
9 minute read
Folja dhe ligjërimi
Gjuhë
FOLJA DHE LIGJËRIMI
Advertisement
Në mësimet paraprijëse është folur për llojet e ndryshme të ligjërimeve (ligjërimi libror, ligjërimi bisedor, ligjërimi i shkujdesur). Ato përcaktohen në varësi të formës së komunikimit dhe veçantive që shfaqin në lidhje me raportin ndaj standardit. Në këto lloj tekstesh, një element mjaft i rëndësishëm i organizimit gjuhësor është edhe folja. Folja është një njësi me veçanti morfologjike, sintaksore, kuptimore dhe stilistike, pasi ajo shfaq në gjuhën shqipe një larmi shumë të madhe trajtash të shtjelluara (të cilat i keni studiuar gjerësisht në kuadrin e zgjedhimit sipas mënyrave, kohëve, numrave, vetave) dhe të pashtjelluara (format e pashtjelluara: infinitivi: me punu; paskajorja e standardit: për të punuar; përcjellorja: duke punuar; mohorja: pa punuar etj.). Gjithë kjo larmi formash, të cilat reflektojnë kohë, veta, mënyra dhe numra të caktuar, u jep mundësi të pafundme përdoruesve të gjuhës të shprehen në ligjërime të ndryshme. Po kështu, folja krijon edhe grupin më të madh e më të rëndësishëm në kuadrin e gjithë fjalisë, përkatësisht, grupin foljor. Ajo përzgjedh nga pikëpamja kuptimore edhe elementet e saj të detyrueshme e ato jo të detyrueshme (Kujtojmë se kryefjala dhe kundrina zakonisht janë elemente të detyrueshme të strukturës foljore, kurse ndajfolja zakonisht nuk shihet si e domosdoshme në lidhje me mesazhin bazë të fjalisë.). Këtij parashtrimi i shtojmë faktin se kjo larmi merr nuanca karakteristike stilistike, sipas ligjërimeve të ndryshme, siç do ta trajtojmë më poshtë.
Folja në ligjërimin libror
Në varësi të llojit të ligjërimit dhe raportit me normën, ligjërimi libror zakonisht shfaqet më i kujdesshëm. Në të respektohen trajtat dhe ndërtimet foljore, të cilat i referohen standardit. Në të nuk kemi shmangie nga kuptimet kryesore të foljes për efekte konotative. Shikojmë tekstin poshtë: Sokrati e hidhte poshtë nocionin se koncepte të tilla, si virtyti, ishin relative; përkundrazi, këmbëngulte se ato ishin absolute, të zbatueshme jo vetëm te qytetarët e Athinës ose të Greqisë, por te të gjithë njerëzit në botë. Ai besonte se virtyti (në greqisht: areté, që në atë kohë nënkuptonte shkëlqimin dhe përmbushjen) ishte “më i vyeri në pasurinë e njeriut” dhe se askush nuk dëshiron të bëjë keq me të vërtetë. Kushdo që bënte veprime të këqija, do të vepronte në kundërshtim me ndërgjegjen e tij dhe, për pasojë, do të ndihej keq. Kështu, duke qenë se të gjithë synojmë qetësinë shpirtërore, atë veprim nuk do ta bënim me dëshirë. E keqja, mendonte ai, bëhet për shkak të mungesës së urtësisë dhe të diturisë.
(Libri i filozofisë) Siç mund të dallohet, kemi të bëjmë me një tekst të ligjërimit libror, përkatësisht filozofik, në të cilin respektohen rregullat e standardit. Në këtë kontekst janë edhe format foljore, të cilat përveçse janë shkruar sipas normës, shfaqen të shenjuara edhe nga pikëpamja stilistike, sipas llojit të tekstit (thuhet: hulumtoj fenomenin, por jo hulumtoj ushqimin). Kështu, shumica e foljeve janë në të pakryerën, gjë që i shkon për shtat edhe trajtës së tekstit dhe larghedhjes kohore, për të cilën flitet. Nuk ka forma dialektore dhe foljet janë në grup me njësi
Statujë e Sokratit
të tjera, që i përkasin fushës kuptimore të filozofisë (nocion, koncepte, virtyti, relative, veprime, ndërgjegje etj.). Grupi foljor (në fakt, e gjithë fjalia) shfaqet i plotë dhe pa elipsa sintaksore (Elipsa sintaksore krijohet kur në fjali mungojnë gjymtyrë të caktuara, të cilat nënkuptohen zakonisht. Të tilla mund të jenë kryefjala, kallëzuesi etj.: Shkove?/ Jo./As unë.). Mungojnë ndërtimet foljore, që përcjellin konotacione metaforike etj. Shumica e tyre shfaqen në mënyrën dëftore, e cila siç keni mësuar, shpreh në mjaft raste modalitetin e vërtetësisë. Një gjë e tillë përputhet edhe me qëllimin e tekstit, që kërkon të japë një informacion të saktë e bindës.
Folja në ligjërimin bisedor
Ligjërimi bisedor dhe ligjërimi i shkujdesur në krahasim me ligjërimin libror shfaqen shumë më të lirshëm në raport me normën. Në këto dy ligjërime (mes të cilave, herë pas here, është e vështirë të bëhet një ndarje e prerë), folja mund të marrë nuanca dialektore dhe me vlera modale nga më të ndryshmet (habi, ironi, dëshirë, urdhër, supozim etj.). Trajtat e saj, siç thamë, mund të jenë pjesë e dialekteve, e sociolekteve (të folmeve të grupeve të caktuara shoqërore), madje edhe e idiolekteve (e folmja e një individi të veçantë). Kjo gjë vihet re veçanërisht në ndërtimin e grupit foljor përkatës. Po marrim disa shembuj: “Ça bone?!”; “A je ardh herët?”; “N’at koh u lajshe n’pik t’mjesit.”; “Kam me shku herët nesër.”; “Me msu, se kët punë ke vetëm!”; “Kur isha vajzë e re, kërcenja nëpër dasma.”; “Muj me than se nuk t’paskam njoft.”; “Çish u dive?” (Si u gdhive?- në çamërisht) etj. Në këta shembuj mund të vihet re se, veç veshjes dialektore fonetike (që përdor gjatësinë e zanores me shkū, hundorësinë - me bâ, rotacizmin - me bunu/me buru, pra, kalimi i n-së në r etj.), foljet paraqiten edhe me vlera të tjera të pamësuara në librat e gramatikës. Kështu, në fjalinë “Me msu, se kët punë ke vetëm!”, infinitivi (me msu/e/-a) është përdorur për të dhënë kuptimin e urdhërores. Po kështu, në fjalinë “Kam me shku herët nesër.”, ndërtimi me foljen kam, e shoqëruar me infinitivin, ka kuptimin e së ardhmes (do të shkoj). Në raste të tjera ndërtimesh foljore, që në standard dalin në formën veprore, në ligjërimin bisedor e të shkujdesur i gjen si forma në joveprore: “A je ardh herët” (A ke ardh/ur herët? - në standard e të folme të tjera.). Ka raste kur ligjërimi bisedor e i shkujdesur jep forma që nuk i ka standardi: N’at koh u lajshe n’pik t’mjesit.”. “U lajshe” - përdoret në kuptimin e së pakryerës së joveprores “lahesha”. Vini re mbaresën dhe pjesëzën u të përdorur për të dhënë këtë kuptim (kujtojmë se kjo e fundit, pra, pjesëza u përdoret në kohën e kryer të thjeshtë të joveprores së standardit, siç e keni mësuar). Në raste të tjera, një folje në formën e një kohe të caktuar, në ligjërimin bisedor mund të dalë me kuptim tjetër: “Ec para se erdha!”(erdha - në kuptimin e së ardhmes do të vij).
Folja në ligjërimin e shkujdesur
Veç elementeve të mësipërme, të rinjtë krijojnë zhargonin e tyre dhe në jo pak raste i deformojnë fjalët. Edhe te folja vepron e njëjta dukuri. Kështu, studiuesit kanë vënë re përdorimin e fjalës me rrokje të ndryshuar si rend. Në vend të “U kalla”, “U llaka”. Në jo pak raste vihet re përdorimi i foljes në variantin e huazuar të saj, po me mbaresat e mjetet e tjera trajtëformuese të shqipes “Gugëllo në internet se të del!”. Veçanërisht kjo
prirje është shumë rrezikshme për sistemin gramatikor të shqipes, pasi folja, siç thamë, është një njësi shumë rëndësishme e gjuhës, e cila formon edhe grupin më të madhe e më me ndikim në fjali. Nga ajo mund të formohet edhe emri e mbiemri (p.sh. nga gugëllo mund të formohet edhe gugëllim dhe i gugëlluar, duke rritur kështu numrin e huazimeve të panevojshme, pasi i kemi ekuivalentet p.sh. për emrin, kemi kërkimi në Gugëll). Kjo mund të shmanget, duke përdorur grupin kërkoj në Gugëll, siç kemi edhe kërkoj në internet. Nga pikëpamja sintaksore, grupi foljor gjithashtu shfaqet mjaft i larmishëm. Janë karakteristike lokucione foljore me përdorues të ligjërimeve të ndryshme (ma hoqi petllën - më çmendi,/ma hoqi pinin - më çmendi nga të rinjtë). Kujdes: Nuk ka pse përdoret: Kam flutura në bark (zakonisht, kur ke ndjenja për dikë), pasi është një huazim strukturor i panevojshëm, që i ka mjetet në shqipe (kam ndjenja për dikë, i ka ra n’kry për dikë etj.). Nga sa thamë më sipër, vumë re se ligjërimi bisedor dhe ai i shkujdesur kanë shmangie të konsiderueshme nga standardi në forma e në ndërtime foljore. Kjo nuk do të thotë se këto janë variante jo të mira dhe ju nuk duhet t’i përdorni. Kujdes duhet pasur me huazimet foljore të panevojshme.
STUDIM TEKSTI
Verifikoni njohuritë
1. Kujtoni dy kriteret bazë që përcaktojnë ligjërimet. 2. Çfarë roli luan folja në organizimin gjuhësor të teksteve të ndryshme dhe pse? 3. Cilat janë nivelet kryesore të studimit gjuhësor, në të cilat është studiuar folja dhe grupet e tjera të fjalëve? A lidhen këto përshkrime vetëm me standardin? Ilustroni me shembuj. 4. Si shfaqet folja në ligjërimin libror në raport me standardin? A i respekton trajtat e sugjeruara nga ai dhe pse është e nevojshme një gjë e tillë? 5. Si shfaqet folja në ligjërimin bisedor e të shkujdesur në raport me standardin, dialektet, sociolektet etj.? 6. Folëm më lart për huazimet foljore. A përdorni shumë folje në gjuhë të huaj dhe pse? Sillni shembuj. A mendoni se janë të nevojshme?
Ushtrohuni përmes tekstit
7. Lexoni me vëmendje tekstin. Kalojeni atë nga ligjërimi libror, në ligjërimin bisedor.
Mjeku po konsultohej me pacientët mbi pasojat e Covid-19. Ishte e vështirë t’u shpjegoje me terma teknikë se përmirësimi kërkonte kohë dhe nuk ishte një proces i lehtë. Pacientët u përkisnin kategorive të ndryshme në lidhje me profesionet dhe shtresat sociale nga vinin. Kjo e bënte edhe më të vështirë bisedën, megjithatë mjeku e bënte me përkushtim punën e tij dhe nuk lodhej.
8. Kaloni tekstin nga ligjërimi i shkujdesur, në ligjërimin bisedor.
A: Hë mo ça bone?
B: Ku je o vlla?
A: A të dha leje plaku për sot?
B: Aman se ma ka nxi tu m’ pyt ku ke me shku? Me çin je? N’ça ore je tu ardh ti?
A: M’shtat pa dhjet?
B: Ok. Hajt se n’gjohna ma von. Shnet!
A: Tung plako! 9. Teksti më poshtë është shkëputur nga një këngë, e cila ka shumë tipare të ligjërimit bisedor e të shkujdesur. Dallojini ato. Muj me than u kan dashni Ka egzistu Muj me than kom pas shum ndjenja Hala te du
Muj me than kom pas besim S’pakti kom provu Edhe ti shum mir e din Nuk m’ ke meritu Po e vështroj shtëpin, të cilën kemi pas ne dy E kemi hup kontrollën, hup drejtimin, ne dy
Si ke zani yt, me lot i thym Tu vujt Me ty nuk muj Pa ty nuk muj

("Ndryshe", Khuba)
10. Në mësim sqaruam tiparet e ligjërimeve të ndryshme, duke theksuar në fund se ato përdoren në kontekste të caktuara dhe nuk ka pse të ketë paragjykime në lidhje me to.
Nëse teksti më lart do të kthehej në standard, si do të tingëllonte? A do të ishte njësoj?
Sillni raste të tjera të ngjashme. Diskutoni në klasë në lidhje me tekstet e këngëve e vlerat e tyre në raport me standardin, dialektet e ligjërimet e ndërtuara në bazë të tyre. 11. Gjatë jetës suaj besojmë se keni dalluar të folme të grupmoshave të ndryshme. A mund të sillni shembuj të tillë në klasë? A kemi ndryshim edhe të foljes, formave dhe ndërtimeve të saj në to dhe t’i shpjegoni?
Sfida e të shkruarit
12. Gjatë ligjërimit tuaj bisedor e të shkujdesur me njëri-tjetrin a keni vënë re tipare të ngjashme me ato që përshkruam më lart në lidhje me format dhe ndërtimet foljore? Shkruani një tekst të tillë. Mund të shkruani variante të komunikimit me kode, që përdor grupmosha juaj. Mos u druani të shkruani në dialekt, ose ashtu siç i shqiptoni.