
6 minute read
Sabri Hamiti
Letërsi Sabri Hamiti
Sabri Hamiti është studiues i letërsisë dhe kritik letrar, por edhe poet, dramaturg e romancier. Është autor i më shumë se 40 veprave studimore, letrare. Disa nga veprat poetike të Hamitit janë: “Njeriu vdes i ri” (1972), “Faqe e fund” (1973), “Thikë harrimi” (1975), “Trungu ilir” (1979), “Leja e njohtimit” (1985), “Kaosmos” (1990), “ABC, Abetare për fëmijë të rritur” (1994), “Melankolia” (1999), “Sympathia” (2004), “Lulet e egra” (2006), “Litota” (2007), “Kukuta e Sokratit” (2018). Në letërsinë e vet dhe në shkrimet për letërsinë, Sabri Hamiti dëshmon fuqinë shprehëse, njohjen e thellë të shqipes dhe erudicionin e tij të madh dhe mjeshtërinë formale. Sabri Hamiti ia del ta kondensojë realitetin në një poezi, në një strofë, në një frazë e madje në një fjalë të vetme. Si lëndë të parë të poezisë së vet ka botën shqiptare dhe traditën shkrimore shqipe, por me mjeshtëri arrin ta kapërcejë traditën dhe t’i japë vargut dhe mendimit të vet frymë moderne. Sipas studiuesve, Sabri Hamiti nuk i nënshtrohet një teorie ose metode studimi fikse, ndonëse i ka studiuar ato rrënjësisht dhe i njeh mjaft mirë. Nëse ka një metodë a një stil të caktuar që ai ndjek, bëhet fjalë për metodën dhe stilin e tij kryekëput individual. Hamiti ka një ndjeshmëri të skajshme ndaj gjuhës amtare, për të cilën do të shprehej: “Shkruaj shqip dhe vetëm shqipja është gjuha ime e letërsisë, gjuha ime amtare. Po gjuha ime e lirikës është gjuha e Nanës dhe gjuha ime. Kam parasysh fjalën, zërin, gjuhën e gjallë, theksimin. Këto janë elemente identitare që trashëgohen dhe kurrë nuk mund të mësohen. Kjo do të thotë që lirika nuk qenka fantazi, por më përpara dëshmi për jetën, duke e përkthyer mendimin e ndjenjën në figurë të gjuhës”. Diku tjetër, duke shpjeguar lidhjen e tij me shqipen dhe me domosdoshmërinë që ka ai vetë për t’u marrë me letërsi. Hamiti thotë: “E kam provuar dashurinë paskajore me shqipen, për ta shpëtuar vetveten, për të mos dalë nga vetvetja, duke e kërkuar Shqipërinë e përhershme dhe duke jetuar në Shqipërinë e përkohshme. Letërsia për mua është shpëtim më shumë se mbrojtje, më shumë se njohje, faktikisht ekzistencë”.
Advertisement
S. Hamiti
ILUSTRIM LETRAR
Paskajore
(Dashunia paskajore me shqipen)
Kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes Sepse unë nuk due të vdes por kam me vdekë Ti nuk je gjuha ime as e Nanës as e Babës tim Ti je frymë zemra ime ti je shpirti im Me shkue me shkue krejt njisoj asht me shkue Në Prizren me shkue a me shkue në Shkodër Me shkue në Durrës a në Tiranë me shkue Në Vlorë me shkue a me shkue në Korçë Me shkue në Elbasan a në Shkup me shkue Me shkue do me thanë me vdekë pak nga pak E me mbetë çka do të thotë me mbetë përjetë
Ti nuk njeh asnji kohë ti nuk njeh asnji vetë Të gjitha i ke me vete të gjitha i mban në gji Paanësi je pafundësi ti je përjetësi Kur nisem a kur mbetem mos thuej prit a ik Me shkue a me mbetë asht nji infinit Me pasë gjithë kohën me pasë gjithë hapësinë Me e rrokë Kosmosin si me e puthë shtëpinë Kur të ndajnë në kohë të copëtojnë në veta Zemra mue më grihet gjaku pik ndër fleta Kam me të dashtë ty si e due Vetëveten Se në thellësinë tande e gjej të vërtetën E di se me mendue asht nevojë njerëzore Po me dashunue asht domosdo jetësore Se jeta e njeriu i donë të gjitha a hiç Kam pa një copë që tue vajtue vdiq Me u ngutë si lumi e me u derdhë në det Çka me i thanë Babës a Nanës së shkretë Me dashtë a me shkue me mbetë a me vdekë Kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes Sepse unë nuk due të vdes por kam me vdekë.

Korça
STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Si mendoni, përse autori zgjedh t’i vërë edhe një nëntitull poezisë së tij “Paskajore”? 2. Përse përmenden qytetet shqiptare në poezi? Pse poeti mendon se është njësoj si të shkosh te njëri dhe te tjetri qytet? 3. Lidhja që poeti shprehet se ka me gjuhën është thjesht lidhje trashëgimie familjare apo diçka më shumë? Ilustroni përgjigjen tuaj me vargje nga poezia. 4. Çfarë është e domosdoshme në jetë sipas poetit? 5. Si lidhet kuptimi i kësaj poezie me qëndrimin e Sabri Hamitit për standardin dhe gegërishten?
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Gjeni të gjitha foljet në formën paskajore në poezi. Ka më shumë folje që shprehin veprim apo gjendje? 7. Gjeni në poezi vargjet që shprehin kontrast mes imazheve. 8. Poezia në pjesën më të madhe nuk përmban lidhëza dhe një figurë e sintaksës poetike është asindeti. Çfarë efekti mendoni se krijon diçka e tillë në ritmin poetik? 9. Gjeni vargjet ku poeti paralelizon pashmangshmërinë e dashurisë për gjuhën me pashmangshmërinë e vdekjes. 10. Diskutoni për sintaksën poetike dhe ndërtimin e vargjeve të kësaj poezie.
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Vargjet “Me pasë gjithë kohën me pasë gjithë hapësinë / Me e rrokë Kosmosin si me e puthë shtëpinë”: mund të interpretohen si dëshira të parealizuara të poetit; tregojnë se falë gjuhës mund të përkapësh kuptimin e botës dhe të jetës; tregojnë se gjuha të mundëson lidhjen me gjithë universin; tjetër._______________________________________________________________ 12. Gjeni fjalë që shprehin dimensione kohore dhe fizike të pakufizuara. Interpretoni përdorimin e tyre në këtë poezi. 13. Gjeni në poezi fjalë të leksikut dashuror, që zakonisht të dashuruarit i përdorin për të shprehur dashurinë e tyre. 14. Çfarë na bën të kuptojmë për raportin mes poetit dhe gjuhës përdorimi i fjalëve të leksikut dashuror? 15. Gjeni fjalë dhe shprehje që shënjojnë botën shpirtërore dhe kulturore shqiptare.
Nga teksti te përdorimi
16. Gjeni një pyetjeje retorike në poezi dhe thoni nëse përdorimi i saj i jep poezisë efekt më të fuqishëm, më emocional apo më ankestar? 17. Gjeni në tekstin e poezisë, fjalë dhe forma që janë tipike për variantin gjuhësor geg dhe argumentoni a mund të zëvendësohen me forma të gjuhës standarde. 18. Nëse po, a do të mpakej efekti ritmik dhe kuptimor i vargjeve? 19. Në poezi, vargjet “Me shkue do me thanë me vdekë pak nga pak / E me mbetë çka do të thotë me mbetë përjetë dhe Me dashtë a me shkue me mbetë a me vdekë”, përdoren për të shprehur: dilemën jetësore të poetit për kuptimin e jetës; përsiatjen e poetit në përpjekje për të kuptuar a ka kuptim përjetësia; pashmangshmërinë e vdekjes; motive të tjera. ______________________________________________________ 20. Gjeni raste të inversionit dhe thoni si përdoret ai në funksion të rimave të brendshme dhe të jashtme poetike.
Nga teksti te reflektimi
21. Filozofi gjerman Martin Haidegger shprehet se “Gjuha është shtëpia e qenies”. Gjeni ku shfaqet kjo ide në vargjet e poezisë së Sabri Hamitit. 22. Gjeni dhe komentoni vargjet që sugjerojnë se gjuha është në funksion të aktit të krijimit dhe esencë e letërsisë, e artit. 23. Kujtoni dilemën shekspiriane “të jesh a të mos jesh” dhe gjeni e komentoni vargje të poezisë që flasin për të njëjtën dilemë. 24. Çfarë është gjuha amtare për ju? Dëgjoni dhe reflektoni rreth qëndrimeve të njëri-tjetrit. 25. Diskutoni rreth qëndrimeve kryesore që mbahen sot në lidhje me gjuhën standarde.
Nga teksti te të shkruarit
26. Komentoni me shkrim poezinë “Paskajore” të Sabri Hamitit.