
2 minute read
Kim Mehmeti
Në lidhje me gjuhën e teksteve të tij, Mehmet Kraja është shprehur hapur se “letërsia është gjuhë...”. Në këtë mënyrë, ai rrëfen rëndësinë që i kushton në krijimtari organizimit gjuhësor për të përftuar atë lloj figuracioni të dendur që bart vepra e tij. “Nëpër ledhet e trurit i kaloi një dritë e fortë që e shpoi tejpërtej dhe u ndal te njëra nga qelizat e perceptimit të dritës, ndërsa terri që u krijua më pas, u përkap nga një qelizë tjetër trunore dhe ai nuk e kuptoi pse bota ishte kredhur në dritë e në terr njëkohësisht”
(“Liria ime”)
Advertisement
Kim Mehmeti (1955)
Kim Mehmeti është një personalitet i njohur në fushën e kulturës shqiptare. Ai është shkrimtar, publicist dhe një personalitet mjaft aktiv i lidhur me shqetësimet politike-sociale-kulturore të jetës publike në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë e Shqipëri. Një pjesë e librave të tij artistikë janë: “Anemona”, “Një dialog i pambaruar”, “Pusi”, “Shpërngulja e të vdekurve”, “Vëllazëria e motrave të përdala”, “Vitet e urithit” etj. Motivet, galeria e personazheve dhe stili i tij shpesh janë krahasuar me tekstet e realizmit. Ai konsiderohet si një zë përfaqësues i prozës që bart baladën, poezinë, realen dhe magjiken e hapësirës shqiptare, por gjithsesi, duke e përqendruar hulumtimin në personazhin universal: Njeriun! “Kurrë nuk e mora vesh nëse lulet u vyshkën për shkak të sëmundjes së nënës apo nëna u sëmur për shkak të vyshkjes së luleve, por një javë përpara së të shpërnguleshim te shtëpia e re pranë lumit, nëna ra në shtrat, ndërkaq lulet u vyshkën sikur t›i kishte djegur bryma”
(“Pusi”)
STUDIM TEKSTI
Verifikoni njohuritë
1. Studiuesit i kanë ndarë veprat e Demollit në dy grupime. Cilat kanë qenë kriteret e këtyre ndarjeve? Emërtoni tiparet tematike dhe stilistike që ka secili grup. 2. Zejnullah Rrahmani është shkrimtar që trajton historinë në veprën e tij. Në ç’mënyrë del historia në veprën e tij? Çfarë tematikash të tjera dallohen në të? Çfarë tiparesh shfaq gjuha në veprat e tij? 3. Ymer Shkreli është një shkrimtar shumë produktiv. Cilat janë tematikat kryesore të veprës së tij? Po në lidhje me gjuhën e teksteve të tij, çfarë është vënë re? 4. Edhe Mehmet Kraja e ka trajtuar historinë në veprat e tij. Si e trajton ai atë? Cili është raporti i qenies njerëzore, fatit të tij me fatalitetin dhe llojet e ndryshme të tij? 5. Kim Mehmeti është shkrimtar dhe publicist. Me cilën lloj letërsie është krahasuar teksti i tij? 5. Të pesë shkrimtarët kanë botën shqiptare dhe historinë e saj si pjesë të tematikës së tyre, pavarësisht se ndryshojnë për nga mënyra e trajtimit në konceptim e në stil. Pse mendoni se ky element është kaq i kudogjendur? (Vini re edhe origjinën e këtyre shkrimtarëve, si dhe fatet personale e profesionale të tyre, të cilat i gjeni edhe në internet.)