13 minute read

Diskursi argumentues dhe bindës i një eseje

Gjuhë

Diskursi argumentues dhe bindës i një eseje

Advertisement

Eseja është shkrim i shkurtër, letrar ose joletrar, në të cilin autori përpiqet të argumentojë qëndrimin e tij dhe të bindë lexuesin për një çështje të caktuar. Një ese argumentuese mund të hartohet me të paktën pesë paragrafë: paragrafi i hyrjes, tre paragrafë të shtjellimit të temës dhe paragrafi i përfundimit. Një ese në të cilën shkruhet për të argumentuar një qëndrim të caktuar, ose për të bindur lexuesin për një ide të caktuar, shkrimi është i natyrës argumentuese. Eseja argumentuese ka për synim të mbështesë me arsye të vlefshme (argumente), idenë (tezën) tuaj, të marrë në konsideratë idenë e kundërt (antitezën), duke e hedhur atë poshtë përmes argumenteve, si dhe të bëjë përmbylljen (përfundimin) e shkrimit duke e ripohuar tezën fillestare.

Hapat e shkrimit të një eseje argumentuese

Planifikimi i esesë argumentuese

Në fazën e planifikimit të një eseje argumentuese, duhet të shqyrtoni me kujdes temën e esesë, si dhe të mblidhni ose rikujtoni të gjitha të dhënat dhe faktet që kanë të bëjnë me atë temë.

Zgjidhni qëndrimin që do të mbani në raport me temën, pra, cila do të jetë teza juaj, të cilën do ta mbroni me argumente.

Kërkoni dhe gjeni idetë/qëndrimet më të përhapura në lidhje me temën. Kjo do t’ju shërbejë që të përforconi idenë (tezën) tuaj, si dhe që të hidhni poshtë me argumente idenë e përkundërt (antitezën).

Të gjithë informacionin që keni, organizojeni duke grupuar argumentet në favor të tezës dhe ato në favor të antitezës.

Skeleti i tekstit mund të ndërtohet sipas këtij modeli:

Tema/ Problemi Parashtrimi i tezës Argumente që mbështesin tezën Parashtrimi i antitezës Argumente që mbështesin antitezën Hedhja poshtë e argumenteve që mbështesin antitezën Përfundimet

Hartimi i esesë argumentuese

Në hyrje të esesë duhet të paraqitni temën apo problemin për të cilin po shkruani, si dhe qëndrimin (tezën) tuaj për të. Në pjesën e shtjellimit të esesë:

Shpalosni së paku dy argumente në mbështetje të tezës suaj. (Këto argumente mund të vijnë nga përvoja juaj jetësore, nga të dhëna zyrtare, nga rezultatet e studimeve etj.)

Parashtroni antitezën dhe argumentet në mbështetje të saj (Mund të përdorni shprehje të tipit “disa mund të jenë të mendimit se... sepse”, “dikush mund të thotë se... meqenëse...”. ).

Bindni lexuesin se antiteza nuk qëndron, duke hedhur poshtë argumentet në mbështetje të saj. Gjatë shkrimit të esesë, kini parasysh rëndësinë e përdorimit të fjalëve lidhëse, që do ta bëjnë tekstin tuaj më koherent. Kësisoj, për të shprehur marrëdhënie kundërshtore përdorni fjalë, si: por, porse, veç, ndërsa, kurse, mirëpo, megjithatë, megjithëkëtë, përkundrazi etj. Për të shprehur marrëdhënie shkaku përdoren: ngaqë, për shkak se, për arsye se, përderisa, duke qenë se, për këtë arsye, kështu që etj. Për të shprehur marrëdhënie logjike a kohore mes argumenteve përdorni fjalë a shprehje si: atëherë, ndaj, ndër të tjera, pikë së pari, së dyti, së fundmi etj.

Në paragrafin e përfundimit, mbylleni esenë duke ripohuar tezën tuaj.

