
24 minute read
Ali Podrimja
Letërsi
Ali Podrimja
Advertisement
Ali Podrimja lindi më 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1966, filloi punë në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës. Më 1976, në edicionin e botimeve “Rilindja”, udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe Letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Filloi të merrej me shkrime qysh i ri. Poezinë e parë, “Arabja” e botoi në revistën “Jeta e re”, nr. 4, 1957. Po kjo revistë, në vitin 1961 botoi edhe librin e tij të parë “Thirrje”. Ky libër, me përkthim të poetit Esat Mekuli, u botua edhe në gjuhën serbokroate (1968). Pos poezive, Podrimja shkroi ese dhe tregime. Ai është nderuar me vlerësime të shumta letrare dhe librat e tij janë botuar, ribotuar e përkthyer në disa gjuhë. Podrimja ndërroi jetë më 21.07.2012, në Lodève të Francës, teksa merrte pjesë në festivalin e poezisë Voix de la Méditerranée. Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” (1961) , “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969) , “Torzo” (1971), “Folja” (1973), “Credo” (1976), “Sampo 2” (1980), “Drejtpeshimi” (1981), “Lum Lumi” (1982), “Fundi i Gëzuar” (1988), “Zari” (1990), “Në bisht të sorrës” (1994) , “Buzëqeshje në kafaz” (1995), “Ishulli Albania”, “Pikë e zezë në blu” (2005) etj.
Podrimja, përmes artit të tij poetik, shkrin lirikën e tij intime me fatin kolektiv të të gjithë kombit. Shumë prej poezive të Podrimjes kanë në qendër etninë shqiptare dhe, për shkak të kësaj qasjeje, ka fituar edhe cilësimin si poet kombëtar. Poezia e Podrimjes cilësohet nga studiuesit si një poezi moderne për natyrën e saj metaforike, simbolike dhe eliptike. Përmasën simbolike të poezisë e pranonte dhe vetë poeti, i cili shprehej: “Poezia ime është një pyll simbolesh, siç ka thënë një kritik, por aty shumë lehtë mund të hyhet; mjafton të ndalesh dhe të shfletosh historinë e popullit”. Gjuha e poezisë synon të shprehë mendimin, por duke e errësuar disi kuptimisht atë. Vargjet e poezisë janë vargje të lira dhe shpesh pa shenja pikësimi apo shkronja të mëdha, që do të diktonin mënyrën e leximit të poezisë, të përjetimit të saj dhe të zbërthimit të kuptimit. Ndryshe nga vargjet e poezisë tradicionale, që kanë sintaksë të rregullt, vargjet e poezisë së Podrimjes kanë thyerje të brendshme (si ndërprerje mendimi) dhe thyerje të jashtme nga pikëpamja formale. Podrimja parapëlqen të eksperimentojë me llojet e vargjeve dhe rimat e brendshme, të cilat i realizon me anë të epanastrofave (përsëritjes së fjalës së fundit të një vargu në fillim të vargut vijues), aliteracioneve (përsëritjes së tingujve të njëjtë a të ngjashëm brenda një vargu), anaforave (përsëritjes të së njëjtës fjalë në fillim të dy a më shumë vargjeve) etj. Veçanërisht këto të fundit janë tepër të pranishme në poezitë e Podrimjes. Sa iu takon rimave të jashtme, duket se poeti nuk u kushton tepër rëndësi, sepse ai nuk do që t’i kufizohet apo t’i mbytet mendimi në ngrehinën e poezisë. Gjithsesi, kjo nuk
do të thotë se rimat e jashtme mungojnë tërësisht. Podrimja i shkruan poezitë e tij përgjithësisht në shqipen e njësuar letrare, por ai përdor dendur fjalë të gegërishtes, të cilat kanë vlera stilistike dhe ngjyresa emocionale të spikatura. Në poezitë e veta, poeti shpesh ndalet te lidhja shumë e qenësishme që ai ka me gjuhën amtare. Në poezinë “Gri”, Podrimja e cilëson shqipen si gjuhën me të cilën do të flasë me perënditë edhe përsëvdekuri. Ndërsa fjalën, si akt krijimi, e konsideron alteregon e tij të përjetshme: nëse s’flas jeta ime s’ka qetësi
fjala ime bëhu UNË (Metafora e jetës sime) Përmes poezive intime, të cilat kanë në qendër unin poetik, por edhe personin Ali Podrimja, poeti përsiatet në vetë të parë për filozofinë e tij për jetën, për parimet dhe vlerat universale, në të cilat beson dhe sipas të cilave do ta shkojë jetën e tij. Të tilla janë: drejtësia, ndershmëria, guximi, trimëria, besimi në njeri (si besim tek e njerëzishmja), dashuria etj. Një poezi e këtillë është “Nuk pranoj se kam jetuar”, ku poeti shprehet: po qe se u frikësova të zgjoj rrugën e verbërt po qe se nuk dita ta kurdis orën në Kullë po qe se nën hijen time strehohen ujq gjarpërinj po qe se barin e keq nuk e herra para derës po qe se nuk dita të lind e të vdes siç mësova po qe se dheut brodha dele e zezë po qe se lë varre e turp po qe se nuk guxova ta them fjalën nuk pranoj se kam jetuar Në poezinë e titulluar “Secili udhëtar përshëndet në mënyrë të vet”, Podrimja shpalos qasjen humaniste që ai ka ndaj njerëzve që takon në jetë: Secili udhëtar në botë përshëndet në mënyrë të vet -- secili prej nesh. Kurse unë gjithmonë kam menduar njerinë ta përshëndes me një buzëqeshje më të nxehtë. Në disa raste Podrimja i shumëfishon referencat ndaj unit poetik në poezi. Kësisoj, Podrimja shfaqet i trefishtë: Podrimja si autori-poet, Podrimja si uni poetik që rrëfen në vetë të parë dhe Podrimja si heroi lirik, që përmendet nominalisht në poezi. Kështu ndodh, për shembull, në poezinë “A gjuhen pëllumbat”: Është rrenë e kulluar se unë Ali Podrimja jam qytetar i rendit të dytë në Planetin Ka Ka Rasti më i veçantë është ai i poezisë “Kur do flasësh o Ali Podrimja”, ku poeti e trajton Ali Podrimjen si tjetrin, të cilin e pyet pse hesht dhe beson ende në njeri, ndonëse identiteti
i cenohet prej falsifikimeve; ndonëse historia, kultura, ritet, gjuha i përbalten; ndonëse ekzistenca etnike i është kërcënuar e vijon t’i kërcënohet; ndonëse vendi i tij përjeton kataklizmin, ndonëse për të huajt ai është hiçgjë më tepër se një emër: Në Evropën mondane je albanais arbëresh në Itali në Greqi arvanitas arnaut në Turqi hamdurlah në Amerikë mish konservash e asgjë tjetër e asgjë tjetër. Poezia i ngjan në fakt një dialogu me vetveten, një përpjekjeje për të kuptuar në çfarë raportesh qëndrojnë besimi e humanizmi dhe rezistenca (sepse poeti kurrë s’e ka kthyer shpinën na shikon në sy dhe përbihesh / shpinën pa na kthyer asnjëherë o Ali Podrimja). A duhet besuar ende te njeriu, ndonëse e keqja ka kapluar çdo gjë që i jep kuptim ekzistencës? Gjithë dhimbja, gjithë vuajtjet, gjithë tmerret e kanë topitur apo e kanë mbytur Ali Podrimjen? Ai ende s’e di dhe prapëseprapë pyet vetveten: Por por Kur do të flasësh o burrë i dheut Apo më parë duhet të lindësh
Kulmin tënd ç’e mbulojnë myshqet. Shumë prej poezive të Podrimjes janë shkruar në vetë të parë dhe në raste të tjera janë dialogjike (përdoret veta e dytë ti) për të shprehur konfliktin, ngarkesën emocionale ose problemin dashuror, familjar, social a etnik. Edhe në poezitë e shkruara në vetën e tretë, poeti nuk e largon veten nga objekti, dukuria apo personi për të cilin shkruan, sepse çdo portretizim poetik ngrihet mbi perceptimin e tij personal. Të tilla, për shembull, janë poezitë që iu kushtohen vendeve, qyteteve apo personaliteteve, që janë referenca të fuqishme historike e kombëtare: Skënderbeu, Kruja, Rozafati, A do ta shoh Shkodrën? Aletë e Korçës, Kulla e Balshajve, Drenica, Atdheu i mbërthyer në Arkë (Martin Camajt), Hora e Arbëreshëve (Skiro di Maxhios), Kush do ta vrasë ujkun (F. Altimarit), Te De Rada në Maki, A ju dëgjon harrimi (Poetëve arbëreshë), Fusha e Atikës (Idriz Ajetit), Loja e pakryer (A. Pashkut), Ndjenja (F. Arapit) etj. etj.
Motivi i etnisë
Motivi i etnisë, i lirisë dhe i Kosovës janë tri motive të kudogjendura në të gjitha vëllimet poetike të Podrimjes. Poezia e tij shpall hapur angazhimin e tij kombëtar, ëndrrën dhe dëshirën e thekshme për liri, plagën dhe lëngimin për Kosovën e robëruar. Motivi i etnisë shpërfaqet përmes një sërë simbolesh, si guri¸ Kulla, fyelli. Në mesin e simboleve mbizotërues është simboli i gurit, që është edhe elementi përbashkues e lidhës i ngrehinës së sistemit poetik të Podrimjes, përveçse edhe titulli i një cikli poetik. Guri shenjon etninë (Ç’guron guri në gurinë / gur guri ndrë gruë më i gurti // gur i gurëzuar pranë gurit / gurth i guruar rreth gurit // guron guri në gurë gurësh / guro guroje gurin në gurinë // ç’gur pranë gurit gur guri // vrimë e parë e fyellit tim – “Ç‘guron guri”); të

jetuarit shqiptarisht (lashë asht lashë lëkurë / vura një gur në Kullë // në Kullë mbylla / një yll – “Droja”); identitetin e patjetërsueshëm, vazhdimësinë dhe rezistencën (merreni këtë gur // pagëzoni ose lëreni pa emër / kohën ndërroja klimën // pa tokë lëreni pa qiell // merreni këtë gur e hidheni/ ku të doni // fortësia e tij na përjetëson – “Merreni këtë gur”); origjinën e hershme (e në kohën e karafilave / koha e gurit / fillon). Motivi i etnisë shfaqet edhe përmes poezive që kanë në qendër shqiptarin, historinë e tij kombëtare dhe fatumin e copëtimit etnik. Në poezinë “Shqiptarët”, Podrimja shkruan: por ata kishin diçka që kurrë s’mund t’ua zbulojë i madhi jetonin gjatë dhe kur vdisnin vdisnin/duke kënduar oi oi oi te koka u mbinte nga një rrap çarë më dysh. Ndërsa në poezinë “Me qenë”, poeti i referohet fatumit të përndjekjes nga armiqtë (qen) dhe fatit të mbrapshtë të pashmangshëm, që i ka zënë shqiptarët: Të jesh shqiptar e ndonjë qen të mos të të ndjekë deri në varr e pamundur është shqiptar të jesh botën varr të mos e kesh e pamundur është e pamundur. Në një tjetër poezi, “Pazari i vdekur”, shpallet autoktonia e shqiptarëve përmes vargut: Shqiptarët / nuk kanë zbritur. Duke e pasur etninë dhe shqiptarinë lajtmotiv të poezisë së vet, pa dyshim që Podrimja shkruan shumë edhe për atë pjesë të trojeve shqiptare të ndarë nga shteti amë në mënyrë të padrejtë, ose të ikur larg, si në rastin e arbëreshëve të Italisë. Simbolikisht, trojet e ndara ose komuniteti i migruar shenjohen nëpër poezi si litar i këputur (Ç’më la ai vrapi / Oh ç’m’u këput litari te Guri i Prevezës / Joni ynë / Mjerë / U, urë - në poezinë “Ura e Artës” me një krah në qiell e një në mishin tim), pyll i prerë (në poezinë “Rekuiem për pyllin e prerë”), lis i vrarë (në poezinë “Fluturim i përgjakur”: Nën Lisin e vrarë të Dodonës / Mbështillet Gjarpri / Trupit të Çamërisë).
Motivi i lirisë
Motivi i lirisë shfaqet në poezi herë si gjakim i pandërprerë, herë si ëndërr e vizion (Anjë pikë loti / Nëse shkuam apo / Vetëm këndonani / E përjetuam lirinë / edhe nga brenda - “Shikimi nga dritarja”) e herë të tjera si lament (ankesë) për mungesën e saj ose për vullnetin për ta arritur atë (“Liria është e tmerrshme”, “Lament për lirinë e njeriut”): Falënderoj Evropën Demokratike Aparteidin Kosova që krijoi
Ja Afrika ime e bardhë Imazh neveritës Qytetërimi
Dorë të çojë dhe Zoti Falënderoj dhe qeverinë serbe që ma mëson gjuhën e hazarëve
Dhe gjumë të rehatshëm i uroj popullit tim Që më bën të vuaj për Lirinë e Njeriut
(“Lament për lirinë e njeriut”)
Në sistemin poetik të Podrimjes spikat motivi i Kosovës, që nuk është vetëm referenca gjeografike e kontekstit ku Podrimja shkroi, por edhe toposi letrar i trashëguar nga poetët pararendës apo bashkëkohës të Podrimjes, si Shkreli apo Dedaj. Kosova e lirë është njëherazi ëndrra dhe dhimbja më e madhe e Podrimjes dhe e të gjithëve atyre që janë gjallë dhe atyre që kanë rënë për të: Nuk vdiset në Kosovë Vetëm njerëzit shndërrohen Në rrënjë në degë të një peme Kur të shfaqet Djalli Të përgjaket Ose të bjerë
("Ato nuk janë varre") Motivin e Kosovës e hasim në shumë e shumë poezi, mes të cilave edhe te: “Magjia e Kosovës”, “Beteja e Kosovës”, “Atdheu Dhembje”, “Pa folje” etj. Por, si kryepoezi të Podrimjes ngritur mbi këtë motiv janë poezitë emblematike, me të cilat identifikohet gjerësisht poeti Ali Podrimja: “Një natë nga netët pa gjumë”, që jep kushtrimin “Zgjohu Kosovë! / Zgjohu nëna ime e dashur!” dhe poezia “Unë, biri yt”: Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura, t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet, t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta e të shpërthejë do si vullkan –
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë. ("Unë biri yt") Motivi i Kosovës, motivi etnik dhe motivi i lirisë shpesh në poezinë e Podrimjes përbëjnë tematikën e letërsisë së angazhuar politike. Të tjera poezi që i përkasin kësaj tematike janë: “Evropa përmes grilave”, “Shoferët e vdekjes”, “Loja e pakryer” etj. Natën e mirë Kosovë Vdekja vazhdon të këndojë në Sarajevë Dhe kokë të prera njerëzish T’i vijnë peshqesh Evropës së fjetur (“Në mbarim të shekullit”)
Lirika personale
Dashuria si akt qëndrese
Fati i të dashuruarve nuk mund të kuptohet dhe as të poetizohet i shkëputur nga referenca historike. Sfida jetësore e të dashuruarve është më shumë se sfidë e uljengritjeve të përjetimeve emocionale të brendshme. Sfida e të dashuruarve në poezinë
e dashurisë së Podrimjes është qëndresa ndaj fatit të vështirë që i ka rënë atdheut, ose fatit të keq që e ka zënë familjen. Po ashtu, poeti nuk e ndan dot se kë ka më të madhe: dashurinë për vendin e tij apo për të dashurën e zemrës. Këtë dyzim e hasim në disa prej poezive të tij: Ti, që syt’ i ngjyve në syt’ e Metohisë sime At ditë, kur të thashë: – Të due, e dashtun, Por nuk di ken ma shum, ty apo Metohinë! (“Iliriana”).
E ti ende po më mat n’udhëtimin tonë, ti që sytë i ngjeve në sytë e kësaj toke atë ditë kur të thashë: të dua e dashur, por s’di kë më shumë – ty apo Kosovën. (“Në udhëtim edhe një dashuri”).
Për të ilustruar konceptimin poetik të dashurisë te Podrimja, mjafton të shohim disa nga vargjet e poezisë “Gjumë të mirë e dashur”: Po qe se ke guxim Çil kapexhikun ta shoh fytyrën hënë të rrumbullakët Murin e rrënoj unë Dhe minjtë dhe gjarpërinjtë dhe ujqit nuk do t’i zërë vrimë e zezë e Dheut Vetëm Çelësi është tek ti Në perlat e tua dikund gjumë të mirë e dashur Të lodhi kolla.
"Jeta mes fjalëve", pikturë nga Soey Milk

Në këtë poezi, e dashura duhet të tregojë në ka guxim të çelë shtëpinë, të ketë besim te burri i saj se do t’i tejkalojë të gjitha vështirësitë, do t’i mposhtë të këqijat dhe armiqtë, mjaft që ajo të ketë dëshirë dhe guxim për t’u përballur me çdo gjë të keqe. Poezia ndonëse është poezi dashurie përshkruan një mjedis të tmerrshëm frikëndjellës, aspak tipik dhe larg idealit romantik, por përkundër këtij mjedisi, dyvargëshi i fundit e ka të sintetizuar gjithë ngarkesën emocionale dashurore dhe empatinë e dhembshurinë e heroit lirik: gjumë të mirë e dashur Të lodhi kolla.
A është thënë gjithçka për dashurinë?
Në vëllimet e mëhershme poetike, Podrimja i këndon më dendur dashurisë, ndarjes dhe kujtimeve. Për Podrimjen, dashuria është universale, ajo gjithmonë vjen / sapo harrojmë të dashurojmë / dhe kurrë s’është vetëm e sotme (“Fjalë për dashurinë”). Për poetin, dashuria dhe e bukura si kategori estetike, qëndrojnë përherë bashkë, sepse siç shkruan ai: Krejt ç’është e bukur / për dashurinë / ende s’është thënë dhe po ashtu krejt ç’është e bukur / mbetet përherë e pathënë, / e kërkuar në jetë. Prapëseprapë, sfida më e madhe për poetin është që ta shpëtojë dashurinë nga fjalët: Trimëria ime më e madhe: Dashurinë ta shpëtoj nga Fjalët Duhet dhëmbët t’ia ndërroj Dhe kohë tjetër t’i krijoj
Nëse në poezitë e kohës së rinisë së poetit ka më tepër intensitet ndjenjash, poezia e dashurisë me kalimin e kohës fillon e bëhet reflektive:
Fjalët e humbën fuqinë magjike për dashuri të reja jeta është tepër e vjetër kur kurrkush më s’mendon me kokë të vet (“Për dashuri të reja jeta është tepër e vjetër”)
Poezia intime e dhimbjes (vëllimi poetik “Lum Lumi”)
Podrimja e ka tejçuar gjithë dhimbjen e tij jetësore në poezi dhe jeta e ka sprovuar jo pak. Jo thjesht me dhimbjen për fatin e Kosovës e të etnisë së tij, por edhe me dhimbjen tragjike familjare. Një prej cikleve poetike më të fuqishme në korpusin e tij poetik është cikli kushtuar të birit, Lumit, i cili vuajti e ndërroi jetë prej një sëmundjeje të pashërueshme. Sublimimi që Podrimja i bën dhimbjes për vuajtjen dhe fatin e Lumit, e ka bërë atë të pavdekshëm si referencë letrare; e ka ndihmuar vetë poetin ta kanalizojë letrarisht dhimbjen e tij, duke krijuar tekste poetike të jashtëzakonshme. Vargjet kushtuar Lumit shndërrojnë në art të pavdekshëm, duke e estetizuar dhimbjen, rëndomtësinë e një dhome spitali, shëmtinë e intrigave dhe egërsinë e armiqve, kobin e vdekjes. Shpesh, poezitë kanë tone atërore moralizuese për parimet morale dhe etike të një jete të dinjitetshme, të ngjashme me ato të poezisë “Në mundsh” të Kiplingut.
Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët Mjeshtëria e tyre: gjuajtja në gabime dhelpëria Ti mëso të duash vogëlush Ti mëso të ecësh me këmbët e tua Mbi të keqen mbi të mirën mendo me kokë tënde Kurrë mos pështyji në dashuri mallkim i fisit
Shkolla jote antike: të dish të çelësh derën e shtëpisë në çdo kohë të dish të thuash fjalën kur duhet thënë Fryma e porosisë morale, tipike prindërore për fëmijën, haset shumë shpesh, edhe në mes të të gjitha problemeve shëndetësore. Në poezinë “Me jetue”, Podrimja i thotë Lumit se kryesorja në jetë është që ai të jetojë dhe “gurin” ta hedhë më larg, çka do të thotë të bëjë më përpara se i ati në jetë. Poezitë e vëllimit “Lum Lumi” shpesh ndërtohen në formë dialogu me Lumin dhe përmbajnë pyetje retorike, që ia shtojnë emocionin vargut:
SHPJEGIMI I DHEMBJES SIME
Libri “Lum Lumi” ka mbi tri dekada që shkruhet edhe pse ka përjetuar disa botime. Idetë, mesazhet, figuracioni dhe elementet e tjera shprehëse më kanë nxitur t’u rikthehem disa poezive, të cilat kanë pësuar redaktim të thellë, të kenë tjetër sistemim në libër, si dhe të nxjerr në pah eliptizmin, veti cilësore në poezinë moderne. Poezia është një udhëtim drejt së panjohurës, ka thënë një i urtë. Shkrimi i saj është punë sizifi. Nuk lind kur ne duam. Latohet derisa ta vjelë maksimumin nga fjala. Për të gjallë të autorit, krijimi është qenie e “gjallë”, lëvizëse. Shkaku i një fjale, figure a strofe, autorët shpesh u kthehen teksteve. Edhe në Letrat shqipe ka shembuj. Poezia konsiderohet diçka hyjnore, ngërthen në vete edhe misterin. Vlerën nuk e përcakton sasia. Mbahen mend poetë edhe për një poezi. Ajo që nuk vdes, të vë në veprim vazhdimisht. Lumi nuk simbolizon vetëm fatin e tij tragjik. Aventurën time të bezdisshme në kërkim të sublimes nuk ia kam borxh vetëm kësaj qenieje... Nuk i kam respektuar disa trajta të gjuhës standarde. Kam dëshiruar të “shpirtëroj” fjalën dhe ta mbaj gjallë kujtimin për Lumin... Ulpianë, 15 janar 2003
(Shënim i poetit në ribotimin e katërt të veprës “Lum Lumi”)
Tërë jetën do të na vijë era jod sëmundje vdekje gjak vrerë do të pështyjmë T’i dezinfektojmë tërë jetën plaçkat ëndrrat fjalët? Edhe këtë ditë ta kalojmë në Spital?
Nëse poetët modernë përjetojnë dilemën e ekzistencës personale dhe shkruajnë për të, dilema e Podrimjes është ekzistenca dhe mbijetesa e të birit. Dhe kur e sheh që shpresat mpaken, poeti zë e vë kujën. Efekti i vajtimit përftohet përmes detajeve rrëqethëse të vuajtjes nga dhimbjet, të tjetërsimit fizik të Lumit, të atmosferës mbytëse spitalore. Me ikjen e Lumit nga jeta, Podrimjes i mbetet të jetë qëndrestar përmes vargjeve të tij, që synojnë të arrijnë sublimen e ta bëjnë të paharrueshëm kujtimin e Lumit të tij.
STUDIM TEKSTI
Kuptoni tekstin
1. A ndryshon poezia e Podrimjes nga poezia tradicionale? 2. Çfarë raporti ka Podrimja me gjuhën amtare? 3. Cilat janë vlerat dhe parimet universale te të cilat beson Podrimja? Në çfarë mënyre përsiatet ai rreth tyre? 4. Cilat janë motivet kryesore të poezisë së angazhuar të Podrimjes? 5. Si shfaqet motivi i lirisë në sistemin poetik të Podrimjes? 6. Çfarë shenjon simboli i gurit në sistemin poetik të Podrimjes? 7. Diskutoni se në çfarë mënyre letrarizohet dhimbja e poetit në vëllimin “Lum Lumi”? 8. Cilat janë disa nga porositë që poeti i jep Lumit dhe a përkojnë ato me parimet dhe vlerat humaniste, për të cilat ai shkruan se i ka ndjekur gjatë jetës?
Ushtroni mendimin kritik
9. Motivi i Kosovës, mendoni se është një motiv që haset së tepërmi në veprën e Podrimjes për shkak të kohës kur ai i shkroi poezitë e veta apo ka të bëjë me prirjen e tij personale për të pasur një angazhim kombëtar? 10. Gjeni në letërsinë shqipe të paktën një rast vepre letrare, në të cilën fati i vendit e i kombit kushtëzon fatin e heroit lirik dhe të raporteve të tij dashurore? 11. Argumentoni pse Lum Lumi është shndërruar në një Wpersonazh shumë të rëndësishëm në letërsinë shqipe.
A. Podrimja
ILUSTRIM LETRAR
Dashuria
Koha është të duhemi Të kesh besim në mua kur të them: trime Të kem besim në ty kur më thua: trim Për kokën time kryeneçe shumë kurtha ngrite Babai yt e fisi shumë pushkë zbrazi Njëmijenjë të zezë kurdise të ma nxije pritën e nën një kulm banonim Me ditë më peshove nga frëngjia Në hijen e Kullës lexoja Shekspirin me vite U fishkëlloja deleve buzë Drinit telartë Sharrit Ma ruaj syrin dashuria ime komitët na bezdisin vrastarë Dorën ma zgjat Uji i Madh gërryen Bregun I huaj nuk jam as vij nga Tokë e Vdekshme Në fund të livadhit të kositur e sheh yni është kali i bardhë Shikomë në sy lëri sharjet fjalët gjaqet do e sjell lulen nga palcë e gurit në Kullë llambën do e ndez do e hedh farën në tokën e shpërpushur Kur të deshta çoje dashuri pas shtatë katundeve e të rënat të forta i kishe kur më deshte bëja dashuri me një grua të marrë e mëhalla jetonte nga shpifjet Na iku jeta trime e nuk menduam pakëz edhe për vete Koha është të duhemi

STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Në vargjet e para, heroi lirik pohon një ndjesi reciproke të domosdoshmërisë për dashuri të forta, është fjala për ndjenjën e besimit. Përse këtë ndjenjë e lidh me cilësinë e trimërisë? Si ndërthuren këto dy koncepte me dinjitetin? 2. Poezia sjell një atmosferë tipike malësore me disa nga traditat patriarkale, ku natyrshmëria e vargjeve përcjell kodin e lashtë të maleve, kodin e gjakmarrjes. Kthehuni në tekst dhe ilustroni vargjet ku shfaqet ky kod. 3. Në vargje thuhet: “Në hijen e Kullës lexoja Shekspirin me vite”, duke sjellë në përjetimin e heroit lirik një nga këngëtarët më të mëdhenj të dashurisë. Si tingëllon përqasja e Shekspirit me
Drinin dhe malet e Sharrit? A është ndjesia e dashurisë sublime kudo? Ç’përmasë i jep natyra dashurisë?
4. Heroi lirik flet me kode: detaje që tregojnë forcën ku do të rritet e ardhmja e kësaj ndjenje: syri, kali i bardhë, lulja, llamba, fara, toka e shpërpushur. Si e kupton lidhjen e fushës semantike të këtyre fjalëve? Ku të çon kjo bashkësi semantike? A lidhet ajo me konceptin tonë mbi familjen?
Nëse po, shpjegoni detajet e përdorura. 5. Pasi ta keni lexuar fundin e mrekullueshëm, kuptoni se heroi lirik nuk e ka të thjeshtë dashurinë.
Në cilat vargje shprehet kjo gjë? Cili është pengu i tij?
Nga teksti te ndërtimi
6. Poezia është ndërtuar si një bashkëbisedim me një njeri të dashur. Si arrin ky ndërtim të krijojë dialog, ndërsa bashkëbiseduesi është i munguar? A e ndihmon këtë kalimi nëpër veta të ndryshme? 7. Në ndërtimin e vargut është përdorur figura e bartjes: vargu thyhet dhe pjesa e mbetur e togfjalëshit kalon në fillim të vargut të ri, pra sintaksa ndërpritet te një varg, për të kaluar te vargu tjetër. A e cenon ky përdorim kuptimin? Jepni mendimin tuaj se përse e ka bërë këtë ndërtim autori. 8. Poezia ka një numër të pafund figurash stilistike, por në mendje të mbeten metaforat, të cilat të kujtojnë si metaforat e eposit, ashtu edhe metaforat e poezisë moderne. Argumentoni se cilat metafora takojnë me eposin tonë dhe cilat me poezinë moderne. Mendoni se ky lloj ndërtimi metaforik ia shton edhe më shumë shprehësinë poezisë? Pse? 9. Vargu i kësaj poezie nuk është as i matur e as krejt i lirë. Ai ka një ritëm të brendshëm, tek i cili rregullatori është theksi i fjalës brenda vargjeve. Gjeni fjalët që theksohen më shumë brenda secilit varg. Përputhja e theksave të tyre do t’ju tregojë kadencat ritmike. 10. Nisja dhe mbyllja e poezisë me të njëjtin pohim (Koha të duhemi), i jep poezisë një mëdyshje të lirisë së gjykimit të lexuesit: si mendoni ju, ky lloj ndërtimi është përmbyllje e fjalës poetike apo grishje për të vijuar lexuesi me ndjesitë? Nëse keni ide të tjera, diskutojini ato në klasë.
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Në vargjet: “Të kesh besim në mua kur të them: trime / Të kem besim në ty kur më thua: trim”, dallojmë dy figura njëherësh: anaforën dhe epiforën. Qëllimi i këtij përdorimi është theksimi i fjalës që përsëritet. Cilat janë kuptimet që i bashkojnë këto fjalë? Si lidhen kuptimet e fituara me kuptimin parësor të fjalëve besim dhe trim? 12. Vargu: “Dorën ma zgjat Uji i Madh gërryen Bregun”, tregon: mundimin shpirtëror që përjeton heroit lirik; dëshirën për të shkuar te deti; uji i madh antropomorfizohet dhe përdoret si figurë për të shenjuar të dashurën; në vargun: “Uji i madh gërryen bregun”, realizohet një paralelizëm figurativ nga vënia ballas e një gjendjeje të natyrës me gjendjen shpirtërore të heroit lirik. 13. Heroi lirik ka një mënyrë shumë të sofistikuar për të treguar vëmendjen, si element kyç që lidh një dashuri: Me ditë më peshove nga frëngjia. Folja peshove përmbledh disa folje brenda: vështrove, mate, kureshtove, vlerësove etj. Mendoni se metafora do të kishte po të njëjtën fuqi, nëse do të përdorej vetëm një nga këto folje? Pse? 14. Në vargun: “në Kullë llambën do e ndez”, fjala kullë është shkruar me të madhe. Kjo do të thotë që ajo merr një shprehësi të dyfishtë. Cilat janë këto shprehësi? Lidhe mendimin tënd me
nocionin tradicional të kullave në malësitë ku jetojnë shqiptarët. Më pas fokusoje te koncepti i kullës si simbol i familjes. 15. Në gjuhën shqipe, nocioni i kohës është shumë i gjerë. Po kaq të larmishme janë edhe kuptimet leksikore të fjalës kohë. Konsultoni Fjalorin e gjuhës shqipe. Kuptimi emocional dhe filozofik që merr kjo fjalë në këtë lirikë, a ndeshet në Fjalor? Argumentoni shprehësinë e saj duke iu referuar vargut: Koha është të duhemi.
Nga teksti te gjuha në përdorim
16. Në vargun Njëmijenjë të zezë kurdise të ma nxije pritën, folja nxije fiton një kuptim shumë më të thellë kur përdoret pranë trajtës së shkurtër ma. Si lidhet imazhi i ngjyrës me imazhin që përcjell kundrinori i zhdrejtë? Po folja kurdise me cilën nuancë kuptimore e forcon këtë lidhje? 17. Në poezi janë përdorur shumë toponime, të cilat tregojnë jo vetëm rrënjët e autorit, por edhe e vendosin heroin lirik në një mjedis të caktuar. Kthehuni në tekst dhe identifikojini ato. Pse mendoni se autori i ka përdorur me kaq detaje? A lidhet kjo me motivin e poezisë? 18. Në strofën e pestë, heroi lirik përballet me dy ndjesi nëpërmjet dy fushave leksikore që krijojnë antitezë në përfytyrimin poetik të lexuesit: nga njëra anë janë sharjet, fjalët, gjaqet dhe, nga ana tjetër, lulen, llambën, farën. Në grupin e parë fjalët janë përdorur në shumës, ndërsa në të dytin në njëjës. Tregoni pse në këtë kontekst secili grup krijon një fushë semantike. Çfarë peshe kuptimore merr përdorimi i shumësit në grupin e parë dhe i njëjësit në grupin e dytë? 19. Diskursi i heroit lirik është i mbështetur në dy kohë: të tashmen dhe të ardhmen. Si lidhet ky tip ndërtimi i brendisë poetike me kohët e një dashurie? Po me kontekstin e atmosferës patriarkale zakonore të shqiptarëve? 20. Pas këtij udhëtimi në gjuhën e tekstit, rilexoni strofën: Kur të deshta çoje dashuri pas shtatë katundeve / e të rënat të forta i kishe / kur më deshte bëja dashuri me një grua të marrë / e mëhalla jetonte nga shpifjet / Na iku jeta trime e nuk menduam pakëz edhe për vete / Koha është të duhemi.
Në këtë përdorim vërejmë fjalitë kohore, të ngjashme shumë me përdorimet folklorike.
A dalloni tjetër element folklorik në këto vargje? Si e thyejnë këtë vijueshmëri folklorike dy vargjet e fundit? Lidheni përgjigjen tuaj me thyerjen e mentaliteteve për hir të jetës, dashurisë.
Nga teksti te reflektimi
21. Kjo poezi na tregon se sa e vështirë është të dashurosh. Mendoni se pengesat më të mëdha janë jashtë dashurisë? Nëse po, cilat janë ato? 22. Populli shqiptar i ka kënduar dashurisë, por në jetë nuk e ka pranuar lehtësisht atë. Reflektoni ndaj pengut të poetit. Lidheni atë me Kanunin. A mendoni se ende jetojnë këto ligje të pashkruara? Si mund ta ngushtojmë hapësirën e influencës së tyre? 23. Në vargje përmendet Shekspiri. A i jep fuqi letërsia dashurisë? Si e përcjell ajo këtë forcë, nëpërmjet modeleve apo ndjesive që përcjell? Apo të të dyjave bashkë? Po arti në tërësi, a e ushqen dashurinë? 24. Dashuria për të cilën flet heroi lirik, në fakt, është e lidhur me familjen, fëmijët, jetën.
Argumentoni që ky lloj perceptimi është shprehje e traditave të shëndosha familjare të popullit tonë. 25. Pse është koha të duhemi? Kur është kjo kohë? A ka kohë dashuria?