15 minute read

At Zef Pllumi

Letërsi At Zef Pllumi

At Zef Pllumi ishte meshtar françeskan dhe shkrimtar. Në vitin 1931, hyri në Kolegjin Françeskawn të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943–1944, bashkëpunoi me revistën “Hylli i Dritës” dhe u zgjodh sekretar personal i Át Anton Harapit, asokohe Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946, u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte pozicioni i tij si sekretar personal i Provincialit. Komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe se prej tij mund të nxirrnin informatat e duhura. Në vitin 1967, u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje e kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps etj. U lirua më 1989-ën. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxori revistën “Hylli i Dritës”. Gjatë këtyre viteve, shkroi dhe botoi trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo” e “Ut heri diçebamus–siç i thonim dje”.

Advertisement

Vepra më e njohur e At Zef Pllumit është “Rrno vetëm për me tregue”. Ajo konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë dokumentare, e cila përmes narracionit të pasur autobiografik të At Zef Pllumit, sjell dëshmi shkrimore për tmerret e ndëshkimeve dhe të persekutimeve gjatë komunizmit në Shqipëri. Përmes rrëfimit personal të kujtimeve për jetën në burgje portretizohet me qartësi therëse shtypja tëhuajzuese e regjimit diktatorial. Vepra “Rrno vetëm për me tregue” është themeluese e asaj që njihet si letërsi burgu dhe vjen si një mësim etik dhe porosi për të mos harruar vuajtjet e një populli nën thundrën diktatoriale. “Rrno vetëm për me tregue” përbëhet nga tri pjesë: “Libri i kujtimeve” (Pjesa e parë 1944–1951), “Liria midis dy burgimeve” (Pjesa e dytë 1950–1967), “Robnia e gjatë” (Pjesa e tretë 1967– 1989). Zef Pllumi e ka shkruar veprën e vet në gegërisht, duke e konsideruar gjuhën si shprehje të qenësishme të identitetit të vet dhe duke vijuar traditën letrare gege të Fishtës, Pashkut e Martin Camajt. Ndonëse vepra është ndërtuar mbi kujtimet personale të Zef Pllumit, ajo ka karakter polifonik, sepse shpesh autori integron me rrëfimin personal edhe dëshmitë e të tjerëve dhe rrëfenjat për të tjerët, që i ka hasur gjatë kalvarit të vuajtjeve në burg e kampe përqendrimi. Shumësia e zërave që rrëfejnë për dhimbjet, vuajtjet, fatin e kobshëm përbëjnë një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që dëshmojnë tiparet e botës shqiptare nën diktaturë. Për autorin, rrëfimi është provë e së vërtetës, edhe më e besueshme se dokumenti, i cili mund të jetë i ndërtuar apo i manipuluar. Vepra ngërthen në vetvete, nga njëra anë, historinë faktike të një epoke dhe nga ana tjetër letraritetin e spikatur, duke paraqitur

jo vetëm historinë personale, por edhe duke furnizuar me dëshmi kujtesën kolektive. Kjo vepër, në gjithë universin e vet, bën thirrje që të gjithë të reflektojnë rreth asaj që kanë përjetuar shqiptarët gjatë regjimit diktatorial. Në parathënin e librit, Zef Pllumi e shtron për të gjithë lexuesit e veprës, ftesën e tij për reflektim: “Ngjarjet që ktu tregohen nuk janë fantazi, as trillime a shpifje të njaj propagande politike, por përshkrime të zbeha të atij realiteti t’idhun historik që u zhvillue në Shqipni për gati 50 vjet. Vendi im nuk asht në fundin e botës o diku në skajin e saj, por në Europë, ku farkëtohen fatet e qytetnimit perëndimor. Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori u kërkon të falun masi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsi ju këshillon që të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato. Pse?”

Libër studimor për veprën e At Zef Pllumit.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cila është kryevepra e At Zef Pllumit dhe cilat janë pjesët përbërëse të saj? 2. Cilin zhanër letrar mendohet se ka çelur për herë të parë vepra “Rrno vetëm për me tregue”? 3. Zef Pllumi shkruan gegërisht për të kundërshtuar gjuhën letrare të regjimit të kohës, apo sepse me anë të gegërishtes, i ngjan më tepër koloritit gjuhësor vendas dhe është më i besueshëm?

Argumentoni përgjigjen tuaj.

Ushtroni mendimin kritik

4. Si mendoni, përse Zef Pllumi e titullon veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”? Çfarë vlere ka të treguarit pas një kalvari vuajtjesh për vetë Zef Pllumin, por edhe për të gjithë shqiptarët që jetuan në diktaturë? 5. Si mendoni, çfarë vlere marrin kujtimet dhe përjetimet personale në raport me vërtetësinë e një ngjarjeje?

Ulkoja dhe bijt e vet

Mandej nxori prej sirtarit nji bllok shënimesh, format mesatar. – E njeh ti këtë? – E njoh. Asht nji lloj ditari që mbajshem. – Ç’ke shkruar apo ç’ke katranosur këtu? – Disa mendime të mija. – Mejtime? Po çfarë mejtimesh se? Ti je mishërimi i reaksionit borgjez. Dhe ne do t’ia këpusim kokën borgjezisë. E do ta këpusim edhe ty. Ja ç’ke shkrojtur... Dhe mbasi i lexoi tha: – Pse gjerman na konsideron ti neve? Më zi se fashistat jemi ne, kështu thua ti? Fol! – Un e kam shkrue këtë kur ju pushkatuet 10 burra prej familjes së dajave të mij vetëm për raprezalje: Mue nuk më duket e drejtë që të pushkatohen 10 për nji. – Po a mejton ti se një ishte Babë Rexha. E din ti se kush ishte Babë Rexha? – Kushdo që t’ishte, zakonet shqiptare i lajnë burrat i gjak për gjak dhe nuk kemi nevojë të veprojmë sipas ligjeve të luftës që kishin vû gjermanët. Kjo nuk ishte logjikë. – Ti do të na mësosh neve logjikën? Ti... ti, – dhe nuk përmbajt mâ, por veproi simbas logjikës partizane. Kur u lodh tue më rrahë, atëherë thirri kapterin dhe e urdhënoi që të më varte në pjeshkë. Oborri ishte vû persri në veprim. Ndersa po më varshin, kqyra nëse po i shof kund ato njollat e gjakut. Paulinin nuk e pashë mâ kurr. As atê burrin lidhë trumën bishtshkurtë. Dita dhe nata ishin shumë të ftohta. Nji firifickë e hollë ma merrte shpirtin. Por tjera tortura filluen mbrenda meje: mendimet. Mendime gjithfarësh, njani mâ zí se tjetri. […] Edhe pse trupi ishte mpi krejtsisht, për çudi, truni vazhdonte veprimet e veta në rregull apo jo? Kush e di?... Në nji moment të caktuem, ndjeva çizmet e lustrueme të oficerit (N.K.) tue ngjitë shkallët e hymjes. Trupi filloi të më dridhej në nji mënyrë të çuditshme, nji të dridhun frige. Mbas shkrepjes së çizmeve do të vinte tortura me korent. Normalisht ishte krejt e pamundun që të ndigjoheshin ngjitjet dhe zbritjet e atyne shkallëve që ishin në të hymen kryesore të shtëpisë: ishin shumë larg. Mandej, po t’ishte ashtu, pse nuk ndigjoheshin kur hypshin dhe zdrypshin tjerë oficerë e kaptera, por vetëm ato të oficerit bukurosh. Sidokjoftë, të dridhunat e mija i ranë në sy rojes. M’u avit e më tha: “Kërcllin dhëmbët? Aty të ngordhësh!” Pak mâ vonë, nuk m’erdh fare çudi kur erdhi kapteri, më hoqi nga pjeshka e më shoqnoi atje nalt në zyrë. Dridhjet vazhdojshin. Ato çizme të lustrueme. “Qumshtin e mëmës! Ne nuk lodhemi, jemi pranë zjarrit, nuk dridhemi si ti. Është më mirë të flasësh, do të vuash më pak. Këtu nuk ka burra që nuk i përulim. Këtu jemi e me gjithfarë mjetesh. Fol!” Ndërsa ai fliste m’u përfytyronte shkrimi në WC: “Un Dom Vlash Muçaj, sot më 22 korrik...”, takimi atje nalt në zyrë kur më tha: “Dorëzoji, e sheh si jam”, Paulini i gjatë..., Guljemi në raft..., ai mirditori në vorr... O Zot më shpëto!

Atê shka kishem mâ tepër frigë, atê ma suell: aparatin e vjetër telefonik. Dridhjet që kishin fillue para nji ore n’oborr u shndrruen në dhimbje tjera, të padurueshme, të tmerrshme. O Zot, pse më lshove doret? Miliona gjylpana therse... Përplasje në dysheme. Përplasje. Atëherë nuk munda të rezistoj mâ gjatë. Çova duert e lidhuna nalt si shejë se doja me folë. M’i hoqen telat prej veshve, tue më qeshë me nji gaz përbuzës. Më lanë me pushue pak, mandej: fol! – Shikjo, – thashë un, – ju shkrueni shka të doni dhe un firmosi... – E dimë, – tha, – që do të firmosësh si gjithë të tjerët ose me lanë shpirtin. Por na trego ne këtu ato lidhjet që ke ti. – Po çfarë lidhjesh, kur nuk kam lidhje me kurrkend? – Mos u shtir naiv. Ata reaksionarët që janë me pushkë në dorë ndër male kush i drejton? Juve, ju kleri katolik.[…] Atje poshtë në rrugë u ndie nji sinjal fishkullimë. Oficeri bukurosh iu avit dritares. Hapi xhamin dhe i tha: “Prit se erdha”. E kuptova që e thirrte nji vajzë. “O dashuni, – thashë me vedi, – vetem ti duhet të sundosh botën. Vetem ti mund t’i zbutish kafshët e egra.” Oficeri bukurosh e mbylli seancën e pvetjeve. Më kthyen persri te ajo pjeshkë që priste mue ose nji tjetër. I varun, aty filluen mendimet. Nuk e ndjejshem aq shumë premjen që shkaktojshin litarët nën sjetulla. O Zot i madh! Kështu e krijove ti botën? Dhunë e dashuni?.... Dhunë e dashuni?! Po, e gjithë historia njerzore asht dhunë e dashuni! Ç’kërkon ajo vajza aty me këtë kriminel sadist? Si mundet nji femën shqiptare të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk që ka etje vetëm për gjak?!... Jo, ajo nuk asht njeri, ajo nuk mundet të jetë nanë. Nanë! Nanë, simbol i dashunisë! Ajo femen asht ulkonjë, nji ulkonjë e zezë e untë për gjak njerëzor… Shkëputur nga “Libri i kujtimeve”

A. Z. Pllumi

Liria midis dy burgimeve

Kampet e burgjet mbetën se mbetën vendet mâ të tmerrshmet të Republikës, ku njeriu nuk kishte asnji të drejtë njerzore, ku shfrytëzohej prej shtetit mâ keq se skllavi dikur, ku çdo komandant, oficer o polic ta merrte shpirtin si t’i tekej , shpejt o kadalë, dhe ti nuk kishe ku me e kërkue të drejtën tande, mbasi u çmojshe vetëm si nji kafshë për me bâ punë të randa. Herë mbas here, Ministria e Mbrendshme organizonte vetë provokime me anë të cilave arrestoheshin njerëz për t’i shndërrue në skllave o kafshë pune me të cilët janë punue të gjitha “Veprat e mëdha të Partisë”: janë bonifikue të gjitha kënetat e rrjedhjet e lumenjve, janë shfrytëzue e shumta e minierave e janë ndërtue gadi të gjitha uzinat e fabrikat, si edhe qendrat e reja të banimit në të gjithë Shqipninë. Pra, Enver Hoxha, ose Partia e Punës e Shqipërisë, ishte pronari mâ i madh i skllavëve që njeh historia. Kështu jetojshin të burgosunit. Po njerzit e lirë? A kishte në Shqipni njerëz të lirë? Në vështrimin e vërtetë të fjalës, nuk kishte. Gjatë ksaj kohe, Shqipnia u thur (rrethue) gjithkund gjatë kufinit të sajë me “klon”. Thirrej kështu rrjeti me telin gjembaç që përdorej prej ushtarakëve. Gjithkund 200 metra, pa mbërrijtë te piramidat e kufirit, ishin ngulë shtylla të gjata 4-5 m dhe me atë lloj teli ishte bâ nji thurje e posaçme që mos të mund kalohej kufini në asnji mënyrë. Ky rrjet ishte i pajisun edhe me sinjale elektrike, përveç qenve e njerëzve të stërvitun. Kushdo që orvatej me e kalue ketë “klon”, lente aty jeten e vet nën breshni të automatikëve e trupi i tij u lehej kafsheve mishngranse ose vorrosej në msheftësi. Mbrenda këti “Kloni” jetojshin shqiptarët, që kishin lirí, në të shumtia e rasave, me u martue simbas rregullave të Partisë; kishin lirí me rrahë shuplakë e me brohoritë Enver Hoxhen; kishin lirí me shkue kur të duen në WC; kishin liri me folë mirë për Partinë e Pushtetin; por nuk kishin lirí as me shfaqë mendimin e vet, pakënaqsitë e nevojët e veta a e me ndigjue radiot e hueja, se këto dënoheshin me nji ligje dhe i kapte “neni i propagandës”. Jam i sigurt se nji përqindje e naltë e populls shqiptare mendonte vetëm si me u skapullue nga kjo tokë e mallkueme, por kahdo që sielleshe delte përpara kloni. Nuk ishte vetëm kloni. Nji rrjetë tjetër e merimangës tepër e rrezikshme e kërcnuese, ruente çdo shqiptar. Sigurimi i shtetit, tashma me nji përvojë të pasun me kurthe tinzare, rrena e tradhti, i kishte ngulë çapojt në çdo trû shqiptari e, si nji perbindsh i tmerrshëm, këpuste çdo fije shprese që mund të endej për andrrën e lirisë. E kam ndër sy avokatin plak Qazim Danin, i cili fill mbas gëzimit të madh të lirimit nga burgu, pësoi tronditjen fatale kur i vranë djalin 25-vjeçar në kërkim të lirisë. Po ashtu edhe Kolë Gurakuqin; djali i tij i vetëm, mësues në Velipojë, gjatë udhëtimit u hodh prej motoskafit n’ujë, por e vranë aty për aty.

Klon

Më dhimbeshin ata dy pleq dhe, sa herë shkojshem me i ngushllue, kthejshem i vramë në shpirt, mbasi çdo përpjekje ngushllimi kishte mbarue për ta. Jo nga pleqnia, por nga idhnimi; nga humbja e së vetmes dashuni mbi tokë, ku kishin shpresën, mendjet e tyne kishin kalue. Po ashtu i dhimbshem kje episodi i Sandër Pistullit, nji prej ish-tregtarëve të ndershëm të Shkodrës, nji burrë tamam “zotni”, i cili shkrini të gjithë atë pasuni, që me frigë e kishte mshefë, për me ikë me gjithë familje. Kur ai me tanë familjen mbrrijtën në breg të liqenit, aty në vend të lundërtarëve e pritshin njerëzit e Sigurimit, që e përplasën në burg për shumë e shumë vite, ndërsa familja e shpërndame vuejti pa mujtë me u mbledhë mâ në shtëpi të vet.

Shkëputur nga “Liria midis dy burgimeve”

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Pasi të lexoni tekstin, thoni se çfarë lloj torturash pëson Zef Pllumi dhe cili ishte shkaku? 2. Çfarë ndodhte me të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, gjatë regjimit komunist? 3. A ishte liri e vërtetë ajo që gëzonin shqiptarët jashtë burgjeve, por brenda klonit? 4. Çfarë i pengonte shqiptarët të largoheshin nga vendi i tyre, që vuante regjimin diktatorial? 5. Çfarë fati i priste ata që tentonin t’i iknin klonit dhe sigurimit të shtetit?

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Në fragmentin 1, çfarë efekti krijon pranëvënia e dy fjalive: Dridhjet vazhdojshin. Ato çizme të lustrueme. 7. Gjeni një rast enumeracioni në fragmentin 2 dhe tregoni çfarë efekti krijohet prej këtij enumeracioni. 8. Teksti është ndërtuar në ndërthurjen e fjalive të gjata me disa pjesë, me fjalitë e shkurtra dhe mungesore. Kjo ndërthurje i ka dhënë dinamikën e lëvizjeve që të kujtojnë luhatjet e torturave.

Kthehuni në tekst dhe identifikoni këto fjali. 9. Në jo pak raste, fjalitë e shkurtra janë në urdhërore ose me karakter thirrmor. Dalloni dy për secilin rast. Tregoni shprehësinë e tyre dhe mënyrën se si ndikojnë në ecurinë e ngjarjeve në rrëfim. 10. Figura e vajzës në fragment evokon paradoksin te torturuesi. Cilat janë dy përmasat paradoksale që bëhen bashkë te torturuesi? Diskutoni nëse kemi të bëjmë me një paradoks universal.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Titulli i kapitullit nga është shkëputur fragmenti 1 është “Ulkoja dhe Bijt e vet”. Në këtë rast, figura e ujkonjës sipas jush shënjon: personifikimin e së keqes; gruan që shkon me torturuesit; shtazën e pyllit; diçka tjetër __________________________________________ 12. Çfarë vlere kuptimore dhe emocionale ka në fragmentin e parë përdorimi i fjalëve që i përkasin fushës leksikore kafshë?

13. Gjeni në fragmentet e dhëna fjalë a shprehje që janë tipike për gegërishten. Çfarë efekti krijon përdorimi i njësive të tilla leksikore? 14. Në fragmentin e parë, gjeni disa detaje të torturave që autori rrëfen se i bëjnë gjatë marrjes në pyetje dhe analizoni forcën përshkruese të tyre. 15. Çfarë ka dashur rrëfimtari të shprehë përmes këtyre pyetjeve retorike: “Ç’kërkon ajo vajza aty me këtë kriminel sadist? Si mundet nji femën shqiptare të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk që ka etje vetëm për gjak?!...”?

Nga teksti te përdorimi

16. Gjeni raste të apostrofës si figurë stilistike dhe thoni çfarë vlere emocionale kanë thëniet që vijojnë pas apostrofave. 17. Dalloni dy ligjërime të oficerit: ligjërimin që përdor kur flet me protagonistin dhe ligjërimin (ndonëse i shkurtër) që përdor me vajzën. Çfarë tregon kjo për karakterin e tij dhe nga se ndikohet sjellja e tij ligjërimore? 18. “O dashuni, – thashë me vedi, – vetëm ti duhet të sundosh botën. Vetëm ti mund t’i zbutish kafshët e egra.” Pse merr kaq vlerë kjo thirrje në këtë kontekst? Çfarë ndjesie përcillet përmes saj? 19. Diskutoni në klasë: Përse gjatë rrëfimit, në dy fragmentet që lexuat, autori zgjedh të përmendë disa emra konkretë si p.sh.: Át Pali, Qazim Dani, Kolë Gurakuqi, Sandër Pistulli? 20. Në kulmin e torturave, protagonisti ka dilemat e veta: “Dorëzoji, e sheh si jam, Paulini i gjatë...,

Guljemi në raft..., ai mirditori në vorr... O Zot më shpëto!” Veç enumeracionit, vërejmë nëntekstin që shoqëron metaforat. Përshkruani efektin që krijojnë reticencat.

Nga teksti te reflektimi

21. Ky rrëfim është vetëm një pasazh nga mizoria e diktaturës. Arrin ky rrëfim të përcjellë të plotë ndjesinë e At Zef Pllumit? Si vjen te ju kjo ndjesi? Flisni për të. 22. Në rrëfim ndeshim disa pyetje retorike që, siç thamë, janë pjesë e dilemës së protagonistit: “Ç’kërkon ajo vajza aty me këtë kriminel sadist? Si mundet nji femën shqiptare të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk që ka etje vetëm për gjak?!...”? A keni edhe ju të njëjtat pyetje? Keni gjetur përgjigje për to? 23. Në paragrafin e fundit, vetëm me një fjali, At Zef Pllumi i thur himn figurës së nënës.

Mendoni se vetë rrethanat ku ndodhet e bëjnë të gjejë fuqi te simbolika e nënës? 24. Ju ka ndodhur edhe juve që në të tjera situata të kërkoni fuqi te figura e nënës? 25. Çfarë ndodhte me të drejtat themelore të njeriut në Shqipëri, gjatë regjimit komunist?

A ishte liri e vërtetë ajo që gëzonin shqiptarët jashtë burgjeve, por brenda klonit?

Nga teksti te të shkruarit

26. Zef Pllumi është autor edhe i disa poezive, një prej të cilave titullohet “Burgu”. Nëntitull të kësaj poezie, Pllumi ka vënë thënien “Vuejtjet tona mos ja u kallzoni nanave”. Komentoni me shkrim këtë thënie, nisur nga teksti dhe fragmentet që lexuat në këtë mësim.

This article is from: