
16 minute read
Horhe Lui Borhes
Letërsi
Horhe Lui Borhes
Advertisement
Shkrimtari argjentinas, H. L. Borhes është një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të asaj letërsie që njihet si letërsia fantastike e Amerikës Latine, por edhe një nga shkrimtarët më ndikues të gjysmës së dytë të shekullit XX. Nëpërmjet veprave të tij, veçanërisht tregimeve, ai ushtroi një ndikim të fortë në zhvillimin e letërsisë fantastike dhe, po ashtu, arriti të shënjohet si pararendës i Postmodernizmit në letërsi. Krijimtaria e Borhesit përfshin poezi, tregime, ese, antologji, përkthime, publicistikë etj. Nga veprat më të rëndësishme të Borhesit mund të përmendim: përmbledhjen me tregime “Kopshti me shtigje që bigëzohen” (1942); përmbledhjen me tregime “Fiksionet” (1944); përmbledhjen me tregime “Alefi” (1949); përmbledhjen me ese “Inkuizicionet e tjera” dhe përmbledhjen me poezi dhe proza “Krijuesi” (1960) etj.
Letërsia fantastike
Horhe Lui Borhes, nga Marcelo Neira
Kur flasim për letërsi fantastike, kemi parasysh atë lloj letërsie në të cilën veprojnë elemente të jashtëzakonshme, të pabesueshme dhe turbulluese (angështuese), të cilat shkaktojnë qartazi dyshim apo habi te personazhi, rrëfimtari dhe lexuesi. Në veprat që i përkasin kësaj letërsie, elementi i së jashtëzakonshmes nuk pranohet si realitet normal, si pjesë e rregullit të përditshëm siç ndodh te letërsia e realizmit magjik, por ngjall hezitim e pasiguri, duke e mbushur personazhin, rrëfimtarin dhe lexuesin me dilema e pyetje turbulluese.
Tregimet borhesiane
Në tregimet fantastike, Borhesi ia ka dalë të përvijojë një rend të përsosur vetëm me forcën e fantazisë së rrëfimit, një rend që në dukje, qëndron i pavarur nga realiteti shoqëror: rrëfimi fantastik ofron botë hipotetike, të bazuara në fuqitë e një imagjinate të pacenuar nga kufizimet që imponon poetika imituese në detaje (mimetike) të riprodhimit të realitetit. Me një imagjinatë të tillë është ndërtuar rrëfimi te tregimi “Biblioteka e Babelit”, ku rrëfehet për ekzistencën e një biblioteke, që përmban çdo tekst të mundshëm. Gjithçka që ka qenë dhe që do të jetë është e parashkruar në një Libër, por që njerëzit nuk mund ta lexojnë apo nuk depërtojnë dot në të, sepse faqet e tij janë një kaos shkronjash të kombinuara rastësisht. Po kështu është ndërtuar edhe rrëfimi te “Funesi, njeriu i kujtesës”, një njeri që fiton një kujtesë të jashtëzakonshme pas goditjes që pëson në kokë, duke u rrëzuar nga kali. Gjithçka që ndodh tek ai kthehet në kujtesë. Edhe tregimi “Alefi”, ku rrëfehet për ekzistencën e një sfere të çuditshme përmes së cilës mund të shihet gjithçka që përmban universi, është ngritur po në atë mënyrë. Pra, me një të tillë imagjinatë janë ndërtuar pjesa më e madhe e tregimeve fantastike të Borhesit. Sipas studiuesve, tregimet e Borhesit, si e gjithë krijimtaria e tij, karakterizohen nga një “kërkim origjinal dhe i vazhdueshëm tek i cili nuk ka as metodë, as saktësi, as sistem,
po ku fantazia ngadhënjen dhe hedh dritën e saj mbi një botë që qëndron pezull mes normës dhe absurdit, mes rregullit dhe kaosit, çlirimi i së cilës (qoftë edhe pjesërisht) nga kjo gjendje pezullie i besohet njeriut.” Borhesi është cilësuar si mjeshtër i atij lloj tregimi, ku zbehet dallimi midis realitetit dhe perceptimit të tij, midis së mundshmes dhe fantastikes, midis materies dhe shpirtit, ku shkrihen në një pikë të tria kohët: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.
Temat që trajtojnë tregimet e Borhesit
Shumë prej tregimeve më të njohura borhesiane trajtojnë temën e kohës dhe të kohës ciklike (koha rrethore, sipas së cilës gjërat përsëriten në mënyrë ciklike) (“Mrekullia e fshehtë”, “Funesi, njeriu i kujtesës” “Shtëpia e Asterionit”), të pafundësisë (“Alefi”), të pasqyrave (“Tlön Uqbar Orbis Tertius”), të labirinteve (“Kopshti i shtigjeve që bigëzohen”, “I pavdekshmi” , “Dy mbretërit dhe dy labirintet”, “Shtëpia e Asterionit”), të pamundësisë së komunikimit dhe vetmisë (“Shtëpia e Asterionit”). Në funksion të lëvrimit të këtyre temave, Borhesi përdor shumë figurat e metaforës e të simbolit. Kështu, përmes simbolit të pasqyrës, bibliotekës, labirintit, busullës, orës së rërës, lojës së shahut, rrathëve, sugjerohen kuptimet e shumëfishta të teksteve. (Fantastika, thonë studiuesit, është për Borhesin një sistem simbolesh dhe jo një alegori e thjeshtë; një lojë ose një mistifikim që përkthen një të vërtetë më të thellë.) Tema e labirintit është më e rëndësishmja dhe shfaqet pothuajse në të gjitha tregimet e tij. Në disa prej tyre, imazhi i labirintit vepron si një simbol i ngulitur, në të tjera vetë struktura e rrëfimit është në trajtë labirinti (tregime brenda tregimeve apo histori që janë pjesë e tregimeve të tjera) e në disa të tjera, rendi dhe ritmi i përshkrimit sugjeron idenë e një labirinti. Në fakt, përmes këtyre elementeve të strukturës dhe stilit, Borhesi ka projektuar botëkuptimin e tij dhe sipas këtij botëkuptimi, “bota është kaos dhe brenda atij kaosi njeriu humbet si në labirint”.

Monument i Horhe Lui Borhesit në Buenos Aires
Kjo pikëpamje e botës si kaos është tema e tregimit “Biblioteka e Babelit” dhe shfaqet si një nëntemë në shumë prej tregimeve të tij. Përshkrimi që i bëhet “Bibliotekës së Babelit” na jep imazhin e universit. Që në paragrafin e parë e dimë se bëhet fjalë për një simbol: “Universi (që të tjerët e quajnë Bibliotekë) përbëhet nga një numër i pacaktuar dhe ndoshta i pafund galerish gjashtëkëndëshe me puse të gjera ajrimi në qendër...”. Ashtu si universi, biblioteka është e pafundme. “Biblioteka është një sferë, qendra e plotë e së cilës është çdo gjashtëkëndësh, rrethi i të cilit është i paarritshëm.” Kështu, biblioteka, pa e humbur funksionin e saj si e tillë, bëhet metaforë e universit, e kaosit të tij (ideja e kaosit dhe e konfuzionit bëhet më e plotë po të kemi parasysh simbolikën që përçon fjala Babel), e pamundësisë për të gjetur një formulë të përgjithshme, e pamundësisë për të zbuluar Librin e Plotë. Idenë e labirintit dhe të kaosit të botës e gjejmë edhe te tregimi “Alefi”. Shtëpia e Beatriçes dhe bodrumi në të cilin shfaqet Alefi është një lloj labirinti. Një lloj labirinti është edhe vetë ligjërimi që vesh vegimet që i shfaqen personazhit gjatë kundrimit të Alefit. Nga ana tjetër, Alefi është gjithçka, është bota që shfaqet paradoksalisht te një shkronjë, e cila përmban universin.
Në këtë tregim, ndërthuren tri histori, të cilat nuk ruajnë të njëjtin regjistër ligjërimor dhe pleksen në mënyrë mbresëlënëse mes tyre: 1. vdekja e Beatriçes dhe përpjekja e Borhesit për të ruajtur kujtimin e saj; 2. rivaliteti letrar, por edhe erotik i Borhesit personazh me Carlos Argentino Danerin, kushëririn e Beatriçes dhe udhërrëfyesin e Alefit; 3. rrëfimi mbi Alefin. Te ky tregim, Borhesi merr rolin e rrëfimtarit dhe njëherazi të personazhit kryesor, pra, të një rrëfimtari homodiegjetik që i shpërfaq ngjarjet që ndodhin nga perspektiva e tij. Rrëfimi na vjen në vetën e parë, ndërkohë që zbulimi i identitetit të rrëfimtarit personazh bëhet vetëm nga mesi i tregimit. Veprimi fillon me një vizitë që ai, pra, Borhesi – rrëfimtar e personazh, kryen në shtëpinë e së dashurës së tij, Beatriçe Viterbosë, pas vdekjes së saj. Gjatë kësaj vizite, e cila do të kthehet në ritual, ai njihet me kushëririn e Beatriçes, të quajtur Karlos Argentino Daneri. Daneri e mban veten për poet dhe, në një prej vizitave, i beson Borhesit leximin e poemës së tij, e cila flet për botën. Por Borhesi nuk e vlerëson. Për të, për shijen e tij letrare, Daneri përfaqëson modelin e letrarit argjentinas snob e injorant, që i pëlqen të hiqet si “modernist”, por që në fakt s’është tjetër veçse një mediokër që krijon “vargje të fryra dhe me një shije të keqe”, të cilat e “rrisin deri në pafundësi mundësinë e kakofonisë dhe kaosit”. Muaj më vonë, Borhesi merr një telefonatë nga Daneri që do të ndryshojë gjithçka. Teksa i shpreh frikën se shtëpia do të shembet, ai, në të njëjtën kohë, i zbulon sekretin e tij: në bodrumin e shtëpisë është një Alef, një pikë nga e cila mund të shihet i gjithë universi. Nga këtu fillon e ngjizet edhe elementi i fantastikes në tregim. (Çfarë do të thotë se nga një pikë mund të shihet i gjithë universi? A ekziston një pikë e tillë?)

Borhesi, në një gjendje të trazuar emocionale, i drejtuar nga Daneri (për të cilin dyshon se është i çmendur), zbret në një bodrum të errët e të lagësht që të shohë Alefin: një sferë me diametër disa centimetra që i lejon atij të shohë gjithçka. Alefi fsheh një mikrokozmos të pafund brenda vetes. Kush sheh përmes Alefit, nuk mund të habitet për asgjë, sepse në një çast ka parë gjithçka. “Pata frikë se s’kishte mbetur më asgjë në botë që të mund të më çudiste”, thotë Borhesi personazh. Protagonisti përjeton vegime të pafundme, të cilat përpiqet t’i dëshmojë nëpërmjet një ligjërimi kaotik që nuk lidhet nga asgjë tjetër, përveçse nga përdorimi anaforik i foljes “pashë” dhe një varg veprimesh, që shoqëron nisjen e çdo dëshmie: “pashë detin me një mizëri njerëzish”, “pashë agimin dhe mbrëmjen”, “pashë një rrjetë të argjendtë merimange në qendër të një piramide të zezë”, “pashë...” etj., etj. Ai largohet pa i treguar asgjë nga përjetimet e tij Karlos Argentino Danerit. Por, në ikje e sipër, i sugjeron Danerit të vizitohet te disa mjekë të mirë dhe të pushojë gjatë, larg presioneve të jetës së qytetit. Dhe këtu mbyllet historia. Por tregimi vazhdon me një post scriptum. Post scriptum-i, që si rregull duhet të mbyllte tregimin, ofrohet si një fund i ri për të. Dyshimet që ngre Borhesi, këtu, në formë hamendësimesh dhe eksplorimesh enciklopedike në lidhje me ekzistencën dhe kuptimin e Alefit, në fakt, ndërtojnë një tregim brenda tregimit, sigurisht, me një regjistër tjetër që priret të jetë enciklopedik. Ndaj kjo pjesë, në vend që të shërbejë për të mbyllur tregimin, në të vërtetë e ka rihapur atë. Duke i bërë një lexim ironik historisë dhe duke shpallur se Alefi i rrëfyer në historinë e mësipërme është i rremë (Sado e pabesueshme të duket, unë besoj se ka (ose ka pasur) një Alef tjetër. Mendoj se Alefi i rrugës Garay ishte një Alef i rremë), Borhesi i ka hapur rrugë modelit të tregimit me zgjidhje dyfishe, një teknikë e preferuar e tij dhe e shumë shkrimtarëve modernistë. Ky lloj tregimi sugjeron rileximin si mjetin e duhur, për t’iu afruar lojës së tekstit dhe interpretimeve të shumëfishta që sugjeron ai.
Përdorimi i teknikave moderniste në ligjërim: shkrimi automatik dhe shoqërizimi i lirë
Siç thamë më lart, historitë që ndërthuren tek “Alefi” nuk ruajnë të njëjtin regjistër ligjërimor. Kështu p.sh., në pjesën e rrëfimit mbi alefin, për të përshkruar përjetimin e vegimeve të pafundme e kaotike që i shfaqen protagonistit dhe gjendjen e tij, Borhesi shkrimtar ka përdorur shkrimin automatik. Kjo teknikë, e përdorur kryesisht nga surrealistët, synon që mendimet, që shprehen nëpërmjet shkrimit, të mos iu nënshtrohet rregullave gramatikore të gjuhës, por të ruajnë lirinë që të shkruhen ashtu siç rrjedhin nga nënvetëdija. Ligjërimi i gjatë i rrëfimtarit në këtë pjesë, na kujton edhe gjendjen psikologjike në të cilën ndodhet. Ndaj, këtu ka vend të përmendim edhe teknikën psikanalitike të shoqërizimit të lirë (asociacionit të lirë), e cila shërben për të zbuluar mendimet që vijnë në mendje nga subkoshienca e që nuk përfillin rregullat sintaksore. “... pashë të gjitha pasqyrat e planetit, por asnjëra nuk më pasqyroi, pashë në një oborr në rrugën Soler po ato plloça që kisha parë përpara tridhjetë vjetësh në hajatin e një shtëpie në rrugën Frey Bentos, pashë vile rrushi, dëborë, duhan, damarë metali, avuj uji, pashë shkretëtira ekuatoriale në formë konvekse dhe çdo kokrrizë rëre që i përbënte, pashë në Inverness një grua që s’kam për ta harruar kurrë, pashë leshrat e furishme, trupin e hedhur, pashë një kancer në gjoks, pashë një rrotull dheu të tharë mbi një trotuar, atje ku më parë pat qenë një pemë, pashë
një vilë në Androgue, një kopje të variantit të parë në anglisht të Plin-it, atë të Phileman Holland-it, pashë në të njëjtën kohë, çdo germë të çdo faqeje (kur isha i vogël çuditesha se si germat e një libri të mbyllur nuk përziheshin e nuk humbitnin gjatë natës), pashë natën dhe ditën e sotme, pashë një perëndim dielli në Queretaro që ngjante sikur pasqyronte ngjyrën e një trëndafili Bengali, pashë dhomën time të gjumit bosh, pashë në një kabinet në Alkmaar një glob tokësor mes dy pasqyrave, të cilat e shumëfishonin pa fund, pashë kuaj me jele të dendura në një plazh të detit Kaspik në agim, pashë skeletin delikat të një dore, pashë ata që kishin mbijetuar nga një betejë dhe po dërgonin kartolina, pashë në një vitrinë në Mirzapur një lojë letrash spanjolle, pashë hijet e pjerrëta të disa fiereve mbi truallin e një serre, pashë tigra, pistona, bizonë, turma dhe ushtri, pashë të gjitha milingonat e botës, pashë një astrolab persian, pashë në sirtarin e një tryeze shkrimi...”
Përdorimi i elementeve parodike
Sipas studiuesve, tregimi “Alefi” përmban shumë elemente që ndërtojnë situata aluduese me emrin dhe veprën e Dante Aligerit. Por ndërtimi i këtyre elementeve aluduese tek “Alefi” bëhet nëpërmjet teknikës së shndërrimeve satirike, apo siç e njohim ndryshe, teknikës së parodisë. Kështu, vetë emri i Karlos Argentino Danerit, nëpërmjet anagramës, të kujton emrin e Dante Aligerit; poema që ai po shkruan për botën, gjithësinë, të kujton poemën e Dantes, emri i Beatriçes, prejardhja e saj italiane, vdekja dhe parafytyrimet e saj, të kujtojnë Beatriçen e Dantes; zbritja në bodrum për të parë Alefin të kujton zbritjen në botën e përtejme te Dantja. “Ngjyra dhe hijeshia e stilit të Borhesit qëndron, pikësëpari, në përdorim e mbiemrave, të cilët e tronditin lexuesin me guximin dhe ekscentricitetin e tyre (“Askush nuk e pa të zbriste në tokë atë natë të njëzëshme”) dhe te metaforat e dhunshme e të papritura, mbiemrat dhe ndajfoljet, përveçse trupëzojnë idetë, apo përforcojnë një tipar fizik ose psikologjik, shpesh shërbejnë për të krijuar një atmosferë borhesiane.” Mario Vargas Ljosa, “Letra një shkrimtari të ri”, përktheu Engjëllushe Shqarri
Pozicioni i lexuesit përballë tregimit “Alefi”
Në këtë tregim, lexuesi (i cili nuk është një lexues i zakonshëm, po i formuar, elitar, dhe i predispozuar për lexime të tilla) gjendet tri herë përpara befasisë: së pari, kur zbulon në mes të tregimit, pa asnjë sinjalizim, se rrëfimtari, që është njëherazi edhe personazhi kryesor është vetë Borhesi, që ai e njeh për shkrimtar. Në këtë mënyrë, shkrimtari luan me besueshmërinë dhe mbjell haptazi dyshimin te lexuesi: a ka vërtet një ndarje mes realitetit dhe trillimit? Së dyti, sapo lexuesi ambientohet me faktin se personazhi-rrëfimtar është Borhesi, ai, përmes vështrimit të personazhit, zbulon edhe Alefin, sferën nga e cila mund të shihen të gjitha pikat e universit dhe këndet e ekzistencës. Angështimi bëhet edhe më i madh. Ndërkohë që përpiqet të ambientohet me ligjërimin “kaotik”, me të cilin rrëfimtari synon të shënjojë pamjet e perceptuara nga Alefi dhe të pranojë ekzistencën e Alefit, ai vihet përpara befasisë së tretë: historia e rrëfyer për ekzistencën e Alefit të rrugës Garay nuk është e vërtetë. Lexuesit i duhet të zgjedhë midis dy zgjidhjeve. Ky pozicion, e vë lexuesin në një gjendje “dyshimi” e hezitimi të vazhdueshëm (nëse flasim me përcaktimet e teorive moderne). Dyshimi i shtohet, po të kemi parasysh edhe procedimet narrative: Daneri e pohon ekzistencën e Alefit mëdyshas (“U mëdysh ...më tha se, ...në një qoshe të bodrumit ndodhej Alefi”) dhe me zë të mekur nga ankthi; po ashtu, edhe protagonisti shfaq dyshime, kur pyet se si mund të shihet Alefi në një bodrum të errët (“Po mirë, nuk është shumë i errët bodrumi?”). Ndaj lexuesi borhesian, pritet të jetë lexuesi aktiv, madje bashkëveprues, që di ta ndërtojë vetë marrëdhënien me atë që thuhet apo që fshihet në tekst.
STUDIM TEKSTI
Verifikoni njohuritë
1. Rrëfimi fantastik ofron një botë hipotetike, të mbështetur në fuqitë e një imagjinate të pacenuar nga kufizimet që imponon poetika e riprodhimit të realitetit. Çfarë dini për letërsinë fantastike? Cili është roli i Borhesit në zhvillimin e kësaj letërsie? 2. Cila është një nga temat që gjendet më së shumti në krijimtarinë e Borhesit? Si shfaqet ajo në tregime të ndryshme të tij? Përmendni disa prej tyre. 3. Borhesi e përdor botëkuptimin e tij për botën si kaos në disa tregime. Përpiquni të kujtoni se si e mishëron këtë ide te tregimi “Biblioteka e Babelit”. 4. Në tregimin “Alefi”, personazhi është i njëjtë me rrëfimtarin apo i ndryshëm? Kur shfaqet ai, në fillim, në mes apo në fund të tregimit? 5. Përpiquni të rikujtoni fabulën e tregimit dhe të ndaleni te momenti kur ndërfutet elementi fantastik. 6. Rrëfimi mbi Alefin karakterizohet nga një teknikë e veçantë shkrimi. Cila është ajo dhe ç’karakteristika paraqet? 7. Studiuesit pohojnë se te tregimi “Alefi” mund të shihet një marrëdhënie parodike (shndërrimi sarkastik) që Borhesi ka vendosur me Dante Aligerin dhe poemën e tij.
Evidentoni disa prej elementeve që hedhin dritë mbi këtë marrëdhënie. 8. Cilin lloj lexuesi kërkojnë tregimet e Borhesit?
Ushtroni mendimin kritik
9. Studiuesit i kanë klasifikuar tregimet e Borhesit në llojin e letërsisë fantastike. Në gjykimin tuaj, cilat janë ato tipare që ua japin këtë karakteristikë? A njihni autorë të tjerë që kanë lëvruar tregime fantastike nga letërsia e huaj? Po nga letërsia shqipe? 10. Përveç idesë së labirintit dhe kaosit të botës, çfarë idesh të tjera mendoni se mund të përmbajë “Alefi”? 11. Pjesa e rrëfimit mbi Alefin është shkruar me teknikën e shkrimit automatik. Çfarë dini ju për këtë teknikë shkrimi? A mendoni se kjo lloj teknike i përshtatet situatës në të cilën ndodhet protagonisti i tregimit? 12. Si mendoni, cilat figura letrare mbizotërojnë te pjesa që ilustron përdorimin e teknikave moderniste në ligjërim? Çfarë efekti krijojnë ato? 13. A mund të themi se intriga bazë në tregimin “Alefi” është pranimi i dyshimit dhe i frikës si pjesë e gjendjes njerëzore? Argumentoni përgjigjen tuaj.
Sfida e të shkruarit
14. Provoni të shkruani një tregim me një prej temave që lëvron Borhesi. Ndërfutni elemente fantastike dhe eksperimentoni me shkrimin automatik.

H. L. Borhes
Alefi
Horhe Lui Borhes ALEFI
Kam arritur tani në pikën thelbësore e të papërshkueshme të rrëfimit tim: këtu fillon edhe dëshpërimi im si shkrimtar. Çdo gjuhë është një alfabet simbolesh, përdorimi i të cilit nënkupton një të kaluar, të cilën bashkëbiseduesi e ndan me të. Si t’ua përcjell unë të tjerëve Alefin e pafund, të cilin me zor e nxë kujtesa ime e frikësuar? Mistikët, në rrethana të tilla, përdornin pa kursim emblemat: për të treguar hyjnitë, një persian flet për një zog, i cili në njëfarë mënyre, përfaqëson të gjithë zogjtë, Alanus ab Insulis flet për një sferë, qendra e së cilës ndodhet gjithkund, ndërsa perimetri askund. ( ...) Në pjesën e brendshme të shkallares, për nga e djathta, pashë një sferë farfuritëse që lëshonte një shkëlqim pothuaj të padurueshëm. Në fillim, kujtova se rrotullohej: pastaj e kuptova se ajo lëvizje qe një iluzion i krijuar nga shfaqjet marramendëse që mbante brenda. Diametri i Alefit duhet të qe dy a tri centimetra, por hapësira kozmike ndodhej aty pa asnjë shkallë zvogëlimi. Çdo gjë (sipërfaqja e pasqyrës, për shembull) ishte një pafundësi gjërash, sepse unë e shihja qartë nga të gjitha pikat e universit. Pashë detin me një mizëri njerëzish, pashë agimin dhe mbrëmjen, pashë turmat e Amerikës, pashë një rrjetë të argjendtë merimange në qendër të një piramide të zezë, pashë një labirint të thyer (ishte Londra), pashë të gjitha pasqyrat e planetit, por asnjëra nuk më pasqyroi... Përktheu: M. Meksi
