48 minute read

Martin Camaj

Letërsi

Martin Camaj

Advertisement

Martin Camaj (1925-1992) është shkrimtar mjaft origjinal dhe ende i pakrahasueshëm me dikë tjetër në letrat shqipe. Ai lindi në Temal të Dukagjinit. Prejardhja e tij përbën jo vetëm referencën jetësore të individit, por edhe një pjesë të rëndësishme të materialit burimor, aq e prekshme në veprën e tij. Krijimtaria e Camajt është shkruar në një hark kohor relativisht të gjatë, për afro 40 vjet dhe përfshin vepra në poezi, prozë dhe dramë. Martin Camaj ka botuar këto vepra: “Një fyell ndër male” (1953); “Kanga e vërrinit” (1954); “Diella” (1958); “Meshari i Gjon Buzukut” (1960); “Legjenda” (1964); “Lirika mes dy moteve” (1967); “Albanische Wortbildung” (Fjalëformimi i shqipes: 1966); “Njeriu me vete e me të tjerë” (1978); “Rrathë” (1978) “Dranja” (1981); “Shkundullima” (1981); “Karpa” (1987); Poezi 19531967 (1981); Gramatikë shqipe (1985); “Nema” (1990); “Buelli” (1990); “Palimpsest” (1991).

Poezia, motivet dhe elemente të stilit

Periudha e parë

Nuk është e lehtë të ndash në një hierarki vlerat e veprës së Martin Camajt në tërësi, por një gjë mund të thuhet me siguri: Ajo që të trondit dhe të befason edhe si lexues i parë është poezia. Ajo klasifikohet nga studiuesit si një vepër që i përket rrymës hermetike (pra, që realizon një poezi të vështirë, të errët, pa struktura logjike dhe pa rregulla gramatikore, me sintaksë të deformuar, ku shpesh fjala, imazhi i saj realizon kuptimin e fjalisë, duke i dhënë subjektivitet të theksuar si krijimit, ashtu edhe interpretimit). Në varësi të tipareve stilistike dhe evoluimit të tyre ndër vite, ka studiues që e klasifikojnë veprën poetike të Camajt në tri periudha. Periudha e parë përfshin vitet 1953-1967. Në këtë kohë, në vepër vihen re tipare të poezisë së traditës dhe ndikime veçanërisht nga Mjedja, Shiroka, Xanoni, De Martino, Fishta. Vëllimet që i përkasin kësaj periudhe janë “Një fyell ndër male” (1953) dhe “Kanga e vërrinit” (1954)”. Në poezitë e këtyre dy vëllimeve mbizotëron thjeshtësia, qartësia, vargu metrik dhe i rimuar. Në këtë kontekst, ndikimi i poezisë dhe i estetikës së traditës është i dallueshëm. Kështu, poezia “Syni” (Lirika mes dy moteve) është një sonet, i cili është ndërtuar sipas rregullave klasike, me një njëmbëdhjetërrokësh të rregullt, me rima të njëjta në të dyja katrenet (strofat me katër vargje) dhe me rima që lidhin dy tercinat (strofat me tri vargje). Camaj është shumë i kujdesshëm që rimat të jenë të mirëfillta. “Syni i njeriut nga mendja n’lang çeliku/ u shkri e zemrat e fshefta t’bërthamave /mâ t’imta t’landës i vrejti dhe iku / nesh brima e fmijve sa lindë prej amave. /Syni ynë nën akllin polar paniku/i peshqve âsht, i algës s’ndijshme e gjama ve/n’shpella detare – ushtimë vulkani – ku/përbindshat dridhen vrejtjes tij mes xhamave./ Deti i vjetër ka hapun krahët për t’rrokë/shpatullat tona – e djelmve t’bâmun burra /Tash që s’na shkandullon asgjâ hap derën/e sendeve t’veta që s’gjinden n’tokë./Syni ynë nuk ngihet, syni â furra/e dritës, e diellit që çil në det Martin Camaj me të shoqen

pranverën.”. (Në fakt, kjo poezi, sistemin metrik e rimat i ka klasike, por metaforën, imazhin e saj e ka krejt moderne.).

Në lidhje me imazhin dhe motivet e poezive të periudhës së parë mund të thuhet se ato janë figura që kanë rrethuar autorin në fëmijëri dhe që kanë mbetur në kujtesë nga vendlindja tij, Dukagjini, (një vend me bukuri të rralla alpine, me njerëz epikë e lirikë njëkohësisht), të tilla, si: bujku, bari, fyelli, mali, qarri, kroi etj. Këto imazhe ishin materiali kryesor që ai i mori dhe i pasqyroi në poezinë e tij, duke i ngritur në piedestal nëpërmjet metaforës së tij të mrekullueshme.

Kështu, poeti i drejtohet fyellit, i Martin Camaj cili është simbol jetësor në malësi. Fyelli i krijon mundësi të këndojë për botën në qenësinë e saj, ashtu siç është, me doke e zakone të ashpra, me vuajtje të mëdha, po me shpirt të pasur me të gjitha llojet e ndjesive dhe ndjenjave (ashtu siç i kishte fotografuar në kujtesën e tij nga të parët e vet): “At jetë këndoje, që ti e njef aq thellë:/

Dashnin ngadhnjyese, bjeshkë e verë e dimën,/Dokjet e rrebta dhe shpirtin e kthiellë/

Vuejtjet e mdhaja, vdekjen n›skam e dhimbën. (Fyellit).

Vini re strofën e rimuar dhe numrin e njëjtë të rrokjeve, si dhe alternimet theksore e ritmike në të njëjtat pozicione për secilin varg. Strofa ndërtohet mbi një metaforë të vetme “at jetë këndoje”, e cila shtjellohet në tri vargjet e tjera, duke bashkërenditur gjithë larminë jetësore e ndjesore të qenies. Në fakt, kjo strofë mund të shihet dhe si përmbledhje e imazheve të veçanta që ai do të shtjellojë në poezi të tjera (përmendëm disa më lart dhe po shtojmë të tjera që gjenden te “Një fyell ndër male”, si poezitë:

“Mokna”, “Kroni”, “Në pranverë”, “Mbramja”, “Kcimi”, “Zana”, “Gjarpni”, “Në verime” etj.).

Duket sikur ky vëllim është një shkarkim malli për vendin e njerëzit e tij, ndaj dhe gjen vargje të tilla si: “Burrat e fort’ si shkambi, asht, si nyje/ Gjoksin e mollzat kanë,/ Guximi dhe burrnija u shndrit ndër sye / Edhe nji shpirt i gjanë./ Të flak’t ndër epshe e pror trimnit kan’ dashtë”. Vini re se si në katër vargje ndërthuret himnizimi i bukurisë së jashtme me tipare të tilla të njohura e të kënduara në poezinë popullore, si: trimnia, burrnija.

Vargu i fundit u shton atyre përmasën njerëzore të pasionit e dashurisë mashkullore.

Sërish vihet re një metrikë e rima të rregullta (Tek –tuk, fillon eksperimentimin në metaforë e imazh: vargu i parë pas krahasimit krijon një metaforë me fjalën “asht” [sistemi kockor], duke e dendësuar figuracionin dhe imazhin njëkohësisht).

Kjo prirje eksperimentimi (prishje e rregullave klasike të ndërtimit metrik e ritmik) vjen e bëhet më e dukshme te “Kanga e vërrinit”, në të cilën poeti fillon të hulumtojë mbi personalen njerëzore, të zakonshmen intime, erotikën njerëzore etj. (“Kur kcen

Dila”, “Deshta nji vashë”, “Nji shpirt”, “Tregimi i vajzës”, “Andrrimi i korbit” etj.) “Nji bot t’mbulueme nën nji gjoks, të ri,/ Ku andrra bredhin si rê t’bardha n’qiell, /Ku vllâjt e luleve presin n’vetmi/Me i nxé nji diell. (“Nji shpirt”). Mund të dallohet se në një strofë me

vargje klasike radhit njëra mbi tjetrën metafora që lidhen në marrëdhënie varësie me metaforën e parë (Një botë e mbulueme në një gjoks, të ri), por që zhvillohen edhe vetë brenda saj (Ku andrra bredhin; Ku vllâjt e luleve presin n’vetmi; Me i nxé nji diell). Po kaq delikat, ngacmues dhe njëkohësisht njerëzor shfaqet edhe në poezitë që kanë në brendi erotikën: “Kur tuejsha lop’t ke zalli i lumit n’mrina/Un dymbdhet vjeç - fëmí,/ Hyna tinz n’pemisht rrethue me trina/ E ika me molla n’gjí./Nji plak, që lop’t i ruente pror’ me mue,/M’shiqoi me plot dëshirë/E m’tha gëzueshëm: “Shpejt ti je zhvillue!/Qe besa! po m’vjen mirë.”/U skuqa e plaku i ças m’u duk si shoq:/- Jan’ molla – i thaç tue qeshë/ Përdhun’, por plakun nuk dij çka e dogj/E m’briti rrebt: “Hajneshë!” (“Tregimi i Vajzës”). Në pamje të parë është një rrëfim naiv i një fëmije që po përshkruan pjekjen e vet seksuale, përmes një momenti ku kjo e fundit (pjekja seksuale, në trajtën e instinktit) ia mjegullon arsyen (i ças m’u duk si shoq). Alegoria De Kiriko, Pasiguria e poetit, 1926 e krijuar mbi bazën e simbolit të krijuar enkas në këtë poezi, mollës (gjinjve), përbën skeletin kryesor të poezisë (flitet për një vjedhje të thjeshtë mollësh, apo për zhvillimin seksual). Kjo shfaqet me një tis ironie, prej dykuptimësisë së këtij ndërtimi. Ndjesia është e lehtë, e këndshme, intime, sensuale, pra, mjaft njerëzore.

Periudha e dytë

Periudha e dytë u referohet viteve 1967-1978 gjatë së cilës botoi “Legjenda” (1964: Kjo vepër nga pikëpamja kohore i përket periudhës së parë, por nga tematika dhe fillimi i eksperimentimit në stil klasifikohet në periudhën e dytë.); “Lirika mes dy moteve” (1967); “Njeriu më vete e me të tjerë” (1978). Në këtë periudhë, Camaj hidhet në eksperimentim në mënyrë të qëllimshme.

Imazhet e poezisë së tij tashmë ai i kërkon te legjendat, te mitet, por pa rënë në kurthin e imitimit. Ai i përpunon këto skelete antike mitike popullore, duke krijuar me to simbole të cilat do t’i shtjellojë në metafora e jo vetëm. Këto mjete do t’i shërbejnë më tej në motive e perceptim për të zbërthyer qenien njerëzore me problematikat e saj: qëndresën, flijimin, me vuajtjet e mëdyshjet shpirtërore të individit e veçanërisht vetminë etj. (“Lirika mes dy moteve”)

Shumë prej “legjendave” janë parodi erotike (Merret figura mitike me një pjesë të kontekstit ku ka qenë në mit apo legjendë dhe i hiqet deri diku imazhi heroik, mitik, legjendar, duke e futur në një ambient të thjeshtë e njerëzor. Me raste, ky proces shkakton edhe humor.). Kështu,

Skënderbeu shfaqet si një kalorës çfarëdo, një natë me një grua të vetmuar: “Gruaja i pruni

Gjergjit / venë të kuqe e i rrotull djathë, / fier t’njomë e gjij të bardhë” (“Skënderbeu dhe gruaja”).

Vini re enumeracionin që përfundon me imazh erotik.

Në poezi të tjera, një çakall arratiset me gruan e një malësori; hyjnia e lumit Drin është një dhi e bardhë, një djalosh që niset të vrasë një dhi të egër ndesh një Orë (Zanë), që e josh atë për vdekje. Sipas mitologjisë së folklorit, një shpirt i Orës banon në brirët e një dhie të egër dhe helmeta e Skënderbeut kurorëzohet nga brirë të tillë.

Pikërisht këtë lloj trajtimi deri diku antiheroik të këtyre simboleve, dhënë nëpërmjet vargut të lirë (të cilit do t’i referohemi më poshtë), studiuesit e kanë parë si tipar të poezisë moderne në veprën e Camajt.

Në vëllimet poetike që përfaqësojnë këtë periudhë vihet re një përshkallëzim motivesh, të cilat te vëllimi “Njeriu më vete e me të tjerë” shkëputen krejtësisht nga ato të fazës së fillimit, duke marrë trajtën e ndjesive personale. Vetë Camaj e pohon këtë fakt kur thotë: “Motivet kryesore, për sa i përket lirikës, kanë ardhë prej shtytjevet të mia të mbrendshme, don me thanë nga përjetimet vetjake… prej kombinimeve të ndryshme të rrethanave jetësore apo biografike dhe prirjeve psikike, më kan shty të shkruj këto motive.”. Më tej, ai rendit edhe motivet që ka shtjelluar, duke pohuar: “Vetmia, frika me qenë vetëm. Me ndrymjen në vetvete janë të lidhuna motivet, p.sh. “Nën hijen e sendeve”, “Nata e koncertit”, “Rojtari i muzeut nacional”. Por le të shohim si shtjellohen këto motive në poezi. “Nën hije ku sot /mbasdite pushova/e këputa fije bari n’mendim,/cicrrojnë bujqit e natës./ Pranë votre ndigjoj plasje/bishtajzash/gjineshtre në parzëm.” (“Nën hijen e sendeve”). Vihet re se metafora është bërë më abstrakte dhe imazhet e saj janë ndjesore, shqisore (cicrrojnë bujqit e natës; ndigjoj plasje…) dhe pjesë e përjetimit personal (pranë votre, mbasdite e vonë). Edhe vetë titulli me grupin parafjalor krijohet mbi një shmangie në ndërtim që e çon lexuesin drejt një imazhi përjetimi në një atmosferë të mbyllur. Motivin e vetmisë, Camaj e lidh edhe me disa poezi që kanë në qendër motivin e gruas: “…Edhe motiv i grues lidhet me vetminë: disa e kanë interpretue si preferim i sensualitetit, por unë e thom se s’ashtë vetëm sensualitet, por diçka tjetër, komunikim me jetën, mjet për të dalë nga vetmia. Zhgënjimi në proceset e këtij kontakti dalin në “Grueja e gjarpni”, “Dreni plak”, “Legjenda e Shotës” etj. Për nevojën e saj flet “Çka i duhej Uliksit Itaka pa grue?”. Vini re se si perceptohet kjo nevojë në këtë poezi: “Uliksi e Itaka pa grue – dy krena binjokë dhie/me nji bri të thyem: punë e pakryeme.”. (“Çka i duhej Uliksit Itaka pa grue?”) Uliksi, simbol i shtegtimit për t’u kthyer në atdhe, na del tashmë si simbol i ribashkimit me gruan. Kjo e fundit del pa emër për të përforcuar nevojën e bashkimit femër-mashkull, ndryshe qenia mbetet e paplotësuar ose “punë e pakryeme”. Vini re përdorimin e simboleve të vjetra (arketipe) në metaforë (dhia, brini). Po në këtë vëllim, del edhe motivi i frikës nga mbarimi, jo vetëm i jetës, siç e përcakton vetë Camaj: “Frika e të sosunit, jo vetëm të jetës”, e cila ilustrohet me imazhe të tilla, si: “vdekja në përfytyrimin e akullit në “Ai mal akulli ndan kohën”. Ardhja e fundit paraqitet në qetësi, me hapa të lehtë (“Vdekje – krizëm”), por edhe në mënyrë teatrale, me zhurmë të shkundullimës ose të rrungajës (tërmetit).” Poezia “Ai mal akulli ndan kohën” ka një nëntitull që parashikon diçka jopozitive, të ndaluar, kobzezë (Ai mal akulli kish nji emën, nji emën tabú!). Kjo nënkuptohet nga emri tabu, që paraqet eufemizmin si pjesë e supersticionit popullor. E në fakt, në poezi, askund nuk e gjen fjalën vdekje. Situata shfaqet gati si halucinacion: “Para se të mbylleshin sytë në gjumë,/pashë malin e akullt të bardhë/te kambët e mia.”. Njësia “e akullt” ka edhe kuptimin e emrit, përbërjen e tij (prej akulli, por edhe të ndalimit, mbarimit në kuadrin e poezisë) edhe të mbiemrit (e ftohtë). Të dyja të përmbledhura në një simbol të vetëm. Përfundimi i procesit shfaqet me metafora me imazhe qiellore.

Edhe kufoma nënkuptohet me hijen: “Erdhi era me diell dhe e shkrini/e aty nën hijen time doli një bimë.” Veçse në fund përsëri ka një ringjallje, “një bimë”. Në këtë proces krijues kaq eksperimental dhe kompleks, vetë Camaj vë re se “vargjet thuajse klasike” që kishte përdorur deri atëherë nuk i jepnin mundësi të jepte imazhet poetike që dëshironte, ndaj kalon te vargu i lirë, duke e konsideruar këtë proces “si një shlirim” të vërtetë. Për këtë arsye, ai hidhet te vargu i lirë. Ky i fundit pavarësisht se nuk shfaq shumë rima të jashtme, është i kompletuar me rima të brendshme në trajtën e aliteracioneve “Sonte bjen shi me rrshekë / e shndrit vetima nji udhtar me strugë.”. Vini re aliteracionin, që krijohet me tingujt sh/s, i cili krijon edhe imazhin tingullor për rënien e shiut, zhurmës së tij, ndjesisë gjithashtu etj. Camaj vetë veçon faktin se poezia me varg të lirë duhet të jetë e përmbledhur, të mos ketë shumë fjalë, madje duke u munduar të ketë një simetri deri diku edhe mes numrit të fjalëve (shejave) dhe vargjeve, duke na dhënë kështu edhe imazhin e tij koheziv për poezinë, apo siç e quan ai “kompozicion të shkurtë (poezi)”.

Periudha e tretë

Periudha e tretë përfshin vitet 1978-1992. Në veprat e kësaj kohe vihen re prirje moderne të pahasura në letërsinë shqipe brenda kufijve. Të tilla janë: “Nema” (1990), “Buelli” (1990) dhe “Palimpsest” (1991). Këto tri vëllime janë punimet më unike në letërsinë shqipe, si për nga motivet, ashtu edhe për nga teknikat stilistike të përdorura.

Studiuesit kanë vënë re se në këto vëllime është reduktuar dukshëm qartësia tematike dhe kuptimore, si dhe leksiku i zakonshëm. Gjuha poetike e këtyre cikleve është më e ngurtë, më e rëndë dhe ngërthen një domethënie të thellë, alegorike.

Abstraksioni është shumë i lartë: “Bien prej nalt nga ranë dhe mollat/ cirka aritmike shiu para kambësh/ dhe stërpikin dheun e/shtama hini eshtnash tjetër ngjyre.”. (“Antilopa me pergamenë”). Vini re se sa abstrakt është imazhi që krijohet qysh në titull, i cili

nuk deshifrohet dot pa lexuar gjithë poezinë dhe pa pasur një informacion specifik mbi simbolikën që lidh dy konceptet kryesore. Po kështu poeti luan edhe me simbolin e mollës, të cilën e jep në shumës. Më tej stimulon alegorinë me mbiemrin “ritmike”. Praktikisht, vetëm me këtë strofë nuk bën ndonjë lidhje mes saj dhe titullit. Hermetizmi është i fortë dhe me raste i vështirë për t’u deshifruar. Emërtimi i ciklit “Nema” (mallkimi) nuk kushtëzon domosdoshmërisht kuptimin e saj në poezitë e këtij vëllimi. Studiuesit mendojnë se në disa raste ajo shpreh pakënaqësinë dhe kundërvënien me gjendjen e caktuar. “Vetëm e kishte prekë gjarpni/ që nuk zen kurr fëmijë/ pa e nemë e ama një herë.” (“Gjarpni e Fëmija”). Imazhi i kësaj poezie është një fëmijë që qan, pse e ka prekur gjarpri, pavarësisht se, siç thonë edhe këto dy vargje të fundit, ai nuk i zë kurrë fëmijët. Pra, vihet re ndryshimi i gjendjes (pra, po e prek dikush) dhe jo pësimi nga gjarpri. Në raste të tjera, “Nema” shpreh tragjiken, si në këtë rast që konceptohet me vetminë: “Pakënaqësi me qenë aty ku je/ me shokë, shkrolë e thyeme në fjalë/ vjeshtë e dimën e verë/n’orën pesë në mbramje e katër/në mëngjes, me hangër bukën e ré/ mbrenda katër mureve”. (“Pakënaqësi”). Edhe te cikli tjetër i poezive, “Buelli”, shfrytëzohet simbolika e mitit mesdhetar të “buellit”, nga i cili, siç shprehet vetë Camaj, është marrë fakti se “buelli” shihet si zot i fushave, si dhe procesi i shfarosjes së tij në brigjet e Drinit. Duhet thënë se ai nuk është simbol vetëm i kanosjes, ligësisë e shkatërrimit, po ka edhe anën tjetër që lidhet me kundërvënien dhe përballimin: “Ai âsht një mal. /Për çdo shekull një o dy here/ kur zêhet hana/ buelli gur e dhé çohet lugát/ përkulet deri në Lumë e pi ujë/ dhe hurp gur të shkrimë e mazën e tokës/ në vlim.”. (“Buelli, emën mali”) Cikli i fundit i poezive, “Palimpsest”, nuk del jashtë kuadrit tematik dhe kompozicional të dy vëllimeve pararendëse të kësaj periudhe. Palimpsesti është një shkrim i fshehur, i fshirë në një pergamenë të vjetër (lëkurë kafshësh që në lashtësi përdorej për të shkruar). Meqenëse nuk kishte shumë të tilla në atë kohë, praktikohej fshirja e një teksti dhe shkrimi mbi të i një teksti tjetër. Pikërisht ky lloj shtrati alegorik merret dhe aplikohet si një proces vetëzbulues i qenies si individ dhe qenies si shoqëri. Ai e sqaron procesin kështu: “Në këtë palimpsest zbulova hijen/ në thellësinë që s’shihet.”. Në poezitë e këtij cikli, motivet më të dallueshme janë: vetmia, lëngimi, mbyllja dhe errësira e qenies. Abstraksioni i perceptimit dhe i ndërtimit të metaforës është shumë i lartë: “O syt tanë, në váj/ /fshikëza uji mbi qumësht të ngjelmë/e të idhët!” (“Palimpsest i rrëfyem”). Apostrofa aspak e zakonshme që i referohet një vete shumësi, ku përfshihet edhe poeti (tanë) e ndjekur nga një metaforë komplet e pazakonshme perceptimi (lot si flluska e qumështit me kripë, të ngjelmë, që në fakt përbën një oksimoron qumësht-tamël -i ëmbël; i ngjelmë - i kripur - i idhët), krijojnë një imazh të plotë të motiveve të përmendura më sipër.

Me të njëjtat motive, por me vargje të formuara me aliteracione të theksuara, jo vetëm me një tingull, por me rrokje (va-) dhe tinguj njëkohësisht (-v-), theksojnë akoma më shumë metaforat paralele. Këto metafora në këtë poezi na prezantojnë qenien në një situatë pa zgjidhje, të izoluar dhe vajtuese ulëritëse, pa arritur të artikulojë asgjë (ndaj thotë pa folje, se folja formon fjalinë, pra, artikulimin e shqetësimit, që do të sillte njëfarë shkarkimi të këtij të fundit): “Vajtim në vargje pa folje/ vargoj ndër duer e kambë / váthë ndër veshë të shurdhë/zile skaj dyersh në mur pa dalje.”. (“Herë zi”).

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Ndikimi nga poezia e traditës është i dallueshëm në poezinë e periudhës së parë të Martin

Camajt. Në cilin nivel duket ky ndikim? Ilustroni me shembuj nga mësimi. 2. Imazhet e poezisë së Camajt veçanërisht në periudhën e parë, në pamje të parë, duken të zakonshme. Cilës fushë semantike i përkasin një pjesë prej tyre? A ishte kjo e fundit pjesë e imazheve të një kohe të caktuar të jetës së tij? Ilustroni me shembujt e dhënë më lart e të tjerë nga vepra. 3. Cilat janë motivet që dallojnë “Kangën e vërrinit” nga “Një fyell ndër male”? Pavarësisht se të dyja vëllimet i përkasin së njëjtës periudhë, a e ka filluar eksperimentimin shkrimtari dhe ku vihet re kjo? Ilustroni me shembujt e dhënë dhe të tjerë. 4. Në periudhën e dytë, poeti hyn në eksperimentim si në tematikë, ashtu edhe në teknikë, duke e inkuadruar poezinë e tij në një kontekst komplet modern. Cilat janë dy elementet që studiuesit i panë si tipare të poezisë moderne? Ilustrojeni me shembujt e dhënë në mësim, po dhe të tjerë. 5. Periudha e tretë e krijimtarisë poetike të Camajt përbën shkallën më të lartë të abstraksionit të imazhit, të ngërthyer tashmë nga hermetizmi. A dallohet kjo gjë që nga titujt e vëllimeve?

Çfarë i duhet lexuesit për të deshifruar poezi me imazhe të tilla?

Ushtroni mendimin kritik

6. Dy strofat më poshtë janë marrë njëra nga vëllimi “Një fyell ndër male” (“Mbramja”) dhe tjetra nga “Kanga e vërrinit” (“Ishulli”). Vini re dallimin në mënyrën e ndërtimit të tyre, rimat e jashtme e të brendshme, ritmi, lloji i vargut, imazhi. Diskutoni për evoluimin e stilit të Camajt edhe brenda një periudhe. A mendoni se kjo ndihmon në ndërtimin e një metafore me një imazh surreal deri diku?

“U nis dielli e tash po tret’ ndër maje,/ Terri i parë i zuni gropa e çuba;/Lan’ blegtorët pyje dhe i lugaje/ E te kroni krejt po bijn’ me tuba.”( “Mbramja”)

“Përmbas horizontit – heshtimi, /mes flokësh kaçurrela resh /zbardhen sy qeni/ në suazën e veshëve lopata.” (“Ishulli”)

7. Pjesa në vijim është marrë nga vëllimi i periudhës së dytë “Legjenda” (“Grueja e Skanderbegu”).

Kemi folur pak në mësim për të. Dalloni në këtë pjesë heroizmin dhe deri antiheroizmin. Cili është shqetësimi kryesor i Skandërbegut? Diskutoni për mitin dhe “çmitizimin” e imazhitlegjendë në funksion të ndjesisë njerëzore. Çfarë ndjesie ju shkakton kjo gjë?

“Çka kje, grue, me ty kështu?”/Nji fjalë të madhe tha ajo:/“Po, ku t'i marr luftarët si ti/me shyta blini e hekuri/ e me parzëm t’pacenueshëm?”/Kastrioti tha me vete:/bre, ku të des n’mos mbetsha në luftë?/E shikoi shtrojen trishtë.” 8. Periudha e tretë e poezisë së Camajt përbën shkallën më të lartë të abstraksionit të imazhit dhe teknikës hermetike të dhënies së tij përmes simboleve. A e dalloni nga shembujt e dhënë në mësim, po dhe shembuj të tjerë nga vepra? Diskutoni për këtë duke e ilustruar mendimin tuaj me poezinë me titull “Kuptimi”: “Edhe një herë u gjeta Te Dheu i Huaj/ në brigjet e atij ishulli të lashtë./ Atje në ranë më rá dora në një gockëz deti,/ fosil i saktë me rrëfanzë në krye ku/përshkova penin dhe e vara hajmali në qafë./Kuptimi i këtij sendi ishte ‘bimë e lumtun/ dhe i përngjante një zilje sa një sý peshku/nën ujë.” 9. Dalloni simbolikën e theksuar që në titujt e poezive. Nga periudha në periudhë vjen duke u rritur abstraksioni. Gjeni shembuj ku kjo simbolikë ka qenë vetëm fillesa e ngacmimit të shkrimtarit, sepse pastaj e ka përpunuar atë. Diskutoni në lidhje me vështirësinë e deshifrimit. 10. Lexoni veprat e Camajt dhe gjeni në to metafora që ju bëjnë përshtypje. Diskutoni për imazhin dhe për mënyrën se si janë ndërtuar ato.

Sfida e të shkruarit

11. Më poshtë kemi dhënë një poezi të Martin Camajt. Në anën e djathtë të saj, mundohuni të plotësoni vendet bosh të një skeleti poezie tjetër që ka elemente të njëjta me të. Mundohuni të imitoni stilin e Camajt. Nëse doni, mund ta bëni edhe në prozë, por të ketë efekt poetik (metafora të pazakonta, herë qiellore e hiperbolike, herë shqisore e të animizuara). Mos u shqetësoni dhe mos paragjykoni njëri-tjetrin. Këto janë sprova për të përjetuar e për t’u ndier mirë. Shkruani në çfarë varianti të doni.

MBRAMJA NË NORD

Eci e eci e gjeti blerimin. Tingujt e kumbonareve lanë pishat e bredhat e shkuen me bujtë në qiell. Qetsija e syve t'kaltër rrokulliset nepër pullaze t'thepisun e bahet pasqyrë e dritave të kandilave të shekullit t'kaluem. Eci e eci e muzgu me plaçka në krah e para se me hy mbrendë, e uli barrën skâj derës tue lanë shêj për ta gjetë në terr me nji t'prekun, para agimit. MBRAMJA NË____________

Eci e eci e gjeti detin Tingujt _______________________

_____________________________ Qetsija e syve___________________

_____________________________ Eci e eci e muzgu _______________

Letërsi

Proza - motivet dhe elemente të stilit

Veprat në prozë të Martin Camajt janë shkruar më vonë se poezitë e periudhës së parë. Vepra e parë e tij në prozë është “Djella” (1958). Motivet e këtij romani na i sqaron vetë Camaj: “Ideja e motiveve që do të zhvilloheshin në një ambient të caktuem më erdhi si reagim kundrejt propagandës të vjeteve '50 në diktaturat e reja komuniste të Lindjes: thuhej se një shkrimtar i saktë nuk duhej ta lente kurrë vendin, duhej të jetonte mbrenda popullit të vet, përndryshe humbaste talentin.”. Më pas, këtë motiv ai e lidhi me motivin tjetër të zhvendosjes së popullsisë së Veriut të Shqipërisë drejt fushave. Sipas tij: “Diktatura e re, zhvendosjen e popullatës e përdori për qëllime të caktueme të veta, edhe si masë ndëshkimi, internimi i familjeve ‘armiqësore’, për shembull.”. Pra, siç mund të shihet, pavarësisht distancës hapësinore, Camaj jetonte me shqetësimet dhe problematikat që ndodhnin në vend. Të dyja këto motive ai i gërshetoi nëpërmjet imazheve të përjetuara nga Bardh Qerreti, mësuesi i fshatit Ndërsanë. Tematikat nuk jepen si një rrëfim ngjarjesh, por si përsiatje, meditime, mëdyshje të këtij personazhi. Tek ai ndërthuren dy botë: ajo e origjinës, e malësorit dhe ajo e intelektualit, mësuesit. Ato, pavarësisht se janë në kundërshti me njëra-tjetrën, nuk përfaqësojnë të mirën e të keqen, pasi Bardhi nuk e urren origjinën e tij. Nga ana tjetër, atij nuk i pëlqen sistemi mbi të cilin është organizuar kjo origjinë dhe marrëdhëniet njerëzore që shfaqen në të, të cilat i duken të izoluara, të palëvizshme, pa zhvillim e risi. Bardhi kërkon më shumë hapësirë dhe mundësi për veprim të natyrshëm: “Due ajr dhe nji bote të hapēt, pa skaje.”; “S’ishte ajo jetë për një krijues idesh.”. Kjo kundërvënie shfaqet edhe në aspektin ndjenjësor. Kështu, ai në fillim dashuron Shpresën, mësuese, pasi sheh tek ajo personin me formim të njëjtë, që do ta ndihmojë edhe në këtë kundërvënie ndaj së vjetrës. Po nga ana tjetër, sa sheh Djellën, malësoren e bukur, ndien një tërheqje të nxitur edhe nga modelet e nënshtresat e fshehura të origjinës së tij. Këtë treshe e plotëson Curri, malësori i hijshëm, që dashuron Djellën gjithashtu. Nga pikëpamja e kohezionit, pra, e mënyrës së organizimit të materialit gjuhësor, janë të dallueshme efektet poetike të këtij romani (rima të brendshme, alternime ritmike të njëjta, fjali pa folje-elipsa sintaksore, rimarrje të fjalisë me të njëjtën fjalë a të njëjtin tog, përdorimi i fjalëve që kanë vetë një imazh të theksuar poetik, ndajshtimet në formë grupi e jo vetëm një fjalë etj.), pavarësisht se Camaj thotë se kaloi nga poezia në prozë në rastin e Djellës. Megjithatë, edhe vetë Camaj pranon se nuk e ka si synim dallimin e gjinive në punët e tij. “Hija e një vajze shtat-hjedhët këputi udhën e madhe e hyni më një shteg mes dy brigjeve arash.” Pasi jeni njohur me mënyrën e ndërtimit të poezisë së Camajt dhe pasi të keni lexuar prozën e tij, arrini të vëreni se si fjalia e mësipërme fare mirë mund të ishte pjesë e një dyvargëshi të një poezie të Camajt. Fjalia është një metaforë e madhe, e cila ndahet në mes nga lidhëza bashkërenditëse “e” që shërben edhe si hapësira ritmike ndarëse mes dy pjesëve të fjalisë/varg. Po kështu, fjala “arash” është dhënë në rrjedhore pikërisht për të krijuar uniformitet metrik, pasi në fakt ajo duhet të ishte në gjinore (mes dy brigjeve të arave). Në këtë kontekst, mbaresa e rrjedhores “-sh” bëhet edhe për të krijuar aliteracion të brendshëm.

Romani tjetër, “Rrathë” (1978), trajton problemet me individin dhe sistemin (Në fakt, një alegori e hapur me atë që kishte ndodhur në Shqipëri.). Sistemi përfaqësohet në rrathë që kanë një hierarki në progresion ngritës: Rrathë uji, Rrathë zjarri, Rrathë gjaku. Studiuesit e shohin këtë ndërtim hierarkik në funksion të sigurimit të sistemit, forcimit të privilegjeve të pushtet-mbajtësve, duke forcuar

mbikëqyrjen dhe monopolizimin e çdo fushe të jetës, madje edhe përcaktimin e zhvillimeve shoqërore. Që të arrihet kjo, sistemi punon fillimisht për shkatërrimin e personalitetit dhe individualitetit njerëzor, duke u munduar ta bëjë atë pjesë të grupit, të kolektivit. Në këtë grup, individi nuk do të ketë liri mendimi e veprimi, po do të jetë pjesë e një turme, në të cilën është i detyruar t’u nënshtrohet interesave të të tjerëve. Individi tashmë nuk është më vetvetja, por një hije e tij. Ndër personazhet përfaqësuese, nga një numër i madh prej tyre, veçojmë Bacin (Folkloristin) dhe Agonin (Novelistin). Baci, edhe nga simbolika e emërtimeve, përfaqëson të vjetrën. Në thelb, ai nuk e do sistemin, po ka frikë t’i kundërvihet. Gjithsesi, një revoltë të fshehur ai e bën, pasi fillon të mbledhë folklor, “Këngët e Kreshnikëve”, që nuk janë pjesë e jetës së sistemit. Nga ana tjetër, personazh kryesor është Agoni apo Novelisti që gjithashtu edhe nga simbolika e emrave kuptohet se përfaqëson të renë. Detyrat që i duhet të përmbushë në kuadrin e sistemit, të mbledhë të dhëna për Ilegalin (lajmë të nëndheshme) dhe të shkruajë një reportazh për ardhjen e traktorëve në Ripën e Mesme, e bëjnë atë që të njohë sistemin. Përditshmëria në të (jetën në sistem), ia prish nocionin edhe për sistemin, edhe për botën. Fillon shpërbërja kohore në kufijtë e surreales, saqë ai nuk dallon as edhe kalimin e kohës dhe të ngjarjeve. Studiuesit kanë vërejtur se Agoni as nuk ia nis e as nuk mund t'ia luajë lojën pushtetit, siç vepron, fjala vjen, Baci. Në njërën anë, ai s'ka përvojë të mjaftueshme për rrethana të tilla, ndërsa në anën tjetër, ka shpirt krijuesi letrar, prandaj shumë çështje i sheh ndryshe nga të tjerët. Agoni e kupton botën dhe karakterin e sistemit sidomos në fund të romanit, sa merr vesh se vepra e tij e vënë në teatrin e kukullave kishte bërë bujë të madhe, sidomos i kishte shqetësuar pushtetarët. Ky është çasti kur ngadhënjen forca e artit dhe nga ky çast, Agoni i kthehet vetvetes dhe jetës krijuese. Nga pikëpamja e kohezionit, mënyrës së ndërtimit dhe organizimit të materialit gjuhësor, teksti i këtij romani paraqet një larmi trajtash si në rrafshin leksikor, ashtu edhe në atë morfologjik e sintaksor. Camaj përdor shumë frazeologji, fut fjalë të leksikut arbëresh dhe varianteve të ndryshme dialektore, luan me fjalëformimin, emërtimet i kalon në simbole që lidhen dhe me domethënien e rolin që kanë personazhet në roman. Dialogët dhe monologët dramatikë janë ata që përcjellin ngjarjet dhe jo një rrëfim direkt i tyre. Një gjë e tillë bëhet në mënyrë të qëllimshme edhe në funksion të motiveve të romanit (bota e individit përballë sistemit, vetmia, humbja e traditës, kërkimi i lumturisë, i suksesit vetjak, lidhja me rrënjët e origjinës).

Vepra që nga shumë studiues shihet si kryevepra e tij është “Dranja”. Dranja është emri i breshkës femër “me një emër gruaje”, si dhe emri i një vajze të bukur prej vendlindjes së autorit (Ky emër në fakt është emri i lules që gjendet në disa variante: drandofille-trëndafil-Drane-Drande). Nga këto të dhëna të vetë autorit del që titulli duhet lexuar si gruaja-breshkë dhe breshka-trëndafil.

Në lidhje me llojin e tekstit dhe ndërtimin e tij, autori sërish na jep të dhëna që në fillim përmes emërtimit poshtë titullit, duke e quajtur “Madrigal”. Madrigali është një nënlloj lirik-erotik, i shkruar në vargje dhe në fillimet e tij, i kënduar. Madrigalet e Camajt janë shkruar në prozë.

Gjithsesi, elementet poetike të këtyre prozave janë shumë të dukshme, ndaj dhe studiuesit bien në një mendje se ato janë proza poetike. Dranja shfaqet si një hibrid me tipare rrëshqanore (zvarritëse, pra, të breshkës) dhe njerëzore. Edhe vetë Camaj thotë “frymor i ndërmjemë mes sisorëve dhe atyne që pjellin vezë”. Ka studiues që Dranen e identifikojnë me autorin dhe jetën e tij të përcaktuar nga origjina e tij, por edhe endjet jashtë (veçanërisht në madrigalet e para). Breshka si simbol (me konotacion jo fort pozitiv në kujtesën popullore) është zgjedhur nga autori edhe në funksion të tekstit modern të tij (Metamorfoza si koncept dhe si proces është e zakonshme në tekste të letërsisë moderne.). Gjithsesi, imazhe të tilla si breshka, gjarpri etj., të frymëzuara nga mitologjia, Camaj i merr dhe i përpunon në përmbajtje, por deshifrimi i plotë i tyre bëhet duke mos harruar edhe referencën mitike nga janë marrë.

Në një madrigal tjetër, autori pohon se e takoi Dranen, kur ishte fëmijë, duke e shmangur deri diku personifikimin direkt me të: “më ndoq ajo hije përmbas, roje frymë-mirë e dheut të rrëpijtë pranë Lumit të Madh, prore në naltësinë e shputës së kambës, kudo që shkova.”. Vini re se si krijohet efekti poetik nga grupet pothuajse me numër të njëjtë fjalësh dhe rrokjesh, që kufizohen nga presja e parë dhe e dytë. Në këto grupe mungon folja dhe elementi lidhës. Të gjitha këto krijojnë një ritëm të brendshëm, që i japin diksion poetik leximit. Në raste të tjera, tipare të caktuara të saj shërbejnë si model katarsisi për zërin poetik: “Qysh se e njoh Dranjen janë shlye edhe në mue plot vese, si paduresa e vrulle irnuese të paprituna: Qëndrimi i saj si copë thëngjilli i fikun më sjell ndër mend prore sa të pakuptim janë përpushjet e ngutshme, si zorra në prush, të njeriut modern.”. Duke u kthyer sërish te përdorimi i elementeve mitike, duhet të themi se me breshkën-grua Camaj krijoi një mit të ri ose personal, veçse pa heroizmin e miteve të zakonshme. Referenca shumëplanëshe janë të dallueshme në vepër. Kështu, nëpërmjet zhvendosjes hapësinore të Dranes, në madrigale flitet edhe për historinë e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Camaj, e quan breshkën “dhease” (autoktone), kur Dranja viziton Tempullin e Afroditës. Në këtë kontekst, Dranja shfaqet si një vepër me referenca shumëplanëshe, po që gjithsesi në thelb mbetet fati i qenies së dyzuar në kompleksitetin jetësor të saj. Ka autorë që e shohin këtë si fat tragjik. Gjithsesi, ky i fundit projektohet në kontekste mitike, historike, filozofike etj., nëpërmjet një gjuhe poetike dhe me mjete kohezive mjaft moderne.

“Karpa” (1987) është romani tjetër i Camajt që sipas tij: “Është një roman kompleks që rrëfen dëshirat e papërmbushura të jetës së tij.”. Po kështu, ai vetë shpjegon edhe domethënien e titullit i cili “simbolizon një kala të paarritshme që banohet nga njerëz gjithaq të paarritshëm e në thelb të egjër.”. Duke luajtur me origjinën e fjalës, Karpa identifikohet si një fshat, por që në emërtim ai e lidh me pozicionimin e saj si një vend i butë me gjelbërim mes shkëmbinjve; edhe këtu Camaj nuk del nga teknika e tij simboliste e hermetike njëkohësisht. Motivet që dallohen në këtë vepër janë të shumta. Nëpërmjet alegorisë, ato lidhen si me fatin e individit, ashtu edhe me atë të shoqërisë shqiptare. Kështu, aty dallon izolimin dhe dramën që sjell ai te njeriu, dhunën fizike e mendore, sedrën e fyer, pengimin e lëvizjes së lirë e bashkë me të mungesën e komunikimit, shmangien nga zhvillimi etj. Të gjitha këto jepen mes gërshetimit të reales dhe irreales. Realja synon të përcaktojë hapësirën dhe kohën, kurse irrealja, nëpërmjet përvojave historike që më së shumti dalin si mitike, e rrënon imazhin real. Romani fillon në verën e vitit 2338 (pavarësisht se në roman dalin edhe kohë reale si 1975, 1980). Kjo kohë është subjektive dhe zhvillohet kryesisht në nënvetëdije, duke marrë dhe kuptimin e mbarëkohësisë në lidhje me ngjarjet që ndodhin në Karpë. Jeta e individit në Karpë duket se nuk kushtëzohet vetëm nga kushtet reale; ajo është edhe rrjedhim i fatit historik të trashëguar. Kështu, Voni, Barnatari, duke lexuar Kronikën e vjetër të Karpës dallon që ajo është jeta e vërtetë e kësaj të fundit (me të këqijat, tragjiken, dhunën etj.). Meqë nuk iu nënshtrohet rregullave të këtij mjedisi, ai dënohet të jetojë në zemrën e shkëmbit, larg jetës e mundësisë së veprimit të lirë. Mjaft interesante në krijimtarinë e Camajt janë edhe novelat e tij (1981), që ai i quan “copa”: “Shkundullima”, “Pishtarët e natës”, “Rrungaja në mars”, “Gjon Gazulli”, “Katundi me gjuhë të fshehtë”. Në to gjen botën e malësorit shqiptar (“Pishtarët e natës”), po dhe të arbëreshit (“Shkundullima”), dy botë, të cilat i kishte pjesë të përjetimit të tij emocional. Gjen po ashtu edhe fatin e fatkeqësinë e përbashkët, si dhe ballafaqimin e njeriut me ndërgjegjen e tij dhe atë të shoqërisë (“Katundi me gjuhë të fshehtë”, “Gjon Gazulli”). Gjithë krijimtaria e Camajt dëshmon atë që me të drejtë pohon Ernest Koliqi: “atij edhe padashtas i shkon syni te brumi njerëzor”, pra, te qenia dhe fati i saj.

Verifikoni njohuritë

1. Romani “Djella” ka motive të larmishme. Cilat janë dy motivet me referencë reale në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, për të cilat flet edhe vetë autori? 2. Në roman ravijëzohen dy çifte: Bardhi - Shpresa dhe Djella - Curri. A përfaqësojnë ata dy anë të ndryshme dhe plotësisht të kundërta? Pse? (Kujdes te figura e Bardhit, pasi ajo është komplekse.) 3. Romani “Rrathë” përcakton marrëdhëniet mes individit dhe sistemit. Si përcaktohet në mënyrë simbolike ky raport? A krijon alegori me realitetin shqiptar të kohës së diktaturës dhe çfarë ndjesie krijoni? 4. “Dranja” është një hibrid që del në dy forma. Përcaktoni llojin e këtyre formave. A është ky hibridizim i zakonshëm për letërsinë moderne? Sillni shembuj. 5. “Karpa” është një roman i cili trajton fatin e individit jo vetëm në aspekt personal. Si ka ndikuar ambienti në këtë lloj fati? Tragjikja e tij është e lidhur vetëm me pozicionin dhe relievin e saj gjeografik?

Ushtroni mendimin kritik

6. Te figura e Bardh Qerretit vihet re përplasja e ndjesive të origjinës dhe atyre të intelektualit të qytetëruar. Cili është qëndrimi i Bardhit në lidhje me to? A mund të përshtaten ato me njëratjetrën? Tregoni qëndrimin tuaj në lidhje me këtë dikotomi. 7. Në romanin “Rrathë” vihet në dukje se diktaturat (sistemi) sulmojnë fillimisht karakterin njerëzor. Çfarë synojnë të arrijnë me këtë tek individi? Si ju duket synimi i sistemit për ta bërë individin pjesë të grupit, turmës, pra, t’i zhdukë individualitetin atij? 8. Agoni e kupton botën dhe karakterin e sistemit sidomos në fund të romanit, sa merr vesh se vepra e tij e vënë në teatrin e kukullave kishte bërë bujë të madhe, veçanërisht i kishte shqetësuar pushtetarët. A mendoni se kultura, arti, shkenca, janë një mënyrë për të luftuar uniformitetin, diktaturat, të keqen në përgjithësi e atë brenda secilit prej nesh në veçanti? Pse? 9. Breshka-gruaja-Drane dhe imazhi i saj shumë modern i krijon mundësi autorit të hulumtojë në shumë nivele jetësore me shtrirje kohore të papërcaktuar imazhesh, simbolesh, mitesh etj. A e ndihmon autorin një përzgjedhje e tillë kompozicionale në deshifrimin e kodeve jetësore jo vetëm të individit në përgjithësi, po edhe të tij në veçanti? Ilustroni mendimin tuaj me pjesë nga madrigalet. 10. Në romanin “Karpa”, izolimi hapësinor krijon edhe izolimin mendor. A mendoni se dhuna e veset që shfaqen në këtë realitet janë të kushtëzuara pikërisht nga ky izolim, apo janë pjesë e së keqes brenda njeriut kudo që ndodhet ai? Pse njerëzimi preferon kryesisht të shkarkojë të keqen?

Sfida e të shkruarit

11. Raporti i individit me veten në radhë të parë, fatin e tij personal e kolektiv, raporti me shoqërinë e sistemet, i vënë në kontekste të caktuara historike ose dhe me mungesa reference kohore janë tharmi kryesor i motiveve të Camajt. Duke pasur parasysh këtë, shkruani një tekst me titull: “Unë dhe uni brenda meje, një luftë e përjetshme, e fituar apo e humbur?”.

M. Camaj

ILUSTRIM LETRAR

Zana

Poezia me titull “Zana” i përket vëllimit “Një fyell ndër male”, i cili është pjesë e veprës së periudhës së parë të krijimtarisë poetike, kur vështirësia e metaforës, eksperimentimi me strukturën dhe abstraksioni nuk është shumë i dendur. Poezia krijon ndjesi të përshtatshme për grupmoshën tuaj.

Mbi fshat në maje Luli duel e vren Tubën shpatijesh hapë, Kurse Zana tue bâmun shputë vjen, Vajza t'pes-mbdhetat kapë. – Njéri si ty un s'e kam pá nuk di –Me turbullim tha Luli; Vasha tu'u kuqun mâ tepër tha “si?” E kryet kjo marrshëm uli.

– Çudi – tha Luli – Zan', sa fort jé rritë! Puntore u bane e blegë! –E djali vren syt e çikës si dritë E faqet kuq si shegë. Mbas delesh të largueme t'dy vrapojnë, Në heshtje u dan’ në pyll. Ndër lisa zogjt tashti mâ mir’ këndojnë, Mâ mirë binte ‘i fy'll.

– Shiko, Lul – tha me tret' kuvend vajzusha Nën male n'grykë andej, Mbulue me tym të bardhë atje âsht fusha, Qyteti mâ përtej.

Un në qytet me babën vjet jam kanë! Veç njerz ti shef për rreth, Derë për derë shpijat t'gjitha janë E s'shef bar as gjeth.

“A jé, si je” gjindja në rrug' s'të pvesin, Por njani tjetrin shtyejnë; Nata me t’xan' pa t'holla jasht' të qesin E grát buz’t i lyejnë. –

Mahnitun Luli Zanën e shiqon, Po Zana e bjeshk’s iu ngja Se para i duel e zemrën peshë ia çon Me buz' të veta e zâ... Kumbona e Zanës larg për mâll trokonte Si zani i deles gjetun. Në shpirtin e djalit tash diçka u zgjonte Si 'i gjâ, që kishte fjetun.

Nga teksti te kuptimi

1. Në tekst paraqiten ambiente të caktuara. Përcaktoni vendin, në bazë të të dhënave të tekstit. 2. Në tekst dallohet dialogu mes Zanës e Lulit. Gjeni grupmoshën e tyre, duke nxjerrë të dhëna nga teksti. Shpjegojeni këtë lidhur edhe me rutinën ditore të jetës në fshat. 3. Në poezi vërehet se, ose Zana, ose Luli, ka vizituar qytetin. Përcaktoni se cili. Nëse teksti nuk ju jep të dhëna për këtë, a e pengon kjo kuptimin e pjesës në vijim? 4. Emri i vajzës përputhet me emrin e një qenieje të mitologjisë sonë popullore. A e njihni atë dhe tiparet për të cilat përmendet? A i referohen edhe në këtë poezi mitologjisë në lidhje me këtë fakt? Ilustrojeni me pjesë nga poezia. 5. Strofa e tetë përshkruan ndarjen e çiftit. Si është ajo, e trishtueshme apo e gëzueshme?

Ilustrojeni me pjesë nga strofa dhe tregoni ndjesinë tuaj.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Poezia është ndërtuar me strofa katërvargëshe. Dalloni llojin e rimës dhe numrin e rrokjeve për secilin varg. A ka rregullsi në këto të dhëna? Një gjë e tillë e lehtëson apo e vështirëson leximin dhe kuptimin? 7. Secili varg ka një hapësirë që e ndan atë në dy pjesë. Në këtë mënyrë, alternohet ritmi. Gjeni këto hapësira dhe vini re si realizohen ato. Emërtoni ndjesinë ritmike (e fortë, e butë, e lehtë dhe rrëshqitëse etj.). 8. Në gjithë poezinë vihet re përdorimi i vizës (–). A mendoni se kjo ka lidhje me elementin metrik e ritmik (shumica), pra, reflekton një hapësirë (njërrokëshe) në lexim që lejon krijimin e një ritmi të njëtrajtshëm në poezi? Lexojeni tekstin, duke u munduar që të respektoni këto hapësira në kuadrin e një rrokjeje. Si ju duket? 9. Poezia ka tre zëra. Dalloni këta zëra dhe përcaktoni cili flet më shumë. Pse ndodh kjo gjë? 10. “Mbas delesh të largueme t'dy vrapojnë, /Në heshtje u dan’ në pyll./ Ndër lisa zogjt tashti mâ mir’ këndojnë,/ Mâ mirë binte ‘i fy'll.” Camaj copëzon në këtë strofë me apostrof fjalën fyell. A krijon ndonjë kuptim alegorik-erotik dhe kujt i referohet ai? Përshkruani imazhin personal në lidhje me të.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në poezi gjendet fusha semantike e fshatit dhe jetës baritore. Dalloni fjalët që i përkasin kësaj fushe. A kushtëzon kjo atmosferë edhe ndërtimin e dy figurave që duhet t’i emërtoni, në vargun e dytë të strofës së gjashtë (Po Zana e bjeshk’s iu ngja) dhe vargun e dytë të strofës së fundit (Kumbona e Zanës...)? 12. Në poezi gjendet fusha semantike që ka lidhje me erotikën (në kuptimin e saj të gjerë). Gjeni fjalët dhe grupet e fjalëve që lidhen me të në tekst. Përcaktoni se për cilën pjesë të erotikës flitet. 13. Strofa e dytë ka dy rrafshe pikëvështrimi të djalit, njëri i sipërfaqes, që lidhet me rritjen e vajzës si vajzë shtëpie dhe pikëvështrimi tjetër, i fshehtë, që lidhet me ndjesinë e zhvillimit fizik.

Dalloni vargjet që ilustrojnë këtë. Krahasimet e vargut të tretë e të katërt që lidhen me ndjesinë e fshehtë i përkasin ndjenjës a pasionit?

14. Poezia ka në thelb ndjesinë e pasionit të dy të rinjve me pikë reference kryesore vajzën. Gjeni fjalët, grupet, figurat që i referohen kësaj ndjesie te djali dhe te vajza. “Si 'i gjâ, që kishte fjetun.”:

Çfarë roli ka ky varg në deshifrimin e gjithë ndjesisë? 15. Strofa e shtatë ka një pyetje që nuk i jepet përgjigje. Mundohuni ta jepni ju përgjigjen, duke u mbështetur veçanërisht në vargun e parë dhe në vargun e fundit.

Nga teksti te përdorimi

16. Në poezi është përdorur fjala “vajzusha”. Si mendoni, a ka ndonjë efekt stilistik pjesa që i është shtuar temës kryesore “vajzë”? Mbase mund ta lidhni edhe me ndonjë emër tjetër që e mban këtë formë (gjarpnush). Jepni imazhin që ju krijon kjo fjalë në kontekstin e gjithë poezisë. 17. Strofa e tretë, e katërt dhe e pestë duket sikur nuk kanë lidhje me pjesën tjetër të poezisë. Pse i ka vënë autori në poezi? Cilat vargje bëjnë lidhjen me pjesët e tjera të poezisë? 18. Folja “mahnitun” shpreh sipëroren e çudisë dhe admirimit njëkohësisht. Dalloni të gjitha fjalët në lidhje me këtë njësi. 19. Emri “zâ” del disa herë në tekst. Gjeni këto përdorime dhe fjalë të tjera që lidhen me të. Cilit proces i referohen ato, ndjesisë ngacmuese erotike si pasion, apo ndjenjës së konsoliduar?

Referojuni edhe vargut të fundit të poezisë. 20. Vini re metaforën e krijuar në strofën e gjashtë, vargu i dytë. A është ajo një metaforë abstrakte, apo e krijuar mbi bazën e një krahasimi të fshehur? Çfarë tregon kjo për fazën e krijimit poetik të Camajt?

Nga teksti te reflektimi

21. Dialogu mes dy të rinjve realizohet mbi një fshat, pra, diku në mal, ku dy barinjtë ruajnë bagëtitë.

Si mendoni, dialogu dhe përjetimet e tyre janë pjesë vetëm e këtyre njerëzve, pra, që jetojnë në këto vende të shkëputura, apo kemi të bëjmë me përjetime normale të qenies që vë re pjekjen seksuale të dikujt dhe të vetes? Tregoni përvojat personale. 22. Në poezi janë tri strofa që flasin për jetën në qytet. Si ju duket ai në krahasim me fshatin, veçanërisht në lidhje me mirësjelljen, mikpritjen, humanizmin njerëzor etj. Mund ta ilustroni mendimin tuaj me përvojat personale. 23. Gjithë poezia është një lirikë e bukur erotike. Çfarë shijeje ju lë ajo? A është ky motiv tabu për bisedat mes jush? 24. Në poezi, Zana flet më pak, por në fakt pjesët ku ajo referohet kanë të bëjnë me një përjetim, që ajo të paktën e dallon, sepse ajo “tret kuvend”; “E kryet kjo uli marrshëm”. (ka turp), skuqet

“Vasha tu u kuqun”. A bie kjo ndjesi e vajzës në kontrast me përjetimin e Lulit, që paraqitet duke e zbuluar përjetimin erotik? Si mendoni, pse ndodh kjo? Argumentojeni përgjigjen tuaj duke pasur parasysh fazat e zhvillimit fiziologjik e mendor te të dyja gjinitë. 25. Përjetime të tilla si këto në poezi janë shumë të zakonshme në moshën tuaj. Në jo pak raste ato paragjykohen dhe etiketohen, veçanërisht te vajzat. A mendoni se kjo është e drejtë? Diskutoni në klasë.

ILUSTRIM LETRAR

M. Camaj

Djella

Më ka dalë gjumi në dy mbas mjesnate. Kam rá në mendime si ta quej këtë vepër, poemë apo romansë? Përkënaqesha në vete jo aq se qitsha në letër vargje mbas vargjesh, po sepse ato mbîshin nga ndiesi që ushqesha për Djellën. Tue mos u dhanë dalë këtyne ndiesive të turrshme, mâ vonë thashë se arti ish tue humbë edhe tek unë përparsinë kundrejt landës reale, stofit letrar, që unë trajtosha. Si shembull negativ, kisha parasysh disa letrarë të kohës për të cilët landa që trajtoshin e hymnizimi i saj (figura e udhëheqësit, bie fjala) bahej pjesë thelbësore e veprës letrare. Pyetsha veten, a jam artist apo dashnor i fshehtë i një fshatarje të pagdhendun. A ka drejtpeshim mes pjesëve përbamëse në këtë romansë? Vërtetësia! M'u kujtue se mbramjen që shkoi kishte kalue andej një shofer me një kamion të shkatrruem, torollak djali, mish me dy sy të vegjël e dhambë të bardhë. Ky i kishte luejtë synin vajzës fshatare e Djellës i ishte zdritë fytyra. Edhe për Currin, kur e përftyrosha si dashnor të Djellës, kisha ndjenja nënvleftësimi. Herojtë e romansës sime të parë! Thosha fare i shzemruem. Ishte xhelozi, kjo? Edhe sot besoj se jo, por qëndrim ndërdyzash i njeriut shoqnisht të pashtresë, i vetmuem në jetë e në ndiesitë e veta, por poet! Në vetminë e asaj nate kam marrë përdore një vajzë, të paemën që për lehtësim kuptimi mes nesh po e quajmë Djella. E kam marrë përdore dhe tue tërheqë lehtas nëpër dritare (as me qenë ajo hije) i kam bâ vend te kambët e shtratit. Qè, tash rrin në fund të shtratit dhe më vëren me atë shprehje të pakeq dhe me sy femne së pjekun. Takim bixarr, pa fjalë, pa shpresë të një buzqeshje ose puthje, gojëmbyllë. S'jam i zoti për tjetër, vetëm me njehë marrëfrymjen e saj: një, dy, tre, katër; në fyt i rrah delli: një, dy, tre, katër. Gabimisht e kisha vû mbi kambët e mia, andaj nuk mundsha me i lëvizë nën mbulojë. Habitesha si nuk luente vendi tue ditë ajo se janë kambët e mia. Nuk më randon. Ndër kambë më ka shkue krejt gjaku dhe ndiej si rrah ndër dej njikohësisht me damarin e qafës së saj, gjithnjë e mâ shpejt në një kohë me marrëfrymjen e saj. Jam përnjësue me Djellën dhe mendosha se tash edhe ajo më merr vesh:

Hyne në banesën time fllad i lehtë nëpër kurtinën e dritares nëpër kurtinë të fryme zemër randue dëshirash. Djellë, ti hyne si blerimi në sý gjak i ngrohtë ndër dej. Mos ik, syni me blerim nuk ngîhet as zemra me gjak e ngrohje. Mos ik, në terrin e vetëm ku rrin e gurzueme jeta edhe ndër bimë.

Nga teksti te kuptimi

1. Siç shihet, zëri tregimtar po përshkruan procesin e tij krijues. Cili ka përparësi, sipas tij, arti i krijimit, teknika, apo materiali i përdorur, motivet, që në këtë rast bazohen në ndjesitë personale? Ilustroni me pjesë nga teksti. 2. Në dyzimin e brendshëm të autorit se kush duhej të paraprinte, teknika apo materiali burimor e ndjesor që do të përdorte, ai kalon te një çështje tjetër mjaft e diskutuar në teorinë e letërsisë:

Vërtetësia e një teksti, apo trillimi? Cili është imazhi i Djellës në kuadrin e vërtetësisë? Gjeni pjesë në tekst për këtë. 3. Një vajzë gjendet në dhomën e autorit një natë. A është real apo i imagjinuar imazhi i saj? Pse preferon ta bëjë këtë gjë autori? Ilustroni përgjigjen tuaj me pjesë nga teksti. 4. Përjetimi krijues i autorit është shumë i thellë (halucinativ, gati). A ka shenja në tekst që tregojnë këtë? Ilustroni me pjesë nga teksti. 5. Autori mendon se në fund të këtij përjetimi imagjinar ka arritur të “përnjesohet” me Djellën. Për çfarë përnjehsimi e ka fjalën, ndijor, mendor, apo ndjesor? Ilustroni me të dhëna nga teksti.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Që në fillim, pjesa hapet me mëdyshjen e autorit mbi llojin e tekstit, që kishte krijuar ose do të krijonte. Dalloni dy alternativat që paraqet autori. Cilit rrafsh i përkasin, atij të kuptimit, përmbajtjes apo atij të krijimit, teknikës? 7. Në tekst, dilema e mësipërme, që u përket dy çështjeve të ndryshme (teknikës krijuese dhe materialit, motivit etj.) haset përsëri pak më poshtë. Gjejeni atë në tekstin në vijim: “Pyetsha veten, a jam artist apo dashnor i fshehtë i një fshatarje të pagdhendun.”. Vini re konotacionin, që reflektohet edhe nga ndërthurja e regjistrave dhe shpjegoni arsyen. 8. “Në vetminë e asaj nate kam marrë përdore një vajzë, të paemën që për lehtësim kuptimi mes nesh po e quajmë Djella. E kam marrë përdore dhe tue tërheqë lehtas nëpër dritare (as me qenë ajo hije) i kam bâ vend te kambët e shtratit.” Në këtë tekst përsëritet e njëjta metaforë. A shërbejnë fjalët e kësaj metafore si elemente që shpjegojnë edhe dëshirën për ta pasur pranë një grua? 9. Poezia që ndjek prozën ka këtë metaforë hyrëse: “Hyne në banesën time/fllad i lehtë/nëpër kurtinën e dritares/nëpër kurtinë të fryme/zemër randue dëshirash.”. Gjeni momentin e njëjtë në pjesën në prozë dhe shpjegoni ndryshimin? Çfarë i lidh gjithsesi? 10. Dalloni mospërshtatjen e kohëve të foljeve në këtë fjali: “Jam përnjësue me Djellën dhe mendosha se tash edhe ajo më merr vesh.”. Pse mendoni se është bërë ajo? 11. Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës 12. Në pjesën më poshtë dallohet mbiemri “e turrshme” (Tue mos u dhanë dalë këtyne ndiesive të turrshme,...). A formon epitet metaforik ai? Shpjegojeni me një perifrazë. Çfarë ndjesie ju krijon? 13. Në tekst gjendet mbiemri i “shzemruem” (Thosha fare i shzemruem.). A është neologjizëm i autorit ky? Nëse po, dalloni fjalëformimin e tij. A luan me homoniminë e fjalës që krijon fjala

“zemër” me “zemëro”? Shpjegoni imazhin. 14. Thamë që teksti i referohet procesit krijues të autorit. Në pjesën në vijim, cila njësi e vërteton këtë fakt? Pse është i rëndësishëm ky lloj dialogimi për të? “Në vetminë e asaj nate kam marrë përdore një vajzë, të paemën që për lehtësim kuptimi mes nesh po e quajmë Djella.”.

15. Në tekst gjendet dy herë fjala “marrëfrymje” (S'jam i zoti për tjetër, vetëm me njehë marrëfrymjen e saj: një, dy, tre, katër; në fyt i rrah delli: një, dy, tre, katër. Njëra është në këtë ndërtim). Çfarë kuptimi ka ajo dhe cili është fjalëformimi i saj? Pse autori preferon këtë renditje temash dhe jo atë të zakonshmen (frymëmarrje). Mos luan edhe me të kundërtën e kuptimit të fjalës së zakonshme? Çfarë ndjesie mundohet të përshkruajë? 16. Teksti ndërtohet përgjithësisht nga regjistri formal në kuadrin e përsiatjeve teorike mbi letërsinë dhe realizimit të imazhit të saj poetik (megjithëse ka dhe ndërhyrje të regjistrit të mesëm). Dalloni këto elemente në pjesën në vijim: “Përkënaqesha në vete jo aq se qitsha në letër vargje mbas vargjesh, po sepse ato mbîshin nga ndiesi që ushqesha për Djellën. Tue mos u dhanë dalë këtyne ndiesive të turrshme, mâ vonë thashë se arti ish tue humbë edhe tek unë përparsinë kundrejt landës reale, stofit letrar, që unë trajtosha. Si shembull negativ, kisha parasysh disa letrarë të kohës për të cilët landa që trajtoshin e hymnizimi i saj (figura e udhëheqësit, bie fjala) bahej pjesë thelbësore e veprës letrare.”

Nga teksti te përdorimi

17. Ju keni studiuar rrymat e ndryshme letrare, nëpër të cilat ka kaluar letërsia shqipe. Në pjesën më poshtë, a vini re referencë reale të përdorur nga shkrimtari për ndonjë të tillë? Shpjegoni konotacionin e këtij përdorimi dhe arsyen: “Si shembull negativ, kisha parasysh disa letrarë të kohës për të cilët landa që trajtoshin e hymnizimi i saj (figura e udhëheqësit, bie fjala) bahej pjesë thelbësore e veprës letrare.” 18. Më sipër, përmendëm regjistrin me të cilin ishte ndërtuar kryesisht pjesa. Cilit mendoni se i përket ky lloj regjistri? Pse e bën këtë lloj përzgjedhjeje autori? (Vini re përmbajtjen e pjesës.):

“Vërtetësia! M'u kujtue se mbramjen që shkoi kishte kalue andej një shofer me një kamion të shkatrruem, torollak djali, mish me dy sy të vegjël e dhambë të bardhë. Ky i kishte luejtë synin vajzës fshatare e Djellës i ishte zdritë fytyra.”. 19. Në tekst vihen re trajta fjalësh që nuk përshtaten me njëra-tjetrën sipas rregullave gramatikore.

Vini re fjalët me të zeza në këtë fjali: “Qè, tash rrin në fund të shtratit dhe më vëren me atë shprehje të pakeq dhe me sy femne së pjekun”. Pse e bën këtë autori, në mënyrë të qëllimshme apo pa dashje? (Kini parasysh së ky është tekst letrar e ai shkruan si të dojë, në varësi të qëllimit të tij.) 20. Teksti ka elemente poetike. Në pjesën në vijim, cila përsëritje e krijon këtë efekt? “Në vetminë e asaj nate kam marrë përdore një vajzë, të paemën që për lehtësim kuptimi mes nesh po e quajmë

Djella. E kam marrë përdore dhe tue tërheqë lehtas nëpër dritare (as me qenë ajo hije) i kam bâ vend te kambët e shtratit.”.Çfarë ndjesie jep ky veprim, të fortë, apo të butë? 21. Te poezia që ndjek pjesën, gjendet ky varg: “zemër randue dëshirash.”. Siç shihet, fjalët janë shkruar ndaras. A mendoni se kjo ndarje është bërë me funksion të dyfishtë: edhe për të krijuar kompozitën si epitet metaforik “zemërandue”, edhe për të krijuar metaforën ndjekëse “randue dëshirash”? Çfarë imazhi ju krijon ky përdorim?

Nga teksti te reflektimi

22. Teksti përshkruan procesin krijues të një autori. Përgjatë këtij përshkrimi jepen edhe ndjesitë e tij në lidhje me trajtimin e motiveve. Nga ky përshkrim, autori nuk arrin të krijojë një vijë ndarëse të prerë mes prioritetit të procesit krijues si një art, teknikës së krijimit dhe rëndësisë së trajtimit të materialit të përzgjedhur për trajtim. A mendoni se ka të drejtë ai?

23. Ju, kur shkruani ese ose tekste të ndryshme, nga niseni: nga lloji i tekstit të kërkuar, pra, nga formati i tij, apo nga materiali që do të paraqitni? A ka raste kur tematika kushtëzon formën, teknikën? Po e kundërta? Jepni shembuj. 24. Procesi i krijimit letrar ka në bazë gjithsesi subjektivitetin dhe trillimin. Camaj në tekst i referohet edhe vërtetësisë në procesin krijues. Dalloni konotacionin e kësaj pjese që e analizuat te pyetjet më lart. Po ju si mendoni, metoda e Camajt i përshtatet këtij kriteri? Argumentoni përgjigjen, duke iu referuar edhe sqarimeve në lidhje me veprën e Camajt. 25. Fjala “vetmi” del dy herë në tekst. Ndërkohë, teksti reflekton dialogun e brendshëm të autorit me veten dhe me lexuesin imagjinar. A mendoni se krijimi është një mënyrë për të mbushur boshllëkun që krijon vetmia tek autori? Diskutoni në lidhje me këtë, duke iu referuar tekstit. 26. Ne kemi folur më lart për trajtimin e figurës së femrës në krijimtarinë e Camajt. Në këtë rast, imazhi i saj përmes meditimit krijues i shërben autorit për shmangur vetminë. Të gjithë përjetojmë vetmi, por mundohemi ta përmbushim me aktivitete krijuese (muzikë, sporte, lexim etj.). Diskutoni në lidhje me përvojat personale.

Nga teksti te të shkruarit

27. Pasi të keni analizuar vargjet që ndjekin tekstin në prozë e veçanërisht kuptimin e mbiemrit “e gurzueme” që krijon epitet metaforik, krijoni një ese të frymëzuar nga ky varg: “Mos ik, në terrin e vetëm/ ku rrin e gurzueme jeta/ edhe ndër bimë.”

This article is from: