16 minute read

Pasurimi i fjalorit kritik dhe gjuhës analitike

Gjuhë

PASURIMI I FJALORIT KRITIK DHE GJUHËS ANALITIKE

Advertisement

Siç dihet, komunikimi realizohet nëpërmjet teksteve të llojeve të ndryshme. Çdo tekst i shkruar apo i folur përbën në vetvete një akt të foluri, i cili mund të shprehë një informacion të caktuar në trajtë parashtrimi, kërkese, urdhri, premtimi, ankimi, kritike etj., nëpërmjet fjalive të llojeve të ndryshme (pohore, pyetëse, mohore etj). Në pjesën më të madhe, dhënësi, krijuesi i këtyre akteve të të folurit ka një synim të caktuar kur i artikulon ato, madje edhe në rastin kur nuk shprehen me pyetje në formë kërkese. Mendoni pak dikë që vjen në shtëpi dhe te dera thotë: “Erdha unë!”. Ky kontekst parashikon një rutinë të zakonshme për të, që do të thotë se ai ka për qëllim të njoftojë ardhjen e tij, të marrë vesh se kush është në shtëp, të dijë se çfarë do të hajë (ndër të tjera). Gjithsesi, parashtrimi i synimeve të caktuara ka shprehje më të sofistikuara se një kontekst i tillë ilustrues që përmendëm. Ai madje studion, rendit dhe përshkallëzon teza, argumente, duke përpunuar fjalorin shkallë-shkallë dhe duke na i paraqitur argumentet me një gjuhë analitike sa më bindëse, kundrejt atij të cilit i drejtohet ky akt të foluri.

Analizë përmes shembujve

Le të shohim pak tekstin e mëposhtëm, të shkëputur nga filozofi i shekullit XX, Bertrand Rasëll (Bertrand Russell).

(1) Jeta intelektuale e shekullit të nëntëmbëdhjetë ishte më komplekse sesa në çdo epokë tjetër të mëparshme. (2) Kjo erdhi si rrjedhojë e disa shkaqeve. (3) Së pari, zona për të cilën bëhet fjalë ishte shumë më e gjerë se më parë; Amerika dhe Rusia dhanë kontributet më të mëdha, ndërsa Evropa filloi të njihej shumë më tepër se më parë me filozofitë indiane, si të lashta edhe të reja. (4) Së dyti, shkenca, e cila kishte qenë burim kryesor i risive që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, bëri hapa të tjerë përpara, sidomos në gjeologji, biologji dhe kimi organike. (5) Së treti, prodhimi me makineri e ndryshoi thellësisht strukturën shoqërore dhe u dha njerëzve një konceptim të ri të aftësive të tyre në lidhje me mjedisin fizik. (6) Së katërti, një revoltë e thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi, u hapi rrugë sulmeve kundër shumë bindjeve dhe institucioneve, që deri më atëherë kishin qenë të paprekshme. (“Si të shkruajmë”, Thomas S. Kane)

Pasi e lexon gjithë tekstin, secili prej nesh vëren se synimi i tij është që të japë një informacion mbi kompleksitetin e jetës intelektuale të shekullit të nëntëmbëdhjetë, siç parashikohet edhe në fjalinë e parë të tij (fjalinë tematike), që përmban edhe çështjen kryesore, e cila do të shtjellohet në vijim. Fjalia e dytë realizon edhe kompozicionin vijues të logjikës së fjalive që do të vijnë më pas, sepse ajo paralajmëron dhe parashikon dhënien e disa shkaqeve që lidhen me këtë kompleksitet: “Kjo erdhi si rrjedhojë e disa shkaqeve.”. Dhe me të vërtetë, në fjalitë 3, 4, 5, 6 parashtrohen shkaqet në nivele të ndryshme të jetës intelektuale.

1

Së pari, jepet shkaku-argumenti i shtrirjes hapësinore, që ndikoi në njohjen me filozofi të cilat ishin më pak të njohura më parë: “Së pari, zona për të cilën bëhet fjalë ishte shumë më e gjerë se më parë; Amerika dhe Rusia dhanë kontributet më të mëdha, ndërsa Evropa filloi të njihej shumë më tepër se më parë me filozofitë indiane, si të lashta edhe të reja.”.

Së dyti, jepet shkaku-argumenti, që ka të bëjë me zhvillimin e shkencës në disa fusha specifike: “Së dyti, shkenca, e cila kishte qenë burim kryesor i risive që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, bëri hapa të tjerë përpara, sidomos në gjeologji, biologji dhe kimi organike.”.

Së treti, jepet shkaku-argumenti i zhvillimit të teknologjisë: “Së treti, prodhimi me makineri e ndryshoi thellësisht strukturën shoqërore dhe u dha njerëzve një konceptim të ri të aftësive të tyre në lidhje me mjedisin fizik.”.

Së katërti, jepet shkaku-argumenti i një revolte të thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi:

“Së katërti, një revoltë e thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi, u hapi rrugë sulmeve kundër shumë bindjeve dhe institucioneve, që deri më atëherë kishin qenë të paprekshme.”. - Kjo lloj endjeje e shkakut, argumentit dhe mendimit, për të realizuar qëllimin e autorit, krijon edhe koherencën parashtruese-shpjeguese të të gjithë tekstit, i cili i jep në mënyrë analitike (duke i marrë hollësisht një e nga një, faktet, argumentet), si dhe parashtron tezat e autorit. Në këtë mënyrë, krijohet një panoramë e qartë e çështjes kryesore të parashtruar në fjalinë tematike, si pjesa kryesore e paragrafit, siç keni parë në mësimet pararendëse. - Nga pikëpamja e ndërtimit, e kohezionit, është e dallueshme se kemi të bëjmë me një tekst të ndërtuar qartë dhe me fjalor të përzgjedhur, sipas fushës kuptimore, që i referohet shkaku-argumenti. P.sh., nëse marrim fjalinë 4, është pikërisht fusha kuptimore e shkencës, që realizohet më tej me disa nivele të saj si: gjeologji, biologji, kimi (Së dyti, shkenca, e cila kishte qenë një burim kryesor i risive që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, bëri hapa të tjerë përpara, sidomos në gjeologji, biologji dhe kimi organike.). - Në fjalinë 5, fusha kuptimore e teknologjisë lidhet me fjalë të tilla, si: makineri, prodhim, mjedis fizik (Së treti, prodhimi me makineri e ndryshoi thellësisht strukturën shoqërore dhe u dha njerëzve një konceptim të ri të aftësive të tyre në lidhje me mjedisin fizik.). - Në fjalinë 6, fusha kuptimore e revoltës përmbledh fjalë të tilla, si: revoltë, kundër, sulme, të paprekshme (Së katërti, një revoltë e thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi, u hapi rrugë sulmeve kundër shumë bindjeve dhe institucioneve, që deri më atëherë kishin qenë të paprekshme.). Pavarësisht se këtu kemi shkëputur vetëm një pjesë të të gjithë tekstit, një paragraf, fare lehtë mund të dallohet denduria, qartësia, por edhe përshkallëzimi i gjuhës, i fjalorit, në lidhje me shtjellimin e tematikës dhe argumenteve që parashtrohen. P.sh., fjalia 6, që përfaqëson edhe shkakun e katërt, përmbledh në vetvete koncepte më gjithëpërfshirëse, si fjala sistem, për shembull. Argumentimi tashmë ka kaluar nga identifikimi konkret i shkaqeve, në një gërshetim të këtyre të fundit me perceptimin

dhe ndjeshmërinë e aktorëve të këtij konteksti, që nuk emërtohen direkt (njerëzve, intelektualëve që shfaqin këtë revoltë - Së katërti, një revoltë e thellë, si filozofike, ashtu edhe politike, kundër sistemeve tradicionale në të menduar, politikë dhe ekonomi, u hapi rrugë sulmeve kundër shumë bindjeve dhe institucioneve, që deri më atëherë kishin qenë të paprekshme.). Gjithashtu, vihet se teksti është në standard dhe përgjithësisht përfaqëson një tekst që i referohet regjistrit formal, duke qenë në koherencë të plotë me tematikën dhe endjen kohezive që kërkojnë tekste të tilla. Le të shohim edhe një rast tjetër, ku argumenti dhe ndërtimi i koherencës dhe kohezionit të tij nuk ka parashtrimin shpjegues që pamë më lart.

(1) “Fusha ime, thotë Gëtja, është koha”. (2) Ja, kjo është fjala absurde. (3) Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd? (4) Ai që, pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë. (5) Jo se nostalgjia është e huaj për të. (6) Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet. (7) Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij. (8) I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës. (9) Aty është fusha e tij, aty është veprimi i tij që e përjashton nga çdo gjykim, përveç të vetit. “Krijimtaria absurde”, Alber Kamy, përktheu P. Sinani

Çdo lexues i këtij teksti, besojmë, e ka të nevojshme ta lexojë disa herë atë, pasi koherenca dhe kohezioni në të nuk paraqiten aq lehtësisht të identifikueshme, sa në tekstin e dhënë më lart. Ato janë shumë specifike dhe kërkojnë një analizë të secilës fjali, në mënyrë që të shikohet se çfarë lidhjeje kanë ato me njëra-tjetrën. Kështu, fjalia e parë (“Fusha ime, thotë Gëtja, është koha”.) lidhet me fjalinë e dytë (Ja, kjo është fjala absurde.) nëpërmjet faktit se sqarohet që “koha”, e cila i përket fjalisë së parë dhe shihet nga Gëtja si tipar i interesit njerëzor, në fjalinë e dytë, konceptohet si fjalë absurde. Në pamje të parë, fjalia 3 (Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd?) duket sikur nuk ka lidhje me të dytën (Ja, kjo është fjala absurde.), por në fakt është fjalia parë, që krijon mundësinë deshifruese të koherencës mes tyre. Kështu, meqë koha është pjesë e interesit të njeriut (fjalia e parë) dhe koha është fjala absurde (fjalia e dytë), pyetja e fjalisë së tretë (Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd?) kërkon pikërisht dhënien e tipareve të njeriut absurd. E në këtë kontekst edhe dy fjalitë e para përfshihen logjikisht në koherencë me të tretën. Fjalia 4 (Ai që, pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë.) ka një lidhje dyfishe koherence me fjalinë e tretë dhe me të parën. Me fjalinë e tretë, lexuesi dallon se përjetësia është tipar i interesave të njeriut absurd. Gjithashtu, kjo fjalë krijon koherencë edhe me konceptin e kohës, që u paraqit në fjalinë e parë, pasi ajo shfaqet në një raport metonimik me të dhe është pjesë e së njëjtës fushë kuptimore. Fjalia 5 (Jo se nostalgjia është e huaj për të.) krijon kontrast dhe marrëdhënie antonimike me fjalinë 4 (Ai që, pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë.), pasi ato ndërtohen mbi bazën e dy të kundërtave: përjetësisë (në kuptimin e së ardhmes) dhe nostalgjisë (në kuptimin e së shkuarës). Gjithsesi, përsëri jemi në fushën kuptimore të kohës, raportit të saj me njeriun dhe përsëri kjo fjalë (koha) reflekton

2

një koherencë, e cila varet nga një koncept kryesor (koha p.sh.) e hapet në formë rrezesh me të gjitha fjalitë e tjera të analizuara deri më tani. Fjalia 6 (Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet.), nga pikëpamja drejtshkrimore e standardit nuk duhej të ishte më vete, pasi kemi lidhëzën kundërshtore por, me të cilën nis fjalia. Kjo e fundit, në fakt, është pjesë homogjene e fjalisë 5 (Jo se nostalgjia është e huaj për të.). Po këtë fakt ne nuk e gjykojmë këtu me këtë sy, pasi nuk jemi në tekste që respektojnë normën gramatikore. Sidoqoftë, pavarësisht paraqitjes grafike të këtyre dy pjesëve si dy fjali, është plotësisht e perceptueshme kjo fjali si pjesë e fjalisë paraprijëse edhe si logjikë koherence, edhe si mënyrë ndërtimi e këtyre dy pjesëve si një e vetme. Fjalia 7 (Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij.) merr në mënyrë lineare dy konceptet e fjalisë paraprijëse (Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet.), pra, guximin dhe arsyetimin. Duhet thënë se, pavarësisht se duket sikur këto dy fjalë kanë marrëdhënie rimarrjeje vetëm me fjalinë paraprijëse, përsëri ato kanë referencë në distancë edhe me konceptin e njeriut (përkatësisht, atij absurd), tiparet e interesat e të cilit po diskutohen (Fjalia 3: “Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd?”.). Pra, autori ruan të njëjtin kohezion, megjithëse mund të ndryshojë pikën referuese. Kujtojmë se, në shumicën e rasteve, referencat bëhen me kohën. Fjalia 8 (I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës.) lidhet me fjalinë 7 (Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij.) pikërisht me të njëjtin stil të përmendur më parë, përkatësisht përmes një rimarrjeje të fjalëve të së njëjtës fushë kuptimore, konceptit kufij me konceptin liri, më saktë kufizimin e saj. Fjalia 9 (Aty është fusha e tij, aty është veprimi i tij që e përjashton nga çdo gjykim, përveç të vetit.) rimerr direkt, nëpërmjet deiktikut (aty-referent i një vendi virtual kohor, këtu i dhënë me një metaforë rrjedha e jetës), fjalinë 8 (I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës.). Kujtojmë se vazhdon lidhja e këtij të fundit (rrjedhës së jetës) si koncept me kohën, tashmë madje në kuadrin e një parafraze. - Nga kjo analizë mund të dallohet se në thelb teksti merret me raportin e kohës me njeriun absurd, që e koncepton si absurde kohën (njeriu). E gjithë kjo marrëdhënie absurde (Kini parasysh se Kamyja është përfaqësues i ekzistencializmit, që ndër të tjera trajton sfidën krenare të njeriut ndaj universit të dhunës e universit të pakuptimtë, që ai e quante absurd.) reflektohet nëpërmjet një mënyre ndërtimi, në të cilën fjalët e fushës semantike të kohës (si pjesë e interesave të njeriut), rimerren herë në raporte metonimike, herë perifrazohen për të shfaqur këtë marrëdhënie paradoksi-absurd. - Nga ana tjetër, e gjitha kjo marrëdhënie dhe gjithë rimarrjet direkte të fjalive njëra me tjetrën, janë të përqendruara shumica me fjalinë e parë e përkatësisht me konceptin e kohës [Përjashtim bën vetëm fjalia e tetë që i referohet fjalisë së tretë (njeriut absurd)]. - Duhet thënë se teksti i përket një regjistri mjaft të ngritur, me bazë arsyetimi debatin filozofik, por i dhënë në trajtën e një eseje. Në të vihet re përshkallëzimi i analizës e bashkë me të edhe i fjalorit analitik, që herë pas here vishet me struktura që induktojnë interpretim skenik (Kini parasysh pyetjen te fjalia e tretë.

Fjalia që fillon me pjesëza mohuese, si fjalia e pestë, ndarje të një fjalie si fjalia e pestë me fjalinë e gjashtë, elipsat e kryefjalëve dhe fjali që fillojnë me mbiemër, si fjalia e tetë etj.).

1

Verifikoni njohuritë

1. A ka ndonjë qëllim pas çdo akti të foluri? Nëse po, jepni shembuj nga përditshmëria juaj komunikuese. A bëni ndonjë plan në mendjen tuaj se si ta organizoni gjuhën, në mënyrë që qëllimi juaj të jetë i suksesshëm? Ilustroni me shembuj. 2. Dalloni fjalinë tematike në tekstin e parë dhe thoni se çfarë pozicioni ka ajo në lidhje me koherencën e gjithë tekstit, pra, në lidhje me fjalitë e tjera. 3. Fjalitë që japin shkaqet-argumentet në tekstin e parë varen nga njëra-tjetra apo jepen në formë të degëzuar, për të shtjelluar konceptin e fjalisë tematike? Identifikojini në tekst konkretisht. 4. Shkruani në dërrasë tekstin e dytë (të Kamysë) dhe lexojeni me vete disa herë. A dalloni një fjali tematike, e cila organizon gjithë fjalitë e tjera, siç pamë në tekstin e parë? 5. Nëse jo, pasi dikush nga ju të lexojë interpretimin e bërë nga ne, duke treguar fjalitë e shkruara në dërrasë dhe duke vënë shigjeta për të treguar lidhjet dyfishe të një pjese prej tyre, dalloni konceptet drejtuese, që realizojnë këtë koherencë. 6. Cili prej teksteve është më i lehtë për t’u ndërtuar? Provoni të krijoni njërin prej të tyre.

Ushtrohuni përmes tekstit

Intelektuali që nuk ngopej me kulturë, ai që e kishte ndier tërë jetën damkën përvëluese të “armikut të klasës”, ai që nuk kishte pasur as edhe një varr për njeriun e tij të pushkatuar apo të vdekur në burg, i riu që përpara vetes nuk shihte veçse një jetë të shpëlarë dhe të njëtrajtshme; ai që nuk mund t’i kushtohej Zotit - të gjithë këta njerëz nuk ua kishin nevojën pamjeve televizive për të kërkuar të çliroheshin nga skllavëria…

Amik Kasoruho

7. Vëreni me kujdes ndërtimin sintaksor të fjalive në tekst. Në ç’raport qëndrojnë fjalitë bashkërenditëse me ato nënrenditëse? Në ligjërimin tuaj të përditshëm, dominon fjalia nënrenditëse apo bashkërenditëse? Pse? 8. Që të sigurohet koherenca në tekst marrin vlerë mënyrat e lidhjes. Në këtë kontekst, si paraqitet lidhja e fjalive me njëra-tjetrën? Cili është deiktiku vetor, që përdoret më së shumti? A krijon monotoni përsëritja e tij? Krahasojeni me të folurin personal. A përsëritni zakonisht të njëjtën fjalë apo e zëvendësoni me deiktikë të tillë? 9. Identifikoni argumentet e këtij teksti. A diskutohen ato zakonisht në ligjërimin e zakonshëm, apo kërkojnë auditor e dhënës specifikë që t’i realizojnë ato? Pse? Rimarrja e tyre bëhet në mënyrë kronologjike, me marrëdhënie shkak-pasojë apo për të njëjtin koncept shtjellohen në mënyrë të degëzuar disa tipare? 10. Vini re përdorimin e përemrave lidhorë. Në çfarë pozicioni janë ata dhe çfarë marrëdhënieje kanë me imazhet, që shtjellohen si argumente në tekst (intelektuali, i riu, ai)? 11. Nga analiza e mësipërme vëmë re se ka njëtrajtësi kohezioni që ndërton tri imazhet e personazheve kryesore që shtjellohen. A krijon kjo gjë vështirësi apo lehtësi në të mbajturin mend? 12. Ky lloj ndërtimi ka efekt stilistik, sepse, ndër të tjera, krijon aliteracione që realizojnë imazhe specifike. Në këtë këndvështrim, identifikoni dhe arsyetoni figurën e aliteracionit. Çfarë imazhi ju krijon dhe si lidhet ai me ndjesitë tuaja?

2

13. Teksti më sipër është një tekst i përzier, që afron me dëshminë historike me elemente publicistike. Pjesa e shkëputur nga fjalia e madhe “të gjithë këta njerëz nuk ua kishin nevojën pamjeve televizive për të kërkuar të çliroheshin nga skllavëria.” merr atributin e fjalisë tematike.

Pse është zhvendosur në atë pozicion? A ka lidhje me lirshmërinë që i jep lloji i tekstit?

Argumentoni përgjigjen. 14. Teksti më lart i referohet një periudhe historike të shqiptarëve, përkatësisht emigracionit masiv të viteve ‘90, kur Shqipëria theu vargonjtë e diktaturës komuniste. A mund të bëni një paragraf të ngjashëm si ky për një ngjarje historike, politike që ju ka mbetur në mendje? Një paradoks i çuditshëm ekziston në lidhje me gramatikën. Nga njëra anë, ajo mendohet si një nga lëndët shkollore më të mërzitshme, e përshtatshme vetëm për ata persona në venat e të cilëve ka kohë që nuk rrjedh më gjak, por bojë shkrimi. Nga ana tjetër, është një lëndë për të cilën, edhe njerëz që as do t’u shkonte mendja të bëheshin gjuhëtarë profesionistë, kanë mendime dhe bindje dogmatike, të cilat mund t’i mbrojnë plot me zjarr. Një pjesë e mirë e këtij paragjykimi rrjedh nga burimet e zakonshme të paragjykimeve - padituria dhe paqartësia. Edhe ndër njerëzit mjaft të shkolluar, të rrallë janë ata që e kanë të qartë se çfarë bëjnë gramatikanët, madje ekziston edhe një keqkuptim i pafat për vetë kuptimin e fjalës “gramatikë”. U. Nelson Frensis (W. Nelson Francis)

15. Konsultoni në Fjalorin e Gjuhës e Shqipe fjalën “paradoks”. Cili nga kuptimet e saj përdoret në tekstin e mëposhtëm? A ka fituar nuanca të reja kuptimore? 16. Paradoksi si koncept e si figurë kërkon dy anë, që në pamje të parë nuk përputhen me njëratjetrën. Cilat janë këto dy anë në tekst dhe a ka fjala paradoks edhe funksion ndërtues në kompozicion? 17. Elementi kryesor që shtjellohet në tekst është gramatika e koncepti mbi të. Dalloni fjalët që i përkasin fushës kuptimore të gramatikës. A kanë vlerë në ndërtimin e koherencës së tekstit? 18. Trajtimi që u bëhet dy qasjeve në lidhje konceptin e gramatikës krijon edhe një koherencë specifike. A kemi përshkallëzim të argumentit sipas rëndësisë dhe ku e vini re atë? 19. Në tekst vihen re nuanca ironie: Nga ana tjetër, është një lëndë për të cilën, edhe njerëz që as do t’u shkonte mendja të bëheshin gjuhëtarë profesionistë, kanë mendime dhe bindje dogmatike, të cilat mund t’i mbrojnë plot me zjarr. Vëreni lidhjen e përshkallëzimit të argumentit me ironinë.

Për cilat arsye vjen ky lloj perceptimi? 20. Pasi keni bërë analizën e mësipërme që kërkon lexim disa herë të tekstit, si mendoni, kemi të bëjmë me njё tekst që përfaqëson vetëm tipare historike, publicistike, letrare etj., apo të përziera? A mund ta ndërtojë zakonisht këtë koherencë e kohezion çdo përdorues i zakonshëm? 21. Diskutoni në grup në lidhje me këtë paragraf dhe debatin që u zhvillua. Pasqyrojeni në formë të shkruar, duke u munduar të krijoni një tekst të strukturuar, që mbështetet në një koherencë të ngjashme me tekstin më lart.

Sfida e të shkruarit

22. Ngrohja globale dhe problematikat e saj janë një ndër çështjet kryesore që diskutohen sot në botë. Duke punuar në grup, mblidhni fillimisht informacione mbi këtë çështje, pastaj renditni tezat dhe kundërtezat. Përcaktoni renditjen e tyre, duke i përshkallëzuar sipas vështirësisë.

Gjatë kësaj pune, përshkallëzoni edhe fjalorin analitik që gjetët. Në fund, prezantoni para klasës punën e bërë me shkrim dhe sqaroni edhe etapat e ndërtimit të saj, duke reflektuar referencat përkatëse.

This article is from: