
12 minute read
Mihal Hanxhari
Letërsi
Mihal Hanxhari
Advertisement
Mihal Hanxhari lindi në SHBA, por u rrit në Tiranë. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin e Tiranës, ndërsa studimet e larta, në Universitetin e Budapestit. Në vitet ‘60-’75, kreu një punë të shquar për ngritjen e bibliotekës së Universitetit të Tiranës. Në vitet ‘94-’95, mbajti leksione në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris. Mihal Hanxhari, për shumë vite me radhë, përfshirë edhe vitet gjatë komunizmit, shkroi një numër të madh poezish, prozë dhe përkthime, të cilat u gjetën dhe u botuan nga familjarët e miqtë pas vdekjes së tij, në qershor të vitit 1999. Ato përbëhen nga dy vëllime me poezi, tri vëllime me proza poetike dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botërorë, si: Shekspir, Tagore, Uajld, Bodler, Gide etj. Kritikët shqiptarë e kanë vlerësuar së tepërmi këtë krijimtari dhe gjenialitetin krijues të Hanxharit.
Poema “Aldebaran”, mban emrin e yllit më të shndritshëm të yjësisë së Demit dhe që shpesh është evokuar edhe në prozën apo në letërsinë botërore. Kështu, për shembull, Aldebarani përmendet në veprën “Uliksi” të Xhoisit, në një vepër të Oruellit, në disa poezi të Hygoit dhe të poetit spanjoll Don Miguel Unamuno etj. Ky yll, në veprat letrare, shpesh është konsideruar si simbol i dashurisë dhe në këtë mënyrë e paraqet edhe Mihal Hanxhari në poemën e tij
“Aldebaran”, poema e dashurisë pa kontekst historik
Poema përbëhet nga tetë njësi. Strofat janë pesëvargëshe dhe rimat, sipas skemës ABBAA. Secili varg ka 12 rrokje dhe vargu i parë i secilës strofë është edhe vargu përmbyllës i saj. Në tërësi, poema ka 355 vargje, të cilat kanë po ashtu ritmikë të spikatur, pasi poeti ka një ndjeshmëri tipike romantike ndaj rimave të brendshme, evokimeve metaforike e simbolike të ndjenjës dashurore, figurave stilistike si apostrofa apo personifikimet. E veçanta e poemës “Aldebaran” është që, ndonëse e shkruar gjatë kohës kur Shqipëria ishte nën regjimin diktatorial komunist, kjo poemë nuk ka asnjë referencë ndaj kontekstit historik dhe as ndonjë përkim të dukshëm me modelin letrar të ideologjizuar të kohës. Hanxhari arrin t’iu ikë kufizimeve të jashtme të kontekstit ku jetoi, në dy mënyra: së pari, duke shkruar jo për një subjekt dashuror konkret, por për dashurinë si ndjenjë universale dhe, së dyti, duke mos botuar. Ky moskomunikim me lexuesin e kohës së tij, ndonëse e privoi veprën e tij nga njohja e publikut, në njëfarë mënyre e shpëtoi atë vetë nga kufizimet artistike dhe nga telashet e mundshme që mund të kishte prej moszbatimit të metodës krijuese të realizmit socialist. Merita e M. Hanxharit qëndron pikërisht te fakti që ndonëse “Aldebaran” u njoh shumë më vonë nga ç’u shkrua, ajo në çdo kohë do të gëzojë një vend të spikatur në poezinë bashkëkohore shqiptare, me tipare të ngjashme dhe zgjatim i traditës poetike naimiane e lasgushiane. Motivet poetike të Aldebaranit janë motivet tipike të lirikës
së dashurisë. Të tilla përmendim: nata, ëndrra, qielli, dielli, yjet, zjarri, deti etj. Gjithë ndjenja e dashurisë sublimohet, duke kërkuar të realizohet në një mjedis qiellor:
Shkojm’ në nebuloza në dete siderale Me një anije flake që digjet si një diell Me lumenj zjarresh të kridhemi në qiell Në kaskada yjesh që çmenden nëpër valle Shikojm’ në nebuloza në dete siderale
Teksa ka nevojë për një përjetim sa më të thellë e të lartë të dashurisë, subjekti lirik i kërkon së dashurës të humbasin në hapësirë, me një mijë pëllumba. Në antikitet, pëllumbat konsideroheshin si zogjtë e perëndeshës greke të dashurisë e të bukurisë Afërditë (e quajtur Venus nga romakët). Pëllumbat simbolizojnë jo vetëm dashurinë, por dhe dëlirësinë, pafajësinë, butësinë e paqen.
Pa kujtesë shpirt t’humbasim n’hapsirë Me një mijë pëllumba nisur në eter Veç një nat’ së paku shpirt atje na ler nesër krahët tanë do të jenë në zinxhirë pa kujtesë shpirt t’humbasim n’hapsirë Siç duket nga kjo strofë, subjekti lirik edhe këtu shpreh dëshirën për t’iu larguar kontekstit, ai do të shkojë më përtej, në eter, te hapësira qiellore mbi atmosferë, që sipas mitologjisë greke ishte pjesa më e pastër dhe e tejdukshme e ajrit. Në këtë tejdukshmëri, poeti do të fluturojë duke lënë pas edhe kujtesën, duke i harruar të gjitha shtrëngimet/zinxhirët që janë të së nesërmes, të botës fizike. Poeti heq paralele mes dukurive natyrore, si: rrjedha e lumit në det, apo takimi i qiellit me detin dhe dashurisë së tij të natyrshme e të pashmangshme. Në poezinë e tij “Aldebaran”, dashuria, thelbi përkufizues i subjektit lirik, është një prirje e ethshme për të përkapur një përmasë të universales, siç është dashuria.
Trupi e shpirti im hapur n’hapësirë Un’ më s’di kë dua un’ më s’di sa dua Tokë det e qiell çdo yll që u shua Tokë det e qiell ësht’ shtrati ku jam shtrirë Trupi e shpirti im hapur n’hapësirë Dhe jam një kokërr vese dhe qiellin kam në gji Në gji kam universin dhe jam në një thërrime Shpërthime galaksish ka brenda zemra ime Supernova yjesh zjarr e brohori Dhe jam një kokërr vese dhe qiellin kam në gji
Dashuria është ajo që e bën botën të rifillojë nga e para dhe subjektin lirik që ta konsiderojë veten binjak të Aldebaranit, pasi e ka mbushur gjirin e sytë e vet me qiellin, simbol i dashurisë. Ju rilindi Botën Fillimin prap ia ktheni O puthje puthje yje që shpërtheni
Dhe tashti o qiell me ty i mbusha sytë O det o det me ty e mbusha gjirin O tokë kujtomë zjarrin o erë shpërndama hirin O Aldebaran jam binjaku yt Dhe tashti o qiell me ty i mbusha sytë
Nëpër vargje të poemës, poeti i rikthehet simbolit të Aldebaranit, të cilin e konsideron yllin e tij të vetëm, të cilin e ka kërkuar që pa e njohur, teksa shkonte e kërkonte në rrugë, nëpër qiell se cili yll do ta merrte për dore, për ta përjetuar dashurinë e vet. Në çdo strofë të poemës “Aldebaran”, metafora është “ylli” më i shndritshëm i universit poetik të Hanxharit. Kritikët e kanë vlerësuar veprën poetike, por edhe prozaike, për diapazonin e gjerë kulturor që reflekton. Këtë diapazon e vërejmë edhe në poemën “Aldebaran”, ku krahas figurave, motiveve e simboleve tipike të lirikës tradicionale të dashurisë, hasim edhe ndërkalljen e figurave apo të motiveve që vijnë nga tradita antike, si p.sh. Tutankhamoni (faraoni egjiptian), Orfeu (muzikanti dhe poeti më i talentuar sipas mitologjisë greke) apo të referencave të largëta gjeografike si brigjet e Egjeut, gurët e Nilit. Këto elemente e përforcojnë idenë e poetit dhe të poemës “Aldebaran”, se ndjenja e dashurisë është përtej kohës dhe vendit, por arrin universalitetin.
STUDIM TEKSTI
Verifikojmë njohuritë
1. Si arriti t’i largohet metodës së realizmit socialist në veprat e tij M. Hanxhari? 2. Çfarë veçorish paraqet struktura e poemës “Aldebaran”? 3. Cilat janë simbolet më të pranishme në poemë dhe si lidhen ato me ndjenjën e dashurisë? 4. Si e shpreh subjekti lirik në poemë dëshirën për t’iu larguar kontekstit dhe si arrihet sublimimi i ndjenjës së dashurisë? 5. Hanxhari ka zgjedhur ta titullojë poemën e tij “Aldebaran”, sepse; koncepti i yllit “Aldebaran” që shfaqet në poezi e përforcon përmasën qiellore të ndjenjës së dashurisë; në letërsinë e huaj, ylli Aldebaran shpesh është evokuar në tekste poetike, ndaj poeti ka parapëlqyer ta fusë atë dhe në letërsinë shqiptare; ka dashur ta bëjë më intrigues titullin; ylli Aldebaran është simbol i idealit të tij dashuror.
Ushtroni mendimin kritik
6. Poema “Aldebaran” ka vargje të matura dhe rima sipas një skeme të njësuar, gjithsesi, poeti ka prirjen të mos përdorë shenja pikësimi. Si mendoni, veçoritë ritmike, por edhe tematika e poemës e bën atë lirikë dashurie tradicionale apo moderne? Argumentoni mendimin tuaj. 7. Komentoni në grup pasazhet e mësipërme të shkëputura nga poema.
Aldebaran
Dashuri është lumi që shkon për në det Dashuri është deti që digjet në flakë Bregu i detit plot, përplot me zambakë Guaskat syhapur plot ëndrra përjet’ Dashuri është lumi që shkon për në det
Dashuri është nata që s’di ç’është gjumi Bilbil i plagosur në hënë një thikë Dashuri është legjenda që ngjan në çdo ditë Janë yjet që duhen me gurët te lumi Dashuri është nata që s’di ç’është gjumi
Dashuri është nata që pret në një urë Dashuri është hëna e thyer në gjethe Aldebarani vetëm që digjet në ethe Buza e përbuzur që s’ankohet kurrë Dashuri është nata që pret në një urë
Dashuri është natën në derë nj’e trokitur Kur vetmia hesht kur vetmia vuan Kur dëgjon shirat mbi verat që shkuan Kur thinjet e thinjet më kot duke pritur Dashuri është natën në derë nj’e trokitur Dashuri janë sytë e lodhur pa gjumë Dashuri janë buzët që digjen pa këngë Dashuri janë duart që ruajnë një brengë Dashuri janë lotët që djegin aq shumë Dashuri janë sytë e lodhur pa gjumë
Dashuri janë duart që mbetën në gji Tatuazh hieroglifesh që s›shuhen për jetë Një vjeshtë dëshpërimi mbuluar me fletë Një zog i vetmuar që shkon nëpër shi Dashuri janë duart që mbetën në gji
Dashuri janë duart gjithmonë të shtrira Që dridhen e presin e digjen nga etja Janë duar si hije shkëputur nga vehtja Gjurmë zhdukur, fshirë nëpër shkretëtira Dashuri janë duart gjithmonë të shtrira
Dashuri janë duart gjithmonë të ngrira Degë thëllimi me brymë mbi gjethe Akuj që digjen dimër ndër ethe Duar statuje që lagen në shira Dashuri janë duart gjithmonë të ngrira
Dashuri janë buzët si kujtim rozë Si aromë e mbetur në një kopësht vjeshte si gjak trëndafili në gjemb të një heshte Si puthje mërguar në një nebulozë Dashuri janë buzët si kujtim rozë

STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Në fragmentin poetik, vargu: Dashuri është legjenda që ngjan në çdo ditë: kumton idenë se dashuria ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë; kumton idenë se dashuria është një trillim legjendar. 2. Në fragmentin poetik të dhënë, gjeni ato vargje dhe strofa që flasin për pritjen. 3. Në fragmentin poetik të dhënë, me cilën pjesë të 24-orëshit lidhet më tepër përjetimi i dashurisë? 4. Si janë duart në pikëpamje të përjetimit të dashurisë, sipas poetit? 5. Rilexoni me zë strofat e para të poezisë. Si ndërthuret shfaqja e dashurisë me të bukurën? A janë këto dy koncepte të dallueshme dhe të mëvetësishme apo të lidhura me njëra-tjetrën?
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Si janë ndërtuar stancat poetike dhe si realizohen rimat në fragmentin e dhënë poetik? 7. Në strofën e mëposhtme, shpjegoni kur fjala duart përdoret me funksion metonimik: Dashuri janë duart gjithmonë të shtrira Që dridhen e presin e digjen nga etja Janë duar si hije shkëputur nga vehtja Gjurmë zhdukur, fshirë nëpër shkretëtira Dashuri janë duart gjithmonë të shtrira 8. Në gjithë fragmentin poetik renditen përkufizime, tipare dhe shfaqje të dashurisë. Me cilën figurë retorike realizohet diçka e tillë? 9. Gjeni në poezi, të paktën dy metafora që tregojnë se gjësende ose përjetime të caktuara janë shpirtëzuar. 10. Në strofën e fundit, poeti përdor figurën e krahasimit. Mendoni se kjo ka ardhur si nevojë për të ruajtur strukturën rrokjesore të vargjeve, apo për të ndryshuar figurën stilistike?
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Në fragmentin poetik të dhënë, gjeni një metaforë që tregon ikjen e kohës. 12. Gjeni ato fjalë dhe shprehje që përdoren për hapësirën qiellore. Interpretoni si e japin këto fjalë idenë e dashurisë si ndjenjë universale. 13. Gjeni vargjet ku përdoret folja digjem dhe thoni se me çfarë kuptimi është përdorur ajo. 14. Interpretoni vargjet: Kur vetmia hesht kur vetmia vuan/Kur dëgjon shirat mbi verat që shkuan. 15. Bëni një fjalorth poetik të fushës leksikore qiellore dhe asaj tokësore, duke iu referuar fragmentit poetik të dhënë më sipër.
Nga teksti te përdorimi
16. Në fragmentin poetik të dhënë, analizoni anaforat dhe efektin që ato kanë për ritmikën poetike. 17. Në fragmentin e dhënë, gjeni çifte fjalësh që kanë raporte antonimike të plota ose të pjesshme, si p.sh. zjarr - akull. Përse përdoren ato dhe çfarë tregojnë për të dyja anët e përjetimit të dashurisë?
18. Analizoni si përdoren rimat nistore dhe të brendshme dhe interpretoni efektin që krijojnë ato te leximi i poemës, ndonëse shenjat e pikësimit në poemë mungojnë. 19. Gjeni imazhet poetike që evokojnë kataklizmin. Interpretoni se çfarë tregojnë ato për përjetimin e ndjenjës së dashurisë. 20. Mungesa e dashurisë konceptohet si përjetim fizik i mundimshëm që të shpon. Gjeni vargjet ilustruese që përcjellin këtë konceptim.
Nga teksti te reflektimi
21. Interpretoni vargun: “Dashuri është lumi që shkon për në det”. A është e shmangshme ndjenja e dashurisë? 22. Në vargun “Tatuazh hieroglifesh që s›shuhen për jetë” çfarë evokojnë hieroglifët për përjetimin e dashurisë? 23. Rilexoni disa poezi të Lasgush Poradecit nga “Vallja e yjeve” dhe qëmtoni pikëtakimet mes leksikut të tij poetik dhe leksikut poetik të Mihal Hanxharit në poemën “Aldebaran”. 24. Pikëtakimet që gjetët mes dy autorëve mendoni se mund të kenë ardhur prej ndikimit të drejtpërdrejtë që ka pasur Hanxhari nga poezia e Poradecit, apo për shkak të qasjes më tradicionale ndaj lirikës së dashurisë? 25. Diskutoni nëse mungesa e referencave konkrete dhe historike në poezi ka ndikuar te mënyra si përcillet artistikisht ndjenja e dashurisë në poemën “Aldebaran”.
Nga teksti te të shkruarit
26. Komentoni me shkrim pasazhin në vijim që është shkëputur gjithashtu nga poema “Aldebaran”:
Në netë të kthjellta dimri kur yjet kanë ngrirë
Ju a kam dëgjuar zërin o shpendë shtegtarë
Ku shkonit ju ku shkonit tek dashuri’ e parë?
Rrugë dashurie klithmë në hapsirë
Në netë të kthjellta dimri kur yjet kanë ngrirë
Ku shkoni zogj ku shkoni ku është dashuria Në ç’shkretëtirë netësh ju ndjell ai kujtimi Do kem edhe unë në qiell një udhë dëshpërimi Do kem edhe unë shtegtimin e vjeshtave të mia, Ku shkoni zogj ku shkoni ku është dashuria
Në ç’rrugë nëpër qiell do shkoja të kërkoja Cili yll për dore do më merrte mua O ti rrugë e Qumshtit i piva gjinjt e tua dhe ika prapë më tej të gjeja atë që doja Në ç’rrugë nëpër qiell do shkoja të kërkoja
Në ç’re prej nebuloze do kridhesha i etuar Në ç›qipariza yjesh do digjesha pishtar O dete perëndimesh ku fundet janë zjarr Më tej më tej në qiell i vetëm kam kërkuar Në ç’re prej nebuloze do kridhesha i etuar Si unë o botë yjesh kështu kush ju ka parë Yje që aq net ju kam marrë në duar Yje të panjohur me emra të pa shkruar Yje zemra yjesh që rrihni në pulsarë Si unë o botë yjesh kështu kush ju ka parë
Sa herë u deha në yje duke pirë Sa herë më mori gjumi në buzët e një ylli Se sa herë u zgjova në këngët e një pylli Kur zogjt i thonin hënës nga larg lamtumirë Sa herë u deha në yje duke pirë
O Aldebaran ti ylli im i vetem Unë s’dija se ku ishe dhe ikja të kërkoja Në çdo portë të qiellit emrin tënd e thoja Ah për të të gjetur do të tresja jetën Aldebaran ylli im i vetëm
O ylli im i vetëm ti Aldebaran Ti qiell i syrit tim thyer nëpër lotë Ku s’të kam kërkuar në një mijë botë Qielli më i largët ish ai më pranë O ylli im i vetëm ti Aldebaran