22 minute read

Zhvillime letrare shqipe

Letërsi Zhvillime letrare shqipe

Zhvillimet letrare të gjysmës së dytë të shek. XX janë ndarë nga studiuesit në disa periudha. Ndër to, periudha e parë përbën dallimin kryesor me periudhat e tjera. Ajo është përcaktuar nga viti ‘45 deri në vitet ‘60. Me të drejtë, disa nga studiuesit e kanë quajtur periudhë shterpë në letërsinë shqipe. Ky pohim vërtetohet lehtë, po të kemi parasysh letërsinë pararendëse, të përfaqësuar nga emra mjaft të afirmuar dhe një pjesë e tyre mjaft koherentë në imazhe dhe stil me letërsinë e huaj (Koliqi, Migjeni, Lasgushi, Kuteli etj.). Kështu që para viteve ’50, në Shqipëri u kodifikua letërsia e realizmit socialist (ose socrealizmi), e cila e shikonte letërsinë në funksion të militantizmit politik, për t’i shërbyer ideologjisë së sistemit të instaluar pas ‘45-s në Shqipëri. Kjo lloj letërsie paraqitej e skematizuar brenda kornizave të caktuara ideologjike (duhej të trajtoheshin tematika që lidheshin me ideologjinë e kohës, personazhet duhej të kishin tipare përfaqësuese të moralit e ideologjisë së partisë, teksti ishte i mbushur me steriotipe-parullë për të ngulitur ideologjinë etj.). Një situatë e tillë, në Shqipëri zgjati përafërsisht deri në vitet ‘60. Duhet thënë se në Kosovë, pavarësisht zhvillimeve të ngjashme politike, asnjëherë nuk u realizua një izolim i plotë dhe një skematizim estetik ekstrem si në Shqipëri. Po kështu, nuk u ndërpre lidhja me traditën letrare. Një rol mjaft të rëndësishëm në promovimin e veprave dhe autorëve kanë “Jeta e re” (revistë, 1949) dhe “Rilindja” (gazetë, 1945). Duhet shtuar se edhe hapja ndaj letërsisë amë (të Shqipërisë) dhe asaj të huaj, në Kosovë filloi shumë më përpara se në Shqipëri, rreth viteve ‘70. Një fakt i tillë shpjegon teknikat mjaft moderne të përdorura që herët nga autorët kosovarë. Në vijim po japim tiparet dhe përfaqësuesit e këtyre zhvillimeve në Shqipëri dhe Kosovë.

Advertisement

Gjigandi metalurgjik, Isuf Sulovari (1974)

Zhvillimet letrare në Shqipëri

Zhvillimet letrare pas Luftës II Botërore në Shqipëri, siç thamë, u krijuan në kuadrin e një shkëputjeje pothuajse të plotë nga tradita dhe shembujt e saj të shkëlqyer, si dhe nga zhvillimet koherente europiane dhe botërore. Një gjë e tillë nuk u shpall hapur, por në emër të pastërtisë ideologjike, reduktohej dukshëm marrëdhënia me përvojat e tjera të së kaluarës, kurse në emër të vazhdimësisë së marrëdhënieve me përvojat e tjera, ndërpritej komunikimi intensiv me të kaluarën autoktone, pra traditën. Në këtë kontekst, deri në vitet ‘90, u ndaluan në mënyrë të dhunshme Gjergj Fishta, Ernest Koliqi etj. Kurse Naimi, Çajupi, Migjeni u botuan qysh në fillim në “letërsinë e re”, megjithëse veprat e tyre u censuruan, nuk u botuan të plota, por me shkurtime. Noli, Mjedja e Asdreni iu shtuan pak më vonë kësaj letërsie, por duke u mohuar një pjesë të letërsisë së tyre deri vonë. Ali Asllani, Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli, që nuk e lëvruan menjëherë (në fakt, asnjëherë) “estetikën e letërsisë së re”, praktikisht mbetën të mënjanuar, megjithëse nuk u ndaluan kategorikisht.

Promovuesit “e letërsisë së re” të realizmit socialist ishin: Dhimitër Shuteriqi, Shefqet Musaraj, Andrea Varfi, Kolë Jakova, Aleks Çaçi, Mark Gurakuqi, Fatmir Gjata, Llazar Siliqi etj. Në këtë kohë, në letërsi vihen re tonet mohuese ndaj së shkuarës, si dhe tonet patetike dhe demagogjike, njëkohësisht, për të renë revolucionare. Ndryshimi që u planifikua të kryhej në realitet kishte në bazë dhunën, e cila reflektohej edhe në letërsi: “Ta çojmë grushtin! Minat botës vjetër! / Se ne do të farkojmë përmbi dhe / një botë më të mirë: botën tjetër!” (Andrea Varfi). Në periudhat në vijim dhe veçanërisht pas viteve ‘60 nisi edhe njëfarë debati në lidhje me estetikën që promovohej. Zanafillën mund ta shohim te ndonjë shkrim i Drago Siliqit, mes viteve ‘50, i cili ankohej për skematizmin (rregullat e ngurta për të gjithë shkrimtarët, duke krijuar një skemë të përbashkët krijimi) në letërsi (“Për unin tim dhe tëndin” apo “Shënime letrare”, 1955). Aktiv shfaqet në këtë kohë Dritëro Agolli, i cili debatonte me Mark Gurakuqin, në lidhje me uniformitetin (të njëjtat tematika dhe thuajse i njëjti stil) në poezi, duke e kundërshtuar atë (“Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, Arti dhe koha). Agolli i përket atij grupi shkrimtarësh, të cilët megjithëse kanë shkruar edhe në kornizat e realizmit socialist, përsëri kanë ditur të gjejnë mënyra trajtimi si në aspektin stilistik, ashtu dhe në atë tematik, që të dalin nga kuadri i kësaj letërsie. Megjithatë duhet thënë se në veprën e tij gjen vargje tipike të letërsisë së realizmit socialist, si këto: Ne komunistët vramë lubinë që sillte skamjen prej / kobi / Dhe thyem zgjedhën e punës dhe zgjedhën e krahut (“Nënë Shqipëri”, 1974). Në këtë kontekst janë edhe poezi të caktuara të Ismail Kadaresë (“Shqiponjat fluturojnë vetëm lart”), Bardhyl Londos (“Ti je zemra Parti”), Fatos Arapit (“Alarme të përgjakura”), Xhevahir Spahiut (“Ditëlindja e madhe”) etj. I përmendëm këta emra mjaft të njohur si përfaqësuesit më të mirë të letërsisë sonë, për t’ju kujtuar që shumica prej tyre ishin të detyruar të bënin edhe vepra të tilla, për arsye të mbijetesës së tyre fizike e profesionale. Shumë kolegë të tjerë të tyre që nuk e bënë këtë, u vranë, u persekutuan ose u izoluan fizikisht e profesionalisht. Kështu, përmendim rastin e Genc Lekës, Vilson Blloshmit, Havzi Nelës, që u pushkatuan për hir të poezisë që shkruanin. Zef Zorba u burgos dhe nuk u lejua të botonte asgjë gjatë viteve të diktaturës. Po kështu, Frederik Rreshpja e Kasëm Trebeshina u burgosën dhe u persekutuan. Gjithsesi, ashtu siç pohojnë edhe studiuesit, shkrimtarët tanë më të mirë, pavarësisht represionit të pashoq, u munduan në mënyrat e tyre origjinale për të gjetur teknika dhe motive që dilnin jashtë kuadrit të kornizave të socrealizmit. Kështu, Dritëro Agolli filloi të eksperimentonte me figurën e heroit lirik (realizmin lirik, siç njihet ndryshe). Vihet re edhe nga titujt që në këto poezi kemi afrim drejt individit, aspektit personal të tij, metafora është më shprehëse dhe e paideologjizuar, ka një frymë rinore e moderniteti në krahasim me kohën (“Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuaresh”, “Mesditë”, “Fjala gdhend gurin” etj.). I tillë jam.

Lulet e jetës, Jorgji Gjikopulli 1970

Dua t’udhëtoj përhera, T’udhëtoj me gazetën në xhepa, Me fletore shënimesh, me dhjetë cigare “Riviera” Brigjeve me pisha, lugjeve me plepa.

(1979) Mjaft i dallueshëm në këto vepra është motivi i udhëtimit, që gjendet në disa poezi të tij, si një mundësi eksplorimi e heroit lirik të tij. Nuk mund të lëmë pa përmendur satirën e parodinë e hollë, të ndërtuar në linja e personazhe të tipizuara të kohës që, me një humor të ngritur mbi bazën e ndërthurjes së regjistrave të ndryshëm që nuk përputhen me brendinë e asaj që thuhet, stigmatizon pjesë të caktuara të shoqërisë së kohës. (Qose: njeri që nuk ka provuar gëzimin e aktit të të rruarit. - “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”). Natyrisht, pas viteve ‘90, poezia e tij shpërthen në ndërtim, në metrikë, në muzikë, në motive. Ismail Kadare përbën rastin klasik të një mjeshtri të stilit, i cili arriti që edhe në diktaturë të bënte letërsi të një niveli shumë të lartë, duke shfrytëzuar historinë, folklorin, mitin etj., në funksion të teksteve të tij alegorike, nëpërmjet të cilave stigmatizohej regjimi dhe përfaqësuesit e tij. Po kështu, Frederik Reshpja, në 1973-shin, trajton kodet e nderit të shqiptarit (në këtë rast, atë të qëndresës), duke i konceptuar si mite: Nga mitet që populli im ka krijuar / E ka rikrijuar nëpër shekuj / më i bukuri dhe më aktuali / Miti i qëndresës. Fatos Arapi gjithashtu është një shkrimtar që qysh në periudhën e parë të socrealizmit, filloi të dilte jashtë estetikës së kësaj të fundit. Kështu, ai dhe disa shkrimtarë të tjerë, si Bilal Xhaferri, Kadare etj., filluan të përpunonin krahasimin. Tek Arapi, gjysmëhëna e ngrënë krahasohet me një fjalë të thënë përgjysmë, kurse minareje e vjetër, me një mendim turk etj. Në këtë mënyrë, ai shtron udhën e tij në përftimin e metaforës dhe simbolit të ngritur me këto imazhe, që nuk ishin të zakonshme (po të kemi parasysh krahasimin e thjeshtë e jo të zgjeruar me lidhëzën si). Bilal Xhaferri i përket grupit të shkrimtarëve që u persekutuan. Në tekstet e tij, stina e vjeshtës përqaset me një gjyshe të plakur, por të dashur, kurse hëna e Çamërisë së masakruar, me një dele të ndarë nga kopeja. Në këtë mënyrë, ata ulën tonet euforike-demagogjike, duke e drejtuar vëmendjen drejt jetës së zakonshme, jetës së fshatit a qytetit, intimes etj. Madje, në periudhën në vijim, pati edhe një prirje drejt kontrastit: “Toka ime - e ashpra e buta” (Fatos Arapi). Vihet re antiteza me alternim diametralisht të kundërt “e ashpra - e buta”. Gjithashtu, autorët filluan të vinin në punë personifikimin, që mishërohet edhe në metaforë, edhe në krahasim etj. Kjo gjë i ndihmonte ata të fshihnin pjesët e ndryshme të poetikës ndryshe (“U enda porsi ujk / dhe mbeta i pazbutur / ujk përjetë...”, Bilal Xhaferri). Duhet theksuar se ndikim mjaft negativ në konceptimin e krijimtarisë artistike pati edhe vënia e standardit (gjuhës letrare) si variant i detyrueshëm edhe në gjuhën e letërsisë. Kjo dëshmohet lehtësisht nga emërtimi që ka pasur gjerësisht në atë kohë: gjuhë letrare. Kështu, në mënyrë të qëllimshme, u ndërhy edhe në aktin krejt personal, individual, subjektiv, siç është procesi krijues. Kjo natyrisht ndikoi edhe në origjinalitetin e ndërtimit, melodisë, ritmeve etj. dhe në unifikimin e shprehjes.

Dritëro Agolli

Verifikoni njohuritë

1. Letërsia pas Luftës së Dytë Botërore është emërtuar nga kritika si periudha e shkretëtirës letrare. Pse është emërtuar kështu dhe çfarë ndikimi pati realizmi socialist si doktrinë në këtë lloj letërsie? 2. Shkëputja nga tradita dhe nga kontaktet me letërsinë e huaj u realizuan duke përdorur argumente në pamje të parë joideologjike. Cilat ishin këto argumente dhe çfarë qëndrimi u mbajt në lidhje me shkrimtarë të traditës? 3. Estetika e socrealizmit pati parimet e veta me të cilat kërkonte uniformitetin edhe në letërsi.

Cilat ishin këto parime dhe hartuesit e tyre? 4. Pavarësisht uniformitetit që kërkonte të vinte edhe në letërsi estetika e socrealizmit, shkrimtarë të caktuar patën guximin të debatonin në lidhje me këto kërkesa edhe në mënyrë të hapur.

Cilët ishin këta? A e lëvruan gjithsesi një pjesë e mirë e shkrimtarëve të njohur këtë lloj letërsie dhe pse e bënë këtë gjë? Ilustroni me shembuj nga teksti. 5. Dritëro Agolli është nja ata intelektualë që pati kurajën të debatonte në mënyrë të hapur me

Mark Gurakuqin, në lidhje me uniformitetin që kërkohej edhe në letërsi. Si filloi ta shmangte ai këtë në veprën e tij? Jepni shembuj të heroit të tij lirik dhe motiveve larg toneve ulëritëse, brohoritëse të socrealizmit. 6. Shmangia nga uniformiteti kishte edhe prirje estetike të mirëfillta. Dalloni si filloi të përpunohej krahasimi i thjeshtë drejt atij më të ndërlikuar. Ilustroni me shembuj këtë proces. Edhe kontrasti, si një figurë e përdorur në letërsinë e socrealizmit, tashmë filloi të përpunohej. Jepni shembuj.

Ushtroni mendimin kritik

7. Në mësim u theksua se letërsia e pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, në mënyrë të qëllimshme u shkëput nga tradita letrare pararendëse dhe nga ajo e huaj. A mendoni se një gjë e tillë ndodhi vërtet, duke pasur parasysh edhe faktin se interteksti i paqëllimshëm (që ka të bëjë me ndikimet e folklorit, letërsisë së kultivuar, teksteve fetare etj. te çdo individ) është i pashmangshëm? Diskutoni në lidhje me ndikimet tuaja në të folmen dhe formimin tuaj nga familja, fshati, qyteti nga vini. 8. Më lart u dhanë në mënyrë të shkurtuar tiparet e letërsisë së realizmit socialist. Përcaktimi i kornizave të tilla kufizonte mundësitë e shprehjes dhe eksperimentimit stilistik. Pse mendoni se ndodhte kështu? Diskutoni në klasë në lidhje me këtë. 9. Në mësim u përmendën disa shkrimtarë shqiptarë që kanë lëvruar modelin e letërsisë së realizmit socialist për arsye të shmangies së persekutimit. Nga ana tjetër, ata arritën që edhe në atë kohë të realizonin vepra jashtë kësaj letërsie. A duhen gjykuar ata për nënshtrimin ndaj diktaturës me disa vepra? Diskutoni në klasë në lidhje me këtë fakt. 10. Një pjesë shkrimtarësh nuk e pranuan në mënyrë të hapur letërsinë e realizmit socialist. Ata u persekutuan dhe disa prej tyre edhe u vranë. Si mendoni, çfarë tregon ky veprim i tyre?

Intelektualët e vërtetë janë konformistë apo antikonformistë? Diskutoni në klasë. 11. Vënia e standardit si një variant i detyrueshëm edhe për gjuhën e letërsisë ishte një veprim që gjithashtu ndikoi në uniformitetin letrar të veprave të kohës, duke shmangur origjinalitetin, individualitetin, si elementet kryesore të një krijimi letrar. Duke pasur parasysh procesin tërësisht individual të një krijimi letrar, ilustroni me shembuj nga përvojat tuaj krijuese. Po ju, si ndiheni kur shkruani një ese, ose një tekst që nuk e ka të detyrueshëm standardin dhe vini re që në vlerësim i janë referuar pikërisht atij?

Letërsi Shkrimtarët e diasporës dhe letërsia arbëreshe

Përveç veprimtarisë letrare të krijuar brenda kufijve të Shqipërisë (dhe të Kosovës, për të cilën do të flasim më poshtë), letërsia e pas Luftës së Dytë Botërore përfshin edhe krijimtarinë letrare të zhvilluar në diasporë. Ajo lidhet me emra mjaft të njohur, si Martin Camaj, Arshi Pipa etj. Këta ishin shkrimtarë, të cilët, për arsye të persekutimit të diktaturës, u larguan nga Shqipëria pas vitit 1945. Duhet thënë se këta shkrimtarë e patën më të lehtë deri diku realizimin e origjinalitetit të tyre krijues, pasi nuk qenë të kufizuar nga skematizmi i asnjë lloj ideologjie (të paktën nuk iu imponua). Në këtë mënyrë, ata eksperimentuan dhe sollën stilin e tyre origjinal të ndikuar edhe nga letërsia bashkëkohore. Pavarësisht eksperimentimeve, ata nuk u shkëputën plotësisht nga motivet që lidheshin me vendin e tyre. Dikush nëpërmjet mallit dhe adhurimit për vendin nga ishin larguar prej shekujsh (shkrimtarët arbëreshë) e dikush përmes mallit përvëlues për familjen e vendin nga ishin larguar e, njëkohësisht, dëshmimit të sakrificave të kaluara në të (jo si pamflet politik, por nëpërmjet sublimimit poetik të teksteve të tyre). Po përmendim Arshi Pipën dhe “Librin e burgut”, që është një dëshmi e gjallë e torturave personale dhe kolektive të të burgosurve politikë (e jo vetëm). Në fakt, ky grup intelektualësh nuk ishin vetëm shkrimtarë, po ishin njerëz të formuar në disa nivele. Kështu, Camaj ishte gjuhëtar i mirëfilltë; Arshi Pipa, kritik, pedagog. Ai ka hartuar një numër të madh kritikash që lidhen me autorë dhe çështje të patrajtuara me objektivitet dhe në mënyrë cilësore nga kritika brenda kufijve. Një vend të veçantë në këtë letërsi zë edhe letërsia arbëreshe, e cila meqenëse kishte krijuar për një kohë të gjatë origjinalitetin e saj, nuk njihet me këtë emër, pra si letërsi diaspore, por si letërsi arbëreshe (Dushko Vetmo, Lluka Perone, Vorea Ujko, Xhuzepe Skiro di Maxho, Kate Cukaro, Agostin Jordani etj.). Shkrimtarët e diasporës sollën larmishmëri jo vetëm në motive, po veçanërisht në stilin që ata përdorën. Me këtë qëllim, ata filluan që në tekstet e tyre të përdornin të folmet arkaike krahinore. Më vonë, ata nisën të përdornin edhe standardin, si një mënyrë për t’u afruar sa më afër me origjinën.

Zhvillimet letrare në Kosovë

Në Kosovë, imponimi politik qe pak më i butë sesa në Shqipëri, pasi ai kishte synim nënshtrimin etnik. Në këtë kontekst, shkrimtarët e asaj kohe e krijuan disidencën e tyre duke trajtuar tematika që lidheshin me represionin ndaj individit dhe etnisë së tij. Duhet të kujtojmë se letërsia e Kosovës nuk kishte pasur atë prurje pararendëse si ajo e Shqipërisë. Nga ata që ishin pjesë e kësaj periudhe, vlen të përmendet Esad Mekuli, i cili kishte shkruar edhe para viteve ‘50. Ai e vazhdoi të shkruarin edhe më pas, duke shpalosur në poezitë e tij dramën tronditëse nën regjimin monarkik të ish-Jugosllavisë. Kjo shihet edhe në përmbledhjen me poezi “Për ty” (1955) dhe tri ciklet e poezive që dalin aty. Ato kanë tituj mjaft domethënës: “Nën hijen e robnisë”; “Flamujt e shpaluem”; “Jeta e re”.

Në poezinë tij të paraluftës, Mekuli ishte inkuadruar plotësisht në tematikat e zakonshme sociale të asaj kohe, të lëvruara nga shkrimtarët shqiptarë të viteve ‘30. Në poezinë e pasluftës, ai bëhet zëri i masës së shtypur shqiptare nën thundrën e regjimit policor jugosllav, duke e vulosur tekstin e tij si një tekst të angazhuar me hallet ekzistenciale e sociale të racës së tij. Me këtë brumë tematik, ai do të përpunojë prirjen dhe afinitetin ndaj lirikës së angazhuar sociale me theksa patriotikë dhe revolucionarë, që do të jetë pjesë e gjithë krijimtarisë së tij (“Për ty”, 1955). Në libra të tjerë, si: “Avsha ada”, “Nga udhëtimet” (Brigjet) etj., vihet re edhe lirika refleksive, intime dhe ajo e peizazhit. Paralelisht me krijimtarinë e Mekulit në poezi, zhvilloi krijimtarinë e tij edhe Hivzi Sulejmani, por tashmë në prozë. Kujtojmë këtu vëllimin me tregime “Era dhe kolona” (1959), novelën “Njerëzit” (1966), “Fëmijët e lumit tim” (1969). Në tregimet dhe romanet e tij, Sulejmani hulumtonte kuptimin e të qenët njeri i vetëdijshëm, siç e thotë tekstualisht te “Fëmijët e lumit tim”: “‘Është vështirë të jesh njeri’, por i bindur, gjithashtu, se në këtë botë, krahas krimbave, lindin edhe burrat”. Studiuesit vënë në dukje se shtyllat kryesore të veprave të Hivzi Sulejmanit janë nëna dhe atdheu. Fillimi i viteve ‘60 shënoi edhe fundin e toneve të entuziazmit patriotik edhe në letërsinë kosovare. Në letërsinë e kësaj kohe e në vijim filluan të zënë vend tonet më të ulura, melankolike, që u dalluan në disa vjersha të Latif Berishës, që në fakt i përkasin gjysmës së dytë të viteve ‘50. Ato marrin trajtë të plotë te vëllimi “Bebzat e mallit” të Enver Gjerqekut (1960). Në gjurmët e këtyre motiveve intime e personale vërshuan edhe një numër jo i vogël shkrimtarësh të tjerë (Fahredin Gunga, Ganimete Nura, Besim Bokshi, Adem Gajtani, Maksut Shehu, Din Mehmeti, Muhamed Kërveshi, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj). Në këtë poezi shfaqen në jo pak raste edhe elemente biografike në trajtën e unit lirik. Parullat e fazës së parë ua lëshojnë vendin pasthirrmave (“Ku ma le moj / Besën -o”, Ali Podrimja, 1959), të cilat disa studiues i kanë parë edhe si ndikim nga folklori. Në poezitë e kësaj periudhe vizatohen imazhet e lustraxhiut, peshkatarit, hamallit, të verbrit, kasapit etj., si reflektim i heqjes dorë nga gjërat e mëdha dhe interesi për njerëzit e thjeshtë, hallet e brengat, tragjikja e jetës së tyre. Në këtë periudhë, edhe fëmijëria është një kënd që hulumtohet me nota intime (Sot kokrrat tua të kuqe / i mbërrij shum lehtë / pse jam ba burrë. / Por shijen e athershme / mollë / s’e ndjej ma kurr!”, “Molla”, Latif Berisha, 1959). Poezia e kësaj periudhe, që më së shumti u konceptua si lirikë subjektive intime, u hapi rrugë shkrimtarëve drejt lirikës refleksive. Kjo e fundit përbën edhe zhvillimet mjaft mbresëlënëse, duke sjellë trajtime e emra që tashmë kanë mbetur në fondin e shkrimtarëve tanë më të mirë. Rast tipik është ai i Azem Shkrelit, krijimtaria e të cilit i reflekton qartë këto evoluime si në tematikë, ashtu dhe në stil. Nga fundi i viteve ‘60 dhe në vijim të viteve ‘70 vihet re një interesim i shkrimtarëve për mitin, historinë, lashtësinë. Ky lloj brumi u përpunua përmes simboleve klasike tradicionale dhe atyre bashkëkohore. Elipsa sintaksore (mungesa e gjymtyrëve) shtoi mundësinë e shumë interpretimeve. Kësaj periudhe i përkasin “Mallkimet e fjetura” (1970) të F. Gungës, “Sampo” (1969) dhe “Torzo” (1971) të A. Podrimjes, “Simfonia e fjalës” (1968), “Balada e fshehur” (1970) dhe “Etje” (1973) të Rrahman Dedajt, “Deti ose poema e shqetësueme” (1968) dhe “Pagëzimet” (1969) të Q. Ujkanit, “Bukuria e zezë” (1968) e B. Musliut, “Mëkatet e Adamit” (1969) të M. Ramadanit etj.

Hivzi Sulejmani

Pothuajse në gjithë poezinë e Kosovës të viteve ’70, vihet re prirja për të përvetësuar përvojën e poezisë moderne. Simboli intensifikohet duke krijuar larmishmëri të madhe dhe duke ndërtuar metafora komplet të ndryshme nga ato të periudhave të tjera. Simbolet antike, biblike, kombëtare (të përrallës) dalin dukshëm në këtë periudhë, madje edhe duke u gërshetuar me njëra-tjetrën. Ato nuk shfaqen vetëm në poezi, por edhe në prozë. Rast tipik është vepra e Anton Pashkut, i cili në tregimet e romanin e tij e ka parim estetik këtë teknikë. Kështu, “Kulla” është simbol i qëndresës njerëzore e familjare, por edhe kombëtare. Po kështu, simboli i gurit, që e gjejmë edhe te Shkreli, Podrimja dhe Dedaj, ka një ngarkesë simbolike të përbërë, pasi ai përfaqëson edhe simbolin e vendlindjes, durimit, qëndresës, varfërisë. Tek Ali Podrimja, guri është simbol i identitetit dhe qëndresës së qenies sonë (Vë veshin në botën tënde të çuditshme / çaste epike / në Erën e kozmetikës, 1976), kurse te Rrahman Dedaj kemi “Koha është shndërruar në gur”: “Guri ia ruan trajtën kohës” (1973). Në jo pak raste, simboli gërshetohet me ironinë. E gjejmë këtë edhe te Podrimja “Gëzimit katër këmbë ia mbaruan” (Karriga). Vihet re se si metafora gërshetohet me ironinë stigmatizuese të karrierizmit. Gërshetimin e simbolit dhe ironisë e gjen edhe te Pashku. Mjaft të përmendim fjalimet e njeriut tek oda vezake, që promovon kozmopolitizmin (politikën kozmike, “Oh”). Vitet ’80 shënojnë një krijimtari letrare të bollshme, në të cilën vihen re autorë që shkruajnë poezi, tregime, drama dhe romane. Prirja kryesore e shkrimtarëve të kësaj kohe ishte eksperimentimi me gjuhës që përdornin. Kritika përmend tre emra, së bashku me veprat e tyre, për të ilustruar këtë eksperimentim me gjuhën: Musa Ramadani, Teki Dervishi, Sabri Hamiti. - Musa Ramadani krijon një poezi fjalëkryq (“Neurosis”, 1973), ku teksti zëvendësohet nga grafika (katër rreshta me shenja si vende bosh për vargje distike, vjen dyvargëshi: Horizontalisht: Bardhësi / Vertikalisht: Bardhësi). - Teki Dervishi sjell asociacione poetike shumë herë të palidhura me njëratjetrën, një teknikë që ka në bazë njëlloj montimi surrealist (Mushkëritë e bardha si filtër në tru / zemra në kokë - në bark sistemi nervor). - Sabri Hamiti në jo pak raste sjell vargje ekstravagante të tilla si këto, që kanë synim parodizimin (talljen) me shenjat e pikësimit: “Ulem në rradhën e trembëdhjetë / PIKË / ulet në radhën e trembëdhjetë / PIKË / thuaj nga shkurtpamësia / PIKËÇUDITËSE / ajo qesh nënqesh buzëqesh / PIKË” (1971).Në vitet e mëvonshme, në jo pak raste u eksperimentua edhe në kuadrin e hermetizmit. Si përfaqësues tipik i saj shihet Beqir Musliu (“Derisa përbirohem nëpër kurthat e padukshme / bie në Magjinë e Dytë që më lidhet për qafe / Për ta ngarkuar në shpinë shinën time shpinë”, “Darka e magjisë”, 1978). Krahas zhvillimeve letrare, në Kosovë ka pasur dhe ka zhvillime mjaft cilësore që lidhen me kritikën. Përmendim këtu disa nga emrat më të njohur: I. Rugova, R. Qosja, S. Hamiti, A. Vinca. Po të kemi parasysh faktin se ka studiues që kritikën e shohin edhe si një akt krijimi, atëherë na lejohet të themi se, në këtë rast, kemi kontribut të dyfishtë të këtyre autorëve. Nëse dy të parët (Rugova dhe Qosja) më së shumti trajtuan një kritikë identifikuese të motiveve, toneve, alternimeve, ose ndryshe një kritikë të kontekstit, Vinca, po veçanërisht Hamiti, përveç kontekstit, u drejtuan drejt analizës së asaj që i kishte munguar kritikës, analizës së tekstit. Në këtë kontekst, ata hartuan monografi dhe artikuj kritikë, më anë të të cilëve drejtuan si lexuesin e zakonshëm, po veçanërisht studiuesin, drejt identifikimit të kohezionit dhe koherencës së tekstit. Kjo ishte dhe mbetet një prirje e munguar dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë për analizimin e vlerësimin e shumë shkrimtarëve, që janë trajtuar në mënyrë sipërfaqësore.

Musa Ramadani

Verifikoni njohuritë

1. Përveç letërsisë së lëvruar në Shqipëri dhe në Kosovë, zhvillimet letrare shqipe patën përfaqësues edhe në diasporë. Dalloni dy grupet dhe emërtimet përkatëse të tyre. Përmendni emrat e autorëve. 2. Kemi theksuar në mësim se zhvillimet letrare në Kosovë, pavarësisht ngjashmërive, patën ndryshime të dukshme me ato të Shqipërisë. Dalloni këto ndryshime në veprën e Esad Mekulit dhe Hivzi Sulejmanit. 4. Në fillim të viteve ‘60, tonet patriotike të poezisë filluan të binin. Përshkruani tonet dhe tematikat që u dalluan në këtë kohë përmes autorëve përfaqësues. 5. Në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ‘70, në letërsinë e Kosovës pati një interesim për mitin, historinë, lashtësinë. Cila qe figura që u intensifikua më së shumti në këtë kontekst?

Ilustroni me shembuj nga autorët e dhënë. 6. Në vitet ‘80 e në vazhdim, në veprat letrare të Kosovës u vu re eksperimentimi me gjuhën. Në cilat zhanre ndodhi kjo? Ilustroni me shembuj të dhënë në mësim.

Ushtroni mendimin kritik

7. Letërsia që u zhvillua jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës përfaqësohet nga letërsia e diasporës (Camaj, Pipa etj.) dhe letërsia arbëreshe. Pse mendoni se u ndanë në dy grupe?

Diskutoni në lidhje me kriteret e përcaktimit të periudhave letrare (kriteri kohor, kriteri hapësinor, kriteri stilistik etj.). 8. Fillesat e letërsisë së pasluftës në Kosovë u shoqëruan me tone patriotike dhe pasqyruan shqetësimet ekzistenciale të individit. A ishte letërsi e angazhuar kjo (pra, letërsi që ngrihej kundër politikave aktuale të kohës, në rastin tonë, represionit serb)? Gjeni shembuj nga vepra të Mekulit, Sulejmanit dhe argumentoni qëndrimin tuaj. 9. Në fillim të viteve ‘60 filluan të uleshin tonet patriotike dhe të shfaqeshin tonet melankolike, autobiografike etj. A mendoni se ky lloj tonaliteti u lejonte të afroheshin më shume me qenien dhe botën e brendshme? Nëse po, ilustroni me shembuj nga veprat e autorëve përfaqësues. 10. Në vitet ‘80, letërsia kosovare filloi të shfrytëzonte historinë, folklorin, mitin. Simboli është figura që u përdor më së shumti. Pse nuk u perceptuan këto vepra si letërsi e angazhuar? A lidhej kjo me faktin se simbolika e përdorur nuk interpretohej vetëm në kontekstin kombëtar, por edhe në atë universal? Diskutoni. 11. Në zhvillimet pas viteve ‘80 (po edhe më përpara) u vu re se shkrimtarët filluan eksperimentimin me gjuhën. Nga shembujt e dhënë në mësim, por edhe të tjerë që mund të keni lexuar, a mendoni se këto vepra mund të kuptohen e shijohen nga një lexues i gjerë, apo nga një lexues që ka një formim të mirë gjuhësor, letrar etj. Diskutoni në lidhje me konceptin e veprave “best seller”. (Gjeni debate në internet në lidhje me këtë dhe përdorini për argumentim.)

Sfida e të shkruarit

12. Më sipër mësuat se diktatura është imponuar në të gjitha fushat. Përjashtim nuk ka bërë as letërsia, e cila në thelb është akt krijues personal. Për fat të keq, edhe standardi është përdorur në këtë funksion. Krijoni një tekst letrar të shkruar jo në standard, siç doni vetë, me temë

“Shtëpia ime”. Tekstin e shkruar përshtateni në standard. Cili ju pëlqen më shumë dhe pse?

Diskutoni në klasë.

This article is from: