11 minute read

Albert Kamy

Letërsi

Albert Kamy

Advertisement

Albert Kamy konsiderohet si një nga përfaqësuesit më tipikë të romanit ekzistencialist francez. Njihet gjithashtu si dramaturg, filozof e eseist. Gjatë viteve 1938-1942 shkruan dhe boton tri veprat e tij të rëndësishme, që lidhen së bashku nëpërmjet temës së absurdit dhe revoltës, ndaj kritika i ka quajtur edhe “Tre absurdët”: romanin “I huaji” (1942), esetë “Miti i Sizifit” (1942) dhe dramën “Kaligula” (botuar pak më vonë, më 1945-n). Përveç tyre, duke e zgjeruar edhe më tej temën e absurdit, të së keqes dhe revoltës, ai shkruan dhe romanin “Murtaja (1947), esenë “Njeriu i revoltuar” (1951), romanin “Rënia” (1956) etj. Një pjesë e mirë e veprave të Kamysë janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Në vitin 1957, Kamyja merr çmimin “Nobel” në Letërsi me romanin “I huaji”.

Kamyja dhe absurdi

Absurdi është një nga temat që përshkon pothuajse të gjitha krijimet e Kamysë. Në përmbledhjen me ese titulluar “Miti i Sizifit”, ai na e sugjeron kuptimin që ka për absurdin që në titull, nëpërmjet imazhit që prodhon figura mitike e Sizifit. Siç e dimë, Sizifi qe i dënuar të çonte një gur të madh gjer në majën e një kodre. Sapo i afrohej majës, guri rrokullisej në fund dhe ai duhej ta fillonte punën nga e para. Kjo punë që përsëritej vazhdimisht, në një cikël të pafund, shenjonte pakuptimësinë dhe absurdin i jetës. Të gjitha trajtimet që përmbledh libri “Miti i Sizifit” kanë në thelb analizën e njeriut absurd, e gjendjes në të cilën ai ndodhet, i hedhur në një botë absurde: “Absurdi lind, – sipas Kamysë, – nga ky konfrontim midis thirrjes njerëzore dhe heshtjes së paarsyeshme të botës”. Ndaj, analizat e tij marrin në konsideratë banalitetin e organizimit të jetës njerëzore dhe absurdin e ekzistencës: “Çfarë është në fakt njeriu absurd? Ai që pa e mohuar nuk bën asgjë për përjetësinë. Jo se nostalgjia është e huaj për të. Por parapëlqen guximin dhe arsyetimin e vet. Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij. I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës”, thotë Kamyja. Heroi i tij nuk është as i mirë, as i keq, as i moralshëm, as imoral. Ai është thjesht absurd dhe i huaj përballë perceptimit që ka shoqëria për të, por edhe përballë vetes. Vetja natyrale është e huaj përballë rregullave që kërkon të vendosë vetja sociale.

Absurdi dhe tëhuajzimi në romanin “I huaji”

Siç kemi thënë kur kemi folur për letërsinë moderne, tema e tëhuajzimit dhe e absurdit janë ndër kryesoret që lëvron kjo letërsi dhe dëshmojnë gjendjen në të cilën ndodhet njeriu modern. Në këtë gjendje ndodhet edhe personazhi kryesor i romanit “I huaji”. Në një botë absurde që e gjykon për gjithçka: për veprimet e kryera e të pakryera, për ndjeshmërinë dhe mungesën e saj, për mendimet dhe heshtjen, për tërheqjen dhe revoltën. Protagonisti ndihet vetëm, “i shenjuar me gisht” dhe i tëhuajtur.

Protagonisti i romanit është Mersoi (Meursault), i cili merr një telegram ku njoftohet për vdekjen e nënës, e cila prej kohësh jetonte në një azil. Shkon në varrim dhe përpiqet të përshpejtojë formalitetet me indiferencë, apati dhe ftohtësi. Të nesërmen kthehet dhe në port sheh Marinë, një ish-kolegen e tij me të cilën kalon ditën dhe natën. Të hënën rifillon punën, duke iu rikthyer rutinës dhe zakoneve të veta të vjetra. Siç shihet, pas vdekjes së nënës, për Mersonë, në dukje, “nuk kishte ndryshuar asgjë”. Mersoi jeton gjërat ashtu siç i vijnë, me një ndjenjë indiference dhe tëhuajzimi, pa siguri dhe pa aspirata për jetën. Në këtë ekzistencë banale dhe absurde, realizohet një ngjarje e paparashikueshme: gjatë një shëtitjeje në plazh, i verbuar nga dielli, Mersoi godet për vdekje, pa ndonjë shkak bindës, një arab që më parë kishte kërcënuar dhe plagosur me thikë mikun e tij, Rajmondin. Arrestohet dhe gjykohet. Kryetarit të gjyqit, që kërkon të kuptojë shkakun e këtij gjesti, nuk di t’i thotë gjë tjetër përpos se e ka vrarë “për shkak të diellit”. Gjyqi e dënon me gijotinë. Në qelinë e të dënuarve me vdekje, Mersoi mediton mbi ekzekutimin e vet, mbi qenien e tij njeri, mbi absurditetin e të ekzistuarit. Nuk pranon të flasë për Zotin me priftin e burgut. “Shpresës” së fetarit i kundërvë “siguritë” e veta ekzistenciale: “Humbja” dhe “Vdekja”. Pranon fatin dhe pret i qetë fundin.

Vite më vonë, Kamyja, duke iu referuar romanit, do të pohonte se: “Romanin I huaji po e përmbledh brenda një fraze që e di se është paradoksale: Në shoqërinë tonë, çdo njeri që nuk qan në varrimin e nënës së tij, ka rrezik ta dënojnë me vdekje. Dua të them se heroi i librit është i dënuar, pasi ai nuk bën si të tjerët, nuk di të luajë. Në këtë kuptim, ai është i huaj në shoqëri, endet kuturu në rrugicat e jetës së tij private, në shtigjet vetmitare dhe seksuale. Ja pse lexuesit orvaten ta konsiderojnë atë si një anije e mbytur. Mersoi nuk bën si të tjerët. Dhe përgjigjja është e thjeshtë: Ai refuzon të gënjejë”.

Subjekti

Rrëfimi fillon kur Mersoi merr një telegram ku njoftohet për vdekjen e së ëmës. Pas këtij momenti, ngjarjet në roman tërhiqen nga filli i fatalitetit drejt vdekjes. Pas vdekjes së nënës në fillim të romanit, vijnë edhe dy të tjera: ajo e arabit në fund të pjesës së parë, i cili vritet pa ndonjë shkak nga Mersoi dhe vdekja e vetë Mersoit në fund të romanit. Ndërkohë, mes tri vdekjeve ndodhin fare pak gjëra, por ato mjaftojnë për të plotësuar tablonë e përgjithshme. Rrëfimi i ngjarjeve bëhet nga perspektiva e personazhit kryesor, të gjitha fjalët dhe veprimet që përmban vepra jepen nga një këndvështrim i vetëm, nga ai i Mersoit. Për shkak të rrëfimit në vetën e parë, lexuesi identifikohet me personazhin dhe shpesh duket sikur përjeton të njëjtat pasiguri si Mersoi. Rrëfimi thuret me fjali të thjeshta e gjykime të shkurtra, që fshehin me kujdes tensionin e brendshëm, që buron nga prania e vdekjes.

Romani është i ndërtuar nga dy pjesë dhe në të dyja pjesët, rrëfimtari është njëherazi edhe protagonisti që rrëfen në vetë të parë: në pjesën e parë, protagonisti i sheh gjërat me syrin e vet, duke përshkruar qëndrime e veprime, pa i shoqëruar me komente apo interpretim, ndërsa në të dytën, ai detyrohet ta shohë veten me sytë e të tjerëve, ndaj e dyta merret me komentet e me interpretimet e asaj që ka ndodhur në pjesën e parë.

Stili i romanit “I Huaji”

Siç vërejnë studiuesit, romani është i huaj që në stil, për hir të befasisë stilistike që i ofron lexuesit: fjalitë e thjeshta, të shkurtra e pa ngjyresa stilistike. Kjo teknikë shkrimi duket sikur sugjeron llojin e shkrimit “neutral”, i cili i neutralizon shenjat letrare të rrëfimit, duke i lënë gjërat pezull në një dykuptimësi të qëllimshme. Ka një ndryshim në përdorimin e regjistrit gjuhësor mes pjesës së parë, ku janë të pranishme fjalë më të thjeshta e fjali më të shkurtra, dhe pjesës së dytë, ku fjalitë janë më të gjata dhe shoqërohen me një fjalor më të pasur.

Algjeria, vendlindja e Kamysë

Nga pjesa e parë:

Sot më vdiq mamaja. Apo ndoshta dje, nuk e di. Mora një telegram nga azili: “Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushëllime të sinqerta”. Kjo s’do të thotë asgjë. Ndoshta ka ndodhur dje.

Mersoja, personazh i Kamysë

Edhe kur je në bankën e të akuzuarve është gjithmonë interesante të dëgjosh kur flasin për ty. Gjatë akuzës së prokurorit dhe mbrojtjes së avokatit tim, mund të them se u fol shumë për mua dhe ndoshta më shumë për mua se për krimin tim. Në pjesën e parë, toni është shumë indiferent. Mersoi e rrëfen historinë sikur të mos ketë lidhje me jetën e tij dhe nuk ndërhyn për të shfaqur përmasën e vet emocionale. Secila fjali duket si fotografim i rëndomtë i situatës. Në pjesën e dytë kalohet nga toni indiferent, në atë të revoltës, rrëfimi fiton pak më shumë emocion dhe personazhi ndërhyn herë pas here me qëndrimin e tij.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cila është tema që i bashkon veprat “I huaji”, “Miti i Sizifit” dhe “Kaligula”? Si i ka cilësuar ndryshe këto vepra kritika? 2. Çfarë trajtojnë esetë e përmbledhjes “Miti i Sizifit”? Po figura e Sizifit antik çfarë kuptimi përçon? 3. Nga se lind absurdi sipas Kamysë? Po njeriu absurd çfarë është për Kamynë? Përpiquni ta përmblidhni me fjalët tuaja karakterizimin që Kamyja i bën njeriut absurd. 5. Përpiquni të rindërtoni fabulën e romanit dhe të evidentoni disa prej ngjarjeve kyçe në roman. 6. Nga ç’perspektivë rrëfehen ngjarjet dhe kush i rrëfen ato? Po lexuesi në ç’pozicion vihet kur lexon historinë e romanit “I huaji”? 7. Si është e ndërtuar struktura e romanit? Ç’karakteristika paraqet ajo? 8. Stili me të cilin Kamyja e ka shkruar romanin “I huaji” nuk është i njëjtë përgjatë gjithë veprës.

Në pjesë të ndryshme, ai shfaq karakteristika të veçanta. Evidentoni cilat janë ato karakteristika.

Ushtroni mendimin kritik

9. Albert Kamy konsiderohet si përfaqësues i romanit ekzistencialist. Çfarë dini për rrymën e ekzistencializmit në letërsi? A njihni ndonjë autor tjetër të kësaj rryme? 10. Lexoni në fjalorin e mitologjisë përcaktimin që bëhet për figurën e Sizifit. Krahasoni këtë përcaktim që gjetët me simbolikën që merr kjo figurë tek eseja e Kamysë. Evidentoni çfarë ka marrë Kamyja nga përcaktimi mitologjik që i bëhet Sizifit. 11. Përcaktimi që i bëhet protagonistit të romanit është se: “Ai është thjesht absurd dhe i huaj përballë perceptimit që ka shoqëria për të, por edhe përballë vetes”. Shpjegoni si e kuptoni ju këtë përcaktim. 12. Lexojeni me zë mendimin që shpreh Kamyja në lidhje me figurën e Mersoit dhe gjendjen e tij. Duke u nisur nga ky mendim i Kamysë, hapni një debat në klasë për të diskutuar se si e shikoni përgjithësisht marrëdhënien e individit me shoqërinë. A është shtrënguese dhe diktuese shoqëria në raport me individin?

Sfida e të shkruarit

13. Shkruani një ese nxitur nga shprehja e Ivan Karamazovit të Dostojevskit, (të cilin Kamy e përmend në tekstin e tij dhe është pjesë e filozofisë se absurdit).

“Nëse Zoti nuk ekziston, gjithçka është e lejueshme”.

A. Kamy

I Huaji

I Huaji Roman Albert Kamy

Sot më vdiq mamaja. Apo ndoshta dje, nuk e di. Mora një telegram nga azili: “Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushëllime të sinqerta.” Kjo s’do të thotë asgjë. Ndoshta ka ndodhur dje. Azili i pleqve ndodhet në Marengo, tetëdhjetë kilometra larg Algjerit. Do të marr autobusin e orës dy dhe do të jem aty pasdite. Kështu do të mund ta gdhij një natë e do të kthehem nesër mbrëma. I kërkova dy ditë leje pronarit dhe ai nuk mund të mos m’i jepte për një arsye të tillë. Por m’u duk se nuk i pëlqeu. Madje dhe i thashë: “S’është për fajin tim.” Nuk u përgjigj. Atëherë mendova se nuk duhej t’ia kisha thënë ato fjalë. Sidoqoftë nuk kisha pse të kërkoja ndjesë. Ai bile duhej të më shprehte ngushëllimet. Do ta bëjë padyshim pasnesër, kur të më shohë në zi. Tani për tani duket sikur mamaja nuk ka vdekur. Ndërsa pas varrimit do të jetë çështje e mbyllur dhe çdo gjë do të ketë marrë formë zyrtare. Në orën dy mora autobusin. Bënte shumë nxehtë. Hëngra në restorant, te Çelesta, si zakonisht. Të gjithëve u vinte shumë keq për mua dhe Çelesta më tha: “Vetëm një nënë kemi.” Kur u largova, më shoqëruan deri te dera. Isha disi i hutuar, ngaqë mu desh të ngjitesha tek Emanueli për t’i marrë hua një kravatë të zezë dhe një shirit të zi. Ai ka humbur xhaxhanë para disa muajsh. Vrapova të kap autobusin. Gjithë ai nxitim e ai vrap, me siguri për shkak të tyre, le pastaj dhe troshitjet, era e benzinës, afshi i nxehtë që vinte nga rruga e nga qielli, më vunë në gjumë. Fjeta thuajse gjatë gjithë rrugës, kur u zgjova pashë se isha ngjeshur pas një ushtaraku që më buzëqeshi dhe më pyeti nëse vija nga larg. I thashë po për të mos e zgjatur muhabetin. Azili është dy kilometra larg fshatit. E bëra rrugën në këmbë. Desha ta shihja mamanë menjëherë. Por portieri më tha se duhej të takoja drejtorin, prita ca meqenëse ishte i zënë. Portieri foli e foli pa pushim, më pas takova drejtorin; më priti në zyrën e vet. Ishte një burrë i vjetër, trupshkurtër, mbante varur dekoratën e Légion d’honneur. Më vështroi me sytë e tij të çelët. Pastaj më shtrëngoi dorën e ma mbajti kaq gjatë, sa nuk dija si ta tërhiqja. Shfletoi një dosje dhe më tha: “Zonja Merso ka ardhur këtu para tre vjetësh. Ju ishit mbështetja e saj e vetme.” M’u duk sikur po më qortonte për diçka dhe fillova t’i shpjegoj. Por ai më ndërpreu: “S’keni pse të shfajësoheni, biri im. Lexova dosjen e nënës suaj. Ju nuk kishit mundësi ta mbanit. Kishte nevojë për njeri. Të ardhurat tuaja janë të pakta. E në fund të fundit, ajo ishte më e lumtur këtu.” Unë i thashë: “Po, zoti drejtor.”( ...) Isha i lodhur. Portieri më çoi në shtëpinë e vet, ishte shumë e mirë. Kur dola, dita kishte zbardhur plotësisht. Qielli kuqëlonte përtej kodrave që ndajnë Marengon nga deti. Dhe era që vinte së andejmi sillte me vete një aromë të kripur. Dukej se dita do të ishte e bukur. Kishte kohë qysh kur s’kisha qenë në fushë dhe me sa kënaqësi do të shëtisja po të mos qe puna e mamasë. Edhe kur je në bankën e të akuzuarve është gjithmonë interesante të dëgjosh kur flasin për ty.

This article is from: