
14 minute read
Azem Shkreli
Letërsi
Azem Shkreli
Advertisement
Azem Shkreli lindi në vitin 1938, në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme, në Prishtinë, për të vazhduar më tej në Fakultetin Filozofik, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për shumë vjet, ai ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit në Prishtinë dhe themelues e drejtor i “Kosova Filmit”. Vdiq në pranverën e vitit 1997. Ka botuar këto vepra në poezi: “Bulzat” (1960), “Engjujt e rrugëve” (1963), “E di një fjalë prej guri” (1969), “Pagëzimi i fjalës” (1981), “Nata e papagajve” (1990), “Lirikë me shi” (1996), “Zogj dhe gurë” (1997). Në prozë: “Karvani i bardhë” (1961), “Sytë e Evës” (1975), “Muri përfundi shqipes”, “Shtatë nga ata”, si dhe dramat: “Fosilet” (1968), “Varri i qyqes” (1983), etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen dhe talentin e tij të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe. Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën. Poezia e Shkrelit karakterizohet nga thyerja e traditës poetike në rrafshin e modeleve të vargëzimit (vargu është i lirë dhe jo i matur) dhe të rimës, madje të frazës poetike. Në poezitë e tij, përzihen dhe evokohen ndjeshmëri të sferave të ndryshme dhe kuptimi i tekstit poetik sugjerohet, por nuk kumtohet haptas.
Motivi i identitetit kombëtar
Pavarësisht frymës së artit poetik modern që e karakterizon poezinë e Shkrelit, në të haset një element i fuqishëm që e mban atë të lidhur me fijet e lirikës tradicionale shqiptare, që është motivi i identitetit kombëtar. Vetë Shkreli shprehej se “para vetes dhe para të tjerëve nuk do të jemi interesantë si francezë, si anglezë ose si gruzianë, por vetëm si këta që jemi”. Poezitë me tematikë atdhetare janë të shumta, ku kulmon tematika e Kosovës dhe aspirata e shqiptarëve të Kosovës për liri. Sonte unë e ti Jemi ai zgjim i zekthët Ujqit në këmbë Do jenë, Kosova në këmbë. Liria thinjet bukur, nuk plaket kur vdiset është e pavdekshme kur vdes, i bëjmë vend në dhe të atdheut Liria është si Kosova, s’kam fjalë më të lirë. (Lirikë për lirinë) Varri në varr në na dashtë a ëndrra në ëndërr M’i thoi Kosovës po lidhim mbathcat, po vijmë. (Letër atdheut) Të tilla poezi përmendim: “Kashelashë për atdheun”, “Motiv me Kosovë”, “Letër atdheut” etj.
Vëllimi poetik “Lirikë me shi” i Azem Shkrelit përbën një ndër shfaqjet më të larta të lirikës së këtij autori. Identiteti kombëtar është filli që bën bashkë të gjitha poezitë e vëllimit “Lirikë me shi”, madje edhe ato poezi që nuk i takojë kryekëput tematikës atdhetare. Poeti priret të ndërtojë realitete poetike mbi elementet tipike të botës dhe të jetës shqiptare: sofra, buka, kulla, guri; rimerr shpesh personalitete e figura patriotike si: Ali Binaku, Oso Kuka, Ali Podrimja; si dhe toponomastikë kombëtare: Drini, Dukagjini, Kruja, Vlora, Buna, Tomori, Rozafa, Sazani, Prezerend, Shkrel, Mali i Sharrit, Vjosa, Bregu i Hutës, Taraboshi etj. Madje, shpesh, poeti krijon neologjizma shumë të veçantë me bazë emrat e qyteteve të Shqipërisë, si për shembull: gjaku i krujtë yni, varg valonte e vlortë, Bajramcurrem në male, etj. Me anë të këtyre neologjizmave, ai shënjon dyfish simbolikën dalluese të secilit qytet dhe kuptimin që do të kishte çdo mbiemër ose folje tjetër në vend të neologjizmit shkrelian.
Motivi i udhëtimit
Një tjetër lajtmotiv shumë i pranishëm në poezitë e Shkrelit është udhëtimi. Heroi lirik dhe të tjerët rreth tij janë vazhdimisht në udhëtim, herë për te kuptimi, për te e vërteta, për te liria, për te ngadhënjimi. Herën e parë kërkon udhën e shkurtër Herën e dytë bëhesh udhë dhe nisesh (Kërkim)
Një ditë prej ditësh patjetër Nisesh tej më tej vetvetes
Nuk është vetëm një Rozafë Një Kep i Shpresës së Mirë
I thua vetes: udha e mbarë Udhëtim në të panjohurën e nisesh
Dhe rreth e rreth i bjen Pompeit, pendimit Detit të Vdekur
Dikush të thotë: Nëse s’kthehesh Itaka është Itaka jote. ("Udhëtimi për Itakë") Herë të tjera, udhëtimi është një ngasje këmbëngulëse për t’i ikur së zakonshmes. Në poezinë “Udhë”, për shembull, poeti na thotë se udhëtimi ndonjëherë shndërrohet në qëllim në vetvete dhe në fund fare rëndësi ka udha që ke bërë dhe jo vendmbërritja. Të tjera poezi që përmbajnë motivin e udhëtimit janë: “Udha e ardhjes”, “Fytyra e dytë e gjërave”, “Udhëtim për Itakë”, “Aksidencë”, “Binarët” etj. Motivi i udhëtimi shpesh lidhet dhe me motivin e mërgimit, të ikjes prej atdheut, që për poetin është një plagë sociale, të cilën ai e transfiguron përmes gjuhës poetike.
Nisja e Odisesë
Kepat e shpresës së mirë I rrisim me thërrime të dhembjes Na dhembin eshtrat, na dhembin Lindjet, varret, dashuritë. (Migrimi) Uni lirik i Shkrelit është në kërkim të vazhdueshëm të udhës a të udhëtimit, por gjithsesi, në raste të caktuara, ngase e mund plogështia, i mbaron muza, apo i ikën dëshira për të vijuar; poeti percepton dhe më tej poetizon situata pezullie, ngecjeje, kotësie. Si poezi që e përmbajnë këtë motiv mund të përmendim: “Gjendje pezullie”, “Kotësi”, “Njeriu që s’fliste”, “Zbrazëtirë”, “Homazh”, “Qyteti pa qiell”, “Koha që s’rreh kambanë” etj.
Motivi i artit poetik
Motiv shumë i pranishëm është ai i artit poetik, që vjen si reflektim i poetit ndaj aktit të krijimit poetik ose si gjuhë artistike, që flet për rëndësinë e madhështinë e artit poetik. Poezi që e përmbajnë këtë motiv janë: “Dhembja e vargut”, “Saga për poetët”, “Kënga që s’deshi të shkruhet”, “Madërgonë e ferrit”, “Ma ktheni lirikën e zogut” etj. Po dhembte e po binte Të ketë kohë koha, ajër ajri Duhej leje Duhej vendi dhe koha e saktë Për të qenë mes të qeneve
Shkreli e do dhe e çmon sivëllain e vet poet ose krijues, ndaj disa prej poezive të tij edhe të këtij vëllimi, përmbajnë poezi ad honorem (lat. për nder të), si poezia kushtuar Ismail Kadaresë, Esat Mekulit, Podrimjes, Gj. Gjokajt etj.
Lirika intime
Forma të tjera letrare të pranishme në korpusin poetik të Shkrelit janë lirika intime dhe ajo e dashurisë. Poezi me këto motive janë: “Drita e ndarjes”, “Gjeografi”, “Në gjakun e njeriut”, “Tis” etj. Poezitë e dashurisë nuk kanë nuancat e një lamenti patetik. Në to gjithsesi poeti mëton për një dashuri absolute, prej së cilës nuk iket, përveçse duke u larguar nga jeta. Këtë përkushtim mund ta shohim te poezia “Në gjakun e njeriut”: Në gjakun e njeriut Nuk hyhet me një këmbë, as Me dy mendje
Është mëkatar i madh, faltore e madhe, të fal
Në gjakun e njeriut Hyhet vetëm një herë, pa Zhurmë dhe pa trokitje
Nuk ka fanar, s’ka thikë, s’ka shikim prapa
Nga gjaku i njeriut Dilet lakuriq i bardhë, si Nga nata e varrit Vetëm merre me vete kufomën tënde dhe nisesh
Shpesh, dashuria dhe besnikëria prej poetit marrin një përmasë etike, e cila në vetvete shndërrohet në motiv qendror në disa prej poezive të “Lirikë me shi”, kur flitet për raportin mes së mirës dhe së keqes, përsiatjeve për qenien dhe pashmangshmërinë e vdekjes, njeriut të lirë dhe njeriut të robëruar. Poezi me këto tematika janë: “Narcisi”, “Trajta e njeriut”, “Pas luftërave”, “Si prozë”, “Dhunë”, “Incest”, “Traktat”, “Koha e krimbave” etj. Kur ngrit të dy duart dhe përgjaket trajta e bukur e njeriut.
(Trajta e njeriut)
E pas luftërave gjithçka nis nga E para, lufta nga e para Lufta s’vret, njeriu vret i pari
(Pas luftërave) Shkreli nuk na shfaqet si poeti i mbyllur brenda universit të tij krijues, ai bën thirrje vazhdimisht për njeriun veprues, aktiv, të gjallëruar që kohës së vet duhet t’i japë angazhim dhe angazhimin duhet ta ketë mision jetësor: Të hamë e të pimë vetveten, kohë nuk është jo, Kohë nuk është koha që s’rreh kambanë
Veçori të stilit poetik
Shkreli i thyen vargjet e tij pa u shqetësuar për rimat e jashtme dhe poezia e dëshmon zhanrin e vet letrar jo vetëm përmes thyerjeve sintaksore, por edhe përmes rimave të brendshme. Vargjet e poezive janë plot me fjalë që rimerren nga një varg te tjetri ose me segmente fonetike që përsëriten brenda të njëjtit varg (aliteracioni, asonanca, konsonanca) që shndërrohen në figura poetike. Shi, apo toja uji, lot të teltë mallëngjimi Shpirtrat na dërgojnë nga lartësi të lashta Shi, apo i fëshfërijnë diç shqip shqiponjat Shoqjashoqes në Shkumbin e në Mal të Sharrit Shi, apo fytyrë e frymë na zu me flokë Rozafa Bimëve në Shkodër po u shëngjergjet shtati Shi, ‘asha të madhin, shi e jo thashethëna Shi i eçtë, gjol etjesh, lum ai lumë që s’plasi Çplanju, të kaltër, mëkatesh të kaltra, çplanju Shihni, shpirtrat, shtonat, plot po mbushen Shkruani, të gjorë, simfoninë e shtatë të shiut (Lirikë me shi) Poezitë përgjithësisht mbajnë vargje të thyera me fare pak shenja pikësimi, që do të drejtonin procesin e leximit e të kuptimit. Këto thyerje janë në pajtim me kodin formal tipik të poezive moderne, që iu ikin shtrëngesave të vargjeve të matura apo rimave

fundore. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që rimat fundore mungojnë gjithkund. Ajo që e thekson më fort modernizmin si orientim të poezisë, është pikërisht gjuha figurative, ku metafora mbetet tropi më i rëndësishëm që e bën poezinë të dallueshme: Net dhe net që kuvendoj me vete Një frymëzim rebel e marr me të butë Sa pa zbardhur dita fund çdo flete Metaforat, rimat m’agojnë rezolutë
Leksiku poetik është i pasur dhe poeti ka prirjen të shkojë përtej leksikut të ligjërimit të thjeshtë që të krijojë neologjizma, të cilat e kondensojnë kuptimin e njësisë leksikore. Përmendim këtu prirjen për të krijuar emra, folje, ndajfolje, mbiemra, sipas modeleve ekzistuese të fjalëformimit shqip, përmes ndryshimit të klasës së cilës i përket fjala:, p.sh. qyqevetëm, lulezoti, ajri dhe uji përzjarren, zvarret, s’këndon zogërisht, lakmojnë krimbas, të kërthndeztë, lakmojnë krimbas, marshim i jargët, estetikë e tistë, gjaku i krujtë, valonte e vlortë, lot të teltë, po u shëngjergjet shtati.
STUDIM TEKSTI

Dakuna
Verifikoni njohuritë
1. Cili është filli tematik që i bën bashkë poezitë e vëllimit poetik “Lirikë me shi”? 2. Si mund të grupohen poezitë e Shkrelit sipas tematikës? 3. Çfarë roli kanë neologjizmat në poezitë e Shkrelit? 4. Diskutoni për veçoritë e poezive që iu kushtohen aktit krijues dhe poetëve. 5. Përmendni disa nga tiparet që e bëjnë poezinë e Shkrelit të konsiderohet si lirikë moderne.
Ushtroni mendimin kritik
6. Shiu shpesh konsiderohet si sinekdokë e motit të keq e për pasojë është simbol i trishtimit. Si mendoni, çfarë sugjeron fjala shi në titullin e vëllimit poetik “Lirikë me shi” të Azem Shkrelit? 7. A mendoni se rima dhe struktura e paracaktuar e strofës e kufizon muzën poetike? 8. Sipas jush, përse Shkreli përdor neologjizmat me bazë emrat e qyteteve shqiptare? A mendoni se kjo vjen për arsye artistike apo është shenjë e vokacionit të tij patriotik?
A. Shkreli
ILUSTRIME LETRARE
Kronikë ilire
Në fillim ishin zogjtë, lumenjtë, ilirët Hanin ilirisht dhe punonin ilirisht tokën Lindnin dhe vdisnin lirë, çlirshëm, ilirisht
Pastaj erdhën turrë-turrë nga perëndimi Kërkonin tokë ilire, qiell, ujë ilir U thanë: i paskeni të artë gurët, të bukët tokën
Pastaj erdhën turrë-turrë nga lindja Kërkonin tokë ilire, qiell, ujë ilir U thanë: i paskeni këngët dhe kafkat të bukura

Apolonia, Fier, Shqipëri
Deshën t’i vënë në një tumë, deshën T’u japin balsamin e luleve
Drita e ndarjes
Pritëm si pritet Shi, si rritet floku i barit
Lirikë për lirinë
Liria është ylberi im matanë grilave Liria është gërshet i vashës me fjongë Kur rritet, e veshim nuse Kur eçtohemi, i pimë shëndet nga gjiri
Ajo është pikë në ujë, zog në qiell Kur flet, e kuptojmë si nënën Kur dhemb, dhemb në zemër
Liria thinjet bukur, nuk plaket Kur vdiset, është e pavdekshme Kur vdes, i bëjmë vend në dhe të atdheut
Liria është si Kosova, s’kam më fjalë të lirë Mbushëm me pritje Plot bebëzat e plot kupat
As fjalë nuk folëm As verë me gojë nuk bëmë
Ndezëm nga një qiri Të ftohtë, shkuam pas tij
O Zot Si digjej drita e ndarjes
STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Në poezinë “Kronikë Ilire”, vargu Në fillim ishin zogjtë, lumenjtë, ilirët sugjeron: zanafillën e gjithë botës; lashtësinë e popullit ilir që në fillesa të njerëzimit; paqen me natyrën; tjetër __________________________________________ 2. Në poezinë “Kronikë Ilire”, cilave pushtime iu referohen vargjet: Pastaj erdhën turrë-turrë nga perëndimi. Pastaj erdhën turrë-turrë nga lindja. 3. Në poezinë “Lirikë për lirinë”, në vargun “Liria është ylberi im matanë grilave”, çfarë simbolizojnë grilat? 4. Në poezinë “Lirikë për lirinë”, çfarë kuptimi ka metafora “Liria është gërshet i vashës me fjongë”?
Çfarë simbolizon gërsheti i vashës me fjongë? 5. Në poezinë “Drita e ndarjes”, cilat vargje tregojnë pritjen dhe përmasat e saj?
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Në poezinë “Kronikë Ilire”, gjeni aliteracionet dhe thoni efektin që krijon përdorimi i tyre. 7. Në poezinë “Lirikë për lirinë”, gjeni dhe diskutoni kuptimin e vargjeve, ku personifikohet liria. 8. Në poezinë “Lirikë për lirinë”, gjeni anaforat dhe interpretoni si ndikohet ritmi i poezive prej tyre. 9. Në poezinë “Drita e ndarjes”, gjeni rastet kur vargu thyhet dhe pjesa e mbetur e togfjalëshit kalon në fillim të vargut të ri, duke u shkruar me shkronjë të madhe. Diskutoni, nëse thyerje të tilla të vargut ia shtojnë apo ia pakësojnë kuptimin vargut pasardhës dhe si ndikojnë ato tek interpretimi i përgjithshëm i poezisë? 10. Në poezinë “Drita e ndarjes”, përse e evokon shiun poeti dhe çfarë atmosfere krijon kjo fjalë në tërësinë emocionale të poezisë?
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Në poezinë “Kronikë Ilire”, poeti përdor neologjizmin ilirisht si ndajfolje. Në vargjet Hanin ilirisht dhe punonin ilirisht tokën Lindnin dhe vdisnin lirë, çlirshëm, ilirisht, çfarë kuptimi sugjeron kjo ndajfolje? 12. A mund ta zëvendësoni ndajfoljen ilirisht me një ndajfolje tjetër që të ketë kuptime të përafërta me të? Nëse po, a kemi bjerrje të kuptimit të vargut? 13. Në poezinë “Drita e ndarjes”, interpretoni e zbërtheni kuptimin e fjalës verë në vargun: As verë me gojë nuk bëmë. 14. Në vargun “Kur eçtohemi, i pimë shëndet nga gjiri”, etja është fizike apo shpirtërore? Çfarë kuptimi ka kjo fjalë dhe çfarë tregon për aspiratat për liri? 15. Në vargjet “Mbushëm me pritje / Plot bebëzat e plot kupat” me çfarë kuptimi përdoret fjala kupat dhe çfarë shënjon ajo?
Nga teksti te përdorimi
16. Në poezinë “Kronikë Ilire”, vargu i paskeni të artë gurët, të bukët tokën dhe vargu i paskeni këngët dhe kafkat të bukura tregojnë: begatinë e tokës ilire; pasuritë dhe bukuritë natyrore ilire; pasurinë shpirtërore dhe hijeshinë trupore të ilirëve; arsyet pse ilirët dhe Iliria ishin të lakmueshëm nga pushtuesit; arsye të tjera. _______________________________ 17. Në poezinë “Drita e ndarjes”, shpjegoni funksionin e figurës stilistike të apostrofës. 18. Në dyvargëshin e fundit të poezisë “Drita e ndarjes”: O Zot / Si digjej drita e ndarjes, interpretoni pranëvënien e foljes digjej dhe të emrit drita (Akti i djegies është një proces që zgjat në kohë, ndërsa drita është shumë e shpejtë. A mund mendoni se fjala dritë këtu mund të jetë përdorur me kuptimin e fjalës zjarr?). 19. “Liria është gërshet i vashës me fjongë” është varg që përdoret për të evokuar: dëlirësinë; pafajësinë; bukurinë; feminizmin; tjetër ______________________________________________ 20. Ajo është pikë në ujë, zog në qiell përdoret prej poetit për të treguar se: liria është e pashmangshme; liria është e vështirë; liria është e natyrshme; liria është e paarritshme; tjetër ______________________________________________
Nga teksti te reflektimi
21. Gjeni në fjalor kuptimin e fjalës kronikë dhe reflektoni përse autori e ka titulluar poezinë Kronikë ilire. 22. Gjeni elementet dhe motivet që e bëjnë poezinë “Lirikë për lirinë” pjesë të lirikës patriotike atdhetare. 23. Gjeni në poezinë “Lirikë për lirinë” vargjet që shprehin filozofinë universale ndaj konceptit të lirisë. 24. Reflektoni se cilat tipare të lirikës moderne ka poezia “Drita e ndarjes”. 25. Në poezinë “Drita e ndarjes”, interpretoni vargjet “Ndezëm nga një qiri / Të ftohtë, shkuam pas tij” (Kujtoni simbolikën e ndezjes së qiririt dhe të tretjes së tij, si dhe kuptimin që ka mbiemri të ftohtë në një situatë ndarjeje).
Nga teksti te të shkruarit
26. Shkruani një koment me titull “Poezitë pa pika të Azem Shkrelit”. (Në komentin tuaj përqendrohuni te mënyra si i përdor Shkreli shenjat e pikësimit në poezitë e tij. Cila është shenja e pikësimit që mungon dhe përdorimi i së cilës do të ishte i pashmangshëm, nëse autori do të shkruante në prozë? Si ndikojnë te kuptimi dhe interpretimi i poezive shenjat e pikësimit dhe përdorimi i shkronjës së madhe nistore në çdo varg? Për ta pasuruar komentin tuaj, mund t’iu referoheni edhe poezive të tjera të poetit).