
19 minute read
Arti i intervistimit
Gjuhë Arti i intervistimit I
Intervista është një formë shumë e efektshme për të mbledhur informacion nga një subjekt i caktuar rreth një teme të caktuar. Intervista mund të realizohet në kuadër të një angazhimi mediatik me një person publik, personalitet, profesionist të një fushe të caktuar etj., për të përcjellë informacion rreth tij dhe pikëpamjeve të tij për publikun e gjerë. Në raste të tjera, intervistat mund të kenë karakter shkencor dhe të realizohen me persona të ndryshëm, për shembull: për të mbledhur të dhëna për të realizuar një eksperiment ose punim shkencor. Intervista shpesh mund të ketë edhe karakter praktik, siç ndodh kur intervistohet dikush për t’u marrë në punë ose për të mbledhur përshtypjet për produkt ose shërbim të caktuar etj.
Advertisement
Struktura e intervistës
Përgjithësisht, struktura e një interviste përmban: një hyrje të shkurtër informuese për të intervistuarin dhe lexuesit/dëgjuesit e intervistës; një tërësi pyetjesh që i drejtohen të intervistuarit, të cilat mund të jenë të paracaktuara dhe të pandryshueshme gjatë intervistës, ose pyetje që riformulohen apo lindin aty për aty gjatë intervistës, në varësi të përgjigjeve që jep personi i intervistuar. Pyetjet e intervistës mund të jenë pyetje të mbyllura (ose, siç quhen ndryshe, pyetje me fund të mbyllur) ose pyetje të hapura (pyetje me fund të hapur). Pyetje të mbyllura janë ato që kërkojnë vetëm përgjigje specifike si “po” ose “jo”, ose që lidhen me çështje apo fakte të padiskutueshme. Të tilla, për shembull mund të jenë: “Sa kohë keni punuar në atë kompani?”; “Në sa gjuhë është përkthyer vepra juaj?”; “A keni pasur përgjegjësi të drejtpërdrejta në atë aksion social?” etj. Pyetje të hapura janë ato që kërkojnë më tepër informacion prej personit të intervistuar në lidhje me pikëpamjen e tij për një çështje të caktuar. Pyetje të tilla mund të jenë: “Çfarë mendimi keni për...?”; “Si ju është dukur veprimi i ...”; “Na tregoni disa sfida që keni hasur...” etj. Intervista përmban edhe një mbyllje, ku falënderohet i intervistuari ose mund të risillet në vëmendje qëllimi i intervistës dhe çfarë qe informacioni më i rëndësishëm që u përftua prej saj.
Gjuha e intervistës
Në varësi të qëllimit për të cilin realizohet intervista, përzgjidhet edhe kodi gjuhësor i përshtatshëm. Intervistat mediatike këshillohet që të realizohen në gjuhën standarde, me qëllim që të kuptohen më me lehtësi nga publiku i gjerë. Nga ana tjetër, intervistat me karakter shkencor, kur iu drejtohen personave që nuk kanë formim shkencor (si në rastin e eksperimenteve sociologjike p.sh.), duhet të përmbajnë informacion sqarues për terminologjinë shkencore të përdorur në to. Mënyra më e këshilluar për ta realizuar një intervistë është ballë për ballë, por shpesh intervistat kryhen edhe në distancë, përmes platformave të komunikimit online, ose intervista me shkrim (ku intervistuesi nis me shkrim pyetjet dhe i intervistuari sjell përgjigjet për to). Në intervistat e realizuara ballë për ballë është shumë e rëndësishme të respektohet etika e komunikimit dhe që i intervistuari të ndihet sa më i qetë për t’u përgjigjur. Ndaj këshillohet që intervistuesi të jetë “dyshues” ndaj përgjigjeve të personit të intervistuar, çka do të thotë të ngrejë vazhdimisht pyetje që do të japin më tepër sqarime për publikun, por jo armiqësor.
Të intervistuarit, ashtu si shumë aktivitete të tjera të ngjashme komunikative, është një veprimtari që kërkon shumë praktikë dhe informacion paraprak. Në manualet e komunikimit dhe të gazetarisë, disa këshilla që iu jepen intervistuesve për të zotëruar artin e intervistimit janë:
Përgatitja paraprake – që ka të bëjë me mbledhjen e informacionit rreth personit që do të intervistohet, ideve dhe qëndrimeve të tij, si dhe mbledhje të dhënash rreth çështjeve që do të mbulojë intervista. Përgatitja paraprake kërkon edhe përgatitjen e një liste pyetjesh të qenësishme, të cilat do të përbëjnë boshtin e intervistës. Gjatë bisedës, me gjasë, lindin edhe pyetje të tjera të atypëratyshme, çka do të thotë se intervistuesi nuk duhet patjetër t’i qëndrojë besnik verbërisht listës së parapërgatitur, por ta ketë atë për të vënë piketat e intervistës.
Të dëgjuarit me vëmendje – që është një këshillë e vlefshme për intervistat ballë për ballë dhe kërkon përqendrimin e intervistuesit për të kërkuar më tepër sqarim ose për të bërë pyetje të atypëratyshme, në lidhje me çështje që ngrihen gjatë rrjedhës së intervistës.
Pyetjet e thjeshta bëhen në fillim dhe të vështirat në fund – Si fillim, për të krijuar atmosferën e nevojshme për bisedë, bëhen pyetjet më të thjeshta që do ta nxisin personin e intervistuar të flasë lirisht. Për të shtensionuar situatën, intervistuesi mund të bëjë disa komente vlerësuese për personin që po interviston. Gjithsesi, mendimet dhe qëndrimet personale, intervistuesi duhet t’i mbajë për vete dhe të mos i parashtrojë në mënyrë të tepruar në intervistë, sepse fokusi i intervistës duhet të mbetet te përgjigjet e personit të intervistuar. Në fund, intervista mund të mbyllet me pyetjen: “A ka mbetur diçka tjetër e rëndësishme pa thënë?”. Kjo do ta bëjë të intervistuarin të gatshëm për të ndarë me intervistuesin diçka më tepër, që mund të ketë rëndësi për publikun.
STUDIM TEKSTI
Verifikoni njohuritë
1. Përmendni disa lloje kryesore të intervistës. Çfarë specifikash kanë intervistat shkencore dhe intervistat për synime praktike? 2. Përse intervista ballë për ballë është forma më e parapëlqyer e intervistës? 3. Cila do të ishte struktura tipike e një interviste dhe a ngjan kjo strukturë me strukturën që kanë llojet e tjera të teksteve të shkruara? 4. Cilat lloj pyetjesh janë më të efektshme për të marrë sa më tepër informacion nga personi i intervistuar? 5. Flisni rreth rëndësisë që ka përgatitja para intervistës. 6. Bëni një listë të shkurtër me këshilla që do t’ia jepnit dikujt që po përgatitet për një intervistë me një personalitet të rëndësishëm të kulturës.
Ushtroni të menduarin kritik
7. Si mendoni se duhet të jetë gjuha dhe pyetjet e një interviste që realizohet me: një këngëtar pop; me një politikan të shquar; me një studiues. 8. Komentoni thënien: “Përgatitja duhet të jetë njësoj, si kur duhet të intervistosh një diplomat, një kalorës në garat me kuaj apo një biolog. Nga e shkuara e personit në fjalë mëson se çfarë pyetjesh do të kenë më shumë sukses për të marrë përgjigje” (A. J. Liebling). 9. Dëgjoni një intervistë radiofonike dhe shqyrtoni se sa i përgatitur është intervistuesi, sa e strukturuar është intervista dhe sa ndiqen udhëzimet e përgjithshme për një intervistë të suksesshme.
Gjuhë Arti i intervistimit II
Dëgjoni të fragmentuar intervistën e shkrimtarit Mehmet Kraja.
DËGJIM1 A.D.: Zoti Kraja, kjo bisedë me ju, për mua është e veçantë, pasi gjithnjë letërsia juaj ka qenë ajo që kam sugjeruar nga letërsia shqipe. Sa herë më bëhej pyetja “Çfarë u sugjeron të rinjve që duan ta sistemojnë mënyrën e tyre të të shkruarit?”, kam dhënë një përgjigje: “Romanet e Mehmet Krajës”. Tani, pasi pata fatin ta lexoja para botimit romanin tuaj të fundit “Liria ime”, bindem edhe më tepër se ky mbetet sugjerimi i duhur. Si është liria juaj dhe pse duhet një roman që ta tregoni atë?
M.K.: Liria është një përjetim kompleks dhe i vështirë për t’u rrëfyer, sepse në esencën e saj liria është e pamundur, është ëndërr, e cila, kur bëhet realitet, sikur e humb magjinë e saj. Ekzistencialistët kanë thënë gjëra të mrekullueshme për lirinë, për dimensionin e saj njerëzor dhe filozofik, unë i kam pasur në dijeni pikëpamjet e tyre, por në punë shkrimi letrar unë e kam çuar rrëfimin në një drejtim tjetër: te fati njerëzor, i cili nuk ndryshon, pavarësisht se liria ndonjëherë krijon rrethana më të favorshme për jetë më të dinjitetshme. Në këtë këndvështrim, unë kam dashur të jem origjinal, pikërisht për arsye se liria ime është e tillë që nuk i ngjan askujt tjetër: unë nuk jam ngopur me lirinë, as më është velur liria, thjesht kam dashur të them se ajo është një iluzion, shpesh një fat njerëzor i përmbysur dhe se në rastin e shumë njerëzve në Kosovë ajo mund të ketë ardhur shumë vonë. Edhe një gjë mund të them: idetë e mëdha, siç lufta, liria etj. krijojnë drama të mëdha njerëzore, përmbysje dhe fatkeqësi,

siç krijojnë edhe iluzione, vetëm se fataliteti nuk ndryshon: në esencën e të gjitha kuptimeve të jetës, njeriu është fatkeq dhe i palumtur.
A.D.: Balzaku thoshte se ishte zoti i personazheve të tij. Ka raste kur për ndonjë personazh te “Liria ime”, pasi e përshkruani, pyesni lexuesin çfarë mund të bëj me të? dhe thoni këtë apo atë, ndonëse, në fund, e lini të lirë të bëjë zgjedhjen e tij. Cili është në të vërtetë raporti juaj me personazhet e këtij libri?
M.K.: Unë nuk e mistifikoj krijimin letrar, unë jam shkrimtar me përvojë të gjatë dhe dua të them se personazhet i zgjedh nga galeria e pasur e karaktereve, me të cilët ballafaqohemi çdo ditë. Është një botë e madhe njerëzish, të cilët janë gjithkund përreth, mjafton të zgjasësh dorën dhe të zgjedhësh atë që të duhet në një lloj ose në një lloj tjetër të rrëfimit. Për këtë lloj rrëfimi mua m’u deshën personazhe, që i kam njohur dhe i kam parë, por se mos ka rëndësi kjo! Për mua kanë qenë me rëndësi dy gjëra: që t’i kap fijet e holla të botës së tyre komplekse dhe, e dyta, të hulumtoj fatin e tyre, në bredhjen pa fund në kërkim të lumturisë. Edhe një gjë: që të bëj të ditur se personazhet e mia, ndonëse të paragjykuara si njerëz me aftësi të kufizuara meditimi, ndërtojnë botën e tyre filozofike shumë komplekse, me zhbirime të holla, me depërtime të thella në kuptimet e errëta të botës dhe të qenies. Ata nuk jetojnë në plankton, ata përpiqen të gjejnë kuptimin e gjërave, pavarësisht se askush nuk e kërkon prej tyre diçka të tillë.
A.D.: Ju nuk e quani thjesht roman, por i shtoni edhe një variant nga pas. Pse?
M.K.: Romani “Liria ime” përbëhet nga nëntë rrëfime, që nuk kanë lidhje organike mes tyre, janë rrëfime të pavarura dhe, duke marrë parasysh këtë rrethanë, këta nëntë “rrathët e ferrit”, në pikëpamje të zhanrit, mund të mos jenë tamam roman në kuptimin tradicional, por një variant i tij. Pra, me këtë “nëntitull” kam dashur të heq ndonjë “barrierë” leximi: të sugjeroj se romani është shkruar me një “përmbysje funksionale” të zhanrit, e cila, për mendimin tim, lëndën letrare rrëfimore e bën më të lexueshme. Janë nëntë subjekte, që kanë lëndë të mjaftueshme për nëntë romane të kondensuara në një tërësi. Por as kjo nuk ka shumë rëndësi. Këto janë katikule rrethanore. Substanca e një vepre letrare është teksti, teksti, teksti…

DËGJIM2 A.D.: Thonë se historinë e shkruajnë gjithmonë fitimtarët, ndaj, nga perspektiva e tyre është e lavdishme. Edhe në rastin e “Liria ime” janë shqiptarët e Kosovës ata që e shkruajnë, por shohim krejt të kundërtën e lavdisë. Si është e mundur kjo?
M.K.: Po, është e vërtetë se historinë e shkruajnë fitimtarët, por “Liria ime” nuk është histori, prandaj atë e shkruajnë ose e rrëfejnë njerëz që e vrasin mendjen për kuptime më të thella, njerëz që ndiejnë peshën jo vetëm të “anës së errët” të lirisë, por më shumë
se aq: ata ndiejnë peshën e tragjicitetit njerëzor, peshën e rëndë të pamundësisë, peshën e papërballueshme të palumturisë. Madje edhe më shumë se kaq, ata nuk janë të lumtur edhe për një arsye shtesë, sepse nuk arrijnë të gjejnë kuptimet e fshehta të ekzistencës; ndonjëherë vetëm kjo iu mjafton për t’u futur në vorbullën e pësimit. Por, mbi të gjitha, personazhet e këtyre rrëfimeve shohin përtej asaj që është sipërfaqësore, njëdimensionale dhe mos u befasoni nëse ju them se ato janë “të lumtura” në palumturinë e tyre, sepse shumë prej tyre kanë arritur fundin, përtej të cilit nuk ka asgjë, nuk ka as kuptime të fshehta, nuk ka as arsye për ekzistencë.
A.D.: Çka ndiej kur lexoj romanin, është edhe një fakt pak paradoksal: sikur kishte shtetas të Kosovës që, ardhja e lirisë nuk i gëzoi, përkundrazi. Është e vërtetë kjo?
M.K.: Jo, nuk mendoj se mund të thuhet ashtu. Nëse kërkohet një shpjegim politikpragmatik i kësaj situate, duhet thënë se liria, aq më tepër një liri që vjen vonë dhe lë të krijohen drama njerëzore thellësisht të palumtura, nuk i zgjidh të gjitha problemet, aq më pak ato filozofike. Liria krijon predispozita për të zgjidhur disa probleme ekzistenciale, kjo është e vërteta, por nuk shkon përtej kësaj. Në rastin e Kosovës, liria është ngarkuar me një peshë që nuk e përballon dot, është ngarkuar me ëndrra dhe iluzione, natyrisht, edhe me zhgënjime. Është e njëjta gjë si në Shqipëri: dalja nga diktatura u përjetua si liri, por kjo liri nuk arriti t’i bënte njerëzit të lumtur, përkundrazi, ajo tregoi edhe anën e errët të fytyrës së vet të vrerosur.
A.D.: Zoti Kraja, më bën shumë kureshtar një tipar që i bashkon të gjitha personazhet: mungesa e kujtimeve të vlefta në Kosovë, pasi kthehen dhe e vizitojnë atë. Për çfarë arsyeje në Kosovë nuk ka kujtime?
M.K.: Është një shpjegim “teorik” i një situate jetësore, me të cilën përballen njësoj edhe shqiptarët e Shqipërisë, të cilët aktualisht bredhin nëpër botë: kujtimet që i lidhin me vendin e tyre, më kalimin e kohës, fillojnë e zhbëhen, sikur përfshihen nga Alzhajmeri, duke humbur substancën trunore. Pak nga pak, kuptimi i atdheut fillon e reduktohet dhe dikur, e dini se në çfarë përfundon? Në një varr, të cilin, njësoj si personazhi im, nuk e gjen dot në varrezat e Prishtinës, për të vendosur një tufë me lule.
DËGJIM3 A.D.: A është e tillë qenia njerëzore që me ngulm kërkon diçka, në rastin e shqiptarëve të Kosovës, lirinë, e mandej nuk di çfarë të bëjë me të, si ta përdorë?
M.K.: Fataliteti nuk lidhet vetëm me shpjegime të kuptueshme, shpesh i tejkalon këto përmasa dhe kap parametra të tjerë, të pakuptueshëm dhe të paarritshëm nga mendja e njeriut. Në këtë kuadër, liria mund të jetë vetëm një “vogëlimë” e vanitetit njerëzor.
A.D.: Jemi mësuar që ngjarje të kësaj natyre, si çlirimi apo pavarësia, letërsia shqipe t’i trajtojë në kontekste të gëzuara, ku vihet re një entuziazëm i tepruar. Në rastin tuaj, jo veç me “Liria ime”, por edhe në të tjera vepra, kujtoj këtu “Prishtina”, është e kundërta. Ndoshta shkoj pak larg, por a mund të shihet kjo edhe si një mënyrë për t’iu kundërvënë asaj letërsie me ngjyrime shpesh hipokrite?
M.K.: Mendoj se po. Kemi një letërsi të tërë, që ngjan me “operetë sapuni”, që e merr jetën dhe qenien me “lehtësi të padurueshme”, siç do të thoshte Kundera. Me librat e mi
desha të them një gjë tjetër: jemi njerëz racionalë dhe dimë të mendojmë e të gjykojmë edhe për “anët e errëta” të qenies. Këtu ka edhe një gjë tjetër, të cilën nuk mendoj se duhet ta shtjellojmë gjatë me këtë rast e që lidhet me letërsinë e realizmit socialist: është mbushur letërsia jonë sa nuk mban më, me rrëfime josubstanciale, me rrëfime mediokre, po deshët, mund t’i quajmë edhe hipokrite.
A.D.: Gjuha që ju përdorni është krejt e veçantë, me një dendësi figurash të pashoqe në prozë. Është një mjeshtëri e lindur, jam i sigurt, kjo e përpunimit të gjuhës në të tillë mënyrë që asaj t’i merret esenca më thelbësore, tek e cila nuk arrin kushdo, përkundrazi, por pavarësisht, jam kureshtar të di si është pak a shumë ky proces, pra, zgjedhja e fjalëve, vendosja në fjali e fraza e mandej, në tërësinë e tekstit?

M.K.: Është proces i vështirë, të jeni të sigurt, por është edhe proces që nxit kënaqësinë e krijimit. Kjo buron nga pikëpamja ime, se letërsia është gjuhë dhe se përtej gjuhës në letërsi nuk ka asgjë, siç nuk ka asgjë në muzikë përtej tingullit, ose në pikturë përtej ngjyrës. Pra, dua të them, gjuha nuk mund të ndahet nga procesi i krijimit letrar, është substanca e tij, nuk është vetëm mjet, është vetë qenia e tij. Tjetër nuk di çfarë të them, sepse as vetë nuk e kam të qartë si funksionon kjo. Fundja, mua nuk më duhet shpjegimi i strukturalistëve se gjuha dhe mendimi janë një tërësi, sepse mua nuk më hyn në punë vetëm funksionaliteti i gjuhës, më duhet edhe hijeshia e saj, mrekullia që buron prej saj, duke qenë se letërsia është “shkrim i bukur”. Kurse ne kemi një gjuhë, me të cilën mund të shkruhet bukur, gjuhë me të cilën mund të ndërtohet çdo godinë madhështore e letërsisë… Kurse fjalët, ato nuk i kërkoj, ato vijnë vetë, por unë zgjedh diçka tjetër, zgjedh sintaksën e fjalisë dhe të frazës, e cila duhet të shkojë në harmoni me rrëfimin.
A.D.: Narratori i rrëfimit, mund të identifikohet me ju?
M.K.: Po, unë jam, gjëkund jam unë, unë rrëfej, unë krijoj personazhet, unë e krijoj iluzionin e lexuesit për rrëfimin, për dramën… sepse, e dini, letërsia, arti është akt individual i krijimit.
DËGJIM4 A.D.: Një gazetar, një infermiere, një shkrimtar, një e përdalë, një politikan, një qenush… këto janë disa nga personazhet tuaja. Pak a shumë, kapni përfaqësues nga çdo sferë e asaj që mund të quhet jetë sociale dhe secilin e zbërtheni në individualitetin e tij fizik, mendor, moral e shpirtëror.
M.K.: Është një galeri personazhesh, që kanë të përbashkët një udhëtim jetësor. Unë nuk i kam përzgjedhur për shkak të palumturisë së tyre, por për shkak të kontekstit jetësor: të gjithë ata janë duke bredhur ose kanë bredhur nëpër botë në kërkim të lirisë, dhe të gjithë ata kanë bërë luftën e tyre, duke luftuar për atdheun në mënyrën e vet, duke
e mbyllur që të gjithë ciklin jetësor të ngulfatur nga ideja se lumturia e tyre është bjerrë margjinave të ngjarjeve të mëdha. Ata janë heronj anonimë, disa më shumë e disa më pak tragjikë, por të gjithë kanë të përbashkët mallkimin e pamundësisë për të qenë ndryshe. Megjithatë, ata nuk janë të njëjtë, ata nuk i lidh e njëjta histori, por i lidh i njëjti pasion për një ideal, kërkimi i të cilit i ka çuar pashmangshëm në vdirrje të iluzioneve. Kjo është edhe ajo fija e kuqe që i lidh mes veti këto rrëfime, siç i lidh edhe personazhet dhe bëmat e tyre.
A.D.: Ju në rininë tuaj keni punuar edhe si gazetar, fillimisht në gazetën e studentëve “Bota e re” e pastaj në të famshmen “Rilindja”; që nga viti ’74 keni botuar rregullisht tregime e romane, si dhe janë vendosur në skenë drama të shkruara nga ju; në vitet ’80 u bëtë pjesë e lëvizjeve politike të kohës; një kohë ishit profesor e së fundmi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës… A përfshin “Liria ime” gjithë këtë eksperiencë të çmuar në kohë dhe larmi profesionesh, kur tregon fatin e personazheve krejt të pafata?
M.K.: Kam një përvojë jetësore relativisht të gjatë dhe relativisht të pasur, por aktualisht mendoj se nuk më mungon asgjë për të qenë shkrimtar, për aq sa më mban penda. Kam kaluar përjetime të rënda e më të rënda dhe përgjithësisht, jeta nuk është treguar aq miqësore me mua. Tani, krejt çka dua është të shkruaj dhe të bëj letërsi, të shkruaj letërsi të mirë dhe të lexoj letërsi të mirë.
(Bisedoi: Andreas Dushi, Intervistë e botuar në gazetën “Ex-libris”)
STUDIM TEKSTI
Ushtrohuni përmes tekstit
Pas Dëgjimit 1 1. Për të pasur një intervistë të suksesshme, intervistuesi duhet të ketë njohuri tepër të mira paraprake për personin e intervistuar. A mendoni që intervistuesi në intervistën në fjalë (A.D.) ka njohuri të mjaftueshme rreth shkrimtarit Mehmet Kraja? Çfarë e lidh intervistuesin (A.D.) me shkrimtarin? 2. Pyetjet, gjatë një interviste, mund të jenë me fund të mbyllur ose me fund të hapur. Si janë pyetjet e fragmentit të parë të intervistës, me fund të hapur apo të mbyllur? Si mendoni, përse intervistuesi ka zgjedhur këto lloj pyetjesh për të çelur intervistën e tij? 3. Komentoni thënien e shkrimtarit Mehmet Kraja: “Unë nuk jam ngopur me lirinë, as më është velur liria, thjesht kam dashur të them se ajo është një iluzion, shpesh një fat njerëzor i përmbysur dhe se në rastin e shumë njerëzve në Kosovë, ajo mund të ketë ardhur shumë vonë” . 4. Çfarë lidhjeje ka mes personazheve të veprës “Liria” dhe njerëzve që shkrimtari thotë se i has në përditshmërinë e vet? 5. Si duhet të jetë subjekti i një romani tradicional, sipas asaj që thotë shkrimtari M. Kraja, kur shpjegon pse e ka titulluar romanin e vet një variant?
Pas Dëgjimit 2 6. Sipas shkrimtarit, si lidhet koncepti i lirisë me lumturinë dhe ekzistencën? 7. Cilat janë pasojat e lirisë së ardhur me vonesë dhe dy rastet ilustruese të lirisë së vonuar, sipas shkrimtarit? 8. A pajtoheni me mendimin e shkrimtarit se ata që largohen nga atdheu fillojnë të humbasin kujtimet që lidhen me të? A e keni vërejtur zbehjen e lidhjeve me atdheun te njerëzit tuaj të afërm që mund të jetojnë jashtë shtetit? Pas Dëgjimit 3 9. Në thënien e shkrimtarit M. Kraja: “Kemi një letërsi të tërë, që ngjan me “operetë sapuni”, që e merr jetën dhe qenien me “lehtësi të padurueshme”, siç do të thoshte Kundera”, kujt i referohet ai me termin “operetë sapuni”? 10. Sipas shkrimtarit, çfarë raporti ka midis gjuhës dhe letërsisë? Gjeni në intervistë fjalitë ku shpjegohet ky raport. 11. Sipas jush, pyetja e intervistuesit (A. D.): “Narratori i rrëfimit, mund të identifikohet me ju?”, është pyetje me fund të hapur apo të mbyllur? Pas Dëgjimit 4 12. Pjesa e fundit e intervistës, emërtuar “Pjesa 4” nis me pohimet e gazetarit: “Një gazetar, një infermiere, një shkrimtar, një e përdalë, një politikan, një qenush… këto janë disa nga personazhet tuaja. Pak a shumë, kapni përfaqësues nga çdo sferë e asaj që mund të quhet jetë sociale dhe secilin e zbërtheni në individualitetin e tij fizik, mendor, moral e shpirtëror”. Fill pas kësaj, shkrimtari (M.K.) nis të përgjigjet, ndonëse atij ende nuk i është bërë një pyetje e drejtpërdrejtë. Lexoni me vëmendje edhe një herë përgjigjen e shkrimtarit dhe riformuloni pohimin e gazetarit, në formën e një pyetjeje me fund të hapur. 13. Si mendoni, përse përmenden përvojat profesionale të shkrimtarit në pyetjen e fundit të gazetarit (A.D.)? Gjeni përgjigjen e saktë dhe argumentojeni atë. a) Për të treguar se shkrimtari ka qenë njeri me shumë fat dhe shumë përvoja jetësore e profesionale, që i kanë garantuar atij lirinë. b) Për të treguar që, falë përvojave jetësore, shkrimtari ka qenë në gjendje të takojë njerëz të ndryshëm të cilët bëhen edhe personazhe të veprave të tij. c) Për të mësuar më tepër për planet për të ardhmen, që shkrimtari ka. 14. Gjeni në Fjalor kuptimin e fjalëve të dhëna më poshtë. Mund të shfrytëzoni për këtë qëllim edhe versionin elektronik të fjalorit në adresën www.fjalorthi.com. Katikule, pragmatik, i ngulfatur, vdirrje, bjerr, fatalitet, operetë.
Sfida e të shkruarit
15. Gjeni veprën në prozë ose poezi të një prej shkrimtarëve bashkëkohorë Eqrem Basha, Kujtim
Shala, Ymer Shkreli, lexojeni atë dhe përpiloni pyetjet e një interviste të ngjashme me intervistën letrare që pamë në këtë mësim.
Mos harroni të merrni informacione të detajuara për jetën dhe veprën e shkrimtarit, që do t’i bëjnë më të plota e më të sakta pyetjet e intervistës. Pasi ta keni përpiluar intervistën, gjeni mundësinë t’ia nisni atë me postë elektronike shkrimtarit të përzgjedhur dhe përgjigjet e marra prej tij t’i ndani me shokët e klasës, ose ta ftoni shkrimtarin për një intervistë në klasë.