21 minute read

Letërsia moderne (I

LETËRSIA MODERNE (I) Karakteristikat themelore të letërsisë moderne

Ç'është Modernizmi?

Advertisement

Termi Modernizëm u përdor për të emërtuar një lëvizje kulturore e letrare, që i pati fillesat rreth vitit 1890 dhe arriti kulmin në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX. Pas këtyre viteve, mund të flasim për zhvillimin e një modernizmi të vonë, i cili i pati zgjatimet e veta deri në fund të gjysmës së parë të shekullit XX. Qysh në fillimit e veta, Modernizmi u karakterizua nga prirja drejt eksperimenteve, veçanërisht nga përpunimi i formës dhe ndërgjegjësimi se dija nuk është absolute. Kjo diktoi edhe ndryshime në mënyrën e perceptimit të realitetit dhe konceptimit të shkencës. Po ashtu, zbulimi i dimensionit të kohës si kohë e brendshme nga Bergsoni, eksplorimi i anëve të errëta të pavetëdijes nga Frojdi, përpunimi i teorisë së relativitetit nga Ajnshtajni, ndikuan që koncepte të tilla, si: e ardhmja, e shkuara dhe e tashmja, hapësira dhe koha, shkaku dhe pasoja, vetëdija dhe pavetëdija, të mos konsiderohen më si të dhëna absolute, por relative. Nga ana tjetër, zhvillimi me ritme të shpejta i teknologjisë dhe ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Parë Botërore bënë që shumë njerëz të vinin në dyshim të ardhmen e njerëzimit. Pyetja se çfarë po ndodhte me botën, do të zgjonte një ndjeshmëri të re me natyrë ekzistencialiste te shkrimtari i epokës moderne.

Në letërsi dhe arte:

Modernizmi, me formën e shfaqjes së tij, është parë si reaksion ndaj metodës së Realizmit dhe Romantizmit dhe si një shkëputje tërësore nga stilet tradicionale që lëvroheshin deri në atë kohë. Modernizmi kërkonte forma të reja shprehjeje dhe ndjeshmëri të re estetike për të shënuar ritmet e reja të zhvillimeve shoqërore e industriale të kohës dhe për të pasqyruar kompleksitetin e jetës moderne urbane. Modernizmi ishte ndërtuar mbi ndjesinë e tëhuajtjes, të vetmisë, larg turmës dhe qytetërimit të zhurmshëm. Ai shoqërohej me një sërë kontradiktash që karakterizonin tipare të ndjeshmërisë moderne, si: tëhuajzimi, vetmia, absurdi, dualiteti, kaotizmi, kontrasti, kundërvënia etj.

Temat dhe motivet kryesore të teksteve moderniste

Tekstet moderniste përshkohen nga idetë e një jete kaotike apo të një bote pa Zot, ku gjithçka është e mundur. Në to ndihet ndikimi i fortë që ushtroi realiteti tronditës i periudhës midis dy luftërave botërore. Këto tekste kanë disa karakteristika.

Ato paraqesin situata absurde, ku përfshihet njeriu, pa ditur si të dalë. Njeriu, të cilin e akuzojnë për kryerjen e një krimi, që as nuk e di se e ka bërë dhe as nuk e sqarojnë se çfarë ka bërë. Kjo është situata e romanit “Procesi” të Kafkës (Franz Kafka). Personazhi kryesor, Jozef K., nëpunës i zakonshëm banke në një qytet të panjohur, një

mëngjes, teksa zgjohet nga gjumi, e gjen veten në praninë e dy policëve, të cilët e akuzojnë për një krim dhe i përmendin se ka nisur një proces gjyqësor ndaj tij, por pa i treguar as atij, as lexuesit se për ç’krim bëhet fjalë. Gjithë përpjekjet që bën Jozef K., në mënyrë absurde, shkojnë për të përligjur pafajësinë e tij, e jo për të vepruar, në mënyrë që të kundërshtojë fajësinë. (Kur ai ngulmon me fjalë se është i pafajshëm, prifti i përgjigjet: “Por kështu flasin fajtorët”). Jozef K. ekzekutohet pa e mësuar kurrë se për çfarë akuzohej. Po ashtu, te Kafka ndihet motivi i vetmisë së njeriut, që përpëlitet mes ankthit për shpagim dhe mekanizmave absurdë të një shoqërie të prapambetur. Ndihet motivi i refuzimit dhe i përjashtimit të individit nga familja e shoqëria (Këto situata vihen re sidomos te veprat Pikturë e Zh. Brak “Metamorfoza” dhe “Amerika”). Ndihet absurditeti i ekzistencës përballë autoritetit tiranik të pushtetit (të çfarëdolloj forme), që e asgjëson njeriun pa asnjë arsye. Në tekstet moderniste vërehet përdorimi i efekteve të kujtesës dhe pavetëdijes për të eksploruar përvojat personale, raportet me kohën, veten, shoqërinë: me rregullat dhe zakonet e saj. Këto efekte shërbejnë edhe për të eksploruar krizat e brendshme, që vijnë nga “dyzimi” i vetes përballë shtrëngesave të shoqërisë.

Kështu, me ciklin e romaneve “Në kërkim të kohës së humbur”, Marsel Prusti (Marcel Proust) orvatet të rikthejë të shkuarën nëpërmjet teknikës së kujtesës së pavullnetshme, e cila bën të mundur kapërcime të mëdha në kohë dhe hapësirë, duke shpërbërë, kësisoj, edhe procedimet e njohura që kishin dyshja kohë – hapësirë në prozën tradicionale. Në këtë cikël romanesh të Prustit vihet re një deformimi i vazhdueshëm i kohës dhe i hapësirës. Në rrëfim u jepet rëndësi ndodhive, që i binden vetëm kohës subjektive, asaj të botës së brendshme dhe psikologjike të personazhit. Kujtesa e pavullnetshme ka të bëjë me eksplorimin e përvojave personale të së shkuarës. Ngacmimet që vënë në punë kujtesën vijnë nga faktorë të ndryshëm. Një ndër ta është edhe raporti që krijojnë shqisat me objekte të caktuara, të cilat përçojnë ndjesi të së kaluarës. Kështu, fillojnë e rishfaqen kujtimet: një kujtim tërheq pas vetes një tjetër, për të krijuar më pas një tablo kujtimesh, nëpërmjet të cilave autori rikthen, me një fuqi mahnitëse e me detaje të imëta, një botë të tërë të jetuar dikur. P.sh., shija e biskotës, të quajtur madëlenë, dhe aroma e çajit ringjallin te personazhi periudhën e fëmijërisë me të gjitha detajet e saj.

Në tekstet moderniste vërehet edhe kërkimi i rregullit e i kuptimit në një botë kaotike e pa kuptim; zëvendësimi i heroit ideal me antiheroin; zëvendësimi i optimizmit me pesimizmin e deri në cinizëm; refuzimi i historisë dhe zëvendësimi i saj me të kaluarën mitike; shtimi i interesit për kulturat primitive.

Tek “Uliksi”, një nga veprat më përfaqësuese të Modernizmit në letërsi, Xhojsi (James Joyce) paraqet një pikëpamje shumë pesimiste për natyrën njerëzore. Blumi, Moli dhe Stefan Dedalusi, personazhet kryesore të veprës, paraqesin modelin tipik të antiheroit. Xhojsi i ka portretizuar si figura satirike, që ilustrojnë më së miri degradimin dhe kolapsin e qytetërimit perëndimor. Këto figura të venitura e të vetmuara “përfaqësojnë tkurrjen që pëson heroikja në një realitet të vrazhdë, të rrëmujshëm e pa kuptim, që karakterizon jetën moderne”. Portretin e zvetënimit kulturor dhe shpirtëror të kohës moderne na e përçon edhe poema “Këngë dashurie e Alfred Prufrokut” e poetit Tomas S. Eliot (Thomas Stearns Eliot). Prufroku shënon figurën e antiheroit, e njeriut të paqëllim, të pavendosur, e të frustruar. Ai është protagonisti tipik i modernizmit, që ka humbur besimin në shoqëri, fe dhe mjedisin përreth, ka humbur dinjitetin dhe identitetin para turmës. Ai duket se ka humbur gjithashtu çdo pretendim për veprim heroik. Poezia e Eliotit është një analizë e shqetësimit dhe dyshimit që ka mbërthyer njeriun modern, i cili thuajse e ka humbur ndjenjën e sigurisë te vetja dhe besimin te shoqëria.

Rishikimi i marrëdhënies së tekstit modernist me lexuesin

Siç thamë më lart, tekstet moderniste karakterizohen kryesisht nga refuzimi i traditave mbizotëruese (Romantizmi dhe Realizmi) të shekullit XIX, pra edhe nga refuzimi i marrëdhënies që ishte vendosur (në një konsensus të heshtur) midis autorit dhe lexuesit. Realizmi kishte si shqetësim kryesor anën e paraqitjes së realitetit larg retorikës, duke ngulmuar se imitonte përditshmërinë, ndaj lexuesi gjente vetveten dhe e kishte të lehtë për t’i shkuar deri në fund fabulës, që ishte e strukturuar sipas parimit kronologjik shkak-pasojë. Modernizmi e prishi këtë pritshmëri. Shkrimtarët

modernistë priren ta sfidojnë vazhdimisht lexuesin, duke i ofruar forma e stile komplekse, të vështira për t’u kapur. Në teknikat e shkrimit modern ndihet parapëlqimi për teknikën e pranëvënies dhe të fragmentimit, si dhe të këndvështrimit të shumëfishtë, të dhënë përmes një ndërgjegjeje të veçantë dhe individuale. Kjo gjë e sfidon lexuesin që të rivendosë vetë një koherencë kuptimore në format e fragmentuara. Ndaj, ky lloj shkrimi kërkon tashmë një lexues që nuk dëfrehet, por që është i zoti të vihet në mendime, një lexues të kultivuar.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Çfarë shënjon fjala “modernizëm” në letërsi? Cilët janë faktorët socialë, shkencorë dhe letrarë që ndikuan në lindjen e Modernizmit? 2. Pse Modernizmi u shoqërua me kërkesën për forma të reja shprehjeje? 3. Cilat janë tiparet e ndjeshmërisë moderne? Përpiquni të gjeni tipare të tjera (përveç atyre që janë dhënë në tekst) nga librat që keni lexuar apo nga literaturat që mund të shfletoni. 4. Plotësoni tabelën sipas kërkesave: Tiparet e stilit modernist Stili romantik Stili realist Dallimet mes tyre

5. Cilat janë disa nga temat kryesore të shkrimit modernist? Gjeni tema të tjera. 6. Pse tekstet moderniste kërkojnë një lexues të kultivuar, “që të jetë i zoti të vihet në mendime”? 7. Çfarë kuptimi kanë për ju fjalët: tëhuajzim, vetmi, absurd, dualitet?

Ushtroni mendimin kritik

8. Diskutoni mbi tezën: “Tekstet moderniste përshkohen nga idetë e një jete kaotike apo të një bote pa Zot, ku gjithçka është e mundur”. Ilustroni mendimin, duke përdorur argumente nga vepra të tjera të Kafkës apo të autorëve të tjerë modernistë që njihni. 9. Siç e kemi cilësuar më lart, kujtesa e pavullnetshme ka të bëjë me eksplorimin e përvojave personale të së shkuarës. A ju ka ndodhur t’ju vijnë ndër mend modele të së shkuarës në mënyrë të pavullnetshme? 10. Ju tashmë njihni cilësitë e heroit ideal dhe antiheroit të modernizmit. Në ç’raporte qëndrojnë ata me njëri-tjetrin?

Sfida e të shkruarit

11. Modernizmi ka ngacmuar shumë shkrimtarë e mendimtarë të shfaqin idetë e tyre mbi vlerat dhe pasurinë që solli kjo rrymë në letërsinë botërore.

Pasi të bëni kërkime mbi këto ide, jepni mendimin tuaj në një ese argumentuese: “Shekulli XX, konteksti i duhur për ardhjen e modernizmit në letërsi dhe art”.

Veçoritë formale të rrëfimit në prozën moderniste

Proza moderniste ka natyrë eksperimentale. Në të ndihet mungesa e rrëfimit kronologjik, sipas parimit tradicional shkak-pasojë dhe, në vend të tij, autorët modernistë përdorin teknikën e rrëfimit të ndërprerë. Kjo teknikë mundëson kalimin nga një nivel rrëfimi në një tjetër e, po ashtu, lejon praninë e një sërë narratorësh të ndryshëm, të cilët realizojnë pikëvështrime të shumëfishta mbi rrëfimin.

Romani “Këlthitja dhe mllefi” i Uilliam Folknerit (William Faulkner) është cilësuar si një nga tekstet më të vështira narrative të modernizmit amerikan. Teksti është i ndarë qartazi në katër pjesë, të cilat strukturojnë katër narrativa të ndryshme dhe kjo për shkak të faktit se ekzistojnë narratorë të ndryshëm në secilën prej tyre: e njëjta seri ngjarjesh apo pasojat e tyre janë prezantuar nga këta narratorë, por lexuesi ka përshtypjen që i tërë teksti është një lloj gjëegjëze dhe “detyra” e tij është të riorganizojë ngjarjet që janë shfaqur këtu në mënyrë të shthurur.

Kur flija me Vardamanin, një herë pata makth kur mendova se isha zgjuar, por s’mund të shihja dhe s’mund të ndieja, s’mund ta ndieja shtratin nën mua dhe s’mund të mendoja se çfarë isha, s’mund të mendoja për emrin tim, s’mund të mendoja madje se jam vajzë, s’mund madje as të mendoja, madje as të mendoj, se dua të zgjohem dhe as nuk kujtoja dot se cila ishte e kundërta e zgjimit, kështu që çfarë mund të bëja ishte se e dija që diçka po më ndodhte, por s’mundja të mendoja dot për kohën dhe papritur e dija që diçka po ndodhte, se era fryu dhe më ktheu prej atje ku nuk po fryja unë në dhomë dhe Vardamani ishte në gjumë dhe të gjitha këto u kthyen përsëri nën mua dhe vazhduan sikur një mëndafsh i freskët rrëshqiste ngadalë nëpër këmbët e mia lakuriq. “Duke dhënë shpirt”, U. Folkner, përktheu G. Zela

Fragment nga filmi me të njëjtin titull

Në prozën moderniste, fillon të zërë vend edhe teknika e vetëreflektimit për aktin e të shkruarit dhe për natyrën e letërsisë.

Novela “Tonio Kregër” e Tomas Manit (Thomas Mann) eksploron problemin e artistit, i cili, në përkushtimin e tij ndaj të shkruarit, detyrohet të privohet nga kënaqësitë e jetës së zakonshme. Tonio përballet vazhdimisht me dyzimet e veta shpirtërore: sakrificën që kërkon arti nga njëra anë dhe plotësimin e kënaqësive personale. Tonios i pëlqen të jetë në shoqërinë e miqve, por natyra artistike nuk e lejon.

Mos më flisni për prirje, Lisaveta Ivanovna! Letërsia s’është prirje, por mallkim, që ta dini. Kur fillon ta nxjerrë kokën ky mallkim? Herët, tmerrësisht herët, në një periudhë të jetës kur duhet të kishim ende të drejtë të jetonim të qetë e në harmoni me Zotin e me Gjithësinë. Filloni ta ndieni veten të veçuar, në kundërshtim me të tjerët dhe i pakuptuar nga ata, nga njerëzit e zakonshëm e për së mbari; humnera e ironisë, e dyshimit, e kontradiktave, e njohjes, e ndjenjave që ju ndan nga njerëzit, thellohet shumë e më shumë, ndiheni i vetmuar, dhe tani s’ka më mundësi marrëveshjeje. Çfarë fati! Sidomos po të supozosh që zemra ju ka mbetur aq e gjallë, dhe aq… dashuruese sa t’ia ndiejë tmerrin... Vetëdija për vlerën tuaj ndizet, sepse e ndieni veten të shënuar në ballë mes një mijë të tjerëve dhe e kuptoni që kjo s’i shpëton kujt. Kam njohur

një aktor gjenial që, në jetën e përditshme, i duhej të luftonte një druajtje e një mungesë vullneti të sëmurë. Ndjenja e theksuar që kishte për vlerën e tij, e bashkuar me faktin se ai s’dinte ç’të paraqiste, ç’rol të luante në jetë, e katandisën ashtu atë artist të përsosur dhe atë njeri të mjerë... Artistin, atë të vërtetin, jo një nga ata për të cilët arti është një mjeshtëri qytetari, por artistin e paracaktuar nga fati dhe të mallkuar, e njeh edhe në mes të një turme, mjaft që ta kesh syrin pak të mprehtë. Në fytyrën e tij lexohet ajo ndjenja që ka si njeri veç të tjerëve, si njeri që s’i përket pjesës tjetër të botës, si njeri i njohur nga të gjithë dhe i vëzhguar nga të gjithë, diçka edhe mbretërore, edhe e sikletshme njëherësh.

