
9 minute read
Eqrem Basha
Letërsi
Eqrem Basha
Advertisement
Lindi më 15 nëntor 1948, në Dibër. Në vitet 1967-1971, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve, botoi tregime dhe vjersha. Shkroi tregime, romane, vjersha, ese, skenarë për film e televizion, pjesë skenike dhe kritikë për artin figurativ. Përktheu nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave.
Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Disa nga veprat e tij poetike janë: “Opuset e maestros” (1971), “Stacionet e fisnikëve” (1972), Polip-ptikon (1974), “Yjedet” (1977), “Udha qumështore” (1986), “Brymë në zemër” (1989), “Doktrina e të menduarit vetëm” (2006).Ndryshe prej karakterit personal dhe shumë emotiv, që priren të kenë poezitë, përfshirë edhe ato të poetëve që kemi shqyrtuar deri më tani, poezia e Eqrem Bashës është konsideruar një poezi objektive dhe kjo për faktin se në të nuk hasen ngarkesat dhe shfryrjet e tejnxehta emocionale të subjektit lirik. Perceptimi poetik, edhe kur është personal, lidhet me një çështje etike. Tekstet poetike krijojnë një rrjetë të kuptimësisë etike, që përbëhet nga ndërthurja e etikës personale të poetit me parimet etike universale.
Në letrat shqipe debutoi në vitin 1971, me vëllimin e tregimeve “Shëtitje nëpër mjegull”. Po atë vit, botoi dhe librin me poezi, “Opuset e maestros”. Pasuan dhjetë libra me poezi, pesë me tregime dhe katër romane “Dyert e heshtjes”, “Alpinisti”, “Lakorja e Ik’sit”, “Varrë”.
ai që do/di edhe të urrejë ai që urren/do më shumë se të tjerët njëlloj na duam/ndryshe urrejmë urrejmë me shpirt/mjegullën që s’digjet duam me zemër/këngën që shkrihet (“Nëntë tempull përgjunjëzohem”)
E veçanta e poezisë së E. Bashës është ritmika. Poezitë e tij, të shkruara në strofa të gjatësive e formave të larmishme, kanë një muzikalitet e ritëm të spikatur. Poeti iu kushton shumë rëndësi rimave të brendshme të poezive. Muzikaliteti i vargjeve realizohet me anë të një sërë mjeteve gjuhësore e figurative si: përsëritja e frazave dhe e fjalëve, përdorimi i kundërvënieve ose paralelizmave, enumeracionet, anaforat, konsonancat etj. ata që shkuan si ne kënduan dhe s’patën sa deshtën dhe deshtën sa s’patën po patën sa s’mundën ata që shkuan me dhembje u mbuluan se kërkuan pre atyre që kishin mësuan prej atyre që di’shin
Poeti ka prirjen që të poetizojë në veprat e tij detin dhe botën ujore, duke hequr kështu paralele midis fluiditetit të botës detare dhe botës njerëzore. Në fjalorin e tij poetik haset shpesh deti dhe shumë pjesë përbërëse të botës detare: pulëbardhat, polipet, peshqit, sardelet, kripa, bregu i detit, algat, sedimentet, fosile koralesh, peshkaqenët, stërkalat etj. etj. që atëherë në ëndërr e kishte parë veten duke humbur në syrin e një peshku në fjalën e një sardele ngurtësinë e një korali dhe bota kishte mbetur botë e një ëndrre në fundin e detit Në poezinë “Stacionet e fisnikëve”, që është dhe pjesë e vëllimit poetik me të njëjtin titull, poeti u këndon pulëbardhave dhe shprehet se do t’i ndjekë në lartësitë ku fluturojnë, në rrugëtimet e vështira, do t’i ndjekë e t’i ngjajë në bardhësi e në fisnikëri derisa kupton që, në fakt, pulëbardhat gjenden në shpirtin e tij: unë i gjurmoj shtigjeve/e nuk i shoh//ata fshihen në mua. Nga ana tjetër, pulëbardhat janë simboli i bardhësisë e dëlirësisë, një ideal etik që poeti kërkon ta ndjekë, ta gjejë te rrethina e tij, te të afërmit e tij dhe brenda vetes. ç’qëllim keni fisnikët e mi pulëbardha krahëkëputura a s’ma çelni zemrën dhe udhën ma rrëfeni të eci me ju krafshas mos të ngel pas Në poezinë e E. Bashës vihet re shpesh një ton ironizues ndaj asaj që poezitë shpesh e ngrenë lart me tone himnizuese: si ndjenja e dashurisë, gjenialiteti i poetëve, pushteti. Diçka të tillë e vërejmë te cikli poetik me tri balada (pjesë e vëllimit “Yjedet”). Në poezinë “Baladë për poetin e kafenesë së lagjes sonë”: flitna thuana pse e dogje librin tënd në fund dhe nuk i tregove botës se ti ishe i mençur më i mençuri nga të gjithë ç’njihnim ne në kët qytet e ç’do të kishte në qytete të tjera ti dije aq fjalë të mëdha dhe pije aq shumë raki. Balada tjetër me titullin “Baladë dashurie” ironizon poetin e dashuruar dhe njëherazi kotësinë e falsitetin e lidhjes dashurore. Gjithë balada ka tonalitete thuajse parodizuese dhe i ngjan një fjalëshpejte nga ato që kumtohen në formë loje. Vetë emërtesa “baladë” është po ashtu parodizuese, sepse teksti poetik në fjalë nuk ka asnjë lidhje me baladat e dashurisë.
Toni Hamel

Roberto roberto dashnor i vërtetë Veç suzit syshkruar s’shikoi vashë tjetër jetoi me kujtimin e suzit syshkruar [...] zgjohej me kujtimin e suzit syshkruar
jetonte dhe vdiq me kujtimin e suzit suzit syshkruartruphedhurbelhollë e cila sot me kujtimin e robertorobertos derdh lot në shtratin e rafael rafaelit dashnori i vërtetë roberto roberto.
I njëjti ton ironizues gjendet edhe te poezia “Baladë e zezë e një dite të bardhë”, e cila po ashtu i ngjan një fjalëshpejte. pastaj shefi i bandës xzyjabcd me kapelë të zezë me iks nënshefa dhe iks herë delta luftëtarë e formoi një ditë në një banket solemn shtetin e zi me rrugë të zeza e qytete të zi me ushtri e polici të zezë aparat të zi ministra e parlament në zi në një ditë të bardhë Ironia e njeriut që ka parë e di jo pak, shpesh kthehet edhe në autoironi. E tillë është poezia me titull “Dubël surrogati”, ku poeti shkruan: e ndjek veten/i qeshem pas shpine kur ma kthen kokën/bëhem s’e kam parë kur ma bën me sy/shtyhem s’e kuptoj kur më sheh të vrenjtur/shtrihem kokërr shpine dhe shqyhem së qeshuri Vetëdija e lartë shpesh bëhet vrasje ndërgjegjeje dhe poeti, me anë të këtyre vargjeve, i jep zë tensionit midis ndërgjegjes dhe sjelljes së tij injoruese ndaj saj. Një konflikt e tension të tillë e përjetojnë të gjithë njerëzit, së paku një herë në jetën e tyre, ndërsa Eqrem Basha e poetizon duke e ironizuar.
STUDIM TEKSTI
Kuptimi i tekstit
1. Përse studiuesit e kanë cilësuar poezinë e Bashës si poezi objektive? 2. Çfarë mund të thoni për ritmikën e poezisë së E. Bashës? 3. Çfarë rëndësie ka deti në sistemin poetik të Bashës? 4. Cilat janë disa njësi të fjalorit poetik të Bashës që lidhen me botën detare? 5. Si shfaqet ironia në poezinë e E. Bashës? 6. Çfarë qasjeje ka poeti ndaj dashurisë dhe pritshmërive rreth saj?
Ushtroni mendimin kritik
7. Argumentoni përse disa nga tekstet poetike të E. Bashës ngjajnë me fjalëshpejtat. Çfarë efekti dikton përsëritja e tingujve dhe e fjalëve të caktuara te kuptimi i përgjithshëm i poezisë?
E. Basha
ILUSTRIME LETRARE
Poezitë i përkasin ciklit “Marr hov e ndalem”, në veprën poetike “Udhë qumështore”.
Paralele
do të kthehem më vonë do të zgjohesh më herët do të thërras në mëngjes do të kthehesh në mbrëmje do të kthehem në agim do të vrapoj pas teje do të ikësh prej meje do të ik prej teje do të vraposh pas meje do të ndiqemi në shi do të vjellim në diell do të lehim në qiell një ditë të tërë një ditë e një jetë e përtej – zgjohu i dashur je kthyer vonë do zgjohesh herët
Andante
. . . . . . . . . . . . pastaj prapë ndalem dhe bëj gati hapin që s’ka të ndalur
marr hov e ndalem
marr hov e ndalem
marr hov e ndalem
a thua kur jam nisur
Endje

thuaj ku dole nga sterra e ëndrrës në mëngjesin e nesërm thuaj ku do të vesh pas ditës së thatë ku do të ndalesh në muzgun e rëndë ku m’je nisë ku m’je tu shkue
STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Në poezinë “Paralele”, vargjet: “një ditë të tërë/një ditë e një jetë/e përtej”: krijojnë idenë e përkohësisë; krijojnë idenë e vazhdimësisë; krijojnë idenë e diçkaje që do të zgjasë përgjithmonë. 2. Në poezinë “Paralele”, interpretoni vargun “do të lehim në qiell”? 3. Në poezinë “Andante”, titulli ka kuptimin e gjërave që ecin në një drejtim të caktuar me ngadalë.
Pasi të lexoni poezinë, argumentoni nëse subjekti lirik arrin të largohet nga gjendja e pezullisë. 4. Në poezinë “Andante”, a mendoni se e ka të thjeshtë poeti përjetimin e ndjenjës së dashurisë?
Në cilat vargje shprehet kjo gjë? 5. Në poezinë “Endje”, endja e subjektit lirik a ka një pikëmbërritje të caktuar?
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Në poezinë “Paralele”, gjeni të gjitha fjalët antonimike. Cila figurë letrare e kuptimit krijohet nga kontrasti që paraqesin këto folje? 7. Në poezinë “Paralele”, gjeni me anë të cilës figurë përforcohet dukuria e mostakimit midis subjektit lirik dhe të dashurës së tij. 8. Në poezinë “Andante”, gjeni një pyetje retorike dhe interpretoni funksionin e saj. 9. Në poezinë “Andante”, shihni pikat në fillim të poezisë që ngjajnë me një retiçencë të zgjatur. Si mund ta interpretoni këtë shenjë grafike në raport me gjendjen e pezullisë për të cilën shkruan poeti më tej në vargje?
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
10. Në poezinë “Paralele”, gjeni të gjitha foljet antonimike. Përqendrohuni sidomos te vargu: “ose bardhësia të më mbulojë edhe mua të tërin”. 11. Në poezinë “Paralele”, vargjet: “zgjohu i dashur/je kthyer vonë” tregojnë: fjalët që e dashura i thotë heroit lirik; fjalët që heroi lirik ia thotë së dashurës së tij; fjalët që poeti ua thotë lexuesve të tij. 12. Çfarë evokon përsëritja tri herë e frazës “marr hov e ndalem”? 13. Gjeni ato folje në poezi që tregojnë dialogun e brendshëm të poetit me veten dhe dialogun e jashtëm të poetit me të tjerët. 14. Interpretoni frazat “Dita e thatë” dhe “muzgu i rëndë”. Ato evokojnë shterpësi përjetimi, shterpësi krijimi, shterpësi frymëzimi apo diçka tjetër?

Nga teksti te përdorimi
15. Në poezinë “Paralele”, analizoni anaforat dhe efektin e tyre në tekst. 16. Në poezinë “Endje”, vargjet “ku dole/nga sterra e ëndrrës”, fjala “sterrë” përdoret si emër. Thoni çfarë kuptimi ka si i tillë dhe interpretoni nëse lidhet me errësirën e natës kur shihen ëndrrat apo me ëndrrat e këqija si makthe. 17. Analizoni elementet e metrikës së poezive: rimën, ritmin, muzikalitetin, llojin e vargut. 18. Çfarë efekti krijon në këtë cikël poetik rimarrja e fjalëve nga njëri varg te tjetri? 19. Interpretoni titujt e poezive përbërëse dhe si lidhen ato me titullin e ciklit “Marr hov e ndalem”.
Nga teksti te reflektimi
20. Pasi të keni lexuar poezitë e ciklit “Marr hov e ndalem” diskutoni në grup nëse paaftësia për të bërë përpara është gjendje e natyrshme e rrugëtimit tonë jetësor dhe si mund të shmanget ajo. 21. Gjeni si shfaqet autoironia poetike në pasazhet e mësipërme. 22. Interpretoni si realizohet ritmika e poezive të përzgjedhura nga cikli poetik “Marr hov e ndalem”. 23. Krahasoni stilin poetik të E. Bashës me stilin e një poeti tjetër bashkëkohës të tij. 24. Cilat janë ato tipare të formës poetike që mendoni se vlejnë për ta cilësuar E. Bashën si poet modern?
Nga teksti te të shkruarit
23. Komentoni me shkrim poezinë “Narcis”, të poetit E. Basha, shkëputur po ashtu nga cikli poetik
“Marr hov e ndalem”. përreth si dhelpër përvidhesh dhe s’shihesh
s’të gjejnë ke humbur duke kërkuar fytyrën në pasqyrë
je kthyer në atë botë ku je i vërtetë ku s’të njohin e njihesh se fle me vetveten
Narcis
