
10 minute read
Artikulimi gjuhësor, nga fjalia e thjeshtë te paragrafi
Gjuhë ARTIKULIMI GJUHËSOR, NGA
FJALIA E THJESHTË TE PARAGRAFI
Advertisement
Të folurit dhe të shkruarit janë që të dyja forma të komunikimit që përdorin gjuhën. Gjuha e realizon funksionin e saj praktik përmes akteve gjuhësore. Për të shprehur qartë mendimin, fjalët kombinohen në fjali, në paragrafë, në tekste, përmes rregullave që krijojnë normën gjuhësore. Ato përfshijnë të gjitha nivelet e sistemit gjuhësor: nivelin fonetik, leksikor, morfologjik, sintaksor. Fjalia është njësia themelore sintaksore. Ajo del zakonisht me një bërthamë me një ose disa bërthama foljore. Fjalia është fragmenti i ligjërimit, i përbërë zakonisht prej dy a më shumë fjalësh kuptimplota, të bashkuara në një tërësi të vetme kuptimore, gramatikore dhe intonative. Fjalia mund të jetë e formuar edhe prej një fjale të vetme me vlerën e një kumtimi. Fjalitë janë të thjeshta dhe të përbëra. Fjalitë e thjeshta kanë një folje (kallëzues) në një nga gjashtë mënyrat vetore: dëftore, lidhore, dëshirore, habitore, kushtore dhe urdhërore. (Pogradeci është qytet në juglindje të Shqipërisë.) Fjalitë e përbëra kanë më shumë se një folje, në raporte të caktuara kuptimore dhe gramatikore midis tyre si një tërësi e vetme (me bashkërenditje dhe nënrenditje) (Pogradeci është qyteti turistik, buzë liqenit të mrekullueshëm të Ohrit, që mirëpret vizitorë në çdo stinë të vitit.) Paragrafi është një njësi e të shkruarit, një grup fjalish të lidhura rreth një ideje kryesore, e cila duhet shtjelluar. Kjo quhet tema ose fjalia tematike. Ajo duhet të jetë koncize dhe e theksuar. Fjalitë e tjera të paragrafit, që quhen fjali mbështetëse, japin shpjegime ose plotësojnë fjalinë tematike. Paragrafi ka tri pjesë përbërëse: fjalinë kryesore, trungun (pjesën shtjelluese) dhe fjalinë përmbyllëse. Gjatësia e paragrafit mund të jetë e ndryshme. Pogradeci është qytet turistik. Ai shtrihet mes gjelberimit. Qyteti ka kohë që ka filluar të tërheqë masivisht pushues nga vendi dhe bota. Natyra e bukur, ajri i freskët dhe liqeni i tij i papërsëritshëm, me një thellësi që shkon deri në 300 metra, e bëjnë tërheqës qytetin liqenor. Pogradecarët, mikpritës dhe të dashur, i duan pushuesit dhe bëjnë të pamundurën për t’i kënaqur ata. Një paragraf i shkruar mirë duhet të plotësojë disa kritere: të ketë unitet, pra, të përqendrohet në një ide (Promomovimi i Pogradecit si qytet turistik.); të jetë i kuptueshëm, pra, duhet të jetë i qartë dhe i renditur në mënyrë logjike (Në këtë paragraf vihet re renditja e fjalive sipas një koherence logjike të një teksti përshkrues me tipare reklamimi . Pra elementi kryesor i fjalisë tematike Pogradeci si qytet fillon e përshkruhet në fillim me natyrën , vendet tërheqëse, që ofron dhe pastaj mikpritjen e qytetarëve të tij.); të ketë strukturë, pra, rreshti i parë i paragrafit është më i zhvendosur prapa në krahasim me ata që vijnë më pas (Me këtë kriter luhet mjaft sot, sepse mundësitë që ofron kompjuteri janë të shumta.);
Pogradeci
Për të kaluar nga njëri paragraf në tjetrin përdoren: • përsëritja. Nga paragrafi pararendës merret një fjalë apo një shprehje kyçe për t’u përdorur në fillim të paragrafit tjetër; • një pyetje retorike që bëhet në paragrafin pararendës, së cilës i jepet përgjigje në fillim të paragrafit vijues (P.sh:. A është agresiviteti shenjë inferioriteti? Kjo pyetje mund të marrë përgjigje të ndryshme.); • modelet sintaksore, të cilat lidhen me përsëritjen e së njëjtës strukturë bazë në fjali të njëpasnjëshme. (P.sh:. njeri ka gëzimet e veta. Çdo njeri ka dhe hidhërimet e veta. Të gjitha këto histori e ndjesi përbëjnë jetën e tij.).
Paragrafi linear zakonisht ndërtohet nga fjali në të cilat mendimi lëviz në mënyrë të drejtë. Në paragrafin në vijim vihet re se fjalia e parë është fjalia tematike, e cila ka si objekt shtjellimi sportin dhe rëndësinë e tij për shëndetin tonë. Në fjalinë e dytë specifikohen të mirat që sjell sporti në shëndetin mendor në veçanti. Në fjalinë e tretë jepet përkufizimi mbi shëndetin mendor. Në fjalinë e fundit jepet një saktësim mbi studimet mbi shëndetin mendor. Pra po ta shikoni cdo fjali rimerr një element të fjalisë paraprirëse. Sporti është një aktivitet shumë i shëndetshëm për njeriun. Ai i sjell mjaft të mira vecanërisht shëndetit mendor. Shëndeti mendor ka të bëjë me mirëqenien psikologjike ose mungesën e sëmundjeve nervore. Studimet mbi sëmundjet nervore kanë pësuar një rritje në shekullin tonë, pasi është rritur edhe ndërgjegjsësimi i njërëzimit për to.
Paragrafi i degëzuar. Ky paragraf organizohet në mënyrë të ndryshme nga ai linear.
Elementi kryesor që jepet në fjalinë tematike merret dhe shtjellohet në disa degëzime.
Kështu në paragrafin më poshtë në fjalinë tematike çështja kryesore e tij ka të bëjë me arsyet e ngrohjes globale. Në vijim të paragrafit ky koncept shtjellohet.
Në se do të bënim një skemë kjo do të kishte në qendër arsyet e ngrohjes globale dhe në formë rrezesh arsyet. Arsyet e ngrohjes globale janë të ndryshme. Një ndër to është rritja e ndotjes së ajrit, pra çlirimit të dioksidit të karbonit nga fabrikat makinat etj. Një tjetër ka të bëjë me prerjen e pyjeve. Shkrirja e akujve të zonave akullnajore të planetit gjithashtu shihet si shkak i ngrohjes globale gjithashtu.
Paragrafi rrethor mbaron aty ku ka filluar. Zakonisht përputhet fjalia e fillimit me të mbarimit. Elementi kryesor i fjalisë tematike rimerret nëpër ide të tjera, por kthehet sërish mbrapsht e përsërit idenë e fjalisë së fillimit. Në paragrafin më poshtë fjalia e parë (që është fjalia tematike ) përsëritet edhe në fund. Fjalitë e brendshme të paragrafit një pjesë janë të lidhura në formë lineare, kurse e parafundit lidhet edhe me fjalinë tematike nëpërmjet fjalës luftë. Zakonisht paragrafë të organizuar në mënyrë të tillë kanë synim theksimin e idesë në fjalinë tematike. Ky lloj strukturimi përdoret edhe me efekte konotative si pjesë e fjalimeve politike, filozofike, e teksteve letrare etj. A do të arrijë qenia njerëzore të fitojë luftën me veten? Kjo tematikë është trajtuar gjerësisht në tri proza të Migjenit. Në to jepet qenia në dilemë përzgjedhjeje mes së mirës e së keqes. Të dyja janë pjesë e qenies, po me sa duket ajo ka përzgjedhur të sublimojë të keqen në këtë botë. Megjithatë në brendësi të tij zhvillohet një luftë e tmerrshme përbuzjeje e simpatie, dëshirash e apatie, adhurimesh e mallkimesh. Në gjithë këtë kapërthyejeje ndjesish a do të arrijë qenia njerëzore të fitojë luftën me veten?

Ngrohja globale
Paragrafi i çlirët. Ky paragraf nga vetë emërtimi nuk ka një strukturë fikse si ato që pamë më sipër.
Një pjesë e tij mund të përputhet me paragrafin e degëzuar. Degëzimet shtjellohen më hollësisht dhe pjesë të caktuara të tyre mund të lidhen direkt me elementin kryesor të fjalisë tematike. Gjithsesi nuk mund të përcaktohen skema fikse edhe në këtë lloj paragrafi.
Në paragrafin më poshtë fjalia tematike trajton ardhjen e pranverës, e cila shtjellohet në dy degëzime në lidhje me çeljen e luleve dhe gjelbërimin, si dhe në lidhje me ndryshimet e garderobës së njerëzve si pasojë e ngrohjes në pranverë. Secili degëzim shtjellohet më vete. I dyti më gjerësisht. Gjithashtu fjalia e fundit që është pjesë e degëzimit të dytë lidhet me fjalinë e parë nëpërmjet sinonimisë së pjesshme (alternim-ndryshim). Ky është një rast shumë i thjeshtë, po ky lloj paragrafi mund të marrë trajta shumë të larmishme, pa humbur logjikën dhe koherencën e organizimit të saj. Pranvera e atij viti ishte pati alternime të çuditshme temperaturash. Në fillim filloi me temperatura të ngrohta , gjë që bëri që të shpërthenin sythat dhe të dilnin lulet e para. Gjelbërimi mbuloi deri diku kopshtet e fushat. Nga temperaturat e ngrohta njerëzit filluan të heqin veshjet e dimrit e të vishen më lëhtë. Mirëpo rënia e menjëhershme e temperaturave bëri që ata të visheshin sërish trashe. Një dukuri e tillë shtoi numrin e virozave dhe të sëmurëve.
STUDIM TEKSTI
Verifikoni njohuritë
1. Nëpërmjet kujt realizohet komunikimi? 2. Fjalia është njësia themelore sintaksore. Cilat janë tiparet e saj? 3. Gjeni në mësim dhe rikujtoni konceptin mbi fjalitë e thjeshta e të përbëra. Ilustroni me shembuj. 4. Për të kaluar nga një paragraf në tjetrin ka disa mjete ose disa teknika që përdoren. Dalloni këto teknika dhe ilustroni me shembuj. 5. Në mësim përcaktohen katër lloje paragrafësh. Emërtoni secilin prej tyre dhe ilustroni me shembuj. 6. Tregoni kriteret që duhet të plotësojë një paragraf i shkruar mirë dhe me cilat mjete gjuhësore kalohet nga njëri paragraf në tjetrin?
Ushtrohuni përmes tekstit
7. Plotësoni tabelën e mëposhtme me një shembull, duke u nisur nga fjalia e thjeshtë e deri te paragrafi.
Fjali e thjeshtë
Fjali e përbërë
Paragraf 8. Zgjeroni fjalinë: “Ёshtë një harmoni e vërtetë ngjyrash”: a) me një fjali të bashkërenditur; b) me pjesë të nënrenditur rrjedhimore dhe qëllimore; c) me një paragraf shpjegues. 9. Jepni nga një shembull sipas llojeve të paragrafëve, duke diskutuar për fjalitë tematike dhe fjalitë mbështetëse të secilit prej tyre.
10. Lexoni tekstin dhe përcaktoni llojin e secilit paragraf. Identifikoni fjalitë tematike dhe fjalitë mbështetëse në çdo paragraf. Përcaktoni mënyrën se si bëhet kalimi nga njëri paragraf te tjetri.
Shqipëria është vendi i festivaleve të këngëve dhe të valleve folkloristike, vendi i kostumeve të bukura, serioze dhe delikate, që i përshtaten relievit plot larmi të natyrës shqiptare. Ngjyrat që stolisin kostumet, me nuancat e tyre, ua shtojnë bukurinë formave dhe konkurrojnë me natyrën. Etnografët zbulojnë në ato kostume lashtësinë e popullit shqiptar, artizanët, mjeshtërinë dhe talentin e të punuarit, piktorët, harmoninë e ngjyrave dhe të proporcioneve, poetët, dashurinë për jetën, historianët, prejardhjen e ilirëve. Kjo degë e etnografisë është pasqyruar në filateli dhe tanimë përbën një tematikë më vete me perspektivë. Çdo vit, në muajin maj, në sheshet e qyteteve dhe fshatrave tona, ngrihen podiumet e festivaleve folkloristike, mbi të cilët, këngëtarët dhe këngëtaret më të mira, rapsodët dhe rapsodet e reja, valltarët e valltaret këndojnë dhe hedhin valle. Me kostumet karakteristike që kanë veshur, ata përfaqësojnë krahinat e tyre. Kësulat tipike, jelekët e bukur, çakçirët, fustanellat apo çitjanet e grave, me brezat ngjyra-ngjyra, që rrethojnë belet e bukura, opingat apo caruqet me xhufka ose pa xhufka tërheqin këdo që i sheh. Një harmoni e vërtetë ngjyrash. Çdo ngjyrë në vetvete është e bukur, por harmonia varet te shoqërimi i tyre. Pikërisht këtu, mjeshtëria ka arritur kulmin. Kur shikojmë këto kostume, na duket sikur parakalojnë krahinat e ndryshme të Shqipërisë: Malësia e Madhe, Zadrima, Kukësi, Dardha, Myzeqeja, Tirana, Dropulli, Labëria. Çdonjëri prej këtyre kostumeve ka historinë e tij. Shumë nga ata lidhen edhe me ndonjë legjendë…. Sh. Osmani, “Kontribut për historinë e filatelisë shqiptare”
11. Dalloni llojin e paragrafit dhe skemën e ndërtimit të tij. Bëni një skemë për secilin prej tyre. Folklori është një lloj letërsie që ka autor anonim. Ai përfaqësohet nga proza e poezia. Të dyja këto tekste janë një pasuri e çmuar e kulturës së popullit tonë. Populli ynë ka dëshmuar gjithnjë se ka pasur një shije të hollë artistike. Kjo shije është përpunuar për shekuj me radhë. Folklori është një pjesë shumë e rëndësishme e botës shpirtërore të qenies shqiptare, që përbën një fond të mrekullueshëm të pasur me legjenda, përralla, këngë e valle popullore. Janë të shumta legjendat të cilat pasqyrojnë ndër të tjera kodet e nderit të shqiptarit si besa, nderi mikpritja etj. Janë të shumta përrallat të cilat argëtojmë e njëkohësisht përcjellin edhe mesazhe edukuese. Janë të shumat këngët e vallet popullore që të mahnitin me koloritin e magjepsës të ngjyrave, ritmeve, lëvizjeve etj. Pse është i rëndësishëm folklori në shkollë? Kjo është një pyetje që shumë studiues nuk e kuptojnë se si mund të shtrohet për diskutim. Studiuesit harrojmë se jo të gjithë njerëzit e kanë njohjen e duhur mbi këtë çështje dhe vlerën e jashtëzakonshme të saj. Ajo përcjell mbi të gjitha shpirtin, ndjeshmërinë, traditën , shijen artistike të popullit tonë. Atëherë a duhet të pyesim : Pse është i rëndësishëm folklori në shkollë? Folklori është lëvruar në disa forma një prej tyre është proza . Kjo na shfaqet përmes legjendave, miteve e përrallave. Këto përcjellin imazhe të mrekullueshme të zgjuarsisë, trimërisë, guximit etj. Këngët e vallet popullore janë një pjesë tjetër e rëndësishme e fondit folklorik. Ato përcjellin një larmishmëri motivesh, ritmesh lëvizjesh etj. Mjaft prej këtyre llojeve folklorike janë mbledhur nga njerëz të kulturuar, që e dinin vlerën e jashtëzakonshme të tij. Këngët e vallet popullore e kanë përfaqësuar denjësisht vendin tonë në botë. Së bashku me prozën popullore ato përbëjnë shënjimin tonë si komb.
Sfida e të shkruarit
Shkruani katër lloje paragrafësh sipas tematikës së mëposhtme: Midis të rinjve të moshës 20 vjeç dhe njerëzve të moshës 40 vjeç ka shume ndryshime në mentalitet Lexojini në klasë dhe sqaroni mënyrën e ndërtimit të tyre.