25 minute read

Gabriel Garsia Markez

Letërsi

Gabriel Garsia Markez

Advertisement

Gabriel Garsia Markez (Gabriel García Márquez) dhe vepra e tij lidhen pazgjidhshmërisht me emërtimin e rrymës letrare që quhet realizëm magjik. “Njëqind vjet vetmi” (1967) është vepra që citohet si prezantuese e kësaj letërsie në shumicën e manualeve të letërsisë dhe që pati ndikim e përhapje të menjëhershme te lexuesi botëror. Por Markezi ka shkruar edhe vepra të tjera, jo më pak të rëndësishme, të cilat janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Kështu përmendim: “Gjethurinat” (1955); “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë” (1961); “Një histori me paskuinë” (1961); “Varrimi i Nënë Madhes” (1962); “Vjeshta e patriarkut” (1975); “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” (1981); “Erendira” (1983); “Dashuri në kohën e kolerës” (1985); “Histori e Miguel Litinit, ilegal në Kili” (1986); “Gjenerali në labirinthin e tij” (1989); “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” (1992); “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” (1994); “Historia e një rrëmbimi” (1996); “Të jetosh për të treguar” (2002); “Kujtim kurvash të trishta” (2004).

Tiparet kryesore të stilit të letërsisë së realizmit magjik në romanin “Njëqind vjet vetmi”

Emërtimi i rrymës letrare

Zanafilla e emërtimit realizëm magjik ndeshet tek eseja e kritikut gjerman të artit Franc Ron (Franz Ron, 1925), e cila merrej me ardhjen e post-ekspresionizmit në artet pamore në Gjermani. Në letërsi, ky term lidhet me esenë e romancierit kuban Aleho Karpentier (Alejo Carpentier, 1949), që përdor termin realizëm magjik, duke nënkuptuar me të ndërthurjen mes elementit fantastik dhe motiveve të jetës së përditshme në letërsinë latino-amerikane. Kjo lloj koherence është më se e zakonshme për këto lloj tekstesh. Në fakt, edhe vetë Markezi e pohon këtë lloj teknike, duke e justifikuar me faktin se “Jeta është plot me gjëra natyrore që të vdekshmit e zakonshëm nuk arrijnë t’i shohin. Inteligjenca e poetëve është të shohin të jashtëzakonshmen në të zakonshmen.”. E, në këtë kontekst, ai nuk lë pa përmendur edhe një nga këto ngjarje të zakonshme, e cila, në fakt, përbën një ngjarje të jashtëzakonshme në formimin e tij si shkrimtar, siç është “zbulimi” prej tij i librit “1001 net”, me imazhet e të cilit ai kaloi vitet e para të fëmijërisë: “I kalova vitet e para të jetës sime i përhumbur nga një vizion i qilimave fluturues dhe xhindeve që dilnin nga llambat. Ishte e mrekullueshme… dhe për mua, plotësisht e vërtetë.”.

Pak nga fabula e romanit

Romani “Njëqind vjet vetmi” është historia e fshatit të izoluar, Makondo dhe e familjes që e themeloi atë, Buendias. Fshati është i izoluar prej vitesh. I vetmi kontakt me botën e jashtme krijohet mes ciganëve, të cilët në udhëtimet e tyre sjellin edhe teknologji të padëgjuara për fshatarët e Makondos, si: magnetet, akullin, teleskopët etj. I zoti i

familjes Hose Arkadio Buendia (Plaku) është një person kureshtar, impulsiv dhe me fantazi të zhvilluar. Këto cilësi dhe tërheqja ndaj zbulimeve të mistershme e bëjnë atë që të shkëputet nga njerëzit dhe të rrethohet nga vetmia, derisa në fund vdes i çmendur. Kontaktet me pjesën tjetër të botës bëjnë që gradualisht fshati të humbë rutinën e tij të zakonshme, që karakterizohet nga të dhënat jetësore mbi jetën e familjes Buendias. Fillojnë luftërat civile, duke sjellë dhunë dhe vdekje. Aurelianoja (djali i dytë i Hose Arkadio Buendias) bëhet udhëheqësi i rebelëve liberalë, duke arritur famë si kolonel Aureliano Buendia. Makondo ndryshon; nga një vend idilik, magjik dhe i mbrojtur kthehet në një fshat të lidhur në mënyrë të pakthyeshme me botën e jashtme, përmes famës së kolonelit Buendia. Qeveritë e Makondos ndryshojnë disa herë, gjatë dhe pas luftës. Në një moment, Arkadio (nipi i Hose Arkadio Buendias, Plakut), më mizori i Buendiasve, sundon në mënyrë diktatoriale dhe më në fund vritet nga një skuadër pushkatimi. Lufta civile përfundon me nënshkrimin e një traktati paqeje. Nga ky përshkrim, në pamje të parë, duket si roman lufte. Në fakt, ai përshkruan sagën e familjes Buendia, të disa brezave të saj, e njëkohësisht edhe të Makondos, që kishte lindur bashkë me të. Në këtë mënyrë, këto episode të vrullshme narrative mbushen me historitë personale të personazheve, shumica e të cilave janë pjesëtarë të familjes Buendia. Libri mbyllet pothuajse njësoj siç fillon, duke na i paraqitur Aurelianon dhe Makondon përsëri të izoluar e të vetmuar, madje duke dhënë edhe parashikimin e Melhiadesit për shkatërrimin e Makondos.

Pikturë murale e Markezit në Kolumbi.

Në këtë galeri të larmishme, shohim djalin e madh të familjes Buendia, Hose Arkadio (trashëgon emrin e të atit), i cili bën një jetë të shthurur e plot aventura. Edhe djali i dytë, Aurelianoja, që siç thamë u bë pjesëmarrës dhe udhëheqës në luftërat civile, përfundon në vetmi e iu dorëzua zvetënimit moral, pasi krijoi një lidhje me gruan e të vëllait, me të cilën pati edhe fëmijë. Arkadioja, nipi i familjes Buendia, shfaqet si gjakatar i pamëshirshëm. Vajza e familjes Buendia, Amarantia, paraqitet si një grua e ftohtë e pa ndjenja, e cila gjithashtu e mbyll jetën e saj në vemi. Një imazh më njerëzor e më i përkushtuar shfaqet në figurën e Ursulës, gruas së Hose Arkadio Buendias, e cila kalon një jetë të përvuajtur dhe që i kundërvihet së keqes e zvetënimit moral, egërsisë e ftohtësisë së pjesëtarëve të familjes. Në këtë galeri të zymtë personazhesh, imazhi më rrëzëllues është ai i të dashurit të Amarantës, Pietro Krespit, që dashuron me ndjenja të pastra. Fundi i tij është i pamëshirshëm, pasi vret veten. Kjo vjen si rezultat i refuzimit të Amarantës për martesë.

Teknika krijuese të realizmit magjik te “Njëqind vjet vetmi”

Momenti i marrjes së çmimit Nobel më 17 prill 2014 në Meksikë.

Shkrirja e reales me fantastiken

Më lart vumë në dukje se realizmi magjik, nga pikëpamja e koherencës, ndërfut të jashtëzakonshmen, fantastiken, në gjërat e zakonshme. Këtë Markezi e shpreh edhe në roman përmes metaforës së Melhiadesit: “Edhe sendet kanë jetën e tyre vetjake, – shpallte arrixhiu me zë gurgullues. – Puna është të dish t’ua zgjosh shpirtin.”.

Ka raste kur e jashtëzakonshmja, e perceptuar si e tillë nga personazhet e romanit, për lexuesin e sotëm nuk është e tillë. Janë pikërisht reagimet e personazheve dhe njohjet e tyre mbi botën, që krijojnë imazhin e fantastikes. “Sapo vigani e ngriti kapakun, nga sënduku vërshoi një gulsh i acartë. Brenda ndodhej vetëm një si kallëp shumë i madh e i tejdukshëm, i përshkuar nga damarë të panumërt, brenda të cilëve drita e mugët përthyhej në qindra yje të larmishëm”. Është momenti, kur Hose Arkadio Buendia çon fëmijët të shohin akullin në tendën e Melhiadesit. Vini re kohezionin hiperbolik të fjalëve dhe ndërtimeve (vigan, gulsh i acartë, kallëp shumë i madh, në qindra yje të larmishëm). Ky lloj kohezioni është i zakonshëm në tekst, pasi ai ndërtohet mbi një koherencë që e lejon dhe e favorizon atë. Dihet që ngjarjet zhvillohen në një fshat të humbur e të izoluar nga bota, që quhej Makondo (e që ngjante shumë me fshatin ku kishte lindur e ishte rritur Markezi). Në këtë kontekst, situata të tilla si këto që nisin romanin, ku arixhinjtë nomadë sjellin “shpikjet” e botës, që ata nuk njohin dhe përshkrimet e reagimet fantastike të personazheve krijojnë ndjesinë e së jashtëzakonshmes, fantastikes, mrekullisë, magjisë për gjëra që te një lexues i sotëm nuk shkaktojnë asnjë efekt të tillë. Ky i fundit përjeton vazhdimisht humorin e këndshëm nga këto skena e imazhe, të cilat në jo pak raste duken edhe naive.

Shpesh, kur lexon “100 vjet vetmi”, lexuesi vë re se ndërthurja mes fantastikes dhe së zakonshmes jepet në mënyrë gati-gati indiferente. Ajo nuk prezantohet si një ngjarje e jashtëzakonshme, po si pjesë e rutinës së zakonshme. “Pak e nga pak, Amaranta dhe Arkadioja nisën të flisnin gjuhën e guajirave përpara se të mësonin spanjishten; gjithashtu filluan të hanin çorbë hardhucash dhe vezë merimangash, gjë që Ursula nuk e vuri re fare, sepse në atë kohë ishte tepër e zënë me një tregti mjaft të leverdishme me gjela prej karameleje.” Siç shihet, duke përshkruar rritjen e fëmijëve, jepet si pa gjë të keqe dhe si diçka e zakonshme edhe ushqimi aspak i zakonshëm (i jashtëzakonshëm, më mirë) i fëmijëve. Përqasja që krijohet mes shqetësimit të Ursulës me këtë “dietë” ushqimore të fëmijëve krijon ironi dhe humor njëkohësisht. Ka studiues që në këtë teknikë shohin edhe ndikim nga Kafka, të cilin Markezi e njihte mirë. Dhënia e fantastikes pa e shpjeguar atë, po thjesht si një element në zinxhirin e rutinës së së përditshmes, së zakonshmes shihet si ngjashmëri mes tyre (Kujtoni përshkrimin krejt shpërfillës të ndjesisë së Gregori Zamzës në mëngjes, kur u ngrit dhe pa se ishte kthyer në kandërr.).

Kompozicioni dhe efekti te lexuesi

Studiuesit kanë theksuar se ky lloj ndërtimi kompozicional kërkon një lexues pa komplekse dhe pranues në lidhje me konvencione dhe simbolika të trashëguara e të reja, pasi ngjarjet e koherenca e tyre dhe veçanërisht kohezioni (ndërthurja e së zakonshmes me të jashtëzakonshmen), që i realizon ato, i shmang të gjitha këto komplekse e konvencione. Lexuesi mësohet me këtë teknikë dhe e pranon, aq më tepër, kur ajo shoqërohet me humor, gjë që tejkalon edhe ndonjëherë vështirësinë që krijon detajimi i theksuar i ngjarjeve, personazheve, proceseve në roman.

Ky i fundit (detajimi) është gjithashtu tipar koheziv, që iu shkon për shtat shumë atyre që parashtruam më sipër. Është i zakonshëm përshkrimi me fjali të gjata të përbëra, në të cilat ngjishen shumë të dhëna njëkohësisht: “I pushtuar shpirt e trup nga një realitet i mirëfilltë, i cili dukej më fantastik sesa kozmosi i largët i forcës së tij të imagjinatës, ai e humbi të gjithë interesin për laboratorin e vet të alkimisë e braktisi atë materien e rraskapitur nga trajtimi disamujor dhe u shndërrua sërishmi në atë njeriun e etshëm për t’u marrë me gjithfarësoj gjërash, siç pat qenë në kohërat e para, në atë njeriun i cili vendoste për hapjen e rrugëve dhe për pozicionin e shtëpive, në mënyrë që askush të mos ishte i privilegjuar në kurriz të shumicës së banorëve.”.

Plotësia e detajeve, siç quhet ndryshe kjo lloj teknike, në fakt pasqyron nënshtresat njohëse karakteristike të personazheve dhe përvojave të tyre. Në këtë lloj narracioni, studiuesit kanë vënë re mbishtresimin e kulturave të ndryshme; asaj indiane, spanjolle dhe amerikane. Ky shtresëzim kulturash përbën një korpus të bollshëm për shkrimtarin, që e merr këtë material dhe e përpunon në laboratorin e tij krijues me teknikat e sipërpërmendura. Një korpus i tillë favorizon në mënyrë të bollshme detajimin, që shfaqet mjaft i dendur.

Si pjesë e ndërtimit të koherencës së tekstit, duhen përmendur edhe kthesat e menjëhershme të narracionit. Një gjë e tillë vihet re po të shohim fillimet e kapitujve,

të cilët në jo pak raste nuk vazhdojnë direkt aty ku e ka lënë ngjarjen kapitulli paraprijës. Ata mund të kenë edhe diferencë kohore ose mund të fillojnë me historinë e një personazhi tjetër, pa e lidhur me atë që ka ndodhur më përpara. Narratori i gjithëdijshëm e bën në mënyrë të vazhdueshme këtë alternim të menjëhershëm, duke u dhënë kapitujve pamjen e kronikave të montuara. Megjithatë nuk krijohet fragmentarizëm se personazhet janë të së njëjtës familje, përplasjet, turbullimet, shthurjet, dashuritë, fatet e tyre tragjike janë të lidhura të gjitha me njëratjetrën.

Tragjikja përmes dashurisë e vetmisë

Tragjikja përmes personazheve

Romani “Njëqind vjet vetmi” në vetvete përmbledh një galeri personazhesh që kryesisht përjetojnë një fat tragjik. Ata dhe jeta e tyre, shpesh, janë përqasur me atë të jetës politike. Në këtë kontekst, studiues të caktuar e kanë parë realizmin magjik edhe si një kritikë të nënkuptuar të shoqërisë ndaj sistemeve politike rajonale, pasi stili i tij del jashtë kornizave të diskursit të “qendrave të privilegjuara të letërsisë”. Përplasja e së vjetrës me të renë, që do të duhej të përfaqësonte të përparuarën, zhvillimin, qytetërimin, krijohet si alegori me kah krejt të kundërt. E reja përfaqësohet nga sisteme të korruptuara, që janë kapluar nga zvetënimi moral, duke na dhënë kështu një tablo aspak tërheqëse të atyre që studiuesit i kanë quajtur “shoqëri gjysmë të bëra”, pra, të shoqërive që nuk kanë arritur të ngrenë një shtet të mirëorganizuar dhe një shoqëri të kultivuar e të qytetëruar. Rikujtojmë këtu figurën e Aurelianos, djalit të Hose Arkadios, i cili pavarësisht se luftoi kundër diktatorëve dhe udhëhoqi njerëzit kundër tyre, në fund pati një krizë të thellë zvetënimi moral. Po ashtu, edhe shumica e personazheve të tjera nuk kanë një fat më të mirë. Nga ana tjetër, gjithë romani na e shfaq Makondon si një skenë përplasjesh tragjike, në të cilat vetmia, dhuna, mungesa e dashurisë, pështjellimi dhe zvetënimi moral janë pjesë e së përditshmes.

Vetmia përmes personazheve

Vetmia është një tipar që bashkon shumicën e personazheve. Kështu, Melhiadesi pikërisht për të luftuar vetminë e jetës së tij nomade kthehet dhe mbyllet në dhomën e tij, ku dhe bisedon me njerëzit. Aurelianoja në fund të jetës përjeton vetminë, i zhytur në kalbëzim moral. Amaranta, vajza e Hose Arkadios, pas vetëvrasjes së të dashurit, mbyllet në një dhomë ku përjeton trishtimin më të thellë. Ursula, e shoqja e Hose Arkadios, gjithashtu braktiset nga të gjithë në fund të jetës, pavarësisht përkushtimit të saj të jashtëzakonshëm. Pra, me gjithë jetën e vrullshme të personazheve, vetmia është e parathëna e fatit të tyre të përbashkët, ndër të tjera, edhe ndëshkimi i tyre.

Dashuria nga ana tjetër e përjashton vetminë, vetëm se ajo shfaqet kryesisht në kuadrin e pasionit, pra, jo si ndjenjë e pastër dhe e madhërishme. Madje, në jo pak raste, ajo del edhe me ndjesinë e groteskut. Po sjellim një fragment nga martesa e Aurelios me Remediosin: “Ky kurorëzim ishte pika kulmore e shqetësimit të vazhdueshëm në familjen Moskoti, sepse vogëlushja Remedios e arriti pjekurinë seksuale përpara se t’i kishte lënë mënjanë tabiatet e fëmijërisë.… U deshën vërtet përpjekje të stërmundimshme, por që i dhanë frytet e tyre: ditën e caktuar, vajza e vogël doli po aq e sqaruar për gjërat e kësaj bote, sa edhe motrat e saj të rritura.”. Në këtë fragment, shfaqet pikërisht përmbushja e dëshirave të mishit nëpërmjet pasionit, i cili vishet me moral nga manteli martesor. Në roman, siç thamë, duket se pasioni i personazheve të këtij romani është i nëmur me “vetminë”. Një pjesë kërkojnë pasionin për t’i ikur vetmisë, megjithëse në fund nuk i shpëtojnë dot kësaj të fundit. Edhe i vetmi rast që në fakt i kalon caqet e pasionit, të paktën nga njëra palë, dhe perceptohet si dashuri, shkrihet nga ftohtësia shpirtërore e palës tjetër, që ishte ngurtësuar nga përçmimi ndaj të tjerëve, sqima e lartë, ftohtësia e karakterit. E kemi fjalën për dashurinë e pastër të Pietro Krespit ndaj Amarantës. Krespi dashuron me “vrullin e zemrës”, por Amaranta është shpërfillëse dhe e pamëshirshme ndaj kësaj ndjenje. Në fakt, ajo i shëmbëllen më shumë një statuje të ftohtë e të pandjenjë, saqë edhe ajo vetë mundohet ta provojë e të shërohet nga kjo gjendje. “…sapo binte mugëtira, Amarantës i bëhej sikur ndiente livandon e Pietro Krespit, por kishte aq forcë sa të mos përhumbej në atë kujtim të mynxyrshëm. Ursula i hoqi vizë. Madje as nuk i ngriti sytë dhe as nuk shprehu ndonjëfarë keqardhjeje atë pasdreke, kur Amaranta hyri në kuzhinë dhe vuri dorën mbi prushin e vatrës, derisa i dhembi aq fort, saqë nuk ndjeu më asnjë dhembje përveç erës së rëndë të mishit të saj të përcëlluar. Ishte kjo një lloj kure e tmerrshme për të mjekuar brejtjet e ndërgjegjes.”. Dhe përfundimi i këtij eksperimenti të Amarantës, për fat të keq, ishte përsëri pandjeshmëria. Mungesa e dashurisë krijon pështjellim ngjarjesh e fatesh dhe i mbështjell personazhet në vetmi. Kjo gjë vulos tragjiken në fatin e fshatit dhe të njerëzve të tij. Mbase përpjekja drejt fantastikes, së panjohurës, mistikes, mitologjikes është edhe një orvatje për të gjetur një jetë tjetër, të ndryshme nga ajo që ata kishin jetuar. Përjetimi më ekstrem i vetmisë në tekst është pjesa kur përshkruhet dialogu dhe raporti i Amarantës me Vdekjen dhe ndjesia tërësisht indiferente e kësaj të fundit (Amarantës) në lidhje me të (Vdekjen).

STUDIM TEKSTI

Verifikoni njohuritë

1. Në jo pak raste, zhvillimet letrare kanë qenë paralele me zhvillimet në fushat e tjera të artit. Sqaroni zanafillën e realizmit magjik si term. A e vërteton kjo zanafillë pohimin në fjalinë e parë? 2. “Njëqind vjet vetmi” është një roman lufte, apo një roman që përfaqëson fatin tragjik të një familjeje e të fshatit Makondo gjithashtu? Argumentoni përgjigjen tuaj. 3. Çfarë raporti ka e zakonshmja me të jashtëzakonshmen në tekstin e Markezit dhe si krijohet ndërthurja e tyre? A krijon kjo gjë tiparin kryesor të ndërtimit të këtij teksti? 4. A ka raste kur lexuesi nuk e percepton si të jashtëzakonshme atë që në fakt personazhet e perceptojnë si të tillë? Pse vjen kjo dhe me çfarë ndjesie shoqërohet te lexuesi? 5. Në tekst mësuat se ndërthurja e së zakonshmes me të jashtëzakonshmen jepet gati-gati në mënyrë indiferente. Si realizohet konkretisht kjo teknikë dhe çfarë ndjesie ju krijon? 6. Teksti shfaqet i mbushur me detaje. Si realizohet renditja e tyre dhe a krijon vështirësi në lexim?

7. Romani ndërtohet në pjesë, kapituj të ndryshëm. Në jo pak raste, ata nuk duken në pamje të parë si vazhdim i njëri-tjetrit. A krijohet fragmentarizëm dhe kush e krijon lidhjen mes pjesëve?

Ushtroni mendimin kritik

8. Në konceptin njerëzor, e reja zakonisht përfaqëson zhvillimin, qytetërimin, përparimin. Në kontekstin e romanit, si shfaqet ajo dhe pse mendoni se ndodh kjo gjë? 9. Romani është përcaktuar si një roman përplasjesh tragjike në nivel politik e moral. A mendoni se kjo panoramë krijon alegori me përpjekjet e qenies njerëzore për përparim e katarsis? 10. Vetmia është tipari që bashkon shumicën e personazheve në roman. Është vetmi e kërkuar apo e kushtëzuar nga ambienti e fatet e të tjerëve? Ilustrojeni sipas personazheve. 11. Dashuria, në roman, del përgjithësisht në kuadrin e pasionit. Një gjë e tillë flet për shoqëri të shëndetshme e të përpunuara nga pikëpamja e formimit njerëzor apo për të kundërtën? Pse? 12. Në libër figura e Ursulës, gruas së Hose Arkadio Buendias, dallohet për përkushtimin, devotshmërinë ndaj familjes. Ky është një tipar i grave të Amerikës Latine apo i gruas në përgjithësi? Diskutoni në lidhje me imazhin e gruas në familjen shqiptare.

Sfida e të shkruarit

13. Shpesh, në moshën tuaj ngatërrohet koncepti i pasionit me dashurinë. Pasi të keni lexuar veprën e Markezit dhe të keni bërë kërkime të tjera për këto dy nocione e raportin mes tyre, shkruani një ese për këtë. Nuk po ju sugjerojmë një titull, pasi atë do ta zgjidhni vetë, në varësi të qëndrimit që do të mbani.

G. G. Markez

ILUSTRIM LETRAR

Njëqind vjet vetmi

Amaranta Buendia, e bija e Hose Arkadio Buendias, është në prag të vdekjes. Kujtojmë se ajo ka refuzuar dashurinë e Pietro Krespit në mënyrë të ftohtë e arrogante. Ky i fundit është vetëvrarë për këtë shkak. Amaranta nuk është martuar asnjëherë dhe e ka kaluar jetën në vetmi.

Njëqind vjet vetmi

Dhe ashtu ndodhi vërtet. Mirëpo, në çastet e fundme të jetës së saj, Amaranta nuk e ndjeu veten aspak si të dështuar, por përkundrazi, të çliruar nga çdo lloj Gabriel hidhërimi, sepse Vdekja i pat bërë një privilegj: ajo i qe shfaqur vite më parë. Amaranta e kishte parë një Garsia pasdreke zhegu përvëlues, të ulur e duke qepur përbri Markez saj në verandë, pak kohë pasi Memeja ishte nisur për në kolegjin e manastirit. E njohu menjëherë; ajo nuk dukej aspak e frikshme, ishte si një grua me paraqitje kohësh të shkuara, e veshur me një fustan blu, flokëgjatë, dhe i ngjante shumë Pilar Ternerës nga ato kohëra kur ndihmonte në kuzhinën e Buendiave. Edhe Fernanda pat qenë shpesh e pranishme aty në verandë, por nuk e kishte pikasur kurrë, megjithëse Vdekja kishte qenë aq reale dhe aq njerëzore, saqë njëherë iu lut madje Amarantës që t’ia shkonte perin në gjilpërë. Vdekja nuk i tha se kur duhej të vdiste, dhe as nëse ora do t’i trokiste përpara asaj të Rebekës; ajo i tha vetëm që të fillonte e të endte rrobat e veta të vdekjes më gjashtë të prillit të ardhshëm. Gjithashtu i dha leje që t’i endte e t’i qëndiste sa më të bukura e madhështore, siç do t’ia kishte ënda, po jo më pak dinjitoze sesa ato të Rebekës; pastaj ia paratha se do të vdiste pa dhimbje, pa frikë e pa pezmatim, madje pikërisht atë mbrëmje kur do t’i kishte bërë gati rrobat... Me qëllimin që të humbte sa më shumë kohë, Amaranta porositi fije liri dhe e endi vetë pëlhurën në tezgjah. E endi me aq kujdes, saqë vetëm për këtë punë iu deshën plot katër vjet. Pastaj filloi nga qëndisja. Sa më tepër i afrohej përfundimit të pashmangshëm, aq më shumë i përforcohej bindja se vetëm ndonjë mrekulli do ta lejonte që ta zgjaste atë punë deri pas vdekjes së Rebekës; sidoqoftë, ky përqendrim i madh ia siguronte atë qetësi që i nevojitej për t’u pajtuar me idenë e një dështimi. Dhe ishte kjo koha kur e kuptoi më në fund se ç’ishte ai rrethi vicioz, brenda të cilit qe vërtitur aq gjatë koloneli Aureliano Buendia duke u marrë me peshqit e tij të artë. Bota u ndal mbi sipërfaqen e lëkurës së saj, dhe brendia nuk iu cënua më nga asnjëlloj vreri. I dhembi, pse nuk e pat bërë atë zbulim përpara shumë vitesh, kur kishte qenë ende e mundur që t’i fisnikëronte kujtimet dhe ta sodiste botën nën një dritë të re, të mos e zinin drithmat netëve kur t’i ngjitej në hundë aroma e livandos së Pietro Krespit dhe ta nxirrte Rebekën nga moçali i mjerimit të saj, jo nga urrejtja dhe as nga dashuria, por thjesht nga të kuptuarit e pakufishëm të vetmisë. Urrejtja që kulloi nga fjalët e Memes atë mbrëmjen kur qenë

shtruar në sofër, nuk e preku Amarantën ngase qe drejtuar edhe kundër asaj, por sepse e pa veten të përsëritur te një vashëri tjetër, që iu duk aq e qashtër sa ç’pat qenë ndoshta edhe ajo e vetja, megjithëse qysh atëherë kishte filluar të prishej nga mllefi. Mirëpo tani ajo ishte e pajtuar deri në atë masë me fatin e saj, saqë nuk mërzitej aspak që i ishin mbyllur të gjitha shtigjet për ta rregulluar atë fat. I vetmi qëllim i saj ishte që t’i përfundonte rrobat e vdekjes. Në vend që ta zgjaste atë punë me marifete të kota, e shpejtoi. Qysh një javë përpara, e bëri llogarinë që dorën e fundit do t’ua jepte natën e katër shkurtit dhe, pa ia treguar arsyen, i propozoi Memes - megjithëse pa sukses, - që ta spostonte në atë datë një koncert të planifikuar për një ditë më vonë. Atëherë Amaranta u përpoq të gjente ca shkaqe për t’u vonuar dyzet e tetë orë, madje pandehu se Vdekja po i lëshonte pe, ngaqë natën e katër shkurtit shpërtheu një stuhi e fortë që e la Makondon pa dritë elektrike. Por të nesërmen e asaj dite, më tetë të mëngjesit, ajo i dha fund qëndismës më të bukur që pat dalë ndonjëherë nga dora e një gruaje dhe, pa kurrfarë dramaticiteti, shpalli se do të vdiste atë mbrëmje. Amaranta e lajmëroi jo vetëm familjen, por edhe të gjithë fshatin, sepse i qe mbushur mendja që njeriu mund t’i ndreqte gabimet e veta gjatë një jete meskine, duke u bërë të tjerëve qoftë edhe një të mirë të vetme; kështu ia dha truri që nuk mund të kishte shërbim tjetër më të mirë, se sa të merrte me vete letra për të vdekurit.

Përktheu: Robert Shvarc

STUDIM TEKSTI

Nga teksti te kuptimi

1. Cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme të veprës, sjellja e Amarantës është shprehi e qartë e gjithë fshatit të mbërthyer nga vetmia. E pranon ajo si fakt këtë? Çfarë shqetësimi ka

Amaranta? Ilustrojeni me pjesë nga teksti. 2. Marrëdhënia e Amarantës me vdekjen nuk është ajo e një njeriu të zakonshëm. Pasi ta keni lexuar tekstin në këtë fokus, tregoni nëse është e gëzuar apo e hidhëruar Amaranta që data e

Vdekjes po afrohet. Ilustrojeni me shembuj nga teksti. 3. Në fund, në pragvdekje, Amaranta vendos të bëjë disa shërbime. Identifikojini ato dhe tregoni se kujt ua ofron ajo këto shërbime. Pse e bën këtë? 4. Gjeni në tekst personazhet e tjera veç Amarantës. A kanë rol të rëndësishëm apo periferik në të? Pse? 5. Lexoni tekstin disa herë dhe nëpërmjet tij mundohuni të bëni një portretizim të Amarantës me fjalët e tekstit. Kujdes: Nuk është e thënë të jenë tiparet e shprehura direkt.

Nga teksti tek analiza e ndërtimit

6. Keni mësuar se rrëfyesi është një nga pikat kyçe të një teksti. Ai krijon marrëdhënie të veçanta me lexuesin. Në mbështetje të njohurive që keni mbi llojet e rrëfyesve, përcaktoni se kush rrëfen në këtë tekst dhe në emër të kujt rrëfen. 7. Vini re ndërfutjen e zërave tregimtarë dhe shpjegoni nëse kjo e rrit apo zvogëlon besimin e lexuesit tek ajo që rrëfehet.

8. Në tekst ka një marrëdhënie të jashtëzakonshme, surreale. Dalloni elementet fantastike në të dhe metaforën me të cilën realizohet. Çfarë ndjesie përjetoni? 9. Skeleti kryesor i ndërtimit të këtij teksti është raporti Amarantë-Vdekje. Një gjë e tillë shtjellohet gjatë në tekst. Nënvijëzoni fjalitë që identifikojnë këtë gjë dhe thoni cilat prej tyre veç elementit fantastik, surreal, kanë edhe elemente të jetës së zakonshme të personazhit kryesor. Cila është ndjesia që krijoni nga ky lloj kohezioni? 10. Teksti karakterizohet nga një përshkrim me detaje të shumta. Identifikojini ato dhe dalloni raportin mes detajeve të zakonshme e të jashtëzakonshme. A krijon vështirësi në lexim apo informacioni i bollshëm nxit kureshtjen? Pse?

Nga teksti te shumëkuptimësia e fjalës

11. “Dhe ashtu ndodhi vërtet.” Kjo është fjalia me të cilën nis teksti. Dalloni fjalët që reflektojnë llojin e rrëfimtarit. Gjeni të dhëna të tjera në tekst për këtë. 12. Fjala vdekje shkruhet me të madhe në tekst. Pse mendoni se është bërë kjo përzgjedhje nga autori? Çfarë ndjesie ju zgjon kjo? Jepni ngjyrat e imazhit që krijoni pas këtij leximi. 13. Gjeni fjalët që lidhen me gjendjen shpirtërore të Amarantës. Janë më shumë emra apo folje?

Si ka qenë ndër vite ajo dhe a i vjen keq apo vazhdon me ftohtësinë që e karakterizonte gjatë jetës? 14. Dalloni përdorimin dhe referencën e fjalës “fat” në vepër. Vini re përdorimin e saj në jetën tonë të zakonshme dhe në këtë tekst, duke iu referuar edhe strukturave që gjenden në “Fjalorin e gjuhës shqipe”. Shpjegoni ndryshimin dhe thoni nëse realizohet metafora e çfarë ndjesie ju krijon ajo. 15. “Bota u ndal mbi sipërfaqen e lëkurës së saj, dhe brendia nuk iu cënua më nga asnjëlloj vreri. I dhembi, pse nuk e pat bërë atë zbulim përpara shumë vitesh, kur kishte qenë ende e mundur që t’i fisnikëronte kujtimet dhe ta sodiste botën nën një dritë të re…” Dalloni figurën kryesore që realizon këtë tekst. Vini re shtrirjen e saj dhe thoni çfarë kuptoni me këtë trop dhe çfarë tregon ajo për karakterin e Amarantës.

Nga teksti te përdorimi

16. “Vdekja kishte qenë aq reale dhe aq njerëzore, saqë njëherë iu lut madje Amarantës që t’ia shkonte perin në gjilpërë.” Dalloni metaforën e krijuar nga ky përdorim. Cili tipar i realizmit magjik shfaqet? 17. Gjeni në tekst grupet që përdoren për të dhënë ftohtësinë me të cilën e trajton Amaranta përgatitjen për vdekje. Përjetoni ironi apo sarkazëm në raport me konceptin tuaj mbi jetën dhe vdekjen? 18. “Jetë meskine”. Çfarë kuptoni me këtë grup fjalësh që gjendet në tekst në lidhje me karakterin e Amarantës? Referojuni kuptimit të mbiemrit meskine në “Fjalorin e gjuhës shqipe” dhe vini re ngjashmëritë apo ndryshimet me përdorimin e saj këtu. 19. “…jo nga urrejtja dhe as nga dashuria, por thjesht nga të kuptuarit e pakufishëm të vetmisë.” Cili koncept paska qenë shqetësimi kryesor i Amarantës? A krijon kontrast me antitezën urrejtje - dashuri dhe cila është ndjesia juaj në këtë kontekst? 20. Gjeni pjesën ku përdoret fjala “mllef”. Perifrazojeni atë dhe shpjegoni pasojat e saj në jetën e

Amarantës.

Nga teksti te reflektimi

21. Në fragment Vdekja shfaqet në një mënyrë mjaft njerëzore, pa britma frike, madje me tone humori (pjesa kur ndihmon të shkojë perin në gjilpërë). Një paraqitje e tillë thamë se është pjesë e stilit të realizmit magjik. Diskutoni në lidhje me ftohtësinë e këtyre përshkrimeve e përjetimeve që jepen në tekst. A ju duken normale? 22. Vdekja është një proces normal në jetën e njeriut. Gratë tona kur martoheshin merrnin në pajë edhe rrobat e vdekjes. Po kështu populli thotë: “Të tan bijt e dekës jena”. Çfarë tregojnë këto fakte për perceptimin e vdekjes në psikologjinë popullore (Pyesni edhe gjyshërit në shtëpi.) 23. Amaranta mundohej të zgjaste momentin e vdekjes, megjithëse e di se nuk mundet. A mendoni se qenia njerëzore e ka të parashkruar fatin e vet, apo e vendos vetë atë? Diskutoni në klasë. 24. Në një pjesë të fragmentit Amaranta pranon se ka kuptuar më në fund se vetmia ka qenë ai element i jetës i mjaft prej njerëzve të njohur dhe asaj gjithashtu. Madje edhe përkushtimi për të bërë një punë të caktuar me detaje të imta lidhet pikërisht me këtë fakt. A mendoni se njerëzit punojnë, përkushtohen dhe sakrifikojnë vetëm për t’i ikur vetmisë? Nëse jo në të gjitha rastet pse i bëjnë këto gjëra? 25. Si ju duket jeta e Amarantës? Si do të dëshironit të ishte jeta juaj deri në fund? Bëni një listë të gjërave që do të dëshironit të bënit gjatë gjithë jetës suaj dhe lexojini në klasë.

Nga teksti te të shkruarit

26. “Vdekja kishte qenë aq reale dhe aq njerëzore, saqë njëherë iu lut madje Amarantës që t’ia shkonte perin në gjilpërë.” Më lart kemi sqaruar se kjo fjali dhe të tjera kanë si veçori ndërthurjen e fantastikes, surreales, në një kontekst real. Krijoni vetë një paragraf me ndërtim të ngjashëm, në të cilën metafora ndërtohet nga fjala “jetë”. 27. Vdekja, jeta, e bukura, e shëmtuara janë koncepte filozofike. Zgjidhni njërin nga dy konceptet e fundit dhe, pasi të krijoni një paragraf, si te ushtrimi 1, si dhe teksti i

Markezit, zgjerojeni, duke realizuar një tekst me të. Prezantojeni në klasë dhe sqaroni montimin e së jashtëzakonshmes me të zakonshmen, detajet e shumta, metaforën kryesore mbi të cilën ngrihet teksti, fushën semantike që haset më shumë, fjalitë e shumta me folje në të pakryerën e në vetën e tretë si zëdhënëse të vetave të para. Le të jenë nganjëherë të rrëmujshme detajet e veçanërisht të çuditshme. Po imitoni Markezin.

This article is from: