25 minute read

Letërsia bashkëkohore shqipe

Next Article
Anton Pashku

Anton Pashku

Letërsi LETËRSIA BASHKËKOHORE SHQIPE

Letërsia bashkëkohore shqipe është një korpus shumë i gjerë veprash dhe shkrimtarësh në prurjet e saj pas viteve ’90. Ndryshimet politike në Shqipërinë e atyre viteve, lanë gjurmë edhe në jetën shpirtërore të kombit. Krijuesit, që tashmë qenë çliruar nga detyrimi për të shkruar brenda një platforme ideologjike me skema e klishe, u përballën me lirinë e zgjedhjes së modelit të të shkruarit dhe lirinë e zgjedhjes së temave. Ndaj pas 1990-ës, detyra e parë që u dilte krijuesve ishte që t’i kthenin letërsisë funksionin e saj estetik. Letërsia nuk mund të shihej më si propagandë dhe as mund të shërbente për edukim moral të shoqërisë (qëllim për të cilin ishte përdorur gjatë komunizmit), por ajo duhej t’i kthehej funksionit të saj të parë: prodhimit të kënaqësisë estetike dhe vepra letrare duhej të sublimonte në art problemet dhe shqetësimet e njeriut të sapodalë nga trauma e një jete të cunguar, e shtrembëruar ideologjikisht. Shkrimtarët e kësaj periudhe u përpoqën të bënin objekt të veprave të tyre situatën komplekse në të cilën gjendej njeriu shqiptar i sapodalë nga diktatura. Ndaj në veprat e tyre, këta autorë i japin lexuesit një këndvështrim individual e të pakushtëzuar mbi natyrën dhe problemet e shoqërisë shqiptare e në mënyrë të veçantë të individit, i cili zë një vend të posaçëm në këtë letërsi. Në këtë drejtim, mund të themi se letërsia e autorëve që shkruajnë pas viteve 1990 është një çlirim i madh estetik dhe shpirtëror, është edhe një tregues i ngritjes së letërsisë shqipe, e hapur tanimë ndaj përvojave letrare që ofronte letërsia europiane e më gjerë. Temat, ku në qendër është individi me gjithë problematikën psikike, sociale, politike, që mbart; individi i zhveshur nga modeli tipik që kishte trumbetuar realizmi socialist, individi i zvetënuar e i shterur, individi në kërkim të vetes, bëhen ushqyese për krijimtarinë e shkrimtarëve të kësaj periudhe. Po ashtu, vihet re një prirje drejt temave refleksive, që trajtojnë probleme të rëndësishme ekzistenciale të njeriut të kohës, që bart dilemat e së shkuarës e pasiguritë e së tashmes. Gjithashtu, temat e trajtuara nga shkrimtarët pas viteve ’90-të lidhen patjetër me lirinë, edhe me atë të munguar, me atdheun, marrëdhënia me të cilin shfaqet si mall, si dhembje, si dashuri e çdokohshme. Ndodh largimi fizik nga atdheu, por lidhja shpirtërore me të është e përjetshme. Një tjetër temë e trajtuar nga shkrimtarët në ato vite ishte ajo e dhembjes njerëzore, individuale, ndryshe nga dhembja dhe përgjegjësia kolektive që lexohej nëpër rreshtat e letërsisë së para viteve ‘90. Marrëdhënia e krijuesve me shkrimin përshkon shtigje të tilla që e zgjojnë letërsinë nga letargjia e komunikimit linear, duke çliruar dhe duke bërë më dinamik sistemin e ngrirë të strukturave të saj, duke i hapur rrugën komunikimit shumëfunksional me lexuesin. Në letërsinë shqipe që zhvillohet në Kosovë, problematikat shfaqen sa në marrëdhënien me individualen aq edhe me kolektive, për arsye të kushteve socio-politike në të cilat ndodhej. Sipas studiuesit Nysret Krasniqi: “Letërsia e Kosovës si pjesë e pandarë e letërsisë nacionale, por e kushtëzuar historikisht nga rrethanat e veçimit brenda llojit, tashmë kap traditën vetjake njëshekullore. E nisur si emancipim kulturor, pastaj me elemente të poetikës sociale dhe ideologjike, letërsia shqipe në Kosovë forcon e sforcon modernitetin në të gjitha format letrare, zhvillon kritikën dhe studimet e fuqishme letrare, për ta përjetuar edhe aventurën postmoderne në nisjen e viteve 90-të të shekullit të kaluar”

Advertisement

Cilat ishin prirjet e kësaj periudhe?

Studiuesit vërejnë tri prirje te shkrimtarët e kësaj periudhe.

E para lidhet me larminë e stileve, temave, formave të të shkruarit, larg modeleve të imponuara dhe temave të paracaktuara. Eqrem Basha, përmes personazhit të vet, Alpinistit, në romanin “Alpinisti”, me fabulën përmbledhëse e të përqendruar në një pikë shpalos konfliktet e brendshme të individit, shpresën, ëndërrimin, frikën, revoltën, që si ngarkesë përcjellëse janë të përhershme njëlloj dhe karakteristikë e mjedisit dhe e kohës sonë.

E dyta ka të bëjë me pasurimin në rrafshin leksikor, me shtegtime dhe spikatje të fjalësit prej çdo hapësire sado të largët e të ngushtë duke synuar ta japin me tërë frekuencat dhe në trajtë sa më shprehëse e sa më vizualisht, karakterin etnokulturor të botës shqiptare, tashmë pa kufizime. Me lojën e perspektivave rrëfyese, Ismail Kadare në romanin “Hija” ka artikuluar fuqishëm portretin shpirtëror dhe psikologjik të intelektualit shqiptar gjatë diktaturës komuniste. Shtylla kuptimore e këtij (auto)rrëfimi lidhet me pamundësinë e daljes së plotë, e daljes së vërtetë nga bota e mbyllur në pranga shpirtërore e perandorisë komuniste, dalje nga bota e të palirëve në botën e të lirëve.

E treta lidhet me pasurimin e ligjërimit të shqipes me sekuenca të niveleve të larta abstraguese dhe depërtime të holla psikologjike, si model të shkruari dhe si reflektim i brendshëm i autorëve. Rrëfimi i ngjarjes në romanin e Mehmet Krajës “Edhe të çmendurit fluturojnë” synon sfidimin e dy objektivave nga më të papërballueshmit në teknikat dhe poetikën narrative romanore përgjithësisht: ta artikulojë realitetin e afërt, të përditshëm – pa mbështetjen e distancës dhe nga optika e një të çmenduri – pra nga një dritare me përkufizime dhe kufij vrojtimi rreptësisht të përcaktuar.

Klasifikimi i shkrimtarëve

Vitet ’90-të janë shënuar shpesh si vijë ndarëse mes dy periudhave të ndryshme letrare në Shqipëri. Duke pasur parasysh kohën kur vepra të ndryshme letrare janë krijuar, mund të flasim për letërsi shqipe të krijuar para viteve ‘90 dhe letërsi të krijuar pas viteve ’90. Edhe shkrimtarët i klasifikojmë në dy grupime të mëdha: a) Shkrimtarët që kanë shkruar në dy periudha: para dhe pas viteve ’90. Në këtë grup do të dallojmë: Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Azem Shkrelin, Frederik Rreshpjen, Rexhep Qosen, Fatos Kongolin, Ali Podrimjen etj. b) Shkrimtarët që sollën risi: Ata shpërthyen vrullshëm pas dhe gjatë viteve ’90, iu larguan tabuve tematike dhe strukturore të dikurshme drejt perceptimeve të reja, deri aty ku ndjeshmëria artistike përmbys unin e diktuar. Në rrjetin e ngushtë të skemës së komunikimit letrar: dhënës (autor)-mesazh (vepër)marrës (lexues), shkrihen përjetimet e shkallës më të lartë emocionale. Spikatin autorë si: Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku, Kujtim Rrahmani, Agron Tufa, Kim Mehmeti, Kujtim Shala, Basri Çapriçi, Xhevdet Bajri etj. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe gjeneratën e poetëve dhe shkrimtarëve të burgosur për shkaqe politike, të cilët nisën të integroheshin në jetën shoqërore e letrare

të vendit. Kësisoj shkrimtarë e poetë të tillë, si: Kasem Trebeshina, At Zef Pllumi, Visar Zhiti etj., botuan veprat e tyre (në prozë e poezi), të ideuara, të skicuara apo gjysmë të shkruara në qeli, si dhe vepra të frymëzuara nga realiteti i ri, me të cilin po përballeshin. Tradita letrare vijon, letërsia merr forma të reja çdo ditë. Çdo kohë ka letërsinë e vet, çdo vepër letrare është edhe një dëshmi e kohës kur është shkruar dhe botuar. Por letërsia nuk është një ngrehinë që shembet dhe ngrihet sa herë të duam ne. Letërsia është një ngrehinë ku çdo brez vendos një gur për ta lartësuar. Letërsia bashkëkohore shqipe duhet parë në një këndvështrim të gjerë gjeografik. Pavarësisht nga zhvillimet brenda trungut amë, Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Çamëri, duhet pranuar se letërsia shqiptare ka njohur dhe po njeh zhvillime edhe në diasporë. Zhvillimet e letërsisë në diasporë, mund të shihen gjeografikisht brenda dy vatrave kryesore: 1. vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj.; 2. vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Australi etj. Në vatrat e reja të diasporës shqiptare, po krijohet edhe një shtresëzim i vonshëm krijimtarie letrare, që daton pas vitit 1990, kur një dallgë e madhe emigracioni u shkëput nga Shqipëria dhe u derdh rrëmbimthi drejt qytetërimeve perëndimore. Ky shtresëzim përfaqësohet nga një brez më i ri krijuesish emigrantë si Gjekë Marinaj, Dalan Luzaj, Petraq Pali, Rasim Bebo etj., në Amerikë; Elvira Dones, Artur Spanjolli, Gëzim Hajdari, Shpendi Sollaku, Ornela Vorpsi, Ron Kubati etj., në Itali; Alush Avduli, Miho Gjini, Mina Çaushi, Nase Jani etj., në Greqi. Prozën dhe poezinë me karakteristikat i vendosim me një faqosje të dallueshme, në kuadrate

Në prozë: Për herë të parë pas viteve ’90, në rrugën e prozës moderne, të themeluar shumë vite më parë nga Koliqi e më tej Kuteli, romani, novela dhe tregimi shqiptar erdhën në një trajtë ndryshe. U thyen teknikat narrative socrealiste, rrëfimi shpesh u realizua në vetën e parë të përgjithësuar apo të universalizuar, si një un i gjithëkohshëm.

