
24 minute read
Lasgush Poradeci
Letërsi
Lasgush Poradeci
Advertisement
Lasgush Poradeci lindi në Pogradec, më 1899-n. Mësimet e para i mori në vendlindje. Pasi u formua më tej në Athinë dhe Bukuresht, në vitin 1924 vijoi studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermanike, në Universitetin e njohur të Gracit (Austri). Atje mbrojti disertacionin me temë “Poezia e Emineskut dhe lidhjet e saj me poezinë popullore”, duke shlyer kështu edhe një detyrim shpirtëror ndaj poetit të madh rumun, që e kishte pasur si model. Më 1934-n kthehet në atdhe. Punoi në gjimnazin e Korçës si mësues i estetikës. Pas Luftës së Dytë Botërore, Poradeci punoi si përkthyes letrar profesionist në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Më pas bëri një jetë të tërhequr e disi të mbyllur në botën e tij të përfytyrimeve poetike, duke u kthyer në një legjendë që në gjallje të tij. Vdiq në Pogradec, më 1987-n dhe la pas një vepër poetike të rrallë për nga larmia e shprehjes dhe e formave.
Profili modern i një poeti
Poezia e L. Poradecit shënon një dukuri komplekse, në kuptimin më të thellë të kësaj fjale. Në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX, pak njerëz ishin në gjendje ta kuptonin këtë lloj poezie. Ajo u shfaq më tepër si një lloj provokimi. Në të trajtoheshin probleme ontologjike, filozofike si koha dhe kuptimi i saj, përjetësia, vdekja, dashuria dhe natyra, të vështruara në një mënyrë të papritur, me një simbolikë dhe një sistem figurativ të pahasur më parë nga bashkëkohësit, por që ruan edhe në ditët tona një befasi të fshehtë, siç do të vinte në dukje Martin Camaj në një nga përshtypjet e tij për poezinë e Lasgushit. Prania e magjisë, erotikës, universalitetit, modernitetit dhe njëherazi frymës autoktone, do të bëjnë që poezia e Poradecit të kaplojë gjithë këtë shekull dhe të bëhet shumë e vështirë për t’u etiketuar. Në mënyrë të përmbledhur, prof. Eqrem Çabej do të shprehej: “Ç’e ndryshon nga të parët është thellësia... është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet. Në qoftë se kjo nuk është vënë re deri tani, shkaku është se më të shumtit nuk e kuptojnë poezinë e tij, e cila me fjalë dhe me mënyra fare të thjeshta, e shumë herë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mund të nxjerrë në dritë mendimet më të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta”. Me dy veprat e tij poetike, Vallja e yjeve dhe Ylli i zemrës, Lasgushi solli në poezinë shqipe një sërë cilësish të reja, të cilat lidhen me një shkallë të lartë ndjeshmërie, me një vetëdije të re estetike, që e ka bazën në rivlerësimin e figurave të shprehjes poetike dhe me emancipimin e poezisë së re shqipe në tërësi. Për këtë arsye, qysh në fillim, ai u prit si themelues i poezisë moderne shqipe. Shenjë e dukshme e këtij moderniteti ishte se ai e ndiente veten kryekëput poet krijues, duke e konceptuar poezinë të çliruar nga detyrime të natyrave të tjera, politike a sociale. Këtë kredo poetike, Lasgushi e paraqet qysh në poezinë “Zog i qiejve”, e cila zë vendin e një parafjale të veprës së tij poetike. Këng’ e lasht e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak... Do ta marr që sot e tutje si bilbili parëverak Që nga fund i vetëvetes do këndoj një mall të ri...
Sistemi modern i poezisë së Poradecit
L. Poradeci krijoi një sistem poetik krejt të vetin, bazuar mbi parime estetike, filozofike e poetike krejt origjinale. Poezitë, të grupuara në cikle sipas disa kriteresh, ruajnë vijimësinë e tyre. Gjithë struktura e veprës së tij vë në pah karakterin tërësor të domethënies së veprës. Kjo domethënie është e formuar nga disa lidhje të brendshme mes njohjes e vetënjohjes; vdekjes dhe përjetësisë; dashurisë dhe mallit; dhimbjes poetike dhe perfeksionit; duke formuar në këtë mënyrë një rrjet lidhjesh, në të cilat organizimi dhe vendosja në varësi hierarkike e tyre përbëjnë sistemin e ndërtimit strukturor të poezisë së Lasgush Poradecit. Kjo bën të mundur që poezia e tij, ashtu siç lexohet në njësi të vogla, ashtu duhet/mund të lexohet edhe në tërësinë e saj. Sistemi poetik është një ansambël, që përfshin lidhjet e së tërës me pjesën.
Simbolika e shenjave të sistemit
Në këtë sistem ndodh lëvizja harmonike e shenjave që merr formë, si: valle e yjeve, si valle e luleve, si valle e dherit, si valle e përjetësisë. Në poemthin “Vallja e yjeve”, poeti, si krijues i një universi, ka projektuar vallen e qiellit: lëvizjen hapësinore, lëvizjen kozmike, vallen harmonike të një makrokozmosi; zemrën e qiellit: qendrën e ekuilibrit hapësinor, qendrën e dashurisë universale, energjinë e dashurisë hapësinore; vallen e dherit: lëvizjen e tokës, vallen e objekteve të tokës, harmoninë e vallëzimit të ngrohtë të dherit; zemrën e dherit: qendra nga përhapet gjaku dhe dashuria e dherit, vatra ku ngrohen gjithë erërat e dherit; zemrën e jetës: ajo lind nga zonat e dherit, është qendra e dashurisë, e dufit erotik, e provës së ekzistencës. Yjtë – e ndezur si fëngjill Që vërtiten palë – palë, prej mosgjësë zunë fill Plot me jetë – e mall të valë. Yjtë – e ndezur aqë larg. Lozin vallen e dëshirës Duke ngritur varg – e – varg Nëpër terr të hapësirës.
Në këto qarqe janë projektuar zonat më të mëdha të njohjes njerëzore: qielli, toka, zoti, përjetësia, vdekja, jeta, njeriu në lëvizje dhe në qetësi, në harmoninë e përgjithshme
Lasgush Poradeci, Asdreni, Ernest Koliqi, Tefta Tashko, Lola Gjoka, Shkodër, shkurt 1938, me rastin e ardhjes së Asdrenit në Shqipëri
universale, në metafizikën e tyre, duke u orvatur të njohë thelbin e tyre ekzistencial. Në këto plane madhore, nënshtresohen elementet përbërëse të botës që na sugjeron poeti, në një shtrirje piktoreske me: yjet, liqerin, stinët, fshatin, trimin, vashën, lëndën, frymën, qëllimin, Zotin, gjeniun, nositin etj. Kjo është bota që na ofron poeti, e gjerë, e thellë, me fluturime në hapësirë, me krijimin e yjeve në qiell, me nënbotë, me praninë e Zotit, të frymës, qëllimit, dhe deri te jeta rustike, liqeri, mëngjeset, mbarimet e vjeshtës, me zogjtë, lulet. Por nuk mungon në këtë botë edhe dashuria, vasha, mërgimi shpirtëror e malli i vjershëtorit.
E si kurrë nuku mund Ylli yllin që ta kapë, Rrotull qiejve pafund Venë e vinë e venë prap. ose Në këtë çast perëndimor, Ndaj po më dehen sytë-e mi, Kuptoj si shpirtin vjershëtor Ma frymëzon një mall i ri.
Duket se ambicia e poetit ka qenë krijimi i një bote poetike me të gjithë hapësirën që të sugjeron bota reale, me të gjitha rrafshet e ndërtimit të saj: atë qiellor, nënqiellor, tokësor e nëntokësor.
Ndjenja e mallit dhe e dhimbjes
Motivi i mallit, i shoqëruar nga dhimbja, ndeshet rëndom në poezinë e Lasgushit. I ndikuar nga poeti rumun Eminesku, Poradeci solli ndjenjën e mallit si motiv të vetmisë dhe të të qenët larg atdheut. Vetmia dhe ndjenja e tërheqjes në natyrë, peizazhi me elementet e përbashkëta – korija, pylli, liqeri, yjet etj. – janë terreni ku gatuhet ky mall i përbashkët. Por, nëse Eminesku konsiderohet si i fundit romantik europian, Lasgushi është, pa dyshim, një postromantik. E për sa i përket dhimbjes, kjo ndjesi e shoqëron vargun e Lasgushit edhe përtej ndjesisë së mallit, siç do ta shohim në analizat e mëposhtme.

Lidhja me poezinë popullore
Prurje e re poetike ishte edhe raporti i poezisë lasgushiane me poezinë popullore. Jo vetëm objekt frymëzimi, por edhe burim i pashtershëm mjetesh stilistike, fjalësh të rralla e konceptesh të shëndosha morale, poezia popullore ishte për Lasgushin sintetizim i mjeshtërisë dhe i gjenisë kolektive. Mjaft të përmendim këtu motivin e mallit që poeti, me intuitë dhe ndjeshmëri, e mori nga burimi i poezisë popullore dhe e bëri një nga motivet më të parapëlqyera dhe më të ndjera të poezisë së tij.
Po këngët që sot më nuk janë, Përmbysen me mall në mërgim. Përmbytur mjerimesh pa anë, Ndrin Yll`i të rriturit tim.
Kur shtrohet vala përmbi zall E fryn një këng`e pakuptuar, Të pashë motër plot me mall, Më pe me shpirt të llaftaruar. Përbërësi themelor semantik, i cili shënon ndjenjën sunduese në veprën poetike të L. Poradecit - ku konvergojnë të gjitha

linjat, nga të gjitha rrafshet kuptimore dhe nëntekstore, ku gjen shpjegim thelbi i krijimit - është dashuria. Në tekstin lasgushian, ajo është e shtresëzuar në tri plane themelore: 1. dashuria universale për artin në përgjithësi; 2. dashuria e përjetshme njerëzore si kategori filozofike; 3. dashuria e trimit dhe e vashës.
Se më pak e shëmbëllen: Aq më shumë-e djek dëshira... Pa nga malli që s’e gjen, Dridhet gjithë hapësira. Dh’ashtu posi dikur Nga largësira Më del plot hir e nur Ajo më e mira.
Përmi kodrinë atje Mënjanuar bote, M’u shfaqe plot hare, Fshehtësiplote. Poezia e Lasgushit përuron një fazë të re të poezisë shqipe, në të cilën kujdesi për formën dhe vargun, për tingëllimin dhe ligjërimin poetik, përbëjnë përparësi të sistemit poetik në përgjithësi.
Poeti piktor
Përveç rasteve ku poezia ndihmohet nga imazhi piktoresk, te Poradeci vërehen edhe poezi që u besohen krejtësisht mjeteve të pikturës, ku imagjinata është e magjepsur nga imazhi letrar, si te pastelet: “Zemra e liqerit”, “Dremit liqeri”, “Mbarim vjeshte”, “Dimër”, “Korrik”, “Mëngjes”, “Kroi i fshatit tonë” etj. Në këto poezi, poeti kujdeset ekskluzivisht për figurën dhe për përjetimin tyre, ku kërkohet një aktivizim i shqisave të të parit. Poeti krijon një univers duke radhitur frazat, duke respektuar gjithmonë ligjet e mëdha të imagjinatës. Gjuha evoluon më shumë përmes imazheve të saj, sesa përmes përpjekjeve semantike. Imazhi letrar i vë fjalët në lëvizje, duke iu dorëzuar funksioneve të tyre përfytyruese.
Mi zall të pyllit vjeshtarak Dremit liqeri pa kufi. Ai ndaj fundesh u përflak, Posi me zjarr e me flori.
Lasgushi krijues i fjalës shqipe
Fjalët e krijuara nga Lasgushi, me finesë e muzikalitet, dëshmojnë për njohje të thellë të modeleve prodhimtare të shqipes, për aftësinë potenciale të saj, për zotërimin e mekanizmave të funksionimit të saj. Po përmendim vetëm disa prej tyre: gazmuar, fatuar, qetuar, dimëruar, dhëndëruar, pakore, gjeratore, thëthimtar, fërfëllimtare, këngëtar-finosh, fat-miroshe, bilbil-finosh, sy-larme, bashkohesh-rritesh-me përjetësi, jetë-evdekje-përqafuar etj.
STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë
1. Cilat problematika trajtohen në poezinë moderne të fillimit të shekullit XX? 2. Çfarë cilësish të reja solli Poradeci në letërsinë shqipe me dy librat e tij poetikë? 3. Cila është kredoja poetike e Poradecit dhe ku shfaqet ajo në poezinë e tij? 4. Ku është bazuar sistemi poetik i poezisë së Poradecit? 5. Ç’formë merr lëvizja harmonike e shenjave në sistemin poetik të Poradecit? 6. Ku takon dhe dallon Poradeci me Emineskun? 7. Cilat janë elementet që tregojnë lidhjen e poezisë së Poradecit me poezinë popullore? 8. Cili është kontributi i Poradecit në gjuhën shqipe?
Ushtroni mendimin kritik
9. Poradeci është quajtur poet postromantik. Si e argumentoni këtë emërtim, bazuar në njohuritë që keni për: - romantizmin europian dhe atë shqiptar; - kontekstin letrar kur shkroi Poradeci.
Sfida e të shkruarit
10. Analizoni disa nga fjalëkrijimet e Poradecit në poezinë e tij. Ndajini ato sipas mënyrës së fjalëformimit. 11. Tregoni shumëkuptimësinë e fjalëve të krijuara prej tij.
ANALIZË E VEPRËS
Analizë e poezive filozofike të Lasgushit
Përjetësia, dashuria dhe vdekja zënë një vend të rëndësishëm në veprën e Poradecit. Përmes qëndrimit që mban ai ndaj këtyre kategorive universale, bëhet i mundur edhe zbërthimi i disa nyjave të kumtit të tij. Vdekja është e shoqëruar me gjeniun, me fatin e tij të paracaktuar, me kushtet e tij tragjike. Gjeniu është i vetëdijshëm për kufijtë e ekzistencës së tij dhe, për këtë, vuan thellësisht. Vuajtja e tij është e dëshirueshme, e ndërgjegjshme, ndërkohë që vuajtja e njeriut, që nuk reflekton mbi fatin e tij, është e padëshirueshme. Ky specifikim është veçanërisht i rëndësishëm, sepse nxjerr në pah kushtet tragjike të gjeniut. Dënimi im s’më tremb aspak! Dënimi im nis e m’i lak Fërngjitë-e shpirtit varfanjak:
(“Lundra dhe flamuri”) Në tekstin lasgushian, vdekja shfaqet si vdekje me gaz, pa kurrfarë makabriteti, pa dhembje ekzistenciale, pa kurrfarë tmerri që sugjeron akti i vdekjes, por dhimbja që ndien poeti shkon në progresion me kryerjen e misioneve, me realizimin e idealit. L. Poradeci e ka pohuar këtë ide në tri poezi: “Gjeniu i anijes”, “Lundra dhe flamuri”, “Vdekja e nositit”. Në këto poezi, vdekja vjen si shërim, si shpërblim i asaj që ke jetuar, si meritë. Jeta e heronjve e ka përmbushur misionin e saj, por flijimi sigurisht vjen me dhimbje. Ky qëndrim i poetit ndaj vdekjes bëhet i mundur përmes shenjash poetike, simbolesh dhe një sërë rrathësh dhe figurash që mposhtin tonin e errët të vdekjes: E s’duket gjë kur humb, Veç pluhurës si shkrumb Lart mi katart si thumb: Flamur’ i pastër që m’u nxi Në sulm të lumtur për liri, Qëndron gazmor në lartësi!.. (“Lundra dhe flamuri”) Në një vështrim të parë, në të tria poezitë e përmendura më sipër, situata poetike e përzgjedhur është e njëjtë dhe shenjat e zgjedhura, të ngjashme. Te të tria, heroi vendoset në raporte të pazgjidhshme me liqenin/detin (është objekti që do t’i marrë jetën ose, e thënë ndryshe, nga liqeni/deti do t’i vijë vdekja. Sido që ta shohësh, liqeni/deti merr pjesë me densitet të lartë në të tria poezitë). Simbolet janë: liqeri (deti), Nositi, Flamuri, Lundra, Gjeniu i anijes. Nositi, Gjeniu: simbolet e krijuesit të flijuar, të lodhur, të sakrifikuar, por pa dhimbje për idealin. Flamuri, Lundra, Anija: simbole të idealit - ato që e udhëheqin në jetë, që e drejtojnë, që ia mbushin jetën me brendi, që ia bëjnë jetën më të kuptimtë dhe më të qetë. Liqeri/deti: aty nga vjen vdekja. Ballafaqimi i simboleve të sipërpërmendura me liqenin - të cilin Lasgushi e paraqet si në arenën e vdekjes, por dhe në atë të dashurisë (Vdekja e nositit) - e shndërron atë në një shenjë-qendër kuptimore të të tria poezive. Elementet e tjera që përzgjedh autori janë po kaq domethënëse, si: pëlhura, zjarri, gjeratoret, tallazi etj.
Un’ ik liqerit zemërak Fatlum dh’i pastër si zëmbak, Po zemra ime kullon gjak: Ahere-helmohet e buçet Pas mallit tim liqeri-i shkret, E rrit tallazin posi det
(“Vdekja e nositit”) Në raportet e jetës me vdekjen vlen të shihet te këto poezi vendi që u jepet trupit, shpirtit dhe idealit. Vdekja bëhet me gaz prej shpirtit, prej idealit, ajo e mbush me brendi, ajo e bën vdekjen të lehtë. Mesazhi që transmeton poeti është nga më fisnikët. Jeta me brendi, me ideal, me funksion suprem, merr akoma më shumë vlerë përballë vdekjes. Ky mesazh te poezitë që marrim në shqyrtim është identifikim me vetë Lasgushin, por edhe me krijuesin, poetin në përgjithësi, po aq sa ç`është edhe një apel e grishje për ta jetuar jetën me brendi, me ideal, me sublimitet. Se prapa le vazhdën e ndritur Q’e hapa me shpirtin fatos Fistonin gazmor ku pat shkitur Valimi i anijes q’u sos. Në vargjet e mësipërme, ndonëse kumtohet rruga shpirtërore, dy vargjet e dyta afrojnë me botën materiale, vizuale. Lasgushi bën lidhje të të dyja botëve përmes një figuracioni paralel; simbolet e lëndës ndriçojnë ato të frymës e anasjelltas. Më të dukshme bëhen shenjat në vargjet:
Valimi i anijes së lehtë Qetohet, ndalohet, mbaron Gjeniu i anijes përjetë Hepohet... anohet... valon...
(“Gjeniu i anijes”) M. Kuteli me shumë të drejtë konstaton: “Vargu i parë tregon fatin e anijes, të trupit prej balte, kurse i dyti tregon rrugën e gjeniut, të shpirtit. Balta: qetohet, ndalohet, mbaron; shpirti hepohet... anohet... valon”.
STUDIM TEKSTI
Verifikoni njohuritë
1. Cilat janë poezitë filozofike që përcjellin dy konceptet bazë të ekzistencës së njeriut: jetën dhe vdekjen? 2. Me cilat kontekste poetike shoqërohen konceptet e jetës dhe vdekjes në sistemin poetik të
Poradecit? Ilustrojeni me vargje. 3. Në tri poezitë që trajtohen në tekst shfaqet si unike figura e gjeniut. Si shfaqen kushtet tragjike të gjeniut në to? Ilustrojeni me vargje. 4. Nëse jeta ka qenë funksionale, në ç’formë vjen dhimbja? Ilustrojeni me vargje. 5. Në ç’raporte ndodhet heroi me liqenin? 6. Cili është mesazhi që transmeton poeti nëpërmjet këtyre poezive filozofike?
Ushtroni mendimin kritik
7. Sipas vargjeve të Poradecit, jeta me brendi, me ideal, me funksion suprem është shumë me vlerë ballë vdekjes. Si mendoni, ka elemente biografike në këtë pohim filozofik të autorit?
Sfida e të shkruarit
8. Poradeci përpiqej të arrinte cilësinë më të lartë në poezinë e tij, në përgjithësi, dhe në atë filozofike, në veçanti. Argumentoni si e arrin këtë, duke e ilustruar me vargje nga tri poezitë që kemi trajtuar më lart.
L. Poradeci
ILUSTRIM LETRAR Vdekja e nositit
Me zjarr ju flas… me zjarr. Në gjirin tim kam hapur varr… Që t’i jap shpresë – edhe t’ja marr… Ahere – helmohet e buçet Pas mallit tim liqeri – i shkret, E rrit tallazin posi det.
Ay e tund, ay e shkund, Ay e hap sa me të mund, Gjer mun në gjit, gjer mun në fund.
Un’ik liqerit zemërak Fatlum dh’i pastër si zëmbak Po zemra ime kullon gjak:
Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi Dh’u jap ushqim me dashuri –Një dashuri për llaftari:
Pa nis ah! gjirin ta godas… Dh’e hap ah! gjirin më një ças… Dh’i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!… E shpirtin dyke ma përcjellë, Më thotë ah! Shih sesa ‘sht’i fellë Ky gjir’i em që të pat pjellë…
…Me zjarr ju flas, me zjarr.

Vdekja e Nositit, pikturë e Halil Matoshit
Nga teksti te kuptimi
1. Kjo poezi ka në qendër të saj motivin e vetësakrifikimit. Por nëse bëjmë një lexim më të thellë, vërejmë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një ndjenjë të sakrificës humane për tjetrin. Është vetë heroi lirik që e sublimon edhe aktin e krijimit poetik si një akt sakrifikimi.
Cilat janë motivet që shfaqen në poezi: motivi i liqenit; motivi i vetësakrificës; të dyja. 2. Poezia ka një strukturë semantike të brendshme, e cila mbështetet në kundërshtinë, antoniminë tekstuale. Sa të tilla arrini të identifikoni në poezi? Shpjegojini ato. 3. Strofa e katërt nis me lidhëzën dhe. A ndikon kjo lidhëz në rrëfimin poetik? Nëse po, argumentojeni me të dhëna nga teksti. 4. Simboli i nositit është misionari, ndërsa simboli i jetës është liqeni. Si e kuptoni ju marrëdhënien e liqenit me nositin? Ilustrojeni përgjigjen tuaj me vargje nga poezia. 5. Misionari, për të cilin flet poezia, është vetëm poeti apo e gjejmë edhe në fusha të tjera?
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Poezia është ndërtuar si një bashkëbisedim, i cili kalon në dy veta: nis në vetën I dhe pjesa e dytë në vetën III. Cilës vetë i drejtohet heroi lirik në pjesën e parë? A ka një arsye për të cilën përzgjedh këtë tip dialogu në hyrje? 7. Cili nga vargjet e mëposhtme kthehet në lajtmotiv të të gjithë poezisë? Pa nis ah! gjirin t’a godas... Me zjarr ju flas..., me zjarr. Dh’i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!... Në gjirin tim kam hapur varr... 8. Strofa e tretë nis me një lidhëz ftilluese, që ka për mision të sqarojë apo plotësojë mendimin e strofës pararendëse. Identifikoni lidhëzën ftilluese dhe argumentoni lidhjen kuptimore që realizohet përmes saj. 9. Kthesën ligjërimore autori e realizon në strofën e pestë nëpërmjet fjalës ahere. Duke përdorur të dhënat e tekstit (veta III, shenjat grafike, synimin), tregoni ndryshimet që pëson ligjërimi. Ky ndryshim është rritje apo zbutje e tonit ligjërimor? 10. Poezia nis dhe mbyllet me të njëjtin varg. Çfarë efekti krijon kjo gjë dhe si motivohet?
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Vargu me zjarr ju flas... me zjarr... përcakton një nivel të lartë ligjërimor, i cili arrin të mbetet në këto nivele gjatë gjithë pjesës së parë të poezisë. Analizoni metaforën duke u mbështetur në tre shënjues: procesin e të folurit që identifikohet me foljen flas; shumësinë semantike që merr emri zjarr; vlerat kuptimore që bart parafjala me, kur hyn në marrëdhënie me emrin. 12. Prania e pasthirrmës ah e ndan vargun në mes. Përsëritja tregon: ∆ dëshpërim; dhimbje; ekstazë; frikë.
13. Duke u mbështetur tek analiza e trajtuar më sipër, argumentoni kuptimin filozofik të metaforës vdes me gaz. A është plotësuar misioni i jetës së heroit lirik? 14. Në strofën e gjashtë kemi praninë e foljeve tund, shkund, hap, mund, që realizojnë imazhin e lëvizjes së liqenit: një liqen që shndërrohet papritur në det me tallaz. Si lidhet ngarkesa kuptimore e foljeve me ndjesinë që provoni ju si lexues? 15. Vëreni paralelizmin që sendërtohet nga imazhi i gjirit të hapur të nositit-poet dhe gjirit të hapur të poetit. Çfarë emocionesh e idesh përcjell ky paralelizëm?
Nga teksti te gjuha në përdorim
16. Fjala llaftari gjendet dendur në shumë poezi të Lasgushit, duke marrë ngjyrime kuptimore sipas kontekstit. Shpjegoni ngjyrimet kuptimore në këtë kontekst. Cila situatë vlerësohet kaq tragjike? 17. Çifti i fjalëve dashuri – llaftari tregon: daljen nga e tashmja dhe hyrjen në përjetësi; dhimbjen e largimit nga jeta; krenari për plagët e vetvetes; lidhjen dramatike të jetës me vdekjen. 18. Heroi lirik pohon t’i jap shpresë e t’ia marr. Kthehuni në tekst dhe lexojeni poezinë, duke kërkuar përgjigjen e pyetjes: kujt do t’i japë shpresë e kujt do t’ia marrë shpresën? 19. Në vargun Un’ik liqerit zemërak vërejmë foljen ik, e cila është variant poetik i formës iki. Nëse do të ishte shkruar në standard, forma do të ishte unë i iki liqenit, apo unë iki përgjatë liqenit?
Argumentoni përgjigjen tuaj me vijimin e poezisë. 20. Në vargjet Ay e tund, ay e shkund/Ay e hap sa me të mund, anafora thekson përemrin ay.
Argumentoni përsëritjen si mekanizëm të rëndësishëm koheziv.
Nga teksti te reflektimi
21. Rikujtoni poezinë e njohur “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit. A shihni ndonjë element të ngjashëm me poezinë që po analizojmë? 22. Nëse heroin lirik e shohim si poet, ju e ndjeni veten lexues të denjë për këtë poezi? Pse? 23. Pse poeti zgjedh nositin si figurë themelore të filozofisë së tij? Ka lidhje kjo me jetën e tij? A njihni raste analoge në letërsinë botërore? 24. Kjo poezi ka një numër shumë të madh foljesh, të cilat tregojnë dinamikën e lëvizjeve. Pasi e lexoni atë, cilën ndjesi ju përcjell më tepër kjo shumësi foljesh, atë të jetës apo atë të vdekjes?
Pse? 25. Përpiquni të përfytyroni sfondin muzikor të kësaj poezie. Diskutoni në klasë për zgjedhjet tuaja. Diskutoni në klasë për zgjedhjet tuaja.
Nga teksti te të shkruarit
26. Gjeni neologjizmat në këtë poezi. Ripërdorini ato në një ese me temë: 27. “Liqeni dhe motivet idilike të poezisë së Lasgush Poradecit”.
L. Poradeci
ILUSTRIM LETRAR
Këngë pleqërishte
O këngë pleqërishte! Ti vjersh e vendit tem! Ti fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem! Tani jam dëshëruar së largu të më vish: dëgjoju, as dëgjoju! Moj këngë pleqërish! Në hije të kasolles që nxin nj’atje mi mal, ja nis me zë të shtruar...ja merr me dal-nga-dal... ja thua me të dhemshur...ja thua me të qarë... ja dredh e përvëluar...ja zjen...e ja heq zvarrë... pastaj fillon të ngrihesh, e nis e ja thërret: dh’aq lehtë-e ngreh së poshti...aq fort e shpje përpjetë... aq dyke mërmëruar me zë të parpalitur rënkimi i zemrës sate ronitet me të ngjitur... sa...që nga lartësira ku vate, fluturoj... me sulm e ulërimë këputet si përroj... e rrjedh për tatëpjetë prej kulmit qielluar si breshër i thërrmuar...si lot i përvëluar...pastaj të shuhet zëri...e rihesh...edhe vdes; mjerimi – i –vetvetes të thjevi mes – për – mes: së felli – e pa mëshirë të thjevi dhembja jote, dëshir’ e varfëruar e këngës magjiplote! O këngë pleqërishte! Ti vjersh e vendit tem! O fjalë që më dhimbsesh e që më bën ujem! O mall! O psherëtimë! O vajë! – O lot i zi! O shpirt i përvëluar që qan në syt’ e mi! Si ngrihet që nga deti një valë – e – dëshëruar: e prapë posi vala, që bje sërish në det: ti bje në fellësirën e zëmërës së vet.

Nga teksti te kuptimi
1. Kjo poezi bën pjesë në lirikën filozofike të poetit. Me metaforën këngë pleqërishte, poeti i këndon këngës labe të trimërisë. Kënga në të vërtetë është simbol i procesit krijues, i cili identifikohet me shpirtin poetik, që del nga vetvetja dhe kthehet përsëri në vetvete. Cili është raporti emocional që krijon poeti me këngën pleqërishte? Ilustrojeni me vargje përgjigjen tuaj. 2. Ndaluni në strofën e dytë të poezisë. Kemi thënë që poeti është sa piktor aq edhe muzikant në vargjet e veta. Cilat shqisa ngacmon kjo strofë? Përshkruani imazhin që perceptoni nga këto vargje. 3. Përdorimi i apostrofit lidhet ndjeshëm me dhimbjen që përcjell poeti përmes thirrjes. Krijoni një fushë semantike të fjalëve që përcjellin dhimbjen. Cili është burimi i dhimbjes? 4. Zhurmat e dominojnë vargun e kësaj poezie. Ndajini ato në kolona. (Mund të shtoni të tjera, nëse mendoni se ka.)
Zhurma njerëzore Zhurma të tokës Zhurma të qiellit
5. Në këtë poezi, procesi krijues kalon në tri faza: ngjitje, pikë kulmore dhe zbritje.
Gjeni nga një varg që shënon secilën fazë. a) _________________________________________________________________ b) _________________________________________________________________ c) _________________________________________________________________
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se, në këtë poezi, ngritja emocionale poetike bëhet në formën e piramidës. Kjo lidhet me ngulmimin e poetit për të hyrë në thellësi të misterit të botës natyrore dhe asaj njerëzore. Ilustrojeni me vargje këtë mendim filozofik të poetit.
lartësia
ngjitja rënia
lindja kthimi
7. Krijoni fushat semantike që përcaktojnë procesin e lindjes, ngjitjes, lartësisë, rënies, kthimit në vetvete. Çfarë efektesh tingullore përcjellin ato? 8. Kjo strukturë ndërtimore e këngës, a ka ngjashmëri në rrugën filozofike dhe fizike të një jete njerëzore? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke e lidhur me ndjesinë e dhimbjes që përshkon poezinë. 9. Pothuajse pas çdo vargu ndeshim retiçenca ose trepikësha. Sikurse e kemi thënë, retiçenca përdoret si suspansë (lë mendimin të nderë) dhe/ose për të tërhequr mendimin e lexuesit, por
Lasgushi i jep edhe kuptime të tjera. Retiçenca ose trepikëshi përdoret për të përcjellë ndjesi të një dhembjeje kulmore. Në rastet kur zgjatet sa vargu, është quajtur nga studiuesit zona e heshtjes. Merrni tre shembuj retiçencash dhe, duke u nisur nga përcaktimi që bëmë, analizojini ato. Përse janë përdorur në rastet që shkëputët nga fragmenti? 10. Poeti e përjeton procesin krijues si shumë të dhimbshëm e të mundimshëm. A e trajton këtë gjendje edhe në poezi të tjera të tij?
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Ndaluni te thirrorët e strofës së parë. Veçoni mjetet gramatikore me të cilat shprehen ato. Cila është lidhja që krijohet mes tyre? 12. Në vargun dëgjoju, as dëgjoju! moj këngë pleqërish, ndeshim formën sintetike dëgjo+ju.
Analizojeni atë nga ana fjalëformuese dhe semantike. A i ka dhënë një kuptim të ri mbi të parin formanti fjalëformues? 13. Ç’funksion luan përdorimi i foljeve nis, merr, thua, në strofën e dytë? Argumentojeni përgjigjen tuaj duke analizuar kuptimet e reja që marrin foljet. A krijojnë ato figura stilistike? Nëse po, cilën figurë? 14. Në ndërtimet e grupeve emërore apo foljore që krijon, poeti u shmanget rregullave gramatikore.
Ndaluni te grupi kulmi qielluar. Shpjegoni si është ndërtuar mbiemri. Çfarë shmangieje ka pësuar nga rregulli? Jepni mendimin tuaj, përse e ka bërë këtë poeti? A ka lidhje me brendinë filozofike të poezisë? 15. Lasgushi është poeti që krijoi shumë fjalë të reja në gjuhën shqipe, duke përdorur gjithë mënyrat shqipe të fjalëformimit. Krahasoni dy neologjizmat brenda grupeve: këngë pleqërishte dhe këngë pleqërish. Analizoni mënyrën se si dallimet në fjalëformim kanë reflektuar dallime në kuptim.
Nga teksti te gjuha në përdorim
16. Cili nga çiftet e mëposhtme krijon antonimi kontekstuale? që më dhimsesh - që më bën ujem; pastaj fillon të ngrihesh – pastaj të shuhet zëri; j -a nis me zë të shtruar - j-a merr më dal-nga-dal; të thjevi dhembja jote - pastaj të shuhet zëri. 17. Një nga mekanizmat që siguron kohezionin në vepër është përsëritja. A konsiderohet në këtë rast retiçenca si element koheziv? Nëse po, si ndihmon ajo në qëndrueshmërinë logjike të tekstit?
18. Vëreni lëvizjen e ligjërimit nëpër veta të ndryshme. A e cenon kjo koherencën e tekstit?
Argumentoni përgjigjen tuaj, duke u mbështetur në marrëdhënien emotive që krijohet mes ligjëruesit dhe ndjenjës; heroit lirik dhe emocionit. 19. Poezia ka një varg që përsëritet në formën e një lajtmotivi. Cili mendoni së është ky lajtmotiv: O fjalë që më dhimsesh, e që më bën ujem! O këngë pleqërishte! Ti vjersh’ e Vendit t’em! Dëgjoju, as dëgjoju! moj këngë pleqërish! O mall! O psherëtimë! O vajë! – O lot i zi! 20. Pasi ta keni dëgjuar poezinë të recituar në “YouTube”, lexojeni me zë nën efektin e një melodie.
Çfarë vije melodike do të zgjidhnit për ta shoqëruar? Pse e bëtë këtë zgjedhje?
Nga teksti te reflektimi
21. Shpjegoni si lidhet kënga pleqërishte me vetë poetin. Ç’rëndësi ka kjo këngë për të? 22. Lasgushi është quajtur edhe poeti i përsosurisë. Mendoni se e ka rritur përsosurinë në këtë poezi? 23. A ka lidhje ndjesia e dhimbjes me përsosurinë që synon të arrijë autori? Po ju e pranoni këtë lidhje? 24. Çfarë marrëdhënieje krijuat me poezinë, pasi e analizuat në këtë fokus? Po me procesin e krijimit? Po me jetën dhe misterin? 25. Si ju tingëlluan neologjizmat e Lasgushit? Patët vështirësi në leximin dhe artikulimin e tyre? Si mendoni, a janë në përputhje me rregullat fonetike e gramatikore të shqipes?
Nga teksti te të shkruarit
26. Pasi ta keni mësuar përmendësh këtë fragment, kthejeni atë në prozë poetike. Përdorni fjalorin e Poradecit për të veshur imazhin tuaj me fjalë.