Rishikimi i esesë argumentuese

Leximi i parë: kontrolli i përmbajtjes (A është bindëse eseja që keni shkruar? A ka lidhje logjike mes argumenteve që keni paraqitur? A ka përsëritje argumentesh? A ka secili paragraf i esesë gjatësinë e nevojshme?) Leximi i dytë: kontrolli i formës (A është përdorur stili i duhur gjuhësor? A i keni zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe shenjat e pikësimit? A i keni përdorur siç duhet fjalët lidhëse?) Në përfundim të këtij hapi të tretë dhe të fundit, procesi i të shkruarit finalizohet me hedhjen e esesë në letër a në kompjuter, në varësi të mënyrës se si ju është kërkuar që ta paraqisni atë.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Çfarë synohet të arrihet përmes shkrimit me natyrë argumentuese? 2. Cila është struktura tipike e një eseje argumentuese? 3. Çfarë hapash duhet të ndiqen për realizimin e një eseje argumentuese? 4. Pse është e rëndësishme që të kërkoni dhe të gjeni të gjitha idetë apo qëndrimet më të përhapura në lidhje me tezën dhe antitezën që do të shtjelloni në ese? 5. Thoni disa fjalë dhe grupe shprehjesh, që përdoren: për të shtjelluar argumentet_________________________________________________ për të bindur lexuesin _____________________________________________________ si fjalë lidhëse për të shprehur marrëdhënie shkaku______________________________ për të shprehur marrëdhënie logjike mes argumenteve____________________________ 6. Pse është e rëndësishme të rishikohet teksti i shkruar? Në çfarë mënyre duhet lexuar teksti që keni përfunduar së shkruari?

1

Ushtrohuni përmes tekstit Prejardhja e gjuhës shqipe

Shqipja, ashtu si çdo gjuhë tjetër, ka historinë dhe parahistorinë e saj. Historia dhe parahistoria e shqipes janë të lidhura ngushtë me historinë dhe parahistorinë e popullit që e ka folur atë në rrymë të shekujve. Një mjegull e dendur mbulon fazën më të vjetër të historisë së gjuhës shqipe dhe sidomos parahistorinë e saj. Kjo gjendje i ka dhënë shkas lindjes së hipotezave të ndryshme lidhur me çështjen. Çështja e prejardhjes së gjuhës shqipe dhe bashkë me këtë, edhe ajo e vendit të formësimit të saj, kanë ngjallur diskutime që vazhdojnë edhe sot. Për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe deri sot janë paraqitur hipoteza të ndryshme, nga të cilat mund të përmenden hipotezat pellazgjike, ilire, trakase etj.

Një hipotezë mjaft e përhapur, sidomos ndër autorët arbëreshë dhe shqiptarë të shekullit të kaluar, ka qenë ajo e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Është fjala për një pikëpamje jo fort të kristalizuar dhe aq më pak të argumentuar për prejardhjen e gjuhës shqipe nga gjuha e një populli të tejlashtë, që është quajtur pellazg. Është fare e natyrshme të pranohet që viset ku u vendosën fiset ilire, kanë qenë të banuara më parë nga fise të ndryshme. Hulumtimi dhe shpjegimi i elementeve “pellazgjike” që shqipja i ka trashëguar nëpërmjet “nënës” së saj, mbeten një nga detyrat e rëndësishme të historisë së gjuhës.

Hipoteza më e përhapur lidhur me burimin e gjuhës shqipe është ajo e prejardhjes ilire të kësaj gjuhe. Përfaqësuesit kryesorë të kësaj hipoteze kanë qenë Thunmann-i, Leak-u, Hahn-i, Meyer-i, Pedersen-i, Çabej etj. Më poshtë, po japim shkurt argumentet që janë parashtruar në të mirë të kësaj hipoteze. Thunman-i në një nga veprat e tij pohon: “Në historinë e shqiptarëve, unë nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të tyre të mëvonshëm; gjuha e tyre ka dhënë dëshmi të tilla nga fatet e popullit, që unë nuk mund të mos njoh fqinjët e stërmoçëm të grekëve dhe nënshtetasit e Romës së vjetër. Dhe të dyja këto më tregojnë ilirët e vjetër”. “Pranimi që gjuha përfaqëson fazën më të re të ilirishtes ose, siç shprehet me të drejtë në mënyrë të matur G. Meyer-i, një nga dialektet ilire, është sipas të gjitha rrethanave kaq e vërtetë-dukshme, saqë njeriu duhej të sillte arsye shumë të rëndësishme për ta kundërshtuar atë”. Në të mirë të këtij mendimi, Kreçmeri vë në dukje, ndër të tjera, se shqiptarët banojnë aty ku në kohë antike kanë banuar fise ilire.

Për prejardhjen ilire të gjuhës shqipe është shprehur edhe Pederseni, i cili kundërshton mendimet për hipotezën e prejardhjes trake të kësaj gjuhe. Gjithashtu, për prejardhjen ilire dhe kundër mendimit për prejardhjen trake të shqipes është shprehur edhe Çabej. Këtu po ndalemi pak vetëm në pohimet e Katiçiçit në studimet e tij. Katiçiçi, pasi vë në dukje praninë e huazimeve nga greqishtja e vjetër në gjuhën shqipe dhe faktin që në burimet historike nuk përmendet ndonjë imigrim shqiptar, arrin në përfundimin se “shqipja qysh nga kohët e lashta është folur pak a shumë në viset, në të cilat flitet sot”. Pak më poshtë ai shton se në këto rrethana është normale dhe e natyrshme që shqipja të konsiderohet si një pasardhëse moderne e gjuhës ilire”.

Shaban Demiraj

Tema/problemi

Teza 1 (Teza pellazgjike)

Teza 2 (Teza ilire)

Argumente në mbështetje të tezës ilire

Argumente në mbështetje të tezës ilire

Antiteza e tezës ilire (Teza trakase)

Argumente në mbështetje të tezës ilire

2

7. Cili është qëllimi i tekstit “Prejardhja e gjuhës shqipe”: të bindë lexuesit për origjinën pellazge të gjuhës shqipe; të argumentojë tezën më të qëndrueshme për origjinën e gjuhës shqipe; të tregojë qëndrimet e studiuesve dhe albanologëve të njohur në lidhje me origjinën e shqipes; të argumentojë tezën ilire për origjinën e gjuhës shqipe; të argumentojë tezën trake për origjinën e gjuhës shqipe. 8. Përmendja e qëndrimeve të studiuesve dhe albanologëve: i bën argumentet e dhëna në mbështetje të tezës ilire më të besueshme; e ndihmon autorin të argumentojë qëndrimin që ai cilëson më të drejtë; e bën tekstin përshkrues. 9. Jo në të gjitha esetë apo tekstet argumentuese bindëse jepen edhe teza, edhe antiteza me argumentet përkatëse. Thoni se për cilat teza të ndryshme nga teza ilire ka më pak ose aspak argumente. 10. Gjeni në tekst fjalë lidhëse dhe tregoni si shërbejnë ato për ruajtjen e koherencës së tekstit dhe vijueshmërinë e argumenteve.

A është gjuha shqipe bijë e ilirishtes?

Pas përcaktimit të shqipes si gjuhë indoevropiane, si dhe të vendit të saj në këtë familje, problemi themelor i studimeve albanologjike ishte problemi i origjinës së gjuhës shqipe. Ky problem është i rëndësishëm, por edhe i ndërlikuar, sepse shqipja është një gjuhë e veçantë në familjen indoevropiane. Ajo që e ndërlikon më shumë problemin e origjinës së shqipes dhe të vetë shqiptarëve është mungesa e dokumentacionit nga Antikiteti deri në Mesjetë. Një ndër tezat më të njohura, është teza se shqipja vjen nga ilirishtja. Argumentet që mbështesin këtë tezë janë argumente historike dhe argumente gjuhësore. Sa u takon argumenteve historike, teza ilire është bindëse, pasi shqiptarët sot jetojnë në një truall ku kanë jetuar ilirët. Historianët thonë se jo vetëm që shqiptarët jetojnë në trojet e ilirëve, por në dokumente nuk ka ndonjë rast që të tregojë se ka pasur shtegtim të shqiptarëve. Kështu, historiani Johann Thunmann, në 1774-ën, shprehej se: “Historia dhe gjuha e tyre na ka dhënë të tilla dëshmi, saqë unë nuk mund të mos i njoh ilirët si stërgjyshër të shqiptarëve dhe nënshtetas të Romës së Lashtë.”. Pas Thunmann-it, një varg tjetër studiuesish u përpoqën të vërtetonin se shqiptarët vijnë nga ilirët, duke pohuar se ata banojnë sot në troje të hershme ilire. Po ashtu, burimet historike greke, veç ardhjes së sllavëve në Ballkan, nuk përmendin shtegëtim tjetër që të ishte i mjaftueshëm për të krijuar një popullsi të tërë në perëndim të Gadishullit Ballkanik. Studiues të tjerë si P. Kreçmer, pastaj G. Majer, N. Jokli dhe sidomos E. Çabej, sollën një varg argumentesh gjuhësore për të vërtetuar se shqipja vjen nga ilirishtja. Gustav Majeri ishte i mendimit se shqipja i përket një dialekti të ilirishtes. Lënda gjuhësore që na ka mbetur nga ilirët është onomastike (e përbërë nga emra njerëzish dhe toponime që dalin nga veprat e shkrimtarëve grekë apo latinë, apo me mbishkrime greke dhe latine në Iliri). Nga studimet që janë bërë, janë njohur disa emra ilirë, si: Bartus, Barduli, Pikadus, Bato, Getius, Teuta, Dalmate, Delmate, Delmers etj. E rëndësishme është që një pjesë e mirë e onomastikës ilire gjen shpjegim vetëm në gjuhën shqipe, po kështu, fakti që vetëm shqiptarët i përdorin këta emra, do të thotë se kemi lidhje origjine me ilirishten. Një pjesë e këtyre emrave, nga Antikiteti deri në ditët e sotme, janë zhvilluar sipas ligjësive fonetike të shqipes, pra, duke kaluar gojë më gojë të çdo brezi.

Kundërshtarët e tezës ilire sjellin si argument se emrat e vendeve në territoret shqiptare nuk janë të trashëguara nga ilirishtja, por janë të huaj, me prejardhje sllave dhe romake. Ata nuk tregojnë se janë zhvilluar sipas fonetikës historike të shqipes dhe dalin në përfundimin se nuk ka një vijimësi etnike gjuhësore nga ilirët te shqiptarët. Përkundër këtij qëndrimi, gjuhësia shqiptare dhe mjaft studiues të huaj kanë provuar se në territoret shqiptare ka një numër jo të vogël emrash të trashëguar që nga koha e ilirëve që nuk janë as romanë, as sllavë, apo grekë. Në studimet e tij, profesor Çabej ka treguar se këta emra kanë arritur në formën e tyre të sotme, pikërisht sepse janë zhvilluar sipas ligjeve të shqipes. Si përfundim, mund të pohojmë se gjuha shqipe e ka prejardhjen nga ilirishtja, pasi shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë në troje ilire dhe historia nuk na dëshmon ndonjë shtegtim të tyre. Për më tepër, elementet e pakta gjuhësore që vijnë nga ilirishtja kanë gjetur shpjegim vetëm me gjuhën shqipe. Po ashtu, krahasimi i emrave të lashtë me format e sotme të shqipes, tregojnë se zhvillimi i tyre është bërë sipas rregullave fonetike të shqipes, pra ato kanë kaluar vetëm në gojë të shqiptarëve. Këto argumente të natyrës gjuhësore, por dhe historike, vijnë në ndihmë për të hedhur dritë mbi prejardhjen e gjuhës shqipe.

11. Lexoni esenë argumentuese më sipër dhe skiconi në fletore skeletin mbi të cilin është ndërtuar kjo ese. 12. Në esenë e mësipërme, gjeni fjalët lidhëse dhe thoni se ç’lloj raportesh vendosin ato mes argumenteve dhe pjesëve të tekstit. 13. Nga dy tezat e kundërta që janë paraqitur në vijim, zgjidhni tezën me të cilën pajtoheni dhe jepni dy argumente në mbështetje të saj.

Teza 1. Përdorimi i telefonit celular duhet të jetë i ndaluar për nxënësit në klasa dhe brenda mjediseve të shkollës.

Teza 2. Është e drejtë që të rinjtë ta përdorin telefonin celular në klasa dhe brenda mjediseve të shkollës.

Teza 1. Shitoret duhet të mbyllen ditën e diel. Teza 2. Shitoret duhet të rrinë hapur edhe ditën e diel.

14. Në tekstin e mëposhtëm, vendosni fjalët e duhura lidhëse. (mirëpo, së dyti, prandaj, megjithatë; por, ndonëse, së pari, si përfundim, sidoqoftë)

Dënimi me vdekje zbatohet në shumë shtete, ______________ nuk ekziston në vendin tonë. _____________, shpesh, pas një ngjarjeje të rëndë kriminale, njerëzit nisin të kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. ________________ për mendimin tim, vendimi me vdekje nuk duhet të jetë në fuqi, për një sërë arsyesh.

________________ arsyeja kryesore ka të bëjë me rrezikun e dhënies së dënimit me vdekje, një personi që mund të jetë i pafajshëm. Historia e gjyqësorit ka treguar që në jo pak raste, janë dënuar me vdekje njerëz që nuk kanë pasur gisht në krime. _________________ një tjetër argument kundër vendimit me vdekje është se përmes këtij lloj ndëshkimi, shoqëria ushqen ndjenjën e hakmarrjes. _________ nuk është mirë që shteti të ekzekutojë individët dhe të tregohet hakmarrës. _______________ shpesh pretendohet se dënimi me vdekje i parandalon krimet dhe vrasjet, ____________ nuk duhet harruar se kur dikush kryen një krim, përgjithësisht nuk mendohet gjatë as për atë që kryen, as për pasojat e tij, apo dënimin që do të marrë. ________________ jam e mendimit se dënimi me vdekje nuk është një praktikë që duhet rikthyer në legjislacionin e vendit tonë. Kriminelët duhen ndëshkuar me mënyra të tjera dhe këto mënyra janë më të mira, krahasuar me rrezikun e dënimit me vdekje të njerëzve të pafajshëm. 15. Plotësoni fjalitë me nga një argument. a) Mbajtja e kafshëve në kopshte zoologjike mund të konsiderohet si diçka mizore, pavarësisht kësaj

b) Nëse keni biçikletë mund të lëvizni me lehtësi nëpër qytet, megjithatë

c) Ndonëse duhet të lodheni shumë për të mësuar një gjuhë të huaj,

ç) Pushimet në kampingje gjatë verës mund të jenë zbavitëse, megjithëse

16. Shkruani në fletore ose në kompjuter një ese argumentuese me titull “Edukimi fetar në shkollë”. 17. Të ndarë në grupe, gjeni në gazetë një artikull me natyrë argumentuese (opinion, editorial).

Lexojeni artikullin me vëmendje dhe diskutoni rreth përmbajtjes dhe formës së tij: A është bindës artikulli në fjalë? A mendoni se ka lidhje logjike mes argumenteve që janë paraqitur? A ka përsëritje argumentesh? A ka secili paragraf gjatësinë e nevojshme?

A është përdorur stili i duhur gjuhësor? A janë zbatuar rregullat e drejtshkrimit dhe shenjat e pikësimit (nëse jo, në cilat raste)? A janë përdorur siç duhet fjalët lidhëse?

This article is from: