12 minute read

Fatos Kongoli

Letërsi

Fatos Kongoli

Advertisement

Fatos Kongoli lindi në Elbasan, më 1944-ën. Filloi të botonte tregime e novela në shtypin letrar nga fundi i viteve ’60. Deri në vitin 1990, ka botuar vëllimet me tregime “Shqetësime të ngjashme” (1972), “Tregime” (1978), “Të fejuarit” (1982), si dhe romanet “Ne të tre” (1985), “Karuseli” (1990). Në tregimet dhe novelat e tij të para, ai përzgjedh jetën e zakonshme, duke paraqitur përmes linjave subjektore dhe personazheve virtyte, cene dhe tipare të botës shqiptare. Prej vitit 1990, priret drejt romanit dhe boton: “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003, fitues i çmimit “Pena e artë”), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007), “Bolero në vilën e pleqve” (2009), “Iluzione në sirtar” (2010), “Si-do-re-la” (2011), “Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj. Fatos Kongoli është vlerësuar për krijimtarinë e tij me çmime prestigjioze, brenda dhe jashtë vendit.

Romani “I humburi”, i shkrimtarit Fatos Kongoli, trajton dilemën ekzistenciale të një të riu, të quajtur Thesar Lumi, gjatë viteve të komunizmit dhe fill pas rënies së tij. Thesari humbet kuptimin dhe rrjedhën normale të jetës së tij, sepse ungji i tij ishte i burgosur, për shkak se kishte tentuar të arratisej nga Shqipëria. Me gjithë kujdesin e familjes për ta mbajtur të fshehur këtë fakt, damka në biografi mësohet dhe Thesarin e detyrojnë të ndërpresë studimet universitare e bashkë me to edhe kontaktin me vajzën që kishte dashur, Sonjën, një grua e re e mbetur e ve, me të cilën kishte pasur një marrëdhënie dashurie. Që në moshën 12-vjeçare, kur ishte nxënës shkolle, Thesari kuptoi se jeta që bënte ai dhe familja e tij ishte paradoksalisht e ndryshme nga këngët dhe vjershat që mësonte në shkollë, ku refreni i përhershëm ishte “jemi shumë të lumtur”. Zhgënjimin e parë, Thesari e pëson kur sheh përuljen e të atit ndaj drejtorit të shkollës së tij, Xhodës së marrë, megjithëse atë vetë e kishin rrahur pa të drejtë në shkollë. Për t’u hakmarrë, kërkon t’i bëjë keq vajzës së drejtorit, Vilmës. Akti i parë i ligësisë së tij hakmarrëse është helmimi i qenit të Vilmës. Mirëpo, mes tij dhe Vilmës lind një shkëndijë dashurie, që mbetet e fjetur derisa takohen përsëri. Në përpjekje për t’u përshtatur me një realitet që nuk e përmbush dhe prej të cilit largohet vetëm prej pijes, në universitet takon Vladimirin, Ladin, një të ri nga një familje e ngritur. Megjithëse rreth Vladimirit ka përherë njerëz që i servilosen prej pushtetit të të atit, Thesari pikas në sytë e tij një trishtim dhe në fytyrën e tij, një zbehje të pakuptimtë. Vladimiri i jep fund jetës dhe të njëjtin fat të kobshëm ka edhe Vilma. Përmes Vladimirit, Thesari njihet me Sonjën, një grua e re, që ka mbetur e ve. Ai dashurohet me Sonjën, ndonëse kjo gjë është e papranueshme prej moralit të kohës dhe bëhet edhe më e pamundur prej interesit që kishte për Sonjën një funksionar i partisë. Në çdo lidhje tjetër dashurie, Thesarin e përndjek imazhi i Sonjës dhe as dashuria nuk ia kthen dot kuptimin e humbur jetës së tij.

Eksodi i shqiptarëve, mars 1991.

Romani është ndërtuar me disa kapituj, të cilët kanë thyerje kronologjike. Procedimi që autori ndjek është flashback-u (kthimi pas në kohë). Romani nis me një prolog me titullin “Mars 1991”, kohë në të cilën Thesari 40-vjeçar, ende beqar, është në prag të largimit me vapor nga Shqipëria. Por në çastet e fundit para se të niset vapori, Thesari zbret, sepse nuk ia del dot të ikë. Ai vijon të jetë “i humburi”, që e ka humbur kuptimin e jetës dhe qenies së vet qysh fare i ri, prej fatumit që i ka çuar drejt vdekjes miqtë e tij, të cilët jetuan në një sistem diktatorial shtypës. Në kapitujt vijues, me anë të kthimeve pas në kohë, rrëfimtari na rrëfen në vetë të parë tablonë e zymtë të jetës në komunizëm, ngjarjet e viteve të shkollës dhe të universitetit, ankthin e vazhdueshëm që ndien nga rreziku i dhunës prej atyre që kanë pushtet, si dhe përjetimin e cunguar deri edhe të dashurisë, e cila, ndonëse është ndjenja më sublime, nuk arrin dot ta shpëtojë as rrëfimtarin, as të rinjtë e tjerë nga absurdi i epokës ku jetojnë. Edhe epilogu i romanit mban titullin “Mars 1991”. Gjithashtu, një kapitull me të njëjtin titull e hasim edhe në mes të kapitujve 10-11 dhe 15-16.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Në çfarë vete tregohen ngjarjet në vepër? 2. Cila është damka në biografi që e pengon Thesarin të bëjë një jetë normale? 3. Cilat janë disa nga personazhet e rëndësishme në roman dhe çfarë e lidh Thesarin me to? 4. A ndiqet rrjedha kronologjike për rrëfimin e ngjarjeve?

Ushtroni mendimin kritik

5. Po të mos ekzistonte një damkë në biografinë e Thesarit, a do të mund të kishte ai një jetë më kuptimplotë? Argumentoni përgjigjen tuaj. 6. Si përballen me mungesën e lirisë Odin Mondvalseni i Trebeshinës dhe Thesar Lumi i Kongolit?

Ku ngjajnë dhe ku dallojnë ata?

F. Kongoli

I humburi

Lodrën e luajta me një hipokrizi të pashembullt. Them hipokrizi. Në atë kohë, kësaj fjale nuk ia dija kuptimin. Por që në atë moshë hipokrizia duket më qe futur në gjak. Nëse dikush do të ma kishte shpjeguar ç’do të thoshte, mbase nuk do të isha bërë i tillë. Askush nuk ma shpjegoi. Në shkollë, duke nisur nga klasa e parë, na jepnin mësimin e edukatës morale. Hipokrizinë nuk mbaj mend të na e ketë shkoqitur ndonjë mësues. Mbaj mend diçka tjetër; ata ndryshe silleshin në mungesë të drejtorit, ndryshe në prani të tij. Shpesh ia hidhnin, e gënjenin në sytë tanë, por ne nuk ndiheshim. Xhodën e kishim edhe frikë, edhe inat. Në këtë pikëpamje, Xhoda nuk ndryshonte shumë nga mësuesit. Kisha vënë re se kur vinte ndonjë inspektor, drejtori nuk sillej si zakonisht, bëhej i butë, i sjellshëm, gënjente dhe ia hidhte inspektorit pothuaj njëlloj siç e gënjenin dhe ia hidhnin atij mësuesit. Punët shkonin për bukuri. Ne rriteshim të bindur se ishim fëmijët më të lumtur në botë. Kështu thuhet në këngët që mësonim. Megjithatë, unë kisha arsye për ta vënë në dyshim, nëse ishim vërtet ne fëmijët më të lumtur në botë. Nuk di ç’ndodhte me të tjerët, por unë, në shtëpi, shihja skena midis prindërve shpesh aq të stuhishme, sa më shkonin mornica. Për të zhdukur çdo keqkuptim, shënoj se im atë ishte njeri pa vese. Ai s’ka ditur ç’është alkooli e duhani dhe jam i bindur se as qejfli grash s’duhet të ketë qenë. Për më tepër, nëna e ka sunduar gjithmonë. Ishte ekonomist, shef llogarie, kurse nëna, rrobaqepëse. Përpiqeshin të mos grindeshin në praninë time, e kuptoja. Nuk ia dilnin gjithmonë. Habitesha, sepse në të shumtën e rasteve grindjet nisnin për vogëlsira. Me shokët e mi, unë s’do të grindesha për vogëlsira të tilla. Sidoqoftë stuhia shpërthente, një stuhi fjalësh me akuza e kundërakuza. I pari lodhej im atë. Pas tij, si shfrynte me vete, e mbetur pa partner, e kyçte edhe nëna. Atëherë, në qetësinë e shurdhër që pllakoste dhomën, dëgjoja tim atë që psherëtinte: “Zot, ç’jetë qeni.”. Dhe unë arsyetoja se njeriu nuk mund të jetë njëkohësisht edhe më i lumturi në botë, siç thuhej në këngët që mësonim, edhe të bënte jetë qeni, siç shprehej im atë. Këtë arsyetim e ngatërronte dhe e kthente pastaj në rebus diçka tjetër. Ka lidhje me aftësitë aktoreske të prindërve të mi. Më vjen rëndë që shprehem kështu, por është e vërtetë. Prindërit e mi ishin aktorë. Në pallatin tonë banonte njëfarë Hulusiu. Tani ka vdekur. Ishte një burrë shkurtabiq dhe te ne vinte shpesh. Mbaj mend se hante pa hesap, mund ta boshatiste një shishe me raki pa lëvizur vendit. Nga mënyra se si flisnin prindërit e mi për të, arrija në përfundimin se në rastin më të parë ata do ta kapnin e do ta flaknin nga dritarja. Kështu kisha dëgjuar të thoshte im atë. Këtë skenë të dëshiruar – e besoja, im atë mund ta hidhte nga dritarja Hulusiun, me trup ishte sa dyfishi i tij – fatkeqësisht nuk e pashë kurrë. Përkundrazi, kur prisja që babai ta kapte Hulusiun prej zverku, sapo ky dukej në derë, im atë vinte buzën në gaz, nëna gjithashtu. Hulusiu dendej me raki dhe largohej kur i mbushej mendja. Sapo

largohej ai, maskat e qeshura zhdukeshin në çast nga fytyrat e prindërve. Babai fuste duart në xhepa e niste ca ecejake nervoze poshtë e përpjetë dhomës. Nëna nxinte në heshtje. E pra, ky njeri kaq i përbuzur, Hulusiu, ka qenë engjëlli bamirës i familjes sonë. Pa ndihmën e tij, ime motër nuk do të mundte të ndiqte shkollën pedagogjike, kurse unë, më vonë, s’do të kisha asnjë shans për të vajtur në universitet. Por këto gjëra atëherë nuk i dija. Nuk e dija se fqinji ynë, Hulusiu, që banonte një kat sipër nesh, ishte i pari i qytezës. Nuk e dija se, për të fituar mbrojtjen e engjëllit bamirës, prindërit e mi paguanin një haraç të përhershëm: uljen e dinjitetit. Nuk dija edhe plot gjëra të tjera, të cilat jeta do të m’i mësonte një e nga një. Atëherë, dilemave të mëdha, truri im u jepte një zgjidhje të thjeshtë, komode, me plot gojën mund ta quaj konformiste: të gjithë njerëzit ishin aktorë, edhe mësuesit, edhe prindërit. Ata hiqnin e vinin maska. Për analogji, edhe unë, njëlloj si të rriturit, duhej të përgatisja maskat e mia. Kjo qe dhe zgjidhja përfundimtare që i dha rebusit truri im. Për sa i përket dilemës nëse ne ishim apo nuk ishim fëmijët më të lumtur në botë, i dhashë një zgjidhje që mund të quhet origjinale. Edhe ishim, edhe nuk ishim.

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Si e mëson rrëfimtari kuptimin e fjalës hipokrizi? 2. Ndaluni te figura e Hulusiut. Çfarë e bënte atë të urryeshëm nga anëtarët e familjes? 3. Përse rrëfimtari shprehet se prindërit e tij ishin aktorë?

Çfarë tregon kjo për raportin midis të vërtetës dhe gënjeshtrës në shoqëritë komuniste? 4. Çfarë thuhet për Xhodën dhe natyrën e tij me dy fytyra në tekst? 5. Çfarë thuhet në tekst për konformizmin dhe çfarë haraçi paguante familja e Thesarit për ta pasur këtë konformizëm?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Si realizohet rrëfimi në fragment? Çfarë synon ky lloj pozicionimi i rrëfimtarit në tekst? 7. Gjeni në fragment fjalitë që përshkruajnë mënyrën si ushqehej dhe pinte Hulusiu. Çfarë ndjesie krijon një përshkrim i tillë? 8. Gjeni dhe interpretoni paradoksin mes gjendjes gjatë dhe pas vizitës së Hulusiut. Kemi të bëjmë me hipokrizi që buron nga natyra e brendshme e personazheve apo me hipokrizi të imponuar nga jeta në diktaturë? 9. Gjeni detajet që përdor rrëfimtari për të kundërvënë portretin fizik të babait me atë të Hulusiut. 10. Gjeni ku thuhet se teatraliteti dhe aftësitë teatrale të të rriturve janë të trashëgueshme edhe te fëmijët.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Komentoni fjalinë: “O zot, ç’jetë qeni”. 12. Çfarë kuptimi ka metafora: “stuhia shpërthente” dhe si lidhet ajo me shtypjen e përjetimeve të personazheve? 13. Shpjegoni ngarkesën emocionale të metaforës në fjalinë: “Nëna nxinte në heshtje”. Çfarë e shkakton këtë përjetim të nënës së personazhit kryesor?

14. Me çfarë kuptimi përdoret fjala maskë në këtë tekst dhe si lidhet ajo me teatralitetin që përjetojnë personazhet? 15. Si përshkruhet në fragment dëshira për ta hequr qafe edhe fizikisht praninë e Hulusiut?

Nga teksti te përdorimi

16. Çfarë shpreh paralelizmi mes hipokrizisë së personazheve në shkollë dhe në shtëpi? 17. Gjeni shprehjet e paradoksit midis jetës reale dhe jetës që reklamonte propaganda komuniste. 18. A mendoni se shkrimtari e ka përzgjedhur rastësisht emrin e personazhit Hulusi. A mendoni se ky emër bart ngjyresa të caktuara paraprakisht, apo i fiton ato pas përshkrimeve të personazhit? 19. Diskutoni rreth antitezës “Engjëll bamirës dhe njeri i përbuzur”. Çfarë e bënte Hulusiun të tillë për familjen e thesarit? A kishte realisht ai ndonjë aspekt prej engjëlli apo prej bamirësi në karakterin e tij? 20. Interpretoni thënien: “Për analogji, edhe unë, njëlloj, si të rriturit, duhej të përgatisja maskat e mia”.

Nga teksti te reflektimi

21. Në fund, rrëfimtari thotë se për sa i përket dilemës nëse ata ishin vërtetë të lumtur, gjeti zgjidhjen: “Edhe ishim, edhe nuk ishim.”. Kujtoni këtu shprehje të ngjashme të Odin Mondvalsenit të Trebeshinës (kush jam unë dhe kush nuk jam unë). Çfarë tregon kjo për gjendjen e dyzuar të personazheve? A vjen ajo si pasojë e çrregullimeve mendore apo ka shkaqe të tjera? 22. Rrëfimtari shprehet se grindjet mes prindërve të tij shpesh fillonin për vogëlsira të atilla për të cilat ai dhe shokët e tij nuk do të grindeshin kurrë. Çfarë sugjeron kjo gjë për atmosferën e përgjithshme familjare dhe shoqërore të vendit gjatë diktaturës? 23. Megjithëse familja e Thesarit vërtitej në hapësirën familjare mes palumturisë dhe hipokrizisë, ata sërish zgjedhin të bëjnë kompromis dhe të aktrojnë si të lumtur, si të kënaqur me Hulusiun etj.

Çfarë i pengon ata ta grisin perden e hipokrizisë dhe të duan të jenë realisht të lirë e të vërtetë? 24. Përqasni gjendjen emocionale dhe psikologjike të familjes së Thesarit me gjendjen e lirisë brenda klonit, për të cilën flet Zef Pllumi në veprën e tij “Rrno për me tregue”. 25. Si mendoni, a është e thjeshtë për shoqëritë të shkëputen nga e shkuara e tyre diktatoriale?

Duke u nisur nga rasti i Thesarit vetë, diskutoni për gjurmët që lë në botëkuptimin dhe mënyrën e jetesës një përvojë e tij traumatike totalitare në brezat pasardhës.

Nga teksti te të shkruarit

26. Lexoni pasazhin e mëposhtëm, shkëputur nga romani “I humburi” dhe shkruani një ese ku të krahasoni dramat ekzistenciale të personazhit të Kongolit me personazhet e Kafkës dhe të Kamysë. E quaj veten mëkatar që nga çasti kur im atë kërkoi prej meje të urreja një njeri të panjohur. Doemos, unë nuk mund të urreja një fantazmë. As haptazi, as heshturazi. U futa në rrugën e deformimit shpirtëror, pra të mëkatit të përhershëm, kur zura të mbaja përbrenda një të fshehtë, përvëluese, të frikshme, të rrezikshme. M’u bë e qartë se këtë të fshehtë e ruanin rreptësisht edhe prindërit e mi. Ata qenë vendosur në qytezë fill pas arratisjes së ungjit të famshëm biografiprishës. Me shpresën që të shmangnin njollën kanceroze. Nuk e di se si, por ia kishin arritur. [...] Nisi kështu jeta ime e dyfishtë, me kompleksin e përhershëm të fajit. Dhe ëndrra që zuri të ngjizej brenda meje si nevojë për të shpëtuar nga qorrsokaku, qe dëshira për arrati. Jo në kuptimin e arratisë fizike. Këtë e kisha provuar dhe ia dija shijen. U arratisa brenda vetes, në trojet e vetmisë. Nuk ka arrati më të zymtë. Por edhe më të sigurt nuk ka.

This article is from: