48 minute read

Ismail Kadare

Fondi i kulturës sonë letrare njeh fatmirësisht shumë shkrimtarë që sollën origjinalitetin e tyre si në tematikë, ashtu edhe në stil, duke lënë shenjë të pashlyeshme në të. Në këtë galeri të mrekullueshme, Ismail Kadare dhe vepra e tij zë vend në pjesën qendrore të këtij thesari. Për fat të mirë, letërsia e tij nuk u shkëput nga receptuesi (lexuesi). Me këtë kemi parasysh si lexuesin brenda kufijve, edhe atë jashtë kufijve jo vetëm etnikë. Vepra e Kadaresë njeh një numër të madh përkthimesh në shumë gjuhë të botës, si dhe çmime të shumta. Kadareja ka një vepër të larmishme që përfshin krijime në poezi, prozë dhe dramë. Prodhimtarinë më të madhe e ka në prozë dhe poezi. Krijimtaria në dramë është e kufizuar dhe lidhet me veprën “Stinë e mërzitshme në Olimp”.

Poezia, motivet dhe elemente të stilit

Advertisement

Ismail Kadare e nisi krijimtarinë tij si shkrimtar duke lëvruar fillimisht poezi. Kështu, “Frymëzimet djaloshare” (1954) dhe “Ëndërrimet” (1957) janë dy vëllime me poezi që e prezantuan atë me lexuesin. Që në këto vëllime u vu re një frymë e re në poezi (Kemi parasysh se kjo periudhë i përket kohës së instalimit të estetikës së realizmit socialist në Shqipëri.). Në të nuk viheshin re tonet e larta demagogjike të kohës. Këtë prirje ai e thekson edhe më shumë në vëllimin tjetër, “Shekulli im” (1961), në të cilin realizmi lirik u modifikua edhe më tepër si në tematikë, ashtu dhe në teknikë. Lirizmi tashmë shfaqet në aspektin intim, nëpërmjet motivit të dashurisë, i cili herë del si dhimbje, herë në kontekstin e ndarjes. Në raste të tjera, ai del kundër lidhjeve që ndërtohen mbi interesa. Nëse te “Frymëzime djaloshare” dhe “Ëndërrimet” ai nis rrugëtimin si poet, te “Shekulli im” afirmohet si i tillë. Në këtë vëllim dallohen ritmet dinamike të kohës, madje edhe në lirikat intime (Shekulli im/Shekulli i shpejtësive,/ Me fuqi të tmerrshme ti gjërat i vjetron). Për të pasqyruar këtë dinamikë jo vetëm si kohë, por edhe si zhvillime teknike, politike, sociale etj., ai aktivizon një leksik karakteristik që lidhet me fushën leksikore teknikoshkencore (antenë, aeroport, autobus, telefon, atom, raketë, televizor, radar etj.); fushën leksikore të sferës politike (ministër, kryeministër, burokraci, borgjezi, parti, bllokadë etj.); fushën leksikore të sferës urbane e të ndërtimit (kantier, fabrikë, semafor, neon, kafe-bar etj.). Ky leksik u përdor edhe si pjesë e ndërtimit të figurave të reja që dilnin jashtë kornizave të realizmit socialist. E tillë është metafora mjaft e diskutuar e poezisë “Laç”, në të cilën krahasimi është ndërtuar pikërisht me një leksik të tillë (Shoh se si një mbrëmje vere/ Do të zbresë nga mali një malësor/ Si kompas mbi këmbët e gjata.). Lëvizje të tilla në stil dhe në tematikë (veçanërisht lirikat intime, në kuadrin e bisedave, apo ambientet urbane larg toneve të ngritura të socrealizmit) u kritikuan si akrobaci që dilnin jashtë kuadrit të estetikës së imponuar socrealiste. Në këtë vëllim, ai jep edhe konceptet e tij mbi procesin krijues. Tipike në këtë kontekst është poezia “Sfidë”, në të cilën ai jep një varg të ri, në të cilin shprehet se nuk do të jetë

rob i skemave fikse ritmike, metrike të paracaktuara. Madje, në një tjetër poezi të vëllimit “Shekulli im” ai e parodizon këtë lloj prirje skematizmi: Në vjersha fjalët e rimuara/ Janë si çifte të martuara/ Në gjendjen civile të poetëve/U mërzitet jeta të shkretëve. (“Fjalët e rimuara”). Konsolidimin si poet e vazhdon më tej në vëllimet poetike “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe “Koha” (1976). Në këto vëllime, tematika vjen duke u zgjeruar dhe duke u plotësuar. Veç motiveve të lirikës intime, asaj i shtohen edhe lirikat shoqërore, historike, politike etj. (Shfletoj historinë. Të mbushura janë fletët e përzhitura/Me shami të zeza nënash, çibukë të zezë prej shqope. “Motive me diell”) - Antikonformizmi (kundërshtimi i shablloneve të realizmit socialist) sa vjen e theksohet në rimë, në ritme, në varg e në strofa. Ai zbaton me shkathtësi strofën e lirë (e cila nuk ka një numër fiks vargjesh), duke refuzuar strofat klasike (Dhe heshtin vargmalet si vargan kuajsh/O, ç’vargan kuajsh/Këto vargmale!/Prisnin me orë,/Me ditë/Me muaj,/Dikë që t’i printe në luftën e madhe. “Përse mendohen këto male”). Kadareja përpunoi edhe krahasimin, duke krijuar imazhe të reja, të freskëta, befasuese. Për shembull: natyra pas shiut duket e bukur si vajza pas puthjes së parë; vinçat si dinozaurët lëvizin qafat e gjata; vjeshta tund krifën si luaneshë etj. Ashtu si një pjesë e bashkëkohësve të tij shkrimtarë, ai përpunon edhe antitezën në imazh. Ajo realizohet me klasa të ndryshme fjalësh. Shpesh, antiteza realizohet duke pasur në bazë edhe figura të tjera si metafora në këtë varg: Gadishulli i madh u gdhi në Evropë e u ngrys në Azi (“Koha”). Në raste të tjera, një personifikim: E vogla vigane/ e moçmja e re; (në të cilën Shqipëria del në dy përmasa kontrasti: madhësinë dhe vjetërsinë). Personifikimi është një figurë tjetër mjaft e përdorur nga Kadareja. Kjo gërshetohet gjithashtu me figura të tilla, si: metafora, metonimia, krahasimi etj. (U nisa me të fejuarën e re, rrugës së gjatë, që s’njeh kufi/ Unë i kam hedhur dorën mbi supe/Ajo mua, dorën për mesi/ Ecnim udhëve të jetës të dy/Unë dhe e bukura poezi. “Motive me diell”). Në poezi, Kadareja përdori edhe simbolin. Kështu, te vëllimi “Motive me diell” gjendet edhe simboli i gurit, që haset edhe te shkrimtarë të tjerë: Gjith’ jetën koka mbi një gur/ Gjith’ vdekjen koka nën një gur. Pavarësisht se Kadareja shpërtheu më pas në prozë, ai la lirika të paharrueshme që mbeten lajtmotiv i çdo kohe, të tilla si poezia “Mall”: Ca pika shiu ranë mbi qelq./Për ty unë befas ndjeva mall./Jetojmë të dy në një qytet,/Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

Shtëpia-muze e Ismail Kadaresë në Gjirokastër

Proza

Proza e Kadaresë nis me romanin “Qyteti pa reklama” që nuk u lejua të botohej në kohën kur u shkrua, po vetëm më 2001. Në të pasqyrohet aventura e dy rinjve (studentë) që janë dërguar në një provincë larg. Ata mundohen të falsifikojnë dorëshkrimin e një

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, në Prishtinë, ku pranoi çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”, i cili iu dha nga Ministria e Kulturës së Kosovës.

vepre të humbur të letërsisë shqipe, duke ndryshuar tërësisht historinë e saj. Motivi kryesor i këtij romani (falsifikimi i historisë kombëtare) nuk ishte pjesë e tematikave të sugjeruara të realizmit socialist, ndaj dhe nuk u lejua të botohej. Më pas del “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që pati një jehonë të menjëhershme dhe e bëri të famshëm. Bashkë me të, botohet “Kronikë në gur”. Në vitin 1972, boton romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, i cili shkaktoi shumë debate, pasi u kuptua alegoria me zhvillimet politike të kohës dhe tiparet e personazheve. Kjo vepër u ndalua dhe autori u detyrua ta përpunonte, duke e nxjerrë me titullin “Dimri i madh”. Pas këtij libri, vijnë një sërë veprash të tjera, si: “Kështjella”, “Ura me tri harqe”, “Gjakftohtësia”, “Koncert në fund të dimrit”, “Pallati i Ëndrrave” (i botuar fillimisht me titullin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”), “Përbindëshi”, “Piramida”, “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Hija”, “Kukulla”, “E penguara” etj. Duhet thënë se edhe në prozë, Kadareja nuk iu bind estetikës së realizmit socialist. Gjithsesi, atij i duhej të mbijetonte edhe fizikisht, edhe profesionalisht. Në këtë mënyrë, ai gjeti mundësitë stilistike që të krijonte art me vlera estetike të mrekullueshme edhe në kohë të diktaturës. Në këtë kontekst, gjithë vepra e tij mund të quhet një vepër alegorike. Pikërisht alegorinë ai e krijoi duke shfrytëzuar historinë, mitin, legjendën etj. Nga këto burime ai krijoi simbolet, të cilat i përshtati sipas qëllimit fshikullues në lidhje me realitetin diktatorial. Rast klasik është “Pallati i ëndrrave”, simboli i sistemit diktatorial dhe hallkave të tij survejuese dhe torturuese. “Kështjella”, gjithashtu, është një simbol tjetër i qëndresës. Në jo pak raste, në veprën e tij, historia, miti, legjenda dhe realiteti ndërthuren njëri me tjetrin duke krijuar një intertekst të mrekullueshëm. Kështu, te “Hija” gjen edhe realitetin (kineasti i dështuar, që shkon dhe vjen nga Franca i survejuar nga të tjerët dhe nga vetja gjithashtu), mitin antik (Orfeu që po ngjitet nga ferri), nënshtresën biblike (Alejuja, kambanat etj.), legjendën (Kostandini, që është edhe emri i kineastit). Një lloj gërshetimi i tillë shoqërohet edhe me ndërthurje të fushave semantike përkatëse: “Zonja dhe zotërinj. Pas disa minutash avioni i “Air France” do të ulet në aeroportin “Orly” të Parisit. Iu lutemi udhëtarëve të përgatiten...

Zhurma e motorëve, kujë e pafund gazmore, e përbërë nga mijëra klithma, lehje qensh, zhurma të fëmijërisë, mbulon çdo gjë. Përmes tingujve të kambanave, fjalët: “Krishti u ngjall së vdekurish” më vijnë që larg. Dhe prapë muzikë dhe ngashërim dhe zërat: aleluja...” Për shembull, në fragmentin e mësipërm vihet re realiteti përmes fjalëve: aeroport, zonja, zotërinj, motorë etj., si dhe shtresa biblike: kambana, aleluja, “Krishti u ngjall së vdekurish”. Në raste të tjera, gërshetimi i nënshtresave të ndryshme që pamë më lart, shoqërohet me ndërthurje regjistrash. Tipik për këtë kohezion është rasti i romanit “Kronikë në gur”, në të cilin kjo teknikë shfaqet mbresëlënëse, pasi specifikohet jo vetëm në lidhje me dialektin, po edhe me grupmoshën (regjistri informal i gjysheve, fëmijëve etj.) dhe regjistrin mediatik të kronikës gazetareske. Një element tjetër mjaft i rëndësishëm që nuk mbetet statik (i njëjtë) në të gjitha veprat është edhe loja me zërin tregimtar. Ai shfaqet i lëvizshëm, duke dalë herë si zë i brendshëm, herë si zë i jashtëm, zakonisht në vetën e tretë, po dhe në vetën e parë shumës (“Kështjella”). Kjo vetë i lejon atij që të zhvendoset në zërin e personazheve të ndryshme. Natyrisht që metafora është e pranishme gjithkund. Edhe në tituj. Në titullin e romanit që u ndryshua “Dimri i vetmisë së madhe”, elementi drejtues kuptimor është vetmia, e cila është shoqëruar me fjalën dimër, që nuk është pjesë e zakonshme e strukturës së saj. Kjo e fundit krijon metaforën emërore (dimër). Po fjala vetmi merr edhe mbiemrin jo të zakonshëm për të (e madhe) dhe krijon epitetin. Kadareja është njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, i varianteve të saj, madje edhe i gjuhës së vjetër (arkaike). Elementet e këtyre varianteve ai i shfrytëzon jo vetëm në rrafshin leksikor, por edhe fjalëformues, duke krijuar imazhe, deri dhe simbole (qorrfermani - kompozitë e krijuar si neologjizëm që formon simbol). Në këtë kontekst, ai ka krijuar një korpus të tërë neologjizmash që kanë konotacione të spikatura dhe janë në funksion të alegorisë e figurave të tjera (heshtimë, korbëri, kinseharresa, fenershues, makthparës etj.).

Kadare foli shqip kur pranoi çmimin "Princi i Asturias" në Spanjë.

Gjenerali i ushtrisë së vdekur

Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) pati sukses të menjëhershëm si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë (u përkthye në shumë gjuhë). Lexuesi u godit dhe u befasua jo vetëm nga motivi, por edhe nga stili me të cilën i erdhi ky motiv. Në pamje të parë, tematika është brenda kuadrit të lejuar të kohës. Ajo lidhej me historinë e Luftës së Dytë Botërore e përkatësisht, me pushtimin italian.

Siç thotë edhe vetë autori, shtysën për të krijuar këtë vepër e ka marrë nga historia e vërtetë e dëgjuar në fëmijëri (Një prostitutë italiane, e vrarë dhe e varrosur bashkë me ushtarët e tjerë dhe imazhi i zhurmës së kazmës së gjeneralit që kishte ardhur për t’i zhvarrosur, krijuan bërthamën kompozicionale dhe ndjesinë e saj.). Trajtimi i kësaj fabule ishte krejt origjinal dhe dilte jashtë skemave të socrealizmit. Sërish është vetë shkrimtari që na drejton në këtë pohim, pasi ai vërente se: “Ideja e historia e gjeneralit që kërkon të zhgroposë një ushtri të tërë, ka lindur gjatë një nate me akull moskovite, kur, në trurin tim, si për kundërpeshë të letërsisë optimiste sovjetike të atëhershme, të ngjyrave të çelura me të cilat lyhej realiteti, duke filluar me të ftohtin jashtë, që vazhdonte me moralin, me idetë e një lloj humanizmi të sheqerosur dhe nervozues, me një mirësi të tipizuar, që nuk ekzistonin realisht. Kjo nuk ishte asgjë tjetër veçse lustra që mbulonte thatësinë dhe boshllëkun moral, e cila përfundonte gjithnjë me një konkluzion të marrë nga doktrina marksiste...” (“Dialog me Alain Bosquet”, 1995). Dhe në fakt, edhe kritikat kryesore për këtë iu bënë, pasi vërtet tematika ishte rezistenca gjatë luftës, por tonet me të cilat flitej për të nuk ishin aspak të ndezura, të forta e demagogjike. Mbi të gjitha, partia nuk dilte në plan të parë. Kadareja dëshmoi se për luftën mund të flitej pa zhurmë, në një formë më intime, duke treguar përjetimet e të dyja palëve (gjeneralit, priftit italian etj.) dhe shqiptarëve. Alternimi i imazheve triumfuese të nisjes së gjeneralit nga vendi i tij me ato të ndjesive shpirtërore gërryese të gjeneralit, që vijnë si rezultat i ballafaqimit të dy botëve, janë ato që e shoqërojnë lexuesin deri në fund. Gjenerali nuk e ka të vështirë të kuptojë armiqësinë e shqiptarëve që është krijuar nga krimet e ushtrisë së tij. Misioni i tij human e fisnik në fillesa, tashmë vjen e kthehet në një makth për të, saqë në fund ai hedh në humnerë eshtrat e kolonelit të famshëm Z., i cili kishte kryer edhe krime monstruoze. Imazhet e plakës Nicë (së cilës i kishin përdhunuar vajzën dhe pastaj ajo ishte mbytur nga turpi) dhe veçanërisht të malësorit Nik Martini (që del nga shkëmbinjtë për t’i prerë kokën kuçedrës), janë sa njerëzore, aq edhe epike.

Kronikë në gur

“Kronikë në gur” u botua më 1971, po para tij Kadare e kishte prezantuar në pjesë të vogla në përmbledhjet me titull “Qyteti i Jugut”, më 1965 dhe 1967. Titulli që ka në përbërje një metonimi (gur - për qytetin e gurtë) dhe që pastaj mbështillet nga metafora që krijohet nga fjala kronikë, na paraqitet përmes zërit dhe këndvështrimit të një fëmije. Një

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Kalaja e Krujës

qytet, ku gjithçka ishte e gurtë: rrugët, krojet, deri edhe pullazet ishin të mbuluara me pllaka guri ngjyrë hiri. Qyteti dhe fëmija nuk kanë emër. Koha shënjohet si Lufta e Dytë Botërore. Përmes zërit dhe imagjinatës së fëmijës shpaloset jeta e gjithë qytetit, duke përcjellë para lexuesit një galeri personazhesh aq të tipizuara nga djali, sa duket sikur je në një muze. Në këtë muze parakalojnë sekuenca autobiografike të vetë shkrimtarit: familja me telashet e zakonshme të mbijetesës, shtëpia, qyteti, aeroporti, bashkëqytetarët, miqtë, gratë, të huajt, plakat e jetës, pushtuesit etj. Është një qytet i çuditshëm, ku nga një anë lexohet Makbethi, e nga ana tjetër, besohen besëtytnitë, duke krijuar imazhet e një realizmi magjik. Përmes naivitetit të zërit fëmijëror paraqitet edhe pjekja seksuale e parakohshme e fëmijës, madje më shumë e pakuptuar nga ai (Në kapitullin tre, djali me shokun e tij sillen rreth shtëpisë së gruas së bukur që kishte burrin impotent, për ta parë. Më tej shfaqet Suzana, një vajzë më e madhe se ata që e pyet a dinte llafe turpi, kurse në vazhdim ai bie në dashuri me Margaritën, një grua të martuar.). Me të njëjtin naivitet shoqërohet edhe dhënia e ngjarjeve reale historike. Kështu djali mëson kuptimin e grupit të fjalëve “qytet i pushtuar”, sepse nuk mund ta kuptonte se “si mund të ishte një qytet i papushtuar”. Rrëfimi i djalit ndërpritet herë pas herë nga copëza kronike që dalin në vetë të parë shumës, në të cilat gërshetohen copëza njoftimesh, ku është e dallueshme ironia dhe humori që perceptohet nga këto lajme që duken sikur janë hartuar përsëri nga fëmija (U rrëzua avioni i parë i italianëve. U gjend krahu i pilotit.). Në këtë libër flitet edhe për partizanët, por pa tonet triumfuese dhe demagogjike të socrealizmit (madje me nuanca humori, kur fëmijët thërrasin parullat e partizanëve, thjesht siç i kanë dëgjuar, jo se i kuptojnë). Kritika e huaj e ka etiketuar me emra të ndryshëm romanin “Kronikë në gur”. Dikush e ka parë si autopsinë e një qyteti, dikush si një fëmijëri shqiptare e dikush, një vepër që tregon si mund të jetë njeriu shqiptar. Ajo që i përmbledh të gjitha kritikat është fakti se kjo kronikë e dhembjes dhe e gëzimit, e madhështisë dhe e groteskut i nënshtrohet një arkitekture të brendshme të rreptë që hedh poshtë çdo lloj rutine të librave për fëmijërinë. Nga ana tjetër, me elementet epike e fantazmagorike, ajo i tejkalon caqet e një qyteti dhe të një vendi enigmatik, pasi përcjell një kolorit të fortë ballkanik, një dimension universal.

Prilli i thyer

“Miku, besa dhe gjaku janë si nyjat e tragjedisë antike dhe të hysh në mekanizmin e tyre, do të thotë të pranosh mundësinë e tragjedisë”. Ky fragment i shkëputur nga romani “Prilli i thyer” (1980) përmbledh motivet kryesore që hasen në të. Ato janë pjesë e kodeve të nderit të shqiptarit të Veriut, të kodifikuara në legjislacionin e tij: Kanunin. Të tria janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën edhe në historinë e romanit, i cili shtjellohet në dy linja kryesore. E para është linja e Gjorgut, djaloshit që i kishin vrarë vëllanë dhe është i detyruar nga

Kanuni të marrë gjakun. Linja tjetër është ajo që lidhet me udhëtimin e muajit të mjaltit të çiftit Vorpsi (Besianit, shkrimtarit kryeqytetas e Dianës, gruas së tij) në malësitë e Veriut, në Rrafsh, siç del në libër. Romani hapet me skenën ku Gjorgu ka zënë pritë për të vrarë gjakësin. Në këtë fragment, ai nuk del si një malësor i fortë i bindur për veprimin e tij të mbështetur edhe te Kanuni, por shfaqet me padurimin që nata të vinte sa më shpejt që ai të ikte nga ajo “pritë e nëmur”. Veprimet e tij, pavarësisht se përputhen plotësisht me rregullat e Kanunit, kryhen nga një njeri, të cilit realiteti i duket më shumë si ëndërr (i vë të vrarit dorën në sup sikur donte ta kthente në jetë, por në fakt po kryente ritin e paracaktuar kanunor për ta kthyer mbarë atë). Dëshmitarë janë shegët e egra dhe pllangat e borës (mjaft interesante metafora pllanga, e cila zakonisht në të folme përdoret si pllangat e gjakut). Në fakt, kjo gjendje e dyzuar psikike del edhe nga fjalët e Besianit: “E ç’janë trazimet që përshkruan Shekspiri përpara mëdyshjeve të këtij Hamleti të malësive tona?”. Bota zakonore dhe motivet kryesore të romanit dalin edhe përmes përjetimeve të Dianës, të cilat jepen nga zëri i brendshëm i Besianit, rrugës nëpër Rrafsh. Diana, nga ana tjetër, e shikon këtë botë si botë mitike, legjendash (“Ti do të shkosh nga bota e rëndomtë drejt e në botën e legjendave, midis eposit të mirëfilltë, që rrallë e gjen ende të gjallë mbi fytyrë të rruzullit tokësor, ku ende haseshin “rapsodët, homerikët e fundit të botës”.). E në këtë botë mitike, ajo krijon një lidhje të çuditshme me djaloshin, Gjorgun, që e kishte parë gjatë rrugës. Të dy kërkojnë njëri-tjetrin me një kuriozitet mistik dhe gati platonik. Po fati i Gjorgut është i paracaktuar, ashtu si ajo metaforë alegorike e titullit. Në mes të prillit, ai do të vritet dhe prilli do të thyhet. “O Zot, krejt sipas rregullave.”, mendon ai në momentet e fundit, kur përjetoi një çast shekspirian të shkëputjes së trupit nga shpirti (“duke lënë pas, të shtrirë midis rrugës, trupin e vet, që porsa e kishte vrarë.”). Por ai ishte një personazh jetëshkurtër për shkak të fatit të paracaktuar nga kodet e pashkruara, të cilat nuk justifikojnë përjetimin e tij tragjik.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Në dy vëllimet e para poetike, Kadareja prezantohet me realizmin e tij në poezi. Përcaktoni llojin e këtij realizmi. 2. Te vëllimi “Shekulli im”, Kadareja tashmë afirmohet si poet. Cilat janë elementet e reja në leksik që përdor ai? A i shfrytëzoi në ndërtimin e metaforës së ndryshme nga ajo e përcaktuar nga socrealizmi? 3. Kadareja shquhet për antikonformizmin e tij që e shfaqi në tematikë dhe në stil. Dalloni disa tipare të tij në stilin e poezisë. Mund t’i ilustroni ato edhe me vargje të tjera nga vepra e Kadaresë. 4. Proza e afirmoi si shkrimtar shumë të madh Kadarenë jo vetëm në Shqipëri, po dhe jashtë saj.

Dalloni disa nga burimet kryesore tematike në veprat e tij. Po në stil, cila figurë mbizotëroi?

5. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është ndër veprat e para në prozë që jo vetëm e afirmoi si shkrimtar të madh, po njëkohësisht e dalloi nga veprat bashkëkohëse të realizmit socialist.

Tregoni disa nga tiparet që vërtetojnë këtë gjë. 6. “Kronikë në gur” është quajtur nga disa kritikë edhe si roman autobiografik. Gjeni në mësim dhe argumentin sipas të cilit ai nuk është vetëm i tillë dhe ilustrojeni me pjesë nga teksti. 7. “Prilli i thyer” është një roman në të cilin jeta zakonore dhe përjetimi, mëdyshja e brendshme njerëzore në lidhje me këto doke, shkojnë paralelisht. Dalloni në komentin mbi këtë roman një pjesë ku argumentohet kjo gjë dhe gjeni raste të tjera në libër.

Ushtroni mendimin kritik

8. Poezia e Kadaresë ishte e freskët, me tone dinamike, me metafora të ndërtuara mbi fusha leksikore të papërdorura më parë. Gjeni në vëllimet e tij poetike raste të tilla dhe shpjegoni imazhet dhe ndjesitë që krijoni ju. Lexojini shembujt në klasë, bashkë me shpjegimet. 9. Në mësim keni parë se një ndër tiparet kryesore të Kadaresë është antikonformizmi me kornizat e imponuara të socrealizmit në stil dhe në motive. Alegoria dhe simboli janë ndër figurat kryesore që i dhanë atij mundësi të bënte art me elemente të theksuara disidente. Diskutoni në lidhje me këto elemente në veprën e Kadaresë, duke sjellë shembuj nga vepra të ndryshme të tij. Vini re shumëkuptimësinë e interpretimit të tyre, që në njëfarë mënyre e shpëtoi shkrimtarin nga persekutimi. 10. Gjenerali (në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”) është personazhi kryesor i romanit, i cili pëson një traumë të thellë psikologjike. Lexoni pjesën që lidhet me momentin kur ai hedh në humnerë eshtrat e kolonelit Z. Çfarë tregon ajo për të, kauzën e tij, si dhe gjendjen shpirtërore e psikologjike? Diskutoni në klasë. 11. Romani “Kronikë në gur” është një roman që ndër të tjera është quajtur autopsia e një qyteti, pasi përmes këndvështrimit të një fëmije jep jetën e tij komplekse. Ilustrojeni këtë fakt me pjesë nga teksti dhe diskutoni në lidhje me realizmin magjik që shfaqet herë pas here, ironinë, humorin, koloritin lokal gjuhësor etj. Çfarë ndjesie krijoni në krahasim me veprat e tjera? 12. “Prilli i thyer” pasqyron ndër të tjera kodet zakonore të rregulluara sipas Kanunit: besa, mikpritja, marrja e gjakut. Lexoni këta kapituj në Kanunin e Lek Dukagjinit të mbledhur nga At

Shtjefën Gjeçovi dhe diskutoni në lidhje me ta në klasë. Po sot, a mendoni se i kemi ruajtur ato?

Argumentoni përgjigjen tuaj, duke e ilustruar me shembuj.

Sfida e të shkruarit

13. Gjatë analizës së romaneve të mësipërme, ju u njohët edhe me tekstin e tyre. Shkruani një tekst në të cilin përmes vetës së parë të tregoni përvojat, aventurat tuaj të fëmijërisë. Mundohuni ta përshtatni pak tekstin tuaj me atë të Kadaresë. 14. Jeta që bëjmë është e lidhur dhe, në shumë raste, e kushtëzuar nga ambienti e shoqëria që na rrethon. Jo në të gjitha rastet kushtet e kësaj jete përputhen me aspiratat tona. Krijoni një ese me titull “Bota sipas meje, apo unë sipas botës”, në të cilin të shpalosni argumentet e kundërargumentet e kësaj dileme të brendshme.

ANALIZË E VEPRËS

Pallati i ëndrrave

Gjenia krijuese e Kadaresë nuk njeh as kufij dhe as gjendje shpirtërore, të cilat të mos i bëjë pjesë të veprës së tij. Ky gjenialitet ka sjellë, ndër të tjera, në duart e lexuesit edhe romanin “Pallati i Ëndrrave”, i cili, i ndërtuar mbi një alegori të fortë, jep hapësira interpretimi me shumë të panjohura. Vepra “Pallati i Ëndrrave” i Ismail Kadaresë, është një nga veprat distopike dhe analogjike më të arrira të letërsisë shqipe. Dy kapitujt e parë të romanit, me nëntitullin “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave”, fillimisht u botuan në vitin 1977, në përmbledhjen me tregime “Emblema e dikurshme”. Autori e botoi veprën të plotë tre vjet më vonë, por në vitin 1982, vepra u kritikua, u censurua dhe iu ndalua qarkullimi, për shkak të “rrezikshmërisë që paraqiste me simbolikën e saj”. Personazhi kryesor i veprës quhej Ebu Qerim dhe pallati kishte emër turk, Tabir Saraj. Pas rënies së komunizmit, vepra pësoi ndryshime jo fort të ndjeshme. Romani mori titullin “Pallati i Ëndrrave” dhe emri i personazhit kryesor ndryshoi nga emri turk Ebu Qerim, në Mark-Alem.

Subjekti i veprës

Letërsia distopike është një përshkrim ose shfaqje e një realiteti imagjinar të së ardhmes, por i parashikueshëm në bazë të tendencave të së tashmes të perceptuara si tërësisht negative. Në vepra të tilla rrëfehet jeta në një vend të deformuar, ku shoqëria dehumanizohet dhe sistemi është totalitar (e kundërta e vendit ideal që sugjeron utopia). Ndryshe nga veprat tipike distopike (p.sh. “Ferma e kafshëve”, G. Oruell), “Pallati i Ëndrrave”, i shtrirë në shtatë kapituj (1. Mëngjesi; 2. Seleksionimi; 3. Interpretimi; 4. Dita e pushimit; 5. Darka; 6. Arkivi; 7. Afrimi i pranverës), ndërton një distopi, e cila shtrihet në të shkuarën, në Perandorinë Osmane, por në fakt, ajo që kritikohet është shoqëria shqiptare në periudhën e diktaturës. Në një vend, i cili mund të konsiderohet qoftë si Perandoria Osmane, qoftë si Shqipëria e kohës së diktaturës, familja e madhe e Qyprillinjve, me origjinë shqiptare, ka historinë e saj, e cila nuk ka qenë fort e thjeshtë. Familja e Qyprillinjve ka ndarë pushtetin me Sulltanin; pesë kryeministra të Perandorisë kanë ardhur nga kjo familje. Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjerimin e territoreve të Perandorisë, por ka vuajtur njëkohësisht edhe goditjen e pamëshirshme të pushtetit të tij: po aq sa ka pasur anëtarë të familjes në poste drejtuese, po aq ka pasur edhe të dënuar me vdekje, me burgime e internime, apo të humbur pa asnjë nam e nishan. Nga kjo familje vjen edhe Mark-Alemi, pinjolli i saj më i ri, i cili ka ëndërruar të jetë pjesë e Pallatit të Ëndrrave, institucioni, ndoshta më i rëndësishëm i Perandorisë. Perandoria, në fakt, qeveriset në dy mënyra: në vështrim të parë kemi të bëjmë me një diktaturë të vërtetë, të mirorganizuar, por ajo është edhe një hapësirë gjeografike, ku i kushtohet kujdes i madh grumbullimit dhe interpretimit të ëndrrave të qytetarëve, të cilët nxiten për t`ia rrëfyer ato një organizmi të rëndësishëm, Tabir Sarajit ose Pallatit të Ëndrrave.

Pasi hyn në këtë pallat, Mark Alemi nis të ngjitet shkallë-shkallë deri në majën e hierarkisë. Përgjatë ngjitjes, ai arrin të ndërgjegjësohet jo vetëm për terrorin që ushtrohet mbi banorët e Perandorisë, por edhe mbi misterin që rëndon tek autoritetet: autoritetet jetojnë me tmerrin e një lloji shumë të rrallë ëndrrash, që ata i quajnë kryeëndrra, ose bashëndrra. Këto nuk mund të interpretohen dhe janë të afta të paralajmërojnë kataklizma të llahtarshme, si luftërat apo fundin e Perandorisë. Ndërsa ndodh ky ndërgjegjësim i protagonistit, romani të përball me ngjarje shpeshherë të papritura, por edhe të llogaritura mirë nga syri i një pushteti diktatorial, p.sh. ekzekutimi i Kurt Qyprilliut, sjellja makabre e Vezirit etj.

Personazhet

Personazhi kryesor, Mark-Alemi, ka një zhvillim të plotë si karakter, duke e nisur rritjen e tij nga një nëpunës i ndrojtur, plot frikë nga e panjohura që e pret në Pallatin e Ëndrrave, deri tek integrimi i tij i plotë në strukturat e këtij institucioni. Vetë emri i tij tregon nga njëra anë (Mark) prejardhjen e krishterë të familjes së Qyprillinjve, origjinën e tyre shqiptare, dhe nga ana tjetër (Alem), integrimin e familjes në kulturën dhe jetën turke, myslimane. Mark-Alemi e shfaq dhe e zhvillon karakterin e tij në marrëdhënie me të tjera personazhe të rëndësishme në vepër, të cilat vërtiten rreth ndërgjegjësimit të tij, duke ndihmuar këtë proces. Dy figurat kyçe, që në mënyrë dinamike ndikojnë në karakterin e Mark-Alemit, janë dy ungjit e tij: Kurt Qyprilliu dhe Veziri, ndaj të cilëve ushqente ndjenja të ndryshme. Ungji i vogël dëgjonte me një buzëqeshje të shkujdesur. Ndërsa i madhi i dukej Mark-Alemit si një bronz i mbuluar pakëz nga pluhuri i ashpërsisë, fanatizmit dhe provincës. Të voglin ai e donte përherë e më fort. Kjo ndjesi që sa vjen e thellohet në dy kahet e saj, projektohet nga vetë marrëdhënia që secili prej tyre ndërtoi me Pallatin e Ëndrrave dhe vetë Sulltanin. Ungji i tij i vogël, Kurti, është ndër personazhet më interesante të veprës, i realizuar në një profil mjaft tërheqës për shkak të të menduarit të tij krejt ndryshe nga politika despotike e Sovranit. Për këtë arsye, ai kishte marrë edhe nofkën Kurt Tjetërmendësi, si dëshmi e disidencës ndaj politikave të errëta dhe antinjerëzore të Sulltanit. Antipod i tij është Veziri, i vëllai, i cili edhe në rrethet familjare njihet me titullin që mban. Shërbëtor shumë besnik i Sulltanit, Veziri është krejt i ftohtë dhe i pandjeshëm ndaj fateve të individëve që makina e tmerrshme, Pallati, i trajtonte si sajesa mbi të cilat derdhte arrogancën dhe masakrën. Madje Veziri, nuk kursen as vëllanë e tij, Kurtin, të cilin nuk bën as përpjekjen më të vogël që ta shpëtojë nga ganxha e diktaturës, duke zhgënjyer në këtë mënyrë shpresat e nënës së Mark-Alemit dhe të Mark-Alemit vetë. Sytë e Vezirit kishin diçka të përbashkët me qelqet e thyera, të shpërndara tej e mbanë dhomës, mendon Mark Alemi për të, në çastin kur oficerët e Sovranit marrin Kurtin, për të mos e kthyer më kurrë. Në tërësinë e romanit, figura e Vezirit nuk është tjetër veçse silueta e Sulltanit të madh, i cili ndonëse nuk shfaqet kurrë fizikisht në vepër, është i pranishëm në çdo sekuencë apo ngjarje të Pallatit, në çdo fjalë e frikë të punonjësve të tij. I rrethuar me mister, prania e papranishme e Sulltanit është një nga gjetjet më interesante të Kadaresë, për të treguar mizorinë dhe pushtetin e tij absolut. Rrëfimi e bën atë të pranishëm nëpërmjet veprimeve të mekanizmave të tij shtetërorë, nëpërmjet bindjes së plotë

ndaj urdhrave të tij, sidomos atyre më gjakatarë. Edhe pa u shfaqur fizikisht, ndjesia që përcjell rrëfimi në roman mbi të dhe pushtetin e tij, shkon përtej frikës, një lloj tmerri që përndjek jo vetëm ëndërrparësit, por në të shumtën, ata që punojnë me dhe mbi ëndrrat. Ky është simboli i diktatorit të gjithëkohshëm e të kudogjendur. Po kaq të pranishëm si një turmë e vetme, janë edhe punonjësit e Pallatit, të cilët kanë humbur dinjitetin para dhunës psikologjike që ushtrohet brenda Pallatit. Përshkrimi i tyre është herë individual, i mbështetur kryesisht te përemrat e pacaktuar (Dikush zgjati kryet, e pa dhe u zhduk prapë...) e herë kolektiv, realizuar nëpërmjet përshkrimeve të detajuara: Fqinji tij nga e djathta lëvizi në ndenjëse pa e ndërprerë leximin. Në tryezën e gjatë dëgjohej herë pas here fëshfërima e fletëve që ktheheshin. Askush nuk ngrinte kryet. Sepse punonjësit nuk vizatohen si njerëz, por si koka njerëzish që merrnin sinjale vetëm nga zilja që shënonte mbarimin e orarit të punës.

Simbolika, analogjia dhe universalja e Pallatit të Ëndrrave

Funksionimi i Pallatit

“Mark-Alemi përfytyroi mijëra degët e Tabir Sarajit, të shpërndara anekënd hapësirës së pafundme të shtetit, ndërtesat e tyre të thjeshta, disa herë në trajtë barakash, brenda të cilave rrinin dy nëpunës edhe më të thjeshtë, nevojtarë, me rrogë të vogël, që i përkuleshin gjer në tokë korrierit më të thjeshtë të Tabirit, kur ai vinte për të marrë ëndrrat e mbledhura.” Siç e shihni, ky është misioni i degëve të Pallatit të Ëndrrave: të mbledhin ëndrrat nga gjithë anëtarët e Perandorisë deri në skutat më të largëta të saj. Pasi mblidhen,

këto ëndrra dërgohen në Pallat, ku seleksionohen, interpretohen dhe iu nënshtrohen trajtimeve të mëtejshme, për të hulumtuar në to ndonjë të dhënë që rrëfen se dikush apo diku kishte nisur të ngrihej krye ndaj Sulltanit, apo edhe nëse vinin sinjale për fatkeqësi apo ngjarje të bukura që mund t’i ndodhnin Perandorisë. Pallati kishte një organizim të përsosur institucional, nëpërmjet sektorëve dhe procedurave që ndiqnin: 1. Sektori i grumbullimit të ëndrrave nga e gjithë popullsia. 2. Sektori i përzgjedhjes së ëndrrave në varësi të rrezikut që kanosnin për vendin. 3. Sektori i interpretimit të ëndrrave të zgjedhura. 4. Sektori i përzgjedhjes dhe i interpretimit të bashëndrrës (ëndrrës më të rëndësishme). Nga seleksionimi, ëndrrat ndaheshin në ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra të rëndomta dhe ato që vendosnin fatin e individëve dhe të Perandorisë; pastaj vjen kryeëndrra ose bashëndrra. Si vinin ëndrrat në Pallat? Një pjesë e qytetarëve i sillnin vetë, të tunduar nga premtimet dhe sloganet që Perandoria i shpërndante me mekanizmat e saj anembanë Perandorisë. Një pjesë tjetër i sillnin të afërmit e tyre të devotshëm ndaj Pallatit, duke përdorur letra anonime, tipike për çdo diktaturë. Në këtë mënyrë, pavetëdija e çdo banori të Perandorisë, deri në provincat më të largëta, binte në duart dhe në sitën e diktaturës. Pallati i rëndë, me arkitekturën në formë labirinti, ishte gjithashtu krejtësisht i izoluar. Me mbylljen e tij totale ndaj gjithçkaje që mund të vinte përtej mureve të tij, kishte disa prioritete: veç punës së madhe për përpunimin e lëndës, një rëndësi të madhe ka mbyllja e plotë e Tabir Sarajit ndaj çdo ndikimi të jashtëm. Sepse pikërisht jashtë Tabir Sarajit ka forca të ndryshme që, për një arsye ose një tjetër, janë të paduruara për të futur frymën e tyre këtu, në mënyrë që qëllimet, idetë apo pezmet e tyre të paraqiten pastaj kinse si shkëndija të shenjta të hedhura nga Allahu mbi trutë e fjetur njerëzorë. Kjo tregon natyrën paranojake të Sulltanit dhe të perandorisë së tij.

Simbolika dhe analogjia e rrëfimit

“Pallati i Ëndrrave” ka marrë shkas e është ndërtuar me një material të gjerë që Kadaresë ia ofronte diktatura në Shqipërinë komuniste. Mbikëqyrja e mendimit të lirë nëpërmjet të gjitha formave dhe mjeteve të komunikimit ekzistues njerëzor, krijimi i dosjes për çdo të dyshuar dhe i institucioneve përkatëse të mbikëqyrjes, ankthi rëndues i kthyer në makth, apo disidenca e hapur politike, janë karakteristika tipike të një totalitarizmi politik. Kjo linjë e shtrirë përgjatë gjithë romanit, e kthen Pallatin në simbol të diktaturës së gjithëkohshme. Për të realizuar këtë simbolikë, autori ka përdorur mekanizma të gjithanshëm gjuhësorë, të sofistikuar nëpërmjet një rrëfimi të jashtëzakonshëm. “Pallati i Ëndrrave” ngërthen realen me jorealen në vepër. Në togun “Pallati i Ëndrrave” veçojmë përcaktorin me drejtim “i ëndrrave”. Kjo metaforë ka një dozë të fortë ironie: në mënyrë paradoksale, ky pallat ëndrrash, që të kujton Pallatin e Princeshës, Pallatin e Mbretit, Pallatin e Kulturës, Pallatin e Sportit etj., në të vërtetë është Pallati ku merren vendime makabre, pasi individët i dorëzojnë pavetëdijen e tyre pushtetit. Nëse Pallati është përditshmëri, Ëndrrat janë pavetëdija.

Në togun Pallat i Ëndrrave, përcaktori me drejtim “i ëndrrave” mban peshën kryesore në metaforë. Ai ndërton një analogji të përsosur gjuhësore me institucionet e diktaturës komuniste në Shqipëri, si Pallati i Komitetit Qendror të Partisë, Pallati (Ndërtesa) i Ministrisë së Brendshme, dy institucione të cilat përfaqësonin mekanizmat kryesorë në politikën terrorizuese dhe shfarosëse ndaj individëve që e kundërshtonin diktaturën. Nga togjet që ne përmendëm, është ruajtur emri Pallati, ndërsa përcaktorët (Komitetit Qendror të Partisë; Ministrisë së Brendshme), janë zëvendësuar me emrin më të pakuptimtë, Ëndrrat. Këto dy simbole universale që në lashtësi, pallati dhe ëndrra, në këtë kontekst, kanë fituar vlera universale, në saje të fuqisë së simbolikës së tyre. Gjuha e përdorur nga Kadareja shfaq analogji dhe simbolikë të shumëfishtë në rrëfim. Në të dallohen grupe fjalësh tipike për periudhën e një rendi totalitar socialist. Fjalët, shprehjet, konceptet, mendësitë bashkëkohore, të shënjuara shprehimisht, janë në harmoni të plotë me materialin gjuhësor politiko-psikologjik të totalitarizmit komunist që gjendet në tekst. Kështu, dallojmë terma të përdorur në socializëm me kuptime tepër të veçanta. P.sh.: a) në fushën e drejtësisë: komplot, dosje, verifikim, provokator, ankim, anonim, dhomë veçimi etj. (në analogji me gjuhën që faktonte reprezaljet në diktaturë); b) në fushën e ideologjisë: shpëlarje truri, ndikime të jashtme (në analogji me ndikimet nga shtetet perëndimore), porosi e sovranit (porosi e udhëheqësit) etj.; c) në fushën e politikës: Shtetet e Bashkuara Osmane (në analogji me SHBA-në), republikë, konfederatë, mbretëri parlamentare (në analogji me forma organizmi politik në Europë) etj.; d) në fushën e hierarkisë zyrtare: zëvendësdrejtor i parë (në analogji me sekretar i parë), me urdhër nga lart (në analogji me funksionin e përqendruar të pushtetit) etj.;

e) në fushën e përditshmërisë: punohej me orar të zgjatur, radhët (në analogji me radhët e krizës së komunizmit), ëndërr pa emrin dhe adresën e parësit (në analogji me letrat anonime), mbledhje, udhëzim, rishikim i ëndrrës (në analogji me verifikimin e denoncimit) etj.

Një simbolikë të fuqishme merr vetë fjala ëndërr. Ajo ka një dinamikë të gjallë në roman. E pranishme pothuajse në çdo faqe, ajo vishet gjithandej me shumëllojshmëri simbolike, grotesk, paradoks dhe absurd. Simbolizuese në shumë kontekste, ajo zbulon kuptime, nuanca dhe funksione kuptimore të ndryshme: ëndërr e bukur, e pastër (E ç`paska aq të rëndësishme ajo ëndërr? – pyeti Mark Alemi. Tjetri ngriti supet. – As unë nuk e di. Në vështrimin e parë duket si e thjeshtë, po do të ketë diçka, gjersa i japin kaq rëndësi. – Kjo është bashëndrra apo kryeëndrra; për bashëndrrën punojnë qindra veta, bashkëndrrorët apo kryeëndrrorët, siç quhen tani.). Nga miliona ëndrrat e para, të vlefshme janë vetëm ato që parathonë fatin e shtetit, prandaj dhe janë fytyra e tij. Kjo politikë e vënies dorë edhe mbi pavetëdijen e anëtarëve të një sistemi, përbën vijën universale të ndërtimit të çdo sistemi totalitar, që për të qetësuar paranojën e vet, shpik mekanizma nga më absurdët. Një funksion të veçantë simbolik e analogjik në vepër merr edhe fjala dosje. Ajo shënjon mjetin ku ruhen ëndrrat e shkruara, ndërsa simbolikisht ajo përfaqëson mjetin ku dokumentohen nga hetuesia në diktaturë mendimet e lira pro apo kundër sistemit, duke përfshirë këtu edhe procesin e fshehtë që i shoqëron këto dosje. Në socializëm, termi dosje merrte kuptime juridikopolitike të posaçme. Në analogji me dosjet e Pallatit, ku ëndrrat shtresohen dhe ndahen sipas interpretimit, në diktaturën socialiste në Shqipëri, fjala dosje merrte konotacione përcaktuese për individin, p.sh.: ishte me dosje, e ka dosjen plot, i hapën dosje etj. Në këtë kuptim, nisur nga pesha që mban kuptimi i fjalës dosje në rrëfim, kritika e ka quajtur romanin “Pallati i Ëndrrave”, edhe “romani i dosjes”, në kuptimin që ashtu si në diktaturën socialiste, institucioni i Pallatit të Ëndrrave është institucioni i mbikëqyrjes, mbledhjes, studimit dhe përfundimeve prej dosjeve, të argumenteve që justifikojnë ushtrimin e dhunës shtetërore. Por, po kaq sa është e fortë dhe totalitare dhuna që ushtrohet mbi individin, po kaq merr dinamikën e saj edhe nxitja e shpirtit të rezistencës së njeriut ndaj çdo lloj shtypjeje dhe totalitarizmi.

Absurdi i marrëdhënieve pushtet - individ

Alegoria që shtjelluam shkon përkrah universalitetit të mesazheve që përcjell vepra. Vetë Pallati është një alegori e madhe, duke përbërë atë që vetë Kadareja e quan ferr të totalitarizmit. Ndryshe nga ferri tradicional, ferri i diktaturës shkon paralel me ferrin e hierarkive institucionale: sa më lart të shkosh, aq më i ngushtë bëhet rrethi. Vetëm kur ngjitet në majë, Mark-Alemi e kupton dhe ndërgjegjësohet për llojin e diktaturës, ku është përfshirë populli i Perandorisë. Kjo simbolikë përputhet me llojin e rrëfimit të Kadaresë, i cili shkon drejt analizave të thella psikologjike të shtrira jo vetëm në stilin e tij, por edhe në fabulën e jashtëzakonshme, në kohën e shtrirjes së saj, në linearitetin e ngjarjeve dhe objektivat e rrëfimit. Rrëfimi në vetën e tretë, ardhur nga një rrëfimtar i gjithëdijshëm, është mënyra më efikase për të realizuar absurdin e një marrëdhënieje që mbështetet te hipotetizmi mbi një fakt të pavetëdijshëm. Duke qenë prodhim i pavetëdijes, ëndrrat shprehin veprime, qëndrime dhe sjellje për të cilat individi nuk mban përgjegjësi. Për më tepër, ato nuk kanë asnjë lidhje

me përditshmërinë apo fatin e një shoqërie të tërë. Interpretimi i tyre subjektiv, nuk mund të kthehet në një proces real, aq më tepër që një institucion shtetëror të përdorë mekanizmat e tij për të kontrolluar nënvetëdijen e qytetarëve. Ky absurditet mbi të cilin ndërtohet romani, krijon analogji me absurditetin e një sistemi të tërë, i cili mbikëqyr, kontrollon dhe dënon mendimin e lirë. Individi i dërrmuar psikologjikisht, i rrezikuar gjithmonë nga dënimi i pabazuar në ligj dhe i paparalajmëruar, shoqërohet përgjatë gjithë jetës nga ankthi, pasiguria dhe mundi për ekzistencë, energji të cilat shkojnë deri në absurditet. Universaliteti i simbolikës në roman, njeh dinamika të ndryshme; rritet përmes hiperbolës, groteskut, ironisë, dramës dhe sidomos absurdit të këtij romani. Nëpërmjet ambicieve të Mark-Alemit, ne njohim dhe perceptojmë ambicien e individit për t`u integruar në strukturat shtetërore, por si refleksion i raportit individ-shtet, kjo marrëdhënie dëshmon se individi nuk mund të fuqizohet asnjëherë nëpërmjet fuqisë së pushtetit, përkundrazi, çdo përpjekje për t`u bërë pjesë e tij, çdo mekanizëm apo sjellje për ta arritur këtë synim, dështon. Individi është në një konflikt të përjetshëm me shtetin dhe gjithmonë mbetet i kërcënuar prej tij, siç ndodh edhe me Mark-Alemin, dilema më e madhe e të cilit është: Më mirë të jesh brenda Tabir Sarajit, apo jashtë tij? Të vërtetën e jep thënia e Kurt Tjetërmendësit: …ai (Tabir Saraji) pavarësisht nga emri i bukur që ka, është institucioni më i tmerrshëm, më i verbri, më fatali.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Shpjegoni titullin e romanit, duke e lidhur atë me përfytyrimet tuaja mbi emrin pallat dhe ëndërr. A ndërtoni një përfytyrim të kundërt me kuptimin tradicional që ka ky grup fjalësh?

E gjykoni këtë një gjetje nga ana e autorit? Pse? 2. Kush janë personazhet kryesore në roman dhe cilat situata i bëjnë ata të jenë në qendër të rrëfimit? Si lidhen mes tyre personazhet? Po idetë që përcjell secili prej tyre? 3. Ndaluni te figura e Sulltanit. Si është realizuar paniku dhe tmerri që ai përhap? Si arrin Sulltani të jetë aq i pranishëm në roman, edhe pse nuk del asnjëherë fizikisht? 4. Si funksionon Pallati i Ëndrrave? Flisni për organizimin e tij dhe mënyrën se si i mbledh ëndrrat.

A ka analogji kjo me mënyrën se si funksionojnë diktaturat? 5. Si shfaqet gjuhësisht simbolika dhe analogjia e veprës? Jepni shembuj nga teksti ku të dëshmoni këto dy dukuri. 6. Si paraqitet raporti pushtet-individ në vepër? Ku qëndron absurditeti i kësaj marrëdhënieje? Si reagon individi ndaj këtij absurdi? Cilët janë mekanizmat që ndërmarrin secili prej tyre: individi dhe pushteti? 7. Argumentoni disa dukuri të stilit që ka përdorur autori për të realizuar universalitetin e mesazheve dhe simbolikave të veprës.

Ushtroni mendimin kritik

8. Nevoja për të mbikëqyrur jetën e tjetrit, në çdo sistem diktatorial është pjellë e paranojës dhe e pasigurisë së pushtetit totalitar. Si e kuptoni ju këtë paranojë? A ka bazë reale një ndjesi e tillë?

Argumentoni se si e ushqen dhuna paranojën.

I. Kadare

ILUSTRIM LETRAR

Pallati i Ëndrrave

Fragmenti është shkëputur nga kapitulli II, “Seleksionimi”. Në një bisedë mes kushërinjve, të gjithë anëtarë të familjes së madhe të Qyprillinjve, po flitet për madhështinë e frikshme të Tabir Sarajit dhe për pozicionimin e individëve në të. Ajo që i mundon është pasiguria dhe ndjenja e fajit që ndjell Pallati. Por rreth tryezës së darkës, hapet biseda në lidhje me Eposin kushtuar Qyprillinjve, rrënjëve të tij që vijnë që nga Shqipëria e largët dhe misionit të shqiptarëve që jetojnë në Perandori.

Në tryezën e darkës, gruaja e vëllait të madh nisi të tregonte diçka për zakonet e vjetra të provincës që drejtonte i shoqi, kur Kurti, pa shumë kujdes, i preu fjalën: – Kam ftuar rapsodë nga Shqipëria, – tha ai. – Si? – thanë dy-tre zëra. U kuptua menjëherë që ajo “si?”, do të thoshte: “Ç’t’u kujtua një gjë e tillë? Ç’është ky trill i ri?”. – Pardje po bisedoja me konsullin austriak, – vazhdoi ai, – dhe e dini ç’më tha? Ju Qyprillinjtë jeni sot familja e vetme aristokrate në Europë dhe, me siguri, në botë, që keni një epos. – Ah, – ia bëri njëri nga kushërinjtë, – e qartë. – Ai e krahasoi eposin që këndohet për ne, me Nibelungen të gjermanëve dhe shtoi se, në qoftë se për një familje të madhe gjermane apo franceze do të këndohej qoftë dhe një e qindta e eposit që këndohet sot për ne në Ballkan, kjo do të trumbetohej si mburrja dhe mrekullia më e madhe për ta. Kurse ju Qyprillinjtë mezi kujtoheni për këtë. Kështu më tha. – E qartë, – përsëriti njëri nga kushërinjtë. – Veç një gjë nuk kuptoj: ti fole për rapsodë shqiptarë, apo jo? Në qoftë se bëhet fjalë për eposin që dimë të gjithë, atëherë ç’hyjnë këtu rapsodët shqiptarë? Kurt Qyprilliu e vështroi në sy, por nuk iu përgjigj. Biseda për eposin ishte e vjetër në familjen e Qyprillinjve, ashtu si serviset e shtrenjta, dhurata të dikurshme të sovranëve, që çdo brez Qyprillinjsh i gjente për t’ia lënë brezit tjetër. MarkAlemi e mbante mend qysh nga fëmijëria. Në fillim e kishte përfytyruar eposin si një gjësend të gjatë, midis dragoit dhe gjarprit, që rrinte larg në ca male me dëborë dhe në trupin e të cilit, si në trupin e qenieve përrallore, ishte ndryrë fati i familjes. Mirëpo, duke u rritur, dalëngadalë e kishte kuptuar, ndonëse jo fort qartë, se ç’ishte ky epos. Në të vërtetë, për djaloshin ishte pak e vështirë

të merrte me mend se si Qyprillinjtë rronin e sundonin në kryeqytetin perandorak, ndërsa larg në Ballkanin e çuditshëm, në provincën me emrin Bosnjë, këndohej një epos për ta. Edhe më e parrokshme ishte për të se përse ky epos nuk këndohej në vendlindjen e Qyprillinjve, në Shqipëri, por në Bosnjë dhe, veç kësaj, ai nuk gjendej në gjuhën amtare të Qyprillinjve, në shqipe, por në gjuhën sllave. Një herë në vit, gjatë muajit të ramazanit, vinin rapsodët që nga Bosnja. Ata bujtnin për disa ditë rresht te Qyprillinjtë, për të kënduar baladat e tyre të gjata, të shoqëruara me një vegël muzikore që nxirrte një zë tejet të pikëllueshëm. Ky ishte një zakon që vazhdonte qysh prej qindra vjetësh dhe që brezat e rinj të Qyprillinjve nuk kishin guxuar ta braktisnin apo ta ndryshonin. Të mbledhur në dhomën e madhe të miqve, ata dëgjonin zërin e zvargur të rapsodëve sllavë, prej fjalëve të të cilëve nuk kuptonin asnjërën, përveç emrit Qyprilli, që ata e shqiptonin Çupriliq. Pastaj rapsodët merrnin shpërblimin e zakonshëm dhe iknin, duke lënë pas vetes një ndjesi zbrazëtie, që për disa ditë rresht shkaktonte te të zotët e shtëpisë ca psherëtima pa shkak, të ngjashme me ato që shkaktojnë ikjet e stinëve. Flitej se sovrani i kishte smirë Qyprillinjtë pikërisht për atë epos. Për sovranin qenë hartuar e vazhdonin të hartoheshin me dhjetëra divane e vjersha nga poetët zyrtarë, mirëpo një epos si ai i Qyprillinjve s’këndohej gjëkund për të. Madje, flitej se ishte pikërisht kjo smirë një nga shkaqet kryesore për rrufetë me të cilat sovrani godiste herë pas here Qyprillinjtë. Po pse nuk ia falnin atë epos sulltanit-mbret dhe të shpëtonin nga të këqijat e Qyprillinjve? kishte thënë njëherë Mark-Alemi i vogël, pasi kishte dëgjuar pëshpërimat e të mëdhenjve. Pusho, Mark-Alem, i kishte thënë nëna, eposi është diçka që nuk dhurohet, më kupton, s’është si unazat ose stolitë, është një gjë e tillë që, edhe po të duash ta japësh, nuk e jep dot. – Është si Nibelungen, kështu më tha, – vazhdoi Kurti mendueshëm. – Gjithë këto ditë kam bërë me vete atë pyetje që është bërë shpesh në shtëpinë tonë. Përse sllavët kanë ngritur një epos për ne, kurse bashkatdhetarët tanë, shqiptarët, në eposin e tyre, heshtin? – Kjo është e thjeshtë, – tha njëri nga kushërinjtë, – ata heshtin, sepse kanë pritur diçka prej nesh. – Sipas teje, ky është një qortim? – Merre si të duash. – Për mua është e kuptueshme, – ndërhyri kushëriri tjetër. – Është një keqkuptim i vjetër midis familjes sonë të Qyprillinjve dhe shqiptarëve. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë përmasat perandorake të familjes sonë, për të mos thënë që këtë gjë s’e përfillin aspak. Ata janë mospërfillës për atë që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë Qyprillinjtë për tërë shtetin e madh, në gjirin e të cilit Shqipëria s’është veçse një pjesë. Ata duan të dinë vetëm ç’kemi bërë ne për këtë dromcë, vetëm për Shqipërinë. Kanë pritur vërtet diçka të veçantë prej nesh. Ai hapi krahët, siç bëjnë njerëzit kur duan të thonë: ja, kështu janë punët.

Eposi i kreshnikeve

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në bisedën me konsullin austriak, Kurti nënvizon disa detaje, të cilat synojnë të ngacmojnë sedrën identitare të familjarëve të Qyprillinjve. Cili është mekanizmi që përdor rrëfyesi nëpërmjet fjalës së konsullit? Çfarë elementesh historike dhe sociale janë të përfshira në të? 2. Në përfytyrimin e Mark Alemit janë përdorur të dhëna që nxisin imagjinatën, projektojnë vlerat e prejardhjes së tij, por njëkohësisht e pozicionojnë familjen e Qyprillinjve dhe gjithë shqiptarët në raporte të çuditshme me Perandorinë. Si e keni krijuar ju imazhin e kësaj marrëdhënieje?

Si ishte familja e Qyprillinjve përballë Perandorisë? Pse imazhi i eposit i vjen në fëmijëri mes formës së dragoit dhe gjarprit? 3. Historia e Shqipërisë së Madhe ka qenë histori e pambarimtë mbijetese dhe bashkëjetese të dhunshme me sllavët dhe turqit. Këtë pohim rrëfyesi e dëshmon duke ndërtuar një marrëdhënie treshe: shqiptarët, boshnjakët dhe turqit, marrëdhënie e cila ka si pikë takimi eposin. Sllavët kishin ndërtuar një epos për shqiptarët e Turqisë. Si e keni perceptuar ju këtë marrëdhënie përmes rrëfimit? Cilat ishin traditat në lidhje me këtë marrëdhënie? Ku këndonin rapsodët boshnjakë dhe si tingëllonin fjalët e tyre? 4. Eposi i Qyprillinjve kishte ndezur mërinë e Sulltanit ndaj familjes. Kjo ishte arsyeja pse ai e urrente këtë familje dhe e kishte zili njëkohësisht. Si e kuptoni ju fjalën e nënës: eposi është diçka që nuk dhurohet, më kupton, s’është si unazat ose stolitë, është një gjë e tillë që, edhe po të duash ta japësh, nuk e jep dot. 5. Në bisedën rreth dilemave se përse shqiptarët janë të pandjeshëm ndaj bashkatdhetarëve të tyre në Perandori, një nga kushërinjtë pohon se: Ata duan të dinë vetëm ç’kemi bërë ne për këtë dromcë, vetëm për Shqipërinë. Kanë pritur vërtet diçka të veçantë prej nesh. Si e kuptoni këtë pohim? A merr vlerë edhe në ditët e sotme ky konstatim i Kurtit? Cilat janë pritshmëritë që vijnë nga ky pohim?

Nga teksti te ndërtimi

6. Fragmenti është ndërtuar mbi disa forma rrëfimi dhe ligjërimi. Identifikojini ato duke i ndarë në: paragrafë që paraqesin dialogun, rrëfimin, meditimin. Shpjegoni ndërtimin e tyre, duke iu referuar llojit të ligjërimeve. Cilat të dhëna gjuhësore ju ndihmojnë për t`i specifikuar ligjërimet? 7. Paragrafët në të cilët jepet meditimi dhe rrëfimi ndërtohen me fjali të gjata, të cilat i japin mundësinë autorit të bëjë analiza dhe të nxjerrë përfundime. Evidentoni dy prej tyre për secilin paragraf. Argumentoni se si lidhjet sintaksore të fjalisë e ndihmojnë lexuesin të qartësojë mendimin. Mbështetuni te dijet që keni mbi llojet e fjalive dhe marrëdhëniet mes pjesëve të tyre. 8. Në këtë fragment, ndërtimi është i tillë që Sulltani, edhe pse nuk është i pranishëm fizikisht, është i gjithëgjendur. Si realizohet prania e tij? Pse ka zgjedhur këtë lloj ndërtimi Kadareja? A ndikon kjo në fuqizimin e alegorisë së rrëfimit? 9. Ndërprerja e dialogimit nga paragrafë që realizojnë rrëfimin dhe meditimin është një zgjedhje që bën autori për ta përcjellë atmosferën e një dileme edhe në formën e rrëfimit. A krijojnë shkëputje llojet e ligjërimeve? Cilat janë fjalitë që i lidhin ato? Identifikojini dhe shpjegoni se si funksionon kjo lidhje.

10. Gjuha alegorike është themeli mbi të cilin ndërtohet vepra. Ndërtimi i krejt romanit, por edhe i fragmentit, bazohet te përdorimi i simbolit dhe alegorisë. Alegoria si figurë e shprehjes shkon bashkë me simbolin me të cilin afrohet në disa aspekte. Që një term konkret të ngrihet në cilësinë e simbolit, vihet theksi te disa cilësi mbizotëruese të tij. Identifikoni simbolin/simbolet dhe tregoni cila nga cilësitë mbizotëron/theksohet nga autori.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Fjala që mban peshën e fragmentit, rreth së cilës vërtitet gjithë kuptimi i nënshtresuar është fjala epos. E vendosur në marrëdhënie me popujt, shtetet dhe mbijetesën, fjala epos mbishtreson gjithë historinë. Duke u nisur nga karakteristikat e eposit në tërësi dhe eposit tonë në veçanti, tregoni se çfarë të dhënash të reja na ofron ajo në këtë fragment. Cilat kuptime të reja e bëjnë atë orientues për mesazhin që sjell pjesa? 12. Ndaluni te fjalia: Biseda për eposin ishte e vjetër në familjen e Qyprillinjve, ashtu si serviset e shtrenjta, dhurata të dikurshme të sovranëve, që çdo brez Qyprillinjsh i gjente për t’ia lënë brezit tjetër. Konstatimi që bën rrëfyesi është i mbështetur mbi një similitudë. Qartësoni dy krahët e similitudës. Përcaktoni korrespondencat kuptimore mes tyre. Si vijnë kuptimet? A marrin ato ngjyrime politike? 13. Në meditimet e Mark-Alemit mbi eposin, fjala kyç është gjuha shqipe. Ai duket se e sheh eposin të lidhur fort me gjuhën amtare, gjuhën shqipe dhe jo me gjuhën sllave, e cila nuk u thotë asgjë

Qyprillinjve. Cilat karakteristika të gjuhës shfaqen më dukshëm në këtë simbolikë? Si lidhet ajo me historinë e familjes dhe të vetë eposit? 14. Një moment kyç i paragrafit meditues që rrëfen mendimet e protagonistit, Mark-Alemit, është pyetja që ai i drejton nënës: Po pse nuk ia falnin atë epos sulltanit-mbret dhe të shpëtonin nga të këqijat e Qyprillinjve? Kjo pyetje foshnjarake, pavarësisht se merr përgjigje nga nëna, në fakt për lexuesin është një pyetje retorike. Ju si lexues, çfarë nënkuptoni nga kjo pyetje retorike? Çfarë informacioni plotësues ju jep ajo për gjithë romanin? 15. Kthehuni te fraza: Ata janë mospërfillës për atë që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë Qyprillinjtë për tërë shtetin e madh, në gjirin e të cilit Shqipëria s'është veçse një pjesë. 16. Evidentoni antoniminë kontekstuale. Cilën përmasë të shqiptarëve shpreh ajo? Si vjen imazhi i tyre te ju si lexues përmes kësaj antonimie? Lidheni përgjigjen me fjalën e njërit prej protagonistëve: Ata e kanë të vështirë të kuptojnë përmasat perandorake të familjes sonë. A zhvleftësohet kjo thënie e tij pas nëntekstit kuptimor që përcjell antonimia?

Nga teksti te gjuha në përdorim

17. Në hyrje të fragmentit ndeshim frazën me dykuptimësi: U kuptua menjëherë që ajo “si” do të thoshte: “Ç’t’u kujtua një gjë e tillë? Ç’është ky trill i ri?”. Vendoseni frazën brenda kontekstit. Çfarë informacioni ju jep ajo për Kurtin? Po për marrëdhëniet e Qyprillinjve me Shqipërinë e largët, ish-vendin e tyre? 18. Në gjuhën e konsullit austriak vendoset kjo thënie: Ju Qyprillinjtë jeni sot familja e vetme aristokrate në Europë dhe, me siguri, në botë, që keni një epos. Dy fjalët që i japin kuptim jo vetëm fjalisë, por edhe krejt fragmentit, janë aristokratë dhe epos. Si e plotësojnë njëri-tjetrin kuptimet që marrin këto dy fjalë në këtë përdorim? A janë të barasvlershme ato nga pesha kuptimore, apo krijojnë marrëdhënie varësie? Argumentoni mendimin tuaj me të dhëna nga teksti.

19. Përfytyrimi që sjell fraza: “Në fillim e kishte përfytyruar eposin si një gjësend të gjatë, midis dragoit dhe gjarprit, që rrinte larg në ca male me dëborë dhe në trupin e të cilit, si në trupin e qenieve përrallore, ishte ndryrë fati i familjes.”, luan me imazhin e së jashtëzakonshmes, i pranueshëm për botën e fëmijës. “Mirëpo, duke u rritur, dalëngadalë e kishte kuptuar, ndonëse jo fort qartë, se ç’ishte ky epos”, thotë rrëfyesi, pa e treguar përfytyrimin. Nëse do të ishit Mark-Alemi, si do ta ndërtonit ju imazhin e eposit, si i rritur? Cilat ndërtime gjuhësore do t’ju ndihmonin në përfytyrim? 20. Kur përshkruan eposin e kënduar nga boshnjakët, rrëfyesi thotë se ai shoqërohej nga “një vegël muzikore që nxirrte një zë tejet të pikëllueshëm.” Ndaluni tek inversioni. Si arrin kjo strukturë sintaksore të japë pikëllimin e vetë fatit të Qyprillinjve? Pse boshnjakët i japin këto ngjyra këtij eposi dhe kësaj melodie? A lidhet kjo me pozicionin e vetë boshnjakëve brenda Perandorisë

Osmane? A ka pika takimi mes tyre? 21. Në dialogun që bëhet mes kushërinjve, diskutohet mbi sjelljen e shqiptarëve në Shqipërinë e largët: ata heshtin. Ka disa shpjegime mes tyre për heshtjen e shqiptarëve, dikush e quan qortim, dikush të kuptueshëm, dikush keqkuptim. Ndaluni te konteksti. Cili nga variantet ju duket i pranueshëm? Pse?

Nga teksti te reflektimi

22. Në fragment, mbiemri Qyprilliu ndeshet shumë shpesh dhe në të gjitha rasat. Gjatë këtij lakimi, anëtarësia e pjesëtarëve të familjes humbet dhe mbiemri fiton vlerën e përfaqësimit të çdo pjesëtari të saj. Analizoni këtë tkurrje të identitetit të çdo anëtari dhe përcaktoni vlerën përfaqësuese të mbiemrit. A duket sikur ky përfaqësim shkon përtej një familjeje? Argumentoni përgjigjen tuaj me të dhëna nga teksti. 23. Pse një popull si boshnjakët ndien nevojën të këndojë epos për një familje shqiptare? Kur ndërtohen eposet? Si është lidhja e tyre me historinë? 24. Pas ikjes së boshnjakëve, në familje mbretëron një situatë fare e pakëndshme: “Pastaj rapsodët merrnin shpërblimin e zakonshëm dhe iknin, duke lënë pas vetes një ndjesi zbrazëtie, që për disa ditë rresht shkaktonte te të zotët e shtëpisë ca psherëtima pa shkak, të ngjashme me ato që shkaktojnë ikjet e stinëve.” Nga vjen kjo gjendje? A gjeni nota malli e trishtimi? Si lidhet kjo me ikjen e stinëve? 25. Në fragment mësojmë për një Sulltan që godet familjen e Qyprillinjve për shkak të eposit.

Mendoni që kjo epërsi e Qyprillinjve e tremb Sulltanin? Duke u nisur nga ky fakt, flisni për fuqinë e artit. Lidheni fjalën tuaj me ndikimin e artit në ndryshimet e mëdha sociale. 26. Fragmenti dhe tërë romani është i vendosur në kohën e Perandorisë Osmane, por ka një nëntekst të fuqishëm që e lidh me diktaturën në përgjithësi dhe me diktaturën në Shqipërinë komuniste, në veçanti. Edhe ky fragment përçon një frikë të nëndheshme që rrëfen atmosferën në një diktaturë. Si ndikon frika tek aktorët e një diktature: te diktatori, mbështetësit e tij dhe te populli. A ka jehonë aktuale kjo vepër? Argumentoni me fakte nga realiteti i sotëm në botë.

Nga teksti te të shkruarit

27. Kërkoni në internet mbi eposin Nibelungen të gjermanëve. Krahasojeni atë me eposin tonë.

Shkruani takimet dhe dallimet mes tyre. A kishte pasur të drejtë ambasadori austriak, që përmendet në fragment? 28. Vizitoni ose kërkoni informacion mbi muzeun “Shtëpia e gjetheve” në Tiranë. Merrni të dhëna mbi kontrollin që diktatura komuniste ushtronte mbi njerëzit dhe pasojat e këtij kontrolli. Me këto të dhëna, shkruani një punim ku të zbërtheni alegorinë e romanit.

This article is from: