
15 minute read
Rendi leksikor, morfologjik dhe sintaksor i teksteve
Keni mësuar se fjala është një shenjë. Ajo shenjon një imazh të caktuar, i cili herë pas here përcjell ndjesi të caktuara. Në këtë kontekst, gjuha si mjet komunikimi, përbëhet nga sistemi i shenjave. Si e tillë, ajo shfaqet me rrafshe të ndryshme: morfologjike, sintaksore, leksikore dhe fonetike etj. Këto kategori janë të lidhura në shkallë të ndryshme me njëra-tjetrën. Lidhja e ngushtë mes këtyre rrafsheve dhe njësive përbërëse të tyre, shenjave të niveleve të ndryshme, kushtëzohet nga lloji i tekstit ku përdoret edhe marrësi i tij. Le të vlerësojmë ndryshimet mes tyre. Një lexues i zakonshëm, i cili ka pak përvojë leximi, kur ndodhet përballë një teksti arrin të përcaktojë nëse ka të bëjë me një poezi apo me një artikull ekonomik, me një manual motori apo me një tregim. Për ta përmbledhur, ky lexues arrin të dallojë një tekst letrar nga një tekst joletrar. Për ta bërë këtë dallim, lexuesi nuk mbështet vetëm te përmbajtja e tekstit në fjalë. Brenda një teksti gjallojnë shumë elemente, shenja gjuhësore, të cilat i përkasin sa një teksti letrar, aq edhe atij joletrar. Ky dallim varet nga qëllimi i shkrimit të tekstit, dhe reflektohet edhe në mënyrën si organizohen shenjat gjuhësorë të niveleve të ndryshme, në raport me rendin leksikor, morfologjik dhe sintaksor të fjalëve në fjali. P.sh. përshkrimin e një qyteti e gjejmë si në një vepër letrare, ashtu edhe në një guidë turistike. Por nëse reflektojmë mbi dy tekstet, do të dallojmë që strukturat leksikologjike, sintaksore dhe ato morfologjike reflektojnë dy tipologji të ndryshme shkrimi. Teksti letrar mund ta ndryshojë rendin leksikor, sintaksor dhe atë morfologjik në funksion të qëllimit të ndërtimit të një imazhi të caktuar estetik, ndërsa teksti joletrar ka natyrë objektive në respektim të normës letrare. Po ashtu, edhe përmbajtja semantike e fjalës në tekstin letrar zhvendoset nga kuptimi i parë drejt konotacionit (shprehësisë), ndërsa teksti joletrar është më i ngurtë ndaj kësaj zhvendosjeje, për shkak të karakterit objektiv që ai bart.
Advertisement
Shembuj analize
Pranvera është një nga stinët e vitit dhe vjen pas dimrit. Pranvera fillon midis datave 20 dhe 21 mars në hemisferën veriore dhe midis datave 22 dhe 24 shtator në hemisferën jugore. Në këtë periudhë të vitit, ditët fillojnë të jenë më të gjata se netët. Në pranverë, temperaturat janë më të ngrohta se gjatë dimrit. Kjo stinë karakterizohet nga fakti që bimët fillojnë të lulëzojnë dhe lindin shumë nga pasardhësit e kafshëve të ndryshme. Fillimi i pranverës mund të jetë astronomik, d.m.th. sipas pozicionit të tokës ndaj diellit, ose fenologjik d.m.th. sipas zhvillimit të bimëve. Sipas astronomisë, pranvera fillon kur në fundin e dimrit nata dhe dita barazohen. Sipas fenologjisë, pranvera fillon me lulëzimin e disa llojeve të bimëve pranverore, specifike këto për vende të ndryshme. Në vendet e hemisferës veriore, kjo fillon zakonisht nëmuajtmars,prilldhemaj, kurse në hemisferën jugore në muajt shtator, tetor dhe nëntor. Në meteorologji, pranvera fillon gjithmonë më 1 mars.
Enciklopedia për të rinj
1
1. Regjistri i tekstit të parë është formal. Këtë e tregojnë fjalitë e thjeshta dhe përdorimi i fjalëve në kuptimin e tyre të parë. 2. Mungojnë fjalët e figurshme dhe fjalitë kanë respektuar rendin sintaksor të gjuhës shqipe. 3. Norma drejtshkrimore, gramatikore dhe leksikore është e përdorur me përpikëri, që do të thotë se janë respektuar Rregullat e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, pra standardi. 4. Leksiku i përdorur i përket fjalorit profesional. 5. Informacionet ndjekin një rend logjik në koherencë. Evidentoni në tekst karakteristikat e tekstit joletrar.
2
Poshtë, në Drimonë, kish ardhur vera; lart në male ishte ende pranverë dhe jo pranverë dokudo. Pranverë bujëmadhe. Shkrinte akulli dhe dëbora e përhime, e ngjeshur dimrit shtrat mbi shtrat në rrembat e fellëtirat, buçisnin rrëketë e përrenjtë, gurgullonin kronjtë begatorë. Harlisej bari i ri shumë i hollë dhe bleronin drurët e shkurret të veshura me gjeth të brishtë, gati të tejpashëm. Aty-këtu zbardhte, skuqte a zverdhte ndonjë pemë e ngarkuar me lule. Ajri ishte i fortë sa ta prisje me thikë, plot amëza aguliçesh, vjollcash dhe stolish të tjera pranverore.
M. Kuteli
Mos harrojmë që antiteza ka në bazë antoniminë ose kontrastin antonimik.
Çfarë imazhi ndërton në vetëdijen e lexuesit fusha semantike e toponimit Drimonë?
Cilat shqisa marrin pjesë në tablonë që ndërtohet në përfytyrimin e lexuesit dhe çfarë ndjesish përcjell ky imazh? Në tekstin e dytë, fjala merr vlerë të madhe shprehëse. Kontakti juaj i parë me tekstin është përmasa vendore poshtë dhe lart. Perceptimi i kësaj përmase realizohet me anë të antonimeve, që shërbejnë për të nisur një peizazh, i cili duket sikur do të burojë nga antiteza.
Të dyja fjalitë ku gjenden antonimet, në dukje bashkërendisin mendimin (sintaksa, marrëdhënie bashkërenditëse), sepse mund të bashkohen me lidhëzën dhe, por në fakt qëndrojnë në opozitë kuptimore (semantika), sepse fjalia e dytë jep zanafillën e qëllimit të rrëfyesit për të ngacmuar kënaqësi shpirtërore dhe qetësi fizike te lexuesi, atë që ndien njeriu kur është në malet e Drimonës, në një pranverë të vonë. Antonimia, siç e thamë, ka dy përbërësit poshtë-lart. Nga këto dy shenja, vetëm njëri zgjerohet: shenjuesi lart. Gramatikisht dy fjalitë (Poshtë, në Drimonë, kish ardhur vera- Lart në male ishte ende pranverë dhe jo pranverë dokudo) bashkërendojnë thëniet nga ana sintaksore, pra mund të funksionojnë si fjali me bashkërenditje, por kuptimisht ato krijojnë antonimi: Imazhi që realizon fjalia e parë është një imazh i butë, i ëmbël, ku detaji Drimonë, ngacmon një seri lidhjesh mendore, që depërtojnë në arsyen e lexuesit.
Analizoni nga ana fjalëformuese fjalët dokudo dhe bujëmadhe. Tregoni konotacionin e pjesëve të secilës. Analizoni shprehësinë që marrin fjalët e reja të formuara. Si qëndrojnë në raport me njëra-tjetrën? A ia ka arritur qëllimit të tij rrëfyesi ndërsa vendos pranë njëra-tjetrës këto fjalë?
Si e perceptoni kuptimin e foljes bart në këtë kontekst analize? Çfarë marrëdhënieje kuptimore realizon mbiemri e madhe duke u vendosur mbi kumtin e parë?
Ç’imazhe ju ngacmon secila prej foljeve që përmendëm? Konkretizojini imazhet me fjalë. Krijoni fusha kuptimore me emra që derivojnë kuptimisht nga secila prej foljeve. Le të shohim se cilat imazhe dhe ndjesi synon të përmbushë fjalia e dytë, e cila në fakt i hap rrugë pjesës së dytë të fragmentit. Fjala pranverë është një shenjë; shenjon njё nga stinët e vitit; ka një mision të cilin nuk mund ta përmbushë krejt e vetme: duhet të ngacmojë te lexuesi ndjesitë që sjell stina e pranverës. Për të realizuar këtë mision, i duhen të tjera shenja, me të cilat të aktivizojë imazhe që ekzistojnë në vetëdijen e lexuesit, por edhe t’i bëjë bashkë ato. Në hapësirën mendore të nxënësit, termi pranverë vjen me një seri ngacmuesish: rrethanorë ose jo; konkretë ose jo; objektivë ose jo. Pranvera e zakonshme është dalja nga dimri, një rrobë më pak – lehtësi; aroma e luleve, kënga e zogjve, diell më shumë, dritë më shumë, ekuinoks etj. Në pavarësi të plotë nga tërësia e imazheve dhe ndjesive që flenë në vetëdijen e lexuesit, teksti shfaq tjetër hapësirë dinamike, të vrullshme dhe pasionante, nisur përsëri nga një antonimi kontekstuale-dokudo/ bujëmadhe, por këtë herë më të plotë: rimarrja e shenjës, i nënshtrohet ligjësive të brendshme sintaksore. Përballë grupit pranverë dokudo vendoset grupi pranverë bujëmadhe, ku shenjohen objekte të ndryshme, por me funksione të njëjta: ndajfolja dokudo është një kumt i pandryshueshëm, ndërsa mbiemri bujëmadhe ka dinamikën e lëvizjes dhe të përshtatjes, duke marrë vlerën e një epiteti metaforik.
Epiteti metaforik bujëmadhe bart në kumtin e tij dy të shenjuar: bujë dhe e madhe. Mjetet e përdorura për të krijuar epitetin metaforik janë të natyrës leksikore (kuptimi i fjalëve përbërëse) dhe fjalëformuese (kompozitë). Në një tekst, mesazhi është bashkësia e mjeteve fizike (shenjave) dhe e kuptimit. Le ta shohim me kujdes këtë proces. Vlerën e parë kuptimore e bart emri bujë. Buja është një dialektizëm, që në gjuhën tonë kryesisht merr ngjyrime të variueshme nga konteksti: bëri bujë të madhe lajmi, emri i tij ka bujë, bëmat e saj bënë bujë nëpër fshat, ende i mban vlagë buja etj., por gjithmonë kumton zhurmë, fjalë, nam me përmasa të mëdha hapësinorë e kohore.
Konotacionin e fjalës së re të krijuar bujëmadhe, e përcaktojnë tri mekanizma: enumeracioni, metafora dhe loja e gjuhës me shqisën pamore e dëgjimore. Foljet që krijojnë enumeracionin: shkrinte (akulli), buçisnin (rrëketë), gurgullonin (krojet), harlisej (bar), bleronin (drurët), zbardhte, skuqte, zverdhej (pema) duhen ndarë në tri grupe, sipas qëllimit të përdorimit.
Në grupin e parë foljet shkrinte, buçisnin, gurgullonin, që në veshjen e tyre qoftë fonetike, qoftë kuptimore ngacmojnë shqisën e të dëgjuarit. Fonetikisht, foljet karakterizohen nga një numër i lartë bashkëtingëlloresh dhe kuptimisht shenjojnë kuptime që ngacmojnë zhurmën e secilit prej veprimeve shenjuese. Kur shqisa e të dëgjuarit nis aktivitetin e

Ndërtoni nga tri fjali ku foljet harlis dhe bleron të përdoren në disa kuptime. Imazhet që vijnë nga fjalitë tuaja, a përkojnë me imazhet që përcjellin këto folje në përdorimet e Kutelit? saj, kryefjala krijon lidhjen e varësisë me kallëzuesin, duke e konkretizuar imazhin, plotësuar atë dhe duke vënë në lëvizje edhe shenja të ndërmjetme si përcaktorë e rrethanorë, por në rrafshe kuptimore shumë të larta, krahasuar me kuptimin e tyre të parë. Atëherë krijohet imazhi i një pranvere plot zhurma jete, me një bukuri marramendëse, që do t’i shkonte për shtat violina e Antonio Vivaldit.
Grupi i dytë i foljeve harlisej, bleronin, ngacmon shqisën e të parit. Nëse bëjmë një kërkim për shtresat kuptimore që përcjell kjo folje në shqipe e gjejmë, atë sipas konteksteve, me këto ngarkesa shprehësie: 1. E bëj të marrë fuqi e të zhvillohet shumë, e bëj të rritet e të shtrihet tej mase, na vjen kuptimi – është harlisur trupi i vajzës; 2. Merr fuqi e zhvillohet shumë, rritet e shtrihet tej mase, harliset – e gjejmë në përshkrime të natyrës; 3. E harboj, e azdis (edhe keq.), – semantikisht përcjell një gjendje erotike të ekzaltuar. Në kontekstin kutelian, harlisja sjell një imazh ku bashkohen të gjitha, një natyrë që po buit, që të ekzalton dhe të jep paqe njëkohësisht, por mbi të gjitha një natyrë në lëvizje të brendshme. Folja bleronin, e përdorur gjerësisht në prozën poetike të Kutelit, kalon herë nga natyra e herë nga vajza, duke shenjuar në të dyja rastet të njëjtin kumt, një bukuri në rritje, në lulëzim, një ndjesi tërheqëse dhe tunduese. Këto dy folje përcjellin dinamikë lëvizjeje gazmore, sepse një bar që harliset është një bar që po rritet; një bar që lëviz nga një fuqi e brendshme dhe jo nga era; një dru që bleron është një dru ku jeta të grish, të fton, ku ti gjen një motiv për të ndaluar e shijuar.
1Pragmatikë quhet shkenca që merret me studimin e thënies dhe situatës thëniesore, në kontekste thëniesore. Në grupin e tretë janë ngjyrat: zbardhte, skuqej, zverdhte. Nëse do të përpiqeshim të paraqitnim në formë grafike kuptimin e foljeve, ku boshti numerik të tregonte horizontalisht kuptimin sipas procesit natyror, dhe ai vertikali kuptimin sipas pragmatikës1, atëherë do të përftonim një vijë të lakuar:
skuqej
zbardhte zverdhte
Kjo është në kuptimin e parë të termave, por për ta zhvendosur domethënien, gjymtyrët homogjene e shpërndajnë kumtin e tyre në hapësirë të përcaktuar (rrethanori i vendit, aty-këtu dhe kryefjala ndonjë pemë e ngarkuar me
lule). Aty-këtu zbardhte, skuqte a zverdhte ndonjë pemë e ngarkuar me
lule, duke e risjellë ngjyrën në lëvizje jete. Diku lind një lule (zbardh), diku gufmon (skuq), e diku tjetër vyshket (zverdh).
Dëgjoni tekstin nën melodinë “Pranvera (Primavera)” të Vivaldit. A marrin tjetër ngarkesë kuptimore fjalët? Përshkruani ndjesitë tuaja ndërsa lexoni Kutelin, tani që kaluat përmes analizës së tekstit.
STUDIM TEKSTI
1

Ushtrohuni përmes tekstit
Gjirokastra është një nga qytetet e Shqipërisë, qendra e prefekturës me të njëjtin emër. Pas ligjit të reformës administrative të vitit 2015, ish-bashkitë Antigonë, Cepo, Lazarat, Lunxhëri, Odrie dhe Picar u shkrinë në Gjirokastër. Në regjistrimin e vitit 2011 (më i fundit i kryer në vend), banorët e këtyre qendrave arrinin në 8837; që nga viti 2021, të dhënat e regjistrimit për popullsinë aktuale të njësisë së re administrative nuk janë ende të disponueshme. E vendosur në pjesën jugore të vendit, Gjirokastra është një nga qytetet më të vjetra shqiptare: e ndërtuar mbi një kodër rreth 300 metra të lartë me pamje nga një luginë midis Malit të Gjerë dhe lumit Drino, emri i saj në greqisht do të thotë kështjellë argjendi. Njihet si “Qyteti i një mijë shkallëve” dhe karakterizohet nga shtëpitë e stilit otoman me ati të gurta, me ballkone prej druri dhe me rrugë kalldrëmi. Kalaja historike e Gjirokastrës (një nga më të vjetrat në vend) ndodhet në majë të një kodre. Qyteti antik tregon takimin e kulturave greke, romake, bizantine, turke dhe shqiptare dhe është përfshirë në vendet e trashëgimisë botërore. Që nga viti 2005, Gjirokastra është përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. (Guidë turistike)
1. Teksti shfaq tipare të tekstit informues. Përcaktojini ato. 2. Analizoni se si realizohet rendi logjik në këtë tekst. 3. Qarkoni përgjigjet e sakta: Rendi sintaksor i fjalive brenda tekstit është ndërtuar sipas rregullit gramatikor të fjalisë në drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Përdorimi i figurshëm i fjalëve brenda fjalive ka krijuar zhvendosje të strukturës së fjalive. Pjesët komentuese në kllapa nuk i përgjigjen natyrës formale të shkrimit. Grupet e fjalëve reformës administrative; regjistrimin; karakterizohet nga shtëpitë e stilit otoman; takimin e kulturave në këtë kontekst i përkasin fjalorit profesional. Zbatimi me përpikëri i normës drejtshkrimore, gramatikore e leksikore përputhet me karakteristikat tipologjike të këtij teksti. 4. Tregoni vlerën përgjithësuese që merr fjala “qytet” në secilin prej rasteve të përdoruara në tekst. 5. Konsultohuni me Fjalorin e Gjuhës Shqipe për fjalët e mëposhtme dhe përgjigjuni pyetjeve: Fjala e vendosur e ka zgjeruar kuptimin në këtë kontekst apo ka ruajtur atë fillestar. Grupi kalaja historike ka nënshtresuar një kuptim tjetër, i cili ngrihet mbi kuptimin e parë. E cenon kjo gjë natyrën joletrare të tekstit?
2
Kjo ndodhi një pasdite dimri në fshatin Perendjellkino, ku bashkë me shokë të tjerë të institutit “Gorki” shkonim për të bërë ski. Nuk më kujtohet mirë se si filloi biseda, por dihet se nuk ka gjë më të natyrshme për një shoqëri me njerëz të kombësive të ndryshme, sesa një bisedë rreth qyteteve të lindjes. Po flitej për qytete të jashtëzakonshme, të zbukuruara nga malli i ndarjes, për qytete me diell apo hënë të çuditshme, me blerime, me liqene dhe ura që ngriheshin natën si fantazma. Kur më erdhi radha mua, unë thashë se, sado që t’u dukej e pabesueshme, unë isha nga një qytet vërtet i çuditshëm, ku, po të ishe i pirë dhe të rrëzoheshe në rrugë, në vend që të bije në hendek, mund të bije mbi çatinë e një shtëpie tjetër. Qeshën të gjithë dhe, për të mos më quajtur gënjeshtar, më thanë se isha fantazist. Për fatin tim, midis tyre ishte një shkrimtar grek, i cili, pas thyerjes së partizanëve grekë në
Gramos, kishte qenë mjekuar ca kohë në Gjirokastër. Ai pohoi fjalët e mia dhe bile shtoi se për të ishte një nga kujtimet më të paharruara kontakti i tij i parë me Gjirokastrën. Kishim vite në male, tha ai, dhe mendoni se për herë të parë pas një kohe kaq të gjatë, na doli përpara një qytet që u ngjante përrallave. Në qoftë se është kështu, si është e mundur që ti s’ke shkruar asgjë për këtë qytet, tha një letonez. Nuk u kuptua mirë se kujt iu drejtua kjo pyetje, grekut apo mua, por, për çudinë time, greku tha: “Ku e di ti që nuk kam shkruar?” Hm, ia bëra unë me vete. Greku paska shkruar për të, kurse mua as më ka rënë ndër mend një gjë e tillë.
Ismail Kadare, “Kronikë në gur”
6. Pasi keni lexuar pjesën, kuptoni që një element shumë i rëndësishëm i saj është rrëfimi. Vini re hyrjen: “Kjo ndodhi një pasdite dimri.” Ky ndërtim sintaksor ngjason me strukturën hyrëse të përrallës. Cila pjesë e fjalisë e përcjell këtë ndjesi: përdorimi i përemrit si kryefjalë; loja me foljen ndodhi, e cila të kujton emrin ndodhi; rrethanori i shprehur me grup emëror një pasdite dimri; të gjitha bashkë. Argumentoni përgjigjen tuaj. 7. Në fjalinë “Po flitej për qytete të jashtëzakonshme, të zbukuruara nga malli i ndarjes, për qytete me diell apo hënë të çuditshme, me blerime, me liqene dhe ura që ngriheshin natën si fantazma.”, analizoni metaforat, duke shpjeguar shumëkuptimësinë që marrin emrat dhe mbiemrat.
Jepni mendimin tuaj se përse janë përdorur në rend të njëpasnjëshëm ato. Krijoni lidhjen me strukturën e hyrjes së rrëfimit. 8. Fjalia “Kur më erdhi radha mua, unë thashë se, sado që t’u dukej e pabesueshme, unë isha nga një qytet vërtet i çuditshëm, ku, po të ishe i pirë dhe të rrëzoheshe në rrugë, në vend që të bije në hendek, mund të bije mbi çatinë e një shtëpie tjetër” përshkruan në mënyrë metaforike arkitekturën e qytetit të Gjirokastrës. Në guidën turistike më lart, identifikoni paragrafin që përshkruan gjithashtu arkitekturën e qytetit. Krahasoni dy fragmentet duke u mbështetur: në ndërtimin sintaksor të fjalive (rendi i gjymtyrëve në funksion të shprehësisë); në fjalorin e përdorur (objektiv, subjektiv); në përdorimet e kohëve dhe mënyrave të foljeve. 9. Rrëfyesi luan me kuptimin e dy fjalëve gënjeshtar dhe fantazist. Analizoni: lidhjen kuptimore mes dy fjalëve; lidhjen e kuptimit me kontekstin. Po ju si do ta emërtonit rrëfimin? 10. Teksti karakterizohet nga ndërthurja e dy ligjëratave: e drejtë dhe e zhdrejtë. Identifikojini ato dhe argumentoni: a) dialogun e brendshëm që shfaqet në këtë integrim ligjëratash. Rrëfyesi i flet vetes apo lexuesit? Analizoni nëntekstin që sjell pyetja retorike; b) integrimin e ligjëratave me strukturën hyrëse të rrëfimit.
Sfida e të shkruarit
11. Lexoni fjalinë-paragraf:
Me vlerësimin që i bënte qytetërimit të ri evropian, si një shkallë më e përparuar e zhvillimit shoqëror në krahasim me qytetërimin osman të lidhur me sistemin feudal, që mbizotëronte në
Perandorinë Osmane, Sami Frashëri mbronte një të vërtetë tjetër historike, nga e cila dilte vetvetiu përfundimi se Perandoria Osmane, që ngrihej mbi themelet e sistemit feudal, duhej të shembej dhe mbi gërmadhat e saj duhej të ndërtohej një shoqëri e re në një Shqipëri të pavarur dhe në një
Turqi të re. Argumentoni me shkrim pse është tekst joletrar. Mbani parasysh në këtë argumentim: identifikimin e fjalorit; llojet e fjalive; llojin e marrësit; rendin sintaksor të fjalive, rendin morfologjik dhe atë leksikor. 12. Lexoni tekstin letrar dhe analizojeni me shkrim sipas modelit që trajtuat në mësim.
Mbani parasysh në analizë: ndjesitë që përcjell teksti; lidhjen e ndjesive me sintaksën e fjalisë; lidhjen e ndjesive me format morfologjike të fjalëve; fushat semantike leksikore.
Liqeni
Flas me ty, ti hesht e luan me valë. Ti s’je më syri im as loti i saj. Flas me ty, ti shikon pulëbardhat. Për Shën-Naumin paske zemër t’gjerë. Flas me ty, ti kotesh mrekullie. Më vjen të zbres në fund t’fundit, të vdes i gjelbër me alat.
Azem Shkreli