“Tonio Kregëri”, T. Mann, përktheu D. Omari

Uliksi i Xhejms Xhoisit, Loui Jover Një teknikë shumë e rëndësishme e që u bë shpejt tipar evidentues i shkrimit modernist është ajo e përroit të ndërgjegjes. Nëpërmjet teknikës së përroit të ndërgjegjes synohet të jepet një ekuivalent tekstual për rrjedhjen e ndërgjegjes së një personazhi fiksional. Nëpërmjet kësaj teknike, të krijohet përshtypja se lexuesi po përgjon rrjedhjen e përvojës së vetëdijshme në mendjen e personazhit. Kjo teknikë vjen nëpërmjet formave të ndryshme stilistike. Rrëfimi ndërtohet nga lloje të ndryshme fjalish, duke përfshirë ligjëratën e zhdrejtë të lirë, që karakterizohet nga kapërcime asociative në sintaksë dhe në shenjat e pikësimit. Pjesë e teknikës së përroit të ndërgjegjes është edhe monologu i brendshëm, i cili paraqet rrjedhat e mendimit të personazheve nëpërmjet ligjërimit të brendshëm,

të heshtur, si një rrjedhë mendimesh të verbalizuara. Monologu i brendshëm zbërthen mendimet e trazuara të personazheve që flasin në heshtje me veten. Nga pikëpamja gramatikore, ligjërimi paraqitet në vetën e parë dhe në kohën e tashme, si dhe i shoqëruar nga fjalë deiktike1. Gjithashtu, për të imituar rrjedhën e lirë e të pastrukturuar të mendimit, në ligjërim mund të përdoret edhe dialogu në veten e tretë. Një teknikë tjetër e rëndësishme e rrëfimit modernist është ajo e flashback-ut (kthimit pas, e njohur ndryshe edhe si retrospektivë). Nëpërmjet kësaj teknike, rrëfimtari e ndërpret rendin kronologjik të rrëfimit të ngjarjes kryesore, për ta kthyer lexuesin pas në kohë, në ngjarjet e kaluara në jetën e një personazhi. Në këtë mënyrë, flashback-u mbush disa hapësira boshe në ecurinë e veprimit narrativ. Kjo teknikë e ndihmon lexuesin që ta njohë ngjarjen nga brenda dhe të mësojë më shumë për një personazh apo për vetë ngjarjen. Në romanin “Zemra e errësirës” të Zhozef Konradit (Joseph Conrad), teknika e retrospektivës përbën pjesën më të madhe të gjuhës së tij rrëfimtare, duke krijuar një histori brenda historisë. Kështu, të ulur në bordin e një anijeje të vogël, të ankoruar në lumin Tamiz, ekuipazhi pret të kthehet batica që të nisë lundrimin. E ndërsa dielli zhytet në horizont, Marlout, njërit prej anëtarëve të ekuipazhit, kjo pamje i kujton kohën e kaluar si kapiten i një anijeje lumi në Kongo, dhe nis

1Termi deiktik lidhet me një fjalë a grup fjalësh, kuptimi i të cilave varet nga ajo që është folur, për çfarë është folur. Deiktiku rimerr pra këto të dhëna. Në këtë funksion mund të jenë përemrat vetorë (unë, ti etj.), ndajfoljet kohe, vendi (atëherë, aty etj.).

të rrëfejë historinë e tij. Ky kthim pas është një shmangie ndaj linjës që kishte marrë rrëfimi dhe na ndihmon për të njohur më mirë karakteristikat e këtij personazhi. Teknika e përdorimit të shumë zërave narrativë (polifonia e zërave) shërben për ta paraqitur ngjarjen nga këndvështrime të ndryshme, por edhe për ta pasuruar tekstin me stile e regjistra të ndryshëm me anë të të cilëve paraqiten këta zëra (p.sh., te romanet e Folknerit, te poema “Tokë e shkretë” e Eliotit).

Kthim pas në kohë

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cili është funksioni i rrëfimit të ndërprerë në prozën moderniste? 2. Cilat veçori të rrëfimit modernist ndeshen te romani “Këlthitja dhe mllefi” i Folknerit? Renditni disa prej tyre. 3. Çfarë dini për teknikën e përroit të ndërgjegjes? Si mendoni, pse konsiderohet si teknikë shkrimi identifikuese e prozës moderniste? 4. Çfarë specifikash gjuhësore e karakterizojnë diskursin e përroit të ndërgjegjes? 5. Ç’funksion luan monologu i brendshëm? Shpjegoni pse është pjesë e teknikës së përroit të ndërgjegjes.

Ushtroni mendimin kritik

6. Si mendoni, teknika e flashback-ut ndihmon fabulën apo subjektin e veprës narrative? 7. Cilat funksione përmbush prania e shumë zërave narrativë në tekstet moderniste? 8. Lexoni sërish fragmentin e “Tonio Krëgërit” dhe diskutoni në lidhje me procesin gjatë të cilit kalon heroi/antiheroi modernist. A lidhet me këtë fragment? “Filloni ta ndieni veten të veçuar, në kundërshtim me të tjerët dhe i pakuptuar nga ata, nga njerëzit e zakonshëm e për së mbari; humnera e ironisë, e dyshimit, e kontradiktave, e njohjes, e ndjenjave që ju ndan nga njerëzit, thellohet shumë e më shumë, ndiheni i vetmuar, dhe tani s’ka më mundësi marrëveshjeje. Çfarë fati! Sidomos po të supozosh që zemra ju ka mbetur aq e gjallë, dhe aq… dashuruese sa t’ia ndiejë tmerrin”. 9. Në fragmentin e romanit “Duke dhënë shpirt”, shikoni llojin e kallëzuesit të përdorur më së shumti. Shpjegoni kontrastin mes “s’mund të mendoja” dhe “dija” dhe lidhjen e tyre me teknikat e letërsisë moderniste.

Letërsi

Tiparet e poezisë moderniste

Një pikë e rëndësishme fillese e modernizmit mund të konsiderohet vepra poetike “Endjet” (1897) e Stefan Malarmesë (Stéphane Mallarmé). Në këtë vepër, Malarmeja hedh poshtë idenë mbi të cilën ishte mbështetur Realizmi, se gjuha është referenciale dhe se fjalët janë shenja të një realiteti paraprak. Për Malarmenë, gjuha e poezisë është sugjeruese, evokuese dhe realiteti nuk është tjetër veçse një interpretim nga një perspektivë e veçantë. Poezia ndihmon për ta krijuar realitetin. Po kështu, Malarmeja hedh poshtë idenë romantike që e konsideronte poezinë si shprehje të subjektivitetit të autorit, sepse, sipas tij, poeti futet në realitetin e gjuhës, realitet i cili përcakton si ndërgjegjen e poetit, ashtu edhe botën së cilës ai i referohet. Malarmeja, sikurse të gjithë modernistët, tërhoqi vëmendjen te fuqia e fjalëve për të qenë burim i nuancave të reja kuptimore, te fuqia e tingujve të fjalëve, te kombinimet e veçanta të fjalëve brenda njësisë poetike, te kapja e thelbit të poezisë.

Duke dashur të jetë e lirë edhe në formën e organizimit, poezia moderniste refuzoi strukturat tradicionale të ndërtimit të vargut sipas modeleve të njohura metrike e rimike, sepse ato pengonin lirinë e zgjedhjes së fjalëve dhe format e shprehjes, ndaj, poetët modernistë zgjodhën të përdornin eksperimentimet me vargun e lirë.

Po ashtu, poetët modernistë refuzuan konceptin tradicional se poezia duhet të na mësojë, pra rolin “e mësimdhënëses” së poezisë dhe kërkuan çlirimin e poezisë nga elementet didaktike dhe sentimentale, sepse poetët modernistë nuk e konceptojnë dot se funksioni i tekstit poetik është që t’i mësojë lexuesit vlerat dhe qëndrimet. Në këtë kuptim, poezia moderniste i largohet parimit dulce et utile të

Horacit (bashkimit të së këndshmes me të dobishmen), për të evokuar një shkrim ndjellës, që kurrë nuk nënvlerëson aftësinë interpretuese të lexuesit.

Poema moderne organizohet me fjalë të vendosura në një mënyrë të caktuar, jo për hir të idesë që duhet të transmetojnë, por për hir të organizimit ritmik, rimik, sintaksor etj. Si i tillë, teksti poetik nuk lejon parafrazim varfërues, por vetëm një lexim që thekson autonominë e diskursit letrar.

Në poezinë moderne, shenjuesit kanë një autonomi të caktuar në lidhje me kuptimin, kjo vihet re p.sh., te kaligramat e

Apolinerit apo edhe në poezi ku elementi fonologjik bëhet i rëndësishëm, pa iu referuar direkt një kuptimi të veçantë.

Në poezinë moderniste vihet re prirja për të përzier zhanre apo struktura të ndryshme. Kështu, p.sh., kemi poemat në prozë të Rembosë (Arthur Rimbaud), të Sent Xhon Persit (Saint-John Perse),

Uajldit (Oscar Wilde), poezinë polifonike, të përfaqësuar nga Paundi (Ezra Pound),

Paul Verlaine dhe Arthur Rimbaud (ulur, majtas), Henri Fantin-Latour, nga 1872.

Shfaqjet e këtyre njerëzve në turmë Petale në degën e lagur, të murrmë. “Në stacionin e metrosë”, E. Paund, përktheu G. Krasniqi

kaligramat nga Apolineri (Guillaume Apollinaire) dhe Huidobro (Vicente Huidobro), poemat kolazh nga Elioti etj.

Poema, në kontekstin e modernitetit, priret të ketë elemente fshehtësie dhe errësimi të qëllimshëm. Teksti poetik e magjeps lexuesin, por ai nuk mund ta deshifrojë lehtësisht atë. Teksti i mësipërm i Paundit, në fakt, është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e poezisë moderne. Mbi të gjitha, për faktin se ai ndryn në vete një shkallë kondensimi poetik që nuk kishte ndodhur më parë (një poezi që me aq pak fjalë, arrin të mbartë aq shumë kuptime); së dyti, pranëvendosja e dy imazheve komplekse, pa i shpjeguar ato, por duke ia lënë lexuesit të vendosë një marrëdhënie ndërmjet tyre, e bën këtë poezi t’i afrohet tipit të teksteve me fund të hapur (“sepse imazhi nuk është ide, - thotë Paundi, - por një nyje rrezatuese idesh”). Siç shihet, poezia është shumë e shkurtër, ashtu siç e kërkonte edhe manifesti i tij, duke eliminuar fjalët e tepërta, të cilat nuk i ndihmonin paraqitjes së imazheve (imazhi, sipas Paundit, është vetë ligjërimi. Imazhi është fjalë përtej gjuhës së shprehur). Nga ana tjetër, poezia ilustronte edhe parimin tjetër të “regjistrimit të atij çasti, kur një gjë e jashtme dhe objektive, e transformon veten në një gjë të brendshme dhe subjektive”. Po kështu, edhe subjekti është më se i zakonshëm. Megjithatë, kuadri i poezisë operon me analogjinë që ngrihet nëpërmjet simbolit të metrosë. Një model i poemës në prozë është edhe teksti “Ag” i Artur Rembosë.

Gijom Apoliner, Kaligram, Poemë 22, 1915

Përqafova agun e verës. Ende s’lëvrinte gjë në ballinën e pallateve. Uji ishte i vdekur. Hijnajat nuk i shqiteshin udhës së pyllit. Eca, duke zgjuar frymët e gjalla e të vakëta, dhe gurët e çmuar vështruan, dhe heshtur u ngritën flatrat. E para përshtypje, në shtegun tash të përmbytur nga vezullime të befta zbehane, qe një lule që më tha emrin e saj. Qesha me ujëvarën bionde që flokëshprishet mes bredhash: në majën e argjendtë sërish njoha dean. Ahere i ngrita velat një e nga një. Në udhë, duke lëvizur krahët. Nëpër fushë, ku ia kallëzova gjelit. Në qytetin e madh ajo përvidhej përmes kambanoreve e kupolave dhe, tek rendte si një lypës mbi skela mermeri, unë e ndiqja. Në krye të rrugës, pranë një pylli dafinash, e rrethova me flatrat e saj të mbledhura, dhe për një çast i ndjeva trupin e pamatë. Agu dhe foshnja u rrëzuan në rrëzë të pyllit. Kur u zgjova ishte mesditë.

Artur Rembo, përktheu A. Çani

Shkrimtarët modernistë

Modernizmi pati përfaqësuesit e vet, të cilët sollën risi në teknikat dhe format e të shkruarit të poezisë dhe prozës, duke projektuar modele të reja shkrimore e duke kultivuar shije e ndjesi të reja estetike. Ata reformuan konceptin për zgjedhjen e temave, të funksionit të letërsisë dhe rolit të krijuesit. Për të karakterizuar teknikën

e shkrimtarëve modernistë, kritiku Valter Alen (Walter Allen) pohon se “... Ky brez e thyen sipërfaqen realiste të gjërave dhe, përkundër racionales, mekanikes dhe shkencores, ata e vënë theksin tek irracionalja, e pavetëdijshmja dhe mitikja. Për këta krijues, realiteti qëndron në ndërlikueshmërinë labirintike, që fshihet poshtë sipërfaqes së gjërave. Ky perceptim modernist as që mund të mendohej më parë...”. Ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë moderne, mund të përmenden: Stefan Malarme, Oskar Uajldi, Henri Xhejms (Henry James), Zhozef Konrad, Ruben Dario (Rubén Darío), Huan R. Himenes (Juan Ramón Jiménez) - në fillesat e modernizmit; Ezra Paund, Marsel Prust, Franc Kafka, Xhejm Xhojs, Toma S. Eliot, Virgjinia Ulf (Virginia Woolf), Uilliam Folkner, Ernest Heminguej (Ernest Hemingway) etj.

STUDIM TEKSTI

Xhorxho Morandi, "Natyrë e qetë", 1918

Verifikoni njohuritë

1. Cila është marrëdhënia e poezisë moderniste me format tradicionale të organizimit të vargut? 2. Pse poezia moderne e përqendron vëmendjen te përzgjedhja e fjalëve dhe mënyra e vendosjes së tyre në varg? 3. Pse poezia moderne nuk deshifrohet lehtë? Cilat elemente ia vështirësojnë nxjerrjen e kumtit? 4. A mendoni se parafrazimi e varfëron tekstin poetik në përgjithësi, e sidomos atë modern?

Shoqërojeni me argumente përgjigjen tuaj. 5. Evidentoni pohimet e Malarmesë. Shpjegojini me fjalët tuaja ato. 6. Ndërtoni me to tri teza thelbësore mbi poezinë. Përdorni fjalët kyç si ndihmëse për tezat tuaja. 7. Si e kuptoni shprehjen e kritikut Valter Alen në lidhje me përcaktimin e brezit të modernistëve:

“Ky brez e thyen sipërfaqen realiste të gjërave dhe, përkundër racionales, mekanikes dhe shkencores, ata e vënë theksin tek irracionalja, e pavetëdijshmja dhe mitikja”?

Ushtroni mendimin kritik

8. Çfarë kuptoni me pohimin e modernistëve se: “funksioni i poezisë nuk është që t’i mësojë lexuesit vlerat dhe qëndrimet”? A bashkoheni edhe ju me këtë qëndrim? Jepni mendimin tuaj, duke e shoqëruar me argumente. 9. Krahasoni mes jush përfundimet mbi tri tezat e ngritura nga pohimet e Malarmesë dhe debatoni mbi to. A keni pika takimi? Ku ndryshoni? 10. Poetët lirikë modernë shfaqen si gjenerata më e gjallë, më shprehëse, më emotive. Shpjegoni lidhjen e këtij dinamizmi në kontekstin e poezisë moderne, duke e ilustruar me shembuj. 11. Teksti i Rembosë “Ag”, nga pikëpamja e zhanrit, klasifikohet si tekst i ndërmjetëm: poemë në prozë, një formë e shkrimit modern. Renditni elementet e sferës poetike dhe ato prozaike dhe diskutoni se cilat dominojnë më shumë.

This article is from: