, Migjeni)
(“Dita e verës”, F. Konica)
(Tekst mësimor)
81Gjuhë

a) Shkruani se cila është marrëdhënia e secilit prej tyre me standardin.

b) Shkruani gjashtë fjalë dialektore.

c) Shkruani gjashtë forma fjalësh në dialekt.

14. Lexoni poezinë e mëposhtme dhe mundohuni ta ktheni në gjuhën standarde.

Njat flamur, qi dora e sajë

Diejti aq bukur me qindisë, Pse dashtnija e kisht’ molisë; Lidhniu tok: Përherë dashtnija

Për vend t’ uej t’ u jet stolija; Pe, po kje qi, si kjo bi, Rriten vashat në Shqypni, N’vend do të shkojë-o fjala e t’ Parve Se Shqypnia asht e Shqyptarve.

Lidhniu tok, si bajshin motit Ato bijat e Kastriotit, E broh’ritni n’ gzim e n’ vajë: Rrnoftë Shqypnija e flam’ri i sajë.

a) Argumentoni me një ese të shkurtër se çfarë vutë re në përdorimin e gjuhës ndërsa e kthyet poezinë në standard.

b) Dëgjoni dy interpretime nga klasa të poezisë së mësipërme, një në gjuhën standarde dhe një ashtu siç e ka shkruar autori. Cili interpretim ju pëlqeu më shumë dhe pse? Sfida e të shkruarit

15. Përshkruani në dy tekste me nga të paktën 10 fjali një person të familjes ose rrethit tuaj shoqëror. Në tekstin e parë (joletrar) përmbajuni standardit të gjuhës shqipe. Në tekstin e dytë (letrar) përdorni fjalë krahinore dhe detaje të tjera stilistike për ta portretizuar personin sipas perceptimit tuaj.

82 Gjuhë

Faik KonicaLetërsi

Lindi në Konicë, më 5 mars 1875, në një familje të vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit dhe më pas kreu shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonshme. Më 1912-n u diplomua në letërsi në Universitetin e Harvardit, në SHBA. Që i ri, Konica e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare.

Kontributi i Konicës në kritikën letrare

Ardhja e Konicës në letërsinë shqipe ishte e bujshme. Jo thjesht për 20 vitet e kontributit letrar dhe publicistik, të cilat konsideroheshin pak për epërsinë e famës, por edhe për polemikat që shoqëruan emrin e tij. Pavarësisht kësaj, ai u bë që herët prijës i brezit të shqiptarëve të vitit 1900. I njohur si nismëtar i modernitetit shqiptar, Konica solli një model të ri në kulturën shqiptare.

Konica solli një tip të ri humanizmi, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me mallin apo frymën lëvduese mitike. Mendimi i Konicës përmbysi, ndërtoi dhe kundërshtoi. Ai pranoi se nuk ka zhvillim kulturor, pa u zhveshur kultura e deritanishme nga ndikimet e prapambetura, të cilat i quajti aziatike. Në këtë këndvështrim, Konica solli një frymë perëndimore, prandaj shpesh dialogu i tij me realitetin shqiptar është një diskutim me nota debati dhe mospranimi. Debati i Konicës së arsimuar në Perëndim, është debat me letërsinë shqiptare, produktin e së cilës ai e sheh brenda kontekstit të kulturës dhe botës shqiptare. Në këtë fazë, kur Konica vjen në letrat shqipe, lexuesi shqiptar është ende një lexues gjysmanalfabet dhe që ka nevojë të theksuar për zgjim. Në këtë ndeshje të vështirë, Konica zgjedh rrugën më të drejtë: gjykon rreptë fenomenet shqiptare nëpërmjet kritikës dhe shkrimeve letrare, ndërsa përkthen dhe i jep botës vlerat më të zgjedhura nga letërsia, artet, etnografia dhe historia e Shqipërisë. “Albania” (1897-1909), revista e tij e famshme, ndoshta edhe kryevepra e tij, botoi autorët e brezit të tij. Ajo u bë e njohur ndër shqiptarë, por u bë edhe më e njohur ndër të huaj, duke ofruar problematika tipike shqiptare. Tema qendrore e publicistikës së Konicës në revistën “Albania” do të jetë tema atdhetare, problemet e Lëvizjes Kombëtare, fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t’i kushtojë vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave të tij etnokulturore, e veçanërisht krijimit të një gjuhe letrare shqipe. Pas shpalljes së Pavarësisë, publicistika e Konicës, botuar në gazetën “Dielli”, do të merret me çështje të mprehta të kohës, që lidheshin me aspiratat dhe përpjekjet për krijimin e një shteti modern shqiptar, me luftën kundër

Letërsi 83

prapambetjes ekonomiko-sociale, me stigmatizimin e mendësive dhe praktikave të vjetra e anakronike etj. Ai ishte për një shoqëri shqiptare të emancipuar dhe kërkonte që Shqipëria, si pjesë e Europës, të mendonte e të punonte nën shembullin e saj. Publicistika e Konicës shquhet jo vetëm për problematikën e pasur, por edhe për nivelin mjeshtëror të vlerësimit stilistik e kritik të prurjeve në këtë fushë. Konica e ktheu këtë formë të shkruari në një zhanër të mirëfilltë artistik në gjuhën shqipe. Ajo karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga shqetësimi qytetar, siç dallohet edhe për forcën e argumentimit dhe aftësitë e shquara shprehëse. Tipari kryesor i saj është fryma satirike, fryma stigmatizuese dhe mohuese ndaj prapambetjes, ndaj injorancës e së keqes.

Leximi i teksteve kritike të Konicës, vështruar në lidhjet e brendshme mes tyre, nxjerr në shesh karakterin njerëzor dhe krijues të tij. Ato dallohen nga morali kritik, veti kjo e domosdoshme për shkrimet kritike. Në shkrimin “Letërsia shqiptare”, Konica shënjon cilësitë themelore të stilit të tij: saktësi në shprehje, mendime të prera, kulturë të mirë kombëtare e më gjerë, dhe subjektivitetit i ndjeshëm në shkrime. Konica shprehet skeptik në lidhje me letërsinë e vjetër shqipe dhe e lidh këtë vlerësim me historinë e popullit tonë dhe mungesën e autorëve të mëdhenj për shkak të kushteve specifike shqiptare.

Kredon e tij kritike, Konica e shfaq te “Kohëtore e letrave shqipe”, që ishte menduar si hyrje në kronikën letrare të revistës “Albania”. Idetë themelore të kritikës së Konicës janë moderne, por vlera e tyre matet brenda sistemit të letrave shqipe.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

Teoria kritike e Konicës synon: një kritikë në lidhje me veprat letrare; gjykim të vlerës së teksteve shqipe; kritikë të mbështetur në disa rregulla që lindin nga natyra e gjërave; trajtim të atdhetarisë dhe letërsisë si dy gjëra të ndryshme; metodë përqasjeje subjektive; trajtimin e kritikës si një vepër letrare; trajtimin e lirizmit pa lidhje të drejtpërdrejtë me kritikën; rritjen e letërsisë.

Si mendoni, a ka ndikuar formimi jashtë atdheut në mënyrën e qasjes së Konicës ndaj letërsisë dhe kulturës shqipe në shkrimet e veta?

Në ç’raport ndodhet pohimi dhe kundërshtimi në veprat e Konicës? A ishte risi kjo për letrat shqipe? në të dyja rastetnë të dyja rastetnë të dyja rastet

3. Si ishte gjendja e arsimit në kohën kur erdhi Konica në letrat shqipe?

4. Si u pozicionua ai në lidhje me lexuesin shqiptar? Po me lexuesin e huaj?

5. Cilat ishin cilësitë themelore të stilit të Konicës?

Ushtroni mendimin kritik

Bota intelektuale e Konicës është bota e kulturës njerëzore, e historisë dhe e filozofisë, e letërsisë dhe e arteve, e shkencës dhe e psikologjisë së njeriut. Pasi të keni lexuar disa nga shkrimet e tij, shkruani një ese përshkruese, ku të përshkruani përfitimet e kulturës shqiptare nga shkrimet kulturore të Konicës.

1.
2.
Letërsi84

Letërsi

Rëndësia e prozës së shkurtër

Proza poetike

Proza në pendën e Konicës shfaqet e fuqishme si në formën e prozave të shkurtra, të cilat i quan skica, ashtu edhe në prozën poetike. Këto të fundit janë të kufizuara në numër, por të një niveli të lartë artistik. Ardhur si risi në letërsinë tonë, Konica do të shfaqej i suksesshëm me botimet e këtij zhanri në faqet e gazetës “Albania”, duke botuar njëra pas tjetrës prozat poetike: “Në liqen”, “Anës liqenit”, “Bora”. Ndonëse me tematikë të kufizuar, ato paraqitnin gjendjen shpirtërore të intelektualit patriot, shqetësimet dhe vizionin e tij rreth botës shqiptare.

Mbasandej, pak nga pak manushaqet shfletohen. Hijet bëhen të dendura, më të zeza. Njëri pas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikojnë dritë. Nata u afrua. Nata erdhi (“Anës liqenit”).

Nga ana e formës, këto proza të shkurtra qëndrojnë ndërmjet vargut të lirë dhe prozës së ritmuar. Me to, Konica shfaqi edhe një herë vlerat e gjuhës shqipe, bukurinë dhe delikatesën e saj në prozë. Detajet e gjetura dhe shkallëzimi i arsyetuar i mendimit u japin këtyre prozave reliev artistik. Fletë të thata kanë rënë, nga lista e rreth-e-rrotullma, mbi liqen, edhe duken si njolla ari në një pasqyrë të vjetër (“Në liqen”).

Animizimi i natyrës, perceptimi figurativ i peizazhit dhe evokimi i jetës njerëzore janë bërë nga këndvështrime origjinale, me një gjuhë simetrike, të thjeshtë e të qartë shqipe.

Me Konicën, lëvrimi i prozës poetike shënon fillimin e prozës moderne shqiptare, siç e cilëson edhe Fan Noli: “krijues i prozës moderne shqipe” dhe “mjeshtri më i skalitur i prozës”.

SKICAT

Prapa qelqeve të dritores, po shikonj. Ngadalë, ngadalë, si kur ka frikë të ndegjohet, bora fluturon flokë-flokë e shtrohet mbi dhe. Bie kudo, e duket se kërkon të ndreqë e të zbukuronjë: Dy çupa të vockëla shkojnë, e, në leshërat e arta të tyre, të lëshuara mbi shpatullat, bora shkruan trëndafile të ergjenda. Djelmtë qeshin, hidhen, lozin, e lëftojnë me topa. Zoqtë vërtiten rreth e rrotull prakeve: ciu, ciu, një thrimë buke! Si në verë, gjithë bota janë veshur në të bardha

Me skicat letrare të Konicës kemi parasysh ato shkrime që nuk janë të gjitha skica me kuptimin e mirëfilltë, por edhe përralla, siç i quan vetë, edhe rrëfenja. Të para në tërësi nga pikëpamja tematike, zor se mund të gjesh tek ato një emërues të përbashkët. Brendia e tyre të fut në botën legjendare të përrallave (“E bija e mbretit dhe trëndafilit” apo “I urti i malit”), siç evokon ndonjë episod nga epoka e Skënderbeut (“Mrika”), apo ngjarje të jetës së shqiptarit në ushtrinë turke (“Në dritë të hënës”), ndonjë shqetësim të lëvizjes kombëtare (“Ai që është gati të vdesë për Shqipërinë”), për të ardhur në kohë më të reja, kur përvijon tipa regresivë të shoqërisë shqiptare (“Çipi i palaçove”).

Përralla e Konicës ruan frymën e llojit, është e shkurtër, me domethënie të qartë dhe elemente patriotike. Falë aftësisë krijuese, ndjenjës së hollë, sensit të masës dhe muzikës së gjuhës, ka krijuar kryevepër në llojin e vet. Figura tradicionale e vajzës së mbretit tek “E bija e mbretit dhe trëndafilit” jepet aq e brishtë dhe e këndshme, mishëron në një trajtë

Vajza shqiptare
Letërsi 85

krejt origjinale idenë e përjetshme që gëzimi, hidhërimi, lotët e gazi janë pjesë e pandarë e jetës së njeriut.

Fryma patriotike gjen shprehjen në një bazë të pasur emocionale te rrëfenja “Mrika”. Është fjala për vdekjen e lumtur të një vajze shqiptare, që me trimërinë e gjakun e saj, shpëton jetën e Skënderbeut. Ndjenja e fuqishme e atdhedashurisë dhe notat e një poezie humane janë ato që e kanë gatuar këtë rrëfenjë që të mbetet në mendje. Sikurse atmosfera e shqetësimeve të lëvizjes kombëtare është sjellë në mënyrë origjinale te skica “Ai që është gati të vdesë për Shqipërinë”. E ndërtuar kryesisht në trajtë dialogu, aty del mjaft i qartë tipi i demagogut, i njeriut pasiv ndaj fatit të atdheut, i atij që merret me fjalë dhe sofizma.

Portreti letrar

Një tjetër kapitull të prozës së Konicës e përbën edhe portreti letrar, të cilin gjithashtu e inauguron penda e tij në letërsinë shqipe. Edhe pse portretizohen personalitete historike dhe figura e tyre ndërtohet mbi fakte reale, ato kanë ind letrar dhe vlera artistike. Dëshmitari, duke ruajtur sensin e masës, kthehet në krijues dhe krijuesi në dëshmitar. Merita e Konicës qëndron në aftësinë për të vendosur raporte të drejta funksionale mes psikologut, mendimtarit dhe piktorit. Këtë e bën duke gërshetuar mbresat dhe detajet autentike me linjat e buta dhe delikate, duke krijuar hapësira ku gjejnë vend atdhedashuria, humanizmi dhe adhurimi. Në galerinë e portreteve koniciane do të përmendim De Radën, Abdyl Frashërin, Naim Frashërin, Ali Pashë Tepelenën, Bajram Currin, At Shtjefën Gjeçovin, figura të cilat i ka rrethuar me atmosferë dashurie.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat ishin risitë që solli Konica në drejtim të prozës së shkurtër?

2. A ishte e gjerë tematika e tyre?

3. Çfarë paraqesin prozat e shkurtra të Konicës?

4. Pse u vlerësuan nga kritika si prozë poetike? Cilat ishin karakteristikat e tyre të stilit?

5. Ku dallojnë skicat e Konicës nga përrallat dhe rrëfenjat?

6. Tregoni disa karakteristika të portretit letrar, llojit kritik që Konica e solli për herë të parë në letrat shqipe.

Ushtroni mendimin kritik

7. Ndahuni në grupe. Lexoni të grupuar kritikën e Konicës. Në tekstet që do të zgjidhni, analizoni shfaqjen e karakteristikave të kritikës së shkrimtarit.

8. Bëni një krahasim mes mendimit kritik të viteve ‘30 dhe mendimit kritik të Konicës. Analizoni modernitetin e Konicës në këtë qasje.

Vendosni në dosjen e nxënësit punimet tuaja.

Letërsi86

ILUSTRIM LETRAR

I dashur mik

I dashur mik, në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha, do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë, do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që ta pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla, je intrigant a i shitur. Në folç për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi ta shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptar i vërtetë.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Cili është referenti në këtë fragment dhe me çfarë toni i drejtohet atij Konica?

2. Me kë e përball referentin autori?

3. Cili është fenomeni që vendos në qendër të kritikës së tij Konica?

4. Sipas autorit, shpirti kritizer i shqiptarit është i mbështetur dhe i argumentuar, apo i pabazë dhe sipërfaqësor?

5. Çfarë vlere merr fjalia kushtore në këtë tekst?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Fragmenti nis me grupin “I dashur mik”, nisje karakteristike për formatin e letrës. Argumentoni me të dhëna nga teksti dallimet mes dy ligjërimeve: atij konfidencial të hyrjes dhe atij kritik të tekstit.

7. Në leximin e parë (të kuptuarit), teksti funksionon si një paragraf i vetëm, por në leximin e dytë (deshifrimi dhe strukturimi), dallohen qartë dy paragrafët. Argumentoni dallimin mes tyre.

F.
1 Letërsi 87

8. Fjalia që përdor autori i përket llojit të nënrenditur kushtor. Cilat karakteristika të fjalisë së nënrenditur kushtore lidhen me qëllimin e kritikës së autorit? Si i ka realizuar ato në thënie?

9. Struktura e ndërtimit të tekstit ka në themel kundërvënien. Marrëdhënia pohim/mohim ka në fokus një dukuri për çdo thënie. Identifikoni secilën nga dukuritë që merr në trajtim Konica.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

10. Kritika është shkruar në dialektin toskë. Vërejmë disa karakteristika shumë interesante. Lidhëzat e kushtores në, nëse pranëvendosen me foljet në dëshirore, p.sh. shtypsh. Pse është bërë kjo?

11. Identifikoni lidhje të tjera të këtij tipi në tekst. Këto lloj lidhjesh a e rrisin edhe më shumë tonin ironizues të ligjërimit? Pse?

12. Argumentojeni me funksionin e lidhëzës dhe kuptimin e foljes në dëshirore, në gjuhën shqipe.

13. Teksti ka në përmbajtje fjalë turke. Identifikojini ato dhe analizoni shprehësinë që fitojnë në këto përdorime të reja.

14. Realizoni një hartë semantike që të argumentojë frymën patriotike të kritikës së Konicës në këtë tekst.

Nga teksti te përdorimi

15. Në tekst, për të argumentuar karakterin e paqëndrueshëm të shqiptarit, Konica rendit disa antonimi kontekstuale. Identifikoni tri prej tyre dhe argumentoni se përse në këtë fragment shfaqen si të tilla.

16. Cilat teknika të shkrimit mediatik shfaqen në këtë fragment?

17. Tregoni mekanizmin se si i ka ndërthurur autori ato.

Nga teksti te të shkruarit

18. Bëni një kërkim në shkrimet e kohës për veprën e Konicës. Argumentoni më pas me shkrim se pse ky tekst reflekton polemikën e Konicës me bashkëkohësit e tij.

Lutje

Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë, përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!

2
Letërsi88

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Kërkesën e tij universale, Konica e ndërton në formën e një lutjeje. Ai përdor formën biblike të lutjes, por e ndryshon atë në përmbajtje. Cilat janë kërkesat që i drejtohen Zotit? A ka përmbajtje biblike lutja?

2. Për këtë lutje, shkrimtari kërkon ndërhyrjen e një fuqie madhore siç është Zoti. Duke u nisur nga kuptimi universal dhe filozofik i fuqisë së Perëndisë, argumentoni ironinë therëse të Konicës, duke identifikuar objektin e kësaj ironie.

3. Shprehja frazeologjike “mbaje gojën mbyllur”, zgjerohet me grupin “kur s`kemi asgjë për të thënë”. Cilët janë ata që duhet të heshtin?

4. Çfarë rreziqesh sjell fjalosja e tyre?

5. Ndonëse në formën e një lutjeje, shkrimtari trajton në të vërtetë një nevojë, domosdoshmëri reflektimi. Identifikoni këto nevoja, duke u nisur nga rreziqet që sjell mosrespektimi i tyre.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Teksti është ndërtuar me intonacion lutës në dukje, nën të cilin fle një ironi therëse. Një mënyrë tjetër leximi, më e hollësishme, duke mënjanuar ironinë, mund të na shfaqë disa këshilla. Identifikoni dhe shkruani këto këshilla.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

7. Fjalitë nisin me folje në urdhërore + trajtë e shkurtër e përbërë: jep+na, fal+na, frymëzo+na, shpëto+na. Ky sintetizim, a e rrit vlerën përgjithësuese semantike të foljes? Pse?

8. Përfshirja e trajtës së shkurtër në mënyrë sintetike brenda foljes është karakteristikë e dialektit toskë. Duke pasur këtë fokus, krahasoni gjuhën e këtij teksti me tekstin e mësipërm.

9. Si qëndrojnë ato me njëra-tjetrën? Mbështetni krahasimin tuaj në: leksik; elemente fonetike; drejtshkrim.

Nga teksti te përdorimi

10. Në këtë fragment kemi ndërthurje të ligjërimit mediatik me ligjërimin letrar. Evidentoni tri të dhëna të gjuhës mediatike dhe tri të dhëna të gjuhës letrare.

Nga teksti te të shkruarit

11. Duke ruajtur formatin e lutjes që përdor Konica, ndërtoni një lutje të përafërt, por me problematikat që ju shqetësojnë këto kohë.

Letërsi 89

ANALIZË E VEPRËS

Një ambasadë e Zulluve në Paris

Konteksti i veprës

Fizionomia e Konicës prozator del e plotë dhe me veçoritë e saj individuale në prozën e gjatë. Një nga veprat e tij më me vlerë për mesazhet që bart është “Katër përralla nga Zullulandi”, e konceptuar si një cikël tregimesh nga të cilat vetëm njëri u botua në gazetën “Dielli” (1922).

Tregimi mban titullin “Një ambasadë e Zulluve në Paris”. Ai trajton një temë origjinale, me një subjekt disi të veçantë, në plan kryesisht satirik. Ngjarjet dhe personazhet e çojnë lexuesin shqiptar në Afrikë, por problemet dhe shqetësimet, mesazhi që rreh të japë autori nuk janë të huaja për të. Është fjala për zullutë, njerëzit e Zullulandit, një popull i prapambetur e i shtypur, i mashtruar nga kolonizatorët e huaj, por me kulturë origjinale e plot energji. Bijtë e tij më të mirë aspirojnë për një jetë të lirë, për një shtet të pavarur. Por rruga drejt lirisë së vërtetë nuk është aq e lehtë, veçanërisht për një popull afrikan, që ende nuk e ka fituar ndërgjegjen kombëtare dhe i mungon përvoja e luftës politike. Konica i paraqet zullutë më shumë si turmë, sesa si popull i ndërgjegjësuar dhe, mbi këtë bazë, ngrihen ngjarjet e tregimit. Ata janë në kërkim të rrugës së lirisë, në kërkim të udhëheqësit që do t’u prijë dhe kjo përbën boshtin e veprës.

Kontrasti i personazheve

Dy janë udhëheqësit e mundshëm që ka nxjerrë lëvizja spontane e zulluve: Deninulla Sepia dhe Plugu. I pari është një aventurier i paskrupullt, mashtrues e demagog, njeri i fjalëve boshe dhe i reklamave, përfaqësues i interesave të ngushta të tribuve. I dyti, atdhetar i flaktë, bir besnik i popullit të tij, udhëheqës idealist, njeri i ditur e plot virtyte. Sepia bën lojën e interesave të huaja, është i zhveshur nga çdo ndjenjë krenarie e dinjiteti kombëtar dhe lufton për një lëvizje të ngushtë tribale, e cila e mban popullin në skllavëri. Plugu është udhëheqësi që pa zhurmë e pa bujë, me një mençuri të heshtur, synon të krijojë lëvizjen e vërtetë kombëtare në Zulluland. T’i kthejë zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet dhe Zullulandin në një vend të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me nder.

Vetë emri Plug i heroit të tregimit është kuptimplotë, përderisa kërkon e përpiqet të plugojë mendjen e popullit, ta zgjojë e ta drejtojë atë në një rrugë të mbarë. Por njerëzit e vendit të tij nuk e kuptojnë, nuk e besojnë, madje e shajnë dhe e kërcënojnë, janë gati

Les Bryant Plugu
Letërsi90

ta ndëshkojnë. Autori vë në dukje dramën e këtij idealisti të pastër dhe besnikërinë e tij ndaj interesave të atdheut. Skenat masive, debatet në kuvendet e krerëve, manifestimet plot zhurmë e bujë të turmave, theksojnë pozitën dhe gjendjen e rëndë të Plugut.

Analiza psiko-sociale e rolit të turmës

Si njohës i historisë së popujve dhe psikologjisë së njerëzve, Konica ka kapur me mprehtësi dhe e ka kthyer në objekt trajtimi artistik një dukuri historiko-sociale: ekzistencën e turmës si një masë e pavetëdijshme, e zhveshur nga aspirata kombëtare, e pushtuar nga instinkte shkatërruese. Një masë e tillë në jetën e popujve të pazhvilluar, siç paraqiten zullutë, bëhet lehtë pre dhe viktimë e demagogëve dhe sharlatanëve politikë si Sepia, që i shfrytëzon për qëllime të mbrapshta. Turma e ndërsyer përshkruhet nga shkrimtari nëpërmjet situatave tragji-komike, që arrijnë kulmin kur Plugu tregon të vërtetën dhe masa ngrihet kundër tij. Tregimi mbyllet me një mendim skeptik, kur Plugu pohon i dëshpëruar: “Desha të lëroj shkëmbin”. Dhe prej këtij çasti, ai braktis atdheun dhe merr rrugën e mërgimit. Në vetmi, në ritmin e hapit të vet për të mundur shkretinë e tij shpirtërore, frikën, ai thur këngë dyvargëshe, tetërrokëshe, me rimë të puthur, me përmbajtje shpotitëse, therëse, madje kur i mungojnë fjalët dhe vargjet, vazhdon me rimat: bandi, dandi, kandi, randi rroft’ e qoftë Zullulandi!

Atëherë, për ironi të fatit, turma mahnitet, këndon edhe ajo, mrekullohet dhe nis t’i lutet Plugut që të kthehet. I lutet që t’i këndojë këngë të tilla dhe të mos ia lodhë mendjen me fjalime e kritika të kota. Vargjet e rëndomta dhe pakuptim janë ato që i përshtaten nivelit të dijeve dhe inteligjencës së turmës: e marta kur u mbarua, e mërkura u fillua, kafsha që ka katër këmbë, padyshim s’ka dy pëllëmbë.

Ç’është më e bukur në jetë: thikë, plumb apo shigjetë?

Ç’gjë m’e paqme o tru plaku: djersët, morrat apo gjaku? Këto fjalë therëse, që kanë një informacion të thjeshtë, turma i kap me tru a me frymë dhe i këndon, duke gjetur në to nivelin dhe identitetin e vet të të menduarit. Në këtë paradoks, duket satira e rrëfimtarit, ideja e tij e fshehur del sheshit nëpërmjet nëntekstit autorial dhe përmbysjeve që sjell tregimi.

Analogjia dhe mesazhi i veprës

Nëse përdorim procesin e të lexuarit të thelluar, ai na çon te mesazhi i veprës: të punohet për ta ngritur popullin, për ta ndërgjegjësuar, për ta pluguar mendjen dhe vetëdijen e tij, në mënyrë që të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja. Në këtë vështrim, rol të veçantë i jepet punës, si faktor zhvillimi dhe emancipimi në jetën e njeriut dhe të shoqërisë. “Katër përralla nga Zullulandi” është një nga kryeveprat e letërsisë shqipe, për sa i përket stilit të fejtonit dhe satirës ndaj jetës politike të kohës. Falë mjeshtërisë narrative dhe ndjenjës së masës, autori arrin të krijojë atmosferën e jetës politike, të zbulojë mekanizmin e luftës që zhvillohet, të japë patosin e saj, veçanërisht të vizatojë me penelata të sigurta figurat e udhëheqësve të turmës. Nga ana tjetër, të derdhë humorin e tij të hidhur, të

Letërsi 91

stigmatizojë të keqen me satirë dhe sarkazëm, të rrëfejë e të përshkruajë me një gjuhë të shkathët, karakterizuese e lakonike.

Në përfundim, lexuesi i merr të gjitha përgjigjet për pyetjet:

Ç’janë këta tetërrokësha?

Ç’janë këto vargje të pëlqyeshme, por pa kurrfarë kuptimi?

Ç’është ky popull (zullutë) që s’është komb?

Ç’është ky “protagonist i fshehtë i një drame të errët”, që rrëfimtari ia thotë vetes në fund të romanit?

Pse nuk lërohet shkëmbi?

Duke i lënë pa përgjigje këto pyetje, rrëfimtari e bën satirën shumë të hidhur. Kjo satirë reflekton edhe kultin elitar prej aristokrati, që rrëfimtari e shfaq kudo në publicistikën e tij.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Si lidhet titulli i veprës me kontekstin shqiptar të kohës kur Konica e shkroi atë?

2. Kontrasti i personazheve kryesore shfaqet edhe në emrat e tyre. Tregoni simbolikën semantike të emrave. A e reflektojnë ata këtë kontrast?

3. Në ç’raport ndodhen personazhet kryesore me popullin e Zullulandit?

4. Si e përshkruan autori turmën? Po vetë cilësimi i emrit turmë, a përmban një domethënie specifike?

5. Turmës i pëlqejnë vargjet e pakuptimta. Çfarë tregon kjo për formimin e popullit të Zullulandit? Po për perspektivën e tij?

Ushtroni mendimin kritik

6. Satira e cila përbën bërthamën e nëntekstit të veprës zbërthen nivele të reja nivele leximi. Cilat të dhëna nxirrni ju nga kjo vepër, nëse e shihni atë si lexues i shekullit të XXI?

7. Si mendoni lidhur me ndjenjat atdhetare në këtë vepër? Si e gjykoni vlerësimin e Konicës për këtë gjë?

8. Ideja e rrënimit të individit i cili ka ëndërruar të bëhet prijës, nis e zvogëlohet dhe ndryshon. A është ky një fakt që ndodh edhe sot? A ndikon kultura e një populli te lideri i tij?

9. Vepra ka një mungesë reference kohore. Ajo mund të shtrihet në çdo kohë. A përbën ky detaj një alarm për popujt? Argumentoni mendimin tuaj.

10. Bëni një analizë krahasuese mes asaj që Konica e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë për popullin e Zullulandit, me atë që vjen si nënshtresë kuptimore e lidhur me kritikën ndaj popullit shqiptar. Në analizën tuaj mbështetuni në: alegorinë e përdorur nga Konica; kontekstet sociale të dy popujve; kuptimet e shumëfishta të fjalëve.

Letërsi92

ILUSTRIM LETRAR

Katër përralla nga Zullulandi

Është momenti kur zullutë e kanë bërë zgjedhjen e tyre. Ata jo vetëm kanë zgjedhur për prijës Sepian, i cili është një politikan aventurier e mashtrues, por dëbojnë edhe Plugun, njeriun e mençur e të heshtur, i cili synon t’u tregojë zulluve udhën e së vërtetës. Tashmë, turma i është vënë pas me një vrap të marrë. Është kaq e acaruar sa gati po e vret; Plugu rend për t’i shpëtuar asaj, krejt i dërrmuar shpirtërisht. Ai mban në dorë dy figura perëndish, një prej borige e një prej dushku. Ai i hedh ato në mënyrë që të shmangë turmën në këtë rendje çmendurake, duke besuar se këto figurina do t’i trembin njerëzit.

Më në fund iu afruan një lumi dhe këtu marathona u ndez më tepër. Vraponin të gjithë si të marrë ngjat lumit. Fanatikët hidheshin si leopard dhe tigra, – kur namëta! U duk ura për së largu. Plugu hodhi menjëherë nga pas perëndinë prej dushku, dhe, siç kish bërë hesap, një minutë më vonë që të gjashtë mijë zullutë qëndruan që ta mbledhin, të shohin mos qe plagosur dhe t’i bëjnë një lutje të shkurtër, Plugu shkeli mbi urë dhe, menjëherë, vërtiti pas Perëndinë prej borige. Kapërceu më anë tjetër dhe me forcat e tij të shumësuara nga rreziku, “urën”, e cila s’ish veç një shelg vigan, i shtënë pa gdhendur, anë e mb’anë e luajti dhe e hodhi në lumë, ujërat e të cilit e muarnë me shpejtim tatëpjetë. Dhe pa humbur kohë, Plugu nisi të rendë nga ana tjetër e lumit, se një mal që ngrihej drejt porsi një mur prej shkëmbi, e shtrëngonte që të vazhdojë gjatë zallit. Turma, e habitur dhe e dëshpëruar, humbi përsëri pak kohë me perëndinë e dytë; pastaj nisi prapë maratonën, me qëllim që të arrinte në një va më sipër, dhe atje të kapërcente lumin. Maratona tani, në vënd që të ishte në një vijë, ish në dy vija paralele me lumin në mes. Po turma s’ish më aq e tërbuar: se të dy perënditë i gjeti të thyer shumë pak, vetëm në kokë, vend i cili në Zulluland s’ka ndonjë rëndësi; po në vithe e në bark, që për zullutë janë vendet më fisnike të trupit, Perënditë nuk ishin plagosur aspak: turma këtë e mori si shenjë që Perënditë nuk ishin zemëruar kundër Plugut. Ashtu zullutë ishin pak si më të zbutur, po prapë maratona vente përpara. Plugu, i lehtësuar nga kërcunjtë, e ndiente veten e tij më të fortë; dhe ca për të qeshur, ca për të tallur, ca për të rimuar çapin e tij, nisi të hedhë në erë, me zë të plotë, një vjershë në stil të pëlqyer të Zullulandit.

Ajo vajzë e huaj, që u lind pas nëntë muaj.

Sikur t’ish lindur pas shtatë ndofta s’do t’ish aq e gjatë.

Sikur t’ish lindur pas tetë mund që s’ish në këtë jetë: E ëma e kish dështuar

Letërsi 93

dhe prifti e kish mbuluar!

Pa po meqë është e gjallë, pa dyshim në varr s’e kallë.

E marta kur u mbarua e mërkura u fillua.

Ti, njeri do robërinë? Ahere s’dashke lirinë.

Jo po deshe ligësinë, nuk e dashke mirësinë. Dy e dy a bëjnë katër, druri digjet mu në vatër.

Misëri rritet në arë, S’mbin gjësendi kur s’ka farë.

Një breshëri duartrokitjesh nga zalli tjatër, i provoi Plugut që ‘vjershat’ e bukura kishin qenë edhe dëgjuar, edhe pëlqyer nga zullutë. Mbyti një të qeshur në grykë dhe vazhdoi kështu:

O njeri të qofsha falë, S’është gjarpër, s’është ngjalë.

Kafsha që ka katër këmbë, pa dyshim s’ka dy pëllëmbë.

Ç’është më e bukur në jetë: Thikë, plum apo shigjetë?

Ç’gjëm’ e paqme, o tru plaku: djersët, morrat apo gjaku?

Ahere kur bën të ngrohtë, trupi nuk ndien të ftohtë.

Këmb’ e bufit është thyer kukuvajka a lëngjyer.

Sillni darën, shpejt o trima! Shkula gozhdën, mbeti vrima. A do qumësht, apo dhallë? Gomarica vjen vërdallë.

Rroftë e qoftë Zullulandi!

Dhe meqë s’gjente shpejt një vjershë t’ujdiste, shtoi pa humbur kohë: Bandi, dandi, andi, randi! Nata kish nisur të zbresë përmi tokë. Një qetësi e plotë mbulonte erën e kulluar. Kur u mbarua vjersha, plasi një entuziasëm pa kufi në mes të zulluve. Kishin arritur në va, po

Pazari shkodrës 1904
Letërsi94

në vend që ta kapërcejnë, nisnë të heqin një valle ritmike, duke përpjekur duart e duke kënduar me një zë vjershat e perëndishme.

Gomarica vjen vërdallë: A do qumësht, apo dhallë?

Bandi, dandi, andi, randi! Rroft’ e qoftë Zullulandi!

Ah vjershëtor! (brotnë njëqind zëra), pse s’na the më parë vjersha aq të mira? Pse na mundoje me gjëra që s’na pëlqejnë? Eja, kthehu, mos ik, të gjitha janë të falura e të ndjera: vetëm të na bësh dhe të tjera vjersha të mbaruara si këtë këngë që dëgjuam, dhe do të të nderojmë tej mase. Ku ta dijim ne se qenkëshe një vjershëtor aq i madh? Faj s’të kemi, Plug, ke faj ti që na shfaqe vetëm ligësitë tënde dhe mbajte të fshehura madhësitë që të falnë Boriga dhe Dushku. Eja, se tani të kuptojmë dhe të duam! Nja dhjetë veta nga miqtë e Plugut, hyjtin në va dhe daullnë m’anë tjatër. Po nata tani ish e thellë; dhe Plugu, i fshehur në një shpellë, s’luante. ...Plugu mbeti ndonjë orë i dalldisur me trupin dhe mendjen të lodhur. Tërë jeta e tij e shkuar iu shfaq përpara, posi një film ëndrre dhe ankthi: shpresat, mundimet, luftët, plagët, duallnë njëra pas tjatrës: miqtë e nxehtë dhe të vakët dhe të rënët: armiqtë seriozë dhe armiqtë qesharakë dhe bufonë që shtijnë jargë bashkë me pallavrat: gratë e mira dhe gratë e këqija: çupat engjëllore dhe çupat nepërka: dhe politikanët dhe intrigantët e bardhë, të gjithë armiq të zulluve dhe, kur jo armiq, pa dyshim përbuzës të fshehtë, me mendimin e pashfaqur që një zullu është një zullu, jo një njeri si të tjerët: “Jeta ime, – psherëtijti, – është një faliment”. Dhe doli nga shpella si një hije e vetvetes... “Jeta ime, – tha përsëri, – është një faliment, një falurë. Asnjë nga qëllimet që kam pasur nuk e kam arritur. Kam parë të vërtetohet vetëm arrakatura e ca ëndrrave të mia. Desha një Zulluland të qytetëruar dhe të lirë, si një çap të parë për një Afrikë të lidhur në një federatë të madhe, një Afrikë të shkulur nga thonjtë e të huajve, të përparuar dhe të nderuar si një fuqi e madhe. Dhe ç’shoh përpara syve?” Këtu qeshi, pastaj vazhdoi: “Ndofta fajin e kam patur vetë, – se desha të bëj të pamundurën: desha të lëroj shkëmbin. Afërmendsh, në vend që të shpoj gurin, thyejta dhëmbët dhe m’u bë mirë. Dhe tani, ç’të bëj dhe ku të vete?”

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Teksti ndërtohet duke vënë përballë mendësinë e turmës, së cilës i mungon arsimimi, vetëdija shpirtërore dhe ndjesia e së ardhmes (Ku po shkojmë?), me misionarin punëtor e të mençur, i cili e di ku duhet të shkojë populli, por dështon në udhëheqjen e tij. Gjeni të dhënat që japin informacion për turmën dhe përshkruajeni atë.

2. Identifikoni të dhëna nga teksti nëpërmjet të cilave të ndërtoni, sipas perspektivës suaj, portretin fizik e moral të misionarit.

Letërsi 95

3. Në përballjen mes turmës dhe misionarit, sipas fabulës së romanit, fiton turma dhe misionari dorëzohet. Raportet e turmës me misionarin janë raportet midis dy të vërtetave: - të vërtetës që besohet nga të gjithë (nënkupto turma); të vërtetës së zhvillimit?

4. Gjeni elemente ku të provohet se misionari hoqi dorë nga përpjekja, por jo nga e vërteta. Si e shprehin vargjet dëshpërimin e misionarit? Si e shpreh misionari dështimin e misionit të vet? Po narratori si e shpreh dëshpërimin e misionarit?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

5. Fragmenti mund të shihet i ndërtuar në bazë të dy imazheve të kundërta: imazhi i vrapimit dhe imazhi i shpellës. Analizoni simbolikën midis vrapimit, si një rendje për të shkuar diku, dhe shpellës si simbol jo i arritjes, por i dështimit, i fshehjes.

6. Vjershat janë me cilësi të dobët estetike, simbol i naivitetit dhe i retorikës së prapambetur të disa politikanëve të kohës. Në fund të rendjes së tij, Plugu vendos t’i japë turmës atë që ajo priste. Me cilat mjete stilistike këto vargje shprehin dështimin e misionarit?

7. Sipas mendimit tuaj, bandi, dandi, andi, randi i referohet: - nivelit të prapambetur të njerëzve analfabetë me komunikim bazik; - talljes me retorikën e zhurmshme dhe boshe të politikanëve?

8. Tonaliteti i rrëfimit luhatet në të gjithë prozën. Argumentoni me shembuj nga teksti se si ky tonalitet shpreh: - ritmin e vrapimit; - dëshpërim; - sarkazëm.

9. Në fragment shohim dy fjalime të misionarit. I pari, i ndërtuar në formën e një kënge drejtuar turmës dhe i dyti, në formën e një reflektimi drejtuar vetes. Tregoni me shembuj nga teksti se ku takohen dy tekstet që përmendëm.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

10. Fabula mund të lexohet në bazë të formulave të teksteve të shenjta (Moisiu dhe populli; Muhameti dhe populli; Krishti dhe hebrenjtë; perënditë pagane; lumi Matatona). Nga ana tjetër, Plugu, misionari, mendohet të jetë një alter-ego e Faik Konicës. Lidheni këtë interpretim me ngarkesën simbolike që mban emri i misionarit. A ju ndihmon publicistika e Konicës për të mbështetur ngjashmërinë e Plugut me të?

11. Ndërtoni dy fusha leksikore: në njërën vendosni fjalët që krijojnë lidhje semantike me vrapin dhe në tjetrën, fjalët që lidhen me shpellën. Krahasojini ato. Analizoni kundërvënien që krijojnë kuptimet e tyre kontekstuale.

12. Fraza: “një mal që ngrihej porsi një mur prej shkëmbi, e shtrëngonte që të vazhdojë gjatë zallit, folja shtrëngonte”, ka fituar kuptim të shumëfishtë. Argumentojeni atë duke pasur parasysh: - pozitën e Plugut; - marrëdhënien e tij me turmën; - rrezikun që e kërcënon atë.

13. Në përshkrimin e mënyrës se si i pret vjershat turma, Konica përdor satirën therëse. Këtë e dëshmojnë pasthirrmat dhe pyetjet retorike. Identifikojini dhe analizojini ato. Nga ana tjetër,

Letërsi96

rrëfimtari nëpërmjet metaforës mbyti një të qeshur në grykë, kërkon të pohojë vetëdijen e misionarit. Analizojeni metaforën në perspektivën e rrëfimtarit.

14. Në grupet perëndi prej dushku dhe perëndi prej borige, analizoni vlerën që merr përdorimi i rrjedhores. Lidheni këtë përdorim me: - satirën e fortë të rrëfyesit; - zhvleftësimin që merr miti mbi perënditë; - nivelin kulturor të turmës.

Nga teksti te përdorimi

15. Në pjesën më të madhe, teksti është ndërtuar në vetën e tretë, pra flet rrëfimtari. Në pjesë të caktuara kalohet në një lojë dialogu midis turmës dhe misionarit. Kthehuni në tekst dhe veçoni këto pjesë. Si e realizon gjuhësisht dialogun autori? Tregoni se çfarë efekti të krijon ky procedim.

16. Në frazën: “...ke faj ti që na shfaqe vetëm ligësinë tënde dhe mbajte të fshehura madhësitë që të falnë Boriga dhe Dushku”, shfaqet figura e metonimisë boriga dhe dushku. Figura e metonimisë ndërtohet mbi marrëdhënien e afrisë. Në kulturat fetare, a njëjtësohet miti i perëndisë me objekte tokësore (drurët pyjorë, në këtë kontekst)? Argumentoni vlerën që merr ky përdorim në gjuhën e turmës. A përshtatet kjo me të vështruarit e turmës si një individ i vetëm?

17. Pse autori e fillon frazën me lidhëz: Dhe doli nga shpella si një hije e vetvetes... Pse e mbyll atë me retiçencë?

18. Lexoni metaforën lëroj shkëmbin dhe konsultoni në fjalorët e gjuhës shqipe kuptimin e foljes lëroj. Ç`të thotë për vetëdijen e misionarit pranëvënia e kuptimit të foljes lëroj me objektin e shkëmbit?

19. Të njëjtin kërkim bëjeni për foljen plugoj dhe emrin e përgjithshëm plug. Çfarë analogjie krijon në kuptimin kontekstual të fragmentit kjo familje fjalësh?

Nga teksti te reflektimi

20. Kthehuni në paragrafin e parë dhe reflektoni mbi grupin “Perëndinë prej borige”. Cila është arsyeja që autori e përdor përcaktorin? A lidhet kjo me vërtetësinë e besimit të zulluve?

21. Analizoni vlerësimin që i bën autori statusit moral dhe patriotik të zulluve. Cilat janë referencat për këtë vlerësim?

22. Teksa flet për zullutë, qëllimi i autorit ka qenë t’i krahasojë ata me shqiptarët dhe të ngacmojë ndërgjegjen e tyre kombëtare. Si e gjykoni ju krahasimin mbi besimin?

23. Duke folur për zullutë dhe duke nënkuptuar shqiptarët, autori përdor me shumë sukses alegorinë. Mendoni se detajet që përdor autori janë domethënëse për të treguar nevojën e popullit shqiptar për ndryshim?

24. A mund ta përmblidhni me një fjali të vetme mesazhin që Konica kërkon t’u japë bashkatdhetarëve të tij nëpërmjet këtij fragmenti? Po nëpërmjet gjithë veprës?

Nga teksti te të shkruarit

A është aktuale kjo satirë? Shkruani mendimin tuaj në një ese, e cila të fillojë me frazën: “Pas studimeve në vendet perëndimore, ai u kthye në Shqipëri...”

Letërsi 97

Gjuhë ARTIKULIMI GJUHËSOR, NGA FJALIA E THJESHTË TE PARAGRAFI

Të folurit dhe të shkruarit janë që të dyja forma të komunikimit që përdorin gjuhën. Gjuha e realizon funksionin e saj praktik përmes akteve gjuhësore. Për të shprehur qartë mendimin, fjalët kombinohen në fjali, në paragrafë, në tekste, përmes rregullave që krijojnë normën gjuhësore. Ato përfshijnë të gjitha nivelet e sistemit gjuhësor: nivelin fonetik, leksikor, morfologjik, sintaksor.

Fjalia është njësia themelore sintaksore. Ajo del zakonisht me një bërthamë me një ose disa bërthama foljore. Fjalia është fragmenti i ligjërimit, i përbërë zakonisht prej dy a më shumë fjalësh kuptimplota, të bashkuara në një tërësi të vetme kuptimore, gramatikore dhe intonative. Fjalia mund të jetë e formuar edhe prej një fjale të vetme me vlerën e një kumtimi.

Fjalitë janë të thjeshta dhe të përbëra. Fjalitë e thjeshta kanë një folje (kallëzues) në një nga gjashtë mënyrat vetore: dëftore, lidhore, dëshirore, habitore, kushtore dhe urdhërore. (Pogradeci është qytet në juglindje të Shqipërisë.) Fjalitë e përbëra kanë më shumë se një folje, në raporte të caktuara kuptimore dhe gramatikore midis tyre si një tërësi e vetme (me bashkërenditje dhe nënrenditje) (Pogradeci është qyteti turistik, buzë liqenit të mrekullueshëm të Ohrit, që mirëpret vizitorë në çdo stinë të vitit.)

Paragrafi është një njësi e të shkruarit, një grup fjalish të lidhura rreth një ideje kryesore, e cila duhet shtjelluar. Kjo quhet tema ose fjalia tematike. Ajo duhet të jetë koncize dhe e theksuar. Fjalitë e tjera të paragrafit, që quhen fjali mbështetëse, japin shpjegime ose plotësojnë fjalinë tematike. Paragrafi ka tri pjesë përbërëse: fjalinë kryesore, trungun (pjesën shtjelluese) dhe fjalinë përmbyllëse. Gjatësia e paragrafit mund të jetë e ndryshme.

Pogradeci është qytet turistik. Ai shtrihet mes gjelberimit. Qyteti ka kohë që ka filluar të tërheqë masivisht pushues nga vendi dhe bota. Natyra e bukur, ajri i freskët dhe liqeni i tij i papërsëritshëm, me një thellësi që shkon deri në 300 metra, e bëjnë tërheqës qytetin liqenor. Pogradecarët, mikpritës dhe të dashur, i duan pushuesit dhe bëjnë të pamundurën për t’i kënaqur ata.

Një paragraf i shkruar mirë duhet të plotësojë disa kritere: të ketë unitet, pra, të përqendrohet në një ide (Promomovimi i Pogradecit si qytet turistik.); të jetë i kuptueshëm, pra, duhet të jetë i qartë dhe i renditur në mënyrë logjike (Në këtë paragraf vihet re renditja e fjalive sipas një koherence logjike të një teksti përshkrues me tipare reklamimi . Pra elementi kryesor i fjalisë tematike Pogradeci si qytet fillon e përshkruhet në fillim me natyrën , vendet tërheqëse, që ofron dhe pastaj mikpritjen e qytetarëve të tij.); të ketë strukturë, pra, rreshti i parë i paragrafit është më i zhvendosur prapa në krahasim me ata që vijnë më pas (Me këtë kriter luhet mjaft sot, sepse mundësitë që ofron kompjuteri janë të shumta.);

Pogradeci
98 Gjuhë

Për të kaluar nga njëri paragraf në tjetrin përdoren:

përsëritja. Nga paragrafi pararendës merret një fjalë apo një shprehje kyçe për t’u përdorur në fillim të paragrafit tjetër;

një pyetje retorike që bëhet në paragrafin pararendës, së cilës i jepet përgjigje në fillim të paragrafit vijues (P.sh:. A është agresiviteti shenjë inferioriteti? Kjo pyetje mund të marrë përgjigje të ndryshme.);

• modelet sintaksore, të cilat lidhen me përsëritjen e së njëjtës strukturë bazë në fjali të njëpasnjëshme. (P.sh:. njeri ka gëzimet e veta. Çdo njeri ka dhe hidhërimet e veta. Të gjitha këto histori e ndjesi përbëjnë jetën e tij.).

Paragrafi linear zakonisht ndërtohet nga fjali në të cilat mendimi lëviz në mënyrë të drejtë. Në paragrafin në vijim vihet re se fjalia e parë është fjalia tematike, e cila ka si objekt shtjellimi sportin dhe rëndësinë e tij për shëndetin tonë. Në fjalinë e dytë specifikohen të mirat që sjell sporti në shëndetin mendor në veçanti. Në fjalinë e tretë jepet përkufizimi mbi shëndetin mendor. Në fjalinë e fundit jepet një saktësim mbi studimet mbi shëndetin mendor. Pra po ta shikoni cdo fjali rimerr një element të fjalisë paraprirëse.

Sporti është një aktivitet shumë i shëndetshëm për njeriun. Ai i sjell mjaft të mira vecanërisht shëndetit mendor. Shëndeti mendor ka të bëjë me mirëqenien psikologjike ose mungesën e sëmundjeve nervore. Studimet mbi sëmundjet nervore kanë pësuar një rritje në shekullin tonë, pasi është rritur edhe ndërgjegjsësimi i njërëzimit për to.

Paragrafi i degëzuar. Ky paragraf organizohet në mënyrë të ndryshme nga ai linear.

Elementi kryesor që jepet në fjalinë tematike merret dhe shtjellohet në disa degëzime. Kështu në paragrafin më poshtë në fjalinë tematike çështja kryesore e tij ka të bëjë me arsyet e ngrohjes globale. Në vijim të paragrafit ky koncept shtjellohet. Në se do të bënim një skemë kjo do të kishte në qendër arsyet e ngrohjes globale dhe në formë rrezesh arsyet. Arsyet e ngrohjes globale janë të ndryshme. Një ndër to është rritja e ndotjes së ajrit, pra çlirimit të dioksidit të karbonit nga fabrikat makinat etj. Një tjetër ka të bëjë me prerjen e pyjeve. Shkrirja e akujve të zonave akullnajore të planetit gjithashtu shihet si shkak i ngrohjes globale gjithashtu.

Paragrafi rrethor mbaron aty ku ka filluar. Zakonisht përputhet fjalia e fillimit me të mbarimit. Elementi kryesor i fjalisë tematike rimerret nëpër ide të tjera, por kthehet sërish mbrapsht e përsërit idenë e fjalisë së fillimit. Në paragrafin më poshtë fjalia e parë (që është fjalia tematike ) përsëritet edhe në fund. Fjalitë e brendshme të paragrafit një pjesë janë të lidhura në formë lineare, kurse e parafundit lidhet edhe me fjalinë tematike nëpërmjet fjalës luftë. Zakonisht paragrafë të organizuar në mënyrë të tillë kanë synim theksimin e idesë në fjalinë tematike. Ky lloj strukturimi përdoret edhe me efekte konotative si pjesë e fjalimeve politike, filozofike, e teksteve letrare etj.

A do të arrijë qenia njerëzore të fitojë luftën me veten? Kjo tematikë është trajtuar gjerësisht në tri proza të Migjenit. Në to jepet qenia në dilemë përzgjedhjeje mes së mirës e së keqes. Të dyja janë pjesë e qenies, po me sa duket ajo ka përzgjedhur të sublimojë të keqen në këtë botë. Megjithatë në brendësi të tij zhvillohet një luftë e tmerrshme përbuzjeje e simpatie, dëshirash e apatie, adhurimesh e mallkimesh. Në gjithë këtë kapërthyejeje ndjesish a do të arrijë qenia njerëzore të fitojë luftën me veten?

Ngrohja globale
99Gjuhë

Paragrafi i çlirët. Ky paragraf nga vetë emërtimi nuk ka një strukturë fikse si ato që pamë më sipër. Një pjesë e tij mund të përputhet me paragrafin e degëzuar. Degëzimet shtjellohen më hollësisht dhe pjesë të caktuara të tyre mund të lidhen direkt me elementin kryesor të fjalisë tematike. Gjithsesi nuk mund të përcaktohen skema fikse edhe në këtë lloj paragrafi. Në paragrafin më poshtë fjalia tematike trajton ardhjen e pranverës, e cila shtjellohet në dy degëzime në lidhje me çeljen e luleve dhe gjelbërimin, si dhe në lidhje me ndryshimet e garderobës së njerëzve si pasojë e ngrohjes në pranverë. Secili degëzim shtjellohet më vete. I dyti më gjerësisht. Gjithashtu fjalia e fundit që është pjesë e degëzimit të dytë lidhet me fjalinë e parë nëpërmjet sinonimisë së pjesshme (alternim-ndryshim). Ky është një rast shumë i thjeshtë, po ky lloj paragrafi mund të marrë trajta shumë të larmishme, pa humbur logjikën dhe koherencën e organizimit të saj. Pranvera e atij viti ishte pati alternime të çuditshme temperaturash. Në fillim filloi me temperatura të ngrohta , gjë që bëri që të shpërthenin sythat dhe të dilnin lulet e para. Gjelbërimi mbuloi deri diku kopshtet e fushat. Nga temperaturat e ngrohta njerëzit filluan të heqin veshjet e dimrit e të vishen më lëhtë. Mirëpo rënia e menjëhershme e temperaturave bëri që ata të visheshin sërish trashe. Një dukuri e tillë shtoi numrin e virozave dhe të sëmurëve.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Nëpërmjet kujt realizohet komunikimi?

2. Fjalia është njësia themelore sintaksore. Cilat janë tiparet e saj?

3. Gjeni në mësim dhe rikujtoni konceptin mbi fjalitë e thjeshta e të përbëra. Ilustroni me shembuj.

4. Për të kaluar nga një paragraf në tjetrin ka disa mjete ose disa teknika që përdoren. Dalloni këto teknika dhe ilustroni me shembuj.

5. Në mësim përcaktohen katër lloje paragrafësh. Emërtoni secilin prej tyre dhe ilustroni me shembuj.

6. Tregoni kriteret që duhet të plotësojë një paragraf i shkruar mirë dhe me cilat mjete gjuhësore kalohet nga njëri paragraf në tjetrin?

Ushtrohuni përmes tekstit

7. Plotësoni tabelën e mëposhtme me një shembull, duke u nisur nga fjalia e thjeshtë e deri te paragrafi.

Fjali e thjeshtë

Fjali e përbërë

Paragraf

8. Zgjeroni fjalinë: “Ёshtë një harmoni e vërtetë ngjyrash”:

a) me një fjali të bashkërenditur;

b) me pjesë të nënrenditur rrjedhimore dhe qëllimore;

c) me një paragraf shpjegues.

9. Jepni nga një shembull sipas llojeve të paragrafëve, duke diskutuar për fjalitë tematike dhe fjalitë mbështetëse të secilit prej tyre.

100 Gjuhë

10. Lexoni tekstin dhe përcaktoni llojin e secilit paragraf. Identifikoni fjalitë tematike dhe fjalitë mbështetëse në çdo paragraf. Përcaktoni mënyrën se si bëhet kalimi nga njëri paragraf te tjetri. Shqipëria është vendi i festivaleve të këngëve dhe të valleve folkloristike, vendi i kostumeve të bukura, serioze dhe delikate, që i përshtaten relievit plot larmi të natyrës shqiptare. Ngjyrat që stolisin kostumet, me nuancat e tyre, ua shtojnë bukurinë formave dhe konkurrojnë me natyrën. Etnografët zbulojnë në ato kostume lashtësinë e popullit shqiptar, artizanët, mjeshtërinë dhe talentin e të punuarit, piktorët, harmoninë e ngjyrave dhe të proporcioneve, poetët, dashurinë për jetën, historianët, prejardhjen e ilirëve. Kjo degë e etnografisë është pasqyruar në filateli dhe tanimë përbën një tematikë më vete me perspektivë. Çdo vit, në muajin maj, në sheshet e qyteteve dhe fshatrave tona, ngrihen podiumet e festivaleve folkloristike, mbi të cilët, këngëtarët dhe këngëtaret më të mira, rapsodët dhe rapsodet e reja, valltarët e valltaret këndojnë dhe hedhin valle. Me kostumet karakteristike që kanë veshur, ata përfaqësojnë krahinat e tyre. Kësulat tipike, jelekët e bukur, çakçirët, fustanellat apo çitjanet e grave, me brezat ngjyra-ngjyra, që rrethojnë belet e bukura, opingat apo caruqet me xhufka ose pa xhufka tërheqin këdo që i sheh. Një harmoni e vërtetë ngjyrash. Çdo ngjyrë në vetvete është e bukur, por harmonia varet te shoqërimi i tyre. Pikërisht këtu, mjeshtëria ka arritur kulmin. Kur shikojmë këto kostume, na duket sikur parakalojnë krahinat e ndryshme të Shqipërisë: Malësia e Madhe, Zadrima, Kukësi, Dardha, Myzeqeja, Tirana, Dropulli, Labëria. Çdonjëri prej këtyre kostumeve ka historinë e tij. Shumë nga ata lidhen edhe me ndonjë legjendë…. Sh. Osmani, “Kontribut për historinë e filatelisë shqiptare”

11. Dalloni llojin e paragrafit dhe skemën e ndërtimit të tij. Bëni një skemë për secilin prej tyre. Folklori është një lloj letërsie që ka autor anonim. Ai përfaqësohet nga proza e poezia. Të dyja këto tekste janë një pasuri e çmuar e kulturës së popullit tonë. Populli ynë ka dëshmuar gjithnjë se ka pasur një shije të hollë artistike. Kjo shije është përpunuar për shekuj me radhë.

Folklori është një pjesë shumë e rëndësishme e botës shpirtërore të qenies shqiptare, që përbën një fond të mrekullueshëm të pasur me legjenda, përralla, këngë e valle popullore. Janë të shumta legjendat të cilat pasqyrojnë ndër të tjera kodet e nderit të shqiptarit si besa, nderi mikpritja etj. Janë të shumta përrallat të cilat argëtojmë e njëkohësisht përcjellin edhe mesazhe edukuese. Janë të shumat këngët e vallet popullore që të mahnitin me koloritin e magjepsës të ngjyrave, ritmeve, lëvizjeve etj. Pse është i rëndësishëm folklori në shkollë? Kjo është një pyetje që shumë studiues nuk e kuptojnë se si mund të shtrohet për diskutim. Studiuesit harrojmë se jo të gjithë njerëzit e kanë njohjen e duhur mbi këtë çështje dhe vlerën e jashtëzakonshme të saj. Ajo përcjell mbi të gjitha shpirtin, ndjeshmërinë, traditën , shijen artistike të popullit tonë. Atëherë a duhet të pyesim : Pse është i rëndësishëm folklori në shkollë? Folklori është lëvruar në disa forma një prej tyre është proza . Kjo na shfaqet përmes legjendave, miteve e përrallave. Këto përcjellin imazhe të mrekullueshme të zgjuarsisë, trimërisë, guximit etj. Këngët e vallet popullore janë një pjesë tjetër e rëndësishme e fondit folklorik. Ato përcjellin një larmishmëri motivesh, ritmesh lëvizjesh etj. Mjaft prej këtyre llojeve folklorike janë mbledhur nga njerëz të kulturuar, që e dinin vlerën e jashtëzakonshme të tij. Këngët e vallet popullore e kanë përfaqësuar denjësisht vendin tonë në botë. Së bashku me prozën popullore ato përbëjnë shënjimin tonë si komb.

Sfida e të shkruarit

Shkruani katër lloje paragrafësh sipas tematikës së mëposhtme:

Midis të rinjve të moshës 20 vjeç dhe njerëzve të moshës 40 vjeç ka shume ndryshime në mentalitet Lexojini në klasë dhe sqaroni mënyrën e ndërtimit të tyre.

101Gjuhë

Letërsi

Lasgush Poradeci

Lasgush Poradeci lindi në Pogradec, më 1899-n. Mësimet e para i mori në vendlindje. Pasi u formua më tej në Athinë dhe Bukuresht, në vitin 1924 vijoi studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermanike, në Universitetin e njohur të Gracit (Austri). Atje mbrojti disertacionin me temë “Poezia e Emineskut dhe lidhjet e saj me poezinë popullore”, duke shlyer kështu edhe një detyrim shpirtëror ndaj poetit të madh rumun, që e kishte pasur si model. Më 1934-n kthehet në atdhe. Punoi në gjimnazin e Korçës si mësues i estetikës. Pas Luftës së Dytë Botërore, Poradeci punoi si përkthyes letrar profesionist në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Më pas bëri një jetë të tërhequr e disi të mbyllur në botën e tij të përfytyrimeve poetike, duke u kthyer në një legjendë që në gjallje të tij. Vdiq në Pogradec, më 1987-n dhe la pas një vepër poetike të rrallë për nga larmia e shprehjes dhe e formave.

Profili modern i një poeti

Poezia e L. Poradecit shënon një dukuri komplekse, në kuptimin më të thellë të kësaj fjale. Në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX, pak njerëz ishin në gjendje ta kuptonin këtë lloj poezie. Ajo u shfaq më tepër si një lloj provokimi. Në të trajtoheshin probleme ontologjike, filozofike si koha dhe kuptimi i saj, përjetësia, vdekja, dashuria dhe natyra, të vështruara në një mënyrë të papritur, me një simbolikë dhe një sistem figurativ të pahasur më parë nga bashkëkohësit, por që ruan edhe në ditët tona një befasi të fshehtë, siç do të vinte në dukje Martin Camaj në një nga përshtypjet e tij për poezinë e Lasgushit.

Prania e magjisë, erotikës, universalitetit, modernitetit dhe njëherazi frymës autoktone, do të bëjnë që poezia e Poradecit të kaplojë gjithë këtë shekull dhe të bëhet shumë e vështirë për t’u etiketuar. Në mënyrë të përmbledhur, prof. Eqrem Çabej do të shprehej: “Ç’e ndryshon nga të parët është thellësia... është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet. Në qoftë se kjo nuk është vënë re deri tani, shkaku është se më të shumtit nuk e kuptojnë poezinë e tij, e cila me fjalë dhe me mënyra fare të thjeshta, e shumë herë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mund të nxjerrë në dritë mendimet më të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta”. Me dy veprat e tij poetike, Vallja e yjeve dhe Ylli i zemrës, Lasgushi solli në poezinë shqipe një sërë cilësish të reja, të cilat lidhen me një shkallë të lartë ndjeshmërie, me një vetëdije të re estetike, që e ka bazën në rivlerësimin e figurave të shprehjes poetike dhe me emancipimin e poezisë së re shqipe në tërësi. Për këtë arsye, qysh në fillim, ai u prit si themelues i poezisë moderne shqipe. Shenjë e dukshme e këtij moderniteti ishte se ai e ndiente veten kryekëput poet krijues, duke e konceptuar poezinë të çliruar nga detyrime të natyrave të tjera, politike a sociale. Këtë kredo poetike, Lasgushi e paraqet qysh në poezinë “Zog i qiejve”, e cila zë vendin e një parafjale të veprës së tij poetike.

Këng’ e lasht e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak...

Do ta marr që sot e tutje si bilbili parëverak

Që nga fund i vetëvetes do këndoj një mall të ri...

Letërsi102

Sistemi modern i poezisë së Poradecit

L. Poradeci krijoi një sistem poetik krejt të vetin, bazuar mbi parime estetike, filozofike e poetike krejt origjinale. Poezitë, të grupuara në cikle sipas disa kriteresh, ruajnë vijimësinë e tyre. Gjithë struktura e veprës së tij vë në pah karakterin tërësor të domethënies së veprës. Kjo domethënie është e formuar nga disa lidhje të brendshme mes njohjes e vetënjohjes; vdekjes dhe përjetësisë; dashurisë dhe mallit; dhimbjes poetike dhe perfeksionit; duke formuar në këtë mënyrë një rrjet lidhjesh, në të cilat organizimi dhe vendosja në varësi hierarkike e tyre përbëjnë sistemin e ndërtimit strukturor të poezisë së Lasgush Poradecit. Kjo bën të mundur që poezia e tij, ashtu siç lexohet në njësi të vogla, ashtu duhet/mund të lexohet edhe në tërësinë e saj. Sistemi poetik është një ansambël, që përfshin lidhjet e së tërës me pjesën.

Simbolika e shenjave të sistemit

Në këtë sistem ndodh lëvizja harmonike e shenjave që merr formë, si: valle e yjeve, si valle e luleve, si valle e dherit, si valle e përjetësisë.

Në poemthin “Vallja e yjeve”, poeti, si krijues i një universi, ka projektuar vallen e qiellit: lëvizjen hapësinore, lëvizjen kozmike, vallen harmonike të një makrokozmosi; zemrën e qiellit: qendrën e ekuilibrit hapësinor, qendrën e dashurisë universale, energjinë e dashurisë hapësinore; vallen e dherit: lëvizjen e tokës, vallen e objekteve të tokës, harmoninë e vallëzimit të ngrohtë të dherit; zemrën e dherit: qendra nga përhapet gjaku dhe dashuria e dherit, vatra ku ngrohen gjithë erërat e dherit; zemrën e jetës: ajo lind nga zonat e dherit, është qendra e dashurisë, e dufit erotik, e provës së ekzistencës.

Yjtë – e ndezur si fëngjill Që vërtiten palë – palë, prej mosgjësë zunë fill Plot me jetë – e mall të valë.

Yjtë – e ndezur aqë larg. Lozin vallen e dëshirës Duke ngritur varg – e – varg Nëpër terr të hapësirës.

Në këto qarqe janë projektuar zonat më të mëdha të njohjes njerëzore: qielli, toka, zoti, përjetësia, vdekja, jeta, njeriu në lëvizje dhe në qetësi, në harmoninë e përgjithshme

Lasgush Poradeci, Asdreni, Ernest Koliqi, Tefta Tashko, Lola Gjoka, Shkodër, shkurt 1938, me rastin e ardhjes së Asdrenit në Shqipëri
Letërsi 103

universale, në metafizikën e tyre, duke u orvatur të njohë thelbin e tyre ekzistencial. Në këto plane madhore, nënshtresohen elementet përbërëse të botës që na sugjeron poeti, në një shtrirje piktoreske me: yjet, liqerin, stinët, fshatin, trimin, vashën, lëndën, frymën, qëllimin, Zotin, gjeniun, nositin etj. Kjo është bota që na ofron poeti, e gjerë, e thellë, me fluturime në hapësirë, me krijimin e yjeve në qiell, me nënbotë, me praninë e Zotit, të frymës, qëllimit, dhe deri te jeta rustike, liqeri, mëngjeset, mbarimet e vjeshtës, me zogjtë, lulet. Por nuk mungon në këtë botë edhe dashuria, vasha, mërgimi shpirtëror e malli i vjershëtorit.

E si kurrë nuku mund Ylli yllin që ta kapë, Rrotull qiejve pafund Venë e vinë e venë prap.

ose Në këtë çast perëndimor, Ndaj po më dehen sytë-e mi, Kuptoj si shpirtin vjershëtor Ma frymëzon një mall i ri.

Duket se ambicia e poetit ka qenë krijimi i një bote poetike me të gjithë hapësirën që të sugjeron bota reale, me të gjitha rrafshet e ndërtimit të saj: atë qiellor, nënqiellor, tokësor e nëntokësor.

Ndjenja e mallit dhe e dhimbjes

Motivi i mallit, i shoqëruar nga dhimbja, ndeshet rëndom në poezinë e Lasgushit. I ndikuar nga poeti rumun Eminesku, Poradeci solli ndjenjën e mallit si motiv të vetmisë dhe të të qenët larg atdheut. Vetmia dhe ndjenja e tërheqjes në natyrë, peizazhi me elementet e përbashkëta –korija, pylli, liqeri, yjet etj. – janë terreni ku gatuhet ky mall i përbashkët. Por, nëse Eminesku konsiderohet si i fundit romantik europian, Lasgushi është, pa dyshim, një postromantik. E për sa i përket dhimbjes, kjo ndjesi e shoqëron vargun e Lasgushit edhe përtej ndjesisë së mallit, siç do ta shohim në analizat e mëposhtme.

Lidhja me poezinë popullore

Prurje e re poetike ishte edhe raporti i poezisë lasgushiane me poezinë popullore. Jo vetëm objekt frymëzimi, por edhe burim i pashtershëm mjetesh stilistike, fjalësh të rralla e konceptesh të shëndosha morale, poezia popullore ishte për Lasgushin sintetizim i mjeshtërisë dhe i gjenisë kolektive. Mjaft të përmendim këtu motivin e mallit që poeti, me intuitë dhe ndjeshmëri, e mori nga burimi i poezisë popullore dhe e bëri një nga motivet më të parapëlqyera dhe më të ndjera të poezisë së tij.

Po këngët që sot më nuk janë, Përmbysen me mall në mërgim. Përmbytur mjerimesh pa anë, Ndrin Yll`i të rriturit tim.

Kur shtrohet vala përmbi zall

E fryn një këng`e pakuptuar, Të pashë motër plot me mall, Më pe me shpirt të llaftaruar.

Përbërësi themelor semantik, i cili shënon ndjenjën sunduese në veprën poetike të L. Poradecit - ku konvergojnë të gjitha

Letërsi104

linjat, nga të gjitha rrafshet kuptimore dhe nëntekstore, ku gjen shpjegim thelbi i krijimit - është dashuria. Në tekstin lasgushian, ajo është e shtresëzuar në tri plane themelore: 1. dashuria universale për artin në përgjithësi; 2. dashuria e përjetshme njerëzore si kategori filozofike; 3. dashuria e trimit dhe e vashës.

Se më pak e shëmbëllen:

Aq më shumë-e djek dëshira...

Pa nga malli që s’e gjen, Dridhet gjithë hapësira.

Dh’ashtu posi dikur

Nga largësira

Më del plot hir e nur Ajo më e mira.

Përmi kodrinë atje Mënjanuar bote, M’u shfaqe plot hare, Fshehtësiplote. Poezia e Lasgushit përuron një fazë të re të poezisë shqipe, në të cilën kujdesi për formën dhe vargun, për tingëllimin dhe ligjërimin poetik, përbëjnë përparësi të sistemit poetik në përgjithësi.

Poeti piktor

Përveç rasteve ku poezia ndihmohet nga imazhi piktoresk, te Poradeci vërehen edhe poezi që u besohen krejtësisht mjeteve të pikturës, ku imagjinata është e magjepsur nga imazhi letrar, si te pastelet: “Zemra e liqerit”, “Dremit liqeri”, “Mbarim vjeshte”, “Dimër”, “Korrik”, “Mëngjes”, “Kroi i fshatit tonë” etj. Në këto poezi, poeti kujdeset ekskluzivisht për figurën dhe për përjetimin tyre, ku kërkohet një aktivizim i shqisave të të parit. Poeti krijon një univers duke radhitur frazat, duke respektuar gjithmonë ligjet e mëdha të imagjinatës. Gjuha evoluon më shumë përmes imazheve të saj, sesa përmes përpjekjeve semantike. Imazhi letrar i vë fjalët në lëvizje, duke iu dorëzuar funksioneve të tyre përfytyruese.

Letërsi 105

Mi zall të pyllit vjeshtarak

Dremit liqeri pa kufi.

Ai ndaj fundesh u përflak, Posi me zjarr e me flori.

Lasgushi krijues i fjalës shqipe

Fjalët e krijuara nga Lasgushi, me finesë e muzikalitet, dëshmojnë për njohje të thellë të modeleve prodhimtare të shqipes, për aftësinë potenciale të saj, për zotërimin e mekanizmave të funksionimit të saj. Po përmendim vetëm disa prej tyre: gazmuar, fatuar, qetuar, dimëruar, dhëndëruar, pakore, gjeratore, thëthimtar, fërfëllimtare, këngëtar-finosh, fat-miroshe, bilbil-finosh, sy-larme, bashkohesh-rritesh-me përjetësi, jetë-evdekje-përqafuar etj.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat problematika trajtohen në poezinë moderne të fillimit të shekullit XX?

2. Çfarë cilësish të reja solli Poradeci në letërsinë shqipe me dy librat e tij poetikë?

3. Cila është kredoja poetike e Poradecit dhe ku shfaqet ajo në poezinë e tij?

4. Ku është bazuar sistemi poetik i poezisë së Poradecit?

5. Ç’formë merr lëvizja harmonike e shenjave në sistemin poetik të Poradecit?

6. Ku takon dhe dallon Poradeci me Emineskun?

7. Cilat janë elementet që tregojnë lidhjen e poezisë së Poradecit me poezinë popullore?

8. Cili është kontributi i Poradecit në gjuhën shqipe?

Ushtroni mendimin kritik

9. Poradeci është quajtur poet postromantik. Si e argumentoni këtë emërtim, bazuar në njohuritë që keni për:

- romantizmin europian dhe atë shqiptar; - kontekstin letrar kur shkroi Poradeci.

Sfida e të shkruarit

10. Analizoni disa nga fjalëkrijimet e Poradecit në poezinë e tij. Ndajini ato sipas mënyrës së fjalëformimit.

11. Tregoni shumëkuptimësinë e fjalëve të krijuara prej tij.

Letërsi106

ANALIZË E VEPRËS

Analizë e poezive filozofike të Lasgushit

Përjetësia, dashuria dhe vdekja zënë një vend të rëndësishëm në veprën e Poradecit. Përmes qëndrimit që mban ai ndaj këtyre kategorive universale, bëhet i mundur edhe zbërthimi i disa nyjave të kumtit të tij. Vdekja është e shoqëruar me gjeniun, me fatin e tij të paracaktuar, me kushtet e tij tragjike.

Gjeniu është i vetëdijshëm për kufijtë e ekzistencës së tij dhe, për këtë, vuan thellësisht. Vuajtja e tij është e dëshirueshme, e ndërgjegjshme, ndërkohë që vuajtja e njeriut, që nuk reflekton mbi fatin e tij, është e padëshirueshme. Ky specifikim është veçanërisht i rëndësishëm, sepse nxjerr në pah kushtet tragjike të gjeniut.

Dënimi im s’më tremb aspak!

Dënimi im nis e m’i lak

Fërngjitë-e shpirtit varfanjak: (“Lundra dhe flamuri”)

Në tekstin lasgushian, vdekja shfaqet si vdekje me gaz, pa kurrfarë makabriteti, pa dhembje ekzistenciale, pa kurrfarë tmerri që sugjeron akti i vdekjes, por dhimbja që ndien poeti shkon në progresion me kryerjen e misioneve, me realizimin e idealit. L. Poradeci e ka pohuar këtë ide në tri poezi: “Gjeniu i anijes”, “Lundra dhe flamuri”, “Vdekja e nositit”. Në këto poezi, vdekja vjen si shërim, si shpërblim i asaj që ke jetuar, si meritë. Jeta e heronjve e ka përmbushur misionin e saj, por flijimi sigurisht vjen me dhimbje. Ky qëndrim i poetit ndaj vdekjes bëhet i mundur përmes shenjash poetike, simbolesh dhe një sërë rrathësh dhe figurash që mposhtin tonin e errët të vdekjes: E s’duket gjë kur humb, Veç pluhurës si shkrumb Lart mi katart si thumb:

Flamur’ i pastër që m’u nxi Në sulm të lumtur për liri, Qëndron gazmor në lartësi!.. (“Lundra dhe flamuri”)

Në një vështrim të parë, në të tria poezitë e përmendura më sipër, situata poetike e përzgjedhur është e njëjtë dhe shenjat e zgjedhura, të ngjashme. Te të tria, heroi vendoset në raporte të pazgjidhshme me liqenin/detin (është objekti që do t’i marrë jetën ose, e thënë ndryshe, nga liqeni/deti do t’i vijë vdekja. Sido që ta shohësh, liqeni/deti merr pjesë me densitet të lartë në të tria poezitë).

Simbolet janë: liqeri (deti), Nositi, Flamuri, Lundra, Gjeniu i anijes. Nositi, Gjeniu: simbolet e krijuesit të flijuar, të lodhur, të sakrifikuar, por pa dhimbje për idealin.

Flamuri, Lundra, Anija: simbole të idealit - ato që e udhëheqin në jetë, që e drejtojnë, që ia mbushin jetën me brendi, që ia bëjnë jetën më të kuptimtë dhe më të qetë.

Liqeri/deti: aty nga vjen vdekja. Ballafaqimi i simboleve të sipërpërmendura me liqenin - të cilin Lasgushi e paraqet si në arenën e vdekjes, por dhe në atë të dashurisë (Vdekja e nositit) - e shndërron atë në një shenjë-qendër kuptimore të të tria poezive.

Elementet e tjera që përzgjedh autori janë po kaq domethënëse, si: pëlhura, zjarri, gjeratoret, tallazi etj.

Letërsi 107

Un’ ik liqerit zemërak

Fatlum dh’i pastër si zëmbak, Po zemra ime kullon gjak:

Ahere-helmohet e buçet

Pas mallit tim liqeri-i shkret, E rrit tallazin posi det (“Vdekja e nositit”)

Në raportet e jetës me vdekjen vlen të shihet te këto poezi vendi që u jepet trupit, shpirtit dhe idealit. Vdekja bëhet me gaz prej shpirtit, prej idealit, ajo e mbush me brendi, ajo e bën vdekjen të lehtë. Mesazhi që transmeton poeti është nga më fisnikët. Jeta me brendi, me ideal, me funksion suprem, merr akoma më shumë vlerë përballë vdekjes. Ky mesazh te poezitë që marrim në shqyrtim është identifikim me vetë Lasgushin, por edhe me krijuesin, poetin në përgjithësi, po aq sa ç`është edhe një apel e grishje për ta jetuar jetën me brendi, me ideal, me sublimitet. Se prapa le vazhdën e ndritur

Q’e hapa me shpirtin fatos

Fistonin gazmor ku pat shkitur

Valimi i anijes q’u sos.

Në vargjet e mësipërme, ndonëse kumtohet rruga shpirtërore, dy vargjet e dyta afrojnë me botën materiale, vizuale. Lasgushi bën lidhje të të dyja botëve përmes një figuracioni paralel; simbolet e lëndës ndriçojnë ato të frymës e anasjelltas. Më të dukshme bëhen shenjat në vargjet:

Valimi i anijes së lehtë Qetohet, ndalohet, mbaron

Gjeniu i anijes përjetë Hepohet... anohet... valon... (“Gjeniu i anijes”)

M. Kuteli me shumë të drejtë konstaton: “Vargu i parë tregon fatin e anijes, të trupit prej balte, kurse i dyti tregon rrugën e gjeniut, të shpirtit. Balta: qetohet, ndalohet, mbaron; shpirti hepohet... anohet... valon”.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë poezitë filozofike që përcjellin dy konceptet bazë të ekzistencës së njeriut: jetën dhe vdekjen?

2. Me cilat kontekste poetike shoqërohen konceptet e jetës dhe vdekjes në sistemin poetik të Poradecit? Ilustrojeni me vargje.

3. Në tri poezitë që trajtohen në tekst shfaqet si unike figura e gjeniut. Si shfaqen kushtet tragjike të gjeniut në to? Ilustrojeni me vargje.

4. Nëse jeta ka qenë funksionale, në ç’formë vjen dhimbja? Ilustrojeni me vargje.

Në ç’raporte ndodhet heroi me liqenin?

6. Cili është mesazhi që transmeton poeti nëpërmjet këtyre poezive filozofike?

Ushtroni mendimin kritik

7. Sipas vargjeve të Poradecit, jeta me brendi, me ideal, me funksion suprem është shumë me vlerë ballë vdekjes. Si mendoni, ka elemente biografike në këtë pohim filozofik të autorit?

Sfida e të shkruarit

8. Poradeci përpiqej të arrinte cilësinë më të lartë në poezinë e tij, në përgjithësi, dhe në atë filozofike, në veçanti. Argumentoni si e arrin këtë, duke e ilustruar me vargje nga tri poezitë që kemi trajtuar më lart.

5.
Letërsi108

ILUSTRIM LETRAR L. Poradeci

Vdekja e nositit

Me zjarr ju flas… me zjarr.

Në gjirin tim kam hapur varr…

Që t’i jap shpresë – edhe t’ja marr…

Un’ik liqerit zemërak

Fatlum dh’i pastër si zëmbak

Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi

Dh’u jap ushqim me dashuri –

Një dashuri për llaftari:

Pa nis ah! gjirin ta godas…

Dh’e hap ah! gjirin më një ças…

Dh’i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!…

Ahere – helmohet e buçet Pas mallit tim liqeri – i shkret, E rrit tallazin posi det.

Ay e tund, ay e shkund, Ay e hap sa me të mund, Gjer mun në gjit, gjer mun në fund.

E shpirtin dyke ma përcjellë, Më thotë ah! Shih sesa ‘sht’i fellë Ky gjir’i em që të pat pjellë…

…Me zjarr ju flas, me zjarr.

Vdekja e Nositit, pikturë e Halil Matoshit
Letërsi 109

Nga teksti te kuptimi

1. Kjo poezi ka në qendër të saj motivin e vetësakrifikimit. Por nëse bëjmë një lexim më të thellë, vërejmë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një ndjenjë të sakrificës humane për tjetrin. Është vetë heroi lirik që e sublimon edhe aktin e krijimit poetik si një akt sakrifikimi. Cilat janë motivet që shfaqen në poezi: motivi i liqenit; motivi i vetësakrificës; të dyja.

2. Poezia ka një strukturë semantike të brendshme, e cila mbështetet në kundërshtinë, antoniminë tekstuale. Sa të tilla arrini të identifikoni në poezi? Shpjegojini ato.

3. Strofa e katërt nis me lidhëzën dhe. A ndikon kjo lidhëz në rrëfimin poetik? Nëse po, argumentojeni me të dhëna nga teksti.

4. Simboli i nositit është misionari, ndërsa simboli i jetës është liqeni. Si e kuptoni ju marrëdhënien e liqenit me nositin? Ilustrojeni përgjigjen tuaj me vargje nga poezia.

5. Misionari, për të cilin flet poezia, është vetëm poeti apo e gjejmë edhe në fusha të tjera?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Poezia është ndërtuar si një bashkëbisedim, i cili kalon në dy veta: nis në vetën I dhe pjesa e dytë në vetën III. Cilës vetë i drejtohet heroi lirik në pjesën e parë? A ka një arsye për të cilën përzgjedh këtë tip dialogu në hyrje?

7. Cili nga vargjet e mëposhtme kthehet në lajtmotiv të të gjithë poezisë?

Pa nis ah! gjirin t’a godas...

Me zjarr ju flas..., me zjarr.

Dh’i nginj ah! zogjtë - e vdes me gas!...

Në gjirin tim kam hapur varr...

8. Strofa e tretë nis me një lidhëz ftilluese, që ka për mision të sqarojë apo plotësojë mendimin e strofës pararendëse. Identifikoni lidhëzën ftilluese dhe argumentoni lidhjen kuptimore që realizohet përmes saj.

9. Kthesën ligjërimore autori e realizon në strofën e pestë nëpërmjet fjalës ahere. Duke përdorur të dhënat e tekstit (veta III, shenjat grafike, synimin), tregoni ndryshimet që pëson ligjërimi. Ky ndryshim është rritje apo zbutje e tonit ligjërimor?

10. Poezia nis dhe mbyllet me të njëjtin varg. Çfarë efekti krijon kjo gjë dhe si motivohet?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Vargu me zjarr ju flas... me zjarr... përcakton një nivel të lartë ligjërimor, i cili arrin të mbetet në këto nivele gjatë gjithë pjesës së parë të poezisë. Analizoni metaforën duke u mbështetur në tre shënjues: procesin e të folurit që identifikohet me foljen flas; shumësinë semantike që merr emri zjarr; vlerat kuptimore që bart parafjala me, kur hyn në marrëdhënie me emrin.

12. Prania e pasthirrmës ah e ndan vargun në mes. Përsëritja tregon: ∆ dëshpërim; dhimbje; ekstazë; frikë.

STUDIM TEKSTI
Letërsi110

13. Duke u mbështetur tek analiza e trajtuar më sipër, argumentoni kuptimin filozofik të metaforës vdes me gaz. A është plotësuar misioni i jetës së heroit lirik?

14. Në strofën e gjashtë kemi praninë e foljeve tund, shkund, hap, mund, që realizojnë imazhin e lëvizjes së liqenit: një liqen që shndërrohet papritur në det me tallaz. Si lidhet ngarkesa kuptimore e foljeve me ndjesinë që provoni ju si lexues?

15. Vëreni paralelizmin që sendërtohet nga imazhi i gjirit të hapur të nositit-poet dhe gjirit të hapur të poetit. Çfarë emocionesh e idesh përcjell ky paralelizëm?

Nga teksti te gjuha në përdorim

16. Fjala llaftari gjendet dendur në shumë poezi të Lasgushit, duke marrë ngjyrime kuptimore sipas kontekstit. Shpjegoni ngjyrimet kuptimore në këtë kontekst. Cila situatë vlerësohet kaq tragjike?

17. Çifti i fjalëve dashuri – llaftari tregon: daljen nga e tashmja dhe hyrjen në përjetësi; dhimbjen e largimit nga jeta; krenari për plagët e vetvetes; lidhjen dramatike të jetës me vdekjen.

18. Heroi lirik pohon t’i jap shpresë e t’ia marr. Kthehuni në tekst dhe lexojeni poezinë, duke kërkuar përgjigjen e pyetjes: kujt do t’i japë shpresë e kujt do t’ia marrë shpresën?

19. Në vargun Un’ik liqerit zemërak vërejmë foljen ik, e cila është variant poetik i formës iki. Nëse do të ishte shkruar në standard, forma do të ishte unë i iki liqenit, apo unë iki përgjatë liqenit? Argumentoni përgjigjen tuaj me vijimin e poezisë.

20. Në vargjet Ay e tund, ay e shkund/Ay e hap sa me të mund, anafora thekson përemrin ay. Argumentoni përsëritjen si mekanizëm të rëndësishëm koheziv.

Nga teksti te reflektimi

21. Rikujtoni poezinë e njohur “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit. A shihni ndonjë element të ngjashëm me poezinë që po analizojmë?

22. Nëse heroin lirik e shohim si poet, ju e ndjeni veten lexues të denjë për këtë poezi? Pse?

23. Pse poeti zgjedh nositin si figurë themelore të filozofisë së tij? Ka lidhje kjo me jetën e tij? A njihni raste analoge në letërsinë botërore?

24. Kjo poezi ka një numër shumë të madh foljesh, të cilat tregojnë dinamikën e lëvizjeve. Pasi e lexoni atë, cilën ndjesi ju përcjell më tepër kjo shumësi foljesh, atë të jetës apo atë të vdekjes? Pse?

25. Përpiquni të përfytyroni sfondin muzikor të kësaj poezie. Diskutoni në klasë për zgjedhjet tuaja. Diskutoni në klasë për zgjedhjet tuaja.

Nga teksti te të shkruarit

26. Gjeni neologjizmat në këtë poezi. Ripërdorini ato në një ese me temë:

27. “Liqeni dhe motivet idilike të poezisë së Lasgush Poradecit”

Letërsi 111

ILUSTRIM LETRAR

Këngë pleqërishte

O këngë pleqërishte! Ti vjersh e vendit tem!

Ti fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem! Tani jam dëshëruar së largu të më vish: dëgjoju, as dëgjoju! Moj këngë pleqërish! Në hije të kasolles që nxin nj’atje mi mal, ja nis me zë të shtruar...ja merr me dal-nga-dal... ja thua me të dhemshur...ja thua me të qarë... ja dredh e përvëluar...ja zjen...e ja heq zvarrë... pastaj fillon të ngrihesh, e nis e ja thërret: dh’aq lehtë-e ngreh së poshti...aq fort e shpje përpjetë... aq dyke mërmëruar me zë të parpalitur rënkimi i zemrës sate ronitet me të ngjitur... sa...që nga lartësira ku vate, fluturoj... me sulm e ulërimë këputet si përroj... e rrjedh për tatëpjetë prej kulmit qielluar si breshër i thërrmuar...si lot i përvëluar...pastaj të shuhet zëri...e rihesh...edhe vdes; mjerimi – i –vetvetes të thjevi mes – për – mes: së felli – e pa mëshirë të thjevi dhembja jote, dëshir’ e varfëruar e këngës magjiplote!

O këngë pleqërishte! Ti vjersh e vendit tem!

O fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem!

O mall! O psherëtimë! O vajë! – O lot i zi!

O shpirt i përvëluar që qan në syt’ e mi!

Si ngrihet që nga deti një valë – e – dëshëruar: e prapë posi vala, që bje sërish në det: ti bje në fellësirën e zëmërës së vet.

Letërsi112

Nga teksti te kuptimi

1. Kjo poezi bën pjesë në lirikën filozofike të poetit. Me metaforën këngë pleqërishte, poeti i këndon këngës labe të trimërisë. Kënga në të vërtetë është simbol i procesit krijues, i cili identifikohet me shpirtin poetik, që del nga vetvetja dhe kthehet përsëri në vetvete. Cili është raporti emocional që krijon poeti me këngën pleqërishte? Ilustrojeni me vargje përgjigjen tuaj.

2. Ndaluni në strofën e dytë të poezisë. Kemi thënë që poeti është sa piktor aq edhe muzikant në vargjet e veta. Cilat shqisa ngacmon kjo strofë? Përshkruani imazhin që perceptoni nga këto vargje.

3. Përdorimi i apostrofit lidhet ndjeshëm me dhimbjen që përcjell poeti përmes thirrjes. Krijoni një fushë semantike të fjalëve që përcjellin dhimbjen. Cili është burimi i dhimbjes?

4. Zhurmat e dominojnë vargun e kësaj poezie. Ndajini ato në kolona. (Mund të shtoni të tjera, nëse mendoni se ka.)

Zhurma njerëzore

të tokës Zhurma të qiellit

5. Në këtë poezi, procesi krijues kalon në tri faza: ngjitje, pikë kulmore dhe zbritje.

Gjeni nga një varg që shënon secilën fazë.

teksti tek analiza e ndërtimit

6. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se, në këtë poezi, ngritja emocionale poetike bëhet në formën e piramidës. Kjo lidhet me ngulmimin e poetit për të hyrë në thellësi të misterit të botës natyrore dhe asaj njerëzore. Ilustrojeni me vargje këtë mendim filozofik të poetit.

STUDIM TEKSTI
Zhurma
a) _________________________________________________________________ b) _________________________________________________________________ c) Nga
lartësia
rënia kthimi
ngjitja lindja Letërsi 113

7. Krijoni fushat semantike që përcaktojnë procesin e lindjes, ngjitjes, lartësisë, rënies, kthimit në vetvete. Çfarë efektesh tingullore përcjellin ato?

8. Kjo strukturë ndërtimore e këngës, a ka ngjashmëri në rrugën filozofike dhe fizike të një jete njerëzore? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke e lidhur me ndjesinë e dhimbjes që përshkon poezinë.

9. Pothuajse pas çdo vargu ndeshim retiçenca ose trepikësha. Sikurse e kemi thënë, retiçenca përdoret si suspansë (lë mendimin të nderë) dhe/ose për të tërhequr mendimin e lexuesit, por Lasgushi i jep edhe kuptime të tjera. Retiçenca ose trepikëshi përdoret për të përcjellë ndjesi të një dhembjeje kulmore. Në rastet kur zgjatet sa vargu, është quajtur nga studiuesit zona e heshtjes. Merrni tre shembuj retiçencash dhe, duke u nisur nga përcaktimi që bëmë, analizojini ato. Përse janë përdorur në rastet që shkëputët nga fragmenti?

10. Poeti e përjeton procesin krijues si shumë të dhimbshëm e të mundimshëm. A e trajton këtë gjendje edhe në poezi të tjera të tij?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Ndaluni te thirrorët e strofës së parë. Veçoni mjetet gramatikore me të cilat shprehen ato. Cila është lidhja që krijohet mes tyre?

12. Në vargun dëgjoju, as dëgjoju! moj këngë pleqërish, ndeshim formën sintetike dëgjo+ju. Analizojeni atë nga ana fjalëformuese dhe semantike. A i ka dhënë një kuptim të ri mbi të parin formanti fjalëformues?

13. Ç’funksion luan përdorimi i foljeve nis, merr, thua, në strofën e dytë? Argumentojeni përgjigjen tuaj duke analizuar kuptimet e reja që marrin foljet. A krijojnë ato figura stilistike? Nëse po, cilën figurë?

14. Në ndërtimet e grupeve emërore apo foljore që krijon, poeti u shmanget rregullave gramatikore. Ndaluni te grupi kulmi qielluar. Shpjegoni si është ndërtuar mbiemri. Çfarë shmangieje ka pësuar nga rregulli? Jepni mendimin tuaj, përse e ka bërë këtë poeti? A ka lidhje me brendinë filozofike të poezisë?

15. Lasgushi është poeti që krijoi shumë fjalë të reja në gjuhën shqipe, duke përdorur gjithë mënyrat shqipe të fjalëformimit. Krahasoni dy neologjizmat brenda grupeve: këngë pleqërishte dhe këngë pleqërish. Analizoni mënyrën se si dallimet në fjalëformim kanë reflektuar dallime në kuptim.

Nga teksti te gjuha në përdorim

16. Cili nga çiftet e mëposhtme krijon antonimi kontekstuale? që më dhimsesh - që më bën ujem; pastaj fillon të ngrihesh – pastaj të shuhet zëri; j -a nis me zë të shtruar - j-a merr më dal-nga-dal; të thjevi dhembja jote - pastaj të shuhet zëri.

17. Një nga mekanizmat që siguron kohezionin në vepër është përsëritja. A konsiderohet në këtë rast retiçenca si element koheziv? Nëse po, si ndihmon ajo në qëndrueshmërinë logjike të tekstit?

Letërsi114

18. Vëreni lëvizjen e ligjërimit nëpër veta të ndryshme. A e cenon kjo koherencën e tekstit? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke u mbështetur në marrëdhënien emotive që krijohet mes ligjëruesit dhe ndjenjës; heroit lirik dhe emocionit.

19. Poezia ka një varg që përsëritet në formën e një lajtmotivi. Cili mendoni së është ky lajtmotiv:

O fjalë që më dhimsesh, e që më bën ujem!

O këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vendit t’em!

Dëgjoju, as dëgjoju! moj këngë pleqërish!

O mall! O psherëtimë! O vajë! – O lot i zi!

20. Pasi ta keni dëgjuar poezinë të recituar në “YouTube”, lexojeni me zë nën efektin e një melodie. Çfarë vije melodike do të zgjidhnit për ta shoqëruar? Pse e bëtë këtë zgjedhje?

Nga teksti te reflektimi

21. Shpjegoni si lidhet kënga pleqërishte me vetë poetin. Ç’rëndësi ka kjo këngë për të?

22. Lasgushi është quajtur edhe poeti i përsosurisë. Mendoni se e ka rritur përsosurinë në këtë poezi?

23. A ka lidhje ndjesia e dhimbjes me përsosurinë që synon të arrijë autori? Po ju e pranoni këtë lidhje?

24. Çfarë marrëdhënieje krijuat me poezinë, pasi e analizuat në këtë fokus? Po me procesin e krijimit? Po me jetën dhe misterin?

25. Si ju tingëlluan neologjizmat e Lasgushit? Patët vështirësi në leximin dhe artikulimin e tyre? Si mendoni, a janë në përputhje me rregullat fonetike e gramatikore të shqipes?

Nga teksti te të shkruarit

26. Pasi ta keni mësuar përmendësh këtë fragment, kthejeni atë në prozë poetike. Përdorni fjalorin e Poradecit për të veshur imazhin tuaj me fjalë.

Letërsi 115

Gjuhë NJOHJA E VEÇORIVE GJUHËSORE QË LIDHEN ME PARAGRAFIN DHE TEKSTIN

Paragrafi dhe teksti

Çdo tekst i shkruar organizohet në paragrafë, të cilët dallohen lehtësisht nga njëri-tjetri. Kemi thënë se paragrafi, njësia themelore e tekstit, është një grup fjalish me lidhje të ngushta midis tyre, të strukturuara dhe hierarkike, si nga ana gjuhësore, ashtu edhe nga ana logjike. Paragrafi zhvillon një nënargument, një temë. Për këtë arsye ai përbën një pjesë teksti në vetvete, në dukje, të pavarur nga pjesa tjetër. Zakonisht, tema e paragrafit gjendet në fillim ose në fund të tij, por ndonjëherë duhet ta nxjerrim nga leximi, duke veçuar ato gjëra, të cilave u referohen të gjitha informacionet dhe se çfarë kanë të përbashkët në thelb.

Në një paragraf, quajmë parësore, informacionet që nuk varen nga asnjë informacion tjetër në tekst dhe dytësore, ato informacione që varen logjikisht nga të dhënat e tjera të tekstit. Informacioni parësor është më i përgjithshëm dhe përmbledh në vetvete një ose më shumë informacione dytësore. Informacioni dytësor rrjedh nga thjeshtësimi, specifikimi dhe plotësimi i një informacioni tjetër.

Uniteti i paragrafit dhe i tekstit ka të bëjë me dy çështje të lidhura, por të dallueshme nga njëra-tjetra: koherenca dhe rrjedhshmëria. Koherenca e një teksti jepet përmes lidhjeve logjike. Frazat, periudhat dhe paragrafët duhet të lidhen logjikisht mes tyre me argumentin e përgjithshëm të tekstit. Duhet të ketë elemente kohezive që lidhin gjymtyrët e tekstit, duke e njësuar atë kuptimisht dhe formalisht. Për të arritur qëllimin e tij, një tekst duhet të jetë i kuptueshëm, koheziv dhe koherent.

Koherenca dhe kohezioni

Kuptueshmëria nënkupton hartimin e një teksti përmes një kodi gjuhësor të njohur për lexuesin.

Koherenca ka të bëjë me organizimin logjik të tekstit, me mënyrën se si lidhen mes tyre gjykimet dhe arsyetimet. Për të pasur koherencë, fjalitë duhet të jenë të lidhura së bashku dhe lëvizja nga njëra fjali në tjetrën duhet të jetë logjike. Koherenca është një term që iu referohet marrëdhënieve kuptimore midis njësive individuale (fjalëve ose fjalive) të një teksti. Këto lejojnë që një tekst të jetë logjikisht dhe semantikisht i qëndrueshëm. Koherenca tekstuale lind nga marrëdhënia midis ideve themelore të një teksti, së bashku me organizimin logjik dhe zhvillimin e këtyre teksteve. Ajo është një nga dy cilësitë që i japin unitet dhe qëllim një teksti të shkruar ose të folur (tjetri është kohezioni) dhe arrihet me strukturimin dhe organizimin e duhur të përmbajtjes. Që të jetë koherent, paragrafi dhe më pas teksti duhet të përmbushë disa kritere: kriterin e përkatësisë, pra, çdo ide duhet të jetë e lidhur me temën; kriterin e renditjes së përshtatshme: idetë duhet të renditen në mënyrë të tillë që sqaron logjikën dhe rëndësinë e tyre; kriterin e përfshirjes: çdo gjë thelbësore duhet të përfshihet.

116 Gjuhë

Koherenca mund të arrihet përmes: përdorimit të përemrave në vend të fjalëve kyçe, por ky përemër duhet të ketë të njëjtin numër dhe vetë në të gjithë tekstin. Shumë përralla të kam treguar në ato net të largëta, por përrallën time – kurrë. Edhe ajo është interesante. Ajo është përralla e shakaxhiut të uritur, i cili këndoi dhe kërceu në lagjet e varfra të Londrës, dhe më pas mblidhte dashuri. Ja, kjo është përralla ime! rendit logjik. Idetë vendosen në grup dhe diskutohen njëra pas tjetrës. Vazhdo të jesh e mirë dhe kërce! Vazhdo të jesh një yll dhe shkëlqe! Por kur të ndiesh se ovacionet dhe mirënjohja e publikut fillojnë të të dehin, apo kur aroma e kurorës me lule të freskëta do të ta mpijnë mendimin, ulu në një qoshe dhe lexo letrën time. Kohezioni ka të bëjë me strukturimin gjuhësor të tekstit, që rrjedh nga përdorimi i duhur i mjeteve gramatikore. Ai na bën ta perceptojmë tekstin si një organizëm të vetëm.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Si organizohet një tekst i shkruar dhe me çfarë ka të bëjë uniteti i një paragrafi?

2. Si mund të arrihet koherenca e një teksti dhe cilat kritere duhen përmbushur?

3. Jepni një shembull të koherencës së një paragrafi dhe diskutoni se cilat mjete gjuhësore janë përdorur për realizimin e saj.

Ushtrohuni përmes tekstit

Vazhdo të jesh një yll dhe shkëlqe!

Bija ime, është natë. Nata e Krishtlindjes. Të gjitha rojat e kështjellës sime të vogël i ka zënë gjumi. Flenë vëllai dhe motra jote. Edhe nëna jote tani fle. Vetëm zogjtë, sapo u zgjuan dhe të përgjumur u mblodhën te kjo dhomë gjysmë e ndriçuar. Sa larg jam nga ti!

Do të më kishte kapluar gjumi, sikur portreti yt, qoftë edhe vetëm për një çast, do të më hiqej nga sytë. Ai është këtu në tryezën time, ngjitur me zemrën time. Ku je ti? Larg, në Parisin e përrallave, në skenat e teatrove të mrekullueshme të Champs Elysees. Unë i njoh mirë ato skena. Në qetësinë e natës dëgjoj hapat e tu dhe shikoj sytë që të shkëlqejnë si yjet në qiellin dimëror. E ndiej, si e luan ti rolin e Bukuroshes Persiane, robinë e Khanit të tartarëve, në këtë spektakël festiv të shkëlqyer.

Vazhdo të jesh e mirë dhe kërce! Vazhdo të jesh një yll dhe shkëlqe! Por kur të ndiesh se ovacionet dhe mirënjohja e publikut fillojnë të të dehin apo kur aroma e kurorës me lule të freskëta do të ta mpijë mendimin, ulu në një qoshe dhe lexo letrën time.

Një herë, dëgjova publikun të thoshte: “Ej, shikojeni këtë vajzë! Ajo është vajza e gaztorit plak. E mbani mend, e quanin Çaplin?”. “Po, unë jam Çaplini! Gastori plak!” Sot, është radha jote. Kërce! Unë kërceva me pantallona të gjera të shqyera, kurse ti kërcen me fustan të mëndafshtë princeshe. Këto kërcime dhe duartrokitjet e forta, gati të ngjitin në qiell. Fluturo! Fluturo atje! Por zbrit edhe në tokë!

Shumë përralla të kam treguar në ato net të largëta, por përrallën time – kurrë. Edhe ajo është interesante. Ajo është përralla e shakaxhiut të uritur, i cili këndoi dhe kërceu në lagjet e varfra të Londrës, dhe më pas mblidhte dashuri. Ja, kjo është përralla ime! Unë dija ç’ishte uria dhe ç’ishte të mos kishe çati mbi krye.

117Gjuhë

Akoma më shumë, unë provova dhimbjen poshtëruese të kërcimtarit shakaxhi, në gjoksin e të cilit ngrihej stuhia e urrejtjes në një oqean krenarie. Dhe... këtë krenari, dhimbshëm, e plagosnin monedhat që hidheshin. Megjithatë, unë jetova. Por, le t’i lëmë këto. Më mirë, le të flasim për ty. Pas emrit tënd Geraldina, është mbiemri im, Çaplin.

Me këtë mbiemër, për më shumë se dyzet vjet unë hutova mendjet e njerëzve nëpër botë. Qava shumë, edhe pse ata qeshnin. Geraldina, në botën ku jeton ti, nuk ka vetëm vallëzim dhe muzikë! Në mesnatë, kur ti largohesh nga salla madhështore, ndodh t’i harrosh përkrahësit e tu të pasur, por mos harro të pyesësh për gruan e tij, shoferin e taksisë që të çon në shtëpi.

Dhe… qoftë edhe njëherë në ditë thuaj vetes: “Unë jam njësoj si ata.”. Po, ti je njëra prej tyre, vajza ime! Ka edhe më. Arti, përpara se t’i japë njeriut krahë që të fluturojë lart, zakonisht, i thyen këmbët atij. Dhe… po qe se vjen një ditë kur ti do ta ndiesh veten mbi publikun, menjëherë, flake skenën. Me taksinë e parë, shko në ndonjë nga zonat e Parisit. Unë i njoh shumë mirë ato! Atje, do të shikosh shumë kërcimtare ashtu si ti, madje, më të bukura, më mirënjohëse dhe me krenari të madhe. Atje, nuk janë dhe as mendohet të jenë dritat verbuese të prozhektorëve të teatrit tënd. Prozhektor, për ato vajza, është Hëna. Shiko mirë, vëzhgo! A nuk kërcejnë ato më mirë se ti? Mendo ndershmërisht, bija ime! Gjithnjë do të ketë nga ato që vallëzojnë më mirë!

Unë do të vdes, ti do të jetosh. Unë dua që ti të mos e njohësh, kurrë, varfërinë. Me këtë letër të dërgoj një bllok çeqesh, që të kesh mundësi të shpenzosh aq sa dëshiron. Por, kur të shpenzosh dy franga, mos harro që monedha e tretë nuk është jotja.

Ajo i takon një njeriu të panjohur, që ka nevojë për të. Një të tillë, ti do ta gjesh lehtë. Mjafton të duash që t’i shikosh këta të varfër të panjohur dhe kudo, do të takosh të tillë. Unë flas me ty për paratë edhe pse e di forcën e tyre djallëzore. Kalova shumë kohë në cirk dhe gjithnjë u shqetësova shumë për pehlivanët në tel. Por më duhet të të them se në tokën e fortë, njerëzit rrëzohen më shpesh se pehlivanët në telin e lëkundshëm. Mund të ndodhë që, në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve. Është pikërisht ky moment që të vendos ty mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i pashmangshëm.

Në një ditë të bukur, mund të të shfaqet fytyra e bukur e një princi. Tamam, atë ditë, ti bëhesh një pehlivane pa përvojë, dhe… ata pa përvojë bien ngaherë. Mos e shit zemrën tënde për flori dhe gjëra të shtrenjta! Ta dish, brilanti më i madh është dielli. Lumturisht, ai shkëlqen për të gjithë.

…Kur të vijë koha që të dashurosh, duhet ta duash atë njeri me gjithë zemër. I thashë nënës sate që të të shkruante lidhur me këtë çështje. Ajo e kupton dashurinë më mirë se unë, ndaj është më mirë që të të flasë ajo për këtë gjë. Puna jote është e vështirë, unë e di. Trupi yt mbulohet vetëm me pak mëndafsh.

Kënaqësia e artit mund të kërkojë që të shfaqesh në skenë edhe lakuriq, por duhet të kthehesh prej andej jo vetëm e veshur, por edhe më e pastër. Unë jam plak dhe fjalët e mia mund të tingëllojnë të çuditshme. Por, sipas meje, trupi yt i zbuluar, duhet t’u përkasë atyre që dashurojnë lakuriqësinë e shpirtit tënd.

Tani, nuk dua të të shqetësoj më shumë. Vetëm se, sa herë të shihesh në pasqyrë, atje do të shikosh tiparet e mia. Në dejet e tua rrjedh gjaku im. Madje, edhe kur rrjedha e gjakut në arteriet e mia të ketë ndaluar, dua që ti të mos e harrosh babain tënd, Çarlin. Unë nuk kam qenë engjëll, por gjithnjë jam përpjekur të jem njeri. Përpiqu edhe ti!

(Letra e Çarli Çaplinit për të bijën)
118 Gjuhë

4. Zgjidhni tre paragrafë nga teksti “Vazhdo të jesh një yll dhe shkëlqe!” dhe përmblidhni me një fjali përmbajtjen e secilit. Nëse do ta kishit shkruar ju letrën, si do ta titullonit?

5. Çaplini e ka shkruar këtë letër për vajzën e tij, në vitin 1965. Evidentoni në tekst këshillat që ai jep.

a) Zgjidhni njërën prej tyre dhe diskutoni nëse është apo jo e vlefshme në kohët e sotme, disa dekada më vonë.

b) Si mund ta përshtatni atë për t’ua këshilluar moshatarëve tuaj?

6. Lexoni me kujdes fragmentin: “Mund të ndodhë që, në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve. Është pikërisht ky moment që të vendos ty mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i pashmangshëm.”

Për çfarë rreziku e ka fjalën Çaplini dhe si mendoni se mund t’i shpëtohet këtij rreziku?

7. Mendoni për këshillat që ju kanë dhënë prindërit, gjyshërit dhe të afërmit tuaj. A ju kanë ndihmuar ato? Nëse jo, çfarë do të kishit dashur të dëgjonit?

8. Gjeni mjetet me anë të të cilave është realizuar koherenca në letrën e shkruar nga Çaplini.

9. Ndani tekstin në paragrafë dhe vendosni nga një titull për secilin prej tyre.

Ç’është arti?

Ç’është arti? Askush nuk i ka dhënë artit një përkufizim që do t’i kënaqte të gjithë. Ka një mirëkuptim të përgjithshëm për atë se çfarë nuk është art, por jo për çfarë është arti. (…) Fjala “Art” në përdorimin e përditshëm shpesh ngjan si mbiemri “e mira”, një shprehësi lavdëruese, brenda së cilës hyjnë një sërë kuptimesh të papajtueshme. Me siguri, përmbajtja lavdëruese është ajo që ndez debatin në kërkim të një thelbi të përgjithshëm, që përftohet nga shqyrtimi i një morie kryeveprash artistike. Ajo çka kënaq shijen e dikujt është e papëlqyeshme për një tjetër, prandaj lavdërimi është subjektiv. Kështu që as nuk mund të bihet dakord për karakteristika të rekomandueshme e objektive. Cilësi që i shkojnë përsosshmërisht një drame të mirë komike, nuk mund të themi se do të vlenin edhe për një lirikë dashurie apo roman tragjik. Kjo ka sjellë edhe plot keqkuptime në interpretimin e veprave artistike. Por, në çdo rast, përkufizimet e rekomandueshme kanë karakter përshkrues dhe historik. Por nëse pyetja pa përgjigje “Çfarë është arti?” do të shndërrohej në pyetjen praktike “Si mund të kemi një përkufizim më të përdorshëm për artin?”, atëherë problemi mund të bëhej më i thjeshtë. Një përkufizim i kushtëzuar mund të ishte: “Çdo vepër e karakterizuar nga një element i dukshëm estetik, mund të quhet vepër arti”. Ky përkufizim është më së paku rekomandues, për faktin se nuk nënkupton që elementi estetik, duke e përcaktuar një vepër si “art”, e ka vlerësuar atë. Vlerësimi estetik ngrihet mbi cilësitë formale të përshkrueshme.

10. Vini re se çfarë ndodh:

a) nëse paragrafit të parë i hiqni parafjalët, lidhëzat dhe ndajfoljet;

b) nëse ndryshoni rendin e fjalive në paragrafin e parë.

Sfida e të shkruarit

11. Shkruani një tekst me 10-12 fjali bashkë me shokun e bankës, duke marrë për bazë fjalinë e mëposhtme dhe duke shtuar nga një fjali secili me radhë, derisa të krijoni një histori. Ruani koherencën e historisë dhe diskutoni në klasë për mjetet gjuhësore që keni përdorur.

“Ishte një pasdite krejt e zakonshme, derisa mora një telefonatë të papritur…”

119Gjuhë

Gjuhë Eseja përshkruese

Të dish të shkruash do të thotë të jesh në gjendje të ndërtosh një tekst të qartë, të plotë, koherent, të mirëndërtuar nga ana leksikore e gramatikore dhe në përputhje me situatën e qëllimin e komunikimit nëpërmjet këtij teksti.

Etapat e procesit të të shkruarit

Etapa e parë e procesit të të shkruarit është planifikimi i shkrimit, që ka të bëjë me mbledhjen e ideve, të të dhënave, gjetjen e burimeve, të cilave do t’iu referoheni, si dhe me hartimin e strukturës së tekstit.

Etapa e dytë është hartimi i tekstit, që realizohet duke pasur parasysh strategji të caktuara.

Etapa e tretë ka të bëjë me rishikimin e tekstit të shkruar, me synim rregullimin e ndonjë renditjeje të koherencës së tekstit, apo korrigjimin e gabimeve të natyrës drejtshkrimore, gramatikore apo konceptuale.

Çdo tekst, i gjatë apo i shkurtër, paraqet një strukturë të brendshme që është gjithmonë e pranishme në të gjitha tekstet.

Tipat e teksteve janë të shumëllojshme. Ata ndryshojnë nga forma, përmbajtja dhe mënyra e të shkruarit.

Kështu, llojet e ndryshme të teksteve grupohen mbështetur në disa kritere. Sipas fushës që përfaqësojnë, tekstet ndahen në: përshkrim, shpjegim, informim, udhëzim, vlerësim, argumentim; sipas kanalit që transmetohen: të folur, të shkruar;

Një tekst është: i qëllimshëm: ai duhet të jetë fryt i një dëshire apo qëllimi të saktë për të komunikuar diçka që është e lidhur me një fushë të caktuar veprimtarie. korrekt: ai duhet të respektojë rregullat e kodit të gjuhës në të cilën shprehet. Këto dallohen nga grafika kur shkruhet, nga tingujt kur flitet, nga leksiku, semantika, gramatika, morfologjia dhe sintaksa e gjuhës etj.

sipas mënyrës së të shkruarit: letrare dhe joletrare. Më poshtë po rikujtojmë hartimin e një teksti përshkrues.

Teksti përshkrues ka si qëllim të përshkruajë, duke paraqitur me detaje, tiparet e një objekti, të një personi, të një kafshe, të një mjedisi, apo të një dukurie.

Përshkruan në mënyrë objektive apo subjektive: një person, një objekt, një kafshë, një mjedis apo dukuri.

Jepen detaje dhe informacione të hollësishme të objekteve që përshkruhen.

Përshkrimi mbështetet në perceptimin shqisor:

Shikimi: drita, format, ngjyrat, lëvizja, lënda, përmasat, pozicioni.

Dëgjimi: zhurmat, tingujt, zërat, vargjet, timbri

Nuhatja: aromat, erërat, parfumet.

Shija: ëmbëlsia, athtësia, hidhësia.

Prekja: cilësia e lëndës, temperaturës, butësia, qëndrueshmëria, sipërfaqja, pesha.

Pasioni i krijimit, Leonid Pasternak
120 Gjuhë

Sipas formës dallojmë:

përshkrimin objektiv, i cili përdoret në tekstet shkencore, enciklopeditë, në dokumentet zyrtare, në tekstet rrëfimtare joletrare, udhëzuesit turistikë, në manualet shkencore dhe teknike etj.

Përshkrimin subjektiv, i cili përdoret në ditarët, letrat personale, në tekstet letrare dhe prozat poetike.

Përshkrimet dallohen edhe sipas qëllimit.

Përshkrimin bindës, i cili paraqet imazhin e dëshiruar me synim bindjen e lexuesit, p.sh.: Fjalori i Gjuhës Shqipe për herë të parë është i qasshëm edhe në formë elektronike. Njihuni me fjalorin e parë on-line, i cili u ofrohet përdoruesve në të gjitha trojet shqiptare me prurje të reja gjuhësore. Kërkimi është shumë i thjeshtë. Mjafton të shkruani një fjalë dhe menjëherë në ekran do të shfaqet shpjegimi i fjalës apo shprehjes frazeologjike.

Përshkrimin informues, i cili jep informacione të hollësishme e të plota për personin, objektin, mjedisin të cilit i referohet. Fjalori që mban rreth 48 mijë fjalë dhe 5 mijë njësi frazeologjike është digjitalizuar dhe mund të gjendet on-line. Ai është hartuar nga profesorët: Jani Thomai, Miço Samara, Pavli Haxhillari, Hajri Shehu, Thanas Feka, Valter Memisha, Artan Goga. Përshkrimin shprehës, i cili paraqet personazhin, kafshën, mjedisin apo gjendjen sipas perceptimit dhe ndijimit personal të shkruesit. Meshari mbi një shtrat topi, Libri i Parë i Shqiptarëve, i një nga gjuhëve më lashta të botës, asaj që shpjegon emrat e perëndive, siç thoshin rilindësit tanë. Libri është gati moshatar me armët e Skënderbeut, po duket më i ri. Nga fletët e tij gumëzhijnë zëra, pyje, lumenj, vringëllima shpatash, ortekë eposesh, digjen qirinj, dridhen gishtërinj, mijëra - të një populli, shkëlqejnë sy, si yjet, që edhe kur shuhen, drita e tyre vjen e pavdekur, diellore, gjithë dashuri e amëshueme, del frymë nga ato fletë, por edhe gjak, del vetë ëndrra, fjalë, fjalë të librave pafund të një populli, shkresa, memorandume, ultimatume, përgjigje, kujtesa kolektive, e folura jonë që përmbledh jetë, atë që shkoi e atë që do të vijë, vetë përjetësinë.

Veçoritë gjuhësore

Foljet e përdorura janë në kohë të tashme dhe të pakryer.

Përdorimi i një gjuhe formale, të saktë dhe teknike në përshkrimin objektiv, kurse në përshkrimin subjektiv ndërhyjnë elemente subjektive, figuracion etj.

Fjalori i përdorur në përshkrimin objektiv duhet të jetë i saktë, i qartë dhe i thjeshtë, kurse në përshkrimin subjektiv ai nuk shfaqet gjithmonë i tillë, pasi bien në sy elemente emocionale dhe përshkrimi më shumë se në dhënien e tipareve hapësinore, kohore, shqisore objektive, mund të përqendrohet në ndjesitë e botës së brendshme, pamjes së jashtme etj.

Përdorimi i një gjuhe figurative, të pasur me metafora, krahasime, similituda në përshkrimin subjektiv, kurse në përshkrimin objektiv kjo gjë mënjanohet.

121Gjuhë

Kur shkruani një ese përshkruese, mbani parasysh rregullat e mëposhtme.

- Sigurohuni që e keni të qartë se çfarë do të përshkruani dhe kush do ta lexojë atë.

- Ndërtoni një organizues grafik, që do t’ju ndihmonte në renditjen e fakteve, karakteristikave dhe veçorive që do të përfshini gjatë organizimit të esesë suaj.

- Përcaktoni idetë kryesore për secilin paragraf të esesë.

- Ndërtoni paragrafët, duke e filluar secilin prej tyre me nga një fjali tematike dhe më pas thellohuni në detaje, teksa zhvilloni mendimet tuaja.

- Shkruani një mbyllje gjithëpërfshirëse, që paraqet idetë kryesore në lidhje me përshkrimin tuaj.

- Lexoni me kujdes shkrimin dhe korrigjoni gabimet e mundshme gramatikore.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi ynë kombëtar

Hero është njeriu që kryen një akt sublim, vetësakrifikues për një të mirë në funksion të njerëzimit. Dhe nëse kombi ynë e ka ndier të natyrshme të lartësojë dikë në nivel heroik, pa dyshim ky njeri është Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Çdokush prej nesh është njohur me këtë figurë heroike që në vogëli, në hapat e parë të edukimit me histori shekullore përpjekjesh luftarake për të mbrojtur trojet tona. Shumë njerëz të thjeshtë kanë pasur një dëshirë të madhe për të qenë të lirë dhe jo të robëruar. E tillë ishte dhe dëshira e Gjergj Kastriotit, por mendimet, strategjia, oratoria, inteligjenca dhe stili i tij i drejtimit do të krijonin bindshëm profilin e një heroi kombëtar.

Gjithmonë më ka bërë përshtypje përshkrimi i profilit fizik të tij. Hundëshkabë, sypetrit, me mjekër të gjatë e të derdhur. Këto janë disa epitete që janë gdhendur në kujtesën time sa herë flitet për Skënderbeun. Mjaftojnë vetëm këto fjalë për të imagjinuar një burrë me tipare të theksuara dhe të ashpra, tipare tipike të një njeriu luftarak shqiptar, i rrahur me vështirësi dhe i mbuluar me urtësi.

Një njeri që të imponon respekt që në pamjen e jashtme duhet të ta imponojë këtë të fundit edhe në veprimet dhe fjalimet e tij. Një njeri si ai, i hijshëm, fisnik dhe madhështor, luftoi me trup dhe me mendje ndaj një ushtrie të tmerrshme që po i kallte datën Europës me mobilizimin dhe taktikat luftuese. Ushtria osmane praktikisht mund ta mposhte shumë lehtë Shqipërinë, në fakt e robëroi atë për 500 vjet, por nuk mundi asnjëherë të ulte figurën e komandantit heroik të ushtrisë shqiptare.

Ishte Skënderbeu ai që injektoi thellë në gjakun e çdo shqiptari lirinë dhe dëshirën për të luftuar. Oratoria e tij, mënyra sesi mbante fjalim para syve të çdo shqiptari të lodhur nga vuajtjet, vështirësitë dhe hidhërimet e luftës e bënte turmën të ngazëllyer dhe të sigurt. Tashmë ata kishin një pikë referimi që mund t’i drejtonte diku, drejt një ideali, drejt një zgjidhjeje, drejt një misioni dhe drejt një fitoreje.

Skënderbeu, pikturë nga Spiro Xega
122 Gjuhë

Skënderbeu u mësoi shqiptarëve se asnjëherë nuk mund të humbasësh nëse lufton me zemër. Dhe Skënderbeu luftonte me zemër. Ai e donte vendin e tij dhe çka ishte më e rëndësishme e njihte dhe i përdorte me shumë zgjuarsi labirintet që vendi i ofronte. Ushtria osmane gjatë betejave ushtarake humbiste dhe binte pre e dredhimeve në shtigjet ku vetë Gjergji i çonte me strategjitë inteligjente të tij. Skënderbeu u mësoi shqiptarëve të ishin muri i gjallë i kështjellave ku jetonin, për të krijuar një barrierë të pathyeshme sa herë që osmanët përpiqeshin të hynin brenda.

Por mbi të gjitha, Skënderbeu u mësoi shqiptarëve se vetëm bashkimi bënte fuqinë. Një ushtri e bashkuar ka më tepër rëndësi se një ushtri e pajisur mirë, një ushtri e pasur dhe një ushtri e madhe. Ky mesazh kaq i fortë krijonte siguri dhe largonte frikën për dështim. Një natyrë luftarake si Skënderbeu që dha ketë mesazh kaq domethënës dhe i siguroi suksese të një jehone botërore një vendi të vogël si Shqipëria, meriton të zërë vendin e heroit në zemrat e çdo bashkëkombësi.

Paragrafi hyrës

Çfarë do të përshkruani? Heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Si do ta organizoni këtë ese? Përshkrimi i heroit me tiparet e tij fizike dhe jo vetëm. Hero është njeriu që kryen një akt sublim, vetësakrifikues.

Paragrafi i parë i zhvillimit

Detaje shqisore

Figura letrare

Paragrafi i dytë i zhvillimit

Detaje shqisore

hundëshkabë, sypetrit, me mjekër të gjatë e të derdhur; një burrë me tipare të theksuara dhe të ashpra.

një njeri luftarak shqiptar, i rrahur me vështirësi dhe i mbuluar me urtësi; Po i kallte datën Europës

i hijshëm, fisnik dhe madhështor

Figura letrare - luftoi me trup dhe me mendje ndaj një ushtrie; - injektoi thellë në gjakun e çdo shqiptari lirinë dhe dëshirën për të luftuar; - u mësoi shqiptareve se asnjëherë nuk mund të humbasësh, nëse lufton me zemër.

Mbyllja

Pse ka rëndësi për ju personi apo objekti i përshkruar?

Hero është njeriu që kryen një akt sublim, vetësakrifikues për një të mirë në funksion të njerëzimit. Dhe nëse kombi ynë e ka ndier të natyrshme të lartësojë dikë në nivel heroik, pa dyshim që ky njeri është Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Çfarë doni që të mbajnë mend lexuesit për këtë person apo objekt të përshkruar?

Një natyrë luftarake si Skënderbeu që dha këtë mesazh kaq domethënës dhe i siguroi suksese të një jehone botërore një vendi të vogël si Shqipëria, meriton të zërë vendin e heroit në zemrat e çdo bashkëkombësi.

123Gjuhë

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë etapat e procesit të të shkruarit?

Si duhet të jetë një tekst nga pikëpamja e organizimit?

Me çfarë lidhet qëllimi dhe korrektësia e një teksti?

Plotësoni tabelën me llojet e teksteve:

Sipas formës së tekstit Shembuj

Sipas qëllimit të tekstit Shembuj

5. Cilat janë veçoritë gjuhësore të tekstit përshkrues?

6. Çfarë hapash duhet të ndiqen për shkrimin e një eseje përshkruese?

Ushtrohuni përmes tekstit

7. Në grupin e mbiemrave më poshtë dalloni ata që lidhen me përshkrimin objektiv dhe ata që lidhen me përshkrimin subjektiv: i bardhë, bardhosh, vezullues, shkëlqyes, kafe, i kadifenjtë, i gjatë, gjatosh, i madh, madhosh, i drejtë, i hollë, elegant.

8. Dalloni llojin e përshkrimit në dy paragrafët e mëposhtëm. Argumentoni përgjigjen tuaj me elemente të marra prej tyre.

a) Ana është një vajzë 11 vjeçe. Ajo shkon në klasën e njëmbëdhjetë. Ana është e gjatë rreth 1 m e 20 cm. Ajo ka një trup të hollë. Fytyra e saj është e rrumbullakët. Ana ka lëkurë të bardhë e të pastër dhe flokë të zinj me gjatësi mesatare. Hunda e saj është e drejtë dhe dhëmbët e bardhë.

b) Ana është vajza ime. Ajo është drita e syve të mi. Sytë e saj kanë një ngjyrë të kadifenjtë, që përcjellin butësi. Ka hundë të drejtë si të vizatuar me laps dhe buzë të kuqe me ngjyrën e qershisë. Mollëzat e saj të ngritura krijojnë një reliev mjaft tërheqës për syrin. Flokët e saj janë mesatarë dhe të valëzuar. Kudo ku shkon, bie në sy për hijeshinë e saj.

9. Në tekstin përshkrues në vijim dalloni paragrafët që ndërtojnë këtë lloj teksti dhe plotësoni tabelën në vijim:

Keni parë një rrugë që jeton të katërta stinët? Unë, po.

Kur shkon nga Elbasani drejt Tiranës, është një rrugë e bukur mes kreshtash e malesh, rruga e Kërrabës.

Në pranverë, ajo buit nga ngjyrat: gjithë nuancat e vjollcës, gjaku i lulëkuqeve, hijeshia e së blertave.

Në verë, rruga duket sikur vishet me korrik. E nxehtë dhe e vaposur, ngjyrat e saj sikur forcohen, marrin pigment dhe bëhen goditëse. Pranvera i ka veshur lehtë, vera i mëshon fort penelit të ngjyrave.

Dhe ndërsa gushti nxiton të ikë, vjeshta e rëndon rrugën në bakër. Një e kuqërremtë ndjellëse, që herë-herë feks nga ndonjë e gjelbër e harruar. Sa bukur është të ecësh në një ngjyrë të bakërt që heshton...

STUDIM TEKSTI
2.
3.
4.
124 Gjuhë

Në dhjetor, rruga nis e dimëron. Pelerina e bardhë e dëborës ia mbulon shpatullat dhe rruga e bardhë dredhon mes një peizazhi drejt grisë dhe mjegullës së hirtë. Sa e bukur është me atë mjekër bardhoshe, që i zgjatet deri tej luginës së ngushtë! Si një babagjysh të zgjat duart dhe ti strukesh mes bardhësisë, duke dëgjuar përrallën dimërore të rrugës që jeton aq bukur stinët.

Paragrafi hyrës Çfarë do të përshkruani?

Si do ta organizoni këtë ese? (hapësira, koha dhe rendi i përshkrimit)

Paragrafi i parë i zhvillimit

Detaje shqisore

Figura letrare

Paragrafi i dytë i zhvillimit

Detaje shqisore

Figura letrare

Mbyllja

Pse ka rëndësi për ju personi apo objekti i përshkruar?

Çfarë doni që t’i ngelet ndër mend lexuesit për këtë person apo objekt të përshkruar?

10. Teksti në vijim është shkëputur nga një ese argumentuese. Gjeni fjali që i përkasin tekstit përshkrues. Dalloni funksionin e tyre. Zgjeroni këto fjali edhe me tre fjali përshkrimi objektiv dhe tre fjali përshkrimi subjektiv. Çfarë realizohet me anë të tyre?

Ne jemi krenarë, dhe me të drejtë, për çka kanë arritur universitetet tona. Por në të njëjtën kohë, ka edhe një ndjenjë shqetësimi në rritje për produktin e tyre. Të rinjtë e të rejat që marrin diplomat tona janë mjaft tërheqës: nga pamja fizike, sjellja miqësore, energjia, guximi dhe shpirti i hareshëm. Po aftësitë e tyre intelektuale?

11. Kini parasysh se përshkrimi objektiv edhe subjektiv nuk është vetëm pjesë e esesë përshkruese. Ai gjendet edhe në lloje të tjera esesh apo tekstesh. Gjeni përshkrimin në ese argumentuese, në një tekst udhëzues (reklama) etj. Argumentoni qëllimin e ndërfutjes së këtyre teksteve.

Sfida e të shkruarit

12. Hartoni një ese përshkruese objektive me temën “Historia e familjes sime”. Më pas, kthejeni në tekst përshkrimi subjektiv. Dalloni tiparet që ndryshuan dhe efektin që krijon te ju.

125Gjuhë

Letërsi

Ernest Koliqi

Ernest Koliqi lindi në Shkodër, më 20 maj 1903. Ndoqi studimet në Itali, fillimisht në kolegjin jezuit Arice, në Bresha dhe më vonë në Universitetin e Padovas për Letërsi, ku do të mbronte diplomën me temë Epica popolare albanese (“Epika popullore shqiptare”). Koliqi shkroi në zhanre e lloje të ndryshme letrare, si: poezi, prozë, prozë poetike, dramë, ese, kritikë, studime e përkthime. Por ajo që i dha vendin e rëndësishëm në letërsinë shqipe është pikërisht proza. Përmbledhjet me tregime dhe novela do ta shënjonin si një ndër themeluesit e prozës moderne shqipe. Nga krijimtaria e Koliqit, mund të përmendim: vëllimet me tregime e novela “Hija e maleve” (1929) dhe “Tregtar flamujsh” (1935); vëllimet me poezi “Gjurmët e stinëve” (1933) dhe “Kangjellat e Rilindjes” (1959); prozat poetike “Pasqyrat e Narçizit” (në dy variantet e botimit 1936; 1963); romanin “Shija e bukës së mbrume” (1960); dramën “Rrâjët lëvizin”; dy vëllimet me përkthime “Poetët e mëdhenj të Italisë” (1932,1936); përmbledhjen Antologia della lirica albanese (“Antologji e lirikës shqipe”) (1963); librin me ese mbi letërsinë shqipe Saggi di letteratura albanese (“Ese për letërsinë shqipe”) etj. Koliqi vdiq në Romë, më 15 janar 1975.

Koliqi u shfaq në letërsinë shqipe pikërisht në kohën kur kjo letërsi po hynte në fazën e modernitetit të saj. Siç kemi mësuar, kjo periudhë kërkonte nga krijuesit shfrytëzimin e mjeteve dhe formave të reja të shprehjes, me anë të të cilave do të trajtoheshin temat që ofronte realiteti i kohës, e po ashtu, edhe lëvrimin e zhanreve e llojeve letrare, të cilat nuk kishin njohur zhvillim deri atëherë. Me prozën e shkurtër, Koliqi do të përmbushte pikërisht këto kërkesa, duke sjellë risi si në aspektin e temave që do të trajtonte, ashtu edhe në mjetet dhe format e shprehjes. Me tekstet e tij, Koliqi do të përuronte modelin e tregimit psikospektiv, një lloj tregimi ku ndihet dukshëm përmasa e analizës psikologjike të “llojit frojdist”, të cilin letërsia shqipe nuk e kishte njohur më parë. Ndërkohë që veprat “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh” dhe “Pasqyrat e Narçizit” do ta shënjonin atë si themelues të prozës moderne shqipe.

Tiparet e shkrimit modernist që sjell Koliqi në letërsinë moderne shqipe

Siç thamë më lart, me veprat “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh” dhe “Pasqyrat e Narçizit”, Koliqi themelon modelin e prozës moderne në letërsinë shqipe. Para tij, ishin Konica dhe Lumo Skëndo ata që projektuan format e shkrimit modern, me novelat dhe prozat poetike që lëvruan, por ai që e konsolidoi si model shkrimi, ishte Koliqi. Po cilat janë prurjet e Koliqit në letërsinë moderne shqipe?

Letërsi126

Disa nga tiparet e shkrimit modernist që gjenden në tregimet e Koliqit janë:

Përdorimi i elementeve të mitologjisë shqiptare, të tilla si zana, orë, shtojzovalle dhe përzierja e tyre me elemente të botës reale, për të ndërtuar me to realitete letrare, të cilat mbartin njëherazi atmosferën e fantastikes, të mrekullueshmes e reales. Rrëfimi në këto tregime shpesh përzien struktura të rrëfimit gojor (si p.sh., në tregimin “Kërcimtarja e Dukagjinit” gjejmë formulime të tilla, si: Paska qenë dikur... apo edhe numrat simbolikë karakteristikë për përrallat, si p.sh. “Mbas nji udhëtimi tri ditësh me ndalje e pushime të shpeshta...”; “Kremtimi i madhnueshëm zgjati shtatë ditë e shtatë netë”.) dhe atij të kultivuar. Tregimet që mbartin këto karakteristika janë: “Nusja e mrekullueshme”, “Kërcimtarja e Dukagjinit”, “Diloca” “Kur orët lajmërojnë”.

Rifunksionalizimi i mitit, si teknikë e shkrimit modernist. Te prozat poetike me titull “Pasqyrat e Narçizit”, Koliqi shfrytëzon kuptimin simbolik që përçon miti i njohur grek i Narçizit, për të projektuar veten e tij, botën e brendshme, ëndërrimet e meditimet poetike. Kështu, “Pasqyrat e Narçizit” janë në të vërtetë shtatë rrëfime lirike që shpërfaqin jo mitin, por botën e brendshme shpirtërore të Koliqit. Përdorimi i epifanisë shfrytëzohet nga Koliqi për të zbuluar realitete e atmosfera të reja që fshehin objekte e sende të njohura. Nga objekte të veçanta shpërthejnë përvoja të fshehura prej vitesh në kujtesën e personazheve ose krijohen përvoja të reja. Në tregimet e Koliqit, si objekte epifanizimi shërbejnë fotografitë e të afërmve, siç ndodh te tregimi “Andërr e një mbasditje vere”; kopshti te tregimi “Kumbulla përtej murit”; hana te tregimi “Hanë gjaku”; copa e murit te proza poetike “Xhami i dritores s’ime”; pianoja te tregimi “Dramë e vogël”. Përzierja e zhanreve. Është një tjetër tipar i shkrimit modernist që zë vend në krijimtarinë e Koliqit. Kështu, vepra “Pasqyrat e Narçizit” është modeli ku elemente të shkrimit në prozë dhe atij në poezi janë përzier për të ndërtuar në strukturën e një libri zhanre të ndërmjetme, siç janë prozat poetike.

Kapërcimet kohore dhe përzierja e kohëve gjatë rrëfimit janë një tjetër karakteristikë e prozës moderne koliqiane. Shpesh, në tregimet e Koliqit, kapërcimet apo zhvendosjet kohore janë pjesë e rëndësishme e teknikës së rrëfimit. Kalimi nga e tashmja në të shkuarën nëpërmjet analepsës apo retrospektivës nostalgjike, shërben për të plotësuar ngjarjet e ndodhura dikur në jetën e personazhit, siç ndodh te tregimi “Kumbulla përtej murit”; apo te tregimi “E gjeti mbas shimshirit”.

Mendimi i Martin Camajt për Ernest Koliqin

“Koliqi letrar shquhet si krijues i novelës në letërsinë shqiptare, simbas mendimit tim drejtës do vu në dukje se ai do përcaktue si themelues i prozës moderne në letërsinë shqipe. Lexuesi i kujtueshëm, për shembull, mbetet shtang si ky prozator qysh në nisje të tregimit, në të parat fjali e gjen fillin e mbarë, tonin e saktë. Koliqit, edhe si njeri i hapët e kozmopolit nga natyra, i kandeshin ndryshmenitë e jetës e të artit shumëngjyrash: ky njihet si ndërmjetës mes shkrimtarëve të Veriut e të Jugut të Shqipnisë.”

Narcis
Letërsi 127

Dy breza letrarë...

Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Alkesandër S. Drenova (Asdreni).

Foto: Studio Marubi.

Kthimi në të shkuarën shpesh bëhet edhe për të shpjeguar veprimet apo ngjarjet e së tashmes, si p.sh. te tregimi “Hanë gjaku”. Depërtimet psikologjike për të eksploruar botën e brendshme të personazheve, dilemat, veprimet a mungesat e veprimeve, përbëjnë një tjetër karakteristikë të shkrimit modernist. Në shumë prej tregimeve të Koliqit, vëmë re se rrëfimtari përqendrohet te bota psikologjike e personazheve dhe objekt rrëfimi bëhet pikërisht realiteti psikik i tyre, i cili ndihmon në përcaktimin e sjelljeve e veprimeve njerëzore. Me këtë formë, Koliqi e pasuroi letërsinë shqipe me një lloj të ri të prozës artistike, që quhet tregimi psikospektiv. Një formë që letërsia moderne europiane e kishte njohur me kohë, ndërsa letërsia shqipe e bën pjesë të teknikave të veta nëpërmjet Koliqit.

Elemente të stilit modernist të Koliqit konsiderohen edhe gjuha simboliste, që shoqëron tregimet e tij, ku vihet re sidomos te përmbledhja me proza poetike “Pasqyrat e Narçizit”; si edhe vlerat polisemike që u vesh fjalëve, nganjëherë që në titull. Po kështu, edhe mbizotërimi i mbiemrit, “adjektivit” siç thotë vetë Koliqi, ndihet në një pjesë të rëndësishme të krijimeve të tij.

Tematika në përmbledhjet “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh”

Në vëllimet “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh” përgjithësisht trajtohen tema që kanë në bazë kodet zakonore, ligjet e pashkruara e moralin tradicional të Malësisë, si edhe përplasjen e këtyre normave e zakoneve me mentalitetin e ri dhe frymën e zhvillimit të jetës në qytet. Po ashtu, sidomos te “Tregtar flamujsh”, trajtohen problematikat e jetës urbane. Dinamika e zhvillimit të qytetit, sjell me vete temat e përfitimeve materiale, temat ekzistenciale, temat e marrëdhënieve sociale mes individëve të një shoqërie që po zhvillohet, kontradiktat dhe dilemat shpirtërore që shoqërojnë njeriun në një botë gjithnjë e më të hapur, temat e dashurisë etj. Nëpërmjet analizave psikologjike, Koliqi përpiqet të depërtojë në subkoshiencën e personazheve për të zbuluar atë që stimulon veprimet dhe sjelljet e tyre.

Letërsi128

STUDIM TEKSTI

Verifikoni tekstin

1. Pse Koliqi konsiderohet si themelues i prozës moderne shqipe? Cilat janë veprat që ia japin këtë vend?

2. Cilën teknikë të shkrimit modernist përdor Koliqi te vepra “Pasqyrat e Narçizit”?

3. Koliqi përdor epifaninë në disa prej tregimeve të tij. Kujtoni se cilët autorë të tjerë të letërsisë moderne botërore e përdorin këtë teknikë dhe për çfarë funksioni.

4. Çfarë është tregimi psikospektiv? Si mund ta përkufizoni atë?

5. Si procedon Koliqi me kohën e rrëfimit në tregimet e tij?

7. Cilat janë tematikat që trajtohen te përmbledhja “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh”?

8. Cili është përcaktimi që Camaj i bën stilit të Koliqit? Ushtroni mendimin kritik

9. Vepra “Pasqyrat e Narçizit” është shkruar në formën e prozave poetike. Çfarë dini ju për zhanret e përziera, siç është edhe forma e prozave poetike? Diskutoni në lidhje me karakteristikat që shoqërojnë këtë formë shkrimi. Zgjidhni një prej prozave poetike të Koliqit dhe krahasojeni me prozën poetike “Ag” të Artur Rembosë, të dhënë në mësimin “Letërsia moderne”, në rubrikën “Analizë përmes shembujve”.

10. Në një pjesë të tregimeve dhe novelave, Koliqi përdor instrumente të psikanalizës për të depërtuar në realitetin psikik të personazheve të tij. Lexoni tregimin “Andërr e nji mbasditje vere” (ose ndonjë tregim tjetër) dhe më pas diskutoni mbi praninë e elementeve psikanalitike në të.

11. Martin Camaj e cilëson Koliqin si “ndërmjetës mes shkrimtarëve të Veriut e të Jugut të Shqipnisë”, a mendoni edhe ju të njëjtën gjë? Argumentoni përgjigjen tuaj.

12. Gjeni përcaktime të tjera që i janë bërë Koliqit si shkrimtar dhe artit të tij, dhe diskutoni për vlefshmërinë e tyre.

Letërsi 129

ANALIZË E VEPRËS

Gjaku

Novela“Gjaku”është një prej krijimeve më të vlerësuara të Koliqit, e cila renditet e dyta ndër dymbëdhjetë tregimet dhe novelat që përmban libri “Hija e maleve” (1929). Në këtë novelë, Koliqi trajton temën e gjakmarrjes, si dhe atë të përpjekjes së individit shqiptar të fillimshekullit XX për t’u çliruar nga zinxhiri i zakoneve e ligjësive të pashkruara dhe për të ndjekur rrugën iluministe të zhvillimit dhe përparimit të vendit, nëpërmjet edukimit me dije e kulturë. Personazhi kryesor, Doda, është pikërisht projeksioni i kësaj përpjekjeje. I lindur në Malësi, Doda edukohet që në vogëli me kodet zakonore të vendit. Në mënyrë të pavullnetshme, ky edukim do të zërë vend në nënvetëdijen e tij, duke u fshehur në skutat më të errëta të saj, i gatshëm për t’u shfaqur në momentin më të parë kur preket kodi i tij. Doda vazhdon shkollën në Perëndim dhe ndjek rrugën e arsimimit dhe kulturimit. Shkolla dhe edukimi projektojnë te Doda njeriun që beson se vetëm nëpërmjet kulturës, shoqëria mund të shkëputet nga mendësia primitive dhe të ecë përpara në linjën e zhvillimit si kombet e tjera. Ndaj i futet punës për të shkruar një libër programatik për misionin qytetërues që i është caktuar. Pohimi programatik, me të cilin fillon novela, dëshmon përkushtimin e Dodës për të përmbushur misionin që ka:

A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnimin një kombi zhytë në errsinën e padijes?

- Ai që kalon nëpër popull me hedhë farën për një jetë må të mirë, ai që e ndriçon me një dritë ma të bukur tokën që na ushqen, ai që bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave; shkurt: kush i difton popullit një udhë të re qytetnie të vërtetë, âsht i denjë me qenë i nderuem si gjysmë perëndie

Por ky përkushtim dhe vetë misioni i Dodës vihen në provë, kur ai merr lajmin se të vëllanë, Zekën, ia kanë vrarë. Kthimi në Malësi për të varrosur të vëllanë është edhe fillimi i një lufte të brendshme mes “detyrimit” ndaj kanunit, ligjeve të pashkruara të fisit, që i diktojnë gjakmarrjen – një formë sjelljeje që mendonte se e kishte çrrënjosur nga vetja – dhe njeriut të kulturuar, intelektualit, që besonte se zhvillimi i vendit vjen pikërisht nga braktisja e zakoneve dhe rregullave që e kanë lënë prapa e në mjerim vendin. Në këtë luftë të brendshme, ku askush nuk i jep mbështetje e s’e ndihmon, nxjerr krye edukimi që kishte marrë në vogëli. Ligjet e pashkruara, që dalin nga skutat e nënvetëdijes së tij, e drejtojnë drejt veprimit fatal: gjakmarrjes. Doda vret gjakësin e njëherazi edhe parimet dhe bindjen e tij se vetëm dija mund ta çlirojë njeriun nga zakonet dhe ligjet që ka trashëguar prej shekujsh. Kështu, “shqiptari arkaik” triumfon ndaj “shqiptarit të qytetëruar”. Forcat instiktive e shtyjnë Dodën të bëhet gjakës dhe të mpijnë ndërgjegjen e qytetëruar. Pohimi që Doda bën në fund të novelës tregon fuqinë e kësaj force instiktive:

Unë s’e kam mendue kurrë se qes pushkë: një forcë që s’dij me e shpjegue m’i mori mênt e më rrëmbeu vullnetin.

E tërë novela, por sidomos pjesa e konfliktit të brendshëm që mbërthen Dodën gjatë përpjekjeve për t’iu shmangur “detyrimit” ndaj kodit të gjakmarrjes, karakterizohet nga prania e instrumenteve psikanalitike. Nëpërmjet këtyre instrumenteve, ne arrijmë të depërtojmë në thellësi të qenies së personazhit dhe të kuptojmë gjendjen dhe sjelljet e tij. Kjo novelë, sikurse edhe disa prej tregimeve të tij, bën pjesë tek ai grup që studiuesit e kanë quajtur modeli i tregimeve psikospektive.

Teksti i mëposhtëm ilustron pikërisht konfliktin e brendshëm që ka mbërthyer Dodën. Përshkruhet gjendja e rënduar shpirtërore dhe psikologjike e Dodës, i cili, i ndodhur në një rreth vicioz, ku të gjithë – i ati, fisi, prifti, nëna e së fejuarës, miku i familjes – e shtyjnë drejt përmbushjes së detyrimit kanunor të marrjes së gjakut, përpiqet të ruajë bindjen dhe pastërtinë e misionit të tij.

Letërsi130

ILUSTRIM

E. Koliqi

Gjaku

Iku prej shtëpisë së të dashunës e hyni në një pijetore, ku të gjithë e shikuen për seri, kaq e çuditshme u duk ardhja e atij mësuesi të përmêndun për urti në atë lokal pijanecash. Po Doda s’pa kurrkênd.

Kishte humbë gati krejt pushtetin e vetvetes. Lonte kâmbë e dorë, bânte gjeste si në kllapi. Një mendim i papritun e kishte sjellë aty. Porositi raki. Kur ia prune, lagu paksa gojën me te dhe e vûni përpara tue e harrue mbi tavoline. Fjalet e s’âmës së Nushës i tingllonin gjithnji në vesh, provokuese. Donte me e largue mêndimin nga to: kerkonte me harrue, me u davarite. Kot: qarku i errësinës, që kish nisë me e rrethue shpirtin e tij si natë mëndere, ngushtohej ças me ças.

“Unë shkova te ato me kërkue paqen e gjeta dishprimin”. E, me të vërtetë, çapojt e dishprimit i kishin hy thellë ne zêmër. Jeta humbte ngjyrat e bukura, zverdhohej, mbulohej me hije të zeza. Ajo skutë fatbardhësie, që duert e njoma të Nushës do të lulëzonin për ditë me drandofille të përvesueme, a thue kishte për t’u zhdukë si ândërr e avullt që fshin drita e diellit? Libri origjinal, vepra e thellë që do të përtrinte psiken e kalamâjve shqiptarë, tue ngjallë e forcue instinktet må te shëndosha të kombit, kishte për të mbetë vallë deshire e pafuqishme e një mëngjesi t’êndun vetëm me rreze shpresash? Misioni i naltë me edukue djelmninë, që sot âsht uzdaja e lumnisë së ardhshme, por nesër do të jetë Shqipnia e re – ajo që shkelqen në kângën e poetëve e qe dëshirimi i fundēm i dëshmorëve – a thue do të ishte mbaskëndej detyrë e ândëshme e tjerve dhe jo mâ e tij? Do të dilte ai ndoshta nga radhët e çetës së punëtorëve e do t’i shifte kolegët tue marshue pērpara, pa tê? Ideali i trajtuem me sa mundime e studime a do të shembej pa pritë, pa kujtue? Kultura e tij do të ishte valle si levore që plasaritë vetvetiu tue lânë lakuriq natyrën primitive?

U ngrit, pagoi e doli.

Jashtë, ré të zeza udhëtonin të shpejta nëpër qiell. Vetima, si gjarpën ari xhixhillues, rrëshqiste për të gjatë tyne tue e shqye, hove-hove, terrin e natës. Ajri ishte i nxehtē, i amtë me të marrë frymën. Shtërngata po avitej. Ai shkoi drejt në shtëpi, pa mujtë me këputë fijen e mendimeve.

LETRAR
Letërsi 131

“Te tanë janë çue kundra meje... Bajraku murmuron tue thânë se deri më sot s’ka pasë pjesëtar që të ketë lanë gjak me hupë... Apa âsht në short me m'u sëmurë prej idhnimit e ndoshta më nâm në zêmër të vet si djalë të bastardhuem... Don Shtjefni nuk më foli asnjë fjalë që me ma qetësue qëndresën... Drandes i âsht mbushë mêndja se unë s’bari kore dhe se do ta bâj me doemos një punë... Të tânë kundra meje... Kurrkush s’ma thotë një fjalë që me ma përtri fuqinë e vullnetit... E, pra, me gjithë këtë, unë do t’i qëndroj këtij ambienti të kalbun... Unë s’do t’i përulem këtij mentaliteti të egër... Le të më thërrasin tutës, le të më quejnë djalë të lig: unë due me dhânë një shembull të gjallë kuraje civile tue u shpallë luftë zakoneve të mbrapshta”.

Me gjithë që ky vendim i marrun në vetvete ia qetësoi disi turbullimin e mêndjes, prap gjumi s’e merrte. Kujtimi i të atit, sidomos, nuk i hiqej. Ai e dinte mirfilli se, po të kishte mujtë me fluturue te shtëpia në atë ças, aty afër votre do ta gjente, pa gjumë, në paluejtninë e zakonshme, kapërthye në idhnimin e gjakut të pamarrun që ia brente përbrenda fuqitë e fundme të jetës. Vetoi, jashtë, e bubulloi. Era bâni me gjëmue dyer e dritore. Në fund qielli shfreu: ra shi; i fortë, i shpejtë, i kumbueshëm. Mbandej vetimat u rralluen, bumbullimat u larguen e ktheu heshtja e përparshme. Vetëm, ndëgjohej uji tue rrjedhë rrëkeve të oborrit, poshtë, përherë mâ i kadalshëm.

Dodës i ra në kujtim se kishte lexue në një libër që, për me ndiellë âmbëlsit e lulëkuqeve të Morfeut, duhej largue çdo mêndim e duhej njehë symbyllë me mênd, pa u sjellë nëpër të shtrueme, deri sa gjumi ta këpusë vargun e numravet. Ashtu bâni, tue fillue të njehunit dy tri herë rishtas sepse mêndimet e kapnin trathmênd. Tekembramja fjeti. Ândrrat që pa qenë edhe mâ të turbullueshme se mendimet e ditës. Natë e shkambie. Ai ikte, ikte turrshëm tue u shqye petkash nëpër gurë të thepisun.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Nëse e vendosim fragmentin brenda gjithë veprës, atëherë kuptojmë se shfaqen disa problematika njëkohësisht. Identifikojini ato dhe tregoni si i kuptoni.

2. Njerëzit në pijetore e shohin Dodën me habi. Analizoni nga ana kuptimore këtë reagim, duke pasur në vëmendje edhe përmbajtjen e novelës.

3. Në tekst pohohet se sjelljet e Dodës janë si në kllapi. Shpjegoni si i arsyetoni ju këto veprime të Dodës. A vjen natyrshëm kjo në përfytyrimin tuaj teksa lexoni tekstin?

4. Fjalët e nënës së Nushës (të fejuarës së tij) i tingëllonin në vesh. Cilat ndjesi të Dodës i ngacmojnë ato? Si vepron Doda përballë këtij insistimi?

Letërsi132

5. Doda e përkufizon kështu misionin që ai ka ndërmarrë: Libri origjinal, vepra e thellë... do të përtrinte psiken e kalamâjve shqiptarë, tue ngjallë e forcue instinktet må te shëndosha të kombit... Shpjegoni me fjalët tuaja si e kuptoni këtë mision të protagonistit.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Fragmenti është i ndërtuar në integrimin e ligjëratës së drejtë me atë të zhdrejtë. Ligjëratë e drejtë janë fjalët e Dodës, ndërsa ligjëratë e zhdrejtë, fjalët e rrëfimtarit. Pasi ta keni rilexuar tekstin, mendoni se gjykimi i rrëfimtarit e plotëson gjykimin e protagonistit?

7. Në paragrafët e parë vërehet prania e fjalive të shkurtra e me përbërës antitetik: Iku prej... e hyni ...; të gjithë e shikuen... po Doda s’pa kurrkend; ...kërkue paqen e gjeta dishprimin. Çfarë tregojnë këto për gjendjen psikologjike në të cilën ndodhet Doda?

8. Për zbërthimin e botës së brendshme të personazhit është përdorur monologu i brendshëm. Doda përdor përemrin ato për të tjerët dhe unë për veten. Përse ka zgjedhur këtë ndërtim rrëfimtari? A lidhet kjo me vendimet dhe misionin e Dodës? Po me luftën e tij? Kundër kujt është kjo luftë?

9. Gjatë monologut të Dodës vërejmë praninë e shpeshtë të retiçencës. Ky ndërtim i tekstit, a pasqyron dilemën e Dodës? Nëse po, tregoni si lidhet kjo me llojin e fjalisë së përdorur.

10. Lexojeni tekstin me zë. Ai është shkruar në dialektin gegë. Identifikoni fjali e ndërtime gjuhësore që janë karakteristike për atë dialekt. Ndërtoni fjali në klasë, duke i sjellë ato në kontekste të tjera.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Fragmenti nis me një situatë paradoksale: ardhja e atij mësuesi të përmêndun për urti në atë lokal pijanecash. Cilët janë fjalët që krijojnë paradoksin? A ka paralelizëm mes këtij paradoksi dhe asaj që ndodh në novelë?

12. Lexoni fjalinë: Kot: qarku i errësinës, që kish nisë me e rrethue shpirtin e tij si natë mëndere, ngushtohej ças me ças. Fjalia nxit imazhin e një rrethi që sa vjen e ngushtohet. Gjeni metaforat dhe analizoni kuptimet që fitojnë ato. Kjo errësirë që po pushton shpirtin e Dodës, i vjen instinktivisht apo ai e kontrollon atë? Si lidhet e gjitha kjo me metaforën çapojt e dishprimit?

13. Dilemat e Dodës, dhënë përmes fjalëve të rrëfimtarit, ndërtohen përmes pyetjeve retorike. Pyetjet retorike i paraprin konstatimi: Jeta humbte ngjyrat e bukura, zverdhohej, mbulohej me hije të zeza. Analizoni kalimin nga realiteti në instinktet e botës së brendshme. Mbështetuni te metaforat, enumeracioni. Si lidhet me nëntekstin e pyetjeve retorike kjo paraprirje? Mendoni se brenda botës së Dodës ka nisur lufta? Pse? Argumentoni duke përdorur figurat që gjenden brenda pyetjeve retorike.

14. Ndaluni në paragrafin: Misioni i naltë me edukue djelmninë, që sot âsht uzdaja e lumnise se ardhshme, por nesër do të jetë Shqipnia e re - ajo që shkelqen në kângën e poetëve e qe dëshirimi i fundēm i dëshmorëve - a thue do të ishte mbaskëndej detyrë e ândëshme e tjerve dhe jo mâ e tij? Do të dilte ai ndoshta nga radhët e çetës së punëtorëve e do t’i shifte kolegët tue marshue pērpara, pa tê? Ideali i trajtuem me sa mundime e studime a do të shembej pa pritë, pa kujtue? Kultura e tij do të ishte valle si levore që plasaritë vetvetiu tue lânë lakuriq natyrën primitive? Vëreni mendimet e kundërta që gjallojnë në të. Evidentoni fjalët që krijojnë antonimi kontekstuale. Duke u nisur nga to, tregoni imazhin që krijon togu Shqipnia e re.

Letërsi 133

15. Metafora idhnimin e gjakut të pamarrun, na orienton drejt teorisë së instinkteve, mbi të cilën ndërtohet novela. Shpjegoni kuptimin që merr emri idhnim brenda metaforës. A lidhet ai me zakone e tradita të zonës së Veriut të Shqipërisë? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke sjellë të dhëna të tjera nga novela.

Nga teksti te gjuha në përdorim

16. Kemi përmendur shumë herë që autori e ndërton tekstin mbi kundërshtitë. Analizoni këto përdorime në funksion të qëllimit të tij. A ju ndihmojnë antitezat kontekstuale për ta kuptuar këtë? Ilustroni mendimin tuaj me të dhëna nga teksti.

17. Fragmenti është i ngjeshur me përdorimin e formës së pashtjelluar me + pjesore, tipike kjo e përdorimit të gegërishtes. Evidentoni disa prej tyre. Në çfarë funksionesh shfaqet në rastet që ju evidentuat? A e bën të bukur rrëfimin? Po të plotë? Pse?

18. Karakteristikë e monologut të brendshëm është përdorimi i shumë përemrave. Identifikoni rastet kur përemrat luajnë rolin e hiponimisë. Cilat fjalë përmbledhin ata? A ndikon kjo në mesazhin që përcjell fragmenti?

19. Përgjatë monologimit shfaqet shumë shpesh përemri unë. Sa arrin protagonisti ta bindë lexuesin në këmbënguljen e tij? Ju si lexues, a jeni të bindur që Doda do t’i qëndrojë deri në fund vendimit të tij? Argumentoni përgjigjen tuaj me të dhëna nga teksti.

20. Brenda këtij konteksti fragmentar, teksa përshkruan natyrën në funksion të luftës së brendshme të Dodës, vërejmë në fillim “Shtërngata po avitej” dhe në fund “qielli shfreu”. Si lidhet ky përdorim me kontekstin? Si shkon ai në paralelizëm me gjendjen e brendshme të Dodës?

Nga teksti te reflektimi

21. Doda pohon: Unë s’e kam mendue kurrë se qes pushkë: një forcë që s’dij me e shpjegue m’i mori mênt e më rrëmbeu vullnetin. Si mendoni, cila është ajo “forcë” që e shtyn Dodën të kryejë vrasje, përkundër vullnetit të tij?

22. Si e gjykoni bindjen e Dodës përballë presionit të ambientit dhe familjes? A ka mjaftueshëm forca një njeri i vetëm, qoftë edhe i shkolluar, për të përballuar sfidën e një shoqërie të tërë?

23. Figura e babait në familjen patriarkale shqiptare ka një përfaqësim të fortë, imponues. A njihni shembuj të tjerë në jetën e përditshme që të përçojnë të njëjtën ndjesi si të Dodës? Flisni për to.

24. Besoni edhe ju që shkollimi i mbarë shoqërisë do të mbizotërojë rolin frenues dhe negativ të disa ligjeve të pashkruara? A keni një ide konkrete për këtë? E shihni mundësinë që ky të jetë një prej planeve tuaja të së ardhmes?

25. Në ç’raport me realitetin e sotëm në zonat e thella të Veriut të Kosovës dhe Shqipërisë është kjo novelë? A është zhdukur dukuria e gjakmarrjes? Sa ndikon tradicionaliteti dhe patriarkaliteti në këtë proces?

Nga teksti te të shkruarit

26. Shkruani një ese analitike me temë: A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjelle qytetnimin një kombi zhytë në errsinën e padijes?

Letërsi134

ANALIZË E VEPRËS

Kërcimtarja e Dukagjinit

Kërcimtarja e Dukagjinit” bën pjesë në grupin e tregimeve që përdorin elemente fantastike të mitologjisë shqiptare, siç janë zanat, të përziera me elemente të historisë dhe të jetës reale. Strukturimi i tregimit ngjan me strukturimin e përrallave e legjendave. Formulime të tilla, si “Paska qênë qenë dikur nji vajzë mrekullisht e hijëshme”, me të cilin fillon paragrafi i dytë i tregimit, na kujtojnë formulat me të cilat nisin përrallat.

Fabula e tregimit

Fabula e këtij tregimi është e tillë: Skënderbeu, pas fitores që kishte arritur kundër turqve, kishte vendosur të organizonte një festë. Në këtë festë, ai thirri gjithë bashkëluftëtarët. Lekë Dukagjini shkoi së bashku me njerëzit e tij, mes të cilëve ishte edhe mbesa, Lulja. Lulja shquhej për bukurinë e jashtëzakonshme, por nga ana tjetër, edhe për ngathtësinë dhe trashamanësinë e saj. Ndaj, Zanat, për të nderuar madhështinë e vendit të tyre, vendosin që njëra prej tyre të marrë pamjen e Lules. Me këtë shndërrim, Lulja, për çudinë e të gjithëve, e më së shumti të nënës së vet, Zogës, arrin të fitojë garën e kërcimtares më të mirë e të kurorëzohet mbretëresha e kërcimtareve. Ajo që ndodh në fund të tregimit, kur Lulja zgjohet nga gjumi e plogësht dhe e ngathët si dikur, duke pohuar se s’kishte qenë kurrë në Krujë, shpjegon enigmën e transformimit të saj.

Karakteristikat e tregimit

Ky tregim është përcaktuar si tregim metamorfozo-simbolik. Metamorfoza e brendshme që ndodh te princesha Lule, mbesa e Lekë Dukagjinit, është simbolike, është metamorfoza e jashtme që i duhet kombit për të dalë nga amullia e squllët ku e ka zhytur veten. Lavdia e breznive të mëparshme s’mjafton për të justifikuar veprimet e “ngathta, të trasha e turulluqe” të bashkëkohësve të Koliqit. Diçka duhet “lëviz”, përndryshe zanat bëjnë lojëra, ose lavdia e të parëve, që ndihet e rrezikuar, thërret në ndihmë mitin, i cili në saje të transhendencës realizon metamorfozën. Tashmë, s’është Lulja që lëviz, por “Zânat e Dukagjinit për me i qitë zânin maleve të tyne kishin dâ qi njâna prej sosh të merrte fytyrën e trupin e Lules e të shkonte në Krue në vênd të saj, më sa qi këtê tue plandosë në një gjumë të randë, e kishin vû me fjetë, në banën hyjnore ku ato jetojnë”.

Letërsi 135

Estetikisht, prezenca e Zanës në trupin e Lules nuk shfaqet me bukuri statike, pamore, por me madhështinë lëvizore, që përnjëherësh ndërron forma, duke dhënë imazhe figurash të ndryshme, të gjitha brenda një funksioni: për të evidentuar madhështinë e qenies dhe të kombit. “E drejtë si curril uji gufues, e lakmueshme si gem i njomë, e shpejtë si hije reje, e dridhshme si drita n’krue, endej shpejt, ngadalë, hovshëm, pritueshëm. Kërcimi i saj ishte i freskët si liria e maleve, i lehtë si kind flamuri që valon ndër maje të epra, i egër si fluturimi i shqipes, i përmallshëm si kângë e harrueme që ngjallet në fund të zêmrës”.

Lëvizja interpretohet si ndryshim, gjallëri, jetë, ndërsa krahasimet si qëllime për t’u arritur. E kështu, miti i sugjeron realitetit: “Lypset Çilë një rrugë e re, që të na nxjerri prej gropës ku kena ra”

ILUSTRIM LETRAR

Kërcimtarja e Dukagjinit

Ishte princeshë Lulja, mbesa e Lekë Dukagjinit.

Si u ba? Ça ndodhi?

Porsa hyrija malsore çoi duert e luejti kâmbët, nji habi e ambël kapi gjith shpirtnat. Nëpër tânë salonin u ndie si nji âmě lulesh mali e si nji gurgullim krojesh të ngrita.

Sy njeriu s’kishte på as valle mâ të mrekullueshme as kërcimtare mâ të bukur. Lëkura e fytyrës së saj gjante e endun me rreze e fletëza prilli. Trupi i vërgjilët përhapte anë për anë nji njomsi si lule qi sa po ka çelë. Të gjithve i u bânte se shifshin rreth saj tue lulzue e tue u shfletězue, si n’ândërr, lulishta madhshtore. Ishte nji apotheozë lulesh: lule të dênduna të panjehuna iu çelnin nên kâmbët e lehta, reshëshin mbi flokë të lëshuem, dridheshin ndërmjet gishtave të bardhë, derdheshin mbi trup hyjnuer.

Tash ngjante si të ishte tue luejtë foshnjisht me përfytyrimin e saj në pasqyrën e një uji të kulluet; mandej dukej të këpuste rremtha të lulëzuem, tue u ngritë maje gishtave të vegjël. Herë ngiste nëpër shtrojë si të ndiqte ndonjë flutur ari; herë valavitej si ta përkundte jehu i një jonës së largët që ngjallte malle të paprituna.

Merrte me u ngjitë nëpër një shkallë ajrore, largonte gjeth e lule të padukshme që ia ndalonin hovin, hidhej përpara si të binte zhyt në ndonjë krue, shtrinte dorën me kapë shoqe tjera e sillej me mënyrën e asaj që u prîn një vargu vajzash kërcyese.

E drejtë si curril uji gufues, e lakmueshme si gem i njomë, e shpejtë si hije reje, e dridhshme si drita në krue, endej shpejt, ngadalë, hovshëm, pritueshëm. Kërcimi i saj ishte i freskët si liria e maleve, i lehtë si kind flamuri që valon ndër maje të epra, i egër si fluturimi i shqipeve, i përmallshëm si kângë e harrueme qi ngjallet në fund të zêmrës.

Letërsi136

Sa mbaroi, një brohori e përgjithshme e emnoi mbretëreshë të kërcimtareve. Mbreti vetë erdhi me e marrë për dore. Princat, kapidanat, bajlozat, bujarët, kalorësit e rrethuen tue e mbulue me lavde e tue i ngjitë mbiemna të bukur.

– Zânë me flatra!

– Hyjneshë e kërcimit!

– Dritë hâne në prrue!

– Fllad fluturues!

– Lule në erë! Flutura e Shqipnisë!

Bajlozi i Venedikut i pëshpëriti:

– Tersicore!

E âma, Zoga, me çudi mâ të madhe që mund t’i shprehte fytyra, u lëshue kah ajo:

– Po kush të ka mësue, moj, ty me kërcye ashtu?

Shatrat e Mbretit e çuen me zgjedhë çka të donte ndër plaçkat e luftës së fundme. E ajo mori një peshtah ari të punuem për mrekulli.

Mbretnesha e thirri afër vetes dhe e puthi në ballë. Tuba lulesh të panjehuna nisën me i ardhë. Princat e rij çonin me kërkue lule nëpër lulishta të Krujës për tê; zojat i hiqnin prej parzmit me ia falë asaj.

Një triumf i pashoq.

Ajo shkëlqente për gjithë ças e mâ bukur mâ e njomë, mâ tërhjekse.

Festat mbaruen e gëdhini dita e kthimit. Lekë Dukagjini me përciellësa u nis në Malësi.

Udhës të gjithë ishin të lodhun prej kremtimeve të gjata.

Të nesërmen, një lajmtar i papritun e zgjoi heret Zogén. Lekë Dukagjini e thirrte për një punë me rândësi të madhe. Ia kishte befë në kështjellë një princ i ri, nga shtëpia e Muzakajve, që kërkonte me e marrë Lulën e donte me u fejue aty për aty. Kërcimi i pashoq e kishte bâ me u çmêndë mbas saj, e ai kish vrapue për të arrijtë i pari, sepse ishte i sigurtë se tjetër dëshirtarë do t’u paraqitnin për së shpejti.

Zoga, si mori vesht punën, ngau me zgjue të bijën. Por kjo gërhiste tue fjetë e s’ishte send që e luente vêndit. Mbasi e shkundi e âma mirë e mirë, në fund, Lulja u ngrit me sy të turbullt e me një shprehje mërzie në skaje të buzëve.

– Çou, – i briti Zoga, – se kanë ardhë me të lypë për grue. Ajo s’u tund asnjë fije, por mori me u veshë kadal me plogështinë e zakonshme.

– Mâ shpejt, he qyqe! Ku ma le zhdërvjelltësinë që kishe në kërcim? –bâni e âma tue e nxitë.

– Ku? Si? – pyeti vajza e një habi e madhe iu piskue në fytyrë.

– Në Krujë, pra, deh, – ia priti Zoga, – kur ishim në Krujë.

…………………………………………………………………………….
Letërsi 137

Vajza qeshi si e marrë e tha:

– Në Krujë?... Po unë s›kam qenë kurrë në Krujë!

E âma e vërejti çuditshëm. Sytë e Lulës kishin shikimin e vdekun të përparandjeshëm; buzët iu shtrembnonin prap në një nênqeshje trashanike e të pakuptueshme.

E, si Zoga, të gjithë u habitën, kur e panë Lulën të kthyeme përsëri në plogështinë e trashamaninë e dikurshme. Askush nuk mund të kuptonte se si ajo vajzë e ngathët kish pasë një triumf aq të madh në Krujë. Por çudia kapërcente gjithë kufijt e kuptimit kur ajo bânte bé se kurrë s’mbante mênd që të kish kërcye në jetën e vet. Princi i ri, sa e soditi me tê, lypi leje dhe iku i dishpruem.

“Çka kishte ndodhë?” …………………………

Zânat e Dukagjinit, për me i qitë zânin maleve të tyne, kishin nda që njâna prej sosh të merrte fytyrën e trupin e Lulës e të shkonte në Krujë në vend të saj, me sa që këtë, tue e plandosë në një gjumë të rândë, e kishin vû me fjetë në banesën hyjnore ku ato jetojnë. Mandej e kishin çue prap në shtëpi, natën, pranë së âmës, kur shoqja e tyne ktheu nga triumfi i Krujës.

Puc, Zânat bâjnë shpesh këso lojnash!...

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në cilin grup është klasifikuar tregimi “Kërcimtarja e Dukagjinit”? Pse?

2. Në këtë prozë Koliqi trajton:

a) gëzimin e jetës mbushur me gjallëri dhe magji.

b) pesimizmin si pasojë e shqetësimeve dhe ambicieve njerëzore.

c) përpjekjen e njeriut për të shijuar bukuritë e natyrës.

d) elemente biografike nga jeta e tij.

3. Pikën kulmore të kërcimit në këtë fragment e shënon çasti kur:

a) Lulja hyn në skenë në mënyrë të papritur.

b) mësohet që vajza është mbesa e Lekë Dukagjinit.

c) kërcimi i Lules fiton cilësi gati hyjnore.

d) Lulja u buzëqesh të gjithë atyre që e mbuluan me lavde.

4. Lules/Zanës të pranishmit i japin emërtime të mrekullueshme. Kthehuni në tekst dhe lexojini ato. Çfarë kuptimi marrin ato në këtë kontekst? Si është vlerësimi për vajzën/Zanën?

5. Në fragment tregohet se zanat vendosin që njëra prej tyre të marrë formën e Lules. Si e kuptoni ju këtë metamorfozë? Po rrëfimtari si e shpjegon? A përkoni me mendimet e rrëfimtarit?

Letërsi138

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Fragmenti ndërtohet mbi ligjërim të lartë, në të cilin vërehet ndërthurja e magjikes me realen. Identifikoni elementin magjik dhe argumentoni se në ç`raport rri ai me elementin real. Cili dominon? A e justifikon këtë ndërtim mesazhi i pjesës? Pse?

7. Rrëfimtari në këtë fragment nuk e fsheh veten. Kjo shfaqet nëpërmjet gjykimeve që ai jep. Rilexoni tekstin dhe evidentoni fjalitë e frazat që e bëjnë të dukshëm rrëfimtarin. Cili mund të jetë ai? Bëni një profilizim të rrëfimtarit.

8. Gjuha e prozës poetike dallon nga gjuha e prozës. Në këtë fragment vëmë re shumë elemente të prozës poetike. Duke shfrytëzuar njohuritë që keni mbi prozën poetike, evidentoni pasazhet ku ajo vërehet. Nënvizoni këto elemente.

9. Fragmenti ka përdorim të dendur foljesh në të dyja pjesët e tij. Identifikoni ato dhe thoni si i shërbejnë përmbajtjes së secilës pjesë. Lidheni këtë me profilin e Lules-Zanë dhe Lules-vajzë e mefshtë.

10. Gjeni në tekst cilësimet që shërbejnë për të dhënë madhështinë e kërcimit të Lules. Analizoni ndërtimin e tyre.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Lexoni fjalinë: Porsa hyrija malsore çoi duert e luejti kâmbët, nji habi e ambël kapi gjith shpirtnat. Nëpër tânë salonin u ndie si nji âmě lulesh mali e si nji gurgullim krojesh të ngrita. Në këtë nisje të kërcimit, lëvizja dhe efekti i saj realizohen nëpërmjet emrave dhe jo foljeve. Kjo gjetje ngacmon efektet pamore dhe rrit imagjinatën. Analizo metaforat duke pasur parasysh: kuptimin e ri që marrin emrat e mbiemrat; lidhjen e metaforave me mjedisin malësor; ngjyrimet emotive që ato përcjellin.

12. Për të përshkruar fizikun e vajzës ndërkohë që kërcen, rrëfimtari huazon detaje nga pranvera, të cilat i quan apotheozë lulesh. Ndaluni te ky fragment dhe evidentoni foljet. Si lidhen ato me emrin lule? Cili është kuptimi i ri që ato fitojnë? Si lidhet ky kuptim me emrin e luleve?

13. I gjithë kërcimi i Lules/Zanës të kujton natyrën e mrekullueshme të malësive tona. Vëreni similitudat në këtë paragraf: Tash ngjante si të ishte tue luejtë foshnjisht me përfytyrimin e saj në pasqyrën e një uji të kulluet; mandej dukej të këpuste rremtha të lulëzuem, tue u ngritë maje gishtave të vegjël. Herë ngiste nëpër shtrojë si të ndiqte ndonjë flutur ari; herë valavitej si ta përkundte jehu i një jonës së largët që ngjallte malle të paprituna. Pse të kujtojnë ato natyrën tonë? Si ndikojnë metaforat në to? Cilat janë kuptimet që marrin metaforat brenda similitudave?

14. Figuracioni i dendur luan me imazhin. Si e përfytyroni ju vallen e vajzës? Nëse do të duhej ta vizatonit atë, cilin sfond do t`i vendosnit? Cilat ngjyra do të përdornit? Pse bëtë këto zgjedhje? Mbështeteni mendimin tuaj me figura të marra nga teksti.

15. Në fund të tregimit, rrëfimtari thotë: “Puc, Zânat bâjnë shpesh këso lojnash!... Çfarë kuptimi merr fjala “lojna”? Konsultoni “Fjalorin e gjuhës shqipe” dhe dalloni kuptimet e saj. Çfarë nuance të re kuptimore ka fituar ajo?

Letërsi 139

Nga teksti te gjuha në përdorim

16. Në këtë kontekst marrin vlerë disa dukuri tradicionale. Cilësojini ato. Si shprehet gjuhësisht vlera e tyre?

17. Në fjalinë: “Porsa hyrija malsore çoi duert e luejti kambët, nji habi e ambël kapi gjith shpirtnat...”, merr rol të veçantë përcaktori gjith. Shpjegoni rolin e përcaktorit, duke e lidhur me çastin dhe me kontekstin.

18. Vëreni fjalitë mungesore:

Zânë me flatra!

Hyjneshë e kërcimit!

Dritë hâne në prrue!

Fllad fluturues!

Lule në erë! Flutura e Shqipnisë!

Si realizohet plotësimi i kuptimit të tyre? Ndikon vetëm konteksti apo edhe intonacioni?

Argumentoni përgjigjen tuaj duke shfrytëzuar njohuritë mbi figurën e apostrofit dhe pasthirrmës.

19. Në pjesën e fundit, dialogu i nënës me vajzën zbulon arsyen se përse nëna habitet njësoj si të tjerët teksa sheh vajzën kur kërcen. Krahasoni të folurën e nënës gjatë kërcimit dhe atë pas festës. (Kujtoni që nëna në rastin e parë po i drejtohej Zanës, pa e ditur që ishte zana.) A është i njëjti nivel ligjërimor? Shfrytëzoni njohuritë mbi ligjërimin.

20. Në fund të tregimit, fjala përmbyllëse paraprihet nga pjesëza Puç, e cila merr vlerën e fjalisë. Si e gjykoni ju këtë përdorim? Kujt po i drejtohet rrëfyesi. Si e gjen veten lexuesi në këtë përdorim?

Nga teksti te reflektimi

21. Ky është një nga tregimet me më shumë vlera patriotike në gjuhën shqipe. Kjo shfaqet në mënyrë të shumëfishtë: tema e veprës, mesazhi i saj, gjuha e përdorur, gjetja artistike. Flisni mbi ndjesitë tuaja pasi e keni lexuar tregimin.

22. Leximi është proces i shumëfishtë. Kjo është arsyeja se përse ne ju kërkojmë të riktheheni në tekst. Si mendoni, pas çdo rileximi, a keni gjetur diçka të re në tekst? Tregojini ato me ilustrime nga fragmenti.

23. Nëse ky tregim do të ishte shkruar në shqipen standarde, mendoni se do të kishte të njëjtën fuqi shprehëse? Pse gegërishtja i shkon përshtat një fabule të tillë? Ku e gjen burimin e fuqisë shprehëse ky dialekt në këtë tregim?

24. Detaji fantastik i Zanës së shndërruar në vajzë nuk e cenon kuptimin realist të tregimit. Pse ju si lexues e shijoni më shumë përmes këtij elementi përrallor? Ka lidhje kjo me nënvetëdijen tuaj si shqiptarë?

25. Nëse do të ishit skenaristë dhe do ta kthenit në një skenë filmi këtë moment, çfarë planesh do të ndërtonit? Ku do të shkonit të filmonit? Në cilën stinë? Si do të ishte aktorja kryesore? A keni një emër?

Nga teksti te të shkruarit

26. Përpiquni të realizoni me shkrim një analizë teksti. Shpjegoni si shfaqen në këtë fragment veprimi dhe përjetimi i personazheve, si veçori e stilit të Koliqit.

Letërsi140

Gjuhë GJUHA, HISTORIA, KULTURA

Variacionet historike, shoqërore dhe kulturore të përdorimit të gjuhës

Çdo gjuhë ka historinë e saj, që është e lidhur ngushtë me historinë e popullit që e ka folur atë në të kaluarën dhe e flet sot e kësaj dite. Gjuha shqipe përbëhet nga gjithë ajo pasuri mjetesh shprehëse që kanë shërbyer për marrëveshjen gjuhësore ndërmjet shqiptarëve, kudo ku kanë qenë dhe janë, qysh nga periudha e formimit të popullsisë shqiptare e deri në ditët tona.

Çdo kulturë karakterizohet nga njё sistem i organizuar i koncepteve, të cilat nxjerrin nё pah mënyrat e jetesës dhe vlerat kulturore tё njё shoqërie. Përmes vëzhgimit tё gjuhës, dalin nё dritë sisteme, madje edhe komplekse të raporteve ndёrshoqёrore. Nëpërmjet sjelljes gjuhësore, çdo individ përcjell informacione mbi identitetin e vet shoqëror e kulturor. Çdo folës zë një hapësirë të caktuar shoqërore, të formuar nga shumë përmasa (statusi, roli, seksi, mosha, grupi) dhe një hapësirë të caktuar gjuhësore (formuar nga shumë varietete).

Çdo gjuhë paraqet një larmi tё madhe. Ajo ndryshon në kohë (variacioni diakronik, p.sh. shqipja e shek. XV-XVI: O Jezu Krisht, shelbuosi i gjithë shekullit e shpërblesi i shpirtënavet, Zot, regji i pâmort, u tý të lus, Dom Gjoni, sherbëtori uit, të madhenë zotënî tande të pâfine për këta të kënduom të këtyne Psalme, qi u î pâdenji këndova, ti të më liberonjsh shpirtinë tem ò katit (mëkatit), e ti vëliz (lëviz) zemërënë teme përapëtë ò duorshit s atyne qi për të keq ecnjënë. E ò së kujtuomeshit së pâdërejta e të pâligje ti libero (liro) korpnë (trupin) tem, aj përòdenë sherbëtyrë ò kati me mos klenë. E ti dbo (largo) ò meje të deshëruomitë e katit gruosë... BUZUKU); ndryshon në hapësirë (variacioni diatopik, pra, që u referohet karakteristikave gjuhësore që kanë të bëjnë me trevën e prejardhjes së folësit - dialektet, gjuhët rajonale p.sh.: Lozëm ndonjë lodër?/ të dua si motër.

Ç`motër më ke mua, o lumë e përrua/ti më more grua. Çajupi); ndryshon sipas situatave konkrete të komunikimit (variacioni diafazik, që ka të bëjë me situatën komunikuese p.sh.: - Shkojmë sonte në kinema? / - Kam provim nesër, as bëhet fjalë.); ndryshon në nivele/shtresa shoqërore (variacioni diastratik, që ka të bëjë me karakteristikat sociale të folësit - të rinj/të moshuar, fshatarë/qytetarë); ndryshon sipas mjetit (variacioni diamezik, që ka të bëjë me mjetin fizik të përdorur - gjuhë e folur apo e shkruar p.sh.: Më griu fizika. Më këputi fare. Kisha marrë 5 në provim.) etj. Variacionet gjuhësore janë të gjitha ato mënyra me të cilat një individ ose një grup shoqëror me të njëjtat karakteristika gjuhësore, mund të shprehin të njëjtat koncepte në mënyra të ndryshme. Këto variacione janë të pranishme në nivele të ndryshme shoqërore: profesionale, formale, bisedore etj.

Doktrina e krishterë, Pjetër Budi.
141Gjuhë

Gjuha shqipe ka një bërthamë të qëndrueshme, e cila përbën strukturën e saj, ndërsa realizimet e saj në të dyja planet, si historike, ashtu edhe në të sotmen, quhen variante gjuhësore. Gjuha lind dhe jeton në radhë të parë si gjuhë e folur, në trajtën gojore. Varietet e saj dallohen për arsye historike (shqipja e vjetër, e mesme, e re) dhe gjeografike (dialektet dhe të folmet e tyre).

Gjuha ndryshon sipas situatës së komunikimit dhe varet nga:

a. numri i bashkëbiseduesve (nuk përdorim të njëjtën gjuhë kur bisedojmë me shokët dhe kur analizojmë një vepër letrare përpara klasës);

b. lloji i marrëdhënieve nëpërmjet bashkëbiseduesve (nuk i drejtohemi me të njëjtën mënyrë një miku të afërt dhe një të panjohuri);

c. qëllimi i komunikimit (për të mbrojtur një të akuzuar, avokati nuk përdor të njëjtën gjuhë me të cilën u flet miqve për pushimet e tij).

Varietetet e një gjuhe janë të shumta, saqë do të ishte e pamundur të bëhej një grupim i saktë i tyre, sepse edhe modalitetet që sjellin përdorimin e tyre janë të larmishme. Ndikimi i ndërsjellë ligjërimor po ndodh sot kudo ku flitet shqip, pra në të gjitha të folmet e të dyja dialekteve, por gjuha është një dhe e vetme për të gjithë bashkësinë folëse, për të gjitha klasat dhe shtresat shoqërore, ndërsa variacionet janë të shumta dhe formojnë një mozaik shumëngjyrësh të shqipes. Dialektet dhe leksiku dialektor janë pjesë përbërëse e pasurisë sonë të përbashkët gjuhësore, rrjedhimisht edhe kulturore e kombëtare, kurse shtrirja dhe larmia e tyre janë dëshmi e historisë sonë, sepse çdo lëvizje e popullsisë dhe çdo lëvizje kufijsh është shoqëruar dhe shoqërohet edhe me lëvizjen e fjalëve dhe me ndryshime të shumta dhe të llojllojshme të strukturave të tyre që pasqyrohen në kulturën e individit folës e më gjerë. Gjuha është edhe një mjet që pasqyron kulturën kombëtare. Përdorimi i saj me mjeshtëri është tregues i njeriut të kulturuar. Kultura e ligjërimit është shfaqje e kulturës së të menduarit dhe të sjelljes. Ka mjaft rrugë të hapura për të përsosur ligjëratën tonë: të njohim dhe të përvetësojmë vlerat e shqipes, pasuritë e saj të pashtershme, duke iu drejtuar si gjuhës së gjallë të popullit, edhe modeleve të shkëlqyera që na japin mjeshtrit dhe lëvruesit e shqipes.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Si ndryshon gjuha dhe nga se varet ky ndryshim? Tregoni në cilat variacione bëjnë pjesë: a) dialekti gegë; b) zhargoni rinor; c) gjuha e mjekëve; d) shqipja e sotme.

2. Gjuha është një mjet që pasqyron kulturën kombëtare. Diskutoni mënyrat e shfaqjes së kësaj kulture në raporte historike dhe shoqërore.

3. Kemi thënë që gjuha përmban një numër të madh varietetesh. P.sh.: merrni në konsideratë se në sa mënyra mund t’i kërkoni dikujt të hapë dritaren, pasi në dhomë është shumë nxehtë. Në sa mënyra mund ta shqiptoni këtë fjali, drejtuar bashkëbiseduesve të ndryshëm?

142 Gjuhë

4. Do tё jetë e dobishme tё tregojmë variacionet e gjuhës nё raport me situata tё ndryshme sociale, duke përcaktuar njё kontekst komunikativ dhe njё domethënie pёr t’u transmetuar nga njё dhënës te njё marrës, qё do tё kёrkojё tё gjejё formёn mё tё pёrshtatshme pёr tё realizuar kёtё objektiv.

Jepni mendimin tuaj duke e ilustruar me situata konkrete. Ja njё e tillё: “Një avokat ishte duke lexuar parashtresën e tij në një gjykatë, përballë një jurie tashmë të lodhur dhe të përgjumur. Ai, duke parё interesimin e pakët që tregonin ndaj fjalëve të tij, në një çast kthehet nga fundi i sallës dhe duke e ndërprerë argumentimin thërret: ‘Kush e ka lënë atë kalë të hyjë në sallën e gjyqit?’. Nuk ishte e vërtetë, por të gjithë u zgjuan menjëherë, duke kërkuar kalin me sy. Vëmendja e tyre pra ishte zgjuar nga një fakt i ri i papritur, d.m.th. nga një variacion. Qëllimi komunikativ ishte arritur”.

5. Pёrmasa kulturore e tё mёsuarit/pёrvetёsimit gjuhёsor, duke u zhvilluar nё tёrё harkun kohor tё shkollёs, tregon se si ruhet gjuha nё pasurinё e trashëguar nga e kaluara, por edhe se si modifikohet lidhur me çёshtje tё ndryshme tё kulturёs jo vetёm gjuhёsore. Diskutoni dhe jepni mendimin tuaj duke e ilustruar me shembuj konkretë.

Ushtrohuni përmes shembujve

6. Lexoni informacionin e mëposhtëm dhe plotësojeni me fjalë të urta të zonës suaj që lidhen me atdheun dhe familjen.

Çdo komb përfaqësohet me identitetin e vet kombëtar, i cili në thelb është një identitet kulturor dhe qytetar, që përbëhet nga gjuha, trashëgimia historike, kultura popullore, tradita e jetesës.

Në letërsinë gojore, proverbat perceptohen si formë e veçantë, si një lloj letrar me të cilin shqiptohen gjykime e vlerësime të mirëfillta situatash e shfaqjesh, të cilat lindin prej jetës materiale e shpirtërore, prej përvojës shumëshekullore, prej praktikës dhe veprimtarisë popullore. Ato paraqesin urtësinë e filozofinë e popullit, mendimin e psikologjinë, ndërgjegjen e tij artistike dhe estetike.

Në këtë këndvështrim, fjalët e urta, si fraza të shkurtra, shprehin me pak fjalë filozofinë popullore duke sjellë një pjesë të botës shpirtërore të shqiptarëve për shumë tematika, të cilat trajtohen në to, duke transmetuar mesazhe që lidhen me atdheun, familjen, besën, fjalën e dhënë, punën e mjaft elemente të tjera.

Një enciklopedi më vete me vlera njohëse të pakrahasueshme përbën informacioni i gjithanshëm i fjalëve të urta. Sintetizmi, karakteri përgjithësues dhe mënyra figurative e shprehjes së mendimit bëjnë që çdo fjalë e urtë të përdoret me disa kuptime.

Fjalët e urta e transmetojnë mesazhin herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë në mënyrë të figurshme, por çdo herë janë mbartëse dhe transmetuese të vlerave kombëtare, janë ura lidhëse midis shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë.

7. Dëgjoni situatat e mëposhtme dhe lidhini me fjalën e urtë popullore që mendoni se përkon me to.

Artanit i erdhi një mësues i ri për lëndën e historisë. Ai nuk u ndje mirë kur e pa për herë të parë, pasi mësuesi kishte një shenjë të stërzgjatur në pjesën e majtë të fytyrës, qëndronte i kërrusur dhe dukej pak i vrazhdë. Sidoqoftë, në orët që vijuan, Artani mësoi se profesori i ri kishte marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës dhe dinte shumë fakte historike. Njëkohësisht, ai ishte shumë mendjehapur dhe zhvillonte orë shumë të bukura mësimore. Artani e kuptoi shpejt gabimin që kishte bërë, duke e gjykuar personalitetin e mësuesit të tij, pa e njohur aspak atë.

143Gjuhë

Korabi ka për të dorëzuar një detyrë në fund të javës. Tashmë është e mërkurë, por ai nuk e ka prekur librin me dorë. Korabi e di se, nëse punon nga dy ushtrime për çdo ditë që i mbetet, e përfundon detyrën të premten pasdite, fiks në kohë. Atdheu dhe Berati, dy vëllezërit e vegjël, e ftojnë të luajë me ta me letra dhe Korabi ka shumë dëshirë të bjerë dakord, por ai e di se, duke shmangur detyrimet që kemi, ato vetëm shtohen. Korabi përfundon dy ushtrimet, pastaj shkon të luajë me letra.

Në orën e biologjisë, Shpresa mësoi mbi shpendët, specifikisht mbi shqiponjat dhe prirjen e tyre të veçantë për të mos e braktisur kurrë folenë e tyre. Ato, pavarësisht kushteve, kthehen gjithmonë në folenë që i ka mbajtur ngrohtë dhe sigurt. Kjo situatë i kujtoi Shpresës dashurinë e madhe të shqiptarëve, kudo ku ndodhen, për atdheun dhe rrënjët e tyre, te të cilat kthehen gjithmonë. Shpresa u ndje shumë e gëzuar.

Rinori jeton në diasporë. Ai është me origjinë nga Kosova, por ka lindur larg atdheut. Në komunitetin e tij ka një shkollë që zhvillon mësimin në gjuhën shqipe edhe u mëson nxënësve me rrënjë shqiptare vlerat, parimet, kulturën dhe historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Edhe pse larg atdheut, Rinori e njeh shumë mirë gjuhën dhe kulturën shqipe dhe krenohet me origjinën e tij.

Në kohën e luftës në Kosovë, Mira ishte 9 vjeçe. Gjendja e keqe në qytetin e saj bëri që ajo dhe familja të linin përkohësisht shtëpinë dhe të largoheshin. Ata, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, u mirëpritën nga vëllezërit e tyre në trojet shqiptare. Mira dhe familja jetuan me dy pleq të moshuar, fëmijët e të cilëve jetonin jashtë vendit. Akoma sot, Mira komunikon me mikpritësit e saj dhe i viziton sa më shpesh të mundet.

“Punën e sotme mos e lër për nesër”.

“Duaje atdhenë si shqiponja folenë”.

“Shqiptari për mik âshtë tretë e âshtë fikë”.

“Mos i shiko gunën, por shikoji punën”.

“Gjuha ruhet atje ku shkruhet”.

8. Ndahuni në grupe dhe krijoni edhe ju sipas modelit situata që lidhen me fjalë të urta.

9. Gjeni fjalët e reja të krijuara nga Sami Frashëri. Thoni kuptimin e tyre dhe tregoni se përse nuk përdoren sot.

“Në kryeqytett të Shqipërisë, përveç shkollavet të dyta e të treta, do të jetë një gjithëmësime, një shkollë ushtrije, një për metaletë e për dituri e mjeshtëri të veçanta. Më pastaj edhe dy gjithëmësime duhetë të happenë një në Shqipëri të Sipërme e një në të Poshtërmet. Shkoll’e anierisë duhet të jetë mb’anë detit tok të jen’ edhe aniat e luftësë, në Durrësë e në Ujët të Ftohtë (afrë Vlorësë).

Një këshillë diturije (akademije) duhet të jetë në kryeqytett, e cila të kujdesetë për gjuhët, për livratë që duhenë për shkollatë edhe të nxjerrë fletore diturije të përkohshme e cdo gjë duhetë për të xgjuarë Shqipëtarëtë. Disa shoqërirëra do të bëhenë me ndihmët të ministrisë së diturisë për të shpënë përpara dhe shkronjënë, istorinë dhe kërkonjënë (gjeologjia) metalet’ e të tjera punëra të Shqipërisë; edhe cilado nga këto do të nxjerrë një herë në muajt e më pakë një fletore të përkohcme në të cilat të rrëfehetë gjithë çka gjetur e çpikurë shoqërija”.

(“Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, S. Frashëri)

144 Gjuhë

10. Lexoni poezinë “Madhështi e njerëzve” të Pjetër Budit.

a) Tregoni rolin që luan pyetja retorike dhe cilat janë figurat stilistike që janë përdorur më shumë.

Ku janë ata pleq bujarë, që qenë përpara ne, e ata trima sqimatarë, të shpejtë si rrufe?

Ku janë ata djelm të ri, të bukur e të lulzuom, që pate pamë me sy, me ta folë e ligjëruom?

Ku janë ata zotëninj, që dojin me zotënuom ndë sqimë e ndë madhështi, këte jatë tue shkuom?

Ku janë ata perandorë gjithë shekulli nalcuom,

në krye me një kunorë gurëshi cë paçëmuom?

Ku janë ata letërorë t’urtë e dijes të ndëgjuom, të bardhatë posi borë letëra tue kënduom?

Ku janë ato gra e vasha ndë sqimë e ndë madhështi, me petëkat të mëndafshta nalcuom mbë zotëni?

Gjithë mortja i rrëzoi, sikur i pret me shpatë, për të ri s’i shikoi, as të vobegë, as të begatë.

b) Cilat janë disa nga cilësitë e shqiptarëve të trashëguara brez pas brezi?

11. Analizoni nё këndvështrimin gjuhësor se cilat nivele dhe varietete gjuhёsore bёjnё pjesё nё gjuhёn e komunikimit elektronik. Ka forma tё veçanta qё pёrdoren nё rrjete sociale, p.sh.: vetёm nё “Facebook” (Fejsbuk) apo edhe nё rrjete tё tjera?

Sfida e të shkruarit

12. Zgjidhni një fjalë të urtë dhe shkruani një tregim të shkurtër për mesazhin që jep ajo.

Isa Boletini, riprodhim nga Admir Vula
145Gjuhë

Mitrush Kuteli

Dhimitër Pasko, i njohur në letra si Mitrush Kuteli (1907-1967), mbi gjysmën e jetës së vet e kaloi jashtë vendit me studime apo me punë. Bashkë me Ernest Koliqin është themeluesi i prozës moderne shqipe dhe një ndër autorët më të njohur të modernitetit shqiptar. Së bashku me Lasgush Poradecin, në jo pak raste janë emërtuar si autorët themelorë të letërsisë moderne shqiptare. Ndonëse me doktoratë në ekonomi, Kuteli dha mjaft sprova në mendimin kritik mbi letërsinë dhe shkrimtarët e kohës, por në letrat shqipe, ai do të mbetet autori i gjithanshëm, me stil të jashtëzakonshëm.

Stili i Kutelit, nga oraliteti te modernizmi

Veprat e veta në prozë, Kuteli i quan rrëfenja ose rrëfime, në varësi të faktit nëse mbështeten në një rrëfim popullor – gojor – apo në një tregim jetësor. Ky përkufizim përbën thelbin e mënyrës së strukturimit të prozës së këtij autori. Për të kuptuar dhe analizuar stilin e Kutelit, merr rëndësi thellimi në procesin e tij krijues, rrugëtimi i tij me fjalën, misteret e rrëfimit të tij.

Ndërsa letërsia e kultivuar e deriatëhershme nuk ofronte shumë përvojë në drejtim të rrëfimit, fondi i pasur mbi të cilin Kuteli do të mbështetej thellësisht, do të ishte tradita e prozës popullore, fryma, poetika dhe epika e saj. Të gjitha këto, të gërshetuara me mjeshtërinë rrëfimtare dhe talentin e shkrimtarit, e nisën drejt një tjetër niveli rrëfimin në gjuhën shqipe. Kuteli jo vetëm krijoi një tip të ri rrëfimi, por ai endi një stil të tijin, i cili i dha mundësinë që përmes një lënde të pasur nga jeta e historia: të realizonte figura, personazhe tipike (përmendim personazhin e Xheladin Beut, Xha Brahos së Shkumbanores, etj.), me një individualizim artistik mjeshtëror (figura e Tat Tanushit e spikatur për detajin psikologjik; Xhezari, me zemrën e madhe dhe trimërinë e çartur), përmes thurjes së konflikteve (ndërthurjen e disa konflikteve njëherësh në botën e personazhit, p.sh. te Tat Tanushi), ndërtimit të situatave (situatat tipike në të cilat zhvillohet personazhi i xha Brahos), përshkrimit të mjediseve (përshkrimi i mjediseve ku degradon figura e Xheladin beut), shfrytëzimit të detajit (loja me detajin te “Fshati im e pi rakinë”) etj.

Rrëfimtari

Larmia tematike e krijimtarisë së Kutelit karakterizohet edhe nga poetika e larmia e mjeteve shprehëse që ai ka shfrytëzuar në shumë prej rrëfimeve. Poetika e rrëfimit te Kuteli afron shumë me poetikën e rrëfimit popullor, por e përpunuar në laboratorin e tij krijues, përmes një strukturimi të ri artistik.

Letërsi
Pikturë nga Andrea Kushi
Letërsi146

Rolin kryesor në poetikën e Kutelit e luan rrëfimtari, i cili krijon raporte të caktuara me dëgjuesin dhe lexuesin. Komunikimi i tij me dëgjuesin vjen në formën e ligjërimit bisedor e të shkujdesur, të shtruar, shpesh dialogues: Fshati im, or tungjatjeta, e pi rakinë me hov e vrull të madh që nga djepi e gjer ne varri. (“Fshati im e pi rakinë”) Në këtë proces, autori merr rolin e ndërmjetësuesit të rrëfimit me lexuesin: E ju që vini pas nesh, në këtë dhe që na e lanë e që duam t’jua lemë, kujtoni kur e kur këto dhembjet tona dhe urreni përgjithmonë Latinin e zi. (“Fije nga jeta e Theofil Kostorit”) Po në këtë marrëdhënie rrëfyesi krijon raporte të veçanta edhe me hapësirën e kohën: Ja, ejani të ngjitemi bashkë në rejën e kohës, ku rrjedh pa pushim uji i jetës e i njerëzimit - se edhe ne ujë jemi e si uji shkojmë në këtë botë - e keni për të parë me sytë tuaj dëmet e kësaj dere bujëmadhe. (“Gjonomadhë e gjatollinj”). Kjo shumësi marrëdhëniesh e kthen edhe vetë rrëfyesin në personazh unik të gjithë prozës së tij tregimtare, herë duke u shkrirë rrëfyesi me personazhin e herë edhe duke zëvendësuar njëri-tjetrin. Për të realizuar strukturimin artistik të veprës, merr rëndësi të dorës së parë funksioni i rrëfimtarit. Duke qenë i natyrshëm, rrëfimtari i Kutelit shfaqet në disa raporte me strukturën e veprave të tij: Rrëfimtari shpesh rrëfen çka ka dëgjuar nga dikush tjetër, duke u kthyer në rrëfyesin e rrëfyesit: Po meqë ra fjala për udhëtarë, a e keni dëgjuar ç’i ka ngjarë Hajros së Shites nga Meragozhdi? Jo? Prit se ta them unë me fjalët e tija. (“Lugetërit e fshatit tonë”). Në këtë mënyrë rrëfimtari, edhe pse merr shumë përmasa, e ruan individualitetin e tij, edhe pse shndërrohet nga një zë, në disa zëra, për t`u kthyer përsëri në një zë: Derën e Kapllan agës të Shaban Shpatës ne e kemi pasur derë miku që nga pleqtë. Kështu e nis rrëfimin te “Natë prilli”, duke shndërruar rrëfyesin nga ne, në ata. Çuditeshin e s’çuditeshin dot ata të brendshmit qysh mund të rrojë ky njeri vetëm me duhan, pa ngrënë gjë, pa pirë gjë... Në këto kalime që ndeshen jo rrallë në tregime, përmbushet synimi i një komunikimi të natyrshëm dhe lidhjet e drejtpërdrejta me psikologjinë e personazheve. Në këtë mes, fjala ka një peshë të madhe kuptimore-emocionale dhe artikulimi i saj gjatë rrëfimit varet në një shkallë të madhe nga ritmi i të treguarit. Shprehja më e plotë e mënyrës së rrëfimit të Kutelit janë përshkrimet. Autori e përdor me mjeshtëri fjalën si për të përshkruar mjedise e ngjarje, siç do të shohim në novelën “Vjeshta e Xheladin beut”, po ashtu për të përshkruar portrete: Asohere Marina ime kish një çupë. Kjo çupë ishte çupa jonë: imja dhe saja. Edhe kjo çupa jonë ishte një degëzë shelgu me bigël, si këmbë, e me një shuk shtrupe bubuzhele, si kokë, e veshur me dy-tre gishtërinj basmë, me ca fjongo e kordela e më the e të thashë. (“Vendosa të shkoj në mërgim”).

Vepër e piktorit Edward Lear me motive nga Shqipëria

Letërsi 147

Me po të njëjtën penelatë, Kuteli pikturon natyrën duke përdorur shqisat dhe ngjyrat. Atje ku jam unë, muaji maj s’ka të sosur, jargavani s’e shkund lulen, shpesi s’ka të ikur. Atje jo vetëm dheri, po edhe qielli është yni, ngjitemi e zbresim mbi krahë fluturash të bardha, vemë e vijmë e gazi s’ka të sosur, në jetën e jetës! (“Rinë Katerinëza”).

Përshkrimet e Kutelit janë copëza jete, plot lëvizje e me figuracion të ngjeshur. Duke përdorur detajin, proza tek ai kthehet në poezi dhe pasazhe të tëra, që hasen me dhjetëra në rrëfimet e tij, tingëllojnë si proza poetike. Detaji ndihmon në përcaktimin e karakteristikave specifike të personazheve, por njëkohësisht shërben që fenomenet e ndryshme në rrëfime të jenë sa më të natyrshme, pra, ndihmon në vijueshmërinë koherente të rrëfimit: Na ish një herë një i mirë me mall e me gjë shumë e na bënte dasmën e të birit. (“Natë maji”). Në këtë rrëfim, që nis me formulën e përrallës, dy detaje e portretizojnë personazhin që në hyrje të këtij rrëfimi: emërzimi i mbiemrit, një i mirë dhe togu eliptik, me mall e gjë shumë, duke dhënë në këtë mënyrë një model që proza popullore nuk e ka të shpeshtë: edhe i pasur, edhe i mirë, apo detajet që shoqërojnë fenomenin e Xheladin beut, të pangopur e pervers, detajet që mbushin botën magjike plot besëtytni e figura mitologjike, të cilat krijojnë harmoni me mentalitetin e komunitetit të personazheve që ndeshen në to. Mjeshtërisht Kuteli arrin të distancohet nga rrëfimtari, nëpërmjet teknikës: të rrëfesh rrëfimin. Përgjatë tregimeve, Kuteli jep gjykimin e rrëfyesit mbi atë që tregon, duke u distancuar prej tij stilistikisht. Këto të gjitha i bëri Latini me armët e turpëruara në gjithë fushat e luftës. Me këto armë që nuk u zbrazën veçse për të vrarë ndonjë foshnjë a ndonjë plak të sëmurë. (“Fije nga jeta e Theofil Kostorit”). Megjithatë nuk i imponohet lexuesit që të mendojë e të gjykojë si ai: O motra lëçitëse e ju vëllezër lëçitës! Gjykoni ju vetë tani, uroni ju vetë, mallkoni ju vetë, - si t’u thotë zemra e gjaku shqiptar Kështu, vërejmë se të treguarit e Kutelit është sa analitik, aq edhe sintetik, i shprehur zakonisht me ritmin e ligjërimit bisedor, me një dinamikë të brendshme, duke i dhënë veprimet në lëvizje. E si të mos ishte kështu, o i bekuar, kur buka ra nga qielli, sa nuk matej dot me shinik e nuk peshohej dot me kandar? Ra ashtu siç bie shiu në vjeshtë e dëbora në dimër: plot e përplot. Sikush në kohën e vet, të lashtat e të vonat erdh e u bënë det, sa s’dukej brenda kalori hipur mbi kalë. Dhe lëshuan drithë, jo dëngla: kalli e killë, kalli e killë! E, meqë bota s’kish përse të qahej, gjeti të qahej se s’kish grunarë e koshare ku ta derdhë këtë të uruar bukë.... (“Natë vjeshte të tretë”). Siç e shihni, brenda një paragrafi arrihet që, në mënyrë të përmbledhur, të përshkruhet një stinë e tërë, por në mënyrë analitike, njëkohësisht autori jep jetën, lëvizjen, përpjekjen.

Monologu e dialogu

Monologu e dialogu janë në themel të gjithë rrëfimit të Kutelit. Nëpërmjet këtyre ndërtimeve, autori arrin të sjellë informacione thelbësore e dytësore, por edhe të specifikojë karakteristikat tipike të heronjve të tij. Këto teknika karakterizohen nga

Pikturë nga Klemend Guci
Letërsi148

ndërtime sintaksore që më së shumti i përkasin ligjërimit bisedor e aty-këtu edhe ligjërimit të shkujdesur, të cilat sjellin shmangie të tilla që ndërtojnë profilet sociale e psikologjike të personazheve. Kështu, për të portretizuar Xheladin beun si përfaqësues i një klase shoqërore të zvetënuar e përçudnuar moralisht, për të përcjellë psikologjinë e tij, botëkuptimin dhe mentalitetin, shkallën e kulturës dhe temperamentin, dialogu mes tij dhe ish-dados (e cila, ndër të tjera, i kishte mësuar edhe punët e krevatit), vjen përmes një sintakse eliptike, domethënëse: – Me Sheqen tënde e ke shpirtin, bej... – Me ty, Sheqe, me ty... – thosh beu duke gulçuar si kalë teknefes. (“Vjeshta e Xheladin beut”). Por nëse dialogu, më së shumti, vjen brenda kufijve të bisedës, monologu i brendshëm e sjell nëntekstin të drejtpërdrejtë, në koherencë të plotë me përshkrimin, detajin, vijueshmërinë logjike të ngjarjes. Kam parë e s’kam parë vite të begatshme, po mot si atë kur lashë të shtatat e mora të tetat s’kam parë e s’kam dëgjuar. Edhe pleqtë që janë pleq e ua dinë radhën punëve të moçme, rrëfejnë se s’mbajnë mend të ketë ngjarë ndonjëherë, qëmoti, një çudi e tillë. (“Natë vjeshte të tretë”). Gjithsesi, mënyra e thurjes dhe e shkrirjes së teknikave të rrëfimit, veçoritë gjuhësore, leksiku dhe ndërtimi sintaksor i bëjnë ato që, objektivisht, të bartin specifikën e stilit të mjeshtrit.

Strukturimi i rrëfimeve

Duke vijuar të hulumtojmë në gjurmët poetike brenda prozës së Kutelit, merr rëndësi kompozicioni i rrëfimeve, mjaft origjinal. Zakonisht, ato janë në varësi të rrëfimtarit dhe pikërisht rrëfimtari është ai që organizon strukturën e tregimit.

Rrëfîmtari: paraqet hyrjen: Asaj kohe, kur flisnin dallandyshet edhe kocominjtë, kur Të Bardhat rrëmbenin njerëz dhe i shpinin në male me gurë edhe kur kuajt kishin krahë e fluturonin si shpesëri, të shumta ishin botët e Theofilit. (“Babalja”); e jep krejt subjektin qoftë edhe me një paragraf të vetëm si te tregimi “RusaPapusa”: Kështu ishte asohere: muaji lipsej të hynte e të dilte me një gjë të shënuar. Maji hynte me Ereminë, delte me Rusicta;

Letërsi 149

vetë rrëfimtari i gjithëdijshëm ka në duar fillin e intrigës si te “Kryengritje për lugat”, në të cilën gjithë intriga ndërthur rrëfimtarin me personazhin sa diku, nga zgjidhja e konfliktit ata shkrihen krejt; është rrëfimtari ai që bën zgjidhjen: E që ta dija gjithë bota, e jo vetëm bot apo edhe gjithë Shqipëria, neve kupat s`i lëshojmë nga dora e buçasim sot e mot: vdesim me kupë në dorë, si dhëndurrë me kurorë! (“Fshati im e pi rakinë”)

Mes rrëfimtarit, heroit dhe lexuesit ekzistojnë marrëdhënie të brendshme të vazhdueshme. Pikërisht nga këto përcaktohet karakteri i ndërtimit të tregimeve. Ato mund të përputhen ose mund të dallohen nga njëra-tjetra. Këto marrëdhënie u japin rrëfimeve larmi trajtash: para se të tregojë, autori e përgatit lexuesin e më pas subjekti ndërthur rrëfime lineare me digresionin, të gdhendura siç thamë në dialogë, përshkrime, monologë etj.

Përveç kësaj, Kuteli, në prozën e tij rrëfimtare e historike, përdor saktësimin dhe detajin e retrospektivës së kohës së fabulës dhe kohës së veprimit. Njëherë e njëherë, sot e s’di sa mot më parë, na ish një vashëzë e mbetur e varfër. Pa mëmë e pa tatë (“Rinë Katerinëza”); Asohere pranë botës sonë ish, gjithë mbi dhe, një tjetër botë që nuk e shikonim dot me sy. Se si thoshin pleqtë, këta sytë tanë janë të veshur fort. (“Babalja”). Kjo do të thotë se largësia kohore është veçori e poetikës së tij. Një gjë e tillë vërehet qartë nga pikëvështrimi i rrëfimit.

Gjuha e rrëfimeve

Pa asnjë mëdyshje do të pohonim se pasuria e veprës së Kutelit është gjuha e tij. I cilësuar si një ndër stilistët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, Kuteli është mbështetur fort në dialektin e vendlindjes, në gjuhën popullore të Jugut të Shqipërisë, duke e pasuruar atë nëpërmjet një përdorimi mjeshtëror.

Pa sikur s`qenka mjaft kjo e uruara hardhi, për raki, por haj! edhe kumbulla e mezhdave, po haj! pestilka e luadheve, haj edhe thana e pyllit, e ku ta di unë sa e sa pemë të tjera që nga mara e gjer në mana e që nga dardha në gorica... ay që ia di shijen e ia peshon të mirën (e kush nuk ia di në fshatin tonë?) të thotë vetë se raki e rrushit është e fortë si për burra, se raki e dardhës është për miq nga der` e mirë, se ajo e thanës mban erë mali, se ajo e kumbullës erë fushe e se raki e manit është e rëndë si plumb dograje. (“Fshati im e pi rakinë”).

Siç e kemi analizuar edhe më sipër, Kuteli e ka vjelë gjuhën e popullit, ka marrë aq sa i është dashur dhe atë që ka marrë e ka përpunuar duke ia përshtatur ligjërimit të tij (siç e shihni edhe në shembujt që kemi sjellë). Ndaj dhe stili i tij nuk ngatërrohet me stilin e popullit, sepse origjinaliteti i Kutelit ruan harmoninë me rrëfimin dhe vështrimin e tij të ngjarjeve. Në këtë fokus, Kuteli është një nga stilistët më të mirë të letrave shqipe, me profilin e tij tepër të veçantë: një ndërthurje e rrëfimit epik me lirikën duke shpalosur elegancë, ndjeshmëri dhe lakonizëm. Gjuha e tij është plot frazeologji: e paçim sa malet, si mos o zot, dhëntë zoti..., etj. Fraza e tij rrjedh natyrshëm dhe me një harmoni të brendshme, me ritme nga më të ndryshmet. Variacionet që merr ligjërimi artistik në gjuhën e Kutelit janë të pasura dhe të shumëllojshme, ato ndërrojnë në përshtatje me brendinë ideore, me psikologjinë e personazheve dhe tensionin dramatik.

Ky stil i veçantë dhe kjo pasuri letrare e vendos Kutelin në radhën e shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqipe.

Letërsi150

Tematika e prozës së Kutelit

Në tregimet e Kutelit, subjektet, në të shumtën e tyre janë shtresa tekstesh të paravëna: si tekste rrëfimesh a këngësh popullore apo si subjekte biblike. Kështu, para rrëfimit “Një natë tetori” shkruhet: Këto rëfime iu kushtohen disa netëve të tetorit të vitit 1929, në një fshat që ne do t’i themi “Fshati i qepëve e kokarkave”. Ndërsa në rrëfimet për fëmijë, Kuteli ndërton tekste parahyrëse si për të shpjeguar magjinë e rrëfimit që do të pasojë.

Ja, si shkruan autori para përrallës “Xinxifillua”: Prralla që do të rrëfej tanithi na ka ardhur gojë më gojë nga moti i lashtë e i stërlashtë, kur gjithë kafshët e tokës, gjithë shtërpinjtë e ujit e gjithë shpesët e qiellit flisnin gjuhën e njerëzve, siç flas unë e siç flet zotrote, o këndonjës. Kjo strukturë paravënëse kthehet në një strukturë letrare.

Sigurisht që kontributi i Kutelit gjen mbështetje te pasuria e mjeteve shprehëse të shqipes që ai e zotëron mjeshtërisht, dhe padyshim, tek aftësia për ta përdorur shqipen me shumë finesë. Një pasuri dhe aftësi e tillë i kishte rrënjët qysh në fëmijëri, në takimin e përhershëm e të vazhdueshëm me rrëfenjat e më të vjetërve, e më vonë kur nisi të shkruante, me kontaktet me folklorin shqiptar, me përkthimet e teksteve biblike të Kristoforidhit e Fan Nolit. Kemi një ndërthurje të burimeve shkrimore që do të kthehen jo vetëm në gurrë për përdorimin e shqipes, por edhe në burime tematike për krijimtarinë e tij prozaike. Vlen të përmendim këtu mjeshtërinë me të cilën Kuteli ktheu në tregime eposin shqiptar, duke ristrukturuar në prozë këngë të vjetra e balada shqiptare nga gjithë trevat.

Tematika e prozës së Kutelit është e larmishme. Ai nuk merret ngushtësisht me të tashmen, por rrok fenomene që kapërcejnë konceptin e kohës. Në këtë këndvështrim, proza e tij ka një gjuhë të figurshme dhe më së shpeshti mund të lexohet si alegori, që vetvetiu kapërcen subjektet e veçanta dhe kohët e veçanta.

Pikturë nga Aziz Murati
Letërsi 151

Temë e shpeshtë te Kuteli është fshati dhe jeta fshatare, larmia e saj që nga gëzimet e deri te brengat. Kështu, tregimet “Qetësi para fërtyne” dhe “Fshati im e pi rakinë” përshkruajnë jetën fshatare, qoftë si luftë për jetesë e mbijetesë, kur përgatiten për të kundërshtuar e fituar lirinë, qoftë në një situatë gëzimi, pijesh e hareje, duke zbuluar e formuar karakteret.

Kuteli është vëzhgues dhe përshkrues i hollë dhe trajton plagë të thella të shoqërisë së kohës si kurbeti, të cilën e sheh jo vetëm si pasojë të nevojës për ekzistencë, por edhe i qaset me analiza psiko-sociale, si p.sh. te tregimet: “Vendosa të shkoj në mërgim”, “Natë qershori”, “Xha Brahua i Shkumbanores”.

Me po kaq fatalitet, përshkruan edhe dukuri të rënda si hakmarrja, duke e sintetizuar problematikën në hakmarrjet e pandalshme mes dy fiseve “Gjonomadhë e Gjatollinj”. Armiqësia dhe egërsia mes tyre përshkruhet gati si një shkrim legjende për një fenomen që kapërcen disa breza, derisa rrezikon zhdukjen e dy fiseve. Por si mjeshtër i përshkrimeve të thella, Kuteli këtij fataliteti i kundërvë lidhjen mes dy trashëgimtarëve të fiseve, një djalë e një vajzë, të cilët martohen për të pajtuar familjet e tyre e për të vazhduar trashëgiminë.

Në vijim të analizave psikologjike e shoqërore, Kuteli preferon të trajtojë tema mbi shtresat feudale të bejlerëve dhe agallarëve. Vështrimi tij është sa real, në njëkohësi, aq edhe vështrim në të shkuarën, për të ardhur deri në ditët e shkrimeve. Analiza të tilla të thella e jo fort të zakonshme bëhen në tregimet “Natë kollozhegu” dhe “Vjeshta e Xheladin Beut”. Në tregimin e parë, paraqitja hulumtuese e autorit jepet përmes raporteve kundërshtuese me beun, ndërsa në tregimin e dytë, në bjerrjen psikologjike të beut në rënie, çka e shpie këtë njeri të pangopur me jetë drejt greminës së shumëfishtë. Përgjatë kësaj rënieje, Beu shfaq egërsinë, degjenerimin moral, shpirtëror, kompleksitet i cili e çon në çmenduri. Përgjithësimi shoqëror dhe mishërimi ideoartistik i temës antifeudale arrin kulmin në këtë rrëfim.

Po kaq e ndjeshme është edhe tema e kaçakut, individit të ardhur nga fshati, i cili kundërshton pushtetin që ushtrohet padrejtësisht mbi të. Në perceptimin e Kutelit, kaçakët janë heronj, jo në konceptin tradicional të heroit, por heronj moralë: kundërshtojnë pushtetin dhe mbrojnë të dobëtit. Ky perceptim realizohet me mjeshtri te “Si u takua Ndoni me Zallorët”, ku shfaqet bota e brendshme e kaçakëve plot ndjesi, lirizëm, dhembje në antipod me egërsinë e pushtetarëve. Në takimin e këngëtarit të krahinës me heronjtë e këngës popullore tregon mënyrën se si jeta hyn në këngë e nga kënga në letërsi.

Fuqinë misterioze të dashurisë, botën shpirtërore të njeriut, dashurinë e përjetshme dhe dashurinë hyjnore, Kuteli e sjell edhe nëpërmjet fuqisë jetësore në tema të rëndësishme si dashuria njerëzore që provon fuqinë e saj në tregimet “Rinë Katerinëza”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, ku arrihet shkalla më e lartë e depërtimit në botën shpirtërore dhe kultivimin e gjuhës shqipe në funksion të përshkrimit të lutjes, pra, të shpirtshkrimit, cilëson Sabri Hamiti.

Jeta e një njeriu, Van Gog
Letërsi152

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cili është kontributi themelor i Kutelit në letrat shqipe? Cilët qenë faktorët që ndikuan në formimin e tij? Veprat e veta në prozë Kuteli i quan rrëfenja ose rrëfime. Si karakterizohen nga ana stilistike këto dy mënyra të treguari? Ku dallojnë ato nga njëra-tjetra?

2. Cili është roli i rrëfimtarit në prozën e Kutelit? Ç’raporte krijon ky rrëfyes me dëgjuesin dhe lexuesin? Ilustroni me shembuj nga leximet e veprës së Kutelit.

3. Cilat janë funksionet e rrëfyesit në veprën e Kutelit? Analizojini ato duke u mbështetur te përshkrimet, përdorimet e detajit dhe te fakti që rrëfyesi rrëfen çka ka dëgjuar. Ilustroni me shembuj nga leximet e veprës së Kutelit.

4. Ç’është struktura paravënëse dhe çfarë roli luan ajo në vijimësinë e veprës?

5. Si realizohet proza poetike në rrëfimet e Kutelit? Çfarë roli luan në këtë drejtim gjuha e përdorur dhe larmia e ligjërimeve? Ilustroni me shembuj nga leximet e veprës së Kutelit.

6. Si do t’i gruponi tematikat e prozës së Kutelit? Përveç temave sociale, ku e hodhi vështrimin Kuteli?

Ushtroni mendimin kritik

7. Si e sheh dhe si e trajton Kuteli konceptin e kohës në prozën e tij? Nëë cilat tregime shfaqet më dukshëm kjo gjë?

8. Në ç’raporte ndodhen në prozën e Kutelit koncepte të tilla, si: jeta, dashuria, vdekja? Mënyra se si Kuteli i trajton këto koncepte filozofike, e afron atë me të tjerë shkrimtarë të kohës së tij? Argumentoni përgjigjen tuaj.

9. Bëni një kërkim mbi vlerat e dialektit toskë në gjuhën shqipe. Më pas reflektoni për rolin që ka luajtur ai në gjuhën e Kutelit. Mbështetur në leximet e veprës së tij, mendoni që dialekti toskë iu ka dhënë ngjyra të larmishme rrëfimeve? Pse?

10. Personazhet e Kutelit janë njerëz që i ndesh çdo ditë edhe sot në mjedise të caktuara. Ata kanë ndërruar formë, por thelbi është po ai. Si ka arritur Kuteli të krijojë të tilla personazhe jetëgjata dhe gjithmonë bashkëkohore?

11. Shumë nga personazhet e Kutelit qëndrojnë mes gojëdhënës dhe historisë. P.sh. Kostandini te “Natë marsi”, apo Nikollë Branda te “Natë gushti”. A e ndihmon rrëfimi popullor Kutelin për t’i tipizuar këto personazhe? Në ç’mënyrë?

Sfida e të shkruarit

12. Sipas një studiuesi të Kutelit, rrëfimet më të mira të Kutelit u takojnë atyre krijimeve të shquara të letërsisë sonë, që lexuesi mund t’u kthehet e rikthehet me dëshirë e dobi.

13. Duke u nisur nga ky pohim, kthejuni njërit prej rrëfimeve të Kutelit. Me të dhëna nga teksti, argumentoni dobinë e shkrimit të Kutelit: dobi stilistike, gjuhësore, kulturore, sociale etj.

Letërsi 153

Vjeshta e Xheladin beut

Novela “Vjeshta e Xheladin beut”, e shkruar më 1929-tën dhe ripunuar më 1965-sën, nëpërmjet figurës së Xheladin beut, paraqet personazhin më të tipizuar në gjithë krijimtarinë tregimtare të Kutelit. Nisur dhe nga vetë titulli i saj, i konsideruar si metaforë hyrëse, kuptojmë se kemi të bëjmë me “vjeshtën” e personazhit kryesor, Xheladin beut, rënien e tij, fundin. E vendosur në situata psikologjike të ndryshme, figura e Xheladin beut ngërthen portretin e feudalit pervers, i cili ka gjithçka materialisht, por brenda ambientit të mbyllur shoqëror ku ai gjendet, ndien një zbrazëtirë të madhe në shpirt. Nëpërmjet një stili tepër të veçantë, përshkallëzimi i rrëfimit ngërthen disa tipologji rrëfyesish: shfaqet zëri i narratorit brenda narratorit. Duket si një legjendë që rrëfehet nga një dëgjues, i cili e ngarkon tregimin, veç të tjerash, me një atmosferë besëtytnish e besimesh të kota, sa të krijon ndjesinë e një bote gati magjike, por jo në kuptimin e një magjie jetëndjellëse. Përkundrazi, një legjendë e rrëfyer në tematikën e saj më të errët.

As vetë Xheladin beu nuk dinte përse ndiente një zbrazëtirë aq të madhe në zemër atij mëngjesi vjeshte të dytë. Një zbrazëtirë sa një zgërbojë gështenje që e ka brejtur krimbi përbrenda, një shembëtirë, një turbullirë e një neveritje pa fund e pa anë... Edhe çudi: mëngjesi s’ishte i keq. E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafaze, po qielli i kulluar, i ëmbël. Shpesëria që, siç na duket neve, njerëzisë, s’ditka kurrë se ç’qenka dhembja e pikëllesa, cicërinte e ngazëllohej me bujë të madhe aty pranë konakëve të beut e tej e tutje – arave, pemëve, qiellit – kurse ai, Xheladin beu i Shemshedin beut të Xheladin pashait, apo “beu i madh”, siç i thosh tërë bota, zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, ndiente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Gojën e kish të hidhur, sikur të paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli. Dhe herë-herë, një të therur në tepelekun e kokës. As nga shëndeti, as nga malli e gjëja s’ish qarë shumë gjer ahere beu i madh. Shëndetin e kish pasur grurë: burrë i ngjeshur, dërdëng, ta çaje, bëje katër; kamjen të rëndë, shumë brezash, sa as vetë s’ia merrte dot radhën me të numëruar e me kalem; bujqit, rajej e harbutë, të gjithë me dorën në zemër, si nuse kaurri: s’guxonin as t’i thoshin me emër, as ta shikonin në dritën e syrit. Edhe sikur t’u bënte urdhër që të shtriheshin përdhe që t’i shkelte me këmbë, siç shkelet balta për të bërë plitharë, shumë prej tyresh do të shtriheshin t’i shkelte. Se jo më kot Xheladin beu kish në dorë bukën e kopaçen, tamam ç’i duhet fusharakut që të bëhet i butë si dele, jo aq fort për jetën e tij sa për atë të fëmijve të njomë e shumë brenga të tjera të kësaj dore. Thua të qaheshin? Po kujt t’i qaheshin? Kush i dëgjonte? Të ngriheshin e të iknin? Mirë, të iknin, po ku? Kudo që të shkonin, i priste qaforja, sepse gjithë bejlerët e pashallarët kishin kërbaç e qahjanj. Tërë dheu që jepte bukë ishte i tyrja. Mirë thoshin ata që thoshin: gjithë derrat një turi kanë... Ca që ishin

ILUSTRIM LETRAR
Letërsi154

ngritur e kishin ikur natën, në errësirë, me fëmijët në kosha e pleqtë në tezga, kishin humbur si uji nëpër ujë, nuk u qe ndier nami e nishani. Prandaj, ata që kishin mbetur rrinin aty ku ishin, bënin grurë e hanin misër. Kur s’kish misër të mirë, hanin misër gjarpri, këlkëzë, të shkuar nëpër tri ujëra, zienin brenda për brenda siç ziejnë e roniten në lyrën e vet ato kokat e këmbët e bagëtisë të futura në një poçe të madhe balte, me këltyrën të zënë me brumë, brenda në furrë. Nuk u ndihej as regëtima, as cicërima. Herë-herë binte ndonjë sëmundje e u vinte kosën të vegjëlve e të mëdhenjve; shtëpi e fshatra të tëra mbeteshin të shkreta. Po, çudi, çudi, pas sëmundjes shtoheshin përsëri si fara e sinapit.

Ta pret mendja, se ndër rajenj e ndër harbutë kish edhe kokëndezur, që nuk duronin më tej e mateshin t›ia shkrepnin, po Xheladin beu, që ishte brezi i tretë zot në atë mëngë të mbretërisë së madhe të Baba Sulltanit, e kish vënë punën në vijë të mos bënte rrëk njeri, kështu që kokëndezurit mbeteshin pa kokë përpara se të ndiznin koka të tjera. Këtë punë e bënin qajhallarët, “trimat”, siç u thosh beu, apo “lanxhot”, “larot”, “zybat”, siç u thoshin me gjysmë goje ata të tjerët, vegjëlia. Ja, kështu!

Puna e bejllëkut dhe e çiflikllëkut do marifet. Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej. Këto marifete, Xheladin beu i kish në xhep dhe i nxirrte një nga një a të gjitha bashkë, si t’ia donte puna. Veç kësaj, duhej ta dini se ai kishte zënë të gjitha shtigjet, shpatullat i kishte të ngrohta dhe i kthente gjithnjë andej nga ngrohte dielli, duvaxhi me mish e me shpirt i “llambës së dynjasë”, Baba Sulltanit, të cilit i dërgonte kur e kur peshqeshe: mahmudije të verdha e çupa të bardha, nga çifligjet e tij. Nuk e harronte Kapu aganë, as sadrazemin, as sulltane-validenë, as dëmin e madh, të parin e haremllëkut të sulltanit, që të mbyllnin sytë kur Xheladin beu zgjeronte çifligjet lart e poshtë, në skërkat e bujqërisë, në zabelet dhe tokat e buta pa zot. Nuk përzihej fort në gërnjat e të mëdhenjve të mbretërisë, po kur i vinte ndonjë bumbashir e i thosh se Baba Sulltani kish luftë s’di se ku, në Qyrdistan, në Rabistan apo në Tinglimajmunistan, beu i dërgonte karvanë me imdate e njerëz me dyfeqe, që do të linin kokën andej. Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehrri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit, që ishin të gjithë në bukë të madhe.

Dhe ja tani, oda e madhe e konakut të madh i qerthullohej si kuajt në lëmë. I therte tepeleku i kokës. Ndezi një cigare, esëll, që t’ia priste vrundullin e rrotullimit e të mbante mendjen në vend dhe zuri ta pijë shqeto, pa çibuk, po cigarja, aq e shijshme herët e tjera, tani iu duk e hidhur, e pështirë. E kafshoi dhe e hodhi tutje, në vatër.

Ç’ishte kjo punë? A mos beu s’ishte mirë?

Dergoumidas
Letërsi 155

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Rrëfimi nis me një mohim që tregon gjendjen shpirtërore të personazhit kryesor, Xheladin beut. Perifrazoni me fjalët tuaja këtë ndjesi.

2. Përshtypja që krijon rrëfyesi në pjesën e dhënë më sipër, është që Xheladin beu nuk ndihet mirë, sepse:

a) njerëzit kanë filluar të mos i binden më;

b) e ndien plakjen e pashmangshme;

c) ka frikë mos mbetet vetëm;

d) vuan nga një sëmundje e pashërueshme.

3. Përshkrimi i gjendjes së Xheladin beut jepet në përmasën fizike. Pasi keni lexuar gjithë fragmentin, rrëfyesi pohon që personazhi ka një problem me shëndetin, apo gjendja e tij ka arsye më të thella se kjo? Ilustrojeni me shembuj nga fragmenti.

4. Që në hyrje, rrëfyesi, në mënyrë shumë sintetike, na tregon rrënjët e Xheladin beut: Xheladin beu i Shemshedin beut të Xheladin pashait, apo “beu i madh”. A ju ndihmon ky emërtim në të kuptuarit e gjendjes së beut? Pse?

5. Përshkrimi që paraprin ngjarjen është i gjatë, i detajuar dhe me shumë ngjarje brenda tij. Ndajeni në pjesë këtë dinamikë lëvizjeje. Vendosini një titull secilës pjesë. Tregoni se si zgjerohet kuptimi i asaj që synon të japë rrëfyesi mbi figurën e Xheladin beut. A e parapërgatit plotësisht lexuesin për të kuptuar më mirë ngjarjen?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Ndërtimi i këtij fragmenti karakterizohet nga disa plane rrëfimi. Evidentoni të gjitha format e foljes them në fragment. Përcaktoni vetën e folësit në kontekstet përkatëse. Plotësoni tabelën sipas shembullit:

Format e foljes them

Veta Numri Kush flet në këtë kontekst? I thosh tërë bota III njëjës Rrëfimtar i jashtëm t’i thoshin me emër siç u thosh beu siç u thoshin vinte ndonjë bumbashir e i thosh Thua të qaheshin?

7. Në hyrje të çdo paragrafi janë fjalitë me të zeza. Këto quhen fjali tematike, sepse japin në mënyrë të përmbledhur thelbin e asaj që do të trajtohet përgjatë paragrafit. Lexojini ato dhe argumentoni lidhjen e tyre me përmbajtjen e paragrafit.

8. Rrëfimi i fragmentit është ndërtuar si rrëfim i drejtpërdrejtë i ndërthurur me rrëfimin dialogues. Gjeni në fragment momentet e dialogimit dhe thoni si janë ndërkallur ato në rrëfimin monologues. Mbani parasysh: fjalitë pavetore; fjalitë e ndërkallura; shprehjet frazeologjike.

Letërsi156

9. Fragmenti është ndërtuar mbi ligjërimin bisedor, i cili herë pas here ndërpritet edhe nga ligjërimi i shkujdesur. Tregoni kontekstet ku është përdorur secili ligjërim. Argumentoni kalimin nga një ligjërim te tjetri duke u ndalur te vetat e foljeve. Si i ka strukturuar rrëfyesi dy tipat e ligjërimeve: me ligjëratë të drejtë, të zhdrejtë, apo të integruara? Ilustrojeni me shembuj.

10. Gjuha e fragmentit dhe krejt novelës është mbështetur në dialektin toskë, por edhe në folklor. Mes tyre ka dhe turqizma që i shërbejnë autorit për të theksuar edhe më shumë natyrën anadollake të Xheladin beut. Bëni një kërkim në fragment dhe përcaktoni leksikun toskë e atë popullor. Në ç’raport qëndrojnë ata me turqizmat? Pse është përdorur kjo masë?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Që në hyrje të rrëfimit ndeshim grupin mëngjes vjeshte të dytë, i cili na lidh menjëherë me titullin e krejt novelës. Në mentalitetin e popullit tonë, stina e vjeshtës lidhet me rënien e gjetheve dhe ardhjen e dimrit. Tregoni se çfarë kuptimi simbolik merr ky tog në fragment. Mbështetuni te similituda: Një zbrazëtirë sa një zgërbojë gështenje që e ka brejtur krimbi përbrenda, një shembëtirë, një turbullirë e një neveritje pa fund e pa anë... Po në kontekstin e gjithë veprës, cili është kuptimi i fjalës vjeshtë?

12. Që në hyrje ndeshemi me një ironi të fshehtë po shumë therëse: Xheladin beu i Shemshedin beut të Xheladin pashait, apo “beu i madh”. Argumentoni kuptimin ironik të grupit “beu i madh”. Çfarë roli luan lidhëza bashkërenditëse shtuese “apo” në realizimin e ironisë?

13. Në paragrafin e tretë, rrëfyesi rendit disa pyetje retorike, të cilat funksionojnë edhe si një reflektim i rrëfyesit. Analizoni përgjigjet që pyetjet i kanë të përfshira. A kemi këtu një lloj dialogimi të brendshëm? Me kë dialogon rrëfyesi? Cilat fjalë e mbajnë peshën e kuptimit brenda secilës pyetje?

14. Lexoni fjalinë: Këtë punë e bënin qajhallarët, “trimat”, siç u thosh beu, apo “lanxhot”, “larot”, “zybat”, siç u thoshin me gjysmë goje ata të tjerët, vegjëlia. Në këtë fjali është ndërtuar një antitezë kontekstuale. Pasi ta keni evidentuar, analizojeni atë duke argumentuar rolin e ironisë së fshehtë. A ka tone mllefi kjo antonimi? Pse?

15. Shprehja oda e madhe e konakut të madh i qerthullohej tregon situatën e komplikuar në të cilën ndodhet beu. Ndaluni te metafora e krijuar. Analizoni përsëritjen e mbiemrit “e madhe”. Tregoni kuptimet e shumëfishta që merr mbiemri brenda metaforës. A ka lidhje kjo me gjendjen e beut? Vëreni vijim të ironisë së fshehtë? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke e lidhur me rastet pararendëse të përdorimit të ironisë.

Nga teksti, te përdorimi

16. Cila nga alternativat e mëposhtme është karakteristikë e ligjërimit popullor?

a) E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafaze, po qielli i kulluar... b) Gojën e kish të hidhur, sikur të paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli.

c) Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehrri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit… d) Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej.

17. Disa herë rrëfyesi përdor fjalët çudi/çuditeshin në fragment. Identifikoni rastet në tekst dhe trajtoni kuptimin e tyre brenda çdo konteksti. Krahasoni përdorimet. Për çfarë lloj çudie e ka fjalën autori? A është përdorur në kuptimin e parë apo ironik? Shfrytëzoni të tjera detaje nga teksti që mbështesin përgjigjen tuaj.

Letërsi 157

18. Lexoni fjalinë ku përdoret grupi neve, njerëzisë. Vëreni përdorimin e fjalës përmbledhëse njerëzia. Në këtë përdorim, argumentoni se si pozicionohet rrëfyesi. Çfarë marrëdhënie krijon ai me lexuesin? Po me personazhin kryesor? Evidentoni të tjera fjalë përmbledhëse në fragment. Analizoni përdorimin e tyre brenda kontekstit. Tregoni se si lidhen ato me rrëfyesin.

19. Përshkrimi i gjatë që i bën rrëfyesi statusit social dhe ekonomik të Xheladin beut, si lexues, ju ndihmon të përcaktoni edhe statusin e tij moral. Mbi cilat vlera apo antivlera morale mbështetet ky status? Ilustroni mendimin tuaj me përdorimet e mbiemrave. Si ndikon konteksti në këto përdorime?

20. Kemi shkëputur dy përdorime foljore nga fragmenti: duhej ta dini dhe thoshin ata që thoshin të cilat krijojnë idenë e dialogimit. Kthehuni në tekst. A është ky një përdorim krejt popullor apo Kuteli e ka përpunuar atë? Argumentoni përgjigjen tuaj duke u mbështetur te: funksioni i përemrit vetor në gjuhën shqipe; roli i fjalive mungesore.

Nga teksti te reflektimi

21. Që në hyrje rrëfimtari përsërit disa herë thënien ndiente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Si e kuptoni këtë gjendje? Me cilin status të njeriut lidhet kjo?

22. Siç e keni pohuar edhe gjatë analizës, fjalitë me të zeza tregojnë se statusi ekonomik, politik dhe social i beut ishte për së mbari. Megjithatë, ai nuk ndihet mirë. Reflektoni mbi këtë gjendje paradoksale, duke pasur në vëmendje nevojën e njeriut për të qenë i pranuar në shoqëri. Cilat janë vlerat që e bëjnë individin të pranuar e të respektuar në shoqëri?

23. Si e gjykoni marrëdhënien e beut me eprorët e tij, ata të mëdhenjtë, dhe me vartësit? Cilat kode morale përdor beu? Si do ta përshkruanit atë në këtë kontekst?

24. Si mjeshtër i rrëfimit, Kuteli diferencon edhe gjuhësisht klasat shoqërore. Nga studimet që keni bërë në lëndën e sociologjisë, a dallohen variantet e të folurit edhe sipas klasave shoqërore? Po në këtë fragment çfarë vlere merr kjo gjë?

25. Ju ka ndodhur të ndiheni në një gjendje shpirtërore të përafërt me atë të Xheladin beut? E keni pasur një arsye? E keni kapërcyer atë? Tregoni se si ka ndikuar ajo në rrjedhën e jetës suaj.

Nga teksti te të shkruarit

26. Interpretoni, nëpërmjet një shkrimi eseistik, fjalinë që përmbyll fragmentin: Ç'ishte kjo punë? A mos beu s'ishte mirë?

Mbani në vëmendje: kontrastin mes gjendjeve të beut: sociale, shëndetësore, ekonomike, morale; mundësinë dhe pamundësinë si realitete në jetën e njeriut; ndërgjegjësimin e beut për rënien e tij dhe pasojat e saj.

Letërsi158

ILUSTRIM LETRAR

E madhe është gjëma e mëkatit

Novela “E madhe është gjëma e mëkatit” është antitezë e novelës “Vjeshta e Xheladin beut”. Në të ndërthuren tri kode: kodi poetik, biblik dhe ai fantastik.

Tat Tanushi është njeri shumë i lexuar dhe mjaft i devotshëm ndaj fesë së tij. Ai ka lindur në Bubutimë të Ilirisë dhe bie në dashuri e martohet me një grua të bukur: ajo ishte Noemi e Galilesë, por që e ndërron emrin në Kalije.

Dy dashuri të mëdha ka Tata: dashurinë për Kalijen dhe dashurinë për Zotin. Por Kalija vdes. I mbetur vetëm me dashurinë e Zotit, Tata ndihet i paplotë. Kështu, nisin mëkatet e tij: së pari bën ikona me fytyrën e Kalijes. Mëkati tjetër ndodh kur fle me një tjetër grua. Pas kësaj, hyu nuk e pranon në kishë. Atëherë, Tat Tanushi shpërthen në kundërshtime ndaj Zotit. Dhe Zoti e dënon me jetë: Tat Tanushi nuk mund të vdesë. I duhet të rrojë me shekuj, ndërkohë që vuan duke parë rrënimin e historisë. Për të gjetur udhën e Zotit, Tata niset drejt Apollonit të Ilirisë, ku do të rindërtojë kishën e lënë shekuj më parë. Pendesa e tij është kaq e thellë, sa pas shekujsh, hyu i fal atij qetësinë dhe vdekjen. Ndërsa Xheladin beu ishte modeli i njeriut të keq, Tat Tanushi është modeli i njeriut të përsosur.

Rrugëtimi i Tat Tanushit “përbën një perlë të shkrimit shpirtëror e elegjiak”, thotë Sabri Hamiti. Në fokus të rrëfimit gjendet prova e njeriut të devotshëm, qëndresa e tij në raport me jetën e vdekjen nëpërmjet dashurisë tokësore.

Pastaj, Tat Tanushi ardhi e ndenji për një kohë të gjatë në shpellat e Zaumit, pranë manastirit të shenjtë të Kryeëngjëllit Mihail, që sot i thonë manastiri i Shenjt Naumit. Për ata që nuk e dinë ne po u themi se Shpellat edhe Manastiri i shenjtë gjenden buzë liqenit të Ahridës, rëzë malit që thuhet Mal i Thatë. Liqeri ka rreth e rrotull male të egra, që vishen me bar në pranverë e me dëborë në vjeshtë. Po lart mi kulme ngjet që dëbora të mbetet e pa tretur gjer në mezin e verës dyke u pasqyruar në ujra, në orët kur pasqyrohen malet. Shpellat janë pjesë të Malit të Thatë dhe vijnë thikë mbi ujra. Kur vala rreh themelet e tyre, ushëtima është e paprerë.

I egër është vendi, po i butë peshku. Yj të artë shëndrijnë mi luspat e tija. Njerëzit e vëndit thonë se këta yj të artë janë thërrime nga yjt e qiellit që bjenë në liqer, po kjo e thënë nuk është e vërtetuar me saktësi mbasi askush s’ka zbritur brenda në ujra në orët kur këputen yjtë. Prandaj lëçitësit janë të lutur ta shqyrtojnë ata vetë këtë punë. Me këtë rast kanë për të parë me syt e tyre sa i kaltër është liqeri i Ahridës.

Vetëm një të metë të madhe ka ky: bukurija e tij ndryshon shtinë më shtinë dhe në çdo

Letërsi 159

shtinë: ditë më ditë. Në këtë mënyrë, kur ti gëzohesh se e preke me sy njërën ngjyrë, ay e shkëmben befasisht-si një grua dhe duhet t’i ndjekësh ndryshmëritë që i merr fytyra. Po a ndiqet dot uji nëpër ujë dhe era nëpër erë që të ndiqet ças për ças bukurija e liqerit të Ahridës? Si vijë e përbashkët, zotëronjëse, në të katër shtinat, është kaltërsija: në shumë orë të ditës çdo gjë bëhet e kaltër: era, uji, qjelli, malet... Dhe jo vetëm malet që janë sipër mbi ujë, të varur, me kryet tatëpjetë. Atëherë goja mbetet pa zë dhe sytë s’nginjen dot dyke parë. Në orët kur perëndon djelli, pas shiut, ngjet që çdo gjë të marrë ngjyrën e ndezur të maresë, ngjyrën e flakës e të arit. Dhe kur ti llaftarisesh se u ndez era, ujët, malet e çdo gjë, ato të gjitha erren e këthehen në manushaqe, në gushpëllumbi e në shkrumb të shkrumbosur. Sa të largëta janë kufiret në shtinat e tjera aq të afërme bëhen në dimër kur zbret dëbora dhe ulet qjelli poshtë.

Desha të flas e s’fola gjë as për ylberet dhe hënën mbi ujra, as për valët me shkumbë. Pra doemos lëçitësi duhet të marrë shkopin në dorë e t’i shohë të gjitha me syt e tija, në të katër shtinat e motit.

Këtu ardhi qëndroj Tat Tanushi, si u lodh së prituri vdekjen në vënde të tjera.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Pasi ka bërë udhëtimin e tij të gjatë e të lodhshëm në shekuj, i dënuar të mos vdesë e të shohë gjithë rrënimin e historisë së njerëzimit, Tat Tanushi ka zgjedhur një vend shumë të bukur për të vdekur. Është fjala për liqenin e Ahridës, emri i vjetër i liqenit të Ohrit. Si e përshkruan historinë e këtij vendi rrëfyesi? Me cilat toponime e lidh ai atë?

2. Përshkrimi që i bën rrëfyesi peizazhit malor, ndërvepron me shqisat dhe zhurmat. Pse e bën autori këtë? Si lidhet ky synim me origjinën e Tat Tanushit?

3. Pas maleve përqark, rrëfyesi e fut lexuesin në liqen. Pse pamja rrëzëlluese jepet në formën e një ftese? Kush po e fton lexuesin të shkojë vetë të shohë kaltërsinë e liqenit?

4. Rrëfyesi duket si në delir kur përshkruan liqenin dhe, si një piktor, përdor fort ngjyrën e kaltër. Cili është kuptimi që i jep ngjyrës së kaltër? Qëllimi i përshkrimit është vetëm imazhi apo edhe ndjesia? Argumentoni përgjigjen tuaj me të dhëna nga teksti.

5. Fjalia e fundit duket sikur e justifikon tërë përshkrimin e gjatë që rrëfyesi i bën vendit ku Tata ka zgjedhur për të vdekur. Si e kuptoni ju këtë justifikim? Pse e ndien nevojën të realizojë një pikturë kaq të bukur? Lidheni përgjigjen tuaj me frymën patriotike e atdhetare të veprës së Kutelit.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Ky fragment, një nga më të bukurit e letrave shqipe, në fakt është një tablo e realizuar me fjalë. Peizazhi realizohet nëpërmjet ngjyrave. Gjeni në tekst fjalët kyçe ku mbështetet ndërtimi i tij. Grupojini ato sipas ngjyrave. Shpjegoni efektin artistik që përftojnë penelatat e përdorura nga rrëfyesi-piktor.

Letërsi160

7.

Ndërtimi i këtij fragmenti realizohet në përputhje me arkitekturën e mjedisit që ai po përshkruan. Kthehuni në tekst dhe konkretizojeni këtë pohim duke sjellë ilustrime nga fragmenti. Shfrytëzoni llojin e fjalisë së përdorur dhe imazhin që sjellin paragrafët.

8. Edhe në këtë fragment, si në të gjithë veprat e Kutelit, ndeshim lojën e rrëfimtarit. Ai shfaqet i shumëfishtë. Lexoni në tekst fjalitë ku gjenden grupet: i thonë manastiri i Shenjt Naumit; thuhet Mal i Thatë; kjo e thënë. Rrëfyesi, në këtë rast, nuk përcaktohet qartësisht. Çfarë lloj fjalie është përdorur në këtë rast? A të orienton lloji i fjalisë për të evidentuar llojin e rrëfyesit? Çfarë lidhjeje krijon ai me arkitekturën e fragmentit?

9. Ndërtimi i rrëfimit në fragment kalon në këto veta: ata – ne – ti – ju. Ky lloj procedimi stilistik është krejt i veçantë në prozën moderne shqipe. Lidhini vetat me rrëfyesin. Sa tipa rrëfyesish dallohen në këtë fragment? Si shfaqen ata në raport me rrëfimin (të dukshëm, të fshehtë, pjesëmarrës, orientues etj.)

10. Fragmenti ka një lëvizje të brendshme: ngjyra, zhurmë, jetë, gjallëri dhe shumë paqe. Cili është leksiku i përdorur për të realizuar një peizazh të tillë? Si do ta gruponit atë?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në paragrafin e dytë të fragmentit, rrëfyesi jep gjykimin e tij nëpërmjet epiteti metaforik male të egra, të cilin e shtjellon brenda paragrafit. Përshkruani ndjesinë që sjell ky përshkrim duke shpjeguar lidhjet e metaforave me relievin. Si ka arritur që brenda një fjalie rrëfimtari të paraqesë të katër stinët? Ndaluni te shprehësitë e figurave të krijuara.

12. Epiteti male të egra, i përdorur në paragrafin e parë, shërben si detaj për të krijuar kontrastin në paragrafin e dytë. Kthehuni në tekst. Lexoni fjalinë I egër është vendi, po i butë peshku. Rrëfimtari është i brendshëm tanimë dhe, për të realizuar imazhin e shndritshëm, përdor aliteracionin. Analizoni si lidhet aliteracioni me ngjyrat. Çfarë nuance i jep aliteracioni së kaltrës? Si lidhet kjo me epitetin metaforik peshk i butë?

13. Kur flet për yjet mbi liqen, rrëfyesi ndikon të lexuesi nëpërmjet metaforave: shëndrijnë (yjtë) bjenë (yjtë) këputen (yjtë). Këto metafora të njëpasnjëshme realizojnë një trajektore. Foljet, pasi kanë dalë nga kuptimi i tyre i parë, na japin një trajektore lëvizjeje, një dinamikë imazhi, apo një integrim të të dyjave? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke shfrytëzuar funksionet e figurave stilistike të përdorura.

14. Rrëfyesi e personifikon liqenin në paragrafin e tretë, duke e dhënë këtë figurë në lëvizje: bukurija e tij ndryshon shtinë më shtinë dhe në çdo shtinë: ditë më ditë. Ai e ofron me figurën e gruas nëpërmjet krahasimit: kur ti gëzohesh se e preke me sy njërën ngjyrë, ay e shkëmben befasisht-si një grua dhe duhet t’i ndjekësh ndryshmëritë që i merr fytyra. Lidhe shkallëzimin zbritës të fjalisë së parë me personifikimin e fjalisë së dytë. Si konkretizohet imazhi, në lëvizje apo statik? Cilat janë fjalët që e ndihmojnë në këtë proces?

15. Aliteracioni i krijuar në këtë grup fjalësh në manushaqe, në gushpëllumbi e në shkrumb të shkrumbosur, lëviz tingullin sh, duke krijuar imazhin e natës së thellë (të shkrumbuar, të bërë shkrumb, të zezë të thellë) mbi liqen. Ndjesitë që rrëfyesi sugjeron kalojnë nëpërmjet figurave që vijojnë: goja mbetet pa zë dhe sytë s’nginjen dot dyke parë. Identifikoni këto figura dhe zbuloni lidhjen e tyre me fjalorin popullor. Pse zgjodhi këtë vend Tat Tanushi për të vdekur?

Letërsi 161

Nga teksti te përdorimi

16. Në fjalinë vishen me bar në pranverë e me dëborë në vjeshtë vërejmë përdorimin e foljes vishen Argumentoni përmasën hapësinore që synon folja në këtë përdorim. Në funksion kallëzuesi, folja merr dy plotësa: me bar në pranverë e me dëborë në vjeshtë. Si e plotësojnë imazhin e peizazhit këto dy gjymtyrë homogjene? Cilat ngjyra merr hapësira rreth liqenit?

17. Rrëfyesi, siç e kemi thënë, ka kaluar në disa veta, pra në disa kënde rrëfimi. Në paragrafin e dytë veçojmë fjalën lutëse të rrëfyesit: lëçitësit janë të lutur ta shqyrtojnë... Vendoseni fjalinë në kontekst. Si ndikon konteksti në këndin e rrëfimit? A e zhvendos rrëfyesin fjalia që veçuam?

18. Përshkrimi që i bën autori Liqenit të krijon imazhin e një gruaje të bukur, lozonjare, e cila është tepër tunduese me shndërrimet që ofron. Nga ana tjetër, në nisje të përshkrimit, Kuteli e quan “ky”, duke iu referuar liqenit në mashkullore. A konsiderohet kjo mungesë koherence? Arrin kjo mospërputhje të shpërbëjë vijimësinë e mendimit dhe të shformojë imazhin? Pse?

19. Keni bërë tashmë një inventar të fjalëve që tregojnë ngjyra. Rigrupojini ato sipas përshkrimit të stinëve. Ju do të gjeni imazhin e liqenit në çdo stinë. Përdorni lapsa me ngjyra dhe përpiquni të vizatoni liqenin, sipas përshkrimit të Kutelit. Diskutoni mes jush se si do arrini t’i realizoni ngjyrat për të qenë sa më afër përshkrimit.

20. Në hyrje dhe mbyllje të fragmentit, autori përdor reciprokisht grupet ardhi e ndenji -ardhi qëndroj. Argumentoni se kalimi nga folja ndenji te folja qëndroi lidhet me dy arsye: bukurinë e liqenit të Ohrit, vendimin e Tatës për të vdekur në një vend të përshtatshëm. Shfrytëzoni edhe të tjera të dhëna nga novela.

Nga teksti te reflektimi

21. Në këtë fragment janë përdorur shumë ngjyrat. Në perceptimin tuaj, çfarë arrin të japë rrëfimtari përmes ngjyrave? A është i domosdoshëm një përshkrim i tillë?

22. Përpiquni ta shihni liqenin e Ohrit me sytë e Tat Tanushit. Si do t’ju dukej ky vend pas një udhëtimi të gjatë në vende dhe kohë?

23. Reflektoni mbi thënien Atëherë goja mbetet pa zë dhe sytë s’nginjen dot dyke parë. Më shpesh këtë e ndeshim në formën e frazeologjisë: i iku goja dhe i mbetën sytë. Si do t’i përshkruani ndjesitë e njeriut që ndodhet në një gjendje të tillë? Nga buron e gjitha kjo?

24. Sa ngacmon te ju ndjenjën e krenarisë kombëtare ky përshkrim?

25. Po të mbyllni sytë e të bëni një udhëtim imagjinar nëpër vendet që tregon rrëfimtari, keni vizatuar hartën e mrekullueshme të një pjese të Shqipërisë, e cila sot nuk i përket më truallit shqiptar. A ndieni keqardhje për këtë padrejtësi që i është bërë në shekuj popullit shqiptar?

Nga teksti te të shkruarit

26. Kur lexuesi mendon se ka vizituar një peizazh të mrekullueshëm, ndeshet me pohimin e rrëfyesit: desha të flas e s’fola gjë... Niseni rileximin aty ku ndërpritet kjo thënie. Argumentoni nëpërmjet një eseje përshkruese atë çka ka thënë në vijim rrëfyesi. Zgjeroni thëniet e rrëfyesit, duke iu shtuar detaje të tjera nga imazhi që keni për liqenin e Ohrit.

27. A vijon të mbetet po kaq i bukur sa na e përshkruan Kuteli?

Letërsi162

ILUSTRIM LETRAR

Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit

Në rrëfimin i Kutelit, interes të veçantë zë edhe koncepti i kohës, duke shkrirë shpeshherë dallimin mes së tashmes, së shkuarës e së ardhmes, pasi rëndësi merr marrëdhënia e kohës me përjetësinë dhe reflektimi mbi të. Kështu, edhe Ago Jakupi ecën në vite kohe, të cilat, në fakt, janë vite jete. Nëpër kohën që rrjedh e pafund, Ago Jakupi bën dallimin mes së tashmes dhe së ardhmes, kur gjen një pikë fikse për t’i ndarë këto hapësira abstrakte. Ky proces është kalimi nga një gjendje e Ago Jakupit në një tjetër gjendje. Edhe rrëfimi “Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit” na paraqet një personazh drejt përsosjes hyjnore. Në moshë të thyer, Ago Jakupit i shfaqet në ëndërr një engjëll i cili e fton në vetëpërsosjen morale. Dhe kështu, plaku, i cili duket se në këtë çast ka zanafillën e një jete të re morale, nis udhën e “të bëri mirë”: ndërton ujësjellës, mëson të falë, dhuron, me pak fjalë është një rinisje e jetës së tij drejt përmirësimit moral. Do të ishte tepër e thjeshtë gjithë historia e parabolës morale të Ago Jakupit, sikur të mos ishte mënyra magjike e rrëfimit të Kutelit.

Buzë pranvere, kur rin bari e blerojnë arat, agai ndjeu se po i vishen sytë e nuk shquante mirë sendet.

– Mjaft rrojta, tha me vete, tani duhet të çlodhem.

Po nuk u çlodh.

Ziente shtëpia si bleta nga fëmijët. E rrethuan, e përqafuan, e përgëzuan.

– Më rrofshi, biro, rrofshi e m’u shtofshi si bleta.

Doli një nuse – dy muaj martuar – edhe i largoi. Fëmijët shkuan të lozin me zhurmë të madhe. ...

– Të më bësh, moj nuse, një përshesh me qumësht. Me bukë misri, moj bijë, se është më i lehtë. Ashtu më të gëzoftë zoti me një djalë. Nusja u skuq si lulja e kuqe edhe hyri brenda.

Doli një nuse tjetër nga më të vjetrat që i dinte mirë punët e qeverinë e shtëpisë.

– Ti nus’ e Zyferit je-a?

– Unë, baba, unë.

– Hej, më të mbajttë e të shtoftë zoti.

Uronte agai, gjithë me emrin e zotit në gojë.

Pastaj foli rishtaz:

– As më nxir, moj nuse, ato dërrasat e varrit e mi vër në diell, të thahen. Qeshi zonja.

Letërsi 163

– Ç’të shkon ndër mend, baba, ne mezi të kemi, të na rrosh gjer të rriten fëmija e t’i martojmë.

– Helbete, moj nuse, mysafirë jemi – vijmë e shkojmë se e jep emër zoti.

Po bëri emër, do rroj, po jo, jo. Më nxirr, në më do, ato dërrasat.

I sollën qumështin me bukë misri.

Hëngri. Bekoi, bekoi - të mëdhenj e të vegjël.

Dërrasat ishin në diell. Shtruan mbi to një rrogoz të ri, që e kish blerë vetë agai. I ëmbël fort ish ky diell i pranverës: të shkrin.

Agai ra të çlodhet.

Pastaj foli:

– Të m’i sillni fëmijët t’i shoh dhe një herë, se më ka zënë malli. Dërgoni të vijnë djemtë nga arat e nga mali, se kam disa fjalë t’u them.

I sollën fëmijët. Një bletë e plotë. Ca më këmbë, ca më krahë, ca më djep. Zhurmë e madhe – po zhurma, i pëlqente agait.

I përgëzoi, i uroi, i largoi.

Erdhë djemtë.

– Mua të ma falni, o djem, se unë kaq e pata. Helbete, kam punuar edhe mirë edhe keq. Ma bëni hallall, se mua m’u mbarua vaji i kandiles.

Agai fliste e qeshte.

Nxori pastaj nga beli një qemer e ia hodhi në duar të madhit. Nxori qesen, nxori sahatin me qostek.

– Këto nuk më duhen atje ku do vete. T’i kini së bashku e të duheni vëlla me vëlla. Këtë ua lë amanet si gur mulliri.

Pastaj:

– Tashi do çlodhem, tha, se jam i lodhur e më vishen sytë.

Edhe u shtri në rrogoz, mbi pllashtat e vdekjes, që i kish punuar vetë dora e tij.

Edhe pastaj, sa ndizet e shuhet vetëtima, Ago Jakupi mbylli sytë.

Edhe u shtua në të shumët, në të mirët.

Pikturë nga Otokar Çila
Letërsi164

TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në këtë fragment, Ago Jakupi është në fund të jetës së tij. Ai ka gjetur paqe me veten dhe është i lumtur. Në cilën stinë të vitit vjen kjo gjendje e Ago Jakupit? Pse?

2. Ago Jakupi është i rrethuar nga fëmijët dhe nuset e djemve. Si shfaqet dialogu mes tyre? Çfarë mesazhi u përcjell plaku atyre?

3. Nuset e djemve dhe vjehrri i tyre kanë një komunikim të veçantë që të kujton traditat dhe zakonet shqiptare. Ilustrojeni me pjesë nga teksti këtë pohim. Cilat vlera të familjes shqiptare shfaqen në to?

4. Në rrëfim shfaqet një paqe e plotë e Ago Jakupit me vdekjen. Cilat janë momentet në tekst ku kjo është më e dukshme? Identifikoni një detaj të veçantë që rrëfimtari ta komunikon ty si lexues.

5. Ago Jakupi do që të vdesë mes nipërve e mbesave, nuseve e djemve. A është kjo një ikje e bukur? Pse? Ç’amanet e ç’pasuri u lë ai djemve?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Fragmenti është i ndërtuar mbi dy ligjërata: ligjërata e zhdrejtë, ku flet rrëfimtari dhe ligjërata e drejtë, ku personazhi kryesor dialogon me personazhet dytësore. Si shfaqet gjuha e rrëfimtarit? A ka ajo takime me gjuhën folklorike? Nëse po, ku ndryshon me të? Po dialogu, në cilin dialekt zhvillohet?

7. Rrëfimi i Kuteli përdor dy këndvështrime në lidhje me personazhin kryesor: herë si rrëfimtar objektiv e herë si ligjërues. Evidentojini këto dy forma në fragment dhe thoni si lidhen ato mes tyre. Po me vetë Ago Jakupin?

8. Si shfaqet rrëfimtari në këtë fragment: si gjykues dhe orientues i lexuesit; si rrëfimtar i jashtëm që nuk jep mendim; të dyja bashkë. Ilustrojeni me pjesë nga teksti përgjigjen tuaj.

9. Shpesh dialogët ndërpriten me fjali të shkurtra, herë dykryegjymtyrëshe e herë njëkryegjymtyrëshe. Si ndikojnë këto fjali në rrëfim? Po në tempin e të lexuarit?

10. Fjalitë, ashtu si dialogun, autori i vendos njëra pas tjetrës duke krijuar idenë e një kolone. Kjo zgjedhje lidhet me strukturimin e fragmentit sipas dinamikës së lëvizjeve të plakut. Shpjegoni këto lëvizje duke shfrytëzuar vendosjen e fjalive.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Fragmenti nis me grupin buzë pranvere. Cilës figurë stilistike i takon ky grupim? Përcaktoni fjalën që mban peshën e figurës së krijuar. Çfarë ngarkese të re kuptimore ka fituar ajo? Cilat ndjesi estetike përcjell?

12. Vëreni me kujdes shkallëzimin ngjitës: E rrethuan, e përqafuan, e përgëzuan. Argumentoni se përse ky numërim ka funksionet e shkallëzimit ngjitës. Cila nga ndjesitë që përcjellin foljet përcakton shkallën më të lartë të vlerësimit. Pse? Lidheni me të dhëna nga tregimi.

STUDIM
Letërsi 165

13. Ndaluni në fjalinë Ziente shtëpia si bleta nga fëmijët. Rrëfimtari përdor dy figura të stilistikës njëra pas tjetrës. E para është metafora dhe i dyti, krahasimi. Shpjegoni metaforën duke u ndalur te dinamika që përcjell folja ziente. Çfarë imazhi krijon ajo? Përshkruajeni me fjalë. Pse e krahason me bletën? Përdorimi në numrin njëjës i fjalës bleta dhe në shumës i fjalës fëmijët e bën më konkret imazhin. Shpjegojeni atë duke pasur në vëmendje figurat që përdor folklori shqiptar.

14. Në fjalinë Dërrasat ishin në diell, vërehet përdorimi i fjalës dërrasa në vend të fjalës arkivol, duke na dëshmuar edhe një proces specifik me të cilin varroseshin njerëzit në këtë krahinë. E gjitha kjo realizohet gjuhësisht nëpërmjet figurës së sinekdokës. Ky përdorim, i zakonshëm jo vetëm në gjuhën shqipe, lidhet me mentalitetin e popujve. Duke shfrytëzuar informacione paraprake mbi këtë figurë, shpjegoni cili është mentaliteti që përcillet dhe si lidhet ky me fabulën e tregimit.

15. Pohimi i Ago Jakupit mua m’u mbarua vaji i kandiles, i përket ligjërimit të shkujdesur dhe është një mënyrë për të treguar se jetës së tij po i vinte fundi. Si lidhet procesi i vajit të kandilit me jetën njerëzore? Krahasoni qetësinë dhe paqen, në të cilën shuhet flaka e kandilit me mënyrën se si vdes Ago Jakupi. Ndaluni tek anafora që mbyll fragmentin. Çfarë kuptimesh merr lidhëza bashkërenditëse? Si lidhet ky kuptim me mënyrën e rrëfimit dhe me mesazhin që përcjell autori?

Nga teksti te përdorimi

16. Në një pikë të caktuar të jetës së tij, ne mësojmë në tregim se Ago Jakupi gjen rrugën e Zotit dhe nis një lloj pastrimi shpirtëror në kërkim të gjetjes së paqes së fundit. Takimin me vdekjen, Kuteli e projekton si mbarim të udhëtimit tokësor, si çlodhje. Përcaktoni kuptimin e parë të fjalës çlodhje në gjuhën shqipe. Krahasojeni me kuptimin që merr kjo fjalë në këtë përdorim. Si lidhet ajo me synimin e Kutelit?

17. Në këtë moment të fundit të jetës, duket sikur Ago Jakupi ka për të bërë edhe një udhëtim tjetër të vogël. Për ta kuptuar këtë, ndaluni në tri përdorimet e foljes çlodhem: duhet të çlodhem - po nuk u çlodh - tashi do çlodhem. Në të tria rastet e përdorimit, format e foljes marrin nuanca kuptimore lehtësisht të ndryshme. Si lidhet ky ndryshim kuptimor me amanetin e Ago Jakupit? Argumentojeni duke vlerësuar përdorimin e ndajfoljes tashi.

18. Në fjalën e Ago Jakupit vërejmë përdorimin e trajtës së shkurtër në rasën dhanore, më/m’i, e cila quhet ndryshe dhanore etike dhe rrëfen një marrëdhënie specifike mes folësit dhe referentit: më rrofshi, të na rrosh. Pasi të përcaktoni se cili është referenti në çdo kontekst përdorimi, tregoni llojin e marrëdhënies. Çfarë ndjesish ju përcjell përdorimi i dhanores etike?

19. Ago Jakupi përdor fjali në mënyrën dëshirore, duke shpërndarë urime në ligjërimin e tij. Lidhni urimet e plakut me referentët sipas kontekstit. Çfarë përcjellin ato? Me se i lidh urimet e tij Ago Jakupi? Si lidhet kjo me traditat dhe zakonet e shqiptarëve?

20. Mënyra se si vdes (çlodhet) Ago Jakupi të kujton mënyrën se si vdes Tat Tanushi. Duke i njohur të dyja personazhet, argumentoni se çfarë i bashkon ata në udhëtimet përkatëse tokësore. Drejt cilit udhëtim nisen ata dhe çfarë ndjesish përcjellin te ju si lexues ikje të tilla?

Letërsi166

Nga teksti te reflektimi

21. Rrëfimtari krahason familjen me fëmijë me bletën: u shtofshi si bleta; një bletë e plotë. Pse pikërisht me bletën? Pse përcjell mentalitetin e popullit tonë ky urim?

22. Çfarë ju përcjell mënyra se si dialogon plaku me nuset? Ju duket familjar si dialog?

23. Si do ta përshkruanit si gjysh Ago Jakupin? A do të donit të ishit edhe ju një nga nipërit e tij? Pse?

24. Si ndikon te ju si lexues gjithë rrugëtimi që bëri Ago Jakupi në një moment të caktuar të jetës së tij? A është një model që duhet ndjekur?

25. Në këtë fragment dallohen vlerat dhe traditat e familjes shqiptare. Vazhdojnë të jetojnë edhe sot këto vlera? A kanë ndryshuar ato? Nëse po, si kanë ndryshuar?

26. Në një pikë të caktuar të jetës së tij, ne mësojmë në tregim se Ago Jakupi gjen rrugën e Zotit dhe nis një lloj pastrimi shpirtëror në kërkim të gjetjes së paqes së fundit. Takimin me vdekjen, Kuteli e projekton si mbarim të udhëtimit tokësor, si çlodhje. Përcaktoni kuptimin e parë të fjalës çlodhje në gjuhën shqipe. Krahasojeni me kuptimin që merr kjo fjalë në këtë përdorim. Si lidhet ajo me synimin e Kutelit?

27. Në këtë moment të fundit të jetës, duket sikur Ago Jakupi ka për të bërë edhe një udhëtim tjetër të vogël. Për ta kuptuar këtë, ndaluni në tri përdorimet e foljes çlodhem: duhet të çlodhem - po nuk u çlodh - tashi do çlodhem. Në të tria rastet e përdorimit, format e foljes marrin nuanca kuptimore lehtësisht të ndryshme. Si lidhet ky ndryshim kuptimor me amanetin e Ago Jakupit? Argumentojeni duke vlerësuar përdorimin e ndajfoljes tashi.

28. Në fjalën e Ago Jakupit vërejmë përdorimin e trajtës së shkurtër në rasën dhanore, më/m’i, e cila quhet ndryshe dhanore etike dhe rrëfen një marrëdhënie specifike mes folësit dhe referentit: më rrofshi, të na rrosh. Pasi të përcaktoni se cili është referenti në çdo kontekst përdorimi, tregoni llojin e marrëdhënies. Çfarë ndjesish ju përcjell përdorimi i dhanores etike?

29. Ago Jakupi përdor fjali në mënyrën dëshirore, duke shpërndarë urime në ligjërimin e tij. Lidhni urimet e plakut me referentët sipas kontekstit. Çfarë përcjellin ato? Me se i lidh urimet e tij Ago Jakupi? Si lidhet kjo me traditat dhe zakonet e shqiptarëve?

30. Mënyra se si vdes (çlodhet) Ago Jakupi të kujton mënyrën se si vdes Tat Tanushi. Duke i njohur të dyja personazhet, argumentoni se çfarë i bashkon ata në udhëtimet përkatëse tokësore. Drejt cilit udhëtim nisen ata dhe çfarë ndjesish përcjellin te ju si lexues ikje të tilla?

Nga teksti te të shkruarit

31. Ndërsa Ago Jakupi vdes në pranverë, Xheladin Beu vdes në vjeshtë. Tat Tanushi e kërkon dhe mezi e pret vdekjen, Ago Jakupi vdes i qeshur, ndërsa Xheladin beu vdes i çmendur. Duke shfrytëzuar të dhëna nga të tria tekstet, shkruani një ese ku të krahasoni takimet dhe dallimet e tri personazheve. Lidheni këtë me: momentin e kthesës së jetës së secilit personazh; me kohën kur ndodh kthesa; me përfaqësimin social të secilit; me mesazhin që përcjell secili prej tyre.

Letërsi 167

Gjuhë

Bashkërenditja

Logjika letrare dhe joletrare e fjalisë së thjeshtë

Fjalia është njësia bazë e paragrafit, për rrjedhojë edhe e tekstit. Përkufizimi i saj nuk është i thjeshtë, përderisa në të, veç kryefjalës dhe kallëzuesit, gjenden edhe elemente të tjera, si: kundrinori, rrethanori, ndajshtimi, përcaktori, përcaktori kallëzuesor.

Fjalia mund të qëndrojë më vete, e pavarur nga një fjali tjetër për kryerjen e funksionit të vet komunikues dhe në këtë rast, ajo shfaqet edhe nga pikëpamja gramatikore e plotë. P.sh. fjalia “Natyra është e bukur” është një fjali e plotë nga ana gramatikore.

Ka raste që pavarësisht se fjalia i ka elementet e nevojshme dhe është e plotë nga ana gramatikore, përsëri ka nevojë për një kontekst më të gjerë për t’u kuptuar. Kështu, grupi “Më pëlqen shumë”, ka nevojë për kontekstin për ta kuptuar plotësisht:

– Të pëlqen ky libër?

– Më pëlqen shumë.

Fjalitë i kemi të thjeshta dhe të përbëra, në varësi të numrit dhe llojit të pjesëve që përmbajnë. Dallojmë tri lloje kryesore fjalish: të thjeshta, të përbëra me bashkërenditje dhe të përbëra me nënrenditje.

Fjalia e thjeshtë përbëhet nga një fjali e pavarur, e cila mbështetet mbi një lidhje kryefjalëkallëzues. P.sh.: Nxënësit po përgatiten për provim.

Ajo përdoret me synime të caktuara stilistike, kur përdoret në tekste letrare dhe joletrare, p.sh.: për të paraqitur fjalinë tematike të një paragrafi dhe për të përforcuar idenë e tij: Nuk është histori miqësie, as respekti të ndërsjellë, aq më pak romantike historia ime me fqinjën përbri. Përkundrazi, atë mund ta quash histori acarimi dhe durimi të pasosur - vullnet për të zotëruar veten dhëmbëkyçur, që të mos shpëtojë asnjë replikë në lumin e pandalshëm të sharjeve, mallkimeve, fyerjeve... (“Fqinja”, A.Tufa); për të theksuar mendimin e saj në mes të një paragrafi: Me gjithë se u morën shumë masa, problemi i sigurimit të elementeve të të dy kategorive të arsimit profesional mbeti i mprehtë. Sidomos për atë të ulëtin, ishte një vështirësi më tepër. Shkelja e kritereve të moshës mjafton që të përmbushej plani, duke bërë regjistrime të nxënësve më të mëdhenj apo më të vegjël, u bë një dukuri e shpeshtë që ndikoi në rezultatet e tyre. (“Arsimi në Shqipëri ‘45-‘60”, E. Kambo)

Llojet e bashkërenditjeve

Fjalia e përbërë me bashkërenditje përbëhet nga dy ose më shumë fjali të pavarura. Bashkërendim do të thotë që pjesët (fjalitë e thjeshta) lidhen me anë të lidhëzave bashkërenditëse: dhe, por, ose,

Logjika letrare dhe joletrare e fjalisë së përbërë me bashkërenditje
Logjika letrare dhe joletrare e periudhës së përbërë me bashkërenditje dhe me nënrenditje
168 Gjuhë

kurse, edhe... edhe, jo vetëm... por edhe etj. Ndonëse teorikisht fjalia e përbërë me bashkërenditje mund të përmbajë një numër të pakufizuar fjalish të pavarura, në praktikë gjejmë dy ose tri të tilla në të njëjtën periudhë. Ato mund të lidhen me njëra-tjetrën në dy mënyra: me bashkërenditje: Ajo ishte mjaft e vjetër e Rifatit i kujtohej fare mirë. (“Toka e përgjakur) pa lidhëza, me shenja pikësimi (një mënyrë e tillë lidhjeje quhet parataksë): Në Tiranë, në orët e mërzisë, i nxirrja shpesh fotografitë e Silvenës, rilexoja shënimin lavdërues të një reviste të teatrit për të dhe nisja të shfryja kundër vetes. (I. Kadare, Hija) Në çdo fjali të përbërë me bashkërenditje mund të përdoren si lidhëzat edhe parataksa. Secili prej përdorimeve krijon rezultat të ndryshëm në ton dhe në theksim. Për këtë arsye, për të arritur efektin që synon teksti, mjeti lidhës zgjidhet në varësi të qëllimit të kumtimit.

Bashkërenditja dhe synimi i tekstit

Nuk ka ndonjë formulë për të treguar që kumtet janë të barabarta në një fjali, por kjo varet tërësisht nga konteksti. Përdorimi i bashkërenditjes mund të jetë pjesë e stilit, pasi jep elementet e kërkuara, të cilat mund të jenë në trajtën e një enumeracioni të lidhur me lidhëza bashkërenditëse, p.sh. në kërkesën e një ushtrimi: Në tekstin e mësipërm, gjeni mjaft periudha të bashkuara pa lidhëza, gramatikisht të pavarura, por të lidhura nëpërmjet ligjërimit, intonacionit dhe kuptimit. (Gjuha shqipe, Pegi, 2017);

Fjalitë bashkërenditëse përdoren kur synohet të paraqiten disa veprime që vijnë njëri pas tjetrit në aspektin e përshkrimit ose rrëfimit (në rastin tonë, ky i dyti): Hap derën e qurit, e fut gjogun brenda, shtyn derën e kullës dhe hyn në odë. (“Tregime të moçme shqiptare”, M.Kuteli); Bashkërendimi përdoret gjithashtu kur synohet të krahasohen dy persona/dukuri mes tyre kundrejt së njëjtës gjë, ose i njëjti person me dy ndjesi: Flamuri i kuq i Skënderbeut po valëvitej, kurse flamuri turk dhe shenjat e zotërimit turk po zhdukeshin. (“Historia e Pashallëqeve, Periudha e Mesjetës”, Z. Daja).

Përdoret bashkërenditja në formën e parataksës me pikëpresje në rastet kur fjalia e përbërë ka nevojë për pushime të forta: Jeta është një gjuhë e huaj; të gjithë e shqiptojnë atë. (Ch. Morley). Një përdorim i tillë thekson kumtet dhe rrit edhe efektin poetik. Ka raste kur përdoret bashkërenditja e realizuar nëpërmjet parataksës, gjatë përsëritjes së mendimit të fjalisë së parë në fjalinë pasardhëse. Kjo bëhet për ta qartësuar dhe theksuar edhe më shumë këtë mendim: Tani qytetarët do t’i marrin shërbimet e tyre në portalin E-Albania; marrja e shërbimeve në portalin E-Albania përbën një arritje për administratën tonë. (Faqja zyrtare e portalit E-Albania). Ky përdorim bën që fjalia vijuese të riformulojë më mirë kumtin e fjalisë së parë.

Përdoret kryesisht bashkërenditja e realizuar përsëri nëpërmjet parataksës (në këtë rast me pikëpresje), kur synohet që kumtet të vihen në kontrast ose të kundërshtojnë njëra-tjetrën. Parataksa e thekson dallimin mes tyre në këtë tekst: Ty nuk të zënë makinat, trenat, avionët; ty të zë libri. (A. Tufa)

Bashkërenditja përdoret gjithashtu edhe midis fjalive që shprehin një marrëdhënie shkakpasojë, duke theksuar rrjedhën logjike. Kjo mënyrë lidhjeje e detyron lexuesin që ta plotësojë vetë kuptimin: Tani kemi më shumë institucione, shoqëri civile; duhet të ngremë zërin për të drejtat dhe nevojat tona. (A. Deda)

169Gjuhë

Fjalitë me bashkërenditje përdoren edhe për të bashkërenduar kumte me synim humorin apo cinizmin: Nuk shkoj kurrë në shkollë pa ngrënë mëngjes; uria të ngatërron mendimin. (N. Poroçani)

Sigurisht, ka edhe raste të tjera, të cilat shfaqen gjatë përdorimit.

Por mund të ndodhë edhe bashkërenditje e tepruar, kur fjalia e përbërë mban pjesë të bashkërenditura më shumë se ç’duhet. Në të shumtën e rasteve, dy fjali të pavarura në një fjali të përbërë të vetme janë të mjaftueshme (Zakonisht, tri janë kufiri praktik maksimal). Po bashkërendimi rëndohet, kur më shumë se tri fjali bashkërendohen zakonisht në tekst joletrar (kurse në tekst letrar varet nga stili). P.sh. Nxënësit lexojnë tekstin, njëkohësisht marrin informacione nga enciklopeditë dhe gjithashtu marrin informacione edhe nga interneti. (N. P) ndërkohë që mund të ndërtohej në këtë mënyrë: Nxënësit lexojnë tekstin dhe njëkohësisht marrin informacione nga enciklopeditë. Gjithashtu marrin informacione edhe nga interneti. (N. P)

Kjo ndarje e fjalisë së përbërë arrin të qartësojë edhe më shumë synimin e autorit për të treguar mjetet e mundshme nga merret informacioni.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Ç’është fjalia e thjeshtë dhe cila është marrëdhënia që krijohet mes pjesëve përbërëse të saj? Nga se përbëhet fjalia e thjeshtë?

2. Çfarë quhet plotësi gramatikore? Jepni shembuj të saj.

3. Jepni shembuj të rasteve të përdorimit të fjalisë së thjeshtë në tekste letrare dhe joletrare, duke e lidhur me synime të caktuara stilistike.

4. Ç’do të thotë bashkërenditje në fjali? Tregoni mënyrat se si lidhen me njëra-tjetrën pjesët e fjalisë së përbërë me bashkërenditje.

5. Jepni shembuj të paragrafit letrar dhe joletrar me fjali të përbëra me bashkërenditje, ku mendimet të jenë lidhur në mënyrën e duhur.

6. Jepni shembuj fjalish të përbëra me bashkërenditje, në të cilat lidhjet të përcaktohen nga synimi i tekstit. Tregoni mjetet që përdorni në lidhjen e pjesëve të fjalisë së përbërë.

Ushtrohuni përmes tekstit

7. Tregoni kryefjalën dhe kallëzuesit në fjalitë e mëposhtme. Njëra prej tyre nuk është fjali e thjeshtë. Gjejeni dhe shpjegoni pse.

Drilona fitoi festivalin e këngës për të rinj.

Ne të gjithë, vajza e djem vendosëm ta kalonim bashkë festën e Vitit të Ri.

Martini e grisi letrën, e flaku në zjarr dhe vendosi ndërkohë të mos i shkruajë më kurrë.

Zbriti nga avioni; lëvizi këmbët drejt daljes.

8. Cilat prej këtyre fjalive janë të përbëra me bashkërenditje? Gjeni ato që lidhen me lidhëza dhe ato që lidhen me anë të parataksës. Nëse mendoni se ndonjëra nga fjalitë nuk është e përbërë, shpjegoni se përse.

a) Në konkurs morën pjesë shumë fëmijë dhe një numër i vogël të rinjsh.

b) Në konkurs morën pjesë shumë fëmijë, por dhe një numër i vogël të rinjsh ishin pjesë e tij. c) Pjesa më e madhe ikën në plazh; edhe unë bashkë me ta.

170 Gjuhë

d) Që të gjithë u larguan drejt Durrësit, megjithatë disa mbetën në Tiranë

e) Filmi nuk ka dalë në kinema, duhet të presim ende.

9. Krijoni fjali të përbëra me bashkërenditje, duke i bashkuar dy e nga dy fjalitë e mëposhtme. Diskutoni rreth fjalive të përbëra që krijuat dhe rreth mjeteve lidhëse që përdorët. Ndani llojet e fjalive; ato me kuptim figurativ nga ato me kuptim të drejtpërdrejtë. Tregoni synimin e secilës. Të mos humbasim kohën kot. Të fillojmë nga puna.

Puna është mjet jetese. Ajo siguron standardin e përditshmërisë.

Njomëza e mbylli derën. Fjalët hynin ende në dhomë.

Muret e ndërtesës duhen izoluar mirë. Ato duhen veshur me material termik.

Ora shënon 14:00. Ksamili në këtë orë arrin pikun e nxehtësisë.

Dielli ishte ngritur në pikën më të lartë të qiellit. Ndieja djersët të më rridhnin çurg.

10. Fjalia e përbërë: “Malet u mbuluan tejpërtej me dëborë dhe kreshtat e tyre u bënë si mjekra e babagjyshit”, mund të zgjerohet: Po Jo

11. Ktheni fjalitë e përbëra lidhëzore në fjali të përbëra palidhëzore. Diskutoni rreth ndryshimeve që ndodhën. A e ndryshon kjo gjë qëllimin e thënies?

Liqeni bëhej përherë e më i ndritshëm, kurse zalli përreth dukej si një kuti me stoli.

Kaltrës dhe Dritonit u pëlqen muzika xhaz, por atyre u pëlqen edhe folku.

Buka ka marrë ngjyrë të kuqërremtë dhe do hequr nga furra.

U zgjidh problemi i madh i mbetjeve urbane, por nuk u zgjidh papërgjegjshmëria e qytetarëve në hedhjen e mbeturinave.

12. Zgjeroni tekstin me fjalitë e përbëra bashkërenditëse me lidhëza, me parataksë (me presje, me pikëpresje).

Unë besoj te fjalët, ato paqtojnë njerëzit mes tyre. Por fjalët jo gjithmonë e shprehin kuptimin e vërtetë, ato shpesh e fshehin atë

Fjalët peshojnë. Mund të kthehen në xixëllonja që ndriçojnë shpirtin, por mund të jenë dhe plumba që e vrasin atë.

171Gjuhë

13. Vendosni lidhëzat apo mjetet e parataksës aty ku mungojnë. Argumentoni përdorimin e tyre. Varet ky përdorim nga lloji i tekstit? Pse?

a) Nëse dikush do t’ju pyeste për autorin e këtij libri ___t’i jepnit një nga këto tri përgjigje: S’e kam mësuar ndonjëherë E harrova fare S’më kujtohet mirë_____ atëherë duhet të dini se këto tri përgjigje iu korrespondojnë në vija të trasha tre përbërësve bazë të sistemit tonë të kujtesës: kodimit, depozitimit, dhe riprodhimit.

b) E dashur mësuese, kush t’i ka vënë re sytë e përlotur dhe të fshehur pas një pamjeje të qeshur apo të zymtë ___ sa durim për të mbajtur mbi shpinë shpeshherë lëndime dashakeqe si vetë fjala që i derdh _____ sa orë veçmas, e mënjanuar nga shoqëria sikur tërë bota të ishte e përsosur e vetëm ti jo.

14. Lexoni tekstin. Analizoni lidhjet bashkërenditëse në funksion të qëllimit përshkrues të këtij teksti. Dalloni a ka efekt bashkërenditja e tipave të ndryshëm. Ilustroni me pjesë nga teksti. Mësuesi im i parë, ai që më ka dhënë mësim në klasën e parë, që m’i ka mësuar shkronjat e gjuhës amtare, e kishte emrin Sadik. Mbiemrin Mehmeti, nëse nuk gaboj. Pra, Sadik Mehmeti. Ishte nga Struga, nga qyteti, por familja e tij, siç kam marrë vesh më vonë, kishte ardhur në Strugë nga Kalishta, një fshat i bukur, piktoresk, buzë liqenit, jo më larg se dy-tre kilometra nga qyteti. Ishte i ri, i pashëm, elegant. Vishej bukur. Me kostum e kravatë. Kurrë s’kisha parë njeri të veshur më bukur se mësuesi im: me këpucë të zeza, me pantallona të hekurosura, me një xhaketë me jakë të gjerë, klasike, me këmishë të bardhë me vija dhe një kravatë të lidhur bukur e të shtrënguar fort për jakën e këmishës. Nuk e di a i ndërronte rrobat mësuesi im ndonjëherë (sigurisht që po), por unë kështu e mbaj mend. Ndoshta ashtu siç e kam parë herën e parë. Përveç që vishej bukur, ishte, si thashë, edhe i pashëm. Fytyrën e kishte të plotë, pak të hequr, sytë e larmë, vetullat të harkuara, hundën e drejtë, kurse flokët kaçurrel. Një ble flokësh i binte shpesh mbi ballë. Ende e ruaj të gjallë në kujtesë fytyrën e tij, me atë ble flokësh në ballë. Na dha mësim vetëm një vit, pastaj iku. U shpërngul në Turqi me gjithë familje si shumë të tjerë. Dihet përse! (A. Vinca)

15. Shkruani një paragraf letrar dhe një paragraf joletrar, ku të përdorni periudha me bashkërendim: ku synohet të paraqiten disa veprime që vijnë njëri pas tjetrit; ku pjesët të lidhen me parataksë, për të shmangur keqkuptimin; kur fjalia e dytë të përsërisë të parën; ku midis fjalive të shprehet një marrëdhënie shkak-pasojë. Sfida e të shkruarit

16. Shkruani një paragraf letrar dhe një paragraf joletrar. Në to përdorni disa fjali të përbëra të gjata, dhe për arsye kontrasti, një fjali të thjeshtë. Argumentoni se ku do të vendoset kjo fjali e thjeshtë, duke iu referuar llojit të tekstit.

17. Shkruani një paragraf ku të përdorni fjali të përbëra me bashkërenditje me qëllimin: për të përsëritur idenë; për të zgjeruar idenë.

172 Gjuhë

Gjuhë

Nënrenditja

Fjalia e nënrenditur

Lexoni dy tekstet:

a) (tekst joletrar) Unë nuk e di nëse akëcili nga këta libra është i mirë dhe nëse ka arritur t’i ndryshojë, sadopak, lexuesit e tjerë, por ajo që di me siguri, është se ata më kanë ndryshuar mua. Më kanë shëruar nga vuajtjet dhe gabimet, ndërsa më kanë dhuruar lumturi, besim dhe paqe. Ma kanë kthyer shpresën, të cilën shpesh e mendoja të mjegulluar. (J. d’Ormesson)

b) (tekst letrar) Atë muaj marsi, atë muaj të ftohtë marsi, kur njohja me Silvenë D. do të ma shtonte padurimin për të ardhur në Paris, atë padurim që edhe pa atë njohje ishte i papërballueshëm, i mbështjellë me fatalizëm, besëtytni, tmerr primitiv, ajo ishte njëzet e tre vjeçe. (I. Kadare)

Të dyja tekstet përpiquni t’i rishkruani me fjali të thjeshta. A shprehen njësoj synimet e tyre?

Ç’ndodhi me elementet e dallueshme në secilin prej teksteve? A janë përsëri në qendër të secilit tekst?

Të dyja tekstet janë të ndërtuara me fjali të përbëra me nënrenditje. Këto fjali të përbëra kanë një fjali të pavarur dhe të paktën një fjali të varur. Ndërtimi i pavarur quhet fjali kryesore; i varuri, fjali e nënrenditur. Fjalia e nënrenditur paraprihet nga një lidhëz nënrenditëse, p.sh. kur, ku, që, sepse, ndonëse, ndërkohë që etj. Fjalia e përbërë me nënrenditje mund të ketë dy, tre, ose më shumë fjali të nënrenditura, por ka vetëm një fjali kryesore. P.sh.:

Në kohën kur po flisnim për marrëdhëniet e akullta mes nesh e kur nga Spanja nuk na vizitonte askush, një kalorës i vetëm, duke injoruar ligjet e botës, e kalonte gjithmonë e më shpesh kufirin që dukej si i pakapërcyeshëm.(I. Kadare)

Fjalia e përbërë me nënrenditje mundëson shtjellimin e mendimit edhe kur ai është i ndërlikuar; jep ndjesitë apo përvojat në mënyrë më të plotë sesa fjalitë e thjeshta apo fjalitë e përbëra me bashkërenditje. Në shembullin më lart, ju vutë re se kthimi nga fjali të përbëra me nënrenditje, në fjali të thjeshta, bëri që teksteve t’u humbnin dy elemente të qenësishme: sinteza dhe synimi

Periudha me nënrenditje nënkupton disa hapa të rëndësishëm në ndërtimin e tekstit. Zakonisht, mendimi më i rëndësishëm jepet në fjalinë kryesore, ndërsa idetë më pak të rëndësishme jepen të nënrenditura. Nëse ndodh e kundërta, atëherë kemi të bëjmë me një përdorim jo të saktë të fjalisë me nënrenditje për disa raste p.sh., në fjalinë e përbërë: Dielli, njeriu i Antonit, që ia solli Kleopatrës këto lajme, kur pa se sa e bukur, sa e zonja e gojës dhe sa dinake ishte ajo, menjëherë u bind, se Antoni

Lloje të përdorimit të fjalisë së përbërë me nënrenditje
173Gjuhë

kurrë s’kishte për t’i bërë keq një gruaje të tillë, po përkundrazi kjo do të ushtronte influencë të madhe mbi të. (Plutarku)

Këtu mendimi kryesor ka të bëjë me bindjen dhe sigurinë e Diellit: Dielli, njeriu i Antonit menjëherë u bind, ndaj do të ishte gabim nëse do të përdorej si fjali kryesore një tjetër fjali, së cilës konteksti i jep më pak rëndësi.

Ka raste kur qëllimi i mendimit që presupozohet të jetë në fjalinë kryesore zhvendoset në fjalinë e nënrenditur. Kjo ndodh nga një organizim jo i mirë i pjesëve përbërëse të fjalisë. Në tekstin e dhënë, kjo gjë bie në sy për shkak të ndërfutjes së figuracionit. Kthehemi në shtëpi të lodhur pas ditës së parë të mësimit, sepse gushti tjetër na duket një jetë larg, ndërsa mësimi ka nisur rregullisht (Revista Mësuesi, shtator 2006). Në rastin e mësipërm, teksti i përket një regjistri deri diku formal, ndërkohë që fjalia e nënrenditur shkakore (sepse gushti tjetër na duket një jetë larg) është e një regjistri shumë informal (ka figuracion) dhe i jep rëndësi parësore një ideje dytësore, asaj të pushimit, i cili nuk është synimi real i tekstit. Nëse nënrenditim idenë kryesore që sugjeron konteksti, përsëri kemi përdorur gabim periudhën me nënrenditje. P.sh. në tekstin: Pjesa më e madhe e gjërave varet nga ne mësuesit, sepse jemi ne para të cilëve ju duhet të flisni, jemi ne që ju korrigjojmë, që ju nxisim e që shpesh jemi në anën tjetër, atë të vështrimit të ftohtë. E di... por është kaq bukur që ndërsa ritakohemi në një ditë si kjo e nisjes, kemi shansin të rrëzojmë me një fjalë apo një lëvizje, gjithë muret që i ngremë padashur përgjatë një viti. Është ky një pohim pozitiv, i paartikuluar, një konfirmim racional që ne si persona i bëjmë dukurisë aq njerëzore, përulësisht të emërtuar empati. (Revista Mësuesi, nëntor 2005)

Ideja që duhej të dilte si kryesore (jemi ne), në fakt është e fshehur te pjesa e nënrenditur dhe vjen pas lidhëzës sepse. Ajo duhej të shprehej ose si kryesore, ose si fjali më vete. Formulimet e mëposhtme kanë saktësi në këtë përdorim, sepse fjalia kryesore mban kumtin kryesor:

a) (tekst joletrar) Qyteza W. ka edhe një lumth, i cili aty poshtë rrjedh qetësisht, gati pahetueshëm, pa zhurmë e gurgullimë, sikur masa ujore, e vënë midis brigjesh me shkurre e bimësi gjithfarëshe, të ketë ndalur rrjedhën dhe të ketë kapur një fill mendimi për kalueshmërinë e kohës, bie fjala, ose për kohën koordinative; ose ajo masë ujore rri aty për një arsye të thjeshtë, se nuk ka nevojë të jetë në një vend tjetër, se nuk e ndjen nevojën e ikjes, nevojën e zhvendosjes.

b) (tekst letrar) Gjatë kohës së socializmit dhe në periudhën e autonomisë nuk isha as i privilegjuar, as i persekutuar: nuk bëra kurrë një deklaratë, as denoncova njeri; nuk spiunova askënd dhe askujt nuk iu bëra dëshmitar. Nëse dikush e vërteton të kundërtën, mos ta presë hapjen e dosjeve, le të dalë ta thotë publikisht.

Nënrenditja duhet shprehur qartë dhe pa fjali të tepërta. Për ta bërë këtë në kombinimin e fjalive ose togjeve të fjalëve duhet të mbahen parasysh: rregullat e gramatikës shqipe;

174 Gjuhë

rendi natyror i mendimeve ose ngjarjeve (koherenca); nuancat e mendimit që do të theksohet (qëllimi); ritmi i fjalisë.

Për të arritur qartësinë e fjalisë së përbërë me nënrenditje, duhet të ndërtohet një strukturë e nënrenditur sa më e shkurtër dhe e qartë në theksimin e idesë, p.sh., teksti i mëposhtëm i ka ruajtur të gjitha këto parime:

a) (tekst joletrar) Për të arritur në atë qytezë, një të huaji i duhet një hartë e detajuar, një nga ato hartat me vija gjithfarëshe, të shtrira, të kryqëzuara e të pleksura, të cilat, kur i përfytyron si hapësira e si rrugë e si vendbanime, krijojnë ndjenjën e një boshllëku të çuditshëm, sikur nëpër damarët e zbrazët fillon të fryjë një erë vjeshtore; pastaj sikur ndjen një vetmi e një përhumbje të pashpjegueshme; pastaj vërtet e sheh veten në ndonjërin nga ato stacionet e vogla të periferive të largëta në një mbrëmje të vonë, pasi të ketë kaluar andej edhe treni i fundit; pastaj vërtet je aty i mbështjellë me një pardesy të zezë dhe me një lëkurë të verdhë e të kaltërreme deri në tejdukje; pastaj përnjëmend ke ndjenjën se nëpër atë stacion nuk do të kalojë asnjë tren, sepse ti nuk shkon më askund, se mbrapa nuk kthehesh dot, se vendi nga ke ardhur është një pikë e zhdukur e horizontit, kurse përpara, vetëm dhjetë hapa më tej, rri një mur i përbërë nga shtresat e trasha të natës.

b) (tekst letrar) Edhe nëna, pas vdekjes, më është kthyer në ëndërr, por në një mënyrë disi tjetër: duke shprehur – më shumë me pamjet dhe gjestet tipike, se me fjalë – alarmin për tim atë të sëmurë, gati-gati duke e mbrojtur nga interferencat e këtejme: lëngata e tij është kolona peshëmbajtëse e botës ku ajo ka gjetur strehë. Kjo dinamikë pasqyron çfarë ndodhi realisht, kur im atë kish zënë shtratin dhe nëna i rrinte mbi kokë dhe i shërbente, si për të provuar një argument që e kish me veten a me ndonjë personazh të imagjinatës së saj. Më është kthyer siç ishte para se im atë të vdiste, duke kërkuar me ngulm sfida morale te të tretët, njëlloj si atëherë. Nga gjithë muzeu i pafund i kujtimeve që kam për të, ajo ka zgjedhur ta rikrijojë veten mbi këtë motiv altruizmi.

Fjalia e përbërë me bashkërenditje dhe nënrenditje

Përveç tri llojeve kryesore të fjalive të përbëra, ekziston edhe një lloj i katërt që vjen nga kombinimi i dy prej këtyre llojeve. Kjo është fjalia e përbërë me bashkërenditje dhe nënrenditje.

Ajo përmban të paktën dy fjali të pavarura dhe të paktën një pjesë të nënrenditur. P.sh.:

Organizimi ishte i përkryer dhe njoftimi se ishte spostuar salla e shfaqjes, nuk kishte krijuar ndonjë problem. (Nga shtypi)

Nesër është e diel dhe dita do të nisë ndryshe, gjysh, sepse të dielat tona kanë aromën e petullave të gjyshes në verandë, po edhe rrëmujën e mendimeve e kujtimeve të tua të pakoha. (G. Feçi)

E rëndësishme është që në këta tipa fjalish të përbëra (sikurse edhe në të tjerat), të ruhet koherenca e lidhjeve dhe përdorimi saktë i mjeteve të kohezionit. Po ashtu, si edhe në llojet e tjera të fjalive të përbëra, duhet që idetë më të rëndësishme të sugjeruara nga konteksti, të vendosen në fjalitë kryesore dhe ato më pak të rëndësishme të jenë të nënrenditura.

Për ta përmbledhur, në të gjitha llojet e periudhave është shumë e rëndësishme që fjalitë të renditen sipas një rendi logjik të natyrshëm.

175Gjuhë

Verifikoni njohuritë

1. Ç’është fjalia e përbërë me nënrenditje dhe në ç’marrëdhënie janë fjalitë brenda saj? Jepni shembuj nga teksti letrar dhe joletrar.

2. Cilat janë përparësitë e fjalisë së përbërë me nënrenditje krahasuar me atë me bashkërenditje? Jepni shembuj nga teksti letrar dhe joletrar.

3. Ku vendosen idetë më të rëndësishme në fjalinë me nënrenditje?

4. Ç’ndodh me tekstin, nëse idetë më të rëndësishme, të cilat i sugjeron konteksti, vendosen të nënrenditura? A e cenon kjo synimin e tekstit? Të çdo lloj teksti, apo vetëm të ndonjë teksti specifik? Argumentoni me shembuj përgjigjen tuaj.

5. Cilat janë rregullat që duhet të mbahen parasysh në fjalitë e përbëra me nënrenditje? Pse?

6. Ç’është fjalia e përbërë me bashkërenditje dhe nënrenditje? Si vendosen pjesët e saj?

7. Në ndërtimin e fjalive të përbëra, çfarë rëndësie ka respektimi i rendit logjik? Po i mjeteve të kohezionit? Ç`ndodh nëse ato nuk respektohen?

Ushtrohuni përmes tekstit

8. Në fjalitë e mëposhtme, gjeni ato të përbëra me nënrenditje; për secilën shpjegoni se përse janë ose nuk janë të tilla:

Nëse keni mësuar, do ta merrni provimin.

Diella e lexoi letrën dhe sytë i shndritën.

E adhuroj Pejën, ndonëse për të jetuar më pëlqen më shumë Prishtina.

E adhuroj Tiranën, por nuk shkoj shpesh atje.

Kush flet shumë, këput broçkulla.

Nxënësit që do të marrin pjesë në shkollën verore të Rugovës, duhet të regjistrohen para 1 qershorit.

9. Kthejini fjalitë e thjeshta në fjali të përbëra me nënrenditje, duke zëvendësuar rrethanorin me shkronja të zeza me një fjali të nënrenditur.

Për të mos humbur kohë, Mira iku me nxitim.

Nga i ftohti, i kishin mbyllur të gjitha dyert.

Ata kënduan deri në mesnatë.

Me të hapur derën, iu shfaq i biri.

Me ikjen e diellit, befas errësira zotëroi hapësirën.

STUDIM TEKSTI
176 Gjuhë

c

Pas së përpjetës, linja telefonike del në majën e një bregoreje.

Pa dalë dielli, ajo niste punën.

10. Lidhni me shigjetë fjalitë e mëposhtme dhe diskutoni rreth fjalive të përbëra që formohen më pas:

a) Është plotësisht e vërtetë

b) S’është e mundur

c) Puna është

d) Na është ndaluar

dh) Çiraku i vogël ëndërronte

e) Shqiptarët kundërshtonin f) Ajo foli shkoqur

• të bëhej usta.

• të paguanin haraç.

• që mjekësia po merret nëpër këmbë.

• të shkojmë në atë vend ku kemi lënë të parët tanë.

• ndaj ishte shumë e lehtë ta kuptoje.

• që të ndërrojë plaku huqe.

• që Besniku nuk ka për ta pranuar kurrë një kusht të tillë.

11. Lexoni tri tekstet e mëposhtme. Tregoni ndryshimet që kanë mes tyre. Lidhini argumentet tuaja me synimet e teksteve dhe llojet e tyre. Mbani parasysh disa teza diskutimi:

Ka autorë që pëlqejnë fjali të thjeshta dhe periudha të shkurtra. Ata i përdorin me mjeshtri.

Ka të tjerë që pëlqejnë periudha të gjata. Nga se varet përdorimi i tyre?

Lloji i përshkrimit sugjeron edhe llojin e fjalisë së përdorur.

Ky këtu është një vend i bukur. Unë nuk vij shpesh. Mbase për këtë është kaq i bukur. Nën gjithçka, shtrihet një lëndinëzë e ngrohtë ngjyrë bari. Në fakt, është vërtet bari i freskët, me aromë. Të hyn në mushkëri dhe të ngjesh gjakut embrione jete. Sa e dua! Është pjesë e mungesës sime të gjelbër. Në këmbët e tij ngrihet muri gjigant, i gurtë dhe gri. Në gërshetimet e gurëve mbërthehen fort copëza të një jetë tjetër. Vras mendjen... Në cilën histori i kam jetuar grimcat e ngjarjeve të skalitura në baltën e gurpasgurit. Duhet të jem e lindur në disa kohë njëkohësisht. Ndryshe nuk kisha për të përjetuar kaq shumë flukse situatash dhe intensitete dridhmash.

Arti i të shkruarit nuk ishte veçse një nga artet, përmes së cilave do të sillej në jetë një dorëshkrim. Lëkurëpunuesi dhe mjeshtri i pergamenës, bletari që prodhonte tabletën prej dylli dhe piktori i miniaturave ishin po aq të nevojshëm sa edhe libërlidhësi dhe lector-i, ose lexuesi në dhomën e kopistëve. Kur kopisti shihte fjalët para syve të vet, ish në gjendje ta kopjonte origjinalin fjalë për fjalë. Ka prova se, gjatë shekullit të trembëdhjetë, kopjimi i dorëshkrimeve u besohej atyre që nuk lexonin dot (analfabetëve), sepse ata ishin në gjendje të kopjonin më mirë.

Vajza e ndryni zemrën e vet. Jetoi tue këqyrë mbi krena të njerëzve, tue mos u mundue të dijë, me vjet, kush lindte, martohej apo vdiste. I bani në asgja fjalët e katundit se ajo qenka grueja ma kryenalta e mbarë vendit. Fjalët e botës për dashuni e gëzime jete ishin frymë, dokrra të thata. E hijshme deri vonë, për ata mashkuj që deshën ta afrojnë, ajo mbeti diçka si pranverë e përhershme buzë lumit, prore tue prapue ndjesi e shllime të hueja, me dhimbën e pjekun në zemër – qiell i patrazuem. Megjithatë Jerës çdo vjetë, në mars, i përhidhej fryma në fyt; ndoshta i binte mall për burrë. Po për të mos mbetë e pengueme, lidhë për laku në një ndjesi, thellohej heshtazi në kundrimin e rrjedhës së lumit që dirgjej, tue gjarpnue edhe në tru të saj, grykave mbi katund dhe para syve të grues bante bërryl e përqafonte ara e livadhe.

a b
177Gjuhë

12. Lexoni tekstin e mëposhtëm. Ndajeni atë në paragrafë. Dalloni pesë fjali me nënrenditje. Tregoni mjetin lidhës të tyre. Arsyetoni këtë përdorim duke e lidhur me: synimin e kontekstit; tonin dhe theksimin e paragrafit.

Argumentoni lidhjen e fjalëve me të zeza, me synimin që orienton konteksti. Dedikuar (jo vetëm) ty...

Dashuria ime e vogël, sot në orën 8:00, ndërsa do të kapërcesh pragun e portës së rëndë të shkollës, dëshiroj me gjithë shpirt të marrësh me vete tërë entuziazmin tënd, fantazinë tënde. Me to të ngjyrosësh bankën ku do të ulesh për herë të parë. Nuk ka rëndësi nëse je i ndrojtur, fjalëpakë. Besomë ndrojtja jote është dhuratë, mos e harro këtë asnjëherë! Uroj që ndërsa do të rrëshqasësh nëpër fletët e abetares, të ndiesh aromën e ëmbëlsirave, jodin e detit, puhizën e alpeve, magjinë e mrekullive, të gjitha këto mes ngjyrave e germave të librit tënd të parë. Sepse, mbaje mend biri im: kujtimet janë pjesë e historisë sate. Lutem të ndiesh kënaqësinë e shkumësit mbi tabelë. Nuk ka rëndësi nëse do të bësh gabime ndërsa shkruan, sepse kur korrigjohen e kuptohen gabimet, atëherë ato nuk përsëriten më asnjëherë. Sa dua të kryqëzosh vështrimin me atë që do të jetë miku yt i ngushtë! Gëzofshi bashkë miqësinë siç di vetëm mosha juaj ta shijojë. Shpirti ma do të provosh drithërimat e të qenit i pari i klasës, sepse kështu mbase do të jesh gjithmonë timonieri i jetës sate, por nuk ka rëndësi edhe nëse nuk je në krye. Do të thotë që nesër do të jesh duke rendur për të arritur të ardhmen tënde. Është bukur, më beso! Drita ime, uroj të arrish të shkruash emrin tënd saktë, brenda vijave, por edhe të dalësh nga vijat kur nuk do të të duket e drejtë ajo që të tjerët bëjnë. Mëso fjalë të vështira, biri im, me ngjeshje të bashkëtingëlloreve, me dhe pa ë-në fundore, por qofshin fjalë zemre, të vërteta, fjalë ndjese, fjalë urimi, falënderimi, ndryshimi... Nesër, kur të jesh pak më i rritur, do të çuditesh me këtë dëshirë të pazakontë timen, por sot uroj të dështosh herë pas here, sepse fitoret që do të vijnë më pas do të kenë një shije marramendëse, unike, shijen tënde. Shpresoj që egoizmat, konkurrenca dhe indiferenca midis bankave të zhduken dhe t’i lënë vendin mikpritjes, bujarisë... e nëse nuk e gjen, të lutem, kërkoje ti vetë i pari. Njih tërë nuancat e ngjyrave, përfshirë edhe atë të lëkurës apo të ajrit, sepse lëkura dhe ajri mund të shpërbëhen në mijëra reflekse, nëse ti vetë do të dëshirosh. Dua të të shoh duke luajtur futboll me Megin, të bësh byzylykë fidhesh me Eltonin, e pastaj të ndash me tërë klasën kekun e ditëlindjes sate. Të gjithë bashkë, sepse lojërat nuk kanë gjini dhe keku shijon njësoj për të gjithë. Dashuria ime e madhe, uroj tërë këto e shumë e shumë të tjera për ty, shpirt. Mbi të gjitha, unë dua qetësinë dhe paqen tënde. Mami.

13. Shkruani një paragraf letrar dhe një paragraf joletrar ku të përdorni fjali të përbëra me nënrenditje dhe bashkërenditje. Tregoni llojet e lidhjeve që keni ndërtuar. Tregoni se si lidhen ato me synimet e tekstit.

Paragrafi me tekst letrar

178 Gjuhë

Paragrafi me tekst joletrar

Sfida e të shkruarit

14. Duke pasur parasysh fjalitë që vijojnë, çfarë nuk shkon në nënrenditjen e fjalisë së parë? Rishkruajeni saktë atë.

Ndonëse leximi si proces mësohet nga klasa e parë deri në klasën e pestë, mësimi i gjuhës shqipe nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë nuk synon më t’i mësojë nxënësit leximin. Ai synon që ky proces të realizohet me art, në mënyrë që nxënësi të shprehë veten me tërë botën emocionale, duke përcjellë ndjesitë, emocionet e qëndrimet pasi ka përfunduar këtë proces.

15. Shkruani një ese me temë: Surrat dhe fytyrë emërtojnë të njëjtën pjesë të trupit, por nuk emërtojnë të njëjtin mendim.

Përdorni në të lloje të ndryshme fjalish të përbëra. Kujdesuni të respektoni parimet e shkrimit të tyre.

179Gjuhë

Letërsi Millosh Gjergj Nikolla-Migjeni

Millosh Gjergj Nikolla, i njohur edhe me pseudonimin Migjeni, është një ndër shkrimtarët më të spikatur të letërsisë shqipe. Produkti i tij letrar qe një pikë kthese e dallueshme në krahasim me letërsinë pararendëse shqipe, e cila notonte në valët e romantizmit e post-romantizmit. Vepra e tij letrare kishte veçanti specifike si në motivet e përzgjedhura, apo mesazhet që përcillte, ashtu dhe në ndërtimet stilistike. Ajo ishte e re, po njëkohësisht mjaft e përpunuar nga pikëpamja stilistike. Mbi të gjitha, ndjesia që përcillte e përcjell ishte e drejtpërdrejtë, pa klishe dhe tronditëse. Vepra e tij poetike përbëhet nga rreth 40 poezi të përmbledhura në vëllimin “Vargjet e lira” (1936), të cilat, për arsye të notave të theksuara kritike e karakterit mjaft social e aktual të motiveve që kishte përdorur shkrimtari, u censuruan dhe nuk u lejuan të botoheshin. Kjo vepër do të botohej vetëm në 1944. Njëkohësisht me poezitë, ai kishte filluar të botonte në të përditshme të kohës, edhe tregimet apo skicat e tij në prozë. Ato u përmblodhën nën titullin “Novelat e qytetit të Veriut”, të cilat u botuan pas vdekjes, megjithëse i kishte përfunduar së shkruari në fund të 1936.

Risitë në tematikë dhe në stil Tematika

Shumica e studimeve në lidhje me veprën e Migjenit ka vënë në dukje dallimin e tematikave të përzgjedhura nga ai, si në poezi, ashtu dhe në prozë, në krahasim me letërsinë pararendëse. Kështu, në poezinë e tij nuk gjen më motivet e atdhedashurisë, evokimin e figurave të mëdha të historisë etj. Gjithçka është ndryshe, pasi ai paraqet një realitet bardhezi krejt në kontrast me ngjyrat e ndezura të Rilindjes. Personazhet e tij më së shumti janë pa emër. Ato vijnë nga realitete sociale mjaft të mjera e problematike. Në poezitë dhe tregimet e tij gjen pikërisht historitë dhe personazhet e qytetit të tij. Aty gjen lypësin, prostitutën, malësorin e varfër, po njëkohësisht sheh portat, oborret, rrugicat e mistershme, kafenetë e pista, kambanoret, procesionet, murgeshat, erotizmin (si thirrje instiktive e jo vetëm) etj. Megjithatë, ky ishte qyteti që ai e donte “me një dashuri tragjike”, siç shprehet vetë, duke na dhënë përmes këtij grupi oksimoron edhe ndjesinë që krijojnë një pjesë e mirë e punëve të tij. Tonet në to janë të forta, indinjuese e revoltuese. Po veç tyre, aty gjen edhe meditimin, himnizimin, ekzaltimin, mallin dashuror etj.

Stili

Gjithë kjo larmi tematikash, imazhesh etj., pati ndikim të menjëhershëm te lexuesi i kohës, perceptim ky që vazhdon edhe sot. Ky fakt ka të bëjë, veç të tjerash, edhe me mënyrën se si e organizoi gjuhën në tekstet e tij.

Shumica e studiuesve vë në dukje se metafora e Migjenit paraqitet krejt ndryshe nga ajo që ka në bazë një krahasim të thjeshtë dhe që është e zakonshme në letërsinë shqipe paraprijëse. Metafora e Migjenit shfaqet hiperbolike dhe shumë e shtrirë. Në jo pak raste, ajo ka shtrirje në më shumë se një varg: Thelltë në veten teme flejnë kangët

Letërsi180

e pakëndueme/të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,/të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme/me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori. (Vini re ndërkalljen në metaforën kryesore edhe të metaforave të tjera.)

Ka raste kur një tekst ka si skelet një metaforë që ndërtohet mbi një njësi të vetme. I tillë është rasti i “Poemës së mjerimit”, e cila e ndërton gjithë skeletin e poezisë në këtë strukturë: mjerimi asht dhe mjerimi ka. Në këtë rast, metafora bazë është krijuar nga bartja metonimike e emrit përmbledhës mjerim. Ky i fundit (fjala mjerim) nënkupton tërë fushën semantike, që përmbledh varfërinë, të varfrit etj. Këto fjalë Migjeni i monton në strofat që përfaqësojnë pamje të ndryshme të tij, pra mjerimit, duke na dhënë një imazh skenik të papërsëritshëm me nuanca bardhezi.

Përdorimi i vargut të lirë, jo fort i zakonshëm për traditën, i dha mundësi të mjaftueshme Migjenit të realizonte metaforën e tij të shtrirë dhe imazhet e pakrahasueshme që shohim në poezitë e tij.

Tipar tjetër i teksteve të tij është edhe efekti poetik i prozave. Është e dukshme një prirje e tillë ndërtuese. Për shumë arsye. Edhe për faktin se prozat, duke shpërfaqur pjesë të skenave jetësore reale, shumica janë perceptuar jo vetëm për t’u lexuar, por edhe për t’u interpretuar. Nga ana tjetër, kjo u siguron teksteve një lexues të sigurt e besnik. Kështu, për të krijuar ritmin si pjesë e organizimit poetik, ai përdor përsëritjet, që kanë në përbërje jo vetëm një fjalë të vetme, por një grup, madje edhe paragrafë të plotë. Zotni, zotni, të lutem zotni/ asht një refren i bukur i qytetit tem. Vini re përsëritjen e së njëjtës fjalë, për të tipizuar skenën. Vetë fjala refren, që është pjesë e fushës semantike të muzikës, pra që kërkon organizim ritmik specifik, e shton efektin poetik edhe si perceptim. Në fragmentin vijues, vini re një mënyrë tjetër ndërtimi ritmik: Në kishën tonë asht një lagje… Në atë lagje asht një kishë. Mbrenda në kishë asht një lyps, në të cilin jeton një dëshirë: me jetue. Në këtë pjesë, hapësirat ritmike dalin në fund të fjalive. Në këtë funksion është edhe përsëritja disa herë e fjalës “lagje” dhe “kishë” të cilat lidhin në mënyrë anaforike fjalitë njëra me tjetrën dhe krijojnë efekt aliterativ poetik. Në fjalinë e dytë, është presja që krijon alternimin ritmik.

Te proza “Tragjedi apo komedi?”, tre paragrafët e parë janë pothuajse njësoj. Ndryshon vetëm fjala e fundit. Edhe vetë metafora ndërtohet me fjalë që i përkasin fushës semantike të muzikës.

Gjini njerzuer asht një kitarë e gjallë, mbi të cilën një dorë pasionale përfton të dridhunat e telave ndër melodina...

Gjini njerzuer asht një kitarë e gjallë, nëpër të cilën Shejti dhe Katili arrijtën shprehjen e ... tragjedisë apo komedisë së vet.

Gjini njerzuer asht një kitarë e gjallë, ku perëndia ndër melodina të gjata, të pasosme, gjeti shprehjen madhshtore të... të tragjedisë apo të komedisë së vet? Kushedi?...

Ironia e thjeshtë rrallë haset në tekstet e Migjenit. Ajo del përgjithësisht në formën e sarkazmit, që në jo pak raste kalon në grotesk, madje që në titull: “Sokrat i vuejtun apo derr i knaqun?”.

Teksti i tij, pavarësisht se ka veshjen dialektore gege, në shumicën e rasteve i përket një regjistri formal (sidomos në prozë). Ka raste të tjera, kur ky, veçanërisht në prozë, për arsye denigruese e stigmatizuese, gërshetohet me tekstin fetar, ligjërimin e shkujdesur etj. Në një pjesë rastesh, kjo gjë është pjesë e ndërtimit të sarkazmit.

Kitaristi i vjetër, Pikaso
Letërsi 181

Sikur Hamleti n’orë të fundit, qashtu njerzia pushoi të lozi rolin mashtrues dhe u vue në veprim, për të pasë përfundime ma konkrete. Vërtet, në veprim u përzien, tue marrë pjesë atavizmi stërgjyshuer dhe instinkti i një organizimi t’egër, por: “Qëllimi kunorizon mjetet”. Dhe po deshtën ta dënojnë njerëzinë për këtë, asht një padrejtësi... se faji asht tek ajo gjasend që i thanë shkëndija qiellore, hyjnore, perëndore e ku dij ma…

Vini re, në këtë fragment gërshetimi i regjistrit formal filozofik, fetar me atë letrar e të zakonshëm.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë dy veprat e Migjenit dhe kur u botuan ato?

2. Çfarë veçantish shfaq vepra e Migjenit? Cilat janë personazhet dhe pamjet që dalin në prozën dhe poezinë e Migjenit? Si del realiteti nëpërmjet tyre?

4. Si janë tonet që shoqërojnë veprën e Migjenit?

5. Çfarë metafore përdor Migjeni?

6. Çfarë vargu përdor ai në poezi?

7. A ka teksti i tij në prozë efekte poetike?

9. Ç’lloj ironie përdoret zakonisht në prozën e Migjenit dhe pse?

10. Çfarë lloj regjistrash preferon të përdorë ai, veçanërisht në prozë?

Ushtroni mendimin kritik

11. Në mësim thamë se tonet, imazhet e ndezuara të Rilindjes në poezinë e Migjenit u zëvendësuan me sfondin bardh e zi, në të cilin dalloheshin siluetat e lodhura të lypësit, të papunit, prostitutës etj. A ka shumë ndryshim nga ai realitet për të cilin flet Migjeni dhe realitetit të sotëm në lidhje me këto shtresa sociale dhe trajtimin që ju bëhet atyre. Diskutoni në klasë.

12. Megjithatë, ky ishte qyteti, që ai e donte “me një dashuri tragjike”. Ky grup fjalësh i përdorur nga vetë Migjeni, ngërthen në vetvete edhe dashurinë e dhembshurinë, por edhe dhimbjen për fatin e qytetit e njerëzve të tij. Po ju si e shikoni realitetin vendin ku jetoni. Përcaktoni një grup fjalësh si ai i Migjenit, që të përmbledhë përjetimin tuaj në lidhje me të dhe prezantoje në klasë domethënien e këtij grupi.

13. Përsëritjet e shumta si të një fjale, ashtu edhe të grupeve të fjalëve janë tipar i prozave të Migjenit. Nëpërmjet këtyre përsëritjeve fiksohet imazhi dhe ndjesia për të, si dhe krijohet efekti poetik. Zgjidhni një prozë të Migjenit në të cilin të dalloni elemente të tilla. Lexojeni disa herë me vete dhe në fund shënoni ato fjalë , grupe fjalësh që ju mbeten në mendje. Paraqiteni këtë punë në klasë dhe vini re a ju ndihmon ky proces në interpretimin e gjithë prozës.

14. Lexoni me zë poezitë “Kangët e pakëndueme”, “Poema e mjerimit” dhe “Z.B”. Dalloni metaforat në të tria këto poezi. A përcjellin të njëjtin imazh dhe a kanë të njëjtin ton? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke parë, nëse ajo ka lidhje me tematikën që ato përcjellin.

15. Lexoni me zë, duke u munduar të interpretoni prozat “Puthja e Cubit” dhe “Në kishë”. Dalloni alternimet e ritmit që vijnë si pasojë e pauzave me larghedhje të njëjtë, përsëritjeve të së njëjtës fjalë, ose të të njëjtit grup fjalësh etj., që krijojnë efektet e prozës poetike. A krijojnë këto vështirësi apo lehtësi në të interpretuar dhe pse? Flisni për imazhet që ju nguliten më shumë në mendje dhe sqaroni nëse kanë lidhje me këto përsëritje dhe alternime.

Letërsi182

Poezia e Migjenit

Poezia e Migjenit, siç pamë më lart, përmblidhet në vëllimin “Vargjet e lira”. Me të drejtë, studiuesit kanë parë polisemi në titull, pasi së pari, ky titull i referohet elementit kompozicional të ndërtimit të poezisë, pra vargut të lirë. Nga ana tjetër, ai ka lidhje me larminë tematike që trajton. Ky vëllim përbëhet nga disa cikle poezish. Ato janë: “Parathanja e Parathanjeve”, “Kangët e ringjalljes”, “Kangët e mjerimit”, “Kangët e përndimit”, “Kangë në vete”, “Kangët e rinis”, “Kangët e fundit” ndarjeje e njëkohësisht edhe renditjeje mbështetet në një rend logjik, pasi në to janë përfshirë këngë të të njëjtit lloj nga pikëpamja tematike. Përveç rrjedhës logjike, vihet re se ajo është paralele edhe me zhvillimet jetësore të autorit.

Ka studiues që kanë përcaktuar se në poezinë e Migjenit mbizotëron një ton meditativ por, në varësi të qëllimit të autorit, diku forcohet më shumë ideja, mendimi, diku tjetër përshkrimi i reales, mandej ëndrra për përshkrimin e realiteteve, diku tjetër një ekzaltim emocional, për të përfunduar në nivelin e shkrimit autobiografik. Gjithsesi, është e dallueshme që një pjesë e poezive të tij kanë tone të forta, në të cilat dallon revoltën shpërthyese, e cila, në raste të caktuara, jepet me metafora që kanë në bazë një folje me efekte shkatërruese: O, si nuk kam një grusht të fortë/ t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,/ ta dij dhe ai se ç›domethanë i dobët -/ n’agoni të përdihet si vigan i vramë. Një ton i tillë është i zakonshëm për ciklin “Kangët e mjerimit”. Në fakt, ky lloj organizimi është i njohur edhe në letërsinë europiane të asaj kohe. Dihet se ekspresionizmi, në atë periudhë, ishte konsoliduar në fusha të ndryshme të artit. Në veçanti, poezia shfaqej si joreferenciale, tipar që e gjen edhe te Migjeni, mjaft të kujtosh se në tekstet e tij poetike, në përgjithësi, nuk ka personazhe me emër.

Poezia ekspresioniste ishte një lirikë ekstaze apo himnizuese, që krijonte efekte të fuqishme te lexuesi. Natyrisht që te Migjeni, kjo vihet re edhe në tituj: “Ekstaza pranverore”. Vetë koncepti i këngës, me të cilin ka emërtuar ciklet e tij poetike, lë të kuptosh një lloj kompozicioni e interpretimi në tone të ngritura himnizuese. Pastaj, kur kalon te teksti, kjo është shumë më e dallueshme, si në rastin e “Kangës së rinis”. Në këtë poezi emri “rini” është i veshur me nota thirrmore dhe shoqërohet me tri foljet në urdhërore. Këto folje kanë nuanca himnizuese, të cilat përkojnë plotësisht me imazhin që përcjell ky emër (rini) në të tria vargjet e tjera ndjekëse. Ky kohezion i jep tiparet e himnit për rininë si moshë e për rininë si emër përmbledhës, që u referohet individëve të kësaj grupmoshe: Rini, thueja

Lira (lyra), vegël muzikore
Letërsi 183

kangës ma të bukur që di!/Thueja kangës sate që të vlon në gji./ Nxirre gëzimin tand, të shpërthejë me vrull.../Mos e freno kangën! Le të marri udhë. Po kështu, është e zakonshme që në poezinë e Migjenit, rrëfimi është eliminuar, tipar ky përsëri i poezisë ekspresioniste. Poezia ekspresioniste eliminoi rrëfimin dhe përshkrimin, shtoi metaforën foljore që, në një pjesë të mirë rastesh, shfaqej me infinitiv (me punu), i cili i jepte asaj edhe forcën përgjithësuese, pasi shmangte identifikimin vetor, karakterin përgjithësues. Kjo poezi, nëpërmjet teknikash të tilla, synonte të prezantonte ndjenjën në kufijtë më të skajshëm të saj. Natyrisht, tipare të tilla gjenden kudo te Migjeni, veçse më të larmishme në lidhje me format foljore, të cilat kanë trajta të ndryshme, madje ka strofa edhe me elipsë foljore: Melodi e këputun - lot i kjartë nga syni/i një grues së dashun.../andje e përplasun,/ xhevahir i tretun,/ një andërr e shkelun,/ buzë e paputhun/ në melodin’ e këputun. Në poezinë e Migjenit trajtohet fati ekzistencial i qenies, që është një ndër tematikat kryesore të ekzistencializmit. Pasi ka paraqitur atë galeri personazhesh, si: lypësit, pijanecët, rrugaçët, laviret e të papunët, me një frymë alla Bodler, ai kërkon një imazh-model që të zëvendësojë ato paraprijëset. Dhe në “Kangët e ringjalljes” gjen poezinë “Të birtë e shekullit të ri”, ku i drejtohet botës në vetën e parë shumës, me ton refuzues për modelin që ajo përfaqëson. Në të kundërt, ai pohon se të birt e shekullit të ri i kanë shpallur luftë për jetë a vdekje atij realiteti: Na të birtë e shekullit të ri,/ me hovin tonë e të ndezun peshë,/ ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë/ dhe për fitore kem’ me ra fli. Në poezinë “Të lindet njeriu”, nëpërmjet urdhërores së fortë, të realizuar me folje në mënyrën lidhore, poeti shpërthen, duke kërkuar ardhjen, lindjen e një njeriu të ri të madhërishëm, që të ndezë zemrat e njerëzve me ideale humane për qenien. Gjithashtu, ai duhet të jetë i pajisur me ideale sublime për rilindjen kombëtare: Të lindet një njeri/i madh si madhni/ dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni/ për një ide të re, ideal bujar,/ për një agim të lum e të drejtë kombëtar Me tone gati eterike shfaqen poezitë e “Kangëve të rinis”, në të cilat ai shfaqet me ngjyra e tone më të hapura, të tilla si: shpresa, bashkimi me shpirtin e ngjashëm, malli për vashën, imazhin për gruan si e paarritshme etj. Dy buzë të kuqe,/ dy dëshira të flakta,/ që afshin ma thithën,/ gëzimin ma fikën,/ si fantazma ikën/ ndër do bota të larta...

Nudo femërore e parë nga pas, Egon Schiele
Letërsi184

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë ciklet që përbëjnë vëllimin “Vargjet e lira”?

2. Kujt i referohet një ndarje e renditje e tillë?

3. Cilat janë tonet dhe motivet e poezisë së Migjenit? Ilustroni me shembuj të tjerë të marrë nga vepra, veç atyre që gjenden më lart.

4. Cilat janë tiparet e ekspresionizmit europian dhe si shfaqen ato te Migjeni?

5. Si shfaqet ndikimi i ekzistencializmit te Migjeni? Ilustroni me vargje të tjera nga vëllimi.

Ushtroni mendimin kritik

6. Disa nga nxënësit që recitojnë më bukur, të interpretojnë para klasës poezitë “Kanga skandaloze”, “Vullnete të shtypuna” dhe “Recitali i malësorit”. Diskutoni, duke kërkuar mendimin e shokëve që recituan: Çfarë tiparesh ekspresioniste shprehin ato?

7. Poezia e Migjenit është e larmishme. Në të gjendet edhe motivi i dashurisë si shpresë, bashkim me shpirtin e ngjashëm, mall për vajzën, imazhin për gruan si e paarritshme etj. Te poezia "Një natë" dalloni motivin konkret që trajtohet në të. Jepni përjetimin që ju krijohet.

8. Gjeni poezi të tjera në veprën e Migjenit, me të cilat krijoni realitete paralele jetësore dhe ndjesore, personale dhe të përgjithshme. Si mendoni, cilat realitete nuk kanë ndryshuar dhe ju revoltojnë? Cilat janë pjesë normale e natyrës njerëzore?

9. Në disa poezi, Migjeni përshkruan frymëzimin e tij poetik. Një poezi e tillë është edhe “Kangët e pakëndueme”. Lexojeni disa herë dhe shpjegoni :

Kë quan kangë të pakëndueme?

Ku jetojnë këto kangë?

A është i vetëdijshëm poeti për to?

Shpjegoni vargun “unë-djepi juej; ndoshta vorri juej.”

10. Në disa poezi të Migjenit flitet edhe për vetminë, trishtimin që sjell ajo. Lexoni poezinë “Vetmia” dhe përshkruani, duke ilustruar me pjesë nga teksti, përjetimin që dalloni aty. Po ju a jeni ndier në një situatë të tillë ndonjëherë? Diskutoni në klasë.

Sfida e të shkruarit

11. Gjeni disa poezi të Migjenit që flasin për dashurinë dhe përshkruani me shkrim  përjetimin e tij në lidhje me këtë ndjenjë.

Letërsi 185

Migjeni

Ekstaza pranverore

...dhe pranvera erdhi... Nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim dhe ndër zemra tona ngrehi një fole e një jetë e bukur, e një jetë e re me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

...dhe dallndysha erdhi... si shpirti n'ekstazë, në hovin e shejt shtri, me qiellën rroket, me diellin puthet, dridhen krahët në hare – mandej poshtë vërsulet t'u dhurue në cicrim përshndetje një mijë.

... triumfon bylbyli... kangëtar plot magji në gemb të trandafiles, në një tempo të marrë përkdheljet po shfre e kanga kumbuese, kang' e tij pa fre, asht si kangë Orfeji ndër telat e lyrës. ...dhe vesa shkëlqen... në një pikë t'argjent pasqyrohet jeta tërheqse si andrra dhe si vijzatimi ndër orët e hyjzimit, kur shpërthen agimi e rrezet e arta rrëshqasin ndër fleta.

... dhe pranvera erdhi... Nëpër ftyra tona rrëshqiti një gëzim dhe ndër zemra tona ngrehi një fole e një jetë e bukur, e një jetë e re me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.

ILUSTRIM LETRAR
Letërsi186

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në tekst, ndjesia vendoset në stinën e pranverës. Detajet që përdor autori përbëjnë kornizën e saj. Cilat janë këto detaje?

2. Autori përdor penelin e fjalës për të vizatuar pranverën. Ndërtoni fushën kuptimore të fjalëve që realizojnë këtë vizatim.

3. Në mitologji thuhet se Orfeu ka qenë këngëtari që magjepste me zërin dhe tingujt e lirës. Krahasimi që bën autori synon të ngacmojë imazhin pamor apo atë dëgjimor?

4. Evidentoni sa herë shfaqet në poezi fjala ekstazë. Kuptimi i saj mbetet i njëjtë apo ndryshon strofë pas strofe?

5. Duke shfrytëzuar njohuritë që keni marrë mbi tipologjinë e teksteve, argumentoni se si shfaqet ndjesia e një përjetimi kulmor në këtë tekst poetik. Nga teksti tek analiza e ndërtimit

Njësia dhe është lidhëz apo pjesëz? Çfarë efekti krijon në organizimin e përgjithshëm të poezisë? Gjeni sa herë përdoret dhe vini re si dendësohet imazhi e ndjesia përmes saj.

7. Teksti është i mbushur me metafora. Evidentoni nga një për secilën strofë. Duke u nisur nga kuptimi i ri që merr fjala në secilin rast, tregoni, nëse lidhet me përshkrimin apo përjetimin?

8. Përjetimi është një emocion normal apo ekzaltim emocional? Gjeni pjesë që ilustrojnë përgjigjen tuaj (dhe ndër zemra tona ngrehi një folé).

9. Vargjet e strofave 2 dhe 3 janë të shkëputura nga njëra-tjetra apo janë vazhdim i një fjalie të varur nga një element i vargut të parë? Çfarë efekti krijojnë?

10. Përsëritja e e-së në vargun e katërt të strofës së parë bëhet për arsye metrike apo për arsye ritmike?

6.
Orfeo dhe Euridika, Eduard Pointer
Letërsi 187

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Teksti përcjell një ndjesi të një përjetimi kulmor ekzaltues. Dëgjojeni atë nën muzikën e Vivaldit.

Kthehuni përsëri në tekst. Evidentoni grupe fjalësh të figurshme, të cilat përcjellin këtë ndjesi.

12. Dëgjoni të recituar strofën e dytë dhe të tretë. Qendra e imazhit për to janë përkatësisht dallëndyshja dhe bilbili. Pse janë zgjedhur këto elemente për të dhënë imazhin e pranverës? Cilat dukuri jetësore të tyre lidhen me pranverën? Si realizohet gjuhësisht kjo lidhje? Çfarë efekti krijon ky imazh, pozitiv apo negativ, normal apo të ekzaltuar?

13. Strofa e katërt krijon aliteracion nëpërmjet bashkëtingëlloreve z, s, sh. Çfarë përfytyrimi ngacmon aliteracioni? Si ndikon ky përfytyrim te ndjesitë tuaja kulmore si lexues?

14. Bëni krahasim mes strofës së parë dhe të katërt. Dalloni metaforat në brendësi të të cilave është folja rrëshqiti. Krahasoni kuptimet që merr folja në secilin rast. A kanë takime këto fusha kuptimore? A zgjerohet imazhi poetik? Po me ndjesinë çfarë ndodh?

15. A ka momente kur doni të shkëputeni krejtësisht nga përditshmëria dhe të krijoni realitetin tuaj, qoftë edhe virtual? Provojeni dhe rrëfeni përvojat tuaja emocionale. Cilat janë ndjesitë që provuat?

Nga teksti te përdorimi

16. Dalloni grupet që formon parafjala në. Tregoni funksionet e tyre dhe përcaktoni procesin që përcaktojnë ato. Pse emri me të cilin shoqërohet zakonisht është përdorur në njëjës?

17. Dalloni grupet që formohen me parafjalët ndër dhe nëpër. Çfarë përcaktojnë ato dhe a kanë lidhje me ndjesinë ekzaltuese shpirtërore të poetit?

18. Foljet e vargjeve të para të strofave a kanë lidhje semantike mes tyre në kontekstin e përgjithshëm të poezisë? Cili është imazhi dhe ndjesia që krijojnë ato?

19. Në strofën e tretë dhe të katërt janë përdorur tri imazhe që krijojnë një shkallëzim zbritës nga pikëpamja e hapësirës ku gjenden (dallëndysha, bylbyli, vesa). A ka lidhje ky përdorim me zbutje të ndjesisë që sjell ky proces (dallëndyshja që lufton gati në lumturi, bylbyli që shfren duke kënduar dhe vesa që shkëlqen kur rrëshqasin rrezet e diellit mbi të). Jepni ndjesinë dhe imazhin që keni krijuar.

20. Në strofën e katërt jeta është parë tërheqëse “si andrra dhe si vijzatimi”. Përdorimi i fjalëve andërr dhe vizatim është në të njëjtin nivel. Çfarë i lidh ato ?(Mendoni si e krijojmë një imazh të caktuar secili prej nesh.).

Nga teksti te reflektimi

21. Më lart është diskutuar për fjalën ekstazë. Çfarë lidhjeje mund të ketë pranvera me ekstazën si gjendje psikike e fizike. Diskutoni duke ilustruar me pjesë nga poezia dhe nga informacione që keni mbledhur në lidhje me ndryshimet fiziologjike të njeriut në pranverë.

22. Në këto dy vargje gjendet rima e jashtme që realizohet nga folja shfre dhe fjala fre që është pjesë e grupit pa fre: “në një tempo të marrë përkdheljet po shfre/e kanga kumbuese, kang' e tij pa fre”. Përshkruani imazhin që krijoni ju në lidhje me këto lloj lëvizjesh. A mendoni se kemi të bëjmë edhe me një çlirim emocional, që kërkohet nga trupi e mendja dhe pse?

Letërsi188

23. Në këto dy vargje flitet për një jetë të bukur e të re që po vjen: “e një jetë e bukur, e një jetë e re/me dëshira të shumta po buzqesh në lulzim.”. Për cilën jetë e ka fjalën? A mendoni ju se pranvera si stinë gjallëron shqisat dhe ndjesitë, duke na ftuar të vlerësojmë atë që kemi dhe që na rrethon, në mënyrë që të shijojmë jetën? Diskutoni për ndjesitë fizike e shpirtërore në pranverë të secilit prej jush.

24. Fjala ekstazë, ndër të tjera, përshkruan një gjendje shpirtërore të jashtëzakonshme të një njeriu që ka humbur vetëdijen, është shkëputur nga bota që e rrethon. Një gjë tillë kërkohet dhe stimulohet vetëm në pranverë, apo një shkëputje e tillë nga realiteti është nevojë e vazhdueshme e njeriut për të shkarkuar emocionet e mira dhe të këqija. Kërkoni informacione që t’ju ndihmojnë të argumentoni mendimin tuaj dhe diskutoni në klasë në lidhje me këtë fakt.

25. Poeti me të drejtë ka zgjedhur pranverën si stinën që me gjallërinë, ngrohtësinë, bukurinë e saj të çon drejt një përjetimi shkëputjeje nga realiteti drejt një qetësimi shpirtëror e fizik. A mendoni se mund të ketë imazhe të tjera që mund të realizojnë këtë gjë? Ndoshta një stinë tjetër, muzika, librat, sportet etj.? Përgatituni në shtëpi në lidhje me këtë diskutim dhe lexojeni në klasë.

Nga teksti te të shkruarit

26. Plotësoni strofën e mëposhtme: …dhe vjeshta erdhi…. ngjyrat e arta spërkasin shpirtin

27. Shkruani nga një strofë të ngjashme edhe për dimrin e verën.

28. Mbyllini sytë dhe, me mendje, shkoni diku, aty ku dëshironi të jeni, me dikë që dëshironi të rrini, dhe përshkruani jo ngjarjen, por ndjesinë rreth saj.

Letërsi 189

Proza e Migjenit

“Novelat e qytetit të Veriut” u botuan pas vdekjes së Migjenit. Ato përbëjnë fillesat e tregimit modern shqiptar. Vetë shkrimtari i quan alternativë, dilemë, novelëz, fragmente të rrugës, pra nuk i emërton në mënyrë të njëjtë. Nga ana tjetër, ato shfaqen me një strukturë poetike të dallueshme, ndaj dhe, sipas ndonjë studiuesi, ato mund të quhen skica të shkurtra poetike, të cilat nuk u zgjeruan në tregime të plota.

Në lidhje me veprën, duhet thënë se ajo i tejkalon tabutë tematike e stilistike të kohës. Në to gjen tema, të cilat japin mjerimin moral, material e shpirtëror të një ambienti, duke e përcaktuar atë me elemente reale e të dallueshme.

Në këtë kontekst, bie në sy trajtimi i figurës së gruas. Ajo del mjaft komplekse. Në një pjesë të mirë rastesh, ajo shfaqet në sfondin e mjerimit tragjik, që e kushtëzon atë të zhytet në prostitucion. Te skica “A do qymyr, zotni?” shfaqet malësorja, që nuk ka arritur të shesë qymyrin e që, për të mbajtur shpirtin gjallë, është e detyruar të diskutojë në mënyrë alegorike me zotninë për shitjen e trupit të saj: Malsorja rri pezull. Mendohet, shikon diellin. – Ia pash hajrin! – thotë, dhe i shkon mbrapa blersit. E ai njeri q’aty, ai që tash ро ec përpara saj, peshon shumë randë në kujtesën e malsores, e cila kuqet e kuqet e skuqet nga turpi.

Te “Historia e njenës nga ato”, Migjeni e përgjithëson fenomenin e prostitucionit. Kjo duket qysh në titull, në të cilin përdorimi i përemrit të pacaktuar krijon idenë që autori nuk i drejtohet një personi të caktuar, por një fenomeni. Më tej, edhe tregimi fillon me pyetje që mbajnë ironinë brenda: Kush nuk e kujton? Kush nuk e kujton, or shok, atë? Kë? Cilën? Cilën? – Atë! Njenën nga ato! – Po cila asht njena nga ato? Ato janë shumë! Cili i ri (ose plak) nuk njef së paku dhetë nga ato?! Pse ato janë shumë. Pse shumë ka meshkuj, shumë ka pare, prandaj duhet në numër relativ të kenë dhe trupna që shiten... Pra, kush asht njajo njena nga ato? Në vijim, duke e konceptuar gruan si qenie të pajisur me instinktin riprodhues, Migjeni pohon faktin se këtë ajo e zëvendësoi me përfitimin material që i sjell fiziku i saj. E gjithë kjo situatë u kushtëzua nga shoqëria, e cila ose me anë të mjerimit, ose prej zvetënimit moral, e detyroi atë të arrinte në këtë gjendje: Dhe fantasia e të rijve krijon aureolë shejtënsh rreth trupit të një grueje që shitet, e cila, instinktin prodhues e ka lidhë me interesa materiale, pse shoqnia, drejt ose zhdrejt, e detyroi.

Te “Bukën tonë të përditshme falna sot” - skica me një titull sarkastik, që u referohet lutjeve biblike dhe që në fakt është një sarkazëm i hapur ndaj fesë, përsëri pjesë e revoltës ekspresioniste, prostitucioni tashmë shfaqet në familje, ku “nana” detyrohet të shesë trupin për të shëruar djalin e sëmurë. Tragjikja e saj është shumëdimensionale. Ajo humbet veten, humbet të shoqin, humbet edhe fëmijën.

Letërsi190

Te tregimi “Studenti në shtëpi”, koncepti i imoralitetit arrin fazën më sarkastike, pasi në këtë rast tradhtia ndodh jo për arsye ekonomike, por për arsye të mentalitetit që përcaktonte se vajzat duhet të martoheshin me atë që i jepte familja, qoftë edhe për interesa ekonomike të kësaj të fundit. Agia tradhton burrin e saj plak me shërbëtorin. Të gjithë e dinë e të gjithë heshtin, madje edhe Nushi, tregimtari, i vëllai, student i qytetëruar, i shkolluar jashtë.

Figura të tjera, që dalin në sfondin bardhezi të penelit të Migjenit, janë dhe i papuni, lypësi dhe malësori i varfër. Të tria të tipizuara në mënyrë të përsosur nëpërmjet përsëritjeve poetike, të realizuara me larghedhje të ndryshme, që krijojnë sarkazmin gërryes të gjendjes, në të cilën ndodhen këto personazhe reale. Tri prozat e fillimit të “Novelave të qytetit të Veriut” ndërthurin në vetvete tipare letrare e filozofike. Dilema ekzistenciale e përzgjedhjes së karakterit, “fytyrës”, moralit është në thelb të skicës “Sokrat i vuejtun - apo derr i knaqun”. Qysh në titull mund të dallohen si elementi tematik, ashtu edhe baza kompozicionale që haset më tej në vepër. Në të shfaqet njeriu para alternativës për të qenë Sokrat “i vuejtun” e i shpërfyryruar nga hallet, apo derr “i knaqun” e “i majun”, pa tru, veç me bark e me at frotë të kombinueme mas rregullave strikt estetike. E njeriu vendos të përzgjedhë fytyrën e Sokratit me trupin e derrit, duke ngelur de facto derr. Në fund, Migjeni shpërthen ndaj qenies: Qashtu njeriu ia luejti lojën …kujt?...Vetes!/ vetes! – bërtet morali prej mërgimit.

Në dy pjesët e tjera “Ose…- ose…”, Migjeni e rrit sarkazmin ekzistencial, duke pasqyruar psikoza kolektive, që përfaqësohen nga imazhi i njeriut në luftë me vetveten.

Te “Tragjedi apo komedi?”, shfaqet qenia në një rreth vicioz, ku përplasen e mira dhe e keqja, tragjikja dhe komikja (kjo si grotesk), duke përbërë kështu prrallën e ndjenjave njerëzore, në kuptimin e sarkazmit tragjik të jetës njerëzore, dilemës së saj të brendshme të shkaktuar nga vetë njeriu.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

Cilat janë tematikat që gjenden në prozën e Migjenit? Ilustroni me shembuj nga vepra.

Çfarë tiparesh ka proza e tij në krahasim me ato pararendëse e të kohës?

Përshkruani tiparet me të cilat del figura e femrës në prozën e tij.

Me çfarë tonesh dhe ngjyrash dalin imazhet e lypësit, të papunit etj. në prozat e Migjenit?

Si shfaqet fati ekzistencial i qenies në prozat e Migjenit?

Ushtroni mendimin kritik

Migjeni është quajtur poeti që shkeli zonat e pashkelura në letërsinë shqipe. Lexoni “Lili dhe Lilushja”, “Studenti në shtëpi”, “Qershia”, “Pak poezi”. Në bashkëpunim me mësuesin, evidentoni: Cilat janë zonat e pashkelura në letërsinë shqipe të fillimit të shekullit XX në tematikë dhe në stil, duke u nisur edhe nga sqarimet më lart

1.
2.
3.
4
5.
6.
Letërsi 191

7. Lexoni skicën “Historia e njenës nga ato”. Dalloni tiparet e Lukes në rini dhe në momentin që përshkruhet në skicë. Përcaktoni tonin që del nga teksti. A është ai përçmues, përgojues, denigrues, apo trishtues, i dhimbshëm e ironik kur u referohet atyre që e kanë shfrytëzuar atë? A bën kontrast ky ton me titullin? Diskutoni në klasë.

8. Lexoni skicën “Bukën tonë të përditshme falna sot”. Dalloni në tiparet e nanës së Lulit dhe Kolës. Shpjegoni fragmentin e fundit: “Por ai vazhdoi të shikojë përtokë vrimën ndër dërrasa. Ishte një vrimë shumë interesante”. Çfarë tregon ajo për fatin e familjes së tij?

9. Lexoni skicën” Studenti në shtëpi”. Përqendrohuni në paragrafin e fundit dhe dalloni dialogun e brendshëm të Nushit. Çfarë morali i imponon shoqëria dhe si mendon ai. Çfarë kuptimi ka fjalia e fundit : “ Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat!”.

10. Lexoni skicën “Sokrat i vuejtun-apo derr i knaqun?”. Dalloni tiparet e Sokratit dhe të derrit. Gjeni pjesën dhe shpjegoni përzgjedhjen e njeriut. Sqaroni pjesën e fundit të skicës: "Qashtu njeriu ia luejti lojën...kujt?...Vetes! /Vetes!-bërtet morali prej mërgimit.” (Kini parasysh se cilës figurë të filozofisë i referohet Sokrati i skicës.).

Sfida e të shkruarit

11. Fragmenti i mëposhtëm përbën moralin kryesor të tekstit. Fakti që morali është në mërgim ju përcjell shpresë apo pesimizëm. Shkruani mendimin tuaj. "Qashtu njeriu ia luejti lojën...kujt?...Vetes! /Vetes!-bërtet morali prej mërgimit.”

Letërsi192

Migjeni

Fragmentet e jetës Moll’ e ndalueme

Një tridhjetvjeçar. I papunë. Qëndron përpara reklamave të kinemas – e ditë pune asht. Phe! – i pshtyhet nga buzët dhe e sjell kryet prej reklamave. Iu ba se e thrret dikush... Por jo. Askush s’e thrret. Askush nuk ka nevojë për puntor. E ky, rahat-rahat, vazhdon punën e përditshme: shikon reklamat e kinemas. – Phe! Kta çojnë jetë, – thotë, dhe afrohet për studim ma preciz. Asht filmi i përditshëm: një vajzë e bukur, e pranë saj një djal i pashëm. Një zili në sy të puntorit. Një mnijë ndjen për protagonistin. E shikon me sy të keq. Pshtyn. Shikon mathen e vet. Nuk din as ai vetë se ç›asht. Inkarnacion i këpucve: shkarpa. Ulet e njesh shkarpën me spagë dhe, tue lëshue një eeeh, merr qëndrimin e drejtë. Ec nëpër trotuare, u muar vesht. Edhe fare zbath mund të eci nëpër trotuare, pse jo! Lëviz ngadalë, i qetë. Si njeri pa punë. Edhe të tjerët ecin, por jo të qetë – të shqetsuem. Sa mirë asht të jesh i qetë, të ecish ngadalë, si zotni. Por, çka po tham? – A asht mirë të ecish ngadalë e i qetë?... Jo edhe po! Po edhe jo! Si të merret... Për një zotni asht mirë të eci ngadalë se tretet ushqimi, për një puntor nuk asht mirë të eci ngadalë, pse? – E dini. Por puntori ynë po ec gjithnjë ngadalë, me komoditet të plotë, i qetë. Nuk po ia le asgja mangut zotnis. Ç’t’i bajsh? Kështu e ka kjo kohë... edhe botë. Dhe po s’deshe të jesh zotni, bahesh zotni. Puntori ynë nuk don të jetë zotni, as t’imitojë zotnit, por koha... Hekë, s’ka qejf! Nuk i pëlqen ky soj zotnillëku. Jo se mërzitet, por... edhe kte e dini.

Tan-tan-tan-tan! Katër orë mbasdreke! Sa mizorisht therin midën e puntorit! Katër orë tingllojnë nga kumonarja e shejtë dhe ushtojnë në mide të mallkueme të puntorit. Katër! Katër! Katër!

Gjithkund katër! E pse katër? Pse? Pse katër? Grindje. Kapërthimi. Diçka si revolucion. Revolucion në miniaturë. Gjëmon... topi... Jo! – midja nga uria. Kërkon punë. Si kolegët e tij në Berlin e në London. Askund një karroc e ngarkueme që ta zhkarkojë ai. Askund udhtar me valixhe në dorë, që t’u ndihmojë. Askund! Askund! S’e do kush djersën e tij. Kurrsesi me fitue nja dy-tre lekë.

Ndalet puntori përpara dyqaneve dhe nëpër xhama shikon. Shikon dhe shijon romantizmin e kohës. Përpara xhamit të një kartolerie: prap artistat! Shtrëngoi dhambët. Nga inati, u ngritën grushtat përpjetë me një qëllim..., por ligji! Polici! Ia përshkuen trutë. Me përbuzje i len artistat. Pështyn. Vazhdon. Prap pështyn. Shikon djathtas e majtas. Dhe pështyn. I undshëm e zhelemel ec ngadalë e përbri dyqaneve plot me “molla të ndalueme” (Prrallë biblike). Një dashje instinktive don të shpallet! Puntori ynë sundon veten!

Ligji! Polici! Për sigurim, duert i ve mbrapa. E duert e tij janë të forta, të fuqishme. Edhe dreqin e kishin kapë për fytit dhe e kishin mbytë. Por edhe dreqin e mbron ligji.

Tan-tan-tan-tan! Deri kur kështu ma?

ILUSTRIM LETRAR
Letërsi 193

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Cili është personazhi kryesor i tregimit dhe në ç’kontekst zhvillohet situata? Gjeni në tekst të dhënat për to.

2. Gjeni të dhëna mbi gjendjen fizike dhe shpirtërore të personazhit dhe shpjegoni lidhjen mes tyre. Çfarë imazhi dhe ndjesie ju krijon?

3. Përcaktoni personazhet e tjera dhe skenat në të cilat realizohet kontrasti fizik e shpirtëror i personazhit kryesor. A del shpesh ky kontrast?

4. Lexoni tekstin me zë dhe dalloni hapësirat që krijojnë një ritëm të caktuar në tekst. Si është toni që krijohet? A ka lidhje ai me kuptimin e fjalëve të caktuara.

5. Metafora e titullit të kësaj pjese, kujt i referohet në tekst? Gjeni të gjitha fjalët që lidhen me të dhe vini re ironinë.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Pjesa përcaktohet si “Fragmentet e jetës”. Fjala që mban peshën e kuptimit metaforik, fragmentet, jepet në shumës dhe në trajtën e shquar. Mendoni se një përdorim i tillë ju krijon ndjesinë e një panorame të shpeshtë, apo ka lidhje edhe me pjesët e tjera të Migjenit? Argumentoni përgjigjen tuaj me shprehësinë e shumësit dhe trajtës së shquar në gjuhën shqipe.

7. Grupi emëror “Moll’ e ndalueme” është marrë nga konteksti biblik. Në kontekstin ku e vendos Migjeni, ky grup fiton një kuptim të ri. Identifikoni kuptimin e figurshëm që ka fituar. Si është ndërtuar ky kuptim i ri në situatën ku e vendos Migjeni? A ka lidhje me kuptimin fillestar? Kujt i drejtohet tanimë?

8. Intonacioni në tekst përcjell ironi të thjeshtë dhe sarkazëm therës. Evidentojini në tekst dhe shpjegoni natyrën rritëse të ironisë deri në sarkazëm. Shfrytëzoni kontekstin dhe kuptimet e reja të fjalëve.

9. Në tekst keni ndërhyrje të regjistrave të ndryshëm, nga ligjërim i zakonshëm në atë formal (Kta çojnë jetë, – thotë, e afrohet për studim ma preciz.). Dallojini ata dhe ndajini sipas përdorimit. A mendoni se ky gërshetim shkallëzon ironinë në sarkazëm?

10. Te paragrafi i tretë janë ndërtuar përsëritje të shumta. Dalloni si realizohen ato dhe sqaroni, nëse krijojnë efekt ritmik poetik. Cila është ndjesia që përcillet nëpërmjet tyre?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Dalloni në paragrafin e dytë përsëritjet e fjalës “zotni”. Sqaroni kuptimin e saktë për secilin rast dhe vini re nëse përsëritja është thjesht lojë fjalësh apo ka dhe efekt ironik. A krijohet aliteracion nga kjo përsëritje? Nëse po, përshkruani ndjesinë që përcjell ai.

12. Dalloni kuptimin e foljes “shijon” në paragrafin e parafundit. A kemi përsëritje që krijon aliteracion me folje të tjera pararendëse?

13. Gjejini dhe shpjegoni si bëhet rimarrja, me fjalë të plota apo tinguj në gjithë tekstin. Dalloni fjalët apo grupet e fjalëve që ju mbeten në mendje.

Letërsi194

14. Në paragrafin e dytë të skicës folja “ec” është përdorur, duke iu referuar, Zotnisë dhe punëtorit. Duke u mbështetur në tekst dalloni mënyrën se si duhet të eci Zotnia dhe si punëtori. A ka sarkazëm në këtë fragment dhe si realizohet ajo? (Vini re dy raste kur fjalia nuk përfundohet. Përfundojeni ju.)

15. Në fund të skicës jepet kjo pjesë: “E duert e tij janë të forta, të fuqishme. Edhe dreqin e kishin kapë për fytit dhe e kishin mbytë. Por edhe dreqin e mbron ligji.”. Shpjegoni paradoksin që dallohet në të. Si paraqitet gjendja e punëtorit?

Nga teksti te përdorimi

16. Krijoni një fushë leksikore me foljet që kumtojnë lëvizje. A ka lidhje itinerari i tyre me rutinën e përditshme të heroit të tekstit?

17. Retiçenca apo trepikëshi ka funksione të caktuara përdorimi: herë krijon gjendje pritjeje dhe ankthi e herë tërheq lexuesin të reflektojë drejt fjalës së pathënë të narratorit. Ndaluni në paragrafin e dytë dhe trajtojini ato rast pas rasti. Si kombinohen arsyet e përdorimit të retiçencës? A të dërgojnë ty si lexues drejt gjendjes shpirtërore të heroit?

18. Në grupet “Diçka si revolucion”, “Revolucion në miniaturë”, paradoksi që krijohet në kontekst e zhvleftëson ngarkesën kuptimore që mbart fjala revolucion. Por në përdorimin e saj, Migjeni luan me mekanizmin e çmitizimit. Argumentoni këtë zhvleftësim, duke dalluar zhvendosjen “e fushës së betejës” nga jashtë brenda, si dhe identifikoni synimin sarkastik të autorit. Vini re luftën e brendshme të personazhit dhe argumentoni pse e rrit sarkazmin kjo.

19. Në fragmentin: “Lëviz ngadalë, i qetë. Si njeri pa punë. Edhe të tjerët ecin, por jo të qetë - të shqetsuem” vërejmë një antonimi, e cila këtu e pasuron kuptimin e saj: i papuni i qetë - të punësuarit të shqetësuar. Analizoni paradoksin që shfaqet në këtë kontekst. Kuptimi i ri që fiton thënia është ironi apo sarkazëm?

20. Ritmi i orës “Tan-tan-tan-tan!” krijon shprehësi tingullore. Ai godet katër herë, duke risjellë numrin katër edhe në fund të pjesës. A kemi progresion rritës të mërzisë apo irritimit? Çfarë imazhi dhe ndjesie krijoni?

Nga teksti te reflektimi

21. Në fragmentin në vijim përcaktoni gjendjen e tridhjetëvjecarit. (referojuni foljes thrret dhe përemrit të pacaktuar askush). Çfarë dëshmon ky fragment në lidhje me fenomenin e papunësisë. Diskutoni në klasë dhe sillni shembuj aktualë.

“Një tridhjetvjeçar. I papunë. Qëndron përpara reklamave të kinemas - e ditë pune asht. Phe! - i pshtyhet nga buzët dhe e sjell kryet prej reklamave. Iu ba se e thrret dikush... Por jo. Askush s'e thrret. Askush nuk ka nevojë për puntor.”.

22. “Ndalet punëtori para dyqaneve dhe nëpër xhama shikon. Shikon dhe shijon romantizmin e kohës...” Dalloni në këtë fragment ironinë therëse dhe diskutoni në lidhje me ndjesinë që krijoni ju.

23. Papunësia është motër e varfërisë, mirëpo në asnjë moment të skicës përjetimet e të papunit nuk reflektojnë si shpëtim nga situata punë të pandershme. Natyrshëm shtrohet pyetja: A ka karakter dhe dinjitet i papuni ynë? Po shoqëria që e rrethon dhe e ka lënë në këtë gjendje?

Letërsi 195

24. Në tekst dëshmohet se i papuni ndihet i pambrojtur dhe i mohuar edhe nga shteti i cili mbron edhe “dreqin” po jo atë? Diskutoni për qeveritë e politikat e tyre sociale në lidhje me varfërinë dhe diskriminimin.

25. Në fund të skicës ai thotë: “I undshëm e zhelemel ec ngadalë përbri dyqaneve plot me “molla të ndalueme” (Prrallë biblike)”. Diskutoni në lidhje me shumësin e simbolit biblik të mollës që është në njëjës (mollë e ndalueme). Si realizohet lidhja me grupin në kllapa që e ndjek (Prrallë biblike). Diskutoni me të drejtat elementare të njeriut (të mirëqenies njerëzore në të gjitha aspektet).

Nga teksti te të shkruarit

26. Plotësoni vendet bosh me foljet që i përshtaten paragrafit, po që të krijojnë diçka të ngjashme me pjesën më lart: në kolltuk. Para televizorin. dhe lajmet. dhe në kuzhinë. pak ujë. Më vetmia.

27. Ndërtoni disa sarkazma sipas shembullit: Por edhe dreqin e mbron ligji.

28. Vetmia është quajtur si sëmundja e shekullit. Shkruani një ese me titullin “Vetmia”, ku të përdorni teknikat e Migjenit të analizuara më lart.

Dashuri, famë dhe tragjedi, Pablo Picasso
Letërsi196

Gjuhë

PASURIMI I FJALORIT KRITIK DHE GJUHËS ANALITIKE

Siç dihet, komunikimi realizohet nëpërmjet teksteve të llojeve të ndryshme. Çdo tekst i shkruar apo i folur përbën në vetvete një akt të foluri, i cili mund të shprehë një informacion të caktuar në trajtë parashtrimi, kërkese, urdhri, premtimi, ankimi, kritike etj., nëpërmjet fjalive të llojeve të ndryshme (pohore, pyetëse, mohore etj).

Në pjesën më të madhe, dhënësi, krijuesi i këtyre akteve të të folurit ka një synim të caktuar kur i artikulon ato, madje edhe në rastin kur nuk shprehen me pyetje në formë kërkese. Mendoni pak dikë që vjen në shtëpi dhe te dera thotë: “Erdha unë!”. Ky kontekst parashikon një rutinë të zakonshme për të, që do të thotë se ai ka për qëllim të njoftojë ardhjen e tij, të marrë vesh se kush është në shtëp, të dijë se çfarë do të hajë (ndër të tjera).

Gjithsesi, parashtrimi i synimeve të caktuara ka shprehje më të sofistikuara se një kontekst i tillë ilustrues që përmendëm. Ai madje studion, rendit dhe përshkallëzon teza, argumente, duke përpunuar fjalorin shkallë-shkallë dhe duke na i paraqitur argumentet me një gjuhë analitike sa më bindëse, kundrejt atij të cilit i drejtohet ky akt të foluri.

Analizë përmes shembujve

Le të shohim pak tekstin e mëposhtëm, të shkëputur nga filozofi i shekullit XX, Bertrand Rasëll (Bertrand Russell).

(1) Jeta intelektuale e shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte më komplekse sesa në çdo epokë tjetër të mëparshme. (2) Kjo erdhi si rrjedhojë e disa shkaqeve. (3) Së pari, zona për të cilën bëhet fjalë ishte shumë më e gjerë se më parë; Amerika dhe Rusia dhanë kontributet më të mëdha, ndërsa Evropa filloi të njihej shumë më tepër se më parë me filozofitë indiane, si të lashta edhe të reja. (4) Së dyti, shkenca, e cila kishte qenë burim kryesor i risive që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, bëri hapa të tjerë përpara, sidomos në gjeologji, biologji dhe kimi organike. (5) Së treti, prodhimi me makineri e ndryshoi thellësisht strukturën shoqërore dhe u dha njerëzve një konceptim të ri të aftësive të tyre në lidhje me mjedisin fizik. (6) Së katërti, një revoltë e thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi, u hapi rrugë sulmeve kundër shumë bindjeve dhe institucioneve, që deri më atëherë kishin qenë të paprekshme. (“Si të shkruajmë”, Thomas S. Kane)

Pasi e lexon gjithë tekstin, secili prej nesh vëren se synimi i tij është që të japë një informacion mbi kompleksitetin e jetës intelektuale të shekullit të nëntëmbëdhjetë, siç parashikohet edhe në fjalinë e parë të tij (fjalinë tematike), që përmban edhe çështjen kryesore, e cila do të shtjellohet në vijim. Fjalia e dytë realizon edhe kompozicionin vijues të logjikës së fjalive që do të vijnë më pas, sepse ajo paralajmëron dhe parashikon dhënien e disa shkaqeve që lidhen me këtë kompleksitet: “Kjo erdhi si rrjedhojë e disa shkaqeve.”. Dhe me të vërtetë, në fjalitë 3, 4, 5, 6 parashtrohen shkaqet në nivele të ndryshme të jetës intelektuale.

1
197Gjuhë

Së pari, jepet shkaku-argumenti i shtrirjes hapësinore, që ndikoi në njohjen me filozofi të cilat ishin më pak të njohura më parë: “Së pari, zona për të cilën bëhet fjalë ishte shumë më e gjerë se më parë; Amerika dhe Rusia dhanë kontributet më të mëdha, ndërsa Evropa filloi të njihej shumë më tepër se më parë me filozofitë indiane, si të lashta edhe të reja.”.

Së dyti, jepet shkaku-argumenti, që ka të bëjë me zhvillimin e shkencës në disa fusha specifike: “Së dyti, shkenca, e cila kishte qenë burim kryesor i risive që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, bëri hapa të tjerë përpara, sidomos në gjeologji, biologji dhe kimi organike.”.

Së treti, jepet shkaku-argumenti i zhvillimit të teknologjisë: “Së treti, prodhimi me makineri e ndryshoi thellësisht strukturën shoqërore dhe u dha njerëzve një konceptim të ri të aftësive të tyre në lidhje me mjedisin fizik.”.

Së katërti, jepet shkaku-argumenti i një revolte të thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi: “Së katërti, një revoltë e thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi, u hapi rrugë sulmeve kundër shumë bindjeve dhe institucioneve, që deri më atëherë kishin qenë të paprekshme.”.

Kjo lloj endjeje e shkakut, argumentit dhe mendimit, për të realizuar qëllimin e autorit, krijon edhe koherencën parashtruese-shpjeguese të të gjithë tekstit, i cili i jep në mënyrë analitike (duke i marrë hollësisht një e nga një, faktet, argumentet), si dhe parashtron tezat e autorit. Në këtë mënyrë, krijohet një panoramë e qartë e çështjes kryesore të parashtruar në fjalinë tematike, si pjesa kryesore e paragrafit, siç keni parë në mësimet pararendëse.

Nga pikëpamja e ndërtimit, e kohezionit, është e dallueshme se kemi të bëjmë me një tekst të ndërtuar qartë dhe me fjalor të përzgjedhur, sipas fushës kuptimore, që i referohet shkaku-argumenti. P.sh., nëse marrim fjalinë 4, është pikërisht fusha kuptimore e shkencës, që realizohet më tej me disa nivele të saj si: gjeologji, biologji, kimi (Së dyti, shkenca, e cila kishte qenë një burim kryesor i risive që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, bëri hapa të tjerë përpara, sidomos në gjeologji, biologji dhe kimi organike.).

Në fjalinë 5, fusha kuptimore e teknologjisë lidhet me fjalë të tilla, si: makineri, prodhim, mjedis fizik (Së treti, prodhimi me makineri e ndryshoi thellësisht strukturën shoqërore dhe u dha njerëzve një konceptim të ri të aftësive të tyre në lidhje me mjedisin fizik.).

Në fjalinë 6, fusha kuptimore e revoltës përmbledh fjalë të tilla, si: revoltë, kundër, sulme, të paprekshme (Së katërti, një revoltë e thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi, u hapi rrugë sulmeve kundër shumë bindjeve dhe institucioneve, që deri më atëherë kishin qenë të paprekshme.).

Pavarësisht se këtu kemi shkëputur vetëm një pjesë të të gjithë tekstit, një paragraf, fare lehtë mund të dallohet denduria, qartësia, por edhe përshkallëzimi i gjuhës, i fjalorit, në lidhje me shtjellimin e tematikës dhe argumenteve që parashtrohen. P.sh., fjalia 6, që përfaqëson edhe shkakun e katërt, përmbledh në vetvete koncepte më gjithëpërfshirëse, si fjala sistem, për shembull. Argumentimi tashmë ka kaluar nga identifikimi konkret i shkaqeve, në një gërshetim të këtyre të fundit me perceptimin

198 Gjuhë

dhe ndjeshmërinë e aktorëve të këtij konteksti, që nuk emërtohen direkt (njerëzve, intelektualëve që shfaqin këtë revoltë - Së katërti, një revoltë e thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi, u hapi rrugë sulmeve kundër shumë bindjeve dhe institucioneve, që deri më atëherë kishin qenë të paprekshme.).

Gjithashtu, vihet se teksti është në standard dhe përgjithësisht përfaqëson një tekst që i referohet regjistrit formal, duke qenë në koherencë të plotë me tematikën dhe endjen kohezive që kërkojnë tekste të tilla. Le të shohim edhe një rast tjetër, ku argumenti dhe ndërtimi i koherencës dhe kohezionit të tij nuk ka parashtrimin shpjegues që pamë më lart.

(1) “Fusha ime, thotë Gëtja, është koha”. (2) Ja, kjo është fjala absurde. (3) Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd? (4) Ai që, pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë. (5) Jo se nostalgjia është e huaj për të. (6) Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet. (7) Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij. (8) I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës. (9) Aty është fusha e tij, aty është veprimi i tij që e përjashton nga çdo gjykim, përveç të vetit.

“Krijimtaria absurde”, Alber Kamy, përktheu P. Sinani

Çdo lexues i këtij teksti, besojmë, e ka të nevojshme ta lexojë disa herë atë, pasi koherenca dhe kohezioni në të nuk paraqiten aq lehtësisht të identifikueshme, sa në tekstin e dhënë më lart. Ato janë shumë specifike dhe kërkojnë një analizë të secilës fjali, në mënyrë që të shikohet se çfarë lidhjeje kanë ato me njëra-tjetrën. Kështu, fjalia e parë (“Fusha ime, thotë Gëtja, është koha”.) lidhet me fjalinë e dytë (Ja, kjo është fjala absurde.) nëpërmjet faktit se sqarohet që “koha”, e cila i përket fjalisë së parë dhe shihet nga Gëtja si tipar i interesit njerëzor, në fjalinë e dytë, konceptohet si fjalë absurde. Në pamje të parë, fjalia 3 (Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd?) duket sikur nuk ka lidhje me të dytën (Ja, kjo është fjala absurde.), por në fakt është fjalia parë, që krijon mundësinë deshifruese të koherencës mes tyre. Kështu, meqë koha është pjesë e interesit të njeriut (fjalia e parë) dhe koha është fjala absurde (fjalia e dytë), pyetja e fjalisë së tretë (Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd?) kërkon pikërisht dhënien e tipareve të njeriut absurd. E në këtë kontekst edhe dy fjalitë e para përfshihen logjikisht në koherencë me të tretën.

Fjalia 4 (Ai që, pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë.) ka një lidhje dyfishe koherence me fjalinë e tretë dhe me të parën. Me fjalinë e tretë, lexuesi dallon se përjetësia është tipar i interesave të njeriut absurd. Gjithashtu, kjo fjalë krijon koherencë edhe me konceptin e kohës, që u paraqit në fjalinë e parë, pasi ajo shfaqet në një raport metonimik me të dhe është pjesë e së njëjtës fushë kuptimore.

Fjalia 5 (Jo se nostalgjia është e huaj për të.) krijon kontrast dhe marrëdhënie antonimike me fjalinë 4 (Ai që, pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë.), pasi ato ndërtohen mbi bazën e dy të kundërtave: përjetësisë (në kuptimin e së ardhmes) dhe nostalgjisë (në kuptimin e së shkuarës). Gjithsesi, përsëri jemi në fushën kuptimore të kohës, raportit të saj me njeriun dhe përsëri kjo fjalë (koha) reflekton

2 199Gjuhë

një koherencë, e cila varet nga një koncept kryesor (koha p.sh.) e hapet në formë rrezesh me të gjitha fjalitë e tjera të analizuara deri më tani.

Fjalia 6 (Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet.), nga pikëpamja drejtshkrimore e standardit nuk duhej të ishte më vete, pasi kemi lidhëzën kundërshtore por, me të cilën nis fjalia. Kjo e fundit, në fakt, është pjesë homogjene e fjalisë 5 (Jo se nostalgjia është e huaj për të.). Po këtë fakt ne nuk e gjykojmë këtu me këtë sy, pasi nuk jemi në tekste që respektojnë normën gramatikore. Sidoqoftë, pavarësisht paraqitjes grafike të këtyre dy pjesëve si dy fjali, është plotësisht e perceptueshme kjo fjali si pjesë e fjalisë paraprijëse edhe si logjikë koherence, edhe si mënyrë ndërtimi e këtyre dy pjesëve si një e vetme. Fjalia 7 (Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij.) merr në mënyrë lineare dy konceptet e fjalisë paraprijëse (Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet.), pra, guximin dhe arsyetimin. Duhet thënë se, pavarësisht se duket sikur këto dy fjalë kanë marrëdhënie rimarrjeje vetëm me fjalinë paraprijëse, përsëri ato kanë referencë në distancë edhe me konceptin e njeriut (përkatësisht, atij absurd), tiparet e interesat e të cilit po diskutohen (Fjalia 3: “Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd?”.). Pra, autori ruan të njëjtin kohezion, megjithëse mund të ndryshojë pikën referuese. Kujtojmë se, në shumicën e rasteve, referencat bëhen me kohën. Fjalia 8 (I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës.) lidhet me fjalinë 7 (Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij.) pikërisht me të njëjtin stil të përmendur më parë, përkatësisht përmes një rimarrjeje të fjalëve të së njëjtës fushë kuptimore, konceptit kufij me konceptin liri, më saktë kufizimin e saj. Fjalia 9 (Aty është fusha e tij, aty është veprimi i tij që e përjashton nga çdo gjykim, përveç të vetit.) rimerr direkt, nëpërmjet deiktikut (aty-referent i një vendi virtual kohor, këtu i dhënë me një metaforë rrjedha e jetës), fjalinë 8 (I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës.). Kujtojmë se vazhdon lidhja e këtij të fundit (rrjedhës së jetës) si koncept me kohën, tashmë madje në kuadrin e një parafraze.

Nga kjo analizë mund të dallohet se në thelb teksti merret me raportin e kohës me njeriun absurd, që e koncepton si absurde kohën (njeriu). E gjithë kjo marrëdhënie absurde (Kini parasysh se Kamyja është përfaqësues i ekzistencializmit, që ndër të tjera trajton sfidën krenare të njeriut ndaj universit të dhunës e universit të pakuptimtë, që ai e quante absurd.) reflektohet nëpërmjet një mënyre ndërtimi, në të cilën fjalët e fushës semantike të kohës (si pjesë e interesave të njeriut), rimerren herë në raporte metonimike, herë perifrazohen për të shfaqur këtë marrëdhënie paradoksi-absurd.

Nga ana tjetër, e gjitha kjo marrëdhënie dhe gjithë rimarrjet direkte të fjalive njëra me tjetrën, janë të përqendruara shumica me fjalinë e parë e përkatësisht me konceptin e kohës [Përjashtim bën vetëm fjalia e tetë që i referohet fjalisë së tretë (njeriut absurd)].

Duhet thënë se teksti i përket një regjistri mjaft të ngritur, me bazë arsyetimi debatin filozofik, por i dhënë në trajtën e një eseje. Në të vihet re përshkallëzimi i analizës e bashkë me të edhe i fjalorit analitik, që herë pas here vishet me struktura që induktojnë interpretim skenik (Kini parasysh pyetjen te fjalia e tretë. Fjalia që fillon me pjesëza mohuese, si fjalia e pestë, ndarje të një fjalie si fjalia e pestë me fjalinë e gjashtë, elipsat e kryefjalëve dhe fjali që fillojnë me mbiemër, si fjalia e tetë etj.).

200 Gjuhë

Verifikoni njohuritë

1. A ka ndonjë qëllim pas çdo akti të foluri? Nëse po, jepni shembuj nga përditshmëria juaj komunikuese. A bëni ndonjë plan në mendjen tuaj se si ta organizoni gjuhën, në mënyrë që qëllimi juaj të jetë i suksesshëm? Ilustroni me shembuj.

2. Dalloni fjalinë tematike në tekstin e parë dhe thoni se çfarë pozicioni ka ajo në lidhje me koherencën e gjithë tekstit, pra, në lidhje me fjalitë e tjera.

3. Fjalitë që japin shkaqet-argumentet në tekstin e parë varen nga njëra-tjetra apo jepen në formë të degëzuar, për të shtjelluar konceptin e fjalisë tematike? Identifikojini në tekst konkretisht.

4. Shkruani në dërrasë tekstin e dytë (të Kamysë) dhe lexojeni me vete disa herë. A dalloni një fjali tematike, e cila organizon gjithë fjalitë e tjera, siç pamë në tekstin e parë?

5. Nëse jo, pasi dikush nga ju të lexojë interpretimin e bërë nga ne, duke treguar fjalitë e shkruara në dërrasë dhe duke vënë shigjeta për të treguar lidhjet dyfishe të një pjese prej tyre, dalloni konceptet drejtuese, që realizojnë këtë koherencë.

6. Cili prej teksteve është më i lehtë për t’u ndërtuar? Provoni të krijoni njërin prej të tyre. Ushtrohuni përmes tekstit

Intelektuali që nuk ngopej me kulturë, ai që e kishte ndier tërë jetën damkën përvëluese të “armikut të klasës”, ai që nuk kishte pasur as edhe një varr për njeriun e tij të pushkatuar apo të vdekur në burg, i riu që përpara vetes nuk shihte veçse një jetë të shpëlarë dhe të njëtrajtshme; ai që nuk mund t’i kushtohej Zotit - të gjithë këta njerëz nuk ua kishin nevojën pamjeve televizive për të kërkuar të çliroheshin nga skllavëria…

7. Vëreni me kujdes ndërtimin sintaksor të fjalive në tekst. Në ç’raport qëndrojnë fjalitë bashkërenditëse me ato nënrenditëse? Në ligjërimin tuaj të përditshëm, dominon fjalia nënrenditëse apo bashkërenditëse? Pse?

8. Që të sigurohet koherenca në tekst marrin vlerë mënyrat e lidhjes. Në këtë kontekst, si paraqitet lidhja e fjalive me njëra tjetrën? Cili është deiktiku vetor, që përdoret më së shumti? A krijon monotoni përsëritja e tij? Krahasojeni me të folurin personal. A përsëritni zakonisht të njëjtën fjalë apo e zëvendësoni me deiktikë të tillë?

9. Identifikoni argumentet e këtij teksti. A diskutohen ato zakonisht në ligjërimin e zakonshëm, apo kërkojnë auditor e dhënës specifikë që t’i realizojnë ato? Pse? Rimarrja e tyre bëhet në mënyrë kronologjike, me marrëdhënie shkak-pasojë apo për të njëjtin koncept shtjellohen në mënyrë të degëzuar disa tipare?

10. Vini re përdorimin e përemrave lidhorë. Në çfarë pozicioni janë ata dhe çfarë marrëdhënieje kanë me imazhet, që shtjellohen si argumente në tekst (intelektuali, i riu, ai)?

11. Nga analiza e mësipërme vëmë re se ka njëtrajtësi kohezioni që ndërton tri imazhet e personazheve kryesore që shtjellohen. A krijon kjo gjë vështirësi apo lehtësi në të mbajturin mend?

12. Ky lloj ndërtimi ka efekt stilistik, sepse, ndër të tjera, krijon aliteracione që realizojnë imazhe specifike. Në këtë këndvështrim, identifikoni dhe arsyetoni figurën e aliteracionit. Çfarë imazhi ju krijon dhe si lidhet ai me ndjesitë tuaja?

STUDIM TEKSTI 1
201Gjuhë

13. Teksti më sipër është një tekst i përzier, që afron me dëshminë historike me elemente publicistike. Pjesa e shkëputur nga fjalia e madhe “të gjithë këta njerëz nuk ua kishin nevojën pamjeve televizive për të kërkuar të çliroheshin nga skllavëria.” merr atributin e fjalisë tematike. Pse është zhvendosur në atë pozicion? A ka lidhje me lirshmërinë që i jep lloji i tekstit? Argumentoni përgjigjen.

14. Teksti më lart i referohet një periudhe historike të shqiptarëve, përkatësisht emigracionit masiv të viteve ‘90, kur Shqipëria theu vargonjtë e diktaturës komuniste. A mund të bëni një paragraf të ngjashëm si ky për një ngjarje historike, politike që ju ka mbetur në mendje?

Një paradoks i çuditshëm ekziston në lidhje me gramatikën. Nga njëra anë, ajo mendohet si një nga lëndët shkollore më të mërzitshme, e përshtatshme vetëm për ata persona në venat e të cilëve ka kohë që nuk rrjedh më gjak, por bojë shkrimi. Nga ana tjetër, është një lëndë për të cilën, edhe njerëz që as do t’u shkonte mendja të bëheshin gjuhëtarë profesionistë, kanë mendime dhe bindje dogmatike, të cilat mund t’i mbrojnë plot me zjarr. Një pjesë e mirë e këtij paragjykimi rrjedh nga burimet e zakonshme të paragjykimeve - padituria dhe paqartësia. Edhe ndër njerëzit mjaft të shkolluar, të rrallë janë ata që e kanë të qartë se çfarë bëjnë gramatikanët, madje ekziston edhe një keqkuptim i pafat për vetë kuptimin e fjalës “gramatikë”.

U. Nelson Frensis (W. Nelson Francis)

15. Konsultoni në Fjalorin e Gjuhës e Shqipe fjalën “paradoks”. Cili nga kuptimet e saj përdoret në tekstin e mëposhtëm? A ka fituar nuanca të reja kuptimore?

16. Paradoksi si koncept e si figurë kërkon dy anë, që në pamje të parë nuk përputhen me njëratjetrën. Cilat janë këto dy anë në tekst dhe a ka fjala paradoks edhe funksion ndërtues në kompozicion?

17. Elementi kryesor që shtjellohet në tekst është gramatika e koncepti mbi të. Dalloni fjalët që i përkasin fushës kuptimore të gramatikës. A kanë vlerë në ndërtimin e koherencës së tekstit?

18. Trajtimi që u bëhet dy qasjeve në lidhje konceptin e gramatikës krijon edhe një koherencë specifike. A kemi përshkallëzim të argumentit sipas rëndësisë dhe ku e vini re atë?

19. Në tekst vihen re nuanca ironie: Nga ana tjetër, është një lëndë për të cilën, edhe njerëz që as do t’u shkonte mendja të bëheshin gjuhëtarë profesionistë, kanë mendime dhe bindje dogmatike, të cilat mund t’i mbrojnë plot me zjarr. Vëreni lidhjen e përshkallëzimit të argumentit me ironinë. Për cilat arsye vjen ky lloj perceptimi?

20. Pasi keni bërë analizën e mësipërme që kërkon lexim disa herë të tekstit, si mendoni, kemi të bëjmë me njё tekst që përfaqëson vetëm tipare historike, publicistike, letrare etj., apo të përziera? A mund ta ndërtojë zakonisht këtë koherencë e kohezion çdo përdorues i zakonshëm?

21. Diskutoni në grup në lidhje me këtë paragraf dhe debatin që u zhvillua. Pasqyrojeni në formë të shkruar, duke u munduar të krijoni një tekst të strukturuar, që mbështetet në një koherencë të ngjashme me tekstin më lart.

Sfida e të shkruarit

22. Ngrohja globale dhe problematikat e saj janë një ndër çështjet kryesore që diskutohen sot në botë. Duke punuar në grup, mblidhni fillimisht informacione mbi këtë çështje, pastaj renditni tezat dhe kundërtezat. Përcaktoni renditjen e tyre, duke i përshkallëzuar sipas vështirësisë. Gjatë kësaj pune, përshkallëzoni edhe fjalorin analitik që gjetët. Në fund, prezantoni para klasës punën e bërë me shkrim dhe sqaroni edhe etapat e ndërtimit të saj, duke reflektuar referencat përkatëse.

2 202 Gjuhë

LETËRSIA MODERNE II

PROFILE AUTORËSH

Ernest Heminguej

Ernest Heminguej (Ernest Hemingway) është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë amerikane të shekullit XX. Emri i tij, sikurse edhe i F. Skot Fitxheraldit (F. Scott Fitzgerald), Xhon dos Pasosit (John Dos Passos), Gertrud Shtajnit (Gertrude Stein) etj., lidhet me termin e njohur “Shkrimtarët e brezit të humbur”, term që etiketonte fillimisht një grup shkrimtarësh amerikanë, të cilët qenë pjesë e traumave të një kohe që ishte e kapërthyer nga lufta dhe nga kriza e thellë dhe e gjithanshme e shoqërisë. Vetë Hemingueji e përdori si epigraf në një prej romaneve të tij më të njohura, me titull “Dhe dielli lind përsëri” (1926), në të cilin sjell në vëmendje mjerimin dhe shkatërrimin që u bën lufta vlerave njerëzore.Vetë Hemingueji mori pjesë në Luftën e Parë Botërore si vullnetar në njësinë e shërbimit të Kryqit të Kuq italian, ku edhe u plagos e kaloi një periudhë në spital. Këtë përvojë ai do ta përdorte si bërthamë për romanin “Lamtumirë armë” (1929). Të njëjtën gjë do të bënte edhe me përvojën që pati si reporter në luftën civile në Spanjë. Nga kjo përvojë do të shkruhej romani “Për kë bien kambanat” (1940). Disa prej romaneve të tjera më të njohura të Heminguejit janë “Të kesh dhe të mos kesh” (1937), “Përgjatë lumit dhe përmes pemëve” (1950), “Plaku dhe deti” (1952), i cili pati një sukses mjaft të madh dhe do të ndikonte aq shumë, saqë dy vjet më vonë, më 1954, Hemingueji të vlerësohej me çmimin Nobel. Po ashtu, Heminguej shkroi edhe tregime, të cilat i dhanë famën e një prej stilistëve më me ndikim në prozën e shkurtër moderne amerikane. Nga përmbledhjet me tregime mund të përmendim: “Në kohën tonë” (1925); “Burra pa gra” (1927); “Kolona e pestë dhe dyzetë e nëntë tregime” (1938) (këtu përfshihet dhe një dramë). Gjithashtu, nga pena e tij dolën edhe shkrime të formës së reportazhit, esesë, kujtimeve etj.

Karakteristika të stilit të Heminguejit si tregimtar

Kur përmendet Heminguej në letërsi, e para gjë që studiuesit vënë në dukje është stili i tij, i karakterizuar si impersonal, lakonik dhe objektiv. Një stil, që dëshmon prirjen e Heminguejit drejt teknikave moderne të shkrimit letrar. Veçanërisht kjo vihet re te tregimet e tij dhe në romanin “Plaku dhe deti”. Siç thamë më lart, janë pikërisht tregimet që e bënë të njohur si një prej stilistëve më me ndikim te shkrimtarët amerikanë e botërorë të kohës së tij e më vonë. Një prej elementeve që vihet re dukshëm në tregimet e Heminguejit është përdorimi i dendur e shpesh mbizotërues i dialogut. Ky dialog, jo rrallë, luan edhe rolin kryesor në strukturimin e fabulës, duke përjashtuar atë që mbahej si elementi klasik i prozës: përshkrimin. Ndaj Hemingueji është konsideruar si mjeshtër i dialogut. Biseda ndërmjet personazheve të tij tregon jo vetëm fuqinë e komunikimit, por edhe kufizimet që ka komunikimi. Mënyra se si dialogojnë personazhet është më e rëndësishme se ajo që tregojnë, sepse ajo që zgjedhin të thonë apo të mos thonë shfaq burimin e konfliktit të brendshëm të tregimit. Ndonjëherë, personazhet thonë vetëm atë që mendojnë se do të donte të dëgjonte personazhi tjetër. Kështu ndodh

Letërsi
Ernest Heminguej, teksa shkruan me makinë shkrimi.
Letërsi 203

p.sh. te tregimi “Kodrat si elefantë të bardhë”. Herë të tjera, thonë atë që do të donin të dëgjonin nga goja e personazhit tjetër, siç ndodh te tregimi “Macja në shi”.

Po kështu, stili i të rrëfyerit në prozën e shkurtër heminguejane karakterizohet edhe nga përdorimi i një sintakse të thjeshtë, pa ndërlikime, e shoqëruar nga një gramatikë e zakonshme dhe përdorim i një gjuhe të kursyer, ose të ekonomizuar. Stili i Heminguejit është përcaktuar si një “stil i qëruar”, që shmang cilësorët dhe përdor fjalitë e shkurtra, eliptike e shpesh pa ritmikë (duke shmangur kështu edhe lidhëzat e nënrenditura), të cilat kanë funksion të përqendrohen më tepër mbi veprimin, sesa mbi reflektimin që bëjnë personazhet apo rrëfimtari mbi veprimet. Kështu, stili, gati-gati telegrafik, e lë lexuesin në statusin e ndërvepruesit, të atij që i duhet të plotësojë atë çfarë nuk i është dhënë në mënyrë vizuale. Ndërsa puna e autorit është rezultat i një procesi të gjatë për të zgjedhur vetëm ato elemente që konsiderohen të rëndësishme për ngjarjen dhe shmangien e çdo elementi tjetër që nuk i shërben paraqitjes së ngjarjes. Një tjetër karakteristikë që vihet re në pjesën më të madhe të tregimeve të tij ka të bëjë me fundin e hapur për interpretime të shumëfishta, me të cilin përfundon tregimi. E tillë është mbyllja në tregimet “Macja në shi”, “Lumturia e shkurtër e Frensis Mekomberit”, “Dëborat e Kilimanxharos” etj.

Parimi i ajsbergut

Parimi i ajsbergut është një teknikë shkrimi e pagëzuar dhe e përdorur nga Hemingueji në krijimet e tij. Kryesisht te tregimet dhe te romani “Plaku dhe deti”. Te këto tekste, ai përdor këtë teknikë, sipas së cilës ajo që thuhet në tekst duhet të jetë shumë pak në raport me atë që mbetet e fshehur e duhet të nxirret nga nënteksti. Hemingueji besonte se kuptimi i thellë i ngjarjes nuk duhet të shfaqet në sipërfaqe, por të fshihet në tekst. Kjo do të thotë se një histori mund të komunikojë me nëntekst. Për shembull, te tregimi “Kodra si elefantë të bardhë”, Hemingueji nuk e përmend askund fjalën abort dhe procedurën e abortit, megjithëse përgjatë gjithë tregimit, personazhi duket se vazhdimisht përpiqet ta bindë të dashurën e tij për ta bërë atë.

Pjesë nga vlerësimi që Akademia e Nobelit i bëri stilit të Heminguejit, gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit “Nobel”.

Rëndësia e Heminguejit, si një nga krijuesit e mëdhenj të stilit të kësaj epoke, është i dukshëm si në artin amerikan, ashtu dhe në atë europian, gjatë njëzet e pesë vjetëve të kaluar, kryesisht në dialogun e gjallë dhe në raportin verbal, në të cilin ai ka vënë standarde aq të lehta për t’u imituar sa ç’është vështirë të arrihen. Me mjeshtëri të madhe ai riprodhon të gjitha nuancat e fjalës së folur, si dhe ato pauzat ku mendimi qëndron në vend dhe kur mekanizmi nervoz del nga ledhat. Nganjëherë mund të ngjajë si të folur i vogël, por ai nuk është trivial kur ta kemi njohur metodën e tij. Ai parapëlqen t’ia lërë punën e reflektimit psikologjik lexuesve të tij.

Për këtë teknikë shkrimi, te libri “Vdekje mbasdite”, Hemingueji do të shkruante: “Nëse një prozator e njeh mirë lëndën për të cilën po shkruan, atëherë ai mund t’i lërë jashtë e të mos i shprehë disa prej gjërave që i di, dhe lexuesi, po qe se shkrimtari di të shkruajë, do t’i ndiejë po aq fuqishëm sa ç’do t’i kishte ndier, nëse shkrimtari do t’i kishte përmendur. Madhështia me të cilën lëviz një ajsberg vjen pikërisht për shkak se vetëm një e teta e tij është mbi ujë.

Kurse një shkrimtar që i lë gjërat pa thënë ngaqë nuk i di, s’bën tjetër veçse krijon boshllëqe në veprën e tij.”

Statujë e Ernest Heminguejit, në bar "Floridita" në Havana, Kubë
Letërsi204

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Çfarë kuptoni me termin “Shkrimtarët e brezit të humbur”? Cili është përcaktimi i njohur që i është bërë këtij termi në letërsi? Përveç autorëve që janë përmendur më lart, njihni ndonjë autor tjetër që përfshihet nën këtë etiketim?

2. A kanë shërbyer përvojat personale të Heminguejit si motive për veprën e tij? Nëse po, në cilat vepra?

3. Thoni disa përcaktime që i bëhen stilit të Heminguejit: a) ; b)

c)

etj. Shpjegoni se çfarë kuptoni me secilin prej tyre.

4. Cilat tipare të shkrimit modernist gjenden në prozën e shkurtër të Heminguejit?

5. Si është pagëzuar nga Hemingueji teknika letrare sipas së cilës ajo që thuhet në tekst duhet të jetë shumë pak, në raport me atë që mbetet e fshehur e duhet të nxirret nga nënteksti?

Ushtroni mendimin kritik

6. Lexoni pjesën e shkëputur nga tregimi “Kodrat si elefantë të bardhë” dhe evidentoni tiparet kryesore të stilit heminguejan të mishëruara në të. Diskutoni në klasë për ato tipare që evidentuat.

– Ç'do pimë? – pyeti vajzën.

E kishte hequr kapelën dhe e kishte lënë mbi tryezë.

– Plasëm vape, – tha burri. – Atëherë, marrim birrë.

– Dos cervezas, – porositi burri që përmes perdes.

– Të mëdha? – pyeti një grua që nga porta.

– Po. Dy të mëdha.

Gruaja solli dy gota birrë bashkë me dy shtroja cohe. I vuri shtrojat dhe gotat me birrë mbi tryezë dhe vështroi burrin dhe vajzën. Vajza e hidhte shikimin tutje, te vargu i kodrave. Ato dukeshin të bardha nën ndriçimin e diellit, ndërsa fusha përreth qe e murrme dhe e rreshkur.

– Duken si ca elefantë të bardhë, – tha ajo.

– Unë s’kam parë ndonjëherë elefantë të bardhë, – burri e piu birrën.

7. Çfarë kuptoni me mbyllje me fund të hapur të tregimit? Lexojeni të plotë tregimin “Kodrat si elefantë të bardhë” dhe thoni nëse fundi i tregimit është i qartë, i kuptueshëm apo është i hapur për interpretime të shumëfishta. Argumentoni përgjigjen tuaj.

8. Analizoni mendimin e Heminguejit në lidhje me parimin e ajsbergut. Diskutoni me njëri-tjetrin rreth kuptimeve që keni ju për të. Në paragrafin e mëposhtëm, nënvizoni njësinë që mendoni se është çelës për të kuptuar funksionimin e këtij parimi. Nëse një prozator e njeh mirë lëndën për të cilën po shkruan, atëherë ai mund t’i lërë jashtë e të mos i shprehë disa prej gjërave që i di, dhe lexuesi, po qe se shkrimtari di të shkruajë, do t’i ndiejë po aq fuqishëm sa ç’do t’i kishte ndier, nëse shkrimtari do t›i kishte përmendur.

;
______________________; d) .
Letërsi 205

ANALIZË E VEPRËS

Plaku dhe deti

“Plaku dhe deti” është një nga veprat më të njohura e më të lexuara të Heminguejit. Edhe në këtë vepër, sikurse në tregimet e tij, Hemingueji përdor stilin lakonik dhe objektiv për të realizuar një nga temat e tij më të pëlqyera: luftën e njeriut për ekzistencë e dinjitet dhe pamposhtmërinë e tij përkundër të gjitha vështirësive e rrengjeve që i përgatit fati.

Forca e stilit të kësaj vepre qëndron pikërisht në: përdorimin e kursyer të gjuhës (ose siç njihet ndryshe, në ekonomizimin e gjuhës). Me pak fjalë, autori përpiqet të thotë e të sugjerojë shumë; në rrëfimin eliptik, që ndërtohet nga fjali të shkurtra dhe me sintaksë të thjeshtë, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të tekstit (p.sh. Hoqi direkun dhe e mbështolli pëlhurën dhe e lidhi. Pastaj vuri direkun në sup dhe zuri të ngjitej. Atëherë e kuptoi se sa shumë qe rraskapitur.); përdorimin e detajeve shumë specifike me anë të të cilave bëhet më e gjallë dhe e besueshme bota e trilluar e romanit.

Në rastet kur nuk përdor një fjali të thjeshtë dhe të shkurtër, atëherë ai i lidh pjesët e ndryshme të fjalisë në mënyrë të drejtpërdrejtë e të njëpasnjëshme e shpesh edhe nëpërmjet lidhëzës bashkërenditëse “dhe”. (Gjumi e zuri shpejt, dhe në ëndërr pa Afrikën e djalërisë së tij dhe plazhet e arta të gjata dhe rërat e bardha, dhe shkëmbinjtë e lartë dhe malet e mëdha ngjyrë kafe).

Sikurse te tregimet, edhe në këtë roman, Hemingueji e përdor dialogun si një mjet mjaft efektiv për t’i dhënë dinamikë rrëfimit. Për ta ilustruar mund të ishte shembulli:

– Ç’ke sonte për darkë? – pyeti djali.

– Një vorbë oriz të verdhë me peshk. A do të hash ca?

– Jo, unë do të ha në shtëpi. A do të ta ndez zjarrin?

– Jo. Do ta ndez më vonë. Ose do të ha orizin e ftohtë.

Po ashtu mund të shohim se ndërfutje të tilla si “tha ai”, që janë karakteristike për ligjëratën e drejtë, janë hequr shpesh, duke i dhënë ligjërimit ngjyresën bisedore.

Elemente të fabulës dhe subjektit

Kjo është historia e thjeshtë e një peshkatari plak, Santiagos, i cili e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në det, në kontakt me natyrën e egër. Ai matet me të në një garë të vazhdueshme që i jep motiv për të jetuar. Që në paragrafët e parë, Santiago karakterizohet si një njeri që lufton kundër disfatës. Për 84 ditë me radhë, ai nuk ka arritur të nxjerrë asnjë peshk nga deti, por plaku refuzon ta pranojë humbjen, ndaj në

Plaku dhe deti, pikturë e Malbaši Verica-s
Letërsi206

ditën e 85-të, ai vendos të shkojë larg, shumë larg, përtej ujërave ku kishte peshkuar. Pas tri ditësh lufte me një peshk të madh, ai arrin të triumfojë (megjithëse me duart gjak dhe me fuqi të shterura), por sërish i duhet të luftojë me peshkaqenët, të cilët i sulmojnë prenë. Ai lufton, edhe pse e di se rezistenca e tij është e kotë. I dërrmuar, ia del të nxjerrë në breg varkën së bashku me skeletin gjigant të peshkut marlin, që kishte kapur në det. Ky skelet ishte dëshmia se ai nuk kishte dështuar në profesionin e peshkatarit dhe as si njeri. E për këtë, ai fiton respektin e të gjithë peshkatarëve.

Përmes një rrëfimi linear, konflikti shpaloset përgjatë pesë ditëve të luftës së egër të Santiagos me peshkun marlin dhe peshkaqenët. Rrëfimi bëhet nga një rrëfimtar i gjithëdijshëm, i cili është gjithmonë i kursyer në informacion, duke synuar të japë minimumin e asaj që do të thotë në të vërtetë. Ai përdor kështu parimin e ajsbergut, nëpërmjet teknikës së fshehjes në nëntekst të 7/8 të informacionit që duhet të përmbante teksti.

Motivet që përshkojnë veprën

Për Heminguejin, kuptimi i vërtetë dhe “shpërblyes” i luftës qëndron jo aq tek arritja e fitores, sesa tek angazhimi i plotë dhe i palëkundur i njeriut për të shmangur dështimin, sepse siç thotë Santiago, personazhi kryesor i romanit, njeriu nuk është krijuar për t’u mposhtur, se “njeriun mund ta shkatërrosh, por jo ta mposhtësh”. Në portretizimin e Heminguejit për botën, vdekja është e pashmangshme, por njeriu i vërtetë (sikurse edhe kafsha) s’duhet t’i dorëzohet lehtë asaj, ndaj plaku dhe peshku do të luftojnë egërsisht që të triumfojnë ndaj njëri-tjetrit, sikurse edhe peshkaqenët e uritur do të përpiqen të asgjësojnë “trofeun” e peshkatarit.

Analogjitë me elemente biblike

Për të treguar fuqinë e sakrificës së plakut dhe madhështinë që rrjedh prej saj, Hemingueji duket se ndërton një analogji të Santiagos me Krishtin. Imazhi i kryqëzimit është elementi më i dukshëm me të cilin Hemingueji heq paralele simbolike mes Santiagos dhe Krishtit. Kur pëllëmbët e duarve të Santiagos priten nga toja, lexuesit i shkon mendja te vuajtjet e Krishtit. Kur mbërrijnë peshkaqenët, Hemingueji e portretizon plakun si një martir të kryqëzuar. Për më tepër, imazhi i plakut tek ngjitet kodrës me direkun e anijes hedhur krahëve, të kujton rrugëtimin e Krishtit drejt Golgotës. Madje edhe pozicioni në të cilin shtrihet në shtratin e tij – me fytyrën e rënë, me krahët lart e me pëllëmbët e hapura – të sjell në mendje imazhin e Krishtit që vuan në kryq. Hemingueji i përdor këto imazhe në faqet e fundit të novelës për të lidhur Santiagon me Krishtin, i cili ilustron kalimin nga humbja në fitore, nga dështimi në fitore dhe madje, nga vdekja në ringjallje.

Disa prej simboleve që sugjeron vepra

Në leximin që i bëjmë veprës vëmë re se disa prej elementeve të saj marrin ngarkesa simbolike, duke sugjeruar kështu interpretime të lira e të shumëfishta të tekstit. Nga ato elemente që mendojmë se mbartin peshë simbolike janë:

Peshku

Ashtu siç është përshkruar në tekst, madhështor dhe i fuqishëm, ai simbolizon kundërshtarin ideal. Në një botë, në të cilën “në njëfarë mënyre, gjithçka vret gjithçka tjetër”, Santiago

Letërsi 207

ndihet me të vërtetë me fat që e gjen veten duke luftuar kundër një krijese, e cila e shtyn të zbulojë cilësitë më të mira te vetja: fuqinë dhe guximin, dashurinë dhe respektin.

Peshkaqenët

Si kundërshtarë të Santiagos, ata qëndrojnë në një kontrast të hapur me peshkun, i cili është i denjë për përpjekjet dhe fuqitë e tij. Ata simbolizojnë dhe mishërojnë ligjet shkatërruese të universit dhe dëshmojnë faktin se këto ligje mund të tejkalohen (kapërcehen) vetëm kur luftohet mes dy të barabartësh. Ngaqë ata janë grabitqarë të pabesë, Santiago e fiton pa lavdi betejën me ta.

Luanët

Santiago sheh shpesh në ëndërr luanët. Shfaqja e tyre lidhet me kujtimet e rinisë së tij në Afrikë. Në njëfarë mënyre, luanët sugjerojnë vitalitetin, krenarinë dhe papërkulshmërinë që i duheshin Santiagos në atë luftë me peshkun e peshkaqenët.

Deti (Oqeani)

Mund të interpretohet si simbol i universit, në të cilin njeriu (i përfaqësuar nga Santiago) gjendet si individ i izoluar dhe i ekspozuar ndaj fatkeqësive. Deti, dallgët, janë si vetë jeta, kur dalin pengesa që duhet t’i kapërcejmë.

Plaku dhe deti, pikturë nga John Busby
Letërsi208

Verifikoni njohuritë

1. Renditni disa prej tipareve të stilit që përdor Hemingueji te vepra “Plaku dhe deti”.

2. Çfarë kuptoni me rrëfim eliptik? Si ndikon ky rrëfim në të kuptuarit e tekstit?

3. Ndërtoni një itinerar të historisë së romanit nëpërmjet ngjarjeve kryesore që e përbëjnë atë. Nënvizoni tri momentet që ju i konsideroni si më të rëndësishme në zhvillimin e rrjedhës së ngjarjeve.

4. Cilat janë disa prej motiveve që përshkojnë veprën “Plaku dhe deti”?

5. Romani “Plaku dhe deti” karakterizohet nga disa detaje dhe situata, të cilat i kanë bërë studiuesit të kërkojnë analogji mes tyre dhe elementeve biblike. Cilat janë ato momente që e përafrojnë simbolikisht Santiagon me figurën e Krishtit? Evidentojini ato.

6. Çfarë ngjyrese simbolike ka peshku, peshkaqeni dhe luanët? Po Oqeani?

Ushtroni mendimin kritik

7. Çfarë mund të thoni për mënyrën e organizimit të fjalive në paragrafin e mëposhtëm? Po për gjuhën? Cilat tipare të stilit të Heminguejit ju kujton kjo mënyrë e organizimit të rrëfimit? Përpiquni të renditni disa prej tyre.

“Nuk duhet t’ia shtoj dhimbjen, mendoi. Dhimbja ime s’ka rëndësi. Unë mund ta përmbaj veten. Por dhimbja ime mund ta bëjë peshkun si të marrë.

Pas pak, peshku pushoi së godituri fillin dhe filloi përsëri të vinte rrotull, ngadalë. Tani plaku po e mblidhte litarin pak nga pak. Po përsëri ndjeu një dobësi. Mori ca ujë me dorën e majtë e lagu kokën.”

8. Lexojeni me zë fjalinë: Pas pak, peshku pushoi së godituri fillin dhe filloi përsëri të vinte rrotull, ngadalë, dhe ndiqni ritmikën e saj. Si ju duket? Sipas mendimit tuaj, cilat elemente stilistike ndihmojnë për t’i dhënë fjalisë një muzikalitet të brendshëm?

9. Si mendoni, a është roman mbi vetminë “Plaku dhe deti”? Argumentoni përgjigjet, duke i ilustruar me pjesë nga teksti. Sfida e të shkruarit

10. Kërkoni në internet ekranizimin e romanit “Plaku dhe deti”. Pasi ta keni parë, shkruani në fletore ngjashmëritë dhe ndryshimet mes veprës së Heminguejit dhe skenarit të filmit.

11. Cili prej tyre ju pëlqen dhe pse?

STUDIM TEKSTI
Statujë e Ernest Heminguejit mbi një urë në Cayo Guillermo.
Letërsi 209

E. Heminguej

Plaku dhe deti

Në këtë fragment jepet gjendja psikologjike në të cilën ndodhet plaku Santiago, pas sulmit të peshkaqenit dentuso ndaj peshkut të tij. Santiago kupton se lufta e tij nuk ka marrë fund me kapjen e peshkut, se tani e pret një luftë edhe më e ashpër. Mendimet plot dilema e kundërshti shfaqen nëpërmjet bashkëbisedimit që Santiago bën me veten. E nga ky dialog me veten na portretizohet më së miri figura e Santiagos, i lodhur e i zhgënjyer, por i “pamposhtur”. Nga pikëpamja e stilit, bie në sy rrëfimi eliptik, strukturimi i thjeshtë i fjalive dhe ritmi i tyre.

Plaku nuk donte ta shikonte më peshkun tani që ishte shëmtuar. Kur i kishin sulmuar peshkun, iu duk sikur sulmuan atë vetë.

Por, sidoqoftë, unë e vrava peshkaqenin që sulmoi peshkun tim, mendoi. Dhe ai ishte dentuso më i madh që kam parë ndonjëherë. Dhe e di Perëndia sa peshkaqenë të mëdhenj kam parë në jetë.

E kisha punën kaq mirë, saqë s’mund të vazhdonte kështu, sepse e mira nuk vazhdon gjatë. Do të doja që e gjithë kjo të ishte një ëndërr dhe që të mos e kisha kapur kurrë këtë peshk dhe të flija i vetëm mbi shtratin tim, mbi gazetat.

– Por njeriu nuk është krijuar për të pësuar disfatë, tha. Njeriun mund ta asgjësosh, por jo ta mposhtësh. Megjithatë më vjen keq që e vrava peshkun, mendoi. Tani të keqen e kam përpara dhe unë s’kam tani as fuzhnjën. Dentuso qe i egër dhe i shkathët dhe i fortë dhe i zgjuar. Por unë isha më i zgjuar se ai. Ndoshta jo, mendoi. Ndoshta unë isha vetëm më i armatosur. – Mos u mendo, plak, tha me zë të lartë. Lundro në drejtimin që ke marrë dhe përballo të keqen kur të të vijë.

Por unë duhet të mendoj, mendoi. Sepse kjo është e vetmja gjë që më ka mbetur. Kjo dhe bejsbolli. Kam qejf të di, se a do t’i pëlqente Di Maxhios së madh, mënyra se si e godita peshkaqenin në tru. Kjo s’ishte ndonjë gjë e madhe, mendoi. Çdo njeri mund ta bënte. ( …)

Era frynte tani e freskët dhe ai lundronte shpejt. Vështronte vetëm pjesën e përparme të peshkut dhe shpresa iu kthye përsëri.

Është marrëzi të mos kesh shpresë, mendoi. Veç kësaj, besoj se kjo është mëkat. Mos mendo për mëkatin, tha me vete. Tani ke telashe të tjera përveç mëkatit. Nga mëkatet nuk kuptoj shumë.

Unë nuk i kuptoj mirë mëkatet dhe s’ma merr mendja që besoj në to. Ndoshta bëra mëkat që vrava peshkun. Besoj se mëkat është, megjithëse e vrava që të nxjerr bukën dhe që të ushqehen me të shumë njerëz. Por në fund të fundit, çdo gjë që bën është mëkat. Mos mendo për mëkatet. Është shumë vonë për këtë gjë dhe ka plot njerëz që paguhen për t’u marrë me mëkatet.

ILUSTRIM LETRAR
ERNEST HEMINGUEJ PLAKU DHE DETI Letërsi210

Le të mendojnë ata për to. Ti ke lindur që të jesh peshkatar, ashtu si dhe peshku ka lindur që të jetë peshk. Shën Pjetri qe peshkatar, ashtu si dhe babai i Di Maxhios së madh.

Por i pëlqente të mendonte për të gjitha gjërat që kish rreth e rrotull, dhe gjersa nuk kish asgjë për të lexuar dhe nuk kishte radio, mendohej shumë, dhe tani vazhdonte të vriste mendjen për mëkatin. Ti nuk e vrave peshkun vetëm që të mos vdesësh urie dhe që ta shesësh për të nxjerrë bukën, mendoi. Ti e vrave atë nga krenaria dhe sepse je peshkatar. Ti e deshe peshkun sa ishte gjallë dhe e do ende edhe tani që vdiq. Në qoftë se e deshe, do të thotë se nuk bëre mëkat që e vrave. Apo ndoshta mëkati është më i madh?

Ti po e vret mendjen kaq shumë, o plak, mendoi. Por ti e vrave me gëzim dentuson, tha me vete. Ai ushqehet duke vrarë peshq, si dhe ti. Ai nuk i ha kërmat dhe nuk është i pangopur si janë gjithë peshkaqenët. Ai është i bukur dhe fisnik dhe nuk trembet nga asgjë. E vrava atë për të mbrojtur veten, tha plaku me zë të lartë. Dhe e vrava me mjeshtëri.

STUDIM TEKSTI

Përktheu: I. Kadare Nga teksti te kuptimi

1. Pse plaku nuk donte ta shikonte më peshkun, ndërkohë që ishte munduar aq shumë për ta kapur? Çfarë kishte ndodhur me të?

2. Ndërsa reflekton, plaku thotë: “peshkun tim”. Cilën marrëdhënie karakterizon kjo thënie?

3. Plaku ka një monolog ku ndërhyn herë pa here edhe mentaliteti popullor. Kjo vihet re edhe në thënien: e mira nuk vazhdon gjatë. Cila ishte e mira që kishte arritur plaku Santiago?

4. Në monologun e tij me vetveten, plaku bën analiza mbi vijueshmërinë e luftës së tij. Pse Santiagos i duhet ta vazhdojë luftën? Cili është qëndrimi i Santiagos në marrëdhënie me disfatën?

5. Plaku luhatet mes dilemave mbi mëkatin. Kthehuni në tekst dhe lexoni rreshtat ku shfaqet kjo dilemë. Si e vlerëson Santiago mëkatin? A ndani të njëjtën dilemë me të?

Plaku dhe deti, Tami Kuo
Letërsi 211

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Teksti është ndërtuar në formën e një monologu të brendshëm, i cili ndërthur rrëfimin mes vetës së parë dhe vetës së tretë. Kthehuni në tekst dhe identifikojini ato. Si është ligjërimi në secilin rast?

7. Ju keni mësuar tashmë që në veprën letrare rrëfimtari është herë i dukshëm e herë i munguar. Në këtë fragment, rrëfimtari, nëpërmjet vetave, lëviz në këto hapësira. Ky tip ndërtimi, e ofron lexuesin me tekstin? Nëse po, argumentoni përgjigjen tuaj. Po me plakun? Pse?

8. Në ligjërimin e plakut në vetën e parë vërehen fjali të shkurtra dhe me intonacion urdhërues. Identifikojini ato dhe lidhini me kontekstin. Pse përdoren të tilla? A ndikon ky tip ligjërimi në ritmin e rrëfimit? Lidhet kjo gjë me situatën në të cilën ndodhet plaku Santiago?

9. Fragmenti ndërtohet mbi kundërshtitë, të cilat shfaqin dilemat e plakut Santiago. Si realizohen gjuhësisht këto kundërshti? Përgjigjen tuaj mbështeteni te lidhëzat kundërshtuese dhe llojet e fjalive.

10. Fragmenti karakterizohet nga ligjërimi i shkujdesur. Duke iu referuar njohurive që keni mbi ligjërimin e shkujdesur, evidentoni karakteristikat e tij gramatikore e leksikore. Cili është funksioni i këtij stili në fragment?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Epiteti peshk i shëmtuar, e vendos në dy marrëdhënie simbolikën e peshkut: në kuptimin e parë, i masakruar, i mbetur skelet; në kuptimin e dytë, i zhveshur nga simbolika e lavdisë së fitores së plakut. Si lidhet kuptimi i dytë me të parin? Cila bazë kuptimore i bashkon ato?

12. Lexoni me vëmendje fjalinë: Do të doja që e gjithë kjo të ishte një ëndërr dhe që të mos e kisha kapur kurrë këtë peshk dhe të flija i vetëm mbi shtratin tim, mbi gazetat. Në të vërejmë figurën e polisindetit, përsëritja e lidhëzave. Cili është funksioni i saj në këtë rast? A do të ishte i qetë gjumi i plakut Santiago mbi gazetat që rrëfenin lavdinë e një lojtari bejsbolli? Cila ishte marrëdhënia e tij me lavdinë?

13. Në ligjërim vërejmë ndërthurjen e foljeve tha me mendoi. Identifikoni dy momente në tekst. Dalloni si lidhet secila prej tyre me intonacionin. Cili është emocioni që përcjellin?

14. Në frazën: Është marrëzi të mos kesh shpresë, mendoi. Veç kësaj, besoj se kjo është mëkat., është përdorur një antitezë kontekstuale. Identifikojeni atë. Pse krijohet kundërshtia? Mbi cilën bazë kuptimore realizohet ajo? A bashkoheni ju me këtë pohim të plakut?

15. Në monologun e plakut marrin vlerë simbolike dy figura: Shën Pjetri, nga Bibla dhe Di Maxhio, një sportist i madh, të cilit plaku i referohej për lavdinë e arritur. Çfarë simbolizojnë ata për Santiagon? A lidhet kjo me përvojën e tyre? Po me përvojën e plakut? Po me synimet e tij?

Nga teksti te përdorimi

16. Në frazën: “unë e vrava peshkaqenin që sulmoi peshkun tim”, vëreni përdorimin e përemrit vetor dhe pronor. Kjo thënie bart nota të dukshme vetëvlerësimi. Duke e vendosur në kontekstin e ngjarjes, si do ta justifikonit ju këtë përdorim?

17. Ka një vlerësim të veçantë të plakut për peshkaqenin. Dentuso qe i egër dhe i shkathët dhe i fortë dhe i zgjuar. Në këtë përdorim, epitetet krijojnë edhe enumeracion. Do ta gjykonit si shkallëzim ngjitës, nëse i referoheni kontekstit? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke e lidhur me synimet e plakut dhe të peshkaqenit. Si ishte lufta mes tyre?

Letërsi212

18. Rilexoni paragrafin: Unë nuk i kuptoj mirë mëkatet dhe s’ma merr mendja që besoj në to. Ndoshta bëra mëkat që vrava peshkun. Besoj se mëkat është, megjithëse e vrava që të nxjerr bukën dhe që të ushqehen me të shumë njerëz. Por në fund të fundit, çdo gjë që bën është mëkat. Mos mendo për mëkatet. Është shumë vonë për këtë gjë dhe ka plot njerëz që paguhen për t’u marrë me mëkatet. Vëreni dy format e fjalës mëkat. Dalloni lidhjen e numrit njëjës me trajtën e pashquar dhe të numrit shumës me trajtën e shquar. Duke iu referuar dijeve që keni mbi trajtat në gjuhën shqipe, shpjegoni se si lidhen ato me dilemat e plakut.

19. Në pjesën e fundit të fragmentit vërejmë përdorimin e dy përemrave, ti dhe ai. Plaku i drejtohet vetes me ti dhe peshkut me ai. A vendoset distancë në këtë përdorim me veten? Pse e bën këtë plaku, për reflektim apo për gjykim? Po përdorimi i vetës së tretë për peshkun, çfarë nuance merr, vlerësuese apo nënvlerësuese? Pse?

20. Lexoni frazën: Ti nuk e vrave peshkun vetëm që të mos vdesësh urie dhe që ta shesësh për të nxjerrë bukën, mendoi. Ti e vrave atë nga krenaria dhe sepse je peshkatar. Ti e deshe peshkun sa ishte gjallë dhe e do ende, edhe tani që vdiq. Në qoftë se e deshe, do të thotë se nuk bëre mëkat që e vrave. Apo ndoshta mëkati është më i madh? Është një luftë e brendshme e fortë. Tregoni rolin që luajnë lidhëzat në këtë përdorim. Pse ato janë rrëfyese të kësaj lufte dilematike? Cilat lloje fjalish bashkojnë ato?

Nga teksti te reflektimi

21. Plaku krijon dy lloje marrëdhëniesh: me peshkun dhe me peshkaqenin. Si dallohen këto dy marrëdhënie mes tyre? Pse plaku e sheh veten aleat me peshkun? Si mendoni ju, nga buron kjo aleancë?

22. Plaku i thotë vetes: “Ti nuk e vrave peshkun vetëm që të mos vdesësh urie dhe që ta shesësh për të nxjerrë bukën, mendoi. Ti e vrave atë nga krenaria dhe sepse je peshkatar.” Si mendoni ju, a e dëshironte plaku lavdinë? E arriti ai atë? Po për ju, çfarë vlere ka lavdia? Do të bënit edhe ju luftë për të arritur lavdinë?

23. Si e kuptoni shprehjen e Santiagos: “Njeriun mund ta asgjësosh, por jo ta mposhtësh”? Argumentojeni mendimin brenda kontekstit të ngjarjeve në vepër, por edhe brenda kontekstit të jetës njerëzore.

24. Në fund të fragmentit, pasi bën një përshkrim të peshkut, plaku pohon: E vrava atë për të mbrojtur veten, tha plaku me zë të lartë. Dhe e vrava me mjeshtëri. Ç’do të thotë për ju të vrasësh me mjeshtëri? A lidhet kjo me luftën e barabartë mes peshkut dhe plakut? A luftonin të dy për të njëjtin qëllim? Po lufta me peshkaqenët a ishte e njëjtë si lufta me peshkun? Pse?

25. Në fund të veprës, plaku sjell në breg skeletin e peshkut gjigant. A quhet i plotësuar misioni i plakut? A e arriti lavdinë ai? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke reflektuar mbi të papriturat e jetës njerëzore dhe misionin e njeriut në të.

Nga teksti te të shkruarit

26. Shkruani një ese të shkurtër ku të reflektoni mendimet tuaja në lidhje me formulimin: E kisha punën kaq mirë, saqë s’mund të vazhdonte kështu, sepse e mira nuk vazhdon gjatë.

Letërsi 213

Letërsi

Horhe Lui Borhes

Shkrimtari argjentinas, H. L. Borhes është një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të asaj letërsie që njihet si letërsia fantastike e Amerikës Latine, por edhe një nga shkrimtarët më ndikues të gjysmës së dytë të shekullit XX. Nëpërmjet veprave të tij, veçanërisht tregimeve, ai ushtroi një ndikim të fortë në zhvillimin e letërsisë fantastike dhe, po ashtu, arriti të shënjohet si pararendës i Postmodernizmit në letërsi. Krijimtaria e Borhesit përfshin poezi, tregime, ese, antologji, përkthime, publicistikë etj. Nga veprat më të rëndësishme të Borhesit mund të përmendim: përmbledhjen me tregime “Kopshti me shtigje që bigëzohen” (1942); përmbledhjen me tregime “Fiksionet” (1944); përmbledhjen me tregime “Alefi” (1949); përmbledhjen me ese “Inkuizicionet e tjera” dhe përmbledhjen me poezi dhe proza “Krijuesi” (1960) etj.

Letërsia fantastike

Kur flasim për letërsi fantastike, kemi parasysh atë lloj letërsie në të cilën veprojnë elemente të jashtëzakonshme, të pabesueshme dhe turbulluese (angështuese), të cilat shkaktojnë qartazi dyshim apo habi te personazhi, rrëfimtari dhe lexuesi. Në veprat që i përkasin kësaj letërsie, elementi i së jashtëzakonshmes nuk pranohet si realitet normal, si pjesë e rregullit të përditshëm siç ndodh te letërsia e realizmit magjik, por ngjall hezitim e pasiguri, duke e mbushur personazhin, rrëfimtarin dhe lexuesin me dilema e pyetje turbulluese.

Tregimet borhesiane

Në tregimet fantastike, Borhesi ia ka dalë të përvijojë një rend të përsosur vetëm me forcën e fantazisë së rrëfimit, një rend që në dukje, qëndron i pavarur nga realiteti shoqëror: rrëfimi fantastik ofron botë hipotetike, të bazuara në fuqitë e një imagjinate të pacenuar nga kufizimet që imponon poetika imituese në detaje (mimetike) të riprodhimit të realitetit.

Me një imagjinatë të tillë është ndërtuar rrëfimi te tregimi “Biblioteka e Babelit”, ku rrëfehet për ekzistencën e një biblioteke, që përmban çdo tekst të mundshëm. Gjithçka që ka qenë dhe që do të jetë është e parashkruar në një Libër, por që njerëzit nuk mund ta lexojnë apo nuk depërtojnë dot në të, sepse faqet e tij janë një kaos shkronjash të kombinuara rastësisht.

Po kështu është ndërtuar edhe rrëfimi te “Funesi, njeriu i kujtesës”, një njeri që fiton një kujtesë të jashtëzakonshme pas goditjes që pëson në kokë, duke u rrëzuar nga kali. Gjithçka që ndodh tek ai kthehet në kujtesë. Edhe tregimi “Alefi”, ku rrëfehet për ekzistencën e një sfere të çuditshme përmes së cilës mund të shihet gjithçka që përmban universi, është ngritur po në atë mënyrë. Pra, me një të tillë imagjinatë janë ndërtuar pjesa më e madhe e tregimeve fantastike të Borhesit. Sipas studiuesve, tregimet e Borhesit, si e gjithë krijimtaria e tij, karakterizohen nga një “kërkim origjinal dhe i vazhdueshëm tek i cili nuk ka as metodë, as saktësi, as sistem,

Horhe Lui Borhes, nga Marcelo Neira
Letërsi214

po ku fantazia ngadhënjen dhe hedh dritën e saj mbi një botë që qëndron pezull mes normës dhe absurdit, mes rregullit dhe kaosit, çlirimi i së cilës (qoftë edhe pjesërisht) nga kjo gjendje pezullie i besohet njeriut.”

Borhesi është cilësuar si mjeshtër i atij lloj tregimi, ku zbehet dallimi midis realitetit dhe perceptimit të tij, midis së mundshmes dhe fantastikes, midis materies dhe shpirtit, ku shkrihen në një pikë të tria kohët: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.

Temat që trajtojnë tregimet e Borhesit

Shumë prej tregimeve më të njohura borhesiane trajtojnë temën e kohës dhe të kohës ciklike (koha rrethore, sipas së cilës gjërat përsëriten në mënyrë ciklike) (“Mrekullia e fshehtë”, “Funesi, njeriu i kujtesës” “Shtëpia e Asterionit”), të pafundësisë (“Alefi”), të pasqyrave (“Tlön Uqbar Orbis Tertius”), të labirinteve (“Kopshti i shtigjeve që bigëzohen”, “I pavdekshmi” , “Dy mbretërit dhe dy labirintet”, “Shtëpia e Asterionit”), të pamundësisë së komunikimit dhe vetmisë (“Shtëpia e Asterionit”). Në funksion të lëvrimit të këtyre temave, Borhesi përdor shumë figurat e metaforës e të simbolit. Kështu, përmes simbolit të pasqyrës, bibliotekës, labirintit, busullës, orës së rërës, lojës së shahut, rrathëve, sugjerohen kuptimet e shumëfishta të teksteve. (Fantastika, thonë studiuesit, është për Borhesin një sistem simbolesh dhe jo një alegori e thjeshtë; një lojë ose një mistifikim që përkthen një të vërtetë më të thellë.)

Tema e labirintit është më e rëndësishmja dhe shfaqet pothuajse në të gjitha tregimet e tij. Në disa prej tyre, imazhi i labirintit vepron si një simbol i ngulitur, në të tjera vetë struktura e rrëfimit është në trajtë labirinti (tregime brenda tregimeve apo histori që janë pjesë e tregimeve të tjera) e në disa të tjera, rendi dhe ritmi i përshkrimit sugjeron idenë e një labirinti.

Në fakt, përmes këtyre elementeve të strukturës dhe stilit, Borhesi ka projektuar botëkuptimin e tij dhe sipas këtij botëkuptimi, “bota është kaos dhe brenda atij kaosi njeriu humbet si në labirint”.

Monument i Horhe Lui Borhesit në Buenos Aires
Letërsi 215

Kjo pikëpamje e botës si kaos është tema e tregimit “Biblioteka e Babelit” dhe shfaqet si një nëntemë në shumë prej tregimeve të tij. Përshkrimi që i bëhet “Bibliotekës së Babelit” na jep imazhin e universit. Që në paragrafin e parë e dimë se bëhet fjalë për një simbol: “Universi (që të tjerët e quajnë Bibliotekë) përbëhet nga një numër i pacaktuar dhe ndoshta i pafund galerish gjashtëkëndëshe me puse të gjera ajrimi në qendër...”. Ashtu si universi, biblioteka është e pafundme. “Biblioteka është një sferë, qendra e plotë e së cilës është çdo gjashtëkëndësh, rrethi i të cilit është i paarritshëm.” Kështu, biblioteka, pa e humbur funksionin e saj si e tillë, bëhet metaforë e universit, e kaosit të tij (ideja e kaosit dhe e konfuzionit bëhet më e plotë po të kemi parasysh simbolikën që përçon fjala Babel), e pamundësisë për të gjetur një formulë të përgjithshme, e pamundësisë për të zbuluar Librin e Plotë

Idenë e labirintit dhe të kaosit të botës e gjejmë edhe te tregimi “Alefi”. Shtëpia e Beatriçes dhe bodrumi në të cilin shfaqet Alefi është një lloj labirinti. Një lloj labirinti është edhe vetë ligjërimi që vesh vegimet që i shfaqen personazhit gjatë kundrimit të Alefit. Nga ana tjetër, Alefi është gjithçka, është bota që shfaqet paradoksalisht te një shkronjë, e cila përmban universin.

“Alefi”

Në këtë tregim, ndërthuren tri histori, të cilat nuk ruajnë të njëjtin regjistër ligjërimor dhe pleksen në mënyrë mbresëlënëse mes tyre: 1. vdekja e Beatriçes dhe përpjekja e Borhesit për të ruajtur kujtimin e saj; 2. rivaliteti letrar, por edhe erotik i Borhesit personazh me Carlos Argentino Danerin, kushëririn e Beatriçes dhe udhërrëfyesin e Alefit; 3. rrëfimi mbi Alefin.

Te ky tregim, Borhesi merr rolin e rrëfimtarit dhe njëherazi të personazhit kryesor, pra, të një rrëfimtari homodiegjetik që i shpërfaq ngjarjet që ndodhin nga perspektiva e tij. Rrëfimi na vjen në vetën e parë, ndërkohë që zbulimi i identitetit të rrëfimtarit personazh bëhet vetëm nga mesi i tregimit. Veprimi fillon me një vizitë që ai, pra, Borhesi – rrëfimtar e personazh, kryen në shtëpinë e së dashurës së tij, Beatriçe Viterbosë, pas vdekjes së saj. Gjatë kësaj vizite, e cila do të kthehet në ritual, ai njihet me kushëririn e Beatriçes, të quajtur Karlos Argentino Daneri. Daneri e mban veten për poet dhe, në një prej vizitave, i beson Borhesit leximin e poemës së tij, e cila flet për botën. Por Borhesi nuk e vlerëson. Për të, për shijen e tij letrare, Daneri përfaqëson modelin e letrarit argjentinas snob e injorant, që i pëlqen të hiqet si “modernist”, por që në fakt s’është tjetër veçse një mediokër që krijon “vargje të fryra dhe me një shije të keqe”, të cilat e “rrisin deri në pafundësi mundësinë e kakofonisë dhe kaosit”. Muaj më vonë, Borhesi merr një telefonatë nga Daneri që do të ndryshojë gjithçka. Teksa i shpreh frikën se shtëpia do të shembet, ai, në të njëjtën kohë, i zbulon sekretin e tij: në bodrumin e shtëpisë është një Alef, një pikë nga e cila mund të shihet i gjithë universi. Nga këtu fillon e ngjizet edhe elementi i fantastikes në tregim. (Çfarë do të thotë se nga një pikë mund të shihet i gjithë universi? A ekziston një pikë e tillë?)

Letërsi216

Borhesi, në një gjendje të trazuar emocionale, i drejtuar nga Daneri (për të cilin dyshon se është i çmendur), zbret në një bodrum të errët e të lagësht që të shohë Alefin: një sferë me diametër disa centimetra që i lejon atij të shohë gjithçka. Alefi fsheh një mikrokozmos të pafund brenda vetes. Kush sheh përmes Alefit, nuk mund të habitet për asgjë, sepse në një çast ka parë gjithçka. “Pata frikë se s’kishte mbetur më asgjë në botë që të mund të më çudiste”, thotë Borhesi personazh.

Protagonisti përjeton vegime të pafundme, të cilat përpiqet t’i dëshmojë nëpërmjet një ligjërimi kaotik që nuk lidhet nga asgjë tjetër, përveçse nga përdorimi anaforik i foljes “pashë” dhe një varg veprimesh, që shoqëron nisjen e çdo dëshmie: “pashë detin me një mizëri njerëzish”, “pashë agimin dhe mbrëmjen”, “pashë një rrjetë të argjendtë merimange në qendër të një piramide të zezë”, “pashë...” etj., etj. Ai largohet pa i treguar asgjë nga përjetimet e tij Karlos Argentino Danerit. Por, në ikje e sipër, i sugjeron Danerit të vizitohet te disa mjekë të mirë dhe të pushojë gjatë, larg presioneve të jetës së qytetit. Dhe këtu mbyllet historia. Por tregimi vazhdon me një post scriptum Post scriptum-i, që si rregull duhet të mbyllte tregimin, ofrohet si një fund i ri për të. Dyshimet që ngre Borhesi, këtu, në formë hamendësimesh dhe eksplorimesh enciklopedike në lidhje me ekzistencën dhe kuptimin e Alefit, në fakt, ndërtojnë një tregim brenda tregimit, sigurisht, me një regjistër tjetër që priret të jetë enciklopedik. Ndaj kjo pjesë, në vend që të shërbejë për të mbyllur tregimin, në të vërtetë e ka rihapur atë. Duke i bërë një lexim ironik historisë dhe duke shpallur se Alefi i rrëfyer në historinë e mësipërme është i rremë (Sado e pabesueshme të duket, unë besoj se ka (ose ka pasur) një Alef tjetër. Mendoj se Alefi i rrugës Garay ishte një Alef i rremë), Borhesi i ka hapur rrugë modelit të tregimit me zgjidhje dyfishe, një teknikë e preferuar e tij dhe e shumë shkrimtarëve modernistë. Ky lloj tregimi sugjeron rileximin si mjetin e duhur, për t’iu afruar lojës së tekstit dhe interpretimeve të shumëfishta që sugjeron ai.

Përdorimi i teknikave moderniste në ligjërim: shkrimi automatik dhe shoqërizimi i lirë

Siç thamë më lart, historitë që ndërthuren tek “Alefi” nuk ruajnë të njëjtin regjistër ligjërimor. Kështu p.sh., në pjesën e rrëfimit mbi alefin, për të përshkruar përjetimin e vegimeve të pafundme e kaotike që i shfaqen protagonistit dhe gjendjen e tij, Borhesi shkrimtar ka përdorur shkrimin automatik. Kjo teknikë, e përdorur kryesisht nga surrealistët, synon që mendimet, që shprehen nëpërmjet shkrimit, të mos iu nënshtrohet rregullave gramatikore të gjuhës, por të ruajnë lirinë që të shkruhen ashtu siç rrjedhin nga nënvetëdija. Ligjërimi i gjatë i rrëfimtarit në këtë pjesë, na kujton edhe gjendjen psikologjike në të cilën ndodhet. Ndaj, këtu ka vend të përmendim edhe teknikën psikanalitike të shoqërizimit të lirë (asociacionit të lirë), e cila shërben për të zbuluar mendimet që vijnë në mendje nga subkoshienca e që nuk përfillin rregullat sintaksore.

“... pashë të gjitha pasqyrat e planetit, por asnjëra nuk më pasqyroi, pashë në një oborr në rrugën Soler po ato plloça që kisha parë përpara tridhjetë vjetësh në hajatin e një shtëpie në rrugën Frey Bentos, pashë vile rrushi, dëborë, duhan, damarë metali, avuj uji, pashë shkretëtira ekuatoriale në formë konvekse dhe çdo kokrrizë rëre që i përbënte, pashë në Inverness një grua që s’kam për ta harruar kurrë, pashë leshrat e furishme, trupin e hedhur, pashë një kancer në gjoks, pashë një rrotull dheu të tharë mbi një trotuar, atje ku më parë pat qenë një pemë, pashë

Letërsi 217

një vilë në Androgue, një kopje të variantit të parë në anglisht të Plin-it, atë të Phileman Holland-it, pashë në të njëjtën kohë, çdo germë të çdo faqeje (kur isha i vogël çuditesha se si germat e një libri të mbyllur nuk përziheshin e nuk humbitnin gjatë natës), pashë natën dhe ditën e sotme, pashë një perëndim dielli në Queretaro që ngjante sikur pasqyronte ngjyrën e një trëndafili Bengali, pashë dhomën time të gjumit bosh, pashë në një kabinet në Alkmaar një glob tokësor mes dy pasqyrave, të cilat e shumëfishonin pa fund, pashë kuaj me jele të dendura në një plazh të detit Kaspik në agim, pashë skeletin delikat të një dore, pashë ata që kishin mbijetuar nga një betejë dhe po dërgonin kartolina, pashë në një vitrinë në Mirzapur një lojë letrash spanjolle, pashë hijet e pjerrëta të disa fiereve mbi truallin e një serre, pashë tigra, pistona, bizonë, turma dhe ushtri, pashë të gjitha milingonat e botës, pashë një astrolab persian, pashë në sirtarin e një tryeze shkrimi...”

Përdorimi i elementeve parodike

Sipas studiuesve, tregimi “Alefi” përmban shumë elemente që ndërtojnë situata aluduese me emrin dhe veprën e Dante Aligerit. Por ndërtimi i këtyre elementeve aluduese tek “Alefi” bëhet nëpërmjet teknikës së shndërrimeve satirike, apo siç e njohim ndryshe, teknikës së parodisë. Kështu, vetë emri i Karlos Argentino Danerit, nëpërmjet anagramës, të kujton emrin e Dante Aligerit; poema që ai po shkruan për botën, gjithësinë, të kujton poemën e Dantes, emri i Beatriçes, prejardhja e saj italiane, vdekja dhe parafytyrimet e saj, të kujtojnë Beatriçen e Dantes; zbritja në bodrum për të parë Alefin të kujton zbritjen në botën e përtejme te Dantja.

“Ngjyra dhe hijeshia e stilit të Borhesit qëndron, pikësëpari, në përdorim e mbiemrave, të cilët e tronditin lexuesin me guximin dhe ekscentricitetin e tyre (“Askush nuk e pa të zbriste në tokë atë natë të njëzëshme”) dhe te metaforat e dhunshme e të papritura, mbiemrat dhe ndajfoljet, përveçse trupëzojnë idetë, apo përforcojnë një tipar fizik ose psikologjik, shpesh shërbejnë për të krijuar një atmosferë borhesiane.”

Mario Vargas Ljosa, “Letra një shkrimtari të ri”, përktheu Engjëllushe Shqarri

Pozicioni i lexuesit përballë tregimit “Alefi”

Në këtë tregim, lexuesi (i cili nuk është një lexues i zakonshëm, po i formuar, elitar, dhe i predispozuar për lexime të tilla) gjendet tri herë përpara befasisë: së pari, kur zbulon në mes të tregimit, pa asnjë sinjalizim, se rrëfimtari, që është njëherazi edhe personazhi kryesor është vetë Borhesi, që ai e njeh për shkrimtar. Në këtë mënyrë, shkrimtari luan me besueshmërinë dhe mbjell haptazi dyshimin te lexuesi: a ka vërtet një ndarje mes realitetit dhe trillimit? Së dyti, sapo lexuesi ambientohet me faktin se personazhi-rrëfimtar është Borhesi, ai, përmes vështrimit të personazhit, zbulon edhe Alefin, sferën nga e cila mund të shihen të gjitha pikat e universit dhe këndet e ekzistencës. Angështimi bëhet edhe më i madh. Ndërkohë që përpiqet të ambientohet me ligjërimin “kaotik”, me të cilin rrëfimtari synon të shënjojë pamjet e perceptuara nga Alefi dhe të pranojë ekzistencën e Alefit, ai vihet përpara befasisë së tretë: historia e rrëfyer për ekzistencën e Alefit të rrugës Garay nuk është e vërtetë. Lexuesit i duhet të zgjedhë midis dy zgjidhjeve. Ky pozicion, e vë lexuesin në një gjendje “dyshimi” e hezitimi të vazhdueshëm (nëse flasim me përcaktimet e teorive moderne). Dyshimi i shtohet, po të kemi parasysh edhe procedimet narrative: Daneri e pohon ekzistencën e Alefit mëdyshas (“U mëdysh ...më tha se, ...në një qoshe të bodrumit ndodhej Alefi”) dhe me zë të mekur nga ankthi; po ashtu, edhe protagonisti shfaq dyshime, kur pyet se si mund të shihet Alefi në një bodrum të errët (“Po mirë, nuk është shumë i errët bodrumi?”). Ndaj lexuesi borhesian, pritet të jetë lexuesi aktiv, madje bashkëveprues, që di ta ndërtojë vetë marrëdhënien me atë që thuhet apo që fshihet në tekst.

Letërsi218

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Rrëfimi fantastik ofron një botë hipotetike, të mbështetur në fuqitë e një imagjinate të pacenuar nga kufizimet që imponon poetika e riprodhimit të realitetit. Çfarë dini për letërsinë fantastike? Cili është roli i Borhesit në zhvillimin e kësaj letërsie?

2. Cila është një nga temat që gjendet më së shumti në krijimtarinë e Borhesit? Si shfaqet ajo në tregime të ndryshme të tij? Përmendni disa prej tyre.

3. Borhesi e përdor botëkuptimin e tij për botën si kaos në disa tregime. Përpiquni të kujtoni se si e mishëron këtë ide te tregimi “Biblioteka e Babelit”.

4. Në tregimin “Alefi”, personazhi është i njëjtë me rrëfimtarin apo i ndryshëm? Kur shfaqet ai, në fillim, në mes apo në fund të tregimit?

5. Përpiquni të rikujtoni fabulën e tregimit dhe të ndaleni te momenti kur ndërfutet elementi fantastik.

6. Rrëfimi mbi Alefin karakterizohet nga një teknikë e veçantë shkrimi. Cila është ajo dhe ç’karakteristika paraqet?

7. Studiuesit pohojnë se te tregimi “Alefi” mund të shihet një marrëdhënie parodike (shndërrimi sarkastik) që Borhesi ka vendosur me Dante Aligerin dhe poemën e tij. Evidentoni disa prej elementeve që hedhin dritë mbi këtë marrëdhënie.

8. Cilin lloj lexuesi kërkojnë tregimet e Borhesit?

Ushtroni mendimin kritik

9. Studiuesit i kanë klasifikuar tregimet e Borhesit në llojin e letërsisë fantastike. Në gjykimin tuaj, cilat janë ato tipare që ua japin këtë karakteristikë? A njihni autorë të tjerë që kanë lëvruar tregime fantastike nga letërsia e huaj? Po nga letërsia shqipe?

10. Përveç idesë së labirintit dhe kaosit të botës, çfarë idesh të tjera mendoni se mund të përmbajë “Alefi”?

11. Pjesa e rrëfimit mbi Alefin është shkruar me teknikën e shkrimit automatik. Çfarë dini ju për këtë teknikë shkrimi? A mendoni se kjo lloj teknike i përshtatet situatës në të cilën ndodhet protagonisti i tregimit?

12. Si mendoni, cilat figura letrare mbizotërojnë te pjesa që ilustron përdorimin e teknikave moderniste në ligjërim? Çfarë efekti krijojnë ato?

13. A mund të themi se intriga bazë në tregimin “Alefi” është pranimi i dyshimit dhe i frikës si pjesë e gjendjes njerëzore? Argumentoni përgjigjen tuaj.

Sfida e të shkruarit

14. Provoni të shkruani një tregim me një prej temave që lëvron Borhesi. Ndërfutni elemente fantastike dhe eksperimentoni me shkrimin automatik.

Letërsi 219

ILUSTRIM LETRAR

Alefi

Kam arritur tani në pikën thelbësore e të papërshkueshme të rrëfimit tim: këtu fillon edhe dëshpërimi im si shkrimtar. Çdo gjuhë është një alfabet simbolesh, përdorimi i të cilit nënkupton një të kaluar, të cilën bashkëbiseduesi e ndan me të. Si t’ua përcjell unë të tjerëve Alefin e pafund, të cilin me zor e nxë kujtesa ime e frikësuar? Mistikët, në rrethana të tilla, përdornin pa kursim emblemat: për të treguar hyjnitë, një persian flet për një zog, i cili në njëfarë mënyre, përfaqëson të gjithë zogjtë, Alanus ab Insulis flet për një sferë, qendra e së cilës ndodhet gjithkund, ndërsa perimetri askund. ( ...)

Në pjesën e brendshme të shkallares, për nga e djathta, pashë një sferë farfuritëse që lëshonte një shkëlqim pothuaj të padurueshëm. Në fillim, kujtova se rrotullohej: pastaj e kuptova se ajo lëvizje qe një iluzion i krijuar nga shfaqjet marramendëse që mbante brenda. Diametri i Alefit duhet të qe dy a tri centimetra, por hapësira kozmike ndodhej aty pa asnjë shkallë zvogëlimi. Çdo gjë (sipërfaqja e pasqyrës, për shembull) ishte një pafundësi gjërash, sepse unë e shihja qartë nga të gjitha pikat e universit. Pashë detin me një mizëri njerëzish, pashë agimin dhe mbrëmjen, pashë turmat e Amerikës, pashë një rrjetë të argjendtë merimange në qendër të një piramide të zezë, pashë një labirint të thyer (ishte Londra), pashë të gjitha pasqyrat e planetit, por asnjëra nuk më pasqyroi...

Letërsi220

Albert Kamy

Albert Kamy konsiderohet si një nga përfaqësuesit më tipikë të romanit ekzistencialist francez. Njihet gjithashtu si dramaturg, filozof e eseist. Gjatë viteve 1938-1942 shkruan dhe boton tri veprat e tij të rëndësishme, që lidhen së bashku nëpërmjet temës së absurdit dhe revoltës, ndaj kritika i ka quajtur edhe “Tre absurdët”: romanin “I huaji” (1942), esetë “Miti i Sizifit” (1942) dhe dramën “Kaligula” (botuar pak më vonë, më 1945-n). Përveç tyre, duke e zgjeruar edhe më tej temën e absurdit, të së keqes dhe revoltës, ai shkruan dhe romanin “Murtaja (1947), esenë “Njeriu i revoltuar” (1951), romanin “Rënia” (1956) etj. Një pjesë e mirë e veprave të Kamysë janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Në vitin 1957, Kamyja merr çmimin “Nobel” në Letërsi me romanin “I huaji”.

Kamyja dhe absurdi

Absurdi është një nga temat që përshkon pothuajse të gjitha krijimet e Kamysë. Në përmbledhjen me ese titulluar “Miti i Sizifit”, ai na e sugjeron kuptimin që ka për absurdin që në titull, nëpërmjet imazhit që prodhon figura mitike e Sizifit. Siç e dimë, Sizifi qe i dënuar të çonte një gur të madh gjer në majën e një kodre. Sapo i afrohej majës, guri rrokullisej në fund dhe ai duhej ta fillonte punën nga e para. Kjo punë që përsëritej vazhdimisht, në një cikël të pafund, shenjonte pakuptimësinë dhe absurdin i jetës. Të gjitha trajtimet që përmbledh libri “Miti i Sizifit” kanë në thelb analizën e njeriut absurd, e gjendjes në të cilën ai ndodhet, i hedhur në një botë absurde: “Absurdi lind, – sipas Kamysë, – nga ky konfrontim midis thirrjes njerëzore dhe heshtjes së paarsyeshme të botës”. Ndaj, analizat e tij marrin në konsideratë banalitetin e organizimit të jetës njerëzore dhe absurdin e ekzistencës: “Çfarë është në fakt njeriu absurd? Ai që pa e mohuar nuk bën asgjë për përjetësinë. Jo se nostalgjia është e huaj për të. Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet. Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij. I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës”, thotë Kamyja. Heroi i tij nuk është as i mirë, as i keq, as i moralshëm, as imoral. Ai është thjesht absurd dhe i huaj përballë perceptimit që ka shoqëria për të, por edhe përballë vetes. Vetja natyrale është e huaj përballë rregullave që kërkon të vendosë vetja sociale.

Absurdi dhe tëhuajzimi në romanin “I huaji”

Siç kemi thënë kur kemi folur për letërsinë moderne, tema e tëhuajzimit dhe e absurdit janë ndër kryesoret që lëvron kjo letërsi dhe dëshmojnë gjendjen në të cilën ndodhet njeriu modern. Në këtë gjendje ndodhet edhe personazhi kryesor i romanit “I huaji”. Në një botë absurde që e gjykon për gjithçka: për veprimet e kryera e të pakryera, për ndjeshmërinë dhe mungesën e saj, për mendimet dhe heshtjen, për tërheqjen dhe revoltën. Protagonisti ndihet vetëm, “i shenjuar me gisht” dhe i tëhuajtur.

Letërsi
Letërsi 221

Fabula e romanit “I huaji”

Protagonisti i romanit është Mersoi (Meursault), i cili merr një telegram ku njoftohet për vdekjen e nënës, e cila prej kohësh jetonte në një azil. Shkon në varrim dhe përpiqet të përshpejtojë formalitetet me indiferencë, apati dhe ftohtësi.

Të nesërmen kthehet dhe në port sheh Marinë, një ish-kolegen e tij me të cilën kalon ditën dhe natën. Të hënën rifillon punën, duke iu rikthyer rutinës dhe zakoneve të veta të vjetra. Siç shihet, pas vdekjes së nënës, për Mersonë, në dukje, “nuk kishte ndryshuar asgjë”. Mersoi jeton gjërat ashtu siç i vijnë, me një ndjenjë indiference dhe tëhuajzimi, pa siguri dhe pa aspirata për jetën.

Në këtë ekzistencë banale dhe absurde, realizohet një ngjarje e paparashikueshme: gjatë një shëtitjeje në plazh, i verbuar nga dielli, Mersoi godet për vdekje, pa ndonjë shkak bindës, një arab që më parë kishte kërcënuar dhe plagosur me thikë mikun e tij, Rajmondin.

Arrestohet dhe gjykohet. Kryetarit të gjyqit, që kërkon të kuptojë shkakun e këtij gjesti, nuk di t’i thotë gjë tjetër përpos se e ka vrarë “për shkak të diellit”. Gjyqi e dënon me gijotinë. Në qelinë e të dënuarve me vdekje, Mersoi mediton mbi ekzekutimin e vet, mbi qenien e tij njeri, mbi absurditetin e të ekzistuarit. Nuk pranon të flasë për Zotin me priftin e burgut. “Shpresës” së fetarit i kundërvë “siguritë” e veta ekzistenciale: “Humbja” dhe “Vdekja”. Pranon fatin dhe pret i qetë fundin.

Subjekti

Vite më vonë, Kamyja, duke iu referuar romanit, do të pohonte se: “Romanin I huaji po e përmbledh brenda një fraze që e di se është paradoksale: Në shoqërinë tonë, çdo njeri që nuk qan në varrimin e nënës së tij, ka rrezik ta dënojnë me vdekje. Dua të them se heroi i librit është i dënuar, pasi ai nuk bën si të tjerët, nuk di të luajë. Në këtë kuptim, ai është i huaj në shoqëri, endet kuturu në rrugicat e jetës së tij private, në shtigjet vetmitare dhe seksuale. Ja pse lexuesit orvaten ta konsiderojnë atë si një anije e mbytur. Mersoi nuk bën si të tjerët. Dhe përgjigjja është e thjeshtë: Ai refuzon të gënjejë”.

Rrëfimi fillon kur Mersoi merr një telegram ku njoftohet për vdekjen e së ëmës. Pas këtij momenti, ngjarjet në roman tërhiqen nga filli i fatalitetit drejt vdekjes. Pas vdekjes së nënës në fillim të romanit, vijnë edhe dy të tjera: ajo e arabit në fund të pjesës së parë, i cili vritet pa ndonjë shkak nga Mersoi dhe vdekja e vetë Mersoit në fund të romanit. Ndërkohë, mes tri vdekjeve ndodhin fare pak gjëra, por ato mjaftojnë për të plotësuar tablonë e përgjithshme.

Rrëfimi i ngjarjeve bëhet nga perspektiva e personazhit kryesor, të gjitha fjalët dhe veprimet që përmban vepra jepen nga një këndvështrim i vetëm, nga ai i Mersoit. Për shkak të rrëfimit në vetën e parë, lexuesi identifikohet me personazhin dhe shpesh duket sikur përjeton të njëjtat pasiguri si Mersoi. Rrëfimi thuret me fjali të thjeshta e gjykime të shkurtra, që fshehin me kujdes tensionin e brendshëm, që buron nga prania e vdekjes.

Kamyja pas marrjes së çmimit Nobel
Letërsi222

Struktura

Romani është i ndërtuar nga dy pjesë dhe në të dyja pjesët, rrëfimtari është njëherazi edhe protagonisti që rrëfen në vetë të parë: në pjesën e parë, protagonisti i sheh gjërat me syrin e vet, duke përshkruar qëndrime e veprime, pa i shoqëruar me komente apo interpretim, ndërsa në të dytën, ai detyrohet ta shohë veten me sytë e të tjerëve, ndaj e dyta merret me komentet e me interpretimet e asaj që ka ndodhur në pjesën e parë.

Stili i romanit “I Huaji”

Siç vërejnë studiuesit, romani është i huaj që në stil, për hir të befasisë stilistike që i ofron lexuesit: fjalitë e thjeshta, të shkurtra e pa ngjyresa stilistike. Kjo teknikë shkrimi duket sikur sugjeron llojin e shkrimit “neutral”, i cili i neutralizon shenjat letrare të rrëfimit, duke i lënë gjërat pezull në një dykuptimësi të qëllimshme.

Ka një ndryshim në përdorimin e regjistrit gjuhësor mes pjesës së parë, ku janë të pranishme fjalë më të thjeshta e fjali më të shkurtra, dhe pjesës së dytë, ku fjalitë janë më të gjata dhe shoqërohen me një fjalor më të pasur.

Nga pjesa e parë:

Sot më vdiq mamaja. Apo ndoshta dje, nuk e di. Mora një telegram nga azili: “Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushëllime të sinqerta”. Kjo s’do të thotë asgjë. Ndoshta ka ndodhur dje.

Algjeria, vendlindja e Kamysë Mersoja, personazh i Kamysë Letërsi
223

Nga pjesa e dytë:

Edhe kur je në bankën e të akuzuarve është gjithmonë interesante të dëgjosh kur flasin për ty. Gjatë akuzës së prokurorit dhe mbrojtjes së avokatit tim, mund të them se u fol shumë për mua dhe ndoshta më shumë për mua se për krimin tim.

Në pjesën e parë, toni është shumë indiferent. Mersoi e rrëfen historinë sikur të mos ketë lidhje me jetën e tij dhe nuk ndërhyn për të shfaqur përmasën e vet emocionale. Secila fjali duket si fotografim i rëndomtë i situatës. Në pjesën e dytë kalohet nga toni indiferent, në atë të revoltës, rrëfimi fiton pak më shumë emocion dhe personazhi ndërhyn herë pas here me qëndrimin e tij.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cila është tema që i bashkon veprat “I huaji”, “Miti i Sizifit” dhe “Kaligula”? Si i ka cilësuar ndryshe këto vepra kritika?

2. Çfarë trajtojnë esetë e përmbledhjes “Miti i Sizifit”? Po figura e Sizifit antik çfarë kuptimi përçon?

3. Nga se lind absurdi sipas Kamysë? Po njeriu absurd çfarë është për Kamynë? Përpiquni ta përmblidhni me fjalët tuaja karakterizimin që Kamyja i bën njeriut absurd.

5. Përpiquni të rindërtoni fabulën e romanit dhe të evidentoni disa prej ngjarjeve kyçe në roman.

6. Nga ç’perspektivë rrëfehen ngjarjet dhe kush i rrëfen ato? Po lexuesi në ç’pozicion vihet kur lexon historinë e romanit “I huaji”?

7. Si është e ndërtuar struktura e romanit? Ç’karakteristika paraqet ajo?

8. Stili me të cilin Kamyja e ka shkruar romanin “I huaji” nuk është i njëjtë përgjatë gjithë veprës. Në pjesë të ndryshme, ai shfaq karakteristika të veçanta. Evidentoni cilat janë ato karakteristika. Ushtroni mendimin kritik

9. Albert Kamy konsiderohet si përfaqësues i romanit ekzistencialist. Çfarë dini për rrymën e ekzistencializmit në letërsi? A njihni ndonjë autor tjetër të kësaj rryme?

10. Lexoni në fjalorin e mitologjisë përcaktimin që bëhet për figurën e Sizifit. Krahasoni këtë përcaktim që gjetët me simbolikën që merr kjo figurë tek eseja e Kamysë. Evidentoni çfarë ka marrë Kamyja nga përcaktimi mitologjik që i bëhet Sizifit.

11. Përcaktimi që i bëhet protagonistit të romanit është se: “Ai është thjesht absurd dhe i huaj përballë perceptimit që ka shoqëria për të, por edhe përballë vetes”. Shpjegoni si e kuptoni ju këtë përcaktim.

12. Lexojeni me zë mendimin që shpreh Kamyja në lidhje me figurën e Mersoit dhe gjendjen e tij. Duke u nisur nga ky mendim i Kamysë, hapni një debat në klasë për të diskutuar se si e shikoni përgjithësisht marrëdhënien e individit me shoqërinë. A është shtrënguese dhe diktuese shoqëria në raport me individin? Sfida e të shkruarit

13. Shkruani një ese nxitur nga shprehja e Ivan Karamazovit të Dostojevskit, (të cilin Kamy e përmend në tekstin e tij dhe është pjesë e filozofisë se absurdit).

“Nëse Zoti nuk ekziston, gjithçka është e lejueshme”.

Letërsi224

I Huaji

I Huaji

Sot më vdiq mamaja. Apo ndoshta dje, nuk e di. Mora një telegram nga azili: “Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushëllime të sinqerta.” Kjo s’do të thotë asgjë. Ndoshta ka ndodhur dje. Azili i pleqve ndodhet në Marengo, tetëdhjetë kilometra larg Algjerit. Do të marr autobusin e orës dy dhe do të jem aty pasdite. Kështu do të mund ta gdhij një natë e do të kthehem nesër mbrëma. I kërkova dy ditë leje pronarit dhe ai nuk mund të mos m’i jepte për një arsye të tillë. Por m’u duk se nuk i pëlqeu. Madje dhe i thashë: “S’është për fajin tim.” Nuk u përgjigj. Atëherë mendova se nuk duhej t’ia kisha thënë ato fjalë. Sidoqoftë nuk kisha pse të kërkoja ndjesë. Ai bile duhej të më shprehte ngushëllimet. Do ta bëjë padyshim pasnesër, kur të më shohë në zi. Tani për tani duket sikur mamaja nuk ka vdekur. Ndërsa pas varrimit do të jetë çështje e mbyllur dhe çdo gjë do të ketë marrë formë zyrtare. Në orën dy mora autobusin. Bënte shumë nxehtë. Hëngra në restorant, te Çelesta, si zakonisht. Të gjithëve u vinte shumë keq për mua dhe Çelesta më tha: “Vetëm një nënë kemi.” Kur u largova, më shoqëruan deri te dera. Isha disi i hutuar, ngaqë mu desh të ngjitesha tek Emanueli për t’i marrë hua një kravatë të zezë dhe një shirit të zi. Ai ka humbur xhaxhanë para disa muajsh. Vrapova të kap autobusin. Gjithë ai nxitim e ai vrap, me siguri për shkak të tyre, le pastaj dhe troshitjet, era e benzinës, afshi i nxehtë që vinte nga rruga e nga qielli, më vunë në gjumë. Fjeta thuajse gjatë gjithë rrugës, kur u zgjova pashë se isha ngjeshur pas një ushtaraku që më buzëqeshi dhe më pyeti nëse vija nga larg. I thashë po për të mos e zgjatur muhabetin. Azili është dy kilometra larg fshatit. E bëra rrugën në këmbë. Desha ta shihja mamanë menjëherë. Por portieri më tha se duhej të takoja drejtorin, prita ca meqenëse ishte i zënë. Portieri foli e foli pa pushim, më pas takova drejtorin; më priti në zyrën e vet. Ishte një burrë i vjetër, trupshkurtër, mbante varur dekoratën e Légion d’honneur. Më vështroi me sytë e tij të çelët. Pastaj më shtrëngoi dorën e ma mbajti kaq gjatë, sa nuk dija si ta tërhiqja. Shfletoi një dosje dhe më tha: “Zonja Merso ka ardhur këtu para tre vjetësh. Ju ishit mbështetja e saj e vetme.” M’u duk sikur po më qortonte për diçka dhe fillova t’i shpjegoj. Por ai më ndërpreu: “S’keni pse të shfajësoheni, biri im. Lexova dosjen e nënës suaj. Ju nuk kishit mundësi ta mbanit. Kishte nevojë për njeri. Të ardhurat tuaja janë të pakta. E në fund të fundit, ajo ishte më e lumtur këtu.” Unë i thashë: “Po, zoti drejtor.”( ...) Isha i lodhur. Portieri më çoi në shtëpinë e vet, ishte shumë e mirë. Kur dola, dita kishte zbardhur plotësisht. Qielli kuqëlonte përtej kodrave që ndajnë Marengon nga deti. Dhe era që vinte së andejmi sillte me vete një aromë të kripur. Dukej se dita do të ishte e bukur. Kishte kohë qysh kur s’kisha qenë në fushë dhe me sa kënaqësi do të shëtisja po të mos qe puna e mamasë. Edhe kur je në bankën e të akuzuarve është gjithmonë interesante të dëgjosh kur flasin për ty.

ILUSTRIM LETRAR
Letërsi 225

Gabriel Garsia Markez

Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez) vepra e tij lidhen pazgjidhshmërisht me emërtimin e rrymës letrare që quhet realizëm magjik. “Njëqind vjet vetmi” (1967) është vepra që citohet si prezantuese e kësaj letërsie në shumicën e manualeve të letërsisë dhe që pati ndikim e përhapje të menjëhershme te lexuesi botëror. Por Markezi ka shkruar edhe vepra të tjera, jo më pak të rëndësishme, të cilat janë përkthyer edhe gjuhën shqipe. Kështu përmendim: “Gjethurinat” (1955); “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë” (1961); “Një histori me paskuinë” (1961); “Varrimi i Nënë Madhes” (1962); “Vjeshta e patriarkut” (1975); “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” (1981); “Erendira” (1983); “Dashuri në kohën e kolerës” (1985); “Histori e Miguel Litinit, ilegal në Kili” (1986); “Gjenerali në labirinthin e tij” (1989); “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” (1992); “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” (1994); “Historia e një rrëmbimi” (1996); “Të jetosh për të treguar” (2002); “Kujtim kurvash të trishta” (2004).

Emërtimi i rrymës letrare

Zanafilla e emërtimit realizëm magjik ndeshet tek eseja e kritikut gjerman të artit Franc Ron (Franz Ron, 1925), e cila merrej me ardhjen e post-ekspresionizmit në artet pamore në Gjermani. Në letërsi, ky term lidhet me esenë e romancierit kuban Aleho Karpentier (Alejo Carpentier, 1949), që përdor termin realizëm magjik, duke nënkuptuar me të ndërthurjen mes elementit fantastik dhe motiveve të jetës së përditshme në letërsinë latino-amerikane. Kjo lloj koherence është më se e zakonshme për këto lloj tekstesh. Në fakt, edhe vetë Markezi e pohon këtë lloj teknike, duke e justifikuar me faktin se “Jeta është plot me gjëra natyrore që të vdekshmit e zakonshëm nuk arrijnë t’i shohin. Inteligjenca e poetëve është të shohin të jashtëzakonshmen në të zakonshmen.”. E, në këtë kontekst, ai nuk lë pa përmendur edhe një nga këto ngjarje të zakonshme, e cila, në fakt, përbën një ngjarje të jashtëzakonshme në formimin e tij si shkrimtar, siç është “zbulimi” prej tij i librit “1001 net”, me imazhet e të cilit ai kaloi vitet e para të fëmijërisë: “I kalova vitet e para të jetës sime i përhumbur nga një vizion i qilimave fluturues dhe xhindeve që dilnin nga llambat. Ishte e mrekullueshme… dhe për mua, plotësisht e vërtetë.”.

Pak nga fabula e romanit

Romani “Njëqind vjet vetmi” është historia e fshatit të izoluar, Makondo dhe e familjes që e themeloi atë, Buendias. Fshati është i izoluar prej vitesh. I vetmi kontakt me botën e jashtme krijohet mes ciganëve, të cilët në udhëtimet e tyre sjellin edhe teknologji të padëgjuara për fshatarët e Makondos, si: magnetet, akullin, teleskopët etj. I zoti i

Letërsi
Tiparet kryesore të stilit të letërsisë së realizmit magjik në romanin “Njëqind vjet vetmi”
Letërsi226

familjes Hose Arkadio Buendia (Plaku) është një person kureshtar, impulsiv dhe me fantazi të zhvilluar. Këto cilësi dhe tërheqja ndaj zbulimeve të mistershme e bëjnë atë që të shkëputet nga njerëzit dhe të rrethohet nga vetmia, derisa në fund vdes i çmendur.

Kontaktet me pjesën tjetër të botës bëjnë që gradualisht fshati të humbë rutinën e tij të zakonshme, që karakterizohet nga të dhënat jetësore mbi jetën e familjes Buendias. Fillojnë luftërat civile, duke sjellë dhunë dhe vdekje. Aurelianoja (djali i dytë i Hose Arkadio Buendias) bëhet udhëheqësi i rebelëve liberalë, duke arritur famë si kolonel Aureliano Buendia. Makondo ndryshon; nga një vend idilik, magjik dhe i mbrojtur kthehet në një fshat të lidhur në mënyrë të pakthyeshme me botën e jashtme, përmes famës së kolonelit Buendia. Qeveritë e Makondos ndryshojnë disa herë, gjatë dhe pas luftës. Në një moment, Arkadio (nipi i Hose Arkadio Buendias, Plakut), më mizori i Buendiasve, sundon në mënyrë diktatoriale dhe më në fund vritet nga një skuadër pushkatimi. Lufta civile përfundon me nënshkrimin e një traktati paqeje. Nga ky përshkrim, në pamje të parë, duket si roman lufte. Në fakt, ai përshkruan sagën e familjes Buendia, të disa brezave të saj, e njëkohësisht edhe të Makondos, që kishte lindur bashkë me të. Në këtë mënyrë, këto episode të vrullshme narrative mbushen me historitë personale të personazheve, shumica e të cilave janë pjesëtarë të familjes Buendia.

Libri mbyllet pothuajse njësoj siç fillon, duke na i paraqitur Aurelianon dhe Makondon përsëri të izoluar e të vetmuar, madje duke dhënë edhe parashikimin e Melhiadesit për shkatërrimin e Makondos.

Pikturë murale e Markezit në Kolumbi.
Letërsi 227

Personazhet e romanit

Në këtë galeri të larmishme, shohim djalin e madh të familjes Buendia, Hose Arkadio (trashëgon emrin e të atit), i cili bën një jetë të shthurur e plot aventura. Edhe djali i dytë, Aurelianoja, që siç thamë u bë pjesëmarrës dhe udhëheqës në luftërat civile, përfundon në vetmi e iu dorëzua zvetënimit moral, pasi krijoi një lidhje me gruan e të vëllait, me të cilën pati edhe fëmijë. Arkadioja, nipi i familjes Buendia, shfaqet si gjakatar i pamëshirshëm. Vajza e familjes Buendia, Amarantia, paraqitet si një grua e ftohtë e pa ndjenja, e cila gjithashtu e mbyll jetën e saj në vemi. Një imazh më njerëzor e më i përkushtuar shfaqet në figurën e Ursulës, gruas së Hose Arkadio Buendias, e cila kalon një jetë të përvuajtur dhe që i kundërvihet së keqes e zvetënimit moral, egërsisë e ftohtësisë së pjesëtarëve të familjes.

Në këtë galeri të zymtë personazhesh, imazhi më rrëzëllues është ai i të dashurit të Amarantës, Pietro Krespit, që dashuron me ndjenja të pastra. Fundi i tij është i pamëshirshëm, pasi vret veten. Kjo vjen si rezultat i refuzimit të Amarantës për martesë.

Shkrirja e reales me fantastiken

Më lart vumë në dukje se realizmi magjik, nga pikëpamja e koherencës, ndërfut të jashtëzakonshmen, fantastiken, në gjërat e zakonshme. Këtë Markezi e shpreh edhe në roman përmes metaforës së Melhiadesit: “Edhe sendet kanë jetën e tyre vetjake, – shpallte arrixhiu me zë gurgullues. – Puna është të dish t’ua zgjosh shpirtin.”.

Ka raste kur e jashtëzakonshmja, e perceptuar si e tillë nga personazhet e romanit, për lexuesin e sotëm nuk është e tillë. Janë pikërisht reagimet e personazheve dhe njohjet e tyre mbi botën, që krijojnë imazhin e fantastikes. “Sapo vigani e ngriti kapakun, nga sënduku vërshoi një gulsh i acartë. Brenda ndodhej vetëm një si kallëp shumë i madh e i tejdukshëm, i përshkuar nga damarë të panumërt, brenda të cilëve drita e mugët përthyhej në qindra yje të larmishëm”. Është momenti, kur Hose Arkadio Buendia çon fëmijët të shohin akullin në tendën e Melhiadesit. Vini re kohezionin hiperbolik të fjalëve dhe ndërtimeve (vigan, gulsh i acartë, kallëp shumë i madh, në qindra yje të larmishëm). Ky lloj kohezioni është i zakonshëm në tekst, pasi ai ndërtohet mbi një koherencë që e lejon dhe e favorizon atë. Dihet që ngjarjet zhvillohen në një fshat të humbur e të izoluar nga bota, që quhej Makondo (e që ngjante shumë me fshatin ku kishte lindur e ishte rritur Markezi). Në këtë kontekst, situata të tilla si këto që nisin romanin, ku arixhinjtë nomadë sjellin “shpikjet” e botës, që ata nuk njohin dhe përshkrimet e reagimet fantastike të personazheve krijojnë ndjesinë e së jashtëzakonshmes, fantastikes, mrekullisë, magjisë për gjëra që te një lexues i sotëm nuk shkaktojnë asnjë efekt të tillë. Ky i fundit përjeton vazhdimisht humorin e këndshëm nga këto skena e imazhe, të cilat në jo pak raste duken edhe naive.

Teknika krijuese të realizmit magjik te “Njëqind vjet vetmi”
Momenti i marrjes së çmimit Nobel më 17 prill 2014 në Meksikë.
Letërsi228

Shpesh, kur lexon “100 vjet vetmi”, lexuesi vë re se ndërthurja mes fantastikes dhe së zakonshmes jepet në mënyrë gati-gati indiferente. Ajo nuk prezantohet si një ngjarje e jashtëzakonshme, po si pjesë e rutinës së zakonshme. “Pak e nga pak, Amaranta dhe Arkadioja nisën të flisnin gjuhën e guajirave përpara se të mësonin spanjishten; gjithashtu filluan të hanin çorbë hardhucash dhe vezë merimangash, gjë që Ursula nuk e vuri re fare, sepse në atë kohë ishte tepër e zënë me një tregti mjaft të leverdishme me gjela prej karameleje.” Siç shihet, duke përshkruar rritjen e fëmijëve, jepet si pa gjë të keqe dhe si diçka e zakonshme edhe ushqimi aspak i zakonshëm (i jashtëzakonshëm, më mirë) i fëmijëve. Përqasja që krijohet mes shqetësimit të Ursulës me këtë “dietë” ushqimore të fëmijëve krijon ironi dhe humor njëkohësisht. Ka studiues që në këtë teknikë shohin edhe ndikim nga Kafka, të cilin Markezi e njihte mirë. Dhënia e fantastikes pa e shpjeguar atë, po thjesht si një element në zinxhirin e rutinës së së përditshmes, së zakonshmes shihet si ngjashmëri mes tyre (Kujtoni përshkrimin krejt shpërfillës të ndjesisë së Gregori Zamzës në mëngjes, kur u ngrit dhe pa se ishte kthyer në kandërr.).

Kompozicioni dhe efekti te lexuesi

Studiuesit kanë theksuar se ky lloj ndërtimi kompozicional kërkon një lexues pa komplekse dhe pranues në lidhje me konvencione dhe simbolika të trashëguara e të reja, pasi ngjarjet e koherenca e tyre dhe veçanërisht kohezioni (ndërthurja e së zakonshmes me të jashtëzakonshmen), që i realizon ato, i shmang të gjitha këto komplekse e konvencione. Lexuesi mësohet me këtë teknikë dhe e pranon, aq më tepër, kur ajo shoqërohet me humor, gjë që tejkalon edhe ndonjëherë vështirësinë që krijon detajimi i theksuar i ngjarjeve, personazheve, proceseve në roman.

Ky i fundit (detajimi) është gjithashtu tipar koheziv, që iu shkon për shtat shumë atyre që parashtruam më sipër. Është i zakonshëm përshkrimi me fjali të gjata të përbëra, në të cilat ngjishen shumë të dhëna njëkohësisht: “I pushtuar shpirt e trup nga një realitet i mirëfilltë, i cili dukej më fantastik sesa kozmosi i largët i forcës së tij të imagjinatës, ai e humbi të gjithë interesin për laboratorin e vet të alkimisë e braktisi atë materien e rraskapitur nga trajtimi disamujor dhe u shndërrua sërishmi në atë njeriun e etshëm për t’u marrë me gjithfarësoj gjërash, siç pat qenë në kohërat e para, në atë njeriun i cili vendoste për hapjen e rrugëve dhe për pozicionin e shtëpive, në mënyrë që askush të mos ishte i privilegjuar në kurriz të shumicës së banorëve.”.

Plotësia e detajeve, siç quhet ndryshe kjo lloj teknike, në fakt pasqyron nënshtresat njohëse karakteristike të personazheve dhe përvojave të tyre. Në këtë lloj narracioni, studiuesit kanë vënë re mbishtresimin e kulturave të ndryshme; asaj indiane, spanjolle dhe amerikane. Ky shtresëzim kulturash përbën një korpus të bollshëm për shkrimtarin, që e merr këtë material dhe e përpunon në laboratorin e tij krijues me teknikat e sipërpërmendura. Një korpus i tillë favorizon në mënyrë të bollshme detajimin, që shfaqet mjaft i dendur.

Si pjesë e ndërtimit të koherencës së tekstit, duhen përmendur edhe kthesat e menjëhershme të narracionit. Një gjë e tillë vihet re po të shohim fillimet e kapitujve,

Letërsi 229

të cilët në jo pak raste nuk vazhdojnë direkt aty ku e ka lënë ngjarjen kapitulli paraprijës. Ata mund të kenë edhe diferencë kohore ose mund të fillojnë me historinë e një personazhi tjetër, pa e lidhur me atë që ka ndodhur më përpara. Narratori i gjithëdijshëm e bën në mënyrë të vazhdueshme këtë alternim të menjëhershëm, duke u dhënë kapitujve pamjen e kronikave të montuara. Megjithatë nuk krijohet fragmentarizëm se personazhet janë të së njëjtës familje, përplasjet, turbullimet, shthurjet, dashuritë, fatet e tyre tragjike janë të lidhura të gjitha me njëratjetrën.

Tragjikja përmes dashurisë e vetmisë

Tragjikja përmes personazheve

Romani “Njëqind vjet vetmi” në vetvete përmbledh një galeri personazhesh që kryesisht përjetojnë një fat tragjik. Ata dhe jeta e tyre, shpesh, janë përqasur me atë të jetës politike. Në këtë kontekst, studiues të caktuar e kanë parë realizmin magjik edhe si një kritikë të nënkuptuar të shoqërisë ndaj sistemeve politike rajonale, pasi stili i tij del jashtë kornizave të diskursit të “qendrave të privilegjuara të letërsisë”.

Përplasja e së vjetrës me të renë, që do të duhej të përfaqësonte të përparuarën, zhvillimin, qytetërimin, krijohet si alegori me kah krejt të kundërt. E reja përfaqësohet nga sisteme të korruptuara, që janë kapluar nga zvetënimi moral, duke na dhënë kështu një tablo aspak tërheqëse të atyre që studiuesit i kanë quajtur “shoqëri gjysmë të bëra”, pra, të shoqërive që nuk kanë arritur të ngrenë një shtet të mirëorganizuar dhe një shoqëri të kultivuar e të qytetëruar.

Rikujtojmë këtu figurën e Aurelianos, djalit të Hose Arkadios, i cili pavarësisht se luftoi kundër diktatorëve dhe udhëhoqi njerëzit kundër tyre, në fund pati një krizë të thellë zvetënimi moral. Po ashtu, edhe shumica e personazheve të tjera nuk kanë një fat më të mirë.

Nga ana tjetër, gjithë romani na e shfaq Makondon si një skenë përplasjesh tragjike, në të cilat vetmia, dhuna, mungesa e dashurisë, pështjellimi dhe zvetënimi moral janë pjesë e së përditshmes.

Vetmia përmes personazheve

Vetmia është një tipar që bashkon shumicën e personazheve. Kështu, Melhiadesi pikërisht për të luftuar vetminë e jetës së tij nomade kthehet dhe mbyllet në dhomën e tij, ku dhe bisedon me njerëzit. Aurelianoja në fund të jetës përjeton vetminë, i zhytur në kalbëzim moral. Amaranta, vajza e Hose Arkadios, pas vetëvrasjes së të dashurit, mbyllet në një dhomë ku përjeton trishtimin më të thellë. Ursula, e shoqja e Hose Arkadios, gjithashtu braktiset nga të gjithë në fund të jetës, pavarësisht përkushtimit të saj të jashtëzakonshëm. Pra, me gjithë jetën e vrullshme të personazheve, vetmia është e parathëna e fatit të tyre të përbashkët, ndër të tjera, edhe ndëshkimi i tyre.

Letërsi230

Dashuria pëmes personazheve

Dashuria nga ana tjetër e përjashton vetminë, vetëm se ajo shfaqet kryesisht në kuadrin e pasionit, pra, jo si ndjenjë e pastër dhe e madhërishme. Madje, në jo pak raste, ajo del edhe me ndjesinë e groteskut. Po sjellim një fragment nga martesa e Aurelios me Remediosin: “Ky kurorëzim ishte pika kulmore e shqetësimit të vazhdueshëm në familjen Moskoti, sepse vogëlushja Remedios e arriti pjekurinë seksuale përpara se t’i kishte lënë mënjanë tabiatet e fëmijërisë.… U deshën vërtet përpjekje të stërmundimshme, por që i dhanë frytet e tyre: ditën e caktuar, vajza e vogël doli po aq e sqaruar për gjërat e kësaj bote, sa edhe motrat e saj të rritura.”. Në këtë fragment, shfaqet pikërisht përmbushja e dëshirave të mishit nëpërmjet pasionit, i cili vishet me moral nga manteli martesor. Në roman, siç thamë, duket se pasioni i personazheve të këtij romani është i nëmur me “vetminë”. Një pjesë kërkojnë pasionin për t’i ikur vetmisë, megjithëse në fund nuk i shpëtojnë dot kësaj të fundit. Edhe i vetmi rast që në fakt i kalon caqet e pasionit, të paktën nga njëra palë, dhe perceptohet si dashuri, shkrihet nga ftohtësia shpirtërore e palës tjetër, që ishte ngurtësuar nga përçmimi ndaj të tjerëve, sqima e lartë, ftohtësia e karakterit. E kemi fjalën për dashurinë e pastër të Pietro Krespit ndaj Amarantës. Krespi dashuron me “vrullin e zemrës”, por Amaranta është shpërfillëse dhe e pamëshirshme ndaj kësaj ndjenje. Në fakt, ajo i shëmbëllen më shumë një statuje të ftohtë e të pandjenjë, saqë edhe ajo vetë mundohet ta provojë e të shërohet nga kjo gjendje. “…sapo binte mugëtira, Amarantës i bëhej sikur ndiente livandon e Pietro Krespit, por kishte aq forcë sa të mos përhumbej në atë kujtim të mynxyrshëm. Ursula i hoqi vizë. Madje as nuk i ngriti sytë dhe as nuk shprehu ndonjëfarë keqardhjeje atë pasdreke, kur Amaranta hyri në kuzhinë dhe vuri dorën mbi prushin e vatrës, derisa i dhembi aq fort, saqë nuk ndjeu më asnjë dhembje përveç erës së rëndë të mishit të saj të përcëlluar. Ishte kjo një lloj kure e tmerrshme për të mjekuar brejtjet e ndërgjegjes.”. Dhe përfundimi i këtij eksperimenti të Amarantës, për fat të keq, ishte përsëri pandjeshmëria. Mungesa e dashurisë krijon pështjellim ngjarjesh e fatesh dhe i mbështjell personazhet në vetmi. Kjo gjë vulos tragjiken në fatin e fshatit dhe të njerëzve të tij. Mbase përpjekja drejt fantastikes, së panjohurës, mistikes, mitologjikes është edhe një orvatje për të gjetur një jetë tjetër, të ndryshme nga ajo që ata kishin jetuar. Përjetimi më ekstrem i vetmisë në tekst është pjesa kur përshkruhet dialogu dhe raporti i Amarantës me Vdekjen dhe ndjesia tërësisht indiferente e kësaj të fundit (Amarantës) në lidhje me të (Vdekjen).

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Në jo pak raste, zhvillimet letrare kanë qenë paralele me zhvillimet në fushat e tjera të artit. Sqaroni zanafillën e realizmit magjik si term. A e vërteton kjo zanafillë pohimin në fjalinë e parë?

2. “Njëqind vjet vetmi” është një roman lufte, apo një roman që përfaqëson fatin tragjik të një familjeje e të fshatit Makondo gjithashtu? Argumentoni përgjigjen tuaj.

3. Çfarë raporti ka e zakonshmja me të jashtëzakonshmen në tekstin e Markezit dhe si krijohet ndërthurja e tyre? A krijon kjo gjë tiparin kryesor të ndërtimit të këtij teksti?

4. A ka raste kur lexuesi nuk e percepton si të jashtëzakonshme atë që në fakt personazhet e perceptojnë si të tillë? Pse vjen kjo dhe me çfarë ndjesie shoqërohet te lexuesi?

5. Në tekst mësuat se ndërthurja e së zakonshmes me të jashtëzakonshmen jepet gati-gati në mënyrë indiferente. Si realizohet konkretisht kjo teknikë dhe çfarë ndjesie ju krijon?

6. Teksti shfaqet i mbushur me detaje. Si realizohet renditja e tyre dhe a krijon vështirësi në lexim?

Letërsi 231

7. Romani ndërtohet në pjesë, kapituj të ndryshëm. Në jo pak raste, ata nuk duken në pamje të parë si vazhdim i njëri-tjetrit. A krijohet fragmentarizëm dhe kush e krijon lidhjen mes pjesëve?

Ushtroni mendimin kritik

8. Në konceptin njerëzor, e reja zakonisht përfaqëson zhvillimin, qytetërimin, përparimin. Në kontekstin e romanit, si shfaqet ajo dhe pse mendoni se ndodh kjo gjë?

9. Romani është përcaktuar si një roman përplasjesh tragjike në nivel politik e moral. A mendoni se kjo panoramë krijon alegori me përpjekjet e qenies njerëzore për përparim e katarsis?

10. Vetmia është tipari që bashkon shumicën e personazheve në roman. Është vetmi e kërkuar apo e kushtëzuar nga ambienti e fatet e të tjerëve? Ilustrojeni sipas personazheve.

11. Dashuria, në roman, del përgjithësisht në kuadrin e pasionit. Një gjë e tillë flet për shoqëri të shëndetshme e të përpunuara nga pikëpamja e formimit njerëzor apo për të kundërtën? Pse?

12. Në libër figura e Ursulës, gruas së Hose Arkadio Buendias, dallohet për përkushtimin, devotshmërinë ndaj familjes. Ky është një tipar i grave të Amerikës Latine apo i gruas në përgjithësi? Diskutoni në lidhje me imazhin e gruas në familjen shqiptare.

Sfida e të shkruarit

13. Shpesh, në moshën tuaj ngatërrohet koncepti i pasionit me dashurinë. Pasi të keni lexuar veprën e Markezit dhe të keni bërë kërkime të tjera për këto dy nocione e raportin mes tyre, shkruani një ese për këtë. Nuk po ju sugjerojmë një titull, pasi atë do ta zgjidhni vetë, në varësi të qëndrimit që do të mbani.

Letërsi232

ILUSTRIM LETRAR

Njëqind vjet vetmi

Amaranta Buendia, e bija e Hose Arkadio Buendias, është në prag të vdekjes. Kujtojmë se ajo ka refuzuar dashurinë e Pietro Krespit në mënyrë të ftohtë e arrogante. Ky i fundit është vetëvrarë për këtë shkak. Amaranta nuk është martuar asnjëherë dhe e ka kaluar jetën në vetmi.

Njëqind vjet vetmi

Dhe ashtu ndodhi vërtet. Mirëpo, në çastet e fundme të jetës së saj, Amaranta nuk e ndjeu veten aspak si të dështuar, por përkundrazi, të çliruar nga çdo lloj hidhërimi, sepse Vdekja i pat bërë një privilegj: ajo i qe shfaqur vite më parë. Amaranta e kishte parë një pasdreke zhegu përvëlues, të ulur e duke qepur përbri saj në verandë, pak kohë pasi Memeja ishte nisur për në kolegjin e manastirit. E njohu menjëherë; ajo nuk dukej aspak e frikshme, ishte si një grua me paraqitje kohësh të shkuara, e veshur me një fustan blu, flokëgjatë, dhe i ngjante shumë Pilar Ternerës nga ato kohëra kur ndihmonte në kuzhinën e Buendiave. Edhe Fernanda pat qenë shpesh e pranishme aty në verandë, por nuk e kishte pikasur kurrë, megjithëse Vdekja kishte qenë aq reale dhe aq njerëzore, saqë njëherë iu lut madje Amarantës që t’ia shkonte perin në gjilpërë. Vdekja nuk i tha se kur duhej të vdiste, dhe as nëse ora do t’i trokiste përpara asaj të Rebekës; ajo i tha vetëm që të fillonte e të endte rrobat e veta të vdekjes më gjashtë të prillit të ardhshëm. Gjithashtu i dha leje që t’i endte e t’i qëndiste sa më të bukura e madhështore, siç do t’ia kishte ënda, po jo më pak dinjitoze sesa ato të Rebekës; pastaj ia paratha se do të vdiste pa dhimbje, pa frikë e pa pezmatim, madje pikërisht atë mbrëmje kur do t’i kishte bërë gati rrobat... Me qëllimin që të humbte sa më shumë kohë, Amaranta porositi fije liri dhe e endi vetë pëlhurën në tezgjah. E endi me aq kujdes, saqë vetëm për këtë punë iu deshën plot katër vjet. Pastaj filloi nga qëndisja. Sa më tepër i afrohej përfundimit të pashmangshëm, aq më shumë i përforcohej bindja se vetëm ndonjë mrekulli do ta lejonte që ta zgjaste atë punë deri pas vdekjes së Rebekës; sidoqoftë, ky përqendrim i madh ia siguronte atë qetësi që i nevojitej për t’u pajtuar me idenë e një dështimi. Dhe ishte kjo koha kur e kuptoi më në fund se ç’ishte ai rrethi vicioz, brenda të cilit qe vërtitur aq gjatë koloneli Aureliano Buendia duke u marrë me peshqit e tij të artë. Bota u ndal mbi sipërfaqen e lëkurës së saj, dhe brendia nuk iu cënua më nga asnjëlloj vreri. I dhembi, pse nuk e pat bërë atë zbulim përpara shumë vitesh, kur kishte qenë ende e mundur që t’i fisnikëronte kujtimet dhe ta sodiste botën nën një dritë të re, të mos e zinin drithmat netëve kur t’i ngjitej në hundë aroma e livandos së Pietro Krespit dhe ta nxirrte Rebekën nga moçali i mjerimit të saj, jo nga urrejtja dhe as nga dashuria, por thjesht nga të kuptuarit e pakufishëm të vetmisë. Urrejtja që kulloi nga fjalët e Memes atë mbrëmjen kur qenë

Gabriel Garsia Markez

Letërsi 233

shtruar në sofër, nuk e preku Amarantën ngase qe drejtuar edhe kundër asaj, por sepse e pa veten të përsëritur te një vashëri tjetër, që iu duk aq e qashtër sa ç’pat qenë ndoshta edhe ajo e vetja, megjithëse qysh atëherë kishte filluar të prishej nga mllefi. Mirëpo tani ajo ishte e pajtuar deri në atë masë me fatin e saj, saqë nuk mërzitej aspak që i ishin mbyllur të gjitha shtigjet për ta rregulluar atë fat. I vetmi qëllim i saj ishte që t’i përfundonte rrobat e vdekjes. Në vend që ta zgjaste atë punë me marifete të kota, e shpejtoi. Qysh një javë përpara, e bëri llogarinë që dorën e fundit do t’ua jepte natën e katër shkurtit dhe, pa ia treguar arsyen, i propozoi Memes - megjithëse pa sukses, - që ta spostonte në atë datë një koncert të planifikuar për një ditë më vonë. Atëherë Amaranta u përpoq të gjente ca shkaqe për t’u vonuar dyzet e tetë orë, madje pandehu se Vdekja po i lëshonte pe, ngaqë natën e katër shkurtit shpërtheu një stuhi e fortë që e la Makondon pa dritë elektrike. Por të nesërmen e asaj dite, më tetë të mëngjesit, ajo i dha fund qëndismës më të bukur që pat dalë ndonjëherë nga dora e një gruaje dhe, pa kurrfarë dramaticiteti, shpalli se do të vdiste atë mbrëmje. Amaranta e lajmëroi jo vetëm familjen, por edhe të gjithë fshatin, sepse i qe mbushur mendja që njeriu mund t’i ndreqte gabimet e veta gjatë një jete meskine, duke u bërë të tjerëve qoftë edhe një të mirë të vetme; kështu ia dha truri që nuk mund të kishte shërbim tjetër më të mirë, se sa të merrte me vete letra për të vdekurit.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme të veprës, sjellja e Amarantës është shprehi e qartë e gjithë fshatit të mbërthyer nga vetmia. E pranon ajo si fakt këtë? Çfarë shqetësimi ka Amaranta? Ilustrojeni me pjesë nga teksti.

2. Marrëdhënia e Amarantës me vdekjen nuk është ajo e një njeriu të zakonshëm. Pasi ta keni lexuar tekstin në këtë fokus, tregoni nëse është e gëzuar apo e hidhëruar Amaranta që data e Vdekjes po afrohet. Ilustrojeni me shembuj nga teksti.

3. Në fund, në pragvdekje, Amaranta vendos të bëjë disa shërbime. Identifikojini ato dhe tregoni se kujt ua ofron ajo këto shërbime. Pse e bën këtë?

4. Gjeni në tekst personazhet e tjera veç Amarantës. A kanë rol të rëndësishëm apo periferik në të? Pse?

5. Lexoni tekstin disa herë dhe nëpërmjet tij mundohuni të bëni një portretizim të Amarantës me fjalët e tekstit. Kujdes: Nuk është e thënë të jenë tiparet e shprehura direkt.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Keni mësuar se rrëfyesi është një nga pikat kyçe të një teksti. Ai krijon marrëdhënie të veçanta me lexuesin. Në mbështetje të njohurive që keni mbi llojet e rrëfyesve, përcaktoni se kush rrëfen në këtë tekst dhe në emër të kujt rrëfen.

7. Vini re ndërfutjen e zërave tregimtarë dhe shpjegoni nëse kjo e rrit apo zvogëlon besimin e lexuesit tek ajo që rrëfehet.

Letërsi234

8. Në tekst ka një marrëdhënie të jashtëzakonshme, surreale. Dalloni elementet fantastike në të dhe metaforën me të cilën realizohet. Çfarë ndjesie përjetoni?

9. Skeleti kryesor i ndërtimit të këtij teksti është raporti Amarantë-Vdekje. Një gjë e tillë shtjellohet gjatë në tekst. Nënvijëzoni fjalitë që identifikojnë këtë gjë dhe thoni cilat prej tyre veç elementit fantastik, surreal, kanë edhe elemente të jetës së zakonshme të personazhit kryesor. Cila është ndjesia që krijoni nga ky lloj kohezioni?

10. Teksti karakterizohet nga një përshkrim me detaje të shumta. Identifikojini ato dhe dalloni raportin mes detajeve të zakonshme e të jashtëzakonshme. A krijon vështirësi në lexim apo informacioni i bollshëm nxit kureshtjen? Pse?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. “Dhe ashtu ndodhi vërtet.” Kjo është fjalia me të cilën nis teksti. Dalloni fjalët që reflektojnë llojin e rrëfimtarit. Gjeni të dhëna të tjera në tekst për këtë.

12. Fjala vdekje shkruhet me të madhe në tekst. Pse mendoni se është bërë kjo përzgjedhje nga autori? Çfarë ndjesie ju zgjon kjo? Jepni ngjyrat e imazhit që krijoni pas këtij leximi.

13. Gjeni fjalët që lidhen me gjendjen shpirtërore të Amarantës. Janë më shumë emra apo folje? Si ka qenë ndër vite ajo dhe a i vjen keq apo vazhdon me ftohtësinë që e karakterizonte gjatë jetës?

14. Dalloni përdorimin dhe referencën e fjalës “fat” në vepër. Vini re përdorimin e saj në jetën tonë të zakonshme dhe në këtë tekst, duke iu referuar edhe strukturave që gjenden në “Fjalorin e gjuhës shqipe”. Shpjegoni ndryshimin dhe thoni nëse realizohet metafora e çfarë ndjesie ju krijon ajo.

15. “Bota u ndal mbi sipërfaqen e lëkurës së saj, dhe brendia nuk iu cënua më nga asnjëlloj vreri. I dhembi, pse nuk e pat bërë atë zbulim përpara shumë vitesh, kur kishte qenë ende e mundur që t’i fisnikëronte kujtimet dhe ta sodiste botën nën një dritë të re…” Dalloni figurën kryesore që realizon këtë tekst. Vini re shtrirjen e saj dhe thoni çfarë kuptoni me këtë trop dhe çfarë tregon ajo për karakterin e Amarantës.

Nga teksti te përdorimi

16. “Vdekja kishte qenë aq reale dhe aq njerëzore, saqë njëherë iu lut madje Amarantës që t’ia shkonte perin në gjilpërë.” Dalloni metaforën e krijuar nga ky përdorim. Cili tipar i realizmit magjik shfaqet?

17. Gjeni në tekst grupet që përdoren për të dhënë ftohtësinë me të cilën e trajton Amaranta përgatitjen për vdekje. Përjetoni ironi apo sarkazëm në raport me konceptin tuaj mbi jetën dhe vdekjen?

18. “Jetë meskine”. Çfarë kuptoni me këtë grup fjalësh që gjendet në tekst në lidhje me karakterin e Amarantës? Referojuni kuptimit të mbiemrit meskine në “Fjalorin e gjuhës shqipe” dhe vini re ngjashmëritë apo ndryshimet me përdorimin e saj këtu.

19. “…jo nga urrejtja dhe as nga dashuria, por thjesht nga të kuptuarit e pakufishëm të vetmisë.” Cili koncept paska qenë shqetësimi kryesor i Amarantës? A krijon kontrast me antitezën urrejtjedashuri dhe cila është ndjesia juaj në këtë kontekst?

20. Gjeni pjesën ku përdoret fjala “mllef”. Perifrazojeni atë dhe shpjegoni pasojat e saj në jetën e Amarantës.

Letërsi 235

Nga teksti te reflektimi

21. Në fragment Vdekja shfaqet në një mënyrë mjaft njerëzore, pa britma frike, madje me tone humori (pjesa kur ndihmon të shkojë perin në gjilpërë). Një paraqitje e tillë thamë se është pjesë e stilit të realizmit magjik. Diskutoni në lidhje me ftohtësinë e këtyre përshkrimeve e përjetimeve që jepen në tekst. A ju duken normale?

22. Vdekja është një proces normal në jetën e njeriut. Gratë tona kur martoheshin merrnin në pajë edhe rrobat e vdekjes. Po kështu populli thotë: “Të tan bijt e dekës jena”. Çfarë tregojnë këto fakte për perceptimin e vdekjes në psikologjinë popullore (Pyesni edhe gjyshërit në shtëpi.)

23. Amaranta mundohej të zgjaste momentin e vdekjes, megjithëse e di se nuk mundet. A mendoni se qenia njerëzore e ka të parashkruar fatin e vet, apo e vendos vetë atë? Diskutoni në klasë.

24. Në një pjesë të fragmentit Amaranta pranon se ka kuptuar më në fund se vetmia ka qenë ai element i jetës i mjaft prej njerëzve të njohur dhe asaj gjithashtu. Madje edhe përkushtimi për të bërë një punë të caktuar me detaje të imta lidhet pikërisht me këtë fakt. A mendoni se njerëzit punojnë, përkushtohen dhe sakrifikojnë vetëm për t’i ikur vetmisë? Nëse jo në të gjitha rastet pse i bëjnë këto gjëra?

25. Si ju duket jeta e Amarantës? Si do të dëshironit të ishte jeta juaj deri në fund? Bëni një listë të gjërave që do të dëshironit të bënit gjatë gjithë jetës suaj dhe lexojini në klasë.

Nga teksti te të shkruarit

26. “Vdekja kishte qenë aq reale dhe aq njerëzore, saqë njëherë iu lut madje Amarantës që t’ia shkonte perin në gjilpërë.” Më lart kemi sqaruar se kjo fjali dhe të tjera kanë si veçori ndërthurjen e fantastikes, surreales, në një kontekst real. Krijoni vetë një paragraf me ndërtim të ngjashëm, në të cilën metafora ndërtohet nga fjala “jetë”.

27. Vdekja, jeta, e bukura, e shëmtuara janë koncepte filozofike. Zgjidhni njërin nga dy konceptet e fundit dhe, pasi të krijoni një paragraf, si te ushtrimi 1, si dhe teksti i Markezit, zgjerojeni, duke realizuar një tekst me të. Prezantojeni në klasë dhe sqaroni montimin e së jashtëzakonshmes me të zakonshmen, detajet e shumta, metaforën kryesore mbi të cilën ngrihet teksti, fushën semantike që haset më shumë, fjalitë e shumta me folje në të pakryerën e në vetën e tretë si zëdhënëse të vetave të para. Le të jenë nganjëherë të rrëmujshme detajet e veçanërisht të çuditshme. Po imitoni Markezin.

Letërsi236

Gjuhë

Diskursi argumentues dhe bindës i një eseje

Eseja është shkrim i shkurtër, letrar ose joletrar, në të cilin autori përpiqet të argumentojë qëndrimin e tij dhe të bindë lexuesin për një çështje të caktuar. Një ese argumentuese mund të hartohet me të paktën pesë paragrafë: paragrafi i hyrjes, tre paragrafë të shtjellimit të temës dhe paragrafi i përfundimit. Një ese në të cilën shkruhet për të argumentuar një qëndrim të caktuar, ose për të bindur lexuesin për një ide të caktuar, shkrimi është i natyrës argumentuese.

Eseja argumentuese ka për synim të mbështesë me arsye të vlefshme (argumente), idenë (tezën) tuaj, të marrë në konsideratë idenë e kundërt (antitezën), duke e hedhur atë poshtë përmes argumenteve, si dhe të bëjë përmbylljen (përfundimin) e shkrimit duke e ripohuar tezën fillestare.

Hapat e shkrimit të një eseje argumentuese

Planifikimi i esesë argumentuese

Në fazën e planifikimit të një eseje argumentuese, duhet të shqyrtoni me kujdes temën e esesë, si dhe të mblidhni ose rikujtoni të gjitha të dhënat dhe faktet që kanë të bëjnë me atë temë.

Zgjidhni qëndrimin që do të mbani në raport me temën, pra, cila do të jetë teza juaj, të cilën do ta mbroni me argumente.

Kërkoni dhe gjeni idetë/qëndrimet më të përhapura në lidhje me temën. Kjo do t’ju shërbejë që të përforconi idenë (tezën) tuaj, si dhe që të hidhni poshtë me argumente idenë e përkundërt (antitezën).

Të gjithë informacionin që keni, organizojeni duke grupuar argumentet në favor të tezës dhe ato në favor të antitezës.

Skeleti i tekstit mund të ndërtohet sipas këtij modeli:

Tema/ Problemi Parashtrimi i tezës

Argumente që mbështesin tezën Parashtrimi i antitezës

Hartimi i esesë argumentuese

Argumente që mbështesin antitezën

Hedhja poshtë e argumenteve që mbështesin antitezën

Në hyrje të esesë duhet të paraqitni temën apo problemin për të cilin po shkruani, si dhe qëndrimin (tezën) tuaj për të.

Në pjesën e shtjellimit të esesë:

Shpalosni së paku dy argumente në mbështetje të tezës suaj. (Këto argumente mund të vijnë nga përvoja juaj jetësore, nga të dhëna zyrtare, nga rezultatet e studimeve etj.)

Parashtroni antitezën dhe argumentet në mbështetje të saj (Mund të përdorni shprehje të tipit “disa mund të jenë të mendimit se... sepse”, “dikush mund të thotë se... meqenëse...”. ).

Gjuhë 237

Bindni lexuesin se antiteza nuk qëndron, duke hedhur poshtë argumentet në mbështetje të saj.

Gjatë shkrimit të esesë, kini parasysh rëndësinë e përdorimit të fjalëve lidhëse, që do ta bëjnë tekstin tuaj më koherent. Kësisoj, për të shprehur marrëdhënie kundërshtore përdorni fjalë, si: por, porse, veç, ndërsa, kurse, mirëpo, megjithatë, megjithëkëtë, përkundrazi etj. Për të shprehur marrëdhënie shkaku përdoren: ngaqë, për shkak se, për arsye se, përderisa, duke qenë se, për këtë arsye, kështu që etj. Për të shprehur marrëdhënie logjike a kohore mes argumenteve përdorni fjalë a shprehje si: atëherë, ndaj, ndër të tjera, pikë së pari, së dyti, së fundmi etj. Në paragrafin e përfundimit, mbylleni esenë duke ripohuar tezën tuaj.

Rishikimi i esesë argumentuese

Leximi i parë: kontrolli i përmbajtjes (A është bindëse eseja që keni shkruar? A ka lidhje logjike mes argumenteve që keni paraqitur? A ka përsëritje argumentesh? A ka secili paragraf i esesë gjatësinë e nevojshme?)

Leximi i dytë: kontrolli i formës (A është përdorur stili i duhur gjuhësor? A i keni zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe shenjat e pikësimit? A i keni përdorur siç duhet fjalët lidhëse?)

Në përfundim të këtij hapi të tretë dhe të fundit, procesi i të shkruarit finalizohet me hedhjen e esesë në letër a në kompjuter, në varësi të mënyrës se si ju është kërkuar që ta paraqisni atë.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

Çfarë synohet të arrihet përmes shkrimit me natyrë argumentuese?

Cila është struktura tipike e një eseje argumentuese?

3. Çfarë hapash duhet të ndiqen për realizimin e një eseje argumentuese?

4. Pse është e rëndësishme që të kërkoni dhe të gjeni të gjitha idetë apo qëndrimet më të përhapura në lidhje me tezën dhe antitezën që do të shtjelloni në ese?

5. Thoni disa fjalë dhe grupe shprehjesh, që përdoren: për të shtjelluar argumentet_________________________________________________ për të bindur lexuesin

si fjalë lidhëse për të shprehur marrëdhënie

për të shprehur marrëdhënie logjike mes argumenteve____________________________

6. Pse është e rëndësishme të rishikohet teksti i shkruar? Në çfarë mënyre duhet lexuar teksti që keni përfunduar së shkruari?

1.
2.
_____________________________________________________
shkaku______________________________
Gjuhë238

Ushtrohuni përmes tekstit Prejardhja e gjuhës shqipe

Shqipja, ashtu si çdo gjuhë tjetër, ka historinë dhe parahistorinë e saj. Historia dhe parahistoria e shqipes janë të lidhura ngushtë me historinë dhe parahistorinë e popullit që e ka folur atë në rrymë të shekujve. Një mjegull e dendur mbulon fazën më të vjetër të historisë së gjuhës shqipe dhe sidomos parahistorinë e saj. Kjo gjendje i ka dhënë shkas lindjes së hipotezave të ndryshme lidhur me çështjen. Çështja e prejardhjes së gjuhës shqipe dhe bashkë me këtë, edhe ajo e vendit të formësimit të saj, kanë ngjallur diskutime që vazhdojnë edhe sot. Për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe deri sot janë paraqitur hipoteza të ndryshme, nga të cilat mund të përmenden hipotezat pellazgjike, ilire, trakase etj.

Një hipotezë mjaft e përhapur, sidomos ndër autorët arbëreshë dhe shqiptarë të shekullit të kaluar, ka qenë ajo e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Është fjala për një pikëpamje jo fort të kristalizuar dhe aq më pak të argumentuar për prejardhjen e gjuhës shqipe nga gjuha e një populli të tejlashtë, që është quajtur pellazg. Është fare e natyrshme të pranohet që viset ku u vendosën fiset ilire, kanë qenë të banuara më parë nga fise të ndryshme. Hulumtimi dhe shpjegimi i elementeve “pellazgjike” që shqipja i ka trashëguar nëpërmjet “nënës” së saj, mbeten një nga detyrat e rëndësishme të historisë së gjuhës.

Hipoteza më e përhapur lidhur me burimin e gjuhës shqipe është ajo e prejardhjes ilire të kësaj gjuhe. Përfaqësuesit kryesorë të kësaj hipoteze kanë qenë Thunmann-i, Leak-u, Hahn-i, Meyer-i, Pedersen-i, Çabej etj. Më poshtë, po japim shkurt argumentet që janë parashtruar në të mirë të kësaj hipoteze. Thunman-i në një nga veprat e tij pohon: “Në historinë e shqiptarëve, unë nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të tyre të mëvonshëm; gjuha e tyre ka dhënë dëshmi të tilla nga fatet e popullit, që unë nuk mund të mos njoh fqinjët e stërmoçëm të grekëve dhe nënshtetasit e Romës së vjetër. Dhe të dyja këto më tregojnë ilirët e vjetër”. “Pranimi që gjuha përfaqëson fazën më të re të ilirishtes ose, siç shprehet me të drejtë në mënyrë të matur G. Meyer-i, një nga dialektet ilire, është sipas të gjitha rrethanave kaq e vërtetë-dukshme, saqë njeriu duhej të sillte arsye shumë të rëndësishme për ta kundërshtuar atë”. Në të mirë të këtij mendimi, Kreçmeri vë në dukje, ndër të tjera, se shqiptarët banojnë aty ku në kohë antike kanë banuar fise ilire.

Për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe është shprehur edhe Pederseni, i cili kundërshton mendimet për hipotezën e prejardhjes trake të kësaj gjuhe. Gjithashtu, për prejardhjen ilire dhe kundër mendimit për prejardhjen trake të shqipes është shprehur edhe Çabej. Këtu po ndalemi pak vetëm në pohimet e Katiçiçit në studimet e tij. Katiçiçi, pasi vë në dukje praninë e huazimeve nga greqishtja e vjetër në gjuhën shqipe dhe faktin që në burimet historike nuk përmendet ndonjë imigrim shqiptar, arrin në përfundimin se “shqipja qysh nga kohët e lashta është folur pak a shumë në viset, në të cilat flitet sot”. Pak më poshtë ai shton se në këto rrethana është normale dhe e natyrshme që shqipja të konsiderohet si një pasardhëse moderne e gjuhës ilire”.

Tema/problemi

Teza 1 (Teza pellazgjike)

Teza 2 (Teza ilire)

Argumente në mbështetje të tezës ilire

Argumente në mbështetje të tezës ilire

Antiteza e tezës ilire (Teza trakase)

Argumente në mbështetje të tezës ilire

1 Gjuhë 239

7. Cili është qëllimi i tekstit “Prejardhja e gjuhës shqipe”: të bindë lexuesit për origjinën pellazge të gjuhës shqipe; të argumentojë tezën më të qëndrueshme për origjinën e gjuhës shqipe; të tregojë qëndrimet e studiuesve dhe albanologëve të njohur në lidhje me origjinën e shqipes; të argumentojë tezën ilire për origjinën e gjuhës shqipe; të argumentojë tezën trake për origjinën e gjuhës shqipe.

8. Përmendja e qëndrimeve të studiuesve dhe albanologëve: i bën argumentet e dhëna në mbështetje të tezës ilire më të besueshme; e ndihmon autorin të argumentojë qëndrimin që ai cilëson më të drejtë; e bën tekstin përshkrues.

9. Jo në të gjitha esetë apo tekstet argumentuese bindëse jepen edhe teza, edhe antiteza me argumentet përkatëse. Thoni se për cilat teza të ndryshme nga teza ilire ka më pak ose aspak argumente.

10. Gjeni në tekst fjalë lidhëse dhe tregoni si shërbejnë ato për ruajtjen e koherencës së tekstit dhe vijueshmërinë e argumenteve.

A është gjuha shqipe bijë e ilirishtes?

Pas përcaktimit të shqipes si gjuhë indoevropiane, si dhe të vendit të saj në këtë familje, problemi themelor i studimeve albanologjike ishte problemi i origjinës së gjuhës shqipe. Ky problem është i rëndësishëm, por edhe i ndërlikuar, sepse shqipja është një gjuhë e veçantë në familjen indoevropiane. Ajo që e ndërlikon më shumë problemin e origjinës së shqipes dhe të vetë shqiptarëve është mungesa e dokumentacionit nga Antikiteti deri në Mesjetë. Një ndër tezat më të njohura, është teza se shqipja vjen nga ilirishtja. Argumentet që mbështesin këtë tezë janë argumente historike dhe argumente gjuhësore. Sa u takon argumenteve historike, teza ilire është bindëse, pasi shqiptarët sot jetojnë në një truall ku kanë jetuar ilirët. Historianët thonë se jo vetëm që shqiptarët jetojnë në trojet e ilirëve, por në dokumente nuk ka ndonjë rast që të tregojë se ka pasur shtegtim të shqiptarëve. Kështu, historiani Johann Thunmann, në 1774-ën, shprehej se: “Historia dhe gjuha e tyre na ka dhënë të tilla dëshmi, saqë unë nuk mund të mos i njoh ilirët si stërgjyshër të shqiptarëve dhe nënshtetas të Romës së Lashtë.”. Pas Thunmann-it, një varg tjetër studiuesish u përpoqën të vërtetonin se shqiptarët vijnë nga ilirët, duke pohuar se ata banojnë sot në troje të hershme ilire. Po ashtu, burimet historike greke, veç ardhjes së sllavëve në Ballkan, nuk përmendin shtegëtim tjetër që të ishte i mjaftueshëm për të krijuar një popullsi të tërë në perëndim të Gadishullit Ballkanik.

Studiues të tjerë si P. Kreçmer, pastaj G. Majer, N. Jokli dhe sidomos E. Çabej, sollën një varg argumentesh gjuhësore për të vërtetuar se shqipja vjen nga ilirishtja. Gustav Majeri ishte i mendimit se shqipja i përket një dialekti të ilirishtes. Lënda gjuhësore që na ka mbetur nga ilirët është onomastike (e përbërë nga emra njerëzish dhe toponime që dalin nga veprat e shkrimtarëve grekë apo latinë, apo me mbishkrime greke dhe latine në Iliri). Nga studimet që janë bërë, janë njohur disa emra ilirë, si: Bartus, Barduli, Pikadus, Bato, Getius, Teuta, Dalmate, Delmate, Delmers etj. E rëndësishme është që një pjesë e mirë e onomastikës ilire gjen shpjegim vetëm në gjuhën shqipe, po kështu, fakti që vetëm shqiptarët i përdorin këta emra, do të thotë se kemi lidhje origjine me ilirishten. Një pjesë e këtyre emrave, nga Antikiteti deri në ditët e sotme, janë zhvilluar sipas ligjësive fonetike të shqipes, pra, duke kaluar gojë më gojë të çdo brezi.

2 Gjuhë240

Kundërshtarët e tezës ilire sjellin si argument se emrat e vendeve në territoret shqiptare nuk janë të trashëguara nga ilirishtja, por janë të huaj, me prejardhje sllave dhe romake. Ata nuk tregojnë se janë zhvilluar sipas fonetikës historike të shqipes dhe dalin në përfundimin se nuk ka një vijimësi etnike gjuhësore nga ilirët te shqiptarët. Përkundër këtij qëndrimi, gjuhësia shqiptare dhe mjaft studiues të huaj kanë provuar se në territoret shqiptare ka një numër jo të vogël emrash të trashëguar që nga koha e ilirëve që nuk janë as romanë, as sllavë, apo grekë. Në studimet e tij, profesor Çabej ka treguar se këta emra kanë arritur në formën e tyre të sotme, pikërisht sepse janë zhvilluar sipas ligjeve të shqipes.

Si përfundim, mund të pohojmë se gjuha shqipe e ka prejardhjen nga ilirishtja, pasi shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë në troje ilire dhe historia nuk na dëshmon ndonjë shtegtim të tyre. Për më tepër, elementet e pakta gjuhësore që vijnë nga ilirishtja kanë gjetur shpjegim vetëm me gjuhën shqipe. Po ashtu, krahasimi i emrave të lashtë me format e sotme të shqipes, tregojnë se zhvillimi i tyre është bërë sipas rregullave fonetike të shqipes, pra ato kanë kaluar vetëm në gojë të shqiptarëve. Këto argumente të natyrës gjuhësore, por dhe historike, vijnë në ndihmë për të hedhur dritë mbi prejardhjen e gjuhës shqipe.

11. Lexoni esenë argumentuese më sipër dhe skiconi në fletore skeletin mbi të cilin është ndërtuar kjo ese.

12. Në esenë e mësipërme, gjeni fjalët lidhëse dhe thoni se ç’lloj raportesh vendosin ato mes argumenteve dhe pjesëve të tekstit.

13. Nga dy tezat e kundërta që janë paraqitur në vijim, zgjidhni tezën me të cilën pajtoheni dhe jepni dy argumente në mbështetje të saj.

Teza 1. Përdorimi i telefonit celular duhet të jetë i ndaluar për nxënësit në klasa dhe brenda mjediseve të shkollës.

Teza 2. Është e drejtë që të rinjtë ta përdorin telefonin celular në klasa dhe brenda mjediseve të shkollës.

Teza 1. Shitoret duhet të mbyllen ditën e diel.

Teza 2. Shitoret duhet të rrinë hapur edhe ditën e diel.

14. Në tekstin e mëposhtëm, vendosni fjalët e duhura lidhëse. (mirëpo, së dyti, prandaj, megjithatë; por, ndonëse, së pari, si përfundim, sidoqoftë)

Dënimi me vdekje zbatohet në shumë shtete, ______________ nuk ekziston në vendin tonë. _____________, shpesh, pas një ngjarjeje të rëndë kriminale, njerëzit nisin të kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. ________________ për mendimin tim, vendimi me vdekje nuk duhet të jetë në fuqi, për një sërë arsyesh.

Gjuhë 241

________________ arsyeja kryesore ka të bëjë me rrezikun e dhënies së dënimit me vdekje, një personi që mund të jetë i pafajshëm. Historia e gjyqësorit ka treguar që në jo pak raste, janë dënuar me vdekje njerëz që nuk kanë pasur gisht në krime.

_________________ një tjetër argument kundër vendimit me vdekje është se përmes këtij lloj ndëshkimi, shoqëria ushqen ndjenjën e hakmarrjes. _________ nuk është mirë që shteti të ekzekutojë individët dhe të tregohet hakmarrës. _______________ shpesh pretendohet se dënimi me vdekje i parandalon krimet dhe vrasjet, ____________ nuk duhet harruar se kur dikush kryen një krim, përgjithësisht nuk mendohet gjatë as për atë që kryen, as për pasojat e tij, apo dënimin që do të marrë.

jam e mendimit se dënimi me vdekje nuk është një praktikë që duhet rikthyer në legjislacionin e vendit tonë. Kriminelët duhen ndëshkuar me mënyra të tjera dhe këto mënyra janë më të mira, krahasuar me rrezikun e dënimit me vdekje të njerëzve të pafajshëm.

15. Plotësoni fjalitë me nga një argument.

a) Mbajtja e kafshëve në kopshte zoologjike mund të konsiderohet si diçka mizore, pavarësisht kësaj

b) Nëse keni biçikletë mund të lëvizni me lehtësi nëpër qytet, megjithatë

c) Ndonëse duhet të lodheni shumë për të mësuar një gjuhë të huaj,

ç) Pushimet në kampingje gjatë verës mund të jenë zbavitëse, megjithëse

16. Shkruani në fletore ose në kompjuter një ese argumentuese me titull “Edukimi fetar në shkollë”.

17. Të ndarë në grupe, gjeni në gazetë një artikull me natyrë argumentuese (opinion, editorial). Lexojeni artikullin me vëmendje dhe diskutoni rreth përmbajtjes dhe formës së tij:

A është bindës artikulli në fjalë? A mendoni se ka lidhje logjike mes argumenteve që janë paraqitur? A ka përsëritje argumentesh? A ka secili paragraf gjatësinë e nevojshme?

A është përdorur stili i duhur gjuhësor? A janë zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe shenjat e pikësimit (nëse jo, në cilat raste)? A janë përdorur siç duhet fjalët lidhëse?

________________
_______________________________________________________.
_______________________________________________________.
_______________________________________________________.
_______________________________________________________.
Gjuhë242

Gjuhë

Përdorimi i gjuhës në media të ndryshme

Drejt medias

Mjafton të shfletojmë në mënyrë të shpejtë një gazetë të përditshme apo të vizitojmë një portal në internet, për të kuptuar një fakt: në media flitet për gjithçka, nga politika te sporti, nga ekonomia te spektakli, nga kronika te recensionet letrare, duke u hedhur vazhdimisht nga një argument te tjetri, nga faqja në faqe. Secili argument trajtohet nga një specialist i fushës që, shumë herë, shprehet në gjuhën e tij profesionale. Në përgjithësi, profesionisti, në trajtimin e argumentit përdor një stil të caktuar, apo siç thuhet gjerësisht, stil mediatik.)

Gjuha e mediave

Tradicionalisht fjala tekst është parë si një pjesë, sekuencë e një materiali të shkruar, të printuar apo të folur. Tekstin e shkruar nuk e marrim vetëm nga gazeta apo libri. Tekste na japin edhe mediume të tjera që shfaqen përtej letrës së shtypur. Tekste mediatike janë gjithashtu ato informacione që na komunikohen nga televizioni, radioja, interneti.

Mediat janë të ndryshme, si rrjedhojë, edhe gjuhët mediatike janë të ndryshme. Çdo media ka gjuhën ose kombinimin e gjuhëve të saj, të cilën e përdor për të komunikuar kuptimin dhe qëllimin. Për shembull, televizioni përdor gjuhën verbale dhe atë të shkruar, gjuhën e imazheve lëvizëse dhe të tingujve. I quajmë gjuhë, pasi ato përdorin kode dhe shenja të njohura, të cilat kuptohen nga shumica e njerëzve. Kështu, për të përcjellë emocione të veçanta mund të përdoren tipa të ndryshëm muzike ose videosh. Në një sekuencë filmi ose në një faqe gazete kemi një renditje të pamjeve që i sjell kamera ose faqosja e gazetës, të cilat krijojnë dhe kanë gramatikën e tyre. Duke analizuar këto gjuhë, mund të kuptojmë më mirë se si sjellin mediat ide dhe kuptime të ndryshme.

Analiza e gjuhës mediatike

Të analizosh gjuhën e mediave do të thotë të analizosh ndërtimet dhe kuptimet: si i përdorin mediat gjuhët e ndryshme për të kombinuar idetë që synojnë të përcjellin; konvencionet: si bëhen të njohura dhe përgjithësisht të pranuara këto ndërtime dhe kuptime të gjuhës; kodet: cilat rregulla gramatikore janë të pranueshme për mediat; ç’ndodh kur këto rregulla thyhen;

Gjuhë 243

zhanret: si funksionojnë këto kode ose konvencione në tipa të ndryshëm të teksteve mediatike, p.sh. në lajme apo në filma aksion; zgjedhjet: zgjedhjet që bën autori apo autorët; cilat janë pritshmëritë e zgjedhjeve të tyre; cilat janë efektet e një forme të caktuar komunikimi ose gjuhe; p.sh. një film specifik i xhiruar me kamera apo i ndërtuar në kompjuter; kombinimet: p.sh. nga masa e madhe e intervistimeve, gazetari/regjisori zgjedh vetëm tre, të cilat i gjykon si të përshtatshme për t’i kombinuar me qëllimin dhe synimin e produksionit të tij mediatik.

Por në kohët e sotme, një ndryshim të ndjeshëm në gjuhën e teksteve mediatike ka sjellë edhe teknologjia. Interneti ka sjellë ndryshime të rëndësishme në ekosistemin mediatik. Numri i aktorëve dhe i platformave të komunikimit dhe të informimit është shumëfishuar. Kanë ndryshuar gjithashtu edhe mënyrat e prodhimit, të konsumimit dhe të shpërndarjes së informacionit.

Krahas mediave tradicionale, një rol gjithnjë e më të madh në procesin e informimit të publikut po marrin edhe mediat sociale. Ato po përvijohen si kanale të reja të lidhjes me publikun dhe të shpërndarjes së përmbajtjes. Por mediat sociale paraqiten edhe si një kanal i rëndësishëm i shpërndarjes së përmbajtjes së prodhuar nga vetë përdoruesit dhe publiku i gjerë

Qëllimi dhe ndërtimi i teksteve mediatike

Nëpërmjet gjuhës dhe mjeteve të tyre, mediat ofrojnë vetëm një pjesë të realitetit. Përfaqësuesit e tyre zgjedhin, kombinojnë, shndërrojnë ngjarjet në histori, krijojnë karaktere dhe e orientojnë marrësin ta shohë botën nga këndvështrimi që ofrojnë ato. Pra, mediat na ofrojnë një version të realitetit. Por publiku (audienca), me përvojën e tij, krahason mediat, si dhe gjykon deri në ç’pikë janë të besueshme ato. Realiteti i përfaqësuar nga mediat mund të jetë i vërtetë në një aspekt dhe i pavërtetë në një tjetër: ne mund ta dimë që një lajm është i sajuar, por ai përsëri i referohet një realiteti të caktuar.

Të ndërtosh tekste mediatike do të thotë: të ruash objektivitetin: një tekst mediatik duhet të jetë realist. (Por ky parim nuk ruhet gjithmonë, ndaj disa tekste duken më pak realiste se të tjerat. Objektiviteti varet edhe nga lloji i tekstit mediatik.); të thuash të vërtetën: duke qenë besnike të realitetit, mediat arrijnë të thonë të vërtetën për botën. Por a ndodh gjithmonë kështu? Në të vërtetë, mediat sjellin gjithmonë një këndvështrim të caktuar të realitetit, sipas synimit të tyre.

Për të pasur një informacion mediatik të saktë, media ka për detyrë: të mbështesë pikëpamje të caktuara mbi botën, të bëhet pjesë e vlerave morale dhe politike; të paraqesë stereotipat: duke përfaqësuar grupe të caktuara sociale, mediat duhet të zgjedhin përfaqësime të sakta stereotipike, duke qenë se informacioni i tyre do të ketë shtrirje të gjerë; të bëjë interpretime: interpretimet mediatike ndikojnë në pikëpamjet tona rreth grupeve apo problemeve shoqërore.

Tekstet mediatike zakonisht hartohen sipas parimit drejtues të organizimit stilistik, në të cilin ndërthuren: mjetet e zakonshme të gjuhës standarde (përgjithësisht asnjanëse); grupet stereotipe (grupe fjalësh të gatshme për një situatë të caktuar); mjetet shprehëse (mjete që shprehin qëndrimin dhe anën emocionale të shkruesit).

Gjuhë244

Verifikoni njohuritë

1. Cili quhet stil mediatik? Jepni shembuj nga njohjet që keni rreth disa stileve të ndryshme mediatike.

2. Kemi pohuar që mediat kanë gjuhën e tyre, p.sh. thamë se televizioni përdor gjuhën verbale dhe atë të shkruar, gjuhën e imazheve lëvizëse dhe të tingujve. Përse këto mjete shprehëse shumë specifike i emërtojmë gjuhë? Argumentoni përgjigjen tuaj me elementet që e përbëjnë atë.

3. Ç’do të thotë të analizosh gjuhën e mediave?

4. Ç’do të thotë të ndërtosh tekste mediatike? A lidhet kjo me qëllimin e tyre?

5. Tekstet mediatike zakonisht hartohen sipas parimit drejtues të organizimit stilistik. Cilat ndërthuren në to?

Analizë e tekstit mediatik

Kjo është krejt e gabuar. Unë nuk duhet të jem këtu. Unë duhet të kthehem në shkollë, në anën tjetër të oqeanit. Ju vini te ne të rinjtë për të na dhënë shpresë. Si guxoni?!

Ju më keni vjedhur ëndrrat dhe fëmijërinë me fjalët tuaja boshe. E megjithatë unë jam një prej atyre personave me fat. Njerëzit po vuajnë. Njerëzit po vdesin. Ekosisteme të tëra po shemben. Jemi në fillimin e një zhdukjeje masive, por ndërkohë ju flisni vetëm për paratë dhe përrallat e rritjes së përjetshme ekonomike.

Si guxoni!

Kjo është e gabuar. Për më shumë se 30 vjet, shkenca ka folur qartë. Si guxoni të vazhdoni të shikoni larg dhe të vini këtu e të thoni se po bëni të pamundurën, kur politika dhe zgjidhjet e nevojshme nuk duken askund.

Thoni se na dëgjoni dhe se e kuptoni rrezikun. Por, megjithëse jam e trishtuar dhe e zemëruar, nuk dua ta besoj këtë. Sepse, nëse me të vërtetë do ta kuptonit situatën dhe do të vazhdonit të mos ndërmerrnit asnjë veprim, atëherë do të ishit të poshtër. Dhe këtë gjë unë nuk pranoj ta besoj.

(Fragment nga fjalimi i Greta Thunbergut, drejtuar liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, për rrezikun që sjell ngrohja dhe ndotja globale.)

Ushtrohuni përmes tekstit

(Dëgjoni fjalimin e G. Thunbergut para se të kaloni në analizën e fragmentit.)

6. Diskursi i vajzës 17-vjeçare para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara synon të përcjellë me objektivitet një problem global. Cili është informacioni që kumtohet?

7. Gjuha e mediave shfrytëzon kodet e komunikimit dhe strukturat e leksikut specifik. Analizoni thënien: Ekosisteme të tëra po shemben. Analizën mbështeteni te: kuptimi që ajo bart (informacioni përmes kuptimit); konvencionet (shfrytëzimi i shenjave për kumte të drejtpërdrejta apo të ndërsjella).

8. Edhe përtej këtij fragmenti, gjithë diskursi i folëses ndërtohet mbi ndërthurjen e fjalisë së shkurtër me fjalinë e gjatë me nënrenditje. Analizoni mjetet shprehëse të sintaksës, duke pasur parasysh:

STUDIM TEKSTI
1 Gjuhë 245

bashkërendimin e synimit të thënies me kombinimet e llojeve të fjalive; lidhjen e llojit të fjalisë së përdorur me intonacionin që duhet ta shoqërojë thënien.

9. Në gjuhën mediatike, të paraqesësh stereotipat do të thotë të përfaqësosh grupe të caktuara sociale, përfaqësime të sakta. Cilat janë grupet stereotipe të shprehura në këtë tekst mediatik?

10. Një nga mjete shprehëse që godet në këtë fjalim është përdorimi i vetës së parë numri njëjës unë dhe i vetës së dytë shumës ju. Cilat shtresa sociale përfaqësohen mediatikisht nëpërmjet këtij përdorimi dhe cili është raporti i tyre me informacionin qendror? Analizoni se si ky përdorim shpreh qëndrimin dhe anën emocionale të Gretës.

Lufta është një gjë e ndyrë, që ne në fakt nuk e kemi hasur vetëm në këto momente që Kosova është duke pritur bombat e NATO-s. Unë për herë të parë e kam mësuar atë, kur kam parë fytyrat e refugjatëve në të gjitha luftërat e ish-Jugosllavisë. Kam qenë duke udhëtuar me linjën e fundit, që linte Kroacinë pak përpara se lufta të shpërthente dhe megjithëse kisha një biletë të rregullt, e kam gjetur veten në një radhë të pafundme për të arritur një aeroplan. Burrat shtynin gratë dhe fëmijët për të ikur nga të mundeshin. Çdo njeri donte t’i shpëtonte luftës, dhe kjo edhe nëse do të duhej që do të liheshin gra dhe fëmijë nga mbrapa. Unë jam duke shkruar (dje) nga zyra ime në Prishtinë, vetëm pak orë para se të fillojnë sulmet e NATO-s mbi pozicionet serbe. Lufta sot duket aspak më e mirë se ajo më përpara në Zagreb. Unë e di se lufta këtu (gjakderdhja) do të mbarojë më shpejt sesa e kam menduar, sepse për herë të parë makina të Millosheviçit do të konfrontohen me një armatë më të fuqishme që i takon asaj të aleancës së NATO-s. Unë e di se një nga rezultatet e sulmeve të ardhshme ajrore do të jetë shkatërrimi i makinës ushtarake të Millosheviçit deri në atë masë që ajo nuk do të jetë kurrë më si ka qenë deri tani ose si ka qenë për të gjithë këtë shekull. (Veton Surroi, gazeta “Koha Jonë”, 25 mars, 1999)

Ushtrohuni përmes tekstit

Ky shkrim mediatik është një nga kronikat më rrëqethëse të Luftës së Kosovës.

11. Gjuha mediatike e përdorur në këtë diskurs ngërthen disa lloje ligjërimesh, ku vërehet mungesa e një konsekuence shkrimore. Argumentoni se përse vjen ky lloj ligjërimi? Lidhni argumentet tuaja me kontekstin politik e historik në të cilin është shkruar ky tekst.

12. Analizoni shkrimin kronikë nga pikëpamja e stilit. Evidentoni në diskurs mjetet e zakonshme dhe mjetet shprehëse, duke analizuar: leksikun e përdorur: ndani leksikun profesional nga ai i zakonshëm; vlerësoni përdorimin e gjuhës së përdorur në marrëdhënie me standardin.

13. Përcaktoni synimin e këtij diskursi dhe evidentoni fjalët që përmbushin këtë synim.

14. Teksti që lexuat ndërthur ligjërimin bisedor me atë libror. Përcaktoni mjetet e secilit ligjërim dhe tregoni lidhjet mes tyre. Mbani në vëmendje standardin dhe shmangien nga ai.

15. Argumentoni lidhjen e kombinimit të dy ligjërimeve me synimin e artikullit. A ndikon kjo te lexuesi? A varet ky kombinim nga tipologjia e audiencës?

16. Teksti përshkohet nga përdorimi i shumë emrave të përveçëm të cilët krijojnë një hartë orientuese për lexuesin e kronikës. Duke i evidentuar këto shenja, tregoni se për ku e orienton lexuesin kjo hartë imagjinare.

2 Gjuhë246

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën, të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç përcaktohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

Ushtrohuni përmes tekstit

Lexoni me zë nenet

funksionet e këtij artikulli.

18. Identifikoni dhe vendosni në tabelë: Fjalë të fjalorit asnjanës Fjalë të fjalorit profesional Fjalë me ngarkesë emocionale

19. Pasi bëtë identifikimet e duhura, përcaktoni nëse gjuha e tekstit është objektive apo subjektive. Argumentoni nga se kushtëzohet ky lloj përdorimi.

20. Dalloni tri shtresa të leksikut: Leksikun e përgjithshëm; leksikun terminologjik; emërtesat. Argumentoni synimin e secilit dhe arsyet e zgjedhjeve e kombinimeve mes tyre.

21. Analizoni format foljore dhe përemrat. Gjeni vargje anaforike. Si lidhen ato me tipologjinë e shkrimit dhe me diskursin mediatik? Në argumentimin tuaj mbani parasysh: strukturat emërore dhe shmangiet e përsëritjeve; sqarimin dhe saktësimin e përemrave; mungesën e emocionalitetit.

(Deklarata e Pavarësisë së Kosovës)
e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. 17. Cila është audienca e këtij diskursi? Përcaktoni
3 Gjuhë 247

Në çdo marrëdhënie njerëzore, gjëja më e rëndësishme është komunikimi... Të flasim... Më ka marrë malli për kohën kur mblidheshim rreth përparëses së gjyshes dhe ajo fliste e ne dëgjonim. Ajo tregonte dhe ne pyesnim, mendonim dhe flisnim. Pastaj përsëri mendonim dhe pas çdo mendimi ishte një pyetje e një përgjigje. Ne flisnim. Por njerëzit nuk e bëjnë më: nuk ulen për të biseduar dhe për të dëgjuar të tjerët. Sot shkojmë në kinema, teatër, shohim televizor, dëgjojmë muzikë dhe merremi aq shumë me memecërinë e telefonave që, si për ironi të fatit, i kemi emërtuar «të zgjuar”. E ndërsa bëjmë këtë, askush nuk flet, pothuajse asnjëherë.

Flasim vetëm kur ankohemi për të thënë: kjo jetë nuk do të ndryshojë kurrë. Nëse duam të ndryshojmë jetën tonë, nëse duam të gjejmë se ku do të shkojmë, duhet të kthehemi në kohët kur mblidheshim rreth zjarrit e dëgjonim të vjetrit kur na tregonin historitë e tyre. Ata tregonim e ne pyesnim. Duke folur, shkëmbenim përvojat tona. (N. Poroçani)

Ushtrohuni përmes tekstit

22. Problematika e trajtuar i përket llojit: politik; administrativ; social? Pse?

23. Nisur nga mjetet shprehëse që përdoren, kemi të bëjmë me një tekst mediatik letrar. Ndaluni te grupet e fjalëve:

a) mblidheshim rreth përparëses së gjyshes;

b) pas çdo mendimi ishte një pyetje e një përgjigje;

c) merremi aq shumë me memecërinë e telefonave; ç) i kemi emërtuar “të zgjuar”;

d) kohët kur mblidheshim rreth zjarrit.

Analizoni shmangiet kuptimore që ka pësuar secili grup. Mbështetuni te fjala që mban peshën drejtuese të kuptimit të ri të fituar. Si e orienton fjala drejtuese kuptimin e grupit? Lidheni kuptimin e ri të fituar me informacionin që kërkohet të shpërndahet.

24. Kontrasti është themeli i ndërtimit strukturor të këtij diskursi. Ky kontrast i ka shmangur mjetet shprehëse stereotipike dhe ka ofruar mjete shprehëse artistike, nëpërmjet së cilave ai lokalizon edhe shtresat sociale që zgjedh si audiencë. Identifikoni audiencën, duke e lidhur këtë proces me kontrastin ku mbështetet konceptimi.

25. Ky diskurs mediatik përmban në thelb shqetësimin për mungesën e komunikimit. Rrugëzgjidhjen e jep që në hyrje nëpërmjet shkallëzimit rritës të shprehur me foljet: tregonte, pyesnim, mendonim, flisnim. Argumentoni pse kjo është rruga që ofrohet si zgjidhje. A është e drejtë dhe objektive? Mendoni se ky artikull mediatik ka pasur lexueshmëri të lartë? Pse?

26. Kalimi i ligjërimit nëpër veta të ndryshme i jep diskursit nuanca të dinamikës së lëvizjes. Ndahuni në tri grupe. Caktoni një lexues për secilin grup, i cili të lexojë me intonacion një paragraf. A ndikon larmia e përdorimit të vetave në tonin e të lexuarit? Pse?

Sfida e të shkruarit

27. Ndiqni në TV ose Youtube disa seri të një emisioni mediatik që ju duket interesant. Mbani shënime rreth gjuhës së përdorur nga drejtuesi i emisionit. Shkruani një punim raportues mbi: gjuhën e drejtuesit; rolin e gjuhës gjatë emisionit; pasurinë e gjuhës; shtjellimin apo devijimin nga tematika.

4
Ferdinand Georg Waldmüller
Gjuhë248

Gjuhë Prania dhe mosprania e figurës

1. Lexoni dy tekstet e mëposhtme. Ndonëse janë shkruar nga i njëjti autor, ato kanë dallime thelbësore: Pavarësimi i letërsisë dhe i artit bëhet gjithnjë e më i vështirë. Megjithatë, ne shkrimtarët jemi të bindur se arti nuk do ta ngrejë flamurin e dorëzimit. Qëkur po përmend këtë fjalë të ashpër, mendoj se duhet t’i kthehemi sërish vizionit të dy botëve që gjenden ballë për ballë në pritje të një fitoreje: botës reale si dhe botës së artit. Sigurisht, ka shumë dallime mes tyre, por njëri prej tyre qëndron kolosal mbi gjithë të tjerët. Ndërsa në konfliktin e vet me artin, bota e vërtetë arrin në një tërbim të tillë që t’i turret botës rivale për ta shkatërruar krejt, përkundrazi, bota e artit në asnjë rast – e përsëris – në asnjë rast, nuk e ka sulmuar botën reale me qëllimin për ta dëmtuar, por veç me synimin për ta bërë atë më të bukur e më të përshtatshme. Ky është një dallim thelbësor mes dy botëve. Dhe në këtë rast, ky ndryshim nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon pavarësinë e vërtetë dhe sublime të artit.

(Fjalimi me rastin e marrjes së çmimit “Princi i Asturias për Letërsinë”, I. Kadare)

Në tendë të zihej fryma. Kronisti shkroi me mundim edhe disa rreshta dhe mbështeti ballin te dora. Nuk i punohej. Gjëmimi i topave i shpërndante mendimet si tufë stërqokash. Për të dhjetën herë lexoi frazën e lënë përgjysmë “Krokodilët e detit të luftës u sulën shumë herë kundër mureve, por fati...” . Deti i luftës. Ai mendoi se këtë shprehje e kishte gjetur shumë mirë, por kishte njëfarë dyshimi për fjalën “krokodilët”. Dihej se krokodilët nuk jetonin ndër dete, por ndër lumenj, kështu që, për të qenë fraza e saktë, duhej thënë: “Krokodilët e lumit të luftës” . Mirëpo shprehja “lumi i luftës” nuk e kishte kurrsesi fuqinë e “detit të luftës”, që të sillte menjëherë ndër mend uturimën, valët e pambaruara dhe egërsimin e beftë të përleshjes. Më lehtë ai mund të flijonte fjalën “krokodilët” sesa “detin e luftës”. Madje, në fillim, duke kërkuar një krahasim për ushtarët që notonin në këtë det, ai kishte sjellë ndër mend të gjitha gjallesat e detit, por asnjëra nuk i ishte dukur e përshtatshme për ushtarët e lavdishëm. Fjala “peshqit” ngjante e butë dhe e lëmuar, “peshkaqenët” tepër dinake dhe grabitqare, “balena” e ngathët, “tetëkëmbëshi” i neveritshëm. Kurse “krokodilët”, si nga forca, si nga rrezikshmëria, e jepnin saktë rrëshqitjen e ushtarëve drejt mureve të kështjellës. Aq më tepër që luspat e forta dhe të pashpueshme, që u mbulojnë trupin, ngjanin aq fort me mburojën e ushtarit.

1 2
Gjuhë 249

a) Përcaktoni llojin e tekstit (letrar/joletrar): teksti i parë teksti i dytë

b) Lidhni me shigjetë: gjuhë figurative e ngarkuar përdorim i limituar i figurave teksti i parë gjuhë më e drejtpërdrejtë teksti i dytë i dendur me figura të kuptimit i dendur me figura të të gjitha llojeve

c) Tregoni imazhin që krijojnë figurat: flamuri i dorëzimit bota e vërtetë arrin në një tërbim të tillë shpërndante mendimet si tufë stërqokash krokodilët e lumit të luftës lumi i luftës deti i luftës

d) Gjeni një neologjizëm në tekstin e parë dhe, pasi të përcaktoni klasën së cilës i përket, lidheni krijimin e neologjizmit me qëllimin e tekstit.

e) Plotësoni diagramin e Venit. Në bashkësitë përkatëse vendosni karakteristikat gjuhësore të secilit tekst. Ku priten ato?

2. Lexoni dy shprehjet: Netët e gjata të dimrit dhe Pushteti i zi i natës. a) Ku dallohen nga ana kuptimore?

b) Po nga ana ndërtimore?

c) Shkruani nga një fjali me secilën prej tyre. Tregoni se në ç’lloj teksti do të përfshinit secilën fjali.

3. Duke njohur perifrazën si figurën që tregon mbi një person, send a dukuri me anë të një grupi fjalësh, analizojeni atë në vargjet e mëposhtme:

Tek buron ujët e ftohtë dhe fryn veriu në verë, tek mbin lulja me gaz shumë dhe me bukuri e me erë, ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtia, ku mërzen cjapi me zile, atje i kam mend e mia.

(“Bagëti e bujqësi”, N. Frashëri)

Gjuhë250

a) Si lidhet ajo me synimin e poetit?________________________________________

b) Është përdorur ajo në kuptimin eufemik apo si ornament stilistik? Pse?

c) Shkruani një paragraf ku të përdorni parafrazën me qëllime eufemike.

4. Kujtoni: metafora si figurë përftohet duke përdorur një fjalë ose një grup fjalësh në një lidhje të re, në bazë të marrëdhënieve të ngjashmërisë. Lexoni vargjet:

Kur hapet perëndimi pas maleve përposh, Ti vjen, o motr’ e ëmbël, në shpirt të më qëndrosh; Ti zbret vetëtimtare, e fellë-edhe më fellë; Në fund të zemrës s’ime fundet posi një djellë.

(“Mbretëria e zemrës”, L. Poradeci)

a) Evidentoni në metaforë dhe analizoni lidhjet gjuhësore të fjalëve brenda grupit që identifikuat.

b) Cila fjalë mban peshën më të madhe kuptimore brenda metaforës?

c) Cili është kuptimi i parë dhe cili kuptimi i figurshëm që ka fituar grupi i fjalëve?

d) Po synimi i metaforës brenda strofës, cili është?

5. Në vargjet e mëposhtme vërejmë përdorimin e qëllimshëm të metaforës:

Molla t`kputuna nji deget dy qershia lidh n`nji rrfanë, ku fillojnë kufijtë e Geget, rrijnë dy çika e nji nanë. (“Juvenilja”, N. Mjedja)

Luletë të dinin mike sa të dua këtu do të vinin të qajnë me mua (Çajupi)

a) Analizoni mekanizmin e ndërtimit të metaforës “molla t’kputuna”.

b) Analizoni mekanizmin e ndërtimit të metaforës “luletë të dinin”.

c) Tregoni klasën e fjalëve me të cilat është ndërtuar metafora në secilin rast.

d) Ndërtoni nga tri metafora: emërore, foljore, mbiemërore.

Gjuhë 251

6.

a) Lexoni poezinë dhe plotësoni tabelën e mëposhtme:

Allalla, o rezil e katil, allalla, Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda, Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma, Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe, Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe, Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe, Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!

0 stërnip i Kainit, tepdil si bari, Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi, Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli; 0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!

Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh, Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh, Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh, Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Baraba! (“Marshi i Barabajt”, F. Noli)

NR. Grupimi Shembulli Lloji Imazhi Ndjesia që përcjell

1 Figura të sintaksës poetike

2 Figura të kuptimit

3 Figura të shprehjes

4 Figura tingullore

5 Figura të intonacionit poetik

Qëllimi i përdorimit

b) Synimi i Fan Nolit në këtë krijim ka qenë denigrimi i armiqve të tij politikë. Analizoni lidhjen e tonit dhe gjuhës së figurshme me këtë qëllim. Ndaluni te figurat. E ka arritur Noli synimin e tij? Pse?

7. Kujtoni! Një term konkret ngrihet në cilësinë e simbolit në ligjërimin poetik, duke iu vënë theksi te cilësia mbizotëruese, duke anashkaluar cilësitë e tjera. Lexoni vargjet.

Fluturonte korbi npër qiell Npër qiell, përmbi shkambij Shkonte e vinte rrotull

a) Sipas perceptimit tuaj si lexues, kë simbolizon korbi?

b) Cila cilësi mbizotëruese e tij është theksuar?

E shikonte kodra e lugina

As po e gjen kund ndonji krue Me e shue etjen e madhe...

(“Korbi”, M. Camaj)

c) Gjuha e vargjeve është e drejtpërdrejtë apo e nënkuptuar? Pse?

Gjuhë252

8. Kujtoni! Alegoria është e afërt me metaforën si figurë, veçse në të nuk kemi ndryshim të kuptimit të fjalëve, por një kuptim të thellë e të fshehur. Lexoni vargjet. Zgjodhi pylli Qeverinë. Ujku kapi Blegtorinë, Goxha peshë si Dikaster. I shkon tigri: – Bëmë nder,

Ta drejtoj dhe unë një grigjë, Brez pas brezi biem miq! – Ç’biem? – ujku shqyen sytë. – Jemi baxhanakë të dytë!... (“Ujku minister”, F. Lamaj)

a) Identifikoni simbolet:

b) Çfarë simbolizojnë ato?

c) Gjuha e përdorur është e drejtpërdrejtë apo e nënkuptuar? Pse?

d) Cilin kuptim ka fshehur alegoria në këtë fabul?

9. Shkruani një paragraf joletrar, ku të përdorni një gjuhë pjesërisht të figurshme.

10. Shkruani një tekst letrar, ku të përdorni të gjitha llojet e metaforave.

11. Shkruani një tekst letrar, ku të satirizoni një dukuri negative të shoqërisë shqiptare.

12. Shkruani një ese, në të cilën të përdorni figurën e shqiponjës në funksion simboli dhe me një gjuhë alegorike lidheni atë me fatin e kombit shqiptar. Mund ta nisni me fjalët tashmë emblematike: ...ky është flamuri më i bukur në botë...

Gjuhë 253

Letërsi Zhvillime letrare shqipe

Zhvillimet letrare të gjysmës së dytë të shek. XX janë ndarë nga studiuesit në disa periudha. Ndër to, periudha e parë përbën dallimin kryesor me periudhat e tjera. Ajo është përcaktuar nga viti ‘45 deri në vitet ‘60. Me të drejtë, disa nga studiuesit e kanë quajtur periudhë shterpë në letërsinë shqipe. Ky pohim vërtetohet lehtë, po të kemi parasysh letërsinë pararendëse, të përfaqësuar nga emra mjaft të afirmuar dhe një pjesë e tyre mjaft koherentë në imazhe dhe stil me letërsinë e huaj (Koliqi, Migjeni, Lasgushi, Kuteli etj.).

Kështu që para viteve ’50, në Shqipëri u kodifikua letërsia e realizmit socialist (ose socrealizmi), e cila e shikonte letërsinë në funksion të militantizmit politik, për t’i shërbyer ideologjisë së sistemit të instaluar pas ‘45-s në Shqipëri. Kjo lloj letërsie paraqitej e skematizuar brenda kornizave të caktuara ideologjike (duhej të trajtoheshin tematika që lidheshin me ideologjinë e kohës, personazhet duhej të kishin tipare përfaqësuese të moralit e ideologjisë së partisë, teksti ishte i mbushur me steriotipe-parullë për të ngulitur ideologjinë etj.). Një situatë e tillë, në Shqipëri zgjati përafërsisht deri në vitet ‘60. Duhet thënë se në Kosovë, pavarësisht zhvillimeve të ngjashme politike, asnjëherë nuk u realizua një izolim i plotë dhe një skematizim estetik ekstrem si në Shqipëri. Po kështu, nuk u ndërpre lidhja me traditën letrare. Një rol mjaft të rëndësishëm në promovimin e veprave dhe autorëve kanë “Jeta e re” (revistë, 1949) dhe “Rilindja” (gazetë, 1945). Duhet shtuar se edhe hapja ndaj letërsisë amë (të Shqipërisë) dhe asaj të huaj, në Kosovë filloi shumë më përpara se në Shqipëri, rreth viteve ‘70. Një fakt i tillë shpjegon teknikat mjaft moderne të përdorura që herët nga autorët kosovarë. Në vijim po japim tiparet dhe përfaqësuesit e këtyre zhvillimeve në Shqipëri dhe Kosovë.

Zhvillimet letrare në Shqipëri

Zhvillimet letrare pas Luftës II Botërore në Shqipëri, siç thamë, u krijuan në kuadrin e një shkëputjeje pothuajse të plotë nga tradita dhe shembujt e saj të shkëlqyer, si dhe nga zhvillimet koherente europiane dhe botërore. Një gjë e tillë nuk u shpall hapur, por në emër të pastërtisë ideologjike, reduktohej dukshëm marrëdhënia me përvojat e tjera të së kaluarës, kurse në emër të vazhdimësisë së marrëdhënieve me përvojat e tjera, ndërpritej komunikimi intensiv me të kaluarën autoktone, pra traditën. Në këtë kontekst, deri në vitet ‘90, u ndaluan në mënyrë të dhunshme Gjergj Fishta, Ernest Koliqi etj. Kurse Naimi, Çajupi, Migjeni u botuan qysh në fillim në “letërsinë e re”, megjithëse veprat e tyre u censuruan, nuk u botuan të plota, por me shkurtime. Noli, Mjedja e Asdreni iu shtuan pak më vonë kësaj letërsie, por duke u mohuar një pjesë të letërsisë së tyre deri vonë. Ali Asllani, Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli, që nuk e lëvruan menjëherë (në fakt, asnjëherë) “estetikën e letërsisë së re”, praktikisht mbetën të mënjanuar, megjithëse nuk u ndaluan kategorikisht.

Gjigandi metalurgjik, Isuf Sulovari (1974)
Letërsi254

Promovuesit “e letërsisë së re” të realizmit socialist ishin: Dhimitër Shuteriqi, Shefqet Musaraj, Andrea Varfi, Kolë Jakova, Aleks Çaçi, Mark Gurakuqi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi etj. Në këtë kohë, në letërsi vihen re tonet mohuese ndaj së shkuarës, si dhe tonet patetike dhe demagogjike, njëkohësisht, për të renë revolucionare. Ndryshimi që u planifikua të kryhej në realitet kishte në bazë dhunën, e cila reflektohej edhe në letërsi: “Ta çojmë grushtin! Minat botës vjetër! / Se ne do të farkojmë përmbi dhe / një botë më të mirë: botën tjetër!” (Andrea Varfi).

Në periudhat në vijim dhe veçanërisht pas viteve ‘60 nisi edhe njëfarë debati në lidhje me estetikën që promovohej. Zanafillën mund ta shohim te ndonjë shkrim i Drago Siliqit, mes viteve ‘50, i cili ankohej për skematizmin (rregullat e ngurta për të gjithë shkrimtarët, duke krijuar një skemë të përbashkët krijimi) në letërsi (“Për unin tim dhe tëndin” apo “Shënime letrare”, 1955).

Aktiv shfaqet në këtë kohë Dritëro Agolli, i cili debatonte me Mark Gurakuqin, në lidhje me uniformitetin (të njëjtat tematika dhe thuajse i njëjti stil) në poezi, duke e kundërshtuar atë (“Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, Arti dhe koha). Agolli i përket atij grupi shkrimtarësh, të cilët megjithëse kanë shkruar edhe në kornizat e realizmit socialist, përsëri kanë ditur të gjejnë mënyra trajtimi si në aspektin stilistik, ashtu dhe në atë tematik, që të dalin nga kuadri i kësaj letërsie.

Megjithatë duhet thënë se në veprën e tij gjen vargje tipike të letërsisë së realizmit socialist, si këto: Ne komunistët vramë lubinë që sillte skamjen prej / kobi / Dhe thyem zgjedhën e punës dhe zgjedhën e krahut (“Nënë Shqipëri”, 1974).

Në këtë kontekst janë edhe poezi të caktuara të Ismail Kadaresë (“Shqiponjat fluturojnë vetëm lart”), Bardhyl Londos (“Ti je zemra Parti”), Fatos Arapit (“Alarme të përgjakura”), Xhevahir Spahiut (“Ditëlindja e madhe”) etj.

I përmendëm këta emra mjaft të njohur si përfaqësuesit më të mirë të letërsisë sonë, për t’ju kujtuar që shumica prej tyre ishin të detyruar të bënin edhe vepra të tilla, për arsye të mbijetesës së tyre fizike e profesionale. Shumë kolegë të tjerë të tyre që nuk e bënë këtë, u vranë, u persekutuan ose u izoluan fizikisht e profesionalisht. Kështu, përmendim rastin e Genc Lekës, Vilson Blloshmit, Havzi Nelës, që u pushkatuan për hir të poezisë që shkruanin. Zef Zorba u burgos dhe nuk u lejua të botonte asgjë gjatë viteve të diktaturës. Po kështu, Frederik Rreshpja e Kasëm Trebeshina u burgosën dhe u persekutuan. Gjithsesi, ashtu siç pohojnë edhe studiuesit, shkrimtarët tanë më të mirë, pavarësisht represionit të pashoq, u munduan në mënyrat e tyre origjinale për të gjetur teknika dhe motive që dilnin jashtë kuadrit të kornizave të socrealizmit. Kështu, Dritëro Agolli filloi të eksperimentonte me figurën e heroit lirik (realizmin lirik, siç njihet ndryshe). Vihet re edhe nga titujt që në këto poezi kemi afrim drejt individit, aspektit personal të tij, metafora është më shprehëse dhe e paideologjizuar, ka një frymë rinore e moderniteti në krahasim me kohën (“Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuaresh”, “Mesditë”, “Fjala gdhend gurin” etj.).

I tillë jam.

Lulet e jetës, Jorgji Gjikopulli 1970
Letërsi 255

Dua t’udhëtoj përhera, T’udhëtoj me gazetën në xhepa, Me fletore shënimesh, me dhjetë cigare “Riviera” Brigjeve me pisha, lugjeve me plepa. (1979)

Mjaft i dallueshëm në këto vepra është motivi i udhëtimit, që gjendet në disa poezi të tij, si një mundësi eksplorimi e heroit lirik të tij. Nuk mund të lëmë pa përmendur satirën e parodinë e hollë, të ndërtuar në linja e personazhe të tipizuara të kohës që, me një humor të ngritur mbi bazën e ndërthurjes së regjistrave të ndryshëm që nuk përputhen me brendinë e asaj që thuhet, stigmatizon pjesë të caktuara të shoqërisë së kohës. (Qose: njeri që nuk ka provuar gëzimin e aktit të të rruarit. - “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”). Natyrisht, pas viteve ‘90, poezia e tij shpërthen në ndërtim, në metrikë, në muzikë, në motive.

Ismail Kadare përbën rastin klasik të një mjeshtri të stilit, i cili arriti që edhe në diktaturë të bënte letërsi të një niveli shumë të lartë, duke shfrytëzuar historinë, folklorin, mitin etj., në funksion të teksteve të tij alegorike, nëpërmjet të cilave stigmatizohej regjimi dhe përfaqësuesit e tij.

Po kështu, Frederik Reshpja, në 1973-shin, trajton kodet e nderit të shqiptarit (në këtë rast, atë të qëndresës), duke i konceptuar si mite: Nga mitet që populli im ka krijuar / E ka rikrijuar nëpër shekuj / më i bukuri dhe më aktuali / Miti i qëndresës.

Fatos Arapi gjithashtu është një shkrimtar që qysh në periudhën e parë të socrealizmit, filloi të dilte jashtë estetikës së kësaj të fundit. Kështu, ai dhe disa shkrimtarë të tjerë, si Bilal Xhaferri, Kadare etj., filluan të përpunonin krahasimin. Tek Arapi, gjysmëhëna e ngrënë krahasohet me një fjalë të thënë përgjysmë, kurse minareje e vjetër, me një mendim turk etj. Në këtë mënyrë, ai shtron udhën e tij në përftimin e metaforës dhe simbolit të ngritur me këto imazhe, që nuk ishin të zakonshme (po të kemi parasysh krahasimin e thjeshtë e jo të zgjeruar me lidhëzën si).

Bilal Xhaferri i përket grupit të shkrimtarëve që u persekutuan. Në tekstet e tij, stina e vjeshtës përqaset me një gjyshe të plakur, por të dashur, kurse hëna e Çamërisë së masakruar, me një dele të ndarë nga kopeja.

Në këtë mënyrë, ata ulën tonet euforike-demagogjike, duke e drejtuar vëmendjen drejt jetës së zakonshme, jetës së fshatit a qytetit, intimes etj. Madje, në periudhën në vijim, pati edhe një prirje drejt kontrastit: “Toka ime - e ashpra e buta” (Fatos Arapi). Vihet re antiteza me alternim diametralisht të kundërt “e ashpra - e buta”. Gjithashtu, autorët filluan të vinin në punë personifikimin, që mishërohet edhe në metaforë, edhe në krahasim etj. Kjo gjë i ndihmonte ata të fshihnin pjesët e ndryshme të poetikës ndryshe (“U enda porsi ujk / dhe mbeta i pazbutur / ujk përjetë...”, Bilal Xhaferri).

Duhet theksuar se ndikim mjaft negativ në konceptimin e krijimtarisë artistike pati edhe vënia e standardit (gjuhës letrare) si variant i detyrueshëm edhe në gjuhën e letërsisë. Kjo dëshmohet lehtësisht nga emërtimi që ka pasur gjerësisht në atë kohë: gjuhë letrare Kështu, në mënyrë të qëllimshme, u ndërhy edhe në aktin krejt personal, individual, subjektiv, siç është procesi krijues. Kjo natyrisht ndikoi edhe në origjinalitetin e ndërtimit, melodisë, ritmeve etj. dhe në unifikimin e shprehjes.

Dritëro Agolli
Letërsi256

Verifikoni njohuritë

1. Letërsia pas Luftës së Dytë Botërore është emërtuar nga kritika si periudha e shkretëtirës letrare. Pse është emërtuar kështu dhe çfarë ndikimi pati realizmi socialist si doktrinë në këtë lloj letërsie?

2. Shkëputja nga tradita dhe nga kontaktet me letërsinë e huaj u realizuan duke përdorur argumente në pamje të parë joideologjike. Cilat ishin këto argumente dhe çfarë qëndrimi u mbajt në lidhje me shkrimtarë të traditës?

3. Estetika e socrealizmit pati parimet e veta me të cilat kërkonte uniformitetin edhe në letërsi. Cilat ishin këto parime dhe hartuesit e tyre?

4. Pavarësisht uniformitetit që kërkonte të vinte edhe në letërsi estetika e socrealizmit, shkrimtarë të caktuar patën guximin të debatonin në lidhje me këto kërkesa edhe në mënyrë të hapur. Cilët ishin këta? A e lëvruan gjithsesi një pjesë e mirë e shkrimtarëve të njohur këtë lloj letërsie dhe pse e bënë këtë gjë? Ilustroni me shembuj nga teksti.

5. Dritëro Agolli është nja ata intelektualë që pati kurajën të debatonte në mënyrë të hapur me Mark Gurakuqin, në lidhje me uniformitetin që kërkohej edhe në letërsi. Si filloi ta shmangte ai këtë në veprën e tij? Jepni shembuj të heroit të tij lirik dhe motiveve larg toneve ulëritëse, brohoritëse të socrealizmit.

6. Shmangia nga uniformiteti kishte edhe prirje estetike të mirëfillta. Dalloni si filloi të përpunohej krahasimi i thjeshtë drejt atij më të ndërlikuar. Ilustroni me shembuj këtë proces. Edhe kontrasti, si një figurë e përdorur në letërsinë e socrealizmit, tashmë filloi të përpunohej. Jepni shembuj.

Ushtroni mendimin kritik

7. Në mësim u theksua se letërsia e pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, në mënyrë të qëllimshme u shkëput nga tradita letrare pararendëse dhe nga ajo e huaj. A mendoni se një gjë e tillë ndodhi vërtet, duke pasur parasysh edhe faktin se interteksti i paqëllimshëm (që ka të bëjë me ndikimet e folklorit, letërsisë së kultivuar, teksteve fetare etj. te çdo individ) është i pashmangshëm? Diskutoni në lidhje me ndikimet tuaja në të folmen dhe formimin tuaj nga familja, fshati, qyteti nga vini.

8. Më lart u dhanë në mënyrë të shkurtuar tiparet e letërsisë së realizmit socialist. Përcaktimi i kornizave të tilla kufizonte mundësitë e shprehjes dhe eksperimentimit stilistik. Pse mendoni se ndodhte kështu? Diskutoni në klasë në lidhje me këtë.

9. Në mësim u përmendën disa shkrimtarë shqiptarë që kanë lëvruar modelin e letërsisë së realizmit socialist për arsye të shmangies së persekutimit. Nga ana tjetër, ata arritën që edhe në atë kohë të realizonin vepra jashtë kësaj letërsie. A duhen gjykuar ata për nënshtrimin ndaj diktaturës me disa vepra? Diskutoni në klasë në lidhje me këtë fakt.

10. Një pjesë shkrimtarësh nuk e pranuan në mënyrë të hapur letërsinë e realizmit socialist. Ata u persekutuan dhe disa prej tyre edhe u vranë. Si mendoni, çfarë tregon ky veprim i tyre? Intelektualët e vërtetë janë konformistë apo antikonformistë? Diskutoni në klasë.

11. Vënia e standardit si një variant i detyrueshëm edhe për gjuhën e letërsisë ishte një veprim që gjithashtu ndikoi në uniformitetin letrar të veprave të kohës, duke shmangur origjinalitetin, individualitetin, si elementet kryesore të një krijimi letrar. Duke pasur parasysh procesin tërësisht individual të një krijimi letrar, ilustroni me shembuj nga përvojat tuaj krijuese. Po ju, si ndiheni kur shkruani një ese, ose një tekst që nuk e ka të detyrueshëm standardin dhe vini re që në vlerësim i janë referuar pikërisht atij?

STUDIM TEKSTI
Letërsi 257

Letërsi Shkrimtarët e diasporës dhe letërsia arbëreshe

Përveç veprimtarisë letrare të krijuar brenda kufijve të Shqipërisë (dhe të Kosovës, për të cilën do të flasim më poshtë), letërsia e pas Luftës së Dytë Botërore përfshin edhe krijimtarinë letrare të zhvilluar në diasporë. Ajo lidhet me emra mjaft të njohur, si Martin Camaj, Arshi Pipa etj.

Këta ishin shkrimtarë, të cilët, për arsye të persekutimit të diktaturës, u larguan nga Shqipëria pas vitit 1945.

Duhet thënë se këta shkrimtarë e patën më të lehtë deri diku realizimin e origjinalitetit të tyre krijues, pasi nuk qenë të kufizuar nga skematizmi i asnjë lloj ideologjie (të paktën nuk iu imponua). Në këtë mënyrë, ata eksperimentuan dhe sollën stilin e tyre origjinal të ndikuar edhe nga letërsia bashkëkohore. Pavarësisht eksperimentimeve, ata nuk u shkëputën plotësisht nga motivet që lidheshin me vendin e tyre. Dikush nëpërmjet mallit dhe adhurimit për vendin nga ishin larguar prej shekujsh (shkrimtarët arbëreshë) e dikush përmes mallit përvëlues për familjen e vendin nga ishin larguar e, njëkohësisht, dëshmimit të sakrificave të kaluara në të (jo si pamflet politik, por nëpërmjet sublimimit poetik të teksteve të tyre). Po përmendim Arshi Pipën dhe “Librin e burgut”, që është një dëshmi e gjallë e torturave personale dhe kolektive të të burgosurve politikë (e jo vetëm).

Në fakt, ky grup intelektualësh nuk ishin vetëm shkrimtarë, po ishin njerëz të formuar në disa nivele. Kështu, Camaj ishte gjuhëtar i mirëfilltë; Arshi Pipa, kritik, pedagog. Ai ka hartuar një numër të madh kritikash që lidhen me autorë dhe çështje të patrajtuara me objektivitet dhe në mënyrë cilësore nga kritika brenda kufijve.

Një vend të veçantë në këtë letërsi zë edhe letërsia arbëreshe, e cila meqenëse kishte krijuar për një kohë të gjatë origjinalitetin e saj, nuk njihet me këtë emër, pra si letërsi diaspore, por si letërsi arbëreshe (Dushko Vetmo, Lluka Perone, Vorea Ujko, Xhuzepe Skiro di Maxho, Kate Cukaro, Agostin Jordani etj.). Shkrimtarët e diasporës sollën larmishmëri jo vetëm në motive, po veçanërisht në stilin që ata përdorën. Me këtë qëllim, ata filluan që në tekstet e tyre të përdornin të folmet arkaike krahinore. Më vonë, ata nisën të përdornin edhe standardin, si një mënyrë për t’u afruar sa më afër me origjinën.

Zhvillimet letrare në Kosovë

Në Kosovë, imponimi politik qe pak më i butë sesa në Shqipëri, pasi ai kishte synim nënshtrimin etnik. Në këtë kontekst, shkrimtarët e asaj kohe e krijuan disidencën e tyre duke trajtuar tematika që lidheshin me represionin ndaj individit dhe etnisë së tij.

Duhet të kujtojmë se letërsia e Kosovës nuk kishte pasur atë prurje pararendëse si ajo e Shqipërisë. Nga ata që ishin pjesë e kësaj periudhe, vlen të përmendet Esad Mekuli, i cili kishte shkruar edhe para viteve ‘50. Ai e vazhdoi të shkruarin edhe më pas, duke shpalosur në poezitë e tij dramën tronditëse nën regjimin monarkik të ish-Jugosllavisë. Kjo shihet edhe në përmbledhjen me poezi “Për ty” (1955) dhe tri ciklet e poezive që dalin aty. Ato kanë tituj mjaft domethënës: “Nën hijen e robnisë”; “Flamujt e shpaluem”; “Jeta e re”.

Letërsi258

Në poezinë tij të paraluftës, Mekuli ishte inkuadruar plotësisht në tematikat e zakonshme sociale të asaj kohe, të lëvruara nga shkrimtarët shqiptarë të viteve ‘30. Në poezinë e pasluftës, ai bëhet zëri i masës së shtypur shqiptare nën thundrën e regjimit policor jugosllav, duke e vulosur tekstin e tij si një tekst të angazhuar me hallet ekzistenciale e sociale të racës së tij. Me këtë brumë tematik, ai do të përpunojë prirjen dhe afinitetin ndaj lirikës së angazhuar sociale me theksa patriotikë dhe revolucionarë, që do të jetë pjesë e gjithë krijimtarisë së tij (“Për ty”, 1955). Në libra të tjerë, si: “Avsha ada”, “Nga udhëtimet” (Brigjet) etj., vihet re edhe lirika refleksive, intime dhe ajo e peizazhit.

Paralelisht me krijimtarinë e Mekulit në poezi, zhvilloi krijimtarinë e tij edhe Hivzi Sulejmani, por tashmë në prozë. Kujtojmë këtu vëllimin me tregime “Era dhe kolona” (1959), novelën “Njerëzit” (1966), “Fëmijët e lumit tim” (1969).

Në tregimet dhe romanet e tij, Sulejmani hulumtonte kuptimin e të qenët njeri i vetëdijshëm, siç e thotë tekstualisht te “Fëmijët e lumit tim”: “‘Është vështirë të jesh njeri’, por i bindur, gjithashtu, se në këtë botë, krahas krimbave, lindin edhe burrat”. Studiuesit vënë në dukje se shtyllat kryesore të veprave të Hivzi Sulejmanit janë nëna dhe atdheu. Fillimi i viteve ‘60 shënoi edhe fundin e toneve të entuziazmit patriotik edhe në letërsinë kosovare. Në letërsinë e kësaj kohe e në vijim filluan të zënë vend tonet më të ulura, melankolike, që u dalluan në disa vjersha të Latif Berishës, që në fakt i përkasin gjysmës së dytë të viteve ‘50. Ato marrin trajtë të plotë te vëllimi “Bebzat e mallit” të Enver Gjerqekut (1960). Në gjurmët e këtyre motiveve intime e personale vërshuan edhe një numër jo i vogël shkrimtarësh të tjerë (Fahredin Gunga, Ganimete Nura, Besim Bokshi, Adem Gajtani, Maksut Shehu, Din Mehmeti, Muhamed Kërveshi, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj). Në këtë poezi shfaqen në jo pak raste edhe elemente biografike në trajtën e unit lirik. Parullat e fazës së parë ua lëshojnë vendin pasthirrmave (“Ku ma le moj / Besën -o”, Ali Podrimja, 1959), të cilat disa studiues i kanë parë edhe si ndikim nga folklori. Në poezitë e kësaj periudhe vizatohen imazhet e lustraxhiut, peshkatarit, hamallit, të verbrit, kasapit etj., si reflektim i heqjes dorë nga gjërat e mëdha dhe interesi për njerëzit e thjeshtë, hallet e brengat, tragjikja e jetës së tyre. Në këtë periudhë, edhe fëmijëria është një kënd që hulumtohet me nota intime (Sot kokrrat tua të kuqe / i mbërrij shum lehtë / pse jam ba burrë. / Por shijen e athershme / mollë / s’e ndjej ma kurr!”, “Molla”, Latif Berisha, 1959).

Poezia e kësaj periudhe, që më së shumti u konceptua si lirikë subjektive intime, u hapi rrugë shkrimtarëve drejt lirikës refleksive. Kjo e fundit përbën edhe zhvillimet mjaft mbresëlënëse, duke sjellë trajtime e emra që tashmë kanë mbetur në fondin e shkrimtarëve tanë më të mirë. Rast tipik është ai i Azem Shkrelit, krijimtaria e të cilit i reflekton qartë këto evoluime si në tematikë, ashtu dhe në stil.

Nga fundi i viteve ‘60 dhe në vijim të viteve ‘70 vihet re një interesim i shkrimtarëve për mitin, historinë, lashtësinë. Ky lloj brumi u përpunua përmes simboleve klasike tradicionale dhe atyre bashkëkohore. Elipsa sintaksore (mungesa e gjymtyrëve) shtoi mundësinë e shumë interpretimeve. Kësaj periudhe i përkasin “Mallkimet e fjetura” (1970) të F. Gungës, “Sampo” (1969) dhe “Torzo” (1971) të A. Podrimjes, “Simfonia e fjalës” (1968), “Balada e fshehur” (1970) dhe “Etje” (1973) të Rrahman Dedajt, “Deti ose poema e shqetësueme” (1968) dhe “Pagëzimet” (1969) të Q. Ujkanit, “Bukuria e zezë” (1968) e B. Musliut, “Mëkatet e Adamit” (1969) të M. Ramadanit etj.

Hivzi Sulejmani
Letërsi 259

Pothuajse në gjithë poezinë e Kosovës të viteve ’70, vihet re prirja për të përvetësuar përvojën e poezisë moderne. Simboli intensifikohet duke krijuar larmishmëri të madhe dhe duke ndërtuar metafora komplet të ndryshme nga ato të periudhave të tjera. Simbolet antike, biblike, kombëtare (të përrallës) dalin dukshëm në këtë periudhë, madje edhe duke u gërshetuar me njëra-tjetrën. Ato nuk shfaqen vetëm në poezi, por edhe në prozë. Rast tipik është vepra e Anton Pashkut, i cili në tregimet e romanin e tij e ka parim estetik këtë teknikë. Kështu, “Kulla” është simbol i qëndresës njerëzore e familjare, por edhe kombëtare. Po kështu, simboli i gurit, që e gjejmë edhe te Shkreli, Podrimja dhe Dedaj, ka një ngarkesë simbolike të përbërë, pasi ai përfaqëson edhe simbolin e vendlindjes, durimit, qëndresës, varfërisë.

Tek Ali Podrimja, guri është simbol i identitetit dhe qëndresës së qenies sonë (Vë veshin në botën tënde të çuditshme / çaste epike / në Erën e kozmetikës, 1976), kurse te Rrahman Dedaj kemi “Koha është shndërruar në gur”: “Guri ia ruan trajtën kohës” (1973).

Në jo pak raste, simboli gërshetohet me ironinë. E gjejmë këtë edhe te Podrimja “Gëzimit katër këmbë ia mbaruan” (Karriga). Vihet re se si metafora gërshetohet me ironinë stigmatizuese të karrierizmit. Gërshetimin e simbolit dhe ironisë e gjen edhe te Pashku. Mjaft të përmendim fjalimet e njeriut tek oda vezake, që promovon kozmopolitizmin (politikën kozmike, “Oh”).

Vitet ’80 shënojnë një krijimtari letrare të bollshme, në të cilën vihen re autorë që shkruajnë poezi, tregime, drama dhe romane. Prirja kryesore e shkrimtarëve të kësaj kohe ishte eksperimentimi me gjuhës që përdornin. Kritika përmend tre emra, së bashku me veprat e tyre, për të ilustruar këtë eksperimentim me gjuhën: Musa Ramadani, Teki Dervishi, Sabri Hamiti.

- Musa Ramadani krijon një poezi fjalëkryq (“Neurosis”, 1973), ku teksti zëvendësohet nga grafika (katër rreshta me shenja si vende bosh për vargje distike, vjen dyvargëshi: Horizontalisht: Bardhësi / Vertikalisht: Bardhësi).

- Teki Dervishi sjell asociacione poetike shumë herë të palidhura me njëratjetrën, një teknikë që ka në bazë njëlloj montimi surrealist (Mushkëritë e bardha si filtër në tru / zemra në kokë - në bark sistemi nervor).

- Sabri Hamiti në jo pak raste sjell vargje ekstravagante të tilla si këto, që kanë synim parodizimin (talljen) me shenjat e pikësimit: “Ulem në rradhën e trembëdhjetë / PIKË / ulet në radhën e trembëdhjetë / PIKË / thuaj nga shkurtpamësia / PIKËÇUDITËSE / ajo qesh nënqesh buzëqesh / PIKË” (1971).Në vitet e mëvonshme, në jo pak raste u eksperimentua edhe në kuadrin e hermetizmit. Si përfaqësues tipik i saj shihet Beqir Musliu (“Derisa përbirohem nëpër kurthat e padukshme / bie në Magjinë e Dytë që më lidhet për qafe / Për ta ngarkuar në shpinë shinën time shpinë”, “Darka e magjisë”, 1978).

Krahas zhvillimeve letrare, në Kosovë ka pasur dhe ka zhvillime mjaft cilësore që lidhen me kritikën. Përmendim këtu disa nga emrat më të njohur: I. Rugova, R. Qosja, S. Hamiti, A. Vinca. Po të kemi parasysh faktin se ka studiues që kritikën e shohin edhe si një akt krijimi, atëherë na lejohet të themi se, në këtë rast, kemi kontribut të dyfishtë të këtyre autorëve.

Nëse dy të parët (Rugova dhe Qosja) më së shumti trajtuan një kritikë identifikuese të motiveve, toneve, alternimeve, ose ndryshe një kritikë të kontekstit, Vinca, po veçanërisht Hamiti, përveç kontekstit, u drejtuan drejt analizës së asaj që i kishte munguar kritikës, analizës së tekstit. Në këtë kontekst, ata hartuan monografi dhe artikuj kritikë, më anë të të cilëve drejtuan si lexuesin e zakonshëm, po veçanërisht studiuesin, drejt identifikimit të kohezionit dhe koherencës së tekstit. Kjo ishte dhe mbetet një prirje e munguar dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë për analizimin e vlerësimin e shumë shkrimtarëve, që janë trajtuar në mënyrë sipërfaqësore.

Musa Ramadani
Letërsi260

Verifikoni njohuritë

1. Përveç letërsisë së lëvruar në Shqipëri dhe në Kosovë, zhvillimet letrare shqipe patën përfaqësues edhe në diasporë. Dalloni dy grupet dhe emërtimet përkatëse të tyre. Përmendni emrat e autorëve.

2. Kemi theksuar në mësim se zhvillimet letrare në Kosovë, pavarësisht ngjashmërive, patën ndryshime të dukshme me ato të Shqipërisë. Dalloni këto ndryshime në veprën e Esad Mekulit dhe Hivzi Sulejmanit.

4. Në fillim të viteve ‘60, tonet patriotike të poezisë filluan të binin. Përshkruani tonet dhe tematikat që u dalluan në këtë kohë përmes autorëve përfaqësues.

5. Në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ‘70, në letërsinë e Kosovës pati një interesim për mitin, historinë, lashtësinë. Cila qe figura që u intensifikua më së shumti në këtë kontekst? Ilustroni me shembuj nga autorët e dhënë.

6. Në vitet ‘80 e në vazhdim, në veprat letrare të Kosovës u vu re eksperimentimi me gjuhën. Në cilat zhanre ndodhi kjo? Ilustroni me shembuj të dhënë në mësim.

Ushtroni mendimin kritik

7. Letërsia që u zhvillua jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës përfaqësohet nga letërsia e diasporës (Camaj, Pipa etj.) dhe letërsia arbëreshe. Pse mendoni se u ndanë në dy grupe? Diskutoni në lidhje me kriteret e përcaktimit të periudhave letrare (kriteri kohor, kriteri hapësinor, kriteri stilistik etj.).

8. Fillesat e letërsisë së pasluftës në Kosovë u shoqëruan me tone patriotike dhe pasqyruan shqetësimet ekzistenciale të individit. A ishte letërsi e angazhuar kjo (pra, letërsi që ngrihej kundër politikave aktuale të kohës, në rastin tonë, represionit serb)? Gjeni shembuj nga vepra të Mekulit, Sulejmanit dhe argumentoni qëndrimin tuaj.

9. Në fillim të viteve ‘60 filluan të uleshin tonet patriotike dhe të shfaqeshin tonet melankolike, autobiografike etj. A mendoni se ky lloj tonaliteti u lejonte të afroheshin më shume me qenien dhe botën e brendshme? Nëse po, ilustroni me shembuj nga veprat e autorëve përfaqësues.

10. Në vitet ‘80, letërsia kosovare filloi të shfrytëzonte historinë, folklorin, mitin. Simboli është figura që u përdor më së shumti. Pse nuk u perceptuan këto vepra si letërsi e angazhuar? A lidhej kjo me faktin se simbolika e përdorur nuk interpretohej vetëm në kontekstin kombëtar, por edhe në atë universal? Diskutoni.

11. Në zhvillimet pas viteve ‘80 (po edhe më përpara) u vu re se shkrimtarët filluan eksperimentimin me gjuhën. Nga shembujt e dhënë në mësim, por edhe të tjerë që mund të keni lexuar, a mendoni se këto vepra mund të kuptohen e shijohen nga një lexues i gjerë, apo nga një lexues që ka një formim të mirë gjuhësor, letrar etj. Diskutoni në lidhje me konceptin e veprave “best seller”. (Gjeni debate në internet në lidhje me këtë dhe përdorini për argumentim.)

Sfida e të shkruarit

12. Më sipër mësuat se diktatura është imponuar në të gjitha fushat. Përjashtim nuk ka bërë as letërsia, e cila në thelb është akt krijues personal. Për fat të keq, edhe standardi është përdorur në këtë funksion. Krijoni një tekst letrar të shkruar jo në standard, siç doni vetë, me temë “Shtëpia ime”. Tekstin e shkruar përshtateni në standard. Cili ju pëlqen më shumë dhe pse? Diskutoni në klasë.

STUDIM TEKSTI
Letërsi 261

Martin Camaj

Martin Camaj (1925-1992) është shkrimtar mjaft origjinal dhe ende i pakrahasueshëm me dikë tjetër në letrat shqipe. Ai lindi në Temal të Dukagjinit. Prejardhja e tij përbën jo vetëm referencën jetësore të individit, por edhe një pjesë të rëndësishme të materialit burimor, aq e prekshme në veprën e tij. Krijimtaria e Camajt është shkruar në një hark kohor relativisht të gjatë, për afro 40 vjet dhe përfshin vepra në poezi, prozë dhe dramë. Martin Camaj ka botuar këto vepra: “Një fyell ndër male” (1953); “Kanga e vërrinit” (1954); “Diella” (1958); “Meshari i Gjon Buzukut” (1960); “Legjenda” (1964); “Lirika mes dy moteve” (1967); “Albanische Wortbildung” (Fjalëformimi i shqipes: 1966); “Njeriu me vete e me të tjerë” (1978); “Rrathë” (1978) “Dranja” (1981); “Shkundullima” (1981); “Karpa” (1987); Poezi 19531967 (1981); Gramatikë shqipe (1985); “Nema” (1990); “Buelli” (1990); “Palimpsest” (1991).

Poezia, motivet dhe elemente të stilit

Periudha e parë

Nuk është e lehtë të ndash në një hierarki vlerat e veprës së Martin Camajt në tërësi, por një gjë mund të thuhet me siguri: Ajo që të trondit dhe të befason edhe si lexues i parë është poezia. Ajo klasifikohet nga studiuesit si një vepër që i përket rrymës hermetike (pra, që realizon një poezi të vështirë, të errët, pa struktura logjike dhe pa rregulla gramatikore, me sintaksë të deformuar, ku shpesh fjala, imazhi i saj realizon kuptimin e fjalisë, duke i dhënë subjektivitet të theksuar si krijimit, ashtu edhe interpretimit). Në varësi të tipareve stilistike dhe evoluimit të tyre ndër vite, ka studiues që e klasifikojnë veprën poetike të Camajt në tri periudha. Periudha e parë përfshin vitet 1953-1967. Në këtë kohë, në vepër vihen re tipare të poezisë së traditës dhe ndikime veçanërisht nga Mjedja, Shiroka, Xanoni, De Martino, Fishta. Vëllimet që i përkasin kësaj periudhe janë “Një fyell ndër male” (1953) dhe “Kanga e vërrinit” (1954)”. Në poezitë e këtyre dy vëllimeve mbizotëron thjeshtësia, qartësia, vargu metrik dhe i rimuar. Në këtë kontekst, ndikimi i poezisë dhe i estetikës së traditës është i dallueshëm. Kështu, poezia “Syni” (Lirika mes dy moteve) është një sonet, i cili është ndërtuar sipas rregullave klasike, me një njëmbëdhjetërrokësh të rregullt, me rima të njëjta në të dyja katrenet (strofat me katër vargje) dhe me rima që lidhin dy tercinat (strofat me tri vargje). Camaj është shumë i kujdesshëm që rimat të jenë të mirëfillta. “Syni i njeriut nga mendja n’lang çeliku/ u shkri e zemrat e fshefta t’bërthamave /mâ t’imta t’landës i vrejti dhe iku / nesh brima e fmijve sa lindë prej amave. /Syni ynë nën akllin polar paniku/i peshqve âsht, i algës s’ndijshme e gjama ve/n’shpella detare – ushtimë vulkani – ku/përbindshat dridhen vrejtjes tij mes xhamave./ Deti i vjetër ka hapun krahët për t’rrokë/shpatullat tona – e djelmve t’bâmun burra /Tash që s’na shkandullon asgjâ hap derën/e sendeve t’veta që s’gjinden n’tokë./Syni ynë nuk ngihet, syni â furra/e dritës, e diellit që çil në det

Letërsi
Martin Camaj me të shoqen
Letërsi262

pranverën.”. (Në fakt, kjo poezi, sistemin metrik e rimat i ka klasike, por metaforën, imazhin e saj e ka krejt moderne.).

Në lidhje me imazhin dhe motivet e poezive të periudhës së parë mund të thuhet se ato janë figura që kanë rrethuar autorin në fëmijëri dhe që kanë mbetur në kujtesë nga vendlindja tij, Dukagjini, (një vend me bukuri të rralla alpine, me njerëz epikë e lirikë njëkohësisht), të tilla, si: bujku, bari, fyelli, mali, qarri, kroi etj. Këto imazhe ishin materiali kryesor që ai i mori dhe i pasqyroi në poezinë e tij, duke i ngritur në piedestal nëpërmjet metaforës së tij të mrekullueshme.

Kështu, poeti i drejtohet fyellit, i cili është simbol jetësor në malësi. Fyelli i krijon mundësi të këndojë për botën në qenësinë e saj, ashtu siç është, me doke e zakone të ashpra, me vuajtje të mëdha, po me shpirt të pasur me të gjitha llojet e ndjesive dhe ndjenjave (ashtu siç i kishte fotografuar në kujtesën e tij nga të parët e vet): “At jetë këndoje, që ti e njef aq thellë:/ Dashnin ngadhnjyese, bjeshkë e verë e dimën,/Dokjet e rrebta dhe shpirtin e kthiellë/ Vuejtjet e mdhaja, vdekjen n›skam e dhimbën. (Fyellit).

Vini re strofën e rimuar dhe numrin e njëjtë të rrokjeve, si dhe alternimet theksore e ritmike në të njëjtat pozicione për secilin varg. Strofa ndërtohet mbi një metaforë të vetme “at jetë këndoje”, e cila shtjellohet në tri vargjet e tjera, duke bashkërenditur gjithë larminë jetësore e ndjesore të qenies. Në fakt, kjo strofë mund të shihet dhe si përmbledhje e imazheve të veçanta që ai do të shtjellojë në poezi të tjera (përmendëm disa më lart dhe po shtojmë të tjera që gjenden te “Një fyell ndër male”, si poezitë: “Mokna”, “Kroni”, “Në pranverë”, “Mbramja”, “Kcimi”, “Zana”, “Gjarpni”, “Në verime” etj.). Duket sikur ky vëllim është një shkarkim malli për vendin e njerëzit e tij, ndaj dhe gjen vargje të tilla si: “Burrat e fort’ si shkambi, asht, si nyje/ Gjoksin e mollzat kanë,/ Guximi dhe burrnija u shndrit ndër sye / Edhe nji shpirt i gjanë./ Të flak’t ndër epshe e pror trimnit kan’ dashtë”. Vini re se si në katër vargje ndërthuret himnizimi i bukurisë së jashtme me tipare të tilla të njohura e të kënduara në poezinë popullore, si: trimnia, burrnija Vargu i fundit u shton atyre përmasën njerëzore të pasionit e dashurisë mashkullore. Sërish vihet re një metrikë e rima të rregullta (Tek –tuk, fillon eksperimentimin në metaforë e imazh: vargu i parë pas krahasimit krijon një metaforë me fjalën “asht” [sistemi kockor], duke e dendësuar figuracionin dhe imazhin njëkohësisht).

Kjo prirje eksperimentimi (prishje e rregullave klasike të ndërtimit metrik e ritmik) vjen e bëhet më e dukshme te “Kanga e vërrinit”, në të cilën poeti fillon të hulumtojë mbi personalen njerëzore, të zakonshmen intime, erotikën njerëzore etj. (“Kur kcen Dila”, “Deshta nji vashë”, “Nji shpirt”, “Tregimi i vajzës”, “Andrrimi i korbit” etj.) “Nji bot t’mbulueme nën nji gjoks, të ri,/ Ku andrra bredhin si rê t’bardha n’qiell, /Ku vllâjt e luleve presin n’vetmi/Me i nxé nji diell. (“Nji shpirt”). Mund të dallohet se në një strofë me

Martin Camaj
Letërsi 263

vargje klasike radhit njëra mbi tjetrën metafora që lidhen në marrëdhënie varësie me metaforën e parë (Një botë e mbulueme në një gjoks, të ri), por që zhvillohen edhe vetë brenda saj (Ku andrra bredhin; Ku vllâjt e luleve presin n’vetmi; Me i nxé nji diell).

Po kaq delikat, ngacmues dhe njëkohësisht njerëzor shfaqet edhe në poezitë që kanë në brendi erotikën: “Kur tuejsha lop’t ke zalli i lumit n’mrina/Un dymbdhet vjeç - fëmí,/ Hyna tinz n’pemisht rrethue me trina/ E ika me molla n’gjí./Nji plak, që lop’t i ruente pror’ me mue,/M’shiqoi me plot dëshirë/E m’tha gëzueshëm: “Shpejt ti je zhvillue!/Qe besa! po m’vjen mirë.”/U skuqa e plaku i ças m’u duk si shoq:/- Jan’ molla – i thaç tue qeshë/ Përdhun’, por plakun nuk dij çka e dogj/E m’briti rrebt: “Hajneshë!” (“Tregimi i Vajzës”). Në pamje të parë është një rrëfim naiv i një fëmije që po përshkruan pjekjen e vet seksuale, përmes një momenti ku kjo e fundit (pjekja seksuale, në trajtën e instinktit) ia mjegullon arsyen (i ças m’u duk si shoq). Alegoria e krijuar mbi bazën e simbolit të krijuar enkas në këtë poezi, mollës (gjinjve), përbën skeletin kryesor të poezisë (flitet për një vjedhje të thjeshtë mollësh, apo për zhvillimin seksual). Kjo shfaqet me një tis ironie, prej dykuptimësisë së këtij ndërtimi. Ndjesia është e lehtë, e këndshme, intime, sensuale, pra, mjaft njerëzore.

Periudha e dytë

Periudha e dytë u referohet viteve 1967-1978 gjatë së cilës botoi “Legjenda” (1964: Kjo vepër nga pikëpamja kohore i përket periudhës së parë, por nga tematika dhe fillimi i eksperimentimit në stil klasifikohet në periudhën e dytë.); “Lirika mes dy moteve” (1967); “Njeriu më vete e me të tjerë” (1978). Në këtë periudhë, Camaj hidhet në eksperimentim në mënyrë të qëllimshme. Imazhet e poezisë së tij tashmë ai i kërkon te legjendat, te mitet, por pa rënë në kurthin e imitimit. Ai i përpunon këto skelete antike mitike popullore, duke krijuar me to simbole të cilat do t’i shtjellojë në metafora e jo vetëm. Këto mjete do t’i shërbejnë më tej në motive e perceptim për të zbërthyer qenien njerëzore me problematikat e saj: qëndresën, flijimin, me vuajtjet e mëdyshjet shpirtërore të individit e veçanërisht vetminë etj. (“Lirika mes dy moteve”)

Shumë prej “legjendave” janë parodi erotike (Merret figura mitike me një pjesë të kontekstit ku ka qenë në mit apo legjendë dhe i hiqet deri diku imazhi heroik, mitik, legjendar, duke e futur në një ambient të thjeshtë e njerëzor. Me raste, ky proces shkakton edhe humor.). Kështu, Skënderbeu shfaqet si një kalorës çfarëdo, një natë me një grua të vetmuar: “Gruaja i pruni Gjergjit / venë të kuqe e i rrotull djathë, / fier t’njomë e gjij të bardhë” (“Skënderbeu dhe gruaja”).

Vini re enumeracionin që përfundon me imazh erotik.

Në poezi të tjera, një çakall arratiset me gruan e një malësori; hyjnia e lumit Drin është një dhi e bardhë, një djalosh që niset të vrasë një dhi të egër ndesh një Orë (Zanë), që e josh atë për vdekje. Sipas mitologjisë së folklorit, një shpirt i Orës banon në brirët e një dhie të egër dhe helmeta e Skënderbeut kurorëzohet nga brirë të tillë.

Pikërisht këtë lloj trajtimi deri diku antiheroik të këtyre simboleve, dhënë nëpërmjet vargut të lirë (të cilit do t’i referohemi më poshtë), studiuesit e kanë parë si tipar të poezisë moderne në veprën e Camajt.

De Kiriko, Pasiguria e poetit, 1926
Letërsi264

Në vëllimet poetike që përfaqësojnë këtë periudhë vihet re një përshkallëzim motivesh, të cilat te vëllimi “Njeriu më vete e me të tjerë” shkëputen krejtësisht nga ato të fazës së fillimit, duke marrë trajtën e ndjesive personale. Vetë Camaj e pohon këtë fakt kur thotë: “Motivet kryesore, për sa i përket lirikës, kanë ardhë prej shtytjevet të mia të mbrendshme, don me thanë nga përjetimet vetjake… prej kombinimeve të ndryshme të rrethanave jetësore apo biografike dhe prirjeve psikike, më kan shty të shkruj këto motive.”. Më tej, ai rendit edhe motivet që ka shtjelluar, duke pohuar: “Vetmia, frika me qenë vetëm. Me ndrymjen në vetvete janë të lidhuna motivet, p.sh. “Nën hijen e sendeve”, “Nata e koncertit”, “Rojtari i muzeut nacional”. Por le të shohim si shtjellohen këto motive në poezi. “Nën hije ku sot /mbasdite pushova/e këputa fije bari n’mendim,/cicrrojnë bujqit e natës./ Pranë votre ndigjoj plasje/bishtajzash/gjineshtre në parzëm.” (“Nën hijen e sendeve”). Vihet re se metafora është bërë më abstrakte dhe imazhet e saj janë ndjesore, shqisore (cicrrojnë bujqit e natës; ndigjoj plasje…) dhe pjesë e përjetimit personal (pranë votre, mbasdite e vonë). Edhe vetë titulli me grupin parafjalor krijohet mbi një shmangie në ndërtim që e çon lexuesin drejt një imazhi përjetimi në një atmosferë të mbyllur. Motivin e vetmisë, Camaj e lidh edhe me disa poezi që kanë në qendër motivin e gruas: “…Edhe motiv i grues lidhet me vetminë: disa e kanë interpretue si preferim i sensualitetit, por unë e thom se s’ashtë vetëm sensualitet, por diçka tjetër, komunikim me jetën, mjet për të dalë nga vetmia. Zhgënjimi në proceset e këtij kontakti dalin në “Grueja e gjarpni”, “Dreni plak”, “Legjenda e Shotës” etj. Për nevojën e saj flet “Çka i duhej Uliksit Itaka pa grue?”.

Vini re se si perceptohet kjo nevojë në këtë poezi: “ pa grue – dy krena binjokë dhie/me nji bri të thyem: punë e pakryeme.”. (“Çka i duhej Uliksit Itaka pa grue?”) Uliksi, simbol i shtegtimit për t’u kthyer në atdhe, na del tashmë si simbol i ribashkimit me gruan. Kjo e fundit del pa emër për të përforcuar nevojën e bashkimit femër-mashkull, ndryshe qenia mbetet e paplotësuar ose “punë e pakryeme Vini re përdorimin e simboleve të vjetra (arketipe) në metaforë (dhia, brini).

Po në këtë vëllim, del edhe motivi i frikës nga mbarimi, jo vetëm i jetës, siç e përcakton vetë Camaj: “Frika e të sosunit, jo vetëm të jetës”, e cila ilustrohet me imazhe të tilla, si: “vdekja në përfytyrimin e akullit në “Ai mal akulli ndan kohën”. Ardhja e fundit paraqitet në qetësi, me hapa të lehtë (“Vdekje – krizëm”), por edhe në mënyrë teatrale, me zhurmë të shkundullimës ose të rrungajës (tërmetit).”

Poezia “Ai mal akulli ndan kohën” ka një nëntitull që parashikon diçka jopozitive, të ndaluar, kobzezë (Ai mal akulli kish nji emën, nji emën tabú!). Kjo nënkuptohet nga emri tabu, që paraqet eufemizmin si pjesë e supersticionit popullor. E në fakt, në poezi, askund nuk e gjen fjalën vdekje. Situata shfaqet gati si halucinacion: “Para se të mbylleshin sytë në gjumë,/pashë malin e akullt të bardhë/te kambët e mia.”. Njësia “e akullt” ka edhe kuptimin e emrit, përbërjen e tij (prej akulli, por edhe të ndalimit, mbarimit në kuadrin e poezisë) edhe të mbiemrit (e ftohtë). Të dyja të përmbledhura në një simbol të vetëm. Përfundimi i procesit shfaqet me metafora me imazhe qiellore.

Letërsi 265

Edhe kufoma nënkuptohet me hijen: “Erdhi era me diell dhe e shkrini/e aty nën hijen time doli një bimë.” Veçse në fund përsëri ka një ringjallje, “një bimë”. Në këtë proces krijues kaq eksperimental dhe kompleks, vetë Camaj vë re se “vargjet thuajse klasike” që kishte përdorur deri atëherë nuk i jepnin mundësi të jepte imazhet poetike që dëshironte, ndaj kalon te vargu i lirë, duke e konsideruar këtë proces “si një shlirim” të vërtetë. Për këtë arsye, ai hidhet te vargu i lirë. Ky i fundit pavarësisht se nuk shfaq shumë rima të jashtme, është i kompletuar me rima të brendshme në trajtën e aliteracioneve “Sonte bjen shi me rrshekë / e shndrit vetima nji udhtar me strugë.”. Vini re aliteracionin, që krijohet me tingujt sh/s, i cili krijon edhe imazhin tingullor për rënien e shiut, zhurmës së tij, ndjesisë gjithashtu etj. Camaj vetë veçon faktin se poezia me varg të lirë duhet të jetë e përmbledhur, të mos ketë shumë fjalë, madje duke u munduar të ketë një simetri deri diku edhe mes numrit të fjalëve (shejave) dhe vargjeve, duke na dhënë kështu edhe imazhin e tij koheziv për poezinë, apo siç e quan ai “kompozicion të shkurtë (poezi)”.

Periudha e tretë

Periudha e tretë përfshin vitet 1978-1992. Në veprat e kësaj kohe vihen re prirje moderne të pahasura në letërsinë shqipe brenda kufijve. Të tilla janë: “Nema” (1990), “Buelli” (1990) dhe “Palimpsest” (1991). Këto tri vëllime janë punimet më unike në letërsinë shqipe, si për nga motivet, ashtu edhe për nga teknikat stilistike të përdorura.

Studiuesit kanë vënë re se në këto vëllime është reduktuar dukshëm qartësia tematike dhe kuptimore, si dhe leksiku i zakonshëm. Gjuha poetike e këtyre cikleve është më e ngurtë, më e rëndë dhe ngërthen një domethënie të thellë, alegorike. Abstraksioni është shumë i lartë: “Bien prej nalt nga ranë dhe mollat/ cirka aritmike shiu para kambësh/ dhe stërpikin dheun e/shtama hini eshtnash tjetër ngjyre.”. (“Antilopa me pergamenë”). Vini re se sa abstrakt është imazhi që krijohet qysh në titull, i cili

Fshati, Marc Chagall
Letërsi266

nuk deshifrohet dot pa lexuar gjithë poezinë dhe pa pasur një informacion specifik mbi simbolikën që lidh dy konceptet kryesore. Po kështu poeti luan edhe me simbolin e mollës, të cilën e jep në shumës. Më tej stimulon alegorinë me mbiemrin “ritmike”. Praktikisht, vetëm me këtë strofë nuk bën ndonjë lidhje mes saj dhe titullit. Hermetizmi është i fortë dhe me raste i vështirë për t’u deshifruar. Emërtimi i ciklit “Nema” (mallkimi) nuk kushtëzon domosdoshmërisht kuptimin e saj në poezitë e këtij vëllimi. Studiuesit mendojnë se në disa raste ajo shpreh pakënaqësinë dhe kundërvënien me gjendjen e caktuar. “Vetëm e kishte prekë gjarpni/ që nuk zen kurr fëmijë/ pa e nemë e ama një herë.” (“Gjarpni e Fëmija”). Imazhi i kësaj poezie është një fëmijë që qan, pse e ka prekur gjarpri, pavarësisht se, siç thonë edhe këto dy vargje të fundit, ai nuk i zë kurrë fëmijët. Pra, vihet re ndryshimi i gjendjes (pra, po e prek dikush) dhe jo pësimi nga gjarpri. Në raste të tjera, “Nema” shpreh tragjiken, si në këtë rast që konceptohet me vetminë: “Pakënaqësi me qenë aty ku je/ me shokë, shkrolë e thyeme në fjalë/ vjeshtë e dimën e verë/n’orën pesë në mbramje e katër/në mëngjes, me hangër bukën e ré/ mbrenda katër mureve”. (“Pakënaqësi”).

Edhe te cikli tjetër i poezive, “Buelli”, shfrytëzohet simbolika e mitit mesdhetar të “buellit”, nga i cili, siç shprehet vetë Camaj, është marrë fakti se “buelli” shihet si zot i fushave, si dhe procesi i shfarosjes së tij në brigjet e Drinit. Duhet thënë se ai nuk është simbol vetëm i kanosjes, ligësisë e shkatërrimit, po ka edhe anën tjetër që lidhet me kundërvënien dhe përballimin: “Ai âsht një mal. /Për çdo shekull një o dy here/ kur zêhet hana/ buelli gur e dhé çohet lugát/ përkulet deri në Lumë e pi ujë/ dhe hurp gur të shkrimë e mazën e tokës/ në vlim.”. (“Buelli, emën mali”) Cikli i fundit i poezive, “Palimpsest”, nuk del jashtë kuadrit tematik dhe kompozicional të dy vëllimeve pararendëse të kësaj periudhe.

Palimpsesti është një shkrim i fshehur, i fshirë në një pergamenë të vjetër (lëkurë kafshësh që në lashtësi përdorej për të shkruar). Meqenëse nuk kishte shumë të tilla në atë kohë, praktikohej fshirja e një teksti dhe shkrimi mbi të i një teksti tjetër. Pikërisht ky lloj shtrati alegorik merret dhe aplikohet si një proces vetëzbulues i qenies si individ dhe qenies si shoqëri. Ai e sqaron procesin kështu: “Në këtë palimpsest zbulova hijen/ në thellësinë që s’shihet.”. Në poezitë e këtij cikli, motivet më të dallueshme janë: vetmia, lëngimi, mbyllja dhe errësira e qenies. Abstraksioni i perceptimit dhe i ndërtimit të metaforës është shumë i lartë: “O syt tanë, në váj/ /fshikëza uji mbi qumësht të ngjelmë/e të idhët!” (“Palimpsest i rrëfyem”).

Apostrofa aspak e zakonshme që i referohet një vete shumësi, ku përfshihet edhe poeti (tanë) e ndjekur nga një metaforë komplet e pazakonshme perceptimi (lot si flluska e qumështit me kripë, të ngjelmë, që në fakt përbën një oksimoron qumësht-tamël -i ëmbël; i ngjelmë - i kripur - i idhët), krijojnë një imazh të plotë të motiveve të përmendura më sipër.

Letërsi 267

Me të njëjtat motive, por me vargje të formuara me aliteracione të theksuara, jo vetëm me një tingull, por me rrokje (va-) dhe tinguj njëkohësisht (-v-), theksojnë akoma më shumë metaforat paralele. Këto metafora në këtë poezi na prezantojnë qenien në një situatë pa zgjidhje, të izoluar dhe vajtuese ulëritëse, pa arritur të artikulojë asgjë (ndaj thotë pa folje, se folja formon fjalinë, pra, artikulimin e shqetësimit, që do të sillte njëfarë shkarkimi të këtij të fundit): “Vajtim në vargje pa folje/ vargoj ndër duer e kambë / váthë ndër veshë të shurdhë/zile skaj dyersh në mur pa dalje.”. (“Herë zi”).

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Ndikimi nga poezia e traditës është i dallueshëm në poezinë e periudhës së parë të Martin Camajt. Në cilin nivel duket ky ndikim? Ilustroni me shembuj nga mësimi.

2. Imazhet e poezisë së Camajt veçanërisht në periudhën e parë, në pamje të parë, duken të zakonshme. Cilës fushë semantike i përkasin një pjesë prej tyre? A ishte kjo e fundit pjesë e imazheve të një kohe të caktuar të jetës së tij? Ilustroni me shembujt e dhënë më lart e të tjerë nga vepra.

3. Cilat janë motivet që dallojnë “Kangën e vërrinit” nga “Një fyell ndër male”? Pavarësisht se të dyja vëllimet i përkasin së njëjtës periudhë, a e ka filluar eksperimentimin shkrimtari dhe ku vihet re kjo? Ilustroni me shembujt e dhënë dhe të tjerë.

4. Në periudhën e dytë, poeti hyn në eksperimentim si në tematikë, ashtu edhe në teknikë, duke e inkuadruar poezinë e tij në një kontekst komplet modern. Cilat janë dy elementet që studiuesit i panë si tipare të poezisë moderne? Ilustrojeni me shembujt e dhënë në mësim, po dhe të tjerë.

5. Periudha e tretë e krijimtarisë poetike të Camajt përbën shkallën më të lartë të abstraksionit të imazhit, të ngërthyer tashmë nga hermetizmi. A dallohet kjo gjë që nga titujt e vëllimeve? Çfarë i duhet lexuesit për të deshifruar poezi me imazhe të tilla?

Ushtroni mendimin kritik

6. Dy strofat më poshtë janë marrë njëra nga vëllimi “Një fyell ndër male” (“Mbramja”) dhe tjetra nga “Kanga e vërrinit” (“Ishulli”). Vini re dallimin në mënyrën e ndërtimit të tyre, rimat e jashtme e të brendshme, ritmi, lloji i vargut, imazhi. Diskutoni për evoluimin e stilit të Camajt edhe brenda një periudhe. A mendoni se kjo ndihmon në ndërtimin e një metafore me një imazh surreal deri diku?

“U nis dielli e tash po tret’ ndër maje,/ Terri i parë i zuni gropa e çuba;/Lan’ blegtorët pyje dhe i lugaje/ E te kroni krejt po bijn’ me tuba.”( “Mbramja”)

Përmbas horizontit – heshtimi, /mes flokësh kaçurrela resh /zbardhen sy qeni/ në suazën e veshëve lopata.” (“Ishulli”)

Letërsi268

7. Pjesa në vijim është marrë nga vëllimi i periudhës së dytë “Legjenda” (“Grueja e Skanderbegu”). Kemi folur pak në mësim për të. Dalloni në këtë pjesë heroizmin dhe deri antiheroizmin. Cili është shqetësimi kryesor i Skandërbegut? Diskutoni për mitin dhe “çmitizimin” e imazhitlegjendë në funksion të ndjesisë njerëzore. Çfarë ndjesie ju shkakton kjo gjë? “Çka kje, grue, me ty kështu?”/Nji fjalë të madhe tha ajo:/“Po, ku t'i marr luftarët si ti/me shyta blini e hekuri/ e me parzëm t’pacenueshëm?”/Kastrioti tha me vete:/bre, ku të des n’mos mbetsha në luftë?/E shikoi shtrojen trishtë.”

8. Periudha e tretë e poezisë së Camajt përbën shkallën më të lartë të abstraksionit të imazhit dhe teknikës hermetike të dhënies së tij përmes simboleve. A e dalloni nga shembujt e dhënë në mësim, po dhe shembuj të tjerë nga vepra? Diskutoni për këtë duke e ilustruar mendimin tuaj me poezinë me titull “Kuptimi”: “Edhe një herë u gjeta Te Dheu i Huaj/ në brigjet e atij ishulli të lashtë./ Atje në ranë më rá dora në një gockëz deti,/ fosil i saktë me rrëfanzë në krye ku/përshkova penin dhe e vara hajmali në qafë./Kuptimi i këtij sendi ishte ‘bimë e lumtun/ dhe i përngjante një zilje sa një sý peshku/nën ujë.”

9. Dalloni simbolikën e theksuar që në titujt e poezive. Nga periudha në periudhë vjen duke u rritur abstraksioni. Gjeni shembuj ku kjo simbolikë ka qenë vetëm fillesa e ngacmimit të shkrimtarit, sepse pastaj e ka përpunuar atë. Diskutoni në lidhje me vështirësinë e deshifrimit.

10. Lexoni veprat e Camajt dhe gjeni në to metafora që ju bëjnë përshtypje. Diskutoni për imazhin dhe për mënyrën se si janë ndërtuar ato.

Sfida e të shkruarit

11. Më poshtë kemi dhënë një poezi të Martin Camajt. Në anën e djathtë të saj, mundohuni të plotësoni vendet bosh të një skeleti poezie tjetër që ka elemente të njëjta me të. Mundohuni të imitoni stilin e Camajt. Nëse doni, mund ta bëni edhe në prozë, por të ketë efekt poetik (metafora të pazakonta, herë qiellore e hiperbolike, herë shqisore e të animizuara). Mos u shqetësoni dhe mos paragjykoni njëri-tjetrin. Këto janë sprova për të përjetuar e për t’u ndier mirë. Shkruani në çfarë varianti të doni.

MBRAMJA NË NORD

Eci e eci e gjeti blerimin. Tingujt e kumbonareve lanë pishat e bredhat e shkuen me bujtë në qiell. Qetsija e syve t'kaltër rrokulliset nepër pullaze t'thepisun e bahet pasqyrë e dritave të kandilave të shekullit t'kaluem.

Eci e eci e muzgu me plaçka në krah e para se me hy mbrendë, e uli barrën skâj derës tue lanë shêj për ta gjetë në terr me nji t'prekun, para agimit.

MBRAMJA NË____________

Eci e eci e gjeti detin Tingujt

Qetsija e syve___________________

Eci e eci e muzgu

_______________________ _____________________________
_____________________________ _____________________________
_______________ _____________________________ _____________________________
Letërsi 269

Letërsi

Proza - motivet dhe elemente të stilit

Veprat në prozë të Martin Camajt janë shkruar më vonë se poezitë e periudhës së parë. Vepra e parë e tij në prozë është “Djella” (1958). Motivet e këtij romani na i sqaron vetë Camaj: “Ideja e motiveve që do të zhvilloheshin në një ambient të caktuem më erdhi si reagim kundrejt propagandës të vjeteve '50 në diktaturat e reja komuniste të Lindjes: thuhej se një shkrimtar i saktë nuk duhej ta lente kurrë vendin, duhej të jetonte mbrenda popullit të vet, përndryshe humbaste talentin.”. Më pas, këtë motiv ai e lidhi me motivin tjetër të zhvendosjes së popullsisë së Veriut të Shqipërisë drejt fushave. Sipas tij: “Diktatura e re, zhvendosjen e popullatës e përdori për qëllime të caktueme të veta, edhe si masë ndëshkimi, internimi i familjeve ‘armiqësore’, për shembull.”. Pra, siç mund të shihet, pavarësisht distancës hapësinore, Camaj jetonte me shqetësimet dhe problematikat që ndodhnin në vend. Të dyja këto motive ai i gërshetoi nëpërmjet imazheve të përjetuara nga Bardh Qerreti, mësuesi i fshatit Ndërsanë. Tematikat nuk jepen si një rrëfim ngjarjesh, por si përsiatje, meditime, mëdyshje të këtij personazhi. Tek ai ndërthuren dy botë: ajo e origjinës, e malësorit dhe ajo e intelektualit, mësuesit. Ato, pavarësisht se janë në kundërshti me njëra-tjetrën, nuk përfaqësojnë të mirën e të keqen, pasi Bardhi nuk e urren origjinën e tij. Nga ana tjetër, atij nuk i pëlqen sistemi mbi të cilin është organizuar kjo origjinë dhe marrëdhëniet njerëzore që shfaqen në të, të cilat i duken të izoluara, të palëvizshme, pa zhvillim e risi. Bardhi kërkon më shumë hapësirë dhe mundësi për veprim të natyrshëm: “Due ajr dhe nji bote të hapēt, pa skaje.”; “S’ishte ajo jetë për një krijues idesh.”. Kjo kundërvënie shfaqet edhe në aspektin ndjenjësor. Kështu, ai në fillim dashuron Shpresën, mësuese, pasi sheh tek ajo personin me formim të njëjtë, që do ta ndihmojë edhe në këtë kundërvënie ndaj së vjetrës. Po nga ana tjetër, sa sheh Djellën, malësoren e bukur, ndien një tërheqje të nxitur edhe nga modelet e nënshtresat e fshehura të origjinës së tij. Këtë treshe e plotëson Curri, malësori i hijshëm, që dashuron Djellën gjithashtu.

Nga pikëpamja e kohezionit, pra, e mënyrës së organizimit të materialit gjuhësor, janë të dallueshme efektet poetike të këtij romani (rima të brendshme, alternime ritmike të njëjta, fjali pa folje-elipsa sintaksore, rimarrje të fjalisë me të njëjtën fjalë a të njëjtin tog, përdorimi i fjalëve që kanë vetë një imazh të theksuar poetik, ndajshtimet në formë grupi e jo vetëm një fjalë etj.), pavarësisht se Camaj thotë se kaloi nga poezia në prozë në rastin e Djellës. Megjithatë, edhe vetë Camaj pranon se nuk e ka si synim dallimin e gjinive në punët e tij. “Hija e një vajze shtat-hjedhët këputi udhën e madhe e hyni më një shteg mes dy brigjeve arash.” Pasi jeni njohur me mënyrën e ndërtimit të poezisë së Camajt dhe pasi të keni lexuar prozën e tij, arrini të vëreni se si fjalia e mësipërme fare mirë mund të ishte pjesë e një dyvargëshi të një poezie të Camajt.

Fjalia është një metaforë e madhe, e cila ndahet në mes nga lidhëza bashkërenditëse “e” që shërben edhe si hapësira ritmike ndarëse mes dy pjesëve të fjalisë/varg. Po kështu, fjala “arash” është dhënë në rrjedhore pikërisht për të krijuar uniformitet metrik, pasi në fakt ajo duhet të ishte në gjinore (mes dy brigjeve të arave). Në këtë kontekst, mbaresa e rrjedhores “-sh” bëhet edhe për të krijuar aliteracion të brendshëm.

Romani tjetër, “Rrathë” (1978), trajton problemet me individin dhe sistemin (Në fakt, një alegori e hapur me atë që kishte ndodhur në Shqipëri.). Sistemi përfaqësohet në rrathë që kanë një hierarki në progresion ngritës: Rrathë uji, Rrathë zjarri, Rrathë gjaku. Studiuesit e shohin këtë ndërtim hierarkik në funksion të sigurimit të sistemit, forcimit të privilegjeve të pushtet-mbajtësve, duke forcuar

Letërsi270

mbikëqyrjen dhe monopolizimin e çdo fushe të jetës, madje edhe përcaktimin e zhvillimeve shoqërore. Që të arrihet kjo, sistemi punon fillimisht për shkatërrimin e personalitetit dhe individualitetit njerëzor, duke u munduar ta bëjë atë pjesë të grupit, të kolektivit. Në këtë grup, individi nuk do të ketë liri mendimi e veprimi, po do të jetë pjesë e një turme, në të cilën është i detyruar t’u nënshtrohet interesave të të tjerëve. Individi tashmë nuk është më vetvetja, por një hije e tij.

Ndër personazhet përfaqësuese, nga një numër i madh prej tyre, veçojmë Bacin (Folkloristin) dhe Agonin (Novelistin). Baci, edhe nga simbolika e emërtimeve, përfaqëson të vjetrën. Në thelb, ai nuk e do sistemin, po ka frikë t’i kundërvihet. Gjithsesi, një revoltë të fshehur ai e bën, pasi fillon të mbledhë folklor, “Këngët e Kreshnikëve”, që nuk janë pjesë e jetës së sistemit. Nga ana tjetër, personazh kryesor është Agoni apo Novelisti që gjithashtu edhe nga simbolika e emrave kuptohet se përfaqëson të renë. Detyrat që i duhet të përmbushë në kuadrin e sistemit, të mbledhë të dhëna për Ilegalin (lajmë të nëndheshme) dhe të shkruajë një reportazh për ardhjen e traktorëve në Ripën e Mesme, e bëjnë atë që të njohë sistemin. Përditshmëria në të (jetën në sistem), ia prish nocionin edhe për sistemin, edhe për botën. Fillon shpërbërja kohore në kufijtë e surreales, saqë ai nuk dallon as edhe kalimin e kohës dhe të ngjarjeve. Studiuesit kanë vërejtur se Agoni as nuk ia nis e as nuk mund t'ia luajë lojën pushtetit, siç vepron, fjala vjen, Baci. Në njërën anë, ai s'ka përvojë të mjaftueshme për rrethana të tilla, ndërsa në anën tjetër, ka shpirt krijuesi letrar, prandaj shumë çështje i sheh ndryshe nga të tjerët. Agoni e kupton botën dhe karakterin e sistemit sidomos në fund të romanit, sa merr vesh se vepra e tij e vënë në teatrin e kukullave kishte bërë bujë të madhe, sidomos i kishte shqetësuar pushtetarët. Ky është çasti kur ngadhënjen forca e artit dhe nga ky çast, Agoni i kthehet vetvetes dhe jetës krijuese. Nga pikëpamja e kohezionit, mënyrës së ndërtimit dhe organizimit të materialit gjuhësor, teksti i këtij romani paraqet një larmi trajtash si në rrafshin leksikor, ashtu edhe në atë morfologjik e sintaksor. Camaj përdor shumë frazeologji, fut fjalë të leksikut arbëresh dhe varianteve të ndryshme dialektore, luan me fjalëformimin, emërtimet i kalon në simbole që lidhen dhe me domethënien e rolin që kanë personazhet në roman. Dialogët dhe monologët dramatikë janë ata që përcjellin ngjarjet dhe jo një rrëfim direkt i tyre. Një gjë e tillë bëhet në mënyrë të qëllimshme edhe në funksion të motiveve të romanit (bota e individit përballë sistemit, vetmia, humbja e traditës, kërkimi i lumturisë, i suksesit vetjak, lidhja me rrënjët e origjinës).

Vepra që nga shumë studiues shihet si kryevepra e tij është “Dranja”. Dranja është emri i breshkës femër “me një emër gruaje”, si dhe emri i një vajze të bukur prej vendlindjes së autorit (Ky emër në fakt është emri i lules që gjendet në disa variante: drandofille-trëndafil-Drane-Drande). Nga këto të dhëna të vetë autorit del që titulli duhet lexuar si gruaja-breshkë dhe breshka-trëndafil. Në lidhje me llojin e tekstit dhe ndërtimin e tij, autori sërish na jep të dhëna që në fillim përmes emërtimit poshtë titullit, duke e quajtur “Madrigal”. Madrigali është një nënlloj lirik-erotik, i shkruar në vargje dhe në fillimet e tij, i kënduar. Madrigalet e Camajt janë shkruar në prozë. Gjithsesi, elementet poetike të këtyre prozave janë shumë të dukshme, ndaj dhe studiuesit bien në një mendje se ato janë proza poetike.

Dranja shfaqet si një hibrid me tipare rrëshqanore (zvarritëse, pra, të breshkës) dhe njerëzore. Edhe vetë Camaj thotë “frymor i ndërmjemë mes sisorëve dhe atyne që pjellin vezë”. Ka studiues që Dranen e identifikojnë me autorin dhe jetën e tij të përcaktuar nga origjina e tij, por edhe endjet jashtë (veçanërisht në madrigalet e para). Breshka si simbol (me konotacion jo fort pozitiv në kujtesën popullore) është zgjedhur nga autori edhe në funksion të tekstit modern të tij (Metamorfoza si koncept dhe si proces është e zakonshme në tekste të letërsisë moderne.). Gjithsesi, imazhe të tilla si breshka, gjarpri etj., të frymëzuara nga mitologjia, Camaj i merr dhe i përpunon në përmbajtje, por deshifrimi i plotë i tyre bëhet duke mos harruar edhe referencën mitike nga janë marrë.

Letërsi 271

Në një madrigal tjetër, autori pohon se e takoi Dranen, kur ishte fëmijë, duke e shmangur deri diku personifikimin direkt me të: “më ndoq ajo hije përmbas, roje frymë-mirë e dheut të rrëpijtë pranë Lumit të Madh, prore në naltësinë e shputës së kambës, kudo që shkova.”. Vini re se si krijohet efekti poetik nga grupet pothuajse me numër të njëjtë fjalësh dhe rrokjesh, që kufizohen nga presja e parë dhe e dytë. Në këto grupe mungon folja dhe elementi lidhës. Të gjitha këto krijojnë një ritëm të brendshëm, që i japin diksion poetik leximit.

Në raste të tjera, tipare të caktuara të saj shërbejnë si model katarsisi për zërin poetik: “Qysh se e njoh Dranjen janë shlye edhe në mue plot vese, si paduresa e vrulle irnuese të paprituna: Qëndrimi i saj si copë thëngjilli i fikun më sjell ndër mend prore sa të pakuptim janë përpushjet e ngutshme, si zorra në prush, të njeriut modern.”.

Duke u kthyer sërish te përdorimi i elementeve mitike, duhet të themi se me breshkën-grua Camaj krijoi një mit të ri ose personal, veçse pa heroizmin e miteve të zakonshme.

Referenca shumëplanëshe janë të dallueshme në vepër. Kështu, nëpërmjet zhvendosjes hapësinore të Dranes, në madrigale flitet edhe për historinë e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Camaj, e quan breshkën “dhease” (autoktone), kur Dranja viziton Tempullin e Afroditës.

Në këtë kontekst, Dranja shfaqet si një vepër me referenca shumëplanëshe, po që gjithsesi në thelb mbetet fati i qenies së dyzuar në kompleksitetin jetësor të saj. Ka autorë që e shohin këtë si fat tragjik. Gjithsesi, ky i fundit projektohet në kontekste mitike, historike, filozofike etj., nëpërmjet një gjuhe poetike dhe me mjete kohezive mjaft moderne.

“Karpa” (1987) është romani tjetër i Camajt që sipas tij: “Është një roman kompleks që rrëfen dëshirat e papërmbushura të jetës së tij.”. Po kështu, ai vetë shpjegon edhe domethënien e titullit i cili “simbolizon një kala të paarritshme që banohet nga njerëz gjithaq të paarritshëm e në thelb të egjër.”. Duke luajtur me origjinën e fjalës, Karpa identifikohet si një fshat, por që në emërtim ai e lidh me pozicionimin e saj si një vend i butë me gjelbërim mes shkëmbinjve; edhe këtu Camaj nuk del nga teknika e tij simboliste e hermetike njëkohësisht. Motivet që dallohen në këtë vepër janë të shumta. Nëpërmjet alegorisë, ato lidhen si me fatin e individit, ashtu edhe me atë të shoqërisë shqiptare. Kështu, aty dallon izolimin dhe dramën që sjell ai te njeriu, dhunën fizike e mendore, sedrën e fyer, pengimin e lëvizjes së lirë e bashkë me të mungesën e komunikimit, shmangien nga zhvillimi etj. Të gjitha këto jepen mes gërshetimit të reales dhe irreales. Realja synon të përcaktojë hapësirën dhe kohën, kurse irrealja, nëpërmjet përvojave historike që më së shumti dalin si mitike, e rrënon imazhin real. Romani fillon në verën e vitit 2338 (pavarësisht se në roman dalin edhe kohë reale si 1975, 1980). Kjo kohë është subjektive dhe zhvillohet kryesisht në nënvetëdije, duke marrë dhe kuptimin e mbarëkohësisë në lidhje me ngjarjet që ndodhin në Karpë. Jeta e individit në Karpë duket se nuk kushtëzohet vetëm nga kushtet reale; ajo është edhe rrjedhim i fatit historik të trashëguar. Kështu, Voni, Barnatari, duke lexuar Kronikën e vjetër të Karpës dallon që ajo është jeta e vërtetë e kësaj të fundit (me të këqijat, tragjiken, dhunën etj.). Meqë nuk iu nënshtrohet rregullave të këtij mjedisi, ai dënohet të jetojë në zemrën e shkëmbit, larg jetës e mundësisë së veprimit të lirë.

Mjaft interesante në krijimtarinë e Camajt janë edhe novelat e tij (1981), që ai i quan “copa”: “Shkundullima”, “Pishtarët e natës”, “Rrungaja në mars”, “Gjon Gazulli”, “Katundi me gjuhë të fshehtë”. Në to gjen botën e malësorit shqiptar (“Pishtarët e natës”), po dhe të arbëreshit (“Shkundullima”), dy botë, të cilat i kishte pjesë të përjetimit të tij emocional. Gjen po ashtu edhe fatin e fatkeqësinë e përbashkët, si dhe ballafaqimin e njeriut me ndërgjegjen e tij dhe atë të shoqërisë (“Katundi me gjuhë të fshehtë”, “Gjon Gazulli”).

Gjithë krijimtaria e Camajt dëshmon atë që me të drejtë pohon Ernest Koliqi: “atij edhe padashtas i shkon syni te brumi njerëzor”, pra, te qenia dhe fati i saj.

Letërsi272

Verifikoni njohuritë

1. Romani “Djella” ka motive të larmishme. Cilat janë dy motivet me referencë reale në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, për të cilat flet edhe vetë autori?

2. Në roman ravijëzohen dy çifte: Bardhi - Shpresa dhe Djella - Curri. A përfaqësojnë ata dy anë të ndryshme dhe plotësisht të kundërta? Pse? (Kujdes te figura e Bardhit, pasi ajo është komplekse.)

3. Romani “Rrathë” përcakton marrëdhëniet mes individit dhe sistemit. Si përcaktohet në mënyrë simbolike ky raport? A krijon alegori me realitetin shqiptar të kohës së diktaturës dhe çfarë ndjesie krijoni?

4. “Dranja” është një hibrid që del në dy forma. Përcaktoni llojin e këtyre formave. A është ky hibridizim i zakonshëm për letërsinë moderne? Sillni shembuj.

5. “Karpa” është një roman i cili trajton fatin e individit jo vetëm në aspekt personal. Si ka ndikuar ambienti në këtë lloj fati? Tragjikja e tij është e lidhur vetëm me pozicionin dhe relievin e saj gjeografik?

Ushtroni mendimin kritik

6. Te figura e Bardh Qerretit vihet re përplasja e ndjesive të origjinës dhe atyre të intelektualit të qytetëruar. Cili është qëndrimi i Bardhit në lidhje me to? A mund të përshtaten ato me njëratjetrën? Tregoni qëndrimin tuaj në lidhje me këtë dikotomi.

7. Në romanin “Rrathë” vihet në dukje se diktaturat (sistemi) sulmojnë fillimisht karakterin njerëzor. Çfarë synojnë të arrijnë me këtë tek individi? Si ju duket synimi i sistemit për ta bërë individin pjesë të grupit, turmës, pra, t’i zhdukë individualitetin atij?

8. Agoni e kupton botën dhe karakterin e sistemit sidomos në fund të romanit, sa merr vesh se vepra e tij e vënë në teatrin e kukullave kishte bërë bujë të madhe, veçanërisht i kishte shqetësuar pushtetarët. A mendoni se kultura, arti, shkenca, janë një mënyrë për të luftuar uniformitetin, diktaturat, të keqen në përgjithësi e atë brenda secilit prej nesh në veçanti? Pse?

9. Breshka-gruaja-Drane dhe imazhi i saj shumë modern i krijon mundësi autorit të hulumtojë në shumë nivele jetësore me shtrirje kohore të papërcaktuar imazhesh, simbolesh, mitesh etj. A e ndihmon autorin një përzgjedhje e tillë kompozicionale në deshifrimin e kodeve jetësore jo vetëm të individit në përgjithësi, po edhe të tij në veçanti? Ilustroni mendimin tuaj me pjesë nga madrigalet.

10. Në romanin “Karpa”, izolimi hapësinor krijon edhe izolimin mendor. A mendoni se dhuna e veset që shfaqen në këtë realitet janë të kushtëzuara pikërisht nga ky izolim, apo janë pjesë e së keqes brenda njeriut kudo që ndodhet ai? Pse njerëzimi preferon kryesisht të shkarkojë të keqen?

Sfida e të shkruarit

11. Raporti i individit me veten në radhë të parë, fatin e tij personal e kolektiv, raporti me shoqërinë e sistemet, i vënë në kontekste të caktuara historike ose dhe me mungesa reference kohore janë tharmi kryesor i motiveve të Camajt. Duke pasur parasysh këtë, shkruani një tekst me titull: “Unë dhe uni brenda meje, një luftë e përjetshme, e fituar apo e humbur?”.

STUDIM TEKSTI
Letërsi 273

ILUSTRIM

Zana

Poezia me titull “Zana” i përket vëllimit “Një fyell ndër male”, i cili është pjesë e veprës së periudhës së parë të krijimtarisë poetike, kur vështirësia e metaforës, eksperimentimi me strukturën dhe abstraksioni nuk është shumë i dendur. Poezia krijon ndjesi të përshtatshme për grupmoshën tuaj.

Mbi fshat në maje Luli duel e vren Tubën shpatijesh hapë, Kurse Zana tue bâmun shputë vjen, Vajza t'pes-mbdhetat kapë.

– Çudi – tha Luli – Zan', sa fort jé rritë! Puntore u bane e blegë! –E djali vren syt e çikës si dritë E faqet kuq si shegë.

– Shiko, Lul – tha me tret' kuvend vajzusha

Nën male n'grykë andej, Mbulue me tym të bardhë atje âsht fusha, Qyteti mâ përtej.

Un në qytet me babën vjet jam kanë! Veç njerz ti shef për rreth, Derë për derë shpijat t'gjitha janë E s'shef bar as gjeth.

“A jé, si je” gjindja në rrug' s'të pvesin, Por njani tjetrin shtyejnë; Nata me t’xan' pa t'holla jasht' të qesin E grát buz’t i lyejnë. –

Mahnitun Luli Zanën e shiqon, Po Zana e bjeshk’s iu ngja

Se para i duel e zemrën peshë ia çon Me buz' të veta e zâ...

– Njéri si ty un s'e kam pá nuk di –Me turbullim tha Luli; Vasha tu'u kuqun mâ tepër tha “si?” E kryet kjo marrshëm uli.

Mbas delesh të largueme t'dy vrapojnë, Në heshtje u dan’ në pyll. Ndër lisa zogjt tashti mâ mir’ këndojnë, Mâ mirë binte ‘i fy'll.

Kumbona e Zanës larg për mâll trokonte Si zani i deles gjetun. Në shpirtin e djalit tash diçka u zgjonte Si 'i gjâ, që kishte fjetun.

LETRAR
Letërsi274

TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në tekst paraqiten ambiente të caktuara. Përcaktoni vendin, në bazë të të dhënave të tekstit.

2. Në tekst dallohet dialogu mes Zanës e Lulit. Gjeni grupmoshën e tyre, duke nxjerrë të dhëna nga teksti. Shpjegojeni këtë lidhur edhe me rutinën ditore të jetës në fshat.

3. Në poezi vërehet se, ose Zana, ose Luli, ka vizituar qytetin. Përcaktoni se cili. Nëse teksti nuk ju jep të dhëna për këtë, a e pengon kjo kuptimin e pjesës në vijim?

4. Emri i vajzës përputhet me emrin e një qenieje të mitologjisë sonë popullore. A e njihni atë dhe tiparet për të cilat përmendet? A i referohen edhe në këtë poezi mitologjisë në lidhje me këtë fakt? Ilustrojeni me pjesë nga poezia.

5. Strofa e tetë përshkruan ndarjen e çiftit. Si është ajo, e trishtueshme apo e gëzueshme? Ilustrojeni me pjesë nga strofa dhe tregoni ndjesinë tuaj.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Poezia është ndërtuar me strofa katërvargëshe. Dalloni llojin e rimës dhe numrin e rrokjeve për secilin varg. A ka rregullsi në këto të dhëna? Një gjë e tillë e lehtëson apo e vështirëson leximin dhe kuptimin?

7. Secili varg ka një hapësirë që e ndan atë në dy pjesë. Në këtë mënyrë, alternohet ritmi. Gjeni këto hapësira dhe vini re si realizohen ato. Emërtoni ndjesinë ritmike (e fortë, e butë, e lehtë dhe rrëshqitëse etj.).

8. Në gjithë poezinë vihet re përdorimi i vizës (–). A mendoni se kjo ka lidhje me elementin metrik e ritmik (shumica), pra, reflekton një hapësirë (njërrokëshe) në lexim që lejon krijimin e një ritmi të njëtrajtshëm në poezi? Lexojeni tekstin, duke u munduar që të respektoni këto hapësira në kuadrin e një rrokjeje. Si ju duket?

9. Poezia ka tre zëra. Dalloni këta zëra dhe përcaktoni cili flet më shumë. Pse ndodh kjo gjë?

10. “Mbas delesh të largueme t'dy vrapojnë, /Në heshtje u dan’ në pyll./ Ndër lisa zogjt tashti mâ mir’ këndojnë,/ Mâ mirë binte ‘i fy'll.” Camaj copëzon në këtë strofë me apostrof fjalën fyell. A krijon ndonjë kuptim alegorik-erotik dhe kujt i referohet ai? Përshkruani imazhin personal në lidhje me të.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në poezi gjendet fusha semantike e fshatit dhe jetës baritore. Dalloni fjalët që i përkasin kësaj fushe. A kushtëzon kjo atmosferë edhe ndërtimin e dy figurave që duhet t’i emërtoni, në vargun e dytë të strofës së gjashtë (Po Zana e bjeshk’s iu ngja) dhe vargun e dytë të strofës së fundit (Kumbona e Zanës...)?

12. Në poezi gjendet fusha semantike që ka lidhje me erotikën (në kuptimin e saj të gjerë). Gjeni fjalët dhe grupet e fjalëve që lidhen me të në tekst. Përcaktoni se për cilën pjesë të erotikës flitet.

13. Strofa e dytë ka dy rrafshe pikëvështrimi të djalit, njëri i sipërfaqes, që lidhet me rritjen e vajzës si vajzë shtëpie dhe pikëvështrimi tjetër, i fshehtë, që lidhet me ndjesinë e zhvillimit fizik. Dalloni vargjet që ilustrojnë këtë. Krahasimet e vargut të tretë e të katërt që lidhen me ndjesinë e fshehtë i përkasin ndjenjës a pasionit?

STUDIM
Letërsi 275

14. Poezia ka në thelb ndjesinë e pasionit të dy të rinjve me pikë reference kryesore vajzën. Gjeni fjalët, grupet, figurat që i referohen kësaj ndjesie te djali dhe te vajza. “Si 'i gjâ, që kishte fjetun.”: Çfarë roli ka ky varg në deshifrimin e gjithë ndjesisë?

15. Strofa e shtatë ka një pyetje që nuk i jepet përgjigje. Mundohuni ta jepni ju përgjigjen, duke u mbështetur veçanërisht në vargun e parë dhe në vargun e fundit. Nga teksti te përdorimi

16. Në poezi është përdorur fjala “vajzusha”. Si mendoni, a ka ndonjë efekt stilistik pjesa që i është shtuar temës kryesore “vajzë”? Mbase mund ta lidhni edhe me ndonjë emër tjetër që e mban këtë formë (gjarpnush). Jepni imazhin që ju krijon kjo fjalë në kontekstin e gjithë poezisë.

17. Strofa e tretë, e katërt dhe e pestë duket sikur nuk kanë lidhje me pjesën tjetër të poezisë. Pse i ka vënë autori në poezi? Cilat vargje bëjnë lidhjen me pjesët e tjera të poezisë?

18. Folja “mahnitun” shpreh sipëroren e çudisë dhe admirimit njëkohësisht. Dalloni të gjitha fjalët në lidhje me këtë njësi.

19. Emri “zâ” del disa herë në tekst. Gjeni këto përdorime dhe fjalë të tjera që lidhen me të. Cilit proces i referohen ato, ndjesisë ngacmuese erotike si pasion, apo ndjenjës së konsoliduar? Referojuni edhe vargut të fundit të poezisë.

20. Vini re metaforën e krijuar në strofën e gjashtë, vargu i dytë. A është ajo një metaforë abstrakte, apo e krijuar mbi bazën e një krahasimi të fshehur? Çfarë tregon kjo për fazën e krijimit poetik të Camajt?

Nga teksti te reflektimi

21. Dialogu mes dy të rinjve realizohet mbi një fshat, pra, diku në mal, ku dy barinjtë ruajnë bagëtitë. Si mendoni, dialogu dhe përjetimet e tyre janë pjesë vetëm e këtyre njerëzve, pra, që jetojnë në këto vende të shkëputura, apo kemi të bëjmë me përjetime normale të qenies që vë re pjekjen seksuale të dikujt dhe të vetes? Tregoni përvojat personale.

22. Në poezi janë tri strofa që flasin për jetën në qytet. Si ju duket ai në krahasim me fshatin, veçanërisht në lidhje me mirësjelljen, mikpritjen, humanizmin njerëzor etj. Mund ta ilustroni mendimin tuaj me përvojat personale.

23. Gjithë poezia është një lirikë e bukur erotike. Çfarë shijeje ju lë ajo? A është ky motiv tabu për bisedat mes jush?

24. Në poezi, Zana flet më pak, por në fakt pjesët ku ajo referohet kanë të bëjnë me një përjetim, që ajo të paktën e dallon, sepse ajo “tret kuvend”; “E kryet kjo uli marrshëm”. (ka turp), skuqet “Vasha tu u kuqun”. A bie kjo ndjesi e vajzës në kontrast me përjetimin e Lulit, që paraqitet duke e zbuluar përjetimin erotik? Si mendoni, pse ndodh kjo? Argumentojeni përgjigjen tuaj duke pasur parasysh fazat e zhvillimit fiziologjik e mendor te të dyja gjinitë.

25. Përjetime të tilla si këto në poezi janë shumë të zakonshme në moshën tuaj. Në jo pak raste ato paragjykohen dhe etiketohen, veçanërisht te vajzat. A mendoni se kjo është e drejtë? Diskutoni në klasë.

Letërsi276

ILUSTRIM LETRAR

Djella

Më ka dalë gjumi në dy mbas mjesnate. Kam rá në mendime si ta quej këtë vepër, poemë apo romansë?

Përkënaqesha në vete jo aq se qitsha në letër vargje mbas vargjesh, po sepse ato mbîshin nga ndiesi që ushqesha për Djellën. Tue mos u dhanë dalë këtyne ndiesive të turrshme, mâ vonë thashë se arti ish tue humbë edhe tek unë përparsinë kundrejt landës reale, stofit letrar, që unë trajtosha. Si shembull negativ, kisha parasysh disa letrarë të kohës për të cilët landa që trajtoshin e hymnizimi i saj (figura e udhëheqësit, bie fjala) bahej pjesë thelbësore e veprës letrare.

Pyetsha veten, a jam artist apo dashnor i fshehtë i një fshatarje të pagdhendun. A ka drejtpeshim mes pjesëve përbamëse në këtë romansë?

Vërtetësia! M'u kujtue se mbramjen që shkoi kishte kalue andej një shofer me një kamion të shkatrruem, torollak djali, mish me dy sy të vegjël e dhambë të bardhë. Ky i kishte luejtë synin vajzës fshatare e Djellës i ishte zdritë fytyra.

Edhe për Currin, kur e përftyrosha si dashnor të Djellës, kisha ndjenja nënvleftësimi. Herojtë e romansës sime të parë! Thosha fare i shzemruem. Ishte xhelozi, kjo? Edhe sot besoj se jo, por qëndrim ndërdyzash i njeriut shoqnisht të pashtresë, i vetmuem në jetë e në ndiesitë e veta, por poet! Në vetminë e asaj nate kam marrë përdore një vajzë, të paemën që për lehtësim kuptimi mes nesh po e quajmë Djella. E kam marrë përdore dhe tue tërheqë lehtas nëpër dritare (as me qenë ajo hije) i kam bâ vend te kambët e shtratit. Qè, tash rrin në fund të shtratit dhe më vëren me atë shprehje të pakeq dhe me sy femne së pjekun. Takim bixarr, pa fjalë, pa shpresë të një buzqeshje ose puthje, gojëmbyllë. S'jam i zoti për tjetër, vetëm me njehë marrëfrymjen e saj: një, dy, tre, katër; në fyt i rrah delli: një, dy, tre, katër. Gabimisht e kisha vû mbi kambët e mia, andaj nuk mundsha me i lëvizë nën mbulojë. Habitesha si nuk luente vendi tue ditë ajo se janë kambët e mia. Nuk më randon. Ndër kambë më ka shkue krejt gjaku dhe ndiej si rrah ndër dej njikohësisht me damarin e qafës së saj, gjithnjë e mâ shpejt në një kohë me marrëfrymjen e saj.

Jam përnjësue me Djellën dhe mendosha se tash edhe ajo më merr vesh:

Hyne në banesën time fllad i lehtë nëpër kurtinën e dritares nëpër kurtinë të fryme zemër randue dëshirash. Djellë, ti hyne si blerimi në sý gjak i ngrohtë ndër dej.

Mos ik, syni me blerim nuk ngîhet as zemra me gjak e ngrohje.

Mos ik, në terrin e vetëm ku rrin e gurzueme jeta edhe ndër bimë.

Letërsi 277

TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Siç shihet, zëri tregimtar po përshkruan procesin e tij krijues. Cili ka përparësi, sipas tij, arti i krijimit, teknika, apo materiali i përdorur, motivet, që në këtë rast bazohen në ndjesitë personale? Ilustroni me pjesë nga teksti.

2. Në dyzimin e brendshëm të autorit se kush duhej të paraprinte, teknika apo materiali burimor e ndjesor që do të përdorte, ai kalon te një çështje tjetër mjaft e diskutuar në teorinë e letërsisë: Vërtetësia e një teksti, apo trillimi? Cili është imazhi i Djellës në kuadrin e vërtetësisë? Gjeni pjesë në tekst për këtë.

3. Një vajzë gjendet në dhomën e autorit një natë. A është real apo i imagjinuar imazhi i saj? Pse preferon ta bëjë këtë gjë autori? Ilustroni përgjigjen tuaj me pjesë nga teksti.

4. Përjetimi krijues i autorit është shumë i thellë (halucinativ, gati). A ka shenja në tekst që tregojnë këtë? Ilustroni me pjesë nga teksti.

5. Autori mendon se në fund të këtij përjetimi imagjinar ka arritur të “përnjesohet” me Djellën. Për çfarë përnjehsimi e ka fjalën, ndijor, mendor, apo ndjesor? Ilustroni me të dhëna nga teksti.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Që në fillim, pjesa hapet me mëdyshjen e autorit mbi llojin e tekstit, që kishte krijuar ose do të krijonte. Dalloni dy alternativat që paraqet autori. Cilit rrafsh i përkasin, atij të kuptimit, përmbajtjes apo atij të krijimit, teknikës?

7. Në tekst, dilema e mësipërme, që u përket dy çështjeve të ndryshme (teknikës krijuese dhe materialit, motivit etj.) haset përsëri pak më poshtë. Gjejeni atë në tekstin në vijim: “Pyetsha veten, a jam artist apo dashnor i fshehtë i një fshatarje të pagdhendun.”. Vini re konotacionin, që reflektohet edhe nga ndërthurja e regjistrave dhe shpjegoni arsyen.

8. “Në vetminë e asaj nate kam marrë përdore një vajzë, të paemën që për lehtësim kuptimi mes nesh po e quajmë Djella. E kam marrë përdore dhe tue tërheqë lehtas nëpër dritare (as me qenë ajo hije) i kam bâ vend te kambët e shtratit.” Në këtë tekst përsëritet e njëjta metaforë. A shërbejnë fjalët e kësaj metafore si elemente që shpjegojnë edhe dëshirën për ta pasur pranë një grua?

9. Poezia që ndjek prozën ka këtë metaforë hyrëse: “Hyne në banesën time/fllad i lehtë/nëpër kurtinën e dritares/nëpër kurtinë të fryme/zemër randue dëshirash.”. Gjeni momentin e njëjtë në pjesën në prozë dhe shpjegoni ndryshimin? Çfarë i lidh gjithsesi?

10. Dalloni mospërshtatjen e kohëve të foljeve në këtë fjali: “Jam përnjësue me Djellën dhe mendosha se tash edhe ajo më merr vesh.”. Pse mendoni se është bërë ajo?

11. Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

12. Në pjesën më poshtë dallohet mbiemri “e turrshme” (Tue mos u dhanë dalë këtyne ndiesive të turrshme,...). A formon epitet metaforik ai? Shpjegojeni me një perifrazë. Çfarë ndjesie ju krijon?

13. Në tekst gjendet mbiemri i “shzemruem” (Thosha fare i shzemruem.). A është neologjizëm i autorit ky? Nëse po, dalloni fjalëformimin e tij. A luan me homoniminë e fjalës që krijon fjala “zemër” me “zemëro”? Shpjegoni imazhin.

14. Thamë që teksti i referohet procesit krijues të autorit. Në pjesën në vijim, cila njësi e vërteton këtë fakt? Pse është i rëndësishëm ky lloj dialogimi për të? “Në vetminë e asaj nate kam marrë përdore një vajzë, të paemën që për lehtësim kuptimi mes nesh po e quajmë Djella.”.

STUDIM
Letërsi278

15. Në tekst gjendet dy herë fjala “marrëfrymje” (S'jam i zoti për tjetër, vetëm me njehë marrëfrymjen e saj: një, dy, tre, katër; në fyt i rrah delli: një, dy, tre, katër. Njëra është në këtë ndërtim). Çfarë kuptimi ka ajo dhe cili është fjalëformimi i saj? Pse autori preferon këtë renditje temash dhe jo atë të zakonshmen (frymëmarrje). Mos luan edhe me të kundërtën e kuptimit të fjalës së zakonshme? Çfarë ndjesie mundohet të përshkruajë?

16. Teksti ndërtohet përgjithësisht nga regjistri formal në kuadrin e përsiatjeve teorike mbi letërsinë dhe realizimit të imazhit të saj poetik (megjithëse ka dhe ndërhyrje të regjistrit të mesëm). Dalloni këto elemente në pjesën në vijim: “Përkënaqesha në vete jo aq se qitsha në letër vargje mbas vargjesh, po sepse ato mbîshin nga ndiesi që ushqesha për Djellën. Tue mos u dhanë dalë këtyne ndiesive të turrshme, mâ vonë thashë se arti ish tue humbë edhe tek unë përparsinë kundrejt landës reale, stofit letrar, që unë trajtosha. Si shembull negativ, kisha parasysh disa letrarë të kohës për të cilët landa që trajtoshin e hymnizimi i saj (figura e udhëheqësit, bie fjala) bahej pjesë thelbësore e veprës letrare.”

Nga teksti te përdorimi

17. Ju keni studiuar rrymat e ndryshme letrare, nëpër të cilat ka kaluar letërsia shqipe. Në pjesën më poshtë, a vini re referencë reale të përdorur nga shkrimtari për ndonjë të tillë? Shpjegoni konotacionin e këtij përdorimi dhe arsyen: “Si shembull negativ, kisha parasysh disa letrarë të kohës për të cilët landa që trajtoshin e hymnizimi i saj (figura e udhëheqësit, bie fjala) bahej pjesë thelbësore e veprës letrare.”

18. Më sipër, përmendëm regjistrin me të cilin ishte ndërtuar kryesisht pjesa. Cilit mendoni se i përket ky lloj regjistri? Pse e bën këtë lloj përzgjedhjeje autori? (Vini re përmbajtjen e pjesës.): “Vërtetësia! M'u kujtue se mbramjen që shkoi kishte kalue andej një shofer me një kamion të shkatrruem, torollak djali, mish me dy sy të vegjël e dhambë të bardhë. Ky i kishte luejtë synin vajzës fshatare e Djellës i ishte zdritë fytyra.”.

19. Në tekst vihen re trajta fjalësh që nuk përshtaten me njëra-tjetrën sipas rregullave gramatikore. Vini re fjalët me të zeza në këtë fjali: “Qè, tash rrin në fund të shtratit dhe më vëren me atë shprehje të pakeq dhe me sy femne së pjekun”. Pse e bën këtë autori, në mënyrë të qëllimshme apo pa dashje? (Kini parasysh së ky është tekst letrar e ai shkruan si të dojë, në varësi të qëllimit të tij.)

20. Teksti ka elemente poetike. Në pjesën në vijim, cila përsëritje e krijon këtë efekt? “Në vetminë e asaj nate kam marrë përdore një vajzë, të paemën që për lehtësim kuptimi mes nesh po e quajmë Djella. E kam marrë përdore dhe tue tërheqë lehtas nëpër dritare (as me qenë ajo hije) i kam bâ vend te kambët e shtratit.”.Çfarë ndjesie jep ky veprim, të fortë, apo të butë?

21. Te poezia që ndjek pjesën, gjendet ky varg: “zemër randue dëshirash.”. Siç shihet, fjalët janë shkruar ndaras. A mendoni se kjo ndarje është bërë me funksion të dyfishtë: edhe për të krijuar kompozitën si epitet metaforik “zemërandue”, edhe për të krijuar metaforën ndjekëse “randue dëshirash”? Çfarë imazhi ju krijon ky përdorim?

Nga teksti te reflektimi

22. Teksti përshkruan procesin krijues të një autori. Përgjatë këtij përshkrimi jepen edhe ndjesitë e tij në lidhje me trajtimin e motiveve. Nga ky përshkrim, autori nuk arrin të krijojë një vijë ndarëse të prerë mes prioritetit të procesit krijues si një art, teknikës së krijimit dhe rëndësisë së trajtimit të materialit të përzgjedhur për trajtim. A mendoni se ka të drejtë ai?

Letërsi 279

23. Ju, kur shkruani ese ose tekste të ndryshme, nga niseni: nga lloji i tekstit të kërkuar, pra, nga formati i tij, apo nga materiali që do të paraqitni? A ka raste kur tematika kushtëzon formën, teknikën? Po e kundërta? Jepni shembuj.

24. Procesi i krijimit letrar ka në bazë gjithsesi subjektivitetin dhe trillimin. Camaj në tekst i referohet edhe vërtetësisë në procesin krijues. Dalloni konotacionin e kësaj pjese që e analizuat te pyetjet më lart. Po ju si mendoni, metoda e Camajt i përshtatet këtij kriteri? Argumentoni përgjigjen, duke iu referuar edhe sqarimeve në lidhje me veprën e Camajt.

25. Fjala “vetmi” del dy herë në tekst. Ndërkohë, teksti reflekton dialogun e brendshëm të autorit me veten dhe me lexuesin imagjinar. A mendoni se krijimi është një mënyrë për të mbushur boshllëkun që krijon vetmia tek autori? Diskutoni në lidhje me këtë, duke iu referuar tekstit.

26. Ne kemi folur më lart për trajtimin e figurës së femrës në krijimtarinë e Camajt. Në këtë rast, imazhi i saj përmes meditimit krijues i shërben autorit për shmangur vetminë. Të gjithë përjetojmë vetmi, por mundohemi ta përmbushim me aktivitete krijuese (muzikë, sporte, lexim etj.). Diskutoni në lidhje me përvojat personale.

Nga teksti te të shkruarit

27. Pasi të keni analizuar vargjet që ndjekin tekstin në prozë e veçanërisht kuptimin e mbiemrit “e gurzueme” që krijon epitet metaforik, krijoni një ese të frymëzuar nga ky varg: “Mos ik, në terrin e vetëm/ ku rrin e gurzueme jeta/ edhe ndër bimë.”

Letërsi280

Gjuhë

Drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi i teksteve

Teksti i shkruar dhe i folur ka një mënyrë të caktuar drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi. Ai nuk është i njëjtë për të dyja këto raste dhe veçanërisht, për tekste që u përkasin stileve e ligjërimeve të ndryshme. Kështu, një tekst ku përdoret gjuha standarde (pra, tekstet e stilit shtetëror-administrativ, që i përkasin administratës shtetërore dhe sistemit legjislativ, si dhe tekstet mësimore të niveleve të ndryshme) duhet t’iu përmbahet normave të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit që parashikohen nga standardi. Sipas këtij të fundit, fjalët shkruhen ashtu siç shqiptohen, veçse ky shqiptim i referohet një varianti të përzgjedhur si standard. Rregullat për të mësuar se si shkruhen këto lloj tekstesh u mësohen nxënësve në shkollë. P.sh., në një tekst shkollor jepen rregullat e drejtshkrimit: emrat me -ant, -at, -ent, -it, -ont, kur shënojnë frymorë, shkruhen në shumës më -ë: aspirantë, elefantë, doktorantë, kursantë etj.; argatë, delegatë, diplomatë, labeatë; klientë, studentë, gjirokastritë, semitë, kontë etj. Këto rregulla respektohen nga shkruesit formalë: Në kopshtin zoologjik kishte shumë elefantë, të cilët do të ishin në qendër të hulumtimit të studentëve doktorantë përgjatë një kursi tremujor. Si aspirantë të lirisë së kafshëve, studentët në fjalë do të trajtonin mënyrën se si ndikon një hapësirë e ngushtë në ndryshimin e sjelljeve të elefantëve.(N. Çaushi); por edhe nga shkrues të tjerë, të cilët zgjedhin t’i respektojnë në shkrimet e tyre: Një vështrim prapavajtës për politikën shtetërore në letërsi, në art e kulturë në periudhën ideokratike sot është mjaft i vështirë për t’u kuptuar, sepse kontrolli mbi krijimtarinë në shoqëritë e mbyllura arrin në kufij të tillë që vetëm në kontekstin e një absurdi të përgjithshëm mund të pandehet i besueshëm. (Sh. Sinani)

Problematika drejtshkrimore në tekste

Një tekst i shkruar apo i folur, që nuk u përket kategorive të mësipërme, por i përket p.sh. ligjërimit të shkujdesur, nuk përdor standardin gjatë shqiptimit apo gjatë shkrimit, pasi nuk e ka të detyrueshme atë, sepse është një ligjërim që e kryen komunikimin pa u kufizuar nga normat e standardit. P.sh.: shkova t’marr buk. Harrova se duhesh vu maska dhe hyna n’dyqan. As e kisha menien fare. Ajo, m’tha, shitsja pra, vene maskën. Në këtë kontekst, shpesh vihen re përdorimet dialektore, variante gjuhe që u përkasin shtresave shoqërore dhe grupmoshave të ndryshme, në të cilat dallohen edhe struktura sintaksore të caktuara, që janë pjesë vetëm e një grupi folësish edhe brenda të njëjtit lloj ligjërimor. Kështu, fjalia Ma hoqe pinin i përket ligjërimit të shkujdesur të adoleshentëve, kurse mosha më e rritur e ka analogen Ma hoqe trurin/trunin. Në këto lloje tekstesh, shpesh vihen re mungesa të ë-ve fundore të fjalëve, që janë normë e standardit. Në një pjesë rastesh kjo kompensohet me gjatësinë e zanores së theksuar. Kështu, përemri vetor unë në shqiptimin e ligjërimit të zakonshëm nuk del me ë në fund. U-ja në këtë rast del më e gjatë sesa kur përemri shqiptohet me ë në fund.

Ligjërimi i shkujdesur shfaq probleme edhe në lidhje me koherencën dhe kohezionin. Në mjaft raste, vihen re elipsa sintaksore. Fjalitë janë më të shkurtra. Në këto komunikime intensifikohet edhe komunikimi me figura të retorikës, si edhe me anë të shenjave të

Gjuhë 281

tjera jogjuhësore. Rast shumë i pranishëm është komunikimi në WhatsApp, i cili ka si parim bazë komunikimin e atypëratyshëm.

Alma dhe Blerta, 17 vjeçe:

Alma: mjep pk nmr e Sonit Blerta: 06982....

Alma: flm Blerta: tlut asgj (emoji: dy buzë)

Në një variant të përdorimit të shqipes së saktë do të ishte:

– Zemër, më jep pak numrin e Sonit.  – 06982....

– Faleminderit!

– Të lutem! Të puth.

Ndërsa dy burra të moshës 48/50 vjeç:

A: a pr shkdr locen je tu fol ar zylyfa (Je duke folur për Shkodrën dashurinë, nënën, loken etj., more ballukemënjanë?)

B: po mer naqe me tthn zog i sajna (Po, mor djalë, me të thënë zog i saj.)

Letërsia artistike dhe marrëdhëniet e saj me drejtshkrimin e drejtshqiptimin

Ligjërimi që shmang më shumë normën e standardit dhe në mënyrë të qëllimshme rregullat gramatikore, është letërsia artistike, e cila ka rregullat e veta të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit, që përcaktohen nga stili specifik i një autori të caktuar. Këto tekste nuk e kanë të detyrueshme normën që parashikon standardi, pasi janë krijime individuale të një autori të caktuar, i cili për qëllime estetike krijon struktura, fjalë etj., që mund të mos jenë pjesë e standardit. Këto tekste gjithashtu mund të jenë të shkruara në dialekt. Ky i fundit mund të përpunohet edhe nga idiolekti i autorit, duke dhënë një variant krejt të papërshkruar në gramatikat, që ju keni mësuar (Kini parasysh dadaistët, që krijuan simbole nga gjuha e fëmijëve.). Në këtë kontekst, drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi në raste të caktuara krijon një tekst me koherencë dhe kohezion shumë specifik edhe nga ligjërimi i zakonshëm.

a) Po sjellim një shembull nga Luka Patela (Luca Patella) (artist, piktor i specializuar në decoupage - teknikë e pikturës moderne)

Dinamizmi Funksioni (pak trilluese) materiali personazhi dhe vendi i jetës libri (o stili mendor o nëse e keni parë`:)

Luka Patela, dekupazh
Gjuhë282

Kjo është një poezi pa titull, që paraqitet si bashkësi fjalësh në liri të plotë: mungon një folje çfarëdo, siç mungojnë shenjat e pikësimit, me përjashtim të dy pikave që, në vetvete përbëjnë vargun e shtatë, dhe një kllapë në dy vargjet e fundit, në mënyrë të çuditshme. Duket e papranishme qoftë koherenca logjiko-kuptimore, qoftë kohezioni, mungojnë elementet lidhëse mes pjesëve: vërehet vetëm një lidhëz dhe në vargun e gjashtë, që duket sikur do të mbyllë një enumeracion, por që në fakt mbetet i hapur, sepse pasohet nga disa pika. Për ta kuptuar më mirë ndërtimin gramatikor dhe stilistik dhe normat e tij në një tekst letrar, po rikujtojmë shkurt konceptet e koherencës dhe kohezionit.

Në këtë kontekst, marrëdhëniet kuptimore dhe lidhjet kohezive në tekstet letrare mund të realizohen në mënyra të ndryshme nga e zakonshmja, dhe kjo sidomos në tekstet poetike: në pjesën më të madhe të tyre, kuptimi i një teksti varet shumë nga konteksti, kurse qëndrueshmëria logjike e tij përputhet me synimet e dhënësit të këtij teksti. Kohezioni në tekste letrare zgjerohet deri në përfshirjen e nivelit ritmik dhe fonik; masës së vargjeve dhe rimave që i lidhin në një paralelizëm të fortë e përsëritje (deri në variacione minimale) të vargjeve të të njëjtit tip dhe me theksa të pozicioneve të njëjta; me rima (përsëritje të njëjta tingujsh në fund të çdo vargu duke u nisur nga tingulli i fundit dhe theksi); me asonanca dhe konsonanca; me aliteracione.

Koherenca është një term i gjuhësisë së tekstit që përdoret për t’iu referuar marrëdhënieve kuptimore midis fjalëve, fjalive dhe paragrafëve të një teksti. Në saje të këtyre marrëdhënieve, teksti krijon qëndrueshmëri logjike dhe semantike për lexuesin apo dëgjuesin. Analiza e tekstit për gjetjen e koherencës përqendrohet kryesisht në mënyrën se si është ndërtuar, renditur, konfiguruar kuptimi në një tekst.

Koherenca e tekstit mund të krijohet mbi bazën e një rendi logjik, kronologjik, shkak/pasojë etj. Kohezioni i referohet mënyrës se si organizohet materiali gjuhësor i niveleve të ndryshme, sipas tipareve të teksteve të ndryshme. Duke marrë parasysh lidhjen formale dhe kuptimore midis thënieve që përbëjnë një tekst, ne kemi hyrë në fushën e kohezionit dhe koherencës.

b) Le ta vërejmë te një nga prozat e Kadaresë.

Xhadeja zbriste e zbriste poshtë duke gjarpëruar e duke u mbledhur kular rreth maleve... Herë pas here, tek zbrisnin, gjenerali kthente kokën pas. Ato po largoheshin gjithmonë e më tepër. Konturet e tyre bëheshin më abstrakte, më pak kërcënuese. Gjenerali i vështronte me një mënyrë të tillë sikur t’u thoshte: “Tani mbaroi presioni juaj. Ju ika, ju ika.” Pastaj, në orët e dremitjes në makinë, befas e zinte një frikë e turbullt. I dukej sikur malet do të zgjatnin dorën e tyre të akullt për ta kthyer përsëri atje në grykat e tyre.

Vërehet se kuptimi i pjesës vërtitet rreth referentit malet. Ngarkesa kuptimore që merr shenja malet, varet shumë nga rendi logjik i fjalëve. Në rimarrjen në të folur të këtij fragmenti, padyshim, që folësi ruan referentin dhe përemrat-deiktikë. Është e dukshme referenca e shenjuesit malet, nëpërmjet përsëritjes. Që të mos përsëritet gjithmonë referenti malet, ai zëvendësohet me fjalë të tjera. Këto fjalë që përsëriten (me bold) i përkasin kategorisë gramatikore të përemrit. Ky zëvendësim shmang monotoninë, që mund të shkaktohet nga përsëritja. Gjithashtu, vëmë se mënyra e lidhjeve realizohet qoftë nëpërmjet mjeteve të gramatikës (pjesët e nënrenditura të fjalive dhe plotësit

Gjuhë 283

kuptimorë), leksikut (shmangiet kuptimore që fitojnë fjalët gjatë përdorimit), semantikës (shenjave dhe fushave të tyre).

c) Është fakt që shumë poezi moderne janë të ndërtuara pa rima, por le të lexojmë këtë kompozim të Ali Podrimjes, njohës i mirë i traditës sonë poetike dhe njëkohësisht, novator në gjuhën e poezisë shqipe.

gurron guri në gurë gurësh guro guroje gurin në gurinë ç’gur pranë gurit gur guri vrimë e parë e fyellit tim. Unë jam atje ku është kënga ime (A. Podrimja)

Vijimësia kuptimore në këtë poezi, zhvillon mes rimave dhe tingujve një metonimi të ndërthurur me aliteracionin. Prania e varianteve semantike të së njëjtës bashkësi fonetike bën që mosekzistenca e një rime të pastër, klasike të mos ndihet si pengesë, por si çlirim. Të fshehura dhe si të manipuluara, rimat e brendshme priren të përsëriten dhe, në fakt, përsëriten edhe këtu, të paktën si rima të brendshme ose të fshehura: vendosja e fjalës guri në disa formate gramatikore: guri-gurin-gurit-guri, e ngarkuar me peshën e metonimisë (afrisë semantike figurative) përgjatë secilit varg, e shmang monotoninë tingëllore pikërisht përmes ritmit që përcjell rima mbështetur në bashkëtingëllore. Përsëritja e sekuencave tekstore në brendësi të të cilave lëviz i njëjti kuptim, ndonëse veshja tingëllore ndryshon, fonetikisht ndërfut rimën: gurron-guro (theksi në të njëjtin pozicion). Në vargun e katërt, interesant është rimimi nëpërmjet theksit që, brenda së njëjtës fjalë, lëviz dhe mbyllet gúrit-gúr-gúrit. Kjo lëvizje theksash është pjesë e lëvizjeve kuptimore, por nga ana tjetër, duke qenë se vargu mbështetet në një numër të kufizuar bashkëtingëlloresh, e realizon ritmin nëpërmjet kombinimeve të tyre me theksin.

Sigurisht, meqë janë kaq të brendshme, këto rima rrezikojnë të mos perceptohen, por ama është ritmi që e bën lexuesin partner të këtij lloj teksti poetik. Kjo është një nga mënyrat me të cilat poezia shqipe e ka zhvilluar pjekurinë e saj, siç pohojnë studiuesit: forma është hapur në të gjitha mundësitë për të pranuar çdo trajtim tematik e formal Këta paralelizma fonikë të pashmangshëm, natyrshëm kanë lindur brenda vetë poezisë dhe e bëjnë atë kaq të lidhur dhe të pranueshme, ndonëse e dimë mirë se në shumë raste, në poezinë moderne, përsëritjet e rimave dhe vargjeve të së njëjtës masë nuk ekzistojnë ose duken sikur nuk ekzistojnë. Veç kësaj, duhet kujtuar se në poezi mund të vihen në diskutim mjete normale të kohezionit dhe koherencës që lidhin me njëratjetrën fjalët e një teksti.

Megjithatë, në disa tipa diskursesh, të folur apo të shkruar, sidomos për të nënvizuar dhe theksuar enumeracionet dhe argumentimet, mund të përdoren figura retorike të përsëritjes së fjalëve të njëjta si anaforat, që konsistojnë në përsëritjen e së njëjtës fjalë, në të njëjtin pozicion, në thënie të njëpasnjëshme. Shembull më i zakonshëm i anaforës në tekst letrar është ai te poezia “Anës detit” e Fan Nolit, ku shohim që gjithë strofa e parë (dhe jo vetëm) hapet me të njëjtën fjalë (anës).

Por anaforat janë shumë të përdorura edhe në hapjet e fjalimeve publike, të cilat fitojnë kështu një aspekt goditës dhe ngulmues (falë përsëritjes së të njëjtës skemë sintaksore, rezulton i thjeshtësuar qëllimi i fjalimit).

Gjuhë284

Verifikoni njohuritë

1. A varet drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi i teksteve nga stilet dhe ligjërimi? Pse?

2. Tregoni se në cilat raste një tekst nuk shkruhet ashtu siç shqiptohet.

3. A është gjuha standarde një normë e detyruar për t’u respektuar nga gjithkush? Nëse jo, në cilat raste ajo nuk respektohet?

4. Si ndikon koherenca dhe kohezioni në drejtshkrim e drejtshqiptim?

5. Ilustroni me shembujt e tekstit raportet e drejtshkrimit e drejtshqiptimit me koherencën dhe kohezionin.

6. Shfrytëzoni internetin për të dëgjuar diskurse të llojit politik apo social. Hulumtoni drejtshqiptimin në to. Mbani shënim gabimet dhe analizoni, sipas mendimit tuaj, arsyet e këtyre shkarjeve.

Ushtrohuni përmes tekstit

7. Lexoni tekstin e mëposhtëm.

Siç u ba e ditun qysh në fillim të këtij mueji, Robert Elsie e kishte nji amanet (testament). Testamenti ishte që me u varrosë në truellin e mitologjisë shqiptare: në Theth. Në medie të ndryshme u dha lajmi se nga qeveria shqiptare kishin nisë negociatat për pritjen e trupit të albanologut, si edhe nderimet përkatëse. Njëkohësisht shtypi i huej (New York Times, The Washington Post etj.) përcolli lajmin se shqiptarët do ta çonin në vend dëshirën e mbrame të Elsie-t. Dëshira e tij, përpos veprave, dëshmon për përkushtimin e devotshëm të këtij studiuesi për kulturën shqiptare deri në momentin e fundit të jetës së tij.

Arkëmorti i Elsie-t bartet nga thethianët e të pranishmit dhe avitet pranë lterit modest të Kishës. Janë ata banorë të cilët thonë në kor lutjen që zoti “me i dhanë atij pushimin e pasosun” dhe që “shpirtin e tij me shndritë drita e pambarume”. ...

Me kostum tradicional, qeleshe, u vorrue në trojet e zanave dhe të miteve shqiptare: aty ku bahej gjama e burrave e aty ku pat këndue n`lëhutë të butë Gjergj Pllumi....pranë atyne njerzve që i desh deri në fund.

a) Evidentoni gjuhën e fragmentit. Cilit lloj ligjërimi i përket ajo? Pse?

b) Duke përdorur Fjalorin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, dalloni raportin e këtij teksti me standardin. Si qëndrojnë dy variantet përballë njëri-tjetrit? Për të argumentuar punën tuaj mbështetuni te: rregullat e sintaksës; rregullat e leksikut; rregullat e formave foljore.

c) Ky largim nga standardi a e ka dëmtuar kuptimin dhe informacionin që sjell teksti? Pse?

d) Kemi pohuar se për të nënvizuar dhe theksuar enumeracionet dhe argumentimet, mund të përdoren figura retorike. Identifikojini ato në tekst dhe argumentoni ndjesitë që ju përcjellin. A luajnë rol ndërtues këto figura? Si është zhvilluar kuptimi i tyre në këtë përdorim?

e) Me ndryshimin e kuptimit (pasurimin e tij), fjalët në disa raste ndryshojnë klasë dhe formë. Gjeni syresh dhe thoni rregullat e tyre drejtshkrimore.

STUDIM TEKSTI
...............
1 Gjuhë 285

f) Kthejeni këtë tekst në gjuhën standarde. Mendoni se tingëllimi emotiv dhe kuptimor janë të barasvlershëm me variantin origjinal? Pse? Argumentoni mendimin tuaj, duke përdorur përfundimet që arritët gjatë analizës së mësipërme.

8. Lexoni tekstin.

Kur më erdhi ky e-mail, isha fare e papërgatitur për t’u përballur me ankthet dhe makthet e një adoleshenti. Për më tepër me sfidën e madhe që të isha unë personi i duhur nga i cili ai priste ndihmë... U kisha kërkuar një ese dhe më vjen një alarm.

“Më ndihmo! Keq fare jam ngatërruar keq. Kam ngec... mbase në kohën, por jo them në kokën time. Jam i pushtuar nga dyshime, dhe... për s`kam një zgjidhje të gjej... po ça po ndodh... kam frikë se, sikur të mundja të bëja, po nuk po bëj gjëra që nuk i ndiej. Nuk më kuptojnë, se edhe faji im mund të jetë... Prit. Prapë u ngatërrova. Një sekondë. Të mbledh veten. Të shkruaj qartë. Unë nuk arrij ta kuptoj atë që vetë provoj. Asgjë nga vetvetja nuk më kënaq e nuk më pëlqen. Unë nuk jam unë. Kuptoj që fjalët e mia nuk bëjnë veçse tradhtojnë turbullirën brenda meje. Turbullirën për një trup që ndryshon, pa arritur ta kontrolloj. Unë jam siç nuk jam, kam frikë. Humori më është shkatërruar. Kam frikë se më gjykojnë. Kam frikë se nuk më pranojnë. Jam mes dilemash të tmerrshme: sa ç’më tërheq aq edhe më shtyn tutje dëshira për t’u përballuar me seksualitetin tim.

Kështu, në një mënyrë a në një tjetër, besoj se veprimet e mia janë në urdhrat e frikës sime, pasigurisë. E unë nuk kam fuqi të jem plotësisht vetvetja. Nuk kam kurajën të rrezikoj. Nuk po arrij ta jetoj moshën time me plotësinë e saj.

Unë ndihem i burgosuri i një kohe të cilën nuk di si ta jetoj.”

Ç’ishte më e vështirë: nevoja për ta justifikuar, apo tentativa për t’i ringjallur sfidat?

Atëherë, iu ktheva fëmijërisë së brezit të tij. Mes shumë filmave që kanë përshkruar aq thjeshtë dhe qartë kaosin e mendimeve dhe ditëve të një adoleshenti, është njëri që mua më ka pëlqyer gjithmonë shumë: Kung Fu Panda. Në ju vjen në mendje, është një Panda tërë tul, të cilit fati i kishte paracaktuar të bëhej Luftëtari Dragua, me pak fjalë, Mjeshtri i Madh i Kung Fusë. Një fat madhështor, por te i cili nuk besonte thuajse asnjë: as mjeshtri i tij, as shokët e luftës e as Panda vetë, sigurisht. I vetmi që arriti t’ia ngjallë shpresën dhe ta bindë se ai mund t’ia dalë mbanë, është babai i Pandës kur i tregon se ajo që e kishte quajtur gjithmonë “përzierës sekret” në supën e tij të mrekullueshme, në fakt, nuk ekzistonte fare. “Nuk ka asnjë përzierës sekret. Askujt nuk i duhet një përzierës sekret. Për ta bërë diçka speciale, duhet vetëm të besosh që ajo është vërtetë speciale.” ...sepse adoleshenca, mbase është një moshë, e bërë pikërisht për këtë gjë: për të kuptuar se si të çlirohesh nga frikërat dhe pasiguritë, për të mësuar si të rrezikosh për atë që vërtet ia vlen. Mes vështirësive, mes pengesave, trishtimit, frikës, pasigurisë, gjithë ngatërresave që kërkojnë të të zhysin, gjithmonë do të ekzistojë e bukuria e jetës që shkëlqen gjithkund. Emocionet më të thella nuk rrëfehen, jetohen. Por adoleshentët janë artistët e moshës së tyre, u rri shpirti një hap para trupit.

a) Diskursi i mësipërm ka në qendër një komunikim të shkruar i cili, nisur nga kriteri drejtshkrimor, paraqet disa probleme: pjesa e parë e e-mail-it të adoleshentit, e shkruar nën trysninë e emocioneve, i shpërfill rregullat e drejtshkrimit. Pasi ta lexoni me vëmendje tekstin, ndaluni në pjesën e parë të e-mail-it. Evidentoni në fletore problemet drejtshkrimore që shfaq ajo. Rishkruajeni këtë pjesë, duke i sistemuar ato sipas rregullave të drejtshkrimit.

2 Gjuhë286

b) Lexoni me zë pjesën e parë të letrës. I ardhur në formën e ligjërimit të folur, një diskurs duhet të ruajë gjuhën standarde, por edhe të shfrytëzojë mjete shprehëse për përputhshmërinë me synimin. Rreziku i diskurseve të folura është gjithmonë mungesa e koherencës në drejtshqiptim. A kanë përshtatje morfologjike fjalët në tekstin e mësipërm? Analizoni këtë lidhje të formës gramatikore. Si do të jetë intonacioni i saj? Po drejtshqiptimi? A lidhet drejtshqiptimi me gjendjen psikologjike të folësit?

c) Në përputhje me synimin e diskursit, dhënësi i mesazhit përdor përsëritjet. Drejtshqiptimi i tyre lidhet ngushtësisht me tempin dhe emocionin e folësit. Si përsëriten togjet e fjalëve në këtë diskurs, me të njëjtin kuptim, apo duke ua rritur kuptimësinë? Kur kthehet në diskurs të folur, si reflektohen shenjat grafike?

d) Në pjesën e dytë të e-mail-it, dhënësi ndërgjegjësohet dhe kalon në një tjetër stil të shkruari. Cila është thënia që e realizon këtë kalim? A funksionon ajo si mjet lidhës mes dy pjesëve? Lidh vetëm mënyrën e të shkruarit, apo edhe mendimin? Argumentoni fjalën tuaj, duke përdorur të dhëna e detaje nga teksti.

e) Përgjigjja që i kthen mësuesi nxënësit është e ndërtuar mbi bazën e alegorisë. Për të realizuar këtë, mësuesi përdor emrat e personazheve të filmave vizatimorë. Si janë shkruar ato? A janë krejtësisht në përputhje me mënyrën se si shkruhen emrat e huaj në tekste shqipe? Argumentoni përgjigjen tuaj me shembuj të marrë nga Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe.

f) Përmblidhni paragrafin e fundit në një fjali të vetme. A ju ndihmon vijimësia kuptimore për ta realizuar këtë përmbledhje? Pse? Rendi i fjalive është: logjik; kronologjik; shkak-pasojë; ∆ tjetër.

9. Lexoni tekstin.

Çështja e të studiuarit jashtë vendit ose më saktë në vendet perëndimore është tepër e me interes dhe jo vetëm për studentët shqiptarë.

Sot, nëpër universitetet e njohura të SHBA-ve dhe vendeve të Evropës Perëndimore janë të shumtë studentët shqiptarë, madje janë edhe studentë që po shkëlqejnë me rezultatet e tyre të shkëlqyeshme. Nuk është i vogël, as numri i atyre që tashmë i kanë mbaruar studimet e tyre, qoftë themelore, master apo edhe doktoraturë.

… Si është të jesh student sot në një universitet prestigjioz të perëndimit? Fillimisht, duhet pranuar se është një ndjenjë e bukur dhe shpresëdhënëse, së pari për veten e pastaj për familjen, miqtë dhe gjithashtu edhe për kombin, sepse një ditë do të kesh mundësinë t’i shërbesh vendit dhe popullit tënd, me një përvojë dhe dije më të mirë.

…Të jesh student tani duhet që të mendosh mirë për të ardhmen tënde. Mirëpo gjithsesi është mirë dhe ndjenjë e bukur, të studiosh dhe të përgatitesh për sfidat e jetës në vendet që kanë traditë në fushën e jetës profesionale. Së pari, nuk duhet t’i frikësohemi jetës, sepse me ketë diplomë që merr në këto vende, ke siguruar një pagë dhe një punë në vendet ku jeta çmohet dhe respektohet, pra në vendet perëndimore. Këtu duhet shtuar se shqiptarët sot kanë arritur të punojnë dhe po punojnë në institucione prestigjioze ndërkombëtare, kështu edhe imazhi ynë po bëhet më i mirë.

Ana tjetër e kësaj medaljeje është se duke u rritur numri i atyre që përgatiten jashtë vendit dhe, fatmirësisht ky numër po rritet vit pas viti, bën që edhe logjika e paarsyeshme të ndryshojë. Shkurt e shqip, kjo kategori e qytetarëve është e nesërmja e mbarë, ngase këta njerëz do të ndikojnë që, çdo gjë ta ketë arsyen dhe atdheu të jetë siç e ka hije një vendi demokratik, ku dija e ka vendin në ballë të vendit. Dija do të jetë në ballë të kombit, ketë dua ta besoj.

3 Gjuhë 287

a) Ky tekst i përket ligjërimit libror. Kushtet e komunikimit të ligjërimit libror, ndër të tjera janë edhe marrëdhëniet shoqërore që përcaktojnë situatën. Duke u nisur nga ky pohim, cila është audienca e këtij teksti? Në cilën shtresë shoqërore bëjnë pjesë marrësit e tij? A përcakton kjo gjë drejtshkrimin e këtij diskursi?

b) Në ngulitjen e gjuhës së shkruar në stilin libror, luajnë rol të rëndësishëm dukuritë e koherencës dhe kohezionit. Përcaktoni mjete lidhëse në këtë tekst. A janë përdorur drejt ato?

c) Shpjegoni se si arrijnë këto mjete lidhëse të sigurojnë saktësi në vijueshmërinë e mendimit. Ndaluni te grupi “shkurt e shqip”. Në cilat funksione del ai në këtë lloj ligjërimi? A mund ta zëvendësojmë atë me një fjalë të vetme, pa e prishur koherencën e ligjërimit?

d) Shumë rëndësi në ligjërimin libror merr tematika e diskursit. Të gjitha grupet leksikore që dalin në këtë fushë, madje edhe terminologjia speciale, janë në përputhje me tematikën. Përcaktoni tematikën e këtij diskursi. A gjejmë në të fjalor specifik? Nëse po, a e përcakton ai llojin e marrësit të këtij diskursi?

e) Shpesh, lidhjet kuptimore brenda tekstit realizohen edhe nëpërmjet hiperonimisë, e cila është përdorimi i një fjale që ka një kuptim më të gjerë se fjala e përdorur, p.sh. përdorimi i fjalës lule në vend të përdorimit të fjalëve specifike trëndafila, luledele, jargavanë, orkide, tulipanë

Duke analizuar lidhjet kuptimore dhe fushat semantike të fjalëve, ndërtoni një bashkësi si në matematikë. Cilat janë elementet e saj? Po emri i bashkësisë? Duke u nisur nga kjo lidhje, argumentoni se si e realizon hiperonimia vijimësinë kuptimore të tekstit.

f) Inskenoni një mjedis publik. Ndërtoni fjalime publike me qëllime të përafërta me ato të tekstit më lart. Ligjërojini ato para shokëve.

g) Mbani shënime për rastet kur ka mungesë koherence në përmbajtjet e tyre. Analizoni shkaqet.

Sfida e të shkruarit

10. Kohezioni dhe koherenca si dy dukuri që plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk funksionojnë pa njëra-tjetrën, janë kusht i rëndësishëm në drejtshkrim dhe drejtshqiptim.

Trajtojeni këtë tezë në një ese argumentuese, duke sjellë edhe antitezën e saj. Përdorni argumente nga tekste të ndryshme.

Gjuhë288

Ismail KadareLetërsi

Fondi i kulturës sonë letrare njeh fatmirësisht shumë shkrimtarë që sollën origjinalitetin e tyre si në tematikë, ashtu edhe në stil, duke lënë shenjë të pashlyeshme në të. Në këtë galeri të mrekullueshme, Ismail

Kadare dhe vepra e tij zë vend në pjesën qendrore të këtij thesari. Për fat të mirë, letërsia e tij nuk u shkëput nga receptuesi (lexuesi). Me këtë kemi parasysh si lexuesin brenda kufijve, edhe atë jashtë kufijve jo vetëm etnikë. Vepra e Kadaresë njeh një numër të madh përkthimesh në shumë gjuhë të botës, si dhe çmime të shumta. Kadareja ka një vepër të larmishme që përfshin krijime në poezi, prozë dhe dramë. Prodhimtarinë më të madhe e ka në prozë dhe poezi. Krijimtaria në dramë është e kufizuar dhe lidhet me veprën “Stinë e mërzitshme në Olimp”.

Poezia, motivet dhe elemente të stilit

Ismail Kadare e nisi krijimtarinë tij si shkrimtar duke lëvruar fillimisht poezi. Kështu, “Frymëzimet djaloshare” (1954) dhe “Ëndërrimet” (1957) janë dy vëllime me poezi që e prezantuan atë me lexuesin. Që në këto vëllime u vu re një frymë e re në poezi (Kemi parasysh se kjo periudhë i përket kohës së instalimit të estetikës së realizmit socialist në Shqipëri.). Në të nuk viheshin re tonet e larta demagogjike të kohës. Këtë prirje ai e thekson edhe më shumë në vëllimin tjetër, “Shekulli im” (1961), në të cilin realizmi lirik u modifikua edhe më tepër si në tematikë, ashtu dhe në teknikë. Lirizmi tashmë shfaqet në aspektin intim, nëpërmjet motivit të dashurisë, i cili herë del si dhimbje, herë në kontekstin e ndarjes. Në raste të tjera, ai del kundër lidhjeve që ndërtohen mbi interesa. Nëse te “Frymëzime djaloshare” dhe “Ëndërrimet” ai nis rrugëtimin si poet, te “Shekulli im” afirmohet si i tillë. Në këtë vëllim dallohen ritmet dinamike të kohës, madje edhe në lirikat intime (Shekulli im/Shekulli i shpejtësive,/ Me fuqi të tmerrshme ti gjërat i vjetron). Për të pasqyruar këtë dinamikë jo vetëm si kohë, por edhe si zhvillime teknike, politike, sociale etj., ai aktivizon një leksik karakteristik që lidhet me fushën leksikore teknikoshkencore (antenë, aeroport, autobus, telefon, atom, raketë, televizor, radar etj.); fushën leksikore të sferës politike (ministër, kryeministër, burokraci, borgjezi, parti, bllokadë etj.); fushën leksikore të sferës urbane e të ndërtimit (kantier, fabrikë, semafor, neon, kafe-bar etj.).

Ky leksik u përdor edhe si pjesë e ndërtimit të figurave të reja që dilnin jashtë kornizave të realizmit socialist. E tillë është metafora mjaft e diskutuar e poezisë “Laç”, në të cilën krahasimi është ndërtuar pikërisht me një leksik të tillë (Shoh se si një mbrëmje vere/ Do të zbresë nga mali një malësor/ Si kompas mbi këmbët e gjata.). Lëvizje të tilla në stil dhe në tematikë (veçanërisht lirikat intime, në kuadrin e bisedave, apo ambientet urbane larg toneve të ngritura të socrealizmit) u kritikuan si akrobaci që dilnin jashtë kuadrit të estetikës së imponuar socrealiste.

Në këtë vëllim, ai jep edhe konceptet e tij mbi procesin krijues. Tipike në këtë kontekst është poezia “Sfidë”, në të cilën ai jep një varg të ri, në të cilin shprehet se nuk do të jetë

Letërsi 289

rob i skemave fikse ritmike, metrike të paracaktuara. Madje, në një tjetër poezi të vëllimit “Shekulli im” ai e parodizon këtë lloj prirje skematizmi: Në vjersha fjalët e rimuara/ Janë si çifte të martuara/ Në gjendjen civile të poetëve/U mërzitet jeta të shkretëve. (“Fjalët e rimuara”).

Konsolidimin si poet e vazhdon më tej në vëllimet poetike “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe “Koha” (1976). Në këto vëllime, tematika vjen duke u zgjeruar dhe duke u plotësuar. Veç motiveve të lirikës intime, asaj i shtohen edhe lirikat shoqërore, historike, politike etj. (Shfletoj historinë. Të mbushura janë fletët e përzhitura/Me shami të zeza nënash, çibukë të zezë prej shqope. “Motive me diell”)

- Antikonformizmi (kundërshtimi i shablloneve të realizmit socialist) sa vjen e theksohet në rimë, në ritme, në varg e në strofa. Ai zbaton me shkathtësi strofën e lirë (e cila nuk ka një numër fiks vargjesh), duke refuzuar strofat klasike (Dhe heshtin vargmalet si vargan kuajsh/O, ç’vargan kuajsh/Këto vargmale!/Prisnin me orë,/Me ditë/Me muaj,/Dikë që t’i printe në luftën e madhe. “Përse mendohen këto male”).

Kadareja përpunoi edhe krahasimin, duke krijuar imazhe të reja, të freskëta, befasuese. Për shembull: natyra pas shiut duket e bukur si vajza pas puthjes së parë; vinçat si dinozaurët lëvizin qafat e gjata; vjeshta tund krifën si luaneshë etj.

Ashtu si një pjesë e bashkëkohësve të tij shkrimtarë, ai përpunon edhe antitezën në imazh. Ajo realizohet me klasa të ndryshme fjalësh. Shpesh, antiteza realizohet duke pasur në bazë edhe figura të tjera si metafora në këtë varg: Gadishulli i madh u gdhi në Evropë e u ngrys në Azi (“Koha”). Në raste të tjera, një personifikim: E vogla vigane/ e moçmja e re; (në të cilën Shqipëria del në dy përmasa kontrasti: madhësinë dhe vjetërsinë).

Personifikimi është një figurë tjetër mjaft e përdorur nga Kadareja. Kjo gërshetohet gjithashtu me figura të tilla, si: metafora, metonimia, krahasimi etj. (U nisa me të fejuarën e re, rrugës së gjatë, që s’njeh kufi/ Unë i kam hedhur dorën mbi supe/Ajo mua, dorën për mesi/ Ecnim udhëve të jetës të dy/Unë dhe e bukura poezi. “Motive me diell”). Në poezi, Kadareja përdori edhe simbolin. Kështu, te vëllimi “Motive me diell” gjendet edhe simboli i gurit, që haset edhe te shkrimtarë të tjerë: Gjith’ jetën koka mbi një gur/ Gjith’ vdekjen koka nën një gur.

Pavarësisht se Kadareja shpërtheu më pas në prozë, ai la lirika të paharrueshme që mbeten lajtmotiv i çdo kohe, të tilla si poezia “Mall”: Ca pika shiu ranë mbi qelq./Për ty unë befas ndjeva mall./Jetojmë të dy në një qytet,/Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

Proza

Proza e Kadaresë nis me romanin “Qyteti pa reklama” që nuk u lejua të botohej në kohën kur u shkrua, po vetëm më 2001. Në të pasqyrohet aventura e dy rinjve (studentë) që janë dërguar në një provincë larg. Ata mundohen të falsifikojnë dorëshkrimin e një

Letërsi290

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, në Prishtinë, ku pranoi çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”, i cili iu dha nga Ministria e Kulturës së Kosovës.

vepre të humbur të letërsisë shqipe, duke ndryshuar tërësisht historinë e saj. Motivi kryesor i këtij romani (falsifikimi i historisë kombëtare) nuk ishte pjesë e tematikave të sugjeruara të realizmit socialist, ndaj dhe nuk u lejua të botohej.

Më pas del “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që pati një jehonë të menjëhershme dhe e bëri të famshëm. Bashkë me të, botohet “Kronikë në gur”. Në vitin 1972, boton romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, i cili shkaktoi shumë debate, pasi u kuptua alegoria me zhvillimet politike të kohës dhe tiparet e personazheve. Kjo vepër u ndalua dhe autori u detyrua ta përpunonte, duke e nxjerrë me titullin “Dimri i madh”. Pas këtij libri, vijnë një sërë veprash të tjera, si: “Kështjella”, “Ura me tri harqe”, “Gjakftohtësia”, “Koncert në fund të dimrit”, “Pallati i Ëndrrave” (i botuar fillimisht me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”), “Përbindëshi”, “Piramida”, “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Hija”, “Kukulla”, “E penguara” etj.

Duhet thënë se edhe në prozë, Kadareja nuk iu bind estetikës së realizmit socialist. Gjithsesi, atij i duhej të mbijetonte edhe fizikisht, edhe profesionalisht. Në këtë mënyrë, ai gjeti mundësitë stilistike që të krijonte art me vlera estetike të mrekullueshme edhe në kohë të diktaturës. Në këtë kontekst, gjithë vepra e tij mund të quhet një vepër alegorike. Pikërisht alegorinë ai e krijoi duke shfrytëzuar historinë, mitin, legjendën etj. Nga këto burime ai krijoi simbolet, të cilat i përshtati sipas qëllimit fshikullues në lidhje me realitetin diktatorial. Rast klasik është “Pallati i ëndrrave”, simboli i sistemit diktatorial dhe hallkave të tij survejuese dhe torturuese. “Kështjella”, gjithashtu, është një simbol tjetër i qëndresës.

Në jo pak raste, në veprën e tij, historia, miti, legjenda dhe realiteti ndërthuren njëri me tjetrin duke krijuar një intertekst të mrekullueshëm. Kështu, te “Hija” gjen edhe realitetin (kineasti i dështuar, që shkon dhe vjen nga Franca i survejuar nga të tjerët dhe nga vetja gjithashtu), mitin antik (Orfeu që po ngjitet nga ferri), nënshtresën biblike (Alejuja, kambanat etj.), legjendën (Kostandini, që është edhe emri i kineastit).

Një lloj gërshetimi i tillë shoqërohet edhe me ndërthurje të fushave semantike përkatëse: “Zonja dhe zotërinj. Pas disa minutash avioni i “Air France” do të ulet në aeroportin “Orly” të Parisit. Iu lutemi udhëtarëve të përgatiten...

Letërsi 291

Zhurma e motorëve, kujë e pafund gazmore, e përbërë nga mijëra klithma, lehje qensh, zhurma të fëmijërisë, mbulon çdo gjë. Përmes tingujve të kambanave, fjalët: “Krishti u ngjall së vdekurish” më vijnë që larg. Dhe prapë muzikë dhe ngashërim dhe zërat: aleluja...”

Për shembull, në fragmentin e mësipërm vihet re realiteti përmes fjalëve: aeroport, zonja, zotërinj, motorë etj., si dhe shtresa biblike: kambana, aleluja, “Krishti u ngjall së vdekurish”.

Në raste të tjera, gërshetimi i nënshtresave të ndryshme që pamë më lart, shoqërohet me ndërthurje regjistrash. Tipik për këtë kohezion është rasti i romanit “Kronikë në gur”, në të cilin kjo teknikë shfaqet mbresëlënëse, pasi specifikohet jo vetëm në lidhje me dialektin, po edhe me grupmoshën (regjistri informal i gjysheve, fëmijëve etj.) dhe regjistrin mediatik të kronikës gazetareske.

Një element tjetër mjaft i rëndësishëm që nuk mbetet statik (i njëjtë) në të gjitha veprat është edhe loja me zërin tregimtar. Ai shfaqet i lëvizshëm, duke dalë herë si zë i brendshëm, herë si zë i jashtëm, zakonisht në vetën e tretë, po dhe në vetën e parë shumës (“Kështjella”). Kjo vetë i lejon atij që të zhvendoset në zërin e personazheve të ndryshme.

Natyrisht që metafora është e pranishme gjithkund. Edhe në tituj. Në titullin e romanit që u ndryshua “Dimri i vetmisë së madhe”, elementi drejtues kuptimor është vetmia, e cila është shoqëruar me fjalën dimër, që nuk është pjesë e zakonshme e strukturës së saj. Kjo e fundit krijon metaforën emërore (dimër). Po fjala vetmi merr edhe mbiemrin jo të zakonshëm për të (e madhe) dhe krijon epitetin. Kadareja është njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, i varianteve të saj, madje edhe i gjuhës së vjetër (arkaike). Elementet e këtyre varianteve ai i shfrytëzon jo vetëm në rrafshin leksikor, por edhe fjalëformues, duke krijuar imazhe, deri dhe simbole (qorrfermani - kompozitë e krijuar si neologjizëm që formon simbol). Në këtë kontekst, ai ka krijuar një korpus të tërë neologjizmash që kanë konotacione të spikatura dhe janë në funksion të alegorisë e figurave të tjera (heshtimë, korbëri, kinseharresa, fenershues, makthparës etj.).

Gjenerali i ushtrisë së vdekur

Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) pati sukses të menjëhershëm si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë (u përkthye në shumë gjuhë). Lexuesi u godit dhe u befasua jo vetëm nga motivi, por edhe nga stili me të cilën i erdhi ky motiv.

Në pamje të parë, tematika është brenda kuadrit të lejuar të kohës. Ajo lidhej me historinë e Luftës së Dytë Botërore e përkatësisht, me pushtimin italian.

Kadare foli shqip kur pranoi çmimin "Princi i Asturias" në Spanjë.
Letërsi292

Siç thotë edhe vetë autori, shtysën për të krijuar këtë vepër e ka marrë nga historia e vërtetë e dëgjuar në fëmijëri (Një prostitutë italiane, e vrarë dhe e varrosur bashkë me ushtarët e tjerë dhe imazhi i zhurmës së kazmës së gjeneralit që kishte ardhur për t’i zhvarrosur, krijuan bërthamën kompozicionale dhe ndjesinë e saj.).

Trajtimi i kësaj fabule ishte krejt origjinal dhe dilte jashtë skemave të socrealizmit. Sërish është vetë shkrimtari që na drejton në këtë pohim, pasi ai vërente se: “Ideja e historia e gjeneralit që kërkon të zhgroposë një ushtri të tërë, ka lindur gjatë një nate me akull moskovite, kur, në trurin tim, si për kundërpeshë të letërsisë optimiste sovjetike të atëhershme, të ngjyrave të çelura me të cilat lyhej realiteti, duke filluar me të ftohtin jashtë, që vazhdonte me moralin, me idetë e një lloj humanizmi të sheqerosur dhe nervozues, me një mirësi të tipizuar, që nuk ekzistonin realisht. Kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse lustra që mbulonte thatësinë dhe boshllëkun moral, e cila përfundonte gjithnjë me një konkluzion të marrë nga doktrina marksiste...” (“Dialog me Alain Bosquet”, 1995).

Dhe në fakt, edhe kritikat kryesore për këtë iu bënë, pasi vërtet tematika ishte rezistenca gjatë luftës, por tonet me të cilat flitej për të nuk ishin aspak të ndezura, të forta e demagogjike. Mbi të gjitha, partia nuk dilte në plan të parë.

Kadareja dëshmoi se për luftën mund të flitej pa zhurmë, në një formë më intime, duke treguar përjetimet e të dyja palëve (gjeneralit, priftit italian etj.) dhe shqiptarëve. Alternimi i imazheve triumfuese të nisjes së gjeneralit nga vendi i tij me ato të ndjesive shpirtërore gërryese të gjeneralit, që vijnë si rezultat i ballafaqimit të dy botëve, janë ato që e shoqërojnë lexuesin deri në fund.

Gjenerali nuk e ka të vështirë të kuptojë armiqësinë e shqiptarëve që është krijuar nga krimet e ushtrisë së tij. Misioni i tij human e fisnik në fillesa, tashmë vjen e kthehet në një makth për të, saqë në fund ai hedh në humnerë eshtrat e kolonelit të famshëm Z., i cili kishte kryer edhe krime monstruoze. Imazhet e plakës Nicë (së cilës i kishin përdhunuar vajzën dhe pastaj ajo ishte mbytur nga turpi) dhe veçanërisht të malësorit Nik Martini (që del nga shkëmbinjtë për t’i prerë kokën kuçedrës), janë sa njerëzore, aq edhe epike.

Kronikë në gur

“Kronikë në gur” u botua më 1971, po para tij Kadare e kishte prezantuar në pjesë të vogla në përmbledhjet me titull “Qyteti i Jugut”, më 1965 dhe 1967. Titulli që ka në përbërje një metonimi (gur - për qytetin e gurtë) dhe që pastaj mbështillet nga metafora që krijohet nga fjala kronikë, na paraqitet përmes zërit dhe këndvështrimit të një fëmije. Një

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Kalaja e Krujës
Letërsi 293

qytet, ku gjithçka ishte e gurtë: rrugët, krojet, deri edhe pullazet ishin të mbuluara me pllaka guri ngjyrë hiri. Qyteti dhe fëmija nuk kanë emër. Koha shënjohet si Lufta e Dytë Botërore.

Përmes zërit dhe imagjinatës së fëmijës shpaloset jeta e gjithë qytetit, duke përcjellë para lexuesit një galeri personazhesh aq të tipizuara nga djali, sa duket sikur je në një muze. Në këtë muze parakalojnë sekuenca autobiografike të vetë shkrimtarit: familja me telashet e zakonshme të mbijetesës, shtëpia, qyteti, aeroporti, bashkëqytetarët, miqtë, gratë, të huajt, plakat e jetës, pushtuesit etj.

Është një qytet i çuditshëm, ku nga një anë lexohet Makbethi, e nga ana tjetër, besohen besëtytnitë, duke krijuar imazhet e një realizmi magjik.

Përmes naivitetit të zërit fëmijëror paraqitet edhe pjekja seksuale e parakohshme e fëmijës, madje më shumë e pakuptuar nga ai (Në kapitullin tre, djali me shokun e tij sillen rreth shtëpisë së gruas së bukur që kishte burrin impotent, për ta parë. Më tej shfaqet Suzana, një vajzë më e madhe se ata që e pyet a dinte llafe turpi, kurse në vazhdim ai bie në dashuri me Margaritën, një grua të martuar.).

Me të njëjtin naivitet shoqërohet edhe dhënia e ngjarjeve reale historike. Kështu djali mëson kuptimin e grupit të fjalëve “qytet i pushtuar”, sepse nuk mund ta kuptonte se “si mund të ishte një qytet i papushtuar”.

Rrëfimi i djalit ndërpritet herë pas herë nga copëza kronike që dalin në vetë të parë shumës, në të cilat gërshetohen copëza njoftimesh, ku është e dallueshme ironia dhe humori që perceptohet nga këto lajme që duken sikur janë hartuar përsëri nga fëmija (U rrëzua avioni i parë i italianëve. U gjend krahu i pilotit.).

Në këtë libër flitet edhe për partizanët, por pa tonet triumfuese dhe demagogjike të socrealizmit (madje me nuanca humori, kur fëmijët thërrasin parullat e partizanëve, thjesht siç i kanë dëgjuar, jo se i kuptojnë).

Kritika e huaj e ka etiketuar me emra të ndryshëm romanin “Kronikë në gur”. Dikush e ka parë si autopsinë e një qyteti, dikush si një fëmijëri shqiptare e dikush, një vepër që tregon si mund të jetë njeriu shqiptar. Ajo që i përmbledh të gjitha kritikat është fakti se kjo kronikë e dhembjes dhe e gëzimit, e madhështisë dhe e groteskut i nënshtrohet një arkitekture të brendshme të rreptë që hedh poshtë çdo lloj rutine të librave për fëmijërinë. Nga ana tjetër, me elementet epike e fantazmagorike, ajo i tejkalon caqet e një qyteti dhe të një vendi enigmatik, pasi përcjell një kolorit të fortë ballkanik, një dimension universal.

Prilli i thyer

“Miku, besa dhe gjaku janë si nyjat e tragjedisë antike dhe të hysh në mekanizmin e tyre, do të thotë të pranosh mundësinë e tragjedisë”. Ky fragment i shkëputur nga romani “Prilli i thyer” (1980) përmbledh motivet kryesore që hasen në të. Ato janë pjesë e kodeve të nderit të shqiptarit të Veriut, të kodifikuara në legjislacionin e tij: Kanunin.

Të tria janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën edhe në historinë e romanit, i cili shtjellohet në dy linja kryesore. E para është linja e Gjorgut, djaloshit që i kishin vrarë vëllanë dhe është i detyruar nga

Letërsi294

Kanuni të marrë gjakun. Linja tjetër është ajo që lidhet me udhëtimin e muajit të mjaltit të çiftit Vorpsi (Besianit, shkrimtarit kryeqytetas e Dianës, gruas së tij) në malësitë e Veriut, në Rrafsh, siç del në libër.

Romani hapet me skenën ku Gjorgu ka zënë pritë për të vrarë gjakësin. Në këtë fragment, ai nuk del si një malësor i fortë i bindur për veprimin e tij të mbështetur edhe te Kanuni, por shfaqet me padurimin që nata të vinte sa më shpejt që ai të ikte nga ajo “pritë e nëmur”. Veprimet e tij, pavarësisht se përputhen plotësisht me rregullat e Kanunit, kryhen nga një njeri, të cilit realiteti i duket më shumë si ëndërr (i vë të vrarit dorën në sup sikur donte ta kthente në jetë, por në fakt po kryente ritin e paracaktuar kanunor për ta kthyer mbarë atë).

Dëshmitarë janë shegët e egra dhe pllangat e borës (mjaft interesante metafora pllanga, e cila zakonisht në të folme përdoret si pllangat e gjakut).

Në fakt, kjo gjendje e dyzuar psikike del edhe nga fjalët e Besianit: “E ç’janë trazimet që përshkruan Shekspiri përpara mëdyshjeve të këtij Hamleti të malësive tona?”.

Bota zakonore dhe motivet kryesore të romanit dalin edhe përmes përjetimeve të Dianës, të cilat jepen nga zëri i brendshëm i Besianit, rrugës nëpër Rrafsh.

Diana, nga ana tjetër, e shikon këtë botë si botë mitike, legjendash (“Ti do të shkosh nga bota e rëndomtë drejt e në botën e legjendave, midis eposit të mirëfilltë, që rrallë e gjen ende të gjallë mbi fytyrë të rruzullit tokësor, ku ende haseshin “rapsodët, homerikët e fundit të botës”.). E në këtë botë mitike, ajo krijon një lidhje të çuditshme me djaloshin, Gjorgun, që e kishte parë gjatë rrugës. Të dy kërkojnë njëri-tjetrin me një kuriozitet mistik dhe gati platonik. Po fati i Gjorgut është i paracaktuar, ashtu si ajo metaforë alegorike e titullit.

Në mes të prillit, ai do të vritet dhe prilli do të thyhet. “O Zot, krejt sipas rregullave.”, mendon ai në momentet e fundit, kur përjetoi një çast shekspirian të shkëputjes së trupit nga shpirti (“duke lënë pas, të shtrirë midis rrugës, trupin e vet, që porsa e kishte vrarë.”). Por ai ishte një personazh jetëshkurtër për shkak të fatit të paracaktuar nga kodet e pashkruara, të cilat nuk justifikojnë përjetimin e tij tragjik.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Në dy vëllimet e para poetike, Kadareja prezantohet me realizmin e tij në poezi. Përcaktoni llojin e këtij realizmi.

2. Te vëllimi “Shekulli im”, Kadareja tashmë afirmohet si poet. Cilat janë elementet e reja në leksik që përdor ai? A i shfrytëzoi në ndërtimin e metaforës së ndryshme nga ajo e përcaktuar nga socrealizmi?

3. Kadareja shquhet për antikonformizmin e tij që e shfaqi në tematikë dhe në stil. Dalloni disa tipare të tij në stilin e poezisë. Mund t’i ilustroni ato edhe me vargje të tjera nga vepra e Kadaresë.

4. Proza e afirmoi si shkrimtar shumë të madh Kadarenë jo vetëm në Shqipëri, po dhe jashtë saj. Dalloni disa nga burimet kryesore tematike në veprat e tij. Po në stil, cila figurë mbizotëroi?

Letërsi 295

5. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është ndër veprat e para në prozë që jo vetëm e afirmoi si shkrimtar të madh, po njëkohësisht e dalloi nga veprat bashkëkohëse të realizmit socialist. Tregoni disa nga tiparet që vërtetojnë këtë gjë.

6. “Kronikë në gur” është quajtur nga disa kritikë edhe si roman autobiografik. Gjeni në mësim dhe argumentin sipas të cilit ai nuk është vetëm i tillë dhe ilustrojeni me pjesë nga teksti.

7. “Prilli i thyer” është një roman në të cilin jeta zakonore dhe përjetimi, mëdyshja e brendshme njerëzore në lidhje me këto doke, shkojnë paralelisht. Dalloni në komentin mbi këtë roman një pjesë ku argumentohet kjo gjë dhe gjeni raste të tjera në libër.

Ushtroni mendimin kritik

8. Poezia e Kadaresë ishte e freskët, me tone dinamike, me metafora të ndërtuara mbi fusha leksikore të papërdorura më parë. Gjeni në vëllimet e tij poetike raste të tilla dhe shpjegoni imazhet dhe ndjesitë që krijoni ju. Lexojini shembujt në klasë, bashkë me shpjegimet.

9. Në mësim keni parë se një ndër tiparet kryesore të Kadaresë është antikonformizmi me kornizat e imponuara të socrealizmit në stil dhe në motive. Alegoria dhe simboli janë ndër figurat kryesore që i dhanë atij mundësi të bënte art me elemente të theksuara disidente. Diskutoni në lidhje me këto elemente në veprën e Kadaresë, duke sjellë shembuj nga vepra të ndryshme të tij. Vini re shumëkuptimësinë e interpretimit të tyre, që në njëfarë mënyre e shpëtoi shkrimtarin nga persekutimi.

10. Gjenerali (në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”) është personazhi kryesor i romanit, i cili pëson një traumë të thellë psikologjike. Lexoni pjesën që lidhet me momentin kur ai hedh në humnerë eshtrat e kolonelit Z. Çfarë tregon ajo për të, kauzën e tij, si dhe gjendjen shpirtërore e psikologjike? Diskutoni në klasë.

11. Romani “Kronikë në gur” është një roman që ndër të tjera është quajtur autopsia e një qyteti, pasi përmes këndvështrimit të një fëmije jep jetën e tij komplekse. Ilustrojeni këtë fakt me pjesë nga teksti dhe diskutoni në lidhje me realizmin magjik që shfaqet herë pas here, ironinë, humorin, koloritin lokal gjuhësor etj. Çfarë ndjesie krijoni në krahasim me veprat e tjera?

12. “Prilli i thyer” pasqyron ndër të tjera kodet zakonore të rregulluara sipas Kanunit: besa, mikpritja, marrja e gjakut. Lexoni këta kapituj në Kanunin e Lek Dukagjinit të mbledhur nga At Shtjefën Gjeçovi dhe diskutoni në lidhje me ta në klasë. Po sot, a mendoni se i kemi ruajtur ato? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke e ilustruar me shembuj. Sfida e të shkruarit

13. Gjatë analizës së romaneve të mësipërme, ju u njohët edhe me tekstin e tyre. Shkruani një tekst në të cilin përmes vetës së parë të tregoni përvojat, aventurat tuaj të fëmijërisë. Mundohuni ta përshtatni pak tekstin tuaj me atë të Kadaresë.

14. Jeta që bëjmë është e lidhur dhe, në shumë raste, e kushtëzuar nga ambienti e shoqëria që na rrethon. Jo në të gjitha rastet kushtet e kësaj jete përputhen me aspiratat tona. Krijoni një ese me titull “Bota sipas meje, apo unë sipas botës”, në të cilin të shpalosni argumentet e kundërargumentet e kësaj dileme të brendshme.

Letërsi296

ANALIZË E VEPRËS

Pallati i ëndrrave

Gjenia krijuese e Kadaresë nuk njeh as kufij dhe as gjendje shpirtërore, të cilat të mos i bëjë pjesë të veprës së tij. Ky gjenialitet ka sjellë, ndër të tjera, në duart e lexuesit edhe romanin “Pallati i Ëndrrave”, i cili, i ndërtuar mbi një alegori të fortë, jep hapësira interpretimi me shumë të panjohura.

Vepra “Pallati i Ëndrrave” i Ismail Kadaresë, është një nga veprat distopike dhe analogjike më të arrira të letërsisë shqipe.

Dy kapitujt e parë të romanit, me nëntitullin “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave”, fillimisht u botuan në vitin 1977, në përmbledhjen me tregime “Emblema e dikurshme”. Autori e botoi veprën të plotë tre vjet më vonë, por në vitin 1982, vepra u kritikua, u censurua dhe iu ndalua qarkullimi, për shkak të “rrezikshmërisë që paraqiste me simbolikën e saj”. Personazhi kryesor i veprës quhej Ebu Qerim dhe pallati kishte emër turk, Tabir Saraj. Pas rënies së komunizmit, vepra pësoi ndryshime jo fort të ndjeshme. Romani mori titullin “Pallati i Ëndrrave” dhe emri i personazhit kryesor ndryshoi nga emri turk Ebu Qerim, në Mark-Alem.

Subjekti i veprës

Letërsia distopike është një përshkrim ose shfaqje e një realiteti imagjinar të së ardhmes, por i parashikueshëm në bazë të tendencave të së tashmes të perceptuara si tërësisht negative. Në vepra të tilla rrëfehet jeta në një vend të deformuar, ku shoqëria dehumanizohet dhe sistemi është totalitar (e kundërta e vendit ideal që sugjeron utopia). Ndryshe nga veprat tipike distopike (p.sh. “Ferma e kafshëve”, G. Oruell), “Pallati i Ëndrrave”, i shtrirë në shtatë kapituj (1. Mëngjesi; 2. Seleksionimi; 3. Interpretimi; 4. Dita e pushimit; 5. Darka; 6. Arkivi; 7. Afrimi i pranverës), ndërton një distopi, e cila shtrihet në të shkuarën, në Perandorinë Osmane, por në fakt, ajo që kritikohet është shoqëria shqiptare në periudhën e diktaturës. Në një vend, i cili mund të konsiderohet qoftë si Perandoria Osmane, qoftë si Shqipëria e kohës së diktaturës, familja e madhe e Qyprillinjve, me origjinë shqiptare, ka historinë e saj, e cila nuk ka qenë fort e thjeshtë. Familja e Qyprillinjve ka ndarë pushtetin me Sulltanin; pesë kryeministra të Perandorisë kanë ardhur nga kjo familje. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjerimin e territoreve të Perandorisë, por ka vuajtur njëkohësisht edhe goditjen e pamëshirshme të pushtetit të tij: po aq sa ka pasur anëtarë të familjes në poste drejtuese, po aq ka pasur edhe të dënuar me vdekje, me burgime e internime, apo të humbur pa asnjë nam e nishan.

Nga kjo familje vjen edhe Mark-Alemi, pinjolli i saj më i ri, i cili ka ëndërruar të jetë pjesë e Pallatit të Ëndrrave, institucioni, ndoshta më i rëndësishëm i Perandorisë. Perandoria, në fakt, qeveriset në dy mënyra: në vështrim të parë kemi të bëjmë me një diktaturë të vërtetë, të mirorganizuar, por ajo është edhe një hapësirë gjeografike, ku i kushtohet kujdes i madh grumbullimit dhe interpretimit të ëndrrave të qytetarëve, të cilët nxiten për t`ia rrëfyer ato një organizmi të rëndësishëm, Tabir Sarajit ose Pallatit të Ëndrrave.

Letërsi 297

Pasi hyn në këtë pallat, Mark Alemi nis të ngjitet shkallë-shkallë deri në majën e hierarkisë. Përgjatë ngjitjes, ai arrin të ndërgjegjësohet jo vetëm për terrorin që ushtrohet mbi banorët e Perandorisë, por edhe mbi misterin që rëndon tek autoritetet: autoritetet jetojnë me tmerrin e një lloji shumë të rrallë ëndrrash, që ata i quajnë kryeëndrra, ose bashëndrra. Këto nuk mund të interpretohen dhe janë të afta të paralajmërojnë kataklizma të llahtarshme, si luftërat apo fundin e Perandorisë. Ndërsa ndodh ky ndërgjegjësim i protagonistit, romani të përball me ngjarje shpeshherë të papritura, por edhe të llogaritura mirë nga syri i një pushteti diktatorial, p.sh. ekzekutimi i Kurt Qyprilliut, sjellja makabre e Vezirit etj.

Personazhet

Personazhi kryesor, Mark-Alemi, ka një zhvillim të plotë si karakter, duke e nisur rritjen e tij nga një nëpunës i ndrojtur, plot frikë nga e panjohura që e pret në Pallatin e Ëndrrave, deri tek integrimi i tij i plotë në strukturat e këtij institucioni. Vetë emri i tij tregon nga njëra anë (Mark) prejardhjen e krishterë të familjes së Qyprillinjve, origjinën e tyre shqiptare, dhe nga ana tjetër (Alem), integrimin e familjes në kulturën dhe jetën turke, myslimane.

Mark-Alemi e shfaq dhe e zhvillon karakterin e tij në marrëdhënie me të tjera personazhe të rëndësishme në vepër, të cilat vërtiten rreth ndërgjegjësimit të tij, duke ndihmuar këtë proces. Dy figurat kyçe, që në mënyrë dinamike ndikojnë në karakterin e Mark-Alemit, janë dy ungjit e tij: Kurt Qyprilliu dhe Veziri, ndaj të cilëve ushqente ndjenja të ndryshme. Ungji i vogël dëgjonte me një buzëqeshje të shkujdesur. Ndërsa i madhi i dukej Mark-Alemit si një bronz i mbuluar pakëz nga pluhuri i ashpërsisë, fanatizmit dhe provincës. Të voglin ai e donte përherë e më fort. Kjo ndjesi që sa vjen e thellohet në dy kahet e saj, projektohet nga vetë marrëdhënia që secili prej tyre ndërtoi me Pallatin e Ëndrrave dhe vetë Sulltanin.

Ungji i tij i vogël, Kurti, është ndër personazhet më interesante të veprës, i realizuar në një profil mjaft tërheqës për shkak të të menduarit të tij krejt ndryshe nga politika despotike e Sovranit. Për këtë arsye, ai kishte marrë edhe nofkën Kurt Tjetërmendësi, si dëshmi e disidencës ndaj politikave të errëta dhe antinjerëzore të Sulltanit.

Antipod i tij është Veziri, i vëllai, i cili edhe në rrethet familjare njihet me titullin që mban. Shërbëtor shumë besnik i Sulltanit, Veziri është krejt i ftohtë dhe i pandjeshëm ndaj fateve të individëve që makina e tmerrshme, Pallati, i trajtonte si sajesa mbi të cilat derdhte arrogancën dhe masakrën. Madje Veziri, nuk kursen as vëllanë e tij, Kurtin, të cilin nuk bën as përpjekjen më të vogël që ta shpëtojë nga ganxha e diktaturës, duke zhgënjyer në këtë mënyrë shpresat e nënës së Mark-Alemit dhe të Mark-Alemit vetë. Sytë e Vezirit kishin diçka të përbashkët me qelqet e thyera, të shpërndara tej e mbanë dhomës, mendon Mark Alemi për të, në çastin kur oficerët e Sovranit marrin Kurtin, për të mos e kthyer më kurrë. Në tërësinë e romanit, figura e Vezirit nuk është tjetër veçse silueta e Sulltanit të madh, i cili ndonëse nuk shfaqet kurrë fizikisht në vepër, është i pranishëm në çdo sekuencë apo ngjarje të Pallatit, në çdo fjalë e frikë të punonjësve të tij. I rrethuar me mister, prania e papranishme e Sulltanit është një nga gjetjet më interesante të Kadaresë, për të treguar mizorinë dhe pushtetin e tij absolut. Rrëfimi e bën atë të pranishëm nëpërmjet veprimeve të mekanizmave të tij shtetërorë, nëpërmjet bindjes së plotë

Letërsi298

ndaj urdhrave të tij, sidomos atyre më gjakatarë. Edhe pa u shfaqur fizikisht, ndjesia që përcjell rrëfimi në roman mbi të dhe pushtetin e tij, shkon përtej frikës, një lloj tmerri që përndjek jo vetëm ëndërrparësit, por në të shumtën, ata që punojnë me dhe mbi ëndrrat. Ky është simboli i diktatorit të gjithëkohshëm e të kudogjendur. Po kaq të pranishëm si një turmë e vetme, janë edhe punonjësit e Pallatit, të cilët kanë humbur dinjitetin para dhunës psikologjike që ushtrohet brenda Pallatit. Përshkrimi i tyre është herë individual, i mbështetur kryesisht te përemrat e pacaktuar (Dikush zgjati kryet, e pa dhe u zhduk prapë...) e herë kolektiv, realizuar nëpërmjet përshkrimeve të detajuara: Fqinji tij nga e djathta lëvizi në ndenjëse pa e ndërprerë leximin. Në tryezën e gjatë dëgjohej herë pas here fëshfërima e fletëve që ktheheshin. Askush nuk ngrinte kryet. Sepse punonjësit nuk vizatohen si njerëz, por si koka njerëzish që merrnin sinjale vetëm nga zilja që shënonte mbarimin e orarit të punës.

Simbolika, analogjia dhe universalja e Pallatit të Ëndrrave

Funksionimi i Pallatit

“Mark-Alemi përfytyroi mijëra degët e Tabir Sarajit, të shpërndara anekënd hapësirës së pafundme të shtetit, ndërtesat e tyre të thjeshta, disa herë në trajtë barakash, brenda të cilave rrinin dy nëpunës edhe më të thjeshtë, nevojtarë, me rrogë të vogël, që i përkuleshin gjer në tokë korrierit më të thjeshtë të Tabirit, kur ai vinte për të marrë ëndrrat e mbledhura.”

Siç e shihni, ky është misioni i degëve të Pallatit të Ëndrrave: të mbledhin ëndrrat nga gjithë anëtarët e Perandorisë deri në skutat më të largëta të saj. Pasi mblidhen,

Letërsi 299

këto ëndrra dërgohen në Pallat, ku seleksionohen, interpretohen dhe iu nënshtrohen trajtimeve të mëtejshme, për të hulumtuar në to ndonjë të dhënë që rrëfen se dikush apo diku kishte nisur të ngrihej krye ndaj Sulltanit, apo edhe nëse vinin sinjale për fatkeqësi apo ngjarje të bukura që mund t’i ndodhnin Perandorisë. Pallati kishte një organizim të përsosur institucional, nëpërmjet sektorëve dhe procedurave që ndiqnin:

1. Sektori i grumbullimit të ëndrrave nga e gjithë popullsia.

2. Sektori i përzgjedhjes së ëndrrave në varësi të rrezikut që kanosnin për vendin.

3. Sektori i interpretimit të ëndrrave të zgjedhura.

4. Sektori i përzgjedhjes dhe i interpretimit të bashëndrrës (ëndrrës më të rëndësishme).

Nga seleksionimi, ëndrrat ndaheshin në ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra të rëndomta dhe ato që vendosnin fatin e individëve dhe të Perandorisë; pastaj vjen kryeëndrra ose bashëndrra.

Si vinin ëndrrat në Pallat? Një pjesë e qytetarëve i sillnin vetë, të tunduar nga premtimet dhe sloganet që Perandoria i shpërndante me mekanizmat e saj anembanë Perandorisë. Një pjesë tjetër i sillnin të afërmit e tyre të devotshëm ndaj Pallatit, duke përdorur letra anonime, tipike për çdo diktaturë. Në këtë mënyrë, pavetëdija e çdo banori të Perandorisë, deri në provincat më të largëta, binte në duart dhe në sitën e diktaturës.

Pallati i rëndë, me arkitekturën në formë labirinti, ishte gjithashtu krejtësisht i izoluar. Me mbylljen e tij totale ndaj gjithçkaje që mund të vinte përtej mureve të tij, kishte disa prioritete: veç punës së madhe për përpunimin e lëndës, një rëndësi të madhe ka mbyllja e plotë e Tabir Sarajit ndaj çdo ndikimi të jashtëm. Sepse pikërisht jashtë Tabir Sarajit ka forca të ndryshme që, për një arsye ose një tjetër, janë të paduruara për të futur frymën e tyre këtu, në mënyrë që qëllimet, idetë apo pezmet e tyre të paraqiten pastaj kinse si shkëndija të shenjta të hedhura nga Allahu mbi trutë e fjetur njerëzorë. Kjo tregon natyrën paranojake të Sulltanit dhe të perandorisë së tij.

Simbolika dhe analogjia e rrëfimit

“Pallati i Ëndrrave” ka marrë shkas e është ndërtuar me një material të gjerë që Kadaresë ia ofronte diktatura në Shqipërinë komuniste. Mbikëqyrja e mendimit të lirë nëpërmjet të gjitha formave dhe mjeteve të komunikimit ekzistues njerëzor, krijimi i dosjes për çdo të dyshuar dhe i institucioneve përkatëse të mbikëqyrjes, ankthi rëndues i kthyer në makth, apo disidenca e hapur politike, janë karakteristika tipike të një totalitarizmi politik. Kjo linjë e shtrirë përgjatë gjithë romanit, e kthen Pallatin në simbol të diktaturës së gjithëkohshme. Për të realizuar këtë simbolikë, autori ka përdorur mekanizma të gjithanshëm gjuhësorë, të sofistikuar nëpërmjet një rrëfimi të jashtëzakonshëm. “Pallati i Ëndrrave” ngërthen realen me jorealen në vepër. Në togun “Pallati i Ëndrrave” veçojmë përcaktorin me drejtim “i ëndrrave”. Kjo metaforë ka një dozë të fortë ironie: në mënyrë paradoksale, ky pallat ëndrrash, që të kujton Pallatin e Princeshës, Pallatin e Mbretit, Pallatin e Kulturës, Pallatin e Sportit etj., në të vërtetë është Pallati ku merren vendime makabre, pasi individët i dorëzojnë pavetëdijen e tyre pushtetit. Nëse Pallati është përditshmëri, Ëndrrat janë pavetëdija.

Letërsi300

Në togun Pallat i Ëndrrave, përcaktori me drejtim “i ëndrrave” mban peshën kryesore në metaforë. Ai ndërton një analogji të përsosur gjuhësore me institucionet e diktaturës komuniste në Shqipëri, si Pallati i Komitetit Qendror të Partisë, Pallati (Ndërtesa) i Ministrisë së Brendshme, dy institucione të cilat përfaqësonin mekanizmat kryesorë në politikën terrorizuese dhe shfarosëse ndaj individëve që e kundërshtonin diktaturën. Nga togjet që ne përmendëm, është ruajtur emri Pallati, ndërsa përcaktorët (Komitetit Qendror të Partisë; Ministrisë së Brendshme), janë zëvendësuar me emrin më të pakuptimtë, Ëndrrat. Këto dy simbole universale që në lashtësi, pallati dhe ëndrra, në këtë kontekst, kanë fituar vlera universale, në saje të fuqisë së simbolikës së tyre. Gjuha e përdorur nga Kadareja shfaq analogji dhe simbolikë të shumëfishtë në rrëfim. Në të dallohen grupe fjalësh tipike për periudhën e një rendi totalitar socialist. Fjalët, shprehjet, konceptet, mendësitë bashkëkohore, të shënjuara shprehimisht, janë në harmoni të plotë me materialin gjuhësor politiko-psikologjik të totalitarizmit komunist që gjendet në tekst. Kështu, dallojmë terma të përdorur në socializëm me kuptime tepër të veçanta. P.sh.:

a) në fushën e drejtësisë: komplot, dosje, verifikim, provokator, ankim, anonim, dhomë veçimi etj. (në analogji me gjuhën që faktonte reprezaljet në diktaturë);

b) në fushën e ideologjisë: shpëlarje truri, ndikime të jashtme (në analogji me ndikimet nga shtetet perëndimore), porosi e sovranit (porosi e udhëheqësit) etj.;

c) në fushën e politikës: Shtetet e Bashkuara Osmane (në analogji me SHBA-në), republikë, konfederatë, mbretëri parlamentare (në analogji me forma organizmi politik në Europë) etj.;

d) në fushën e hierarkisë zyrtare: zëvendësdrejtor i parë (në analogji me sekretar i parë), me urdhër nga lart (në analogji me funksionin e përqendruar të pushtetit) etj.;

Letërsi 301

e) në fushën e përditshmërisë: punohej me orar të zgjatur, radhët (në analogji me radhët e krizës së komunizmit), ëndërr pa emrin dhe adresën e parësit (në analogji me letrat anonime), mbledhje, udhëzim, rishikim i ëndrrës (në analogji me verifikimin e denoncimit) etj.

Një simbolikë të fuqishme merr vetë fjala ëndërr. Ajo ka një dinamikë të gjallë në roman. E pranishme pothuajse në çdo faqe, ajo vishet gjithandej me shumëllojshmëri simbolike, grotesk, paradoks dhe absurd. Simbolizuese në shumë kontekste, ajo zbulon kuptime, nuanca dhe funksione kuptimore të ndryshme: ëndërr e bukur, e pastër (E ç`paska aq të rëndësishme ajo ëndërr? – pyeti Mark Alemi. Tjetri ngriti supet. – As unë nuk e di. Në vështrimin e parë duket si e thjeshtë, po do të ketë diçka, gjersa i japin kaq rëndësi. – Kjo është bashëndrra apo kryeëndrra; për bashëndrrën punojnë qindra veta, bashkëndrrorët apo kryeëndrrorët, siç quhen tani.).

Nga miliona ëndrrat e para, të vlefshme janë vetëm ato që parathonë fatin e shtetit, prandaj dhe janë fytyra e tij. Kjo politikë e vënies dorë edhe mbi pavetëdijen e anëtarëve të një sistemi, përbën vijën universale të ndërtimit të çdo sistemi totalitar, që për të qetësuar paranojën e vet, shpik mekanizma nga më absurdët.

Një funksion të veçantë simbolik e analogjik në vepër merr edhe fjala dosje. Ajo shënjon mjetin ku ruhen ëndrrat e shkruara, ndërsa simbolikisht ajo përfaqëson mjetin ku dokumentohen nga hetuesia në diktaturë mendimet e lira pro apo kundër sistemit, duke përfshirë këtu edhe procesin e fshehtë që i shoqëron këto dosje. Në socializëm, termi dosje merrte kuptime juridikopolitike të posaçme. Në analogji me dosjet e Pallatit, ku ëndrrat shtresohen dhe ndahen sipas interpretimit, në diktaturën socialiste në Shqipëri, fjala dosje merrte konotacione përcaktuese për individin, p.sh.: ishte me dosje, e ka dosjen plot, i hapën dosje etj. Në këtë kuptim, nisur nga pesha që mban kuptimi i fjalës dosje në rrëfim, kritika e ka quajtur romanin “Pallati i Ëndrrave”, edhe “romani i dosjes”, në kuptimin që ashtu si në diktaturën socialiste, institucioni i Pallatit të Ëndrrave është institucioni i mbikëqyrjes, mbledhjes, studimit dhe përfundimeve prej dosjeve, të argumenteve që justifikojnë ushtrimin e dhunës shtetërore.

Por, po kaq sa është e fortë dhe totalitare dhuna që ushtrohet mbi individin, po kaq merr dinamikën e saj edhe nxitja e shpirtit të rezistencës së njeriut ndaj çdo lloj shtypjeje dhe totalitarizmi.

Absurdi i marrëdhënieve pushtet - individ

Alegoria që shtjelluam shkon përkrah universalitetit të mesazheve që përcjell vepra. Vetë Pallati është një alegori e madhe, duke përbërë atë që vetë Kadareja e quan ferr të totalitarizmit. Ndryshe nga ferri tradicional, ferri i diktaturës shkon paralel me ferrin e hierarkive institucionale: sa më lart të shkosh, aq më i ngushtë bëhet rrethi. Vetëm kur ngjitet në majë, Mark-Alemi e kupton dhe ndërgjegjësohet për llojin e diktaturës, ku është përfshirë populli i Perandorisë. Kjo simbolikë përputhet me llojin e rrëfimit të Kadaresë, i cili shkon drejt analizave të thella psikologjike të shtrira jo vetëm në stilin e tij, por edhe në fabulën e jashtëzakonshme, në kohën e shtrirjes së saj, në linearitetin e ngjarjeve dhe objektivat e rrëfimit. Rrëfimi në vetën e tretë, ardhur nga një rrëfimtar i gjithëdijshëm, është mënyra më efikase për të realizuar absurdin e një marrëdhënieje që mbështetet te hipotetizmi mbi një fakt të pavetëdijshëm. Duke qenë prodhim i pavetëdijes, ëndrrat shprehin veprime, qëndrime dhe sjellje për të cilat individi nuk mban përgjegjësi. Për më tepër, ato nuk kanë asnjë lidhje

Letërsi302

me përditshmërinë apo fatin e një shoqërie të tërë. Interpretimi i tyre subjektiv, nuk mund të kthehet në një proces real, aq më tepër që një institucion shtetëror të përdorë mekanizmat e tij për të kontrolluar nënvetëdijen e qytetarëve. Ky absurditet mbi të cilin ndërtohet romani, krijon analogji me absurditetin e një sistemi të tërë, i cili mbikëqyr, kontrollon dhe dënon mendimin e lirë. Individi i dërrmuar psikologjikisht, i rrezikuar gjithmonë nga dënimi i pabazuar në ligj dhe i paparalajmëruar, shoqërohet përgjatë gjithë jetës nga ankthi, pasiguria dhe mundi për ekzistencë, energji të cilat shkojnë deri në absurditet. Universaliteti i simbolikës në roman, njeh dinamika të ndryshme; rritet përmes hiperbolës, groteskut, ironisë, dramës dhe sidomos absurdit të këtij romani. Nëpërmjet ambicieve të Mark-Alemit, ne njohim dhe perceptojmë ambicien e individit për t`u integruar në strukturat shtetërore, por si refleksion i raportit individ-shtet, kjo marrëdhënie dëshmon se individi nuk mund të fuqizohet asnjëherë nëpërmjet fuqisë së pushtetit, përkundrazi, çdo përpjekje për t`u bërë pjesë e tij, çdo mekanizëm apo sjellje për ta arritur këtë synim, dështon. Individi është në një konflikt të përjetshëm me shtetin dhe gjithmonë mbetet i kërcënuar prej tij, siç ndodh edhe me Mark-Alemin, dilema më e madhe e të cilit është: Më mirë të jesh brenda Tabir Sarajit, apo jashtë tij? Të vërtetën e jep thënia e Kurt Tjetërmendësit: …ai (Tabir Saraji) pavarësisht nga emri i bukur që ka, është institucioni më i tmerrshëm, më i verbri, më fatali.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Shpjegoni titullin e romanit, duke e lidhur atë me përfytyrimet tuaja mbi emrin pallat dhe ëndërr. A ndërtoni një përfytyrim të kundërt me kuptimin tradicional që ka ky grup fjalësh? E gjykoni këtë një gjetje nga ana e autorit? Pse?

2. Kush janë personazhet kryesore në roman dhe cilat situata i bëjnë ata të jenë në qendër të rrëfimit? Si lidhen mes tyre personazhet? Po idetë që përcjell secili prej tyre?

3. Ndaluni te figura e Sulltanit. Si është realizuar paniku dhe tmerri që ai përhap? Si arrin Sulltani të jetë aq i pranishëm në roman, edhe pse nuk del asnjëherë fizikisht?

4. Si funksionon Pallati i Ëndrrave? Flisni për organizimin e tij dhe mënyrën se si i mbledh ëndrrat. A ka analogji kjo me mënyrën se si funksionojnë diktaturat?

5. Si shfaqet gjuhësisht simbolika dhe analogjia e veprës? Jepni shembuj nga teksti ku të dëshmoni këto dy dukuri.

6. Si paraqitet raporti pushtet-individ në vepër? Ku qëndron absurditeti i kësaj marrëdhënieje? Si reagon individi ndaj këtij absurdi? Cilët janë mekanizmat që ndërmarrin secili prej tyre: individi dhe pushteti?

7. Argumentoni disa dukuri të stilit që ka përdorur autori për të realizuar universalitetin e mesazheve dhe simbolikave të veprës. Ushtroni mendimin kritik

8. Nevoja për të mbikëqyrur jetën e tjetrit, në çdo sistem diktatorial është pjellë e paranojës dhe e pasigurisë së pushtetit totalitar. Si e kuptoni ju këtë paranojë? A ka bazë reale një ndjesi e tillë? Argumentoni se si e ushqen dhuna paranojën.

Letërsi 303

ILUSTRIM LETRAR

I. Kadare

Pallati i Ëndrrave

Fragmenti është shkëputur nga kapitulli II, “Seleksionimi”.

Në një bisedë mes kushërinjve, të gjithë anëtarë të familjes së madhe të Qyprillinjve, po flitet për madhështinë e frikshme të Tabir Sarajit dhe për pozicionimin e individëve në të. Ajo që i mundon është pasiguria dhe ndjenja e fajit që ndjell Pallati. Por rreth tryezës së darkës, hapet biseda në lidhje me Eposin kushtuar Qyprillinjve, rrënjëve të tij që vijnë që nga Shqipëria e largët dhe misionit të shqiptarëve që jetojnë në Perandori.

Në tryezën e darkës, gruaja e vëllait të madh nisi të tregonte diçka për zakonet e vjetra të provincës që drejtonte i shoqi, kur Kurti, pa shumë kujdes, i preu fjalën:

– Kam ftuar rapsodë nga Shqipëria, – tha ai.

– Si? – thanë dy-tre zëra.

U kuptua menjëherë që ajo “si?”, do të thoshte: “Ç’t’u kujtua një gjë e tillë? Ç’është ky trill i ri?”.

– Pardje po bisedoja me konsullin austriak, – vazhdoi ai, – dhe e dini ç’më tha?

Ju Qyprillinjtë jeni sot familja e vetme aristokrate në Europë dhe, me siguri, në botë, që keni një epos.

– Ah, – ia bëri njëri nga kushërinjtë, – e qartë.

– Ai e krahasoi eposin që këndohet për ne, me Nibelungen të gjermanëve dhe shtoi se, në qoftë se për një familje të madhe gjermane apo franceze do të këndohej qoftë dhe një e qindta e eposit që këndohet sot për ne në Ballkan, kjo do të trumbetohej si mburrja dhe mrekullia më e madhe për ta. Kurse ju Qyprillinjtë mezi kujtoheni për këtë. Kështu më tha.

– E qartë, – përsëriti njëri nga kushërinjtë. – Veç një gjë nuk kuptoj: ti fole për rapsodë shqiptarë, apo jo? Në qoftë se bëhet fjalë për eposin që dimë të gjithë, atëherë ç’hyjnë këtu rapsodët shqiptarë?

Kurt Qyprilliu e vështroi në sy, por nuk iu përgjigj. Biseda për eposin ishte e vjetër në familjen e Qyprillinjve, ashtu si serviset e shtrenjta, dhurata të dikurshme të sovranëve, që çdo brez Qyprillinjsh i gjente për t’ia lënë brezit tjetër. MarkAlemi e mbante mend qysh nga fëmijëria. Në fillim e kishte përfytyruar eposin si një gjësend të gjatë, midis dragoit dhe gjarprit, që rrinte larg në ca male me dëborë dhe në trupin e të cilit, si në trupin e qenieve përrallore, ishte ndryrë fati i familjes. Mirëpo, duke u rritur, dalëngadalë e kishte kuptuar, ndonëse jo fort qartë, se ç’ishte ky epos. Në të vërtetë, për djaloshin ishte pak e vështirë

Letërsi304

të merrte me mend se si Qyprillinjtë rronin e sundonin në kryeqytetin perandorak, ndërsa larg në Ballkanin e çuditshëm, në provincën me emrin Bosnjë, këndohej një epos për ta. Edhe më e parrokshme ishte për të se përse ky epos nuk këndohej në vendlindjen e Qyprillinjve, në Shqipëri, por në Bosnjë dhe, veç kësaj, ai nuk gjendej në gjuhën amtare të Qyprillinjve, në shqipe, por në gjuhën sllave. Një herë në vit, gjatë muajit të ramazanit, vinin rapsodët që nga Bosnja. Ata bujtnin për disa ditë rresht te Qyprillinjtë, për të kënduar baladat e tyre të gjata, të shoqëruara me një vegël muzikore që nxirrte një zë tejet të pikëllueshëm. Ky ishte një zakon që vazhdonte qysh prej qindra vjetësh dhe që brezat e rinj të Qyprillinjve nuk kishin guxuar ta braktisnin apo ta ndryshonin. Të mbledhur në dhomën e madhe të miqve, ata dëgjonin zërin e zvargur të rapsodëve sllavë, prej fjalëve të të cilëve nuk kuptonin asnjërën, përveç emrit Qyprilli, që ata e shqiptonin Çupriliq. Pastaj rapsodët merrnin shpërblimin e zakonshëm dhe iknin, duke lënë pas vetes një ndjesi zbrazëtie, që për disa ditë rresht shkaktonte te të zotët e shtëpisë ca psherëtima pa shkak, të ngjashme me ato që shkaktojnë ikjet e stinëve. Flitej se sovrani i kishte smirë Qyprillinjtë pikërisht për atë epos. Për sovranin qenë hartuar e vazhdonin të hartoheshin me dhjetëra divane e vjersha nga poetët zyrtarë, mirëpo një epos si ai i Qyprillinjve s’këndohej gjëkund për të. Madje, flitej se ishte pikërisht kjo smirë një nga shkaqet kryesore për rrufetë me të cilat sovrani godiste herë pas here Qyprillinjtë. Po pse nuk ia falnin atë epos sulltanit-mbret dhe të shpëtonin nga të këqijat e Qyprillinjve? kishte thënë njëherë Mark-Alemi i vogël, pasi kishte dëgjuar pëshpërimat e të mëdhenjve. Pusho, Mark-Alem, i kishte thënë nëna, eposi është diçka që nuk dhurohet, më kupton, s’është si unazat ose stolitë, është një gjë e tillë që, edhe po të duash ta japësh, nuk e jep dot.

– Është si Nibelungen, kështu më tha, – vazhdoi Kurti mendueshëm. – Gjithë këto ditë kam bërë me vete atë pyetje që është bërë shpesh në shtëpinë tonë. Përse sllavët kanë ngritur një epos për ne, kurse bashkatdhetarët tanë, shqiptarët, në eposin e tyre, heshtin?

– Kjo është e thjeshtë, – tha njëri nga kushërinjtë, – ata heshtin, sepse kanë pritur diçka prej nesh.

– Sipas teje, ky është një qortim?

– Merre si të duash.

– Për mua është e kuptueshme, – ndërhyri kushëriri tjetër. – Është një keqkuptim i vjetër midis familjes sonë të Qyprillinjve dhe shqiptarëve. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë përmasat perandorake të familjes sonë, për të mos thënë që këtë gjë s’e përfillin aspak. Ata janë mospërfillës për atë që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë Qyprillinjtë për tërë shtetin e madh, në gjirin e të cilit Shqipëria s’është veçse një pjesë. Ata duan të dinë vetëm ç’kemi bërë ne për këtë dromcë, vetëm për Shqipërinë. Kanë pritur vërtet diçka të veçantë prej nesh.

Ai hapi krahët, siç bëjnë njerëzit kur duan të thonë: ja, kështu janë punët.

Eposi i kreshnikeve
Letërsi 305

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në bisedën me konsullin austriak, Kurti nënvizon disa detaje, të cilat synojnë të ngacmojnë sedrën identitare të familjarëve të Qyprillinjve. Cili është mekanizmi që përdor rrëfyesi nëpërmjet fjalës së konsullit? Çfarë elementesh historike dhe sociale janë të përfshira në të?

2. Në përfytyrimin e Mark Alemit janë përdorur të dhëna që nxisin imagjinatën, projektojnë vlerat e prejardhjes së tij, por njëkohësisht e pozicionojnë familjen e Qyprillinjve dhe gjithë shqiptarët në raporte të çuditshme me Perandorinë. Si e keni krijuar ju imazhin e kësaj marrëdhënieje? Si ishte familja e Qyprillinjve përballë Perandorisë? Pse imazhi i eposit i vjen në fëmijëri mes formës së dragoit dhe gjarprit?

3. Historia e Shqipërisë së Madhe ka qenë histori e pambarimtë mbijetese dhe bashkëjetese të dhunshme me sllavët dhe turqit. Këtë pohim rrëfyesi e dëshmon duke ndërtuar një marrëdhënie treshe: shqiptarët, boshnjakët dhe turqit, marrëdhënie e cila ka si pikë takimi eposin. Sllavët kishin ndërtuar një epos për shqiptarët e Turqisë. Si e keni perceptuar ju këtë marrëdhënie përmes rrëfimit? Cilat ishin traditat në lidhje me këtë marrëdhënie? Ku këndonin rapsodët boshnjakë dhe si tingëllonin fjalët e tyre?

4. Eposi i Qyprillinjve kishte ndezur mërinë e Sulltanit ndaj familjes. Kjo ishte arsyeja pse ai e urrente këtë familje dhe e kishte zili njëkohësisht. Si e kuptoni ju fjalën e nënës: eposi është diçka që nuk dhurohet, më kupton, s’është si unazat ose stolitë, është një gjë e tillë që, edhe po të duash ta japësh, nuk e jep dot.

5. Në bisedën rreth dilemave se përse shqiptarët janë të pandjeshëm ndaj bashkatdhetarëve të tyre në Perandori, një nga kushërinjtë pohon se: Ata duan të dinë vetëm ç’kemi bërë ne për këtë dromcë, vetëm për Shqipërinë. Kanë pritur vërtet diçka të veçantë prej nesh. Si e kuptoni këtë pohim? A merr vlerë edhe në ditët e sotme ky konstatim i Kurtit? Cilat janë pritshmëritë që vijnë nga ky pohim?

Nga teksti te ndërtimi

6. Fragmenti është ndërtuar mbi disa forma rrëfimi dhe ligjërimi. Identifikojini ato duke i ndarë në: paragrafë që paraqesin dialogun, rrëfimin, meditimin. Shpjegoni ndërtimin e tyre, duke iu referuar llojit të ligjërimeve. Cilat të dhëna gjuhësore ju ndihmojnë për t`i specifikuar ligjërimet?

7. Paragrafët në të cilët jepet meditimi dhe rrëfimi ndërtohen me fjali të gjata, të cilat i japin mundësinë autorit të bëjë analiza dhe të nxjerrë përfundime. Evidentoni dy prej tyre për secilin paragraf. Argumentoni se si lidhjet sintaksore të fjalisë e ndihmojnë lexuesin të qartësojë mendimin. Mbështetuni te dijet që keni mbi llojet e fjalive dhe marrëdhëniet mes pjesëve të tyre.

8. Në këtë fragment, ndërtimi është i tillë që Sulltani, edhe pse nuk është i pranishëm fizikisht, është i gjithëgjendur. Si realizohet prania e tij? Pse ka zgjedhur këtë lloj ndërtimi Kadareja? A ndikon kjo në fuqizimin e alegorisë së rrëfimit?

9. Ndërprerja e dialogimit nga paragrafë që realizojnë rrëfimin dhe meditimin është një zgjedhje që bën autori për ta përcjellë atmosferën e një dileme edhe në formën e rrëfimit. A krijojnë shkëputje llojet e ligjërimeve? Cilat janë fjalitë që i lidhin ato? Identifikojini dhe shpjegoni se si funksionon kjo lidhje.

Letërsi306

10. Gjuha alegorike është themeli mbi të cilin ndërtohet vepra. Ndërtimi i krejt romanit, por edhe i fragmentit, bazohet te përdorimi i simbolit dhe alegorisë. Alegoria si figurë e shprehjes shkon bashkë me simbolin me të cilin afrohet në disa aspekte. Që një term konkret të ngrihet në cilësinë e simbolit, vihet theksi te disa cilësi mbizotëruese të tij. Identifikoni simbolin/simbolet dhe tregoni cila nga cilësitë mbizotëron/theksohet nga autori.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Fjala që mban peshën e fragmentit, rreth së cilës vërtitet gjithë kuptimi i nënshtresuar është fjala epos. E vendosur në marrëdhënie me popujt, shtetet dhe mbijetesën, fjala epos mbishtreson gjithë historinë. Duke u nisur nga karakteristikat e eposit në tërësi dhe eposit tonë në veçanti, tregoni se çfarë të dhënash të reja na ofron ajo në këtë fragment. Cilat kuptime të reja e bëjnë atë orientues për mesazhin që sjell pjesa?

12. Ndaluni te fjalia: Biseda për eposin ishte e vjetër në familjen e Qyprillinjve, ashtu si serviset e shtrenjta, dhurata të dikurshme të sovranëve, që çdo brez Qyprillinjsh i gjente për t’ia lënë brezit tjetër. Konstatimi që bën rrëfyesi është i mbështetur mbi një similitudë. Qartësoni dy krahët e similitudës. Përcaktoni korrespondencat kuptimore mes tyre. Si vijnë kuptimet? A marrin ato ngjyrime politike?

13. Në meditimet e Mark-Alemit mbi eposin, fjala kyç është gjuha shqipe. Ai duket se e sheh eposin të lidhur fort me gjuhën amtare, gjuhën shqipe dhe jo me gjuhën sllave, e cila nuk u thotë asgjë Qyprillinjve. Cilat karakteristika të gjuhës shfaqen më dukshëm në këtë simbolikë? Si lidhet ajo me historinë e familjes dhe të vetë eposit?

14. Një moment kyç i paragrafit meditues që rrëfen mendimet e protagonistit, Mark-Alemit, është pyetja që ai i drejton nënës: Po pse nuk ia falnin atë epos sulltanit-mbret dhe të shpëtonin nga të këqijat e Qyprillinjve? Kjo pyetje foshnjarake, pavarësisht se merr përgjigje nga nëna, në fakt për lexuesin është një pyetje retorike. Ju si lexues, çfarë nënkuptoni nga kjo pyetje retorike? Çfarë informacioni plotësues ju jep ajo për gjithë romanin?

15. Kthehuni te fraza: Ata janë mospërfillës për atë që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë Qyprillinjtë për tërë shtetin e madh, në gjirin e të cilit Shqipëria s'është veçse një pjesë.

16. Evidentoni antoniminë kontekstuale. Cilën përmasë të shqiptarëve shpreh ajo? Si vjen imazhi i tyre te ju si lexues përmes kësaj antonimie? Lidheni përgjigjen me fjalën e njërit prej protagonistëve: Ata e kanë të vështirë të kuptojnë përmasat perandorake të familjes sonë. A zhvleftësohet kjo thënie e tij pas nëntekstit kuptimor që përcjell antonimia?

Nga teksti te gjuha në përdorim

17. Në hyrje të fragmentit ndeshim frazën me dykuptimësi: U kuptua menjëherë që ajo “si” do të thoshte: “Ç’t’u kujtua një gjë e tillë? Ç’është ky trill i ri?”. Vendoseni frazën brenda kontekstit. Çfarë informacioni ju jep ajo për Kurtin? Po për marrëdhëniet e Qyprillinjve me Shqipërinë e largët, ish-vendin e tyre?

18. Në gjuhën e konsullit austriak vendoset kjo thënie: Ju Qyprillinjtë jeni sot familja e vetme aristokrate në Europë dhe, me siguri, në botë, që keni një epos. Dy fjalët që i japin kuptim jo vetëm fjalisë, por edhe krejt fragmentit, janë aristokratë dhe epos. Si e plotësojnë njëri-tjetrin kuptimet që marrin këto dy fjalë në këtë përdorim? A janë të barasvlershme ato nga pesha kuptimore, apo krijojnë marrëdhënie varësie? Argumentoni mendimin tuaj me të dhëna nga teksti.

Letërsi 307

19. Përfytyrimi që sjell fraza: “Në fillim e kishte përfytyruar eposin si një gjësend të gjatë, midis dragoit dhe gjarprit, që rrinte larg në ca male me dëborë dhe në trupin e të cilit, si në trupin e qenieve përrallore, ishte ndryrë fati i familjes.”, luan me imazhin e së jashtëzakonshmes, i pranueshëm për botën e fëmijës. “Mirëpo, duke u rritur, dalëngadalë e kishte kuptuar, ndonëse jo fort qartë, se ç’ishte ky epos”, thotë rrëfyesi, pa e treguar përfytyrimin. Nëse do të ishit Mark-Alemi, si do ta ndërtonit ju imazhin e eposit, si i rritur? Cilat ndërtime gjuhësore do t’ju ndihmonin në përfytyrim?

20. Kur përshkruan eposin e kënduar nga boshnjakët, rrëfyesi thotë se ai shoqërohej nga “një vegël muzikore që nxirrte një zë tejet të pikëllueshëm.” Ndaluni tek inversioni. Si arrin kjo strukturë sintaksore të japë pikëllimin e vetë fatit të Qyprillinjve? Pse boshnjakët i japin këto ngjyra këtij eposi dhe kësaj melodie? A lidhet kjo me pozicionin e vetë boshnjakëve brenda Perandorisë Osmane? A ka pika takimi mes tyre?

21. Në dialogun që bëhet mes kushërinjve, diskutohet mbi sjelljen e shqiptarëve në Shqipërinë e largët: ata heshtin. Ka disa shpjegime mes tyre për heshtjen e shqiptarëve, dikush e quan qortim, dikush të kuptueshëm, dikush keqkuptim. Ndaluni te konteksti. Cili nga variantet ju duket i pranueshëm? Pse?

Nga teksti te reflektimi

22. Në fragment, mbiemri Qyprilliu ndeshet shumë shpesh dhe në të gjitha rasat. Gjatë këtij lakimi, anëtarësia e pjesëtarëve të familjes humbet dhe mbiemri fiton vlerën e përfaqësimit të çdo pjesëtari të saj. Analizoni këtë tkurrje të identitetit të çdo anëtari dhe përcaktoni vlerën përfaqësuese të mbiemrit. A duket sikur ky përfaqësim shkon përtej një familjeje? Argumentoni përgjigjen tuaj me të dhëna nga teksti.

23. Pse një popull si boshnjakët ndien nevojën të këndojë epos për një familje shqiptare? Kur ndërtohen eposet? Si është lidhja e tyre me historinë?

24. Pas ikjes së boshnjakëve, në familje mbretëron një situatë fare e pakëndshme: “Pastaj rapsodët merrnin shpërblimin e zakonshëm dhe iknin, duke lënë pas vetes një ndjesi zbrazëtie, që për disa ditë rresht shkaktonte te të zotët e shtëpisë ca psherëtima pa shkak, të ngjashme me ato që shkaktojnë ikjet e stinëve.” Nga vjen kjo gjendje? A gjeni nota malli e trishtimi? Si lidhet kjo me ikjen e stinëve?

25. Në fragment mësojmë për një Sulltan që godet familjen e Qyprillinjve për shkak të eposit. Mendoni që kjo epërsi e Qyprillinjve e tremb Sulltanin? Duke u nisur nga ky fakt, flisni për fuqinë e artit. Lidheni fjalën tuaj me ndikimin e artit në ndryshimet e mëdha sociale.

26. Fragmenti dhe tërë romani është i vendosur në kohën e Perandorisë Osmane, por ka një nëntekst të fuqishëm që e lidh me diktaturën në përgjithësi dhe me diktaturën në Shqipërinë komuniste, në veçanti. Edhe ky fragment përçon një frikë të nëndheshme që rrëfen atmosferën në një diktaturë. Si ndikon frika tek aktorët e një diktature: te diktatori, mbështetësit e tij dhe te populli. A ka jehonë aktuale kjo vepër? Argumentoni me fakte nga realiteti i sotëm në botë.

Nga teksti te të shkruarit

27. Kërkoni në internet mbi eposin Nibelungen të gjermanëve. Krahasojeni atë me eposin tonë. Shkruani takimet dhe dallimet mes tyre. A kishte pasur të drejtë ambasadori austriak, që përmendet në fragment?

28. Vizitoni ose kërkoni informacion mbi muzeun “Shtëpia e gjetheve” në Tiranë. Merrni të dhëna mbi kontrollin që diktatura komuniste ushtronte mbi njerëzit dhe pasojat e këtij kontrolli. Me këto të dhëna, shkruani një punim ku të zbërtheni alegorinë e romanit.

Letërsi308

Gjuhë

Ligjërimi

Stili dhe gjuha e zakonshme

Gjatë komunikimit, individët e përdorin gjuhën në variante apo forma nëpërmjet të cilave ndërtojnë akte ligjërimore.

Me akt ligjërimor do të kuptojmë aktivitetin e personave që flasin, shkruajnë apo lexojnë, domethënë, çdo akt përdorimi të gjuhës, çdo praktikim të aftësisë sonë ligjërimore që i referohet një produkti konkret gjatë të folurit, të shkruarit apo të lexuarit.

Akti ligjërimor përkufizohet me ndihmën e tri kritereve: atë të thëniezimit (situatës ku realizohet thënia), atë të ndërveprimit (thënia realizohet mes dy a më shumë personave që komunikojnë mes tyre) dhe atë të përdorimit (thënia është e destinuar të artikulohet, të dërgohet nga thënësi te marrësi dhe të kuptohet nga marrësi). Gjatë aktit ligjërimor, dhënësit dhe marrësit përdorin njohuritë e tyre gjuhësore, i organizojnë ato në thënie, pra, përdorin gjuhën. Kjo është një veprimtari ligjërimore individuale, e realizuar në situata të caktuara komunikimi (thëniesore), e përcaktuar nga kodet dhe që karakterizohet nga një synim i caktuar (ndërveprimi).

Nëpërmjet aktit ligjërimor, individët tregojnë kompetencën e tyre gjuhësore, duke vënë në qendër të formimit gjuhësor praktikat ligjërimore. Produkti që arrihet nëpërmjet aktit ligjërimor është ligjërimi

Veçoritë e ligjërimeve

Gjuha shqipe ka një bërthamë të qëndrueshme, e cila ka evoluar përgjatë historisë dhe deri në përdorimet e sotme. Bërthama qendrore përbën strukturën, ndërsa realizimet e saj historike e të sotme quhen variante. Nëse do të flasim për varietete gjuhësore, regjistra gjuhësorë a stile gjuhësore, atëherë pikëvështrimi është fokusuar te bartësi, te folësi /përdoruesi dhe shkruesi e, për rrjedhojë, analizat tona do të përfshijnë varietetet sipas përdorimit dhe përdoruesve. Gjuha lind dhe jeton në radhë të parë si gjuhë e folur, në trajtën gojore. Tipat e varianteve dallohen për arsye historike (shqipja e vjetër, e mesme, e re) dhe gjeografike (dialektet dhe të folmet e tyre). Në një shkallë të caktuar të zhvillimit kulturor, lind shkrimi, kështu që krijohet varianti i shkruar i gjuhës. Ndërkaq, njësimi i gjuhës është domosdoshmëri, në mënyrë që gjuha të luajë rolin e saj gjithëkombëtar për të siguruar trashëgiminë mes brezave dhe shtresave të popullsisë. Për këtë arsye, ndërtohet standardi i një gjuhe. Edhe standardi është një variant i gjuhës, i cili është i detyruar të respektohet në komunikimet ndërinstitucionale. P.sh., një prokuror, një mësues, një sekretar institucioni, pra, individët që kanë lidhje me gjuhën zyrtare, janë të detyruar të përdorin standardin. Tashmë, në gjuhën shqipe njësimi është çështje përsosjeje dhe pasurimi të sistemit të gjuhës standarde, ngulitjeje të normës standarde.

Dialektet

Ashtu si standardi, edhe dialektet janë variante të përdorimit të gjuhës. Dallimet mes standardit dhe dialekteve, si dhe midis dy dialekteve në gjuhën shqipe nuk janë shumë të theksuara. Më së shumti ato i përkasin fushës fonetike, morfologjike dhe leksikore.

Le të vërejmë fragmente nga një poezi e Kostandin Kristoforidhit në të dyja dialektet e shqipes:

Gjuhë 309

Gegënisht

Ylli i vogël nalt ndë qiell Duket`porsi zjarrm në pyll: sipër dheut lark qindron, xhixha xhixha xhixhëllon.

Toskërisht

Ylli i vogël lart në qiell Duketë si zjar në pyll: siprë dheut lark qëndron, xixa xixa xixëllon.

Siç e vëreni, dallimet kanë të bëjnë kryesisht me fonetikën, tingujt (ë-ja e patheksuar; x/xh) dhe morfologjinë (duket/duketë; ndë/në). Por këto dallime nuk e cenojnë kuptimin e fjalisë.

Ligjërimet

Ligjërimet ose  të folurit dallohen prej njëri-tjetrit nga forma e komunikimit dhe nga shkalla e ngulitjes së normës.

Ligjërimi libror paraqet shkallën më të rreptë të përdorimit të normës.

Ligjërimi bisedor paraqet shkallën e zbatimit elastik të normës, në rrethanat e jetës së përditshme.

Ligjërimi i shkujdesur del jashtë normës, sepse e shkel dhe e shtrembëron atë.

a) Karakteristikat e ligjërimit libror mbështeten te respektimi i rregullave të gjuhës standarde, pra, te rregullat e Drejtshkrimit dhe Drejtshqiptimit të Gjuhës Shqipe (në rastin e shqipfolësve).

Folësi do të respektojë ato rregulla të përdorimit të fjalëve, të përdorimit të formave morfologjike dhe të ndërtimit të fjalisë e tekstit, të cilat janë të renditura në rregullat e standardit të shqipes. P.sh. në një tekst të kritikës letrare vërejmë respektimin e rreptë të standardit: Lasgushi në poezinë e vet mediton që mundja e vdekjes nuk bëhet duke ikur, por duke u ballafaquar me të.

Sikurse në të folur, një gazetar informon duke respektuar rregullat e drejtshqiptimit të gjuhës shqipe: Zonja dhe zotërinj, ju përshëndes. Në gjashtë bashki të vendit kanë nisur votimet që në orën shtatë për zgjedhjen e kryebashiakëve. Në Shkodër dhe Vorë, ka pasur probleme.

(Edicioni informativ, 06 mars 2022, ora 12:00 – Top Channel Albania – Lajme)

Po ashtu, një mësues në klasë respekton në të folur ligjërimin libror: Festa e abetares është dita më e bukur për fëmijët e klasës së parë. Ju të gjithë përgatiteni çdo ditë, që festa të dalë sa më e bukur. Si do ta organizojmë festën këtë vit?

(Mësuese Brikena, klasa I, shkolla “Luigj Gurakuqi, Elbasan).

b) Karakteristikat e ligjërimit bisedor rrjedhin nga komunikimi i njëkohshëm, i cili ndodh në kushtet e përvojës së përbashkët. Ligjërimi bisedor dallon nga dialektet, edhe nga gjuha letrare e folur, prej atyre tipareve, që shfaqen si veçori të organizimit

Gjuhë310

dytësor. Këto tipare janë përpunuar nën ndikimin e rrethanave të komunikimit dhe janë ngulitur, në kuptimin që, pavarësisht nëse fizikisht një tekst është i shkruar ose i folur, ai shquhet nga veçoritë stilistike të tekstit bisedor. Folësi është i vetëdijshëm se zgjedh këtë tip përdorimi dhe, kur ndryshojnë rrethanat, po ashtu në mënyrë të vetëdijshme kalon në një tip tjetër. P.sh., nëse në një orë mësimi, një mësues iu thotë nxënësve: “Hulumtoni në enciklopedi dhe internet, për të gjetur sa më shumë informacione të bollshme mbi këtë dukuri”, po ky mësues, jashtë klasës, mund t’i thotë djalit të tij ose një miku: “Hap mor enciklopedinë dhe kërko aty. Ka sa të duash materiale të bukur. Shih internetin dhe gjen plot”. Në këtë komunikim, dominon ana subjektive e folësit. Kjo vjen, ngaqë ligjërimi ndodh mes miqsh. Vërehen tinguj të panyjëtuar qartë dhe përdoren shumë shkurtime të ndërthurura me dukuritë fonetike. Shfaqen lëkundje të trajtave morfologjike: në kohët e foljeve e sidomos në përshtatjet e shumësit të emrave. Fjalitë ndërtohen nën ndikimin e shfaqjes së emocionit, subjektivizmit, përsëritjes së vazhdueshme të rrethanave, njëtrajtësimit të rasteve. Mbizotërojnë lidhjet bashkërenditëse dhe fjalitë e varura të shkallës së parë e të dytë.

Për shembull, në një telefonatë me eprorin, folësi i drejtohet në ligjërim libror:

– Përshëndetje, zonja Era. Jam Artan Shkëmbi. Po ju telefonoj nga zyra e informacionit. Desha t`ju komunikoja njoftimin që sapo mora nga Drejtoria e Përgjithshme e ministrisë. Nesër keni takim me ministren, në orën 12:45. Ju faleminderit.

Për t’i dhënë të njëjtin komunikim bashkëshortes së tij, e cila punon në të njëjtin insti tucion, ai përdor ligjërimin bisedor:

– Alo, zemër, jam Artani. Po të marr nga zyra e informacionit. Ka ardh’ njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e ministrisë. Ke takim me ministren në orën një pa një çerek.

c) Karakteristikat e ligjërimit të shkujdesur

Në marrëdhënie me normën, ligjërimi i shkujdesur është diskursi që e shkel apo shtrembëron atë në atë masë, saqë ligjërimi del jashtë gjuhës letrare dhe fiton tipare të përgjithshme, që ndihen nga folësit. Fjalët shtrembërohen ose cungohen në përbërjen e tyre tingullore. Në morfologji ka një përzierje të papritur trajtash me prejardhje të ndryshme. Fjalëformimi shpesh është i rastit ose i paqëndrueshëm. Tekstet ndërtohen përgjithësisht në formën e dialogut. Përdoren shumë orientalizma ose fjalë të zhargonit. P.sh., në murin e një qyteti, dikush kishte shkruar: Ma hoqe petllën Lira. Ligjërimi i shkujdesur e shpërfill normën, duke mos e respektuar pothuajse fare atë. Shkelja e normës bëhet me vetëdije, për arsye kulturore e arsimore, për arsye të thellimit të intimitetit.

Dy grupe rrethanash e ushqejnë këtë të folur. Grupi i parë për arsye arsimore e kulturore, sidomos të mjedisit familjar e shoqëror, nuk orientohet drejt normës që nga fëmijëria, p.sh.: “Erdhe nga shkolla, lushe?” (me përkëdheli, vajzës), ose “O loçka e zemrës” (shprehje dashurie). Ndikimi dialektor në këtë rast është i theksuar, por ky ligjërim dallohet mirë nga dialektet. Një folës mund të flasë në normë edhe duke e përdorur dialektin, por ligjërimi i shkujdesur nuk është dialekti, sepse ky ligjërim nuk e pasuron kulturën dialektore të folësve. Ai kryen funksione të ndryshme, pra, nuk i shërben më kulturës krahinore. P.sh. në rastin e shprehjes së një inati apo mllefi nëpërmjet ironisë: “Ee, menja një grusht mizash, ikën e t`ban naftën.”. Por edhe në situata të caktuara: “Kallzona, kallzona nei sen, mos fol me spond ma.”.

Grupi i dytë shfaq prirje për t’u veçuar si grup, gjithashtu kur synohet dallimi me shprehjen e rëndë, duke e ulur vetëdijshëm nivelin e mirësjelljes. P.sh.: “Aaa çè pyet sa të mirë e kishe bërë, gjylaç me bojna”, për të treguar që nuk i pëlqen ushqimi. Nuk janë të pakta rastet kur përdoret

Gjuhë 311

për ofendime: “Të janë liruar vidat”, për të ofenduar në kuptimin se nuk mendon si duhet, nuk logjikon mirë etj.

Në ligjërimin e shkujdesur, fjalitë pësojnë shtrembërime: “A konë për imen, shumë e bukur, a kon.”. Pavarësisht dialektit, në këtë rast, fjalia ka një shmangie nga struktura e saj normative. Sikurse vërejmë rastet e lojërave të fjalëve: “U lapose buçko”, apo ndërhyrjet aq të pranishme sot nga gjuhët e huaja: “Mirupafshim lejtër” (mirupafshim më vonë), e cila shpesh del edhe me variantin alegorik: “Mirupafshim never” (mirupafshim kurrë). Në jo pak raste, një folës i pakultivuar, gjatë mesazhit, përdor në mënyrë të përsëritur grupin edhe tha. Ndërtimi i përgjithshëm i këtij ligjërimi është nën ndikimin e fortë të dialogut dhe sidomos të emocionit. Me këtë ligjërim, ku është e pamundur të ndërtohen tekste të plota e të gjata, dalin pjesëza e pasthirrma, mungesë e ligjëratës së zhdrejtë, mungojnë lidhëzat e përbëra, fjalitë e varura disashkallëshe. P.sh: Kjo nuk është llafellogji, por ndyrollogji; Pikë n`zemër, për me dijtë ku asht; Haj faj, mos m`shaj; etj.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Ç’është akti ligjërimor dhe cilat janë kriteret që ndihmojnë në përcaktimin e tij? Ilustroni disa akte ligjërimore.

2. Ç’quajmë ligjërim dhe si proces, ligjërimi është individual apo i përbashkët? Argumentoni me shembuj përgjigjen tuaj.

3. Gjuha ka lindur në formën e saj të folur apo të shkruar? A ndryshon gjuha përgjatë kohës dhe hapësirës? Nëse po, si dëshmohet kjo?

4. Cilat janë dialektet e gjuhës shqipe? Ku ndryshojnë ato? A janë ndryshime të forta apo anësore? Jepni shembuj nga dialektet e shqipes. Flisni për dialektin e krahinës suaj.

5. Cilat janë format e ligjërimeve? Ku dallohen mes tyre ato? Po brenda të njëjtit ligjërim a kemi grupime? Jepni shembuj të llojeve të ligjërimeve, duke i shpjeguar ato.

6. Në tekst keni shembullin e mësuese Brikenës, e cila po u flet nxënësve për festën e abetares. Ndërtoni ligjërimin e mësuese Brikenës për të njëjtin argument, por tanimë me koleget e saj.

7. A ndikojnë në dallimet mes ligjërimeve niveli i njohjes së gjuhës? Pse?

8. Përveç faktorëve gjuhësorë, cilët janë faktorët e tjerë që bëjnë dallimet mes ligjërimeve?

Ushtrohuni përmes tekstit

9. Lexoni me zë tekstet e mëposhtme.

Standardi

Poezisë i duhet fuqi për të përballuar fshehtësinë dhe përtacinë shpirtërore të ferrit komunikativ bashkëkohor. Poezia ka luftuar me informacionin dhe automatizimin e shpirtit njerëzor, me gjithë atë masë të trashë viskoze që izolon shqisat tona për ndjenjën e perspektivës dhe të projektimit tonë në të Vërtetat e Epërme.

(Tufa) 1 Gjuhë312

Dialekti gegë

Unë ia kam kushtu babës tim, jo për faktin se ishte baba im, por se ka themelue dy teatro në Shqipni, teatrin e Shkodrës në 1952 dhe teatrin e Elbasanit në 1962. Ai ka punue me rritë nji plejadë të bukur aktorësh, ndër ta përmen Tinka Kurtin, Zef Jubanin, Demir Hyskën, Robert Ndrenikën e shumë të tjerë. Baba m’ka marrë qysh në moshë shum t’vogël n’teatër. Unë isha aq i vogël, sa më merrte gjumi aty. Po zakonisht sallat e teatrit, sikurse edhe sot kanë qenë shumë të ftohta, dhe unë mërdhijsha, e sa herë rrija tuj pa teatro, vija në shpi o me ethe, o me grip. E baba më thoshte: “Jo nuk të marr ma se ty të merr gjumi”. E gjithmonë thuhet se nana ime ka këmbngul me më marr atje. (P. Shllaku)

Dialekti toskë

Tani disa vjet, kemi rënë tepër pas politikës... Politika! Fort mirë. Po na duhet dhe letratura, për zonë! Kemi nevojë të dëfrejmë e të çdëfrejmë dopak, të jetojmë dhe me ëndërra. Pastë të mirë, pra, z. Milo Duçi, që na mbushi dëshirën e zemërës, se “E thëna” do të na zbavitij mjaft, sa të harrojmë, një orë a dy, mendimet e mundimet e jetës, ndë këtë botë ku hollësitë, kodhelet dhe lodrat e politikës gati na prishin trutë në ditë të sotme. (A. Z. Çajupi)

a) Duke pasur si model variantin standard, gjeni dhe argumentoni në fragmentet toskërisht dhe gegërisht praninë/mospraninë e zanores – ë të patheksuar. Si shfaqet ajo në dialektin toskë?

b) Në standard dhe në dialekte, identifikoni folje të mënyrës dëftore, në kohën e kryer. Ku dallojnë ato mes tyre? Dallimet fonetike a kanë sjellë ndryshime në kuptimin e teksteve?

c) Procesi i rotacizmit është kthimi i n-së në r. P.sh. në gegërisht anmik, ndërsa në standard armik. Gjeni shembuj të dukurisë së rotacizmit në fragmentin e dialektit gegë.

d) Në fragmente dallojmë fjalët me më marr, tuj pa, për zonë, ndë këtë botë. Çfarë forme do të merrnin ato në shqipen standarde?

e) Nga informacioni që keni, sillni format dialektore të këtyre emrave në dialektet e shqipes: qumësht, perëndimi, misër, shapka, byrek, arra.

10. Përgjigjuni pyetjeve të mëposhtme.

Për këtë ushtrim, kontrolloni “Drejtshkrimin e Gjuhës Shqipe”.

Lexoni tektet dhe përgjigjuni pyetjeve që janë poshtë tyre

Ligjërimi libror

Sistemi i stileve të shqipes është dukuri historike, e lidhur me jetën e popullit. Aty duket qartë se gjuha ka rol shoqëror, ajo është pjesë përbërëse e një kulture dhe shprehëse e saj, është në ndërvarësi me strukturat shoqërore, kulturore e kombëtare. Ky sistem është një vlerë e shqipes dhe fusha ku shfaqen më mirë veçoritë e saj. (Xh. Lloshi)

Ligjërimi bisedor

– Dita verës është festa jonë, mos e diskuto fare. Ne mblidheshim te çesmja n’kala dhe i herë e i kohë ia nisshim kangës, por tani janë ndryshuar ca gjana.

– Ça ka ndryshu?

– Ohuja! Kanë ndryshu zakonet. Për shemull, nuk mblidhemi më te Rrapi, Rrapi i Manxit, po dalim xhiro n’bulevard. Edhe gocat nuk veshin rrobet popullore, por “rrobka” (me ironi) moderne. Shiko pak... a t’kam thanë

STUDIM TEKSTI
2 3 2 1 Gjuhë 313

që edhe bollokumja nuk asht si i herë e i kohë? – Po, po e kam vënë re dhe un.

Ligjërimi i shkujdesur

– Janë do tipa që s’janë piaca jonë, po s`kenkan me u hudhë. – Aaa, apo? Mujnem me i kqyrë? – Sa njashtu si je... Mos e kthe moj kokën, po kqyre vjedhhajdutçe. – Ok, ktheje tash. – Po mirë, sa për nxemje, po u hedh i sy.

(K. L., 67 vjeç; M. N., 60 vjeç)

(Fragment nga filmi “Rrobaqepësja”)

a) Sa është respektuar standardi i gjuhës shqipe në tekstin e parë? Argumentoni përgjigjen tuaj me shembuj nga teksti.

b) Lexoni me vëmendje ligjërimin libror dhe të shkujdesur. Bëni dallimet mes tyre. Verifikoni marrëdhëniet e tyre me standardin.

c) Në ligjërimin bisedor, komunikimi ndodh mes miqsh apo të panjohurish? Ku e mbështetni përgjigjen tuaj? A ndikon dialekti në këtë ligjërim? Cilat janë ndërtimet apo fjalët që e klasifikojnë këtë ligjërim në bisedor? Cilit grup i përkasin folësit?

d) Teksti i ligjërimit të shkujdesur jep të dhëna mbi marrëdhënien emotive të folësve. Përcaktoni se për ç’lloj emocioni bëhet fjalë. Në çfarë marrëdhënieje duhet të jenë dy bashkëbiseduesit, të ngushtë apo të largët? Në cilin kontekst do ta vendosnit këtë ligjërim?

e) Cilat janë ndërtimet që e shpërbëjnë sintaksën e këtij diskursi? Argumentoni përgjigjen tuaj duke pasur si referencë gjuhën standarde.

f) Veçoni tri shprehje që theksojnë një marrëdhënie emotive apo edhe intime mes dhënësit dhe marrësit. Cilat janë të dhënat gjuhësore dhe grafike që tregojnë se ritmi i të folurit është i shpejtë? Pse ndodh kjo?

g) A ka varësi dialekti në ndërtimin e ligjërimit bisedor dhe atij të shkujdesur?

Sfida e të shkruarit

11. Lexoni me vëmendje tekstin e mëposhtëm, i cili është shkruar në gjuhën standarde. Kthejeni atë në ligjërim bisedor. Më shkruaj.

Të lutem më shkruaj. Të shkruash është njësoj si të puthësh. Veç pa përplasjen e dëlirë të buzëve. Pa frymën e ngrohtë në mes. Pa zhurmën e lehtë të tingujve të ngecur. Më shkruaj, të lutem më shkruaj. Të shkruash është si të më puthësh me fjalë. (N. Poroçani)

12. Përfytyroni sikur ndodheni përpara këtyre tri situatave: - do t’i shprehni dashurinë një vajze; - do të bëni shaka me motrën apo vëllain më të vogël, të cilën/cilin e doni shumë; - do të inatoseni me një makinë që kaloi rrugës dhe ju lagu. Për secilën situatë, ndërtoni një tekst në ligjërim të shkujdesur nëpërmjet të cilit të komunikoni emocionin përkatës.

3 Gjuhë314

Letërsi

Frederik Rreshpja

Frederik Rreshpja është vlerësuar si një nga poetët e rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX. Poezia e tij karakterizohet nga një ndjeshmëri e lartë dhe figuracion mahnitës e shumë i veçantë për poezinë shqipe. Shkroi kryesisht poezi, por gjithashtu nën emrin e tij dolën edhe krijime në prozë, dramaturgji, eseistikë dhe publicistikë. Nga krijimtaria e tij mund të përmendim përmbledhjet poetike: “Rapsodi shqiptare” (1968), “Në këtë qytet” (1973), “Enise, Enise” (botuar në Prishtinë, 1975), “Erdhi ora të vdes përsëri” (1994), “Lirika të zgjedhura” (1996), “Vetmi” (2004); romanin “Zëri i largët i kasolles” (1972); dramën “Ëndrra e gurit” (1971); esenë letrare “Marrëzia e Itakës” etj.

Krijimtaria e poetit Frederik Rreshpja shtrihet në dy periudha kohore. Në atë të para viteve ’90, me dy përmbledhjet poetike “Rapsodi shqiptare” dhe “Në këtë qytet”, në të cilat temat kryesore që do të lëvronte do të përkonin përgjithësisht me ato që qarkullonin në letërsinë zyrtare të kohës: temat e aksionit, e ndërtimit të hidrocentraleve, e heronjve, e formimit të njeriut të ri, temat me ndikim nga folklori etj. Ndërkohë, forma e shprehjes, me të cilin përcilleshin këto tema, nuk ishte e afërt me formatin e ligjërimit të poezisë së kohës. Për më tepër, ndihej vëmendja që Rreshpja i kushtonte formës, më shumë se idesë, përmbajtjes. Kjo shmangie që poeti bënte në ligjërim qe pikasur dhe dënuar nga kritika zyrtare. Kështu, në një shkrim redaksional të revistës “Nëntori”, të vitit 1973, me titull “Probleme të poezisë sonë” dhe nëntitull “Kundër ndikimeve të huaja në poezi”, teksa flitet për një diskutim krijues të marsit të atij viti në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ndër të tjera, gjejmë edhe këtë gjykim:

Rendja pas figurave e ka çuar ndonjë poet (është fjala për poetin Frederik Rreshpja) gjer atje sa të spostojë mendimin dhe të nxjerrë figurën në plan të parë. Kjo e bën poezinë të tingëllojë krejt formaliste. Ja një shembull i tillë:

Mane të varrosën në muzg Kali yt që u bë vjeshtë

Hëngri gjelbërimin e pyllit

Dhe befas u bë dimër.

Është fjala për poezinë “Mane” të Frederik Rreshpjes, e cila mbyll periudhën e parë të kësaj krijimtarie dhe shërben si hallkë lidhëse për atë që do të ringjallet pas viteve ’90. Sidoqoftë, edhe në këtë periudhë të parë, poeti ndodh edhe që t’u ikë temave të imponuara, duke ndërtuar zërin e tij unik, pamjet e thjeshta të sendeve ngrihen deri në simbole, prej nga i bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera. Kjo është e para gjë që të vjen ndër mend kur lexon poezinë e Frederik Rreshpjes, një ndjesi që bëhet mbizotëruese në periudhën e dytë të krijimtarisë, ku duhet të flasim me një gjuhë tjetër, sepse tashmë jemi çliruar nga kompleksi tematik. Pas vitit ‘73, afërsisht për gati 17 vite, poetit do t’i privohet liria dhe e drejta e botimit nga regjimi i kohës. Vetëm në fillim të viteve ‘90, pas rënies së sistemit komunist, Rreshpja ka mundësi t’i kthehet botimit të krijimeve të tij. Kjo përbën edhe fazën e dytë të krijimtarisë së poetit.

Vetëm vitet ‘90 dhanë atë liri që i shërbeu gjetjes së zërit të mirëfilltë të poetit. Dallimi në tematikë do të sjellë edhe dallimin në pikëpamjen e realizimit të tekstit, sepse kur mbaron leximi i kësaj poezie, na vjen menjëherë ndër mend mënyra e ndërtimit të saj. Si çdo shkollë poetike, edhe krijimtaria e Rreshpjes shpjegohet vetëm brenda kodesh të caktuara, vetëm brenda atyre kodeve që e afirmojnë.

Karakteristikat e krijimtarisë së Frederik Rreshpjes në dy periudha: para dhe pas viteve ‘90
Letërsi 315

Temat e periudhës së dytë: humbja, pikëllimi, vetmia etj.

Tema e fëmijërisë, braktisjes, humbjes, pikëllimit, vetmisë, mallkimit, janë ato që përshkojnë pothuajse gati të gjitha poezitë e të tria vëllimeve të kësaj periudhe: “Erdhi ora të vdes përsëri”, “Lirika të zgjedhura” dhe “Vetmi”. Këto tema, sidomos ajo e vetmisë, humbjes, pikëllimit, vijnë si gjendje gati të vazhdueshme, në të cilat ndodhet poeti në marrëdhënien e tij me njerëzit dhe botën. Përvojat e privimit të lirisë gjatë diktaturës, përvojat e tëhuajzimit të tij nga bota dhe botës nga ai, përvoja e të ndjerit i pakuptuar edhe si njeri, edhe si artist prodhojnë këtë poezi. “Ngado që sillem, pikëllimi është aty te porta/ dhe prapëson shpirtrat”, shkruan poeti te poezia “Kthehu”. Bindja se është ndryshe nga të tjerët, se është poet i shënjuar me talentin që e privon nga marrëdhëniet e zakonshme me botën, për një marrëdhënie të pazakontë që vjen nga ndjesitë dhe perceptimet që i gatuan imagjinata e ndezur prej poeti par excellance, bëjnë që te poezia “Testament” të pohojë: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur I mallkuar me art.

Gjërat i shihja ndryshe:

Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt çerdheve te yjet. Në vend të borës binin zogj në çdo dru. Lajtmotivi në poezinë e tij është vetmia. Madje, në ndonjë rast, duke u shënuar edhe si titull poezie, siç është te poezia “Vetmi”, në një varg të së cilës poeti shpall edhe statusin e tij prej të vetmuari: kudo vetmia ka ngritur muret e saj. Krahas saj, si konstante tematike është edhe pikëllimi.

Karakteristikat e ligjërimit në poezinë e Rreshpjes

Ajo që bie kryesisht në sy në krijimtarinë e tij, sidomos në periudhën e dytë, është ndërtimi i një poetike me një fond të kufizuar fjalësh të tria niveleve bazë të ligjërimit poetik: emërtuese, cilësuese dhe vepruese. Vetëm me fjalë të tilla si: trëndafil, kopsht, nënë, zog, dru, gjeth, pyll, dimër, vjeshtë, shi, hënë; i trishtuar, i mardhur, i ri, i bukur, e thyer, i lodhur, dhimbje, humb, pikëlloj, vetmon, ik, braktis, vdes, ulërin, ai arrin të ndërtojë një shumësi botësh, e cila përfton një pasuri të madhe poetike. Për këtë qëllim, i shërben pastrimi i kulluar i fjalës deri në nivelin zero të ngjyresave të mëparshme, deri në nivelin parak të saj, që e çon në ndërtimin e një ligjërimi poetik, i cili pretendon të jetë sistem i krijuar nga: - fjalë-tema (rendi metaforik, zinxhiri i nuancave që ka secila nga fjalët e mësipërme në përzgjedhje);

ose:

- tema-sintagmë (grup) (rendi metonimik, aftësia që ka secila fjalë për afri dhe bashkëshoqërim jofamiljar, të tipit: folklori i braktisur, folklori i zogjve, folklori i harruar i qiraxhinjve, fati im prej shpate, si patkoi i fatit, ylli i fatit tim, ky fat budalla, fati im tërë gjëmë, të cilat priren ta hapin rrezen e ndjeshmërisë ndaj kombinimeve jo të zakonshme. Këto fjalë-tema e tema-sintagma ia dalin të shërbejnë si mjete formale për të çliruar tensionin emocional, që të çojnë në një qark ndjeshmërie e kuptimesh të befta. Për të realizuar intonimin ritmik dhe shumëkuptimësinë (ambiguitetin), shërbejnë, ndër të tjera, edhe analogjitë e mirëvendosura morfo-sintaksore, të cilat luajnë rolin e organizuesit ritmik në varg.

Letërsi316

Për ilustrim, mund të shërbenin shembuj të tillë të shkëputur:

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë; ****

Ka mbirë bari nga sytë e tu

Ka mbirë bari nga zëri yt; ****

Po shkoj edhe unë mbi lule harrese

Po shkoj edhe unë në shtegun e vjetër Natyra shndërruese që merr fjala në dorën e poetit bën që, megjithëse kemi pak a shumë të njëjtat fjalë, të mos kemi të njëjtat mënyra e vlera përdorimi. Është i dallueshëm për ne si lexues raporti i kthjelltë që ka ky poet me fjalën, duke na kujtuar përcaktimin e poetit modernist francez Pol Valeri (Paul Valery) se në poezinë e mirë, lëvizja e një fjale, ashtu si lëvizja e një guri shahu, u hap rrugë lëvizjeve të tjera. Gjithë përpjekja për ta komentuar këtë lloj poezie, do të përthyhej përpara kërkesës për të kuptuar se ç’mekanizëm i thërret fjalët deri në atë nivel sa ato të kërkojnë vetë vijimësinë e përsosur formalo-estetike. Poezi të tilla, si: “Requiem”, “Vinjetë”, “Vjeshtë 1990”, i zgjojnë dhe i zhgënjejnë vazhdimisht hipotezat tona për mënyrën e ndërtimit, nëpërmjet një loje të ndërlikuar të rregullit me rastësinë, normës dhe devijimit, saktësisë dhe shthurjes ritmike. Rileximi, pasi të kemi dalë nga gjendja e shijimit estetik, do të ishte këshilla për të marrë vesh diçka nga teknika e ndërtimit të një poezie të tillë si ajo me titull “Rekuiem”:

Noton në përrua, me gjethe mbështjellë

Një ditë e vdekur vjeshte Dhe shtergët e fundit kaluan të ngrirë

Me sytë e verdhë, në heshtje.

Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës, Lugina me hënë e lyer

Dhe drerët e erës vënë kujën me dhembje, Me brirët prej akulli thyer.

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë

Qefinin me gjethe të tharë…

O dimri i drerëve me brirët në erë, Kë vjeshtë të qajmë më parë?

Rreshpja pothuajse gjithmonë flet në vetën e parë. Kjo poezi ka një model të veçantë tingujsh, një sistem të tërë metaforash, një organizim e rrjedhë të veçantë ritmike dhe lexuesi i mirë përcakton nuancat e zhvillimet emocionale, duke i paraqitur ato sa më saktë në leximin e tij. Që të shijohet, çdo lexim duhet të rikrijojë emocionet fillestare që ka pasur poeti në intensitetin e tyre të parë.

Përgjithësisht, struktura në poezitë e Rreshpjes mbizotërohet nga metafora. Pas metaforave që përdor Rreshpja, kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj. “Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës / lugina me hënë e lyer”.

Po ashtu, një përdorim të shpeshtë ka epiteti metaforik (dru i trishtuar, dëbora e thinjur etj.) apo edhe oksimoroni (e verbra madhështore, fat budalla, pikëllim i bukur etj.).

Ave nëna ime

Rri në shi. Kjo gjë është e vetmja që dua. Ç’është ky? Pyesin pikat e shiut mbi ballin tim.

Kështu kam dëgjuar zërin e shiut

Një ditë vere rrëzë lisit plak

Te porta lënë hapur për zogjtë.

Ah, kur isha i ri dhe i bukur, kujtoja

Se tërë shirat e botës binin për mua.

Po tani që kanë kaluar kaq shumë vite

E di që s’ka asnjë kuptim që bie shi.

Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri

Një arkeologji e perëndive që rrëzoheshin Ave, nëna ime!

Vetëm te ti kam besuar, Zot tjetër nuk kam pasur kurrë.

Letërsi 317

Verifikoni njohuritë

1. Krijimtaria e Frederik Rreshpjes ndahet në dy periudha. Cilat janë veprat që u përkasin këtyre periudhave dhe çfarë karakteristikash paraqesin në tematikë? Po në formën e shprehjes?

2. Cili është reagimi i kritikës zyrtare të kohës për poezitë e periudhës së parë? Nga cila poezi është shkëputur shembulli me të cilin merret kritika zyrtare?

3. Kur fillon periudha e dytë e krijimtarisë së Rreshpjes? Çfarë e karakterizon këtë periudhë? Cilat janë temat që dominojnë më së shumti në krijimtarinë e kësaj periudhe?

4. Nga cilat elemente diktohet përdorimi i temave të vetmisë, pikëllimit?

5. Nga pikëpamja e organizimit të ligjërimit, çfarë bie në sy te poezitë e periudhës së dytë? Përmendni disa karakteristika të mënyrës se si e organizon ligjërimin poetik Frederik Rreshpja.

6. Si paraqitet struktura në poezinë e Rreshpjes? Cila është figura që dominon? Po figurat e tjera, cilat janë? Ilustrojeni me shembuj.

Ushtroni mendimin kritik

7. Lexoni mirë fragmentin ku shprehet gjykimi i kritikës zyrtare në lidhje me artin e Rreshpjes. Lexoni edhe poezinë për të cilën ngrihet ky gjykim. Çfarë mendimi keni për këtë lloj poezie? Po për mendimin e shprehur nga kritika? Çfarë dini ju për poezinë formale?

8. Poezia “Mane”, ndonëse i përket periudhës së parë të krijimtarisë së Rreshpjes, është ndërtuar me figurën dominante të periudhës së dytë: metaforën. Evidentojeni atë dhe tregoni funksionin që kryen.

9. Temat e vetmisë, pikëllimit, humbjes, mallkimit, janë të ngjizura nga përvojat dëshpëruese të tij me jetën, realitetin, botën. Kërkoni në libra apo internet informacion në lidhje me jetën e poetit. A mendoni se përvoja jetësore është sublimuar në përvojën artistike? Argumentoni përgjigjen.

10. Si e kuptoni ju vargun: “Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur/ I mallkuar me art”? Pse del autori me këtë ide?

11. Studiuesit pohojnë se poezitë e F. Rreshpjes karakterizohen nga përdorimi i një numri relativisht të vogël fjalësh, por që ndërtojnë një shumësi botësh e një pasuri të madhe poetike. Si mendoni, si e arrin autori këtë efekt?

12. Lexojeni me zë poezinë “Rekuiem”, pastaj përpiquni të evidentoni çfarë karakteristikash paraqet kjo poezi. Evidentoni disa prej figurave që ju bëjnë më shumë përshtypje dhe thoni pse.

Ushtroni imagjinatën tuaj

13. Përpiquni ta paraqitni me anë të vizatimit atë që perceptoni nga poezia “Rekuiem”.

Një pjesë e madhe e poezive të Rreshpjes kanë për temë figurën e nënës, si një imazh lëvizës që e shoqëron ngado, tek e cila kërkon të gjejë pajtimin, sigurinë dhe përmbushjen: “Ishte një botë e tërë kur ishe ti”. Te nëna, poeti gjen ngushëllim për vetminë e tij dhe besimin e pakushtëzuar: “Ave nëna ime!/ vetëm te ti kam besuar, / Zot tjetër nuk kam pasur kurrë”. Ndonëse poeti nuk i ka grupuar asnjëherë në një cikël të vetëm, poezitë që i kushtohen nënës mund ta përbënin një të tillë. Nga poezitë për nënën, mund të përmendim: “Nëna”; “Nënës”; “Vendlindja e nënës”; “Ave, nëna ime”; “Elegji për nënën” etj.

STUDIM TEKSTI
Letërsi318

Ku ishe ti

Ku ishe ti, kur dola i vetëm nën hënë?

Në ç’hënë barisje, vallë?

Ku ishe ti kur vizatova profilin tënd

Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde

Pastaj erdhi prapë nata

Dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita te kroi

Duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit

Pashë sytë e tu nën kujtesën e ujërave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës Si një sovran që abdikon

Ani, mua më zuri ky mallkim

Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?

A ndofta nuk do tё ketë kurrë më vjeshtë?

Atёherë, nё emёr tё kujt do tё bien gjethet?

Nё emër tё kujt do tё vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

ILUSTRIM LETRAR
Ndarja, Edvard Munch
Letërsi 319

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Poezia përbën një model të mbartjes së frymës erotike mbi elemente të pastra mistike. Në cilat mendime nis të formohet kuptimi i saj? Si e kuptoni lidhjen e mistikes me Hënën?

2. Vargjet “Ku ishe ti kur vizatova profilin tënd / Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?” të lënë të kuptosh që heroi lirik ka nisur të ndiejë një dhimbje. Nga e ka burimin kjo dhimbje?

3. Lidhja e mungesës me natën është zgjedhje që Rreshpja e ka shfrytëzuar nga fondi i traditës së poezisë shqipe. Si e kuptoni këtë lidhje? A krijon ajo një mungesë shpjegimi, një mister? Pse?

4. Në strofën e katërt, kroi dhe ujërat lidhen me kujtesën. Si ju vjen ndjesia e heroit lirik, konkrete apo e pashpjegueshme, si uji, si rrjedha, si ikja?

5. Pyetjet që vendosen në strofën e fundit nuk janë pyetje retorike, por janë pyetje pa përgjigje, sepse heroi lirik nuk di t’u japë një përgjigje. Ai është në luftë me to. Si e kuptoni ju këtë luftë? Ka ndjesi tjetër te heroi lirik, përveç ndjesisë së erotikës? Cilat janë detajet që ju çojnë te përgjigja që dhatë?

Nga teksti te ndërtimi

6. Ndërtimin e poezisë do ta ndjekim në dy rrugë: njëra është struktura e jashtme, mënyra se si ka ndërtuar vargjet dhe figuracionin, tjetra është ndërtimi i brendshëm, strukturat e kuptimit. Poezia nis me pyetje retorike. Cilat janë përgjigjet e fshehura në to? Janë përgjigje të pastra, apo jo?

7. Poezia nuk ka një ndërtim të rregullt strofik, as rima të jashtme. Por ajo e arrin ritmin duke krijuar theksa ritmikë të brendshëm. Cilat janë fjalët apo grupet e fjalëve që theksohen në secilën strofë? Si lidhen këta theksa mes tyre? Janë të njëjtë apo të shpërndarë? A varet kjo nga synimi i poezisë?

8. Për ta ndërtuar këtë poezi, autori ka përdorur kalimin nëpër detaje: nga hëna (vargu i parë: Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hёnё?/ Nё ç’hёnё barisje vallё?) te mjegulla (vargu i parafundit: Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?) derisa bëhet pastrimi i subjektit lirik nga synimi i pastër erotik. Ky ndërtim është mbështetur në kuptimin e parë të fjalëve apo në kuptimet figurative?

9. Ndërtimi figurativ i fituar nga tërë poezia - erotika e pastër që sublimon heroin lirik - arrihet të perceptohet pasi e kemi lexuar tërë poezinë apo edhe pjesë-pjesë, varg pas vargu? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke u ndalur te metafora e krejt poezisë.

10. Këtu poeti bashkon më anë të arsyes dy elemente të pavarura: natyrën dhe erotikën . Ai ua ka hequr pavarësinë duke i bashkuar, duke krijuar një element të tretë: mistiken . Këtë e shpreh qartë vargu: “ Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!”. Kjo zgjedhje ndërtimore, a vjen e natyrshme deri në këtë varg? Në ç’raport qëndrojnë këto tri elemente: natyra, erotika dhe mistikja? A shkrihen dy të parat tek e treta? Argumentoni përgjigjen tuaj.

Letërsi320

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në dy vargjet e para vërejmë kuptimin e shumëfishtë që merr fjala hënë. Duke e vendosur në pyetje retorike, fjala zhvendoset në dy hapësira. Cilat janë këto dy hapësira? A ndikon përemri vetor ti për të treguar dy kuptimet e fjalës hënë? Cilin imazh përcjell kjo dykuptimësi: të ikjes, të erotikës, të dhimbjes apo të gjitha bashkë? Pse?

12. Në strofën e dytë, dhimbja është imazhi që ndërtohet mbështetur në një fushë kuptimore të krijuar nga disa fjalë. Identifikoni këto fjalë dhe përcaktoni fushën kuptimore që të çon te dhimbja nga humbja. Si lidhen ato me njëra-tjetrën? Lidhja shpjegohet me realen apo me mistiken? Pse?

13. Përdorimi i anaforës: “Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde/Pastaj erdhi prapë nata”, i shoqëruar me përsëritje të pjesshme të vargut, është kontakt me notat rrëfyese popullore, synimi i të cilave është ikja, rendja e kohës. Kjo ikje e kohës mbushet me mungesë. Për çfarë mungese e ka fjalën heroi lirik, mungesë fizike apo mungesë ndjesie? Si lidhet kjo mungesë me ikjen e kohës?

14. Natyra shfaqet me gjithë ornamentet e saj: kroi, lisi, uji, agimi. Prani e fjalës sovran, e nxjerr nga imazhi njerëzor dhe e bën të pashpjegueshme. Por kjo është vetëm njëra anë e perceptimit. Këto fjalë nuk lidhen më me kuptimin e tyre të parë, por me erotikën. Cili detaj në strofën e katërt dhe të pestë bëhet qendra erotike e këtij imazhi?

15. Strofa e gjashtë ka një kundërvënie sa të dhimbshme, aq edhe pohuese. Heroi lirik është zhytur thellë në erotikë dhe e pranon këtë. Cili është kuptimi gjithëpërfshirës i fjalës ani? Si lidhet pohimi i vargut të parë me pyetjet që vijojnë në strofë? Identifikoni metaforat e çdo vargu dhe thoni se cilat fjalë mbajnë peshën metaforike në to.

Nga teksti te përdorimi

16. Poezia nis me një ndajfolje vendi, e cila i nënshtrohet tonalitetit pyetës. Cili është qëllimi i këtij përdorimi? A ndikon ky përdorim në fillesën mistike të kumtit të vargut?

17. Përdorimi i vetës së parë në këtë poezi është në funksion dialogues. Me kë dialogon poeti? A ka një imazh konkret dialoguesi/ja? Veçoni përdorime të tjera të gjuhës që mbështesin dialogimin e heroit lirik.

18. Në vargun “Pastaj erdhi prapë nata”, ndajfolja e kohës në këtë përdorim përcjell kumtin e kundërt të thelbit të saj: kohë të pakohë, të pambarim. Ky përdorim lidhet me shpresën apo mungesën e shpresës? Cilat ndjesi përcjell te ju si lexues?

19. Në strofën e gjashtë vërejmë përdorimin e fjalës vjeshtë në numrin njëjës dhe fjalëve shirat, mjegullat, ylberët në numrin shumës. Përdorimi i kësaj kundërvënieje gramatikore krijon imazhin e vjeshtës si një kumt përmbledhës. Si lidhet kjo marrëdhënie me erotikën? Po me misticizmin e kësaj ndjesie?

20. Poezia mbyllet me një lutje, të cilën duket se heroi lirik ia drejton dhembjes që ndien brenda. Për të kuptuar këtë, ndalemi te përdorimi i frazeologjisë vër dorë. Këtë grup populli e përdor kur kërkon ndihmë, atëherë kur shpresa ka humbur dhe dhimbja është e papërballueshme. Kthehuni në kontekst. Jepni shpjegimet për pyetjet: pse ndihet nevoja për një shfrim të tillë lutës? A është zhveshur krejt heroi lirik nga pesha e erotikës?

Letërsi 321

Nga teksti te reflektimi

21. Gjuha me figuracion të pasur, me metafora që shkrijnë në një të vetme detajet e botës përreth, për t’i kthyer ato në funksion të ndjesive, është teknika që e afron Rreshpjen me stilin plot ornamente. A kuptohet kjo poezi që me leximin e parë apo duhen disa lexime për të krijuar perceptimin e saj? A e vështirëson stili barok këtë procedurë?

22. Ndonëse poet modern, vërehet që shumë elemente të poezisë së Rreshpjes i gjejmë edhe në folklorin shqiptar. Kjo ndërthurje anon nga modernizmi. Cili është informacioni kulturor që marrin këto elemente në vargjet e Rreshpjes?

23. Pas metaforave që përdor Rreshpja, kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj. Në këtë rast, e çrregullta, d.m.th. e papritura, e befta, habia, a përbën një element thelbësor të së bukurës së vargut të Rreshpjes?

24. Duhet të theksojmë se, edhe pse të kujton poetikat manieriste e baroke, kjo poezi ruan vlerën e modernitetit, që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë interpretuese të gjuhës në poezi (Poe, Hopkins, Mallarmé), kur ajo fiton domethënie e përmasa të reja në shtratin e poezisë bashkëkohore. Nëse do të mundnit ta përkthenit Rreshpjen, ku do të hasnit më shumë vështirësi: në metaforat e përdorura apo në dhënien e gjendjes gati në delir të heroit lirik?

25. Tretja shkallë-shkallë e objektit erotik në subjekte mistike, mendojmë se i jep objektit funksion shpirtëror, jofizik, duke na e bërë të qartë se s’kemi të bëjmë me një erotizëm as konkret, as platonik, por mistik. A besoni se është e vështirë të shprehen ndjenjat? A nuk është më mirë t`i jetosh dhe të mos u vësh emër? A është kjo fshehtësi? Cilin nga poetët tanë të kujton ky lloj misticizmi mbi erotikën?

Nga teksti te të shkruarit

Kujtoni vargjet e L. Poradecit në poezinë “Kur shtrohet vala përmbi zall”:

Se s’dashuronja as unë, as ti, Po dashuronte dashuria. Një dashuri, një fshehtësi, M’e fshehur sesa fshehtësia.

Argumentoni me shkrim takimin e fshehtësisë së këtyre vargjeve me kumtin e fshehtësisë së Rreshpjes. Ndaluni te: dallimet e dy perceptimeve; ndikimi i modernitetit në këtë këndvështrim te të dy poetët.

Dashuria, Chagall
Letërsi322

Gjuhë Arti i intervistimit I

Intervista është një formë shumë e efektshme për të mbledhur informacion nga një subjekt i caktuar rreth një teme të caktuar. Intervista mund të realizohet në kuadër të një angazhimi mediatik me një person publik, personalitet, profesionist të një fushe të caktuar etj., për të përcjellë informacion rreth tij dhe pikëpamjeve të tij për publikun e gjerë. Në raste të tjera, intervistat mund të kenë karakter shkencor dhe të realizohen me persona të ndryshëm, për shembull: për të mbledhur të dhëna për të realizuar një eksperiment ose punim shkencor. Intervista shpesh mund të ketë edhe karakter praktik, siç ndodh kur intervistohet dikush për t’u marrë në punë ose për të mbledhur përshtypjet për produkt ose shërbim të caktuar etj.

Struktura e intervistës

Përgjithësisht, struktura e një interviste përmban: një hyrje të shkurtër informuese për të intervistuarin dhe lexuesit/dëgjuesit e intervistës; një tërësi pyetjesh që i drejtohen të intervistuarit, të cilat mund të jenë të paracaktuara dhe të pandryshueshme gjatë intervistës, ose pyetje që riformulohen apo lindin aty për aty gjatë intervistës, në varësi të përgjigjeve që jep personi i intervistuar. Pyetjet e intervistës mund të jenë pyetje të mbyllura (ose, siç quhen ndryshe, pyetje me fund të mbyllur) ose pyetje të hapura (pyetje me fund të hapur).

Pyetje të mbyllura janë ato që kërkojnë vetëm përgjigje specifike si “po” ose “jo”, ose që lidhen me çështje apo fakte të padiskutueshme. Të tilla, për shembull mund të jenë: “Sa kohë keni punuar në atë kompani?”; “Në sa gjuhë është përkthyer vepra juaj?”; “A keni pasur përgjegjësi të drejtpërdrejta në atë aksion social?” etj.

Pyetje të hapura janë ato që kërkojnë më tepër informacion prej personit të intervistuar në lidhje me pikëpamjen e tij për një çështje të caktuar. Pyetje të tilla mund të jenë: “Çfarë mendimi keni për...?”; “Si ju është dukur veprimi i ...”; “Na tregoni disa sfida që keni hasur...” etj. Intervista përmban edhe një mbyllje, ku falënderohet i intervistuari ose mund të risillet në vëmendje qëllimi i intervistës dhe çfarë qe informacioni më i rëndësishëm që u përftua prej saj.

Gjuha e intervistës

Në varësi të qëllimit për të cilin realizohet intervista, përzgjidhet edhe kodi gjuhësor i përshtat shëm. Intervistat mediatike këshillohet që të realizohen në gjuhën standarde, me qëllim që të kuptohen më me lehtësi nga publiku i gjerë. Nga ana tjetër, intervistat me karakter shkencor, kur iu drejtohen personave që nuk kanë formim shkencor (si në rastin e eksperimenteve sociologjike p.sh.), duhet të përmbajnë informacion sqarues për terminologjinë shkencore të përdorur në to. Mënyra më e këshilluar për ta realizuar një intervistë është ballë për ballë, por shpesh intervistat kryhen edhe në distancë, përmes platformave të komunikimit online, ose intervista me shkrim (ku intervistuesi nis me shkrim pyetjet dhe i intervistuari sjell përgjigjet për to). Në intervistat e realizuara ballë për ballë është shumë e rëndësishme të respektohet etika e komunikimit dhe që i intervistuari të ndihet sa më i qetë për t’u përgjigjur. Ndaj këshillohet që intervistuesi të jetë “dyshues” ndaj përgjigjeve të personit të intervistuar, çka do të thotë të ngrejë vazhdimisht pyetje që do të japin më tepër sqarime për publikun, por jo armiqësor.

Gjuhë 323

Arti i intervistimit

Të intervistuarit, ashtu si shumë aktivitete të tjera të ngjashme komunikative, është një veprimtari që kërkon shumë praktikë dhe informacion paraprak. Në manualet e komunikimit dhe të gazetarisë, disa këshilla që iu jepen intervistuesve për të zotëruar artin e intervistimit janë: Përgatitja paraprake – që ka të bëjë me mbledhjen e informacionit rreth personit që do të intervistohet, ideve dhe qëndrimeve të tij, si dhe mbledhje të dhënash rreth çështjeve që do të mbulojë intervista. Përgatitja paraprake kërkon edhe përgatitjen e një liste pyetjesh të qenësishme, të cilat do të përbëjnë boshtin e intervistës. Gjatë bisedës, me gjasë, lindin edhe pyetje të tjera të atypëratyshme, çka do të thotë se intervistuesi nuk duhet patjetër t’i qëndrojë besnik verbërisht listës së parapërgatitur, por ta ketë atë për të vënë piketat e intervistës.

Të dëgjuarit me vëmendje – që është një këshillë e vlefshme për intervistat ballë për ballë dhe kërkon përqendrimin e intervistuesit për të kërkuar më tepër sqarim ose për të bërë pyetje të atypëratyshme, në lidhje me çështje që ngrihen gjatë rrjedhës së intervistës.

Pyetjet e thjeshta bëhen në fillim dhe të vështirat në fund – Si fillim, për të krijuar atmosferën e nevojshme për bisedë, bëhen pyetjet më të thjeshta që do ta nxisin personin e intervistuar të flasë lirisht. Për të shtensionuar situatën, intervistuesi mund të bëjë disa komente vlerësuese për personin që po interviston. Gjithsesi, mendimet dhe qëndrimet personale, intervistuesi duhet t’i mbajë për vete dhe të mos i parashtrojë në mënyrë të tepruar në intervistë, sepse fokusi i intervistës duhet të mbetet te përgjigjet e personit të intervistuar. Në fund, intervista mund të mbyllet me pyetjen: “A ka mbetur diçka tjetër e rëndësishme pa thënë?”. Kjo do ta bëjë të intervistuarin të gatshëm për të ndarë me intervistuesin diçka më tepër, që mund të ketë rëndësi për publikun.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Përmendni disa lloje kryesore të intervistës. Çfarë specifikash kanë intervistat shkencore dhe intervistat për synime praktike?

2. Përse intervista ballë për ballë është forma më e parapëlqyer e intervistës?

3. Cila do të ishte struktura tipike e një interviste dhe a ngjan kjo strukturë me strukturën që kanë llojet e tjera të teksteve të shkruara?

4. Cilat lloj pyetjesh janë më të efektshme për të marrë sa më tepër informacion nga personi i intervistuar?

5. Flisni rreth rëndësisë që ka përgatitja para intervistës.

6. Bëni një listë të shkurtër me këshilla që do t’ia jepnit dikujt që po përgatitet për një intervistë me një personalitet të rëndësishëm të kulturës. Ushtroni të menduarin kritik

7. Si mendoni se duhet të jetë gjuha dhe pyetjet e një interviste që realizohet me: një këngëtar pop; me një politikan të shquar; me një studiues.

8. Komentoni thënien: “Përgatitja duhet të jetë njësoj, si kur duhet të intervistosh një diplomat, një kalorës në garat me kuaj apo një biolog. Nga e shkuara e personit në fjalë mëson se çfarë pyetjesh do të kenë më shumë sukses për të marrë përgjigje” (A. J. Liebling).

9. Dëgjoni një intervistë radiofonike dhe shqyrtoni se sa i përgatitur është intervistuesi, sa e strukturuar është intervista dhe sa ndiqen udhëzimet e përgjithshme për një intervistë të suksesshme.

Gjuhë324

Gjuhë

Arti i intervistimit II

Dëgjoni të fragmentuar intervistën e shkrimtarit Mehmet Kraja.

“MEHMET KRAJA: LIRIA IME NUK I NGJAN ASKUJT TJETËR”

A.D.: Zoti Kraja, kjo bisedë me ju, për mua është e veçantë, pasi gjithnjë letërsia juaj ka qenë ajo që kam sugjeruar nga letërsia shqipe. Sa herë më bëhej pyetja “Çfarë u sugjeron të rinjve që duan ta sistemojnë mënyrën e tyre të të shkruarit?”, kam dhënë një përgjigje: “Romanet e Mehmet Krajës”. Tani, pasi pata fatin ta lexoja para botimit romanin tuaj të fundit “Liria ime”, bindem edhe më tepër se ky mbetet sugjerimi i duhur. Si është  liria juaj dhe pse duhet një roman që ta tregoni atë?

M.K.:  Liria është një përjetim kompleks dhe i vështirë për t’u rrëfyer, sepse në esencën e saj liria është e pamundur, është ëndërr, e cila, kur bëhet realitet, sikur e humb magjinë e saj. Ekzistencialistët kanë thënë gjëra të mrekullueshme për lirinë, për dimensionin e saj njerëzor dhe filozofik, unë i kam pasur në dijeni pikëpamjet e tyre, por në punë shkrimi letrar unë e kam çuar rrëfimin në një drejtim tjetër: te fati njerëzor, i cili nuk ndryshon, pavarësisht se liria ndonjëherë krijon rrethana më të favorshme për jetë më të dinjitetshme. Në këtë këndvështrim, unë kam dashur të jem origjinal, pikërisht për arsye se liria ime është e tillë që nuk i ngjan askujt tjetër: unë nuk jam ngopur me lirinë, as më është velur liria, thjesht kam dashur të them se ajo është një iluzion, shpesh një fat njerëzor i përmbysur dhe se në rastin e shumë njerëzve në Kosovë ajo mund të ketë ardhur shumë vonë. Edhe një gjë mund të them: idetë e mëdha, siç lufta, liria etj. krijojnë drama të mëdha njerëzore, përmbysje dhe fatkeqësi,

DËGJIM1 Gjuhë 325

siç krijojnë edhe iluzione, vetëm se fataliteti nuk ndryshon: në esencën e të gjitha kuptimeve të jetës, njeriu është fatkeq dhe i palumtur.

A.D.: Balzaku thoshte se ishte zoti i personazheve të tij. Ka raste kur për ndonjë personazh te “Liria ime”, pasi e përshkruani, pyesni lexuesin  çfarë mund të bëj me të?  dhe thoni këtë apo atë, ndonëse, në fund, e lini të lirë të bëjë zgjedhjen e tij. Cili është në të vërtetë raporti juaj me personazhet e këtij libri?

M.K.:  Unë nuk e mistifikoj krijimin letrar, unë jam shkrimtar me përvojë të gjatë dhe dua të them se personazhet i zgjedh nga galeria e pasur e karaktereve, me të cilët ballafaqohemi çdo ditë. Është një botë e madhe njerëzish, të cilët janë gjithkund përreth, mjafton të zgjasësh dorën dhe të zgjedhësh atë që të duhet në një lloj ose në një lloj tjetër të rrëfimit. Për këtë lloj rrëfimi mua m’u deshën personazhe, që i kam njohur dhe i kam parë, por se mos ka rëndësi kjo! Për mua kanë qenë me rëndësi dy gjëra: që t’i kap fijet e holla të botës së tyre komplekse dhe, e dyta, të hulumtoj fatin e tyre, në bredhjen pa fund në kërkim të lumturisë. Edhe një gjë: që të bëj të ditur se personazhet e mia, ndonëse të paragjykuara si njerëz me aftësi të kufizuara meditimi, ndërtojnë botën e tyre filozofike shumë komplekse, me zhbirime të holla, me depërtime të thella në kuptimet e errëta të botës dhe të qenies. Ata nuk jetojnë në plankton, ata përpiqen të gjejnë kuptimin e gjërave, pavarësisht se askush nuk e kërkon prej tyre diçka të tillë.

A.D.: Ju nuk e quani thjesht roman, por i shtoni edhe një variant nga pas. Pse?

M.K.:  Romani “Liria ime” përbëhet nga nëntë rrëfime, që nuk kanë lidhje organike mes tyre, janë rrëfime të pavarura dhe, duke marrë parasysh këtë rrethanë, këta nëntë “rrathët e ferrit”, në pikëpamje të zhanrit, mund të mos jenë tamam roman në kuptimin tradicional, por një variant i tij. Pra, me këtë “nëntitull” kam dashur të heq ndonjë “barrierë” leximi: të sugjeroj se romani është shkruar me një “përmbysje funksionale” të zhanrit, e cila, për mendimin tim, lëndën letrare rrëfimore e bën më të lexueshme. Janë nëntë subjekte, që kanë lëndë të mjaftueshme për nëntë romane të kondensuara në një tërësi. Por as kjo nuk ka shumë rëndësi. Këto janë katikule rrethanore. Substanca e një vepre letrare është teksti, teksti, teksti…

A.D.: Thonë se historinë e shkruajnë gjithmonë fitimtarët, ndaj, nga perspektiva e tyre është e lavdishme. Edhe në rastin e “Liria ime” janë shqiptarët e Kosovës ata që e shkruajnë, por shohim krejt të kundërtën e lavdisë. Si është e mundur kjo?

M.K.:  Po, është e vërtetë se historinë e shkruajnë fitimtarët, por “Liria ime” nuk është histori, prandaj atë e shkruajnë ose e rrëfejnë njerëz që e vrasin mendjen për kuptime më të thella, njerëz që ndiejnë peshën jo vetëm të “anës së errët” të lirisë, por më shumë

DËGJIM2 Gjuhë326

se aq: ata ndiejnë peshën e tragjicitetit njerëzor, peshën e rëndë të pamundësisë, peshën e papërballueshme të palumturisë. Madje edhe më shumë se kaq, ata nuk janë të lumtur edhe për një arsye shtesë, sepse nuk arrijnë të gjejnë kuptimet e fshehta të ekzistencës; ndonjëherë vetëm kjo iu mjafton për t’u futur në vorbullën e pësimit. Por, mbi të gjitha, personazhet e këtyre rrëfimeve shohin përtej asaj që është sipërfaqësore, njëdimensionale dhe mos u befasoni nëse ju them se ato janë “të lumtura” në palumturinë e tyre, sepse shumë prej tyre kanë arritur fundin, përtej të cilit nuk ka asgjë, nuk ka as kuptime të fshehta, nuk ka as arsye për ekzistencë.

A.D.: Çka ndiej kur lexoj romanin, është edhe një fakt pak paradoksal: sikur kishte shtetas të Kosovës që, ardhja e lirisë nuk i gëzoi, përkundrazi. Është e vërtetë kjo?

M.K.:  Jo, nuk mendoj se mund të thuhet ashtu. Nëse kërkohet një shpjegim politikpragmatik i kësaj situate, duhet thënë se liria, aq më tepër një liri që vjen vonë dhe lë të krijohen drama njerëzore thellësisht të palumtura, nuk i zgjidh të gjitha problemet, aq më pak ato filozofike. Liria krijon predispozita për të zgjidhur disa probleme ekzistenciale, kjo është e vërteta, por nuk shkon përtej kësaj. Në rastin e Kosovës, liria është ngarkuar me një peshë që nuk e përballon dot, është ngarkuar me ëndrra dhe iluzione, natyrisht, edhe me zhgënjime. Është e njëjta gjë si në Shqipëri: dalja nga diktatura u përjetua si liri, por kjo liri nuk arriti t’i bënte njerëzit të lumtur, përkundrazi, ajo tregoi edhe anën e errët të fytyrës së vet të vrerosur.

A.D.: Zoti Kraja, më bën shumë kureshtar një tipar që i bashkon të gjitha personazhet: mungesa e kujtimeve të vlefta në Kosovë, pasi kthehen dhe e vizitojnë atë. Për çfarë arsyeje në Kosovë nuk ka kujtime?

M.K.: Është një shpjegim “teorik” i një situate jetësore, me të cilën përballen njësoj edhe shqiptarët e Shqipërisë, të cilët aktualisht bredhin nëpër botë: kujtimet që i lidhin me vendin e tyre, më kalimin e kohës, fillojnë e zhbëhen, sikur përfshihen nga Alzhajmeri, duke humbur substancën trunore. Pak nga pak, kuptimi i atdheut fillon e reduktohet dhe dikur, e dini se në çfarë përfundon? Në një varr, të cilin, njësoj si personazhi im, nuk e gjen dot në varrezat e Prishtinës, për të vendosur një tufë me lule.

A.D.: A është e tillë qenia njerëzore që me ngulm kërkon diçka, në rastin e shqiptarëve të Kosovës, lirinë, e mandej nuk di çfarë të bëjë me të, si ta përdorë?

M.K.: Fataliteti nuk lidhet vetëm me shpjegime të kuptueshme, shpesh i tejkalon këto përmasa dhe kap parametra të tjerë, të pakuptueshëm dhe të paarritshëm nga mendja e njeriut. Në këtë kuadër, liria mund të jetë vetëm një “vogëlimë” e vanitetit njerëzor.

A.D.: Jemi mësuar që ngjarje të kësaj natyre, si çlirimi apo pavarësia, letërsia shqipe t’i trajtojë në kontekste të gëzuara, ku vihet re një entuziazëm i tepruar. Në rastin tuaj, jo veç me “Liria ime”, por edhe në të tjera vepra, kujtoj këtu “Prishtina”, është e kundërta. Ndoshta shkoj pak larg, por a mund të shihet kjo edhe si një mënyrë për t’iu kundërvënë asaj letërsie me ngjyrime shpesh hipokrite?

M.K.: Mendoj se po. Kemi një letërsi të tërë, që ngjan me “operetë sapuni”, që e merr jetën dhe qenien me “lehtësi të padurueshme”, siç do të thoshte Kundera. Me librat e mi

DËGJIM
3 Gjuhë 327

desha të them një gjë tjetër: jemi njerëz racionalë dhe dimë të mendojmë e të gjykojmë edhe për “anët e errëta” të qenies. Këtu ka edhe një gjë tjetër, të cilën nuk mendoj se duhet ta shtjellojmë gjatë me këtë rast e që lidhet me letërsinë e realizmit socialist: është mbushur letërsia jonë sa nuk mban më, me rrëfime josubstanciale, me rrëfime mediokre, po deshët, mund t’i quajmë edhe hipokrite.

A.D.: Gjuha që ju përdorni është krejt e veçantë, me një dendësi figurash të pashoqe në prozë. Është një mjeshtëri e lindur, jam i sigurt, kjo e përpunimit të gjuhës në të tillë mënyrë që asaj t’i merret esenca më thelbësore, tek e cila nuk arrin kushdo, përkundrazi, por pavarësisht, jam kureshtar të di si është pak a shumë ky proces, pra, zgjedhja e fjalëve, vendosja në fjali e fraza e mandej, në tërësinë e tekstit?

M.K.: Është proces i vështirë, të jeni të sigurt, por është edhe proces që nxit kënaqësinë e krijimit. Kjo buron nga pikëpamja ime, se letërsia është gjuhë dhe se përtej gjuhës në letërsi nuk ka asgjë, siç nuk ka asgjë në muzikë përtej tingullit, ose në pikturë përtej ngjyrës. Pra, dua të them, gjuha nuk mund të ndahet nga procesi i krijimit letrar, është substanca e tij, nuk është vetëm mjet, është vetë qenia e tij. Tjetër nuk di çfarë të them, sepse as vetë nuk e kam të qartë si funksionon kjo. Fundja, mua nuk më duhet shpjegimi i strukturalistëve se gjuha dhe mendimi janë një tërësi, sepse mua nuk më hyn në punë vetëm funksionaliteti i gjuhës, më duhet edhe hijeshia e saj, mrekullia që buron prej saj, duke qenë se letërsia është “shkrim i bukur”. Kurse ne kemi një gjuhë, me të cilën mund të shkruhet bukur, gjuhë me të cilën mund të ndërtohet çdo godinë madhështore e letërsisë… Kurse fjalët, ato nuk i kërkoj, ato vijnë vetë, por unë zgjedh diçka tjetër, zgjedh sintaksën e fjalisë dhe të frazës, e cila duhet të shkojë në harmoni me rrëfimin.

A.D.: Narratori i rrëfimit, mund të identifikohet me ju?

M.K.: Po, unë jam, gjëkund jam unë, unë rrëfej, unë krijoj personazhet, unë e krijoj iluzionin e lexuesit për rrëfimin, për dramën… sepse, e dini, letërsia, arti është akt individual i krijimit.

A.D.: Një gazetar, një infermiere, një shkrimtar, një e përdalë, një politikan, një qenush… këto janë disa nga personazhet tuaja. Pak a shumë, kapni përfaqësues nga çdo sferë e asaj që mund të quhet jetë sociale dhe secilin e zbërtheni në individualitetin e tij fizik, mendor, moral e shpirtëror.

M.K.: Është një galeri personazhesh, që kanë të përbashkët një udhëtim jetësor. Unë nuk i kam përzgjedhur për shkak të palumturisë së tyre, por për shkak të kontekstit jetësor: të gjithë ata janë duke bredhur ose kanë bredhur nëpër botë në kërkim të lirisë, dhe të gjithë ata kanë bërë luftën e tyre, duke luftuar për atdheun në mënyrën e vet, duke

DËGJIM4 Gjuhë328

e mbyllur që të gjithë ciklin jetësor të ngulfatur nga ideja se lumturia e tyre është bjerrë margjinave të ngjarjeve të mëdha. Ata janë heronj anonimë, disa më shumë e disa më pak tragjikë, por të gjithë kanë të përbashkët mallkimin e pamundësisë për të qenë ndryshe. Megjithatë, ata nuk janë të njëjtë, ata nuk i lidh e njëjta histori, por i lidh i njëjti pasion për një ideal, kërkimi i të cilit i ka çuar pashmangshëm në vdirrje të iluzioneve. Kjo është edhe ajo fija e kuqe që i lidh mes veti këto rrëfime, siç i lidh edhe personazhet dhe bëmat e tyre.

A.D.: Ju në rininë tuaj keni punuar edhe si gazetar, fillimisht në gazetën e studentëve “Bota e re” e pastaj në të famshmen “Rilindja”; që nga viti ’74 keni botuar rregullisht tregime e romane, si dhe janë vendosur në skenë drama të shkruara nga ju; në vitet ’80 u bëtë pjesë e lëvizjeve politike të kohës; një kohë ishit profesor e së fundmi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës… A përfshin “Liria ime” gjithë këtë eksperiencë të çmuar në kohë dhe larmi profesionesh, kur tregon fatin e personazheve krejt të pafata?

M.K.: Kam një përvojë jetësore relativisht të gjatë dhe relativisht të pasur, por aktualisht mendoj se nuk më mungon asgjë për të qenë shkrimtar, për aq sa më mban penda. Kam kaluar përjetime të rënda e më të rënda dhe përgjithësisht, jeta nuk është treguar aq miqësore me mua. Tani, krejt çka dua është të shkruaj dhe të bëj letërsi, të shkruaj letërsi të mirë dhe të lexoj letërsi të mirë.

(Bisedoi: Andreas Dushi, Intervistë e botuar në gazetën “Ex-libris”)

STUDIM TEKSTI

Ushtrohuni përmes tekstit Pas Dëgjimit 1

1. Për të pasur një intervistë të suksesshme, intervistuesi duhet të ketë njohuri tepër të mira paraprake për personin e intervistuar. A mendoni që intervistuesi në intervistën në fjalë (A.D.) ka njohuri të mjaftueshme rreth shkrimtarit Mehmet Kraja? Çfarë e lidh intervistuesin (A.D.) me shkrimtarin?

2. Pyetjet, gjatë një interviste, mund të jenë me fund të mbyllur ose me fund të hapur. Si janë pyetjet e fragmentit të parë të intervistës, me fund të hapur apo të mbyllur? Si mendoni, përse intervistuesi ka zgjedhur këto lloj pyetjesh për të çelur intervistën e tij?

3. Komentoni thënien e shkrimtarit Mehmet Kraja: “Unë nuk jam ngopur me lirinë, as më është velur liria, thjesht kam dashur të them se ajo është një iluzion, shpesh një fat njerëzor i përmbysur dhe se në rastin e shumë njerëzve në Kosovë, ajo mund të ketë ardhur shumë vonë” .

4. Çfarë lidhjeje ka mes personazheve të veprës “Liria” dhe njerëzve që shkrimtari thotë se i has në përditshmërinë e vet?

5. Si duhet të jetë subjekti i një romani tradicional, sipas asaj që thotë shkrimtari M. Kraja, kur shpjegon pse e ka titulluar romanin e vet një variant?

Gjuhë 329

Pas Dëgjimit 2

6. Sipas shkrimtarit, si lidhet koncepti i lirisë me lumturinë dhe ekzistencën?

7. Cilat janë pasojat e lirisë së ardhur me vonesë dhe dy rastet ilustruese të lirisë së vonuar, sipas shkrimtarit?

8. A pajtoheni me mendimin e shkrimtarit se ata që largohen nga atdheu fillojnë të humbasin kujtimet që lidhen me të? A e keni vërejtur zbehjen e lidhjeve me atdheun te njerëzit tuaj të afërm që mund të jetojnë jashtë shtetit?

Pas Dëgjimit 3

9. Në thënien e shkrimtarit M. Kraja: “Kemi një letërsi të tërë, që ngjan me “operetë sapuni”, që e merr jetën dhe qenien me “lehtësi të padurueshme”, siç do të thoshte Kundera”, kujt i referohet ai me termin “operetë sapuni”?

10. Sipas shkrimtarit, çfarë raporti ka midis gjuhës dhe letërsisë? Gjeni në intervistë fjalitë ku shpjegohet ky raport.

11. Sipas jush, pyetja e intervistuesit (A. D.): “Narratori i rrëfimit, mund të identifikohet me ju?”, është pyetje me fund të hapur apo të mbyllur?

Pas Dëgjimit 4

12. Pjesa e fundit e intervistës, emërtuar “Pjesa 4” nis me pohimet e gazetarit: “Një gazetar, një infermiere, një shkrimtar, një e përdalë, një politikan, një qenush… këto janë disa nga personazhet tuaja. Pak a shumë, kapni përfaqësues nga çdo sferë e asaj që mund të quhet jetë sociale dhe secilin e zbërtheni në individualitetin e tij fizik, mendor, moral e shpirtëror”. Fill pas kësaj, shkrimtari (M.K.) nis të përgjigjet, ndonëse atij ende nuk i është bërë një pyetje e drejtpërdrejtë. Lexoni me vëmendje edhe një herë përgjigjen e shkrimtarit dhe riformuloni pohimin e gazetarit, në formën e një pyetjeje me fund të hapur.

13. Si mendoni, përse përmenden përvojat profesionale të shkrimtarit në pyetjen e fundit të gazetarit (A.D.)? Gjeni përgjigjen e saktë dhe argumentojeni atë.

a) Për të treguar se shkrimtari ka qenë njeri me shumë fat dhe shumë përvoja jetësore e profesionale, që i kanë garantuar atij lirinë.

b) Për të treguar që, falë përvojave jetësore, shkrimtari ka qenë në gjendje të takojë njerëz të ndryshëm të cilët bëhen edhe personazhe të veprave të tij.

c) Për të mësuar më tepër për planet për të ardhmen, që shkrimtari ka.

14. Gjeni në Fjalor kuptimin e fjalëve të dhëna më poshtë. Mund të shfrytëzoni për këtë qëllim edhe versionin elektronik të fjalorit në adresën www.fjalorthi.com.

Katikule, pragmatik, i ngulfatur, vdirrje, bjerr, fatalitet, operetë.

Sfida e të shkruarit

15. Gjeni veprën në prozë ose poezi të një prej shkrimtarëve bashkëkohorë Eqrem Basha, Kujtim Shala, Ymer Shkreli, lexojeni atë dhe përpiloni pyetjet e një interviste të ngjashme me intervistën letrare që pamë në këtë mësim.

Mos harroni të merrni informacione të detajuara për jetën dhe veprën e shkrimtarit, që do t’i bëjnë më të plota e më të sakta pyetjet e intervistës. Pasi ta keni përpiluar intervistën, gjeni mundësinë t’ia nisni atë me postë elektronike shkrimtarit të përzgjedhur dhe përgjigjet e marra prej tij t’i ndani me shokët e klasës, ose ta ftoni shkrimtarin për një intervistë në klasë.

Gjuhë330

Letërsi At Zef Pllumi

At Zef Pllumi ishte meshtar françeskan dhe shkrimtar. Në vitin 1931, hyri në Kolegjin Françeskawn të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943–1944, bashkëpunoi me revistën “Hylli i Dritës” dhe u zgjodh sekretar personal i Át Anton Harapit, asokohe Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946, u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte pozicioni i tij si sekretar personal i Provincialit. Komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe se prej tij mund të nxirrnin informatat e duhura. Në vitin 1967, u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje e kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps etj. U lirua më 1989-ën. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxori revistën “Hylli i Dritës”. Gjatë këtyre viteve, shkroi dhe botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo” e “Ut heri diçebamus–siç i thonim dje”.

Vepra më e njohur e At Zef Pllumit është “Rrno vetëm për me tregue”. Ajo konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë dokumentare, e cila përmes narracionit të pasur autobiografik të At Zef Pllumit, sjell dëshmi shkrimore për tmerret e ndëshkimeve dhe të persekutimeve gjatë komunizmit në Shqipëri. Përmes rrëfimit personal të kujtimeve për jetën në burgje portretizohet me qartësi therëse shtypja tëhuajzuese e regjimit diktatorial. Vepra “Rrno vetëm për me tregue” është themeluese e asaj që njihet si letërsi burgu dhe vjen si një mësim etik dhe porosi për të mos harruar vuajtjet e një populli nën thundrën diktatoriale. “Rrno vetëm për me tregue” përbëhet nga tri pjesë: “Libri i kujtimeve” (Pjesa e parë 1944–1951), “Liria midis dy burgimeve” (Pjesa e dytë 1950–1967), “Robnia e gjatë” (Pjesa e tretë 1967– 1989). Zef Pllumi e ka shkruar veprën e vet në gegërisht, duke e konsideruar gjuhën si shprehje të qenësishme të identitetit të vet dhe duke vijuar traditën letrare gege të Fishtës, Pashkut e Martin Camajt. Ndonëse vepra është ndërtuar mbi kujtimet personale të Zef Pllumit, ajo ka karakter polifonik, sepse shpesh autori integron me rrëfimin personal edhe dëshmitë e të tjerëve dhe rrëfenjat për të tjerët, që i ka hasur gjatë kalvarit të vuajtjeve në burg e kampe përqendrimi. Shumësia e zërave që rrëfejnë për dhimbjet, vuajtjet, fatin e kobshëm përbëjnë një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që dëshmojnë tiparet e botës shqiptare nën diktaturë.

Për autorin, rrëfimi është provë e së vërtetës, edhe më e besueshme se dokumenti, i cili mund të jetë i ndërtuar apo i manipuluar. Vepra ngërthen në vetvete, nga njëra anë, historinë faktike të një epoke dhe nga ana tjetër letraritetin e spikatur, duke paraqitur

Letërsi 331

jo vetëm historinë personale, por edhe duke furnizuar me dëshmi kujtesën kolektive. Kjo vepër, në gjithë universin e vet, bën thirrje që të gjithë të reflektojnë rreth asaj që kanë përjetuar shqiptarët gjatë regjimit diktatorial. Në parathënin e librit, Zef Pllumi e shtron për të gjithë lexuesit e veprës, ftesën e tij për reflektim: “Ngjarjet që ktu tregohen nuk janë fantazi, as trillime a shpifje të njaj propagande politike, por përshkrime të zbeha të atij realiteti t’idhun historik që u zhvillue në Shqipni për gati 50 vjet. Vendi im nuk asht në fundin e botës o diku në skajin e saj, por në Europë, ku farkëtohen fatet e qytetnimit perëndimor. Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori u kërkon të falun masi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsi ju këshillon që të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato. Pse?”

Libër studimor për veprën e At Zef Pllumit.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cila është kryevepra e At Zef Pllumit dhe cilat janë pjesët përbërëse të saj?

2. Cilin zhanër letrar mendohet se ka çelur për herë të parë vepra “Rrno vetëm për me tregue”?

3. Zef Pllumi shkruan gegërisht për të kundërshtuar gjuhën letrare të regjimit të kohës, apo sepse me anë të gegërishtes, i ngjan më tepër koloritit gjuhësor vendas dhe është më i besueshëm? Argumentoni përgjigjen tuaj.

Ushtroni mendimin kritik

4. Si mendoni, përse Zef Pllumi e titullon veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”? Çfarë vlere ka të treguarit pas një kalvari vuajtjesh për vetë Zef Pllumin, por edhe për të gjithë shqiptarët që jetuan në diktaturë?

5. Si mendoni, çfarë vlere marrin kujtimet dhe përjetimet personale në raport me vërtetësinë e një ngjarjeje?

Letërsi332

ILUSTRIM LETRAR

Ulkoja dhe bijt e vet

Mandej nxori prej sirtarit nji bllok shënimesh, format mesatar.

– E njeh ti këtë?

– E njoh. Asht nji lloj ditari që mbajshem.

– Ç’ke shkruar apo ç’ke katranosur këtu?

– Disa mendime të mija.

– Mejtime? Po çfarë mejtimesh se? Ti je mishërimi i reaksionit borgjez. Dhe ne do t’ia këpusim kokën borgjezisë. E do ta këpusim edhe ty. Ja ç’ke shkrojtur... Dhe mbasi i lexoi tha: – Pse gjerman na konsideron ti neve? Më zi se fashistat jemi ne, kështu thua ti? Fol!

– Un e kam shkrue këtë kur ju pushkatuet 10 burra prej familjes së dajave të mij vetëm për raprezalje: Mue nuk më duket e drejtë që të pushkatohen 10 për nji.

– Po a mejton ti se një ishte Babë Rexha. E din ti se kush ishte Babë Rexha? – Kushdo që t’ishte, zakonet shqiptare i lajnë burrat i gjak për gjak dhe nuk kemi nevojë të veprojmë sipas ligjeve të luftës që kishin vû gjermanët. Kjo nuk ishte logjikë.

– Ti do të na mësosh neve logjikën? Ti... ti, – dhe nuk përmbajt mâ, por veproi simbas logjikës partizane. Kur u lodh tue më rrahë, atëherë thirri kapterin dhe e urdhënoi që të më varte në pjeshkë.

Oborri ishte vû persri në veprim. Ndersa po më varshin, kqyra nëse po i shof kund ato njollat e gjakut. Paulinin nuk e pashë mâ kurr. As atê burrin lidhë trumën bishtshkurtë. Dita dhe nata ishin shumë të ftohta. Nji firifickë e hollë ma merrte shpirtin. Por tjera tortura filluen mbrenda meje: mendimet. Mendime gjithfarësh, njani mâ zí se tjetri. […] Edhe pse trupi ishte mpi krejtsisht, për çudi, truni vazhdonte veprimet e veta në rregull apo jo? Kush e di?... Në nji moment të caktuem, ndjeva çizmet e lustrueme të oficerit (N.K.) tue ngjitë shkallët e hymjes. Trupi filloi të më dridhej në nji mënyrë të çuditshme, nji të dridhun frige. Mbas shkrepjes së çizmeve do të vinte tortura me korent. Normalisht ishte krejt e pamundun që të ndigjoheshin ngjitjet dhe zbritjet e atyne shkallëve që ishin në të hymen kryesore të shtëpisë: ishin shumë larg. Mandej, po t’ishte ashtu, pse nuk ndigjoheshin kur hypshin dhe zdrypshin tjerë oficerë e kaptera, por vetëm ato të oficerit bukurosh. Sidokjoftë, të dridhunat e mija i ranë në sy rojes. M’u avit e më tha: “Kërcllin dhëmbët? Aty të ngordhësh!”

Pak mâ vonë, nuk m’erdh fare çudi kur erdhi kapteri, më hoqi nga pjeshka e më shoqnoi atje nalt në zyrë. Dridhjet vazhdojshin. Ato çizme të lustrueme. “Qumshtin e mëmës! Ne nuk lodhemi, jemi pranë zjarrit, nuk dridhemi si ti. Është më mirë të flasësh, do të vuash më pak. Këtu nuk ka burra që nuk i përulim. Këtu jemi e me gjithfarë mjetesh. Fol!”

Ndërsa ai fliste m’u përfytyronte shkrimi në WC: “Un Dom Vlash Muçaj, sot më 22 korrik...”, takimi atje nalt në zyrë kur më tha: “Dorëzoji, e sheh si jam”, Paulini i gjatë..., Guljemi në raft..., ai mirditori në vorr... O Zot më shpëto!

Letërsi 333

Atê shka kishem mâ tepër frigë, atê ma suell: aparatin e vjetër telefonik. Dridhjet që kishin fillue para nji ore n’oborr u shndrruen në dhimbje tjera, të padurueshme, të tmerrshme. O Zot, pse më lshove doret? Miliona gjylpana therse... Përplasje në dysheme. Përplasje. Atëherë nuk munda të rezistoj mâ gjatë. Çova duert e lidhuna nalt si shejë se doja me folë. M’i hoqen telat prej veshve, tue më qeshë me nji gaz përbuzës. Më lanë me pushue pak, mandej: fol!

– Shikjo, – thashë un, – ju shkrueni shka të doni dhe un firmosi... – E dimë, – tha, – që do të firmosësh si gjithë të tjerët ose me lanë shpirtin. Por na trego ne këtu ato lidhjet që ke ti.

– Po çfarë lidhjesh, kur nuk kam lidhje me kurrkend?

– Mos u shtir naiv. Ata reaksionarët që janë me pushkë në dorë ndër male kush i drejton? Juve, ju kleri katolik.[…]

Atje poshtë në rrugë u ndie nji sinjal fishkullimë. Oficeri bukurosh iu avit dritares. Hapi xhamin dhe i tha: “Prit se erdha”. E kuptova që e thirrte nji vajzë.

“O dashuni, – thashë me vedi, – vetem ti duhet të sundosh botën. Vetem ti mund t’i zbutish kafshët e egra.”

Oficeri bukurosh e mbylli seancën e pvetjeve. Më kthyen persri te ajo pjeshkë që priste mue ose nji tjetër. I varun, aty filluen mendimet. Nuk e ndjejshem aq shumë premjen që shkaktojshin litarët nën sjetulla. O Zot i madh! Kështu e krijove ti botën? Dhunë e dashuni?.... Dhunë e dashuni?! Po, e gjithë historia njerzore asht dhunë e dashuni! Ç’kërkon ajo vajza aty me këtë kriminel sadist? Si mundet nji femën shqiptare të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk që ka etje vetëm për gjak?!... Jo, ajo nuk asht njeri, ajo nuk mundet të jetë nanë. Nanë! Nanë, simbol i dashunisë! Ajo femen asht ulkonjë, nji ulkonjë e zezë e untë për gjak njerëzor…

Shkëputur nga “Libri i kujtimeve”

Letërsi334

ILUSTRIM LETRAR

Liria midis dy burgimeve

Kampet e burgjet mbetën se mbetën vendet mâ të tmerrshmet të Republikës, ku njeriu nuk kishte asnji të drejtë njerzore, ku shfrytëzohej prej shtetit mâ keq se skllavi dikur, ku çdo komandant, oficer o polic ta merrte shpirtin si t’i tekej , shpejt o kadalë, dhe ti nuk kishe ku me e kërkue të drejtën tande, mbasi u çmojshe vetëm si nji kafshë për me bâ punë të randa. Herë mbas here, Ministria e Mbrendshme organizonte vetë provokime me anë të cilave arrestoheshin njerëz për t’i shndërrue në skllave o kafshë pune me të cilët janë punue të gjitha “Veprat e mëdha të Partisë”: janë bonifikue të gjitha kënetat e rrjedhjet e lumenjve, janë shfrytëzue e shumta e minierave e janë ndërtue gadi të gjitha uzinat e fabrikat, si edhe qendrat e reja të banimit në të gjithë Shqipninë. Pra, Enver Hoxha, ose Partia e Punës e Shqipërisë, ishte pronari mâ i madh i skllavëve që njeh historia.

Kështu jetojshin të burgosunit. Po njerzit e lirë? A kishte në Shqipni njerëz të lirë? Në vështrimin e vërtetë të fjalës, nuk kishte. Gjatë ksaj kohe, Shqipnia u thur (rrethue) gjithkund gjatë kufinit të sajë me “klon”. Thirrej kështu rrjeti me telin gjembaç që përdorej prej ushtarakëve. Gjithkund 200 metra, pa mbërrijtë te piramidat e kufirit, ishin ngulë shtylla të gjata 4-5 m dhe me atë lloj teli ishte bâ nji thurje e posaçme që mos të mund kalohej kufini në asnji mënyrë. Ky rrjet ishte i pajisun edhe me sinjale elektrike, përveç qenve e njerëzve të stërvitun. Kushdo që orvatej me e kalue ketë “klon”, lente aty jeten e vet nën breshni të automatikëve e trupi i tij u lehej kafsheve mishngranse ose vorrosej në msheftësi. Mbrenda këti “Kloni” jetojshin shqiptarët, që kishin lirí, në të shumtia e rasave, me u martue simbas rregullave të Partisë; kishin lirí me rrahë shuplakë e me brohoritë Enver Hoxhen; kishin lirí me shkue kur të duen në WC; kishin liri me folë mirë për Partinë e Pushtetin; por nuk kishin lirí as me shfaqë mendimin e vet, pakënaqsitë e nevojët e veta a e me ndigjue radiot e hueja, se këto dënoheshin me nji ligje dhe i kapte “neni i propagandës”.

Jam i sigurt se nji përqindje e naltë e populls shqiptare mendonte vetëm si me u skapullue nga kjo tokë e mallkueme, por kahdo që sielleshe delte përpara kloni. Nuk ishte vetëm kloni. Nji rrjetë tjetër e merimangës tepër e rrezikshme e kërcnuese, ruente çdo shqiptar. Sigurimi i shtetit, tashma me nji përvojë të pasun me kurthe tinzare, rrena e tradhti, i kishte ngulë çapojt në çdo trû shqiptari e, si nji perbindsh i tmerrshëm, këpuste çdo fije shprese që mund të endej për andrrën e lirisë. E kam ndër sy avokatin plak Qazim Danin, i cili fill mbas gëzimit të madh të lirimit nga burgu, pësoi tronditjen fatale kur i vranë djalin 25-vjeçar në kërkim të lirisë. Po ashtu edhe Kolë Gurakuqin; djali i tij i vetëm, mësues në Velipojë, gjatë udhëtimit u hodh prej motoskafit n’ujë, por e vranë aty për aty.

Klon
Letërsi 335

Më dhimbeshin ata dy pleq dhe, sa herë shkojshem me i ngushllue, kthejshem i vramë në shpirt, mbasi çdo përpjekje ngushllimi kishte mbarue për ta. Jo nga pleqnia, por nga idhnimi; nga humbja e së vetmes dashuni mbi tokë, ku kishin shpresën, mendjet e tyne kishin kalue. Po ashtu i dhimbshem kje episodi i Sandër Pistullit, nji prej ish-tregtarëve të ndershëm të Shkodrës, nji burrë tamam “zotni”, i cili shkrini të gjithë atë pasuni, që me frigë e kishte mshefë, për me ikë me gjithë familje. Kur ai me tanë familjen mbrrijtën në breg të liqenit, aty në vend të lundërtarëve e pritshin njerëzit e Sigurimit, që e përplasën në burg për shumë e shumë vite, ndërsa familja e shpërndame vuejti pa mujtë me u mbledhë mâ në shtëpi të vet.

Shkëputur nga “Liria midis dy burgimeve”

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Pasi të lexoni tekstin, thoni se çfarë lloj torturash pëson Zef Pllumi dhe cili ishte shkaku?

2. Çfarë ndodhte me të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, gjatë regjimit komunist?

3. A ishte liri e vërtetë ajo që gëzonin shqiptarët jashtë burgjeve, por brenda klonit?

4. Çfarë i pengonte shqiptarët të largoheshin nga vendi i tyre, që vuante regjimin diktatorial?

5. Çfarë fati i priste ata që tentonin t’i iknin klonit dhe sigurimit të shtetit?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Në fragmentin 1, çfarë efekti krijon pranëvënia e dy fjalive: Dridhjet vazhdojshin. Ato çizme të lustrueme.

7. Gjeni një rast enumeracioni në fragmentin 2 dhe tregoni çfarë efekti krijohet prej këtij enumeracioni.

8. Teksti është ndërtuar në ndërthurjen e fjalive të gjata me disa pjesë, me fjalitë e shkurtra dhe mungesore. Kjo ndërthurje i ka dhënë dinamikën e lëvizjeve që të kujtojnë luhatjet e torturave. Kthehuni në tekst dhe identifikoni këto fjali.

9. Në jo pak raste, fjalitë e shkurtra janë në urdhërore ose me karakter thirrmor. Dalloni dy për secilin rast. Tregoni shprehësinë e tyre dhe mënyrën se si ndikojnë në ecurinë e ngjarjeve në rrëfim.

10. Figura e vajzës në fragment evokon paradoksin te torturuesi. Cilat janë dy përmasat paradoksale që bëhen bashkë te torturuesi? Diskutoni nëse kemi të bëjmë me një paradoks universal.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Titulli i kapitullit nga është shkëputur fragmenti 1 është “Ulkoja dhe Bijt e vet”. Në këtë rast, figura e ujkonjës sipas jush shënjon: personifikimin e së keqes; gruan që shkon me torturuesit; shtazën e pyllit; diçka tjetër

12. Çfarë vlere kuptimore dhe emocionale ka në fragmentin e parë përdorimi i fjalëve që i përkasin fushës leksikore kafshë?

__________________________________________
Letërsi336

13. Gjeni në fragmentet e dhëna fjalë a shprehje që janë tipike për gegërishten. Çfarë efekti krijon përdorimi i njësive të tilla leksikore?

14. Në fragmentin e parë, gjeni disa detaje të torturave që autori rrëfen se i bëjnë gjatë marrjes në pyetje dhe analizoni forcën përshkruese të tyre.

15. Çfarë ka dashur rrëfimtari të shprehë përmes këtyre pyetjeve retorike: “Ç’kërkon ajo vajza aty me këtë kriminel sadist? Si mundet nji femën shqiptare të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk që ka etje vetëm për gjak?!...”?

Nga teksti te përdorimi

16. Gjeni raste të apostrofës si figurë stilistike dhe thoni çfarë vlere emocionale kanë thëniet që vijojnë pas apostrofave.

17. Dalloni dy ligjërime të oficerit: ligjërimin që përdor kur flet me protagonistin dhe ligjërimin (ndonëse i shkurtër) që përdor me vajzën. Çfarë tregon kjo për karakterin e tij dhe nga se ndikohet sjellja e tij ligjërimore?

18. “O dashuni, – thashë me vedi, – vetëm ti duhet të sundosh botën. Vetëm ti mund t’i zbutish kafshët e egra.” Pse merr kaq vlerë kjo thirrje në këtë kontekst? Çfarë ndjesie përcillet përmes saj?

19. Diskutoni në klasë: Përse gjatë rrëfimit, në dy fragmentet që lexuat, autori zgjedh të përmendë disa emra konkretë si p.sh.: Át Pali, Qazim Dani, Kolë Gurakuqi, Sandër Pistulli?

20. Në kulmin e torturave, protagonisti ka dilemat e veta: “Dorëzoji, e sheh si jam, Paulini i gjatë..., Guljemi në raft..., ai mirditori në vorr... O Zot më shpëto!” Veç enumeracionit, vërejmë nëntekstin që shoqëron metaforat. Përshkruani efektin që krijojnë reticencat.

Nga teksti te reflektimi

21. Ky rrëfim është vetëm një pasazh nga mizoria e diktaturës. Arrin ky rrëfim të përcjellë të plotë ndjesinë e At Zef Pllumit? Si vjen te ju kjo ndjesi? Flisni për të.

22. Në rrëfim ndeshim disa pyetje retorike që, siç thamë, janë pjesë e dilemës së protagonistit: “Ç’kërkon ajo vajza aty me këtë kriminel sadist? Si mundet nji femën shqiptare të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk që ka etje vetëm për gjak?!...”? A keni edhe ju të njëjtat pyetje? Keni gjetur përgjigje për to?

23. Në paragrafin e fundit, vetëm me një fjali, At Zef Pllumi i thur himn figurës së nënës. Mendoni se vetë rrethanat ku ndodhet e bëjnë të gjejë fuqi te simbolika e nënës?

24. Ju ka ndodhur edhe juve që në të tjera situata të kërkoni fuqi te figura e nënës?

25. Çfarë ndodhte me të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, gjatë regjimit komunist? A ishte liri e vërtetë ajo që gëzonin shqiptarët jashtë burgjeve, por brenda klonit? Nga teksti te të shkruarit

26. Zef Pllumi është autor edhe i disa poezive, një prej të cilave titullohet “Burgu”. Nëntitull të kësaj poezie, Pllumi ka vënë thënien “Vuejtjet tona mos ja u kallzoni nanave”. Komentoni me shkrim këtë thënie, nisur nga teksti dhe fragmentet që lexuat në këtë mësim.

Letërsi 337

Kasëm Trebeshina PROFILE AUTORËSH

Kasëm Trebeshina lindi në Berat, më 5 gusht 1926. Ai u bë i njohur si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX. Si prozator, dramaturg dhe poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e realizmit socialist dhe qysh në vitet ‘50 filloi të shkruante ndryshe nga veprat që botoheshin asokohe.

Për qëndrimet e tij antikonformiste u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim; pjesa më e madhe e tyre është ende në dorëshkrim: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj.

Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realizmit socialist, të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një censurë nga më të çuditshmet. Në vitin 1961, arrin të botojë poemën “Artani dhe Min’ja ose hijet e fundit të maleve” dhe një përkthim të Garsia Lorkës, pa emër. Veprat e Trebeshinës e panë dritën e botimit vetëm në fillim të viteve ‘90, fillimisht në Prishtinë: “Stina e stinëve” (1991), “Mekami, melodi turke” (1994), “Histori e atyre që nuk janë” (1995); në Tiranë: “Legjenda e asaj që iku” (1992), “Koha tani, vendi këtu” (1992), “Qezari niset për në luftë” (1993), “Rruga e Golgotës” (1993), “Lirika dhe satira” (1994), “Hijet e shekujve” (1996), “Ëndrra dhe hije drama” (1996) etj.

Romani “Odin Mondvalsen” i Kasëm Trebeshinës rrëfen për historinë e dhunimit të njeriut dhe të mendimit të tij të lirë në diktaturë. Paradoksalisht, romani ka nëntitullin “Një histori dashurie” dhe e përgatit lexuesin për letërsi rozë, ndonëse në të nuk ka histori dashurie në kuptimin erotik. Paradoksi, gjithashtu, vërehet edhe në strukturën e përgjithshme të romanit, ku emërtimet e kapitujve nuk kanë numra sipas radhës, por ato, në mënyrë paradoksale, përmbajnë emërtime të ngatërruara të kapitujve të romanit, që ngjajnë të ndërlikuara dhe pa kuptim: “Kapitull që është para kapitujve të parë”, “Kapitull që vjen pas të dymbëdhjetit”, “Kapitulli i tretë pas të dytit”. Nëse do të lexohen në mënyrë të vijueshme titujt, ata janë të papërcaktuar qartë dhe paradoksalë, ndonëse në lidhje me ecurinë e historisë së rrëfyer, ato përputhen.

Paradoksi vihet re edhe në logjikën e përgjithshme artistike, e cila nuk përputhet me logjikën e përditshmërisë, por është e përkundërt me të. Në romanet realiste, logjika është e njëjtë me atë të përditshmërisë, ndërsa në romanet absurde ndërtohen mbi bazën e logjikës së paradoksit dhe absurdes. Paradoksi në veprën “Odin Mondvalsen” vjen si përmbysje e kuptimeve dhe ndryshimit të roleve të personazheve e figurave të tjera.

Odin Mondvalsen, një mëngjes, papritur e ka shpallur veten danez, ndonëse dihet se është shqiptar. Ndaj, hetuesit e gjykatësit e kanë akuzuar dhe dënuar si kriminel politik, shkelës i ligjit. Ky veprim i tij i papritur, si i heroit të Kafkës, në fakt, është përpjekje për t’u larguar prej identitetit, duke u vënë në kërkim të një identitetit tjetër. Odin Mondvalsen e refuzon qenien e gjendjen e tij aktuale dhe mëton të ikë nga mjedisi ku gjendet e të marrë një shtetësi tjetër, që do t’i jepte mundësinë të ishte i lirë dhe të shprehte lirisht mendimet e tij. Kjo, në fakt, tregon se heroi është dënuar, sepse ka shprehur mendimet e tij, ndonëse e drejta e mendimit të lirë është e drejtë themelore e njeriut. Por, në mjedisin ku jeton

Letërsi
Letërsi338

Odin Mondvalsen, e drejta për të shprehur mendimin e lirë quhet krim, ndërsa mendimi i gjyqtarëve që ndalon mendimin e lirë quhet drejtësi. Kështu, logjika paradoksale i përmbys të gjitha kuptimet.

Rezultat i paradoksit, drejtësia është krim, sepse drejtësia dhe gjyqtarët e saj dënojnë njerëzit apo heronjtë humanë. Ndërsa gjyqtarët, meqë dënojnë njerëzit si Odin Mondvalsen, janë kriminelë e çnjerëzorë.

Struktura paradoksale: krimineli – është human; gjyqtarët – janë kriminelë; drejtësia – është krim; krimi – është drejtësi.

Një tjetër paradoks është ai që lidhet me spitalin psikiatrik dhe sistemin totalitar. Odin Mondvalsen trajtohet si i sëmurë mendor dhe gjendet në një mjedis që është edhe burg, edhe spital psikiatrik. Aty ka mjekë që e ndjekin si pacient të sëmurë. Odin Mondvalsen teksa flet me mjekët dhe hetuesit duket jonormal. Formulimi i frazave, qëndrimi kundër ndaj mjekëve janë shenja që të krijojnë përshtypjen e një njeriu jonormal dhe të traumatizuar. Në fakt, në një sistem totalitar ku nuk ka liri dhe në një mjedis ku askush nuk kërkon liri, Odin Mondvalsen është jonormal, madje i çmendur, sepse kërkon lirinë dhe Danimarkën që është shumë larg. Pavarësisht si duket në sy të xhelatëve e mjekëve, në vetvete Odin Mondvalsen është tepër harmonik. Dëshira e tij e natyrshme për liri shpallet prej mjekëve si çmenduri e anomali. Ndaj, në raport me të, në fakt, mjekët janë jonormalë. Paradoksalisht, njerëzit normalë e kanë vendin në spitalin psikiatrik, ndërsa njerëzit jonormalë në realitetin totalitar. Struktura paradoksale: i sëmuri psikik – njeriu i arsyeshëm, normal; mjekët – jonormalë, të çmendur; spitali psikiatrik – vendi i njerëzve normalë; realiteti totalitar – rendi i njerëzve jonormalë, të sëmurë. Gjithë struktura formale dhe përmbajtjesore e romanit është ndërtuar mbi paradokse, kryekëput si sistemi totalitar diktatorial.

Verifikoni njohuritë

1. Në çfarë formash shfaqet paradoksi në veprën “Odin Mondvalsen” të Kasëm Trebeshinës?

2. A ka lidhje të drejtpërdrejtë midis titullit dhe nëntitullit të veprës?

3. Çfarë e bën të veçantë strukturën romanore të “Odin Mondvalsenit”?

4. Cilët janë të çmendurit dhe kriminelët e vërtetë në një sistem diktatorial, sipas qasjes artistike të Trebeshinës?

Ushtroni mendimin kritik

5. A ka pikëtakime në qasjen letrare të Zef Pllumit në veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” dhe në atë të Kasëm Trebeshinës në veprën “Odin Mondvalsen”?

6. Si përballen personazhet e Pllumit dhe të Trebeshinës me mungesën e lirisë? Ku ngjajnë dhe ku dallojnë ata?

Letërsi 339

Kapitulli: I, II, III dhe IV ku tregohet kush jam unë dhe kush nuk jam unë

Jo!… Unë isha tek ai vendi atje poshtë dhe kisha një emër! Tashti jam këtu dhe kam një emër tjetër… Ndofta atje nuk kisha asnjë emër, pasi më kishin thirrur me një emër. Dhe tashti jam…

Po, mua më quajnë… Ata qeshin se mua më quajnë… Ç’ka këtu për të qeshur? Më parë kisha një emër, kurse tashti më quajnë… Më quajnë Odin Mondvalsen. Ç’punë u prish atyre se mua më quajnë kështu?… Nuk e keni dëgjuar ndonjëherë këtë emër? Shumë mirë: dëgjojeni tashti! Si? Nuk do ta dëgjoni? Pse?… Se nuk e keni dëgjuar? Dhe pastaj?… Nuk e ke dëgjuar më parë, dëgjoje tashti. Njerëz me bluza të bardha vijnë vërdallë, më bëjnë injeksione dhe ikin. Vijnë ata pa bluza dhe nuk duan t’ia dinë fare për emrin tim. Ata nuk duan të besojnë se unë isha në Hënë dhe pastaj, pasi varrosa katër shokët e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen!…

Jo!… Odin Mondvalsen unë isha edhe më parë se të zbrisnim në Hënë. Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë. Pastaj zbritëm në Hënë ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra.

Bre! Sa u bënë qiqrat atë vit!… Ne hëngrëm sa u dendëm dhe pastaj unë dola përjashta te nata dyjavëshe e Hënës që nga doja të vështroja Tokën në dritën e Hënës. Ose dreqi e di në dritën e kujt… Ishte gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot.

Zot i Madh, si u ngatërruan punët!... Duket Harizit të Dajlanit i kishte humbur gomari dhe ne u nisëm për në Mars që ta gjenim. Pesë vetë për një gomar!... Dhe ne ishim që të pestë komisarë... Po ata të katër vdiqën në Hënë dhe unë i varrosa atje. Pastaj vetëm u nisa për në Mars për të gjetur gomarin e Harizit. Duket dikush më thërriste nga pas:

– More, kthehu!... Se gomari erdhi në shtëpi!...

Mirë e kishte ai, po ku dëgjoja unë?! Isha nisur për një gomar dhe duhej patjetër ta gjeja!...

Duhej patjetër të gjeja një gomar me shalë ose me samar.

Djalli e mori atë punë!...

Sa zbrita në Mars më diktuan, më arrestuan, më pyetën, më shanë, më rrahën dhe pastaj erdhën këta njerëzit me bluza të bardha. Këta e kanë punën me injeksione dhe, kur heqin dorë nga ato, vinë ata të tjerët pa bluza dhe të gjitha fillojnë nga e para.

ILUSTRIM LETRAR K.
Letërsi340

Nga teksti te kuptimi

1. Pse emri Odin Mondvalsen u tingëllon i çuditshëm njerëzve?

2. Për cilët njerëz na rrëfen Odini dhe çfarë marrëdhënieje ka ai me ta?

3. Për çfarë itinerari udhëtimi na rrëfen Odin Mondvalseni?

4. Çfarë përjetoi Odin Mondvalseni në Hënë?

5. Si e kuptoni ju lojën e fjalëve: kam/s'kam një emër; më quajnë/s’më quajnë? Si lidhet kjo me identitetin e protagonistit?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Çfarë ka të veçantë titulli dhe nëntitulli i pjesës që lexuat? Në çfarë vete i rrëfen rrëfimtari ngjarjet?

7. Gjeni në tekst referenca kohore. A është e qartë për çfarë viti ose epoke bëhet fjalë?

8. Në fragment, gjatë rrëfimit, përdoret edhe veta e dytë (njëjës dhe shumës). Si mendoni, çfarë funksioni ka ky përdorim:

– rrëfimtari grish në bashkëbisedim lexuesin;

– rrëfimtari ngjan se është duke folur me dikë tjetër që i shfaqet aty papritur;

– kalimi nga veta e parë tek e dyta, tregon paqartësinë psikike të rrëfimtarit;

– veta e dytë njëjës përdoret në kuptimin vetor të përgjithësuar.

9. Në fragment thuhet se janë dy lloje njerëzish që e vizitojnë Odinin. Si i ka ndarë ai? Po në perceptimin tuaj, cilat janë këto dy grupime? A janë ata pjesëtarë të të njëjtit grup të madh apo përbëjnë dy tipologji të ndryshme?

10. Titulli dhe nëntitulli i tekstit është "Kapitulli I, II, III DHE IV, ku tregohet kush jam unë dhe kush nuk jam unë". Kthehuni në tekst për rilexim. A mund ta ndani fragmentin në kapituj? Cila do të ishte fjala kyçe për secilin kapitull?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Ndaluni në fjalinë: “Unë dola përjashta te nata dyjavëshe e Hënës”. Tregoni rolin që luan neologjizmi në këtë metaforë. A i jep ai kuptim të ri krejt grupit emëror? Cili është kuptimi i ri? Si është hëna 15-she? Ç’kuptim të ri merr në këtë fragment?

12. Interpretoni fjalinë: “Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë. ”

13. Dy llojet e torturave në kampet komuniste, rrëfimtari i identifikon simbolikisht nëpërmjet bluzës: “Njerëz me bluza të bardha / Vijnë ata pa bluza” . Shpjegoni shumëkuptimësinë e fjalës bluza. Lidheni me informacionin që jep autori mbi torturat.

14. Në hartën simbolike të fragmentit zënë vend të rëndësishëm tri elemente: Toka, Hëna dhe Marsi. Zbërthejeni këtë simbolikë duke pasur parasysh protagonistin si individ që synon lirinë, por vuan nën peshën e diktaturës. Nën këtë perspektivë, çfarë përfaqëson secili prej tri trupave qiellorë?

15. Nisur nga emri i personazhit të Trebeshinës dhe gjithë leximet tuaja letrare, argumentoni nëse përzgjedhja e emrave të personazheve në letërsi është e rastësishme apo e qëllimtë.

STUDIM TEKSTI
Letërsi 341

Nga teksti te përdorimi

16. Shihni me vëmendje fjalët dhe shprehjet e përdorura dhe ndërtimin e fjalive të tekstit. A mendoni se ka elemente që na bëjnë të kuptojmë se rrëfimtari vuan nga çekuilibrimi mendor?

17. Gjeni si përdoret enumeracioni për të shprehur torturat që pëson rrëfimtari. Çfarë shpreh vargu i foljeve të përdorura?

18. Fjalia: “Ishte gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot”, tingëllon si një oazë qetësie të dhimbshme në këtë situatë të llahtarshme. Analizoni stilin e ndryshëm të kësaj fjalie krahasuar me stilin e gjithë fragmentit.

19. Fragmenti shpesh të kujton romanin “I huaji” të Kamysë, për shkak të situatave absurde në të cilat gjendet protagonisti. Cilat janë këto situata?

20. Për të dhënë dy botët: botën e lirë dhe robërinë, rrëfimtari përdor dy ndajfolje, të cilat në këtë kontekst tingëllojnë si antonimi: isha atje-jam këtu. Zbërtheni simbolikën e këtij përdorimi, duke iu referuar kontekstit të një sistemi diktatorial.

Nga teksti te reflektimi

21. Duke u mbështetur në njohuritë tuaja mbi format e sjelljeve në çdo diktaturë, diskutoni në grupe se nga burojnë këto situata absurde.

22. Protagonisti flet për vdekjen e shokëve. Sa dhimbje ka në këtë fjalë? Si e mendoni ju humbjen e shokëve dhe miqve nga një dorë gjakatare?

23. Mungesa e kohës dhe e vendit i jep përmasa përgjithësuese jo vetëm fragmentit, por edhe veprës në tërësi. Si lidhet kjo me veçoritë e diktaturave në tërësi? A kanë diktaturat kohë dhe atdhe? Pse? Sillni shembuj nga historia.

24. Mendoni që diktaturat përsëriten edhe brenda të njëjtit popull që i zhduku një herë? Përse rilindin ato?

25. Si mendoni, a jemi ne vetë ata që i krijojmë diktatorët?

Nga teksti te të shkruarit

26. Nisur nga fjalia e fundi e fragmentit, shkruani një pjesë letrare për mallin që ndieni për dikë të rëndësishëm të jetës suaj, që e keni larg. Ishte gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot.

Letërsi342

Fatos Kongoli

Fatos Kongoli lindi në Elbasan, më 1944-ën. Filloi të botonte tregime e novela në shtypin letrar nga fundi i viteve ’60. Deri në vitin 1990, ka botuar vëllimet me tregime “Shqetësime të ngjashme” (1972), “Tregime” (1978), “Të fejuarit” (1982), si dhe romanet “Ne të tre” (1985), “Karuseli” (1990). Në tregimet dhe novelat e tij të para, ai përzgjedh jetën e zakonshme, duke paraqitur përmes linjave subjektore dhe personazheve virtyte, cene dhe tipare të botës shqiptare. Prej vitit 1990, priret drejt romanit dhe boton: “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003, fitues i çmimit “Pena e artë”), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007), “Bolero në vilën e pleqve” (2009), “Iluzione në sirtar” (2010), “Si-do-re-la” (2011), “Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj. Fatos Kongoli është vlerësuar për krijimtarinë e tij me çmime prestigjioze, brenda dhe jashtë vendit.

Romani “I humburi”, i shkrimtarit Fatos Kongoli, trajton dilemën ekzistenciale të një të riu, të quajtur Thesar Lumi, gjatë viteve të komunizmit dhe fill pas rënies së tij. Thesari humbet kuptimin dhe rrjedhën normale të jetës së tij, sepse ungji i tij ishte i burgosur, për shkak se kishte tentuar të arratisej nga Shqipëria. Me gjithë kujdesin e familjes për ta mbajtur të fshehur këtë fakt, damka në biografi mësohet dhe Thesarin e detyrojnë të ndërpresë studimet universitare e bashkë me to edhe kontaktin me vajzën që kishte dashur, Sonjën, një grua e re e mbetur e ve, me të cilën kishte pasur një marrëdhënie dashurie. Që në moshën 12-vjeçare, kur ishte nxënës shkolle, Thesari kuptoi se jeta që bënte ai dhe familja e tij ishte paradoksalisht e ndryshme nga këngët dhe vjershat që mësonte në shkollë, ku refreni i përhershëm ishte “jemi shumë të lumtur”. Zhgënjimin e parë, Thesari e pëson kur sheh përuljen e të atit ndaj drejtorit të shkollës së tij, Xhodës së marrë, megjithëse atë vetë e kishin rrahur pa të drejtë në shkollë. Për t’u hakmarrë, kërkon t’i bëjë keq vajzës së drejtorit, Vilmës. Akti i parë i ligësisë së tij hakmarrëse është helmimi i qenit të Vilmës. Mirëpo, mes tij dhe Vilmës lind një shkëndijë dashurie, që mbetet e fjetur derisa takohen përsëri.

Në përpjekje për t’u përshtatur me një realitet që nuk e përmbush dhe prej të cilit largohet vetëm prej pijes, në universitet takon Vladimirin, Ladin, një të ri nga një familje e ngritur. Megjithëse rreth Vladimirit ka përherë njerëz që i servilosen prej pushtetit të të atit, Thesari pikas në sytë e tij një trishtim dhe në fytyrën e tij, një zbehje të pakuptimtë. Vladimiri i jep fund jetës dhe të njëjtin fat të kobshëm ka edhe Vilma. Përmes Vladimirit, Thesari njihet me Sonjën, një grua e re, që ka mbetur e ve. Ai dashurohet me Sonjën, ndonëse kjo gjë është e papranueshme prej moralit të kohës dhe bëhet edhe më e pamundur prej interesit që kishte për Sonjën një funksionar i partisë. Në çdo lidhje tjetër dashurie, Thesarin e përndjek imazhi i Sonjës dhe as dashuria nuk ia kthen dot kuptimin e humbur jetës së tij.

Letërsi
Letërsi 343

Romani është ndërtuar me disa kapituj, të cilët kanë thyerje kronologjike. Procedimi që autori ndjek është flashback-u (kthimi pas në kohë). Romani nis me një prolog me titullin “Mars 1991”, kohë në të cilën Thesari 40-vjeçar, ende beqar, është në prag të largimit me vapor nga Shqipëria. Por në çastet e fundit para se të niset vapori, Thesari zbret, sepse nuk ia del dot të ikë. Ai vijon të jetë “i humburi”, që e ka humbur kuptimin e jetës dhe qenies së vet qysh fare i ri, prej fatumit që i ka çuar drejt vdekjes miqtë e tij, të cilët jetuan në një sistem diktatorial shtypës. Në kapitujt vijues, me anë të kthimeve pas në kohë, rrëfimtari na rrëfen në vetë të parë tablonë e zymtë të jetës në komunizëm, ngjarjet e viteve të shkollës dhe të universitetit, ankthin e vazhdueshëm që ndien nga rreziku i dhunës prej atyre që kanë pushtet, si dhe përjetimin e cunguar deri edhe të dashurisë, e cila, ndonëse është ndjenja më sublime, nuk arrin dot ta shpëtojë as rrëfimtarin, as të rinjtë e tjerë nga absurdi i epokës ku jetojnë. Edhe epilogu i romanit mban titullin “Mars 1991”. Gjithashtu, një kapitull me të njëjtin titull e hasim edhe në mes të kapitujve 10-11 dhe 15-16.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

Në çfarë vete tregohen ngjarjet në vepër?

Cila është damka në biografi që e pengon Thesarin të bëjë një jetë normale?

Cilat janë disa nga personazhet e rëndësishme në roman dhe çfarë e lidh Thesarin me to?

A ndiqet rrjedha kronologjike për rrëfimin e ngjarjeve?

Po të mos ekzistonte një damkë në biografinë e Thesarit, a do të mund të kishte ai një jetë më kuptimplotë? Argumentoni përgjigjen tuaj.

Si përballen me mungesën e lirisë Odin Mondvalseni i Trebeshinës dhe Thesar Lumi i Kongolit? Ku ngjajnë dhe ku dallojnë ata?

1.
2.
3.
4.
Ushtroni mendimin kritik 5.
6.
Eksodi i shqiptarëve, mars 1991.
Letërsi344

ILUSTRIM LETRAR

I humburi

Lodrën e luajta me një hipokrizi të pashembullt. Them hipokrizi. Në atë kohë, kësaj fjale nuk ia dija kuptimin. Por që në atë moshë hipokrizia duket më qe futur në gjak. Nëse dikush do të ma kishte shpjeguar ç’do të thoshte, mbase nuk do të isha bërë i tillë. Askush nuk ma shpjegoi. Në shkollë, duke nisur nga klasa e parë, na jepnin mësimin e edukatës morale. Hipokrizinë nuk mbaj mend të na e ketë shkoqitur ndonjë mësues. Mbaj mend diçka tjetër; ata ndryshe silleshin në mungesë të drejtorit, ndryshe në prani të tij. Shpesh ia hidhnin, e gënjenin në sytë tanë, por ne nuk ndiheshim. Xhodën e kishim edhe frikë, edhe inat. Në këtë pikëpamje, Xhoda nuk ndryshonte shumë nga mësuesit. Kisha vënë re se kur vinte ndonjë inspektor, drejtori nuk sillej si zakonisht, bëhej i butë, i sjellshëm, gënjente dhe ia hidhte inspektorit pothuaj njëlloj siç e gënjenin dhe ia hidhnin atij mësuesit. Punët shkonin për bukuri. Ne rriteshim të bindur se ishim fëmijët më të lumtur në botë. Kështu thuhet në këngët që mësonim.

Megjithatë, unë kisha arsye për ta vënë në dyshim, nëse ishim vërtet ne fëmijët më të lumtur në botë. Nuk di ç’ndodhte me të tjerët, por unë, në shtëpi, shihja skena midis prindërve shpesh aq të stuhishme, sa më shkonin mornica. Për të zhdukur çdo keqkuptim, shënoj se im atë ishte njeri pa vese. Ai s’ka ditur ç’është alkooli e duhani dhe jam i bindur se as qejfli grash s’duhet të ketë qenë. Për më tepër, nëna e ka sunduar gjithmonë. Ishte ekonomist, shef llogarie, kurse nëna, rrobaqepëse. Përpiqeshin të mos grindeshin në praninë time, e kuptoja. Nuk ia dilnin gjithmonë. Habitesha, sepse në të shumtën e rasteve grindjet nisnin për vogëlsira. Me shokët e mi, unë s’do të grindesha për vogëlsira të tilla. Sidoqoftë stuhia shpërthente, një stuhi fjalësh me akuza e kundërakuza. I pari lodhej im atë. Pas tij, si shfrynte me vete, e mbetur pa partner, e kyçte edhe nëna. Atëherë, në qetësinë e shurdhër që pllakoste dhomën, dëgjoja tim atë që psherëtinte: “Zot, ç’jetë qeni.”. Dhe unë arsyetoja se njeriu nuk mund të jetë njëkohësisht edhe më i lumturi në botë, siç thuhej në këngët që mësonim, edhe të bënte jetë qeni, siç shprehej im atë. Këtë arsyetim e ngatërronte dhe e kthente pastaj në rebus diçka tjetër. Ka lidhje me aftësitë aktoreske të prindërve të mi. Më vjen rëndë që shprehem kështu, por është e vërtetë. Prindërit e mi ishin aktorë.

Në pallatin tonë banonte njëfarë Hulusiu. Tani ka vdekur. Ishte një burrë shkurtabiq dhe te ne vinte shpesh. Mbaj mend se hante pa hesap, mund ta boshatiste një shishe me raki pa lëvizur vendit. Nga mënyra se si flisnin prindërit e mi për të, arrija në përfundimin se në rastin më të parë ata do ta kapnin e do ta flaknin nga dritarja. Kështu kisha dëgjuar të thoshte im atë. Këtë skenë të dëshiruar – e besoja, im atë mund ta hidhte nga dritarja Hulusiun, me trup ishte sa dyfishi i tij – fatkeqësisht nuk e pashë kurrë. Përkundrazi, kur prisja që babai ta kapte Hulusiun prej zverku, sapo ky dukej në derë, im atë vinte buzën në gaz, nëna gjithashtu. Hulusiu dendej me raki dhe largohej kur i mbushej mendja. Sapo

Letërsi 345

largohej ai, maskat e qeshura zhdukeshin në çast nga fytyrat e prindërve. Babai fuste duart në xhepa e niste ca ecejake nervoze poshtë e përpjetë dhomës. Nëna nxinte në heshtje. E pra, ky njeri kaq i përbuzur, Hulusiu, ka qenë engjëlli bamirës i familjes sonë. Pa ndihmën e tij, ime motër nuk do të mundte të ndiqte shkollën pedagogjike, kurse unë, më vonë, s’do të kisha asnjë shans për të vajtur në universitet. Por këto gjëra atëherë nuk i dija. Nuk e dija se fqinji ynë, Hulusiu, që banonte një kat sipër nesh, ishte i pari i qytezës. Nuk e dija se, për të fituar mbrojtjen e engjëllit bamirës, prindërit e mi paguanin një haraç të përhershëm: uljen e dinjitetit. Nuk dija edhe plot gjëra të tjera, të cilat jeta do të m’i mësonte një e nga një. Atëherë, dilemave të mëdha, truri im u jepte një zgjidhje të thjeshtë, komode, me plot gojën mund ta quaj konformiste: të gjithë njerëzit ishin aktorë, edhe mësuesit, edhe prindërit. Ata hiqnin e vinin maska. Për analogji, edhe unë, njëlloj si të rriturit, duhej të përgatisja maskat e mia. Kjo qe dhe zgjidhja përfundimtare që i dha rebusit truri im. Për sa i përket dilemës nëse ne ishim apo nuk ishim fëmijët më të lumtur në botë, i dhashë një zgjidhje që mund të quhet origjinale. Edhe ishim, edhe nuk ishim.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Si e mëson rrëfimtari kuptimin e fjalës hipokrizi?

2. Ndaluni te figura e Hulusiut. Çfarë e bënte atë të urryeshëm nga anëtarët e familjes?

3. Përse rrëfimtari shprehet se prindërit e tij ishin aktorë?

Çfarë tregon kjo për raportin midis të vërtetës dhe gënjeshtrës në shoqëritë komuniste?

4. Çfarë thuhet për Xhodën dhe natyrën e tij me dy fytyra në tekst?

5. Çfarë thuhet në tekst për konformizmin dhe çfarë haraçi paguante familja e Thesarit për ta pasur këtë konformizëm?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Si realizohet rrëfimi në fragment? Çfarë synon ky lloj pozicionimi i rrëfimtarit në tekst?

7. Gjeni në fragment fjalitë që përshkruajnë mënyrën si ushqehej dhe pinte Hulusiu. Çfarë ndjesie krijon një përshkrim i tillë?

8. Gjeni dhe interpretoni paradoksin mes gjendjes gjatë dhe pas vizitës së Hulusiut. Kemi të bëjmë me hipokrizi që buron nga natyra e brendshme e personazheve apo me hipokrizi të imponuar nga jeta në diktaturë?

9. Gjeni detajet që përdor rrëfimtari për të kundërvënë portretin fizik të babait me atë të Hulusiut.

10. Gjeni ku thuhet se teatraliteti dhe aftësitë teatrale të të rriturve janë të trashëgueshme edhe te fëmijët.

teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Komentoni fjalinë: “O zot, ç’jetë qeni”.

12. Çfarë kuptimi ka metafora: “stuhia shpërthente” dhe si lidhet ajo me shtypjen e përjetimeve të personazheve?

13. Shpjegoni ngarkesën emocionale të metaforës në fjalinë: “Nëna nxinte në heshtje”. Çfarë e shkakton këtë përjetim të nënës së personazhit kryesor?

Nga
Letërsi346

14. Me çfarë kuptimi përdoret fjala maskë në këtë tekst dhe si lidhet ajo me teatralitetin që përjetojnë personazhet?

15. Si përshkruhet në fragment dëshira për ta hequr qafe edhe fizikisht praninë e Hulusiut?

Nga teksti te përdorimi

16. Çfarë shpreh paralelizmi mes hipokrizisë së personazheve në shkollë dhe në shtëpi?

17. Gjeni shprehjet e paradoksit midis jetës reale dhe jetës që reklamonte propaganda komuniste.

18. A mendoni se shkrimtari e ka përzgjedhur rastësisht emrin e personazhit Hulusi. A mendoni se ky emër bart ngjyresa të caktuara paraprakisht, apo i fiton ato pas përshkrimeve të personazhit?

19. Diskutoni rreth antitezës “Engjëll bamirës dhe njeri i përbuzur”. Çfarë e bënte Hulusiun të tillë për familjen e thesarit? A kishte realisht ai ndonjë aspekt prej engjëlli apo prej bamirësi në karakterin e tij?

20. Interpretoni thënien: “Për analogji, edhe unë, njëlloj, si të rriturit, duhej të përgatisja maskat e mia”. Nga teksti te reflektimi

21. Në fund, rrëfimtari thotë se për sa i përket dilemës nëse ata ishin vërtetë të lumtur, gjeti zgjidhjen: “Edhe ishim, edhe nuk ishim.”. Kujtoni këtu shprehje të ngjashme të Odin Mondvalsenit të Trebeshinës (kush jam unë dhe kush nuk jam unë) Çfarë tregon kjo për gjendjen e dyzuar të personazheve? A vjen ajo si pasojë e çrregullimeve mendore apo ka shkaqe të tjera?

22. Rrëfimtari shprehet se grindjet mes prindërve të tij shpesh fillonin për vogëlsira të atilla për të cilat ai dhe shokët e tij nuk do të grindeshin kurrë. Çfarë sugjeron kjo gjë për atmosferën e përgjithshme familjare dhe shoqërore të vendit gjatë diktaturës?

23. Megjithëse familja e Thesarit vërtitej në hapësirën familjare mes palumturisë dhe hipokrizisë, ata sërish zgjedhin të bëjnë kompromis dhe të aktrojnë si të lumtur, si të kënaqur me Hulusiun etj. Çfarë i pengon ata ta grisin perden e hipokrizisë dhe të duan të jenë realisht të lirë e të vërtetë?

24. Përqasni gjendjen emocionale dhe psikologjike të familjes së Thesarit me gjendjen e lirisë brenda klonit, për të cilën flet Zef Pllumi në veprën e tij “Rrno për me tregue”.

25. Si mendoni, a është e thjeshtë për shoqëritë të shkëputen nga e shkuara e tyre diktatoriale? Duke u nisur nga rasti i Thesarit vetë, diskutoni për gjurmët që lë në botëkuptimin dhe mënyrën e jetesës një përvojë e tij traumatike totalitare në brezat pasardhës.

Nga teksti te të shkruarit

26. Lexoni pasazhin e mëposhtëm, shkëputur nga romani “I humburi” dhe shkruani një ese ku të krahasoni dramat ekzistenciale të personazhit të Kongolit me personazhet e Kafkës dhe të Kamysë. E quaj veten mëkatar që nga çasti kur im atë kërkoi prej meje të urreja një njeri të panjohur. Doemos, unë nuk mund të urreja një fantazmë. As haptazi, as heshturazi. U futa në rrugën e deformimit shpirtëror, pra të mëkatit të përhershëm, kur zura të mbaja përbrenda një të fshehtë, përvëluese, të frikshme, të rrezikshme. M’u bë e qartë se këtë të fshehtë e ruanin rreptësisht edhe prindërit e mi. Ata qenë vendosur në qytezë fill pas arratisjes së ungjit të famshëm biografiprishës. Me shpresën që të shmangnin njollën kanceroze. Nuk e di se si, por ia kishin arritur. [...] Nisi kështu jeta ime e dyfishtë, me kompleksin e përhershëm të fajit. Dhe ëndrra që zuri të ngjizej brenda meje si nevojë për të shpëtuar nga qorrsokaku, qe dëshira për arrati. Jo në kuptimin e arratisë fizike. Këtë e kisha provuar dhe ia dija shijen. U arratisa brenda vetes, në trojet e vetmisë. Nuk ka arrati më të zymtë. Por edhe më të sigurt nuk ka.

Letërsi 347

Mihal Hanxhari

Mihal Hanxhari lindi në SHBA, por u rrit në Tiranë. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin e Tiranës, ndërsa studimet e larta, në Universitetin e Budapestit. Në vitet ‘60-’75, kreu një punë të shquar për ngritjen e bibliotekës së Universitetit të Tiranës. Në vitet ‘94-’95, mbajti leksione në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris. Mihal Hanxhari, për shumë vite me radhë, përfshirë edhe vitet gjatë komunizmit, shkroi një numër të madh poezish, prozë dhe përkthime, të cilat u gjetën dhe u botuan nga familjarët e miqtë pas vdekjes së tij, në qershor të vitit 1999. Ato përbëhen nga dy vëllime me poezi, tri vëllime me proza poetike dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botërorë, si: Shekspir, Tagore, Uajld, Bodler, Gide etj. Kritikët shqiptarë e kanë vlerësuar së tepërmi këtë krijimtari dhe gjenialitetin krijues të Hanxharit.

Poema “Aldebaran”, mban emrin e yllit më të shndritshëm të yjësisë së Demit dhe që shpesh është evokuar edhe në prozën apo në letërsinë botërore. Kështu, për shembull, Aldebarani përmendet në veprën “Uliksi” të Xhoisit, në një vepër të Oruellit, në disa poezi të Hygoit dhe të poetit spanjoll Don Miguel Unamuno etj. Ky yll, në veprat letrare, shpesh është konsideruar si simbol i dashurisë dhe në këtë mënyrë e paraqet edhe Mihal Hanxhari në poemën e tij

Poema përbëhet nga tetë njësi. Strofat janë pesëvargëshe dhe rimat, sipas skemës ABBAA. Secili varg ka 12 rrokje dhe vargu i parë i secilës strofë është edhe vargu përmbyllës i saj. Në tërësi, poema ka 355 vargje, të cilat kanë po ashtu ritmikë të spikatur, pasi poeti ka një ndjeshmëri tipike romantike ndaj rimave të brendshme, evokimeve metaforike e simbolike të ndjenjës dashurore, figurave stilistike si apostrofa apo personifikimet.

E veçanta e poemës “Aldebaran” është që, ndonëse e shkruar gjatë kohës kur Shqipëria ishte nën regjimin diktatorial komunist, kjo poemë nuk ka asnjë referencë ndaj kontekstit historik dhe as ndonjë përkim të dukshëm me modelin letrar të ideologjizuar të kohës. Hanxhari arrin t’iu ikë kufizimeve të jashtme të kontekstit ku jetoi, në dy mënyra: së pari, duke shkruar jo për një subjekt dashuror konkret, por për dashurinë si ndjenjë universale dhe, së dyti, duke mos botuar. Ky moskomunikim me lexuesin e kohës së tij, ndonëse e privoi veprën e tij nga njohja e publikut, në njëfarë mënyre e shpëtoi atë vetë nga kufizimet artistike dhe nga telashet e mundshme që mund të kishte prej moszbatimit të metodës krijuese të realizmit socialist.

Merita e M. Hanxharit qëndron pikërisht te fakti që ndonëse “Aldebaran” u njoh shumë më vonë nga ç’u shkrua, ajo në çdo kohë do të gëzojë një vend të spikatur në poezinë bashkëkohore shqiptare, me tipare të ngjashme dhe zgjatim i traditës poetike naimiane e lasgushiane. Motivet poetike të Aldebaranit janë motivet tipike të lirikës

Letërsi
“Aldebaran”, poema e dashurisë pa kontekst historik
Letërsi348

së dashurisë. Të tilla përmendim: nata, ëndrra, qielli, dielli, yjet, zjarri, deti etj. Gjithë ndjenja e dashurisë sublimohet, duke kërkuar të realizohet në një mjedis qiellor:

Shkojm’ në nebuloza në dete siderale

Me një anije flake që digjet si një diell

Me lumenj zjarresh të kridhemi në qiell Në kaskada yjesh që çmenden nëpër valle Shikojm’ në nebuloza në dete siderale

Teksa ka nevojë për një përjetim sa më të thellë e të lartë të dashurisë, subjekti lirik i kërkon së dashurës të humbasin në hapësirë, me një mijë pëllumba. Në antikitet, pëllumbat konsideroheshin si zogjtë e perëndeshës greke të dashurisë e të bukurisë Afërditë (e quajtur Venus nga romakët). Pëllumbat simbolizojnë jo vetëm dashurinë, por dhe dëlirësinë, pafajësinë, butësinë e paqen.

Pa kujtesë shpirt t’humbasim n’hapsirë Me një mijë pëllumba nisur në eter

Veç një nat’ së paku shpirt atje na ler nesër krahët tanë do të jenë në zinxhirë pa kujtesë shpirt t’humbasim n’hapsirë

Siç duket nga kjo strofë, subjekti lirik edhe këtu shpreh dëshirën për t’iu larguar kontekstit, ai do të shkojë më përtej, në eter, te hapësira qiellore mbi atmosferë, që sipas mitologjisë greke ishte pjesa më e pastër dhe e tejdukshme e ajrit. Në këtë tejdukshmëri, poeti do të fluturojë duke lënë pas edhe kujtesën, duke i harruar të gjitha shtrëngimet/zinxhirët që janë të së nesërmes, të botës fizike.

Poeti heq paralele mes dukurive natyrore, si: rrjedha e lumit në det, apo takimi i qiellit me detin dhe dashurisë së tij të natyrshme e të pashmangshme. Në poezinë e tij “Aldebaran”, dashuria, thelbi përkufizues i subjektit lirik, është një prirje e ethshme për të përkapur një përmasë të universales, siç është dashuria.

Trupi e shpirti im hapur n’hapësirë

Un’ më s’di kë dua un’ më s’di sa dua Tokë det e qiell çdo yll që u shua Tokë det e qiell ësht’ shtrati ku jam shtrirë Trupi e shpirti im hapur n’hapësirë

Dhe jam një kokërr vese dhe qiellin kam në gji Në gji kam universin dhe jam në një thërrime Shpërthime galaksish ka brenda zemra ime Supernova yjesh zjarr e brohori Dhe jam një kokërr vese dhe qiellin kam në gji

Dashuria është ajo që e bën botën të rifillojë nga e para dhe subjektin lirik që ta konsiderojë veten binjak të Aldebaranit, pasi e ka mbushur gjirin e sytë e vet me qiellin, simbol i dashurisë.

Ju rilindi Botën Fillimin prap ia ktheni

O puthje puthje yje që shpërtheni

Dhe tashti o qiell me ty i mbusha sytë

O det o det me ty e mbusha gjirin

O tokë kujtomë zjarrin o erë shpërndama hirin

O Aldebaran jam binjaku yt

Dhe tashti o qiell me ty i mbusha sytë

Letërsi 349

Nëpër vargje të poemës, poeti i rikthehet simbolit të Aldebaranit, të cilin e konsideron yllin e tij të vetëm, të cilin e ka kërkuar që pa e njohur, teksa shkonte e kërkonte në rrugë, nëpër qiell se cili yll do ta merrte për dore, për ta përjetuar dashurinë e vet. Në çdo strofë të poemës “Aldebaran”, metafora është “ylli” më i shndritshëm i universit poetik të Hanxharit. Kritikët e kanë vlerësuar veprën poetike, por edhe prozaike, për diapazonin e gjerë kulturor që reflekton. Këtë diapazon e vërejmë edhe në poemën “Aldebaran”, ku krahas figurave, motiveve e simboleve tipike të lirikës tradicionale të dashurisë, hasim edhe ndërkalljen e figurave apo të motiveve që vijnë nga tradita antike, si p.sh. Tutankhamoni (faraoni egjiptian), Orfeu (muzikanti dhe poeti më i talentuar sipas mitologjisë greke) apo të referencave të largëta gjeografike si brigjet e Egjeut, gurët e Nilit. Këto elemente e përforcojnë idenë e poetit dhe të poemës “Aldebaran”, se ndjenja e dashurisë është përtej kohës dhe vendit, por arrin universalitetin.

STUDIM TEKSTI

Verifikojmë njohuritë

1. Si arriti t’i largohet metodës së realizmit socialist në veprat e tij M. Hanxhari?

2. Çfarë veçorish paraqet struktura e poemës “Aldebaran”?

3. Cilat janë simbolet më të pranishme në poemë dhe si lidhen ato me ndjenjën e dashurisë?

4. Si e shpreh subjekti lirik në poemë dëshirën për t’iu larguar kontekstit dhe si arrihet sublimimi i ndjenjës së dashurisë?

5. Hanxhari ka zgjedhur ta titullojë poemën e tij “Aldebaran”, sepse; koncepti i yllit “Aldebaran” që shfaqet në poezi e përforcon përmasën qiellore të ndjenjës së dashurisë; në letërsinë e huaj, ylli Aldebaran shpesh është evokuar në tekste poetike, ndaj poeti ka parapëlqyer ta fusë atë dhe në letërsinë shqiptare; ka dashur ta bëjë më intrigues titullin; ylli Aldebaran është simbol i idealit të tij dashuror.

Ushtroni mendimin kritik

6. Poema “Aldebaran” ka vargje të matura dhe rima sipas një skeme të njësuar, gjithsesi, poeti ka prirjen të mos përdorë shenja pikësimi. Si mendoni, veçoritë ritmike, por edhe tematika e poemës e bën atë lirikë dashurie tradicionale apo moderne? Argumentoni mendimin tuaj.

7. Komentoni në grup pasazhet e mësipërme të shkëputura nga poema.

Letërsi350

ILUSTRIM LETRAR

Aldebaran

Dashuri është lumi që shkon për në det

Dashuri është deti që digjet në flakë

Bregu i detit plot, përplot me zambakë Guaskat syhapur plot ëndrra përjet’

Dashuri është lumi që shkon për në det

Dashuri është nata që s’di ç’është gjumi Bilbil i plagosur në hënë një thikë

Dashuri është legjenda që ngjan në çdo ditë

Janë yjet që duhen me gurët te lumi

Dashuri është nata që s’di ç’është gjumi

Dashuri është nata që pret në një urë

Dashuri është hëna e thyer në gjethe Aldebarani vetëm që digjet në ethe Buza e përbuzur që s’ankohet kurrë

Dashuri është nata që pret në një urë

Dashuri është natën në derë nj’e trokitur

Kur vetmia hesht kur vetmia vuan Kur dëgjon shirat mbi verat që shkuan

Kur thinjet e thinjet më kot duke pritur

Dashuri është natën në derë nj’e trokitur

Dashuri janë sytë e lodhur pa gjumë

Dashuri janë buzët që digjen pa këngë

Dashuri janë duart që ruajnë një brengë Dashuri janë lotët që djegin aq shumë Dashuri janë sytë e lodhur pa gjumë

Dashuri janë duart që mbetën në gji Tatuazh hieroglifesh që s›shuhen për jetë Një vjeshtë dëshpërimi mbuluar me fletë Një zog i vetmuar që shkon nëpër shi Dashuri janë duart që mbetën në gji

Dashuri janë duart gjithmonë të shtrira Që dridhen e presin e digjen nga etja Janë duar si hije shkëputur nga vehtja Gjurmë zhdukur, fshirë nëpër shkretëtira Dashuri janë duart gjithmonë të shtrira

Dashuri janë duart gjithmonë të ngrira Degë thëllimi me brymë mbi gjethe Akuj që digjen dimër ndër ethe Duar statuje që lagen në shira

Dashuri janë duart gjithmonë të ngrira

Dashuri janë buzët si kujtim rozë Si aromë e mbetur në një kopësht vjeshte si gjak trëndafili në gjemb të një heshte Si puthje mërguar në një nebulozë Dashuri janë buzët si kujtim rozë

Letërsi 351

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në fragmentin poetik, vargu: Dashuri është legjenda që ngjan në çdo ditë: kumton idenë se dashuria ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë; kumton idenë se dashuria është një trillim legjendar.

2. Në fragmentin poetik të dhënë, gjeni ato vargje dhe strofa që flasin për pritjen.

3. Në fragmentin poetik të dhënë, me cilën pjesë të 24-orëshit lidhet më tepër përjetimi i dashurisë?

4. Si janë duart në pikëpamje të përjetimit të dashurisë, sipas poetit?

5. Rilexoni me zë strofat e para të poezisë. Si ndërthuret shfaqja e dashurisë me të bukurën? A janë këto dy koncepte të dallueshme dhe të mëvetësishme apo të lidhura me njëra-tjetrën?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Si janë ndërtuar stancat poetike dhe si realizohen rimat në fragmentin e dhënë poetik?

7. Në strofën e mëposhtme, shpjegoni kur fjala duart përdoret me funksion metonimik:

Dashuri janë duart gjithmonë të shtrira

Që dridhen e presin e digjen nga etja

Janë duar si hije shkëputur nga vehtja

Gjurmë zhdukur, fshirë nëpër shkretëtira

Dashuri janë duart gjithmonë të shtrira

8. Në gjithë fragmentin poetik renditen përkufizime, tipare dhe shfaqje të dashurisë. Me cilën figurë retorike realizohet diçka e tillë?

9. Gjeni në poezi, të paktën dy metafora që tregojnë se gjësende ose përjetime të caktuara janë shpirtëzuar.

10. Në strofën e fundit, poeti përdor figurën e krahasimit. Mendoni se kjo ka ardhur si nevojë për të ruajtur strukturën rrokjesore të vargjeve, apo për të ndryshuar figurën stilistike?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në fragmentin poetik të dhënë, gjeni një metaforë që tregon ikjen e kohës.

12. Gjeni ato fjalë dhe shprehje që përdoren për hapësirën qiellore. Interpretoni si e japin këto fjalë idenë e dashurisë si ndjenjë universale.

13. Gjeni vargjet ku përdoret folja digjem dhe thoni se me çfarë kuptimi është përdorur ajo.

14. Interpretoni vargjet: Kur vetmia hesht kur vetmia vuan/Kur dëgjon shirat mbi verat që shkuan.

15. Bëni një fjalorth poetik të fushës leksikore qiellore dhe asaj tokësore, duke iu referuar fragmentit poetik të dhënë më sipër.

Nga teksti te përdorimi

16. Në fragmentin poetik të dhënë, analizoni anaforat dhe efektin që ato kanë për ritmikën poetike.

17. Në fragmentin e dhënë, gjeni çifte fjalësh që kanë raporte antonimike të plota ose të pjesshme, si p.sh. zjarr - akull. Përse përdoren ato dhe çfarë tregojnë për të dyja anët e përjetimit të dashurisë?

Letërsi352

18. Analizoni si përdoren rimat nistore dhe të brendshme dhe interpretoni efektin që krijojnë ato te leximi i poemës, ndonëse shenjat e pikësimit në poemë mungojnë.

19. Gjeni imazhet poetike që evokojnë kataklizmin. Interpretoni se çfarë tregojnë ato për përjetimin e ndjenjës së dashurisë.

20. Mungesa e dashurisë konceptohet si përjetim fizik i mundimshëm që të shpon. Gjeni vargjet ilustruese që përcjellin këtë konceptim.

Nga teksti te reflektimi

21. Interpretoni vargun: “Dashuri është lumi që shkon për në det”. A është e shmangshme ndjenja e dashurisë?

22. Në vargun “Tatuazh hieroglifesh që s›shuhen për jetë” çfarë evokojnë hieroglifët për përjetimin e dashurisë?

23. Rilexoni disa poezi të Lasgush Poradecit nga “Vallja e yjeve” dhe qëmtoni pikëtakimet mes leksikut të tij poetik dhe leksikut poetik të Mihal Hanxharit në poemën “Aldebaran”.

24. Pikëtakimet që gjetët mes dy autorëve mendoni se mund të kenë ardhur prej ndikimit të drejtpërdrejtë që ka pasur Hanxhari nga poezia e Poradecit, apo për shkak të qasjes më tradicionale ndaj lirikës së dashurisë?

25. Diskutoni nëse mungesa e referencave konkrete dhe historike në poezi ka ndikuar te mënyra si përcillet artistikisht ndjenja e dashurisë në poemën “Aldebaran”.

Nga teksti te të shkruarit

26. Komentoni me shkrim pasazhin në vijim që është shkëputur gjithashtu nga poema “Aldebaran”:

Në netë të kthjellta dimri kur yjet kanë ngrirë

Ju a kam dëgjuar zërin o shpendë shtegtarë Ku shkonit ju ku shkonit tek dashuri’ e parë?

Rrugë dashurie klithmë në hapsirë

Në netë të kthjellta dimri kur yjet kanë ngrirë

Ku shkoni zogj ku shkoni ku është dashuria

Në ç’shkretëtirë netësh ju ndjell ai kujtimi

Do kem edhe unë në qiell një udhë dëshpërimi

Do kem edhe unë shtegtimin e vjeshtave të mia, Ku shkoni zogj ku shkoni ku është dashuria

Në ç’rrugë nëpër qiell do shkoja të kërkoja Cili yll për dore do më merrte mua

O ti rrugë e Qumshtit i piva gjinjt e tua dhe ika prapë më tej të gjeja atë që doja

Në ç’rrugë nëpër qiell do shkoja të kërkoja

Në ç’re prej nebuloze do kridhesha i etuar

Në ç›qipariza yjesh do digjesha pishtar

O dete perëndimesh ku fundet janë zjarr

Më tej më tej në qiell i vetëm kam kërkuar Në ç’re prej nebuloze do kridhesha i etuar

Si unë o botë yjesh kështu kush ju ka parë

Yje që aq net ju kam marrë në duar Yje të panjohur me emra të pa shkruar Yje zemra yjesh që rrihni në pulsarë

Si unë o botë yjesh kështu kush ju ka parë

Sa herë u deha në yje duke pirë

Sa herë më mori gjumi në buzët e një ylli

Se sa herë u zgjova në këngët e një pylli

Kur zogjt i thonin hënës nga larg lamtumirë

Sa herë u deha në yje duke pirë

O Aldebaran ti ylli im i vetem

Unë s’dija se ku ishe dhe ikja të kërkoja

Në çdo portë të qiellit emrin tënd e thoja

Ah për të të gjetur do të tresja jetën

Aldebaran ylli im i vetëm

O ylli im i vetëm ti Aldebaran

Ti qiell i syrit tim thyer nëpër lotë

Ku s’të kam kërkuar në një mijë botë

Qielli më i largët ish ai më pranë

O ylli im i vetëm ti Aldebaran

Letërsi 353

Letërsi POEZIA ARBËRESHE

Letërsia arbëreshe (ose arbërishte) zë një vend të rëndësishëm në kulturën tonë në përgjithësi dhe në fondin tonë letrar më të përzgjedhur, në veçanti. Përfaqësuesit e saj, megjithëse në distancë hapësinore me tokën amë, nuk i kanë shkëputur lidhjet me të. Madje produkti i tyre letrar krijoi ura virtuale komunikimi edhe në momente kritike politike izolimi të Shqipërisë e Kosovës. Paraprakisht, duhet theksuar se letërsia arbëreshe në periudha të caktuara ka qenë edhe paraprijëse e fenomeneve letrare mjaft të rëndësishme për letërsinë në dheun amë (Jeronim De Rada, Zef Serembe, Xhuzepe Skiro etj.). Kështu, këta autorë studiohen në letërsinë shqipe si autorë përfaqësues të romantizmit shqiptar në përgjithësi e jo vetëm të atij arbëresh. Në veprën e tyre, ashtu si dhe të autorëve të tjerë të kësaj periudhe, u dalluan tiparet kryesore, që u vunë re edhe te shkrimtarët e tjerë romantikë shqiptarë brenda trojeve (evokimi i së kaluarës, historisë, kulturës së saj, heronjve antikë e të mesjetës, adhurimi me nota të larta thirrmore i atdheut, mbështetja në motive të folklorit etj.).

Periudha pas Luftës së Dytë Botërore krijoi një barrierë tjetër veç asaj hapësinore në komunikimin mes letërsisë së trojeve amtare dhe asaj arbëreshe. Zhvillimet politike e izoluan thuajse tërësisht këtë komunikim (megjithëse shkrimtarët arbëreshë të periudhës së Rilindjes u studiuan në shkolla).

Letërsia arbëreshe e kësaj kohe, gjithsesi, vazhdoi të lëvrohej. Ajo u përfaqësua nga emra të tillë, si: Zef Skiro di Maxho (Giuseppe Schirò Di Maggio, 1944), Vorea Ujko, Dushko Vetmo, Lluka Perone, Kate Cukaro, Agostin Jordani etj. Në veprat e këtyre shkrimtarëve dallohet përpjekja për të afirmuar identitetin arbëresh dhe trysnia e asimilimit si gjuhë e si origjinë.

Një gjë e tillë pohohet edhe nga kritika që vë re së në veprat e shkrimtarëve arbëreshë dallohen tri tendenca ose tri poetika: e para ka lidhje me etninë si metaforë, e dyta i referohet vendit si metaforë dhe e treta, tokës si metaforë (ky konstatim bëhet në kritika të botuara në lidhje me librin e Xhuzepe Skiro di Maxhos “Metaforë”, 1990). Në fakt, të tria përmblidhen me konceptin e vendit. Nga pikëpamja stilistike është e dallueshme prirja e përdorimit të varianteve

arkaike të shqipes si një tendencë e rikonfirmimit të identitetit vetjak e kolektiv të të gjithë etnisë arbëreshe. Këto variante nuk ishin thjesht shfaqje gjuhësore të përdorura në poezi, por ato përfaqësonin njëkohësisht realitete sociolinguistike që lidheshin me traditën folklorike, zakonet, ritet e tyre. Duhet thënë se pas viteve ‘70-të u vu re prirja e përdorimit në poezi të standardit si variant, përsëri në funksion të vetidentifikimit me atdheun, një mënyrë kjo që mundohej të zbuste trysnisë asimiluese nga kultura e vendit ku jetojnë.

Qenia arbëreshe u pa në këto poezi me gjithë shqetësimet e saj identitare, ekzistenciale etj. Madje, në jo pak raste, ato u gërshetuan së bashku si pjesë e konstitucionit shpirtëror të kësaj qenieje.

Zef Skiro di Maxho
Letërsi354

Në poezinë më poshtë, të shkëputur nga libri “Metaforë” i Di Maxhos, trajtohet pikërisht tematika që ka të bëjë me trysninë globalizuese e asimiluese. Në këtë poezi, përmes një metonimie (Europa për kulturën europiane, globalizmin) të realizuar nga fjala Europë, përcillet mesazhi se ky proces njëjtësimi, unifikimi, globalizmi po vjen (do të vijë). Megjithatë, poeti vizaton imazhin e takimit të qenies arbëreshe pa emër me këtë realitet aq të dëshiruar (me ngjyra, me kufij të hapur, me banka, pasuri etj.) në mënyrë shumë origjinale. Qenia arbëreshe është e veshur me kostumin kombëtar dhe me kanistrat e produkteve të prodhuara në vendin e vet, pra, kjo qenie shfaqet e veshur me identitetin individual që përfshin atë që përfaqësohet nga vendi ku jeton, toka, po edhe nga traditat që e lidhin me origjinën. Në fund, notat e këtij imazhi përmbyllen me një metaforë të mrekullueshme me anë të së cilës ai i drejtohet qenies arbëreshe që Evropës nuk mund t’i ofrojë (siç bëri me produktet) privilegjin e tij të vjetër, fjalën (gjuhën) arbëreshe, që është dhuratë e shpirtit. Në këtë mënyrë, autori i përcjell lexuesit një poezi identitare, me mesazhe të forta adhurimi të qenies brenda tij, ku janë skalitur në vetëdije origjina (veshjet, gjuha), vendi ku jeton dhe toka, në kuptimin universal (produktet).

Evropa me mijëra ngjyra

Evropa e kufijvet të hapur

Evropa e gjuhëvet

Evropa e bankavet

Evropa e së ardhmes do të vinjë edhe këtu.

Mikpritës i përpiktë, do të veshësh tët bijë me kostumin tradicional e do t’e dërgosh te sheshi kryesor

me kanistrën më të re t’i dhuronjë Evropës sa dheu yt prodhon vaj verë djathëra. S’ mund t’i dhuronjë, vajza jote e pafajshme, shëngun e privilegjit tënd më të vjetër fjalën arbëreshe të bjerrë dhuratë të shpirtit. (Xh. S. Di Maxho)

Motivi i mallit për atdheun e më saktësisht, për atdheun e origjinës trajtohet edhe nga Vorea Ujko në poezinë më poshtë, në të cilën i drejtohet nënës Shqipëri me mall të papërshkrueshëm, që t’i hapë derën e të mos qajë, pasi mjaftojnë lotët që ka derdhur ajo për bijtë gjatë shekujve. Në këtë mënyrë, shkrimtari dëshmon me anë të toneve mallëngjyese fatin e qenies arbëreshe ndër shekuj, si dhe mallin e pashuar që trashëgohet brez pas brezi si një pjesë e vetëdijes së kësaj qenieje në çdo kohë.

HAPMA DERËN ZONJA MËMË

Edhe sivjet, moj nënë, nga mërgimi i shkretë, më dogji malli për ty.

Unë e di që ti e pritje birin tënd të largët, e qave fshehurazi kur s’pate mundësi ta përqafoje.

Ndjemë, o e paharruara, mos qaj, pse mjafton sa qave për bijtë gjatë shekujve.

Ti e di, nënë Shqipëri,

që unë s’kam asnjë faj nëse jetoj larg teje, ashtu ka qenë fati i shkretë, e është kot t’i kujtojmë hallet. Erërat kanë fryrë mbi mua, dëborat kanë rënë mbi mua, si edhe mbi kokën tënde, por përmes erërave e dëborërave fytyra jote e largët më forcoi e ngushëlloi.

Letërsi 355

Verifikoni njohuritë

1. Zhvillimet politike në Shqipëri e Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore krijuan një realitet të izoluar që mbylli shumë ura komunikimi. Cili qe roli i letërsisë arbëreshe në këtë kontekst?

2. A ka qenë letërsia arbëreshe më e lidhur me atë të trojeve etnike para Luftës së Dytë Botërore?

3. Cilat qenë tri konceptet kryesore (poetikat) që u dalluan në poezinë arbëreshe? A kishin lidhje organike mes tyre?

4. Cilat variante gjuhësore u përdorën në veprat e shkrimtarëve arbëreshë të kësaj kohe? A u lidh kjo me preferenca personale, apo me qëllim vetidentifikimin?

5. Cili motiv shfaqet në poezinë e Xhuzepe Skiro Di Maxhos? A del ai jashtë tematikës së trajtuar në përgjithësi në poezinë arbëreshe? Cila është e veçanta këtë herë? (Kini parasysh edhe metoniminë e përdorur.).

6. Cili është motivi që trajtohet në poezinë e Ujkos? Gjeni pjesët që identifikojnë historinë e përsëritur. Dalloni në fund pjesën që tregon se pse ai i drejtohet imazhit të nënës Shqipëri.

Ushtroni mendimin kritik

7. Në mësim u tha se letërsia qe një urë virtuale komunikimi edhe në periudhën e izolimit të trojeve etnike. Diskutoni në lidhje me rolin e letërsisë si një mjet mjaft i rëndësishëm në aspektin e komunikimit njerëzor. Përqendrohuni në ndikimet letrare mes letërsive të etnive të ndryshme (Gjeni informacion dhe diskutoni mbi ngjashmëritë në eposet ballkanike p.sh.).

8. Shkrimtarët arbëreshë të çdo kohe kanë motiv të përhershëm mallin dhe adhurimin për atdheun e origjinës, për kulturën e veçanërisht, gjuhën e tij. Kjo lidhet edhe me vetidentifikimin si kolektiv, si dhe me pengesat ndaj asimilimit si kulturë. Po në Kosovë a ka qenë kultura, letërsia, arti dhe gjuha shqipe një element që është përdorur në këtë funksion në kohë të caktuara? Diskutoni dhe ilustroni me shembuj.

9. Globalizmi është një fenomen që po prek jo vetëm qenien arbëreshe, po edhe atë shqiptare në tërësi. Diskutoni në lidhje me efektet e tij pozitive dhe negative në aspektin e kulturës, letërsisë, gjuhës dhe artit në përgjithësi.

10. Një rol mjaft të rëndësishëm në formimin e kulturës arbëreshe kanë luajtur edhe katedrat e gjuhës dhe kulturës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, të Palermos, të Napolit etj. Gjeni informacion në lidhje me punën e tyre dhe diskutoni për kontributet e studiuesve bashkëkohorë, si: Mateo Mandala, Françesko Altimari, Italo Fortino etj.

11. Edhe autorët shqiptarë i janë referuar në veprat e tyre kulturës arbëreshe. Gjeni raste të trajtimit të saj në letërsi dhe gjuhësi (Camaj, Çabej etj.). Diskutoni në lidhje me ta.

Sfida e të shkruarit

12. Poezia në vijim është shkruar nga Vorea Ujko. Shkruani një tekst, ku të përshkruani motivin dhe të dalloni stilin me të cilin është shkruar ajo (dalloni metaforat e mrekullueshme, metoniminë dhe mallin për atdhe, enumeracionin etj.).

NJË GRUSHT DHE

Një grusht dhe të tokës sime: baltë, shi, stuhi, diell aromë e freskët kashte

dhe bukë të munduar.

Kam një grusht dhe të tokës sime, që më thërret, në dorë.

Letërsi356

LEKSIKOLOGJIA DHE RAPORTET LEKSIKOLOGJIKE

Rrafshet e kuptimit leksikor

Kuptimi leksikor përbën anën më thelbësore të fjalës, anën më të rëndësishme. Jo të gjitha bashkimet tingullore përbëjnë fjalë. Që të kemi fjalë duhet të kemi një grup tingujsh të folur, të formësuar nga ana gramatikore sipas natyrës dhe rregullave të shqipes, por dhe që shpreh diçka. Pra, te fjala ndërthuren, gërshetohen në një njësi të vetme elementet e fonetikës, gramatikës dhe semantikës. Të gjitha fjalët kanë kuptim leksikor, por shkalla e qartësisë së këtij kuptimi është e ndryshme. Fjalët që shënojnë koncepte (si emrat, mbiemrat, foljet, ndajfoljet), kanë kuptim leksikor më të qartë e më të pavarur, kurse fjalët shërbyese (parafjalët, lidhëzat, pjesëzat) kanë kuptim leksikor më pak të qartë se të parat; kuptimi leksikor i tyre bëhet i qartë kur lidhen në ligjërim, p.sh., në fjalinë: “Jona erdhi në shtëpi me shoqet” mbart kuptimin e shoqërimit (në lidhje me emrin që ka pas), kurse në fjalinë “Jona erdhi në shtëpi me biçikletë”, ka kuptimin e mjetit.

Në gjuhësi pranohen tri rrafshe të kuptimit leksikor:

Kuptimi leksikor i përgjithshëm pra, aftësia që ka fjala për të shënuar diçka nga realiteti për të na lidhur me një send, me një dukuri, me një veprim etj. Këtë aftësi e ka çdo fjalë, ajo e dallon fjalën nga njësitë e tjera të gjuhës.

PYLL m. Sipërfaqe e madhe toke, e veshur me drurë të dendur e të lartë ose me shkurre; tërësia e drurëve dhe e shkurreve që zënë një vend të madh. Për shembull:

Unë tani kryej gjithfarë punësh: çaj dru në pyll pastroj vijën e mullirit, çukis mokrat, ndreq grunarët, mbush e zbraz thasët. (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Kadare)

Kuptimi leksikor kategorial, d.m.th. aftësia që ka një klasë e madhe fjalësh të shënojë diçka të përbashkët që e dallon këtë klasë nga klasat e tjera. P.sh., emrat shënojnë sende, mbiemrat cilësi (pema - emër; i gjatë - cilësi).

Kuptimi leksikor i veçantë, individual d.m.th. aftësia që ka çdo fjalë të shënojë diçka të veçantë nga realiteti, një send, një tipar, një veprim a dukuri të dhënë. Sipas këtij kuptimi dallohen dhe emrat midis tyre, sepse tjetër gjë shënon emri lis dhe tjetër gjë emri dhomë.

Lëvizja kuptimore e fjalëve

Lexoni tekstin. Ndahuni në katër grupe dhe dalloni fushat leksikore të fjalëve të nënvizuara.

Bora po bie ngadalë nëpër ato pemë të moçme, nëpër ato degë të vjetra. Ajo po shndrit madhërishëm mbi tokën e dheun. Po e mbulon dalëngadalë këtë tokë në të cilën më herët luanin fëmijët plot hare e shend. Qielli tanimë vetëm po hesht. Dielli i bukur është fshehur diku atje matanë reve të zemëruara. Tashmë nuk nxeh më me shndritjen e vet e nuk na dhuron ngrohtësinë e verës dhe të pranverës. Tanimë na viziton më rrallë. Pret të na marrë malli paksa e të vijë plot ngazëllim, mbushur me buzëqeshje.

Gjuhë
Gjuhë 357

Sakaq velloja e hollë e borës e kaploi gjithë qytetin; vello e punuar me perlat magjepsëse që fshehën manushaqet, luleboret, livadhet e kullotat. Lulet shumëngjyrëshe ikën dhe së bashku me to edhe bletët punëtore. Edhe zogjtë shkuan nga ky vend i ftohtë. Shtegëtuan larg diku, për t’u kthyer më vonë. Shih, sa shumë ndryshime që na sjellkërka ky dimër! Sjellkërka edhe ngazëllimin e dashurinë në fytyrat e fëmijëve. Ato fytyra të vogëla, të skuqura nga i ftohti...

Pra, ky qenka dimri!

Si i grupuat fjalët?

Çfarë i bashkon ato me njëra-tjetrën?

R. Hoxha

Le të konsultohemi me Fjalorin e Gjuhës Shqipe dhe të gjejmë përkufizimet e disa prej fjalëve të përdorura në tekst. Plotësoni tabelën me kuptimet e tjera.

Fjala Kuptimi të moçme shndrit

Përcaktoni kuptimet e reja që marrin këto fjalë në tekstin e mësipërm. Shkruani fushat leksikore të tyre dhe gjeni pikat e takimit me shpjegimin e Fjalorit. Si e arritën fjalët këtë shprehësi të re?

Lëvizja kuptimore e fjalëve është një dukuri e përgjithshme e pandërprerë e gjuhës. Ajo shfaqet në aftësinë e gjuhës për të marrë kuptime të reja e të ndryshme, sipas kontekstit. Kjo i bën pjesën më të madhe të fjalëve të gjuhës shqipe (mbi 50% të tyre) të shumëkuptimshme. Disa fjalë kanë strukturë kuptimore shumë të gjerë, p.sh folja bie në fjalor ka 44 kuptime e dhjetëra njësi frazeologjike, ku ajo del me kuptime të veçanta (frazeologjike). Me shumë kuptime janë edhe emrat e veprimit, mbiemrat prejpjesorë etj., që në fjalor jepen duek iu referuar foljes përkatëse. Çdo njësi leksikore (fjalë) mund të ketë disa njësi semantike (kuptime). P.sh 5500 fjalë të Fjalorit të Shqipes kanë mbi 5 kuptime. Të gjitha këto njësi semantike janë rrjedhim i lëvizjeve kuptimore. Lëvizjet semantike, në lidhje me folësin mund të jenë të drejtuara (të vetëdijshme) dhe të vetvetishme (të pavetëdijshme). Lëvizje të drejtuara kemi kur fjalëve u japim kuptime terminologjike, eufemiste, emocionuese etj dhe këtë e bëjmë me qëllim e vetëdije. P.sh, kur themi dita e bekuar (dita e dasmës), burri i dheut (trim), iku me të shumtët (vdiq, në kuptimin negativ), etj. Lëvizjet e vetvetishme janë më të qarta dhe më të shumta se të drejtuarat. P.sh. fjala shkollë ka disa kuptime:

1. Institucion arsimor ku mëson dhe edukohet në mënyrë të organizuar brezi i ri; një institucion i tillë i specializuar; ndërtesa e këtij institucioni; përmb. bised. tërësia e nxënësve dhe e punonjësve të këtij institucioni. Shkollë fillore (tetëvjeçare, e mesme, e lartë). Shkollë industriale (bujqësore, pedagogjike, ushtarake). Shkollë normale. vjet. Shkollë qytetëse. vjet. Shkollë unike. vjet.

2. Sistemi arsimor i një vendi; tërësia e institucioneve arsimore. Shkolla shqipe. Shkolla kombëtare. Shkolla e riorganizuar. Shkolla jonë e re.

3. fig. Burim mësimesh e njohurish, veprimtari gjatë së cilës njeriu fiton përvojë të pasur dhe edukohet. Shkolla e madhe e jetës. Shkolla e punës (e prodhimit).

Gjuhë358

4. Arsim, mësim; zotërimi i shkrimit e i këndimit. Njeri me (pa) shkollë. Ka (bërë) shkollë të madhe. Nuk di (nuk ka) shkollë.

5. Drejtim i caktuar në fushën e shkencës, të artit, të letërsisë etj., që ka disa parime e metoda të veçanta; rrymë; Shkollë letrare (filozofike).

Përcaktoni cilës shtresë leksikore i përkasin përdorimet e fjalës “shkollë” në fjalitë përkatëse, sipas modelit të dhënë:

1. Shkolla sot është përfshirë në një reformë të thjellë kurrikulare.

2. Nga Jugu në Veri, shkolla duhet të ketë të njëjtën pamje.

3. Kam bërë shkollën e hidocentraleve unë, ndaj dhe jam kaq i aftë.

4. Mos e ngacmo se është njëri pa shkollë.

5. Shkolla e iluministëve luajti një rol të rëndësishëm në letërsi. Siç mund të shihet, kuptimi i tretë shënohet si i figurshëm. Në fakt, kjo është e vërtetë, pasi aty kemi një zhvendosje kuptimore të brendshme. Fjala shkollë (shkolla e jetës), në këtë kuptim nuk i referohet insitucionit ku mësohet, por përvojës jetësore. Në këtë konteskt, vihet re se këtë kuptim ajo e merr në shoqëri me përcaktorin “e jetës”. Në këtë mënyrë, kjo fjalë merr kuptim metaforik. (Mos harroni pra se pavarësisht se keni mësuar se një fjalë mund të jetë një figurë, në shumicën e rasteve këto kuptime të figurshme realizohen, pasi kjo fjalë ndryshon strukturën ku përdoret zakonisht. Në strukturën e re, ajo merr kuptim të figurshëm ose ndryshe konotacion.).

Po shohim edhe disa raste të tjera që reflektojnë identifikim të kuptimit të figurshëm në strukturë. (Ju keni marrë në mësimet e para shumicën e figuracionit.).

Lëvizjet kuptimore dhe tropet gjuhësore

Lëvizjet në përmbajtjen leksikore të fjalëve ndodhin për shkak se sendet dhe dukuritë e natyrës nuk janë kryekëput të ndryshme nëpërmjet tyre, përkundrazi, disa sende e dukuri përputhen në tipare, në funksione etj. Kjo bën të mundur që, sipas elementit të përbashkët, sende e dukuri të ndryshme, të emërtohen me të njëjtën fjalë. Kështu, vetë fjala i zgjeron aftësitë shenjuese të saj, merr kuptim të ri. Ndryshimet në përmbajtjen leksikore të fjalëve janë tri llojesh:

a) Zgjerim kuptimi, i cili ndodh kur fjalët kalojnë nga një fushë e ngushtë përdorimi në një fushë më të gjerë, si p.sh: kokë: pjesë e trupit të njeriut; koka e projektit-individi, ose grupi drejtues i një projekti.

b) Ngushtim kuptimi, i cili ndodh zakonisht kur fjalët kalojnë nga një përdorim i përgjithshëm në një fushë të ngushtë, si p.sh: nyja, lak në litar a në një fill tjetër dhe anatomi vendi ku lidhen dy kocka (nyja e këmbës), ose në gjuhësi pjesëz në trajtën e pashquar të emrave

c) Shndërrim kuptimi, i cili ndodh zakonisht për shkak të ndryshimeve në zhvillimin historik të gjuhës; kur fjala humbet kuptimin e parë dhe fiton një kuptim të ri, p.sh., gjegj dikur ka patur kuptimin dëgjoj; gjellë ka patur kuptimin jetë etj.

Lëvizja kuptimore bëhet sipas disa figurave gjuhësore, që në gjuhësi e në stilistikën letrare janë quajtur trope. Tropet më kryesore e më të zakonshme në stilistikë janë metafora, metonimia, dhe sinekdoka.

Gjuhë 359

Ngjyrimi emocional si përbërës i kuptimit

Kuptimi leksikor është veçori absolute e fjalës: nuk ka fjalë pa kuptim, kurse ngjyrimi emocional nuk është as i përgjithshëm, as i domosdoshëm, as i përhershëm. Ngjyrimi emocional ka baza jashtëgjuhësore, psikologjike, por ai përpunohet brenda sistemit gjuhësor, si element kuptimor. Ngjyrimi emocional bën pjesë në përmbajtjen e fjalës. Fjala krijohet jo vetëm për të emërtuar diçka, por edhe për të dhënë ndjenjat, dëshirat, synimet e njeriut. Janë të rralla fjalët që përdoren si shenjë e ideve të zhveshura nga vlerësimet. Zakonisht, dëgjuesi kupton nga folësi edhe gjendjen shpirtërore, dëshirat, gjykimet etj. Te disa fjalë, ngjyrimi emocional është përbërës i ngjizur i vetë temës, kurse te të tjerat jepet me anë prapashtesash të veçanta (zvogëlimi, përkëdhelie). Ngjyrim emocional pozitiv: dashuri, admirim, gëzim, entuziazëm, kënaqësi, mahnitje optimizëm, përgëzim, urim mirënjohje etj. P.sh.: “Sonte /kur t’bjerë nata/ dua t’jem yll n’dritaren tande.” (A. Shkreli) ngjyrim emocional negativ: zemërim, urrejtje, përbuzje, pikëllim, zhgënjim, pakënaqësi, pesimizëm, sharje, armiqësi etj. Ndërsa përgjigjej, mezi e mbante veten të mos u kthehej gjithë përçmim: është e lehtë të bëni pyetje që këndej, o bandillë. (Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kadare) Duhet thënë se ngjyrim emocional, apo kuptim të figurshëm në gjuhën shqipe, nuk krijojnë vetëm fjalët (p. sh. metafora: “dhelpër” për të treguar një njeri dinak: Ai e kishte fytyën si dhelpër dinake dhe mendjen si një shtëllungë leshi. (Popullore), po edhe njësi të tjera si: a) përdorimi i prapashtesave me nuancë përkëdhelie ose keqësuese si: -zë, -th, -aq, -ash, -ac, -ec etj. Për shembull, mëmëzë, birth, humbalaq, gjumash, përtac, mburravec.

Fjalë me prapashtesa përkëdhelie (me ngjyrim emocional pozitiv) gjejmë dendur sidomos në folklorin gojor dhe në letërsinë artistike.

“Kush të ka qëndisur vallë, moj vashëz-o, me hënë e me yll në ballë, moj vashëz-o” (Këngë jugu)

“O vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni” (N. Frashëri)

b) përdorimi i një intonacioni të veçantë. Brenda fjalisë së organizuar me një intonacion të posaçëm, edhe fjalët marrin nuanca talljeje, përbuzjeje, shakaje, ironie etj. Fjalë të tilla si: Vërtet! Ashtu! Posi! Me gjithë mend! të përdorura në dialog me intonacion habie, ironie, urdhri, gëzimi, urim etj., shprehin ndjenja të ndryshme të folësit.

O të keqen e nishanit!

A s`më merr në vithe të kalit?

– Një dele ha gjithçka që gjen.

– Posi!

(Ymer Aga, popullore)

(Princi i vogël, Ekzyperi)

ose
Gjuhë360

Polisemia, homonimia, antonimet, sinonimet

Polisemia

Shumica e fjalëve në gjuhën shqipe kanë më shumë se një kuptim. Fjalët me shumë kuptime quhen fjalë polisemantike (shumëkuptimshme) dhe vetë dukuria gjuhësore quhet polisemi. P.sh. në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, fjala kohë ka 18 kuptime: koha ecën, koha dhe hapësira, kohë e humbur, gjej kohën, koha e mesjetës, iku ajo kohë, në kohën tonë, kohë vape, që nga ajo kohë, e shëron koha, koha e punës, koha lokale, u hap koha, simnfoni në katër kohë, koha e parë e ushtrimit, koha e pakryer, koha e artë. Po veç këtyre, kjo fjalë njeh edhe përdorime të tjera në togje të veçanta fjalësh ose në njësi frazeologjike.

Në vargun e kuptimeve të saj, fjala ka kuptimin kryesor që është më i rëndësishmi. P.sh. fjala kokë ka kuptimin e parë: “gjymtyrë kryesore e trupit të njeriut, që i shërben për të...” Po ashtu kuptimi kryesor i foljes merr është: “e kap diçka a dikë me dorë a me ndonjë send tjetër dhe e heq nga vendi i vet”; fjala erë ka kuptimin kryesor “rrymë ajrore që lëviz në drejtime të ndryshme/ veti e disa trupave që lëshojnë grimca të padukshme, të cilat veprojnë mbi shqisën e të nuhaturit.” Prej këtyre kuptimeve të para janë zhvilluar kuptime të tjera: koka e pushtetit; mori mend nga ai, era e re etj. Në kuptimin e ri ruhet diçka nga kuptimi i mëparshëm, një përbërës kuptimor që i përgjigjet një tipari të përbashkët për gjithë sendet që emërtojnë atë fjalë.

Rreth kuptimit kryesor grumbullohen kuptimet e prejardhura që nuk mund të lindin pa një kuptim qendror. Kuptimet rrjedhin pas njëri-tjetrit dhe nuk kanë fund. Prej tyre lindin kuptime të reja, sipas përdorimeve. P.sh. folja iki: iki në plazh, iku nga fiqiri, iku e mori malet, iki në mesjetë, i iki së keqes etj.

Homonimia

Kur vargu i polisemisë zgjatet shumë, atëherë kalohet në homonimi: fjalë me formë të njëjtë, por me kuptime krejt të ndryshme.

Polisemia dhe homonimia vërtetë janë dy dukuri krejtësisht të ndryshme, por në rrafshin kuptimor dhe në disa ndërtime të prejardhura mund të takohen. Zhvillimi i skajshëm i polisemisë çon te homonimia. Ky kalim është në përshtatje me natyrën e gjuhës dhe në të ndodh edhe kalimi nga një pjesë ligjërate te një tjetër. P.sh. nga emri buzë (në buzë të kuq) kalohet te parafjala buzë (buzë rruge); nga folja kurse (kurse shumë para) te lidhëza kurse (..kurse ai shkoi me makinë...), nga folja do (dua një ëmbëlsirë) te pjesëza do (do blej) etj.

Homonimet kanë ndodhur edhe për shkak të ndryshimeve gjatë zhvillimit historik të gjuhës. Kështu, fjalë që dikur kanë qenë të ndryshme, me kohë janë përputhur nga tingëllimi, por nga përmbajtja leksikore kanë mbetur përsëri të ndryshme. Ka edhe rrugë të tjera: neologjizmat, huazimet, etj.

Homonimet janë përdorur edhe në gjuhën poetike, për t’i dhënë larmi kuptimit të vargut dhe si rrjedhojë, ndjesisë: “Ku shfren me komb e liga, /ku ndeshet kombi i ngritur krejt.” (“Mbi ta”, L. Poradeci)

Gjuhë 361

Homonimet janë:

a) të plota: fjalë që tingëllojnë njësoj, me kuptim krejt të ndryshëm, por që i përkasin së njëjtës kategori leksiko-gramatikore: ballë (pjesë e trupit; njësi matëse e tërmetit), pjek (poqa; takoj), etj

b) të pjesshme: fjalë që përputhen pjesërisht mes tyre, në trajta të veçanta të fjalëve, që zakonisht iu përkasin pjesëve të ndryshme të ligjëratës: p.sh. vesh (emër, organ dëgjimi), vesh (folje, koha e tashme, veta e parë, numri njëjës; hedh një rrobë në trup).

Sinonimia

Sinonimet janë fjalë të ndryshme me kuptim të njëjtë a të afërt. Ato janë një klasë fjalësh shumë e pasur në gjuhën shqipe. Madje në shqip sinonimet shkojnë edhe më shumë se një fjalë: vajzë – cucë – çikë – gocë. Edhe sinonimia ka në bazë njohjen e thellë të dukurive apo sendeve. Kur ndesh të renë, njeriu i jep asaj një emër të parë, një veshje tingëllore të caktuar dhe një kuptim, i cili si fillim është tepër i ngushtë. Me rritjen e njeriut (shoqërisë njerëzore), njohja i zgjeron kufijtë e saj, zbulohen të tjera dukuri apo veti të sendit a dukurisë. Kjo gjë bën të mundur që i njëjti send apo e njëjta dukuri të marrë një tjetër emërtim të ri. Këtu e ka burimin edhe funksioni i sinonimeve, funksioni dallues i përcaktimit të përpiktë. P.sh: tmerr (frikë e madhe), llahtar (ndjesi më e fortë se tmerri).

Kur studiojmë sinonimet duhet vështruar edhe ngjyrimi stilistikor i tyre, konteksti dhe kuptimi i përdorur. Në letërsi ato shfrytëzohen për ta bërë gjuhën të larmishme dhe për të pasur një leksik të pasur. Psherëtiu, rënkoi, qau, vajtoi, dhe logoriti aq sa triumfoi më shpejt se ç’e shkonte nga mendja… (“Don Kishoti i Mançës”, Servantes)

Sinonimet dallohen mes tyre nga këto tipare:

a) nga nuanca kuptimore: vështroj – kundroj – vërej; zonjë – zonjushë; gjalpë – tëlyn; hulumtoj – kërkoj etj.

b) nga ngjyrimi stilistikor: e bukur – perri, fytyrë – surrat, fytyrëvrenjtur – nursëz etj

c) nga aftësia për të krijuar fjalë të reja: p.sh. sos dhe shteroj janë sinonime, por nuk krijojnë togje me të njëjtin kuptim dhe nuk mund ta zëvëndësojnë njëri-tjetirn në togjet e krijuara. P.sh. i soset jeta (por nuk themi i shteroi jeta.), ose kokë dhe krye: themi kokëderr, por jo kryederr; kryefamiljar, por jo kokëfamiljar etj.

Antonimia

Antonimet janë fjalë me kuptim të kundërt. Kuptimi i një fjale duket më i qartë kur ajo vihet përballë me të kundërtën e saj. P.sh, fjala poshtë, merr kuptim përballë fjalës së saj të kundërt lart; vij përballë iki etj. Mbi bazë të këtyre veçorive, antonimet përdoren si mjete gjuhësore në dy drejtime:

a) antonimet shërbejnë si mjete shpjeguese e plotësuese në fjalorë të ndryshëm, dhe në shkollë gjatë shpjegimit të fjalëve e mësimit të gjuhës: për të shpjeguar ndajfoljen nën, shpesh jepet e kundërta e saj mbi;

Gjuhë362

b) antonimet jepen në stile të ndryshme letrare, si mjete shprehëse. Me antonimet ndërtohen antitezat. Noli për shembull e ka shfrytëzuar shumë antitezën: “se të qante kur të qeshnin/ se të veshte kur të zhveshnin”. (Syrgjyn vdekur)

Kur fjalët janë të kundërta në kuptimet e tyre themelore, atëherë antonimet janë të plota. Por ka edhe fjalë që në kuptimet themelore nuk janë antonime, kurse në kontekste të caktuara dalin si të tilla: “Atje sa bukur, këtu sa zi/O Moisi”. (Noli)

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Ç’do të thotë kuptim leksikor i fjalës dhe në sa kategori ndahet ai? Ilustroni me shembuj mendimin tuaj.

2. Ç’është fusha leksikore e fjalës? Cilat elemente të tjera i shtuat fushës leksikore të fjalës kohë?

3. Cilat janë lëvizjet kuptimore të fjalëve? Përse ndodhin ato? Si i grupojmë lëvizjet kuptimore të fjalëve?

4. Si realizohen kuptimet e reja të fjalëve nëpëmrjet ngjyrimeve emocionale? Ilustroni me shembuj argumumentet tuaja.

5. Ç’është polisemia? Si ka lindur një dukuri e tillë në gjuhë? Jepni shembuj polisemie.

6. Ç’është homonimia? Si ka lindur kjo dukuri dhe ku dallohet e afrohet ajo me poliseminë?

7. Tregoni nëpërmjet shembujve lindjen e sinonimeve dhe antonimeve. Përse shërbejnë ato në të folurën e përditshme? Po në letërsi?

8. Veçoni një strofë poezie. Gjeni metaforën në të dhe dalloni fushën leksikore të fjalës që ndërton metaforën. Diskutoni rreth kuptimeve të reja që fitoj ajo fjalë në atë kontekst.

përmes tekstit

Përcaktoni fushat leksikore të fjalëve të mëposhtme: mësues, nxënës, zile, drejtor

trëndafil, i punuar, bel, ujitës, stol

trajner, atlete, kosh, vrap

Shtoni fjalë që i përkasin së njëjtës fushë leksikore: postë lektronike

Gjeni fjalë të veçanta

iu përgjigjen fjalëve

përgjithshme:

Ushtrohuni
9.
______________
____________
____________ 10.
____________________________________ universitet _________________________________________ asteroid ___________________________________________ flamur ____________________________________________ 11.
bagëti ________ ____________ __________ __________ lidhëza _____________ ___________ _____________ ______ rrugë ____________ ____________ __________ pemë ________________________________________ Gjuhë 363

12. Ndërtoni fjali me homonimet e fjalëve të mëposhtme: poqa, shapka, bar, bredh, fik, kurse.

13. Ndahuni në grupe dyshe dhe ndërtoni fushën leksikore të fjalës  mal. Përcaktoni dallimet dhe afritë mes tyre. Vendosini në fjali të konteksteve të ndryshme, për ta patur më të lehtë dallimin kuptimor të fjalës.

14. Gjeni antoniminë tekstuale në këto vargje dhe shpjegoni se si është ndërtuar ajo. Argumentoni shtresimet leksikore që fituan fjalët. Atje nisi, atje pushoi/atje krisi, atje mbaroi (Shpella e Dragobisë, F. Noli)

15. Identifikoni rastet e polisemisë brenda tekstit të dhënë. Tregoni kuptimin e tyre të parë dhe lidhjen polisemike të fituar.

Tavolina rrinte e heshtur. Këmba e saj kishte dalë nga tapeti dhe në buzë dukej cepi i letrës për të cilën ai ende nuk kishte vendosur nëse do ta niste apo jo. Kjo marrëdhënie e çuditshme, i rrihte në kokë si çekan dhe i zbehte dritën e mendimit.

16. Lexoni tekstin e shkëputur nga romani “Kronikë në gur” (I. Kadare) dhe gjeni fjalë që i përkasin fushës leksikore të fjalës  shi. Bëni një klasifikim të tyre. Çfarë vini re? Cilës klase fjalësh u përkasin? Cilat janë mjetet që përdoren për ngjyrimin emocional të fjalëve?

“E merrja me mend se si pikat e panumërta rrokulliseshin tani në faqet e pjerrëta të çatisë sonë, duke shpejtuar të binin sa më parë në tokë, që pastaj të avulloheshin dhe të ngjiteshin prapë atje lart, në qiellin e bardhë. Ato nuk e dinin se në strehët e çatisë i priste një grackë e panjohur, qyngji prej llamarine.

Tamam në çastin kur bëheshin gati të kërcenin nga çatia në tokë, pikat e shiut gjendeshin befas në qyngjin e ngushtë, bashkë me mijëra e mijëra shoqe të tjera, që pyesnin të frikësuara: ‘Ku po shkojmë kështu, ku po na çojnë?’ Dhe, pa e mbledhur veten mirë nga ky vrap i çmendur nëpër qyngj, binin papritur në një burg të thellë e të errët, në sternën e madhe të shtëpisë sonë.

Kështu merrte fund jeta e lirë dhe e gëzuar e pikave të shiut. Atje, në sternën e errët e të shurdhër, ato do të kujtonin pastaj me pikëllim hapësirat qiellore, që nuk do t’i shihnin më kurrë, qytetet e habitshme poshtë tyre dhe horizontet plot me vetëtima.

Vetëm unë ndonjëherë, duke luajtur, do t’u dërgoja me anë të pasqyrës një copë qiell të vogël sa një pëllëmbë, që do të lodronte mbi gjirin e ujit, si një kujtim i shkurtër i qiellit të madh.

Ato do të kalonin shumë ditë e muaj të mërzitshëm atje poshtë, derisa nëna ime t’i nxirrte me kovë, pas shumë kohe, të hutuara e të shushatura nga terri, për të larë pastaj me to rrobat tona, shkallët dhe dyshemetë e shtëpisë.

Por tani për tani ato nuk dinin asgjë. Tani ato vraponin tërë gaz e bujë nëpër pllakat e gurta të çatisë dhe, duke dëgjuar zhurmën e tyre, unë u qaja hallin.”

17. Tani lexoni me zë tekstin. A fiksuat fjalë polisemike nga teksti në të dëgjuar? Cilat janë ato? Gjatë procesit të të dëgjuarit, a i dalloni fjalët e së njëjtës fushë leksikore? Pse ju ndodh kjo?

Sfida e të shkruarit

18. Ndahuni në grupe dhe ndërtoni fusha leksikore për mjedise shumë të dashura për ju.

19. Gjeni disa fjalë të urta për patriotizmin dhe ndërtoni fushat leksikore të kësaj fjale. Shpjegoni ngjyrimin e tyre emocional, duke nxjerrë në pah mjetet që janë përdorur.

Gjuhë364

Ali Podrimja

Ali Podrimja lindi më 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1966, filloi punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976, në edicionin e botimeve “Rilindja”, udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe Letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Filloi të merrej me shkrime qysh i ri. Poezinë e parë, “Arabja” e botoi në revistën “Jeta e re”, nr. 4, 1957. Po kjo revistë, në vitin 1961 botoi edhe librin e tij të parë “Thirrje”. Ky libër, me përkthim të poetit Esat Mekuli, u botua edhe në gjuhën serbokroate (1968). Pos poezive, Podrimja shkroi ese dhe tregime. Ai është nderuar me vlerësime të shumta letrare dhe librat e tij janë botuar, ribotuar e përkthyer në disa gjuhë. Podrimja ndërroi jetë më 21.07.2012, në Lodève të Francës, teksa merrte pjesë në festivalin e poezisë Voix de la Méditerranée. Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” (1961) , “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969) , “Torzo” (1971), “Folja” (1973), “Credo” (1976), “Sampo 2” (1980), “Drejtpeshimi” (1981), “Lum Lumi” (1982), “Fundi i Gëzuar” (1988), “Zari” (1990), “Në bisht të sorrës” (1994) , “Buzëqeshje në kafaz” (1995), “Ishulli Albania”, “Pikë e zezë në blu” (2005) etj.

Podrimja, përmes artit të tij poetik, shkrin lirikën e tij intime me fatin kolektiv të të gjithë kombit. Shumë prej poezive të Podrimjes kanë në qendër etninë shqiptare dhe, për shkak të kësaj qasjeje, ka fituar edhe cilësimin si poet kombëtar. Poezia e Podrimjes cilësohet nga studiuesit si një poezi moderne për natyrën e saj metaforike, simbolike dhe eliptike. Përmasën simbolike të poezisë e pranonte dhe vetë poeti, i cili shprehej: “Poezia ime është një pyll simbolesh, siç ka thënë një kritik, por aty shumë lehtë mund të hyhet; mjafton të ndalesh dhe të shfletosh historinë e popullit”. Gjuha e poezisë synon të shprehë mendimin, por duke e errësuar disi kuptimisht atë. Vargjet e poezisë janë vargje të lira dhe shpesh pa shenja pikësimi apo shkronja të mëdha, që do të diktonin mënyrën e leximit të poezisë, të përjetimit të saj dhe të zbërthimit të kuptimit. Ndryshe nga vargjet e poezisë tradicionale, që kanë sintaksë të rregullt, vargjet e poezisë së Podrimjes kanë thyerje të brendshme (si ndërprerje mendimi) dhe thyerje të jashtme nga pikëpamja formale.

Podrimja parapëlqen të eksperimentojë me llojet e vargjeve dhe rimat e brendshme, të cilat i realizon me anë të epanastrofave (përsëritjes së fjalës së fundit të një vargu në fillim të vargut vijues), aliteracioneve (përsëritjes së tingujve të njëjtë a të ngjashëm brenda një vargu), anaforave (përsëritjes të së njëjtës fjalë në fillim të dy a më shumë vargjeve) etj. Veçanërisht këto të fundit janë tepër të pranishme në poezitë e Podrimjes. Sa iu takon rimave të jashtme, duket se poeti nuk u kushton tepër rëndësi, sepse ai nuk do që t’i kufizohet apo t’i mbytet mendimi në ngrehinën e poezisë. Gjithsesi, kjo nuk

Letërsi
Letërsi 365

do të thotë se rimat e jashtme mungojnë tërësisht. Podrimja i shkruan poezitë e tij përgjithësisht në shqipen e njësuar letrare, por ai përdor dendur fjalë të gegërishtes, të cilat kanë vlera stilistike dhe ngjyresa emocionale të spikatura. Në poezitë e veta, poeti shpesh ndalet te lidhja shumë e qenësishme që ai ka me gjuhën amtare.

Në poezinë “Gri”, Podrimja e cilëson shqipen si gjuhën me të cilën do të flasë me perënditë edhe përsëvdekuri. Ndërsa fjalën, si akt krijimi, e konsideron alteregon e tij të përjetshme:

nëse s’flas jeta ime s’ka qetësi

fjala ime bëhu UNË (Metafora e jetës sime)

Përmes poezive intime, të cilat kanë në qendër unin poetik, por edhe personin Ali Podrimja, poeti përsiatet në vetë të parë për filozofinë e tij për jetën, për parimet dhe vlerat universale, në të cilat beson dhe sipas të cilave do ta shkojë jetën e tij. Të tilla janë: drejtësia, ndershmëria, guximi, trimëria, besimi në njeri (si besim tek e njerëzishmja), dashuria etj. Një poezi e këtillë është “Nuk pranoj se kam jetuar”, ku poeti shprehet: po qe se u frikësova të zgjoj rrugën e verbërt po qe se nuk dita ta kurdis orën në Kullë po qe se nën hijen time strehohen ujq gjarpërinj po qe se barin e keq nuk e herra para derës po qe se nuk dita të lind e të vdes siç mësova po qe se dheut brodha dele e zezë po qe se lë varre e turp po qe se nuk guxova ta them fjalën nuk pranoj se kam jetuar Në poezinë e titulluar “Secili udhëtar përshëndet në mënyrë të vet”, Podrimja shpalos qasjen humaniste që ai ka ndaj njerëzve që takon në jetë: Secili udhëtar në botë përshëndet në mënyrë të vet -- secili prej nesh.

Kurse unë gjithmonë kam menduar njerinë ta përshëndes me një buzëqeshje më të nxehtë.

Në disa raste Podrimja i shumëfishon referencat ndaj unit poetik në poezi. Kësisoj, Podrimja shfaqet i trefishtë: Podrimja si autori-poet, Podrimja si uni poetik që rrëfen në vetë të parë dhe Podrimja si heroi lirik, që përmendet nominalisht në poezi. Kështu ndodh, për shembull, në poezinë “A gjuhen pëllumbat”:

Është rrenë e kulluar se unë Ali Podrimja jam qytetar i rendit të dytë në Planetin Ka Ka

Rasti më i veçantë është ai i poezisë “Kur do flasësh o Ali Podrimja”, ku poeti e trajton Ali Podrimjen si tjetrin, të cilin e pyet pse hesht dhe beson ende në njeri, ndonëse identiteti

Letërsi366

i cenohet prej falsifikimeve; ndonëse historia, kultura, ritet, gjuha i përbalten; ndonëse ekzistenca etnike i është kërcënuar e vijon t’i kërcënohet; ndonëse vendi i tij përjeton kataklizmin, ndonëse për të huajt ai është hiçgjë më tepër se një emër:

Në Evropën mondane je albanais arbëresh në Itali në Greqi arvanitas arnaut në Turqi hamdurlah në Amerikë mish konservash e asgjë tjetër e asgjë tjetër.

Poezia i ngjan në fakt një dialogu me vetveten, një përpjekjeje për të kuptuar në çfarë raportesh qëndrojnë besimi e humanizmi dhe rezistenca (sepse poeti kurrë s’e ka kthyer shpinën na shikon në sy dhe përbihesh / shpinën pa na kthyer asnjëherë o Ali Podrimja). A duhet besuar ende te njeriu, ndonëse e keqja ka kapluar çdo gjë që i jep kuptim ekzistencës? Gjithë dhimbja, gjithë vuajtjet, gjithë tmerret e kanë topitur apo e kanë mbytur Ali Podrimjen? Ai ende s’e di dhe prapëseprapë pyet vetveten:

Por por

Kur do të flasësh o burrë i dheut Apo më parë duhet të lindësh

Kulmin tënd ç’e mbulojnë myshqet.

Shumë prej poezive të Podrimjes janë shkruar në vetë të parë dhe në raste të tjera janë dialogjike (përdoret veta e dytë ti) për të shprehur konfliktin, ngarkesën emocionale ose problemin dashuror, familjar, social a etnik.

Edhe në poezitë e shkruara në vetën e tretë, poeti nuk e largon veten nga objekti, dukuria apo personi për të cilin shkruan, sepse çdo portretizim poetik ngrihet mbi perceptimin e tij personal. Të tilla, për shembull, janë poezitë që iu kushtohen vendeve, qyteteve apo personaliteteve, që janë referenca të fuqishme historike e kombëtare: Skënderbeu, Kruja, Rozafati, A do ta shoh Shkodrën? Aletë e Korçës, Kulla e Balshajve, Drenica, Atdheu i mbërthyer në Arkë (Martin Camajt), Hora e Arbëreshëve (Skiro di Maxhios), Kush do ta vrasë ujkun (F. Altimarit), Te De Rada në Maki, A ju dëgjon harrimi (Poetëve arbëreshë), Fusha e Atikës (Idriz Ajetit), Loja e pakryer (A. Pashkut), Ndjenja (F. Arapit) etj. etj.

Motivi i etnisë

Motivi i etnisë, i lirisë dhe i Kosovës janë tri motive të kudogjendura në të gjitha vëllimet poetike të Podrimjes. Poezia e tij shpall hapur angazhimin e tij kombëtar, ëndrrën dhe dëshirën e thekshme për liri, plagën dhe lëngimin për Kosovën e robëruar.

Motivi i etnisë shpërfaqet përmes një sërë simbolesh, si guri¸ Kulla, fyelli Në mesin e simboleve mbizotërues është simboli i gurit, që është edhe elementi përbashkues e lidhës i ngrehinës së sistemit poetik të Podrimjes, përveçse edhe titulli i një cikli poetik. Guri shenjon etninë (Ç’guron guri në gurinë / gur guri ndrë gruë më i gurti // gur i gurëzuar pranë gurit / gurth i guruar rreth gurit // guron guri në gurë gurësh / guro guroje gurin në gurinë // ç’gur pranë gurit gur guri // vrimë e parë e fyellit tim – “Ç‘guron guri”); të

Letërsi 367

jetuarit shqiptarisht (lashë asht lashë lëkurë / vura një gur në Kullë // në Kullë mbylla / një yll – “Droja”); identitetin e patjetërsueshëm, vazhdimësinë dhe rezistencën (merreni këtë gur // pagëzoni ose lëreni pa emër / kohën ndërroja klimën // pa tokë lëreni pa qiell // merreni këtë gur e hidheni/ ku të doni // fortësia e tij na përjetëson – “Merreni këtë gur”); origjinën e hershme (e në kohën e karafilave / koha e gurit / fillon).

Motivi i etnisë shfaqet edhe përmes poezive që kanë në qendër shqiptarin, historinë e tij kombëtare dhe fatumin e copëtimit etnik. Në poezinë “Shqiptarët”, Podrimja shkruan: por ata kishin diçka që kurrë s’mund t’ua zbulojë i madhi jetonin gjatë dhe kur vdisnin

vdisnin/duke kënduar oi oi oi te koka u mbinte nga një rrap çarë më dysh.

Ndërsa në poezinë “Me qenë”, poeti i referohet fatumit të përndjekjes nga armiqtë (qen) dhe fatit të mbrapshtë të pashmangshëm, që i ka zënë shqiptarët: Të jesh shqiptar e ndonjë qen të mos të të ndjekë deri në varr e pamundur është

shqiptar të jesh botën varr të mos e kesh e pamundur është e pamundur. Në një tjetër poezi, “Pazari i vdekur”, shpallet autoktonia e shqiptarëve përmes vargut: Shqiptarët / nuk kanë zbritur. Duke e pasur etninë dhe shqiptarinë lajtmotiv të poezisë së vet, pa dyshim që Podrimja shkruan shumë edhe për atë pjesë të trojeve shqiptare të ndarë nga shteti amë në mënyrë të padrejtë, ose të ikur larg, si në rastin e arbëreshëve të Italisë.

Simbolikisht, trojet e ndara ose komuniteti i migruar shenjohen nëpër poezi si litar i këputur (Ç’më la ai vrapi / Oh ç’m’u këput litari te Guri i Prevezës / Joni ynë / Mjerë / U, urënë poezinë “Ura e Artës” me një krah në qiell e një në mishin tim), pyll i prerë (në poezinë “Rekuiem për pyllin e prerë”), lis i vrarë (në poezinë “Fluturim i përgjakur”: Nën Lisin e vrarë të Dodonës / Mbështillet Gjarpri / Trupit të Çamërisë).

Motivi i lirisë

Motivi i lirisë shfaqet në poezi herë si gjakim i pandërprerë, herë si ëndërr e vizion (Anjë pikë loti / Nëse shkuam apo / Vetëm këndonani / E përjetuam lirinë / edhe nga brenda - “Shikimi nga dritarja”) e herë të tjera si lament (ankesë) për mungesën e saj ose për vullnetin për ta arritur atë (“Liria është e tmerrshme”, “Lament për lirinë e njeriut”):

Falënderoj

Evropën Demokratike

Aparteidin Kosova që krijoi

Ja Afrika ime e bardhë

Imazh neveritës

Qytetërimi

Dorë të çojë dhe Zoti

Falënderoj dhe qeverinë serbe që ma mëson gjuhën e hazarëve

Dhe gjumë të rehatshëm i uroj popullit tim Që më bën të vuaj për Lirinë e Njeriut

(“Lament për lirinë e njeriut”)

Letërsi368

Motivi i Kosovës

Në sistemin poetik të Podrimjes spikat motivi i Kosovës, që nuk është vetëm referenca gjeografike e kontekstit ku Podrimja shkroi, por edhe toposi letrar i trashëguar nga poetët pararendës apo bashkëkohës të Podrimjes, si Shkreli apo Dedaj. Kosova e lirë është njëherazi ëndrra dhe dhimbja më e madhe e Podrimjes dhe e të gjithëve atyre që janë gjallë dhe atyre që kanë rënë për të:

Nuk vdiset në Kosovë

Vetëm njerëzit shndërrohen Në rrënjë në degë të një peme

Kur të shfaqet Djalli

Të përgjaket

Ose të bjerë

("Ato nuk janë varre")

Motivin e Kosovës e hasim në shumë e shumë poezi, mes të cilave edhe te: “Magjia e Kosovës”, “Beteja e Kosovës”, “Atdheu Dhembje”, “Pa folje” etj. Por, si kryepoezi të Podrimjes ngritur mbi këtë motiv janë poezitë emblematike, me të cilat identifikohet gjerësisht poeti Ali Podrimja: “Një natë nga netët pa gjumë”, që jep kushtrimin “Zgjohu Kosovë! / Zgjohu nëna ime e dashur!” dhe poezia “Unë, biri yt”: Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura, t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;

ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta e të shpërthejë do si vullkan –

më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.

("Unë biri yt") Motivi i Kosovës, motivi etnik dhe motivi i lirisë shpesh në poezinë e Podrimjes përbëjnë tematikën e letërsisë së angazhuar politike. Të tjera poezi që i përkasin kësaj tematike janë: “Evropa përmes grilave”, “Shoferët e vdekjes”, “Loja e pakryer” etj. Natën e mirë Kosovë

Vdekja vazhdon të këndojë në Sarajevë

Dhe kokë të prera njerëzish

T’i vijnë peshqesh Evropës së fjetur

(“Në mbarim të shekullit”)

Lirika personale Dashuria si akt qëndrese

Fati i të dashuruarve nuk mund të kuptohet dhe as të poetizohet i shkëputur nga referenca historike. Sfida jetësore e të dashuruarve është më shumë se sfidë e uljengritjeve të përjetimeve emocionale të brendshme. Sfida e të dashuruarve në poezinë

Letërsi 369

e dashurisë

së Podrimjes është qëndresa ndaj fatit të vështirë që i ka rënë atdheut, ose fatit të keq që e ka zënë familjen. Po ashtu, poeti nuk e ndan dot se kë ka më të madhe: dashurinë për vendin e tij apo për të dashurën e zemrës. Këtë dyzim e hasim në disa prej poezive të tij:

Ti, që syt’ i ngjyve në syt’ e Metohisë sime

At ditë, kur të thashë: – Të due, e dashtun, Por nuk di ken ma shum, ty apo Metohinë! (“Iliriana”).

E ti ende po më mat n’udhëtimin tonë, ti që sytë i ngjeve në sytë e kësaj toke atë ditë kur të thashë: të dua e dashur, por s’di kë më shumë – ty apo Kosovën. (“Në udhëtim edhe një dashuri”).

Për të ilustruar konceptimin poetik të dashurisë te Podrimja, mjafton të shohim disa nga vargjet e poezisë “Gjumë të mirë e dashur”:

Po qe se ke guxim Çil kapexhikun ta shoh fytyrën hënë të rrumbullakët

Murin e rrënoj unë Dhe minjtë dhe gjarpërinjtë dhe ujqit nuk do t’i zërë vrimë e zezë e Dheut

Vetëm Çelësi është tek ti Në perlat e tua dikund gjumë të mirë e dashur Të lodhi kolla.

Në këtë poezi, e dashura duhet të tregojë në ka guxim të çelë shtëpinë, të ketë besim te burri i saj se do t’i tejkalojë të gjitha vështirësitë, do t’i mposhtë të këqijat dhe armiqtë, mjaft që ajo të ketë dëshirë dhe guxim për t’u përballur me çdo gjë të keqe. Poezia ndonëse është poezi dashurie përshkruan një mjedis të tmerrshëm frikëndjellës, aspak tipik dhe larg idealit romantik, por përkundër këtij mjedisi, dyvargëshi i fundit e ka të sintetizuar gjithë ngarkesën emocionale dashurore dhe empatinë e dhembshurinë e heroit lirik: gjumë të mirë e dashur Të lodhi kolla.

A është thënë gjithçka për dashurinë?

Në vëllimet e mëhershme poetike, Podrimja i këndon më dendur dashurisë, ndarjes dhe kujtimeve. Për Podrimjen, dashuria është universale, ajo gjithmonë vjen / sapo harrojmë të dashurojmë / dhe kurrë s’është vetëm e sotme (“Fjalë për dashurinë”). Për poetin, dashuria dhe e bukura si kategori estetike, qëndrojnë përherë bashkë, sepse siç shkruan ai: Krejt ç’është e bukur / për dashurinë / ende s’është thënë dhe po ashtu krejt ç’është e bukur / mbetet përherë e pathënë, / e kërkuar në jetë. Prapëseprapë, sfida më e madhe për poetin është që ta shpëtojë dashurinë nga fjalët:

Trimëria ime më e madhe: Dashurinë ta shpëtoj nga Fjalët Duhet dhëmbët t’ia ndërroj Dhe kohë tjetër t’i krijoj

"Jeta mes fjalëve", pikturë nga Soey Milk
Letërsi370

Nëse në poezitë e kohës së rinisë së poetit ka më tepër intensitet ndjenjash, poezia e dashurisë me kalimin e kohës fillon e bëhet reflektive:

Fjalët e humbën fuqinë magjike për dashuri të reja jeta është tepër e vjetër kur kurrkush më s’mendon me kokë të vet (“Për dashuri të reja jeta është tepër e vjetër”)

Poezia intime e dhimbjes (vëllimi poetik “Lum Lumi”)

Podrimja e ka tejçuar gjithë dhimbjen e tij jetësore në poezi dhe jeta e ka sprovuar jo pak. Jo thjesht me dhimbjen për fatin e Kosovës e të etnisë së tij, por edhe me dhimbjen tragjike familjare. Një prej cikleve poetike më të fuqishme në korpusin e tij poetik është cikli kushtuar të birit, Lumit, i cili vuajti e ndërroi jetë prej një sëmundjeje të pashërueshme.

Sublimimi që Podrimja i bën dhimbjes për vuajtjen dhe fatin e Lumit, e ka bërë atë të pavdekshëm si referencë letrare; e ka ndihmuar vetë poetin ta kanalizojë letrarisht dhimbjen e tij, duke krijuar tekste poetike të jashtëzakonshme. Vargjet kushtuar Lumit shndërrojnë në art të pavdekshëm, duke e estetizuar dhimbjen, rëndomtësinë e një dhome spitali, shëmtinë e intrigave dhe egërsinë e armiqve, kobin e vdekjes. Shpesh, poezitë kanë tone atërore moralizuese për parimet morale dhe etike të një jete të dinjitetshme, të ngjashme me ato të poezisë “Në mundsh” të Kiplingut.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët Mjeshtëria e tyre: gjuajtja në gabime dhelpëria

Ti mëso të duash vogëlush Ti mëso të ecësh me këmbët e tua Mbi të keqen mbi të mirën mendo me kokë tënde Kurrë mos pështyji në dashuri mallkim i fisit

Shkolla jote antike: të dish të çelësh derën e shtëpisë në çdo kohë të dish të thuash fjalën kur duhet thënë

SHPJEGIMI I DHEMBJES SIME

Libri “Lum Lumi” ka mbi tri dekada që shkruhet edhe pse ka përjetuar disa botime. Idetë, mesazhet, figuracioni dhe elementet e tjera shprehëse më kanë nxitur t’u rikthehem disa poezive, të cilat kanë pësuar redaktim të thellë, të kenë tjetër sistemim në libër, si dhe të nxjerr në pah eliptizmin, veti cilësore në poezinë moderne. Poezia është një udhëtim drejt së panjohurës, ka thënë një i urtë. Shkrimi i saj është punë sizifi. Nuk lind kur ne duam. Latohet derisa ta vjelë maksimumin nga fjala. Për të gjallë të autorit, krijimi është qenie e “gjallë”, lëvizëse. Shkaku i një fjale, figure a strofe, autorët shpesh u kthehen teksteve. Edhe në Letrat shqipe ka shembuj. Poezia konsiderohet diçka hyjnore, ngërthen në vete edhe misterin. Vlerën nuk e përcakton sasia. Mbahen mend poetë edhe për një poezi. Ajo që nuk vdes, të vë në veprim vazhdimisht. Lumi nuk simbolizon vetëm fatin e tij tragjik. Aventurën time të bezdisshme në kërkim të sublimes nuk ia kam borxh vetëm kësaj qenieje... Nuk i kam respektuar disa trajta të gjuhës standarde. Kam dëshiruar të “shpirtëroj” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin...

Ulpianë, 15 janar 2003 (Shënim i poetit në ribotimin e katërt të veprës “Lum Lumi”)

Fryma e porosisë morale, tipike prindërore për fëmijën, haset shumë shpesh, edhe në mes të të gjitha problemeve shëndetësore. Në poezinë “Me jetue”, Podrimja i thotë Lumit se kryesorja në jetë është që ai të jetojë dhe “gurin” ta hedhë më larg, çka do të thotë të bëjë më përpara se i ati në jetë.

Poezitë e vëllimit “Lum Lumi” shpesh ndërtohen në formë dialogu me Lumin dhe përmbajnë pyetje retorike, që ia shtojnë emocionin vargut:

Letërsi 371

Tërë jetën do të na vijë era jod sëmundje vdekje gjak vrerë do të pështyjmë T’i dezinfektojmë tërë jetën plaçkat ëndrrat fjalët?

Edhe këtë ditë ta kalojmë në Spital?

Nëse poetët modernë përjetojnë dilemën e ekzistencës personale dhe shkruajnë për të, dilema e Podrimjes është ekzistenca dhe mbijetesa e të birit. Dhe kur e sheh që shpresat mpaken, poeti zë e vë kujën. Efekti i vajtimit përftohet përmes detajeve rrëqethëse të vuajtjes nga dhimbjet, të tjetërsimit fizik të Lumit, të atmosferës mbytëse spitalore. Me ikjen e Lumit nga jeta, Podrimjes i mbetet të jetë qëndrestar përmes vargjeve të tij, që synojnë të arrijnë sublimen e ta bëjnë të paharrueshëm kujtimin e Lumit të tij.

STUDIM TEKSTI

Kuptoni tekstin

1. A ndryshon poezia e Podrimjes nga poezia tradicionale?

2. Çfarë raporti ka Podrimja me gjuhën amtare?

3. Cilat janë vlerat dhe parimet universale te të cilat beson Podrimja? Në çfarë mënyre përsiatet ai rreth tyre?

Cilat janë motivet kryesore të poezisë së angazhuar të Podrimjes?

5. Si shfaqet motivi i lirisë në sistemin poetik të Podrimjes?

6. Çfarë shenjon simboli i gurit në sistemin poetik të Podrimjes?

Diskutoni se në çfarë mënyre letrarizohet dhimbja e poetit në vëllimin “Lum Lumi”?

8. Cilat janë disa nga porositë që poeti i jep Lumit dhe a përkojnë ato me parimet dhe vlerat humaniste, për të cilat ai shkruan se i ka ndjekur gjatë jetës?

Ushtroni mendimin kritik

9. Motivi i Kosovës, mendoni se është një motiv që haset së tepërmi në veprën e Podrimjes për shkak të kohës kur ai i shkroi poezitë e veta apo ka të bëjë me prirjen e tij personale për të pasur një angazhim kombëtar?

10. Gjeni në letërsinë shqipe të paktën një rast vepre letrare, në të cilën fati i vendit e i kombit kushtëzon fatin e heroit lirik dhe të raporteve të tij dashurore?

11. Argumentoni pse Lum Lumi është shndërruar në një Wpersonazh shumë të rëndësishëm në letërsinë shqipe.

4.
7.
Letërsi372

A. Podrimja

ILUSTRIM LETRAR

Dashuria

Koha është të duhemi

Të kesh besim në mua kur të them: trime Të kem besim në ty kur më thua: trim Për kokën time kryeneçe shumë kurtha ngrite

Babai yt e fisi shumë pushkë zbrazi

Njëmijenjë të zezë kurdise të ma nxije pritën e nën një kulm banonim Me ditë më peshove nga frëngjia

Në hijen e Kullës lexoja Shekspirin me vite

U fishkëlloja deleve buzë Drinit telartë Sharrit

Ma ruaj syrin dashuria ime komitët na bezdisin vrastarë

Dorën ma zgjat Uji i Madh gërryen Bregun

I huaj nuk jam as vij nga Tokë e Vdekshme

Në fund të livadhit të kositur e sheh yni është kali i bardhë

Shikomë në sy lëri sharjet fjalët gjaqet do e sjell lulen nga palcë e gurit në Kullë llambën do e ndez do e hedh farën në tokën e shpërpushur

Kur të deshta çoje dashuri pas shtatë katundeve e të rënat të forta i kishe kur më deshte bëja dashuri me një grua të marrë e mëhalla jetonte nga shpifjet

Na iku jeta trime e nuk menduam pakëz edhe për vete Koha është të duhemi

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në vargjet e para, heroi lirik pohon një ndjesi reciproke të domosdoshmërisë për dashuri të forta, është fjala për ndjenjën e besimit. Përse këtë ndjenjë e lidh me cilësinë e trimërisë? Si ndërthuren këto dy koncepte me dinjitetin?

2. Poezia sjell një atmosferë tipike malësore me disa nga traditat patriarkale, ku natyrshmëria e vargjeve përcjell kodin e lashtë të maleve, kodin e gjakmarrjes. Kthehuni në tekst dhe ilustroni vargjet ku shfaqet ky kod.

3. Në vargje thuhet: “Në hijen e Kullës lexoja Shekspirin me vite”, duke sjellë në përjetimin e heroit lirik një nga këngëtarët më të mëdhenj të dashurisë. Si tingëllon përqasja e Shekspirit me Drinin dhe malet e Sharrit? A është ndjesia e dashurisë sublime kudo? Ç’përmasë i jep natyra dashurisë?

Letërsi 373

4. Heroi lirik flet me kode: detaje që tregojnë forcën ku do të rritet e ardhmja e kësaj ndjenje: syri, kali i bardhë, lulja, llamba, fara, toka e shpërpushur. Si e kupton lidhjen e fushës semantike të këtyre fjalëve? Ku të çon kjo bashkësi semantike? A lidhet ajo me konceptin tonë mbi familjen? Nëse po, shpjegoni detajet e përdorura.

5. Pasi ta keni lexuar fundin e mrekullueshëm, kuptoni se heroi lirik nuk e ka të thjeshtë dashurinë. Në cilat vargje shprehet kjo gjë? Cili është pengu i tij?

Nga teksti te ndërtimi

6. Poezia është ndërtuar si një bashkëbisedim me një njeri të dashur. Si arrin ky ndërtim të krijojë dialog, ndërsa bashkëbiseduesi është i munguar? A e ndihmon këtë kalimi nëpër veta të ndryshme?

7. Në ndërtimin e vargut është përdorur figura e bartjes: vargu thyhet dhe pjesa e mbetur e togfjalëshit kalon në fillim të vargut të ri, pra sintaksa ndërpritet te një varg, për të kaluar te vargu tjetër. A e cenon ky përdorim kuptimin? Jepni mendimin tuaj se përse e ka bërë këtë ndërtim autori.

8. Poezia ka një numër të pafund figurash stilistike, por në mendje të mbeten metaforat, të cilat të kujtojnë si metaforat e eposit, ashtu edhe metaforat e poezisë moderne. Argumentoni se cilat metafora takojnë me eposin tonë dhe cilat me poezinë moderne. Mendoni se ky lloj ndërtimi metaforik ia shton edhe më shumë shprehësinë poezisë? Pse?

9. Vargu i kësaj poezie nuk është as i matur e as krejt i lirë. Ai ka një ritëm të brendshëm, tek i cili rregullatori është theksi i fjalës brenda vargjeve. Gjeni fjalët që theksohen më shumë brenda secilit varg. Përputhja e theksave të tyre do t’ju tregojë kadencat ritmike.

10. Nisja dhe mbyllja e poezisë me të njëjtin pohim (Koha të duhemi), i jep poezisë një mëdyshje të lirisë së gjykimit të lexuesit: si mendoni ju, ky lloj ndërtimi është përmbyllje e fjalës poetike apo grishje për të vijuar lexuesi me ndjesitë? Nëse keni ide të tjera, diskutojini ato në klasë.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në vargjet: “Të kesh besim në mua kur të them: trime / Të kem besim në ty kur më thua: trim”, dallojmë dy figura njëherësh: anaforën dhe epiforën. Qëllimi i këtij përdorimi është theksimi i fjalës që përsëritet. Cilat janë kuptimet që i bashkojnë këto fjalë? Si lidhen kuptimet e fituara me kuptimin parësor të fjalëve besim dhe trim?

12. Vargu: “Dorën ma zgjat Uji i Madh gërryen Bregun”, tregon: mundimin shpirtëror që përjeton heroit lirik; dëshirën për të shkuar te deti; uji i madh antropomorfizohet dhe përdoret si figurë për të shenjuar të dashurën; në vargun: “Uji i madh gërryen bregun”, realizohet një paralelizëm figurativ nga vënia ballas e një gjendjeje të natyrës me gjendjen shpirtërore të heroit lirik.

13. Heroi lirik ka një mënyrë shumë të sofistikuar për të treguar vëmendjen, si element kyç që lidh një dashuri: Me ditë më peshove nga frëngjia. Folja peshove përmbledh disa folje brenda: vështrove, mate, kureshtove, vlerësove etj. Mendoni se metafora do të kishte po të njëjtën fuqi, nëse do të përdorej vetëm një nga këto folje? Pse?

14. Në vargun: “në Kullë llambën do e ndez”, fjala kullë është shkruar me të madhe. Kjo do të thotë që ajo merr një shprehësi të dyfishtë. Cilat janë këto shprehësi? Lidhe mendimin tënd me

Letërsi374

nocionin tradicional të kullave në malësitë ku jetojnë shqiptarët. Më pas fokusoje te koncepti i kullës si simbol i familjes.

15. Në gjuhën shqipe, nocioni i kohës është shumë i gjerë. Po kaq të larmishme janë edhe kuptimet leksikore të fjalës kohë. Konsultoni Fjalorin e gjuhës shqipe. Kuptimi emocional dhe filozofik që merr kjo fjalë në këtë lirikë, a ndeshet në Fjalor? Argumentoni shprehësinë e saj duke iu referuar vargut: Koha është të duhemi. Nga teksti te gjuha në përdorim

16. Në vargun Njëmijenjë të zezë kurdise të ma nxije pritën, folja nxije fiton një kuptim shumë më të thellë kur përdoret pranë trajtës së shkurtër ma. Si lidhet imazhi i ngjyrës me imazhin që përcjell kundrinori i zhdrejtë? Po folja kurdise me cilën nuancë kuptimore e forcon këtë lidhje?

17. Në poezi janë përdorur shumë toponime, të cilat tregojnë jo vetëm rrënjët e autorit, por edhe e vendosin heroin lirik në një mjedis të caktuar. Kthehuni në tekst dhe identifikojini ato. Pse mendoni se autori i ka përdorur me kaq detaje? A lidhet kjo me motivin e poezisë?

18. Në strofën e pestë, heroi lirik përballet me dy ndjesi nëpërmjet dy fushave leksikore që krijojnë antitezë në përfytyrimin poetik të lexuesit: nga njëra anë janë sharjet, fjalët, gjaqet dhe, nga ana tjetër, lulen, llambën, farën. Në grupin e parë fjalët janë përdorur në shumës, ndërsa në të dytin në njëjës. Tregoni pse në këtë kontekst secili grup krijon një fushë semantike. Çfarë peshe kuptimore merr përdorimi i shumësit në grupin e parë dhe i njëjësit në grupin e dytë?

19. Diskursi i heroit lirik është i mbështetur në dy kohë: të tashmen dhe të ardhmen. Si lidhet ky tip ndërtimi i brendisë poetike me kohët e një dashurie? Po me kontekstin e atmosferës patriarkale zakonore të shqiptarëve?

20. Pas këtij udhëtimi në gjuhën e tekstit, rilexoni strofën: Kur të deshta çoje dashuri pas shtatë katundeve / e të rënat të forta i kishe / kur më deshte bëja dashuri me një grua të marrë / e mëhalla jetonte nga shpifjet / Na iku jeta trime e nuk menduam pakëz edhe për vete / Koha është të duhemi. Në këtë përdorim vërejmë fjalitë kohore, të ngjashme shumë me përdorimet folklorike. A dalloni tjetër element folklorik në këto vargje? Si e thyejnë këtë vijueshmëri folklorike dy vargjet e fundit? Lidheni përgjigjen tuaj me thyerjen e mentaliteteve për hir të jetës, dashurisë. Nga teksti te reflektimi

21. Kjo poezi na tregon se sa e vështirë është të dashurosh. Mendoni se pengesat më të mëdha janë jashtë dashurisë? Nëse po, cilat janë ato?

22. Populli shqiptar i ka kënduar dashurisë, por në jetë nuk e ka pranuar lehtësisht atë. Reflektoni ndaj pengut të poetit. Lidheni atë me Kanunin. A mendoni se ende jetojnë këto ligje të pashkruara? Si mund ta ngushtojmë hapësirën e influencës së tyre?

23. Në vargje përmendet Shekspiri. A i jep fuqi letërsia dashurisë? Si e përcjell ajo këtë forcë, nëpërmjet modeleve apo ndjesive që përcjell? Apo të të dyjave bashkë? Po arti në tërësi, a e ushqen dashurinë?

24. Dashuria për të cilën flet heroi lirik, në fakt, është e lidhur me familjen, fëmijët, jetën. Argumentoni që ky lloj perceptimi është shprehje e traditave të shëndosha familjare të popullit tonë.

25. Pse është koha të duhemi? Kur është kjo kohë? A ka kohë dashuria?

Letërsi 375

Gjuhë

PËRDORIMI KREATIV I GJUHËS

1. Lexoni tekstet e mëposhtme dhe përcaktoni si vjen mesazhi. Si: informacion, porosi morale, emocion, imazh, nxitje e imagjinatës?

Jepni shpjegimin tuaj për llojin e ligjërimit të përdorur: i folur; i shkruar; libror; bisedor; i shkujdesur.

a) Joni: Grupi, kam ditëlindjen të shtunën. Mos planifikoni tjetër gjë. Te vendi, me hupsi-dupsi.

Genci: Po gocat i ftove?

Joni: Sa ashtu që je mor burrë... bëhet dasma pa Maksutin?

Genci: S’bëhet llaf.

Eti: Po s’ka faj Genci që pyet, mor vlla, se ti llakallak gjithë ditën dhe i bie shkurt, as kujtohesh n’ botë.

Joni: Hë mo leni kto...

(Grup djemsh 17-18 vjeç)

b) Së ligës ruaju, e mira të ndjek vetë nga pas. Besove, bëre mirë, s’besove, ca më mirë. Mos u zër për degësh, po për rrënjësh. Pyet shtatë a tetë e bëj si di vetë. (Popullore)

c) Kur hyra në vitin tim të 17, nisa të mendoj sa e vogël kam qenë më parë, jo vetëm në vite moshe, por në raporte arsyesh e logjikash, në lidhje me ty. Ndjej sa e verbër kam qenë përballë përpjekjeve të tua për të më bërë shoqe të ngushtë, mam. Të kërkoj falje për këto, më fal nëse të kam lënduar. Por unë tani u rrita, dhe të shoh si miken time më të mirë, një nga dashuritë e mia më të mëdha.

(K. P. 19 vjeçe)

d) Djalit i doli përpara kuçedra e madhe me shtatë krerë e shtatë brirë, me sy si pishtarë të ndezur, me gojën sa një shpellë, me flatra në kurriz, si krahët e lakuriqit të natës, po shumë të mëdha. Nxirrte tym e flakë të verdhë nga goja. Kjo flakë digjte e përvëlonte barin, lulet e shkurret. Përpoqi tri herë bishtin dhe u bë tërmet i madh.

(M.Kuteli, “E bija e hënës dhe e diellit”)

2. Lexoni tekstin e mëposhtëm.

– Ti, more mistrec, ke guxuar të vësh emrin tim në ato shkarravinat e tua, hë? More kastravec, që më bëre të më skuqet faqja sot në kafene. More karagjoz, që kemi jetuar gjithë jetën me nder dhe erdhe ti të na turpërosh dhe ku pa, në gazetë... Bëre, ç’bëre, të mos të shoh më të merresh me maskarallëqe të tilla, more vesh?

(I. Kadare, “Poezia e parë”)

a) Cilit lloj ligjërimi i përket: libror; bisedor; i shkujdesur.

b) Folësi po flet: qetë; me emocion pozitiv; me emocion negativ.

c) Cilat janë të dhënat që na tregojnë se në këtë tekst po dialogohet?

3. Dialogu i mëposhtëm përmban dy tipa ligjërimesh. Lexojeni me zë në klasë.

– Oh, përshëndetje, zoti Blerim! Si jeni me shëndet?

– Si je, Flori? Po ç’është kjo “zotëri”? Ç’është kjo e folur me “ju”? Nuk jemi në zyrë. Për më tepër, tani jemi miq. Hajt të pimë një kafe bashkë.

__________________________________________________________________
Gjuhë376

– Hahaha, faleminderit, Blerim, po ja, më është mësuar goja. Po vi me shumë qejf. Me ty është gjithmonë kënaqësi të bisedosh.

a) Cilat janë dy llojet e ligjërimeve?

b) Ku dallohen nga njëri-tjetri?

c) Përcaktoni dy forma fjalësh që bëjnë kalimin nga një ligjërim te tjetri.

4. Lexoni përshkrimin e mëposhtëm. Duke shfrytëzuar këtë kontekst dhe situatë, shkruani në fletore një dialog me ligjërim bisedor.

Sa për gjitarët e detit, kur kalova përballë Adriatikut, më duket sikur njoha nja dy a tre kashalotë; disa deltina të gjinisë së kokërrumbullakëve që rrojnë më tepër në Detin Mesdhe e që kanë pjesën e sipërme të kokës plot vija të bardha. Më vonë pashë një breshkë gjashtë këmbë të gjerë, të stolisur me tri hala që i shtriheshin poshtë trupit. Papritur, arrita të kundroj për disa çaste një orkide portokalli, që iu ngjit xhamit të sallës. Ajo hapej me një mori degëzash që mbaronin me një si qëndisje të mrekullueshme, më të bukurën që më kanë parë ndonjëherë sytë.

(Zhyl Vern, “20 000 mijë lega nën det”)

5. Lexoni përshkrimin e mëposhtëm. Duke shfrytëzuar këtë kontekst dhe situatë, shkruani në fletore një dialog. Do të jetë një dialog me ligjërim libror, bisedor apo të shkujdesur. Pse?

Çka ndodhi më pas, u zhvillua me aq vërtik, sa askush s’e kuptoi si e qysh. Pak më përpara, Persi dhe Dadli qenë përkulur pranë xhamit dhe një çast më vonë kërcyen prapa duke thirrur të lebetitur. Harri u ngrit ndenjur, duke dihatur me vështirësi: xhami i përparmë i kafazit të boas qe zhdukur. Gjarpri i madh po shpërdridhte me shpejtësi dredhat e tij dhe po shkiste në dysheme, ndërsa në tërë pavijonin e gjarpërinjve, njerëzia kishte zënë të ulërinte dhe të vraponte drejt portave për të dalë jashtë.

(Xhoanë Roulin, “Harri Poter”)

6. Lexoni vargjet e shkëputura nga poezia “Mëngjes” e Lasgush Poradecit: Si shpirt’ i zi në kraharuar U mbyll liqeri nënë male. Nga fund’i ti, e pasqyruar Po shuhet nata me-nga-dale.

a) Tregoni mbi bazën e cilit dialekt janë ndërtuar ato. ___________________

b) Renditni dukuritë gjuhësore që i përkasin dialektit në fjalë:

c) Duke e lexuar, kthejeni në gjuhën standarde ose në një tjetër dialekt. A përcjell të njëjtën ndjesi poezia?

7. Gjeni një tekst të shkruar në dialektin e zonës suaj. Renditni në fletore karakteristikat gjuhësore të tij. A do të tingëllonte më bukur në standard apo në një dialekt tjetër?

_____________ ______________
____________________________________
________________
________________________________________________________
___________________________________ Pse?_________________________________________________________
Gjuhë 377

Teki Dërvishi PROFILE SHKRIMTARËSH

Teki Dërvishi është një ndër zërat e spikatur dhe shumë autentikë të letërsisë së Kosovës në vitet ‘70-’80. Ai njihet si poet, prozator e dramaturg. Vëllime poetike të Dërvishit janë: “Nimfa” (1970), “I varur me vargje për drurin e blertë” (1972), “Shtëpia e sëmurë” (1978), “Thashë” (1981).

Në vëllimin e tij të parë poetik “Nimfa”, poeti shkruan për vuajtjet dashurore thuajse patologjike, pasi Nimfa, e dashura e tij, e ka tradhtuar. Në shikim të parë, poezitë nuk dallojnë tepër nga poezitë romantike të letërsisë së huaj apo të asaj shqipe. Subjekti lirik, në poezinë romantike tradicionale, vuan në vetmi, tretet nga përmallimi, pret rishfaqjen e së dashurës, që ka larg. Ndërsa subjekti lirik i vëllimit “Nimfa”, i ka të gjitha këto tipare, por ngarkesa psikologjike që përjeton për shkak të vuajtjes, përmallimit dhe dashurisë në mungesë është shumë më e madhe. Ai ngjan si një njeri që vuan nga çrregullime obsesive, që është pushtuar nga mllefi dhe ushqen njëherazi dashuri të pamat e urrejtje ndaj Nimfës:

E dora Jote u ngriftë në netët plot buzë e gërsheta

E u bafsh me u rritë veç n’kujtime t’zbeta

E kush din dashuninë si Ti ta shndërrojë n’pikllim

Ai hidhët u bind se ajo është nji

Urrejtja patologjike për Nimfën dhe pesimizmi vijnë duke u zmadhuar e ndonjëherë, përgjatë vëllimit poetik, fillon të ngjajë si mosbesim dhe urrejtje (mizogjine) për gratë: Tash rrëfehen para priftit për bukën dhe epshin Gratë e çmendura nga vena dhe nga puthjet. Ndoshta Ajo asht dashuni e marrun me mend. Ose s’asht fare Dashuni kur ndihesh si vjedhje e dhimbës Kur blihet aq lirë dhe kushton sa nji jetë (“Frymëmarrje e detit”)

Gjithë akumulimi emocional që subjekti lirik ka, paradoksalisht, ngjan se është edhe muza e poetit. Ai vetë e pranon se nuk do të shkruante dot, po të mos ishte për një vuajtje kaq të madhe. Madje sublimimi përmes të shkruarit dhe përmes poezisë, skajohet deri në ekstremitet të vetëmohimit: Derisa vehten nji ditë me vargje kam me e varë (“Udhëtari i fjetun n’zabel”). Gjithsesi, gjatë ciklit të poezive për Nimfën, duket qartë se pavarësisht mllefit e dhimbjes, gjakimit për ta harruar, subjekti lirik nuk i ikën dot ndjenjës për të:

Se e di jeton për tjetrin Ti që vetëm për Ty jetoj

E me të dashtë Ty e veten jo a asht krejt njisoj

A asht njisoj me të dashtë pa duer shpirt e vnerë

Se të tillë të due n’çastet e pavërtetësisë së mjerë.

(“E pathanë për Nimfën, e thanun vonë”)

Letërsi
Letërsi378

Subjekti lirik, në thelb të natyrës së vet, ka domosdoshmërinë për të dashuruar dhe zë të projektojë me mendje gruan e panjohur e të paprekshme, si një ideal dashurie:

Dikur foli edhe deti: çka je tue pritë E unë e pritsha at’ gruen e panjohtun

Që kishte harrue se edhe unë kam qenë

Nji ditë të vetme n’këtë jetë kam qenë edhe unë

Kam qenë veçse kot për së koti me fjalë Të sosuna me këndue për kohnat e humbuna. Për Pritjet e gjata. Për koralet. Për algjet Për fosilet. Për baticat e mllefit o

Vëllimi me poezi “Shtëpia e sëmurë” (1978)

Autori e nis veprën “Shtëpia e sëmurë” me një sentencë në formën e një prologu: “Këtë libër do ta shkruaj përsëri”. Me anë të saj, ai grish disa mënyra interpretimi dhe qasjeje ndaj veprës. Në një kuptim, autori duket se mendon që procesi i të shkruarit nuk ka përfunduar ende dhe ka nevojë për rishikim. Në një kuptim tjetër, ngjan se autori pranon që sa herë ta shkruajë këtë libër (lexo, për këtë temë), do të shkruajë përsëri njësoj, sepse këto janë këndvështrimet e tij për botën. Në gjithë veprën poetike, të tria fjalët kuptimplota të sentencës hyrëse: libër, shkruaj dhe përsëri, rishfaqen në formën e lajtmotivit, që ndonjëherë justifikon edhe shkrimin e papërkryer. Tash mund ta shkruaj këtë Libër / por gjumi po më merr / e shkriva prushin pa e pjekur bukën [...] dëshiroj të vdes posa ta shkruaj Librin / e vdekjes të fala i çoj: “i lirë si i vdekuri”/ vdekjen e dua, sepse të urrej Ty, Imzot / sepse jam i marrë e mendoj se pas vdekjes / sërish mund të zgjohem të këndoj / Tash nuk mund ta shkruaj Librin / por nuk më merr gjumi/ kurse prushi nuk shkrihet.

(“Kurmin tim e bën të frymojë fuqia destruktive e hipnozës së Edgar Allan Poes”)

i them fli e Ajo zgjohet, I them: zgjohu e Ajo fle

Unë shkruaj Librin në dhomën e ngrohtë, Duke u sëmurë ngadalë

Kurse Ajo gatuan trupin e moshën. (Ma solli Kur’anin dhe një shportë fiqsh). Dërvishi e ka ndërtuar vëllimin poetik “Shtëpia e sëmurë” si një monolog të brendshëm me veten, një formë tipike për letërsinë moderne. Nga vëllimi i parë poetik “Nimfa” te vëllimi i tretë “Shtëpia e sëmurë”, poeti pëson një lartësim të ndjeshëm të stilit të tij poetik. Nëse te “Nimfa” mbizotërojnë tonet e errëta të lamentit dashuror dhe të vuajtjeve shpirtërore, të shoqëruara me obsesion patologjik të heroit lirik, që gjithsesi janë hasur te poezitë romantike, te vëllimi “Shtëpia e sëmurë”, poeti shpalos një potencial të rrallë ligjërimi dhe figurash, të rralla në letërsinë shqipe, e veçanërisht në atë të kohës kur u botua vepra. Në monologun e brendshëm, heroi lirik nuk përpiqet për asnjë çast të bindë dikë për vlerat e tij morale apo shoqërore. Ndonëse shpesh e zënë skrupuj moralë e ekzistencialë, ndaj të cilëve ai, si një kartezian i vërtetë, pohon se mendimi është ilaçi dhe ngushëllimi i tij: “Mua aq më bën! Më ngushëllon ilaçi im: MENDIMI! Do të strukem brenda në të, i urtë, do të eci tok me të nëpër të gjitha ato që shndërrohen e NDODHIN, kurse në të ecurit tim të përjashtëm askush s’do të mund të vërejë gjë” . Kështu, poezitë e Dërvishit, në vëllimin “Shtëpia e sëmurë”, por edhe në vëllimin “I varur me vargje për drurin e blertë”, kanë një frymë introspeksioni (vetëvëzhgim i brendshëm i përjetimeve dhe i mendimeve). Filozofia retrospektive mbështetet në metodën e

Letërsi 379

vetëvëzhgimit, për të arritur një çlirim të asaj që vetëdija përmban dhe vendosjen e një hierarkie të ndjesive në strukturën e përgjithshme të personalitetit. Pasi është vetëhetuar, ka ndier e pranuar mëkatet, defektet, gabimet, tradhtinë, neglizhencën e vetminë, subjekti lirik e gjen çlirimin tek akti i të shkruarit dhe te mendimi. Si poet i mendimit, edhe i vetëshpallur si i tillë, autori nuk iu nënshtrohet rregullave formale të poezisë, që do t’ia fusnin mendimin në korniza formulore. Ndryshe prej poetëve të tjerë, edhe atyre bashkëkohës të tij, Dërvishi jo vetëm zgjedh të mos i respektojë rimat e jashtme, t’i thyejë vargjet, të mos shqetësohet për rimat e brendshme, por madje zgjedh edhe të shkrijë zhanret letrare. Teksti shpesh nis me vargje dhe mandej shndërrohet në një prozë poetike, që ndonëse më pak eliptike nga pikëpamja sintaksore, prapëseprapë mbetet e vështirë të dekodohet. Në disa raste, teksti me formë prozaike shfaqet si ese letrare, siç është për shembull rasti i tekstit “Mbi nihilizmin në letërsinë bashkëkohore shqiptare”.

I gjithë korpusi poetik i Teki Dërvishit, ashtu siç ndodh tipikisht me poezinë moderne, thërret për interpretim lexuesit shumë të kualifikuar, që munden të përkapin sa më shumë nivele ndërtekstore, shtresëzime kuptimore, simbole dhe alegori. Mbishtresimi kuptimor realizohet falë një rrjeti referencash kulturore, historike ose simbolike, që rimerren vazhdimisht nëpër poezi: Nimfa (simbol i bukurisë dhe i feminilitetit), shkrimtari Edgar Allan Poe, Zarathustra (profeti niçean), Ulan Bator (kryeqyteti mongol), El Shatti (kamp refugjatësh në shkretëtirën e Sinait, Egjipt), Krishti, Golgota - kodra ku u kryqëzua Jezu Krishti, beduinët (popullsi shtegtare arabe, që ka banuar në shkretëtirë), referenca kuranore në formën e formulimeve tekstore të ngjashme si në librin e shenjtë: me emrin e të dashurit në gojë, i të Madhit... (“Somnambull”); dhe konceptet si agjërimi, xhehenemi, fiku (frutë e rëndësishme në Kuran, për të cilin Zoti betohet “Pasha fikun dhe Ullirin” (Kuran 95:1), Halveti (grupim i besimtarëve bektashi që praktikojnë vetminë si formë pastrimi shpirtëror) etj., etj.

Ajo i ka duart e ftohta

Unë frikohem në këtë dhomë

Ndaj të shkrova... ndaj do të të shkruaj

Derisa të m’i mbushin veshët me rërë.

(“Në oborrin e shtëpisë, trekëndëshi për varje”) Me një stil dhe tematika tepër të ngjashme me “Shtëpinë e sëmurë”, Dërvishi shkruan edhe veprën e tij të tretë poetike “Thuamë”. Këtë vepër, Dërvishi e strukturon në formë kapitujsh autobiografikë. Në të, ai vijon theksimin e formave të fragmentuara, vargjeve të thyera, që shpesh bëjnë bashkë një kolazh alegorik referencash. Në këtë vëllim, shumë poezi sfidojnë perceptimin artistik të lexuesit, sepse e përballin atë në mënyrë thuajse të egër me estetizimin e shëmtisë. Dërvishi e refuzon estetikën formale e tradicionale, duke i dhënë prioritet zbulimit të formave të reja të shprehësisë dhe figurës.

Trashëgimia, rrënja katrore e fisit, pergamenet e djegura, mermeri i shkrirë në gëlqere, tapitë me shkronja arabe, mungesa e mjeteve shprehëse retoriko-agro-artistike, mungesa e aparatit fotografik – fotoaparatit, kontrapunktet poetike... të gjitha këto hedhin një tis mjegulle në të kaluarën e poetit, artist, ndaj e gjymtojnë biografinë e tij. Teza rilindase pellazge dhe ajo çabejane-ilire, fundi i misterit etrusk i zotit Zaharije Majanit.... a e ndihmojnë të kompletohet biografia e poetit, artistit?

(“Autobiografia
1”)
Letërsi380

Poeti mëton të paraqesë autobiografinë e vet përmes vargjesh, që nuk është paraqitje reflektive kronologjike, por reflektim mbi motive jetësore, mes të cilave, në mënyrë të pashmangshme, edhe reflektimi për shkrimtarinë, krijimtarinë e tij, ndikimet e kontekstit letrar dhe të traditës së letërsisë së cilës i përket ai vetë:Poezia shëmbëllen me barojën: e shkul prej oborri, ai të del në themelin e shtëpisë: e shkul prej themelit të shtëpisë, ai të mugullon mbi tjegulla; e shkul prej tjegullave, ai të mbin në zemër... ec e shkulja zemrën poetit, e shploja si petale – të shohësh ç’fsheh gjuha e hidhur e fjalës së ëmbël! [...] Kalldrëmi i Gjakovës ka parë gjithfarë kapadainjsh, po ku janë se? Ule kokën e grithu për tokën e punës, se koka e lehtë fluturon lart. Prej nga na dole ti? Adem Dërvishi ishte bujk. Shaib Dërvishi punëtor krahu... e ti, hop, menjëherë shkrimtar. Në mënyrë alegorike, Dërvishi rimerr figurat e kafshëve: palaço, gomari, kali, zebra, dhe, me anë të ironisë, përshkruan ndryshimet që atij vetë i kanë ndodhur që nga koha kur ishte i ri (palaço - zog i trembur) krahasuar me tani, që shprehet se: “jam konformist, jam demagog. Por nuk jam destruktiv as dekadent. Andaj eci me petka dhe mendime të hekurosura / këndej / Këto ishin shënime, skica të zbeta biografie. [...] Një sqarim: gjatë viteve gjashtëdhjetë, në letrat shqipe, ishte bërë ligj që poetët që përpiqeshin t’i thyenin konvencat t’i quanin destruktivë. Tash kaloi kjo modë, prandaj s’jam i marrë t’i lëshoj flokët e gjatë. Le të më dalë koka si patate. (“Autobiografia 3”). Në fakt, ky pasazh ka ironi paradoksale, se teksa thotë që është konformist e nuk është destruktiv, sepse nuk i thyen konvencionet, sapo i ka thyer ato, më së pari në rrafsh të formës poetike, të cilën e ka zhvendosur nga vargjet në rreshta.

Duke ndjekur të gjitha këto procedime artistike thyerjesh të mëdha, si në rrafsh të formës, ashtu edhe në rrafsh të përmbajtjes letrare, Teki Dërvishi ka lënë gjurmën e tij të pashlyer në poezinë moderne shqipe dhe ka fituar në mënyrë të pashmangshme edhe një lexues universal, përtej kontekstit të tij të atypëratyshëm kohor, artistik e social.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Ku ngjason dhe ku ndryshon subjekti lirik i përmbledhjes me poezi “Nimfa” nga subjekti lirik i poezive romantike tradicionale?

2. Nga buron vuajtja që ndjen subjekti lirik në veprën “Nimfa”?

3. Çfarë kuptimi ka fjalia çelës: “këtë libër do ta shkruaj përsëri” e vëllimit poetik “Shtëpia e sëmurë”?

4. Çfarë ka të veçantë stili poetik i T. Dërvishit? A e respekton ai ndarjen në zhanre letrare?

Çfarë kërkon lexuesi te vepra e T. Dërvishit? Çfarë na tregon kjo për stilin e poetit?

6. Përmendni disa nga referencat religjioze që hasen në veprën poetike të T. Dërvishit dhe tregoni funksionin e tyre.

7. Diskutoni për disa figura kafshësh që poeti i evokon në poezitë e veta në mënyrë alegorike. A mendoni se vlen të interpretohet ky evokim në funksion të prirjes së vazhdueshme të poetit për të përzier zhanret e llojet letrare?

8. Si e ka strukturuar Dërvishi veprën “Thuamë” dhe çfarë synon një strukturë e tillë?

Ushtroni mendimin kritik

9. Interpretoni pasazhet nga vepra poetike e T. Dërvishit dhe diskutoni për mënyrën e shndërrimit që pëson zhanri poetik.

10. Çfarë qëndrimi ka poeti ndaj konvencionit letrar dhe çfarë e bën universale veprën e tij?

5.
Letërsi 381

ILUSTRIM

NUK VLEJ SA TË MË VRITNI FRIKOHEM NATËN

në rrugë me një fije frike, i trazuar nuk di kah do të jetë vendi im. Dukem i qetë jam i pagjumë me sy të vrugnuar i sëmurë kuptova atë që nuk kam ditur, tash nuk di asgjë në rrugë të El Shatit, me një fije frike i shqetësuar nuk di kah gjendet bota të nisem rrugës së saj Ajo ma shtroi shtratin me lule të bardha zambaku po unë s’kam gjumë, jam i trazuar, po eci dhe po qe se fle do të mbulohem me hithra

2.Unë mund ta fisnikëroj. Ta mbaj midis dy shuplakave e t’ia dëgjoj të rrahurat e zemrës, kur frikohet nga tërbim im. Duke pritur ta puth, Ajo do të vdesë. Është imja, e kam gjetur në malin e egër dhe e kam zbutur me fjalët e mia magjepse, sepse Ajo është e re, e unë sa herë dua e mashtroj. I premtoj se do t’i blej sapun erëmirë, vorbë, lugë e perde të mëndafshta, kurse gjithmonë pres çastin që rruga të na hedhë kah pylli i egër ku e gjeta dhe atje ta lë vetëm në gjumë e të ik prej saj. Si Zarathustra e lus gjarprin ta marrë sërish helmin e vet nga plaga ime. Që kur më kafshoi me thimthin e tij e humbi diku e unë e dëgjoj së largu kur në ëndërr më shtihet vaji i fëmijës. Ato është e ngrohtë. ju nuk besoni, sepse s’keni guxim të dilni natën në rrugë. Në faqe ka trëndafila që i thellohen kur buzëqesh. E pres ta marrë gjumi e të ik, po ajo buzëqesh në gjumë e unë rri e hutohem duke e soditur sa shpirti im nuk ngopet kurrë. është fatkeqësi e madhe pse pas tri vjetësh do të vdes. Atë do ta zërë shiu në rrugë, kurse kurmin tim s’ka kush ta djegë në turrë drurësh. Do të më hanë krimbat diku në shteg rruge. Ajo është fëmijë dhe s’do të dijë të kërkojë ndihmë.

LETRAR
"Blu dhe mavi", pikturë nga Soey Milk
Letërsi382

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në poezinë e mësipërme, gjeni vargjet që tregojnë se heroi lirik nuk është në gjendje të mirë psikologjike.

2. Çfarë i premton subjekti lirik të dashurës së tij?

3. Ku thotë se e ka gjetur ai atë?

4. Çfarë e pengon subjektin lirik të ikë nga e dashura e vet?

5. Pas sa kohësh shprehet se do të ndahet subjekti lirik prej saj?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Çfarë forme ka struktura e kësaj poezie?

7. Gjeni rastet kur kalohet nga vargjet e thyera poetike te rreshtat me një sintaksë më të rregullt. A ndikon kjo te mënyra e leximit dhe te ndjesia e përballjes me tekstin poetik?

8. Interpretoni mënyrën se si shkrimtari i përdor shkronjat e mëdha dhe shenjat e pikësimit në poezi.

9. Në poezi, gjeni detajet me anë të së cilave portretizohet e dashura.

10. Shpjegoni antitezën e ndërtuar nëpërmjet fjalëve zambak të bardhë dhe hithra.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Gjeni të gjitha fjalët që iu përkasin fushave leksikore të florës dhe faunës. Çfarë simbolizon secila prej tyre?

12. Interpretoni vargun: Atë do ta zërë shiu në rrugë. A është shiu këtu simbol i pjellorisë e bollëkut apo metonimi e furtunës?

13. Shihni me kujdes fjalët dhe shprehjet që përdoren për gjendjen e gjumit dhe të pagjumësisë Çfarë sugjerojnë ato për vazhdimësinë dhe ndërprerjen e jetës? (Kujtoni se gjumi është gjendja e ëndërrimit, ndërsa subjekti lirik nuk ka më as dëshirë të ëndërrojë.)

14. Interpretoni metaforën: në faqe ka trëndafila që i thellohen kur buzëqesh.

15. Vargu: “Duke pritur ta puth, Ajo do të vdesë”, sugjeron se: subjekti lirik nuk e do shumë të dashurën e tij; e dashura e do jashtëzakonisht shumë subjektin lirik dhe nuk jeton dot pa të; poeti është i zemëruar me të dashurën;

Nga teksti te përdorimi

16. Gjeni rastet e disa antitezave dhe shpjegoni me to kundërvëniet mes subjektit lirik dhe të dashurës së tij.

17. Në poezinë e mësipërme, për të dashurën përdoret cilësimi “fëmijë”. Ky krahasim bëhet: për të justifikuar mendjelehtësinë e së dashurës së heroit; për të treguar që e dashura e heroit lirik është shumë më e re në moshë se ai vetë;

tjetër_____________________________________________________________
Letërsi 383

për të treguar që e dashura është e papjekur emocionalisht; për të treguar mënyrën mbrojtëse, thuajse atërore, të dashurisë që subjektit lirik ka për të dashurën e tij; tjetër______________________

18. Përse mendoni se përdoren emërtesat referenciale “El Shat” dhe “Zarathustra” në poezi? Interpretojeni këtë përdorim.

19. Gjeni vargjet ku tregohet se subjekti poetik nuk ka asnjë njeri tjetër në këtë botë veç së dashurës së tij.

20. Vargu: “Do të më hanë krimbat diku në shteg rruge”, përdoret: për të estetizuar të keqen dhe të shëmtuarën si dukuri të pashmangshme të jetës; për të treguar fatin që e pret subjektin lirik pas vdekjes; për të evokuar konceptimin religjioz të bjerrjes së trupit pas vdekjes, duke u shndërruar në ushqim për krimbat; tjetër______________________

Nga teksti te reflektimi

21. Në poezi, poeti e përmend shpesh fjalën “rrugë”. Gjeni rastet kur rruga në poezi simbolikisht shpreh: rrugëtimin jetësor; vendin e pasigurt, ku të kanosen rreziqe; impulsin njerëzor për të vijuar lëvizjen (si formë ekzistence), pavarësisht rrethanave.

22. Si mendoni, nga buron sjellja posesive e subjektit lirik ndaj të dashurës së tij? A vjen ajo nga një posesivitet obsesiv apo si pasojë e rrezikut që i kanoset subjektit lirik nga sëmundja dhe vdekja?

23. Interpretoni titullin e poezisë “NUK VLEJ SA TË MË VRITNI FRIKOHEM NATËN”. Kujt i drejtohet poeti me këto fjalë dhe nga buron frika e tij?

24. Krahasoni këtë poezi të T. Dërvishit me një tjetër poezi dashurie të shkruar sipas frymës së lirikës tradicionale, për shembull të Naim Frashërit. Si ndryshon konceptimi dhe si shfaqet ndjenja e dashurisë nga lirika tradicionale në lirikën moderne?

25. Në veprën “Kështu foli Zarathustra” të filozofit F. Niçe, në një pasazh, pasi gjarpri e pickon në qafë Zarathustrën dhe i thotë se helmi i tij është vdekjeprurës, ai i përgjigjet: “Kur vallë një dragua ngordhi nga helmi i një reptili? Merre pra helmin tënd, ti nuk je aq i pasur sa të ma dhurosh”. Përse poeti evokon figurën e gjarprit të Zarathustrës në poezi? Interpretoni sërish vargjet në fjalë dhe qëndrimin që ka ai ndaj së keqes.

Nga teksti te të shkruarit

26. Komentoni çfarë e bën poezinë e mësipërme të T. Dërvishit të cilësohet si poezi moderne. Përqendrojeni analizën tuaj si te rrafshi i formës, edhe te rrafshi i përmbajtjes.

Letërsi384

Letërsi Sabri Hamiti

Sabri Hamiti është studiues i letërsisë dhe kritik letrar, por edhe poet, dramaturg e romancier. Është autor i më shumë se 40 veprave studimore, letrare. Disa nga veprat poetike të Hamitit janë: “Njeriu vdes i ri” (1972), “Faqe e fund” (1973), “Thikë harrimi” (1975), “Trungu ilir” (1979), “Leja e njohtimit” (1985), “Kaosmos” (1990), “ABC, Abetare për fëmijë të rritur” (1994), “Melankolia” (1999), “Sympathia” (2004), “Lulet e egra” (2006), “Litota” (2007), “Kukuta e Sokratit” (2018).

Në letërsinë e vet dhe në shkrimet për letërsinë, Sabri Hamiti dëshmon fuqinë shprehëse, njohjen e thellë të shqipes dhe erudicionin e tij të madh dhe mjeshtërinë formale. Sabri Hamiti ia del ta kondensojë realitetin në një poezi, në një strofë, në një frazë e madje në një fjalë të vetme. Si lëndë të parë të poezisë së vet ka botën shqiptare dhe traditën shkrimore shqipe, por me mjeshtëri arrin ta kapërcejë traditën dhe t’i japë vargut dhe mendimit të vet frymë moderne. Sipas studiuesve, Sabri Hamiti nuk i nënshtrohet një teorie ose metode studimi fikse, ndonëse i ka studiuar ato rrënjësisht dhe i njeh mjaft mirë. Nëse ka një metodë a një stil të caktuar që ai ndjek, bëhet fjalë për metodën dhe stilin e tij kryekëput individual.

Hamiti ka një ndjeshmëri të skajshme ndaj gjuhës amtare, për të cilën do të shprehej: “Shkruaj shqip dhe vetëm shqipja është gjuha ime e letërsisë, gjuha ime amtare. Po gjuha ime e lirikës është gjuha e Nanës dhe gjuha ime. Kam parasysh fjalën, zërin, gjuhën e gjallë, theksimin. Këto janë elemente identitare që trashëgohen dhe kurrë nuk mund të mësohen. Kjo do të thotë që lirika nuk qenka fantazi, por më përpara dëshmi për jetën, duke e përkthyer mendimin e ndjenjën në figurë të gjuhës”. Diku tjetër, duke shpjeguar lidhjen e tij me shqipen dhe me domosdoshmërinë që ka ai vetë për t’u marrë me letërsi. Hamiti thotë: “E kam provuar dashurinë paskajore me shqipen, për ta shpëtuar vetveten, për të mos dalë nga vetvetja, duke e kërkuar Shqipërinë e përhershme dhe duke jetuar në Shqipërinë e përkohshme. Letërsia për mua është shpëtim më shumë se mbrojtje, më shumë se njohje, faktikisht ekzistencë”.

ILUSTRIM LETRAR

Paskajore

Kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes Sepse unë nuk due të vdes por kam me vdekë

Ti nuk je gjuha ime as e Nanës as e Babës tim

Ti je frymë zemra ime ti je shpirti im Me shkue me shkue krejt njisoj asht me shkue

Në Prizren me shkue a me shkue në Shkodër

Me shkue në Durrës a në Tiranë me shkue

Në Vlorë me shkue a me shkue në Korçë

Me shkue në Elbasan a në Shkup me shkue Me shkue do me thanë me vdekë pak nga pak E me mbetë çka do të thotë me mbetë përjetë

(Dashunia paskajore me shqipen)
Letërsi 385

Ti nuk njeh asnji kohë ti nuk njeh asnji vetë

Të gjitha i ke me vete të gjitha i mban në gji Paanësi je pafundësi ti je përjetësi

Kur nisem a kur mbetem mos thuej prit a ik

Me shkue a me mbetë asht nji infinit

Me pasë gjithë kohën me pasë gjithë hapësinë

Me e rrokë Kosmosin si me e puthë shtëpinë

Kur të ndajnë në kohë të copëtojnë në veta

Zemra mue më grihet gjaku pik ndër fleta Kam me të dashtë ty si e due Vetëveten

Se në thellësinë tande e gjej të vërtetën

E di se me mendue asht nevojë njerëzore

Po me dashunue asht domosdo jetësore

Se jeta e njeriu i donë të gjitha a hiç

Kam pa një copë që tue vajtue vdiq

Me u ngutë si lumi e me u derdhë në det Çka me i thanë Babës a Nanës së shkretë

Me dashtë a me shkue me mbetë a me vdekë

Kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes Sepse unë nuk due të vdes por kam me vdekë.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

Si mendoni, përse autori zgjedh t’i vërë edhe një nëntitull poezisë së tij “Paskajore”?

Përse përmenden qytetet shqiptare në poezi? Pse poeti mendon se është njësoj si të shkosh te njëri dhe te tjetri qytet?

Lidhja që poeti shprehet se ka me gjuhën është thjesht lidhje trashëgimie familjare apo diçka më shumë? Ilustroni përgjigjen tuaj me vargje nga poezia.

Çfarë është e domosdoshme në jetë sipas poetit?

Si lidhet kuptimi i kësaj poezie me qëndrimin e Sabri Hamitit për standardin dhe gegërishten?

teksti tek analiza e ndërtimit

Gjeni të gjitha foljet në formën paskajore në poezi. Ka më shumë folje që shprehin veprim apo gjendje?

Gjeni në poezi vargjet që shprehin kontrast mes imazheve.

8. Poezia në pjesën më të madhe nuk përmban lidhëza dhe një figurë e sintaksës poetike është asindeti. Çfarë efekti mendoni se krijon diçka e tillë në ritmin poetik?

9. Gjeni vargjet ku poeti paralelizon pashmangshmërinë e dashurisë për gjuhën me pashmangshmërinë e vdekjes.

10. Diskutoni për sintaksën poetike dhe ndërtimin e vargjeve të kësaj poezie.

1.
2.
3.
4.
5.
Nga
6.
7.
Korça
Letërsi386

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Vargjet “Me pasë gjithë kohën me pasë gjithë hapësinë / Me e rrokë Kosmosin si me e puthë shtëpinë”: mund të interpretohen si dëshira të parealizuara të poetit; tregojnë se falë gjuhës mund të përkapësh kuptimin e botës dhe të jetës; tregojnë se gjuha të mundëson lidhjen me gjithë universin; tjetër._______________________________________________________________

12. Gjeni fjalë që shprehin dimensione kohore dhe fizike të pakufizuara. Interpretoni përdorimin e tyre në këtë poezi.

13. Gjeni në poezi fjalë të leksikut dashuror, që zakonisht të dashuruarit i përdorin për të shprehur dashurinë e tyre.

14. Çfarë na bën të kuptojmë për raportin mes poetit dhe gjuhës përdorimi i fjalëve të leksikut dashuror?

15. Gjeni fjalë dhe shprehje që shënjojnë botën shpirtërore dhe kulturore shqiptare.

Nga teksti te përdorimi

16. Gjeni një pyetjeje retorike në poezi dhe thoni nëse përdorimi i saj i jep poezisë efekt më të fuqishëm, më emocional apo më ankestar?

17. Gjeni në tekstin e poezisë, fjalë dhe forma që janë tipike për variantin gjuhësor geg dhe argumentoni a mund të zëvendësohen me forma të gjuhës standarde.

18. Nëse po, a do të mpakej efekti ritmik dhe kuptimor i vargjeve?

19. Në poezi, vargjet “Me shkue do me thanë me vdekë pak nga pak / E me mbetë çka do të thotë me mbetë përjetë dhe Me dashtë a me shkue me mbetë a me vdekë”, përdoren për të shprehur: dilemën jetësore të poetit për kuptimin e jetës; përsiatjen e poetit në përpjekje për të kuptuar a ka kuptim përjetësia; pashmangshmërinë e vdekjes; motive të tjera.

20. Gjeni raste të inversionit dhe thoni si përdoret ai në funksion të rimave të brendshme dhe të jashtme poetike.

Nga teksti te reflektimi

21. Filozofi gjerman Martin Haidegger shprehet se “Gjuha është shtëpia e qenies”. Gjeni ku shfaqet kjo ide në vargjet e poezisë së Sabri Hamitit.

22. Gjeni dhe komentoni vargjet që sugjerojnë se gjuha është në funksion të aktit të krijimit dhe esencë e letërsisë, e artit.

23. Kujtoni dilemën shekspiriane “të jesh a të mos jesh” dhe gjeni e komentoni vargje të poezisë që flasin për të njëjtën dilemë.

24. Çfarë është gjuha amtare për ju? Dëgjoni dhe reflektoni rreth qëndrimeve të njëri-tjetrit.

25. Diskutoni rreth qëndrimeve kryesore që mbahen sot në lidhje me gjuhën standarde.

Nga teksti te të shkruarit

26. Komentoni me shkrim poezinë “Paskajore” të Sabri Hamitit.

______________________________________________________
Letërsi 387

Letërsi

Eqrem Basha

Lindi më 15 nëntor 1948, në Dibër. Në vitet 1967-1971, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve, botoi tregime dhe vjersha. Shkroi tregime, romane, vjersha, ese, skenarë për film e televizion, pjesë skenike dhe kritikë për artin figurativ. Përktheu nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave.

Në letrat shqipe debutoi në vitin 1971, me vëllimin e tregimeve “Shëtitje nëpër mjegull”. Po atë vit, botoi dhe librin me poezi, “Opuset e maestros”. Pasuan dhjetë libra me poezi, pesë me tregime dhe katër romane “Dyert e heshtjes”, “Alpinisti”, “Lakorja e Ik’sit”, “Varrë”.

Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Disa nga veprat e tij poetike janë: “Opuset e maestros” (1971), “Stacionet e fisnikëve” (1972), Polip-ptikon (1974), “Yjedet” (1977), “Udha qumështore” (1986), “Brymë në zemër” (1989), “Doktrina e të menduarit vetëm” (2006).Ndryshe prej karakterit personal dhe shumë emotiv, që priren të kenë poezitë, përfshirë edhe ato të poetëve që kemi shqyrtuar deri më tani, poezia e Eqrem Bashës është konsideruar një poezi objektive dhe kjo për faktin se në të nuk hasen ngarkesat dhe shfryrjet e tejnxehta emocionale të subjektit lirik. Perceptimi poetik, edhe kur është personal, lidhet me një çështje etike. Tekstet poetike krijojnë një rrjetë të kuptimësisë etike, që përbëhet nga ndërthurja e etikës personale të poetit me parimet etike universale.

ai që do/di edhe të urrejë ai që urren/do më shumë se të tjerët njëlloj na duam/ndryshe urrejmë urrejmë me shpirt/mjegullën që s’digjet duam me zemër/këngën që shkrihet (“Nëntë tempull përgjunjëzohem”)

E veçanta e poezisë së E. Bashës është ritmika. Poezitë e tij, të shkruara në strofa të gjatësive e formave të larmishme, kanë një muzikalitet e ritëm të spikatur. Poeti iu kushton shumë rëndësi rimave të brendshme të poezive. Muzikaliteti i vargjeve realizohet me anë të një sërë mjeteve gjuhësore e figurative si: përsëritja e frazave dhe e fjalëve, përdorimi i kundërvënieve ose paralelizmave, enumeracionet, anaforat, konsonancat etj.

ata që shkuan si ne kënduan dhe s’patën sa deshtën dhe deshtën sa s’patën po patën

sa s’mundën ata që shkuan me dhembje u mbuluan se kërkuan pre atyre që kishin mësuan prej atyre që di’shin (“Dhe përsëri – polip”)

Letërsi388

Poeti ka prirjen që të poetizojë në veprat e tij detin dhe botën ujore, duke hequr kështu paralele midis fluiditetit të botës detare dhe botës njerëzore. Në fjalorin e tij poetik haset shpesh deti dhe shumë pjesë përbërëse të botës detare: pulëbardhat, polipet, peshqit, sardelet, kripa, bregu i detit, algat, sedimentet, fosile koralesh, peshkaqenët, stërkalat etj. etj. që atëherë në ëndërr e kishte parë veten duke humbur në syrin e një peshku në fjalën e një sardele ngurtësinë e një korali dhe bota kishte mbetur botë e një ëndrre në fundin e detit Në poezinë “Stacionet e fisnikëve”, që është dhe pjesë e vëllimit poetik me të njëjtin titull, poeti u këndon pulëbardhave dhe shprehet se do t’i ndjekë në lartësitë ku fluturojnë, në rrugëtimet e vështira, do t’i ndjekë e t’i ngjajë në bardhësi e në fisnikëri derisa kupton që, në fakt, pulëbardhat gjenden në shpirtin e tij: unë i gjurmoj shtigjeve/e nuk i shoh//ata fshihen në mua. Nga ana tjetër, pulëbardhat janë simboli i bardhësisë e dëlirësisë, një ideal etik që poeti kërkon ta ndjekë, ta gjejë te rrethina e tij, te të afërmit e tij dhe brenda vetes. ç’qëllim keni fisnikët e mi pulëbardha krahëkëputura a s’ma çelni zemrën dhe udhën ma rrëfeni të eci me ju krafshas mos të ngel pas Në poezinë e E. Bashës vihet re shpesh një ton ironizues ndaj asaj që poezitë shpesh e ngrenë lart me tone himnizuese: si ndjenja e dashurisë, gjenialiteti i poetëve, pushteti. Diçka të tillë e vërejmë te cikli poetik me tri balada (pjesë e vëllimit “Yjedet”). Në poezinë “Baladë për poetin e kafenesë së lagjes sonë”: flitna thuana pse e dogje librin tënd në fund dhe nuk i tregove botës se ti ishe i mençur më i mençuri nga të gjithë ç’njihnim ne në kët qytet e ç’do të kishte në qytete të tjera ti dije aq fjalë të mëdha dhe pije aq shumë raki. Balada tjetër me titullin “Baladë dashurie” ironizon poetin e dashuruar dhe njëherazi kotësinë e falsitetin e lidhjes dashurore. Gjithë balada ka tonalitete thuajse parodizuese dhe i ngjan një fjalëshpejte nga ato që kumtohen në formë loje. Vetë emërtesa “baladë” është po ashtu parodizuese, sepse teksti poetik në fjalë nuk ka asnjë lidhje me baladat e dashurisë.

Roberto roberto dashnor i vërtetë Veç suzit syshkruar s’shikoi vashë tjetër jetoi me kujtimin e suzit syshkruar [...] zgjohej me kujtimin e suzit syshkruar

Toni Hamel
Letërsi 389

jetonte dhe vdiq me kujtimin e suzit suzit syshkruartruphedhurbelhollë e cila sot me kujtimin e robertorobertos derdh lot në shtratin e rafael rafaelit dashnori i vërtetë roberto roberto.

I njëjti ton ironizues gjendet edhe te poezia “Baladë e zezë e një dite të bardhë”, e cila po ashtu i ngjan një fjalëshpejte. pastaj shefi i bandës xzyjabcd me kapelë të zezë me iks nënshefa dhe iks herë delta luftëtarë e formoi një ditë në një banket solemn shtetin e zi me rrugë të zeza e qytete të zi me ushtri e polici të zezë aparat të zi ministra e parlament në zi në një ditë të bardhë

Ironia e njeriut që ka parë e di jo pak, shpesh kthehet edhe në autoironi. E tillë është poezia me titull “Dubël surrogati”, ku poeti shkruan: e ndjek veten/i qeshem pas shpine kur ma kthen kokën/bëhem s’e kam parë kur ma bën me sy/shtyhem s’e kuptoj kur më sheh të vrenjtur/shtrihem kokërr shpine dhe shqyhem së qeshuri

Vetëdija e lartë shpesh bëhet vrasje ndërgjegjeje dhe poeti, me anë të këtyre vargjeve, i jep zë tensionit midis ndërgjegjes dhe sjelljes së tij injoruese ndaj saj. Një konflikt e tension të tillë e përjetojnë të gjithë njerëzit, së paku një herë në jetën e tyre, ndërsa Eqrem Basha e poetizon duke e ironizuar.

STUDIM TEKSTI

Kuptimi i tekstit

1. Përse studiuesit e kanë cilësuar poezinë e Bashës si poezi objektive?

2. Çfarë mund të thoni për ritmikën e poezisë së E. Bashës?

3. Çfarë rëndësie ka deti në sistemin poetik të Bashës?

4. Cilat janë disa njësi të fjalorit poetik të Bashës që lidhen me botën detare?

5. Si shfaqet ironia në poezinë e E. Bashës?

6. Çfarë qasjeje ka poeti ndaj dashurisë dhe pritshmërive rreth saj?

Ushtroni mendimin kritik

7. Argumentoni përse disa nga tekstet poetike të E. Bashës ngjajnë me fjalëshpejtat. Çfarë efekti dikton përsëritja e tingujve dhe e fjalëve të caktuara te kuptimi i përgjithshëm i poezisë?

Letërsi390

Poezitë i përkasin ciklit “Marr hov e ndalem”, në veprën poetike “Udhë qumështore”.

Paralele

do të kthehem më vonë do të zgjohesh më herët do të thërras në mëngjes do të kthehesh në mbrëmje do të kthehem në agim do të vrapoj pas teje do të ikësh prej meje do të ik prej teje do të vraposh pas meje do të ndiqemi në shi do të vjellim në diell do të lehim në qiell një ditë të tërë një ditë e një jetë e përtej – zgjohu i dashur je kthyer vonë do zgjohesh herët

Andante

pastaj prapë ndalem dhe bëj gati hapin që s’ka të ndalur marr hov e ndalem marr hov e ndalem marr hov e ndalem a thua kur jam nisur

Endje

thuaj ku dole nga sterra e ëndrrës në mëngjesin e nesërm thuaj ku do të vesh pas ditës së thatë ku do të ndalesh në muzgun e rëndë ku m’je nisë ku m’je tu shkue

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në poezinë “Paralele”, vargjet: “një ditë të tërë/një ditë e një jetë/e përtej”: krijojnë idenë e përkohësisë; krijojnë idenë e vazhdimësisë; krijojnë idenë e diçkaje që do të zgjasë përgjithmonë.

2. Në poezinë “Paralele”, interpretoni vargun “do të lehim në qiell”?

3. Në poezinë “Andante”, titulli ka kuptimin e gjërave që ecin në një drejtim të caktuar me ngadalë. Pasi të lexoni poezinë, argumentoni nëse subjekti lirik arrin të largohet nga gjendja e pezullisë.

4. Në poezinë “Andante”, a mendoni se e ka të thjeshtë poeti përjetimin e ndjenjës së dashurisë? Në cilat vargje shprehet kjo gjë?

5. Në poezinë “Endje”, endja e subjektit lirik a ka një pikëmbërritje të caktuar?

ILUSTRIME LETRARE
. . . . . . . . . . . .
Letërsi 391

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Në poezinë “Paralele”, gjeni të gjitha fjalët antonimike. Cila figurë letrare e kuptimit krijohet nga kontrasti që paraqesin këto folje?

7. Në poezinë “Paralele”, gjeni me anë të cilës figurë përforcohet dukuria e mostakimit midis subjektit lirik dhe të dashurës së tij.

8. Në poezinë “Andante”, gjeni një pyetje retorike dhe interpretoni funksionin e saj.

9. Në poezinë “Andante”, shihni pikat në fillim të poezisë që ngjajnë me një retiçencë të zgjatur. Si mund ta interpretoni këtë shenjë grafike në raport me gjendjen e pezullisë për të cilën shkruan poeti më tej në vargje?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

10. Në poezinë “Paralele”, gjeni të gjitha foljet antonimike. Përqendrohuni sidomos te vargu: “ose bardhësia të më mbulojë edhe mua të tërin”.

11. Në poezinë “Paralele”, vargjet: “zgjohu i dashur/je kthyer vonë” tregojnë: fjalët që e dashura i thotë heroit lirik; fjalët që heroi lirik ia thotë së dashurës së tij; fjalët që poeti ua thotë lexuesve të tij.

12. Çfarë evokon përsëritja tri herë e frazës “marr hov e ndalem”?

13. Gjeni ato folje në poezi që tregojnë dialogun e brendshëm të poetit me veten dhe dialogun e jashtëm të poetit me të tjerët.

14. Interpretoni frazat “Dita e thatë” dhe “muzgu i rëndë”. Ato evokojnë shterpësi përjetimi, shterpësi krijimi, shterpësi frymëzimi apo diçka tjetër?

Letërsi392

Nga teksti te përdorimi

15. Në poezinë “Paralele”, analizoni anaforat dhe efektin e tyre në tekst.

16. Në poezinë “Endje”, vargjet “ku dole/nga sterra e ëndrrës”, fjala “sterrë” përdoret si emër. Thoni çfarë kuptimi ka si i tillë dhe interpretoni nëse lidhet me errësirën e natës kur shihen ëndrrat apo me ëndrrat e këqija si makthe.

17. Analizoni elementet e metrikës së poezive: rimën, ritmin, muzikalitetin, llojin e vargut.

18. Çfarë efekti krijon në këtë cikël poetik rimarrja e fjalëve nga njëri varg te tjetri?

19. Interpretoni titujt e poezive përbërëse dhe si lidhen ato me titullin e ciklit “Marr hov e ndalem”. Nga teksti te reflektimi

20. Pasi të keni lexuar poezitë e ciklit “Marr hov e ndalem” diskutoni në grup nëse paaftësia për të bërë përpara është gjendje e natyrshme e rrugëtimit tonë jetësor dhe si mund të shmanget ajo.

21. Gjeni si shfaqet autoironia poetike në pasazhet e mësipërme.

22. Interpretoni si realizohet ritmika e poezive të përzgjedhura nga cikli poetik “Marr hov e ndalem”.

23. Krahasoni stilin poetik të E. Bashës me stilin e një poeti tjetër bashkëkohës të tij.

24. Cilat janë ato tipare të formës poetike që mendoni se vlejnë për ta cilësuar E. Bashën si poet modern?

Nga teksti te të shkruarit

23. Komentoni me shkrim poezinë “Narcis”, të poetit E. Basha, shkëputur po ashtu nga cikli poetik “Marr hov e ndalem”. përreth si dhelpër përvidhesh dhe s’shihesh s’të gjejnë ke humbur duke kërkuar fytyrën në pasqyrë

je kthyer në atë botë ku je i vërtetë ku s’të njohin e njihesh se fle me vetveten

Narcis
Letërsi 393

Rrahman Dedaj

Rrahman Dedaj lindi më 1939, në fshatin Penuhë, afër Podujevës (Kosovë) dhe vdiq më 21 gusht 2005, në Londër. Shkollën fillore e kreu në Podujevë, Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik, në Prishtinë. Me letërsi u mor që në moshë fare të re. Ka botuar veprat: “Zogu dhe Kulla”, “Me sy këngë”, “Simfonia e fjalës”, “Gjërat që s’preken”, “Balada e fshehur”, “Etje”, “Fatkeqësia e urtisë”, “Kryqëzim hijesh”, (poezi për të rritur). Është autor i përmbledhjes me tregime “Fshehtësia” dhe “Medaljoni”, si dhe i përmbledhjes me vjersha për fëmijë “Dy liqej”.

Poezitë e Rrahman Dedajt janë poezi të figurës, të pasura me metafora dhe simbole. Poeti parapëlqen vargje pa thyerje të skajshme sintaksore dhe joeliptike. Veçanërisht brenda strofave (qofshin këto dy- a më shumë vargëshe), nuk ka thyerje vargjesh apo heqje eliptike fjalësh ose njësish. Por thyerja, përgjithësisht, ndodh, kur kalohet nga njëra strofë te tjera, ku lexuesit i duhet të vihet në kërkim të lidhjeve kuptimore mes strofave.

Strofat janë të larmishme dhe rimat, të pakta. Teksa vargëzon, poeti më shumë se për ritmikën poetike, interesohet për mendimin. Ai priret të përdorë shkronjë të madhe në fillim të çdo vargu, duke e orientuar disi leximin dhe tek-tuk edhe ndonjë shenjë pikësimi, që po ashtu e orientojnë leximin. Në poezinë e Dedajt spikat stili aforistik, sepse shpesh çdo strofë poetike mund të lexohet e të interpretohet më vete, si një aforizëm që e ka të sintetizuar kuptimin.

Një orë mat kohën e varur/ e tregon sa është e vërteta

Fshehtësitë duan të vdesin/ por nuk munden

Ajo që s’u tha asnjëherë/ Mund të flasë ngadalë ("Rinjohje")

Motivet e historisë, kujtimit e harrimit

Disa motive që shfaqen vazhdimisht si qendrore dhe fjalë kyçe në sistemin poetik të Dedajt janë: historia, kujtimi dhe harrimi. Historia nëpër poezi nuk është e lavdishme, as nuk lartësohet në mënyrë emocionale. Ajo është një fakt që ka lënë shenjë në jetën e subjektit lirik ose të të tjerëve si ai dhe që duhet kujtuar. Të kujtuarit do ta shndërronte historinë në dëshmi dhe po ashtu, do të shmangte përsëritjen e së keqes që e ka shoqëruar të shkuarën.

Ç’ka rënë nga kujtesa e popullit Nuk e pranon historia (“Gjurmët që s’janë”). * * *

Letërsi
Letërsi394

Kemi kalue nëpër kët hark të jetës sonë

Ndër hapa, hapi hapin tue ndjekë

Ndër breze, brezi brezin tue ndjekë dhe me mall, mallin kemi pjekë.

Historia i paska sytë në shpinë

Dhe sheh vetëm prapa Prandaj ka kohë

Të tallet me veten

Një shtazë e mirë flet për njerëzit (“Një ekzotikë ndoshta”)

Historia e ka harruar të folurit

* * *

Amshimi yt është dhembja që këndon (“Historia e ka harruar të folurit”)

* * *

Ajo që ishte gjithçka mbet një asgjë

Që e kërkojnë historianët

Nëpër gojëdhënat e stërlashta Të pamësuar ta shpjegojnë fatin

T’i mësojmë këmbët të ecin.

(“T’i mësojmë këmbët të ecin”)

Nga ana tjetër, kujtimi është një tjetër koncept qendror dhe në poezi shfaqet si kujtesa sociale, ashtu edhe kujtimi personal. Në fakt, kujtimi është në gjithë korpusin poetik të Dedajt, si çift antonimik me harrimin, që për poetin, siç e thotë që në titullin e një poezie: “Harrimi është vdekje që përsëritet”.

Ta zëmë se kujtesa s’ka ndonjë kuptim

Ta pimë esëll epiko-lirikën tonë

(“Peshuam çdo gjë që mund ta urtësonim”).

Kujtimi jo rrallë përjetohet si përvujtni e subjektit lirik, por që gjithsesi poeti e parapëlqen përpara harresës.

Vetëm unë dhe nata e puthim barin, I harrojmë buzët e djeguna të kujtimit (“Vetëm”)

Shiu qan për ty Kur zgjohet kujtimi Dhe rrugën e djeg në mes meje e teje

Prej këtu deri te amshimi (“Letra”)

Nga ana tjetër, poezitë që poeti ia kushton kohës, kanë një natyrë dukshëm filozofike, sepse ai poetizon rrjedhën e kohës së jashtme dhe ndikimin që ka ajo te brendësia e qenies.

Koha, Kur ia veshim lëkurën tonë të gjarprit

Kur ia veshim lëkurën tonë të blertë, (“Koha”)

Poezia lirike e Dedajt ka tiparet e një lirike moderne, që më tepër sesa kumton qartësisht, sugjeron kuptime, duke lënë të hapura shtigje të shumta interpre

Letërsi 395

timesh. Lirika e Dedajt vërtitet rreth temës së dashurisë, duke u ndërthurur ngushtë me elemente të spikatura të natyrës (e blerta, bari, drunjtë, livadhi, kali i bardhë, dallëndyshet, drandofillet). Mjaft prej poezive, veçanërisht ato të vëllimit poetik “Simfonia e fjalës”, përvijojnë idealin idilik të dashurisë, të së bukurës dhe të së mirës.

Njeriu i blertë me kosë

Flet gjuhën e livadhit gjithë jetën, Kosit dashuninë e vet Dhe e bjen në vargun tim. Ai ecë aq lehtë nëpër bar

Kur i banë fluturat në gishta

Ai asht i dashunuem

Kur pllumbat i lëshohen në kosë

Ai asht aq i blertë

Kur dallëndyshet i lëshohen në dhimbje. (“Njeriu i blertë”)

Në shumë prej poezive të Dedajt mbizotëron ligjërimi subjektiv që evokon ndjenja. Dashuria është ajo që i jep kuptim kohës, shprehet poeti: Me thanë të vetmen porosi: Matnie kohën/ vetëm me dashuni!...

Konceptet matematikore dhe gjeometrike

Një aspekt i veçantë i poezisë së Rrahman Dedajt është edhe shndërrimi në figura apo motive poetike i koncepteve që i përkasin një fushe leksikore shkencore shumë të largët me fushën artistike të poezisë. Fjala është për fushën e matematikës dhe atë të gjeometrisë. Dedaj shfaq një interes të veçantë në rimarrjen poetike të koncepteve matematikore ose gjeometrike, duke i shndërruar ato në metafora, ose duke i veshur me nuanca kuptimore ose emocionale.

Në hipotenuzën C-e, Kështjella e fjalës na ka mbete Nëpër shtigje tue u mundue me gjete Rranjën katrore të jetës. (“Nji trekandsh në jetën tonë”)

S’po ndodh asgjë Gjeometri e mashtrimit Hapësirë e palëvizshme si frika. (“Ta plakatojmë dhembjen”) Kompasët le të lëvizin Kah kokat jo kah zemrat (“Vaksinimi”)

Nga shitorja muzikale Numëron sipas matematikës së vet Kokat e njerëzve të marteve […]

Kështu kapelashitësi afër tregut Në këndin prej nëntëdhjetë shkallësh Bën matematikën e të martës (“Kapelashitësi”)

Përdorimi i koncepteve matematikore, siç duket edhe në shembujt e mësipërm, e përforcon imazhin poetik dhe krijon realitete poetike të parrahura në poezinë shqipe. Studiuesit kanë vërejtur se poezia e Rr. Dedajt dallon edhe për simbolet e shumta që përmban, si brenda poezive të veçanta, ashtu edhe në gjithë sistemin e tij poetik.

Letërsi396

Simbolet ngrihen mbi fjalët-çelës që rimerren nga njëra poezi te tjera dhe nga njëri vëllim poetik te tjetri, duke bërë që të ketë një atmosferë të dendur përjetimesh. Ajo çfarë e dallon simbolikën e theksuar të poezisë së Dedajt është fakti që, në këto poezi, fjalët-çelës që përdoren si simbole, kanë kuptime të reja që hasen vetëm brenda sistemit poetik të këtij poeti. Disa nga simbolet e veçanta të poezisë së Dedajt janë: rrashta, kafka, hiri, si simbole të ekzistencës së shkuar; vasha, dashuria, buka si simbole të gjallërisë e të jetës; sëmundja, epidemia, si simbole të së keqes etj.

Pra ta gatuajmë me mishin tonë

Kangën që ka erën e bukës. Me i zanë dashunitë e lëshueme Kuajt e kuq sonte do të vrapojnë

Ndonëse poeti mund të shfrytëzonte fare mirë sistemin simbolik ekzistues të kulturës dhe traditës letrare, ai zgjedh t’i kapërcejë ato dhe t’i krijojë vetë simbolet në korpusin e tij poetik. Këto simbole janë të lidhura ngushtësisht me njëri-tjetrin dhe krijojnë një rrjet të brendshëm simbolik në poezi. Domethënia e simboleve bëhet e interpretueshme vetëm pas leximit të plotë të veprave poetike të Dedajt.

Skematikisht, një mënyrë si mund të zbërthehet rrjeti simbolik i poezive të Dedajt do të ishte: subjekti lirik simbolizohet nga druri; aspirata për lumturi dhe qashtërsia simbolizohen nga ngjyra e blertë; vendi ku përjetohet dashuria është livadhi, në të cilin ka përherë një kalë, si ëndërrim që duhet ndjekur e duhet ngarë për ta bërë ëndrrën të vërtetë.

Poezia lirike si porosi etike

Veçanërisht në veprën poetike “Fatkeqësia e urtisë”, Dedaj shfaqet poet më reflektiv dhe poezitë e tij janë shpesh përsiatje të natyrës morale dhe etike për dukuri sociale të bashkëkohësisë. Ky lloj reflektimi ka në qendër vese apo zakone të kritikueshme, si për shembull thashethemnaja, përgojimi, në poezinë “Shqetësim”:

Njerëzit dolën në dritare Dhe pështynë shiun

Shiu ish diç që kalonte

Pështyma diç që mbetej Pastaj u kthyen brenda Të pinë qumësht E të flasin për atë që nuk e panë

Mandej njerëzit ndërruan rrobat

Dhe dolën përsëri në dritare Pështynë në fjalët që thanë brenda Duke kërkuar përsëri shiun [...]

Herë të tjera, përmes aforizmash metaforikë, poeti jep porosi morale për çfarë është e dobishme dhe e mençur të bëhet: “Kush të gjuan me gur/ gjuaje me bukë” (“Në vend të urtisë”). Herë të tjera përvijon kronika poetike të bashkëkohësisë duke ironizuar kotësinë dhe bjerrjen e kuptimit: Kemi kohë për marrëzira/ Vazhdimisht rreth të njëjtës tryezë/

Letërsi 397

Lexojmë gazeta të Miss krizave botërore/ Të etikës poetikës politikës/ Pimë kafe të lajmeve taze/ Lajme të përsëritura pimë// Njerëz lexoni njerëzit/ në vend të gazetave (“Pimë kafe të lajmeve taze”); kokëfortësinë e anakronizmin: Ishim pak të pritjes pak të ikjes// Pak për dreq pak Don Kishota ishim/ E s’kishim kohë nga urtia të plakeshim/ Ishte vonë për mite homerike (“Peshuam çdo gjë që mund ta urtësonim”); mendjemadhësinë e marrëzinë: E rrema lëshonte bisht/ Marrëzisë i rritej koka/// Hedhësit e bredhësit/ Me pishë të ndezur// Mjekrën e djallit kërkonin (“Fatkeqësia e Urtisë”) etj. Në rastet kur jep porosi të tilla, ose kur ironizon shfaqje të papëlqyeshme të shoqërisë e rrethinës së tij, poeti zgjedh të ndërkallë në tekst thënie e shprehje popullore që qarkullojnë në ligjërimin popullor si frazeologji: Thonë mendja nuk është/ Me masë të mjekrës; I pate duart e vogla/ Dhe u bë dushk për gogla; Ku e lamë e ku na mbeti, Mate hapin sa ke vrapin. Ironia te disa prej poezive të Dedajt shfaqet si ironi fabulore, kur rimerr personazhe ose motive fabulash dhe i bën pjesë të kontekstit të tij poetik. Si shembull, mjaft të shohim këto vargje të poezisë me titull “Ezop(ike)”:

Një djall një shishe një fotografi

Një fotografi një shishe një djall

Një zot një gjarpër një gomar

Kush do të mbetet në shishe

Kush në fotografi me gomarin

Siç shihet, ndërkallja e këtyre elementeve frazeologjike ose fabulore në tekstet poetike e bëjnë më të lexueshme e më të zbërthyeshme ironinë poetike, duke evokuar shprehje a motive që lexuesi i ka të pranishme në ligjërimin e tij bisedor.

Verifikoni njohuritë

1. Çfarë veçorish formale dhe gjuhësore paraqesin poezitë e Rr. Dedajt?

2. Si shfaqen motivet e kujtimit dhe të harresës në poezitë e Dedajt?

Përse nuk duhet harruar, sipas poetit?

Si trajtohet koncepti i kohës sipas perspektivës së subjektit lirik?

Cilat janë disa simbole të poezisë së Rr. Dedajt dhe a kanë të njëjtin kuptim me simbolikën tradicionale letrare e jashtëletrare?

Me çfarë mjetesh realizohet ironia në sistemin poetik të Rrahman Dedajt?

Çfarë dukurish apo vesesh ironizon Dedaj në poezitë e tij?

Ushtroni mendimin kritik

8. Nisur nga vargjet dhe pasazhet poetike të dhëna më sipër, argumentoni përse vargjet e Dedajt shpesh ngjajnë me frazeologji metaforike.

9. Poezia lirike e Dedajt shpesh vjen në trajtën e porosisë etike dhe përmban përsiatje morale për dukuri të caktuara shoqërore. Si mendoni, nisur nga ky lloj qëndrimi dhe kjo natyrë e poezive të tij, a mund ta quajmë Rrahman Dedajn një poet të angazhuar? Krahasoni qëndrimet e tij me qëndrimet e Ali Podrimjes. A vini re pikëtakime mes qasjeve të dy poetëve?

3.
4.
5.
6.
7.
Letërsi398

Pikëçuditëse

Sa lehtë të thuhet njerëz jemi

Sa vështirë të jemi

Nëse secili mendon se është i mirë Duhet të mendojë përsëri

Vlerësimet janë të lira Ndryshon vetëm peshorja

Po të peshonim të gjithë njësoj Na dalin llogari të gabuara

Të flasim dimë të gjithë

Të kuptohemi fare pak

Kryeneçësia vrapon me kalë

Urtësia vazhdon në këmbë

Jemi njerëz dhe gabojmë

Sa ironi e bukur

Kush humbi çdo gjë pos vetëdijes Të gjitha i fitoi përsëri

Më të vegjël se ti Janë ata që nuk të shohin Mizat përdhese bëjnë përjashtim

Një trekëndësh në jetën tonë

I tërheqim nganjëherë gishtat nëpër rërën e kujtimit

Si në lojë, nëpër hirin që flet gjuhën e etërve, Dhe vizatojmë një trekëndësh të kuq...

Katetës A mbi bar, Ia kemi dhënë emrin e kafkave tona Dhe të erës së bukës.

Katetës B-e ia kemi dhënë emrin e trëndafiles Kur jemi bërë fenerë Nëpër piramidat e ëndrrave.

Në hipotenuzën C-e, Kështjella e fjalës na ka mbetur Nëpër shtigje duke u munduar ta gjejë Rrënjën katrore të jetës.

ILUSTRIME LETRARE
Letërsi 399

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në poezinë “Pikëçuditëse”, titulli përdoret për të krijuar idenë e habisë, paqartësisë apo mungesës së informacionit?

2. Në poezinë “Pikëçuditëse”, çfarë është gjëja më e vështirë, sipas subjektit lirik? Po gjëja që nuk duhet humbur asnjëherë, për të pasur mundësi t’i rifitosh të tjerat që ke humbur?

3. Në poezinë “Pikëçuditëse”, çfarë quan poeti “ironi të bukur”?

4. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, në cilat vende vizatohet me gishtërinj trekëndëshi?

5. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, përse përmendet gjuha e etërve?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Në poezinë “Pikëçuditëse”, interpretoni vargjet: Kryeneçësia vrapon me kalë/ Urtësia vazhdon në këmbë. Ndaluni tek antropomorfizmi i këtyre dy koncepteve, kontrasti mes tyre dhe ironia fabulore.

7. Në poezinë “Pikëçuditëse”, gjeni vargjet që tregojnë faktin se subjekti lirik dhe të tjerët që e rrethojnë, vuajnë nga moskuptimi i njëri-tjetrit.

8. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, interpretoni metaforën: kështjella e fjalës na ka mbetur.

9. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, cilat janë konceptet matematikore e gjeometrike që përdor poeti? Çfarë efektesh krijon ndërkallja e tyre në poezi?

10. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë” shikoni me vëmendjen strofat dyvargëshe. A mund të qëndrojnë ato më vete në formën e aforizmave? Çfarë tregon diçka e tillë për vlerën shprehëse të poezisë dhe mjeshtërinë e poetit?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në poezinë “Pikëçuditëse”, vargjet: Po të peshonim të gjithë njësoj/Na dalin llogari të gabuara: shprehin metaforikisht idenë se mënyra e gjykimit ndryshon nga njëri te tjetri; tregojnë problemet e krijuara kur peshorja nuk është në rregull; tregojnë problemet me bilancin financiar për shkak të gabimit në llogari; folja peshoj është metaforë e foljes gjykoj, vlerësoj.

12. Në poezinë “Pikëçuditëse”, dyvargëshi: Kush humbi çdo gjë pos vetëdijes/ Të gjitha i fitoi përsëri, tregon: një aforizëm që nuk është krijim autorial; besimin që ka poeti te forca e arsyes; se vetëdija është busulla orientuese e jetëve tona; se përballja me humbjen është e pashmangshme; tjetër

______________________________________________________________ Letërsi400

13. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, në vargjet: Zgjohet zjarri që më përtërin/T’i djegë asgjët që mbetën, fraza “asgjët që mbetën” i referohet: paqartësisë që përjeton ende subjekti lirik; humbjes së çdo gjëje deri më tani; historive të parealizuara, që mbeten ende si pengje; tjetër_____________________________________________________

14. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, gjeni vargjet që tregojnë përpjekjen për të gjetur kuptimin e jetës. Komentoni forcën shprehëse të këtyre vargjeve.

15. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, si ndikon përdorimi i konceptit të brinjëve përbërëse të trekëndëshit në krijimin e imazhit poetik?

Nga teksti te përdorimi

16. Në poezinë “Pikëçuditëse”, interpretoni si realizohen antitezat dhe çfarë sugjerojnë ato për natyrën e qenies njerëzore?

17. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, interpretoni përdorimin e simbolit të kafkës dhe a ka funksion metonimik në mënyrën si përdoret këtu?

18. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, interpretoni përdorimin e simbolit era e bukës.

19. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, përse mendoni se trekëndëshi që subjekti lirik thotë se vizatojmë, ka ngjyrën e kuqe?

20. Në poezitë e mësipërme, gjeni ata dyvargësha që përdoren në funksion të ironisë fabulare.

Nga teksti te reflektimi

21. Diskutoni në grup për kuptimin e dyvargëshit Të flasim dimë të gjithë/Të kuptohemi fare pak në kontekstin e shoqërisë sonë bashkëkohore dhe të zhvillimeve teknologjike.

22. Interpretoni vargjet Më të vegjël se ti/ Janë ata që nuk të shohin/ Mizat përdhese bëjnë përjashtim, duke i vendosur ato në kontekstin e modës së kohës për t’u ekspozuar së tepërmi, sidomos në rrjetet sociale.

23. Gjeni aforizma poetikë ose idioma të ligjërimit të përditshëm që kanë kuptime të përafërta me kuptimin e dyvargëshit të Dedajt: “Kryeneçësia vrapon me kalë/Urtësia vazhdon në këmbë.”

24. Në matematikë keni mësuar se rrënja katrore e numrave negativë nuk ekziston. Sakaq, Dedaj në poezinë e tij “Një trekëndësh në jetën tonë”, shprehet se ne jemi në kërkim të rrënjës katrore të jetës. A mendoni se prej këtu mund të pohohet se qasja që poeti sugjeron ndaj jetës dhe dukurive të saj është pozitive?

25. Reflektoni rreth sintaksës poetike të dy poezive të mësipërme. A kemi të bëjmë me errësim kuptimi në secilin rast apo thjesht me shfaqje tipike të sintaksës së poezisë moderne.

Nga teksti te të shkruarit

26. Shkruani një ese letrare duke u nisur nga vargjet e Dedajt:

Lumturia s’është monedhë

E rënë nga xhepi

Të gjendet në rrugën e pluhurosur

Letërsi 401

Gjuhë

FOLJA DHE LIGJËRIMI

Në mësimet paraprijëse është folur për llojet e ndryshme të ligjërimeve (ligjërimi libror, ligjërimi bisedor, ligjërimi i shkujdesur). Ato përcaktohen në varësi të formës së komunikimit dhe veçantive që shfaqin në lidhje me raportin ndaj standardit. Në këto lloj tekstesh, një element mjaft i rëndësishëm i organizimit gjuhësor është edhe folja. Folja është një njësi me veçanti morfologjike, sintaksore, kuptimore dhe stilistike, pasi ajo shfaq në gjuhën shqipe një larmi shumë të madhe trajtash të shtjelluara (të cilat i keni studiuar gjerësisht në kuadrin e zgjedhimit sipas mënyrave, kohëve, numrave, vetave) dhe të pashtjelluara (format e pashtjelluara: infinitivi: me punu; paskajorja e standardit: për të punuar; përcjellorja: duke punuar; mohorja: pa punuar etj.). Gjithë kjo larmi formash, të cilat reflektojnë kohë, veta, mënyra dhe numra të caktuar, u jep mundësi të pafundme përdoruesve të gjuhës të shprehen në ligjërime të ndryshme. Po kështu, folja krijon edhe grupin më të madh e më të rëndësishëm në kuadrin e gjithë fjalisë, përkatësisht, grupin foljor. Ajo përzgjedh nga pikëpamja kuptimore edhe elementet e saj të detyrueshme e ato jo të detyrueshme (Kujtojmë se kryefjala dhe kundrina zakonisht janë elemente të detyrueshme të strukturës foljore, kurse ndajfolja zakonisht nuk shihet si e domosdoshme në lidhje me mesazhin bazë të fjalisë.). Këtij parashtrimi i shtojmë faktin se kjo larmi merr nuanca karakteristike stilistike, sipas ligjërimeve të ndryshme, siç do ta trajtojmë më poshtë.

Folja në ligjërimin libror

Në varësi të llojit të ligjërimit dhe raportit me normën, ligjërimi libror zakonisht shfaqet më i kujdesshëm. Në të respektohen trajtat dhe ndërtimet foljore, të cilat i referohen standardit. Në të nuk kemi shmangie nga kuptimet kryesore të foljes për efekte konotative. Shikojmë tekstin poshtë: Sokrati e hidhte poshtë nocionin se koncepte të tilla, si virtyti, ishin relative; përkundrazi, këmbëngulte se ato ishin absolute, të zbatueshme jo vetëm te qytetarët e Athinës ose të Greqisë, por te të gjithë njerëzit në botë. Ai besonte se virtyti (në greqisht: areté, që në atë kohë nënkuptonte shkëlqimin dhe përmbushjen) ishte “më i vyeri në pasurinë e njeriut” dhe se askush nuk dëshiron të bëjë keq me të vërtetë. Kushdo që bënte veprime të këqija, do të vepronte në kundërshtim me ndërgjegjen e tij dhe, për pasojë, do të ndihej keq. Kështu, duke qenë se të gjithë synojmë qetësinë shpirtërore, atë veprim nuk do ta bënim me dëshirë. E keqja, mendonte ai, bëhet për shkak të mungesës së urtësisë dhe të diturisë.

(Libri i filozofisë)

Siç mund të dallohet, kemi të bëjmë me një tekst të ligjërimit libror, përkatësisht filozofik, në të cilin respektohen rregullat e standardit. Në këtë kontekst janë edhe format foljore, të cilat përveçse janë shkruar sipas normës, shfaqen të shenjuara edhe nga pikëpamja stilistike, sipas llojit të tekstit (thuhet: hulumtoj fenomenin, por jo hulumtoj ushqimin). Kështu, shumica e foljeve janë në të pakryerën, gjë që i shkon për shtat edhe trajtës së tekstit dhe larghedhjes kohore, për të cilën flitet. Nuk ka forma dialektore dhe foljet janë në grup me njësi

Statujë e Sokratit
Gjuhë402

të tjera, që i përkasin fushës kuptimore të filozofisë (nocion, koncepte, virtyti, relative, veprime, ndërgjegje etj.). Grupi foljor (në fakt, e gjithë fjalia) shfaqet i plotë dhe pa elipsa sintaksore (Elipsa sintaksore krijohet kur në fjali mungojnë gjymtyrë të caktuara, të cilat nënkuptohen zakonisht. Të tilla mund të jenë kryefjala, kallëzuesi etj.: Shkove?/ Jo./As unë.). Mungojnë ndërtimet foljore, që përcjellin konotacione metaforike etj. Shumica e tyre shfaqen në mënyrën dëftore, e cila siç keni mësuar, shpreh në mjaft raste modalitetin e vërtetësisë. Një gjë e tillë përputhet edhe me qëllimin e tekstit, që kërkon të japë një informacion të saktë e bindës.

Folja në ligjërimin bisedor

Ligjërimi bisedor dhe ligjërimi i shkujdesur në krahasim me ligjërimin libror shfaqen shumë më të lirshëm në raport me normën. Në këto dy ligjërime (mes të cilave, herë pas here, është e vështirë të bëhet një ndarje e prerë), folja mund të marrë nuanca dialektore dhe me vlera modale nga më të ndryshmet (habi, ironi, dëshirë, urdhër, supozim etj.). Trajtat e saj, siç thamë, mund të jenë pjesë e dialekteve, e sociolekteve (të folmeve të grupeve të caktuara shoqërore), madje edhe e idiolekteve (e folmja e një individi të veçantë). Kjo gjë vihet re veçanërisht në ndërtimin e grupit foljor përkatës. Po marrim disa shembuj: “Ça bone?!”; “A je ardh herët?”; “N’at koh u lajshe n’pik t’mjesit.”; “Kam me shku herët nesër.”; “Me msu, se kët punë ke vetëm!”; “Kur isha vajzë e re, kërcenja nëpër dasma.”; “Muj me than se nuk t’paskam njoft.”; “Çish u dive?” (Si u gdhive?në çamërisht) etj.

Në këta shembuj mund të vihet re se, veç veshjes dialektore fonetike (që përdor gjatësinë e zanores me shkū, hundorësinë - me bâ, rotacizmin - me bunu/me buru, pra, kalimi i n-së në r etj.), foljet paraqiten edhe me vlera të tjera të pamësuara në librat e gramatikës. Kështu, në fjalinë “Me msu, se kët punë ke vetëm!”, infinitivi (me msu/e/-a) është përdorur për të dhënë kuptimin e urdhërores. Po kështu, në fjalinë “Kam me shku herët nesër.”, ndërtimi me foljen kam, e shoqëruar me infinitivin, ka kuptimin e së ardhmes (do të shkoj). Në raste të tjera ndërtimesh foljore, që në standard dalin në formën veprore, në ligjërimin bisedor e të shkujdesur i gjen si forma në joveprore: “A je ardh herët” (A ke ardh/ur herët? - në standard e të folme të tjera.).

Ka raste kur ligjërimi bisedor e i shkujdesur jep forma që nuk i ka standardi: N’at koh u lajshe n’pik t’mjesit.”. “U lajshe” - përdoret në kuptimin e së pakryerës së joveprores “lahesha”. Vini re mbaresën dhe pjesëzën u të përdorur për të dhënë këtë kuptim (kujtojmë se kjo e fundit, pra, pjesëza u përdoret në kohën e kryer të thjeshtë të joveprores së standardit, siç e keni mësuar).

Në raste të tjera, një folje në formën e një kohe të caktuar, në ligjërimin bisedor mund të dalë me kuptim tjetër: “Ec para se erdha!”(erdha - në kuptimin e së ardhmes do të vij).

Folja në ligjërimin e shkujdesur

Veç elementeve të mësipërme, të rinjtë krijojnë zhargonin e tyre dhe në jo pak raste i deformojnë fjalët. Edhe te folja vepron e njëjta dukuri. Kështu, studiuesit kanë vënë re përdorimin e fjalës me rrokje të ndryshuar si rend. Në vend të “U kalla”, “U llaka”.

Në jo pak raste vihet re përdorimi i foljes në variantin e huazuar të saj, po me mbaresat e mjetet e tjera trajtëformuese të shqipes “Gugëllo në internet se të del!”. Veçanërisht kjo

Gjuhë 403

prirje është shumë rrezikshme për sistemin gramatikor të shqipes, pasi folja, siç thamë, është një njësi shumë rëndësishme e gjuhës, e cila formon edhe grupin më të madhe e më me ndikim në fjali. Nga ajo mund të formohet edhe emri e mbiemri (p.sh. nga gugëllo mund të formohet edhe gugëllim dhe i gugëlluar, duke rritur kështu numrin e huazimeve të panevojshme, pasi i kemi ekuivalentet p.sh. për emrin, kemi kërkimi në Gugëll). Kjo mund të shmanget, duke përdorur grupin kërkoj në Gugëll, siç kemi edhe kërkoj në internet.

Nga pikëpamja sintaksore, grupi foljor gjithashtu shfaqet mjaft i larmishëm. Janë karakteristike lokucione foljore me përdorues të ligjërimeve të ndryshme (ma hoqi petllën - më çmendi,/ma hoqi pinin - më çmendi nga të rinjtë). Kujdes: Nuk ka pse përdoret: Kam flutura në bark (zakonisht, kur ke ndjenja për dikë), pasi është një huazim strukturor i panevojshëm, që i ka mjetet në shqipe (kam ndjenja për dikë, i ka ra n’kry për dikë etj.).

Nga sa thamë më sipër, vumë re se ligjërimi bisedor dhe ai i shkujdesur kanë shmangie të konsiderueshme nga standardi në forma e në ndërtime foljore. Kjo nuk do të thotë se këto janë variante jo të mira dhe ju nuk duhet t’i përdorni. Kujdes duhet pasur me huazimet foljore të panevojshme.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Kujtoni dy kriteret bazë që përcaktojnë ligjërimet.

2. Çfarë roli luan folja në organizimin gjuhësor të teksteve të ndryshme dhe pse?

3. Cilat janë nivelet kryesore të studimit gjuhësor, në të cilat është studiuar folja dhe grupet e tjera të fjalëve? A lidhen këto përshkrime vetëm me standardin? Ilustroni me shembuj.

4. Si shfaqet folja në ligjërimin libror në raport me standardin? A i respekton trajtat e sugjeruara nga ai dhe pse është e nevojshme një gjë e tillë?

5. Si shfaqet folja në ligjërimin bisedor e të shkujdesur në raport me standardin, dialektet, sociolektet etj.?

6. Folëm më lart për huazimet foljore. A përdorni shumë folje në gjuhë të huaj dhe pse? Sillni shembuj. A mendoni se janë të nevojshme?

Ushtrohuni përmes tekstit

7. Lexoni me vëmendje tekstin. Kalojeni atë nga ligjërimi libror, në ligjërimin bisedor.

Mjeku po konsultohej me pacientët mbi pasojat e Covid-19. Ishte e vështirë t’u shpjegoje me terma teknikë se përmirësimi kërkonte kohë dhe nuk ishte një proces i lehtë. Pacientët u përkisnin kategorive të ndryshme në lidhje me profesionet dhe shtresat sociale nga vinin. Kjo e bënte edhe më të vështirë bisedën, megjithatë mjeku e bënte me përkushtim punën e tij dhe nuk lodhej.

Gjuhë404

8. Kaloni tekstin nga ligjërimi i shkujdesur, në ligjërimin bisedor.

A: Hë mo ça bone?

B: Ku je o vlla?

A: A të dha leje plaku për sot?

B: Aman se ma ka nxi tu m’ pyt ku ke me shku? Me çin je? N’ça ore je tu ardh ti?

A: M’shtat pa dhjet?

B: Ok. Hajt se n’gjohna ma von. Shnet!

A: Tung plako!

9. Teksti më poshtë është shkëputur nga një këngë, e cila ka shumë tipare të ligjërimit bisedor e të shkujdesur. Dallojini ato.

Muj me than u kan dashni

Ka egzistu

Muj me than kom pas shum ndjenja Hala te du

Muj me than kom pas besim S’pakti kom provu Edhe ti shum mir e din Nuk m’ ke meritu

Po e vështroj shtëpin, të cilën kemi pas ne dy E kemi hup kontrollën, hup drejtimin, ne dy

Si ke zani yt, me lot i thym Tu vujt Me ty nuk muj Pa ty nuk muj ("Ndryshe", Khuba)

10. Në mësim sqaruam tiparet e ligjërimeve të ndryshme, duke theksuar në fund se ato përdoren në kontekste të caktuara dhe nuk ka pse të ketë paragjykime në lidhje me to. Nëse teksti më lart do të kthehej në standard, si do të tingëllonte? A do të ishte njësoj? Sillni raste të tjera të ngjashme. Diskutoni në klasë në lidhje me tekstet e këngëve e vlerat e tyre në raport me standardin, dialektet e ligjërimet e ndërtuara në bazë të tyre.

11. Gjatë jetës suaj besojmë se keni dalluar të folme të grupmoshave të ndryshme. A mund të sillni shembuj të tillë në klasë? A kemi ndryshim edhe të foljes, formave dhe ndërtimeve të saj në to dhe t’i shpjegoni?

Sfida e të shkruarit

12. Gjatë ligjërimit tuaj bisedor e të shkujdesur me njëri-tjetrin a keni vënë re tipare të ngjashme me ato që përshkruam më lart në lidhje me format dhe ndërtimet foljore? Shkruani një tekst të tillë. Mund të shkruani variante të komunikimit me kode, që përdor grupmosha juaj. Mos u druani të shkruani në dialekt, ose ashtu siç i shqiptoni.

Gjuhë 405

Letërsi

Azem Shkreli

Azem Shkreli lindi në vitin 1938, në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme, në Prishtinë, për të vazhduar më tej në Fakultetin Filozofik, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për shumë vjet, ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit në Prishtinë dhe themelues e drejtor i “Kosova Filmit”. Vdiq në pranverën e vitit 1997. Ka botuar këto vepra në poezi: “Bulzat” (1960), “Engjujt e rrugëve” (1963), “E di një fjalë prej guri” (1969), “Pagëzimi i fjalës” (1981), “Nata e papagajve” (1990), “Lirikë me shi” (1996), “Zogj dhe gurë” (1997). Në prozë: “Karvani i bardhë” (1961), “Sytë e Evës” (1975), “Muri përfundi shqipes”, “Shtatë nga ata”, si dhe dramat: “Fosilet” (1968), “Varri i qyqes” (1983), etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen dhe talentin e tij të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe. Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën. Poezia e Shkrelit karakterizohet nga thyerja e traditës poetike në rrafshin e modeleve të vargëzimit (vargu është i lirë dhe jo i matur) dhe të rimës, madje të frazës poetike. Në poezitë e tij, përzihen dhe evokohen ndjeshmëri të sferave të ndryshme dhe kuptimi i tekstit poetik sugjerohet, por nuk kumtohet haptas.

Motivi i identitetit kombëtar

Pavarësisht frymës së artit poetik modern që e karakterizon poezinë e Shkrelit, në të haset një element i fuqishëm që e mban atë të lidhur me fijet e lirikës tradicionale shqiptare, që është motivi i identitetit kombëtar. Vetë Shkreli shprehej se “para vetes dhe para të tjerëve nuk do të jemi interesantë si francezë, si anglezë ose si gruzianë, por vetëm si këta që jemi”. Poezitë me tematikë atdhetare janë të shumta, ku kulmon tematika e Kosovës dhe aspirata e shqiptarëve të Kosovës për liri.

Sonte unë e ti Jemi ai zgjim i zekthët

Ujqit në këmbë

Do jenë, Kosova në këmbë.

Liria thinjet bukur, nuk plaket kur vdiset është e pavdekshme kur vdes, i bëjmë vend në dhe të atdheut Liria është si Kosova, s’kam fjalë më të lirë.

(Lirikë për lirinë)

Varri në varr në na dashtë a ëndrra në ëndërr M’i thoi Kosovës po lidhim mbathcat, po vijmë.

(Letër atdheut)

Të tilla poezi përmendim: “Kashelashë për atdheun”, “Motiv me Kosovë”, “Letër atdheut” etj.

Letërsi406

Vëllimi poetik “Lirikë me shi” i Azem Shkrelit përbën një ndër shfaqjet më të larta të lirikës së këtij autori. Identiteti kombëtar është filli që bën bashkë të gjitha poezitë e vëllimit “Lirikë me shi”, madje edhe ato poezi që nuk i takojë kryekëput tematikës atdhetare. Poeti priret të ndërtojë realitete poetike mbi elementet tipike të botës dhe të jetës shqiptare: sofra, buka, kulla, guri; rimerr shpesh personalitete e figura patriotike si: Ali Binaku, Oso Kuka, Ali Podrimja; si dhe toponomastikë kombëtare: Drini, Dukagjini, Kruja, Vlora, Buna, Tomori, Rozafa, Sazani, Prezerend, Shkrel, Mali i Sharrit, Vjosa, Bregu i Hutës, Taraboshi etj. Madje, shpesh, poeti krijon neologjizma shumë të veçantë me bazë emrat e qyteteve të Shqipërisë, si për shembull: gjaku i krujtë yni, varg valonte e vlortë, Bajramcurrem në male, etj. Me anë të këtyre neologjizmave, ai shënjon dyfish simbolikën dalluese të secilit qytet dhe kuptimin që do të kishte çdo mbiemër ose folje tjetër në vend të neologjizmit shkrelian.

Motivi i udhëtimit

Një tjetër lajtmotiv shumë i pranishëm në poezitë e Shkrelit është udhëtimi. Heroi lirik dhe të tjerët rreth tij janë vazhdimisht në udhëtim, herë për te kuptimi, për te e vërteta, për te liria, për te ngadhënjimi.

Herën e parë kërkon udhën e shkurtër

Herën e dytë bëhesh udhë dhe nisesh (Kërkim)

Një ditë prej ditësh patjetër Nisesh tej më tej vetvetes

Nuk është vetëm një Rozafë Një Kep i Shpresës së Mirë

I thua vetes: udha e mbarë Udhëtim në të panjohurën e nisesh

Dhe rreth e rreth i bjen Pompeit, pendimit Detit të Vdekur

Dikush të thotë: Nëse s’kthehesh Itaka është Itaka jote.

("Udhëtimi për Itakë")

Herë të tjera, udhëtimi është një ngasje këmbëngulëse për t’i ikur së zakonshmes. Në poezinë “Udhë”, për shembull, poeti na thotë se udhëtimi ndonjëherë shndërrohet në qëllim në vetvete dhe në fund fare rëndësi ka udha që ke bërë dhe jo vendmbërritja. Të tjera poezi që përmbajnë motivin e udhëtimit janë: “Udha e ardhjes”, “Fytyra e dytë e gjërave”, “Udhëtim për Itakë”, “Aksidencë”, “Binarët” etj.

Motivi i udhëtimi shpesh lidhet dhe me motivin e mërgimit, të ikjes prej atdheut, që për poetin është një plagë sociale, të cilën ai e transfiguron përmes gjuhës poetike.

Nisja e Odisesë
Letërsi 407

Kepat e shpresës së mirë

I rrisim me thërrime të dhembjes

Na dhembin eshtrat, na dhembin Lindjet, varret, dashuritë.

(Migrimi)

Uni lirik i Shkrelit është në kërkim të vazhdueshëm të udhës a të udhëtimit, por gjithsesi, në raste të caktuara, ngase e mund plogështia, i mbaron muza, apo i ikën dëshira për të vijuar; poeti percepton dhe më tej poetizon situata pezullie, ngecjeje, kotësie. Si poezi që e përmbajnë këtë motiv mund të përmendim: “Gjendje pezullie”, “Kotësi”, “Njeriu që s’fliste”, “Zbrazëtirë”, “Homazh”, “Qyteti pa qiell”, “Koha që s’rreh kambanë” etj.

Motivi i artit poetik

Motiv shumë i pranishëm është ai i artit poetik, që vjen si reflektim i poetit ndaj aktit të krijimit poetik ose si gjuhë artistike, që flet për rëndësinë e madhështinë e artit poetik. Poezi që e përmbajnë këtë motiv janë: “Dhembja e vargut”, “Saga për poetët”, “Kënga që s’deshi të shkruhet”, “Madërgonë e ferrit”, “Ma ktheni lirikën e zogut” etj.

Po dhembte e po binte

Të ketë kohë koha, ajër ajri

Duhej leje

Duhej vendi dhe koha e saktë

Për të qenë mes të qeneve

Shkreli e do dhe e çmon sivëllain e vet poet ose krijues, ndaj disa prej poezive të tij edhe të këtij vëllimi, përmbajnë poezi ad honorem (lat. për nder të), si poezia kushtuar Ismail Kadaresë, Esat Mekulit, Podrimjes, Gj. Gjokajt etj.

Lirika intime

Forma të tjera letrare të pranishme në korpusin poetik të Shkrelit janë lirika intime dhe ajo e dashurisë. Poezi me këto motive janë: “Drita e ndarjes”, “Gjeografi”, “Në gjakun e njeriut”, “Tis” etj. Poezitë e dashurisë nuk kanë nuancat e një lamenti patetik. Në to gjithsesi poeti mëton për një dashuri absolute, prej së cilës nuk iket, përveçse duke u larguar nga jeta. Këtë përkushtim mund ta shohim te poezia “Në gjakun e njeriut”: Në gjakun e njeriut Nuk hyhet me një këmbë, as Me dy mendje

Është mëkatar i madh, faltore e madhe, të fal

Në gjakun e njeriut Hyhet vetëm një herë, pa Zhurmë dhe pa trokitje

Nuk ka fanar, s’ka thikë, s’ka shikim prapa

Letërsi408

Nga gjaku i njeriut

Dilet lakuriq i bardhë, si Nga nata e varrit

Vetëm merre me vete kufomën tënde dhe nisesh

Shpesh, dashuria dhe besnikëria prej poetit marrin një përmasë etike, e cila në vetvete shndërrohet në motiv qendror në disa prej poezive të “Lirikë me shi”, kur flitet për raportin mes së mirës dhe së keqes, përsiatjeve për qenien dhe pashmangshmërinë e vdekjes, njeriut të lirë dhe njeriut të robëruar. Poezi me këto tematika janë: “Narcisi”, “Trajta e njeriut”, “Pas luftërave”, “Si prozë”, “Dhunë”, “Incest”, “Traktat”, “Koha e krimbave” etj.

Kur ngrit të dy duart dhe përgjaket trajta e bukur e njeriut. (Trajta e njeriut)

E pas luftërave gjithçka nis nga

E para, lufta nga e para

Lufta s’vret, njeriu vret i pari (Pas luftërave)

Shkreli nuk na shfaqet si poeti i mbyllur brenda universit të tij krijues, ai bën thirrje vazhdimisht për njeriun veprues, aktiv, të gjallëruar që kohës së vet duhet t’i japë angazhim dhe angazhimin duhet ta ketë mision jetësor:

Të hamë e të pimë vetveten, kohë nuk është jo, Kohë nuk është koha që s’rreh kambanë

Veçori të stilit poetik

Shkreli i thyen vargjet e tij pa u shqetësuar për rimat e jashtme dhe poezia e dëshmon zhanrin e vet letrar jo vetëm përmes thyerjeve sintaksore, por edhe përmes rimave të brendshme. Vargjet e poezive janë plot me fjalë që rimerren nga një varg te tjetri ose me segmente fonetike që përsëriten brenda të njëjtit varg (aliteracioni, asonanca, konsonanca) që shndërrohen në figura poetike. Shi, apo toja uji, lot të teltë mallëngjimi Shpirtrat na dërgojnë nga lartësi të lashta Shi, apo i fëshfërijnë diç shqip shqiponjat Shoqjashoqes në Shkumbin e në Mal të Sharrit Shi, apo fytyrë e frymë na zu me flokë Rozafa Bimëve në Shkodër po u shëngjergjet shtati Shi, ‘asha të madhin, shi e jo thashethëna Shi i eçtë, gjol etjesh, lum ai lumë që s’plasi Çplanju, të kaltër, mëkatesh të kaltra, çplanju Shihni, shpirtrat, shtonat, plot po mbushen Shkruani, të gjorë, simfoninë e shtatë të shiut (Lirikë me shi)

Poezitë përgjithësisht mbajnë vargje të thyera me fare pak shenja pikësimi, që do të drejtonin procesin e leximit e të kuptimit. Këto thyerje janë në pajtim me kodin formal tipik të poezive moderne, që iu ikin shtrëngesave të vargjeve të matura apo rimave

Letërsi 409

fundore. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që rimat fundore mungojnë gjithkund. Ajo që e thekson më fort modernizmin si orientim të poezisë, është pikërisht gjuha figurative, ku metafora mbetet tropi më i rëndësishëm që e bën poezinë të dallueshme:

Net dhe net që kuvendoj me vete

Një frymëzim rebel e marr me të butë

Sa pa zbardhur dita fund çdo flete Metaforat, rimat m’agojnë rezolutë

Leksiku poetik është i pasur dhe poeti ka prirjen të shkojë përtej leksikut të ligjërimit të thjeshtë që të krijojë neologjizma, të cilat e kondensojnë kuptimin e njësisë leksikore. Përmendim këtu prirjen për të krijuar emra, folje, ndajfolje, mbiemra, sipas modeleve ekzistuese të fjalëformimit shqip, përmes ndryshimit të klasës së cilës i përket fjala:, p.sh. qyqevetëm, lulezoti, ajri dhe uji përzjarren, zvarret, s’këndon zogërisht, lakmojnë krimbas, të kërthndeztë, lakmojnë krimbas, marshim i jargët, estetikë e tistë, gjaku i krujtë, valonte e vlortë, lot të teltë, po u shëngjergjet shtati.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

sipas tematikës?

Çfarë roli kanë neologjizmat në poezitë e Shkrelit?

Diskutoni për veçoritë e poezive që iu kushtohen aktit krijues dhe poetëve.

Përmendni disa nga tiparet që e bëjnë poezinë e Shkrelit të konsiderohet si lirikë moderne.

mendimin kritik

Shiu shpesh konsiderohet si sinekdokë e motit të keq e për pasojë është simbol i trishtimit. Si mendoni, çfarë sugjeron fjala shi në titullin e vëllimit poetik “Lirikë me shi” të Azem Shkrelit?

A mendoni se rima dhe struktura e paracaktuar e strofës e kufizon muzën poetike?

Sipas jush, përse Shkreli përdor neologjizmat me bazë emrat e qyteteve shqiptare? A mendoni se kjo vjen për arsye artistike apo është shenjë e vokacionit të tij patriotik?

1. Cili është filli tematik që i bën bashkë poezitë e vëllimit poetik “Lirikë me shi”? 2. Si mund të grupohen poezitë e Shkrelit
3.
4.
5.
Ushtroni
6.
7.
8.
Letërsi410

Kronikë ilire

Në fillim ishin zogjtë, lumenjtë, ilirët Hanin ilirisht dhe punonin ilirisht tokën Lindnin dhe vdisnin lirë, çlirshëm, ilirisht

Pastaj erdhën turrë-turrë nga perëndimi

Kërkonin tokë ilire, qiell, ujë ilir

U thanë: i paskeni të artë gurët, të bukët tokën

Pastaj erdhën turrë-turrë nga lindja

Kërkonin tokë ilire, qiell, ujë ilir

U thanë: i paskeni këngët dhe kafkat të bukura

Deshën t’i vënë në një tumë, deshën

T’u japin balsamin e luleve

Lirikë për lirinë

Liria është ylberi im matanë grilave Liria është gërshet i vashës me fjongë

Kur rritet, e veshim nuse

Kur eçtohemi, i pimë shëndet nga gjiri

Ajo është pikë në ujë, zog në qiell

Kur flet, e kuptojmë si nënën

Kur dhemb, dhemb në zemër

Liria thinjet bukur, nuk plaket

Kur vdiset, është e pavdekshme

Kur vdes, i bëjmë vend në dhe të atdheut

Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë

Apolonia, Fier, Shqipëri

Drita e ndarjes

Pritëm si pritet Shi, si rritet floku i barit

Mbushëm me pritje Plot bebëzat e plot kupat

As fjalë nuk folëm As verë me gojë nuk bëmë

Ndezëm nga një qiri

Të ftohtë, shkuam pas tij

O Zot

Si digjej drita e ndarjes

ILUSTRIME LETRARE
Letërsi 411

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në poezinë “Kronikë Ilire”, vargu Në fillim ishin zogjtë, lumenjtë, ilirët sugjeron: zanafillën e gjithë botës; lashtësinë e popullit ilir që në fillesa të njerëzimit; paqen me natyrën; tjetër

2. Në poezinë “Kronikë Ilire”, cilave pushtime iu referohen vargjet: Pastaj erdhën turrë-turrë nga perëndimi. Pastaj erdhën turrë-turrë nga lindja.

3. Në poezinë “Lirikë për lirinë”, në vargun “Liria është ylberi im matanë grilave”, çfarë simbolizojnë grilat?

4. Në poezinë “Lirikë për lirinë”, çfarë kuptimi ka metafora “Liria është gërshet i vashës me fjongë”? Çfarë simbolizon gërsheti i vashës me fjongë?

5. Në poezinë “Drita e ndarjes”, cilat vargje tregojnë pritjen dhe përmasat e saj?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Në poezinë “Kronikë Ilire”, gjeni aliteracionet dhe thoni efektin që krijon përdorimi i tyre.

7. Në poezinë “Lirikë për lirinë”, gjeni dhe diskutoni kuptimin e vargjeve, ku personifikohet liria.

8. Në poezinë “Lirikë për lirinë”, gjeni anaforat dhe interpretoni si ndikohet ritmi i poezive prej tyre.

9. Në poezinë “Drita e ndarjes”, gjeni rastet kur vargu thyhet dhe pjesa e mbetur e togfjalëshit kalon në fillim të vargut të ri, duke u shkruar me shkronjë të madhe. Diskutoni, nëse thyerje të tilla të vargut ia shtojnë apo ia pakësojnë kuptimin vargut pasardhës dhe si ndikojnë ato tek interpretimi i përgjithshëm i poezisë?

10. Në poezinë “Drita e ndarjes”, përse e evokon shiun poeti dhe çfarë atmosfere krijon kjo fjalë në tërësinë emocionale të poezisë?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në poezinë “Kronikë Ilire”, poeti përdor neologjizmin ilirisht si ndajfolje. Në vargjet Hanin ilirisht dhe punonin ilirisht tokën Lindnin dhe vdisnin lirë, çlirshëm, ilirisht, çfarë kuptimi sugjeron kjo ndajfolje?

12. A mund ta zëvendësoni ndajfoljen ilirisht me një ndajfolje tjetër që të ketë kuptime të përafërta me të? Nëse po, a kemi bjerrje të kuptimit të vargut?

13. Në poezinë “Drita e ndarjes”, interpretoni e zbërtheni kuptimin e fjalës verë në vargun: As verë me gojë nuk bëmë.

14. Në vargun “Kur eçtohemi, i pimë shëndet nga gjiri”, etja është fizike apo shpirtërore? Çfarë kuptimi ka kjo fjalë dhe çfarë tregon për aspiratat për liri?

15. Në vargjet “Mbushëm me pritje / Plot bebëzat e plot kupat” me çfarë kuptimi përdoret fjala kupat dhe çfarë shënjon ajo?

__________________________________________
Letërsi412

Nga teksti te përdorimi

16. Në poezinë “Kronikë Ilire”, vargu i paskeni të artë gurët, të bukët tokën dhe vargu i paskeni këngët dhe kafkat të bukura tregojnë: begatinë e tokës ilire; pasuritë dhe bukuritë natyrore ilire; pasurinë shpirtërore dhe hijeshinë trupore të ilirëve; arsyet pse ilirët dhe Iliria ishin të lakmueshëm nga pushtuesit; arsye të tjera.

17. Në poezinë “Drita e ndarjes”, shpjegoni funksionin e figurës stilistike të apostrofës.

18. Në dyvargëshin e fundit të poezisë “Drita e ndarjes”: O Zot / Si digjej drita e ndarjes, interpretoni pranëvënien e foljes digjej dhe të emrit drita (Akti i djegies është një proces që zgjat në kohë, ndërsa drita është shumë e shpejtë. A mund mendoni se fjala dritë këtu mund të jetë përdorur me kuptimin e fjalës zjarr?).

19. “Liria është gërshet i vashës me fjongë” është varg që përdoret për të evokuar: dëlirësinë; pafajësinë; bukurinë; feminizmin; tjetër

20. Ajo është pikë në ujë, zog në qiell përdoret prej poetit për të treguar se: liria është e pashmangshme; liria është e vështirë; liria është e natyrshme; liria është e paarritshme; tjetër

Nga teksti te reflektimi

21. Gjeni në fjalor kuptimin e fjalës kronikë dhe reflektoni përse autori e ka titulluar poezinë Kronikë ilire.

22. Gjeni elementet dhe motivet që e bëjnë poezinë “Lirikë për lirinë” pjesë të lirikës patriotike atdhetare.

23. Gjeni në poezinë “Lirikë për lirinë” vargjet që shprehin filozofinë universale ndaj konceptit të lirisë.

24. Reflektoni se cilat tipare të lirikës moderne ka poezia “Drita e ndarjes”.

25. Në poezinë “Drita e ndarjes”, interpretoni vargjet “Ndezëm nga një qiri / Të ftohtë, shkuam pas tij” (Kujtoni simbolikën e ndezjes së qiririt dhe të tretjes së tij, si dhe kuptimin që ka mbiemri të ftohtë në një situatë ndarjeje).

Nga teksti te të shkruarit

26. Shkruani një koment me titull “Poezitë pa pika të Azem Shkrelit”. (Në komentin tuaj përqendrohuni te mënyra si i përdor Shkreli shenjat e pikësimit në poezitë e tij. Cila është shenja e pikësimit që mungon dhe përdorimi i së cilës do të ishte i pashmangshëm, nëse autori do të shkruante në prozë? Si ndikojnë te kuptimi dhe interpretimi i poezive shenjat e pikësimit dhe përdorimi i shkronjës së madhe nistore në çdo varg? Për ta pasuruar komentin tuaj, mund t’iu referoheni edhe poezive të tjera të poetit).

_______________________________
______________________________________________
______________________________________________
Letërsi 413

PROFILE AUTORËSH

Arif Demolli (1949-2017)

Arif Demolli është një shkrimtar nga Kosova, që ka shkruar kryesisht prozë për fëmijë e të rritur. Disa prej veprave të tij janë: “Pëllumbat e kujtimeve”, “Ballkonet e një qyteze”, “Lushi si askushi”, “Fjalim para tokave të vjetra”, “Njeriu i blertë”, “Ante portas”, “Shkullësit e përjetshëm”, “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie”, “Lushi në kopshtin e magjepsur”, “Druri ku duan të jetojnë të gjithë”, “Vdekja e Akanit”, “Pse gjirafa ka qafë të gjatë”, “Faret magjike”, “Lulevera dhe Ylberi”, “Si mbetën gjallë shqiptarët”, “Kur je më i vogli”, “Retë e dashuruara” Mbështetur në motivet e përzgjedhura, si dhe në trajtimin stilistik të tyre, studiuesit kanë dalluar dy grupime kryesore në veprën e Demollit.

Në të parin futen veprat subjektive, që kanë të bëjnë me veten, fëmijërinë (“Pëllumbat e kujtimeve”, “Lushi si askushi”, “Të gjallët e të vdekurit e një fëmijërie”). Në këto vepra vihen re trajtat e elegjisë, të shoqëruara herë pas here nga humori.

Në grupimin e dytë hyjnë veprat ku trajtohet realiteti dhe, me raste, utopia. Në këto vepra vihet re humori i zi, utopia, hiperbola, karikatura dhe satira (“Ballkonet e një qyteze”, “Vdekja e Akanit”, “Si mbetën gjallë shqiptarët”). Kritika dallon veçanërisht veprën “Si mbetën gjallë shqiptarët” si një satirë e realitetit. Satira realizohet nga gërshetimi i diskursit politik dhe atij atdhetar. Është fjala për një cikërrimë hesapi. Për një, gati, asgjësend. Për një copë druri apo metali, merre si ta marrësh. Për një gjë të rëndomtë e shkuar së rëndomtës, që në të gjithë fjalorët e gjeni me emrin karrige. Por, siç i thonë fjalës, sa më i vogël sendi, aq më i madh sherri. Mua, një goxha burrë, me një mijë telashe mbi kokë, po më shpie buzë çmendisë ky asgjësend, kjo cikërrimë hesapi, kjo copë druri apo metali dhe askush s’po ma di hallin. Njeriu pa karrige. Gjë e vogël duket në të parë, ama është e rëndë sa s’bëhet. (“Karrigia”)

Zejnulla Rrahmani (1952)

Zejnulla Rrahmani është pedagog, kritik, shkrimtar i njohur nga Kosova. Krijimtaria e tij përmbledh artikuj, studime shkencore, kritika, përkthime, romane dhe tregime. Krijimtaria e tij në prozë përmbledh këto vepra: “Zanoret e humbura”, “Udhëtimi i një pik-uji”; novela “E Bukura e Dheut”, “Sheshi i Unazës”, “Udhëtimi arbdhetar”, “Mjeshtri i vetmisë”, “Romani për Kosovën”, “Jusufi”, “Rruzaret prej smaragdi”, “Iluminacion”, “Tregimet e Ballofcit”, “Lypësi dhe Sophia”, “Pesë vakte”.

Zejnulla Rrahmani përdor një mënyrë ndërtimi specifike të veprave të tij. Ai pohon se: “Magjia e shndërrimit të dokumentit në art ka prekur shumë pjesë të historisë sonë në romanet e mia”.

Në këtë kontekst, në veprat e tij shfaqen dukshëm problematikat kombëtare: dhuna, kërkimi i identitetit njerëzor e kombëtar. Kjo lloj ndërthurjeje është mjaft e dallueshme te “Romani për Kosovën” (shkresat e ndryshme ushtarake, raportet policore, kronikat e ndryshme, tekstet biblike, letrat e misionarëve të ndryshëm etj.). Trajtimi i motiveve me elemente filozofike është gjithashtu tipar i prozës.

Letërsi
Letërsi414

Vepra e tij dallohet për efektet poetike (pyetjet mbetën si gjethe të varura në degë me penj të hollë merimangash), të cilat gërshetohen me një metaforë që duket si e krijuar nga një alkimist, nëse i referohemi konceptit kryesor që formon këtë figurë (në fjalinë-metaforë më lart: pyetjet).

NË QYTETIN BREGDETAR

Dije, këtu të gjithë jemi të njohur, me nuset, me varëzat, me zogjtë. Kështu jemi përkundër kohës, përkundër vdekjes... dhe përkundër detit e verës që i ndajmë me të gjithë, më së shumti me të huajt, më së shumti kundër gjakut e fisit tonë! Tash më thuaj: A na lakmon kush në këtë vdekje, or mik?! Nëse mundesh, kalo një verë duke ëndërruar atje lart në dhomën që i ka dritaret e hapura!

Ymer Shkreli (1945)

Ymer Shkreli është një autor që ka lëvruar një numër të madh zhanresh letrare. Ai ka shkruar poezi, poema, romane, tregime, drama (radiodramë e film). Një pjesë prej tyre janë: “Ditari i Lec Pazhecit”, “Poezi të zgjedhura”, “Kërkoj dënim me vdekje”, “Balcanica”, “Vdekja në ajër të pastër”, “Bima e dreqit”, “Ura e xhehenemit”, “Azgal”, “Heronjtë e kombit”, “Shqiptari me duar në xhepa”, “Prometeu” etj.

Në veprat e tij dalin motive që lidhen me tragjiken, vdekjen, revoltën ndaj pushtetit e të pushtetshmit. Gjithashtu, në të gjen shtresëzime historike, folklorike e filozofike etj. Metafora dhe simboli me ngjyrat kombëtare janë të dallueshme në këtë vepër.

E gjeta veten e humbur një herë në flokun tënd; tani jam më i ri, për një vdekje po shoh verbët –dhe shumë më mirë;

i gjeta puthjet që heshtja i paska shndërruar në peshq aqë sa edhe akuj o dreq

Mehmet Kraja (1952)

Mehmet Kraja është shkrimtar i njohur, që ka shkruar drama, tregime, romane, kritikë dhe publicistikë. Ndër to, mund të përmendim: “Liria ime”, “Prishtina”, “Selvitë e Tivarit”, “Im atë donte Adolfin”, “Hotel Arbëria”, “Edhe të çmendurit fluturojnë”, “E zeza dhe e kuqja” etj.

Studimet tregojnë se një pjesë e mirë e prozës së Krajës është një kthim në histori. Ky kthim nuk ka synim pohimin, po ironizimin (duke vënë në dukje tiparet postmoderniste të prozës së Krajës). Gjithsesi, historia në veprat e Krajës nuk është histori e betejave apo e luftërave që fitohen, por histori e ndeshjes së ideve që ato luftëra kanë bartur, si dhe ironi në lidhje me idetë që i kanë shkaktuar ato. Nëpërmjet tyre krijohet mesazhi i shmangies së totalitarizmit.

Veç këtij motivi, Kraja ndalet edhe te fati njerëzor, i cili, sipas tij, “nuk ndryshon, pavarësisht se liria ndonjëherë krijon rrethana më të favorshme për jetë më të dinjitetshme....Idetë e mëdha, si lufta, liria etj., krijojnë drama të mëdha njerëzore, përmbysje dhe fatkeqësi, siç krijojnë edhe iluzione, vetëm se fataliteti nuk ndryshon: në esencën e të gjitha kuptimeve të jetës, njeriu është fatkeq dhe i palumtur”.

Letërsi 415

Në lidhje me gjuhën e teksteve të tij, Mehmet Kraja është shprehur hapur se “letërsia është gjuhë...”. Në këtë mënyrë, ai rrëfen rëndësinë që i kushton në krijimtari organizimit gjuhësor për të përftuar atë lloj figuracioni të dendur që bart vepra e tij. “Nëpër ledhet e trurit i kaloi një dritë e fortë që e shpoi tejpërtej dhe u ndal te njëra nga qelizat e perceptimit të dritës, ndërsa terri që u krijua më pas, u përkap nga një qelizë tjetër trunore dhe ai nuk e kuptoi pse bota ishte kredhur në dritë e në terr njëkohësisht”

Kim Mehmeti (1955)

Kim Mehmeti është një personalitet i njohur në fushën e kulturës shqiptare. Ai është shkrimtar, publicist dhe një personalitet mjaft aktiv i lidhur me shqetësimet politike-sociale-kulturore të jetës publike në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë e Shqipëri. Një pjesë e librave të tij artistikë janë: “Anemona”, “Një dialog i pambaruar”, “Pusi”, “Shpërngulja e të vdekurve”, “Vëllazëria e motrave të përdala”, “Vitet e urithit” etj.

Motivet, galeria e personazheve dhe stili i tij shpesh janë krahasuar me tekstet e realizmit. Ai konsiderohet si një zë përfaqësues i prozës që bart baladën, poezinë, realen dhe magjiken e hapësirës shqiptare, por gjithsesi, duke e përqendruar hulumtimin në personazhin universal: Njeriun!

“Kurrë nuk e mora vesh nëse lulet u vyshkën për shkak të sëmundjes së nënës apo nëna u sëmur për shkak të vyshkjes së luleve, por një javë përpara së të shpërnguleshim te shtëpia e re pranë lumit, nëna ra në shtrat, ndërkaq lulet u vyshkën sikur t›i kishte djegur bryma”

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Studiuesit i kanë ndarë veprat e Demollit në dy grupime. Cilat kanë qenë kriteret e këtyre ndarjeve? Emërtoni tiparet tematike dhe stilistike që ka secili grup.

2. Zejnullah Rrahmani është shkrimtar që trajton historinë në veprën e tij. Në ç’mënyrë del historia në veprën e tij? Çfarë tematikash të tjera dallohen në të? Çfarë tiparesh shfaq gjuha në veprat e tij?

3. Ymer Shkreli është një shkrimtar shumë produktiv. Cilat janë tematikat kryesore të veprës së tij? Po në lidhje me gjuhën e teksteve të tij, çfarë është vënë re?

4. Edhe Mehmet Kraja e ka trajtuar historinë në veprat e tij. Si e trajton ai atë? Cili është raporti i qenies njerëzore, fatit të tij me fatalitetin dhe llojet e ndryshme të tij?

5. Kim Mehmeti është shkrimtar dhe publicist. Me cilën lloj letërsie është krahasuar teksti i tij?

5. Të pesë shkrimtarët kanë botën shqiptare dhe historinë e saj si pjesë të tematikës së tyre, pavarësisht se ndryshojnë për nga mënyra e trajtimit në konceptim e në stil. Pse mendoni se ky element është kaq i kudogjendur? (Vini re edhe origjinën e këtyre shkrimtarëve, si dhe fatet personale e profesionale të tyre, të cilat i gjeni edhe në internet.)

Letërsi416

Anton Pashku

Anton Pashku është një nga shkrimtarët më të veçantë të letërsisë shqipe të shekullit XX. Teksti i tij paraqet tipare shumë specifike, veçanërisht në lidhje me gjuhën, me të cilën ai realizoi figura dhe imazhe mbresëlënëse. Tregimin e parë Pashku e botoi më 1955-n, ndërsa vëllimin e parë me tregime, “Tregime”, më 1961-shin. Më tej botoi: “Një pjesë e lindjes” (1965); “Kulla” (1968); “Kjasina” (1973); “Lutjet e mbrëmjes” (1978); romanin “Oh” (1971); dramat “Sinkopa” (1969) dhe “Gof” (1976).

Tipare të ndërtimit të tekstit të Pashkut (tregimi)

Krijimtaria e Anton Pashkut përqendrohet më tepër në zhanrin e tregimit, madje kriti ka ka vërejtur se teknika të tij ai i realizon edhe në roman (“Oh”).

Koncepti klasik mbi tregimin përcakton se tregimi vetë është një formë letrare që, në përgjithësi, nuk është shumë i gjatë, ndaj dhe nuk e duron shumë mbingarkesën e lëndës letrare, degëzimet e shumta tematike, si dhe detajet. Në këtë kontekst, tregimi kap të veçantën e një motivi dhe e shtjellon. Edhe nga pikëpamja e trajtimit gjuhësor, tregimi vjen duke e rrudhur gjuhën dhe jep vetëm elementet më të rëndësishme të përmbajtjes. Në këtë kontekst, ky lloj sintetizmi, rrudhjeje, shpesh është përvijuar përmes një gjuhe poetike. Kompozicioni i tregimit, nga ana tjetër, shfaqet i ngjashëm me tekstin dramatik, që mundohet të përmbyllë veprimin.

Në tregimet e Pashkut ndodh ndryshe:

Ato nuk janë në funksion të shfaqjes së motiveve dhe realitetit përmes një gjuhe të figurshme, përkundrazi, është gjuha, loja me të, që krijon figurën (metaforën, simbolin, alegorinë, efektet poetike të saj, rimarrjet e shumta si në kuadrin e një fjale, ashtu edhe të ndërtimeve të caktuara që krijojnë efektin e një stili, që shkathtëson aftësitë për të artikuluar gjuhën etj.). “- Ti, moj... - thashë dhe deshta t’i them dhe diç, por nji rreze dielli ra, u thye dhe vdiq mbi ose në valë, në kurrizin e nji vale të liqenit të vogël artificial. E kur ajo rreze dielli ra, u thye dhe vdiq mbi ose në valë, heshtjen mbi liqenin artificial e coptoi nji pingrimë e shkurtë, por e shqerun, e nji zogu. E lypa me shikim, u përpoqa me e pa atë zog, por nuk e pashë. Njimend, më bahej se i ndëgjojsha flatrat, më bahej se e ndëgjojsha fërfërimën e flatrave të atij farë zogu, por ai farë zogu nuk shihej askund” (“Oh”). Ajo që të bie në sy në këtë fragment është përsëritja në fillim e foljes “them” dy herë, që në pamje të parë duket si monotone, por po ta lexosh, shikon se kjo ndodh edhe me njësi të tjera të vetme apo në grup (zog, shoh, më bahej). Një gjë e tillë të krijon idenë e një loje fjalësh, por pasi mësohesh me këtë stil, ndien se në fakt rimarrje të tilla, më të shpeshta se zakonisht, rrisin forcën e meditimit, të ngulitjes së imazhit dhe natyrisht, krijojnë efekt poetik. Mendoni se sa ndikuese është kjo teknikë, kur përsëriten ndërtime që janë vetë figura, si rasti i tri metaforave që renditen,

Letërsi
Letërsi 417

duke përshkallëzuar imazhin dhe zgjerohen prapë me një metaforë tjetër (“nji rreze dielli ra, u thye dhe vdiq mbi ose në valë, në kurrizin e nji vale të liqenit të vogël artificial”). Në vijim të tekstit, kjo përsëritet sërish. Ngarkesa e dendur e figuracionit është e dukshme, por edhe imazhi që krijon lexuesi i përkushtuar është i mrekullueshëm.

Kritika vetë, tregimet e Pashkut i ka quajtur si tregime të figurshme, tregime pa fabul klasike, tregime të situatave simbolike, deri edhe tregime fantastike. Emërtimi i fundit (tregime fantastike) ka këtë kuptim: Pashku e sendërton realitetin në funksion të ndërtimit të figurës (figuracionit letrar). Duke bërë këtë, ai intensifikon simbolin, metaforën e bashkë me to edhe efektin alegorik me shumëkuptimësi interpretimi për lexuesin. Gjatë këtij procesi, një pjesë e këtyre figurave kalojnë si imazhe dhe si veprim në kuadrin fantastik, madje duke ndryshuar domethënien.Kështu, “tymi” e “zjarri” janë dy simbole që dallohen qartë te tregimi “Kulla”, të cilat jo në të gjitha tregimet kanë marrëdhënien e mbyllur shkakpasojë (ku është tymi do të jetë edhe zjarri e anasjelltas).

Kjo lloj teknike i shkon mjaft përshtat tregimit të Pashkut, i cili, siç përmendëm, shfaqet pa një fabul klasike, duke vënë në plan të parë përpunimin e një gjuhe me figurativitet të theksuar. Një tipar tjetër i tregimit të tij është edhe pozita e rrëfimtarit, që zakonisht nuk përputhet me autorin, veç rasteve kur bëhet nisja e veprës: “Dje e varrosën plakën, kurse tash jam i etur; gotën e ujit nuk e shoh në komodinë” (“Kulla”); “Kur kishte zënë të ngjitej nëpër atë përpjetëze - thotë përralla për të, përralla për të dhe tërë atë dashurinë e tij jo të rëndomtë - kishte pasë rënë terri” (“Floçka”); “Kështu: kamerieri me smoking të bardhë i solli pije mister Benxhaminit, që rrinte ulur në vendin e vet të zakonshëm, atje para orkestrës së madhe duke lëmuar thonjtë e bukur të gishtave të vet të gjatë, dhe shkoi” (“Falimentimi i një zotërie”).

Siç mund të shihet nga hyrjet e dhëna më sipër, autori del më shumë në zërin e rrëfimtarit.

Ky i fundit herë është pjesë e historisë, siç ndodh te “Kulla” (vini re vetën e foljes), herë është dëshmues i jashtëm, si te rasti i “Floçkës”, herë është udhërrëfyes përsëri i jashtëm po i një ngjarjeje me distancë kohore të matshme dhe jo fantastike (si te “Floçka”). Këtë e vëmë re te shembulli i fillimit të tregimit “Falimentimi i një zotërie”, që dhamë më sipër.

Në tregimet e Anton Pashkut vihen re ndikime të theksuara të letërsisë moderne europiane.

a) Një nisje e tillë, kaq lakonike dhe e ftohtë si kjo e “Kullës”: “Dje e varrosën plakën, kurse tash jam i etur; gotën e ujit nuk e shoh në komodinë”, të bën të mendosh menjëherë për Albert Kamynë dhe personazhin e tij Merso tek “I huaji”, i cili vepron në mënyrë telegrafike, ashtu si fjalitë e ftohta e të akullta të telegramit që i lajmëronte vdekjen e së ëmës (Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushëllime të sinqerta.).

b) Po kështu, përsëritjet e shumta si me një fjalë, po veçanërisht me grupe fjalësh, janë parë si ndikime të letërsisë moderne, të ngjashme edhe me Xhojsin (Pashku e përpunon më tej gjuhën në këto përsëritje, duke e ngarkuar me figura, siç ishte pjesa ilustruese në fillim e marrë nga romani “Oh”). Në këtë paragraf të shkëputur nga Xhojsi, “Portret i artistit në rini”, mund të vërehet pohimi i mësipërm: “Në fillim duhej të kalonin pushimet e mandej semestri i ardhshëm e mandej sërish pushimet e mandej prapë një semestër e mandej prapë një semestër e mandej prapë pushime. Kjo qe si puna e trenit, që hyn e del nëpër tunele, e treni qe si ajo zhurma e konviktorëve duke ngrënë në mensë, ndërsa ti hap e mbyll vrimat e veshëve.) Semestër, pushime; tunel, dalje, zhurmë, ndalesë.”

Le të krahasojmë pjesën e Xhojsit me këtë fragment të marrë nga tregimi i Pashkut “Anija e dehur”: “Ktheu kryet vrik dhe atje pa nji grumbull stërpikash: dy valë u përpoqën dhe u coptuen.

Letërsi418

Mbetën aty, ku u ndeshën. E barka e tij luhatej në shpinë të asaj vale. Por, as aty nuk ndejti shumë. Kërceu në shpinë të valës. Tjetër. Kërcente prej valës në valë dhe vala valës ia jepte barkën”.

Nuk është e vështirë të dallohet përsëritja e së njëjtës fjalë me një ritëm monoton. Te Pashku, kjo gërshetohet me metaforat që përshkruajnë gjendjen, duke ndryshuar madje edhe konceptimin për një veprim të njohur (është varka që kërcen nga vala në valë, kurse këtu del që edhe vala i bart valës barkën). Imazhi është i prekshëm, i imagjinueshëm dhe mjaft poetik.

Përsëritjet ndihmojnë shumë kompozicionin e këtyre veprave që vënë në radhë të parë hulumtimin e së brendshmes, të pavetëdijshmes (introspeksionit) në nivel të së ndërgjegjshmes, ashtu dhe të së pandërgjegjshmes. Po kështu, ndihmojnë edhe rikthimin në të shkuarën (retrospeksionin) apo edhe zbulimin e gjendjeve të brendshme në të tashmen e të ardhmen.

“Thuajse diçka e therte në tamtha. Kishte njëfarë përshtypje se sharronte. Nganjëherë i dukej se sharronte, vrik sharronte dikah, por shpejt ndalej dhe në ato çaste të thuash se e shtynte diçka përpjetë. Kjo gjë ia shtonte mundin edhe më tepër. I dukej e rëndë ajo gjendje. Por ajo zgjaste. I dukej se do të zgjasë deri në pambarim ai sharrim dhe ajo çuarje përpjetë. Sharronte e çohej vazhdimisht. Mirëpo, më shumë sharronte. Dikah sharronte, thellë sharronte dhe dikur iu duk sikur u ndal diku” (“Anija e dehur”). Ndjesia e zbulimit të brendshëm, së cilës i vishet edhe efekti gërryes që theksohet edhe nga kuptimi e përsëritja e foljes “sharroj”, përcillet si imazh nga aliteracioni që krijon kjo përsëritje (sharronte, sharrim).

Tematikat që hasen në tregime

Në veprat e Pashkut, studiuesit kanë dalluar disa tematika, të cilat përvijohen më tej në motive më të detajuara (megjithëse, në jo pak raste, disa motive gërshetohen në një vepër). Kështu është dalluar: tematika e dashurisë, që degëzohet më tej me dashurinë e humbur, dashurinë e tretur e deri te dashuria si mungesë (“Nën qarr po rrinte vasha”; “Floçka”); vetmia e njeriut, e cila del si vetmi e kërkuar apo si vetmi e kushtëzuar nga një totalitarizëm i projektuar nga jashtë mbi jetën e individit (“Anija e dehur”); dhuna e ushtruar mbi individin, që do të krijojë sistem sjelljeje (“Falimentimi i një zotërie”; “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapele”; “Vdekja solemne”; “Dy fjalë për një njeri dhe librin e tij kushtuar tymit”); mosmarrëveshja mes brezave, që, sipas studiuesve, ka të bëjë më tepër me mosrealizimin, duke pasur si efekt dhimbjen e përmallimin më shumë sesa revoltën (“Kulla”); dhembja për përmbysjen e vlerave morale të njeriut, pamundësia e çlirimit nga fajet e bëra më herët, si dhe vëzhgimi i këtyre nga pozitat e individit, që shfaqet si viktimë e tyre (“Anija e dehur”, “Kënaqësitë e Megalopolisit” etj.)

“Nën qarr po rrinte vasha”

Tema e dashurisë shfaqet kryesisht në fillimet e krijimtarisë së tij. I tillë është tregimi “Nën qarr po rrinte vasha”, në të cilin vihen re dy shtresëzime. Ky tregim paraqet një vajzë (Dilën

Letërsi 419

e Marisë), e cila ruan bagëtitë dhe, ndërkohë, ulet nën një qarr dhe, në një gjendje gjysmë në ëndërr e gjysmë e kthjellët, hyn fillimisht në retrospektivën e përrallës. Këtë të fundit (përrallën) e gërsheton me historinë e saj të dashurisë dhe imazhin e të dashurit (Delisë së Ndreut). Gjendja e mësipërme, që shfaqet edhe si surreale (përralla), edhe si reale (idili i dy të rinjve), krijon një paralele që duket sikur i paraprin fatit të dashurisë mes Dilës së Marisë dhe Delisë së Ndreut, ashtu siç kishte ndodhur me Zanën e Dragonin (duhet thënë se, pavarësisht emrave, personazhet perceptohen më së shumti si Ai dhe Ajo, duke dhënë përmasën përgjithësuese të ndjenjës, gjendjes, dhe përjetimit). Gjendja, përjetimi, ndijimi, ndjesia etj., janë përmasat kryesore të organizimit të koherencës së këtij teksti. Edhe vetë titulli paraqet një gjendje statike, e cila favorizon elementet e mësipërme (“Nën qarr po rrinte vasha”, folja përbërëse e të cilit tregon njëkohësisht një gjendje që është e vazhdueshme “po rrinte”- e pakryera me pjesëzën “po” japin pikërisht kuptimin e vazhdimësisë së procesit, përkatësisht të gjendjes, qëndrimit, ndenjjes). Në këtë gjendje të Dilës, aq të favorshme për kujtimin, meditimin, hulumtimin e së brendshmes, në kuadrin e së ndërgjegjshmes dhe të së pandërgjegjshmes, realizohet e gjithë “ngjarja” e tregimit.

Delia na prezantohet nëpërmjet kujtimit të Dilës dhe vetëm në fund, në një situatë fantastike, apokaliptike, mitike, përrallore, shfaqet në dialog direkt me Dilën. Është momenti kur ai vjen ta rrëmbejë Dilën për të ikur “në mismidisit të detit”.

Shtresëzimi i përrallës në këtë tregim, përveçse si pjesë e fabulës së tregimit, reflektohet në kohezion: “Kur ki’n pa’ marë vesh / vrer i zi na ish bërë babai i Zanës / mullan plot qelb e gjak të keq na ish bërë / babai i Drangonit / kurse / një ditë prej ditësh...”.

Nga ana tjetër, fillimi është i njëjtë me vargje të eposit. (Vini re edhe formën foljore.) Vargu i dytë e kthen pjesoren e foljes në standard, si për të bërë ndërthurjen me rrafshin real. Edhe vargu i fundit është një formulë e njohur e përrallës (një ditë prej ditësh).

Pavarësisht se fati i Dilës dhe Delisë është i ndryshëm nga ai i Zanës dhe Dragonit (pasi ata arrijnë të largohen së bashku, kurse Zana e Dragoni vdesin), i gjithë tregimi jepet me tone melankolike, madje dhimbjeje për fatin e parashkruar të personazheve (të dy ishin të fejuar me të tjerë). Kjo dhimbje jepet edhe me efekte fizike (Dila kishte një “therrë” në këmbë, që i ishte infektuar). Edhe në këtë tregim, simbolika luan një rol të rëndësishëm. Tregimi mbaron pothuajse ashtu siç fillon. Kështu, në fillim jepet kjo frazeologji popullore: “Syni s’e sheh synin matanë hundës, / zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës” (Thuhej dikur në Has). Kurse në fund jepet kjo pjesë: “Dihet, he burrë!” - ia kthei Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt. “Fajin ma të madh e ka hunda!”.

“Hunda e ka fajin, pojzi!” - ia priti Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt. “E di, por s’po di ç'duhet t’bajmë me këtë hundë?”

Pashku merr dhe krijon alegorinë nga imazhi që gjendet edhe në frazeologji (hunda), po tashmë duke gërshetuar kuptimin e pengesës të shoqëruar me pandjeshmërinë, që e gjen edhe te frazeologjia te simboli i hundës. Nga pikëpamja e ndërtimit, kjo mbyllje është një qëndisje shumë e bukur e tekstit, i cili përfundon me të njëjtin refren.

Letërsi420

“Floçka”

“Floçka” është një tregim tjetër i konceptuar brenda motivit të dashurisë. Në fakt, studiuesit e shohin si një tregim që i kushtohet ëndrrës për dashurinë e lirinë, si dhe sakrificave për këto të dyja të lidhura me njëra-tjetrën. Në tekst na paraqitet rrugëtimi i “Ai-së” për të gjetur Floçkën, të bukurën e liqenit (subjekt i njohur i përrallës sonë), të cilën e kishte parë në ëndërr. Koha dhe përjetimi i përrallës me atë të ëndrrës ndërthuren me njëra-tjetrën. Në tekst përsëritet vazhdimisht refreni: e kishte parë në ëndërr; i kishte dëftuar në ëndërr etj., duke na e dhënë këtë udhëtim gati-gati si halucinacion. Gjithë ky udhëtim kalon përmes vështirësish e sakrificash të jashtëzakonshme, të cilat jepen me skema simbolike të dallueshme. Kujtojmë këtu flamurin e ri me një kryq të thyer, poshtë të cilit qen të egër po shqyejnë prenë e tyre, ndërsa sipër sillen korbat kobndjellës. Simbolet janë të dukshme dhe, duke u lidhur njëra me tjetrën, deshifrojnë alegorinë: flamuri - liria; kryqi i thyer në të - kufizimi, pengesa, e kundërta e saj; skena e qenve që shqyejnë prenë - rreziku vdekjeprurës aq i afërt dhe më pas real, pasi këta qen e ndjekin deri në vdekje “Ai-në”; korbat - simbol i vdekjes. Pra, liria (dhe bashkë me të edhe dashuria me simbolin e Floçkës) personifikohet si një rrugëtim jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur (pasi fizikisht ai vdes në fund). Ajo, liria dhe dashuria, shijohet virtualisht në këtë tregim, në mënyrë përrallore, mitike (momenti kur fshati e njerëzit e tij shohin rreze drite, të cilat shkojnë pranë lisit të madh, ku qëndron i shtrirë pothuajse i vdekur “Ai” dhe ngjitet lart në qiell, i mbështjellë nga flokët e artë të Floçkës së përrallës).

Pavarësisht kësaj, sakrifica për Floçkën, në të dyja kuptimet (të kërkimit të dashurisë dhe të lirisë), paraqitet plotësisht e dallueshme dhe e justifikueshme në tekst: “Ishte i kënaqur, edhe i lumtur, që kishte njohur Floçkën së paku nëpërmjet një ëndrre, Floçkën e bukur me flokë të gjatë e të dendur, që shkëlqejnë si mijëra fije të arta, të cilat në kryet e saj duken si kurorë e ndezur, si kurorë pishe e ndezur flakë, që mund të nxejë po nja gjashtë a shtatë copë fshatra e të shkrijë borën e akullin edhe atje lart, edhe atje në kreshtat e maleve”. Në këtë fragment dallohet qartë edhe shtresëzimi i përrallës (imazhi i Floçkës, përshkrimi i tipareve të saj në mënyrë hiperbolike, karakteristikë e përrallave) me atë të ëndrrës (së paku nëpërmjet një ëndrre). Edhe ky paragraf ka elemente të tjera simbolike. Kështu, krahasimi “si kurorë pishe e ndezur flakë”, apo edhe vetë ëndrra në kuadrin e gjithë tregimit, marrin vlerë simbolike, pasi drita, flaka jepen si udhërrëfyese të “Ai-së”, për të gjetur Floçkën. Po kështu, edhe kjo dëshirë e kërkuar me ngulm nga “Ai” në fund mbetet në kuadrin e ëndrrës.

Ndonëse fundi real i “Ai-së” është vdekja dhe teksti shoqërohet me simbole të tjera të saj, si skena e qenve, që shqyejnë prenë dhe ndjekin “Ai-në”, apo korbat, duhet thënë se fundi nuk është fatalist. “Ai është pjesë e përrallës tashmë: Kurse nga liqeni i asaj bjeshke - thotë përralla mandej - kishte buruar diçka, që dukej si grusht drite. Dhe kishte bërë një hark të shkurtër nëpër qiell e kishte rënë pranë atij lisi qindvjeçar”. Pra, drita, simbol i Floçkës, i dashurisë, lirisë, gjithsesi u arrit. Madje, ajo mbyti edhe korbat, të keqen, vdekjen.

Letërsi 421

“Anija e dehur”

“Anija e dehur” (varianti në gegërisht: “Anija e dejun”) bashkë me “Kënaqësitë e Megapolisit”, “Nuk di pse tha ky rrëfim është fantastik” dhe “Kulla” janë parë nga kritika si tekste në të cilat Anton Pashku e sofistikoi stilin, duke përqendruar veçanërisht në formë (po edhe në motive) ato elemente që mund të quhen si përfaqësuese të tregimit të tij.

Tregimi “Anija e dehur” i referohet një kohe relativisht të largët nga Lufta e Dytë Botërore, por vihet re dukshëm se pasojat, plagët, humbjet e saj janë ende të pranishme. Vetë vendi ku zhvillohet ngjarja është një anije turistike, në të cilën gjenden njerëz të ndryshëm, me psikologji të ndryshme. Një pjesë e tyre duan t’i largohen stresit të jetës së përditshme, disa të harrojnë problemet e pashmangshme të saj, disa të tjerë ndoshta kërkojnë të gjejnë një vend tjetër, ku të spekulojnë e të vazhdojnë atë që kanë nisur në tokë. E në mes të këtyre karaktereve gjendet ai, Profesori, vëzhguesi dhe njëkohësisht zëdhënësi i kësaj minibote të larmishme, që shfaqet në këtë anije.

Tregimi fillon më këtë fjali: “Profesori po i jipte fund rrojës, kur këtij i duel gjumi”. Pasi kemi folur për teknikën e tregimit të Pashkut më lart, është lehtësisht i dallueshëm përshkrimi i një çasti të rëndomtë e monoton në pamje të parë, alla Kamy, e bashkë me të ftohtësia karakteristike e dhënies së veprimeve pothuajse mekanike të vepruesit; kalimi direkt te karakteri tjetër në pjesën e dytë të fjalisë, që është kaq e shkurtër; anonimati i këtij personazhi, që është pa emër konkret në gjithë tregimin, megjithëse është dëshmitari dhe dialoguesi kryesor në të etj. Zëri tregimtar, Profesori, shfaqet si një njeri “qesharak” e “ironik” deri diku, siç shprehet edhe zonjusha D. Ai vëzhgon, përcjell e gjykon për fatet e njerëzve të anijes. Përshkrimi i gjendjes apo gjendjeve, si proces dhe teknikë tashmë e njohur e Pashkut, vazhdon të luajë një rol kryesor edhe këtu. Kështu, Profesori duket se i sheh njerëzit si hije “edhe pse njeriut nuk i pëlqen me pasë hije tjetër, përpos hijes së trupit të vet”, megjithëse vihet re se edhe ky lloj vëzhgimi nuk arrin te një njohje e plotë e tyre, pasi ai, edhe pas disa javësh udhëtim, nuk arrin t’i njohë njerëzit në anije. Shikimi i tij ndalet më së shumti te veshja e jashtme e tyre, madje njerëzit i ngjajnë shpesh me kafshët e shpendët: “Se, njerëzit, qe, njëmend i ngjajnë nga pak ndonjë shtaze ose shpendi, ndonjë bukle ose hutini, ndonjë mungosi ose shkabe, ndonjë mini ose luani, ndonjë ujku ose ndonjë dele”. Dallohet qartë edhe ironia me efekte të dhimbshme. Megjithatë, të gjitha këto perceptime, qofshin edhe sipërfaqësore, transmetohen nëpërmjet një gjendjeje gati halucinative, jo fort të kthjellët mendërisht të Profesorit, që përshkon gjithë tregimin. Ai nuk arrin ta dallojë këtë të fundit nga realja (fragmenti kur është i etur për ujë, megjithëse uji i lavamanit ka përmbytur dhomën: “Ti për pak me u mbytë, kurse unë për pak po vdes nga etja”, - thotë në këtë fragment ai.). Ndoshta kjo lloj gjendjeje është e vetëkërkuar prej tij dhe mund të shpjegohet me fragmentet e fundit, kur ai arrin me djaloshin në shtëpi dhe para u dalin disa foto: “Në mur, përmbi shtrat, pa fotografinë e një gruaje jo fort të shtyme në moshë. Profesori tha se ajo ishte Lindita. Në mur, përmbi

Grigor Adjinyan
Letërsi422

shtrat, ishte nji fotografi nga nji kamp i përqendrimit. Profesori tha se ishte Dahau”. Lindita është gruaja e tij që kishte vdekur, mbetur në kampin e përqendrimit. Tashmë jeta virtuale që ai kishte krijuar dhe e ushqente, duke dërguar ato kartolina për të shoqen nga çdo mol, shkatërrohet përfundimisht. Realja i përplaset dhunshëm në fytyrë, duke i dëshmuar sërish atë që ndoshta nuk do ta kujtojë: humbjen. Fati i tij vetjak dhe i të tjerëve lëkundet si ajo “Anije e dejun”, simbol që ai e vë qysh në titull. E kjo lloj lëkundjeje e çorientuar, reflektohet edhe në pjesën më lart, që shfaqet me tone funebre, si një pasazh poetik. Lufta është aty, e tmerrshme dhe e trishtueshme jo vetëm me aktet, por edhe me pasojat që ka lënë te njerëzit dhe rreth tyre.

“Kulla”

Tregimi “Kulla”, siç e kemi përmendur dhe më lart, bën pjesë në tekstet që mbahen si përfaqësuese të teknikave të tregimit të Anton Pashkut. Në të, përpunimi i gjuhës bëhet në detaje, simboli dhe alegoria shfaqen në një harmoni të dukshme, të realizuara në një tekst pa fabul reale (siç janë në përgjithësi tekstet e Pashkut).

Simboli me situatën që bart është figura që i lejon Pashkut më së shumti të krijojë fabulën. Pashku i merr simbolet dhe i përshtat, duke i lidhur ato edhe si imazhe, edhe si gjuhë njëri me tjetrin.

Ashtu si në tregimet e tjera, edhe te “Kulla” pasqyrohet gjendja, përjetimi gati halucinativ (si në ëndërr), që shfaqet nga personazhi Unë (Djali), që është njëkohësisht edhe rrëfimtari. Kjo gjë theksohet edhe nga imazhi i tymit, i cili del jo vetëm si mbështjellësi dhe ai që fsheh gjërat, objektet, sendet, njerëzit etj., po edhe si një lloj zaptuesi i tyre. Në një gjendje gati somnambulë të personazhitrrëfimtar Unë, objektet e personazhet dalin si silueta, që herë shfaqen e herë zhduken nga tymi që pushton gjithçka:

“Tymi!”

“Eh!”

“Ih, tymi...”

“Of!”

“Ah!”

“Tym...”

Edhe unë e pata kthye kryet. Nji shllungë tymi ngrihej përpjetë mbi atë hejzë, mbi atë njollë të zbetë të vargut të maleve në fund të ranishtës. Ishte hera e parë, që shihshim diçka tue lëvizë në atë hapësinë të zbrazët”. Vini re përdorimin e pasthirrmave që mund të interpretohen në varësi të ndjesive të ndryshme (dhimbjes, mërzitjes, habisë, neverisë), duke e bërë lexuesin pjesëtar në deshifrimin e këtyre ndjesive. Imazhi i maleve shfaqet si siluetë (si një njollë e zbehtë) nën efektin e tymit.

Udhëtimi halucinativ herë identifikon realitetin si siluetë (si në rastin më sipër, me imazhin e maleve si njollë), herë e imagjinon atë me sy mbyllur. Ky efekt real/ireal/virtual/halucinativ identifikohet edhe nga ndërtime të tilla: m’u duk; nuk dij, nuk jam i sigurt etj.

Kjo lloj gjendjeje e rrëfimtarit i shkon shumë për shtat llojit të simbolit të përpunuar të Pashkut. Simboli nuk shfaqet i lidhur vetëm me një kohë, një qenie, një tipar, një motiv, një mesazh të përcaktuar, por ai mund të interpretohet në disa nivele alegorike. Kështu,

Letërsi 423

simbolet më të dallueshme në tekst janë: Kulla, Plaka, Kasapi, Unë (Djali). Prirja e parë e një lexuesi është që këto simbole t’i lexojë të vendosura në kontekstin real historik që njeh e jeton. Në këtë kontekst, Kulla do të përbënte simbolin përfaqësues të qenies shqiptare, hapësirave ku jeton ajo dhe qëndresës së saj në Kosovë e më tej. Në fakt, në këtë tekst, ajo mund të shihet edhe si simbol i përvojës e i trashëgimisë jetësore të qenies, pavarësisht origjinës së saj. Kasapi i huaj, përveçse si pushtues i huaj (i identifikueshëm realisht nga lexuesi), mund të shihet edhe me nuancat imponuese të gjithçkaje të huaj, që vjen me arrogancë dhe me brutalitet ndaj asaj që gjen. Kurse Plaka dhe Djali do të përbënin marrëdhëniet mes brezave, që nuk i përkasin vetëm një kohe të caktuar historike.

Duhet thënë se, në ndryshim nga pjesa tjetër e tregimeve, te “Kulla”, simbolet që lidhen me natyrën, elementin mjedisor, janë më të shumta dhe domethënia e tyre më e deshifrueshme, sepse inkuadrohet në fusha kuptimore që u përkasin elementeve mjedisore. Kështu, Pylli është një simbol që krijon imazhin e një pushtuesi të heshtur, dredharak, që ngjitet pak nga pak e fillon e zhvillohet në trupin e Kullës, me synimin për ta shkatërruar atë: “Mirëpo, shtoj ai, jo vetëm e ka sulmue, por edhe do ta kaplojë. Shih ngado e kanë rrethue lulet. Kush mund të përshkohet nëpër to?... A e ka pa atë krekë? Do ta keshë pa nji degë të saj, që asht rrasë në pullazin e kullës. A nuk do ta çojë hava pullazin? Lene atë, shihi kulprat! Ato i kanë vesh gati të gjitha muret e kullës. Kanë fillue me hy edhe nëpër frengji... Mandej, ai rrap! Edhe nji degë e tij po don me hy ndërmjet gurëve të kullës...

Çka po thue për këtë mur, që asht kulë dhe ndoshta nuk do të shkojë mueji e na do ecim nëpër galdinë”.

Është e rëndësishme të theksojmë se simbolika e pyllit si pushtues, kur zakonisht në psikologjinë njerëzore ai ka domethënie pozitive të jetës, shëndetit, bukurisë, larmisë etj., nuk del gjithsesi jashtë kontekstit të Pashkut dhe teknikës së tij krijuese të inkuadruar edhe në letërsinë moderne europiane (ndikime nga e cila kemi përmendur më lart), të cilat i zhbëjnë kuptimet simbolike (konvencionet) tradicionale, duke krijuar simbolika të reja, vetjake.

Vetë simboli kryesor, Kulla, simbolizon (ndër të tjera) njeriun që jeton në tokën e tij, sado që të tjerët nuk janë të gatshëm ta lënë rehat, duke iu vërsulur me të gjitha format dhe pretekstet. Ai do të mbetet aty pavarësisht shtrëngatave që do t’i afrohen e pavarësisht traumave që do të kalojë. Ky motiv jepet në mënyrë alegorike disa herë, nëpërmjet simbolit të lumit: “Edhe pse derdhet, prapëseprapë, lumi mbetet gjallë. Jeton edhe mbas valles së fundit, të cilën e luen në deltën e vet”; nëpërmjet simbolit të hënës, të alegorisë së Plakës për ndryshimin ciklik të hënës: “Por, kasap, edhe hana e han vetvedin: tash e shohim sa grima, tash e shohim sa sofra e miqve, tash duket... tash zhduket, por... gjithmonë asht në qiell...”. Është i dallueshëm në këtë fragment përpunimi poetik i tij, që ndërtohet nga fjali me të njëjtën strukturë. Veçanërisht retiçencat, që e theksojnë ritmin poetik dhe njëkohësisht ironinë e imazhin e qëndresës në të njëjtin vend.

Pavarësisht se në tregimin “Kulla” shumica e skenave japin pamje me konotacion negativ në lidhje me fatin e Kullës e të njerëzve rreth saj, përsëri teksti nuk mbyllet në hermetizëm të padeshifrueshëm. Ai nuk merr as tone fataliste, po përfundon me këto fjali të shkurtra, po që reflektojnë alegori shpresëdhënëse: “Më duket se asht afrue agu. Errësina nuk asht e dendun si ma parë”.

Letërsi424

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë tiparet e tregimit klasik dhe a i respekton Pashku ato në tregimet e tij? Ilustroni përgjigjen me shembuj jo vetëm nga pjesa ku gjendet kjo përgjigje.

2. Si i ka emërtuar kritika tregimet e Pashkut dhe cilat janë llojet e figurave që përdor ai në to? Simboli që përsëritet ka vetëm një domethënie apo disa, dhe si krijohet fabula, situata e veprës së tij? Ilustroni me shembuj nga tregimet e sqaruara më lart.

3. Autori dhe rrëfimtari, në ç’raport janë me njëri-tjetrin? A është autori gjithnjë personazh i tregimeve? Ilustroni me shembuj nga tregimet e dhëna më lart.

4. Përsëritja është një element i zakonshëm në tekstet e Pashkut. Si realizohet ajo dhe çfarë efekti krijon? Ilustroni me pjesët e dhëna të tregimeve më lart.

5. Hulumtimi i së brendshmes në nivel të së pandërgjegjshmes e të ndërgjegjshmes është element i dallueshëm i ndërtimit kompozicional të Pashkut. Gjeni fragmente që ilustrojnë këtë tipar. Ky proces lidhet vetëm me të tashmen apo dhe me kohët e tjera? Ilustroni me shembuj nga tregimet e dhëna më lart.

6. Në shumicën e tregimeve kemi gërshetim të elementit fantastik me atë real. Ilustroni me pjesët e dhëna të tregimeve më lart.

Ushtroni mendimin kritik

7. Është fakt i dallueshëm që në të gjitha rastet tregimtari, që zakonisht është personazh, përjeton një gjendje kllapie, gjysmë në ëndërr. A mendoni se ndihmon kjo teknikë në hulumtimin e së brendshmes dhe si? (Sugjerojmë që paraprakisht të keni gjetur material që ju ndihmon të njihni konceptet e së ndërgjegjshmes dhe të së pandërgjegjshmes). Diskutoni në grupe mbi ndikimin e tyre në jetën tonë.

8. Veta e parë ndihmon hulumtimin në botën e brendshme të qenies. Megjithatë ajo është një vetë e parë që reflekton edhe zërat e tjerë në tekst. Si mendoni, kjo lloj teknike, i jep mundësi tregimtarit të krijojë koherencën e tekstit, në mungesë të një fabule, historie klasike?

9. Elementi fantastik shfaqet në të gjitha tregimet e Pashkut. Ai gërshetohet me elementin real. Kjo ndërlidhje ju krijon vështirësi në leximin e teksteve apo ju nxit kureshtjen? Argumentoni përgjigjen, duke lidhur marrëdhënien tuaj me përrallën, legjendën, mitin.

10. Simboli, alegoria, metafora janë ndër figurat më të përdorura në tekstet e Pashkut. Pasi të keni gjetur shembuj të tillë në tregimet e tij, diskutoni në klasë për imazhet dhe ndjesitë që përcjellin ato.

11. Teksti i Pashkut karakterizohet nga përsëritje të shumta, si me një fjalë, ashtu edhe me grupe fjalësh. Gjeni fragmente të tilla dhe lexojini me zë të lartë në klasë. Vini re nëse krijojnë efekt poetik këto përsëritje dhe nëse ju mbeten më gjatë në mendje veçanërisht simbolet.

Letërsi 425

ANALIZË E VEPRËS

Romani “Oh”, shtresëzime narrative dhe stilistike

Romani “Oh” i Anton Pashkut është vepra që të jep një ndjesi tronditëse si për nga ndërtimi, ashtu edhe nga përmbajtja e simbolikave të tij. Ai është parë me të drejtë nga kritikët si një vepër sintezë, që përmbledh shumicën e motiveve që shihen në tregimet e tij të mëparshme, si dhe që harmonizon në mënyrë të përsosur thuajse të gjitha teknikat stilistike të përdorura prej tij.

Simbolika e romanit

Titulli i këtij romani është interpretuar në shumë kuptime, që marrin jetë edhe nga simbolet e situatat që krijojnë ato në roman. Ai është interpretuar si pasthirrma e dhembjes për të djeshmen, të sotmen e të ardhmen. Është parë gjithashtu si rënkimi që del padashur nga shpirti i njerëzimit për t’u çliruar nga ankthet e pashmangshme fatale të qenies në përgjithësi e qenies shqiptare në veçanti. Romani nis me një skenë fare të zakonshme, madje në pamje të parë, banale. Po pikërisht këtu ai fillon dhe organizon mënyrën e ndërtimit. Personazhi tregimtar, Ai, sapo është kthyer nga nevojtorja, ku gati e ka zënë gjumi. E gjumi është një element i njohur në tekstet e tij, pasi në shumicën prej tyre, personazhi tregimtar është gjysmë në gjumë, gati si në ëndërr, si në kllapi, duke bërë veprime thuajse si somnambul. Më tej, del një element tjetër simbolik, që do të na deshifrojë tipin e rrëfimit: pasqyra, para së cilës ka ndenjur gjatë dhe që parashikon rrjedhën e veprimeve të Ai-së (kërkimin, zbukurimin, studimin si në kuptimin individual, ashtu edhe kolektiv të qenies). “Dikur u largova prej pasqyrës, tue krue edhe ma tutje sjetullën, dhe u ndala para akuariumit të vogël...”. Ndajfolja që fillon fjalinë (dikur) pohon një proces të gjatë mendimi. Kjo gjë pohohet edhe nga pjesa pasuese (tue krue sjetullën), nëse kemi parasysh se lokucioni që lidhet me mendimin është “duke kruar kokën” (pjesë e teknikave moderne). Nga ana tjetër, ky zëvendësim krijon edhe pikën lidhëse me situatën dhe ndjesinë që do të vijë në vijim: njëfarë ngopjeje, që mund të perceptohet edhe si lodhje fizike e shpirtërore. Në këtë kontekst shfaqet Ajo, personazhi tjetër në dhomë. Ajo del tërësisht në mënyrë indiferente nëpërmjet zërit të Ai-së. Madje, ajo përshkruhet fare pak fizikisht. Jepet si dikush që ka gjithë ditën në shtrat dhe që i ka dalë një pjesë e këmbës jashtë. Edhe ky fakt jepet në funksion të përshkrimit të gjendjes së Ai-së: “[...] -u shtrina në dysheme, ku kryet e palova afër kambës së femnës që kishte rrëshqitë e dalë jashtë shtratit”. Në skenën pasuese, buzë liqenit artificial, Ajo shfaqet duke ndërtuar me përkushtim maksimal një piramidë prej rëre. Studiuesit e kanë parë piramidën si simbol të utopisë. Sipas tyre, te ky simbol përplasen konceptet e idesë si utopi, diçka e dëshirueshme, por e parealizueshme. Pikërisht puna e përkushtuar e Ajo-së për të ngritur piramidën prej rëre reflekton utopinë, e cila vihet në dyshim nga Ai përmes qëndrimit krejt indiferent të tij: S’di pse, më dukej qesharake ajo ngritje e piramidës së saj. Por, megjithkëtë,

Letërsi426

unë nuk qeshja, sepse pritojsha me qeshë me atë gja që më dukej fare e parandësishme, me atë maje të piramidës së femnës, e cila punonte me kujdesin ma të madh, me nji kujdes, në të vërtetë, të pashembullt që te unë shkaktonte nji habi që s’kish as fill as mbarim).

Alegoria e situatave simbolike

E gjithë situata hyrëse e romanit zhvillohet në një ambient të mbyllur. Ai ndoshta edhe i lodhur nga takimi me pasqyrën, me veten, fillon të kërkojë mundësi shmangieje nga ky objekt (lodhës), ndaj dhe shikon me detaje akuariumin dhe peshqit, të cilët i shërbejnë si imazh lidhës për të krijuar situatën që vijon. Duke parë atë (akuariumin), Ai fillon hulumtimin në të shkuarën (retrospektivë) dhe, pa e ditur as vetë, gjendet në buzë të liqenit artificial: “...-nuk di, jo, njimend nuk di, nuk di pse m’i kujtuen lëvizjet e valëve të lehta të liqenit, nuk di pse ma kujtuen liqenin, ah, liqenin e vogël artificial, faqen e zhubravitun të atij liqeni të vogël artificial. Ma kujtuen ditën kur qemë, kur unë e ajo qemë atje, në atë liqe diku midis bjeshkëve”. Vihet re gjendja e papërcaktuar, në të cilën ndodhet Ai dhe që mund të analizohet si një zhvendosje në bazë të një ngacmimi jo të ndërgjegjshëm (nuk di jo...). Lidhja bëhet me të njëjtat elemente-imazhe të fushës kuptimore të pasqyrimit pasqyrë - uji i akuariumit - uji i liqenit. Nga ana tjetër, ai njëkohësisht fillon përgatitjen për hyrjen e personazhit të ri, i cili është Plaku që ruan delet në bjeshkë.

Edhe kjo ndërthurje imazhesh e ndërtimesh të lidhura kaq bukur, sipas studiuesve, bëhet për efekt të kërkimit, të zbulimit, të marrjes së përgjigjeve, në “pasqyra” të ndryshme. E këtë proces e krijojnë personazhet-simbole, të cilat hyjnë bashkë me kontekstet që përfaqësojnë ata. Kështu, Plaku vjen në roman përsëri përmes imagjinatës, kujtimit, siç kishte qenë edhe shkuarja në breg të liqenit artificial: “Kurse mbrapa këlkatëseve të syve, në një çast, ashtu befas, errësinën e laknoi fytyra e plakut të thimë, e atij plaku me mjekër të bardhë, të cilin, kur erdhëm unë e ajo, e ndeshëm buzë liqenit artificial”. Dalloni fjalën tingullimitim këlkatëseve, që jep ndjesinë e përpëlitjes së kapakëve të syve, që ngjajnë me hapjen e mbylljen si me përtesë të një dere të vjetër, që bën zhurmë etj.

Po kështu, kërkesa për të ndryshuar realitet, ambient, gjendje, mund të jepet përmes largimit të errësirës dhe shfaqjes së Plakut, i cili do të krijojë një situatë ku ndodhet ai vetë e një tjetër që do t’i kujtohet (situata që lidhet me Ilirinë). Duket sikur Ai në këtë moment nuk është më indiferent, madje përshkrimi për pamjen fizike të plakut është shumë i hollësishëm. Sipas studiuesve, Plaku përfaqëson përvojën universale, mitike e njëkohësisht kombëtare të qenies, e cila ngjall edhe interes tek Ai. Dialogu mes Ai, Ajo dhe Plakut është i mbushur me simbole dhe alegori të tilla, si: dimni, ujqit, delet. Sipas studiuesve, kjo treshe simbolesh nënkupton ekzistencën e lojtarit të vogël në botën e madhe, pa anë e pa fund, ku qëllimi kryesor i tij është mbijetesa, ekzistenca. Në këtë kontekst del edhe imazhi-simbol i barkës-çifteli, e cila rri në mes të ujit, nuk kalbet e nuk mbytet kurrë. Kritika e sheh edhe si identifikim të saj me kombin tonë:

“Mendoj për barkën.”

“Për çfarë barke?”

“S’kam shumë barka. Çdo kush e ka nga nji. Edhe unë e kam nji.”

Letërsi 427

“Nji barkë!”

“Po, nji barkë që rri midis ujit. Ajo nuk kalbet, as mbytet kurrë.”

“Kurrë?”

“Kurrë.”

Motivi i tradhtisë dhe dhunës

Nga pikëvështrimi i Plakut, po nëpërmjet zërit të Ai-së, nis një situatë tjetër në retrospektivë, që rimerr një motiv të njohur në veprat e Pashkut, tradhtinë, e bashkë me të, dhunën. Kjo situatë realizohet duke ndërlidhur dy simbole: atë të barkës-çifteli dhe qerres së diellit. Kjo e fundit është perëndia ilire e luftës dhe e bashkimit. Në këtë situatë të mugullt (muga në tekst), dalin tri personazhe gjithashtu simbol, Desidiati, Breuku dhe Pirusti, që përfaqësojnë dhe tri fise reale ilire. Referenca historike u atribuohet kryengritjeve ilire në vitet VI-IX te e.s. kundër romakëve. Mbi bazën e kësaj reference, por pa e shtjelluar në narracion ngjarjesh, vetëm duke krijuar e lidhur simbolet, ai paraqet gjendjen e mugët (jo të qartë, të çorientuar) shpirtërore të njerëzve të fiseve ilire; thyerjen e qerres së diellit si simbol i raporteve të pakoordinuara të fiseve me njëri-tjetrin; personazhe që përfaqësojnë suksesin, por edhe tradhtinë (Desidiat, Breuk) etj.

Në pjesën e dytë të romanit, shkrimtari fokusohet në të sotmen, ku shfaqen personazhe me patologji të tilla si mizogamia (kur një qenie nuk e duron qenien e gjinisë tjetër), ku stigmatizohen mendësi e botëkuptime. Sundimi diktatorial, me pamje mjaft të njohura në rajon, shfaqet në pasazhe të tilla: “Do të punojë vetëm nji fabrikë e petkave, vetëm nji fabrikë e këpucëve, vetëm një fabrikë e pullave, vetëm nji fabrikë e rrypave, vetëm nji fabrikë e tojave të këpucëve […] vetëm nji roman, vetëm nji dramë, vetëm nji sonet […]”

Në këtë pjesë vihet në lojë edhe ideja e kozmopolitizmit (politika gjithëpërfshirëse, kozmike, që në tekst del si simbol i një lloj klonimi njerëzor), e cila synon të shkatërrojë individualitetin njerëzor: “Po vjen, po vjen ajo ditë kur unë do ta baj tufan çatinë e shtëpisë së vogël përdhecke dhe me dorën time do ta baj rrafsh me dheun përmendoren, atë përmendoren që po duen t’ja bajnë babës sim, i cili nuk i merr vesh punët e botës, punët e galaksisë sonë, punët e galaksive të tjera, punet e Kozmosit tonë të dashtun... Punët duhet t’i këqyrim nga çatia e Kozmosit”. Në këtë fragment dallohet qartë ironia tallëse ndaj këtyre ideologjive. Vetëm se këtu përmasat hiperbolike të premtimeve shkaktojnë ironi me ndjesi groteske. Po kështu, ndërtimi nëpërmjet diskursit politik të premtimeve jologjike e të stërzmadhuara krijon sarkazëm e grotesk.

Tipare të ndërtimit të tekstit

Siç e kemi përmendur në fillim, romani “Oh” shpalos para lexuesit një gjuhë mjaft të përpunuar e të përshtatur në varësi të simbolikave që lidhen me njëra-tjetrën, për të realizuar efekte alegorike mbresëlënëse. Po gjithashtu, në rreshtat e këtij romani mund të shohësh ndërthurje të regjistrave që u përshtaten personazheve dhe situatave. Në këtë kontekst, përdorimi i traditës burimore dhe ligjërimit të folur, shfaqet jo si

Letërsi428

një kopjim, po i përpunuar në varësi të stilit të përgjithshëm të tekstit. (Pinë ujë për shëndetin e njani tjetrit, - thotë plaku për dymbëdhjetë deshtë. Formula popullore është pinë raki. Këtu e përshtat në pamje të parë në mënyrë naive për deshtë. Struktura e formulës popullore realizon alegorinë, pra që u referohet njerëzve.) Në kontekstin e oralitetit, gjuhës popullore, mund të shihen edhe detajet e shumta në fragmente të caktuara apo shkallëzimet, elementet fantastike etj.

Efektet poetike

Pavarësisht se jemi marrë kryesisht me një pjesë simbolesh më lart, duhet thënë se teksti dallohet për efekte poetike të theksuara. Mjaft të shikojmë një pjesë të mirë të dialogëve, në të cilët përsëriten të njëjtat fjalë, të njëjtat grupe, madje edhe rima të jashtme, duke kaluar deri në lojëra të tilla fonetike që realizojnë baza muzikore me ritëm poetik:

“Unë po them se asht çoç.”

“Unë po them se asht çuç.”

“Jo çuç po çoç.

“Jo çoç po çuç.”

“Çoç!”

“Çuç!”

“Çoç!”

“Çuç!”

“Çoç!”

“Çuç!”

“Çoç!”

“Çuç!”

“Çoç!”

“Çuç!”

“Çoç!”

Nga ana tjetër, në shumë raste, teksti paraqet ndërtime metaforike të mrekullueshme, të paharrueshme për lexuesin: “Dhe në atë qetësi flakronte faqja e zhubravitun e liqenit të vogël artificial, dhe në atë qetësi vazhdojshin me vizllue eshtnat e skeleteve të coptuem të rrezeve të diellit apo, ndoshta, në atë vazhdojshin me vizllue ashtu peshqit”. Vini re çfarë metaforash të ndërtuara njëra mbi tjetrën realizojnë një imazh fantastik të liqenit. Deshifrimi i tyre mund të fillojë me mbiemrin metaforik e zhubravitun, pastaj me metaforën që pikturon edhe ngjyrat impresioniste me foljen flakronte, e ndjekur paralelisht nga metafora tjetër me vizllue eshtnat e skeleteve të coptuem të rrezeve të diellit, që ndërthur imazhin shumëngjyrësh të shpërbërjes së diellit në një sfond të zi (eshtnat e skeleteve). Një kontrast që krijon një imazh me efekte të jashtëzakonshme. Këtë figuracion e thekson edhe më shumë ndërtimi i saj në trajtën e një proze poetike, pasi të dyja metaforat krijohen mbi të njëjtën strukturë (në atë qetësi).

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Si është parë romani “Oh” në raport me motivet e tregimeve pararendëse? Si është interpretuar titulli i tij?

2. A emërtohen personazhet e romanit me emra konkretë dhe pse ndodh kjo gjë? A ka lidhje edhe me teknikat moderne kjo zgjedhje?

3. Cila është gjendja fizike e mendore, në të cilën ndodhet më së shumti Ai në roman? A është kjo e njëjtë me tregimet dhe pse ndodh kjo?

Letërsi 429

4. Në cilën fushë semantike dalin në roman pasqyra, uji i akuariumit, liqeni? A ndihmon semantika në hulumtimin e brendshëm të qenies?

5. Gjeni simbolet që dalin në roman dhe dalloni se cilave kohë u përkasin. A ka lidhje kjo me hulumtimin mbarëkohor mbi fatin e qenies në përgjithësi e asaj shqiptare në veçanti?

6. Dalloni teknika të ndërtimit stilistik të romanit, që i patë edhe te tregimet dhe ilustrojini ato me shembuj nga teksti.

Ushtroni mendimin kritik

7. Lexoni me zë të lartë dy faqet e para të romanit. A ju krijojnë vështirësi përsëritjet e shumta të fjalëve dhe grupeve të fjalëve? Po ndonjë efekt poetik, a dalloni në to? Çfarë fjalësh ju mbetën në kokë pas këtij leximi? Diskutoni për raportin dhe rëndësinë e leximit dhe interpretimit skenik të një teksti.

8. Tashmë jeni njohur me një pjesë tregimesh dhe romanin “Oh”. A ka motive që janë trajtuar në të dyja rastet? Pse këmbëngul Pashku kaq shumë në këto motive? Diskutoni në klasë në lidhje me to.

9. Personazhi tregimtar Ai është si në ëndërr, gjysmë në gjumë, gjatë ndijimeve të veta. Ky është një tipar i njohur edhe i personazheve të tregimeve. Duke qenë se romani është më i gjatë dhe ngërthen më shumë motive se tregimet, si mendoni, e pengon kjo gjendje shkrimtarin në shtjellimin e situatave? Diskutoni në klasë në lidhje me këtë, duke pasur parasysh edhe simbolet e pasqyrës dhe trajtave të ndryshme të saj, procesin e kërkimit, zbulimit, hulumtimit të së ndërgjegjshmes e të së pandërgjegjshmes.

10. Dhuna, tradhtia, imponimi etj., janë motive të tjera që dalin në roman. Diskutoni në lidhje me përzgjedhjen e autorit që këto t’i shohë në kohë të ndryshme historike (Iliri, në të tashmen). Kini parasysh edhe alegorinë paraprijëse të plakut me ujqit e deshtë. Pse qenia duhet të dhunojë qenien fizikisht e shpirtërisht?

11. Pasi kemi analizuar romanin “Oh”, cilat janë imazhet e ndjesitë që ju kanë mbetur në mendje. Argumentoni përgjigjen tuaj me pjesë nga teksti dhe përzgjidhni ato ndjesi që ju shqetësojnë edhe ju. A shikoni rrugëzgjidhje për to? Diskutoni duke pasur parasysh se qenia në radhë të parë e ka luftën me vetveten.

Sfida e të shkruarit

12. Te mësimi që lidhet me romanin “Oh” kemi dhënë shembullin e një fragmenti me tipare të theksuara poetike: “Unë po them se asht çoç.”/ “Unë po them se asht çuç.”/”Jo çuç po çoç./ “Jo çoç po çuç.”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!” Krijoni një fragment të ngjashëm të shoqëruar me disa fjali që u japin kuptim dhe simbolikë këtyre përsëritjeve që krijojnë rimë, aliteracion dhe kanë domethënie që lidhet me fjalët e teksti paraprijës. Interpretojeni në klasë dhe thoni domethënien që keni dashur t’i jepni.

13. Tani që keni lexuar sqarimet për romanin “Oh”, shkruani një tekst në të cilin të argumentoni domethënien e pasthirrmës së titullit. Ilustrojeni me ngjarje të përvojës jetësore të njohur nga ju. (Jo domosdoshmërisht duhet të jenë personale.)

Letërsi430

ILUSTRIM LETRAR

OH

Teksti paraqet një folës (pa emër, në këtë rast, do të ishte Djali) që po mban fjalimin e tij në sallën vezake. Në gjithë këtë fjalim, ai i Referohet Babës së tij. Ai po shpalos para sallës filozofinë tij kozmopolite.

Baba im - i mirë?!... Hajt, pash nderin... Si mund të jetë i mirë, si mund të jetë baba i mirë kur mue, ju lutem, mue më ka leçit!... Po, po, baba im më ka leçitë!... Po! Cili babë e leçit djalin e vet, ju lutem? E leçit ai babë që asht, s’do mend, mizoped! pra, ai babë e leçit djalin e vet dhe atë djalë falë rrugës së madhe... Ai tash më ka leçitë, por nuk më ka dashtë as kur kam qenë i vogël... Pse?... Mue më pëlqente të shikojsha kah qielli, atij i pëlqente të shikonte kah toka.... Mue më pëlqente të kridhesha në kaltërinë e qiellit, ai më mësonte të kridhesha në tokën e tij, në arat, në zabelet, në malin, në lisat e tij, në dheun e tij, në dheun e arave, në dheun e zabeleve, në dheun e malit, në dheun ku ishin rranjët e lisave të tij. Por mue nuk më hante palla për tokën e tij, për arat, për zabelet, për malin, për lisat e tij, për dheun e tij, për dheun e arave, për dheun e zabeleve, për dheun e malit, për dheun ku ishin rranjët e lisave të tij. Kurse tanë ai dhé mund të kaptohej me sy nga çatia e shtëpisë... Por... Hëm... Aha... Po... Baba më thoshte, më thoshte se duhej, se duhej të shihej, se duhej të shihej e të njihej mirë e mirë, së pari, ajo që mund të shihet e mund të njihet mirë e mirë nga çatia e shtëpisë sonë përdhecke... Pih... Po ç›mund të shihej e të njihej mirë e mirë nga ajo çati e shtëpisë sonë përdhecke?

... Asgja!... Tanë ajo që mund të shihej e mund të njihej mirë e mirë nga ajo çati e shtëpisë sonë përdhecke - dukej e vogël, dukej pak, dukej aspak, dukej e mjerueshme... Kurse mue, dorën në zemër, nuk më pëlqejnë gjanat e vogla, nuk më pëlqen angështia...Mue, bre vëlla, më pëlqen gjanësia!... Më kujtohet... Mue më kujtohen shumë gjana!...Më kujtohet se angështia nuk më ka pëlqye as kur kam qenë në bark të nanës sime... Më kujtohen shumë hollësi. Barku i nanës nuk më pëlqente, sepse ishte i angësht... S’e dini, unë kam qenë shumë angësht në barkun e nanës... Shumë... Aqë angësht kam qenë sa nuk kam pasë shtegdalje tjetër, pos të lindi para kohe... Unë kam lindë dy muej para kohe!... Por, nejse... Ku e lamë? Aha, po, te çatia... Njimend, ç›mund të shihej nga ajo çati e shtëpisë sonë përdhecke?... Asgja!... Tekembramja, ç’më duhej të shihsha vetëm atë dhé, ç›më duhej?... Asgja! ...Ma shumë më pëlqente të shikojsha kah qielli... A nuk asht qielli i bukur?... Kur qielli, natën, ishte i kthjellët, sytë e mi nuk ngiheshin tue kundrue Bykun e Kumbarës!... Byku i Kumbarës!... Oh sa i mrekullueshëm asht Byku i Kumbarës!... Byku i Kumbarës më dukej shumë madhështor, aqë madhështor sa nji ditë i thashë babës: babë, nuk po më pëlqen duhma e këtij dheu, po më pëlqen ai atje nalt, Byku i Kumbarës!...Më kujtohet: kur ndëgjoi se mue nuk po më pëlqyeka duhma e këtij dheu, babës ju çartën sytë, më rroku hovshëm dhe më fërfëlloi në grumbullin e bykut, skaj lamës... Aty më la gjithë natën e lume... Dhe gjithë natën e lume ndëgjova kangën e burkthit dhe gjithë natën e lume shikova Bykun e Kumbarës... E byku i Kumbarës përhapë nëpër qiell... Kërcejsha prej një ylli në yllin tjetër të Bykut të Kumbarës.

I dëshpëruari, Gustave Courbet
Letërsi 431

Shëtitsha nëpër Bykun e Kumbarës. Burkthi ia thoshte kangës... I numrojsha yjt që i kcejsha, yjt që i kcejsha nëpër Bykun e Kumbarës... Nji... Dy... Tre...Katër... Pesë... Shtatë... Tetë... Nande... Dhetë... Njimbëdhetë... Dymbëdhetë... Dymbëdhetë yj... Kur kisha kërcye në yllin e trembëdhetë të Bykut të Kumbarës, më kishte zanë gjumi. Dhe në yllin e trembëdhetë, në gjumë, m’ishte dëftue ai, baba... Më kujtohet... Mue më kujtohen të gjitha andrrat... Më kujtohet: babës sim i vinte era dhè. Kundërmonte. Në të vërtetë, s’ishte erë, ishte nji duhmë e padurueshme e dheut, e dheut të malit dhe të arave të babës sim... Ika, ika prej tij, ika prej babës sim... Kërceva në yllin tjetër, në yllin e katërmbëdhetë të Bykut të Kumbarës... Kujtova se mbas meje, në yllin e trembëdhetë të Bykut të Kumbarës, mbeti duhma e dheut të malit dhe të arave të babës sim... Çudë... Dhe atje në yllin e katërmbëdhjetë te Bykut të Kumbarës, dhe atje e pashë babën tim... Buzëqeshte baba im buzëqeshte. Nuk di pse buzëqeshte, nuk di pse baba im buzëqeshte: ndoshta buzëqeshte pse tash hoq krahoshën dhe nxuer nji copë dhe... Duhma e dheut, tash, u ba ma e randë, duhma e dheut të malit dhe të arave të babës sim u ba shumë ma e randë: u hap dhe kaploi tanë yllin e katërmbëdhetë të Bykut të Kumbarës... Nuk rrihej, tash nuk rrihej as në yllin e katërmbëdhetë të Bykut të Kumbarës; duhma e dheut ishte njimend e randë, duhma e dheut të babës sim ishte njimend e randë, shumë e randë, shumë e randë... M’u desht me ikë, me ikë në yllin e pesëmbëdhetë të Bykut të Kumbarës... Prapë kujtova se mbas meje, në yllin e katërmbëdhetë të Bykut të Kumbarës, mbeti duhma e dheut të malit dhe të arave të babës sim... Çudë......

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në tekst gjendet fjala “mizoped” , që do të thotë: të urresh fëmijët. Gjeni fragmentet në tekst që lidhen me këtë mënyrë sjelljeje.

2. Çfarë i pëlqente të bënte djalit? Po babës? Gjeni fragmentet në tekst që ilustrojnë këto pyetje dhe shkruajini në një tabelë në dy anë. Lexojini me zë disa herë.

3. Babës i pëlqente toka. Ndër të tjera, djali e dallon edhe me nuhatje këtë gjë. Gjeni në fragment pjesët që tregojnë këtë fakt. Me çfarë ndjesie jepet kjo në fillim?

4. Djali ikën nga një yll në tjetrin. Pse ikën dhe a shpëton dot nga duhma që e ndjek pas kudo?

5. Gjatë rrugës nga një yll në tjetrin, në një moment, djalit i shfaqet baba që buzëqeshte. Gjejeni këtë fragment në tekst dhe thoni pse buzëqeshte ai. Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Teksti është ndërtuar me folje në vetën e parë dhe të tretë. Gjeni këto folje, thoni kujt i referohen dhe përcaktoni zërin tregimtar të tekstit.

7. Lexoni disa herë fragmentin dhe dalloni se cilat fjalë apo grupe fjalësh përsëriten. A realizojnë ato lidhjen logjike mes fjalive? A ju bezdis përsëritja apo ndikon në theksimin e faktit dhe ndjesisë? Gjeni edhe një rast tjetër të ngjashëm:

“Baba im - i mirë?!... Hajt, pash nderin...

Si mund të jetë i mirë, si mund të jetë baba i mirë kur mue, ju lutem, mue më ka leçit!... Po, po, baba im më ka leçitë!... Po! Cili babë e leçit djalin e vet, ju lutem? E leçit ai babë që asht, s’do mend, mizoped! pra, ai babë e leçit djalin e vet dhe atë djalë falë rrugës së madhe... Ai tash më ka leçitë, por nuk më ka dashtë as kur kam qenë i vogël...”

Letërsi432

8. Zëri tregimtar e përcjell gjendjen, situatën, raportin me të atin përmes introspektivës (hulumtimit të gjendjes së brendshme). Është kujtim apo ëndërrim? Gjeni foljet që lidhen me këtë. Duke pasur parasysh tiparet e teksti të Pashkut të mësuara më lart, argumentoni përgjigjen tuaj me shembuj të marrë nga pjesa.

9. Te rubrika më lart gjetët dhe renditët të gjitha fragmentet që lidhen me foljet më pëlqen /nuk më pëlqen në lidhje me djalin e babën. A krijojnë kontrast këto dëshira? A është ky kontrast jo shumë i dallueshëm apo tërësisht i kundërt? Ilustrojeni përgjigjen tuaj, duke parë edhe shkallëzimet e krijuara nga mbiemrat, foljet, ndajfoljet, po edhe grupe fjalësh.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

10. Në tekst gjendet folja “leçit”. Pyesni në shtëpi dhe jepni kuptimet me të cilat del ajo. A ka lidhje me atë që del këtu në tekst? Ilustrojeni me pjesën që e sqaron dhe që gjendet në tekst.

11. Vini re në fragmentin më poshtë metaforën “më pëlqente të kridhesha”, që përsëritet dy herë dhe ka në trup antitezë. Dallojini fjalët e fundit të saj. A përbëjnë diskutimin kryesor mes babës e djalit? Shkallëzimet e ndërtuara nga emrat, pse përsërisin të njëjtin vend dy herë? Çfarë ndjesie ju përcjell: “Mue më pëlqente të kridhesha në kaltërinë e qiellit, ai më mësonte të kridhesha në tokën e tij, në arat, në zabelet, në malin, në lisat e tij, në dheun e tij, në dheun e arave, në dheun e zabeleve, në dheun e malit, në dheun ku ishin rranjët e lisave të tij”?

12. Në fragmentin më poshtë metafora “shëtitsha nëpër Bykun e Kumbarës” është e dallueshme. Ajo vërtetohet edhe në fund të kësaj pjese. Gjejeni këtë element që e vërteton dhe shpjegoni a ka lidhje vetëm me verifikimin e metaforës apo është tipar i teksteve të Pashkut? “Shëtitsha nëpër Bykun e Kumbarës. Burkthi ia thoshte kangës... I numrojsha yjt që i kcejsha, yjt që i kcejsha nëpër Bykun e Kubarës... Nji... Dy... Tre... Katër... Pesë... Shtatë... Tetë... Nande... Dhetë... Njimbëdhetë... Dymbëdhetë... Dymbëdhetë yj... Kur kisha këcye në yllin e trembëdhetë të Bykut të Kumbarës, më kishte zanë gjumi”. Çfarë tipari të kompozicionit përcjell ai?

13. Lexojeni tekstin disa herë dhe vini re se fjalia e fundit e këtij fragmenti gjendet edhe në vende të tjera. Cila është ndjesia që përcillet? Krahasojeni atë me ndjesinë e të njëjtit ndërtim, që gjendet para kësaj pjese. Vini re edhe metaforën paraprijëse të këtij fragmenti “hoq krahoshën dhe nxuer nji copë dhé”, shpjegoni ndjesinë e babait për dheun, tokën e tij: “Dhe atje në yllin e katërmbëdhjetë te Bykut të Kumbarës, dhe atje e pashë babën tim... Buzëqeshte baba im buzëqeshte. Nuk di pse buzëqeshte nuk di pse baba im buzëqeshte: ndoshta buzëqeshte pse tash hoq krahoshën dhe nxuer nji copë dhe... Duhma e dheut, tash, u ba ma e randë, duhma e dheut të malit dhe të arave të babës sim u ba shumë ma e randë”.

14. Në fragment hasen shpesh pyetje. Dalloni nëse shumica janë pyetje retorike apo lidhen me mëdyshjet e djalit? Shpjegojeni me shembuj nga teksti. Nga teksti te përdorimi

15. Në tekst gjendet kjo pjesë: “pra, ai babë e leçit djalin e vet dhe atë djalë falë rrugës së madhe...”. Në çfarë kuptimi përdoret grupi “rrugës së madhe” në kuadrin e gjithë tekstit? Po në ligjërimin e përditshëm, si e përdorni me të njëjtin kuptim?

16. Në tekst përdoret emri “lis”. Gjeni pjesët ku del ai dhe vini re shkallëzimet ku bën pjesë. A krijon simbol ai, veçanërisht kur përdoret në grupin emëror “rranjët e lisave të tij”? Shpjegoni pse. Lidheni edhe me psikologjinë popullore në lidhje me këtë pemë.

Letërsi 433

17. Në tekst përdoret fjala “çati”, duke iu referuar shtëpisë. Pyesni në shtëpi se çfarë koncepti ka populli në lidhje me këtë fjalë. A mund të simbolizojë diçka dhe çfarë? Përshkruani rëndësinë e këtij simboli në psikologjinë e shqiptarit.

18. Në tekst ka fjalë dhe ndërtime që reflektojnë marrëdhënien babë-bir. Gjeni këto përdorime dhe tregoni se çfarë tregojnë ato për marrëdhënien babë-bir?

19. Fjala “Duhmë” është mjaft e pranishme në tekst. Cilës klasë semantike të ndijimit i përket? Gjeni pjesët ku përsëritet dhe dalloni konotacionin e saj në pjesë të ndryshme.

Nga teksti te reflektimi

20. Më lart pamë se djali e konceptonte të atin si mizoped. Arsyeja kryesore e këtij etiketimi është se atyre u pëlqejnë hapësira dhe vende të ndryshme. A mendoni se mosmarrëveshje të ndryshme prindër-fëmijë duhen parë si patologji, apo si raport normal debatesh, ku dëgjon dhe dëgjohesh? Diskutoni, duke sjellë shembuj nga përvoja juaj.

21. Në tekst gjendet ky fragment: “Baba më thoshte, më thoshte se duhej, se duhej të shihej, se duhej të shihej e të njihej mirë e mirë, së pari, ajo që mund të shihet e mund të njihet mirë e mirë nga çatia e shtëpisë sonë përdhecke...”. Dalloni kuptimin e foljes “thoshte”. A është imponuese ajo, apo e fton djalin për njohje dhe vlerësim të asaj që ka një herë e pastaj eksplorim të hapësirave të tjera? Jepni mendimin tuaj dhe diskutojeni në klasë.

22. Në tekst, ndër të tjera, shfaqet edhe antiteza gjanësi-ngushtësi. Lexoni mirë pjesët ku dalin ato. Ngushtësia a ka lidhje me jetesën brenda hapësirës vetjake personale e kombëtare, pra të njohur e të sigurt? Gjanësia mos ka lidhje me eksplorimin e së panjohurës, që është e re, të grish, po ka edhe plot të papritura? Cili duhet të jetë raporti mes këtyre dy konceptimeve? Jepni mendimin tuaj me shembuj.

23. Duhma e dheut e ndjek djalin kudo në kërcimin nga një yll në tjetrin, pikërisht për t’i ikur asaj. Ky simbol mbështetet jo vetëm në të ndërgjegjshmen, po edhe në të pandërgjegjshmen. Gjeni të dhëna në tekst që e ilustrojnë këtë. Diskutoni nëse është e vërtetë se, pavarësisht sa larg mund të jeni prej shtëpisë, vendit, njerëzve tuaj, përsëri imazhet e tyre janë të ngulitura në kujtimet tuaja. (Mund të sillni shembuj nga emigracioni aq i përhapur te ne.)

24. Vendi që i pëlqen djalit është diametralisht i kundërt me atë të të atit. Ai shfaqet me një fushë leksikore shkëlqyese, rrëzëlluese: qielli, yjet, Byku i Kumbarës etj. A mendoni se çdo realitet që paraqitet nga larg me ngjyra kaq të ndezura, kur e prek, rezulton vërtet i tillë? A duhet rrezikuar në çdo rast për plotësimin e ëndrrave të vëzhguara nga larg ose me fjalët e të tjerëve, apo duhen baraspeshuar mundësitë e suksesit e të rrezikut? Diskutoni në klasë.

Nga teksti te të shkruarit

25. Pamë se në tekst kishim grupin “duhma e dheut”, që simbolizonte lidhjen e qenies me hapësirën personale, familjare, autoktone, si vend i njohur e i sigurt. Në ligjërimin e zakonshëm keni dëgjuar edhe këtë fjali: “Edhe fëmija i sapolindur e njeh nanën e vet prej erës”. Çfarë i bashkon këto të dyja në rrafsh të së ndërgjegjshmes e të së pandërgjegjshmes? Bëni një ese dhe lexojeni në klasë.

Letërsi434

Gjuhë

REGJISTRI GJUHËSOR, IDIOLEKTI DHE NORMA

Rikujtojmë regjistrat gjuhësorë (ligjërimet gjuhësore)

Kujtoni!

Regjistri i thjeshtë (ose ligjërimi i shkujdesur) përdoret nga folës të zonave, profesioneve e formimeve kulturore e arsimore të ndryshme, të cilët e shkelin ose e shtrembërojnë standardin.

Regjistri i zakonshëm (ose ligjërimi bisedor) është mënyra se si flasin individët në përditshmërinë e tyre me bashkëfolës, të cilët i kanë të afërm, në familje, punë e të tjera situata shoqërore. Folësit nuk e respektojnë rreptësisht normën, por edhe nuk e shkelin atë deri në nivelin e regjistrit të thjeshtë (ose ligjërimit të shkujdesur).

Regjistri i ngritur (ose ligjërimi libror) është mënyrë e përdorimit të gjuhës, në të cilën respektohet standardi me përpikëri. Ai ka në përgjithësi tiparet e gjuhës së shkruar, por shfaqet edhe në variantin e folur.

Nё secilin regjistër, për tё shprehur tё njëjtin mendim, përdorim fjalë tё ndryshme.

Kujtoni

Gjuha ndryshon sipas komunikimit. Kur flasim me shokët, përdorim një gjuhë të ndryshme nga ajo që përdorim ndërsa flasim në mësim, sikurse përdorim gjithashtu një gjuhë ndryshe nga ajo që përdorim me familjarët. Situatat e ndryshme të komunikimit kushtëzojnë mënyra të ndryshme të të folurit ose të të shkruarit, që quhen regjistra të gjuhës (ligjërime të gjuhës). Ato janë: regjistri i ngritur, i zakonshëm dhe i thjeshtë (ose ligjërimi libror, bisedor, i shkujdesur).

Kështu, për shembull: nё regjistrin e thjeshtë (ose të shkujdesur) themi: “Ai iu zgërdhi në surrat”; nё regjistrin e zakonshëm: “Ai iu ngërdhesh në fytyrë”; nё regjistrin e ngritur: “Ai i bëri një grimasë”.

Çdo regjistër ka intonacion të veçantë, fjalor dhe veçori gramatikore të veçanta. Përdorimi i regjistrave ndryshon në varësi të faktorëve të tillë, si: mosha, përkatësia shoqërore, përkatësia profesionale, seksi, shkalla e kulturës, numri i bashkëbiseduesve, marrëdhëniet që kanë njerëzit ndërmjet tyre etj. Në letërsinë artistike përdoret shpesh regjistri i thjeshtë familjar dhe i shkujdesur, për ta bërë më jetësore dhe shprehëse paraqitjen e ngjarjeve, ose të personazheve. Regjistri i zakonshëm përdoret në shumicën e situatave: nga mësuesi gjatë mësimit, nga gazetat dhe televizioni. Regjistri i zakonshëm përdoret në bisedat dhe në korrespodencën ndërmjet njerëzve që nuk kanë lidhje familjare, në artikujt e gazetave, në informacionet e radios e televizionit, në reklamë, në tregime, novela, romane, në mësim etj. Fjalori i këtij regjistri është i zakonshëm, gramatika është ajo e mësuar në shkollë.

Regjistri i ngritur përdoret në fjalime solemne, në mbrëmje përkujtimore, në pritje, në fjalime publike, në thënie filozofike e fetare, në tekste shkencore, në poezi a prozë tregimtare, përshkruese etj.

Gjuhë 435

Shtresat e leksikut

Lexoni dy tekstet. Thoni si ndryshojnë ato mes tyre.

a) Gjuha shqipe (ose thjesht shqipja) është gjuhë dhe degë e veçantë e familjes indoevropiane që flitet nga më shumë se 6 milionë njerëz, kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe në zona të tjera të Evropës Juglindore ku ka një popullsi shqiptare, duke përfshirë Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Është gjuha zyrtare e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe gjuhë bashkë-zyrtare e Maqedonisë së Veriut. Shqipja, si gjuhë moderne, përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane. Shkruhet me shkronja latine. Gjuha shqipe përfshin gjuhën standarde ose gjuhën e njësuar letrare shqipe, e cila u miratua në Kongresin e Drejtshkrimit të Shqipes në vitin 1972 në Tiranë, dhe të gjitha dialektet, nëndialektet e të folurat që fliten nga shqiptarët. Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore: gegërishten, toskërishten, dhe një kronolekt: arbërishten. Fjalori i shqipes ka disa huazime.

b) Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare. Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë,

porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit,.. ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimi. Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;

Renditni disa fjalë pa ngjyrim emocional nga teksti i parë.

Renditni disa fjalë me ngjyrim emocional nga teksti i dytë.

Sipas përmbajtjes, fjalët e gjuhës shqipe i ndajmë në dy shtresa:

E para, shtresa asnjanëse e leksikut, që përfshin fjalë pa ngjyrime emocionale dhe që përbëjnë në masë të madhe fjalorin abstrakt; këto fjalë shënojnë diçka nga realiteti, kanë si të thuash vetëm përmbajtje objektive, pa asnjë element subjektiv, si: tel, larg, kap, shoh, me etj.

E dyta, shtresa emocionale e leksikut, që përfshin fjalët me ngjyrime emocionale. Këto fjalë përveç përmbajtjes objektive, kanë edhe një element subjektiv, ngjyrim emocional.

Në gjuhën shqipe ka disa grupe fjalësh që marrin lehtë ngjyrim emocional, siç janë fjalë që:

a. shënojnë cilësi: i mirë, i keq, i bukur, plakush, hutaq;

b. emërtojnë shpendë dhe kafshë: sorkadhe, pëllumb, gomar, sorrë;

c. emërtojnë lule, bimë dhe drurë: zambak, karafil, lis, kungull; d. janë huazime nga turqishtja dhe nga gjuhë të tjera: surrat, kalama, anadollak, dhaskal, zero;

e. janë emra të disa sendeve që kanë një cilësi të dallueshme, si: çelik, yll, hënë, pykë, hu; f. të gjitha pasthirrmat: oh!, uf!, bobo!, ah!;

g. janë njësi frazeologjike në përgjithësi: i kreh bishtin, fut hundët, e nxjerr nga balta.

Në këtë këndvështrim dallojmë një kundërvënie ndërmjet fjalëve asnjanëse dhe fjalëve me ngjyrim emocional, megjithëse nga përmbajtja “objektive”, ato janë sinonime: mësues - dhaskal, fytyrë - surrat, fëmijë - kalama.

Gjergj Fishta, Foto Marubi
Gjuhë436

Gjuha shqipe ka mundësi të mëdha për të përdorur shumë fjalë në një rrafsh të figurshëm dhe me ngjyrim të fortë emocional. Në letërsinë artistike përdoren dendur këto kundërvënie kuptimore, për t’i dhënë më shumë forcë ligjërimit.

Gjuha ndërtohet, jeton dhe përpunohet në bashkëveprimin e drejtpërdrejtë të folësve që e shohin dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin, perceptojnë mjedisin, situatën dhe kushtet e komunikimit, por edhe shkëmbejnë rolin e dhënësit dhe të marrësit. Çdo individ përdor në mënyrë unike aspektet e ndryshme të gjuhës, për të krijuar mënyrën e vet individuale të të folurit, që quhet idiolekt, i cili përfshin shqiptimin, gramatikën dhe fjalorin, në varësi të gjuhës, statusit socio-ekonomik dhe vendndodhjes gjeografike. Idiolekti është mënyra për të realizuar gjuhën tipike për në një tërësi situatash, pra shuma e variacioneve personale të një folësi ndaj një standardi gjuhësor.

Standardi dhe dialekti

Lexoni tekstin e mëposhtëm. A janë respektuar në të rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe?

Neni 1.

Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi.

Neni 2.

Secili gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë e parashtruara në këtë Deklaratë pa kurrfarë kufizimesh përsa i përket racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, besimit fetar, mendimit politik ose tjetër, origjinës kombëtare a shoqërore, pasurisë, lindjes ose tjetër.

Asnjë dallim nuk do të bëhet në bazë të statusit politik, juridik ose ndërkombëtar të shtetit ose vendit të cilit i përket çdo njeri, qoftë kur shteti ose vendi është i pavarur, qoftë nën kujdestari, qoftë jo vetëqeverisës ose që gjindet në çfarëdo kushtesh të tjera të kufizimit të sovranitetit.

(Deklarata e të drejtave të njeriut)

Gjuha standarde është trajta normative e gjuhës. Ajo është një varietet që: ka një fjalor apo grup fjalorësh të mirënjohur, që përfaqësojnë drejtshkrimin dhe leksikun standard; ka një gramatikë të mirënjohur, ku regjistrohen trajtat, rregullat dhe strukturat e gjuhës, që rekomandohen për t’u përdorur; ka një sistem standard shqiptimi; ka një institucion, që promovon përdorimin e gjuhës dhe përcakton normat (akademi, komitet, këshill, bord etj.); i njihet një status zyrtar; ka përdorim publik (administratë, gjykata...); mësohet në shkollë (normat gramatikore dhe drejtshkrimore); mësohet edhe nga të huajt.

Lexoni tekstin e mëposhtëm. Ai është shkruar në dialektin toskë:

Ne na ziete babai, as na pjete fare dhe nuk e shihnim, gjersa martoneshim. Dhe atje që venim, na dridheshin këmbët. Bulla që na qëndronte në krah, na shponte me dorë, rri kështu, rri ashtu, ull kokën, ngre supet, zeju dorën. (“Siç më thotë nënua plakë”, M. Kokalari)

Gjuhë 437

Dialekti shërben si mjet komunikimi për një grup pak a shumë të vogël njerëzish, që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta në një territor të caktuar. Në gjuhën shqipe dallohen dy dialekte: dialekti verior ose gegërishtja (përfshihen edhe të folmet e Kosovës, Dibrës së Madhe, të krahinave e qyteteve shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni dhe të folmen e arbëreshëve të Zarës etj.) dhe dialekti jugor ose toskërishtja (përfshihet edhe çamërishtja, të folmet e diasporës arbëreshe të Italisë, Greqisë, Mandricës (Bullgari), Ukrainës etj.). Nuk ka një kufi të prerë midis dialekteve dhe si kufi natyror ndërmjet tyre merret lumi Shkumbin. Ndryshimet midis dy dialekteve nuk e pengojnë një shqiptar të Veriut të merret vesh me një shqiptar të Jugut. Më shumë ndryshime midis dy dialekteve vërehen në fonetikë e leksikologji, më pak në morfologji dhe shumë më pak në sintaksë. Ndryshime ka edhe brenda një dialekti, p.sh.: e folmja e qytetit të Gjirokastrës ndryshon nga e folmja e qytetit të Korçës. Dallimet kryesore mes këtyre dialekteve janë: zanoret hundore në gegërishte, toskërishtja i ka me ë (zâ – zë; bâj – bëj; i âmël – i ëmbël; nanë – nënë); diftongu ue ose u në gegërishte, kurse toskërishtja e ka ua: due, du – dua; ftue – ftua, grue, gru – grua; mue, mu – mua); Togu vo- i gegërishtes dhe va- në toskërishte; voj – vaj, votër – vatër, i vorfën – i varfër;  Rotacizmi: në gegërishte bashkëtingëllorja “n” mes zanoreve, në toskërisht është “r” (zuna – zura, syni – syri, ranë – rërë); mbaresat e pjesoreve: gegërishtja nuk i ka, toskërishtja i ka (hap – hapur, la – larë, shkru – shkruar); paskajorja: në gegërishte (me punue) në toskërishte (për të punuar).Fjalët dialektore ose krahinore janë ato që nuk përdoren në të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Ka raste që në krahasim me standardin, dialektore janë jo fjalët në tërësi, por kuptimet e tyre. Kështu mbiemri “i lig” në Veri ka kuptimin “i sëmurë”; dollap - “dritare” etj. Letërsia dhe gjuha e gjallë e folur luajnë rol të veçantë për marrëdhëniet e gjuhës së normuar me format e tjera, jostandarde, të trajtës së shkruar me trajtën e folur. Ndërsa standardi përcaktohet përmes kodifikimit duke përzgjedhur midis variacioneve, të gjitha përdorimet gjuhësore e kanë të hapur rrugën në letërsi, sepse përligjin motivimin artistik. Në komunikimin e përditshëm ndihet “ngjyresa” krahinore apo dialektore që folësit e ndryshëm i bëjnë standardit. Në këtë mënyrë, gjuha vetëm pasurohet dhe ushqehet nga të folmet e gjithsecilit në mjedise të ndryshme, në familje, shoqëri, miqësi dhe leksiku bëhet pasqyra e parë e larmisë pasurore që ka gjuha jonë. Përdorimi i fjalëve krahinore apo i dialekteve edhe në letërsi, sjell koloritin, zakonet, mendësinë e krahinës dhe kanë një vlerë të fortë evokuese.

“A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?”

(“Bagëti e bujqësi”, N. Frashëri)

Dialektet dhe leksiku dialektor janë pjesë përbërëse e pasurisë sonë të përbashkët gjuhësore, rrjedhimisht edhe kulturore e kombëtare, kurse shtrirja dhe larmia e tyre janë dëshmi e historisë sonë, sepse çdo lëvizje e popullsisë është shoqëruar dhe shoqërohet edhe me lëvizjen e fjalëve dhe me ndryshime të shumta dhe të llojllojshme të strukturave të tyre.

Gjuhë438

Verifikoni njohuritë

1. Plotësoni tabelën dhe diskutoni rreth elementeve që bëjnë dallimin midis regjistrave të të folurit në gjuhën shqipe. Regjistri gjuhësor

Situata komunikative regjistër i thjeshtë regjistër i zakonshëm regjistër i ngritur

2. Tregoni dallimin midis gjuhës standarde dhe dialekteve, duke e ilustruar me shembuj.

3. Sillni situata të përdorimeve të fjalorit abstrakt dhe afektiv dhe diskutoni përdorimin e tyre.

4. Ndahuni në grupe dhe krijoni nga një situatë komunikative për secilin grup të fjalëve që marrin ngjyrim emocional.

5. Duke analizuar të folmen tuaj, hartoni një fjalorth të fjalëve dialektore që përdorni më shumë. Çfarë vini re?

Ushtrohuni përmes shembujve

6. Dëgjoni interpretimin e poezive: “Shkëndija e diellit ndaj manushaqes” të Naim Frashërit dhe “Gjuha shqipe” të Gjergj Fishtës. Tregoni me pesë fjali emocionet që përjetuat.

7. Në fragmentet e mëposhtme, të shkëputura nga këto poezi, gjeni “ngjyresat dialektore” dhe fjalët e fjalorit afektiv.

8. Çfarë mund të thoni për idiolektin e dy autorëve në poezitë e tyre?

Shkëndija e diellit ndaj manushaqes

Manushaqe bukuroshe, Pse s’ngre kryetë përpjetë, Po rri e mpit’ edh’ e qetë, Pse s’zbukurohe e s’shëndoshe?

Pa shiko lulet’ e tjera, Q’u çel’ e u lulëzuan, Shih, pa shih ç’u zbukuruan, I ngjalli përsëri vera.

O lulez’ e Perëndisë, Që të mbolli vetë Zoti,

Zgjohu tani q’u ngroh moti, Erdhi koh’ e gjallësisë;

Se dheu anembanë mbleroi, E të vdekurit’ u ngrinë, Gjithë ç’jan’ u përtërinë, Zoti nga gjum’ i rënd’ i zgjoi.

Më dërgoi dhe tek ti Zoti, Që të t’ap jetëz’ e ditë, Të të bije shpirt e dritë, E të bëhesh si qëmoti…

N. Frashëri

Gjuhë 439

Gjuha Shqipe

Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë,

porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit... ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimi. Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore.

9. Gjeni në të dyja fragmentet e poezive njësi frazeologjike dhe shpjegoni kuptimin e tyre.

10. Dalloni fjalët që shprehin ndjenjat e autorëve (funksioni shprehës) dhe ato që duan të ndikojnë te lexuesi.

11. Përpiquni t’i shkruani fragmentet në gjuhë standarde. Çfarë vini re?

12. Dëgjoni poezinë“Malli i Shqipërisë” të Ismail Kadaresë. Çfarë na tregon titulli dhe përse e ka marrë malli poetin?

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë. Sonte, kur po kthehesha me trolejbus, Tymi i cigares “Partizani” që pinte një rus, Dridhej, kaltëronte, bënte spirale, Sikur të fshehta më thosh në gjuhën e shqiptarëve, Mua, bashkatdhetarit.

Të shkoj dua mbrëmjes në rrugët e Tiranës, Ku kam bërë dikur ndonjë marrëzi, Dhe në rrugët ku s’kam bërë asnjë marrëzi. Më njohin ato porta të vjetra të drunjta, Inatin akoma do ma mbajnë, Kokën do ma tundin,

Por unë s’do ta marr për keq, Se malli më ka marrë.

Dhe t’eci rrugicave plot gjethe të thara, Gjethe të thara, gjethe vjeshte, Për të cilat krahasimet gjenden aq lehtë. Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë; Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë,

Për vrapin e kaltër të dallgëve adriatike, Për retë që në muzg si kështjella digjen, Për alpet flokëbardha e mjekërgjelbra, Për netët e najlonta, që nga flladet fërgëllojnë, Për mjegullat që si indianë të kuq muzgjeve shtegtojnë, Për lokomotivat dhe kuajt, Që të djersitur avullojnë e hungërojnë, Për qiparisat, kopetë dhe varret Malli më ka marrë. Malli më ka marrë

Për shqiptarët.

Më ka marrë malli dhe së shpejti vij atje, Duke fluturuar mbi mjegullat, si mbi dëshira. Sa i largët, aq dhe i dashur je, atdhe. Aerodromi do të dridhet nga uturima, Mjegulla do të rrijë pezull mbi humnera. Ata që shpikën shpejtësinë reaktive. Larg atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë.

fjalët e fjalorit afektiv dhe formoni njësi frazeologjike me pesë prej tyre.

13. A është atdheu ndonjëherë i largët dhe pse? 14. Nënvizoni
Gjuhë440

15. Klasifikoni figurat letrare të strofës së parë dhe të tretë, sipas kësaj tabele:

Epitete

Metafora Krahasime

16. Çfarë kuptoni me vargjet: “Për mjegullat që si indianë të kuq, muzgjeve shtegtojnë”; “Ata që shpikën shpejtësinë reaktive. Larg atdheut sigurisht do kenë qenë ndonjëherë”.

17. Provoni ta shkruani në dialektin tuaj vargun e dytë. Çfarë vini re?

18. Plotësoni karakteristikat e regjistrit të zakonshëm (ligjërimit bisedor):

19. Fjalitë e mëposhtme i takojnë regjistrit të thjeshtë. Kthejini ato në regjistrin e zakonshëm: E kapi linkthi dhe e nxori jashtë.___________________________

Na jep nji çap bukë.

Po më ikën truni.

O sa tuqe e bukur qenka!

Thirri ore mendjes!

20. Lexoni tekstin e mëposhtëm. Kthejeni atë në regjistrin e zakonshëm (ligjërim bisedor). Tregoni cilat mjete gjuhësore përdorët. Thuajmë si të duken këto, po ç’të bëni, ju tërboi shkolla biro! Dëgjon, dëgjove? Ua hoqi edhe atë çikë mende që kishit, ua bëri fiu. Mallkuar qoftë kush e hapi për herë të parë, na prishi shtëpinë se lipsur të jetë dhe ai mësim.....Njeri s’na shikon, njeri s’na vë veshin... u duket se arritnë qiellin me dorë, u duket sikur jemi lecka. Po falnë e kanë dhe burrat që ju lanë juve mi kokë. ...eh! Ku vate tëllësëmi i parë që këmbë dëgjonim jashtë, rrëzave futeshim.

(“Siç më thotë nënua plakë”, M. Kokalari)

21. Plotësoni karakteristikat e regjistrit të thjeshtë (ligjërimit të shkujdesur):

22. Lidh me shigjetë veçoritë e renditura me regjistrat e gjuhës. përdor fjalë objektive shtrembëron fort normën përdor gjuhë plot figura letrare regjistri i ngritur respekton me përpikëri normën gjuhësore regjistri i zakonshëm

________________________________________
_________________________________________
_________________________________
________________________
Gjuhë 441

përdor fjalë sinonime me fjalë asnjanëse regjistri i thjeshtë përdor normën, por jo me përpikëri përdor nofka dhe shtrembërime

23. Fjalitë e mëposhtme i përkasin regjistrit të ngritur (ligjërimit libror). Kthejini në idiolektin tuaj. Përfytyroni se po i drejtoheni një njeriu të afërt. Thoni më pas se cilin regjistër përdorët. Me rastin e premierës së tragjedisë “Hamlet”, stafi akademik i shkollës ka organizuar një përfaqësim zyrtar në teatrin e Prishtinës. Në korridorin e bankës u vërejtën copa xhami me prejardhje nga dera e hyrjes. Eksperti arriti në përdorimin se është përdorur forca, e cila ka shkaktuar thyerjen e derës

24. a) Ndërtoni fjali me fjalët dhe grupet e fjalëve: hulumtoj, zotëroj, komunikoj, marr përsipër.

b) Rishkruani fjalitë duke vendosur në vend të fjalëve të sugjeruara, përkatësisht fjalët: kërkoj, kam, flas, bëj. A është i njëjtë kuptimi?

c) Ndërtoni fjali me fjalët: kërkoj, kam, flas, bëj. Ku ndryshojnë këto fjali nga ato të parat?

25. Më poshtë keni dy situata. Për secilën prej tyre shkruani nga një fjali, duke përdorur ligjërimin bisedor, të shkujdesur.

a) Jeni në një radhë për të paguar në supermarket dhe klienti para jush po pengon pagesën me lëvizjet e avashta.

b) Po e prisnit me padurim gjellën tuaj të preferuar, por mamaja i ka hedhur kripë më shumë se ç’duhet.

26. Konsultohuni me Fjalorin e gjuhës shqipe. Gjeni në të fjalë që kanë shënimin libr. (libror) dhe bised. (bisedor). Ndërtoni fjali me to. Krahasoni mjetet gjuhësore që keni përdorur në secilin rast.

Sfida e të shkruarit

27. Shkruani një ese me temë: “Malli për atdheun”, një herë në standard dhe një herë në dialektin tuaj.

Gjuhë442

Letërsi LETËRSIA BASHKËKOHORE SHQIPE

Letërsia bashkëkohore shqipe është një korpus shumë i gjerë veprash dhe shkrimtarësh në prurjet e saj pas viteve ’90. Ndryshimet politike në Shqipërinë e atyre viteve, lanë gjurmë edhe në jetën shpirtërore të kombit. Krijuesit, që tashmë qenë çliruar nga detyrimi për të shkruar brenda një platforme ideologjike me skema e klishe, u përballën me lirinë e zgjedhjes së modelit të të shkruarit dhe lirinë e zgjedhjes së temave. Ndaj pas 1990-ës, detyra e parë që u dilte krijuesve ishte që t’i kthenin letërsisë funksionin e saj estetik. Letërsia nuk mund të shihej më si propagandë dhe as mund të shërbente për edukim moral të shoqërisë (qëllim për të cilin ishte përdorur gjatë komunizmit), por ajo duhej t’i kthehej funksionit të saj të parë: prodhimit të kënaqësisë estetike dhe vepra letrare duhej të sublimonte në art problemet dhe shqetësimet e njeriut të sapodalë nga trauma e një jete të cunguar, e shtrembëruar ideologjikisht. Shkrimtarët e kësaj periudhe u përpoqën të bënin objekt të veprave të tyre situatën komplekse në të cilën gjendej njeriu shqiptar i sapodalë nga diktatura.

Ndaj në veprat e tyre, këta autorë i japin lexuesit një këndvështrim individual e të pakushtëzuar mbi natyrën dhe problemet e shoqërisë shqiptare e në mënyrë të veçantë të individit, i cili zë një vend të posaçëm në këtë letërsi. Në këtë drejtim, mund të themi se letërsia e autorëve që shkruajnë pas viteve 1990 është një çlirim i madh estetik dhe shpirtëror, është edhe një tregues i ngritjes së letërsisë shqipe, e hapur tanimë ndaj përvojave letrare që ofronte letërsia europiane e më gjerë.

Temat, ku në qendër është individi me gjithë problematikën psikike, sociale, politike, që mbart; individi i zhveshur nga modeli tipik që kishte trumbetuar realizmi socialist, individi i zvetënuar e i shterur, individi në kërkim të vetes, bëhen ushqyese për krijimtarinë e shkrimtarëve të kësaj periudhe.

Po ashtu, vihet re një prirje drejt temave refleksive, që trajtojnë probleme të rëndësishme ekzistenciale të njeriut të kohës, që bart dilemat e së shkuarës e pasiguritë e së tashmes. Gjithashtu, temat e trajtuara nga shkrimtarët pas viteve ’90-të lidhen patjetër me lirinë, edhe me atë të munguar, me atdheun, marrëdhënia me të cilin shfaqet si mall, si dhembje, si dashuri e çdokohshme. Ndodh largimi fizik nga atdheu, por lidhja shpirtërore me të është e përjetshme. Një tjetër temë e trajtuar nga shkrimtarët në ato vite ishte ajo e dhembjes njerëzore, individuale, ndryshe nga dhembja dhe përgjegjësia kolektive që lexohej nëpër rreshtat e letërsisë së para viteve ‘90.

Marrëdhënia e krijuesve me shkrimin përshkon shtigje të tilla që e zgjojnë letërsinë nga letargjia e komunikimit linear, duke çliruar dhe duke bërë më dinamik sistemin e ngrirë të strukturave të saj, duke i hapur rrugën komunikimit shumëfunksional me lexuesin.

Në letërsinë shqipe që zhvillohet në Kosovë, problematikat shfaqen sa në marrëdhënien me individualen aq edhe me kolektive, për arsye të kushteve socio-politike në të cilat ndodhej. Sipas studiuesit Nysret Krasniqi: “Letërsia e Kosovës si pjesë e pandarë e letërsisë nacionale, por e kushtëzuar historikisht nga rrethanat e veçimit brenda llojit, tashmë kap traditën vetjake njëshekullore. E nisur si emancipim kulturor, pastaj me elemente të poetikës sociale dhe ideologjike, letërsia shqipe në Kosovë forcon e sforcon modernitetin në të gjitha format letrare, zhvillon kritikën dhe studimet e fuqishme letrare, për ta përjetuar edhe aventurën postmoderne në nisjen e viteve 90-të të shekullit të kaluar”

Letërsi 443

Cilat ishin prirjet e kësaj periudhe?

Studiuesit vërejnë tri prirje te shkrimtarët e kësaj periudhe.

E para lidhet me larminë e stileve, temave, formave të të shkruarit, larg modeleve të imponuara dhe temave të paracaktuara.

Eqrem Basha, përmes personazhit të vet, Alpinistit, në romanin “Alpinisti”, me fabulën përmbledhëse e të përqendruar në një pikë shpalos konfliktet e brendshme të individit, shpresën, ëndërrimin, frikën, revoltën, që si ngarkesë përcjellëse janë të përhershme njëlloj dhe karakteristikë e mjedisit dhe e kohës sonë.

E dyta ka të bëjë me pasurimin në rrafshin leksikor, me shtegtime dhe spikatje të fjalësit prej çdo hapësire sado të largët e të ngushtë duke synuar ta japin me tërë frekuencat dhe në trajtë sa më shprehëse e sa më vizualisht, karakterin etnokulturor të botës shqiptare, tashmë pa kufizime. Me lojën e perspektivave rrëfyese, Ismail Kadare në romanin “Hija” ka artikuluar fuqishëm portretin shpirtëror dhe psikologjik të intelektualit shqiptar gjatë diktaturës komuniste. Shtylla kuptimore e këtij (auto)rrëfimi lidhet me pamundësinë e daljes së plotë, e daljes së vërtetë nga bota e mbyllur në pranga shpirtërore e perandorisë komuniste, dalje nga bota e të palirëve në botën e të lirëve. E treta lidhet me pasurimin e ligjërimit të shqipes me sekuenca të niveleve të larta abstraguese dhe depërtime të holla psikologjike, si model të shkruari dhe si reflektim i brendshëm i autorëve.

Rrëfimi i ngjarjes në romanin e Mehmet Krajës “Edhe të çmendurit fluturojnë” synon sfidimin e dy objektivave nga më të papërballueshmit në teknikat dhe poetikën narrative romanore përgjithësisht: ta artikulojë realitetin e afërt, të përditshëm – pa mbështetjen e distancës dhe nga optika e një të çmenduri – pra nga një dritare me përkufizime dhe kufij vrojtimi rreptësisht të përcaktuar.

Klasifikimi i shkrimtarëve

Vitet ’90-të janë shënuar shpesh si vijë ndarëse mes dy periudhave të ndryshme letrare në Shqipëri. Duke pasur parasysh kohën kur vepra të ndryshme letrare janë krijuar, mund të flasim për letërsi shqipe të krijuar para viteve ‘90 dhe letërsi të krijuar pas viteve ’90. Edhe shkrimtarët i klasifikojmë në dy grupime të mëdha:

a) Shkrimtarët që kanë shkruar në dy periudha: para dhe pas viteve ’90. Në këtë grup do të dallojmë: Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Azem Shkrelin, Frederik Rreshpjen, Rexhep Qosen, Fatos Kongolin, Ali Podrimjen etj.

b) Shkrimtarët që sollën risi: Ata shpërthyen vrullshëm pas dhe gjatë viteve ’90, iu larguan tabuve tematike dhe strukturore të dikurshme drejt perceptimeve të reja, deri aty ku ndjeshmëria artistike përmbys unin e diktuar.

Në rrjetin e ngushtë të skemës së komunikimit letrar: dhënës (autor)-mesazh (vepër)marrës (lexues), shkrihen përjetimet e shkallës më të lartë emocionale. Spikatin autorë si: Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Kujtim Rrahmani, Agron Tufa, Kim Mehmeti, Kujtim Shala, Basri Çapriçi, Xhevdet Bajri etj. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe gjeneratën e poetëve dhe shkrimtarëve të burgosur për shkaqe politike, të cilët nisën të integroheshin në jetën shoqërore e letrare

Letërsi444

të vendit. Kësisoj shkrimtarë e poetë të tillë, si: Kasem Trebeshina, At Zef Pllumi, Visar Zhiti etj., botuan veprat e tyre (në prozë e poezi), të ideuara, të skicuara apo gjysmë të shkruara në qeli, si dhe vepra të frymëzuara nga realiteti i ri, me të cilin po përballeshin.

Tradita letrare vijon, letërsia merr forma të reja çdo ditë. Çdo kohë ka letërsinë e vet, çdo vepër letrare është edhe një dëshmi e kohës kur është shkruar dhe botuar. Por letërsia nuk është një ngrehinë që shembet dhe ngrihet sa herë të duam ne. Letërsia është një ngrehinë ku çdo brez vendos një gur për ta lartësuar.

Letërsia bashkëkohore shqipe duhet parë në një këndvështrim të gjerë gjeografik. Pavarësisht nga zhvillimet brenda trungut amë,  Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si:  Kosovë,  Maqedoni,  Mali i Zi,  Çamëri, duhet pranuar se letërsia shqiptare ka njohur dhe po njeh zhvillime edhe në diasporë.

Zhvillimet e letërsisë në diasporë, mund të shihen gjeografikisht brenda dy vatrave kryesore:

1. vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj.;

2. vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi etj.

Në vatrat e reja të diasporës shqiptare, po krijohet edhe një shtresëzim i vonshëm krijimtarie letrare, që daton pas vitit 1990, kur një dallgë e madhe emigracioni u shkëput nga Shqipëria dhe u derdh rrëmbimthi drejt qytetërimeve perëndimore. Ky shtresëzim përfaqësohet nga një brez më i ri krijuesish emigrantë si Gjekë Marinaj, Dalan Luzaj, Petraq Pali, Rasim Bebo etj., në Amerikë; Elvira Dones, Artur Spanjolli, Gëzim Hajdari, Shpendi Sollaku, Ornela Vorpsi, Ron Kubati etj., në Itali; Alush Avduli, Miho Gjini, Mina Çaushi, Nase Jani etj., në Greqi. Prozën dhe poezinë me karakteristikat i vendosim me një faqosje të dallueshme, në kuadrate

Në prozë: Për herë të parë pas viteve ’90, në rrugën e prozës moderne, të themeluar shumë vite më parë nga Koliqi e më tej Kuteli, romani, novela dhe tregimi shqiptar erdhën në një trajtë ndryshe. U thyen teknikat narrative socrealiste, rrëfimi shpesh u realizua në vetën e parë të përgjithësuar apo të universalizuar, si një un i gjithëkohshëm. Në romanin modern pothuajse mungon tërësisht subjekti i mirëfilltë artistik, vëmendja u largua nga modelet klishe të personazheve pozitive dhe negative dhe u synua thjesht drejt së dukshmes, drejt qenies si koshiencë e subkoshiencë jokolektive, por individuale.

Për sa i përket romanit si gjinia më komplekse, më e plotë dhe më e vështirë e letërsisë, shpesh, në vepra të romancierëve të ndryshëm të kësaj periudhe, vërejmë një tentativë për të ndërthurur brenda strukturës së romanit të gjitha llojet e gjinive letrare: poezi, dramë, ese, tregim, novelë, peizazh, psikologji, filozofi, duke krijuar hapësira të pafundme interpretimi.

Regjistrat stilistikë të narracionit kalojnë nëpër sitën e hollë të groteskut, në paraqitjen e deformuar të individit si përfaqësues tipik i shoqërisë së rrënuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale, si rrjedhojë e të cilave kemi të bëjmë me personazhe tejet të vetmuara, të mbyllura në guaskën e përditshmërisë. Luhet shpesh me monologun si një alterego e qenies së pakushtëzuar në hapësirë dhe kohë.

Në poezi u vunë re prurje të reja në teknikat krijuese; përmbysje e rreptësisë së konformizmit të dikurshëm, i kthyer tashmë thjesht në kujtesë kombëtare; vargje të thyera; ritëm alternativ; imazhe befasuese; simbolikë shumëdimensionale. Gjuha, thellësisht emocionale, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash.

Letërsi 445

Poezia e atyre viteve është shquar për një modelim të shpejtë të tipareve të reja. Duke iu larguar patosit kolektiv, karakterit deklarativ të vargut, temave të përcaktuara e gjuhës retorike, poezia e pas 90-tës përpunon poetika, të cilat nëpërmjet larmisë së regjistrave stilistikë, larmisë së vargjeve e formave, përpiqen jo thjesht të përshkruajnë të përditshmen, por të hulumtojnë deri në thellësi të shpirtit njerëzor. Krijimet e këtyre autorëve shquhen për një ndjeshmëri të lartë perceptuese e receptuese në të cilën gjejmë elemente të begata të jetës psikike individuale, po edhe shoqërore kombëtare. Shkalla cilësore e abstraksionit artistik dhe pasuria e madhe leksikore janë një veçori tjetër e kësaj poezie.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cila ishte detyra kryesore që shtrohej përpara krijuesve të letërsisë shqipe të pas viteve '90? Pse?

2. Çfarë funksioni kishte letërsia shqipe, që zhvillohej në Shqipërinë zyrtare përgjatë viteve ’45-90? A ishte ai funksioni natyral i letërsisë?

3. Cilat janë temat që trajton kjo letërsi? Ku ndryshojnë ato nga temat që lëvroheshin përpara viteve '90? Përmendni disa prej tyre.

4. Cili është përcaktimi që bën studiuesi N. Krasniqi për letërsinë shqipe që zhvillohet në Kosovë?

5. Cilat janë tri prirjet e shkrimtarëve të kësaj periudhe dhe çfarë karakteristikash paraqesin ato? Jepni ilustrime.

6. Në bazë të cilave kritere bëhet klasifikimi i shkrimtarëve të letërsisë shqipe të pas viteve '90?

7. Çfarë karakteristikash paraqet proza e zhvilluar pas viteve '90 në Shqipëri dhe Kosovë? Vëreni ndryshimet dhe ngjashmëritë midis tyre.

8. Po zhvillimi i poezisë së këtyre viteve, çfarë karakteristikash paraqet?

Ushtroni mendimin kritik

9. Çfarë dini për letërsinë e realizmit socialist që u zhvillua në Shqipëri gjatë viteve '45-90? A mendoni se ishte një zhvillim normal për letërsinë shqipe kjo periudhë? Pse? Argumentojeni përgjigjen.

10. Si e kuptoni ju formulimin se “Letërsia nuk mund të shihej më si propagandë dhe as s’mund të shërbente për edukim moral të shoqërisë, por ajo duhej t’i kthehej funksionit të saj të parë: prodhimit të kënaqësisë estetike.”? A jeni dakord me këtë qëndrim? Pse?

11. Çfarë risish sjell romani “Edhe të çmendurit fluturojnë” i M. Krajës? A janë ato karakteristike për teknikat e prozës moderniste?

12. A mendoni se është i saktë klasifikimi që u është bërë shkrimtarëve të letërsisë së zhvilluar pas viteve ’90? Jepni gjykimin tuaj, duke u mbështetur në argumente.

13. Disa prej autorëve që përmendën më lart i keni bërë gjatë orëve mësimore të mëparshme, kujtoni çfarë karakteristikash paraqesin në stil veprat e tyre. Diskutoni në grupe. Kërkoni ndihmën e mësuesit nëse e shihni të nevojshme.

Letërsi446

ILUSTRIM LETRAR

Mëhalla e Grave

“Padyshim që Shkupi u rikujtohet të huajve porsa të shohin në ndonjë panoramë “Urën e Gurit”, e lëre më, Kalanë madhështore të këtij qyteti, por pa u shkuar ndër mend se, në atë qytet, jo larg Çarshisë Osmane, aq të fotografuar nga ardhacakët e shumtë, ndodhet lagjja mjerane e romëve të varfër, si dhe Mëhalla e Grave. Siç nuk i kujtohen asnjë vizitori të këtij qyteti shenjat e dikurshme njohëse në fytyrën e tij, e që nuk i ka tani, ato ngrehina që i ka pasur dikur, e që sunduesit e mëvonshëm ngutshëm i kanë shlyer, duke i rrënuar, duke dashur kështu të harrohet, për shembull, e shkuara dardane e Shkupit, apo pesëshekullori shkupjan i Perandorisë Osmane, duke ndërtuar mbi to ndërtesa e monumente që do e bënin të dukshme vetëm pamjen ortodokse-sllave të qytetit. Po pra, për dallim nga njerëzit, që ia zgjedhin maskën vetvetes dhe me aq sa munden e zbukurojnë pamjen, nëpërmjet së cilës do i kujtojnë dhe do i njohin të tjerët, fytyrën e vendbanimeve e përcaktojnë drejtuesit e shteteve, perandorët, pasanikët dhe të fortët që jetojnë në të. Dhe njësoj si individi i pasur e i pushtetshëm, që e ka më të lehtë t’i mbulojë e t’i bëjë të padukshme vragat dhe njollat e fytyrës së vet, po ashtu edhe vendbanimet e perandorive dhe sunduesve të fuqishëm, më lehtë mbulohen me ngrehina madhështore, nga drejtojnë shikimin të gjithë vizitorët, duke pamundësuar kështu të shihet mjerimi i lagjeve ku jetojnë të mallkuarit e qytetit.”

Letërsi 447

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Shpjegoni kuptimin e togjeve të fjalëve: “ngrehina madhështore”, “lagjja mjerane”. Cili është funksioni i përdorimit të tyre?

2. Kush mendoni se janë të mallkuarit e qytetit? Pse u referohet kështu autori?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

3. Teksti është ndërtuar me fjali të gjata dhe përshkrime të detajuara dhe figurative. Çfarë panorame na vendos autori përpara duke përdorur mjetet stilistike?

4. Gjeni mbiemrat dhe ndajfoljet në fragment dhe tregoni funksionin e tyre.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

5. Mehmeti përgjatë fragmentit vendos në paralelizëm njeriun me qytetin, duke e bërë më të prekshme për ne problematikën që do të përshkruajë. Si arrihet kjo gjë?

6. Fjalët: “vraga”, “njolla”, “shenja” në fragmentin e mësipërm lidhen me fjalën “fytyrë”. Gjeni në fjalor kuptimet e tyre dhe shpjegoni funksionin që kanë në tekst.

Nga teksti te përdorimi

7. Kontrasti që autori përdor në këtë fragment e ka një qëllim. Diskutoni dhe evidentoni fjalitë që e shpërfaqin.

8. Copëza realiteti të një qyteti kryqëzohen me imagjinatën krijuese të autorit. Kjo është mënyra me të cilën rrëfen autori. Tregoni detaje që përligjin këtë gërshetim rrëfyes.

Nga teksti te reflektimi

9. Lexoni thënien e mëposhtme, e cila ngërthen ide që janë aktuale edhe sot. Çfarë ju përcjell ajo? Diskutoni në klasë kuptimin e tyre.

“Po pra, për dallim nga njerëzit, që ia zgjedhin maskën vetvetes dhe me aq sa munden e zbukurojnë pamjen, nëpërmjet të së cilës do i kujtojnë dhe do i njohin të tjerët, fytyrën e vendbanimeve e përcaktojnë drejtuesit e shteteve, perandorët, pasanikët dhe të fortët që jetojnë në të.”

10. Autori thotë se lagia e varfër e Shkupit ndodhet shumë pranë kalasë së tij. Ky ballafaqim real dhe njëkohësisht figurativ ndodh shpesh në jetën e përditshme. Nevojtarët nuk janë të padukshëm, përkundrazi, ndodhen kudo rreth nesh. Si mendoni, pse njerëzit zgjedhin të mos i shohin?

Nga teksti te të shkruarit

11. Përshkruani qytetin, duke shfrytëzuar detajet në fragmentin e dhënë.

Letërsi448

ILUSTRIM LETRAR

Misteri i Mjellmës

Dikush trokiti lehtë në derë. Vetvetiu, inspektori Nevil Bardhi, një burrë i ri rreth të tridhjetave thirri “hyr”, në pritje që dera të hapej. Mirëpo dera nuk u hap. Pas pak trokitja u përsërit, kësaj here disi më fort, çka e bëri të mendonte se dikushi s’kishte dëgjuar gjë. Për arsye sigurie, siç e kërkonin rregullat, dera e zyrës së tij, si shumica e dyerve të tjera të zyrave të asaj godine trekatëshe, një vilë e stilit të vjetër - dikur pronë e një ish-oficeri të lartë të ushtrisë mbretërore, me çati gotike, ndërtuar qysh përpara Luftës së Dytë Botërore të shekullit të kaluar, ishte e veshur nga brenda me një shtresë speciale, që edhe nëse vije veshin prapa saj, të mos dëgjoje asgjë ç’bëhej aty. Ky modifikim i dyerve kishte ndodhur rreth njëzet vjet të shkuar, kur në mjediset e godinës, me destinacione nga më të ndryshmet në kohëra të ndryshme, ishte vendosur përfundimisht ajo që njihej si Drejtoria e Përgjithshme e Krimeve të Rënda (DPKR).

Zoti Bardhi, i diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ulej në atë zyrë prej pesë vjetësh, praktikisht me të përfunduar studimet. Ky fakt, domethënë diplomimi në një shkencë si matematika, në përputhje me një traditë shumëvjeçare të institucionit, kishte luajtur një rol jo të vogël që, qyshkur ishte student, ai të projektohej nga përzgjedhësit e zyrës së personelit si një kandidat i mundshëm për t’u rekrutuar. Kishin luajtur një rol jo të vogël edhe rrethana të tjera, disi më specifike, që pasqyroheshin hollësisht në dosjen e hapur për të nga zyra e plotfuqishme e rekrutimit. Nëse do t’i krijohej mundësia t’i hidhte një sy kësaj dosjeje, inspektori Bardhi do të pësonte një zhgënjim të hidhur. Jo, sepse aty gjendeshin gjëra të pavërteta, shpifje e të tjera të kësaj natyre, përkundrazi. Gjithçka thuhej në atë dosje rreth tij ishte e saktë, për arsyen e thjeshtë se përpiluesi kërkonte nga informatorët vetëm të dhëna të vërteta. Por ai nuk do t’ia falte vetes faktin që, për vite me radhë në fakultet, paskej qenë i vëzhguar, në njëfarë mënyre i spiunuar… …Pas trokitjes së dytë, më e fortë se e para, inspektori e la tryezën dhe vajti drejt derës. Gjëja e parë që i ra në sy: një zarf i formatit të madh, në ngjyrë kafe, i lënë nën derë. Vetvetiu vështroi në të dyja anët e korridorit; personi që kishte trokitur ishte zhdukur. Atëherë ai u përkul, mori zarfin, mbi të cilin ishte shkruar me shkronja kapitale “Zotit Nevil Bardhi”, dhe u kthye pranë tryezës së punës, ku një copë herë mbeti në mëdyshje, pa e vendosur nëse duhej ta hapte zarfin, megjithëse dukej qartë, marrësi nuk mund të ishte askush tjetër përveç atij vetë. Mirëpo në këtë mes diçka nuk shkonte.

E pamundur që dërguesi të vinte nga jashtë, në hyrje të godinës një polic vigjilonte në një kabinë, ku depozitohej çdo korrespondencë, pa lejuar askënd të futej në institucion. Përndryshe i duhej të pranonte se prurësi duhej të ishte ndonjë person i brendshëm e kjo vetvetiu ngrinte pikëpyetje. Sepse, ç’ishte nevoja ta linte zarfin tinëzisht poshtë derës e të zhdukej?

Më në fund ai e vendosi, hapi zarfin…

Letërsi 449

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Si portretizohet figura e inspektorit Nevil Bardhi në fragment? Ilustroni me detaje.

2. Si reagon ai pas marrjes së letrës?

3. Çfarë nuk shkonte me mënyrën e dërgimit të letrës, që e shqetësoi dhe inspektorin?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

4. Teksti është ndërtuar me fjali të qarta dhe gjuhë të kuptueshme. Autori ka përdorur mbiemra për të paraqitur sa më qartë skenën ku ndodhin ngjarjet. Dalloni disa prej tyre në tekst dhe diskutoni për rolin e tyre.

5. Krahasoni tekstin e Kongolit me atë të Mehmetit, duke u munduar të dalloni të përbashkëtat dhe të veçantat midis tyre. Çfarë na vë kjo në dukje për letërsinë bashkëkohore? Diskutoni.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

6. Çfarë kuptoni për punën dhe figurën e inspektorit nga përshkrimi që i bëhet derës së tij dhe vendit ku ai punon?

7. Gjeni në tekst fjalitë që shprehin mëdyshjen dhe dyshimin si detaje të situatave. I zëvendësoni me sinonime. Çfarë ndodh me kuptimin e tyre?

Nga teksti te përdorimi

8. Në tekst autori ka përdorur epitetin “zhgënjim i hidhur”. Cili është roli i përshkrimit të emocioneve abstrakte me mbiemra shqisorë? A bëhen ato kështu më të prekshme? Mendoni për shembuj të tjerë, p.sh. qetësi e shurdhër, gëzim i ëmbël etj.

9. Gjeni në fragmentin e mësipërm përemrat e pacaktuar dhe tregoni funksionin e përdorimit të tyre.

Nga teksti te reflektimi

10. Zyra e Rekrutimit ka një dosje me detajet personale të inspektorit, për të cilën ai nuk ka dijeni. Cila është rëndësia e privatësisë si e drejtë themelore njerëzore? Si do të ndiheshit ju, nëse do të ishit në vendin e inspektorit?

11. Pse mendoni se hezitoi inspektori para se ta hapte zarfin, pavarësisht se ishte me emrin e tij? Si do të vepronit ju?

12. Në kohën e sotme, me përparimin e rrjeteve sociale dhe teknologjisë, është e lehtë për këdo që t’i dërgojë dikujt tjetër një mesazh anonim në çdo moment. Mbrapa një ekrani dhe pa një emër, njerëzit mund të thonë shumë gjëra që nuk do t’ia thoshin kurrë dikujt ballë për ballë. Si mendoni, pse ndodh kjo dhe si duhet të reagojmë kur marrim mesazhe të tilla?

Nga teksti te të shkruarit

13. Imagjinoni letrën drejtuar zotit Bardhi në fragmentin e Kongolit dhe shkruajeni atë.

Letërsi450

ILUSTRIM LETRAR

Fatet

E kalova Murin e Berlinit në majë të gishtërinjve me një trëndafil në dorë. Frikësohesha se lëndoj shpirtrat e rënë, Kur deshta ta kapërcej edhe Murin shqiptar, para këmbëve më ra koka ime në gjak e larë. Një grua veshur me të zeza kodrave, fushave ma kërkon varrin, e trupin tim.

Çdo ditë zgjohet në mes jush një torzo i tmerrshëm i qytetërimit.

A nuk ju shqetëson se gjymtimi im akuzon?

Letërsi 451

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Cila është tema e kësaj poezie? Po titulli i saj çfarë ndjesish ju sjell?

2. Si e kaloi murin e Berlinit? Cilët janë këta “shpirtra të rënë”?

3. Çfarë ndryshimi ka mes dy mureve? Pse në murin shqiptar “koka i bie në gjak e larë”?

4. Si gërshetohet realiteti me emocionet e autorit?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

5. Lexoni poezinë dhe gjeni fjalitë me ngarkesë emocionale.

6. Analizoni figurat stilistike dhe tregoni funksionin e tyre.

7. Si i kuptoni vargjet: “A nuk ju shqetëson/ se gjymtimi im akuzon”?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

8. Gjeni në fjalorin e gjuhës shqipe kuptimin e fjalës “mur”. Krijoni një fushë leksikore, duke pasur parasysh kontekstin e poezisë.

9. Të gjitha fijet kuptimore që realizojnë këtë poezi nisin nga titulli. Duke u nisur nga poezia vendosini disa epitete fjalës “fatet” dhe diskutoni ngjyrimet që merr fjala.

Nga teksti te përdorimi

10. Pse autori e mbyll poezinë me një pyetje? Cili është funksioni i saj?

11. Shpjegoni përdorimin e foljeve “kaloj” dhe “kapërcej” që lidhen në kontekstin e poezisë me murin.

12. “Një grua veshur me të zeza” është një personazh që shfaqet jo rrallë në letërsinë shqipe. Përmendi disa krijime dhe tregoni çfarë kanë të përbashkët.

Nga teksti te reflektimi

13. Çdonjëri prej nesh ka disa mure, të cilat edhe pse të padukshme ndikojnë në cilësinë e jetës sonë. Diskutoni në klasë dhe ndërtoni shprehje frazeologjike me fjalën “mur”.

14. Sa të lidhura janë fatet njerëzore me fatin e atdheut? Cila është simbolika e “murit” që kërkon të kapërcejë poeti?

Nga teksti te të shkruarit

15. Ktheni poezinë në prozë duke përdorur epitete, krahasime dhe metafora.

Letërsi452

FJALORTH

Deiktik - term që lidhet me një fjalë a grup fjalësh, kuptimi i të cilave varet nga ajo që është folur, për çfarë është folur. Deiktiku rimerr, pra, këto të dhëna. Në këtë funksion mund të jenë përemrat vetorë (unë, ti etj.), ndajfoljet e kohës, vendit (atëherë, aty etj.). Diskurs - Me diskurs apo përftesë ligjërimore do të kuptojmë aktivitetin e personave që flasin, shkruajnë apo lexojnë, domethënë, çdo akt përdorimi të gjuhës, pra çdo praktikim të aftësisë sonë ligjërimore, që i referohet një produkti konkret gjatë të folurit, të shkruarit apo të lexuarit. Diskursi është një veprimtari ligjërimore individuale, nëpërmjet së cilës individët tregojnë kompetencën e tyre gjuhësore. Ai përkufizohet me ndihmën e tri elementeve: situatës komunikative, si njohuri dhe nga pikëpamja ku realizohet të thënët; ndërveprimit (të thënët realizohet mes dy a më shumë personave që komunikojnë mes tyre) dhe përdorimit (të thënët është i destinuar të artikulohet, të dërgohet nga thënësi te marrësi dhe të kuptohet nga marrësi).

Figurë letrare - fjalë a shprehje e përdorur në mënyrë të figurshme, mënyrë e veçantë e ndërtimit të një fraze, që bëhet për të shprehur një ide, një ndjenjë etj., si dhe për t’i dhënë ligjërimit forcë e gjallëri të veçantë. Figurë stilistike (poetike, retorike). Dallohen tradicionalisht:

Figurat e kuptimit: personifikimi, krahasimi, paralelizmi figurativ, simboli, alegoria, hiperbola, litota, similituda, kontrasti, antiteza, grotesku.

Figurat e fjalëve dhe shprehjeve, tropet: metafora, metonimia, sinekdoka, ironia, sarkazmi, epiteti, alegoria, eufemizmi.

Figurat e sintaksës poetike: inversioni, enumeracioni, shkallëzimi (ngjitës/zbritës), elipsa, asindeti, polisindeti.

Figurat e leksikut, fjalorit poetik: sinonimet, antonimet, homonimet, arkaizmat, neologjizmat, dialektizmat, barbarizmat (huazimet).

Figurat e shqiptimit poetik (figura tingullore dhe të intonacionit): aliteracioni, anafora, epanalepsa, apostrofi, asonanca, konsonanca, onomatopeja, pyetja retorike, reticenca, pasthirrma.

Kafkian - term i cili përshkruan gjendje dhe situata që evokojnë realitete burokratike shtypëse, që përndjekin dhe asfiksojnë njeriun.

Koherencë - mënyra se si lidhen dhe organizohen mendimet, idetë, argumentet me njëra-tjetrën (në mënyrë kronologjike, në retrospektivë, në të ardhmen etj.).

Kohezion - mënyra se si organizohet materiali gjuhësor i niveleve të ndryshme (gramatikor, leksikor, semantik, metrik, aliterativ etj.) për të realizuar një tekst të caktuar dhe koherencën e tij.

Modernizëm – term i cili u përdor për të emërtuar një lëvizje kulturore e letrare, që i pati fillesat rreth vitit 1890 dhe arriti kulmin në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX.

Stil – 1. tërësia e veçorive themelore ideo-artistike, e mjeteve dhe e mënyrave të shprehjes, që bien në sy në krijimtarinë e një shkrimtari, të një artisti, të një rryme a të

453

një epoke dhe që përsëriten pak a shumë në një sërë veprash (Stil romantik. Stil realist. Stili gotik. Stili bizantin. Stili i arkitekturës popullore. Stili i epokës (i kohës) sonë. Stili i Naim Frashërit (i Çajupit, i Migjenit).

2. gjuh. zgjedhja dhe ndërthurja e mjeteve të gjuhës (kryesisht e mjeteve leksikore e sintaksore) në përputhje me kërkesat e një fushe të veprimtarisë, me përmbajtjen ose me metodën artistike dhe me qëllimet e shkrimtarit; shtresimi i mjeteve të gjuhës sipas funksioneve që kryejnë në ligjërim. Stilet gjuhësore (e gjuhës). Stilet funksionale. Stil bisedor (libror, zyrtar, shkencor, publicistik). Stili asnjanës. Stil i lartë. Sistemi i stileve. Stili i plotë i shqiptimit.

3. mënyra si i shpreh mendimet dikush kur flet a kur shkruan. Me stil të thjeshtë (të fryrë). Ka stil të rrjedhshëm (të ngatërruar). Ka të meta stili.

Stilistikë - 1. degë e gjuhësisë, që studion stilet e ligjërimit dhe mjetet e veçoritë shprehëse të gjuhës. Stilistika gjuhësore. Stilistika praktike. Stilistika e gjuhës letrare shqipe. Probleme të stilistikës.

2. degë e teorisë së letërsisë, që studion ndërtimin gjuhësor, mjetet dhe veçoritë e përdorimit të tyre në një vepër artistike për të arritur forcën shprehëse. Stilistika letrare.

Organizimi dytësor - ky lloj organizimi parashikon, ndër të tjera, gërshetimin e mjeteve gjuhësore të niveleve të ndryshme në përshtatje me situatën dhe pjesëmarrësit e komunikimit. Kështu, nëpërmjet shmangieve nga kuptimet e para, realizohen edhe kuptimet e figurshme, që përmbledhin ndjesi, emocione të ndryshme etj. Lulja u vyshk. / Zemra u vyshk.

Parabolë - histori e shkurtër me një moral në fund. Të tilla janë fabulat p.sh. Parabolat e kanë të zakonshme simbolin, alegorinë, metaforën etj.

Paragrafi është një njësi e të shkruarit, një grup fjalish të lidhura rreth një ideje kryesore, e cila duhet shtjelluar. Kjo quhet tema ose fjalia tematike. Ajo duhet të jetë koncize dhe e theksuar. Fjalitë e tjera të paragrafit, që quhen fjali mbështetëse, japin shpjegime ose plotësojnë fjalinë tematike. Paragrafi ka tri pjesë përbërëse: fjalinë kryesore, trungun (pjesën shtjelluese) dhe fjalinë përmbyllëse. Gjatësia e paragrafit mund të jetë e ndryshme. Paragraf linear, paragraf i degëzuar, paragraf rrethor, paragraf i çlirët.

454

REFERENCA

Berisha, A., Njëmendësia e fjalëve, “Shpresa”, 2006.

Bihuku, K., Krijimtaria letrare e Migjenit, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, 2004

Borhes, H. L. Vdekja dhe busulla, përktheu Mira Meksi, “Onufri” , Tiranë, 2002.

Camaj, M., Vepra letrare, “Onufri”, 2010.

Çabej, E., Mbi poezinë e Lasgush Poradecit, “Gazeta e Re”, Tiranë, 1929.

Çiraku, Y., Bota poetike e Martin Camajt, “Albas”, 2003.

Demolli, A. Ballkonet e një qyteze. 1979.

Folkner, U., Duke dhënë shpirt, përktheu Granit Zela, «Onufri», Tiranë, 2019.

Gramatika I & II, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2002.

Hamiti, S., Anton Pashku, “Albas”, 2017.

Hamiti, S., At zef Pllumi, Botime Françeskane, 2018.

Hamiti, S., Faik Konica jam unë, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1994.

Hamiti, S., Letërsia bashkëkohore. Faik Konica, 2002.

Hamiti, S., Letërsia moderne, vep. 8, “Faik Konica”, Prishtinë, 2002.

Hamiti, S., Studime letrare, ASHAK, 2003.

Hemingway, E., Plaku dhe deti, përktheu Ismail Kadare, “Onufri”, Tiranë, 2002.

Idrizi, R., Migjeni, “Onufri”, 2017.

Jorgaqi, N., Studime letrare

Joyce, J., Dublinasit, përktheu Idlir Azisi, “Zenit”, Tiranë, 2004.

Kadare, I., Ardhja e Migjenit në letërsi, “Onufri”, 2015.

Kadare, I., Vepra, “Onufri”, 2008.

Kafka, F., Procesi, përktheu Gjergj Vlashi, “Globus R”, 1997.

Kafka, F., Vepra e plotë në prozën e shkurtër, përkth. Ardian Klosi, “K&B”, 2010.

Kamy, A., I huaji, përktheu Rajmonda Vuçini, «Koha ditore», 2005.

Kamy, A., Miti i Sizifit, përkth. Petrit Sinani, «Fan Noli», 1992.

Kane, Th., Si të shkruajmë, Qendra për arsim demokratik, 2010.

Koliqi, E., Hija e maleve dhe Tregtar flamujsh, botim anastatik, “Berk”, 2020.

Koliqi, E., Hija e Maleve, “Camaj-Pipa”, Shkodër, 1999.

Konica, F., Vepra, “Naim Frashëri”, 1993.

Kraja, M., E zeza dhe e kuqja, “Onufri”, Tiranë, 2015.

Kraja, M., Hotel Arbëria, “Onufri”, Tiranë, 2010.

Kraja, M., Im atë donte Adolfin, “Onufri”, Tiranë, 2005.

Kraja, M., Liria ime, “Onufri”, 2021.

Kraja, M., Selvitë e Tivarit, “Onufri”, Tiranë, 2007.

455

Kraja, M., Udhëzime për kapërcimin e detit, “Rilindja”,1984.

Kraja, M., Vitet e humbura

Krasniqi, N., Autori në letërsi, AIKD, 2019.

Krasniqi, N., Letërsia e Kosovës 1953-2000, “99AIKD”, Prishtinë, 2016.

Krasniqi, N., Letërsia e Kosovës 1953-2000, “AIKD-99”, 2016.

Krasniqi, N., Libri i Pashkut, “Buzuku”, 2005.

Krasniqi, Nysret, Letërsia e Kosovës, Prishtinë, 2000.

Kuçuku, B., Kadare në gjuhët e botës, “Onufri”, 2015.

Kuteli. M., Shënime letrare, “Grand Prind”, Tiranë, 2002.

Lloshi, Xh., Stilistika, “Albas”, 2005.

Man, T. Tonio Kreger, përktheu Donika Omari, “Naim Frashëri”, 1992.

Markez, G., 100 vjet vetmi, “Onufri”, 2019.

Parathënia e Pallati i ëndrrave, “Onufri”

Pashku, A., Oh, “Camaj-Pipa”, 2002.

Pashku, A., Tragjedi moderne

Pashku, A., Tregime fantastike, “Rilindja”, 1989.

Pipa, A., Për Migjenin, “Princi”, 2006.

Prust, M., Lumturi arratisëse, përktheu Mira Meksi, revista Mehr Licht, nr. ....

Rembo, A., Poezi të zgjedhura, përktheu Alket Çani, “Mësonjëtorja e parë”, 2001.

Rugova, I., Strategjia e Kuptimit, shtëpia botuese “Faik Konica”, 2005.

Rrahmani, Z., Gnosis, “Rilindja”, 2005.

Rrahmani, Z., Mjeshtri i vetmisë, “Rilindja”,1995.

Rrahmani, Z., Sheshi i unazës, “Rilindja”, 1999.

Shala, K., Prolepsa, “AIKD-99”, 2021.

Shala, K., Shekulli i letërsisë shqipe, “Buzuku”, 2006.

Shala, K., Zbulesa e modernitetit, “Albas”, 2020.

Shala, K., Zbulimi i At Zef Pllumit, “Onufri”, 2021.

Shehri, Dh., Koliqi mes malit dhe detit, “Onufri”, 2006.

Topçiu, L., Tekstualizëm dhe stil, Bukuresht, 2000.

Tufa, A., Letërsia dhe procesi letrar ne shekullin XX, “M&b”, 2018.

Vinca, A., Struktura e zhvillimit të poezisë.

Gjuhë456

Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.