13 minute read

Rrahman Dedaj

Next Article
Ali Podrimja

Ali Podrimja

Letërsi

Rrahman Dedaj

Advertisement

Rrahman Dedaj lindi më 1939, në fshatin Penuhë, afër Podujevës (Kosovë) dhe vdiq më 21 gusht 2005, në Londër. Shkollën fillore e kreu në Podujevë, Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik, në Prishtinë. Me letërsi u mor që në moshë fare të re. Ka botuar veprat: “Zogu dhe Kulla”, “Me sy këngë”, “Simfonia e fjalës”, “Gjërat që s’preken”, “Balada e fshehur”, “Etje”, “Fatkeqësia e urtisë”, “Kryqëzim hijesh”, (poezi për të rritur). Është autor i përmbledhjes me tregime “Fshehtësia” dhe “Medaljoni”, si dhe i përmbledhjes me vjersha për fëmijë “Dy liqej”.

Poezitë e Rrahman Dedajt janë poezi të figurës, të pasura me metafora dhe simbole. Poeti parapëlqen vargje pa thyerje të skajshme sintaksore dhe joeliptike. Veçanërisht brenda strofave (qofshin këto dy- a më shumë vargëshe), nuk ka thyerje vargjesh apo heqje eliptike fjalësh ose njësish. Por thyerja, përgjithësisht, ndodh, kur kalohet nga njëra strofë te tjera, ku lexuesit i duhet të vihet në kërkim të lidhjeve kuptimore mes strofave. Strofat janë të larmishme dhe rimat, të pakta. Teksa vargëzon, poeti më shumë se për ritmikën poetike, interesohet për mendimin. Ai priret të përdorë shkronjë të madhe në fillim të çdo vargu, duke e orientuar disi leximin dhe tek-tuk edhe ndonjë shenjë pikësimi, që po ashtu e orientojnë leximin. Në poezinë e Dedajt spikat stili aforistik, sepse shpesh çdo strofë poetike mund të lexohet e të interpretohet më vete, si një aforizëm që e ka të sintetizuar kuptimin. Një orë mat kohën e varur/ e tregon sa është e vërteta Fshehtësitë duan të vdesin/ por nuk munden Ajo që s’u tha asnjëherë/ Mund të flasë ngadalë

("Rinjohje")

Motivet e historisë, kujtimit e harrimit

Disa motive që shfaqen vazhdimisht si qendrore dhe fjalë kyçe në sistemin poetik të Dedajt janë: historia, kujtimi dhe harrimi. Historia nëpër poezi nuk është e lavdishme, as nuk lartësohet në mënyrë emocionale. Ajo është një fakt që ka lënë shenjë në jetën e subjektit lirik ose të të tjerëve si ai dhe që duhet kujtuar. Të kujtuarit do ta shndërronte historinë në dëshmi dhe po ashtu, do të shmangte përsëritjen e së keqes që e ka shoqëruar të shkuarën. Ç’ka rënë nga kujtesa e popullit Nuk e pranon historia

(“Gjurmët që s’janë”).

Kemi kalue nëpër kët hark të jetës sonë Ndër hapa, hapi hapin tue ndjekë Ndër breze, brezi brezin tue ndjekë dhe me mall, mallin kemi pjekë. Historia i paska sytë në shpinë Dhe sheh vetëm prapa Prandaj ka kohë Të tallet me veten Një shtazë e mirë flet për njerëzit (“Një ekzotikë ndoshta”)

Historia e ka harruar të folurit Amshimi yt është dhembja që këndon (“Historia e ka harruar të folurit”) * * * Ajo që ishte gjithçka mbet një asgjë Që e kërkojnë historianët Nëpër gojëdhënat e stërlashta Të pamësuar ta shpjegojnë fatin

T’i mësojmë këmbët të ecin.

(“T’i mësojmë këmbët të ecin”) Nga ana tjetër, kujtimi është një tjetër koncept qendror dhe në poezi shfaqet si kujtesa sociale, ashtu edhe kujtimi personal. Në fakt, kujtimi është në gjithë korpusin poetik të Dedajt, si çift antonimik me harrimin, që për poetin, siç e thotë që në titullin e një poezie: “Harrimi është vdekje që përsëritet”. Ta zëmë se kujtesa s’ka ndonjë kuptim Ta pimë esëll epiko-lirikën tonë (“Peshuam çdo gjë që mund ta urtësonim”). Kujtimi jo rrallë përjetohet si përvujtni e subjektit lirik, por që gjithsesi poeti e parapëlqen përpara harresës. Vetëm unë dhe nata e puthim barin, I harrojmë buzët e djeguna të kujtimit (“Vetëm”)

Shiu qan për ty Kur zgjohet kujtimi Dhe rrugën e djeg në mes meje e teje Prej këtu deri te amshimi

(“Letra”) Nga ana tjetër, poezitë që poeti ia kushton kohës, kanë një natyrë dukshëm filozofike, sepse ai poetizon rrjedhën e kohës së jashtme dhe ndikimin që ka ajo te brendësia e qenies. Koha, Kur ia veshim lëkurën tonë të gjarprit Kur ia veshim lëkurën tonë të blertë, (“Koha”) Poezia lirike e Dedajt ka tiparet e një lirike moderne, që më tepër sesa kumton qartësisht, sugjeron kuptime, duke lënë të hapura shtigje të shumta interpre-

timesh. Lirika e Dedajt vërtitet rreth temës së dashurisë, duke u ndërthurur ngushtë me elemente të spikatura të natyrës (e blerta, bari, drunjtë, livadhi, kali i bardhë, dallëndyshet, drandofillet). Mjaft prej poezive, veçanërisht ato të vëllimit poetik “Simfonia e fjalës”, përvijojnë idealin idilik të dashurisë, të së bukurës dhe të së mirës.

Njeriu i blertë me kosë Flet gjuhën e livadhit gjithë jetën, Kosit dashuninë e vet Dhe e bjen në vargun tim. Ai ecë aq lehtë nëpër bar Kur i banë fluturat në gishta Ai asht i dashunuem Kur pllumbat i lëshohen në kosë Ai asht aq i blertë Kur dallëndyshet i lëshohen në dhimbje.

(“Njeriu i blertë”) Në shumë prej poezive të Dedajt mbizotëron ligjërimi subjektiv që evokon ndjenja. Dashuria është ajo që i jep kuptim kohës, shprehet poeti: Me thanë të vetmen porosi: Matnie kohën/ vetëm me dashuni!...

Konceptet matematikore dhe gjeometrike

Një aspekt i veçantë i poezisë së Rrahman Dedajt është edhe shndërrimi në figura apo motive poetike i koncepteve që i përkasin një fushe leksikore shkencore shumë të largët me fushën artistike të poezisë. Fjala është për fushën e matematikës dhe atë të gjeometrisë. Dedaj shfaq një interes të veçantë në rimarrjen poetike të koncepteve matematikore ose gjeometrike, duke i shndërruar ato në metafora, ose duke i veshur me nuanca kuptimore ose emocionale.

Në hipotenuzën C-e, Kështjella e fjalës na ka mbete Nëpër shtigje tue u mundue me gjete Rranjën katrore të jetës. (“Nji trekandsh në jetën tonë”) Kompasët le të lëvizin Kah kokat jo kah zemrat (“Vaksinimi”) S’po ndodh asgjë Gjeometri e mashtrimit Hapësirë e palëvizshme si frika. (“Ta plakatojmë dhembjen”)

Nga shitorja muzikale Numëron sipas matematikës së vet Kokat e njerëzve të marteve […]

Kështu kapelashitësi afër tregut Në këndin prej nëntëdhjetë shkallësh Bën matematikën e të martës (“Kapelashitësi”)

Përdorimi i koncepteve matematikore, siç duket edhe në shembujt e mësipërm, e përforcon imazhin poetik dhe krijon realitete poetike të parrahura në poezinë shqipe. Studiuesit kanë vërejtur se poezia e Rr. Dedajt dallon edhe për simbolet e shumta që përmban, si brenda poezive të veçanta, ashtu edhe në gjithë sistemin e tij poetik.

Simbolet ngrihen mbi fjalët-çelës që rimerren nga njëra poezi te tjera dhe nga njëri vëllim poetik te tjetri, duke bërë që të ketë një atmosferë të dendur përjetimesh. Ajo çfarë e dallon simbolikën e theksuar të poezisë së Dedajt është fakti që, në këto poezi, fjalët-çelës që përdoren si simbole, kanë kuptime të reja që hasen vetëm brenda sistemit poetik të këtij poeti. Disa nga simbolet e veçanta të poezisë së Dedajt janë: rrashta, kafka, hiri, si simbole të ekzistencës së shkuar; vasha, dashuria, buka si simbole të gjallërisë e të jetës; sëmundja, epidemia, si simbole të së keqes etj. Pra ta gatuajmë me mishin tonë Kangën që ka erën e bukës. Me i zanë dashunitë e lëshueme Kuajt e kuq sonte do të vrapojnë

Ndonëse poeti mund të shfrytëzonte fare mirë sistemin simbolik ekzistues të kulturës dhe traditës letrare, ai zgjedh t’i kapërcejë ato dhe t’i krijojë vetë simbolet në korpusin e tij poetik. Këto simbole janë të lidhura ngushtësisht me njëri-tjetrin dhe krijojnë një rrjet të brendshëm simbolik në poezi. Domethënia e simboleve bëhet e interpretueshme vetëm pas leximit të plotë të veprave poetike të Dedajt. Skematikisht, një mënyrë si mund të zbërthehet rrjeti simbolik i poezive të Dedajt do të ishte: subjekti lirik simbolizohet nga druri; aspirata për lumturi dhe qashtërsia simbolizohen nga ngjyra e blertë; vendi ku përjetohet dashuria është livadhi, në të cilin ka përherë një kalë, si ëndërrim që duhet ndjekur e duhet ngarë për ta bërë ëndrrën të vërtetë.

Poezia lirike si porosi etike

Veçanërisht në veprën poetike “Fatkeqësia e urtisë”, Dedaj shfaqet poet më reflektiv dhe poezitë e tij janë shpesh përsiatje të natyrës morale dhe etike për dukuri sociale të bashkëkohësisë. Ky lloj reflektimi ka në qendër vese apo zakone të kritikueshme, si për shembull thashethemnaja, përgojimi, në poezinë “Shqetësim”: Njerëzit dolën në dritare Dhe pështynë shiun

Shiu ish diç që kalonte Pështyma diç që mbetej Pastaj u kthyen brenda Të pinë qumësht E të flasin për atë që nuk e panë

Mandej njerëzit ndërruan rrobat Dhe dolën përsëri në dritare Pështynë në fjalët që thanë brenda Duke kërkuar përsëri shiun [...]

Herë të tjera, përmes aforizmash metaforikë, poeti jep porosi morale për çfarë është e dobishme dhe e mençur të bëhet: “Kush të gjuan me gur/ gjuaje me bukë” (“Në vend të urtisë”). Herë të tjera përvijon kronika poetike të bashkëkohësisë duke ironizuar kotësinë dhe bjerrjen e kuptimit: Kemi kohë për marrëzira/ Vazhdimisht rreth të njëjtës tryezë/

Lexojmë gazeta të Miss krizave botërore/ Të etikës poetikës politikës/ Pimë kafe të lajmeve taze/ Lajme të përsëritura pimë// Njerëz lexoni njerëzit/ në vend të gazetave (“Pimë kafe të lajmeve taze”); kokëfortësinë e anakronizmin: Ishim pak të pritjes pak të ikjes// Pak për dreq pak Don Kishota ishim/ E s’kishim kohë nga urtia të plakeshim/ Ishte vonë për mite homerike (“Peshuam çdo gjë që mund ta urtësonim”); mendjemadhësinë e marrëzinë: E rrema lëshonte bisht/ Marrëzisë i rritej koka/// Hedhësit e bredhësit/ Me pishë të ndezur// Mjekrën e djallit kërkonin (“Fatkeqësia e Urtisë”) etj. Në rastet kur jep porosi të tilla, ose kur ironizon shfaqje të papëlqyeshme të shoqërisë e rrethinës së tij, poeti zgjedh të ndërkallë në tekst thënie e shprehje popullore që qarkullojnë në ligjërimin popullor si frazeologji: Thonë mendja nuk është/ Me masë të mjekrës; I pate duart e vogla/ Dhe u bë dushk për gogla; Ku e lamë e ku na mbeti, Mate hapin sa ke vrapin. Ironia te disa prej poezive të Dedajt shfaqet si ironi fabulore, kur rimerr personazhe ose motive fabulash dhe i bën pjesë të kontekstit të tij poetik. Si shembull, mjaft të shohim këto vargje të poezisë me titull “Ezop(ike)”: Një djall një shishe një fotografi Një fotografi një shishe një djall Një zot një gjarpër një gomar

Kush do të mbetet në shishe Kush në fotografi me gomarin

Siç shihet, ndërkallja e këtyre elementeve frazeologjike ose fabulore në tekstet poetike e bëjnë më të lexueshme e më të zbërthyeshme ironinë poetike, duke evokuar shprehje a motive që lexuesi i ka të pranishme në ligjërimin e tij bisedor.

Verifikoni njohuritë

1. Çfarë veçorish formale dhe gjuhësore paraqesin poezitë e Rr. Dedajt? 2. Si shfaqen motivet e kujtimit dhe të harresës në poezitë e Dedajt? 3. Përse nuk duhet harruar, sipas poetit? 4. Si trajtohet koncepti i kohës sipas perspektivës së subjektit lirik? 5. Cilat janë disa simbole të poezisë së Rr. Dedajt dhe a kanë të njëjtin kuptim me simbolikën tradicionale letrare e jashtëletrare? 6. Me çfarë mjetesh realizohet ironia në sistemin poetik të Rrahman Dedajt? 7. Çfarë dukurish apo vesesh ironizon Dedaj në poezitë e tij?

Ushtroni mendimin kritik

8. Nisur nga vargjet dhe pasazhet poetike të dhëna më sipër, argumentoni përse vargjet e Dedajt shpesh ngjajnë me frazeologji metaforike. 9. Poezia lirike e Dedajt shpesh vjen në trajtën e porosisë etike dhe përmban përsiatje morale për dukuri të caktuara shoqërore. Si mendoni, nisur nga ky lloj qëndrimi dhe kjo natyrë e poezive të tij, a mund ta quajmë Rrahman Dedajn një poet të angazhuar? Krahasoni qëndrimet e tij me qëndrimet e Ali Podrimjes. A vini re pikëtakime mes qasjeve të dy poetëve?

Rr. Dedaj

Pikëçuditëse

Sa lehtë të thuhet njerëz jemi Sa vështirë të jemi

Nëse secili mendon se është i mirë Duhet të mendojë përsëri

Vlerësimet janë të lira Ndryshon vetëm peshorja

Po të peshonim të gjithë njësoj Na dalin llogari të gabuara

Të flasim dimë të gjithë Të kuptohemi fare pak

Kryeneçësia vrapon me kalë Urtësia vazhdon në këmbë

Jemi njerëz dhe gabojmë Sa ironi e bukur

Kush humbi çdo gjë pos vetëdijes Të gjitha i fitoi përsëri

Më të vegjël se ti Janë ata që nuk të shohin Mizat përdhese bëjnë përjashtim

Një trekëndësh në jetën tonë

I tërheqim nganjëherë gishtat nëpër rërën e kujtimit Si në lojë, nëpër hirin që flet gjuhën e etërve, Dhe vizatojmë një trekëndësh të kuq...

Katetës A mbi bar, Ia kemi dhënë emrin e kafkave tona Dhe të erës së bukës.

Katetës B-e ia kemi dhënë emrin e trëndafiles Kur jemi bërë fenerë Nëpër piramidat e ëndrrave.

Në hipotenuzën C-e, Kështjella e fjalës na ka mbetur Nëpër shtigje duke u munduar ta gjejë Rrënjën katrore të jetës.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në poezinë “Pikëçuditëse”, titulli përdoret për të krijuar idenë e habisë, paqartësisë apo mungesës së informacionit? 2. Në poezinë “Pikëçuditëse”, çfarë është gjëja më e vështirë, sipas subjektit lirik? Po gjëja që nuk duhet humbur asnjëherë, për të pasur mundësi t’i rifitosh të tjerat që ke humbur? 3. Në poezinë “Pikëçuditëse”, çfarë quan poeti “ironi të bukur”? 4. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, në cilat vende vizatohet me gishtërinj trekëndëshi? 5. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, përse përmendet gjuha e etërve?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Në poezinë “Pikëçuditëse”, interpretoni vargjet: Kryeneçësia vrapon me kalë/ Urtësia vazhdon në këmbë. Ndaluni tek antropomorfizmi i këtyre dy koncepteve, kontrasti mes tyre dhe ironia fabulore. 7. Në poezinë “Pikëçuditëse”, gjeni vargjet që tregojnë faktin se subjekti lirik dhe të tjerët që e rrethojnë, vuajnë nga moskuptimi i njëri-tjetrit. 8. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, interpretoni metaforën: kështjella e fjalës na ka mbetur. 9. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, cilat janë konceptet matematikore e gjeometrike që përdor poeti? Çfarë efektesh krijon ndërkallja e tyre në poezi? 10. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë” shikoni me vëmendjen strofat dyvargëshe. A mund të qëndrojnë ato më vete në formën e aforizmave? Çfarë tregon diçka e tillë për vlerën shprehëse të poezisë dhe mjeshtërinë e poetit?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në poezinë “Pikëçuditëse”, vargjet: Po të peshonim të gjithë njësoj/Na dalin llogari të gabuara: shprehin metaforikisht idenë se mënyra e gjykimit ndryshon nga njëri te tjetri; tregojnë problemet e krijuara kur peshorja nuk është në rregull; tregojnë problemet me bilancin financiar për shkak të gabimit në llogari; folja peshoj është metaforë e foljes gjykoj, vlerësoj. 12. Në poezinë “Pikëçuditëse”, dyvargëshi: Kush humbi çdo gjë pos vetëdijes/ Të gjitha i fitoi përsëri, tregon: një aforizëm që nuk është krijim autorial; besimin që ka poeti te forca e arsyes; se vetëdija është busulla orientuese e jetëve tona; se përballja me humbjen është e pashmangshme; tjetër ______________________________________________________________

13. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, në vargjet: Zgjohet zjarri që më përtërin/T’i djegë asgjët që mbetën, fraza “asgjët që mbetën” i referohet: paqartësisë që përjeton ende subjekti lirik; humbjes së çdo gjëje deri më tani; historive të parealizuara, që mbeten ende si pengje; tjetër_____________________________________________________ 14. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, gjeni vargjet që tregojnë përpjekjen për të gjetur kuptimin e jetës. Komentoni forcën shprehëse të këtyre vargjeve. 15. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, si ndikon përdorimi i konceptit të brinjëve përbërëse të trekëndëshit në krijimin e imazhit poetik?

Nga teksti te përdorimi

16. Në poezinë “Pikëçuditëse”, interpretoni si realizohen antitezat dhe çfarë sugjerojnë ato për natyrën e qenies njerëzore? 17. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, interpretoni përdorimin e simbolit të kafkës dhe a ka funksion metonimik në mënyrën si përdoret këtu? 18. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, interpretoni përdorimin e simbolit era e bukës. 19. Në poezinë “Një trekëndësh në jetën tonë”, përse mendoni se trekëndëshi që subjekti lirik thotë se vizatojmë, ka ngjyrën e kuqe? 20. Në poezitë e mësipërme, gjeni ata dyvargësha që përdoren në funksion të ironisë fabulare.

Nga teksti te reflektimi

21. Diskutoni në grup për kuptimin e dyvargëshit Të flasim dimë të gjithë/Të kuptohemi fare pak në kontekstin e shoqërisë sonë bashkëkohore dhe të zhvillimeve teknologjike. 22. Interpretoni vargjet Më të vegjël se ti/ Janë ata që nuk të shohin/ Mizat përdhese bëjnë përjashtim, duke i vendosur ato në kontekstin e modës së kohës për t’u ekspozuar së tepërmi, sidomos në rrjetet sociale. 23. Gjeni aforizma poetikë ose idioma të ligjërimit të përditshëm që kanë kuptime të përafërta me kuptimin e dyvargëshit të Dedajt: “Kryeneçësia vrapon me kalë/Urtësia vazhdon në këmbë.” 24. Në matematikë keni mësuar se rrënja katrore e numrave negativë nuk ekziston. Sakaq, Dedaj në poezinë e tij “Një trekëndësh në jetën tonë”, shprehet se ne jemi në kërkim të rrënjës katrore të jetës. A mendoni se prej këtu mund të pohohet se qasja që poeti sugjeron ndaj jetës dhe dukurive të saj është pozitive? 25. Reflektoni rreth sintaksës poetike të dy poezive të mësipërme. A kemi të bëjmë me errësim kuptimi në secilin rast apo thjesht me shfaqje tipike të sintaksës së poezisë moderne.

Nga teksti te të shkruarit

26. Shkruani një ese letrare duke u nisur nga vargjet e Dedajt: Lumturia s’është monedhë E rënë nga xhepi Të gjendet në rrugën e pluhurosur.

This article is from: