11 minute read

Variacionet historike, shoqërore dhe kulturore të përdorimit të gjuhës

Gjuhë GJUHA, HISTORIA, KULTURA

Variacionet historike, shoqërore dhe kulturore të përdorimit të gjuhës

Advertisement

Çdo gjuhë ka historinë e saj, që është e lidhur ngushtë me historinë e popullit që e ka folur atë në të kaluarën dhe e flet sot e kësaj dite. Gjuha shqipe përbëhet nga gjithë ajo pasuri mjetesh shprehëse që kanë shërbyer për marrëveshjen gjuhësore ndërmjet shqiptarëve, kudo ku kanë qenë dhe janë, qysh nga periudha e formimit të popullsisë shqiptare e deri në ditët tona. Çdo kulturë karakterizohet nga njё sistem i organizuar i koncepteve, të cilat nxjerrin nё pah mënyrat e jetesës dhe vlerat kulturore tё njё shoqërie. Përmes vëzhgimit tё gjuhës, dalin nё dritë sisteme, madje edhe komplekse të raporteve ndёrshoqёrore. Nëpërmjet sjelljes gjuhësore, çdo individ përcjell informacione mbi identitetin e vet shoqëror e kulturor. Çdo folës zë një hapësirë të caktuar shoqërore, të formuar nga shumë përmasa (statusi, roli, seksi, mosha, grupi) dhe një hapësirë të caktuar gjuhësore (formuar nga shumë varietete). Çdo gjuhë paraqet një larmi tё madhe. Ajo ndryshon në kohë (variacioni diakronik, p.sh. shqipja e shek. XV-XVI: O Jezu Krisht, shelbuosi i gjithë shekullit e shpërblesi i shpirtënavet, Zot, regji i pâmort, u tý të lus, Dom Gjoni, sherbëtori uit, të madhenë zotënî tande të pâfine për këta të kënduom të këtyne Psalme, qi u î pâdenji këndova, ti të më liberonjsh shpirtinë tem ò katit (mëkatit), e ti vëliz (lëviz) zemërënë teme përapëtë ò duorshit s atyne qi për të keq ecnjënë. E ò së kujtuomeshit së pâdërejta e të pâligje ti libero (liro) korpnë (trupin) tem, aj përòdenë sherbëtyrë ò kati me mos klenë. E ti dbo (largo) ò meje të deshëruomitë e katit gruosë... BUZUKU); ndryshon në hapësirë (variacioni diatopik, pra, që u referohet karakteristikave gjuhësore që kanë të bëjnë me trevën e prejardhjes së folësit - dialektet, gjuhët rajonale p.sh.: Lozëm ndonjë lodër?/ të dua si motër. Ç`motër më ke mua, o lumë e përrua/ti më more grua. Çajupi); ndryshon sipas situatave konkrete të komunikimit (variacioni diafazik, që ka të bëjë me situatën komunikuese p.sh.: - Shkojmë sonte në kinema? / - Kam provim nesër, as bëhet fjalë.); ndryshon në nivele/shtresa shoqërore (variacioni diastratik, që ka të bëjë me karakteristikat sociale të folësit - të rinj/të moshuar, fshatarë/qytetarë); ndryshon sipas mjetit (variacioni diamezik, që ka të bëjë me mjetin fizik të përdorur - gjuhë e folur apo e shkruar p.sh.: -Më griu fizika. Më këputi fare. Kisha marrë 5 në provim.) etj. Variacionet gjuhësore janë të gjitha ato mënyra me të cilat një individ ose një grup shoqëror me të njëjtat karakteristika gjuhësore, mund të shprehin të njëjtat koncepte në mënyra të ndryshme. Këto variacione janë të pranishme në nivele të ndryshme shoqërore: profesionale, formale, bisedore etj.

Doktrina e krishterë, Pjetër Budi.

Gjuha shqipe ka një bërthamë të qëndrueshme, e cila përbën strukturën e saj, ndërsa realizimet e saj në të dyja planet, si historike, ashtu edhe në të sotmen, quhen variante gjuhësore. Gjuha lind dhe jeton në radhë të parë si gjuhë e folur, në trajtën gojore. Varietet e saj dallohen për arsye historike (shqipja e vjetër, e mesme, e re) dhe gjeografike (dialektet dhe të folmet e tyre). Gjuha ndryshon sipas situatës së komunikimit dhe varet nga: a. numri i bashkëbiseduesve (nuk përdorim të njëjtën gjuhë kur bisedojmë me shokët dhe kur analizojmë një vepër letrare përpara klasës); b. lloji i marrëdhënieve nëpërmjet bashkëbiseduesve (nuk i drejtohemi me të njëjtën mënyrë një miku të afërt dhe një të panjohuri); c. qëllimi i komunikimit (për të mbrojtur një të akuzuar, avokati nuk përdor të njëjtën gjuhë me të cilën u flet miqve për pushimet e tij). Varietetet e një gjuhe janë të shumta, saqë do të ishte e pamundur të bëhej një grupim i saktë i tyre, sepse edhe modalitetet që sjellin përdorimin e tyre janë të larmishme. Ndikimi i ndërsjellë ligjërimor po ndodh sot kudo ku flitet shqip, pra në të gjitha të folmet e të dyja dialekteve, por gjuha është një dhe e vetme për të gjithë bashkësinë folëse, për të gjitha klasat dhe shtresat shoqërore, ndërsa variacionet janë të shumta dhe formojnë një mozaik shumëngjyrësh të shqipes. Dialektet dhe leksiku dialektor janë pjesë përbërëse e pasurisë sonë të përbashkët gjuhësore, rrjedhimisht edhe kulturore e kombëtare, kurse shtrirja dhe larmia e tyre janë dëshmi e historisë sonë, sepse çdo lëvizje e popullsisë dhe çdo lëvizje kufijsh është shoqëruar dhe shoqërohet edhe me lëvizjen e fjalëve dhe me ndryshime të shumta dhe të llojllojshme të strukturave të tyre që pasqyrohen në kulturën e individit folës e më gjerë. Gjuha është edhe një mjet që pasqyron kulturën kombëtare. Përdorimi i saj me mjeshtëri është tregues i njeriut të kulturuar. Kultura e ligjërimit është shfaqje e kulturës së të menduarit dhe të sjelljes. Ka mjaft rrugë të hapura për të përsosur ligjëratën tonë: të njohim dhe të përvetësojmë vlerat e shqipes, pasuritë e saj të pashtershme, duke iu drejtuar si gjuhës së gjallë të popullit, edhe modeleve të shkëlqyera që na japin mjeshtrit dhe lëvruesit e shqipes.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Si ndryshon gjuha dhe nga se varet ky ndryshim? Tregoni në cilat variacione bëjnë pjesë: a) dialekti gegë; b) zhargoni rinor; c) gjuha e mjekëve; d) shqipja e sotme. 2. Gjuha është një mjet që pasqyron kulturën kombëtare. Diskutoni mënyrat e shfaqjes së kësaj kulture në raporte historike dhe shoqërore. 3. Kemi thënë që gjuha përmban një numër të madh varietetesh. P.sh.: merrni në konsideratë se në sa mënyra mund t’i kërkoni dikujt të hapë dritaren, pasi në dhomë është shumë nxehtë. Në sa mënyra mund ta shqiptoni këtë fjali, drejtuar bashkëbiseduesve të ndryshëm?

4. Do tё jetë e dobishme tё tregojmë variacionet e gjuhës nё raport me situata tё ndryshme sociale, duke përcaktuar njё kontekst komunikativ dhe njё domethënie pёr t’u transmetuar nga njё dhënës te njё marrës, qё do tё kёrkojё tё gjejё formёn mё tё pёrshtatshme pёr tё realizuar kёtё objektiv.

Jepni mendimin tuaj duke e ilustruar me situata konkrete. Ja njё e tillё:

“Një avokat ishte duke lexuar parashtresën e tij në një gjykatë, përballë një jurie tashmë të lodhur dhe të përgjumur. Ai, duke parё interesimin e pakët që tregonin ndaj fjalëve të tij, në një çast kthehet nga fundi i sallës dhe duke e ndërprerë argumentimin thërret: ‘Kush e ka lënë atë kalë të hyjë në sallën e gjyqit?’. Nuk ishte e vërtetë, por të gjithë u zgjuan menjëherë, duke kërkuar kalin me sy. Vëmendja e tyre pra ishte zgjuar nga një fakt i ri i papritur, d.m.th. nga një variacion. Qëllimi komunikativ ishte arritur”. 5. Pёrmasa kulturore e tё mёsuarit/pёrvetёsimit gjuhёsor, duke u zhvilluar nё tёrё harkun kohor tё shkollёs, tregon se si ruhet gjuha nё pasurinё e trashëguar nga e kaluara, por edhe se si modifikohet lidhur me çёshtje tё ndryshme tё kulturёs jo vetёm gjuhёsore. Diskutoni dhe jepni mendimin tuaj duke e ilustruar me shembuj konkretë.

Ushtrohuni përmes shembujve

6. Lexoni informacionin e mëposhtëm dhe plotësojeni me fjalë të urta të zonës suaj që lidhen me atdheun dhe familjen. Çdo komb përfaqësohet me identitetin e vet kombëtar, i cili në thelb është një identitet kulturor dhe qytetar, që përbëhet nga gjuha, trashëgimia historike, kultura popullore, tradita e jetesës.

Në letërsinë gojore, proverbat perceptohen si formë e veçantë, si një lloj letrar me të cilin shqiptohen gjykime e vlerësime të mirëfillta situatash e shfaqjesh, të cilat lindin prej jetës materiale e shpirtërore, prej përvojës shumëshekullore, prej praktikës dhe veprimtarisë popullore. Ato paraqesin urtësinë e filozofinë e popullit, mendimin e psikologjinë, ndërgjegjen e tij artistike dhe estetike.

Në këtë këndvështrim, fjalët e urta, si fraza të shkurtra, shprehin me pak fjalë filozofinë popullore duke sjellë një pjesë të botës shpirtërore të shqiptarëve për shumë tematika, të cilat trajtohen në to, duke transmetuar mesazhe që lidhen me atdheun, familjen, besën, fjalën e dhënë, punën e mjaft elemente të tjera.

Një enciklopedi më vete me vlera njohëse të pakrahasueshme përbën informacioni i gjithanshëm i fjalëve të urta. Sintetizmi, karakteri përgjithësues dhe mënyra figurative e shprehjes së mendimit bëjnë që çdo fjalë e urtë të përdoret me disa kuptime.

Fjalët e urta e transmetojnë mesazhin herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë në mënyrë të figurshme, por çdo herë janë mbartëse dhe transmetuese të vlerave kombëtare, janë ura lidhëse midis shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë. 7. Dëgjoni situatat e mëposhtme dhe lidhini me fjalën e urtë popullore që mendoni se përkon me to. Artanit i erdhi një mësues i ri për lëndën e historisë. Ai nuk u ndje mirë kur e pa për herë të parë, pasi mësuesi kishte një shenjë të stërzgjatur në pjesën e majtë të fytyrës, qëndronte i kërrusur dhe dukej pak i vrazhdë. Sidoqoftë, në orët që vijuan, Artani mësoi se profesori i ri kishte marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës dhe dinte shumë fakte historike. Njëkohësisht, ai ishte shumë mendjehapur dhe zhvillonte orë shumë të bukura mësimore. Artani e kuptoi shpejt gabimin që kishte bërë, duke e gjykuar personalitetin e mësuesit të tij, pa e njohur aspak atë.

Korabi ka për të dorëzuar një detyrë në fund të javës. Tashmë është e mërkurë, por ai nuk e ka prekur librin me dorë. Korabi e di se, nëse punon nga dy ushtrime për çdo ditë që i mbetet, e përfundon detyrën të premten pasdite, fiks në kohë. Atdheu dhe Berati, dy vëllezërit e vegjël, e ftojnë të luajë me ta me letra dhe Korabi ka shumë dëshirë të bjerë dakord, por ai e di se, duke shmangur detyrimet që kemi, ato vetëm shtohen. Korabi përfundon dy ushtrimet, pastaj shkon të luajë me letra. Në orën e biologjisë, Shpresa mësoi mbi shpendët, specifikisht mbi shqiponjat dhe prirjen e tyre të veçantë për të mos e braktisur kurrë folenë e tyre. Ato, pavarësisht kushteve, kthehen gjithmonë në folenë që i ka mbajtur ngrohtë dhe sigurt. Kjo situatë i kujtoi Shpresës dashurinë e madhe të shqiptarëve, kudo ku ndodhen, për atdheun dhe rrënjët e tyre, te të cilat kthehen gjithmonë. Shpresa u ndje shumë e gëzuar. Rinori jeton në diasporë. Ai është me origjinë nga Kosova, por ka lindur larg atdheut. Në komunitetin e tij ka një shkollë që zhvillon mësimin në gjuhën shqipe edhe u mëson nxënësve me rrënjë shqiptare vlerat, parimet, kulturën dhe historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Edhe pse larg atdheut, Rinori e njeh shumë mirë gjuhën dhe kulturën shqipe dhe krenohet me origjinën e tij. Në kohën e luftës në Kosovë, Mira ishte 9 vjeçe. Gjendja e keqe në qytetin e saj bëri që ajo dhe familja të linin përkohësisht shtëpinë dhe të largoheshin. Ata, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, u mirëpritën nga vëllezërit e tyre në trojet shqiptare. Mira dhe familja jetuan me dy pleq të moshuar, fëmijët e të cilëve jetonin jashtë vendit. Akoma sot, Mira komunikon me mikpritësit e saj dhe i viziton sa më shpesh të mundet. “Punën e sotme mos e lër për nesër”. “Duaje atdhenë si shqiponja folenë”. “Shqiptari për mik âshtë tretë e âshtë fikë”. “Mos i shiko gunën, por shikoji punën”. “Gjuha ruhet atje ku shkruhet”. 8. Ndahuni në grupe dhe krijoni edhe ju sipas modelit situata që lidhen me fjalë të urta. 9. Gjeni fjalët e reja të krijuara nga Sami Frashëri. Thoni kuptimin e tyre dhe tregoni se përse nuk përdoren sot.

“Në kryeqytett të Shqipërisë, përveç shkollavet të dyta e të treta, do të jetë një gjithëmësime, një shkollë ushtrije, një për metaletë e për dituri e mjeshtëri të veçanta. Më pastaj edhe dy gjithëmësime duhetë të happenë një në Shqipëri të Sipërme e një në të Poshtërmet. Shkoll’e anierisë duhet të jetë mb’anë detit tok të jen’ edhe aniat e luftësë, në Durrësë e në Ujët të Ftohtë (afrë Vlorësë).

Një këshillë diturije (akademije) duhet të jetë në kryeqytett, e cila të kujdesetë për gjuhët, për livratë që duhenë për shkollatë edhe të nxjerrë fletore diturije të përkohshme e cdo gjë duhetë për të xgjuarë Shqipëtarëtë. Disa shoqërirëra do të bëhenë me ndihmët të ministrisë së diturisë për të shpënë përpara dhe shkronjënë, istorinë dhe kërkonjënë (gjeologjia) metalet’ e të tjera punëra të

Shqipërisë; edhe cilado nga këto do të nxjerrë një herë në muajt e më pakë një fletore të përkohcme në të cilat të rrëfehetë gjithë çka gjetur e çpikurë shoqërija”. (“Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, S. Frashëri)

10. Lexoni poezinë “Madhështi e njerëzve” të Pjetër Budit. a) Tregoni rolin që luan pyetja retorike dhe cilat janë figurat stilistike që janë përdorur më shumë. Ku janë ata pleq bujarë, që qenë përpara ne, e ata trima sqimatarë, të shpejtë si rrufe? Ku janë ata djelm të ri, të bukur e të lulzuom, që pate pamë me sy, me ta folë e ligjëruom? Ku janë ata zotëninj, që dojin me zotënuom ndë sqimë e ndë madhështi, këte jatë tue shkuom? Ku janë ata perandorë gjithë shekulli nalcuom, në krye me një kunorë gurëshi cë paçëmuom? Ku janë ata letërorë t’urtë e dijes të ndëgjuom, të bardhatë posi borë letëra tue kënduom? Ku janë ato gra e vasha ndë sqimë e ndë madhështi, me petëkat të mëndafshta nalcuom mbë zotëni? Gjithë mortja i rrëzoi, sikur i pret me shpatë, për të ri s’i shikoi, as të vobegë, as të begatë.

b) Cilat janë disa nga cilësitë e shqiptarëve të trashëguara brez pas brezi?

11. Analizoni nё këndvështrimin gjuhësor se cilat nivele dhe varietete gjuhёsore bёjnё pjesё nё gjuhёn e komunikimit elektronik. Ka forma tё veçanta qё pёrdoren nё rrjete sociale, p.sh.: vetёm nё “Facebook” (Fejsbuk) apo edhe nё rrjete tё tjera?

Isa Boletini, riprodhim nga Admir Vula

Sfida e të shkruarit

12. Zgjidhni një fjalë të urtë dhe shkruani një tregim të shkurtër për mesazhin që jep ajo.

This article is from: