
52 minute read
Mitrush Kuteli
Dhimitër Pasko, i njohur në letra si Mitrush Kuteli (1907-1967), mbi gjysmën e jetës së vet e kaloi jashtë vendit me studime apo me punë. Bashkë me Ernest Koliqin është themeluesi i prozës moderne shqipe dhe një ndër autorët më të njohur të modernitetit shqiptar. Së bashku me Lasgush Poradecin, në jo pak raste janë emërtuar si autorët themelorë të letërsisë moderne shqiptare. Ndonëse me doktoratë në ekonomi, Kuteli dha mjaft sprova në mendimin kritik mbi letërsinë dhe shkrimtarët e kohës, por në letrat shqipe, ai do të mbetet autori i gjithanshëm, me stil të jashtëzakonshëm.
Stili i Kutelit, nga oraliteti te modernizmi
Advertisement
Veprat e veta në prozë, Kuteli i quan rrëfenja ose rrëfime, në varësi të faktit nëse mbështeten në një rrëfim popullor – gojor – apo në një tregim jetësor. Ky përkufizim përbën thelbin e mënyrës së strukturimit të prozës së këtij autori. Për të kuptuar dhe analizuar stilin e Kutelit, merr rëndësi thellimi në procesin e tij krijues, rrugëtimi i tij me fjalën, misteret e rrëfimit të tij. Ndërsa letërsia e kultivuar e deriatëhershme nuk ofronte shumë përvojë në drejtim të rrëfimit, fondi i pasur mbi të cilin Kuteli do të mbështetej thellësisht, do të ishte tradita e prozës popullore, fryma, poetika dhe epika e saj. Të gjitha këto, të gërshetuara me mjeshtërinë rrëfimtare dhe talentin e shkrimtarit, e nisën drejt një tjetër niveli rrëfimin në gjuhën shqipe. Kuteli jo vetëm krijoi një tip të ri rrëfimi, por ai endi një stil të tijin, i cili i dha mundësinë që përmes një lënde të pasur nga jeta e historia: të realizonte figura, personazhe tipike (përmendim personazhin e Xheladin Beut,
Xha Brahos së Shkumbanores, etj.), me një individualizim artistik mjeshtëror (figura e Tat Tanushit e spikatur për detajin psikologjik; Xhezari, me zemrën e madhe dhe trimërinë e çartur), përmes thurjes së konflikteve (ndërthurjen e disa konflikteve njëherësh në botën e personazhit, p.sh. te Tat Tanushi), ndërtimit të situatave (situatat tipike në të cilat zhvillohet personazhi i xha Brahos), përshkrimit të mjediseve (përshkrimi i mjediseve ku degradon figura e Xheladin beut), shfrytëzimit të detajit (loja me detajin te “Fshati im e pi rakinë”) etj.
Rrëfimtari
Larmia tematike e krijimtarisë së Kutelit karakterizohet edhe nga poetika e larmia e mjeteve shprehëse që ai ka shfrytëzuar në shumë prej rrëfimeve. Poetika e rrëfimit te Kuteli afron shumë me poetikën e rrëfimit popullor, por e përpunuar në laboratorin e tij krijues, përmes një strukturimi të ri artistik.
Rolin kryesor në poetikën e Kutelit e luan rrëfimtari, i cili krijon raporte të caktuara me dëgjuesin dhe lexuesin. Komunikimi i tij me dëgjuesin vjen në formën e ligjërimit bisedor e të shkujdesur, të shtruar, shpesh dialogues: Fshati im, or tungjatjeta, e pi rakinë me hov e vrull të madh që nga djepi e gjer ne varri. (“Fshati im e pi rakinë”) Në këtë proces, autori merr rolin e ndërmjetësuesit të rrëfimit me lexuesin: E ju që vini pas nesh, në këtë dhe që na e lanë e që duam t’jua lemë, kujtoni kur e kur këto dhembjet tona dhe urreni përgjithmonë Latinin e zi. (“Fije nga jeta e Theofil Kostorit”). Po në këtë marrëdhënie rrëfyesi krijon raporte të veçanta edhe me hapësirën e kohën: Ja, ejani të ngjitemi bashkë në rejën e kohës, ku rrjedh pa pushim uji i jetës e i njerëzimit - se edhe ne ujë jemi e si uji shkojmë në këtë botë - e keni për të parë me sytë tuaj dëmet e kësaj dere bujëmadhe. (“Gjonomadhë e gjatollinj”). Kjo shumësi marrëdhëniesh e kthen edhe vetë rrëfyesin në personazh unik të gjithë prozës së tij tregimtare, herë duke u shkrirë rrëfyesi me personazhin e herë edhe duke zëvendësuar njëri-tjetrin. Për të realizuar strukturimin artistik të veprës, merr rëndësi të dorës së parë funksioni i rrëfimtarit. Duke qenë i natyrshëm, rrëfimtari i Kutelit shfaqet në disa raporte me strukturën e veprave të tij: Rrëfimtari shpesh rrëfen çka ka dëgjuar nga dikush tjetër, duke u kthyer në rrëfyesin e rrëfyesit: Po meqë ra fjala për udhëtarë, a e keni dëgjuar ç’i ka ngjarë Hajros së Shites nga Meragozhdi? Jo? Prit se ta them unë me fjalët e tija. (“Lugetërit e fshatit tonë”). Në këtë mënyrë rrëfimtari, edhe pse merr shumë përmasa, e ruan individualitetin e tij, edhe pse shndërrohet nga një zë, në disa zëra, për t`u kthyer përsëri në një zë: Derën e Kapllan agës të Shaban Shpatës ne e kemi pasur derë miku që nga pleqtë. Kështu e nis rrëfimin te “Natë prilli”, duke shndërruar rrëfyesin nga ne, në ata. Çuditeshin e s’çuditeshin dot ata të brendshmit qysh mund të rrojë ky njeri vetëm me duhan, pa ngrënë gjë, pa pirë gjë... Në këto kalime që ndeshen jo rrallë në tregime, përmbushet synimi i një komunikimi të natyrshëm dhe lidhjet e drejtpërdrejta me psikologjinë e personazheve. Në këtë mes, fjala ka një peshë të madhe kuptimore-emocionale dhe artikulimi i saj gjatë rrëfimit varet në një shkallë të madhe nga ritmi i të treguarit. Shprehja më e plotë e mënyrës së rrëfimit të Kutelit janë përshkrimet. Autori e përdor me mjeshtëri fjalën si për të përshkruar mjedise e ngjarje, siç do të shohim në novelën “Vjeshta e Xheladin beut”, po ashtu për të përshkruar portrete: Asohere Marina ime kish një çupë. Kjo çupë ishte çupa jonë: imja dhe saja. Edhe kjo çupa jonë ishte një degëzë shelgu me bigël, si këmbë, e me një shuk shtrupe bubuzhele, si kokë, e veshur me dy-tre gishtërinj basmë, me ca fjongo e kordela e më the e të thashë. (“Vendosa të shkoj në mërgim”).
Vepër e piktorit Edward Lear me motive nga Shqipëria

Me po të njëjtën penelatë, Kuteli pikturon natyrën duke përdorur shqisat dhe ngjyrat. Atje ku jam unë, muaji maj s’ka të sosur, jargavani s’e shkund lulen, shpesi s’ka të ikur. Atje jo vetëm dheri, po edhe qielli është yni, ngjitemi e zbresim mbi krahë fluturash të bardha, vemë e vijmë e gazi s’ka të sosur, në jetën e jetës! (“Rinë Katerinëza”). Përshkrimet e Kutelit janë copëza jete, plot lëvizje e me figuracion të ngjeshur.
Duke përdorur detajin, proza tek ai kthehet në poezi dhe pasazhe të tëra, që hasen me dhjetëra në rrëfimet e tij, tingëllojnë si proza poetike. Detaji ndihmon në përcaktimin e karakteristikave specifike të personazheve, por njëkohësisht shërben që fenomenet e ndryshme në rrëfime të jenë sa më të natyrshme, pra, ndihmon në vijueshmërinë koherente të rrëfimit: Na ish një herë një i mirë me mall e me gjë shumë e na bënte dasmën e të birit. (“Natë maji”). Në këtë rrëfim, që nis me formulën e përrallës, dy detaje e portretizojnë personazhin që në hyrje të këtij rrëfimi: emërzimi i mbiemrit, një i mirë dhe togu eliptik, me mall e gjë shumë, duke dhënë në këtë mënyrë një model që proza popullore nuk e ka të shpeshtë: edhe i pasur, edhe i mirë, apo detajet që shoqërojnë fenomenin e Xheladin beut, të pangopur e pervers, detajet që mbushin botën magjike plot besëtytni e figura mitologjike, të cilat krijojnë harmoni me mentalitetin e komunitetit të personazheve që ndeshen në to.
Mjeshtërisht Kuteli arrin të distancohet nga rrëfimtari, nëpërmjet teknikës: të rrëfesh rrëfimin. Përgjatë tregimeve, Kuteli jep gjykimin e rrëfyesit mbi atë që tregon, duke u distancuar prej tij stilistikisht. Këto të gjitha i bëri Latini me armët e turpëruara në gjithë fushat e luftës. Me këto armë që nuk u zbrazën veçse për të vrarë ndonjë foshnjë a ndonjë plak të sëmurë. (“Fije nga jeta e Theofil Kostorit”).
Megjithatë nuk i imponohet lexuesit që të mendojë e të gjykojë si ai: O motra lëçitëse e ju vëllezër lëçitës! Gjykoni ju vetë tani, uroni ju vetë, mallkoni ju vetë, - si t’u thotë zemra e gjaku shqiptar. Kështu, vërejmë se të treguarit e Kutelit është sa analitik, aq edhe sintetik, i shprehur zakonisht me ritmin e ligjërimit bisedor, me një dinamikë të brendshme, duke i dhënë veprimet në lëvizje. E si të mos ishte kështu, o i bekuar, kur buka ra nga qielli, sa nuk matej dot me shinik e nuk peshohej dot me kandar? Ra ashtu siç bie shiu në vjeshtë e dëbora në dimër: plot e përplot. Sikush në kohën e vet, të lashtat e të vonat erdh e u bënë det, sa s’dukej brenda kalori hipur mbi kalë. Dhe lëshuan drithë, jo dëngla: kalli e killë, kalli e killë! E, meqë bota s’kish përse të qahej, gjeti të qahej se s’kish grunarë e koshare ku ta derdhë këtë të uruar bukë.... (“Natë vjeshte të tretë”). Siç e shihni, brenda një paragrafi arrihet që, në mënyrë të përmbledhur, të përshkruhet një stinë e tërë, por në mënyrë analitike, njëkohësisht autori jep jetën, lëvizjen, përpjekjen.
Pikturë nga Klemend Guci

Monologu e dialogu
Monologu e dialogu janë në themel të gjithë rrëfimit të Kutelit. Nëpërmjet këtyre ndërtimeve, autori arrin të sjellë informacione thelbësore e dytësore, por edhe të specifikojë karakteristikat tipike të heronjve të tij. Këto teknika karakterizohen nga
ndërtime sintaksore që më së shumti i përkasin ligjërimit bisedor e aty-këtu edhe ligjërimit të shkujdesur, të cilat sjellin shmangie të tilla që ndërtojnë profilet sociale e psikologjike të personazheve. Kështu, për të portretizuar Xheladin beun si përfaqësues i një klase shoqërore të zvetënuar e përçudnuar moralisht, për të përcjellë psikologjinë e tij, botëkuptimin dhe mentalitetin, shkallën e kulturës dhe temperamentin, dialogu mes tij dhe ish-dados (e cila, ndër të tjera, i kishte mësuar edhe punët e krevatit), vjen përmes një sintakse eliptike, domethënëse: – Me Sheqen tënde e ke shpirtin, bej... – Me ty, Sheqe, me ty... – thosh beu duke gulçuar si kalë teknefes. (“Vjeshta e Xheladin beut”). Por nëse dialogu, më së shumti, vjen brenda kufijve të bisedës, monologu i brendshëm e sjell nëntekstin të drejtpërdrejtë, në koherencë të plotë me përshkrimin, detajin, vijueshmërinë logjike të ngjarjes. Kam parë e s’kam parë vite të begatshme, po mot si atë kur lashë të shtatat e mora të tetat s’kam parë e s’kam dëgjuar. Edhe pleqtë që janë pleq e ua dinë radhën punëve të moçme, rrëfejnë se s’mbajnë mend të ketë ngjarë ndonjëherë, qëmoti, një çudi e tillë. (“Natë vjeshte të tretë”). Gjithsesi, mënyra e thurjes dhe e shkrirjes së teknikave të rrëfimit, veçoritë gjuhësore, leksiku dhe ndërtimi sintaksor i bëjnë ato që, objektivisht, të bartin specifikën e stilit të mjeshtrit.
Strukturimi i rrëfimeve
Duke vijuar të hulumtojmë në gjurmët poetike brenda prozës së Kutelit, merr rëndësi kompozicioni i rrëfimeve, mjaft origjinal. Zakonisht, ato janë në varësi të rrëfimtarit dhe pikërisht rrëfimtari është ai që organizon strukturën e tregimit. Rrëfîmtari: paraqet hyrjen: Asaj kohe, kur flisnin dallandyshet edhe kocominjtë, kur Të Bardhat rrëmbenin njerëz dhe i shpinin në male me gurë edhe kur kuajt kishin krahë e fluturonin si shpesëri, të shumta ishin botët e Theofilit. (“Babalja”); e jep krejt subjektin qoftë edhe me një paragraf të vetëm si te tregimi “Rusa-
Papusa”: Kështu ishte asohere: muaji lipsej të hynte e të dilte me një gjë të shënuar.
Maji hynte me Ereminë, delte me Rusicta;

vetë rrëfimtari i gjithëdijshëm ka në duar fillin e intrigës si te “Kryengritje për lugat”, në të cilën gjithë intriga ndërthur rrëfimtarin me personazhin sa diku, nga zgjidhja e konfliktit ata shkrihen krejt; është rrëfimtari ai që bën zgjidhjen: E që ta dija gjithë bota, e jo vetëm bot apo edhe gjithë Shqipëria, neve kupat s`i lëshojmë nga dora e buçasim sot e mot: vdesim me kupë në dorë, si dhëndurrë me kurorë! (“Fshati im e pi rakinë”) Mes rrëfimtarit, heroit dhe lexuesit ekzistojnë marrëdhënie të brendshme të vazhdueshme. Pikërisht nga këto përcaktohet karakteri i ndërtimit të tregimeve. Ato mund të përputhen ose mund të dallohen nga njëra-tjetra. Këto marrëdhënie u japin rrëfimeve larmi trajtash: para se të tregojë, autori e përgatit lexuesin e më pas subjekti ndërthur rrëfime lineare me digresionin, të gdhendura siç thamë në dialogë, përshkrime, monologë etj.
Përveç kësaj, Kuteli, në prozën e tij rrëfimtare e historike, përdor saktësimin dhe detajin e retrospektivës së kohës së fabulës dhe kohës së veprimit. Njëherë e njëherë, sot e s’di sa mot më parë, na ish një vashëzë e mbetur e varfër. Pa mëmë e pa tatë (“Rinë Katerinëza”); Asohere pranë botës sonë ish, gjithë mbi dhe, një tjetër botë që nuk e shikonim dot me sy. Se si thoshin pleqtë, këta sytë tanë janë të veshur fort. (“Babalja”). Kjo do të thotë se largësia kohore është veçori e poetikës së tij. Një gjë e tillë vërehet qartë nga pikëvështrimi i rrëfimit.
Gjuha e rrëfimeve
Pa asnjë mëdyshje do të pohonim se pasuria e veprës së Kutelit është gjuha e tij. I cilësuar si një ndër stilistët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, Kuteli është mbështetur fort në dialektin e vendlindjes, në gjuhën popullore të Jugut të Shqipërisë, duke e pasuruar atë nëpërmjet një përdorimi mjeshtëror. Pa sikur s`qenka mjaft kjo e uruara hardhi, për raki, por haj! edhe kumbulla e mezhdave, po haj! pestilka e luadheve, haj edhe thana e pyllit, e ku ta di unë sa e sa pemë të tjera që nga mara e gjer në mana e që nga dardha në gorica... ay që ia di shijen e ia peshon të mirën (e kush nuk ia di në fshatin tonë?) të thotë vetë se raki e rrushit është e fortë si për burra, se raki e dardhës është për miq nga der` e mirë, se ajo e thanës mban erë mali, se ajo e kumbullës erë fushe e se raki e manit është e rëndë si plumb dograje. (“Fshati im e pi rakinë”). Siç e kemi analizuar edhe më sipër, Kuteli e ka vjelë gjuhën e popullit, ka marrë aq sa i është dashur dhe atë që ka marrë e ka përpunuar duke ia përshtatur ligjërimit të tij (siç e shihni edhe në shembujt që kemi sjellë). Ndaj dhe stili i tij nuk ngatërrohet me stilin e popullit, sepse origjinaliteti i Kutelit ruan harmoninë me rrëfimin dhe vështrimin e tij të ngjarjeve. Në këtë fokus, Kuteli është një nga stilistët më të mirë të letrave shqipe, me profilin e tij tepër të veçantë: një ndërthurje e rrëfimit epik me lirikën duke shpalosur elegancë, ndjeshmëri dhe lakonizëm. Gjuha e tij është plot frazeologji: e paçim sa malet, si mos o zot, dhëntë zoti..., etj. Fraza e tij rrjedh natyrshëm dhe me një harmoni të brendshme, me ritme nga më të ndryshmet. Variacionet që merr ligjërimi artistik në gjuhën e Kutelit janë të pasura dhe të shumëllojshme, ato ndërrojnë në përshtatje me brendinë ideore, me psikologjinë e personazheve dhe tensionin dramatik. Ky stil i veçantë dhe kjo pasuri letrare e vendos Kutelin në radhën e shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqipe.

Tematika e prozës së Kutelit
Në tregimet e Kutelit, subjektet, në të shumtën e tyre janë shtresa tekstesh të paravëna: si tekste rrëfimesh a këngësh popullore apo si subjekte biblike. Kështu, para rrëfimit “Një natë tetori” shkruhet: Këto rëfime iu kushtohen disa netëve të tetorit të vitit 1929, në një fshat që ne do t’i themi “Fshati i qepëve e kokarkave”. Ndërsa në rrëfimet për fëmijë, Kuteli ndërton tekste parahyrëse si për të shpjeguar magjinë e rrëfimit që do të pasojë. Ja, si shkruan autori para përrallës “Xinxifillua”: Prralla që do të rrëfej tanithi na ka ardhur gojë më gojë nga moti i lashtë e i stërlashtë, kur gjithë kafshët e tokës, gjithë shtërpinjtë e ujit e gjithë shpesët e qiellit flisnin gjuhën e njerëzve, siç flas unë e siç flet zotrote, o këndonjës. Kjo strukturë paravënëse kthehet në një strukturë letrare. Sigurisht që kontributi i Kutelit gjen mbështetje te pasuria e mjeteve shprehëse të shqipes që ai e zotëron mjeshtërisht, dhe padyshim, tek aftësia për ta përdorur shqipen me shumë finesë. Një pasuri dhe aftësi e tillë i kishte rrënjët qysh në fëmijëri, në takimin e përhershëm e të vazhdueshëm me rrëfenjat e më të vjetërve, e më vonë kur nisi të shkruante, me kontaktet me folklorin shqiptar, me përkthimet e teksteve biblike të Kristoforidhit e Fan Nolit. Kemi një ndërthurje të burimeve shkrimore që do të kthehen jo vetëm në gurrë për përdorimin e shqipes, por edhe në burime tematike për krijimtarinë e tij prozaike. Vlen të përmendim këtu mjeshtërinë me të cilën Kuteli ktheu në tregime eposin shqiptar, duke ristrukturuar në prozë këngë të vjetra e balada shqiptare nga gjithë trevat. Tematika e prozës së Kutelit është e larmishme. Ai nuk merret ngushtësisht me të tashmen, por rrok fenomene që kapërcejnë konceptin e kohës. Në këtë këndvështrim, proza e tij ka një gjuhë të figurshme dhe më së shpeshti mund të lexohet si alegori, që vetvetiu kapërcen subjektet e veçanta dhe kohët e veçanta.
Pikturë nga Aziz Murati

Jeta e një njeriu, Van Gog
Temë e shpeshtë te Kuteli është fshati dhe jeta fshatare, larmia e saj që nga gëzimet e deri te brengat. Kështu, tregimet “Qetësi para fërtyne” dhe “Fshati im e pi rakinë” përshkruajnë jetën fshatare, qoftë si luftë për jetesë e mbijetesë, kur përgatiten për të kundërshtuar e fituar lirinë, qoftë në një situatë gëzimi, pijesh e hareje, duke zbuluar e formuar karakteret. Kuteli është vëzhgues dhe përshkrues i hollë dhe trajton plagë të thella të shoqërisë së kohës si kurbeti, të cilën e sheh jo vetëm si pasojë të nevojës për ekzistencë, por edhe i qaset me analiza psiko-sociale, si p.sh. te tregimet: “Vendosa të shkoj në mërgim”, “Natë qershori”, “Xha Brahua i Shkumbanores”. Me po kaq fatalitet, përshkruan edhe dukuri të rënda si hakmarrja, duke e sintetizuar problematikën në hakmarrjet e pandalshme mes dy fiseve “Gjonomadhë e Gjatollinj”. Armiqësia dhe egërsia mes tyre përshkruhet gati si një shkrim legjende për një fenomen që kapërcen disa breza, derisa rrezikon zhdukjen e dy fiseve. Por si mjeshtër i përshkrimeve të thella, Kuteli këtij fataliteti i kundërvë lidhjen mes dy trashëgimtarëve të fiseve, një djalë e një vajzë, të cilët martohen për të pajtuar familjet e tyre e për të vazhduar trashëgiminë. Në vijim të analizave psikologjike e shoqërore, Kuteli preferon të trajtojë tema mbi shtresat feudale të bejlerëve dhe agallarëve. Vështrimi tij është sa real, në njëkohësi, aq edhe vështrim në të shkuarën, për të ardhur deri në ditët e shkrimeve. Analiza të tilla të thella e jo fort të zakonshme bëhen në tregimet “Natë kollozhegu” dhe “Vjeshta e Xheladin Beut”. Në tregimin e parë, paraqitja hulumtuese e autorit jepet përmes raporteve kundërshtuese me beun, ndërsa në tregimin e dytë, në bjerrjen psikologjike të beut në rënie, çka e shpie këtë njeri të pangopur me jetë drejt greminës së shumëfishtë. Përgjatë kësaj rënieje, Beu shfaq egërsinë, degjenerimin moral, shpirtëror, kompleksitet i cili e çon në çmenduri. Përgjithësimi shoqëror dhe mishërimi ideoartistik i temës antifeudale arrin kulmin në këtë rrëfim. Po kaq e ndjeshme është edhe tema e kaçakut, individit të ardhur nga fshati, i cili kundërshton pushtetin që ushtrohet padrejtësisht mbi të. Në perceptimin e Kutelit, kaçakët janë heronj, jo në konceptin tradicional të heroit, por heronj moralë: kundërshtojnë pushtetin dhe mbrojnë të dobëtit. Ky perceptim realizohet me mjeshtri te “Si u takua Ndoni me Zallorët”, ku shfaqet bota e brendshme e kaçakëve plot ndjesi, lirizëm, dhembje në antipod me egërsinë e pushtetarëve. Në takimin e këngëtarit të krahinës me heronjtë e këngës popullore tregon mënyrën se si jeta hyn në këngë e nga kënga në letërsi. Fuqinë misterioze të dashurisë, botën shpirtërore të njeriut, dashurinë e përjetshme dhe dashurinë hyjnore, Kuteli e sjell edhe nëpërmjet fuqisë jetësore në tema të rëndësishme si dashuria njerëzore që provon fuqinë e saj në tregimet “Rinë Katerinëza”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, ku arrihet shkalla më e lartë e depërtimit në botën shpirtërore dhe kultivimin e gjuhës shqipe në funksion të përshkrimit të lutjes, pra, të shpirtshkrimit, cilëson Sabri Hamiti.
STUDIM TEKSTI
Verifikoni njohuritë
1. Cili është kontributi themelor i Kutelit në letrat shqipe? Cilët qenë faktorët që ndikuan në formimin e tij? Veprat e veta në prozë Kuteli i quan rrëfenja ose rrëfime. Si karakterizohen nga ana stilistike këto dy mënyra të treguari? Ku dallojnë ato nga njëra-tjetra? 2. Cili është roli i rrëfimtarit në prozën e Kutelit? Ç’raporte krijon ky rrëfyes me dëgjuesin dhe lexuesin? Ilustroni me shembuj nga leximet e veprës së Kutelit. 3. Cilat janë funksionet e rrëfyesit në veprën e Kutelit? Analizojini ato duke u mbështetur te përshkrimet, përdorimet e detajit dhe te fakti që rrëfyesi rrëfen çka ka dëgjuar. Ilustroni me shembuj nga leximet e veprës së Kutelit. 4. Ç’është struktura paravënëse dhe çfarë roli luan ajo në vijimësinë e veprës? 5. Si realizohet proza poetike në rrëfimet e Kutelit? Çfarë roli luan në këtë drejtim gjuha e përdorur dhe larmia e ligjërimeve? Ilustroni me shembuj nga leximet e veprës së Kutelit. 6. Si do t’i gruponi tematikat e prozës së Kutelit? Përveç temave sociale, ku e hodhi vështrimin
Kuteli?
Ushtroni mendimin kritik
7. Si e sheh dhe si e trajton Kuteli konceptin e kohës në prozën e tij? Nëë cilat tregime shfaqet më dukshëm kjo gjë? 8. Në ç’raporte ndodhen në prozën e Kutelit koncepte të tilla, si: jeta, dashuria, vdekja? Mënyra se si Kuteli i trajton këto koncepte filozofike, e afron atë me të tjerë shkrimtarë të kohës së tij?
Argumentoni përgjigjen tuaj. 9. Bëni një kërkim mbi vlerat e dialektit toskë në gjuhën shqipe. Më pas reflektoni për rolin që ka luajtur ai në gjuhën e Kutelit. Mbështetur në leximet e veprës së tij, mendoni që dialekti toskë iu ka dhënë ngjyra të larmishme rrëfimeve? Pse? 10. Personazhet e Kutelit janë njerëz që i ndesh çdo ditë edhe sot në mjedise të caktuara. Ata kanë ndërruar formë, por thelbi është po ai. Si ka arritur Kuteli të krijojë të tilla personazhe jetëgjata dhe gjithmonë bashkëkohore? 11. Shumë nga personazhet e Kutelit qëndrojnë mes gojëdhënës dhe historisë. P.sh. Kostandini te
“Natë marsi”, apo Nikollë Branda te “Natë gushti”. A e ndihmon rrëfimi popullor Kutelin për t’i tipizuar këto personazhe? Në ç’mënyrë?
Sfida e të shkruarit
12. Sipas një studiuesi të Kutelit, rrëfimet më të mira të Kutelit u takojnë atyre krijimeve të shquara të letërsisë sonë, që lexuesi mund t’u kthehet e rikthehet me dëshirë e dobi. 13. Duke u nisur nga ky pohim, kthejuni njërit prej rrëfimeve të Kutelit. Me të dhëna nga teksti, argumentoni dobinë e shkrimit të Kutelit: dobi stilistike, gjuhësore, kulturore, sociale etj.
M. Kuteli
ILUSTRIM LETRAR
Vjeshta e Xheladin beut
Novela “Vjeshta e Xheladin beut”, e shkruar më 1929-tën dhe ripunuar më 1965-sën, nëpërmjet figurës së Xheladin beut, paraqet personazhin më të tipizuar në gjithë krijimtarinë tregimtare të Kutelit. Nisur dhe nga vetë titulli i saj, i konsideruar si metaforë hyrëse, kuptojmë se kemi të bëjmë me “vjeshtën” e personazhit kryesor, Xheladin beut, rënien e tij, fundin. E vendosur në situata psikologjike të ndryshme, figura e Xheladin beut ngërthen portretin e feudalit pervers, i cili ka gjithçka materialisht, por brenda ambientit të mbyllur shoqëror ku ai gjendet, ndien një zbrazëtirë të madhe në shpirt. Nëpërmjet një stili tepër të veçantë, përshkallëzimi i rrëfimit ngërthen disa tipologji rrëfyesish: shfaqet zëri i narratorit brenda narratorit. Duket si një legjendë që rrëfehet nga një dëgjues, i cili e ngarkon tregimin, veç të tjerash, me një atmosferë besëtytnish e besimesh të kota, sa të krijon ndjesinë e një bote gati magjike, por jo në kuptimin e një magjie jetëndjellëse. Përkundrazi, një legjendë e rrëfyer në tematikën e saj më të errët.
As vetë Xheladin beu nuk dinte përse ndiente një zbrazëtirë aq të madhe në zemër atij mëngjesi vjeshte të dytë. Një zbrazëtirë sa një zgërbojë gështenje që e ka brejtur krimbi përbrenda, një shembëtirë, një turbullirë e një neveritje pa fund e pa anë... Edhe çudi: mëngjesi s’ishte i keq. E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafaze, po qielli i kulluar, i ëmbël. Shpesëria që, siç na duket neve, njerëzisë, s’ditka kurrë se ç’qenka dhembja e pikëllesa, cicërinte e ngazëllohej me bujë të madhe aty pranë konakëve të beut e tej e tutje – arave, pemëve, qiellit – kurse ai, Xheladin beu i Shemshedin beut të Xheladin pashait, apo “beu i madh”, siç i thosh tërë bota, zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, ndiente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Gojën e kish të hidhur, sikur të paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli. Dhe herë-herë, një të therur në tepelekun e kokës.
As nga shëndeti, as nga malli e gjëja s’ish qarë shumë gjer ahere
beu i madh. Shëndetin e kish pasur grurë: burrë i ngjeshur, dërdëng, ta çaje, bëje katër; kamjen të rëndë, shumë brezash, sa as vetë s’ia merrte dot radhën me të numëruar e me kalem; bujqit, rajej e harbutë, të gjithë me dorën në zemër, si nuse kaurri: s’guxonin as t’i thoshin me emër, as ta shikonin në dritën e syrit. Edhe sikur t’u bënte urdhër që të shtriheshin përdhe që t’i shkelte me këmbë, siç shkelet balta për të bërë plitharë, shumë prej tyresh do të shtriheshin t’i shkelte. Se jo më kot Xheladin beu kish në dorë bukën e kopaçen, tamam ç’i duhet fusharakut që të bëhet i butë si dele, jo aq fort për jetën e tij sa për atë të fëmijve të njomë e shumë brenga të tjera të kësaj dore. Thua të qaheshin? Po kujt t’i qaheshin? Kush i dëgjonte? Të ngriheshin e të iknin? Mirë, të iknin, po ku? Kudo që të shkonin, i priste qaforja, sepse gjithë bejlerët e pashallarët kishin kërbaç e qahjanj. Tërë dheu që jepte bukë ishte i tyrja. Mirë thoshin ata që thoshin: gjithë derrat një turi kanë... Ca që ishin
ngritur e kishin ikur natën, në errësirë, me fëmijët në kosha e pleqtë në tezga, kishin humbur si uji nëpër ujë, nuk u qe ndier nami e nishani. Prandaj, ata që kishin mbetur rrinin aty ku ishin, bënin grurë e hanin misër. Kur s’kish misër të mirë, hanin misër gjarpri, këlkëzë, të shkuar nëpër tri ujëra, zienin brenda për brenda siç ziejnë e roniten në lyrën e vet ato kokat e këmbët e bagëtisë të futura në një poçe të madhe balte, me këltyrën të zënë me brumë, brenda në furrë. Nuk u ndihej as regëtima, as cicërima. Herë-herë binte ndonjë sëmundje e u vinte kosën të vegjëlve e të mëdhenjve; shtëpi e fshatra të tëra mbeteshin të shkreta. Po, çudi, çudi, pas sëmundjes shtoheshin përsëri si fara e sinapit. Ta pret mendja, se ndër rajenj e ndër harbutë kish edhe kokëndezur, që nuk duronin më tej e mateshin t›ia shkrepnin, po Xheladin beu, që ishte brezi i tretë zot në atë mëngë të mbretërisë së madhe të Baba Sulltanit, e kish vënë punën në vijë të mos bënte rrëk njeri, kështu që kokëndezurit mbeteshin pa kokë përpara se të ndiznin koka të tjera. Këtë punë e bënin qajhallarët, “trimat”, siç u thosh beu, apo “lanxhot”, “larot”, “zybat”, siç u thoshin me gjysmë goje ata të tjerët, vegjëlia. Ja, kështu! Puna e bejllëkut dhe e çiflikllëkut do marifet. Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej. Këto marifete, Xheladin beu i kish në xhep dhe i nxirrte një nga një a të gjitha bashkë, si t’ia donte puna. Veç kësaj, duhej ta dini se ai kishte zënë të gjitha shtigjet, shpatullat i kishte të ngrohta dhe i kthente gjithnjë andej nga ngrohte dielli, duvaxhi me mish e me shpirt i “llambës së dynjasë”, Baba Sulltanit, të cilit i dërgonte kur e kur peshqeshe: mahmudije të verdha e çupa të bardha, nga çifligjet e tij. Nuk e harronte Kapu aganë, as sadrazemin, as sulltane-validenë, as dëmin e madh, të parin e haremllëkut të sulltanit, që të mbyllnin sytë kur Xheladin beu zgjeronte çifligjet lart e poshtë, në skërkat e bujqërisë, në zabelet dhe tokat e buta pa zot. Nuk përzihej fort në gërnjat e të mëdhenjve të mbretërisë, po kur i vinte ndonjë bumbashir e i thosh se Baba Sulltani kish luftë s’di se ku, në Qyrdistan, në Rabistan apo në Tinglimajmunistan, beu i dërgonte karvanë me imdate e njerëz me dyfeqe, që do të linin kokën andej. Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehrri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit, që ishin të gjithë në bukë të madhe.
Dhe ja tani, oda e madhe e konakut të madh i qerthullohej si kuajt
në lëmë. I therte tepeleku i kokës. Ndezi një cigare, esëll, që t’ia priste vrundullin e rrotullimit e të mbante mendjen në vend dhe zuri ta pijë shqeto, pa çibuk, po cigarja, aq e shijshme herët e tjera, tani iu duk e hidhur, e pështirë. E kafshoi dhe e hodhi tutje, në vatër.
Dergoumidas

Ç’ishte kjo punë? A mos beu s’ishte mirë?
STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Rrëfimi nis me një mohim që tregon gjendjen shpirtërore të personazhit kryesor, Xheladin beut. Perifrazoni me fjalët tuaja këtë ndjesi. 2. Përshtypja që krijon rrëfyesi në pjesën e dhënë më sipër, është që Xheladin beu nuk ndihet mirë, sepse: a) njerëzit kanë filluar të mos i binden më; b) e ndien plakjen e pashmangshme; c) ka frikë mos mbetet vetëm; d) vuan nga një sëmundje e pashërueshme. 3. Përshkrimi i gjendjes së Xheladin beut jepet në përmasën fizike. Pasi keni lexuar gjithë fragmentin, rrëfyesi pohon që personazhi ka një problem me shëndetin, apo gjendja e tij ka arsye më të thella se kjo? Ilustrojeni me shembuj nga fragmenti. 4. Që në hyrje, rrëfyesi, në mënyrë shumë sintetike, na tregon rrënjët e Xheladin beut: Xheladin beu i Shemshedin beut të Xheladin pashait, apo “beu i madh”. A ju ndihmon ky emërtim në të kuptuarit e gjendjes së beut? Pse? 5. Përshkrimi që paraprin ngjarjen është i gjatë, i detajuar dhe me shumë ngjarje brenda tij.
Ndajeni në pjesë këtë dinamikë lëvizjeje. Vendosini një titull secilës pjesë. Tregoni se si zgjerohet kuptimi i asaj që synon të japë rrëfyesi mbi figurën e Xheladin beut. A e parapërgatit plotësisht lexuesin për të kuptuar më mirë ngjarjen?
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Ndërtimi i këtij fragmenti karakterizohet nga disa plane rrëfimi. Evidentoni të gjitha format e foljes them në fragment. Përcaktoni vetën e folësit në kontekstet përkatëse. Plotësoni tabelën sipas shembullit:
Format e foljes them Veta Numri Kush flet në këtë kontekst?
I thosh tërë bota III njëjës Rrëfimtar i jashtëm t’i thoshin me emër siç u thosh beu siç u thoshin vinte ndonjë bumbashir e i thosh
Thua të qaheshin? 7. Në hyrje të çdo paragrafi janë fjalitë me të zeza. Këto quhen fjali tematike, sepse japin në mënyrë të përmbledhur thelbin e asaj që do të trajtohet përgjatë paragrafit. Lexojini ato dhe argumentoni lidhjen e tyre me përmbajtjen e paragrafit. 8. Rrëfimi i fragmentit është ndërtuar si rrëfim i drejtpërdrejtë i ndërthurur me rrëfimin dialogues.
Gjeni në fragment momentet e dialogimit dhe thoni si janë ndërkallur ato në rrëfimin monologues. Mbani parasysh: fjalitë pavetore; fjalitë e ndërkallura; shprehjet frazeologjike.
9. Fragmenti është ndërtuar mbi ligjërimin bisedor, i cili herë pas here ndërpritet edhe nga ligjërimi i shkujdesur. Tregoni kontekstet ku është përdorur secili ligjërim. Argumentoni kalimin nga një ligjërim te tjetri duke u ndalur te vetat e foljeve. Si i ka strukturuar rrëfyesi dy tipat e ligjërimeve: me ligjëratë të drejtë, të zhdrejtë, apo të integruara? Ilustrojeni me shembuj. 10. Gjuha e fragmentit dhe krejt novelës është mbështetur në dialektin toskë, por edhe në folklor.
Mes tyre ka dhe turqizma që i shërbejnë autorit për të theksuar edhe më shumë natyrën anadollake të Xheladin beut. Bëni një kërkim në fragment dhe përcaktoni leksikun toskë e atë popullor. Në ç’raport qëndrojnë ata me turqizmat? Pse është përdorur kjo masë?
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Që në hyrje të rrëfimit ndeshim grupin mëngjes vjeshte të dytë, i cili na lidh menjëherë me titullin e krejt novelës. Në mentalitetin e popullit tonë, stina e vjeshtës lidhet me rënien e gjetheve dhe ardhjen e dimrit. Tregoni se çfarë kuptimi simbolik merr ky tog në fragment. Mbështetuni te similituda: Një zbrazëtirë sa një zgërbojë gështenje që e ka brejtur krimbi përbrenda, një shembëtirë, një turbullirë e një neveritje pa fund e pa anë... Po në kontekstin e gjithë veprës, cili është kuptimi i fjalës vjeshtë? 12. Që në hyrje ndeshemi me një ironi të fshehtë po shumë therëse: Xheladin beu i Shemshedin beut të Xheladin pashait, apo “beu i madh”. Argumentoni kuptimin ironik të grupit “beu i madh”.
Çfarë roli luan lidhëza bashkërenditëse shtuese “apo” në realizimin e ironisë? 13. Në paragrafin e tretë, rrëfyesi rendit disa pyetje retorike, të cilat funksionojnë edhe si një reflektim i rrëfyesit. Analizoni përgjigjet që pyetjet i kanë të përfshira. A kemi këtu një lloj dialogimi të brendshëm? Me kë dialogon rrëfyesi? Cilat fjalë e mbajnë peshën e kuptimit brenda secilës pyetje? 14. Lexoni fjalinë: Këtë punë e bënin qajhallarët, “trimat”, siç u thosh beu, apo “lanxhot”, “larot”,
“zybat”, siç u thoshin me gjysmë goje ata të tjerët, vegjëlia. Në këtë fjali është ndërtuar një antitezë kontekstuale. Pasi ta keni evidentuar, analizojeni atë duke argumentuar rolin e ironisë së fshehtë. A ka tone mllefi kjo antonimi? Pse? 15. Shprehja oda e madhe e konakut të madh i qerthullohej tregon situatën e komplikuar në të cilën ndodhet beu. Ndaluni te metafora e krijuar. Analizoni përsëritjen e mbiemrit “e madhe”. Tregoni kuptimet e shumëfishta që merr mbiemri brenda metaforës. A ka lidhje kjo me gjendjen e beut? Vëreni vijim të ironisë së fshehtë? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke e lidhur me rastet pararendëse të përdorimit të ironisë.
Nga teksti, te përdorimi
16. Cila nga alternativat e mëposhtme është karakteristikë e ligjërimit popullor? a) E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafaze, po qielli i kulluar... b) Gojën e kish të hidhur, sikur të paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli. c) Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehrri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit… d) Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej. 17. Disa herë rrëfyesi përdor fjalët çudi/çuditeshin në fragment. Identifikoni rastet në tekst dhe trajtoni kuptimin e tyre brenda çdo konteksti. Krahasoni përdorimet. Për çfarë lloj çudie e ka fjalën autori? A është përdorur në kuptimin e parë apo ironik? Shfrytëzoni të tjera detaje nga teksti që mbështesin përgjigjen tuaj.
18. Lexoni fjalinë ku përdoret grupi neve, njerëzisë. Vëreni përdorimin e fjalës përmbledhëse njerëzia. Në këtë përdorim, argumentoni se si pozicionohet rrëfyesi. Çfarë marrëdhënie krijon ai me lexuesin? Po me personazhin kryesor? Evidentoni të tjera fjalë përmbledhëse në fragment.
Analizoni përdorimin e tyre brenda kontekstit. Tregoni se si lidhen ato me rrëfyesin. 19. Përshkrimi i gjatë që i bën rrëfyesi statusit social dhe ekonomik të Xheladin beut, si lexues, ju ndihmon të përcaktoni edhe statusin e tij moral. Mbi cilat vlera apo antivlera morale mbështetet ky status? Ilustroni mendimin tuaj me përdorimet e mbiemrave. Si ndikon konteksti në këto përdorime? 20. Kemi shkëputur dy përdorime foljore nga fragmenti: duhej ta dini dhe thoshin ata që thoshin të cilat krijojnë idenë e dialogimit. Kthehuni në tekst. A është ky një përdorim krejt popullor apo Kuteli e ka përpunuar atë? Argumentoni përgjigjen tuaj duke u mbështetur te: funksioni i përemrit vetor në gjuhën shqipe; roli i fjalive mungesore.
Nga teksti te reflektimi
21. Që në hyrje rrëfimtari përsërit disa herë thënien ndiente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Si e kuptoni këtë gjendje? Me cilin status të njeriut lidhet kjo? 22. Siç e keni pohuar edhe gjatë analizës, fjalitë me të zeza tregojnë se statusi ekonomik, politik dhe social i beut ishte për së mbari. Megjithatë, ai nuk ndihet mirë. Reflektoni mbi këtë gjendje paradoksale, duke pasur në vëmendje nevojën e njeriut për të qenë i pranuar në shoqëri. Cilat janë vlerat që e bëjnë individin të pranuar e të respektuar në shoqëri? 23. Si e gjykoni marrëdhënien e beut me eprorët e tij, ata të mëdhenjtë, dhe me vartësit? Cilat kode morale përdor beu? Si do ta përshkruanit atë në këtë kontekst? 24. Si mjeshtër i rrëfimit, Kuteli diferencon edhe gjuhësisht klasat shoqërore. Nga studimet që keni bërë në lëndën e sociologjisë, a dallohen variantet e të folurit edhe sipas klasave shoqërore?
Po në këtë fragment çfarë vlere merr kjo gjë? 25. Ju ka ndodhur të ndiheni në një gjendje shpirtërore të përafërt me atë të Xheladin beut? E keni pasur një arsye? E keni kapërcyer atë? Tregoni se si ka ndikuar ajo në rrjedhën e jetës suaj.
Nga teksti te të shkruarit
26. Interpretoni, nëpërmjet një shkrimi eseistik, fjalinë që përmbyll fragmentin:
Ç'ishte kjo punë? A mos beu s'ishte mirë?
Mbani në vëmendje: kontrastin mes gjendjeve të beut: sociale, shëndetësore, ekonomike, morale; mundësinë dhe pamundësinë si realitete në jetën e njeriut; ndërgjegjësimin e beut për rënien e tij dhe pasojat e saj.
M. Kuteli
ILUSTRIM LETRAR
E madhe është gjëma e mëkatit
Novela “E madhe është gjëma e mëkatit” është antitezë e novelës “Vjeshta e Xheladin beut”. Në të ndërthuren tri kode: kodi poetik, biblik dhe ai fantastik. Tat Tanushi është njeri shumë i lexuar dhe mjaft i devotshëm ndaj fesë së tij. Ai ka lindur në Bubutimë të Ilirisë dhe bie në dashuri e martohet me një grua të bukur: ajo ishte Noemi e Galilesë, por që e ndërron emrin në Kalije. Dy dashuri të mëdha ka Tata: dashurinë për Kalijen dhe dashurinë për Zotin. Por Kalija vdes. I mbetur vetëm me dashurinë e Zotit, Tata ndihet i paplotë. Kështu, nisin mëkatet e tij: së pari bën ikona me fytyrën e Kalijes. Mëkati tjetër ndodh kur fle me një tjetër grua. Pas kësaj, hyu nuk e pranon në kishë. Atëherë, Tat Tanushi shpërthen në kundërshtime ndaj Zotit. Dhe Zoti e dënon me jetë: Tat Tanushi nuk mund të vdesë. I duhet të rrojë me shekuj, ndërkohë që vuan duke parë rrënimin e historisë. Për të gjetur udhën e Zotit, Tata niset drejt Apollonit të Ilirisë, ku do të rindërtojë kishën e lënë shekuj më parë. Pendesa e tij është kaq e thellë, sa pas shekujsh, hyu i fal atij qetësinë dhe vdekjen. Ndërsa Xheladin beu ishte modeli i njeriut të keq, Tat Tanushi është modeli i njeriut të përsosur. Rrugëtimi i Tat Tanushit “përbën një perlë të shkrimit shpirtëror e elegjiak”, thotë Sabri Hamiti. Në fokus të rrëfimit gjendet prova e njeriut të devotshëm, qëndresa e tij në raport me jetën e vdekjen nëpërmjet dashurisë tokësore.

Pastaj, Tat Tanushi ardhi e ndenji për një kohë të gjatë në shpellat e Zaumit, pranë manastirit të shenjtë të Kryeëngjëllit Mihail, që sot i thonë manastiri i Shenjt Naumit. Për ata që nuk e dinë ne po u themi se Shpellat edhe Manastiri i shenjtë gjenden buzë liqenit të Ahridës, rëzë malit që thuhet Mal i Thatë. Liqeri ka rreth e rrotull male të egra, që vishen me bar në pranverë e me dëborë në vjeshtë. Po lart mi kulme ngjet që dëbora të mbetet e pa tretur gjer në mezin e verës dyke u pasqyruar në ujra, në orët kur pasqyrohen malet. Shpellat janë pjesë të Malit të Thatë dhe vijnë thikë mbi ujra. Kur vala rreh themelet e tyre, ushëtima është e paprerë. I egër është vendi, po i butë peshku. Yj të artë shëndrijnë mi luspat e tija. Njerëzit e vëndit thonë se këta yj të artë janë thërrime nga yjt e qiellit që bjenë në liqer, po kjo e thënë nuk është e vërtetuar me saktësi mbasi askush s’ka zbritur brenda në ujra në orët kur këputen yjtë. Prandaj lëçitësit janë të lutur ta shqyrtojnë ata vetë këtë punë. Me këtë rast kanë për të parë me syt e tyre sa i kaltër është liqeri i Ahridës. Vetëm një të metë të madhe ka ky: bukurija e tij ndryshon shtinë më shtinë dhe në çdo
shtinë: ditë më ditë. Në këtë mënyrë, kur ti gëzohesh se e preke me sy njërën ngjyrë, ay e shkëmben befasisht-si një grua dhe duhet t’i ndjekësh ndryshmëritë që i merr fytyra. Po a ndiqet dot uji nëpër ujë dhe era nëpër erë që të ndiqet ças për ças bukurija e liqerit të Ahridës? Si vijë e përbashkët, zotëronjëse, në të katër shtinat, është kaltërsija: në shumë orë të ditës çdo gjë bëhet e kaltër: era, uji, qjelli, malet... Dhe jo vetëm malet që janë sipër mbi ujë, të varur, me kryet tatëpjetë. Atëherë goja mbetet pa zë dhe sytë s’nginjen dot dyke parë. Në orët kur perëndon djelli, pas shiut, ngjet që çdo gjë të marrë ngjyrën e ndezur të maresë, ngjyrën e flakës e të arit. Dhe kur ti llaftarisesh se u ndez era, ujët, malet e çdo gjë, ato të gjitha erren e këthehen në manushaqe, në gushpëllumbi e në shkrumb të shkrumbosur. Sa të largëta janë kufiret në shtinat e tjera aq të afërme bëhen në dimër kur zbret dëbora dhe ulet qjelli poshtë. Desha të flas e s’fola gjë as për ylberet dhe hënën mbi ujra, as për valët me shkumbë. Pra doemos lëçitësi duhet të marrë shkopin në dorë e t’i shohë të gjitha me syt e tija, në të katër shtinat e motit. Këtu ardhi qëndroj Tat Tanushi, si u lodh së prituri vdekjen në vënde të tjera.
STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Pasi ka bërë udhëtimin e tij të gjatë e të lodhshëm në shekuj, i dënuar të mos vdesë e të shohë gjithë rrënimin e historisë së njerëzimit, Tat Tanushi ka zgjedhur një vend shumë të bukur për të vdekur. Është fjala për liqenin e Ahridës, emri i vjetër i liqenit të Ohrit. Si e përshkruan historinë e këtij vendi rrëfyesi? Me cilat toponime e lidh ai atë? 2. Përshkrimi që i bën rrëfyesi peizazhit malor, ndërvepron me shqisat dhe zhurmat. Pse e bën autori këtë? Si lidhet ky synim me origjinën e Tat Tanushit? 3. Pas maleve përqark, rrëfyesi e fut lexuesin në liqen. Pse pamja rrëzëlluese jepet në formën e një ftese? Kush po e fton lexuesin të shkojë vetë të shohë kaltërsinë e liqenit? 4. Rrëfyesi duket si në delir kur përshkruan liqenin dhe, si një piktor, përdor fort ngjyrën e kaltër.
Cili është kuptimi që i jep ngjyrës së kaltër? Qëllimi i përshkrimit është vetëm imazhi apo edhe ndjesia? Argumentoni përgjigjen tuaj me të dhëna nga teksti. 5. Fjalia e fundit duket sikur e justifikon tërë përshkrimin e gjatë që rrëfyesi i bën vendit ku Tata ka zgjedhur për të vdekur. Si e kuptoni ju këtë justifikim? Pse e ndien nevojën të realizojë një pikturë kaq të bukur? Lidheni përgjigjen tuaj me frymën patriotike e atdhetare të veprës së
Kutelit.
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Ky fragment, një nga më të bukurit e letrave shqipe, në fakt është një tablo e realizuar me fjalë.
Peizazhi realizohet nëpërmjet ngjyrave. Gjeni në tekst fjalët kyçe ku mbështetet ndërtimi i tij.
Grupojini ato sipas ngjyrave. Shpjegoni efektin artistik që përftojnë penelatat e përdorura nga rrëfyesi-piktor.
7. Ndërtimi i këtij fragmenti realizohet në përputhje me arkitekturën e mjedisit që ai po përshkruan. Kthehuni në tekst dhe konkretizojeni këtë pohim duke sjellë ilustrime nga fragmenti. Shfrytëzoni llojin e fjalisë së përdorur dhe imazhin që sjellin paragrafët. 8. Edhe në këtë fragment, si në të gjithë veprat e Kutelit, ndeshim lojën e rrëfimtarit. Ai shfaqet i shumëfishtë. Lexoni në tekst fjalitë ku gjenden grupet: i thonë manastiri i Shenjt Naumit; thuhet
Mal i Thatë; kjo e thënë. Rrëfyesi, në këtë rast, nuk përcaktohet qartësisht. Çfarë lloj fjalie është përdorur në këtë rast? A të orienton lloji i fjalisë për të evidentuar llojin e rrëfyesit? Çfarë lidhjeje krijon ai me arkitekturën e fragmentit? 9. Ndërtimi i rrëfimit në fragment kalon në këto veta: ata – ne – ti – ju. Ky lloj procedimi stilistik është krejt i veçantë në prozën moderne shqipe. Lidhini vetat me rrëfyesin. Sa tipa rrëfyesish dallohen në këtë fragment? Si shfaqen ata në raport me rrëfimin (të dukshëm, të fshehtë, pjesëmarrës, orientues etj.) 10. Fragmenti ka një lëvizje të brendshme: ngjyra, zhurmë, jetë, gjallëri dhe shumë paqe. Cili është leksiku i përdorur për të realizuar një peizazh të tillë? Si do ta gruponit atë?
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Në paragrafin e dytë të fragmentit, rrëfyesi jep gjykimin e tij nëpërmjet epiteti metaforik male të egra, të cilin e shtjellon brenda paragrafit. Përshkruani ndjesinë që sjell ky përshkrim duke shpjeguar lidhjet e metaforave me relievin. Si ka arritur që brenda një fjalie rrëfimtari të paraqesë të katër stinët? Ndaluni te shprehësitë e figurave të krijuara. 12. Epiteti male të egra, i përdorur në paragrafin e parë, shërben si detaj për të krijuar kontrastin në paragrafin e dytë. Kthehuni në tekst. Lexoni fjalinë I egër është vendi, po i butë peshku. Rrëfimtari është i brendshëm tanimë dhe, për të realizuar imazhin e shndritshëm, përdor aliteracionin.
Analizoni si lidhet aliteracioni me ngjyrat. Çfarë nuance i jep aliteracioni së kaltrës? Si lidhet kjo me epitetin metaforik peshk i butë? 13. Kur flet për yjet mbi liqen, rrëfyesi ndikon të lexuesi nëpërmjet metaforave: shëndrijnë (yjtë) bjenë (yjtë) këputen (yjtë). Këto metafora të njëpasnjëshme realizojnë një trajektore. Foljet, pasi kanë dalë nga kuptimi i tyre i parë, na japin një trajektore lëvizjeje, një dinamikë imazhi, apo një integrim të të dyjave? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke shfrytëzuar funksionet e figurave stilistike të përdorura. 14. Rrëfyesi e personifikon liqenin në paragrafin e tretë, duke e dhënë këtë figurë në lëvizje: bukurija e tij ndryshon shtinë më shtinë dhe në çdo shtinë: ditë më ditë. Ai e ofron me figurën e gruas nëpërmjet krahasimit: kur ti gëzohesh se e preke me sy njërën ngjyrë, ay e shkëmben befasisht-si një grua dhe duhet t’i ndjekësh ndryshmëritë që i merr fytyra. Lidhe shkallëzimin zbritës të fjalisë së parë me personifikimin e fjalisë së dytë. Si konkretizohet imazhi, në lëvizje apo statik? Cilat janë fjalët që e ndihmojnë në këtë proces? 15. Aliteracioni i krijuar në këtë grup fjalësh në manushaqe, në gushpëllumbi e në shkrumb të shkrumbosur, lëviz tingullin sh, duke krijuar imazhin e natës së thellë (të shkrumbuar, të bërë shkrumb, të zezë të thellë) mbi liqen. Ndjesitë që rrëfyesi sugjeron kalojnë nëpërmjet figurave që vijojnë: goja mbetet pa zë dhe sytë s’nginjen dot dyke parë. Identifikoni këto figura dhe zbuloni lidhjen e tyre me fjalorin popullor. Pse zgjodhi këtë vend Tat Tanushi për të vdekur?
Nga teksti te përdorimi
16. Në fjalinë vishen me bar në pranverë e me dëborë në vjeshtë vërejmë përdorimin e foljes vishen.
Argumentoni përmasën hapësinore që synon folja në këtë përdorim. Në funksion kallëzuesi, folja merr dy plotësa: me bar në pranverë e me dëborë në vjeshtë. Si e plotësojnë imazhin e peizazhit këto dy gjymtyrë homogjene? Cilat ngjyra merr hapësira rreth liqenit? 17. Rrëfyesi, siç e kemi thënë, ka kaluar në disa veta, pra në disa kënde rrëfimi. Në paragrafin e dytë veçojmë fjalën lutëse të rrëfyesit: lëçitësit janë të lutur ta shqyrtojnë... Vendoseni fjalinë në kontekst. Si ndikon konteksti në këndin e rrëfimit? A e zhvendos rrëfyesin fjalia që veçuam? 18. Përshkrimi që i bën autori Liqenit të krijon imazhin e një gruaje të bukur, lozonjare, e cila është tepër tunduese me shndërrimet që ofron. Nga ana tjetër, në nisje të përshkrimit, Kuteli e quan
“ky”, duke iu referuar liqenit në mashkullore. A konsiderohet kjo mungesë koherence? Arrin kjo mospërputhje të shpërbëjë vijimësinë e mendimit dhe të shformojë imazhin? Pse? 19. Keni bërë tashmë një inventar të fjalëve që tregojnë ngjyra. Rigrupojini ato sipas përshkrimit të stinëve. Ju do të gjeni imazhin e liqenit në çdo stinë. Përdorni lapsa me ngjyra dhe përpiquni të vizatoni liqenin, sipas përshkrimit të Kutelit. Diskutoni mes jush se si do arrini t’i realizoni ngjyrat për të qenë sa më afër përshkrimit. 20. Në hyrje dhe mbyllje të fragmentit, autori përdor reciprokisht grupet ardhi e ndenji -ardhi qëndroj. Argumentoni se kalimi nga folja ndenji te folja qëndroi lidhet me dy arsye: bukurinë e liqenit të Ohrit, vendimin e Tatës për të vdekur në një vend të përshtatshëm. Shfrytëzoni edhe të tjera të dhëna nga novela.
Nga teksti te reflektimi
21. Në këtë fragment janë përdorur shumë ngjyrat. Në perceptimin tuaj, çfarë arrin të japë rrëfimtari përmes ngjyrave? A është i domosdoshëm një përshkrim i tillë? 22. Përpiquni ta shihni liqenin e Ohrit me sytë e Tat Tanushit. Si do t’ju dukej ky vend pas një udhëtimi të gjatë në vende dhe kohë? 23. Reflektoni mbi thënien Atëherë goja mbetet pa zë dhe sytë s’nginjen dot dyke parë. Më shpesh këtë e ndeshim në formën e frazeologjisë: i iku goja dhe i mbetën sytë. Si do t’i përshkruani ndjesitë e njeriut që ndodhet në një gjendje të tillë? Nga buron e gjitha kjo? 24. Sa ngacmon te ju ndjenjën e krenarisë kombëtare ky përshkrim? 25. Po të mbyllni sytë e të bëni një udhëtim imagjinar nëpër vendet që tregon rrëfimtari, keni vizatuar hartën e mrekullueshme të një pjese të Shqipërisë, e cila sot nuk i përket më truallit shqiptar. A ndieni keqardhje për këtë padrejtësi që i është bërë në shekuj popullit shqiptar?
Nga teksti te të shkruarit
26. Kur lexuesi mendon se ka vizituar një peizazh të mrekullueshëm, ndeshet me pohimin e rrëfyesit: desha të flas e s’fola gjë... Niseni rileximin aty ku ndërpritet kjo thënie. Argumentoni nëpërmjet një eseje përshkruese atë çka ka thënë në vijim rrëfyesi. Zgjeroni thëniet e rrëfyesit, duke iu shtuar detaje të tjera nga imazhi që keni për liqenin e Ohrit. 27. A vijon të mbetet po kaq i bukur sa na e përshkruan Kuteli?
M. Kuteli
ILUSTRIM LETRAR
Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit
Në rrëfimin i Kutelit, interes të veçantë zë edhe koncepti i kohës, duke shkrirë shpeshherë dallimin mes së tashmes, së shkuarës e së ardhmes, pasi rëndësi merr marrëdhënia e kohës me përjetësinë dhe reflektimi mbi të. Kështu, edhe Ago Jakupi ecën në vite kohe, të cilat, në fakt, janë vite jete. Nëpër kohën që rrjedh e pafund, Ago Jakupi bën dallimin mes së tashmes dhe së ardhmes, kur gjen një pikë fikse për t’i ndarë këto hapësira abstrakte. Ky proces është kalimi nga një gjendje e Ago Jakupit në një tjetër gjendje. Edhe rrëfimi “Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit” na paraqet një personazh drejt përsosjes hyjnore. Në moshë të thyer, Ago Jakupit i shfaqet në ëndërr një engjëll i cili e fton në vetëpërsosjen morale. Dhe kështu, plaku, i cili duket se në këtë çast ka zanafillën e një jete të re morale, nis udhën e “të bëri mirë”: ndërton ujësjellës, mëson të falë, dhuron, me pak fjalë është një rinisje e jetës së tij drejt përmirësimit moral. Do të ishte tepër e thjeshtë gjithë historia e parabolës morale të Ago Jakupit, sikur të mos ishte mënyra magjike e rrëfimit të Kutelit.
Buzë pranvere, kur rin bari e blerojnë arat, agai ndjeu se po i vishen sytë e nuk shquante mirë sendet. – Mjaft rrojta, tha me vete, tani duhet të çlodhem. Po nuk u çlodh.
... Ziente shtëpia si bleta nga fëmijët. E rrethuan, e përqafuan, e përgëzuan. – Më rrofshi, biro, rrofshi e m’u shtofshi si bleta. Doli një nuse – dy muaj martuar – edhe i largoi. Fëmijët shkuan të lozin me zhurmë të madhe.
... – Të më bësh, moj nuse, një përshesh me qumësht. Me bukë misri, moj bijë, se është më i lehtë. Ashtu më të gëzoftë zoti me një djalë. Nusja u skuq si lulja e kuqe edhe hyri brenda. Doli një nuse tjetër nga më të vjetrat që i dinte mirë punët e qeverinë e shtëpisë. – Ti nus’ e Zyferit je-a? – Unë, baba, unë. – Hej, më të mbajttë e të shtoftë zoti. Uronte agai, gjithë me emrin e zotit në gojë. Pastaj foli rishtaz: – As më nxir, moj nuse, ato dërrasat e varrit e mi vër në diell, të thahen. Qeshi zonja.

– Ç’të shkon ndër mend, baba, ne mezi të kemi, të na rrosh gjer të rriten fëmija e t’i martojmë. – Helbete, moj nuse, mysafirë jemi – vijmë e shkojmë se e jep emër zoti. Po bëri emër, do rroj, po jo, jo. Më nxirr, në më do, ato dërrasat. I sollën qumështin me bukë misri. Hëngri. Bekoi, bekoi - të mëdhenj e të vegjël. Dërrasat ishin në diell. Shtruan mbi to një rrogoz të ri, që e kish blerë vetë agai. I ëmbël fort ish ky diell i pranverës: të shkrin. Agai ra të çlodhet. Pastaj foli: – Të m’i sillni fëmijët t’i shoh dhe një herë, se më ka zënë malli. Dërgoni të vijnë djemtë nga arat e nga mali, se kam disa fjalë t’u them. I sollën fëmijët. Një bletë e plotë. Ca më këmbë, ca më krahë, ca më djep. Zhurmë e madhe – po zhurma, i pëlqente agait. I përgëzoi, i uroi, i largoi. Erdhë djemtë. – Mua të ma falni, o djem, se unë kaq e pata. Helbete, kam punuar edhe mirë edhe keq. Ma bëni hallall, se mua m’u mbarua vaji i kandiles. Agai fliste e qeshte. Nxori pastaj nga beli një qemer e ia hodhi në duar të madhit. Nxori qesen, nxori sahatin me qostek. – Këto nuk më duhen atje ku do vete. T’i kini së bashku e të duheni vëlla me vëlla. Këtë ua lë amanet si gur mulliri. Pastaj: – Tashi do çlodhem, tha, se jam i lodhur e më vishen sytë. Edhe u shtri në rrogoz, mbi pllashtat e vdekjes, që i kish punuar vetë dora e tij. Edhe pastaj, sa ndizet e shuhet vetëtima, Ago Jakupi mbylli sytë. Edhe u shtua në të shumët, në të mirët.
Pikturë nga Otokar Çila
Nga teksti te kuptimi
1. Në këtë fragment, Ago Jakupi është në fund të jetës së tij. Ai ka gjetur paqe me veten dhe është i lumtur. Në cilën stinë të vitit vjen kjo gjendje e Ago Jakupit? Pse? 2. Ago Jakupi është i rrethuar nga fëmijët dhe nuset e djemve. Si shfaqet dialogu mes tyre? Çfarë mesazhi u përcjell plaku atyre? 3. Nuset e djemve dhe vjehrri i tyre kanë një komunikim të veçantë që të kujton traditat dhe zakonet shqiptare. Ilustrojeni me pjesë nga teksti këtë pohim. Cilat vlera të familjes shqiptare shfaqen në to? 4. Në rrëfim shfaqet një paqe e plotë e Ago Jakupit me vdekjen. Cilat janë momentet në tekst ku kjo është më e dukshme? Identifikoni një detaj të veçantë që rrëfimtari ta komunikon ty si lexues. 5. Ago Jakupi do që të vdesë mes nipërve e mbesave, nuseve e djemve. A është kjo një ikje e bukur? Pse? Ç’amanet e ç’pasuri u lë ai djemve?
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Fragmenti është i ndërtuar mbi dy ligjërata: ligjërata e zhdrejtë, ku flet rrëfimtari dhe ligjërata e drejtë, ku personazhi kryesor dialogon me personazhet dytësore. Si shfaqet gjuha e rrëfimtarit?
A ka ajo takime me gjuhën folklorike? Nëse po, ku ndryshon me të? Po dialogu, në cilin dialekt zhvillohet? 7. Rrëfimi i Kuteli përdor dy këndvështrime në lidhje me personazhin kryesor: herë si rrëfimtar objektiv e herë si ligjërues. Evidentojini këto dy forma në fragment dhe thoni si lidhen ato mes tyre. Po me vetë Ago Jakupin? 8. Si shfaqet rrëfimtari në këtë fragment: si gjykues dhe orientues i lexuesit; si rrëfimtar i jashtëm që nuk jep mendim; të dyja bashkë. Ilustrojeni me pjesë nga teksti përgjigjen tuaj. 9. Shpesh dialogët ndërpriten me fjali të shkurtra, herë dykryegjymtyrëshe e herë njëkryegjymtyrëshe. Si ndikojnë këto fjali në rrëfim? Po në tempin e të lexuarit? 10. Fjalitë, ashtu si dialogun, autori i vendos njëra pas tjetrës duke krijuar idenë e një kolone. Kjo zgjedhje lidhet me strukturimin e fragmentit sipas dinamikës së lëvizjeve të plakut. Shpjegoni këto lëvizje duke shfrytëzuar vendosjen e fjalive.
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Fragmenti nis me grupin buzë pranvere. Cilës figurë stilistike i takon ky grupim? Përcaktoni fjalën që mban peshën e figurës së krijuar. Çfarë ngarkese të re kuptimore ka fituar ajo? Cilat ndjesi estetike përcjell? 12. Vëreni me kujdes shkallëzimin ngjitës: E rrethuan, e përqafuan, e përgëzuan. Argumentoni se përse ky numërim ka funksionet e shkallëzimit ngjitës. Cila nga ndjesitë që përcjellin foljet përcakton shkallën më të lartë të vlerësimit. Pse? Lidheni me të dhëna nga tregimi.
13. Ndaluni në fjalinë Ziente shtëpia si bleta nga fëmijët. Rrëfimtari përdor dy figura të stilistikës njëra pas tjetrës. E para është metafora dhe i dyti, krahasimi. Shpjegoni metaforën duke u ndalur te dinamika që përcjell folja ziente. Çfarë imazhi krijon ajo? Përshkruajeni me fjalë. Pse e krahason me bletën? Përdorimi në numrin njëjës i fjalës bleta dhe në shumës i fjalës fëmijët e bën më konkret imazhin. Shpjegojeni atë duke pasur në vëmendje figurat që përdor folklori shqiptar. 14. Në fjalinë Dërrasat ishin në diell, vërehet përdorimi i fjalës dërrasa në vend të fjalës arkivol, duke na dëshmuar edhe një proces specifik me të cilin varroseshin njerëzit në këtë krahinë. E gjitha kjo realizohet gjuhësisht nëpërmjet figurës së sinekdokës. Ky përdorim, i zakonshëm jo vetëm në gjuhën shqipe, lidhet me mentalitetin e popujve. Duke shfrytëzuar informacione paraprake mbi këtë figurë, shpjegoni cili është mentaliteti që përcillet dhe si lidhet ky me fabulën e tregimit. 15. Pohimi i Ago Jakupit mua m’u mbarua vaji i kandiles, i përket ligjërimit të shkujdesur dhe është një mënyrë për të treguar se jetës së tij po i vinte fundi. Si lidhet procesi i vajit të kandilit me jetën njerëzore? Krahasoni qetësinë dhe paqen, në të cilën shuhet flaka e kandilit me mënyrën se si vdes Ago Jakupi. Ndaluni tek anafora që mbyll fragmentin. Çfarë kuptimesh merr lidhëza bashkërenditëse? Si lidhet ky kuptim me mënyrën e rrëfimit dhe me mesazhin që përcjell autori?
Nga teksti te përdorimi
16. Në një pikë të caktuar të jetës së tij, ne mësojmë në tregim se Ago Jakupi gjen rrugën e Zotit dhe nis një lloj pastrimi shpirtëror në kërkim të gjetjes së paqes së fundit. Takimin me vdekjen,
Kuteli e projekton si mbarim të udhëtimit tokësor, si çlodhje. Përcaktoni kuptimin e parë të fjalës çlodhje në gjuhën shqipe. Krahasojeni me kuptimin që merr kjo fjalë në këtë përdorim. Si lidhet ajo me synimin e Kutelit? 17. Në këtë moment të fundit të jetës, duket sikur Ago Jakupi ka për të bërë edhe një udhëtim tjetër të vogël. Për ta kuptuar këtë, ndaluni në tri përdorimet e foljes çlodhem: duhet të çlodhem - po nuk u çlodh - tashi do çlodhem. Në të tria rastet e përdorimit, format e foljes marrin nuanca kuptimore lehtësisht të ndryshme. Si lidhet ky ndryshim kuptimor me amanetin e Ago Jakupit?
Argumentojeni duke vlerësuar përdorimin e ndajfoljes tashi. 18. Në fjalën e Ago Jakupit vërejmë përdorimin e trajtës së shkurtër në rasën dhanore, më/m’i, e cila quhet ndryshe dhanore etike dhe rrëfen një marrëdhënie specifike mes folësit dhe referentit: më rrofshi, të na rrosh. Pasi të përcaktoni se cili është referenti në çdo kontekst përdorimi, tregoni llojin e marrëdhënies. Çfarë ndjesish ju përcjell përdorimi i dhanores etike? 19. Ago Jakupi përdor fjali në mënyrën dëshirore, duke shpërndarë urime në ligjërimin e tij. Lidhni urimet e plakut me referentët sipas kontekstit. Çfarë përcjellin ato? Me se i lidh urimet e tij Ago
Jakupi? Si lidhet kjo me traditat dhe zakonet e shqiptarëve? 20. Mënyra se si vdes (çlodhet) Ago Jakupi të kujton mënyrën se si vdes Tat Tanushi. Duke i njohur të dyja personazhet, argumentoni se çfarë i bashkon ata në udhëtimet përkatëse tokësore.
Drejt cilit udhëtim nisen ata dhe çfarë ndjesish përcjellin te ju si lexues ikje të tilla?
Nga teksti te reflektimi
21. Rrëfimtari krahason familjen me fëmijë me bletën: u shtofshi si bleta; një bletë e plotë. Pse pikërisht me bletën? Pse përcjell mentalitetin e popullit tonë ky urim? 22. Çfarë ju përcjell mënyra se si dialogon plaku me nuset? Ju duket familjar si dialog? 23. Si do ta përshkruanit si gjysh Ago Jakupin? A do të donit të ishit edhe ju një nga nipërit e tij?
Pse? 24. Si ndikon te ju si lexues gjithë rrugëtimi që bëri Ago Jakupi në një moment të caktuar të jetës së tij? A është një model që duhet ndjekur? 25. Në këtë fragment dallohen vlerat dhe traditat e familjes shqiptare. Vazhdojnë të jetojnë edhe sot këto vlera? A kanë ndryshuar ato? Nëse po, si kanë ndryshuar? 26. Në një pikë të caktuar të jetës së tij, ne mësojmë në tregim se Ago Jakupi gjen rrugën e Zotit dhe nis një lloj pastrimi shpirtëror në kërkim të gjetjes së paqes së fundit. Takimin me vdekjen,
Kuteli e projekton si mbarim të udhëtimit tokësor, si çlodhje. Përcaktoni kuptimin e parë të fjalës çlodhje në gjuhën shqipe. Krahasojeni me kuptimin që merr kjo fjalë në këtë përdorim.
Si lidhet ajo me synimin e Kutelit? 27. Në këtë moment të fundit të jetës, duket sikur Ago Jakupi ka për të bërë edhe një udhëtim tjetër të vogël. Për ta kuptuar këtë, ndaluni në tri përdorimet e foljes çlodhem: duhet të çlodhem - po nuk u çlodh - tashi do çlodhem. Në të tria rastet e përdorimit, format e foljes marrin nuanca kuptimore lehtësisht të ndryshme. Si lidhet ky ndryshim kuptimor me amanetin e Ago
Jakupit? Argumentojeni duke vlerësuar përdorimin e ndajfoljes tashi. 28. Në fjalën e Ago Jakupit vërejmë përdorimin e trajtës së shkurtër në rasën dhanore, më/m’i, e cila quhet ndryshe dhanore etike dhe rrëfen një marrëdhënie specifike mes folësit dhe referentit: më rrofshi, të na rrosh. Pasi të përcaktoni se cili është referenti në çdo kontekst përdorimi, tregoni llojin e marrëdhënies. Çfarë ndjesish ju përcjell përdorimi i dhanores etike? 29. Ago Jakupi përdor fjali në mënyrën dëshirore, duke shpërndarë urime në ligjërimin e tij. Lidhni urimet e plakut me referentët sipas kontekstit. Çfarë përcjellin ato? Me se i lidh urimet e tij Ago
Jakupi? Si lidhet kjo me traditat dhe zakonet e shqiptarëve? 30. Mënyra se si vdes (çlodhet) Ago Jakupi të kujton mënyrën se si vdes Tat Tanushi. Duke i njohur të dyja personazhet, argumentoni se çfarë i bashkon ata në udhëtimet përkatëse tokësore.
Drejt cilit udhëtim nisen ata dhe çfarë ndjesish përcjellin te ju si lexues ikje të tilla?
Nga teksti te të shkruarit
31. Ndërsa Ago Jakupi vdes në pranverë, Xheladin Beu vdes në vjeshtë. Tat Tanushi e kërkon dhe mezi e pret vdekjen, Ago Jakupi vdes i qeshur, ndërsa Xheladin beu vdes i çmendur. Duke shfrytëzuar të dhëna nga të tria tekstet, shkruani një ese ku të krahasoni takimet dhe dallimet e tri personazheve. Lidheni këtë me: momentin e kthesës së jetës së secilit personazh; me kohën kur ndodh kthesa; me përfaqësimin social të secilit; me mesazhin që përcjell secili prej tyre.