Në romanin modern pothuajse mungon tërësisht subjekti i mirëfilltë artistik, vëmendja u largua nga modelet klishe të personazheve pozitive dhe negative dhe u synua thjesht drejt së dukshmes, drejt qenies si koshiencë e subkoshiencë jokolektive, por individuale.

Për sa i përket romanit si gjinia më komplekse, më e plotë dhe më e vështirë e letërsisë, shpesh, në vepra të romancierëve të ndryshëm të kësaj periudhe, vërejmë një tentativë për të ndërthurur brenda strukturës së romanit të gjitha llojet e gjinive letrare: poezi, dramë, ese, tregim, novelë, peizazh, psikologji, filozofi, duke krijuar hapësira të pafundme interpretimi.

Regjistrat stilistikë të narracionit kalojnë nëpër sitën e hollë të groteskut, në paraqitjen e deformuar të individit si përfaqësues tipik i shoqërisë së rrënuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale, si rrjedhojë e të cilave kemi të bëjmë me personazhe tejet të vetmuara, të mbyllura në guaskën e përditshmërisë. Luhet shpesh me monologun si një alterego e qenies së pakushtëzuar në hapësirë dhe kohë.

Në poezi u vunë re prurje të reja në teknikat krijuese; përmbysje e rreptësisë së konformizmit të dikurshëm, i kthyer tashmë thjesht në kujtesë kombëtare; vargje të thyera; ritëm alternativ; imazhe befasuese; simbolikë shumëdimensionale. Gjuha, thellësisht emocionale, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash.

Poezia e atyre viteve është shquar për një modelim të shpejtë të tipareve të reja. Duke iu larguar patosit kolektiv, karakterit deklarativ të vargut, temave të përcaktuara e gjuhës retorike, poezia e pas 90-tës përpunon poetika, të cilat nëpërmjet larmisë së regjistrave stilistikë, larmisë së vargjeve e formave, përpiqen jo thjesht të përshkruajnë të përditshmen, por të hulumtojnë deri në thellësi të shpirtit njerëzor. Krijimet e këtyre autorëve shquhen për një ndjeshmëri të lartë perceptuese e receptuese në të cilën gjejmë elemente të begata të jetës psikike individuale, po edhe shoqërore kombëtare. Shkalla cilësore e abstraksionit artistik dhe pasuria e madhe leksikore janë një veçori tjetër e kësaj poezie.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cila ishte detyra kryesore që shtrohej përpara krijuesve të letërsisë shqipe të pas viteve '90?

Pse? 2. Çfarë funksioni kishte letërsia shqipe, që zhvillohej në Shqipërinë zyrtare përgjatë viteve ’45-90? A ishte ai funksioni natyral i letërsisë? 3. Cilat janë temat që trajton kjo letërsi? Ku ndryshojnë ato nga temat që lëvroheshin përpara viteve '90? Përmendni disa prej tyre. 4. Cili është përcaktimi që bën studiuesi N. Krasniqi për letërsinë shqipe që zhvillohet në Kosovë? 5. Cilat janë tri prirjet e shkrimtarëve të kësaj periudhe dhe çfarë karakteristikash paraqesin ato?

Jepni ilustrime. 6. Në bazë të cilave kritere bëhet klasifikimi i shkrimtarëve të letërsisë shqipe të pas viteve '90? 7. Çfarë karakteristikash paraqet proza e zhvilluar pas viteve '90 në Shqipëri dhe Kosovë? Vëreni ndryshimet dhe ngjashmëritë midis tyre. 8. Po zhvillimi i poezisë së këtyre viteve, çfarë karakteristikash paraqet?

Ushtroni mendimin kritik

9. Çfarë dini për letërsinë e realizmit socialist që u zhvillua në Shqipëri gjatë viteve '45-90? A mendoni se ishte një zhvillim normal për letërsinë shqipe kjo periudhë? Pse? Argumentojeni përgjigjen. 10. Si e kuptoni ju formulimin se “Letërsia nuk mund të shihej më si propagandë dhe as s’mund të shërbente për edukim moral të shoqërisë, por ajo duhej t’i kthehej funksionit të saj të parë: prodhimit të kënaqësisë estetike.”? A jeni dakord me këtë qëndrim? Pse? 11. Çfarë risish sjell romani “Edhe të çmendurit fluturojnë” i M. Krajës? A janë ato karakteristike për teknikat e prozës moderniste? 12. A mendoni se është i saktë klasifikimi që u është bërë shkrimtarëve të letërsisë së zhvilluar pas viteve ’90? Jepni gjykimin tuaj, duke u mbështetur në argumente. 13. Disa prej autorëve që përmendën më lart i keni bërë gjatë orëve mësimore të mëparshme, kujtoni çfarë karakteristikash paraqesin në stil veprat e tyre. Diskutoni në grupe. Kërkoni ndihmën e mësuesit nëse e shihni të nevojshme.

K. Mehmeti

ILUSTRIM LETRAR

Mëhalla e Grave

“Padyshim që Shkupi u rikujtohet të huajve porsa të shohin në ndonjë panoramë “Urën e Gurit”, e lëre më, Kalanë madhështore të këtij qyteti, por pa u shkuar ndër mend se, në atë qytet, jo larg Çarshisë Osmane, aq të fotografuar nga ardhacakët e shumtë, ndodhet lagjja mjerane e romëve të varfër, si dhe Mëhalla e Grave. Siç nuk i kujtohen asnjë vizitori të këtij qyteti shenjat e dikurshme njohëse në fytyrën e tij, e që nuk i ka tani, ato ngrehina që i ka pasur dikur, e që sunduesit e mëvonshëm ngutshëm i kanë shlyer, duke i rrënuar, duke dashur kështu të harrohet, për shembull, e shkuara dardane e Shkupit, apo pesëshekullori shkupjan i Perandorisë Osmane, duke ndërtuar mbi to ndërtesa e monumente që do e bënin të dukshme vetëm pamjen ortodokse-sllave të qytetit. Po pra, për dallim nga njerëzit, që ia zgjedhin maskën vetvetes dhe me aq sa munden e zbukurojnë pamjen, nëpërmjet së cilës do i kujtojnë dhe do i njohin të tjerët, fytyrën e vendbanimeve e përcaktojnë drejtuesit e shteteve, perandorët, pasanikët dhe të fortët që jetojnë në të. Dhe njësoj si individi i pasur e i pushtetshëm, që e ka më të lehtë t’i mbulojë e t’i bëjë të padukshme vragat dhe njollat e fytyrës së vet, po ashtu edhe vendbanimet e perandorive dhe sunduesve të fuqishëm, më lehtë mbulohen me ngrehina madhështore, nga drejtojnë shikimin të gjithë vizitorët, duke pamundësuar kështu të shihet mjerimi i lagjeve ku jetojnë të mallkuarit e qytetit.”

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Shpjegoni kuptimin e togjeve të fjalëve: “ngrehina madhështore”, “lagjja mjerane”. Cili është funksioni i përdorimit të tyre? 2. Kush mendoni se janë të mallkuarit e qytetit? Pse u referohet kështu autori?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

3. Teksti është ndërtuar me fjali të gjata dhe përshkrime të detajuara dhe figurative. Çfarë panorame na vendos autori përpara duke përdorur mjetet stilistike? 4. Gjeni mbiemrat dhe ndajfoljet në fragment dhe tregoni funksionin e tyre.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

5. Mehmeti përgjatë fragmentit vendos në paralelizëm njeriun me qytetin, duke e bërë më të prekshme për ne problematikën që do të përshkruajë. Si arrihet kjo gjë? 6. Fjalët: “vraga”, “njolla”, “shenja” në fragmentin e mësipërm lidhen me fjalën “fytyrë”. Gjeni në fjalor kuptimet e tyre dhe shpjegoni funksionin që kanë në tekst.

Nga teksti te përdorimi

7. Kontrasti që autori përdor në këtë fragment e ka një qëllim. Diskutoni dhe evidentoni fjalitë që e shpërfaqin. 8. Copëza realiteti të një qyteti kryqëzohen me imagjinatën krijuese të autorit. Kjo është mënyra me të cilën rrëfen autori. Tregoni detaje që përligjin këtë gërshetim rrëfyes.

Nga teksti te reflektimi

9. Lexoni thënien e mëposhtme, e cila ngërthen ide që janë aktuale edhe sot. Çfarë ju përcjell ajo? Diskutoni në klasë kuptimin e tyre. “Po pra, për dallim nga njerëzit, që ia zgjedhin maskën vetvetes dhe me aq sa munden e zbukurojnë pamjen, nëpërmjet të së cilës do i kujtojnë dhe do i njohin të tjerët, fytyrën e vendbanimeve e përcaktojnë drejtuesit e shteteve, perandorët, pasanikët dhe të fortët që jetojnë në të.”

10. Autori thotë se lagia e varfër e Shkupit ndodhet shumë pranë kalasë së tij. Ky ballafaqim real dhe njëkohësisht figurativ ndodh shpesh në jetën e përditshme. Nevojtarët nuk janë të padukshëm, përkundrazi, ndodhen kudo rreth nesh. Si mendoni, pse njerëzit zgjedhin të mos i shohin?

Nga teksti te të shkruarit

11. Përshkruani qytetin, duke shfrytëzuar detajet në fragmentin e dhënë.

F. Kongoli

ILUSTRIM LETRAR

Misteri i Mjellmës

Dikush trokiti lehtë në derë. Vetvetiu, inspektori Nevil Bardhi, një burrë i ri rreth të tridhjetave thirri “hyr”, në pritje që dera të hapej. Mirëpo dera nuk u hap. Pas pak trokitja u përsërit, kësaj here disi më fort, çka e bëri të mendonte se dikushi s’kishte dëgjuar gjë. Për arsye sigurie, siç e kërkonin rregullat, dera e zyrës së tij, si shumica e dyerve të tjera të zyrave të asaj godine trekatëshe, një vilë e stilit të vjetër - dikur pronë e një ish-oficeri të lartë të ushtrisë mbretërore, me çati gotike, ndërtuar qysh përpara Luftës së Dytë Botërore të shekullit të kaluar, ishte e veshur nga brenda me një shtresë speciale, që edhe nëse vije veshin prapa saj, të mos dëgjoje asgjë ç’bëhej aty. Ky modifikim i dyerve kishte ndodhur rreth njëzet vjet të shkuar, kur në mjediset e godinës, me destinacione nga më të ndryshmet në kohëra të ndryshme, ishte vendosur përfundimisht ajo që njihej si Drejtoria e Përgjithshme e Krimeve të Rënda (DPKR). Zoti Bardhi, i diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ulej në atë zyrë prej pesë vjetësh, praktikisht me të përfunduar studimet. Ky fakt, domethënë diplomimi në një shkencë si matematika, në përputhje me një traditë shumëvjeçare të institucionit, kishte luajtur një rol jo të vogël që, qyshkur ishte student, ai të projektohej nga përzgjedhësit e zyrës së personelit si një kandidat i mundshëm për t’u rekrutuar. Kishin luajtur një rol jo të vogël edhe rrethana të tjera, disi më specifike, që pasqyroheshin hollësisht në dosjen e hapur për të nga zyra e plotfuqishme e rekrutimit. Nëse do t’i krijohej mundësia t’i hidhte një sy kësaj dosjeje, inspektori Bardhi do të pësonte një zhgënjim të hidhur. Jo, sepse aty gjendeshin gjëra të pavërteta, shpifje e të tjera të kësaj natyre, përkundrazi. Gjithçka thuhej në atë dosje rreth tij ishte e saktë, për arsyen e thjeshtë se përpiluesi kërkonte nga informatorët vetëm të dhëna të vërteta. Por ai nuk do t’ia falte vetes faktin që, për vite me radhë në fakultet, paskej qenë i vëzhguar, në njëfarë mënyre i spiunuar… …Pas trokitjes së dytë, më e fortë se e para, inspektori e la tryezën dhe vajti drejt derës. Gjëja e parë që i ra në sy: një zarf i formatit të madh, në ngjyrë kafe, i lënë nën derë. Vetvetiu vështroi në të dyja anët e korridorit; personi që kishte trokitur ishte zhdukur. Atëherë ai u përkul, mori zarfin, mbi të cilin ishte shkruar me shkronja kapitale “Zotit Nevil Bardhi”, dhe u kthye pranë tryezës së punës, ku një copë herë mbeti në mëdyshje, pa e vendosur nëse duhej ta hapte zarfin, megjithëse dukej qartë, marrësi nuk mund të ishte askush tjetër përveç atij vetë. Mirëpo në këtë mes diçka nuk shkonte. E pamundur që dërguesi të vinte nga jashtë, në hyrje të godinës një polic vigjilonte në një kabinë, ku depozitohej çdo korrespondencë, pa lejuar askënd të futej në institucion. Përndryshe i duhej të pranonte se prurësi duhej të ishte ndonjë person i brendshëm e kjo vetvetiu ngrinte pikëpyetje. Sepse, ç’ishte nevoja ta linte zarfin tinëzisht poshtë derës e të zhdukej? Më në fund ai e vendosi, hapi zarfin…

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Si portretizohet figura e inspektorit Nevil Bardhi në fragment? Ilustroni me detaje. 2. Si reagon ai pas marrjes së letrës? 3. Çfarë nuk shkonte me mënyrën e dërgimit të letrës, që e shqetësoi dhe inspektorin?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

4. Teksti është ndërtuar me fjali të qarta dhe gjuhë të kuptueshme. Autori ka përdorur mbiemra për të paraqitur sa më qartë skenën ku ndodhin ngjarjet. Dalloni disa prej tyre në tekst dhe diskutoni për rolin e tyre. 5. Krahasoni tekstin e Kongolit me atë të Mehmetit, duke u munduar të dalloni të përbashkëtat dhe të veçantat midis tyre. Çfarë na vë kjo në dukje për letërsinë bashkëkohore? Diskutoni.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

6. Çfarë kuptoni për punën dhe figurën e inspektorit nga përshkrimi që i bëhet derës së tij dhe vendit ku ai punon? 7. Gjeni në tekst fjalitë që shprehin mëdyshjen dhe dyshimin si detaje të situatave. I zëvendësoni me sinonime. Çfarë ndodh me kuptimin e tyre?

Nga teksti te përdorimi

8. Në tekst autori ka përdorur epitetin “zhgënjim i hidhur”. Cili është roli i përshkrimit të emocioneve abstrakte me mbiemra shqisorë? A bëhen ato kështu më të prekshme?

Mendoni për shembuj të tjerë, p.sh. qetësi e shurdhër, gëzim i ëmbël etj. 9. Gjeni në fragmentin e mësipërm përemrat e pacaktuar dhe tregoni funksionin e përdorimit të tyre.

Nga teksti te reflektimi

10. Zyra e Rekrutimit ka një dosje me detajet personale të inspektorit, për të cilën ai nuk ka dijeni.

Cila është rëndësia e privatësisë si e drejtë themelore njerëzore? Si do të ndiheshit ju, nëse do të ishit në vendin e inspektorit? 11. Pse mendoni se hezitoi inspektori para se ta hapte zarfin, pavarësisht se ishte me emrin e tij? Si do të vepronit ju? 12. Në kohën e sotme, me përparimin e rrjeteve sociale dhe teknologjisë, është e lehtë për këdo që t’i dërgojë dikujt tjetër një mesazh anonim në çdo moment. Mbrapa një ekrani dhe pa një emër, njerëzit mund të thonë shumë gjëra që nuk do t’ia thoshin kurrë dikujt ballë për ballë. Si mendoni, pse ndodh kjo dhe si duhet të reagojmë kur marrim mesazhe të tilla?

Nga teksti te të shkruarit

13. Imagjinoni letrën drejtuar zotit Bardhi në fragmentin e Kongolit dhe shkruajeni atë.

A. Podrimja

ILUSTRIM LETRAR

Fatet

E kalova Murin e Berlinit në majë të gishtërinjve me një trëndafil në dorë. Frikësohesha se lëndoj shpirtrat e rënë, Kur deshta ta kapërcej edhe Murin shqiptar, para këmbëve më ra koka ime në gjak e larë. Një grua veshur me të zeza kodrave, fushave ma kërkon varrin, e trupin tim. Çdo ditë zgjohet në mes jush një torzo i tmerrshëm i qytetërimit. A nuk ju shqetëson se gjymtimi im akuzon?

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Cila është tema e kësaj poezie? Po titulli i saj çfarë ndjesish ju sjell? 2. Si e kaloi murin e Berlinit? Cilët janë këta “shpirtra të rënë”? 3. Çfarë ndryshimi ka mes dy mureve? Pse në murin shqiptar “koka i bie në gjak e larë”? 4. Si gërshetohet realiteti me emocionet e autorit?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

5. Lexoni poezinë dhe gjeni fjalitë me ngarkesë emocionale. 6. Analizoni figurat stilistike dhe tregoni funksionin e tyre. 7. Si i kuptoni vargjet: “A nuk ju shqetëson/ se gjymtimi im akuzon”?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

8. Gjeni në fjalorin e gjuhës shqipe kuptimin e fjalës “mur”. Krijoni një fushë leksikore, duke pasur parasysh kontekstin e poezisë. 9. Të gjitha fijet kuptimore që realizojnë këtë poezi nisin nga titulli. Duke u nisur nga poezia vendosini disa epitete fjalës “fatet” dhe diskutoni ngjyrimet që merr fjala.

Nga teksti te përdorimi

10. Pse autori e mbyll poezinë me një pyetje? Cili është funksioni i saj? 11. Shpjegoni përdorimin e foljeve “kaloj” dhe “kapërcej” që lidhen në kontekstin e poezisë me murin. 12. “Një grua veshur me të zeza” është një personazh që shfaqet jo rrallë në letërsinë shqipe.

Përmendi disa krijime dhe tregoni çfarë kanë të përbashkët.

Nga teksti te reflektimi

13. Çdonjëri prej nesh ka disa mure, të cilat edhe pse të padukshme ndikojnë në cilësinë e jetës sonë. Diskutoni në klasë dhe ndërtoni shprehje frazeologjike me fjalën “mur”. 14. Sa të lidhura janë fatet njerëzore me fatin e atdheut? Cila është simbolika e “murit” që kërkon të kapërcejë poeti?

Nga teksti te të shkruarit

15. Ktheni poezinë në prozë duke përdorur epitete, krahasime dhe metafora.

FJALORTH

Deiktik - term që lidhet me një fjalë a grup fjalësh, kuptimi i të cilave varet nga ajo që është folur, për çfarë është folur. Deiktiku rimerr, pra, këto të dhëna. Në këtë funksion mund të jenë përemrat vetorë (unë, ti etj.), ndajfoljet e kohës, vendit (atëherë, aty etj.). Diskurs - Me diskurs apo përftesë ligjërimore do të kuptojmë aktivitetin e personave që flasin, shkruajnë apo lexojnë, domethënë, çdo akt përdorimi të gjuhës, pra çdo praktikim të aftësisë sonë ligjërimore, që i referohet një produkti konkret gjatë të folurit, të shkruarit apo të lexuarit. Diskursi është një veprimtari ligjërimore individuale, nëpërmjet së cilës individët tregojnë kompetencën e tyre gjuhësore. Ai përkufizohet me ndihmën e tri elementeve: situatës komunikative, si njohuri dhe nga pikëpamja ku realizohet të thënët; ndërveprimit (të thënët realizohet mes dy a më shumë personave që komunikojnë mes tyre) dhe përdorimit (të thënët është i destinuar të artikulohet, të dërgohet nga thënësi te marrësi dhe të kuptohet nga marrësi). Figurë letrare - fjalë a shprehje e përdorur në mënyrë të figurshme, mënyrë e veçantë e ndërtimit të një fraze, që bëhet për të shprehur një ide, një ndjenjë etj., si dhe për t’i dhënë ligjërimit forcë e gjallëri të veçantë. Figurë stilistike (poetike, retorike). Dallohen tradicionalisht: Figurat e kuptimit: personifikimi, krahasimi, paralelizmi figurativ, simboli, alegoria, hiperbola, litota, similituda, kontrasti, antiteza, grotesku. Figurat e fjalëve dhe shprehjeve, tropet: metafora, metonimia, sinekdoka, ironia, sarkazmi, epiteti, alegoria, eufemizmi. Figurat e sintaksës poetike: inversioni, enumeracioni, shkallëzimi (ngjitës/zbritës), elipsa, asindeti, polisindeti. Figurat e leksikut, fjalorit poetik: sinonimet, antonimet, homonimet, arkaizmat, neologjizmat, dialektizmat, barbarizmat (huazimet). Figurat e shqiptimit poetik (figura tingullore dhe të intonacionit): aliteracioni, anafora, epanalepsa, apostrofi, asonanca, konsonanca, onomatopeja, pyetja retorike, reticenca, pasthirrma. Kafkian - term i cili përshkruan gjendje dhe situata që evokojnë realitete burokratike shtypëse, që përndjekin dhe asfiksojnë njeriun. Koherencë - mënyra se si lidhen dhe organizohen mendimet, idetë, argumentet me njëra-tjetrën (në mënyrë kronologjike, në retrospektivë, në të ardhmen etj.). Kohezion - mënyra se si organizohet materiali gjuhësor i niveleve të ndryshme (gramatikor, leksikor, semantik, metrik, aliterativ etj.) për të realizuar një tekst të caktuar dhe koherencën e tij. Modernizëm – term i cili u përdor për të emërtuar një lëvizje kulturore e letrare, që i pati fillesat rreth vitit 1890 dhe arriti kulmin në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX. Stil – 1. tërësia e veçorive themelore ideo-artistike, e mjeteve dhe e mënyrave të shprehjes, që bien në sy në krijimtarinë e një shkrimtari, të një artisti, të një rryme a të

një epoke dhe që përsëriten pak a shumë në një sërë veprash (Stil romantik. Stil realist. Stili gotik. Stili bizantin. Stili i arkitekturës popullore. Stili i epokës (i kohës) sonë. Stili i Naim Frashërit (i Çajupit, i Migjenit). 2. gjuh. zgjedhja dhe ndërthurja e mjeteve të gjuhës (kryesisht e mjeteve leksikore e sintaksore) në përputhje me kërkesat e një fushe të veprimtarisë, me përmbajtjen ose me metodën artistike dhe me qëllimet e shkrimtarit; shtresimi i mjeteve të gjuhës sipas funksioneve që kryejnë në ligjërim. Stilet gjuhësore (e gjuhës). Stilet funksionale. Stil bisedor (libror, zyrtar, shkencor, publicistik). Stili asnjanës. Stil i lartë. Sistemi i stileve. Stili i plotë i shqiptimit. 3. mënyra si i shpreh mendimet dikush kur flet a kur shkruan. Me stil të thjeshtë (të fryrë). Ka stil të rrjedhshëm (të ngatërruar). Ka të meta stili. Stilistikë - 1. degë e gjuhësisë, që studion stilet e ligjërimit dhe mjetet e veçoritë shprehëse të gjuhës. Stilistika gjuhësore. Stilistika praktike. Stilistika e gjuhës letrare shqipe. Probleme të stilistikës. 2. degë e teorisë së letërsisë, që studion ndërtimin gjuhësor, mjetet dhe veçoritë e përdorimit të tyre në një vepër artistike për të arritur forcën shprehëse. Stilistika letrare. Organizimi dytësor - ky lloj organizimi parashikon, ndër të tjera, gërshetimin e mjeteve gjuhësore të niveleve të ndryshme në përshtatje me situatën dhe pjesëmarrësit e komunikimit. Kështu, nëpërmjet shmangieve nga kuptimet e para, realizohen edhe kuptimet e figurshme, që përmbledhin ndjesi, emocione të ndryshme etj. Lulja u vyshk. / Zemra u vyshk. Parabolë - histori e shkurtër me një moral në fund. Të tilla janë fabulat p.sh. Parabolat e kanë të zakonshme simbolin, alegorinë, metaforën etj. Paragrafi është një njësi e të shkruarit, një grup fjalish të lidhura rreth një ideje kryesore, e cila duhet shtjelluar. Kjo quhet tema ose fjalia tematike. Ajo duhet të jetë koncize dhe e theksuar. Fjalitë e tjera të paragrafit, që quhen fjali mbështetëse, japin shpjegime ose plotësojnë fjalinë tematike. Paragrafi ka tri pjesë përbërëse: fjalinë kryesore, trungun (pjesën shtjelluese) dhe fjalinë përmbyllëse. Gjatësia e paragrafit mund të jetë e ndryshme. Paragraf linear, paragraf i degëzuar, paragraf rrethor, paragraf i çlirët.

REFERENCA

Berisha, A., Njëmendësia e fjalëve, “Shpresa”, 2006. Bihuku, K., Krijimtaria letrare e Migjenit, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, 2004 Borhes, H. L. Vdekja dhe busulla, përktheu Mira Meksi, “Onufri” , Tiranë, 2002. Camaj, M., Vepra letrare, “Onufri”, 2010. Çabej, E., Mbi poezinë e Lasgush Poradecit, “Gazeta e Re”, Tiranë, 1929. Çiraku, Y., Bota poetike e Martin Camajt, “Albas”, 2003. Demolli, A. Ballkonet e një qyteze. 1979. Folkner, U., Duke dhënë shpirt, përktheu Granit Zela, «Onufri», Tiranë, 2019. Gramatika I & II, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2002. Hamiti, S., Anton Pashku, “Albas”, 2017. Hamiti, S., At zef Pllumi, Botime Françeskane, 2018. Hamiti, S., Faik Konica jam unë, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1994. Hamiti, S., Letërsia bashkëkohore. Faik Konica, 2002. Hamiti, S., Letërsia moderne, vep. 8, “Faik Konica”, Prishtinë, 2002. Hamiti, S., Studime letrare, ASHAK, 2003. Hemingway, E., Plaku dhe deti, përktheu Ismail Kadare, “Onufri”, Tiranë, 2002. Idrizi, R., Migjeni, “Onufri”, 2017. Jorgaqi, N., Studime letrare Joyce, J., Dublinasit, përktheu Idlir Azisi, “Zenit”, Tiranë, 2004. Kadare, I., Ardhja e Migjenit në letërsi, “Onufri”, 2015. Kadare, I., Vepra, “Onufri”, 2008. Kafka, F., Procesi, përktheu Gjergj Vlashi, “Globus R”, 1997. Kafka, F., Vepra e plotë në prozën e shkurtër, përkth. Ardian Klosi, “K&B”, 2010. Kamy, A., I huaji, përktheu Rajmonda Vuçini, «Koha ditore», 2005. Kamy, A., Miti i Sizifit, përkth. Petrit Sinani, «Fan Noli», 1992. Kane, Th., Si të shkruajmë, Qendra për arsim demokratik, 2010. Koliqi, E., Hija e maleve dhe Tregtar flamujsh, botim anastatik, “Berk”, 2020. Koliqi, E., Hija e Maleve, “Camaj-Pipa”, Shkodër, 1999. Konica, F., Vepra, “Naim Frashëri”, 1993. Kraja, M., E zeza dhe e kuqja, “Onufri”, Tiranë, 2015. Kraja, M., Hotel Arbëria, “Onufri”, Tiranë, 2010. Kraja, M., Im atë donte Adolfin, “Onufri”, Tiranë, 2005. Kraja, M., Liria ime, “Onufri”, 2021. Kraja, M., Selvitë e Tivarit, “Onufri”, Tiranë, 2007.

Kraja, M., Udhëzime për kapërcimin e detit, “Rilindja”,1984. Kraja, M., Vitet e humbura Krasniqi, N., Autori në letërsi, AIKD, 2019. Krasniqi, N., Letërsia e Kosovës 1953-2000, “99AIKD”, Prishtinë, 2016. Krasniqi, N., Letërsia e Kosovës 1953-2000, “AIKD-99”, 2016. Krasniqi, N., Libri i Pashkut, “Buzuku”, 2005. Krasniqi, Nysret, Letërsia e Kosovës, Prishtinë, 2000. Kuçuku, B., Kadare në gjuhët e botës, “Onufri”, 2015. Kuteli. M., Shënime letrare, “Grand Prind”, Tiranë, 2002. Lloshi, Xh., Stilistika, “Albas”, 2005. Man, T. Tonio Kreger, përktheu Donika Omari, “Naim Frashëri”, 1992. Markez, G., 100 vjet vetmi, “Onufri”, 2019. Parathënia e Pallati i ëndrrave, “Onufri” Pashku, A., Oh, “Camaj-Pipa”, 2002. Pashku, A., Tragjedi moderne Pashku, A., Tregime fantastike, “Rilindja”, 1989. Pipa, A., Për Migjenin, “Princi”, 2006. Prust, M., Lumturi arratisëse, përktheu Mira Meksi, revista Mehr Licht, nr. .... Rembo, A., Poezi të zgjedhura, përktheu Alket Çani, “Mësonjëtorja e parë”, 2001. Rugova, I., Strategjia e Kuptimit, shtëpia botuese “Faik Konica”, 2005. Rrahmani, Z., Gnosis, “Rilindja”, 2005. Rrahmani, Z., Mjeshtri i vetmisë, “Rilindja”,1995. Rrahmani, Z., Sheshi i unazës, “Rilindja”, 1999. Shala, K., Prolepsa, “AIKD-99”, 2021. Shala, K., Shekulli i letërsisë shqipe, “Buzuku”, 2006. Shala, K., Zbulesa e modernitetit, “Albas”, 2020. Shala, K., Zbulimi i At Zef Pllumit, “Onufri”, 2021. Shehri, Dh., Koliqi mes malit dhe detit, “Onufri”, 2006. Topçiu, L., Tekstualizëm dhe stil, Bukuresht, 2000. Tufa, A., Letërsia dhe procesi letrar ne shekullin XX, “M&b”, 2018. Vinca, A., Struktura e zhvillimit të poezisë.

This article is from: