7 minute read

Poezia arbëreshe

Letërsi POEZIA ARBËRESHE

Letërsia arbëreshe (ose arbërishte) zë një vend të rëndësishëm në kulturën tonë në përgjithësi dhe në fondin tonë letrar më të përzgjedhur, në veçanti. Përfaqësuesit e saj, megjithëse në distancë hapësinore me tokën amë, nuk i kanë shkëputur lidhjet me të. Madje produkti i tyre letrar krijoi ura virtuale komunikimi edhe në momente kritike politike izolimi të Shqipërisë e Kosovës. Paraprakisht, duhet theksuar se letërsia arbëreshe në periudha të caktuara ka qenë edhe paraprijëse e fenomeneve letrare mjaft të rëndësishme për letërsinë në dheun amë (Jeronim De Rada, Zef Serembe, Xhuzepe Skiro etj.). Kështu, këta autorë studiohen në letërsinë shqipe si autorë përfaqësues të romantizmit shqiptar në përgjithësi e jo vetëm të atij arbëresh. Në veprën e tyre, ashtu si dhe të autorëve të tjerë të kësaj periudhe, u dalluan tiparet kryesore, që u vunë re edhe te shkrimtarët e tjerë romantikë shqiptarë brenda trojeve (evokimi i së kaluarës, historisë, kulturës së saj, heronjve antikë e të mesjetës, adhurimi me nota të larta thirrmore i atdheut, mbështetja në motive të folklorit etj.). Periudha pas Luftës së Dytë Botërore krijoi një barrierë tjetër veç asaj hapësinore në komunikimin mes letërsisë së trojeve amtare dhe asaj arbëreshe. Zhvillimet politike e izoluan thuajse tërësisht këtë komunikim (megjithëse shkrimtarët arbëreshë të periudhës së Rilindjes u studiuan në shkolla).

Advertisement

Zef Skiro di Maxho Letërsia arbëreshe e kësaj kohe, gjithsesi, vazhdoi të lëvrohej. Ajo u përfaqësua nga emra të tillë, si: Zef Skiro di Maxho (Giuseppe Schirò Di Maggio, 1944), Vorea Ujko, Dushko Vetmo, Lluka Perone, Kate Cukaro, Agostin Jordani etj. Në veprat e këtyre shkrimtarëve dallohet përpjekja për të afirmuar identitetin arbëresh dhe trysnia e asimilimit si gjuhë e si origjinë. Një gjë e tillë pohohet edhe nga kritika që vë re së në veprat e shkrimtarëve arbëreshë dallohen tri tendenca ose tri poetika: e para ka lidhje me etninë si metaforë, e dyta i referohet vendit si metaforë dhe e treta, tokës si metaforë (ky konstatim bëhet në kritika të botuara në lidhje me librin e Xhuzepe Skiro di Maxhos “Metaforë”, 1990). Në fakt, të tria përmblidhen me konceptin e vendit. Nga pikëpamja stilistike është e dallueshme prirja e përdorimit të varianteve

arkaike të shqipes si një tendencë e rikonfirmimit të identitetit vetjak e kolektiv të të gjithë etnisë arbëreshe. Këto variante nuk ishin thjesht shfaqje gjuhësore të përdorura në poezi, por ato përfaqësonin njëkohësisht realitete sociolinguistike që lidheshin me traditën folklorike, zakonet, ritet e tyre. Duhet thënë se pas viteve ‘70-të u vu re prirja e përdorimit në poezi të standardit si variant, përsëri në funksion të vetidentifikimit me atdheun, një mënyrë kjo që mundohej të zbuste trysnisë asimiluese nga kultura e vendit ku jetojnë. Qenia arbëreshe u pa në këto poezi me gjithë shqetësimet e saj identitare, ekzistenciale etj. Madje, në jo pak raste, ato u gërshetuan së bashku si pjesë e konstitucionit shpirtëror të kësaj qenieje.

Në poezinë më poshtë, të shkëputur nga libri “Metaforë” i Di Maxhos, trajtohet pikërisht tematika që ka të bëjë me trysninë globalizuese e asimiluese. Në këtë poezi, përmes një metonimie (Europa për kulturën europiane, globalizmin) të realizuar nga fjala Europë, përcillet mesazhi se ky proces njëjtësimi, unifikimi, globalizmi po vjen (do të vijë). Megjithatë, poeti vizaton imazhin e takimit të qenies arbëreshe pa emër me këtë realitet aq të dëshiruar (me ngjyra, me kufij të hapur, me banka, pasuri etj.) në mënyrë shumë origjinale. Qenia arbëreshe është e veshur me kostumin kombëtar dhe me kanistrat e produkteve të prodhuara në vendin e vet, pra, kjo qenie shfaqet e veshur me identitetin individual që përfshin atë që përfaqësohet nga vendi ku jeton, toka, po edhe nga traditat që e lidhin me origjinën. Në fund, notat e këtij imazhi përmbyllen me një metaforë të mrekullueshme me anë të së cilës ai i drejtohet qenies arbëreshe që Evropës nuk mund t’i ofrojë (siç bëri me produktet) privilegjin e tij të vjetër, fjalën (gjuhën) arbëreshe, që është dhuratë e shpirtit. Në këtë mënyrë, autori i përcjell lexuesit një poezi identitare, me mesazhe të forta adhurimi të qenies brenda tij, ku janë skalitur në vetëdije origjina (veshjet, gjuha), vendi ku jeton dhe toka, në kuptimin universal (produktet).

Evropa me mijëra ngjyra Evropa e kufijvet të hapur Evropa e gjuhëvet Evropa e bankavet Evropa e së ardhmes do të vinjë edhe këtu. Mikpritës i përpiktë, do të veshësh tët bijë me kostumin tradicional e do t’e dërgosh te sheshi kryesor me kanistrën më të re t’i dhuronjë Evropës sa dheu yt prodhon vaj verë djathëra. S’ mund t’i dhuronjë, vajza jote e pafajshme, shëngun e privilegjit tënd më të vjetër fjalën arbëreshe të bjerrë dhuratë të shpirtit. (Xh. S. Di Maxho)

Motivi i mallit për atdheun e më saktësisht, për atdheun e origjinës trajtohet edhe nga Vorea Ujko në poezinë më poshtë, në të cilën i drejtohet nënës Shqipëri me mall të papërshkrueshëm, që t’i hapë derën e të mos qajë, pasi mjaftojnë lotët që ka derdhur ajo për bijtë gjatë shekujve. Në këtë mënyrë, shkrimtari dëshmon me anë të toneve mallëngjyese fatin e qenies arbëreshe ndër shekuj, si dhe mallin e pashuar që trashëgohet brez pas brezi si një pjesë e vetëdijes së kësaj qenieje në çdo kohë.

HAPMA DERËN ZONJA MËMË Edhe sivjet, moj nënë, nga mërgimi i shkretë, më dogji malli për ty. Unë e di që ti e pritje birin tënd të largët, e qave fshehurazi kur s’pate mundësi ta përqafoje. Ndjemë, o e paharruara, mos qaj, pse mjafton sa qave për bijtë gjatë shekujve. Ti e di, nënë Shqipëri, që unë s’kam asnjë faj nëse jetoj larg teje, ashtu ka qenë fati i shkretë, e është kot t’i kujtojmë hallet. Erërat kanë fryrë mbi mua, dëborat kanë rënë mbi mua, si edhe mbi kokën tënde, por përmes erërave e dëborërave fytyra jote e largët më forcoi e ngushëlloi.

Verifikoni njohuritë

1. Zhvillimet politike në Shqipëri e Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore krijuan një realitet të izoluar që mbylli shumë ura komunikimi. Cili qe roli i letërsisë arbëreshe në këtë kontekst? 2. A ka qenë letërsia arbëreshe më e lidhur me atë të trojeve etnike para Luftës së Dytë Botërore? 3. Cilat qenë tri konceptet kryesore (poetikat) që u dalluan në poezinë arbëreshe? A kishin lidhje organike mes tyre? 4. Cilat variante gjuhësore u përdorën në veprat e shkrimtarëve arbëreshë të kësaj kohe? A u lidh kjo me preferenca personale, apo me qëllim vetidentifikimin? 5. Cili motiv shfaqet në poezinë e Xhuzepe Skiro Di Maxhos? A del ai jashtë tematikës së trajtuar në përgjithësi në poezinë arbëreshe? Cila është e veçanta këtë herë? (Kini parasysh edhe metoniminë e përdorur.). 6. Cili është motivi që trajtohet në poezinë e Ujkos? Gjeni pjesët që identifikojnë historinë e përsëritur. Dalloni në fund pjesën që tregon se pse ai i drejtohet imazhit të nënës Shqipëri.

Ushtroni mendimin kritik

7. Në mësim u tha se letërsia qe një urë virtuale komunikimi edhe në periudhën e izolimit të trojeve etnike. Diskutoni në lidhje me rolin e letërsisë si një mjet mjaft i rëndësishëm në aspektin e komunikimit njerëzor. Përqendrohuni në ndikimet letrare mes letërsive të etnive të ndryshme (Gjeni informacion dhe diskutoni mbi ngjashmëritë në eposet ballkanike p.sh.). 8. Shkrimtarët arbëreshë të çdo kohe kanë motiv të përhershëm mallin dhe adhurimin për atdheun e origjinës, për kulturën e veçanërisht, gjuhën e tij. Kjo lidhet edhe me vetidentifikimin si kolektiv, si dhe me pengesat ndaj asimilimit si kulturë. Po në Kosovë a ka qenë kultura, letërsia, arti dhe gjuha shqipe një element që është përdorur në këtë funksion në kohë të caktuara? Diskutoni dhe ilustroni me shembuj. 9. Globalizmi është një fenomen që po prek jo vetëm qenien arbëreshe, po edhe atë shqiptare në tërësi. Diskutoni në lidhje me efektet e tij pozitive dhe negative në aspektin e kulturës, letërsisë, gjuhës dhe artit në përgjithësi. 10. Një rol mjaft të rëndësishëm në formimin e kulturës arbëreshe kanë luajtur edhe katedrat e gjuhës dhe kulturës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, të Palermos, të Napolit etj.

Gjeni informacion në lidhje me punën e tyre dhe diskutoni për kontributet e studiuesve bashkëkohorë, si: Mateo Mandala, Françesko Altimari, Italo Fortino etj. 11. Edhe autorët shqiptarë i janë referuar në veprat e tyre kulturës arbëreshe. Gjeni raste të trajtimit të saj në letërsi dhe gjuhësi (Camaj, Çabej etj.). Diskutoni në lidhje me ta.

Sfida e të shkruarit

12. Poezia në vijim është shkruar nga Vorea Ujko. Shkruani një tekst, ku të përshkruani motivin dhe të dalloni stilin me të cilin është shkruar ajo (dalloni metaforat e mrekullueshme, metoniminë dhe mallin për atdhe, enumeracionin etj.). NJË GRUSHT DHE Një grusht dhe të tokës sime: baltë, shi, stuhi, diell aromë e freskët kashte dhe bukë të munduar. Kam një grusht dhe të tokës sime, që më thërret, në dorë.

This article is from: