
33 minute read
Ernest Koliqi
Ernest Koliqi lindi në Shkodër, më 20 maj 1903. Ndoqi studimet në Itali, fillimisht në kolegjin jezuit Arice, në Bresha dhe më vonë në Universitetin e Padovas për Letërsi, ku do të mbronte diplomën me temë Epica popolare albanese (“Epika popullore shqiptare”). Koliqi shkroi në zhanre e lloje të ndryshme letrare, si: poezi, prozë, prozë poetike, dramë, ese, kritikë, studime e përkthime. Por ajo që i dha vendin e rëndësishëm në letërsinë shqipe është pikërisht proza. Përmbledhjet me tregime dhe novela do ta shënjonin si një ndër themeluesit e prozës moderne shqipe. Nga krijimtaria e Koliqit, mund të përmendim: vëllimet me tregime e novela “Hija e maleve” (1929) dhe “Tregtar flamujsh” (1935); vëllimet me poezi “Gjurmët e stinëve” (1933) dhe “Kangjellat e Rilindjes” (1959); prozat poetike “Pasqyrat e Narçizit” (në dy variantet e botimit 1936; 1963); romanin “Shija e bukës së mbrume” (1960); dramën “Rrâjët lëvizin”; dy vëllimet me përkthime “Poetët e mëdhenj të Italisë” (1932,1936); përmbledhjen Antologia della lirica albanese (“Antologji e lirikës shqipe”) (1963); librin me ese mbi letërsinë shqipe Saggi di letteratura albanese (“Ese për letërsinë shqipe”) etj. Koliqi vdiq në Romë, më 15 janar 1975.
Koliqi u shfaq në letërsinë shqipe pikërisht në kohën kur kjo letërsi po hynte në fazën e modernitetit të saj. Siç kemi mësuar, kjo periudhë kërkonte nga krijuesit shfrytëzimin e mjeteve dhe formave të reja të shprehjes, me anë të të cilave do të trajtoheshin temat që ofronte realiteti i kohës, e po ashtu, edhe lëvrimin e zhanreve e llojeve letrare, të cilat nuk kishin njohur zhvillim deri atëherë. Me prozën e shkurtër, Koliqi do të përmbushte pikërisht këto kërkesa, duke sjellë risi si në aspektin e temave që do të trajtonte, ashtu edhe në mjetet dhe format e shprehjes. Me tekstet e tij, Koliqi do të përuronte modelin e tregimit psikospektiv, një lloj tregimi ku ndihet dukshëm përmasa e analizës psikologjike të “llojit frojdist”, të cilin letërsia shqipe nuk e kishte njohur më parë. Ndërkohë që veprat “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh” dhe “Pasqyrat e Narçizit” do ta shënjonin atë si themelues të prozës moderne shqipe.
Advertisement
Tiparet e shkrimit modernist që sjell Koliqi në letërsinë moderne shqipe
Siç thamë më lart, me veprat “Hija e maleve”, “Tregtar flamujsh” dhe “Pasqyrat e Narçizit”, Koliqi themelon modelin e prozës moderne në letërsinë shqipe. Para tij, ishin Konica dhe Lumo Skëndo ata që projektuan format e shkrimit modern, me novelat dhe prozat poetike që lëvruan, por ai që e konsolidoi si model shkrimi, ishte Koliqi. Po cilat janë prurjet e Koliqit në letërsinë moderne shqipe?
Disa nga tiparet e shkrimit modernist që gjenden në tregimet e Koliqit janë:
Përdorimi i elementeve të mitologjisë shqiptare, të tilla si zana, orë, shtojzovalle dhe përzierja e tyre me elemente të botës reale, për të ndërtuar me to realitete letrare, të cilat mbartin njëherazi atmosferën e fantastikes, të mrekullueshmes e reales. Rrëfimi në këto tregime shpesh përzien struktura të rrëfimit gojor (si p.sh., në tregimin “Kërcimtarja e Dukagjinit” gjejmë formulime të tilla, si: Paska qenë dikur... apo edhe numrat simbolikë karakteristikë për përrallat, si p.sh. “Mbas nji udhëtimi tri ditësh me ndalje e pushime të shpeshta...”; “Kremtimi i madhnueshëm zgjati shtatë ditë e shtatë netë”.) dhe atij të kultivuar. Tregimet që mbartin këto karakteristika janë: “Nusja e mrekullueshme”, “Kërcimtarja e Dukagjinit”,
“Diloca” “Kur orët lajmërojnë”.
Rifunksionalizimi i mitit, si teknikë e shkrimit modernist. Te prozat poetike me titull “Pasqyrat e Narçizit”, Koliqi shfrytëzon kuptimin simbolik që përçon miti i njohur grek i Narçizit, për të projektuar veten e tij, botën e brendshme, ëndërrimet e meditimet poetike. Kështu, “Pasqyrat e Narçizit” janë në të vërtetë shtatë rrëfime lirike që shpërfaqin jo mitin, por botën e brendshme shpirtërore të Koliqit.
Përdorimi i epifanisë shfrytëzohet nga Koliqi për të zbuluar realitete e atmosfera të reja që fshehin objekte e sende të njohura. Nga objekte të veçanta shpërthejnë përvoja të fshehura prej vitesh në kujtesën e personazheve ose krijohen përvoja të reja. Në tregimet e Koliqit, si objekte epifanizimi shërbejnë fotografitë e të afërmve, siç ndodh te tregimi “Andërr e një mbasditje vere”; kopshti te tregimi “Kumbulla përtej murit”; hana te tregimi “Hanë gjaku”; copa e murit te proza poetike “Xhami i dritores s’ime”; pianoja te tregimi “Dramë e vogël”.
Përzierja e zhanreve. Është një tjetër tipar i shkrimit modernist që zë vend në krijimtarinë e Koliqit. Kështu, vepra “Pasqyrat e
Narçizit” është modeli ku elemente të shkrimit në prozë dhe atij në poezi janë përzier për të ndërtuar në strukturën e një libri zhanre të ndërmjetme, siç janë prozat poetike.
Kapërcimet kohore dhe përzierja e kohëve gjatë rrëfimit janë një tjetër karakteristikë e prozës moderne koliqiane. Shpesh, në tregimet e Koliqit, kapërcimet apo zhvendosjet kohore janë pjesë e rëndësishme e teknikës së rrëfimit. Kalimi nga e tashmja në të shkuarën nëpërmjet analepsës apo retrospektivës nostalgjike, shërben për të plotësuar ngjarjet e ndodhura dikur në jetën e personazhit, siç ndodh te tregimi “Kumbulla përtej murit”; apo te tregimi “E gjeti mbas shimshirit”.
Mendimi i Martin Camajt për Ernest Koliqin
“Koliqi letrar shquhet si krijues i novelës në letërsinë shqiptare, simbas mendimit tim drejtës do vu në dukje se ai do përcaktue si themelues i prozës moderne në letërsinë shqipe. Lexuesi i kujtueshëm, për shembull, mbetet shtang si ky prozator qysh në nisje të tregimit, në të parat fjali e gjen fillin e mbarë, tonin e saktë. Koliqit, edhe si njeri i hapët e kozmopolit nga natyra, i kandeshin ndryshmenitë e jetës e të artit shumëngjyrash: ky njihet si ndërmjetës mes shkrimtarëve të Veriut e të Jugut të Shqipnisë.”

Narcis

Dy breza letrarë... Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Alkesandër S. Drenova (Asdreni). Foto: Studio Marubi.
Kthimi në të shkuarën shpesh bëhet edhe për të shpjeguar veprimet apo ngjarjet e së tashmes, si p.sh. te tregimi “Hanë gjaku”. Depërtimet psikologjike për të eksploruar botën e brendshme të personazheve, dilemat, veprimet a mungesat e veprimeve, përbëjnë një tjetër karakteristikë të shkrimit modernist. Në shumë prej tregimeve të Koliqit, vëmë re se rrëfimtari përqendrohet te bota psikologjike e personazheve dhe objekt rrëfimi bëhet pikërisht realiteti psikik i tyre, i cili ndihmon në përcaktimin e sjelljeve e veprimeve njerëzore. Me këtë formë, Koliqi e pasuroi letërsinë shqipe me një lloj të ri të prozës artistike, që quhet tregimi psikospektiv. Një formë që letërsia moderne europiane e kishte njohur me kohë, ndërsa letërsia shqipe e bën pjesë të teknikave të veta nëpërmjet Koliqit. Elemente të stilit modernist të Koliqit konsiderohen edhe gjuha simboliste, që shoqëron tregimet e tij, ku vihet re sidomos te përmbledhja me proza poetike “Pasqyrat e Narçizit”; si edhe vlerat polisemike që u vesh fjalëve, nganjëherë që në titull. Po kështu, edhe mbizotërimi i mbiemrit, “adjektivit” siç thotë vetë Koliqi, ndihet në një pjesë të rëndësishme të krijimeve të tij.
Në vëllimet “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh” përgjithësisht trajtohen tema që kanë në bazë kodet zakonore, ligjet e pashkruara e moralin tradicional të Malësisë, si edhe përplasjen e këtyre normave e zakoneve me mentalitetin e ri dhe frymën e zhvillimit të jetës në qytet. Po ashtu, sidomos te “Tregtar flamujsh”, trajtohen problematikat e jetës urbane. Dinamika e zhvillimit të qytetit, sjell me vete temat e përfitimeve materiale, temat ekzistenciale, temat e marrëdhënieve sociale mes individëve të një shoqërie që po zhvillohet, kontradiktat dhe dilemat shpirtërore që shoqërojnë njeriun në një botë gjithnjë e më të hapur, temat e dashurisë etj. Nëpërmjet analizave psikologjike, Koliqi përpiqet të depërtojë në subkoshiencën e personazheve për të zbuluar atë që stimulon veprimet dhe sjelljet e tyre.
STUDIM TEKSTI
Verifikoni tekstin
1. Pse Koliqi konsiderohet si themelues i prozës moderne shqipe? Cilat janë veprat që ia japin këtë vend? 2. Cilën teknikë të shkrimit modernist përdor Koliqi te vepra “Pasqyrat e Narçizit”? 3. Koliqi përdor epifaninë në disa prej tregimeve të tij. Kujtoni se cilët autorë të tjerë të letërsisë moderne botërore e përdorin këtë teknikë dhe për çfarë funksioni. 4. Çfarë është tregimi psikospektiv? Si mund ta përkufizoni atë? 5. Si procedon Koliqi me kohën e rrëfimit në tregimet e tij? 7. Cilat janë tematikat që trajtohen te përmbledhja “Hija e maleve” dhe “Tregtar flamujsh”? 8. Cili është përcaktimi që Camaj i bën stilit të Koliqit?
Ushtroni mendimin kritik
9. Vepra “Pasqyrat e Narçizit” është shkruar në formën e prozave poetike. Çfarë dini ju për zhanret e përziera, siç është edhe forma e prozave poetike? Diskutoni në lidhje me karakteristikat që shoqërojnë këtë formë shkrimi. Zgjidhni një prej prozave poetike të Koliqit dhe krahasojeni me prozën poetike “Ag” të Artur Rembosë, të dhënë në mësimin “Letërsia moderne”, në rubrikën
“Analizë përmes shembujve”. 10. Në një pjesë të tregimeve dhe novelave, Koliqi përdor instrumente të psikanalizës për të depërtuar në realitetin psikik të personazheve të tij. Lexoni tregimin “Andërr e nji mbasditje vere” (ose ndonjë tregim tjetër) dhe më pas diskutoni mbi praninë e elementeve psikanalitike në të. 11. Martin Camaj e cilëson Koliqin si “ndërmjetës mes shkrimtarëve të Veriut e të Jugut të
Shqipnisë”, a mendoni edhe ju të njëjtën gjë? Argumentoni përgjigjen tuaj. 12. Gjeni përcaktime të tjera që i janë bërë Koliqit si shkrimtar dhe artit të tij, dhe diskutoni për vlefshmërinë e tyre.

ANALIZË E VEPRËS
Gjaku
Novela “Gjaku” është një prej krijimeve më të vlerësuara të Koliqit, e cila renditet e dyta ndër dymbëdhjetë tregimet dhe novelat që përmban libri “Hija e maleve” (1929). Në këtë novelë, Koliqi trajton temën e gjakmarrjes, si dhe atë të përpjekjes së individit shqiptar të fillimshekullit XX për t’u çliruar nga zinxhiri i zakoneve e ligjësive të pashkruara dhe për të ndjekur rrugën iluministe të zhvillimit dhe përparimit të vendit, nëpërmjet edukimit me dije e kulturë. Personazhi kryesor, Doda, është pikërisht projeksioni i kësaj përpjekjeje. I lindur në Malësi, Doda edukohet që në vogëli me kodet zakonore të vendit. Në mënyrë të pavullnetshme, ky edukim do të zërë vend në nënvetëdijen e tij, duke u fshehur në skutat më të errëta të saj, i gatshëm për t’u shfaqur në momentin më të parë kur preket kodi i tij. Doda vazhdon shkollën në Perëndim dhe ndjek rrugën e arsimimit dhe kulturimit. Shkolla dhe edukimi projektojnë te Doda njeriun që beson se vetëm nëpërmjet kulturës, shoqëria mund të shkëputet nga mendësia primitive dhe të ecë përpara në linjën e zhvillimit si kombet e tjera. Ndaj i futet punës për të shkruar një libër programatik për misionin qytetërues që i është caktuar. Pohimi programatik, me të cilin fillon novela, dëshmon përkushtimin e Dodës për të përmbushur misionin që ka: A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnimin një kombi zhytë në errsinën e padijes? - Ai që kalon nëpër popull me hedhë farën për një jetë må të mirë, ai që e ndriçon me një dritë ma të bukur tokën që na ushqen, ai që bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave; shkurt: kush i difton popullit një udhë të re qytetnie të vërtetë, âsht i denjë me qenë i nderuem si gjysmë perëndie. Por ky përkushtim dhe vetë misioni i Dodës vihen në provë, kur ai merr lajmin se të vëllanë, Zekën, ia kanë vrarë. Kthimi në Malësi për të varrosur të vëllanë është edhe fillimi i një lufte të brendshme mes “detyrimit” ndaj kanunit, ligjeve të pashkruara të fisit, që i diktojnë gjakmarrjen – një formë sjelljeje që mendonte se e kishte çrrënjosur nga vetja – dhe njeriut të kulturuar, intelektualit, që besonte se zhvillimi i vendit vjen pikërisht nga braktisja e zakoneve dhe rregullave që e kanë lënë prapa e në mjerim vendin. Në këtë luftë të brendshme, ku askush nuk i jep mbështetje e s’e ndihmon, nxjerr krye edukimi që kishte marrë në vogëli. Ligjet e pashkruara, që dalin nga skutat e nënvetëdijes së tij, e drejtojnë drejt veprimit fatal: gjakmarrjes. Doda vret gjakësin e njëherazi edhe parimet dhe bindjen e tij se vetëm dija mund ta çlirojë njeriun nga zakonet dhe ligjet që ka trashëguar prej shekujsh. Kështu, “shqiptari arkaik” triumfon ndaj “shqiptarit të qytetëruar”. Forcat instiktive e shtyjnë Dodën të bëhet gjakës dhe të mpijnë ndërgjegjen e qytetëruar. Pohimi që Doda bën në fund të novelës tregon fuqinë e kësaj force instiktive: Unë s’e kam mendue kurrë se qes pushkë: një forcë që s’dij me e shpjegue m’i mori mênt e më rrëmbeu vullnetin. E tërë novela, por sidomos pjesa e konfliktit të brendshëm që mbërthen Dodën gjatë përpjekjeve për t’iu shmangur “detyrimit” ndaj kodit të gjakmarrjes, karakterizohet nga prania e instrumenteve psikanalitike. Nëpërmjet këtyre instrumenteve, ne arrijmë të depërtojmë në thellësi të qenies së personazhit dhe të kuptojmë gjendjen dhe sjelljet e tij. Kjo novelë, sikurse edhe disa prej tregimeve të tij, bën pjesë tek ai grup që studiuesit e kanë quajtur modeli i tregimeve psikospektive. Teksti i mëposhtëm ilustron pikërisht konfliktin e brendshëm që ka mbërthyer Dodën. Përshkruhet gjendja e rënduar shpirtërore dhe psikologjike e Dodës, i cili, i ndodhur në një rreth vicioz, ku të gjithë – i ati, fisi, prifti, nëna e së fejuarës, miku i familjes – e shtyjnë drejt përmbushjes së detyrimit kanunor të marrjes së gjakut, përpiqet të ruajë bindjen dhe pastërtinë e misionit të tij.
E. Koliqi
ILUSTRIM LETRAR
Gjaku
Iku prej shtëpisë së të dashunës e hyni në një pijetore, ku të gjithë e shikuen për seri, kaq e çuditshme u duk ardhja e atij mësuesi të përmêndun për urti në atë lokal pijanecash. Po Doda s’pa kurrkênd. Kishte humbë gati krejt pushtetin e vetvetes. Lonte kâmbë e dorë, bânte gjeste si në kllapi. Një mendim i papritun e kishte sjellë aty. Porositi raki. Kur ia prune, lagu paksa gojën me te dhe e vûni përpara tue e harrue mbi tavoline. Fjalet e s’âmës së Nushës i tingllonin gjithnji në vesh, provokuese. Donte me e largue mêndimin nga to: kerkonte me harrue, me u davarite. Kot: qarku i errësinës, që kish nisë me e rrethue shpirtin e tij si natë mëndere, ngushtohej ças me ças. “Unë shkova te ato me kërkue paqen e gjeta dishprimin”. E, me të vërtetë, çapojt e dishprimit i kishin hy thellë ne zêmër. Jeta humbte ngjyrat e bukura, zverdhohej, mbulohej me hije të zeza. Ajo skutë fatbardhësie, që duert e njoma të Nushës do të lulëzonin për ditë me drandofille të përvesueme, a thue kishte për t’u zhdukë si ândërr e avullt që fshin drita e diellit? Libri origjinal, vepra e thellë që do të përtrinte psiken e kalamâjve shqiptarë, tue ngjallë e forcue instinktet må te shëndosha të kombit, kishte për të mbetë vallë deshire e pafuqishme e një mëngjesi t’êndun vetëm me rreze shpresash? Misioni i naltë me edukue djelmninë, që sot âsht uzdaja e lumnisë së ardhshme, por nesër do të jetë Shqipnia e re – ajo që shkelqen në kângën e poetëve e qe dëshirimi i fundēm i dëshmorëve – a thue do të ishte mbaskëndej detyrë e ândëshme e tjerve dhe jo mâ e tij? Do të dilte ai ndoshta nga radhët e çetës së punëtorëve e do t’i shifte kolegët tue marshue pērpara, pa tê? Ideali i trajtuem me sa mundime e studime a do të shembej pa pritë, pa kujtue? Kultura e tij do të ishte valle si levore që plasaritë vetvetiu tue lânë lakuriq natyrën primitive? U ngrit, pagoi e doli. Jashtë, ré të zeza udhëtonin të shpejta nëpër qiell. Vetima, si gjarpën ari xhixhillues, rrëshqiste për të gjatë tyne tue e shqye, hove-hove, terrin e natës. Ajri ishte i nxehtē, i amtë me të marrë frymën. Shtërngata po avitej. Ai shkoi drejt në shtëpi, pa mujtë me këputë fijen e mendimeve.

“Te tanë janë çue kundra meje... Bajraku murmuron tue thânë se deri më sot s’ka pasë pjesëtar që të ketë lanë gjak me hupë... Apa âsht në short me m'u sëmurë prej idhnimit e ndoshta më nâm në zêmër të vet si djalë të bastardhuem... Don Shtjefni nuk më foli asnjë fjalë që me ma qetësue qëndresën... Drandes i âsht mbushë mêndja se unë s’bari kore dhe se do ta bâj me doemos një punë... Të tânë kundra meje... Kurrkush s’ma thotë një fjalë që me ma përtri fuqinë e vullnetit... E, pra, me gjithë këtë, unë do t’i qëndroj këtij ambienti të kalbun... Unë s’do t’i përulem këtij mentaliteti të egër... Le të më thërrasin tutës, le të më quejnë djalë të lig: unë due me dhânë një shembull të gjallë kuraje civile tue u shpallë luftë zakoneve të mbrapshta”. Me gjithë që ky vendim i marrun në vetvete ia qetësoi disi turbullimin e mêndjes, prap gjumi s’e merrte. Kujtimi i të atit, sidomos, nuk i hiqej. Ai e dinte mirfilli se, po të kishte mujtë me fluturue te shtëpia në atë ças, aty afër votre do ta gjente, pa gjumë, në paluejtninë e zakonshme, kapërthye në idhnimin e gjakut të pamarrun që ia brente përbrenda fuqitë e fundme të jetës. Vetoi, jashtë, e bubulloi. Era bâni me gjëmue dyer e dritore. Në fund qielli shfreu: ra shi; i fortë, i shpejtë, i kumbueshëm. Mbandej vetimat u rralluen, bumbullimat u larguen e ktheu heshtja e përparshme. Vetëm, ndëgjohej uji tue rrjedhë rrëkeve të oborrit, poshtë, përherë mâ i kadalshëm. Dodës i ra në kujtim se kishte lexue në një libër që, për me ndiellë âmbëlsit e lulëkuqeve të Morfeut, duhej largue çdo mêndim e duhej njehë symbyllë me mênd, pa u sjellë nëpër të shtrueme, deri sa gjumi ta këpusë vargun e numravet. Ashtu bâni, tue fillue të njehunit dy tri herë rishtas sepse mêndimet e kapnin trathmênd. Tekembramja fjeti. Ândrrat që pa qenë edhe mâ të turbullueshme se mendimet e ditës. Natë e shkambie. Ai ikte, ikte turrshëm tue u shqye petkash nëpër gurë të thepisun.
STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Nëse e vendosim fragmentin brenda gjithë veprës, atëherë kuptojmë se shfaqen disa problematika njëkohësisht. Identifikojini ato dhe tregoni si i kuptoni. 2. Njerëzit në pijetore e shohin Dodën me habi. Analizoni nga ana kuptimore këtë reagim, duke pasur në vëmendje edhe përmbajtjen e novelës. 3. Në tekst pohohet se sjelljet e Dodës janë si në kllapi. Shpjegoni si i arsyetoni ju këto veprime të
Dodës. A vjen natyrshëm kjo në përfytyrimin tuaj teksa lexoni tekstin? 4. Fjalët e nënës së Nushës (të fejuarës së tij) i tingëllonin në vesh. Cilat ndjesi të Dodës i ngacmojnë ato? Si vepron Doda përballë këtij insistimi?
5. Doda e përkufizon kështu misionin që ai ka ndërmarrë: Libri origjinal, vepra e thellë... do të përtrinte psiken e kalamâjve shqiptarë, tue ngjallë e forcue instinktet må te shëndosha të kombit...
Shpjegoni me fjalët tuaja si e kuptoni këtë mision të protagonistit.
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Fragmenti është i ndërtuar në integrimin e ligjëratës së drejtë me atë të zhdrejtë. Ligjëratë e drejtë janë fjalët e Dodës, ndërsa ligjëratë e zhdrejtë, fjalët e rrëfimtarit. Pasi ta keni rilexuar tekstin, mendoni se gjykimi i rrëfimtarit e plotëson gjykimin e protagonistit? 7. Në paragrafët e parë vërehet prania e fjalive të shkurtra e me përbërës antitetik: Iku prej... e hyni ...; të gjithë e shikuen... po Doda s’pa kurrkend; ...kërkue paqen e gjeta dishprimin. Çfarë tregojnë këto për gjendjen psikologjike në të cilën ndodhet Doda? 8. Për zbërthimin e botës së brendshme të personazhit është përdorur monologu i brendshëm.
Doda përdor përemrin ato për të tjerët dhe unë për veten. Përse ka zgjedhur këtë ndërtim rrëfimtari? A lidhet kjo me vendimet dhe misionin e Dodës? Po me luftën e tij? Kundër kujt është kjo luftë? 9. Gjatë monologut të Dodës vërejmë praninë e shpeshtë të retiçencës. Ky ndërtim i tekstit, a pasqyron dilemën e Dodës? Nëse po, tregoni si lidhet kjo me llojin e fjalisë së përdorur. 10. Lexojeni tekstin me zë. Ai është shkruar në dialektin gegë. Identifikoni fjali e ndërtime gjuhësore që janë karakteristike për atë dialekt. Ndërtoni fjali në klasë, duke i sjellë ato në kontekste të tjera.
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Fragmenti nis me një situatë paradoksale: ardhja e atij mësuesi të përmêndun për urti në atë lokal pijanecash. Cilët janë fjalët që krijojnë paradoksin? A ka paralelizëm mes këtij paradoksi dhe asaj që ndodh në novelë? 12. Lexoni fjalinë: Kot: qarku i errësinës, që kish nisë me e rrethue shpirtin e tij si natë mëndere, ngushtohej ças me ças. Fjalia nxit imazhin e një rrethi që sa vjen e ngushtohet. Gjeni metaforat dhe analizoni kuptimet që fitojnë ato. Kjo errësirë që po pushton shpirtin e Dodës, i vjen instinktivisht apo ai e kontrollon atë? Si lidhet e gjitha kjo me metaforën çapojt e dishprimit? 13. Dilemat e Dodës, dhënë përmes fjalëve të rrëfimtarit, ndërtohen përmes pyetjeve retorike.
Pyetjet retorike i paraprin konstatimi: Jeta humbte ngjyrat e bukura, zverdhohej, mbulohej me hije të zeza. Analizoni kalimin nga realiteti në instinktet e botës së brendshme. Mbështetuni te metaforat, enumeracioni. Si lidhet me nëntekstin e pyetjeve retorike kjo paraprirje? Mendoni se brenda botës së Dodës ka nisur lufta? Pse? Argumentoni duke përdorur figurat që gjenden brenda pyetjeve retorike. 14. Ndaluni në paragrafin: Misioni i naltë me edukue djelmninë, që sot âsht uzdaja e lumnise se ardhshme, por nesër do të jetë Shqipnia e re - ajo që shkelqen në kângën e poetëve e qe dëshirimi i fundēm i dëshmorëve - a thue do të ishte mbaskëndej detyrë e ândëshme e tjerve dhe jo mâ e tij?
Do të dilte ai ndoshta nga radhët e çetës së punëtorëve e do t’i shifte kolegët tue marshue pērpara, pa tê? Ideali i trajtuem me sa mundime e studime a do të shembej pa pritë, pa kujtue? Kultura e tij do të ishte valle si levore që plasaritë vetvetiu tue lânë lakuriq natyrën primitive? Vëreni mendimet e kundërta që gjallojnë në të. Evidentoni fjalët që krijojnë antonimi kontekstuale. Duke u nisur nga to, tregoni imazhin që krijon togu Shqipnia e re.
15. Metafora idhnimin e gjakut të pamarrun, na orienton drejt teorisë së instinkteve, mbi të cilën ndërtohet novela. Shpjegoni kuptimin që merr emri idhnim brenda metaforës. A lidhet ai me zakone e tradita të zonës së Veriut të Shqipërisë? Argumentoni përgjigjen tuaj, duke sjellë të dhëna të tjera nga novela.
Nga teksti te gjuha në përdorim
16. Kemi përmendur shumë herë që autori e ndërton tekstin mbi kundërshtitë. Analizoni këto përdorime në funksion të qëllimit të tij. A ju ndihmojnë antitezat kontekstuale për ta kuptuar këtë? Ilustroni mendimin tuaj me të dhëna nga teksti. 17. Fragmenti është i ngjeshur me përdorimin e formës së pashtjelluar me + pjesore, tipike kjo e përdorimit të gegërishtes. Evidentoni disa prej tyre. Në çfarë funksionesh shfaqet në rastet që ju evidentuat? A e bën të bukur rrëfimin? Po të plotë? Pse? 18. Karakteristikë e monologut të brendshëm është përdorimi i shumë përemrave. Identifikoni rastet kur përemrat luajnë rolin e hiponimisë. Cilat fjalë përmbledhin ata? A ndikon kjo në mesazhin që përcjell fragmenti? 19. Përgjatë monologimit shfaqet shumë shpesh përemri unë. Sa arrin protagonisti ta bindë lexuesin në këmbënguljen e tij? Ju si lexues, a jeni të bindur që Doda do t’i qëndrojë deri në fund vendimit të tij? Argumentoni përgjigjen tuaj me të dhëna nga teksti. 20. Brenda këtij konteksti fragmentar, teksa përshkruan natyrën në funksion të luftës së brendshme të Dodës, vërejmë në fillim “Shtërngata po avitej” dhe në fund “qielli shfreu”. Si lidhet ky përdorim me kontekstin? Si shkon ai në paralelizëm me gjendjen e brendshme të Dodës?
Nga teksti te reflektimi
21. Doda pohon: Unë s’e kam mendue kurrë se qes pushkë: një forcë që s’dij me e shpjegue m’i mori mênt e më rrëmbeu vullnetin. Si mendoni, cila është ajo “forcë” që e shtyn Dodën të kryejë vrasje, përkundër vullnetit të tij? 22. Si e gjykoni bindjen e Dodës përballë presionit të ambientit dhe familjes? A ka mjaftueshëm forca një njeri i vetëm, qoftë edhe i shkolluar, për të përballuar sfidën e një shoqërie të tërë? 23. Figura e babait në familjen patriarkale shqiptare ka një përfaqësim të fortë, imponues. A njihni shembuj të tjerë në jetën e përditshme që të përçojnë të njëjtën ndjesi si të Dodës? Flisni për to. 24. Besoni edhe ju që shkollimi i mbarë shoqërisë do të mbizotërojë rolin frenues dhe negativ të disa ligjeve të pashkruara? A keni një ide konkrete për këtë? E shihni mundësinë që ky të jetë një prej planeve tuaja të së ardhmes? 25. Në ç’raport me realitetin e sotëm në zonat e thella të Veriut të Kosovës dhe Shqipërisë është kjo novelë? A është zhdukur dukuria e gjakmarrjes? Sa ndikon tradicionaliteti dhe patriarkaliteti në këtë proces?
Nga teksti te të shkruarit
26. Shkruani një ese analitike me temë: A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjelle qytetnimin një kombi zhytë në errsinën e padijes?
ANALIZË E VEPRËS
Kërcimtarja e Dukagjinit
Kërcimtarja e Dukagjinit” bën pjesë në grupin e tregimeve që përdorin elemente fantastike të mitologjisë shqiptare, siç janë zanat, të përziera me elemente të historisë dhe të jetës reale. Strukturimi i tregimit ngjan me strukturimin e përrallave e legjendave. Formulime të tilla, si “Paska qênë qenë dikur nji vajzë mrekullisht e hijëshme”, me të cilin fillon paragrafi i dytë i tregimit, na kujtojnë formulat me të cilat nisin përrallat.
Fabula e tregimit
Fabula e këtij tregimi është e tillë: Skënderbeu, pas fitores që kishte arritur kundër turqve, kishte vendosur të organizonte një festë. Në këtë festë, ai thirri gjithë bashkëluftëtarët. Lekë Dukagjini shkoi së bashku me njerëzit e tij, mes të cilëve ishte edhe mbesa, Lulja. Lulja shquhej për bukurinë e jashtëzakonshme, por nga ana tjetër, edhe për ngathtësinë dhe trashamanësinë e saj. Ndaj, Zanat, për të nderuar madhështinë e vendit të tyre, vendosin që njëra prej tyre të marrë pamjen e Lules. Me këtë shndërrim, Lulja, për çudinë e të gjithëve, e më së shumti të nënës së vet, Zogës, arrin të fitojë garën e kërcimtares më të mirë e të kurorëzohet mbretëresha e kërcimtareve. Ajo që ndodh në fund të tregimit, kur Lulja zgjohet nga gjumi e plogësht dhe e ngathët si dikur, duke pohuar se s’kishte qenë kurrë në Krujë, shpjegon enigmën e transformimit të saj.
Karakteristikat e tregimit
Ky tregim është përcaktuar si tregim metamorfozo-simbolik. Metamorfoza e brendshme që ndodh te princesha Lule, mbesa e Lekë Dukagjinit, është simbolike, është metamorfoza e jashtme që i duhet kombit për të dalë nga amullia e squllët ku e ka zhytur veten. Lavdia e breznive të mëparshme s’mjafton për të justifikuar veprimet e “ngathta, të trasha e turulluqe” të bashkëkohësve të Koliqit. Diçka duhet “lëviz”, përndryshe zanat bëjnë lojëra, ose lavdia e të parëve, që ndihet e rrezikuar, thërret në ndihmë mitin, i cili në saje të transhendencës realizon metamorfozën. Tashmë, s’është Lulja që lëviz, por “Zânat e Dukagjinit për me i qitë zânin maleve të tyne kishin dâ qi njâna prej sosh të merrte fytyrën e trupin e Lules e të shkonte në Krue në vênd të saj, më sa qi këtê tue plandosë në një gjumë të randë, e kishin vû me fjetë, në banën hyjnore ku ato jetojnë”.

Estetikisht, prezenca e Zanës në trupin e Lules nuk shfaqet me bukuri statike, pamore, por me madhështinë lëvizore, që përnjëherësh ndërron forma, duke dhënë imazhe figurash të ndryshme, të gjitha brenda një funksioni: për të evidentuar madhështinë e qenies dhe të kombit. “E drejtë si curril uji gufues, e lakmueshme si gem i njomë, e shpejtë si hije reje, e dridhshme si drita n’krue, endej shpejt, ngadalë, hovshëm, pritueshëm. Kërcimi i saj ishte i freskët si liria e maleve, i lehtë si kind flamuri që valon ndër maje të epra, i egër si fluturimi i shqipes, i përmallshëm si kângë e harrueme që ngjallet në fund të zêmrës”. Lëvizja interpretohet si ndryshim, gjallëri, jetë, ndërsa krahasimet si qëllime për t’u arritur. E kështu, miti i sugjeron realitetit: “Lypset Çilë një rrugë e re, që të na nxjerri prej gropës ku kena ra”
E. Koliqi
ILUSTRIM LETRAR
Kërcimtarja e Dukagjinit
Ishte princeshë Lulja, mbesa e Lekë Dukagjinit. Si u ba? Ça ndodhi? Porsa hyrija malsore çoi duert e luejti kâmbët, nji habi e ambël kapi gjith shpirtnat. Nëpër tânë salonin u ndie si nji âmě lulesh mali e si nji gurgullim krojesh të ngrita. Sy njeriu s’kishte på as valle mâ të mrekullueshme as kërcimtare mâ të bukur. Lëkura e fytyrës së saj gjante e endun me rreze e fletëza prilli. Trupi i vërgjilët përhapte anë për anë nji njomsi si lule qi sa po ka çelë. Të gjithve i u bânte se shifshin rreth saj tue lulzue e tue u shfletězue, si n’ândërr, lulishta madhshtore. Ishte nji apotheozë lulesh: lule të dênduna të panjehuna iu çelnin nên kâmbët e lehta, reshëshin mbi flokë të lëshuem, dridheshin ndërmjet gishtave të bardhë, derdheshin mbi trup hyjnuer. Tash ngjante si të ishte tue luejtë foshnjisht me përfytyrimin e saj në pasqyrën e një uji të kulluet; mandej dukej të këpuste rremtha të lulëzuem, tue u ngritë maje gishtave të vegjël. Herë ngiste nëpër shtrojë si të ndiqte ndonjë flutur ari; herë valavitej si ta përkundte jehu i një jonës së largët që ngjallte malle të paprituna. Merrte me u ngjitë nëpër një shkallë ajrore, largonte gjeth e lule të padukshme që ia ndalonin hovin, hidhej përpara si të binte zhyt në ndonjë krue, shtrinte dorën me kapë shoqe tjera e sillej me mënyrën e asaj që u prîn një vargu vajzash kërcyese. E drejtë si curril uji gufues, e lakmueshme si gem i njomë, e shpejtë si hije reje, e dridhshme si drita në krue, endej shpejt, ngadalë, hovshëm, pritueshëm. Kërcimi i saj ishte i freskët si liria e maleve, i lehtë si kind flamuri që valon ndër maje të epra, i egër si fluturimi i shqipeve, i përmallshëm si kângë e harrueme qi ngjallet në fund të zêmrës.
Sa mbaroi, një brohori e përgjithshme e emnoi mbretëreshë të kërcimtareve. Mbreti vetë erdhi me e marrë për dore. Princat, kapidanat, bajlozat, bujarët, kalorësit e rrethuen tue e mbulue me lavde e tue i ngjitë mbiemna të bukur. – Zânë me flatra! – Hyjneshë e kërcimit! – Dritë hâne në prrue! – Fllad fluturues! – Lule në erë! Flutura e Shqipnisë! Bajlozi i Venedikut i pëshpëriti: – Tersicore! E âma, Zoga, me çudi mâ të madhe që mund t’i shprehte fytyra, u lëshue kah ajo: – Po kush të ka mësue, moj, ty me kërcye ashtu? Shatrat e Mbretit e çuen me zgjedhë çka të donte ndër plaçkat e luftës së fundme. E ajo mori një peshtah ari të punuem për mrekulli. Mbretnesha e thirri afër vetes dhe e puthi në ballë. Tuba lulesh të panjehuna nisën me i ardhë. Princat e rij çonin me kërkue lule nëpër lulishta të Krujës për tê; zojat i hiqnin prej parzmit me ia falë asaj. Një triumf i pashoq. Ajo shkëlqente për gjithë ças e mâ bukur mâ e njomë, mâ tërhjekse. Festat mbaruen e gëdhini dita e kthimit. Lekë Dukagjini me përciellësa u nis në Malësi. Udhës të gjithë ishin të lodhun prej kremtimeve të gjata.
……………………………………………………………………………. Të nesërmen, një lajmtar i papritun e zgjoi heret Zogén. Lekë Dukagjini e thirrte për një punë me rândësi të madhe. Ia kishte befë në kështjellë një princ i ri, nga shtëpia e Muzakajve, që kërkonte me e marrë Lulën e donte me u fejue aty për aty. Kërcimi i pashoq e kishte bâ me u çmêndë mbas saj, e ai kish vrapue për të arrijtë i pari, sepse ishte i sigurtë se tjetër dëshirtarë do t’u paraqitnin për së shpejti. Zoga, si mori vesht punën, ngau me zgjue të bijën. Por kjo gërhiste tue fjetë e s’ishte send që e luente vêndit. Mbasi e shkundi e âma mirë e mirë, në fund, Lulja u ngrit me sy të turbullt e me një shprehje mërzie në skaje të buzëve. – Çou, – i briti Zoga, – se kanë ardhë me të lypë për grue. Ajo s’u tund asnjë fije, por mori me u veshë kadal me plogështinë e zakonshme. – Mâ shpejt, he qyqe! Ku ma le zhdërvjelltësinë që kishe në kërcim? – bâni e âma tue e nxitë. – Ku? Si? – pyeti vajza e një habi e madhe iu piskue në fytyrë. – Në Krujë, pra, deh, – ia priti Zoga, – kur ishim në Krujë.
Vajza qeshi si e marrë e tha: – Në Krujë?... Po unë s›kam qenë kurrë në Krujë! E âma e vërejti çuditshëm. Sytë e Lulës kishin shikimin e vdekun të përparandjeshëm; buzët iu shtrembnonin prap në një nênqeshje trashanike e të pakuptueshme. E, si Zoga, të gjithë u habitën, kur e panë Lulën të kthyeme përsëri në plogështinë e trashamaninë e dikurshme. Askush nuk mund të kuptonte se si ajo vajzë e ngathët kish pasë një triumf aq të madh në Krujë. Por çudia kapërcente gjithë kufijt e kuptimit kur ajo bânte bé se kurrë s’mbante mênd që të kish kërcye në jetën e vet. Princi i ri, sa e soditi me tê, lypi leje dhe iku i dishpruem.
……………………………… “Çka kishte ndodhë?” ………………………… Zânat e Dukagjinit, për me i qitë zânin maleve të tyne, kishin nda që njâna prej sosh të merrte fytyrën e trupin e Lulës e të shkonte në Krujë në vend të saj, me sa që këtë, tue e plandosë në një gjumë të rândë, e kishin vû me fjetë në banesën hyjnore ku ato jetojnë. Mandej e kishin çue prap në shtëpi, natën, pranë së âmës, kur shoqja e tyne ktheu nga triumfi i Krujës. Puc, Zânat bâjnë shpesh këso lojnash!...
STUDIM TEKSTI
Nga teksti te kuptimi
1. Në cilin grup është klasifikuar tregimi “Kërcimtarja e Dukagjinit”? Pse? 2. Në këtë prozë Koliqi trajton: a) gëzimin e jetës mbushur me gjallëri dhe magji. b) pesimizmin si pasojë e shqetësimeve dhe ambicieve njerëzore. c) përpjekjen e njeriut për të shijuar bukuritë e natyrës. d) elemente biografike nga jeta e tij. 3. Pikën kulmore të kërcimit në këtë fragment e shënon çasti kur: a) Lulja hyn në skenë në mënyrë të papritur. b) mësohet që vajza është mbesa e Lekë Dukagjinit. c) kërcimi i Lules fiton cilësi gati hyjnore. d) Lulja u buzëqesh të gjithë atyre që e mbuluan me lavde. 4. Lules/Zanës të pranishmit i japin emërtime të mrekullueshme. Kthehuni në tekst dhe lexojini ato. Çfarë kuptimi marrin ato në këtë kontekst? Si është vlerësimi për vajzën/Zanën? 5. Në fragment tregohet se zanat vendosin që njëra prej tyre të marrë formën e Lules. Si e kuptoni ju këtë metamorfozë? Po rrëfimtari si e shpjegon? A përkoni me mendimet e rrëfimtarit?
Nga teksti tek analiza e ndërtimit
6. Fragmenti ndërtohet mbi ligjërim të lartë, në të cilin vërehet ndërthurja e magjikes me realen.
Identifikoni elementin magjik dhe argumentoni se në ç`raport rri ai me elementin real. Cili dominon? A e justifikon këtë ndërtim mesazhi i pjesës? Pse? 7. Rrëfimtari në këtë fragment nuk e fsheh veten. Kjo shfaqet nëpërmjet gjykimeve që ai jep.
Rilexoni tekstin dhe evidentoni fjalitë e frazat që e bëjnë të dukshëm rrëfimtarin. Cili mund të jetë ai? Bëni një profilizim të rrëfimtarit. 8. Gjuha e prozës poetike dallon nga gjuha e prozës. Në këtë fragment vëmë re shumë elemente të prozës poetike. Duke shfrytëzuar njohuritë që keni mbi prozën poetike, evidentoni pasazhet ku ajo vërehet. Nënvizoni këto elemente. 9. Fragmenti ka përdorim të dendur foljesh në të dyja pjesët e tij. Identifikoni ato dhe thoni si i shërbejnë përmbajtjes së secilës pjesë. Lidheni këtë me profilin e Lules-Zanë dhe Lules-vajzë e mefshtë. 10. Gjeni në tekst cilësimet që shërbejnë për të dhënë madhështinë e kërcimit të Lules. Analizoni ndërtimin e tyre.
Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës
11. Lexoni fjalinë: Porsa hyrija malsore çoi duert e luejti kâmbët, nji habi e ambël kapi gjith shpirtnat. Nëpër tânë salonin u ndie si nji âmě lulesh mali e si nji gurgullim krojesh të ngrita.
Në këtë nisje të kërcimit, lëvizja dhe efekti i saj realizohen nëpërmjet emrave dhe jo foljeve. Kjo gjetje ngacmon efektet pamore dhe rrit imagjinatën. Analizo metaforat duke pasur parasysh: kuptimin e ri që marrin emrat e mbiemrat; lidhjen e metaforave me mjedisin malësor; ngjyrimet emotive që ato përcjellin. 12. Për të përshkruar fizikun e vajzës ndërkohë që kërcen, rrëfimtari huazon detaje nga pranvera, të cilat i quan apotheozë lulesh. Ndaluni te ky fragment dhe evidentoni foljet. Si lidhen ato me emrin lule? Cili është kuptimi i ri që ato fitojnë? Si lidhet ky kuptim me emrin e luleve? 13. I gjithë kërcimi i Lules/Zanës të kujton natyrën e mrekullueshme të malësive tona. Vëreni similitudat në këtë paragraf: Tash ngjante si të ishte tue luejtë foshnjisht me përfytyrimin e saj në pasqyrën e një uji të kulluet; mandej dukej të këpuste rremtha të lulëzuem, tue u ngritë maje gishtave të vegjël. Herë ngiste nëpër shtrojë si të ndiqte ndonjë flutur ari; herë valavitej si ta përkundte jehu i një jonës së largët që ngjallte malle të paprituna. Pse të kujtojnë ato natyrën tonë? Si ndikojnë metaforat në to? Cilat janë kuptimet që marrin metaforat brenda similitudave? 14. Figuracioni i dendur luan me imazhin. Si e përfytyroni ju vallen e vajzës? Nëse do të duhej ta vizatonit atë, cilin sfond do t`i vendosnit? Cilat ngjyra do të përdornit? Pse bëtë këto zgjedhje?
Mbështeteni mendimin tuaj me figura të marra nga teksti. 15. Në fund të tregimit, rrëfimtari thotë: “Puc, Zânat bâjnë shpesh këso lojnash!... Çfarë kuptimi merr fjala “lojna”? Konsultoni “Fjalorin e gjuhës shqipe” dhe dalloni kuptimet e saj. Çfarë nuance të re kuptimore ka fituar ajo?
Nga teksti te gjuha në përdorim
16. Në këtë kontekst marrin vlerë disa dukuri tradicionale. Cilësojini ato. Si shprehet gjuhësisht vlera e tyre? 17. Në fjalinë: “Porsa hyrija malsore çoi duert e luejti kambët, nji habi e ambël kapi gjith shpirtnat...”, merr rol të veçantë përcaktori gjith. Shpjegoni rolin e përcaktorit, duke e lidhur me çastin dhe me kontekstin. 18. Vëreni fjalitë mungesore: Zânë me flatra! Hyjneshë e kërcimit! Dritë hâne në prrue! Fllad fluturues! Lule në erë! Flutura e Shqipnisë!
Si realizohet plotësimi i kuptimit të tyre? Ndikon vetëm konteksti apo edhe intonacioni?
Argumentoni përgjigjen tuaj duke shfrytëzuar njohuritë mbi figurën e apostrofit dhe pasthirrmës. 19. Në pjesën e fundit, dialogu i nënës me vajzën zbulon arsyen se përse nëna habitet njësoj si të tjerët teksa sheh vajzën kur kërcen. Krahasoni të folurën e nënës gjatë kërcimit dhe atë pas festës. (Kujtoni që nëna në rastin e parë po i drejtohej Zanës, pa e ditur që ishte zana.) A është i njëjti nivel ligjërimor? Shfrytëzoni njohuritë mbi ligjërimin. 20. Në fund të tregimit, fjala përmbyllëse paraprihet nga pjesëza Puç, e cila merr vlerën e fjalisë. Si e gjykoni ju këtë përdorim? Kujt po i drejtohet rrëfyesi. Si e gjen veten lexuesi në këtë përdorim?
Nga teksti te reflektimi
21. Ky është një nga tregimet me më shumë vlera patriotike në gjuhën shqipe. Kjo shfaqet në mënyrë të shumëfishtë: tema e veprës, mesazhi i saj, gjuha e përdorur, gjetja artistike. Flisni mbi ndjesitë tuaja pasi e keni lexuar tregimin. 22. Leximi është proces i shumëfishtë. Kjo është arsyeja se përse ne ju kërkojmë të riktheheni në tekst. Si mendoni, pas çdo rileximi, a keni gjetur diçka të re në tekst? Tregojini ato me ilustrime nga fragmenti. 23. Nëse ky tregim do të ishte shkruar në shqipen standarde, mendoni se do të kishte të njëjtën fuqi shprehëse? Pse gegërishtja i shkon përshtat një fabule të tillë? Ku e gjen burimin e fuqisë shprehëse ky dialekt në këtë tregim? 24. Detaji fantastik i Zanës së shndërruar në vajzë nuk e cenon kuptimin realist të tregimit. Pse ju si lexues e shijoni më shumë përmes këtij elementi përrallor? Ka lidhje kjo me nënvetëdijen tuaj si shqiptarë? 25. Nëse do të ishit skenaristë dhe do ta kthenit në një skenë filmi këtë moment, çfarë planesh do të ndërtonit? Ku do të shkonit të filmonit? Në cilën stinë? Si do të ishte aktorja kryesore? A keni një emër?
Nga teksti te të shkruarit
26. Përpiquni të realizoni me shkrim një analizë teksti. Shpjegoni si shfaqen në këtë fragment veprimi dhe përjetimi i personazheve, si veçori e stilit të Koliqit.