49 minute read

Anton Pashku

Next Article
Azem Shkreli

Azem Shkreli

Letërsi

Anton Pashku

Advertisement

Anton Pashku është një nga shkrimtarët më të veçantë të letërsisë shqipe të shekullit XX. Teksti i tij paraqet tipare shumë specifike, veçanërisht në lidhje me gjuhën, me të cilën ai realizoi figura dhe imazhe mbresëlënëse. Tregimin e parë Pashku e botoi më 1955-n, ndërsa vëllimin e parë me tregime, “Tregime”, më 1961-shin. Më tej botoi: “Një pjesë e lindjes” (1965); “Kulla” (1968); “Kjasina” (1973); “Lutjet e mbrëmjes” (1978); romanin “Oh” (1971); dramat “Sinkopa” (1969) dhe “Gof” (1976).

Tipare të ndërtimit të tekstit të Pashkut (tregimi)

Krijimtaria e Anton Pashkut përqendrohet më tepër në zhanrin e tregimit, madje kritika ka vërejtur se teknika të tij ai i realizon edhe në roman (“Oh”). Koncepti klasik mbi tregimin përcakton se tregimi vetë është një formë letrare që, në përgjithësi, nuk është shumë i gjatë, ndaj dhe nuk e duron shumë mbingarkesën e lëndës letrare, degëzimet e shumta tematike, si dhe detajet. Në këtë kontekst, tregimi kap të veçantën e një motivi dhe e shtjellon. Edhe nga pikëpamja e trajtimit gjuhësor, tregimi vjen duke e rrudhur gjuhën dhe jep vetëm elementet më të rëndësishme të përmbajtjes. Në këtë kontekst, ky lloj sintetizmi, rrudhjeje, shpesh është përvijuar përmes një gjuhe poetike. Kompozicioni i tregimit, nga ana tjetër, shfaqet i ngjashëm me tekstin dramatik, që mundohet të përmbyllë veprimin. Në tregimet e Pashkut ndodh ndryshe:

Ato nuk janë në funksion të shfaqjes së motiveve dhe realitetit përmes një gjuhe të figurshme, përkundrazi, është gjuha, loja me të, që krijon figurën (metaforën, simbolin, alegorinë, efektet poetike të saj, rimarrjet e shumta si në kuadrin e një fjale, ashtu edhe të ndërtimeve të caktuara që krijojnë efektin e një stili, që shkathtëson aftësitë për të artikuluar gjuhën etj.). “- Ti, moj... - thashë dhe deshta t’i them dhe diç, por nji rreze dielli ra, u thye dhe vdiq mbi ose në valë, në kurrizin e nji vale të liqenit të vogël artificial. E kur ajo rreze dielli ra, u thye dhe vdiq mbi ose në valë, heshtjen mbi liqenin artificial e coptoi nji pingrimë e shkurtë, por e shqerun, e nji zogu. E lypa me shikim, u përpoqa me e pa atë zog, por nuk e pashë.

Njimend, më bahej se i ndëgjojsha flatrat, më bahej se e ndëgjojsha fërfërimën e flatrave të atij farë zogu, por ai farë zogu nuk shihej askund” (“Oh”). Ajo që të bie në sy në këtë fragment është përsëritja në fillim e foljes “them” dy herë, që në pamje të parë duket si monotone, por po ta lexosh, shikon se kjo ndodh edhe me njësi të tjera të vetme apo në grup (zog, shoh, më bahej). Një gjë e tillë të krijon idenë e një loje fjalësh, por pasi mësohesh me këtë stil, ndien se në fakt rimarrje të tilla, më të shpeshta se zakonisht, rrisin forcën e meditimit, të ngulitjes së imazhit dhe natyrisht, krijojnë efekt poetik. Mendoni se sa ndikuese është kjo teknikë, kur përsëriten ndërtime që janë vetë figura, si rasti i tri metaforave që renditen,

duke përshkallëzuar imazhin dhe zgjerohen prapë me një metaforë tjetër (“nji rreze dielli ra, u thye dhe vdiq mbi ose në valë, në kurrizin e nji vale të liqenit të vogël artificial”). Në vijim të tekstit, kjo përsëritet sërish. Ngarkesa e dendur e figuracionit është e dukshme, por edhe imazhi që krijon lexuesi i përkushtuar është i mrekullueshëm.

Kritika vetë, tregimet e Pashkut i ka quajtur si tregime të figurshme, tregime pa fabul klasike, tregime të situatave simbolike, deri edhe tregime fantastike. Emërtimi i fundit (tregime fantastike) ka këtë kuptim: Pashku e sendërton realitetin në funksion të ndërtimit të figurës (figuracionit letrar). Duke bërë këtë, ai intensifikon simbolin, metaforën e bashkë me to edhe efektin alegorik me shumëkuptimësi interpretimi për lexuesin. Gjatë këtij procesi, një pjesë e këtyre figurave kalojnë si imazhe dhe si veprim në kuadrin fantastik, madje duke ndryshuar domethënien.Kështu, “tymi” e “zjarri” janë dy simbole që dallohen qartë te tregimi “Kulla”, të cilat jo në të gjitha tregimet kanë marrëdhënien e mbyllur shkakpasojë (ku është tymi do të jetë edhe zjarri e anasjelltas). Kjo lloj teknike i shkon mjaft përshtat tregimit të Pashkut, i cili, siç përmendëm, shfaqet pa një fabul klasike, duke vënë në plan të parë përpunimin e një gjuhe me figurativitet të theksuar.

Një tipar tjetër i tregimit të tij është edhe pozita e rrëfimtarit, që zakonisht nuk përputhet me autorin, veç rasteve kur bëhet nisja e veprës: “Dje e varrosën plakën, kurse tash jam i etur; gotën e ujit nuk e shoh në komodinë” (“Kulla”); “Kur kishte zënë të ngjitej nëpër atë përpjetëze - thotë përralla për të, përralla për të dhe tërë atë dashurinë e tij jo të rëndomtë - kishte pasë rënë terri” (“Floçka”); “Kështu: kamerieri me smoking të bardhë i solli pije mister Benxhaminit, që rrinte ulur në vendin e vet të zakonshëm, atje para orkestrës së madhe duke lëmuar thonjtë e bukur të gishtave të vet të gjatë, dhe shkoi” (“Falimentimi i një zotërie”). Siç mund të shihet nga hyrjet e dhëna më sipër, autori del më shumë në zërin e rrëfimtarit. Ky i fundit herë është pjesë e historisë, siç ndodh te “Kulla” (vini re vetën e foljes), herë është dëshmues i jashtëm, si te rasti i “Floçkës”, herë është udhërrëfyes përsëri i jashtëm po i një ngjarjeje me distancë kohore të matshme dhe jo fantastike (si te “Floçka”). Këtë e vëmë re te shembulli i fillimit të tregimit “Falimentimi i një zotërie”, që dhamë më sipër.

Në tregimet e Anton Pashkut vihen re ndikime të theksuara të letërsisë moderne europiane. a) Një nisje e tillë, kaq lakonike dhe e ftohtë si kjo e “Kullës”: “Dje e varrosën plakën, kurse tash jam i etur; gotën e ujit nuk e shoh në komodinë”, të bën të mendosh menjëherë për Albert Kamynë dhe personazhin e tij Merso tek “I huaji”, i cili vepron në mënyrë telegrafike, ashtu si fjalitë e ftohta e të akullta të telegramit që i lajmëronte vdekjen e së ëmës (Nëna vdiq. Varrimi nesër. Ngushëllime të sinqerta.). b) Po kështu, përsëritjet e shumta si me një fjalë, po veçanërisht me grupe fjalësh, janë parë si ndikime të letërsisë moderne, të ngjashme edhe me Xhojsin (Pashku e përpunon më tej gjuhën në këto përsëritje, duke e ngarkuar me figura, siç ishte pjesa ilustruese në fillim e marrë nga romani “Oh”). Në këtë paragraf të shkëputur nga Xhojsi, “Portret i artistit në rini”, mund të vërehet pohimi i mësipërm: “Në fillim duhej të kalonin pushimet e mandej semestri i ardhshëm e mandej sërish pushimet e mandej prapë një semestër e mandej prapë një semestër e mandej prapë pushime. Kjo qe si puna e trenit, që hyn e del nëpër tunele, e treni qe si ajo zhurma e konviktorëve duke ngrënë në mensë, ndërsa ti hap e mbyll vrimat e veshëve.) Semestër, pushime; tunel, dalje, zhurmë, ndalesë.” Le të krahasojmë pjesën e Xhojsit me këtë fragment të marrë nga tregimi i Pashkut “Anija e dehur”: “Ktheu kryet vrik dhe atje pa nji grumbull stërpikash: dy valë u përpoqën dhe u coptuen.

Mbetën aty, ku u ndeshën. E barka e tij luhatej në shpinë të asaj vale. Por, as aty nuk ndejti shumë. Kërceu në shpinë të valës. Tjetër. Kërcente prej valës në valë dhe vala valës ia jepte barkën”. Nuk është e vështirë të dallohet përsëritja e së njëjtës fjalë me një ritëm monoton. Te Pashku, kjo gërshetohet me metaforat që përshkruajnë gjendjen, duke ndryshuar madje edhe konceptimin për një veprim të njohur (është varka që kërcen nga vala në valë, kurse këtu del që edhe vala i bart valës barkën). Imazhi është i prekshëm, i imagjinueshëm dhe mjaft poetik.

Përsëritjet ndihmojnë shumë kompozicionin e këtyre veprave që vënë në radhë të parë hulumtimin e së brendshmes, të pavetëdijshmes (introspeksionit) në nivel të së ndërgjegjshmes, ashtu dhe të së pandërgjegjshmes. Po kështu, ndihmojnë edhe rikthimin në të shkuarën (retrospeksionin) apo edhe zbulimin e gjendjeve të brendshme në të tashmen e të ardhmen. “Thuajse diçka e therte në tamtha. Kishte njëfarë përshtypje se sharronte. Nganjëherë i dukej se sharronte, vrik sharronte dikah, por shpejt ndalej dhe në ato çaste të thuash se e shtynte diçka përpjetë. Kjo gjë ia shtonte mundin edhe më tepër. I dukej e rëndë ajo gjendje. Por ajo zgjaste. I dukej se do të zgjasë deri në pambarim ai sharrim dhe ajo çuarje përpjetë. Sharronte e çohej vazhdimisht. Mirëpo, më shumë sharronte. Dikah sharronte, thellë sharronte dhe dikur iu duk sikur u ndal diku” (“Anija e dehur”). Ndjesia e zbulimit të brendshëm, së cilës i vishet edhe efekti gërryes që theksohet edhe nga kuptimi e përsëritja e foljes “sharroj”, përcillet si imazh nga aliteracioni që krijon kjo përsëritje (sharronte, sharrim).

Tematikat që hasen në tregime

Në veprat e Pashkut, studiuesit kanë dalluar disa tematika, të cilat përvijohen më tej në motive më të detajuara (megjithëse, në jo pak raste, disa motive gërshetohen në një vepër). Kështu është dalluar: tematika e dashurisë, që degëzohet më tej me dashurinë e humbur, dashurinë e tretur e deri te dashuria si mungesë (“Nën qarr po rrinte vasha”; “Floçka”); vetmia e njeriut, e cila del si vetmi e kërkuar apo si vetmi e kushtëzuar nga një totalitarizëm i projektuar nga jashtë mbi jetën e individit (“Anija e dehur”); dhuna e ushtruar mbi individin, që do të krijojë sistem sjelljeje (“Falimentimi i një zotërie”; “Si e përshkroi ëndrrën e vet njeriu me kapele”; “Vdekja solemne”; “Dy fjalë për një njeri dhe librin e tij kushtuar tymit”); mosmarrëveshja mes brezave, që, sipas studiuesve, ka të bëjë më tepër me mosrealizimin, duke pasur si efekt dhimbjen e përmallimin më shumë sesa revoltën (“Kulla”); dhembja për përmbysjen e vlerave morale të njeriut, pamundësia e çlirimit nga fajet e bëra më herët, si dhe vëzhgimi i këtyre nga pozitat e individit, që shfaqet si viktimë e tyre (“Anija e dehur”, “Kënaqësitë e Megalopolisit” etj.)

“Nën qarr po rrinte vasha”

Tema e dashurisë shfaqet kryesisht në fillimet e krijimtarisë së tij. I tillë është tregimi “Nën qarr po rrinte vasha”, në të cilin vihen re dy shtresëzime. Ky tregim paraqet një vajzë (Dilën

e Marisë), e cila ruan bagëtitë dhe, ndërkohë, ulet nën një qarr dhe, në një gjendje gjysmë në ëndërr e gjysmë e kthjellët, hyn fillimisht në retrospektivën e përrallës. Këtë të fundit (përrallën) e gërsheton me historinë e saj të dashurisë dhe imazhin e të dashurit (Delisë së Ndreut). Gjendja e mësipërme, që shfaqet edhe si surreale (përralla), edhe si reale (idili i dy të rinjve), krijon një paralele që duket sikur i paraprin fatit të dashurisë mes Dilës së Marisë dhe Delisë së Ndreut, ashtu siç kishte ndodhur me Zanën e Dragonin (duhet thënë se, pavarësisht emrave, personazhet perceptohen më së shumti si Ai dhe Ajo, duke dhënë përmasën përgjithësuese të ndjenjës, gjendjes, dhe përjetimit). Gjendja, përjetimi, ndijimi, ndjesia etj., janë përmasat kryesore të organizimit të koherencës së këtij teksti. Edhe vetë titulli paraqet një gjendje statike, e cila favorizon elementet e mësipërme (“Nën qarr po rrinte vasha”, folja përbërëse e të cilit tregon njëkohësisht një gjendje që është e vazhdueshme “po rrinte”- e pakryera me pjesëzën “po” japin pikërisht kuptimin e vazhdimësisë së procesit, përkatësisht të gjendjes, qëndrimit, ndenjjes). Në këtë gjendje të Dilës, aq të favorshme për kujtimin, meditimin, hulumtimin e së brendshmes, në kuadrin e së ndërgjegjshmes dhe të së pandërgjegjshmes, realizohet e gjithë “ngjarja” e tregimit. Delia na prezantohet nëpërmjet kujtimit të Dilës dhe vetëm në fund, në një situatë fantastike, apokaliptike, mitike, përrallore, shfaqet në dialog direkt me Dilën. Është momenti kur ai vjen ta rrëmbejë Dilën për të ikur “në mismidisit të detit”. Shtresëzimi i përrallës në këtë tregim, përveçse si pjesë e fabulës së tregimit, reflektohet në kohezion: “Kur ki’n pa’ marë vesh / vrer i zi na ish bërë babai i Zanës / mullan plot qelb e gjak të keq na ish bërë / babai i Drangonit / kurse / një ditë prej ditësh...”. Nga ana tjetër, fillimi është i njëjtë me vargje të eposit. (Vini re edhe formën foljore.) Vargu i dytë e kthen pjesoren e foljes në standard, si për të bërë ndërthurjen me rrafshin real. Edhe vargu i fundit është një formulë e njohur e përrallës (një ditë prej ditësh). Pavarësisht se fati i Dilës dhe Delisë është i ndryshëm nga ai i Zanës dhe Dragonit (pasi ata arrijnë të largohen së bashku, kurse Zana e Dragoni vdesin), i gjithë tregimi jepet me tone melankolike, madje dhimbjeje për fatin e parashkruar të personazheve (të dy ishin të fejuar me të tjerë). Kjo dhimbje jepet edhe me efekte fizike (Dila kishte një “therrë” në këmbë, që i ishte infektuar). Edhe në këtë tregim, simbolika luan një rol të rëndësishëm. Tregimi mbaron pothuajse ashtu siç fillon. Kështu, në fillim jepet kjo frazeologji popullore: “Syni s’e sheh synin matanë hundës, / zemra e sheh zemrën matanë bjeshkës” (Thuhej dikur në Has). Kurse në fund jepet kjo pjesë: “Dihet, he burrë!” - ia kthei Deda i Gjinit, i Gjin Gjidedajt. “Fajin ma të madh e ka hunda!”. “Hunda e ka fajin, pojzi!” - ia priti Leka i Gjonit, i Gjon Gjolekajt. “E di, por s’po di ç'duhet t’bajmë me këtë hundë?” Pashku merr dhe krijon alegorinë nga imazhi që gjendet edhe në frazeologji (hunda), po tashmë duke gërshetuar kuptimin e pengesës të shoqëruar me pandjeshmërinë, që e gjen edhe te frazeologjia te simboli i hundës. Nga pikëpamja e ndërtimit, kjo mbyllje është një qëndisje shumë e bukur e tekstit, i cili përfundon me të njëjtin refren.

“Floçka”

“Floçka” është një tregim tjetër i konceptuar brenda motivit të dashurisë. Në fakt, studiuesit e shohin si një tregim që i kushtohet ëndrrës për dashurinë e lirinë, si dhe sakrificave për këto të dyja të lidhura me njëra-tjetrën. Në tekst na paraqitet rrugëtimi i “Ai-së” për të gjetur Floçkën, të bukurën e liqenit (subjekt i njohur i përrallës sonë), të cilën e kishte parë në ëndërr. Koha dhe përjetimi i përrallës me atë të ëndrrës ndërthuren me njëra-tjetrën. Në tekst përsëritet vazhdimisht refreni: e kishte parë në ëndërr; i kishte dëftuar në ëndërr etj., duke na e dhënë këtë udhëtim gati-gati si halucinacion. Gjithë ky udhëtim kalon përmes vështirësish e sakrificash të jashtëzakonshme, të cilat jepen me skema simbolike të dallueshme. Kujtojmë këtu flamurin e ri me një kryq të thyer, poshtë të cilit qen të egër po shqyejnë prenë e tyre, ndërsa sipër sillen korbat kobndjellës. Simbolet janë të dukshme dhe, duke u lidhur njëra me tjetrën, deshifrojnë alegorinë: flamuri - liria; kryqi i thyer në të - kufizimi, pengesa, e kundërta e saj; skena e qenve që shqyejnë prenë - rreziku vdekjeprurës aq i afërt dhe më pas real, pasi këta qen e ndjekin deri në vdekje “Ai-në”; korbat - simbol i vdekjes. Pra, liria (dhe bashkë me të edhe dashuria me simbolin e Floçkës) personifikohet si një rrugëtim jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur (pasi fizikisht ai vdes në fund). Ajo, liria dhe dashuria, shijohet virtualisht në këtë tregim, në mënyrë përrallore, mitike (momenti kur fshati e njerëzit e tij shohin rreze drite, të cilat shkojnë pranë lisit të madh, ku qëndron i shtrirë pothuajse i vdekur “Ai” dhe ngjitet lart në qiell, i mbështjellë nga flokët e artë të Floçkës së përrallës). Pavarësisht kësaj, sakrifica për Floçkën, në të dyja kuptimet (të kërkimit të dashurisë dhe të lirisë), paraqitet plotësisht e dallueshme dhe e justifikueshme në tekst: “Ishte i kënaqur, edhe i lumtur, që kishte njohur Floçkën së paku nëpërmjet një ëndrre, Floçkën e bukur me flokë të gjatë e të dendur, që shkëlqejnë si mijëra fije të arta, të cilat në kryet e saj duken si kurorë e ndezur, si kurorë pishe e ndezur flakë, që mund të nxejë po nja gjashtë a shtatë copë fshatra e të shkrijë borën e akullin edhe atje lart, edhe atje në kreshtat e maleve”. Në këtë fragment dallohet qartë edhe shtresëzimi i përrallës (imazhi i Floçkës, përshkrimi i tipareve të saj në mënyrë hiperbolike, karakteristikë e përrallave) me atë të ëndrrës (së paku nëpërmjet një ëndrre). Edhe ky paragraf ka elemente të tjera simbolike. Kështu, krahasimi “si kurorë pishe e ndezur flakë”, apo edhe vetë ëndrra në kuadrin e gjithë tregimit, marrin vlerë simbolike, pasi drita, flaka jepen si udhërrëfyese të “Ai-së”,

për të gjetur Floçkën. Po kështu, edhe kjo dëshirë e kërkuar me ngulm nga “Ai” në fund mbetet në kuadrin e ëndrrës. Ndonëse fundi real i “Ai-së” është vdekja dhe teksti shoqërohet me simbole të tjera të saj, si skena e qenve, që shqyejnë prenë dhe ndjekin “Ai-në”, apo korbat, duhet thënë se fundi nuk është fatalist. “Ai është pjesë e përrallës tashmë: Kurse nga liqeni i asaj bjeshke - thotë përralla mandej - kishte buruar diçka, që dukej si grusht drite. Dhe kishte bërë një hark të shkurtër nëpër qiell e kishte rënë pranë atij lisi qindvjeçar”. Pra, drita, simbol i Floçkës, i dashurisë, lirisë, gjithsesi u arrit. Madje, ajo mbyti edhe korbat, të keqen, vdekjen.

“Anija e dehur”

“Anija e dehur” (varianti në gegërisht: “Anija e dejun”) bashkë me “Kënaqësitë e Megapolisit”, “Nuk di pse tha ky rrëfim është fantastik” dhe “Kulla” janë parë nga kritika si tekste në të cilat Anton Pashku e sofistikoi stilin, duke përqendruar veçanërisht në formë (po edhe në motive) ato elemente që mund të quhen si përfaqësuese të tregimit të tij. Tregimi “Anija e dehur” i referohet një kohe relativisht të largët nga Lufta e Dytë Botërore, por vihet re dukshëm se pasojat, plagët, humbjet e saj janë ende të pranishme. Vetë vendi ku zhvillohet ngjarja është një anije turistike, në të cilën gjenden njerëz të ndryshëm, me psikologji të ndryshme. Një pjesë e tyre duan t’i largohen stresit të jetës së përditshme, disa të harrojnë problemet e pashmangshme të saj, disa të tjerë ndoshta kërkojnë të gjejnë një vend tjetër, ku të spekulojnë e të vazhdojnë atë që kanë nisur në tokë. E në mes të këtyre karaktereve gjendet ai, Profesori, vëzhguesi dhe njëkohësisht zëdhënësi i kësaj minibote të larmishme, që shfaqet në këtë anije. Tregimi fillon më këtë fjali: “Profesori po i jipte fund rrojës, kur këtij i duel gjumi”. Pasi kemi folur për teknikën e tregimit të Pashkut më lart, është lehtësisht i dallueshëm përshkrimi i një çasti të rëndomtë e monoton në pamje të parë, alla Kamy, e bashkë me të ftohtësia karakteristike e dhënies së veprimeve pothuajse mekanike të vepruesit; kalimi direkt te karakteri tjetër në pjesën e dytë të fjalisë, që është kaq e shkurtër; anonimati i këtij personazhi, që është pa emër konkret në gjithë tregimin, megjithëse është dëshmitari dhe dialoguesi kryesor në të etj. Zëri tregimtar, Profesori, shfaqet si një njeri “qesharak” e “ironik” deri diku, siç shprehet edhe zonjusha D. Ai vëzhgon, përcjell e gjykon për fatet e njerëzve të anijes. Përshkrimi i gjendjes apo gjendjeve, si proces dhe teknikë tashmë e njohur e Pashkut, vazhdon të luajë një rol kryesor edhe këtu. Kështu, Profesori duket se i sheh njerëzit si hije “edhe pse njeriut nuk i pëlqen me pasë hije tjetër, përpos hijes së trupit të vet”, megjithëse vihet re se edhe ky lloj vëzhgimi nuk arrin te një njohje e plotë e tyre, pasi ai, edhe pas disa javësh udhëtim, nuk arrin t’i njohë njerëzit në anije. Shikimi i tij ndalet më së shumti te veshja e jashtme e tyre, madje njerëzit i ngjajnë shpesh me kafshët e shpendët: “Se, njerëzit, qe, njëmend i ngjajnë nga pak ndonjë shtaze ose shpendi, ndonjë bukle ose hutini, ndonjë mungosi ose shkabe, ndonjë mini ose luani, ndonjë ujku ose ndonjë dele”. Dallohet qartë edhe ironia me efekte të dhimbshme. Megjithatë, të gjitha këto perceptime, qofshin edhe sipërfaqësore, transmetohen nëpërmjet një gjendjeje gati halucinative, jo fort të kthjellët mendërisht të Profesorit, që përshkon gjithë tregimin. Ai nuk arrin ta dallojë këtë të fundit nga realja (fragmenti kur është i etur për ujë, megjithëse uji i lavamanit ka përmbytur dhomën: “Ti për pak me u mbytë, kurse unë për pak po vdes nga etja”, - thotë në këtë fragment ai.). Ndoshta kjo lloj gjendjeje është e vetëkërkuar prej tij dhe mund të shpjegohet me fragmentet e fundit, kur ai arrin me djaloshin në shtëpi dhe para u dalin disa foto: “Në mur, përmbi shtrat, pa fotografinë e një gruaje jo fort të shtyme në moshë. Profesori tha se ajo ishte Lindita. Në mur, përmbi

Grigor Adjinyan

shtrat, ishte nji fotografi nga nji kamp i përqendrimit. Profesori tha se ishte Dahau”. Lindita është gruaja e tij që kishte vdekur, mbetur në kampin e përqendrimit. Tashmë jeta virtuale që ai kishte krijuar dhe e ushqente, duke dërguar ato kartolina për të shoqen nga çdo mol, shkatërrohet përfundimisht. Realja i përplaset dhunshëm në fytyrë, duke i dëshmuar sërish atë që ndoshta nuk do ta kujtojë: humbjen. Fati i tij vetjak dhe i të tjerëve lëkundet si ajo “Anije e dejun”, simbol që ai e vë qysh në titull. E kjo lloj lëkundjeje e çorientuar, reflektohet edhe në pjesën më lart, që shfaqet me tone funebre, si një pasazh poetik. Lufta është aty, e tmerrshme dhe e trishtueshme jo vetëm me aktet, por edhe me pasojat që ka lënë te njerëzit dhe rreth tyre.

“Kulla”

Tregimi “Kulla”, siç e kemi përmendur dhe më lart, bën pjesë në tekstet që mbahen si përfaqësuese të teknikave të tregimit të Anton Pashkut. Në të, përpunimi i gjuhës bëhet në detaje, simboli dhe alegoria shfaqen në një harmoni të dukshme, të realizuara në një tekst pa fabul reale (siç janë në përgjithësi tekstet e Pashkut). Simboli me situatën që bart është figura që i lejon Pashkut më së shumti të krijojë fabulën. Pashku i merr simbolet dhe i përshtat, duke i lidhur ato edhe si imazhe, edhe si gjuhë njëri me tjetrin. Ashtu si në tregimet e tjera, edhe te “Kulla” pasqyrohet gjendja, përjetimi gati halucinativ (si në ëndërr), që shfaqet nga personazhi Unë (Djali), që është njëkohësisht edhe rrëfimtari. Kjo gjë theksohet edhe nga imazhi i tymit, i cili del jo vetëm si mbështjellësi dhe ai që fsheh gjërat, objektet, sendet, njerëzit etj., po edhe si një lloj zaptuesi i tyre. Në një gjendje gati somnambulë të personazhitrrëfimtar Unë, objektet e personazhet dalin si silueta, që herë shfaqen e herë zhduken nga tymi që pushton gjithçka: “Tymi!” “Eh!” “Ih, tymi...” “Of!” “Ah!” “Tym...” Edhe unë e pata kthye kryet. Nji shllungë tymi ngrihej përpjetë mbi atë hejzë, mbi atë njollë të zbetë të vargut të maleve në fund të ranishtës. Ishte hera e parë, që shihshim diçka tue lëvizë në atë hapësinë të zbrazët”. Vini re përdorimin e pasthirrmave që mund të interpretohen në varësi të ndjesive të ndryshme (dhimbjes, mërzitjes, habisë, neverisë), duke e bërë lexuesin pjesëtar në deshifrimin e këtyre ndjesive. Imazhi i maleve shfaqet si siluetë (si një njollë e zbehtë) nën efektin e tymit. Udhëtimi halucinativ herë identifikon realitetin si siluetë (si në rastin më sipër, me imazhin e maleve si njollë), herë e imagjinon atë me sy mbyllur. Ky efekt real/ireal/virtual/halucinativ identifikohet edhe nga ndërtime të tilla: m’u duk; nuk dij, nuk jam i sigurt etj. Kjo lloj gjendjeje e rrëfimtarit i shkon shumë për shtat llojit të simbolit të përpunuar të Pashkut. Simboli nuk shfaqet i lidhur vetëm me një kohë, një qenie, një tipar, një motiv, një mesazh të përcaktuar, por ai mund të interpretohet në disa nivele alegorike. Kështu,

simbolet më të dallueshme në tekst janë: Kulla, Plaka, Kasapi, Unë (Djali). Prirja e parë e një lexuesi është që këto simbole t’i lexojë të vendosura në kontekstin real historik që njeh e jeton. Në këtë kontekst, Kulla do të përbënte simbolin përfaqësues të qenies shqiptare, hapësirave ku jeton ajo dhe qëndresës së saj në Kosovë e më tej. Në fakt, në këtë tekst, ajo mund të shihet edhe si simbol i përvojës e i trashëgimisë jetësore të qenies, pavarësisht origjinës së saj. Kasapi i huaj, përveçse si pushtues i huaj (i identifikueshëm realisht nga lexuesi), mund të shihet edhe me nuancat imponuese të gjithçkaje të huaj, që vjen me arrogancë dhe me brutalitet ndaj asaj që gjen. Kurse Plaka dhe Djali do të përbënin marrëdhëniet mes brezave, që nuk i përkasin vetëm një kohe të caktuar historike. Duhet thënë se, në ndryshim nga pjesa tjetër e tregimeve, te “Kulla”, simbolet që lidhen me natyrën, elementin mjedisor, janë më të shumta dhe domethënia e tyre më e deshifrueshme, sepse inkuadrohet në fusha kuptimore që u përkasin elementeve mjedisore. Kështu, Pylli është një simbol që krijon imazhin e një pushtuesi të heshtur, dredharak, që ngjitet pak nga pak e fillon e zhvillohet në trupin e Kullës, me synimin për ta shkatërruar atë: “Mirëpo, shtoj ai, jo vetëm e ka sulmue, por edhe do ta kaplojë. Shih ngado e kanë rrethue lulet. Kush mund të përshkohet nëpër to?... A e ka pa atë krekë? Do ta keshë pa nji degë të saj, që asht rrasë në pullazin e kullës. A nuk do ta çojë hava pullazin? Lene atë, shihi kulprat! Ato i kanë vesh gati të gjitha muret e kullës. Kanë fillue me hy edhe nëpër frengji... Mandej, ai rrap! Edhe nji degë e tij po don me hy ndërmjet gurëve të kullës... Çka po thue për këtë mur, që asht kulë dhe ndoshta nuk do të shkojë mueji e na do ecim nëpër galdinë”. Është e rëndësishme të theksojmë se simbolika e pyllit si pushtues, kur zakonisht në psikologjinë njerëzore ai ka domethënie pozitive të jetës, shëndetit, bukurisë, larmisë etj., nuk del gjithsesi jashtë kontekstit të Pashkut dhe teknikës së tij krijuese të inkuadruar edhe në letërsinë moderne europiane (ndikime nga e cila kemi përmendur më lart), të cilat i zhbëjnë kuptimet simbolike (konvencionet) tradicionale, duke krijuar simbolika të reja, vetjake. Vetë simboli kryesor, Kulla, simbolizon (ndër të tjera) njeriun që jeton në tokën e tij, sado që të tjerët nuk janë të gatshëm ta lënë rehat, duke iu vërsulur me të gjitha format dhe pretekstet. Ai do të mbetet aty pavarësisht shtrëngatave që do t’i afrohen e pavarësisht traumave që do të kalojë. Ky motiv jepet në mënyrë alegorike disa herë, nëpërmjet simbolit të lumit: “Edhe pse derdhet, prapëseprapë, lumi mbetet gjallë. Jeton edhe mbas valles së fundit, të cilën e luen në deltën e vet”; nëpërmjet simbolit të hënës, të alegorisë së Plakës për ndryshimin ciklik të hënës: “Por, kasap, edhe hana e han vetvedin: tash e shohim sa grima, tash e shohim sa sofra e miqve, tash duket... tash zhduket, por... gjithmonë asht në qiell...”. Është i dallueshëm në këtë fragment përpunimi poetik i tij, që ndërtohet nga fjali me të njëjtën strukturë. Veçanërisht retiçencat, që e theksojnë ritmin poetik dhe njëkohësisht ironinë e imazhin e qëndresës në të njëjtin vend. Pavarësisht se në tregimin “Kulla” shumica e skenave japin pamje me konotacion negativ në lidhje me fatin e Kullës e të njerëzve rreth saj, përsëri teksti nuk mbyllet në hermetizëm të padeshifrueshëm. Ai nuk merr as tone fataliste, po përfundon me këto fjali të shkurtra, po që reflektojnë alegori shpresëdhënëse: “Më duket se asht afrue agu. Errësina nuk asht e dendun si ma parë”.

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Cilat janë tiparet e tregimit klasik dhe a i respekton Pashku ato në tregimet e tij? Ilustroni përgjigjen me shembuj jo vetëm nga pjesa ku gjendet kjo përgjigje. 2. Si i ka emërtuar kritika tregimet e Pashkut dhe cilat janë llojet e figurave që përdor ai në to?

Simboli që përsëritet ka vetëm një domethënie apo disa, dhe si krijohet fabula, situata e veprës së tij? Ilustroni me shembuj nga tregimet e sqaruara më lart. 3. Autori dhe rrëfimtari, në ç’raport janë me njëri-tjetrin? A është autori gjithnjë personazh i tregimeve? Ilustroni me shembuj nga tregimet e dhëna më lart. 4. Përsëritja është një element i zakonshëm në tekstet e Pashkut. Si realizohet ajo dhe çfarë efekti krijon? Ilustroni me pjesët e dhëna të tregimeve më lart. 5. Hulumtimi i së brendshmes në nivel të së pandërgjegjshmes e të ndërgjegjshmes është element i dallueshëm i ndërtimit kompozicional të Pashkut. Gjeni fragmente që ilustrojnë këtë tipar. Ky proces lidhet vetëm me të tashmen apo dhe me kohët e tjera? Ilustroni me shembuj nga tregimet e dhëna më lart. 6. Në shumicën e tregimeve kemi gërshetim të elementit fantastik me atë real. Ilustroni me pjesët e dhëna të tregimeve më lart.

Ushtroni mendimin kritik

7. Është fakt i dallueshëm që në të gjitha rastet tregimtari, që zakonisht është personazh, përjeton një gjendje kllapie, gjysmë në ëndërr. A mendoni se ndihmon kjo teknikë në hulumtimin e së brendshmes dhe si? (Sugjerojmë që paraprakisht të keni gjetur material që ju ndihmon të njihni konceptet e së ndërgjegjshmes dhe të së pandërgjegjshmes). Diskutoni në grupe mbi ndikimin e tyre në jetën tonë. 8. Veta e parë ndihmon hulumtimin në botën e brendshme të qenies. Megjithatë ajo është një vetë e parë që reflekton edhe zërat e tjerë në tekst. Si mendoni, kjo lloj teknike, i jep mundësi tregimtarit të krijojë koherencën e tekstit, në mungesë të një fabule, historie klasike? 9. Elementi fantastik shfaqet në të gjitha tregimet e Pashkut. Ai gërshetohet me elementin real.

Kjo ndërlidhje ju krijon vështirësi në leximin e teksteve apo ju nxit kureshtjen? Argumentoni përgjigjen, duke lidhur marrëdhënien tuaj me përrallën, legjendën, mitin. 10. Simboli, alegoria, metafora janë ndër figurat më të përdorura në tekstet e Pashkut. Pasi të keni gjetur shembuj të tillë në tregimet e tij, diskutoni në klasë për imazhet dhe ndjesitë që përcjellin ato. 11. Teksti i Pashkut karakterizohet nga përsëritje të shumta, si me një fjalë, ashtu edhe me grupe fjalësh. Gjeni fragmente të tilla dhe lexojini me zë të lartë në klasë. Vini re nëse krijojnë efekt poetik këto përsëritje dhe nëse ju mbeten më gjatë në mendje veçanërisht simbolet.

ANALIZË E VEPRËS

Romani “Oh”, shtresëzime narrative dhe stilistike

Romani “Oh” i Anton Pashkut është vepra që të jep një ndjesi tronditëse si për nga ndërtimi, ashtu edhe nga përmbajtja e simbolikave të tij. Ai është parë me të drejtë nga kritikët si një vepër sintezë, që përmbledh shumicën e motiveve që shihen në tregimet e tij të mëparshme, si dhe që harmonizon në mënyrë të përsosur thuajse të gjitha teknikat stilistike të përdorura prej tij.

Simbolika e romanit

Titulli i këtij romani është interpretuar në shumë kuptime, që marrin jetë edhe nga simbolet e situatat që krijojnë ato në roman. Ai është interpretuar si pasthirrma e dhembjes për të djeshmen, të sotmen e të ardhmen. Është parë gjithashtu si rënkimi që del padashur nga shpirti i njerëzimit për t’u çliruar nga ankthet e pashmangshme fatale të qenies në përgjithësi e qenies shqiptare në veçanti. Romani nis me një skenë fare të zakonshme, madje në pamje të parë, banale. Po pikërisht këtu ai fillon dhe organizon mënyrën e ndërtimit. Personazhi tregimtar, Ai, sapo është kthyer nga nevojtorja, ku gati e ka zënë gjumi. E gjumi është një element i njohur në tekstet e tij, pasi në shumicën prej tyre, personazhi tregimtar është gjysmë në gjumë, gati si në ëndërr, si në kllapi, duke bërë veprime thuajse si somnambul. Më tej, del një element tjetër simbolik, që do të na deshifrojë tipin e rrëfimit: pasqyra, para së cilës ka ndenjur gjatë dhe që parashikon rrjedhën e veprimeve të Ai-së (kërkimin, zbukurimin, studimin si në kuptimin individual, ashtu edhe kolektiv të qenies). “Dikur u largova prej pasqyrës, tue krue edhe ma tutje sjetullën, dhe u ndala para akuariumit të vogël...”. Ndajfolja që fillon fjalinë (dikur) pohon një proces të gjatë mendimi. Kjo gjë pohohet edhe nga pjesa pasuese (tue krue sjetullën), nëse kemi parasysh se lokucioni që lidhet me mendimin është “duke kruar kokën” (pjesë e teknikave moderne). Nga ana tjetër, ky zëvendësim krijon edhe pikën lidhëse me situatën dhe ndjesinë që do të vijë në vijim: njëfarë ngopjeje, që mund të perceptohet edhe si lodhje fizike e shpirtërore. Në këtë kontekst shfaqet Ajo, personazhi tjetër në dhomë. Ajo del tërësisht në mënyrë indiferente nëpërmjet zërit të Ai-së. Madje, ajo përshkruhet fare pak fizikisht. Jepet si dikush që ka gjithë ditën në shtrat dhe që i ka dalë një pjesë e këmbës jashtë. Edhe ky fakt jepet në funksion të përshkrimit të gjendjes së Ai-së: “[...] -u shtrina në dysheme, ku kryet e palova afër kambës së femnës që kishte rrëshqitë e dalë jashtë shtratit”. Në skenën pasuese, buzë liqenit artificial, Ajo shfaqet duke ndërtuar me përkushtim maksimal një piramidë prej rëre. Studiuesit e kanë parë piramidën si simbol të utopisë. Sipas tyre, te ky simbol përplasen konceptet e idesë si utopi, diçka e dëshirueshme, por e parealizueshme. Pikërisht puna e përkushtuar e Ajo-së për të ngritur piramidën prej rëre reflekton utopinë, e cila vihet në dyshim nga Ai përmes qëndrimit krejt indiferent të tij: S’di pse, më dukej qesharake ajo ngritje e piramidës së saj. Por, megjithkëtë,

unë nuk qeshja, sepse pritojsha me qeshë me atë gja që më dukej fare e parandësishme, me atë maje të piramidës së femnës, e cila punonte me kujdesin ma të madh, me nji kujdes, në të vërtetë, të pashembullt që te unë shkaktonte nji habi që s’kish as fill as mbarim).

Alegoria e situatave simbolike

E gjithë situata hyrëse e romanit zhvillohet në një ambient të mbyllur. Ai ndoshta edhe i lodhur nga takimi me pasqyrën, me veten, fillon të kërkojë mundësi shmangieje nga ky objekt (lodhës), ndaj dhe shikon me detaje akuariumin dhe peshqit, të cilët i shërbejnë si imazh lidhës për të krijuar situatën që vijon. Duke parë atë (akuariumin), Ai fillon hulumtimin në të shkuarën (retrospektivë) dhe, pa e ditur as vetë, gjendet në buzë të liqenit artificial: “...-nuk di, jo, njimend nuk di, nuk di pse m’i kujtuen lëvizjet e valëve të lehta të liqenit, nuk di pse ma kujtuen liqenin, ah, liqenin e vogël artificial, faqen e zhubravitun të atij liqeni të vogël artificial. Ma kujtuen ditën kur qemë, kur unë e ajo qemë atje, në atë liqe diku midis bjeshkëve”. Vihet re gjendja e papërcaktuar, në të cilën ndodhet Ai dhe që mund të analizohet si një zhvendosje në bazë të një ngacmimi jo të ndërgjegjshëm (nuk di jo...). Lidhja bëhet me të njëjtat elemente-imazhe të fushës kuptimore të pasqyrimit pasqyrë - uji i akuariumit - uji i liqenit. Nga ana tjetër, ai njëkohësisht fillon përgatitjen për hyrjen e personazhit të ri, i cili është Plaku që ruan delet në bjeshkë. Edhe kjo ndërthurje imazhesh e ndërtimesh të lidhura kaq bukur, sipas studiuesve, bëhet për efekt të kërkimit, të zbulimit, të marrjes së përgjigjeve, në “pasqyra” të ndryshme. E këtë proces e krijojnë personazhet-simbole, të cilat hyjnë bashkë me kontekstet që përfaqësojnë ata. Kështu, Plaku vjen në roman përsëri përmes imagjinatës, kujtimit, siç kishte qenë edhe shkuarja në breg të liqenit artificial: “Kurse mbrapa këlkatëseve të syve, në një çast, ashtu befas, errësinën e laknoi fytyra e plakut të thimë, e atij plaku me mjekër të bardhë, të cilin, kur erdhëm unë e ajo, e ndeshëm buzë liqenit artificial”. Dalloni fjalën tingullimitim këlkatëseve, që jep ndjesinë e përpëlitjes së kapakëve të syve, që ngjajnë me hapjen e mbylljen si me përtesë të një dere të vjetër, që bën zhurmë etj. Po kështu, kërkesa për të ndryshuar realitet, ambient, gjendje, mund të jepet përmes largimit të errësirës dhe shfaqjes së Plakut, i cili do të krijojë një situatë ku ndodhet ai vetë e një tjetër që do t’i kujtohet (situata që lidhet me Ilirinë). Duket sikur Ai në këtë moment nuk është më indiferent, madje përshkrimi për pamjen fizike të plakut është shumë i hollësishëm. Sipas studiuesve, Plaku përfaqëson përvojën universale, mitike e njëkohësisht kombëtare të qenies, e cila ngjall edhe interes tek Ai. Dialogu mes Ai, Ajo dhe Plakut është i mbushur me simbole dhe alegori të tilla, si: dimni, ujqit, delet. Sipas studiuesve, kjo treshe simbolesh nënkupton ekzistencën e lojtarit të vogël në botën e madhe, pa anë e pa fund, ku qëllimi kryesor i tij është mbijetesa, ekzistenca. Në këtë kontekst del edhe imazhi-simbol i barkës-çifteli, e cila rri në mes të ujit, nuk kalbet e nuk mbytet kurrë. Kritika e sheh edhe si identifikim të saj me kombin tonë: “Mendoj për barkën.” “Për çfarë barke?” “S’kam shumë barka. Çdo kush e ka nga nji. Edhe unë e kam nji.”

“Nji barkë!” “Po, nji barkë që rri midis ujit. Ajo nuk kalbet, as mbytet kurrë.” “Kurrë?” “Kurrë.”

Motivi i tradhtisë dhe dhunës

Nga pikëvështrimi i Plakut, po nëpërmjet zërit të Ai-së, nis një situatë tjetër në retrospektivë, që rimerr një motiv të njohur në veprat e Pashkut, tradhtinë, e bashkë me të, dhunën. Kjo situatë realizohet duke ndërlidhur dy simbole: atë të barkës-çifteli dhe qerres së diellit. Kjo e fundit është perëndia ilire e luftës dhe e bashkimit. Në këtë situatë të mugullt (muga në tekst), dalin tri personazhe gjithashtu simbol, Desidiati, Breuku dhe Pirusti, që përfaqësojnë dhe tri fise reale ilire. Referenca historike u atribuohet kryengritjeve ilire në vitet VI-IX te e.s. kundër romakëve. Mbi bazën e kësaj reference, por pa e shtjelluar në narracion ngjarjesh, vetëm duke krijuar e lidhur simbolet, ai paraqet gjendjen e mugët (jo të qartë, të çorientuar) shpirtërore të njerëzve të fiseve ilire; thyerjen e qerres së diellit si simbol i raporteve të pakoordinuara të fiseve me njëri-tjetrin; personazhe që përfaqësojnë suksesin, por edhe tradhtinë (Desidiat, Breuk) etj. Në pjesën e dytë të romanit, shkrimtari fokusohet në të sotmen, ku shfaqen personazhe me patologji të tilla si mizogamia (kur një qenie nuk e duron qenien e gjinisë tjetër), ku stigmatizohen mendësi e botëkuptime. Sundimi diktatorial, me pamje mjaft të njohura në rajon, shfaqet në pasazhe të tilla: “Do të punojë vetëm nji fabrikë e petkave, vetëm nji fabrikë e këpucëve, vetëm një fabrikë e pullave, vetëm nji fabrikë e rrypave, vetëm nji fabrikë e tojave të këpucëve […] vetëm nji roman, vetëm nji dramë, vetëm nji sonet […]” Në këtë pjesë vihet në lojë edhe ideja e kozmopolitizmit (politika gjithëpërfshirëse, kozmike, që në tekst del si simbol i një lloj klonimi njerëzor), e cila synon të shkatërrojë individualitetin njerëzor: “Po vjen, po vjen ajo ditë kur unë do ta baj tufan çatinë e shtëpisë së vogël përdhecke dhe me dorën time do ta baj rrafsh me dheun përmendoren, atë përmendoren që po duen t’ja bajnë babës sim, i cili nuk i merr vesh punët e botës, punët e galaksisë sonë, punët e galaksive të tjera, punet e Kozmosit tonë të dashtun... Punët duhet t’i këqyrim nga çatia e Kozmosit”. Në këtë fragment dallohet qartë ironia tallëse ndaj këtyre ideologjive. Vetëm se këtu përmasat hiperbolike të premtimeve shkaktojnë ironi me ndjesi groteske. Po kështu, ndërtimi nëpërmjet diskursit politik të premtimeve jologjike e të stërzmadhuara krijon sarkazëm e grotesk.

Tipare të ndërtimit të tekstit

Siç e kemi përmendur në fillim, romani “Oh” shpalos para lexuesit një gjuhë mjaft të përpunuar e të përshtatur në varësi të simbolikave që lidhen me njëra-tjetrën, për të realizuar efekte alegorike mbresëlënëse. Po gjithashtu, në rreshtat e këtij romani mund të shohësh ndërthurje të regjistrave që u përshtaten personazheve dhe situatave. Në këtë kontekst, përdorimi i traditës burimore dhe ligjërimit të folur, shfaqet jo si

një kopjim, po i përpunuar në varësi të stilit të përgjithshëm të tekstit. (Pinë ujë për shëndetin e njani tjetrit, - thotë plaku për dymbëdhjetë deshtë. Formula popullore është pinë raki. Këtu e përshtat në pamje të parë në mënyrë naive për deshtë. Struktura e formulës popullore realizon alegorinë, pra që u referohet njerëzve.) Në kontekstin e oralitetit, gjuhës popullore, mund të shihen edhe detajet e shumta në fragmente të caktuara apo shkallëzimet, elementet fantastike etj.

Efektet poetike

Pavarësisht se jemi marrë kryesisht me një pjesë simbolesh më lart, duhet thënë se teksti dallohet për efekte poetike të theksuara. Mjaft të shikojmë një pjesë të mirë të dialogëve, në të cilët përsëriten të njëjtat fjalë, të njëjtat grupe, madje edhe rima të jashtme, duke kaluar deri në lojëra të tilla fonetike që realizojnë baza muzikore me ritëm poetik: “Unë po them se asht çoç.” “Unë po them se asht çuç.” “Jo çuç po çoç. “Jo çoç po çuç.” “Çoç!” “Çuç!” “Çoç!” “Çuç!” “Çoç!” “Çuç!” “Çoç!” “Çuç!” “Çoç!” “Çuç!” “Çoç!”

Nga ana tjetër, në shumë raste, teksti paraqet ndërtime metaforike të mrekullueshme, të paharrueshme për lexuesin: “Dhe në atë qetësi flakronte faqja e zhubravitun e liqenit të vogël artificial, dhe në atë qetësi vazhdojshin me vizllue eshtnat e skeleteve të coptuem të rrezeve të diellit apo, ndoshta, në atë vazhdojshin me vizllue ashtu peshqit”. Vini re çfarë metaforash të ndërtuara njëra mbi tjetrën realizojnë një imazh fantastik të liqenit. Deshifrimi i tyre mund të fillojë me mbiemrin metaforik e zhubravitun, pastaj me metaforën që pikturon edhe ngjyrat impresioniste me foljen flakronte, e ndjekur paralelisht nga metafora tjetër me vizllue eshtnat e skeleteve të coptuem të rrezeve të diellit, që ndërthur imazhin shumëngjyrësh të shpërbërjes së diellit në një sfond të zi (eshtnat e skeleteve). Një kontrast që krijon një imazh me efekte të jashtëzakonshme. Këtë figuracion e thekson edhe më shumë ndërtimi i saj në trajtën e një proze poetike, pasi të dyja metaforat krijohen mbi të njëjtën strukturë (në atë qetësi).

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Si është parë romani “Oh” në raport me motivet e tregimeve pararendëse? Si është interpretuar titulli i tij? 2. A emërtohen personazhet e romanit me emra konkretë dhe pse ndodh kjo gjë? A ka lidhje edhe me teknikat moderne kjo zgjedhje? 3. Cila është gjendja fizike e mendore, në të cilën ndodhet më së shumti Ai në roman? A është kjo e njëjtë me tregimet dhe pse ndodh kjo?

4. Në cilën fushë semantike dalin në roman pasqyra, uji i akuariumit, liqeni? A ndihmon semantika në hulumtimin e brendshëm të qenies? 5. Gjeni simbolet që dalin në roman dhe dalloni se cilave kohë u përkasin. A ka lidhje kjo me hulumtimin mbarëkohor mbi fatin e qenies në përgjithësi e asaj shqiptare në veçanti? 6. Dalloni teknika të ndërtimit stilistik të romanit, që i patë edhe te tregimet dhe ilustrojini ato me shembuj nga teksti.

Ushtroni mendimin kritik

7. Lexoni me zë të lartë dy faqet e para të romanit. A ju krijojnë vështirësi përsëritjet e shumta të fjalëve dhe grupeve të fjalëve? Po ndonjë efekt poetik, a dalloni në to? Çfarë fjalësh ju mbetën në kokë pas këtij leximi? Diskutoni për raportin dhe rëndësinë e leximit dhe interpretimit skenik të një teksti. 8. Tashmë jeni njohur me një pjesë tregimesh dhe romanin “Oh”. A ka motive që janë trajtuar në të dyja rastet? Pse këmbëngul Pashku kaq shumë në këto motive? Diskutoni në klasë në lidhje me to. 9. Personazhi tregimtar Ai është si në ëndërr, gjysmë në gjumë, gjatë ndijimeve të veta. Ky është një tipar i njohur edhe i personazheve të tregimeve. Duke qenë se romani është më i gjatë dhe ngërthen më shumë motive se tregimet, si mendoni, e pengon kjo gjendje shkrimtarin në shtjellimin e situatave? Diskutoni në klasë në lidhje me këtë, duke pasur parasysh edhe simbolet e pasqyrës dhe trajtave të ndryshme të saj, procesin e kërkimit, zbulimit, hulumtimit të së ndërgjegjshmes e të së pandërgjegjshmes. 10. Dhuna, tradhtia, imponimi etj., janë motive të tjera që dalin në roman. Diskutoni në lidhje me përzgjedhjen e autorit që këto t’i shohë në kohë të ndryshme historike (Iliri, në të tashmen). Kini parasysh edhe alegorinë paraprijëse të plakut me ujqit e deshtë. Pse qenia duhet të dhunojë qenien fizikisht e shpirtërisht? 11. Pasi kemi analizuar romanin “Oh”, cilat janë imazhet e ndjesitë që ju kanë mbetur në mendje.

Argumentoni përgjigjen tuaj me pjesë nga teksti dhe përzgjidhni ato ndjesi që ju shqetësojnë edhe ju. A shikoni rrugëzgjidhje për to? Diskutoni duke pasur parasysh se qenia në radhë të parë e ka luftën me vetveten.

Sfida e të shkruarit

12. Te mësimi që lidhet me romanin “Oh” kemi dhënë shembullin e një fragmenti me tipare të theksuara poetike: “Unë po them se asht çoç.”/ “Unë po them se asht çuç.”/”Jo çuç po çoç./

“Jo çoç po çuç.”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”/ “Çuç!”/ “Çoç!”

Krijoni një fragment të ngjashëm të shoqëruar me disa fjali që u japin kuptim dhe simbolikë këtyre përsëritjeve që krijojnë rimë, aliteracion dhe kanë domethënie që lidhet me fjalët e teksti paraprijës. Interpretojeni në klasë dhe thoni domethënien që keni dashur t’i jepni. 13. Tani që keni lexuar sqarimet për romanin “Oh”, shkruani një tekst në të cilin të argumentoni domethënien e pasthirrmës së titullit. Ilustrojeni me ngjarje të përvojës jetësore të njohur nga ju. (Jo domosdoshmërisht duhet të jenë personale.)

A. Pashku

OH

Teksti paraqet një folës (pa emër, në këtë rast, do të ishte Djali) që po mban fjalimin e tij në sallën vezake. Në gjithë këtë fjalim, ai i Referohet Babës së tij. Ai po shpalos para sallës filozofinë tij kozmopolite.

Baba im - i mirë?!... Hajt, pash nderin... Si mund të jetë i mirë, si mund të jetë baba i mirë kur mue, ju lutem, mue më ka leçit!... Po, po, baba im më ka leçitë!... Po! Cili babë e leçit djalin e vet, ju lutem? E leçit ai babë që asht, s’do mend, mizoped! pra, ai babë e leçit djalin e vet dhe atë djalë falë rrugës së madhe... Ai tash më ka leçitë, por nuk më ka dashtë as kur kam qenë i vogël... Pse?... Mue më pëlqente të shikojsha kah qielli, atij i pëlqente të shikonte kah toka.... Mue më pëlqente të kridhesha në kaltërinë e qiellit, ai më mësonte të kridhesha në tokën e tij, në arat, në zabelet, në malin, në lisat e tij, në dheun e tij, në dheun e arave, në dheun e zabeleve, në dheun e malit, në dheun ku ishin rranjët e lisave të tij. Por mue nuk më hante palla për tokën e tij, për arat, për zabelet, për malin, për lisat e tij, për dheun e tij, për dheun e arave, për dheun e zabeleve, për dheun e malit, për dheun ku ishin rranjët e lisave të tij. Kurse tanë ai dhé mund të kaptohej me sy nga çatia e shtëpisë... Por... Hëm... Aha... Po... Baba më thoshte, më thoshte se duhej, se duhej të shihej, se duhej të shihej e të njihej mirë e mirë, së pari, ajo që mund të shihet e mund të njihet mirë e mirë nga çatia e shtëpisë sonë përdhecke... Pih... Po ç›mund të shihej e të njihej mirë e mirë nga ajo çati e shtëpisë sonë përdhecke? ... Asgja!... Tanë ajo që mund të shihej e mund të njihej mirë e mirë nga ajo çati e shtëpisë sonë përdhecke - dukej e vogël, dukej pak, dukej aspak, dukej e mjerueshme... Kurse mue, dorën në zemër, nuk më pëlqejnë gjanat e vogla, nuk më pëlqen angështia...Mue, bre vëlla, më pëlqen gjanësia!... Më kujtohet... Mue më kujtohen shumë gjana!...Më kujtohet se angështia nuk më ka pëlqye as kur kam qenë në bark të nanës sime... Më kujtohen shumë hollësi. Barku i nanës nuk më pëlqente, sepse ishte i angësht... S’e dini, unë kam qenë shumë angësht në barkun e nanës... Shumë... Aqë angësht kam qenë sa nuk kam pasë shtegdalje tjetër, pos të lindi para kohe... Unë kam lindë dy muej para kohe!... Por, nejse... Ku e lamë? Aha, po, te çatia... Njimend, ç›mund të shihej nga ajo çati e shtëpisë sonë përdhecke?... Asgja!... Tekembramja, ç’më duhej të shihsha vetëm atë dhé, ç›më duhej?... Asgja! ...Ma shumë më pëlqente të shikojsha kah qielli... A nuk asht qielli i bukur?... Kur qielli, natën, ishte i kthjellët, sytë e mi nuk ngiheshin tue kundrue Bykun e Kumbarës!... Byku i Kumbarës!... Oh sa i mrekullueshëm asht Byku i Kumbarës!... Byku i Kumbarës më dukej shumë madhështor, aqë madhështor sa nji ditë i thashë babës: babë, nuk po më pëlqen duhma e këtij dheu, po më pëlqen ai atje nalt, Byku i Kumbarës!...Më kujtohet: kur ndëgjoi se mue nuk po më pëlqyeka duhma e këtij dheu, babës ju çartën sytë, më rroku hovshëm dhe më fërfëlloi në grumbullin e bykut, skaj lamës... Aty më la gjithë natën e lume... Dhe gjithë natën e lume ndëgjova kangën e burkthit dhe gjithë natën e lume shikova Bykun e Kumbarës... E byku i Kumbarës përhapë nëpër qiell... Kërcejsha prej një ylli në yllin tjetër të Bykut të Kumbarës.

I dëshpëruari, Gustave Courbet

Shëtitsha nëpër Bykun e Kumbarës. Burkthi ia thoshte kangës... I numrojsha yjt që i kcejsha, yjt që i kcejsha nëpër Bykun e Kumbarës... Nji... Dy... Tre...Katër... Pesë... Shtatë... Tetë... Nande... Dhetë... Njimbëdhetë... Dymbëdhetë... Dymbëdhetë yj... Kur kisha kërcye në yllin e trembëdhetë të Bykut të Kumbarës, më kishte zanë gjumi. Dhe në yllin e trembëdhetë, në gjumë, m’ishte dëftue ai, baba... Më kujtohet... Mue më kujtohen të gjitha andrrat... Më kujtohet: babës sim i vinte era dhè. Kundërmonte. Në të vërtetë, s’ishte erë, ishte nji duhmë e padurueshme e dheut, e dheut të malit dhe të arave të babës sim... Ika, ika prej tij, ika prej babës sim... Kërceva në yllin tjetër, në yllin e katërmbëdhetë të Bykut të Kumbarës... Kujtova se mbas meje, në yllin e trembëdhetë të Bykut të Kumbarës, mbeti duhma e dheut të malit dhe të arave të babës sim... Çudë... Dhe atje në yllin e katërmbëdhjetë te Bykut të Kumbarës, dhe atje e pashë babën tim... Buzëqeshte baba im buzëqeshte. Nuk di pse buzëqeshte, nuk di pse baba im buzëqeshte: ndoshta buzëqeshte pse tash hoq krahoshën dhe nxuer nji copë dhe... Duhma e dheut, tash, u ba ma e randë, duhma e dheut të malit dhe të arave të babës sim u ba shumë ma e randë: u hap dhe kaploi tanë yllin e katërmbëdhetë të Bykut të Kumbarës... Nuk rrihej, tash nuk rrihej as në yllin e katërmbëdhetë të Bykut të Kumbarës; duhma e dheut ishte njimend e randë, duhma e dheut të babës sim ishte njimend e randë, shumë e randë, shumë e randë... M’u desht me ikë, me ikë në yllin e pesëmbëdhetë të Bykut të Kumbarës... Prapë kujtova se mbas meje, në yllin e katërmbëdhetë të Bykut të Kumbarës, mbeti duhma e dheut të malit dhe të arave të babës sim... Çudë......

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Në tekst gjendet fjala “mizoped” , që do të thotë: të urresh fëmijët. Gjeni fragmentet në tekst që lidhen me këtë mënyrë sjelljeje. 2. Çfarë i pëlqente të bënte djalit? Po babës? Gjeni fragmentet në tekst që ilustrojnë këto pyetje dhe shkruajini në një tabelë në dy anë. Lexojini me zë disa herë. 3. Babës i pëlqente toka. Ndër të tjera, djali e dallon edhe me nuhatje këtë gjë. Gjeni në fragment pjesët që tregojnë këtë fakt. Me çfarë ndjesie jepet kjo në fillim? 4. Djali ikën nga një yll në tjetrin. Pse ikën dhe a shpëton dot nga duhma që e ndjek pas kudo? 5. Gjatë rrugës nga një yll në tjetrin, në një moment, djalit i shfaqet baba që buzëqeshte. Gjejeni këtë fragment në tekst dhe thoni pse buzëqeshte ai.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Teksti është ndërtuar me folje në vetën e parë dhe të tretë. Gjeni këto folje, thoni kujt i referohen dhe përcaktoni zërin tregimtar të tekstit. 7. Lexoni disa herë fragmentin dhe dalloni se cilat fjalë apo grupe fjalësh përsëriten. A realizojnë ato lidhjen logjike mes fjalive? A ju bezdis përsëritja apo ndikon në theksimin e faktit dhe ndjesisë? Gjeni edhe një rast tjetër të ngjashëm:

“Baba im - i mirë?!... Hajt, pash nderin...

Si mund të jetë i mirë, si mund të jetë baba i mirë kur mue, ju lutem, mue më ka leçit!... Po, po, baba im më ka leçitë!... Po! Cili babë e leçit djalin e vet, ju lutem? E leçit ai babë që asht, s’do mend, mizoped! pra, ai babë e leçit djalin e vet dhe atë djalë falë rrugës së madhe... Ai tash më ka leçitë, por nuk më ka dashtë as kur kam qenë i vogël...”

8. Zëri tregimtar e përcjell gjendjen, situatën, raportin me të atin përmes introspektivës (hulumtimit të gjendjes së brendshme). Është kujtim apo ëndërrim? Gjeni foljet që lidhen me këtë. Duke pasur parasysh tiparet e teksti të Pashkut të mësuara më lart, argumentoni përgjigjen tuaj me shembuj të marrë nga pjesa. 9. Te rubrika më lart gjetët dhe renditët të gjitha fragmentet që lidhen me foljet më pëlqen /nuk më pëlqen në lidhje me djalin e babën. A krijojnë kontrast këto dëshira? A është ky kontrast jo shumë i dallueshëm apo tërësisht i kundërt? Ilustrojeni përgjigjen tuaj, duke parë edhe shkallëzimet e krijuara nga mbiemrat, foljet, ndajfoljet, po edhe grupe fjalësh.

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

10. Në tekst gjendet folja “leçit”. Pyesni në shtëpi dhe jepni kuptimet me të cilat del ajo. A ka lidhje me atë që del këtu në tekst? Ilustrojeni me pjesën që e sqaron dhe që gjendet në tekst. 11. Vini re në fragmentin më poshtë metaforën “më pëlqente të kridhesha”, që përsëritet dy herë dhe ka në trup antitezë. Dallojini fjalët e fundit të saj. A përbëjnë diskutimin kryesor mes babës e djalit? Shkallëzimet e ndërtuara nga emrat, pse përsërisin të njëjtin vend dy herë? Çfarë ndjesie ju përcjell: “Mue më pëlqente të kridhesha në kaltërinë e qiellit, ai më mësonte të kridhesha në tokën e tij, në arat, në zabelet, në malin, në lisat e tij, në dheun e tij, në dheun e arave, në dheun e zabeleve, në dheun e malit, në dheun ku ishin rranjët e lisave të tij”? 12. Në fragmentin më poshtë metafora “shëtitsha nëpër Bykun e Kumbarës” është e dallueshme. Ajo vërtetohet edhe në fund të kësaj pjese. Gjejeni këtë element që e vërteton dhe shpjegoni a ka lidhje vetëm me verifikimin e metaforës apo është tipar i teksteve të Pashkut? “Shëtitsha nëpër

Bykun e Kumbarës. Burkthi ia thoshte kangës... I numrojsha yjt që i kcejsha, yjt që i kcejsha nëpër

Bykun e Kubarës... Nji... Dy... Tre... Katër... Pesë... Shtatë... Tetë... Nande... Dhetë... Njimbëdhetë...

Dymbëdhetë... Dymbëdhetë yj... Kur kisha këcye në yllin e trembëdhetë të Bykut të Kumbarës, më kishte zanë gjumi”. Çfarë tipari të kompozicionit përcjell ai? 13. Lexojeni tekstin disa herë dhe vini re se fjalia e fundit e këtij fragmenti gjendet edhe në vende të tjera. Cila është ndjesia që përcillet? Krahasojeni atë me ndjesinë e të njëjtit ndërtim, që gjendet para kësaj pjese. Vini re edhe metaforën paraprijëse të këtij fragmenti “hoq krahoshën dhe nxuer nji copë dhé”, shpjegoni ndjesinë e babait për dheun, tokën e tij:

“Dhe atje në yllin e katërmbëdhjetë te Bykut të Kumbarës, dhe atje e pashë babën tim... Buzëqeshte baba im buzëqeshte. Nuk di pse buzëqeshte nuk di pse baba im buzëqeshte: ndoshta buzëqeshte pse tash hoq krahoshën dhe nxuer nji copë dhe... Duhma e dheut, tash, u ba ma e randë, duhma e dheut të malit dhe të arave të babës sim u ba shumë ma e randë”. 14. Në fragment hasen shpesh pyetje. Dalloni nëse shumica janë pyetje retorike apo lidhen me mëdyshjet e djalit? Shpjegojeni me shembuj nga teksti.

Nga teksti te përdorimi

15. Në tekst gjendet kjo pjesë: “pra, ai babë e leçit djalin e vet dhe atë djalë falë rrugës së madhe...”.

Në çfarë kuptimi përdoret grupi “rrugës së madhe” në kuadrin e gjithë tekstit? Po në ligjërimin e përditshëm, si e përdorni me të njëjtin kuptim? 16. Në tekst përdoret emri “lis”. Gjeni pjesët ku del ai dhe vini re shkallëzimet ku bën pjesë. A krijon simbol ai, veçanërisht kur përdoret në grupin emëror “rranjët e lisave të tij”? Shpjegoni pse.

Lidheni edhe me psikologjinë popullore në lidhje me këtë pemë.

17. Në tekst përdoret fjala “çati”, duke iu referuar shtëpisë. Pyesni në shtëpi se çfarë koncepti ka populli në lidhje me këtë fjalë. A mund të simbolizojë diçka dhe çfarë? Përshkruani rëndësinë e këtij simboli në psikologjinë e shqiptarit. 18. Në tekst ka fjalë dhe ndërtime që reflektojnë marrëdhënien babë-bir. Gjeni këto përdorime dhe tregoni se çfarë tregojnë ato për marrëdhënien babë-bir? 19. Fjala “Duhmë” është mjaft e pranishme në tekst. Cilës klasë semantike të ndijimit i përket?

Gjeni pjesët ku përsëritet dhe dalloni konotacionin e saj në pjesë të ndryshme.

Nga teksti te reflektimi

20. Më lart pamë se djali e konceptonte të atin si mizoped. Arsyeja kryesore e këtij etiketimi është se atyre u pëlqejnë hapësira dhe vende të ndryshme. A mendoni se mosmarrëveshje të ndryshme prindër-fëmijë duhen parë si patologji, apo si raport normal debatesh, ku dëgjon dhe dëgjohesh? Diskutoni, duke sjellë shembuj nga përvoja juaj. 21. Në tekst gjendet ky fragment: “Baba më thoshte, më thoshte se duhej, se duhej të shihej, se duhej të shihej e të njihej mirë e mirë, së pari, ajo që mund të shihet e mund të njihet mirë e mirë nga çatia e shtëpisë sonë përdhecke...”. Dalloni kuptimin e foljes “thoshte”. A është imponuese ajo, apo e fton djalin për njohje dhe vlerësim të asaj që ka një herë e pastaj eksplorim të hapësirave të tjera? Jepni mendimin tuaj dhe diskutojeni në klasë. 22. Në tekst, ndër të tjera, shfaqet edhe antiteza gjanësi-ngushtësi. Lexoni mirë pjesët ku dalin ato. Ngushtësia a ka lidhje me jetesën brenda hapësirës vetjake personale e kombëtare, pra të njohur e të sigurt? Gjanësia mos ka lidhje me eksplorimin e së panjohurës, që është e re, të grish, po ka edhe plot të papritura? Cili duhet të jetë raporti mes këtyre dy konceptimeve?

Jepni mendimin tuaj me shembuj. 23. Duhma e dheut e ndjek djalin kudo në kërcimin nga një yll në tjetrin, pikërisht për t’i ikur asaj. Ky simbol mbështetet jo vetëm në të ndërgjegjshmen, po edhe në të pandërgjegjshmen. Gjeni të dhëna në tekst që e ilustrojnë këtë. Diskutoni nëse është e vërtetë se, pavarësisht sa larg mund të jeni prej shtëpisë, vendit, njerëzve tuaj, përsëri imazhet e tyre janë të ngulitura në kujtimet tuaja. (Mund të sillni shembuj nga emigracioni aq i përhapur te ne.) 24. Vendi që i pëlqen djalit është diametralisht i kundërt me atë të të atit. Ai shfaqet me një fushë leksikore shkëlqyese, rrëzëlluese: qielli, yjet, Byku i Kumbarës etj. A mendoni se çdo realitet që paraqitet nga larg me ngjyra kaq të ndezura, kur e prek, rezulton vërtet i tillë? A duhet rrezikuar në çdo rast për plotësimin e ëndrrave të vëzhguara nga larg ose me fjalët e të tjerëve, apo duhen baraspeshuar mundësitë e suksesit e të rrezikut? Diskutoni në klasë.

Nga teksti te të shkruarit

25. Pamë se në tekst kishim grupin “duhma e dheut”, që simbolizonte lidhjen e qenies me hapësirën personale, familjare, autoktone, si vend i njohur e i sigurt. Në ligjërimin e zakonshëm keni dëgjuar edhe këtë fjali: “Edhe fëmija i sapolindur e njeh nanën e vet prej erës”. Çfarë i bashkon këto të dyja në rrafsh të së ndërgjegjshmes e të së pandërgjegjshmes? Bëni një ese dhe lexojeni në klasë.

This article is from: