18 minute read

Frederik Rreshpja

Letërsi

Frederik Rreshpja

Advertisement

Frederik Rreshpja është vlerësuar si një nga poetët e rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX. Poezia e tij karakterizohet nga një ndjeshmëri e lartë dhe figuracion mahnitës e shumë i veçantë për poezinë shqipe. Shkroi kryesisht poezi, por gjithashtu nën emrin e tij dolën edhe krijime në prozë, dramaturgji, eseistikë dhe publicistikë. Nga krijimtaria e tij mund të përmendim përmbledhjet poetike: “Rapsodi shqiptare” (1968), “Në këtë qytet” (1973), “Enise, Enise” (botuar në Prishtinë, 1975), “Erdhi ora të vdes përsëri” (1994), “Lirika të zgjedhura” (1996), “Vetmi” (2004); romanin “Zëri i largët i kasolles” (1972); dramën “Ëndrra e gurit” (1971); esenë letrare “Marrëzia e Itakës” etj.

Karakteristikat e krijimtarisë së Frederik Rreshpjes në dy periudha: para dhe pas viteve ‘90

Krijimtaria e poetit Frederik Rreshpja shtrihet në dy periudha kohore. Në atë të para viteve ’90, me dy përmbledhjet poetike “Rapsodi shqiptare” dhe “Në këtë qytet”, në të cilat temat kryesore që do të lëvronte do të përkonin përgjithësisht me ato që qarkullonin në letërsinë zyrtare të kohës: temat e aksionit, e ndërtimit të hidrocentraleve, e heronjve, e formimit të njeriut të ri, temat me ndikim nga folklori etj. Ndërkohë, forma e shprehjes, me të cilin përcilleshin këto tema, nuk ishte e afërt me formatin e ligjërimit të poezisë së kohës. Për më tepër, ndihej vëmendja që

Rreshpja i kushtonte formës, më shumë se idesë, përmbajtjes. Kjo shmangie që poeti bënte në ligjërim qe pikasur dhe dënuar nga kritika zyrtare. Kështu, në një shkrim redaksional të revistës

“Nëntori”, të vitit 1973, me titull “Probleme të poezisë sonë” dhe nëntitull “Kundër ndikimeve të huaja në poezi”, teksa flitet për një diskutim krijues të marsit të atij viti në Lidhjen e Shkrimtarëve të

Shqipërisë, ndër të tjera, gjejmë edhe këtë gjykim: Rendja pas figurave e ka çuar ndonjë poet (është fjala për poetin Frederik Rreshpja) gjer atje sa të spostojë mendimin dhe të nxjerrë figurën në plan të parë. Kjo e bën poezinë të tingëllojë krejt formaliste. Ja një shembull i tillë:

Mane të varrosën në muzg Kali yt që u bë vjeshtë

Hëngri gjelbërimin e pyllit Dhe befas u bë dimër. Është fjala për poezinë “Mane” të Frederik Rreshpjes, e cila mbyll periudhën e parë të kësaj krijimtarie dhe shërben si hallkë lidhëse për atë që do të ringjallet pas viteve ’90. Sidoqoftë, edhe në këtë periudhë të parë, poeti ndodh edhe që t’u ikë temave të imponuara, duke ndërtuar zërin e tij unik, pamjet e thjeshta të sendeve ngrihen deri në simbole, prej nga i bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera. Kjo është e para gjë që të vjen ndër mend kur lexon poezinë e Frederik Rreshpjes, një ndjesi që bëhet mbizotëruese në periudhën e dytë të krijimtarisë, ku duhet të flasim me një gjuhë tjetër, sepse tashmë jemi çliruar nga kompleksi tematik. Pas vitit ‘73, afërsisht për gati 17 vite, poetit do t’i privohet liria dhe e drejta e botimit nga regjimi i kohës. Vetëm në fillim të viteve ‘90, pas rënies së sistemit komunist, Rreshpja ka mundësi t’i kthehet botimit të krijimeve të tij. Kjo përbën edhe fazën e dytë të krijimtarisë së poetit.

Vetëm vitet ‘90 dhanë atë liri që i shërbeu gjetjes së zërit të mirëfilltë të poetit. Dallimi në tematikë do të sjellë edhe dallimin në pikëpamjen e realizimit të tekstit, sepse kur mbaron leximi i kësaj poezie, na vjen menjëherë ndër mend mënyra e ndërtimit të saj. Si çdo shkollë poetike, edhe krijimtaria e

Rreshpjes shpjegohet vetëm brenda kodesh të caktuara, vetëm brenda atyre kodeve që e afirmojnë.

Temat e periudhës së dytë: humbja, pikëllimi, vetmia etj.

Tema e fëmijërisë, braktisjes, humbjes, pikëllimit, vetmisë, mallkimit, janë ato që përshkojnë pothuajse gati të gjitha poezitë e të tria vëllimeve të kësaj periudhe: “Erdhi ora të vdes përsëri”, “Lirika të zgjedhura” dhe “Vetmi”. Këto tema, sidomos ajo e vetmisë, humbjes, pikëllimit, vijnë si gjendje gati të vazhdueshme, në të cilat ndodhet poeti në marrëdhënien e tij me njerëzit dhe botën. Përvojat e privimit të lirisë gjatë diktaturës, përvojat e tëhuajzimit të tij nga bota dhe botës nga ai, përvoja e të ndjerit i pakuptuar edhe si njeri, edhe si artist prodhojnë këtë poezi. “Ngado që sillem, pikëllimi është aty te porta/ dhe prapëson shpirtrat”, shkruan poeti te poezia “Kthehu”. Bindja se është ndryshe nga të tjerët, se është poet i shënjuar me talentin që e privon nga marrëdhëniet e zakonshme me botën, për një marrëdhënie të pazakontë që vjen nga ndjesitë dhe perceptimet që i gatuan imagjinata e ndezur prej poeti par excellance, bëjnë që te poezia “Testament” të pohojë:

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur

I mallkuar me art.

Gjërat i shihja ndryshe: Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt çerdheve te yjet. Në vend të borës binin zogj në çdo dru. Lajtmotivi në poezinë e tij është vetmia. Madje, në ndonjë rast, duke u shënuar edhe si titull poezie, siç është te poezia “Vetmi”, në një varg të së cilës poeti shpall edhe statusin e tij prej të vetmuari: kudo vetmia ka ngritur muret e saj. Krahas saj, si konstante tematike është edhe pikëllimi.

Karakteristikat e ligjërimit në poezinë e Rreshpjes

Ajo që bie kryesisht në sy në krijimtarinë e tij, sidomos në periudhën e dytë, është ndërtimi i një poetike me një fond të kufizuar fjalësh të tria niveleve bazë të ligjërimit poetik: emërtuese, cilësuese dhe vepruese. Vetëm me fjalë të tilla si: trëndafil, kopsht, nënë, zog, dru, gjeth, pyll, dimër, vjeshtë, shi, hënë; i trishtuar, i mardhur, i ri, i bukur, e thyer, i lodhur, dhimbje, humb, pikëlloj, vetmon, ik, braktis, vdes, ulërin, ai arrin të ndërtojë një shumësi botësh, e cila përfton një pasuri të madhe poetike. Për këtë qëllim, i shërben pastrimi i kulluar i fjalës deri në nivelin zero të ngjyresave të mëparshme, deri në nivelin parak të saj, që e çon në ndërtimin e një ligjërimi poetik, i cili pretendon të jetë sistem i krijuar nga: - fjalë-tema (rendi metaforik, zinxhiri i nuancave që ka secila nga fjalët e mësipërme në përzgjedhje); ose: - tema-sintagmë (grup) (rendi metonimik, aftësia që ka secila fjalë për afri dhe bashkëshoqërim jofamiljar, të tipit: folklori i braktisur, folklori i zogjve, folklori i harruar i qiraxhinjve, fati im prej shpate, si patkoi i fatit, ylli i fatit tim, ky fat budalla, fati im tërë gjëmë, të cilat priren ta hapin rrezen e ndjeshmërisë ndaj kombinimeve jo të zakonshme. Këto fjalë-tema e tema-sintagma ia dalin të shërbejnë si mjete formale për të çliruar tensionin emocional, që të çojnë në një qark ndjeshmërie e kuptimesh të befta. Për të realizuar intonimin ritmik dhe shumëkuptimësinë (ambiguitetin), shërbejnë, ndër të tjera, edhe analogjitë e mirëvendosura morfo-sintaksore, të cilat luajnë rolin e organizuesit ritmik në varg.

Për ilustrim, mund të shërbenin shembuj të tillë të shkëputur: Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë; **** Ka mbirë bari nga sytë e tu Ka mbirë bari nga zëri yt; **** Po shkoj edhe unë mbi lule harrese Po shkoj edhe unë në shtegun e vjetër Natyra shndërruese që merr fjala në dorën e poetit bën që, megjithëse kemi pak a shumë të njëjtat fjalë, të mos kemi të njëjtat mënyra e vlera përdorimi. Është i dallueshëm për ne si lexues raporti i kthjelltë që ka ky poet me fjalën, duke na kujtuar përcaktimin e poetit modernist francez Pol Valeri (Paul Valery) se në poezinë e mirë, lëvizja e një fjale, ashtu si lëvizja e një guri shahu, u hap rrugë lëvizjeve të tjera. Gjithë përpjekja për ta komentuar këtë lloj poezie, do të përthyhej përpara kërkesës për të kuptuar se ç’mekanizëm i thërret fjalët deri në atë nivel sa ato të kërkojnë vetë vijimësinë e përsosur formalo-estetike. Poezi të tilla, si: “Requiem”, “Vinjetë”, “Vjeshtë 1990”, i zgjojnë dhe i zhgënjejnë vazhdimisht hipotezat tona për mënyrën e ndërtimit, nëpërmjet një loje të ndërlikuar të rregullit me rastësinë, normës dhe devijimit, saktësisë dhe shthurjes ritmike. Rileximi, pasi të kemi dalë nga gjendja e shijimit estetik, do të ishte këshilla për të marrë vesh diçka nga teknika e ndërtimit të një poezie të tillë si ajo me titull “Rekuiem”:

Noton në përrua, me gjethe mbështjellë

Një ditë e vdekur vjeshte

Dhe shtergët e fundit kaluan të ngrirë

Me sytë e verdhë, në heshtje. Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës, Lugina me hënë e lyer Dhe drerët e erës vënë kujën me dhembje, Me brirët prej akulli thyer.

Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë Qefinin me gjethe të tharë… O dimri i drerëve me brirët në erë, Kë vjeshtë të qajmë më parë?

Rreshpja pothuajse gjithmonë flet në vetën e parë. Kjo poezi ka një model të veçantë tingujsh, një sistem të tërë metaforash, një organizim e rrjedhë të veçantë ritmike dhe lexuesi i mirë përcakton nuancat e zhvillimet emocionale, duke i paraqitur ato sa më saktë në leximin e tij. Që të shijohet, çdo lexim duhet të rikrijojë emocionet fillestare që ka pasur poeti në intensitetin e tyre të parë. Përgjithësisht, struktura në poezitë e Rreshpjes mbizotërohet nga metafora. Pas metaforave që përdor Rreshpja, kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj. “Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës / lugina me hënë e lyer”. Po ashtu, një përdorim të shpeshtë ka epiteti metaforik (dru i trishtuar, dëbora e thinjur etj.) apo edhe oksimoroni (e verbra madhështore, fat budalla, pikëllim i bukur etj.).

Ave nëna ime

Rri në shi. Kjo gjë është e vetmja që dua. Ç’është ky? Pyesin pikat e shiut mbi ballin tim. Kështu kam dëgjuar zërin e shiut Një ditë vere rrëzë lisit plak Te porta lënë hapur për zogjtë. Ah, kur isha i ri dhe i bukur, kujtoja Se tërë shirat e botës binin për mua. Po tani që kanë kaluar kaq shumë vite E di që s’ka asnjë kuptim që bie shi. Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri Një arkeologji e perëndive që rrëzoheshin Ave, nëna ime! Vetëm te ti kam besuar, Zot tjetër nuk kam pasur kurrë.

Verifikoni njohuritë

1. Krijimtaria e Frederik Rreshpjes ndahet në dy periudha. Cilat janë veprat që u përkasin këtyre periudhave dhe çfarë karakteristikash paraqesin në tematikë? Po në formën e shprehjes? 2. Cili është reagimi i kritikës zyrtare të kohës për poezitë e periudhës së parë? Nga cila poezi është shkëputur shembulli me të cilin merret kritika zyrtare? 3. Kur fillon periudha e dytë e krijimtarisë së Rreshpjes? Çfarë e karakterizon këtë periudhë? Cilat janë temat që dominojnë më së shumti në krijimtarinë e kësaj periudhe? 4. Nga cilat elemente diktohet përdorimi i temave të vetmisë, pikëllimit? 5. Nga pikëpamja e organizimit të ligjërimit, çfarë bie në sy te poezitë e periudhës së dytë?

Përmendni disa karakteristika të mënyrës se si e organizon ligjërimin poetik Frederik Rreshpja. 6. Si paraqitet struktura në poezinë e Rreshpjes? Cila është figura që dominon? Po figurat e tjera, cilat janë? Ilustrojeni me shembuj.

Ushtroni mendimin kritik

7. Lexoni mirë fragmentin ku shprehet gjykimi i kritikës zyrtare në lidhje me artin e Rreshpjes.

Lexoni edhe poezinë për të cilën ngrihet ky gjykim. Çfarë mendimi keni për këtë lloj poezie? Po për mendimin e shprehur nga kritika? Çfarë dini ju për poezinë formale? 8. Poezia “Mane”, ndonëse i përket periudhës së parë të krijimtarisë së Rreshpjes, është ndërtuar me figurën dominante të periudhës së dytë: metaforën. Evidentojeni atë dhe tregoni funksionin që kryen. 9. Temat e vetmisë, pikëllimit, humbjes, mallkimit, janë të ngjizura nga përvojat dëshpëruese të tij me jetën, realitetin, botën. Kërkoni në libra apo internet informacion në lidhje me jetën e poetit. A mendoni se përvoja jetësore është sublimuar në përvojën artistike? Argumentoni përgjigjen. 10. Si e kuptoni ju vargun: “Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur/ I mallkuar me art”? Pse del autori me këtë ide? 11. Studiuesit pohojnë se poezitë e F. Rreshpjes karakterizohen nga përdorimi i një numri relativisht të vogël fjalësh, por që ndërtojnë një shumësi botësh e një pasuri të madhe poetike.

Si mendoni, si e arrin autori këtë efekt? 12. Lexojeni me zë poezinë “Rekuiem”, pastaj përpiquni të evidentoni çfarë karakteristikash paraqet kjo poezi. Evidentoni disa prej figurave që ju bëjnë më shumë përshtypje dhe thoni pse.

Ushtroni imagjinatën tuaj

13. Përpiquni ta paraqitni me anë të vizatimit atë që perceptoni nga poezia “Rekuiem”.

Një pjesë e madhe e poezive të Rreshpjes kanë për temë figurën e nënës, si një imazh lëvizës që e shoqëron ngado, tek e cila kërkon të gjejë pajtimin, sigurinë dhe përmbushjen: “Ishte një botë e tërë kur ishe ti”. Te nëna, poeti gjen ngushëllim për vetminë e tij dhe besimin e pakushtëzuar:

“Ave nëna ime!/ vetëm te ti kam besuar, / Zot tjetër nuk kam pasur kurrë”. Ndonëse poeti nuk i ka grupuar asnjëherë në një cikël të vetëm, poezitë që i kushtohen nënës mund ta përbënin një të tillë. Nga poezitë për nënën, mund të përmendim: “Nëna”; “Nënës”; “Vendlindja e nënës”;

“Ave, nëna ime”; “Elegji për nënën” etj.

F. Rreshpja

ILUSTRIM LETRAR

Ku ishe ti

Ku ishe ti, kur dola i vetëm nën hënë? Në ç’hënë barisje, vallë? Ku ishe ti kur vizatova profilin tënd Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim? Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde Pastaj erdhi prapë nata Dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita te kroi Duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit Pashë sytë e tu nën kujtesën e ujërave. Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës Si një sovran që abdikon

Ani, mua më zuri ky mallkim Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta? A ndofta nuk do tё ketë kurrë më vjeshtë? Atёherë, nё emёr tё kujt do tё bien gjethet? Nё emër tё kujt do tё vijnë shirat, mjegullat, ylberët? Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

Ndarja, Edvard Munch

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Poezia përbën një model të mbartjes së frymës erotike mbi elemente të pastra mistike. Në cilat mendime nis të formohet kuptimi i saj? Si e kuptoni lidhjen e mistikes me Hënën? 2. Vargjet “Ku ishe ti kur vizatova profilin tënd / Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?” të lënë të kuptosh që heroi lirik ka nisur të ndiejë një dhimbje. Nga e ka burimin kjo dhimbje? 3. Lidhja e mungesës me natën është zgjedhje që Rreshpja e ka shfrytëzuar nga fondi i traditës së poezisë shqipe. Si e kuptoni këtë lidhje? A krijon ajo një mungesë shpjegimi, një mister? Pse? 4. Në strofën e katërt, kroi dhe ujërat lidhen me kujtesën. Si ju vjen ndjesia e heroit lirik, konkrete apo e pashpjegueshme, si uji, si rrjedha, si ikja? 5. Pyetjet që vendosen në strofën e fundit nuk janë pyetje retorike, por janë pyetje pa përgjigje, sepse heroi lirik nuk di t’u japë një përgjigje. Ai është në luftë me to. Si e kuptoni ju këtë luftë?

Ka ndjesi tjetër te heroi lirik, përveç ndjesisë së erotikës? Cilat janë detajet që ju çojnë te përgjigja që dhatë?

Nga teksti te ndërtimi

6. Ndërtimin e poezisë do ta ndjekim në dy rrugë: njëra është struktura e jashtme, mënyra se si ka ndërtuar vargjet dhe figuracionin, tjetra është ndërtimi i brendshëm, strukturat e kuptimit.

Poezia nis me pyetje retorike. Cilat janë përgjigjet e fshehura në to? Janë përgjigje të pastra, apo jo? 7. Poezia nuk ka një ndërtim të rregullt strofik, as rima të jashtme. Por ajo e arrin ritmin duke krijuar theksa ritmikë të brendshëm. Cilat janë fjalët apo grupet e fjalëve që theksohen në secilën strofë? Si lidhen këta theksa mes tyre? Janë të njëjtë apo të shpërndarë? A varet kjo nga synimi i poezisë? 8. Për ta ndërtuar këtë poezi, autori ka përdorur kalimin nëpër detaje: nga hëna (vargu i parë: Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hёnё?/ Nё ç’hёnё barisje vallё?) te mjegulla (vargu i parafundit: Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?) derisa bëhet pastrimi i subjektit lirik nga synimi i pastër erotik. Ky ndërtim është mbështetur në kuptimin e parë të fjalëve apo në kuptimet figurative? 9. Ndërtimi figurativ i fituar nga tërë poezia - erotika e pastër që sublimon heroin lirik - arrihet të perceptohet pasi e kemi lexuar tërë poezinë apo edhe pjesë-pjesë, varg pas vargu?

Argumentoni përgjigjen tuaj, duke u ndalur te metafora e krejt poezisë. 10. Këtu poeti bashkon më anë të arsyes dy elemente të pavarura: natyrën dhe erotikën. Ai ua ka hequr pavarësinë duke i bashkuar, duke krijuar një element të tretë: mistiken. Këtë e shpreh qartë vargu: “Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!”. Kjo zgjedhje ndërtimore, a vjen e natyrshme deri në këtë varg? Në ç’raport qëndrojnë këto tri elemente: natyra, erotika dhe mistikja? A shkrihen dy të parat tek e treta? Argumentoni përgjigjen tuaj.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. Në dy vargjet e para vërejmë kuptimin e shumëfishtë që merr fjala hënë. Duke e vendosur në pyetje retorike, fjala zhvendoset në dy hapësira. Cilat janë këto dy hapësira? A ndikon përemri vetor ti për të treguar dy kuptimet e fjalës hënë? Cilin imazh përcjell kjo dykuptimësi: të ikjes, të erotikës, të dhimbjes apo të gjitha bashkë? Pse? 12. Në strofën e dytë, dhimbja është imazhi që ndërtohet mbështetur në një fushë kuptimore të krijuar nga disa fjalë. Identifikoni këto fjalë dhe përcaktoni fushën kuptimore që të çon te dhimbja nga humbja. Si lidhen ato me njëra-tjetrën? Lidhja shpjegohet me realen apo me mistiken? Pse? 13. Përdorimi i anaforës: “Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde/Pastaj erdhi prapë nata”, i shoqëruar me përsëritje të pjesshme të vargut, është kontakt me notat rrëfyese popullore, synimi i të cilave është ikja, rendja e kohës. Kjo ikje e kohës mbushet me mungesë. Për çfarë mungese e ka fjalën heroi lirik, mungesë fizike apo mungesë ndjesie? Si lidhet kjo mungesë me ikjen e kohës? 14. Natyra shfaqet me gjithë ornamentet e saj: kroi, lisi, uji, agimi. Prani e fjalës sovran, e nxjerr nga imazhi njerëzor dhe e bën të pashpjegueshme. Por kjo është vetëm njëra anë e perceptimit.

Këto fjalë nuk lidhen më me kuptimin e tyre të parë, por me erotikën. Cili detaj në strofën e katërt dhe të pestë bëhet qendra erotike e këtij imazhi? 15. Strofa e gjashtë ka një kundërvënie sa të dhimbshme, aq edhe pohuese. Heroi lirik është zhytur thellë në erotikë dhe e pranon këtë. Cili është kuptimi gjithëpërfshirës i fjalës ani? Si lidhet pohimi i vargut të parë me pyetjet që vijojnë në strofë? Identifikoni metaforat e çdo vargu dhe thoni se cilat fjalë mbajnë peshën metaforike në to.

Nga teksti te përdorimi

16. Poezia nis me një ndajfolje vendi, e cila i nënshtrohet tonalitetit pyetës. Cili është qëllimi i këtij përdorimi? A ndikon ky përdorim në fillesën mistike të kumtit të vargut? 17. Përdorimi i vetës së parë në këtë poezi është në funksion dialogues. Me kë dialogon poeti?

A ka një imazh konkret dialoguesi/ja? Veçoni përdorime të tjera të gjuhës që mbështesin dialogimin e heroit lirik. 18. Në vargun “Pastaj erdhi prapë nata”, ndajfolja e kohës në këtë përdorim përcjell kumtin e kundërt të thelbit të saj: kohë të pakohë, të pambarim. Ky përdorim lidhet me shpresën apo mungesën e shpresës? Cilat ndjesi përcjell te ju si lexues? 19. Në strofën e gjashtë vërejmë përdorimin e fjalës vjeshtë në numrin njëjës dhe fjalëve shirat, mjegullat, ylberët në numrin shumës. Përdorimi i kësaj kundërvënieje gramatikore krijon imazhin e vjeshtës si një kumt përmbledhës. Si lidhet kjo marrëdhënie me erotikën?

Po me misticizmin e kësaj ndjesie? 20. Poezia mbyllet me një lutje, të cilën duket se heroi lirik ia drejton dhembjes që ndien brenda.

Për të kuptuar këtë, ndalemi te përdorimi i frazeologjisë vër dorë. Këtë grup populli e përdor kur kërkon ndihmë, atëherë kur shpresa ka humbur dhe dhimbja është e papërballueshme.

Kthehuni në kontekst. Jepni shpjegimet për pyetjet: pse ndihet nevoja për një shfrim të tillë lutës? A është zhveshur krejt heroi lirik nga pesha e erotikës?

Nga teksti te reflektimi

21. Gjuha me figuracion të pasur, me metafora që shkrijnë në një të vetme detajet e botës përreth, për t’i kthyer ato në funksion të ndjesive, është teknika që e afron Rreshpjen me stilin plot ornamente. A kuptohet kjo poezi që me leximin e parë apo duhen disa lexime për të krijuar perceptimin e saj? A e vështirëson stili barok këtë procedurë? 22. Ndonëse poet modern, vërehet që shumë elemente të poezisë së Rreshpjes i gjejmë edhe në folklorin shqiptar. Kjo ndërthurje anon nga modernizmi. Cili është informacioni kulturor që marrin këto elemente në vargjet e Rreshpjes? 23. Pas metaforave që përdor Rreshpja, kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj.

Në këtë rast, e çrregullta, d.m.th. e papritura, e befta, habia, a përbën një element thelbësor të së bukurës së vargut të Rreshpjes? 24. Duhet të theksojmë se, edhe pse të kujton poetikat manieriste e baroke, kjo poezi ruan vlerën e modernitetit, që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë interpretuese të gjuhës në poezi (Poe, Hopkins, Mallarmé), kur ajo fiton domethënie e përmasa të reja në shtratin e poezisë bashkëkohore. Nëse do të mundnit ta përkthenit Rreshpjen, ku do të hasnit më shumë vështirësi: në metaforat e përdorura apo në dhënien e gjendjes gati në delir të heroit lirik? 25. Tretja shkallë-shkallë e objektit erotik në subjekte mistike, mendojmë se i jep objektit funksion shpirtëror, jofizik, duke na e bërë të qartë se s’kemi të bëjmë me një erotizëm as konkret, as platonik, por mistik. A besoni se është e vështirë të shprehen ndjenjat? A nuk është më mirë t`i jetosh dhe të mos u vësh emër? A është kjo fshehtësi? Cilin nga poetët tanë të kujton ky lloj misticizmi mbi erotikën?

Nga teksti te të shkruarit

Kujtoni vargjet e L. Poradecit në poezinë “Kur shtrohet vala përmbi zall”:

Se s’dashuronja as unë, as ti, Po dashuronte dashuria. Një dashuri, një fshehtësi, M’e fshehur sesa fshehtësia.

Argumentoni me shkrim takimin e fshehtësisë së këtyre vargjeve me kumtin e fshehtësisë së Rreshpjes. Ndaluni te: dallimet e dy perceptimeve; ndikimi i modernitetit në këtë këndvështrim te të dy poetët.

Dashuria, Chagall

This article is from: