
19 minute read
Drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi i teksteve
Gjuhë
Drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi i teksteve
Advertisement
Teksti i shkruar dhe i folur ka një mënyrë të caktuar drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi. Ai nuk është i njëjtë për të dyja këto raste dhe veçanërisht, për tekste që u përkasin stileve e ligjërimeve të ndryshme. Kështu, një tekst ku përdoret gjuha standarde (pra, tekstet e stilit shtetëror-administrativ, që i përkasin administratës shtetërore dhe sistemit legjislativ, si dhe tekstet mësimore të niveleve të ndryshme) duhet t’iu përmbahet normave të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit që parashikohen nga standardi. Sipas këtij të fundit, fjalët shkruhen ashtu siç shqiptohen, veçse ky shqiptim i referohet një varianti të përzgjedhur si standard. Rregullat për të mësuar se si shkruhen këto lloj tekstesh u mësohen nxënësve në shkollë. P.sh., në një tekst shkollor jepen rregullat e drejtshkrimit: emrat me -ant, -at, -ent, -it, -ont, kur shënojnë frymorë, shkruhen në shumës më -ë: aspirantë, elefantë, doktorantë, kursantë etj.; argatë, delegatë, diplomatë, labeatë; klientë, studentë, gjirokastritë, semitë, kontë etj. Këto rregulla respektohen nga shkruesit formalë: Në kopshtin zoologjik kishte shumë elefantë, të cilët do të ishin në qendër të hulumtimit të studentëve doktorantë përgjatë një kursi tremujor. Si aspirantë të lirisë së kafshëve, studentët në fjalë do të trajtonin mënyrën se si ndikon një hapësirë e ngushtë në ndryshimin e sjelljeve të elefantëve.(N. Çaushi); por edhe nga shkrues të tjerë, të cilët zgjedhin t’i respektojnë në shkrimet e tyre: Një vështrim prapavajtës për politikën shtetërore në letërsi, në art e kulturë në periudhën ideokratike sot është mjaft i vështirë për t’u kuptuar, sepse kontrolli mbi krijimtarinë në shoqëritë e mbyllura arrin në kufij të tillë që vetëm në kontekstin e një absurdi të përgjithshëm mund të pandehet i besueshëm. (Sh. Sinani)
Problematika drejtshkrimore në tekste
Një tekst i shkruar apo i folur, që nuk u përket kategorive të mësipërme, por i përket p.sh. ligjërimit të shkujdesur, nuk përdor standardin gjatë shqiptimit apo gjatë shkrimit, pasi nuk e ka të detyrueshme atë, sepse është një ligjërim që e kryen komunikimin pa u kufizuar nga normat e standardit. P.sh.: shkova t’marr buk. Harrova se duhesh vu maska dhe hyna n’dyqan. As e kisha menien fare. Ajo, m’tha, shitsja pra, vene maskën. Në këtë kontekst, shpesh vihen re përdorimet dialektore, variante gjuhe që u përkasin shtresave shoqërore dhe grupmoshave të ndryshme, në të cilat dallohen edhe struktura sintaksore të caktuara, që janë pjesë vetëm e një grupi folësish edhe brenda të njëjtit lloj ligjërimor. Kështu, fjalia Ma hoqe pinin i përket ligjërimit të shkujdesur të adoleshentëve, kurse mosha më e rritur e ka analogen Ma hoqe trurin/trunin. Në këto lloje tekstesh, shpesh vihen re mungesa të ë-ve fundore të fjalëve, që janë normë e standardit. Në një pjesë rastesh kjo kompensohet me gjatësinë e zanores së theksuar. Kështu, përemri vetor unë në shqiptimin e ligjërimit të zakonshëm nuk del me ë në fund. U-ja në këtë rast del më e gjatë sesa kur përemri shqiptohet me ë në fund. Ligjërimi i shkujdesur shfaq probleme edhe në lidhje me koherencën dhe kohezionin. Në mjaft raste, vihen re elipsa sintaksore. Fjalitë janë më të shkurtra. Në këto komunikime intensifikohet edhe komunikimi me figura të retorikës, si edhe me anë të shenjave të
tjera jogjuhësore. Rast shumë i pranishëm është komunikimi në WhatsApp, i cili ka si parim bazë komunikimin e atypëratyshëm.
Alma dhe Blerta, 17 vjeçe:
Alma: mjep pk nmr e Sonit Blerta: 06982.... Alma: flm Blerta: tlut asgj (emoji: dy buzë)
Në një variant të përdorimit të shqipes së saktë do të ishte: – Zemër, më jep pak numrin e Sonit. – 06982.... – Faleminderit! – Të lutem! Të puth.
Ndërsa dy burra të moshës 48/50 vjeç: A: a pr shkdr locen je tu fol ar zylyfa (Je duke folur për Shkodrën dashurinë, nënën, loken etj., more ballukemënjanë?) B: po mer naqe me tthn zog i sajna (Po, mor djalë, me të thënë zog i saj.)
Letërsia artistike dhe marrëdhëniet e saj me drejtshkrimin e drejtshqiptimin
Ligjërimi që shmang më shumë normën e standardit dhe në mënyrë të qëllimshme rregullat gramatikore, është letërsia artistike, e cila ka rregullat e veta të drejtshkrimit dhe drejtshqiptimit, që përcaktohen nga stili specifik i një autori të caktuar. Këto tekste nuk e kanë të detyrueshme normën që parashikon standardi, pasi janë krijime individuale të një autori të caktuar, i cili për qëllime estetike krijon struktura, fjalë etj., që mund të mos jenë pjesë e standardit. Këto tekste gjithashtu mund të jenë të shkruara në dialekt. Ky i fundit mund të përpunohet edhe nga idiolekti i autorit, duke dhënë një variant krejt të papërshkruar në gramatikat, që ju keni mësuar (Kini parasysh dadaistët, që krijuan simbole nga gjuha e fëmijëve.). Në këtë kontekst, drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi në raste të caktuara krijon një tekst me koherencë dhe kohezion shumë specifik edhe nga ligjërimi i zakonshëm. a) Po sjellim një shembull nga Luka Patela (Luca Patella) (artist, piktor i specializuar në decoupage - teknikë e pikturës moderne) Dinamizmi Funksioni (pak trilluese) materiali personazhi dhe vendi
.. i jetës libri (o stili mendor o nëse e keni parë`:)

Kjo është një poezi pa titull, që paraqitet si bashkësi fjalësh në liri të plotë: mungon një folje çfarëdo, siç mungojnë shenjat e pikësimit, me përjashtim të dy pikave që, në vetvete përbëjnë vargun e shtatë, dhe një kllapë në dy vargjet e fundit, në mënyrë të çuditshme. Duket e papranishme qoftë koherenca logjiko-kuptimore, qoftë kohezioni, mungojnë elementet lidhëse mes pjesëve: vërehet vetëm një lidhëz dhe në vargun e gjashtë, që duket sikur do të mbyllë një enumeracion, por që në fakt mbetet i hapur, sepse pasohet nga disa pika. Për ta kuptuar më mirë ndërtimin gramatikor dhe stilistik dhe normat e tij në një tekst letrar, po rikujtojmë shkurt konceptet e koherencës dhe kohezionit. Në këtë kontekst, marrëdhëniet kuptimore dhe lidhjet kohezive në tekstet letrare mund të realizohen në mënyra të ndryshme nga e zakonshmja, dhe kjo sidomos në tekstet poetike: në pjesën më të madhe të tyre, kuptimi i një teksti varet shumë nga konteksti, kurse qëndrueshmëria logjike e tij përputhet me synimet e dhënësit të këtij teksti. Kohezioni në tekste letrare zgjerohet deri në përfshirjen e nivelit ritmik dhe fonik; masës së vargjeve dhe rimave që i lidhin në një paralelizëm të fortë e përsëritje (deri në variacione minimale) të vargjeve të të njëjtit tip dhe me theksa të pozicioneve të njëjta; me rima (përsëritje të njëjta tingujsh në fund të çdo vargu duke u nisur nga tingulli i fundit dhe theksi); me asonanca dhe konsonanca; me aliteracione.
Koherenca është një term i gjuhësisë së tekstit që përdoret për t’iu referuar marrëdhënieve kuptimore midis fjalëve, fjalive dhe paragrafëve të një teksti. Në saje të këtyre marrëdhënieve, teksti krijon qëndrueshmëri logjike dhe semantike për lexuesin apo dëgjuesin. Analiza e tekstit për gjetjen e koherencës përqendrohet kryesisht në mënyrën se si është ndërtuar, renditur, konfiguruar kuptimi në një tekst. Koherenca e tekstit mund të krijohet mbi bazën e një rendi
logjik, kronologjik, shkak/pasojë
etj. Kohezioni i referohet mënyrës se si organizohet materiali gjuhësor i niveleve të ndryshme, sipas tipareve të teksteve të ndryshme. Duke marrë parasysh lidhjen formale dhe kuptimore midis thënieve që përbëjnë një tekst, ne kemi hyrë në fushën e kohezionit dhe koherencës.
b) Le ta vërejmë te një nga prozat e Kadaresë. Xhadeja zbriste e zbriste poshtë duke gjarpëruar e duke u mbledhur kular rreth maleve... Herë pas here, tek zbrisnin, gjenerali kthente kokën pas. Ato po largoheshin gjithmonë e më tepër. Konturet e tyre bëheshin më abstrakte, më pak kërcënuese. Gjenerali i vështronte me një mënyrë të tillë sikur t’u thoshte: “Tani mbaroi presioni juaj. Ju ika, ju ika.” Pastaj, në orët e dremitjes në makinë, befas e zinte një frikë e turbullt. I dukej sikur malet do të zgjatnin dorën e tyre të akullt për ta kthyer përsëri atje në grykat e tyre.
(I. Kadare)
Vërehet se kuptimi i pjesës vërtitet rreth referentit malet. Ngarkesa kuptimore që merr shenja malet, varet shumë nga rendi logjik i fjalëve. Në rimarrjen në të folur të këtij fragmenti, padyshim, që folësi ruan referentin dhe përemrat-deiktikë. Është e dukshme referenca e shenjuesit malet, nëpërmjet përsëritjes. Që të mos përsëritet gjithmonë referenti malet, ai zëvendësohet me fjalë të tjera. Këto fjalë që përsëriten (me bold) i përkasin kategorisë gramatikore të përemrit. Ky zëvendësim shmang monotoninë, që mund të shkaktohet nga përsëritja. Gjithashtu, vëmë se mënyra e lidhjeve realizohet qoftë nëpërmjet mjeteve të gramatikës (pjesët e nënrenditura të fjalive dhe plotësit

kuptimorë), leksikut (shmangiet kuptimore që fitojnë fjalët gjatë përdorimit), semantikës (shenjave dhe fushave të tyre). c) Është fakt që shumë poezi moderne janë të ndërtuara pa rima, por le të lexojmë këtë kompozim të Ali Podrimjes, njohës i mirë i traditës sonë poetike dhe njëkohësisht, novator në gjuhën e poezisë shqipe.
gurron guri në gurë gurësh guro guroje gurin në gurinë ç’gur pranë gurit gur guri vrimë e parë e fyellit tim. Unë jam atje ku është kënga ime (A. Podrimja) Vijimësia kuptimore në këtë poezi, zhvillon mes rimave dhe tingujve një metonimi të ndërthurur me aliteracionin. Prania e varianteve semantike të së njëjtës bashkësi fonetike bën që mosekzistenca e një rime të pastër, klasike të mos ndihet si pengesë, por si çlirim. Të fshehura dhe si të manipuluara, rimat e brendshme priren të përsëriten dhe, në fakt, përsëriten edhe këtu, të paktën si rima të brendshme ose të fshehura: vendosja e fjalës guri në disa formate gramatikore: guri-gurin-gurit-guri, e ngarkuar me peshën e metonimisë (afrisë semantike figurative) përgjatë secilit varg, e shmang monotoninë tingëllore pikërisht përmes ritmit që përcjell rima mbështetur në bashkëtingëllore. Përsëritja e sekuencave tekstore në brendësi të të cilave lëviz i njëjti kuptim, ndonëse veshja tingëllore ndryshon, fonetikisht ndërfut rimën: gurron-guro (theksi në të njëjtin pozicion). Në vargun e katërt, interesant është rimimi nëpërmjet theksit që, brenda së njëjtës fjalë, lëviz dhe mbyllet gúrit-gúr-gúrit. Kjo lëvizje theksash është pjesë e lëvizjeve kuptimore, por nga ana tjetër, duke qenë se vargu mbështetet në një numër të kufizuar bashkëtingëlloresh, e realizon ritmin nëpërmjet kombinimeve të tyre me theksin. Sigurisht, meqë janë kaq të brendshme, këto rima rrezikojnë të mos perceptohen, por ama është ritmi që e bën lexuesin partner të këtij lloj teksti poetik. Kjo është një nga mënyrat me të cilat poezia shqipe e ka zhvilluar pjekurinë e saj, siç pohojnë studiuesit: forma është hapur në të gjitha mundësitë për të pranuar çdo trajtim tematik e formal. Këta paralelizma fonikë të pashmangshëm, natyrshëm kanë lindur brenda vetë poezisë dhe e bëjnë atë kaq të lidhur dhe të pranueshme, ndonëse e dimë mirë se në shumë raste, në poezinë moderne, përsëritjet e rimave dhe vargjeve të së njëjtës masë nuk ekzistojnë ose duken sikur nuk ekzistojnë. Veç kësaj, duhet kujtuar se në poezi mund të vihen në diskutim mjete normale të kohezionit dhe koherencës që lidhin me njëratjetrën fjalët e një teksti. Megjithatë, në disa tipa diskursesh, të folur apo të shkruar, sidomos për të nënvizuar dhe theksuar enumeracionet dhe argumentimet, mund të përdoren figura retorike të përsëritjes së fjalëve të njëjta si anaforat, që konsistojnë në përsëritjen e së njëjtës fjalë, në të njëjtin pozicion, në thënie të njëpasnjëshme. Shembull më i zakonshëm i anaforës në tekst letrar është ai te poezia “Anës detit” e Fan Nolit, ku shohim që gjithë strofa e parë (dhe jo vetëm) hapet me të njëjtën fjalë (anës). Por anaforat janë shumë të përdorura edhe në hapjet e fjalimeve publike, të cilat fitojnë kështu një aspekt goditës dhe ngulmues (falë përsëritjes së të njëjtës skemë sintaksore, rezulton i thjeshtësuar qëllimi i fjalimit). Gjuhë
STUDIM TEKSTI
1
Verifikoni njohuritë
1. A varet drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi i teksteve nga stilet dhe ligjërimi? Pse? 2. Tregoni se në cilat raste një tekst nuk shkruhet ashtu siç shqiptohet. 3. A është gjuha standarde një normë e detyruar për t’u respektuar nga gjithkush? Nëse jo, në cilat raste ajo nuk respektohet? 4. Si ndikon koherenca dhe kohezioni në drejtshkrim e drejtshqiptim? 5. Ilustroni me shembujt e tekstit raportet e drejtshkrimit e drejtshqiptimit me koherencën dhe kohezionin. 6. Shfrytëzoni internetin për të dëgjuar diskurse të llojit politik apo social. Hulumtoni drejtshqiptimin në to. Mbani shënim gabimet dhe analizoni, sipas mendimit tuaj, arsyet e këtyre shkarjeve.
Ushtrohuni përmes tekstit
7. Lexoni tekstin e mëposhtëm. Siç u ba e ditun qysh në fillim të këtij mueji, Robert Elsie e kishte nji amanet (testament). Testamenti ishte që me u varrosë në truellin e mitologjisë shqiptare: në Theth. Në medie të ndryshme u dha lajmi se nga qeveria shqiptare kishin nisë negociatat për pritjen e trupit të albanologut, si edhe nderimet përkatëse. Njëkohësisht shtypi i huej (New York Times, The Washington Post etj.) përcolli lajmin se shqiptarët do ta çonin në vend dëshirën e mbrame të Elsie-t. Dëshira e tij, përpos veprave, dëshmon për përkushtimin e devotshëm të këtij studiuesi për kulturën shqiptare deri në momentin e fundit të jetës së tij. ............... Arkëmorti i Elsie-t bartet nga thethianët e të pranishmit dhe avitet pranë lterit modest të Kishës. Janë ata banorë të cilët thonë në kor lutjen që zoti “me i dhanë atij pushimin e pasosun” dhe që “shpirtin e tij me shndritë drita e pambarume”. ... Me kostum tradicional, qeleshe, u vorrue në trojet e zanave dhe të miteve shqiptare: aty ku bahej gjama e burrave e aty ku pat këndue n`lëhutë të butë Gjergj Pllumi....pranë atyne njerzve që i desh deri në fund. (Lizandri Kola)
a) Evidentoni gjuhën e fragmentit. Cilit lloj ligjërimi i përket ajo? Pse? b) Duke përdorur Fjalorin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, dalloni raportin e këtij teksti me standardin. Si qëndrojnë dy variantet përballë njëri-tjetrit? Për të argumentuar punën tuaj mbështetuni te: rregullat e sintaksës; rregullat e leksikut; rregullat e formave foljore. c) Ky largim nga standardi a e ka dëmtuar kuptimin dhe informacionin që sjell teksti? Pse? d) Kemi pohuar se për të nënvizuar dhe theksuar enumeracionet dhe argumentimet, mund të përdoren figura retorike. Identifikojini ato në tekst dhe argumentoni ndjesitë që ju përcjellin. A luajnë rol ndërtues këto figura? Si është zhvilluar kuptimi i tyre në këtë përdorim? e) Me ndryshimin e kuptimit (pasurimin e tij), fjalët në disa raste ndryshojnë klasë dhe formë.
Gjeni syresh dhe thoni rregullat e tyre drejtshkrimore.
2
f) Kthejeni këtë tekst në gjuhën standarde. Mendoni se tingëllimi emotiv dhe kuptimor janë të barasvlershëm me variantin origjinal? Pse? Argumentoni mendimin tuaj, duke përdorur përfundimet që arritët gjatë analizës së mësipërme. 8. Lexoni tekstin.
Kur më erdhi ky e-mail, isha fare e papërgatitur për t’u përballur me ankthet dhe makthet e një adoleshenti. Për më tepër me sfidën e madhe që të isha unë personi i duhur nga i cili ai priste ndihmë... U kisha kërkuar një ese dhe më vjen një alarm. “Më ndihmo! Keq fare jam ngatërruar keq. Kam ngec... mbase në kohën, por jo them në kokën time. Jam i pushtuar nga dyshime, dhe... për s`kam një zgjidhje të gjej... po ça po ndodh... kam frikë se, sikur të mundja të bëja, po nuk po bëj gjëra që nuk i ndiej. Nuk më kuptojnë, se edhe faji im mund të jetë... Prit. Prapë u ngatërrova. Një sekondë. Të mbledh veten. Të shkruaj qartë. Unë nuk arrij ta kuptoj atë që vetë provoj. Asgjë nga vetvetja nuk më kënaq e nuk më pëlqen. Unë nuk jam unë. Kuptoj që fjalët e mia nuk bëjnë veçse tradhtojnë turbullirën brenda meje. Turbullirën për një trup që ndryshon, pa arritur ta kontrolloj. Unë jam siç nuk jam, kam frikë. Humori më është shkatërruar. Kam frikë se më gjykojnë. Kam frikë se nuk më pranojnë. Jam mes dilemash të tmerrshme: sa ç’më tërheq aq edhe më shtyn tutje dëshira për t’u përballuar me seksualitetin tim. Kështu, në një mënyrë a në një tjetër, besoj se veprimet e mia janë në urdhrat e frikës sime, pasigurisë. E unë nuk kam fuqi të jem plotësisht vetvetja. Nuk kam kurajën të rrezikoj. Nuk po arrij ta jetoj moshën time me plotësinë e saj. Unë ndihem i burgosuri i një kohe të cilën nuk di si ta jetoj.” Ç’ishte më e vështirë: nevoja për ta justifikuar, apo tentativa për t’i ringjallur sfidat? Atëherë, iu ktheva fëmijërisë së brezit të tij. Mes shumë filmave që kanë përshkruar aq thjeshtë dhe qartë kaosin e mendimeve dhe ditëve të një adoleshenti, është njëri që mua më ka pëlqyer gjithmonë shumë: Kung Fu Panda. Në ju vjen në mendje, është një Panda tërë tul, të cilit fati i kishte paracaktuar të bëhej Luftëtari Dragua, me pak fjalë, Mjeshtri i Madh i Kung Fusë. Një fat madhështor, por te i cili nuk besonte thuajse asnjë: as mjeshtri i tij, as shokët e luftës e as Panda vetë, sigurisht. I vetmi që arriti t’ia ngjallë shpresën dhe ta bindë se ai mund t’ia dalë mbanë, është babai i Pandës kur i tregon se ajo që e kishte quajtur gjithmonë “përzierës sekret” në supën e tij të mrekullueshme, në fakt, nuk ekzistonte fare. “Nuk ka asnjë përzierës sekret. Askujt nuk i duhet një përzierës sekret. Për ta bërë diçka speciale, duhet vetëm të besosh që ajo është vërtetë speciale.” ...sepse adoleshenca, mbase është një moshë, e bërë pikërisht për këtë gjë: për të kuptuar se si të çlirohesh nga frikërat dhe pasiguritë, për të mësuar si të rrezikosh për atë që vërtet ia vlen. Mes vështirësive, mes pengesave, trishtimit, frikës, pasigurisë, gjithë ngatërresave që kërkojnë të të zhysin, gjithmonë do të ekzistojë e bukuria e jetës që shkëlqen gjithkund. Emocionet më të thella nuk rrëfehen, jetohen. Por adoleshentët janë artistët e moshës së tyre, u rri shpirti një hap para trupit.
(N. Poroçani)
a) Diskursi i mësipërm ka në qendër një komunikim të shkruar i cili, nisur nga kriteri drejtshkrimor, paraqet disa probleme: pjesa e parë e e-mail-it të adoleshentit, e shkruar nën trysninë e emocioneve, i shpërfill rregullat e drejtshkrimit. Pasi ta lexoni me vëmendje tekstin, ndaluni në pjesën e parë të e-mail-it. Evidentoni në fletore problemet drejtshkrimore që shfaq ajo. Rishkruajeni këtë pjesë, duke i sistemuar ato sipas rregullave të drejtshkrimit.
3
b) Lexoni me zë pjesën e parë të letrës. I ardhur në formën e ligjërimit të folur, një diskurs duhet të ruajë gjuhën standarde, por edhe të shfrytëzojë mjete shprehëse për përputhshmërinë me synimin. Rreziku i diskurseve të folura është gjithmonë mungesa e koherencës në drejtshqiptim. A kanë përshtatje morfologjike fjalët në tekstin e mësipërm? Analizoni këtë lidhje të formës gramatikore. Si do të jetë intonacioni i saj? Po drejtshqiptimi? A lidhet drejtshqiptimi me gjendjen psikologjike të folësit? c) Në përputhje me synimin e diskursit, dhënësi i mesazhit përdor përsëritjet. Drejtshqiptimi i tyre lidhet ngushtësisht me tempin dhe emocionin e folësit. Si përsëriten togjet e fjalëve në këtë diskurs, me të njëjtin kuptim, apo duke ua rritur kuptimësinë? Kur kthehet në diskurs të folur, si reflektohen shenjat grafike? d) Në pjesën e dytë të e-mail-it, dhënësi ndërgjegjësohet dhe kalon në një tjetër stil të shkruari. Cila është thënia që e realizon këtë kalim? A funksionon ajo si mjet lidhës mes dy pjesëve? Lidh vetëm mënyrën e të shkruarit, apo edhe mendimin? Argumentoni fjalën tuaj, duke përdorur të dhëna e detaje nga teksti. e) Përgjigjja që i kthen mësuesi nxënësit është e ndërtuar mbi bazën e alegorisë. Për të realizuar këtë, mësuesi përdor emrat e personazheve të filmave vizatimorë. Si janë shkruar ato? A janë krejtësisht në përputhje me mënyrën se si shkruhen emrat e huaj në tekste shqipe? Argumentoni përgjigjen tuaj me shembuj të marrë nga Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe. f) Përmblidhni paragrafin e fundit në një fjali të vetme. A ju ndihmon vijimësia kuptimore për ta realizuar këtë përmbledhje? Pse? Rendi i fjalive është: logjik; kronologjik; shkak-pasojë; ∆ tjetër. 9. Lexoni tekstin.
Çështja e të studiuarit jashtë vendit ose më saktë në vendet perëndimore është tepër e me interes dhe jo vetëm për studentët shqiptarë. Sot, nëpër universitetet e njohura të SHBA-ve dhe vendeve të Evropës Perëndimore janë të shumtë studentët shqiptarë, madje janë edhe studentë që po shkëlqejnë me rezultatet e tyre të shkëlqyeshme. Nuk është i vogël, as numri i atyre që tashmë i kanë mbaruar studimet e tyre, qoftë themelore, master apo edhe doktoraturë. … Si është të jesh student sot në një universitet prestigjioz të perëndimit? Fillimisht, duhet pranuar se është një ndjenjë e bukur dhe shpresëdhënëse, së pari për veten e pastaj për familjen, miqtë dhe gjithashtu edhe për kombin, sepse një ditë do të kesh mundësinë t’i shërbesh vendit dhe popullit tënd, me një përvojë dhe dije më të mirë. …Të jesh student tani duhet që të mendosh mirë për të ardhmen tënde. Mirëpo gjithsesi është mirë dhe ndjenjë e bukur, të studiosh dhe të përgatitesh për sfidat e jetës në vendet që kanë traditë në fushën e jetës profesionale. Së pari, nuk duhet t’i frikësohemi jetës, sepse me ketë diplomë që merr në këto vende, ke siguruar një pagë dhe një punë në vendet ku jeta çmohet dhe respektohet, pra në vendet perëndimore. Këtu duhet shtuar se shqiptarët sot kanë arritur të punojnë dhe po punojnë në institucione prestigjioze ndërkombëtare, kështu edhe imazhi ynë po bëhet më i mirë. Ana tjetër e kësaj medaljeje është se duke u rritur numri i atyre që përgatiten jashtë vendit dhe, fatmirësisht ky numër po rritet vit pas viti, bën që edhe logjika e paarsyeshme të ndryshojë. Shkurt e shqip, kjo kategori e qytetarëve është e nesërmja e mbarë, ngase këta njerëz do të ndikojnë që, çdo gjë ta ketë arsyen dhe atdheu të jetë siç e ka hije një vendi demokratik, ku dija e ka vendin në ballë të vendit. Dija do të jetë në ballë të kombit, ketë dua ta besoj.
Jeton Kelmendi
a) Ky tekst i përket ligjërimit libror. Kushtet e komunikimit të ligjërimit libror, ndër të tjera janë edhe marrëdhëniet shoqërore që përcaktojnë situatën. Duke u nisur nga ky pohim, cila është audienca e këtij teksti? Në cilën shtresë shoqërore bëjnë pjesë marrësit e tij? A përcakton kjo gjë drejtshkrimin e këtij diskursi? b) Në ngulitjen e gjuhës së shkruar në stilin libror, luajnë rol të rëndësishëm dukuritë e koherencës dhe kohezionit. Përcaktoni mjete lidhëse në këtë tekst. A janë përdorur drejt ato? c) Shpjegoni se si arrijnë këto mjete lidhëse të sigurojnë saktësi në vijueshmërinë e mendimit.
Ndaluni te grupi “shkurt e shqip”. Në cilat funksione del ai në këtë lloj ligjërimi? A mund ta zëvendësojmë atë me një fjalë të vetme, pa e prishur koherencën e ligjërimit? d) Shumë rëndësi në ligjërimin libror merr tematika e diskursit. Të gjitha grupet leksikore që dalin në këtë fushë, madje edhe terminologjia speciale, janë në përputhje me tematikën.
Përcaktoni tematikën e këtij diskursi. A gjejmë në të fjalor specifik? Nëse po, a e përcakton ai llojin e marrësit të këtij diskursi? e) Shpesh, lidhjet kuptimore brenda tekstit realizohen edhe nëpërmjet hiperonimisë, e cila është përdorimi i një fjale që ka një kuptim më të gjerë se fjala e përdorur, p.sh. përdorimi i fjalës lule në vend të përdorimit të fjalëve specifike trëndafila, luledele, jargavanë, orkide, tulipanë.
Duke analizuar lidhjet kuptimore dhe fushat semantike të fjalëve, ndërtoni një bashkësi si në matematikë. Cilat janë elementet e saj? Po emri i bashkësisë? Duke u nisur nga kjo lidhje, argumentoni se si e realizon hiperonimia vijimësinë kuptimore të tekstit. f) Inskenoni një mjedis publik. Ndërtoni fjalime publike me qëllime të përafërta me ato të tekstit më lart. Ligjërojini ato para shokëve. g) Mbani shënime për rastet kur ka mungesë koherence në përmbajtjet e tyre.
Analizoni shkaqet.
Sfida e të shkruarit
10. Kohezioni dhe koherenca si dy dukuri që plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk funksionojnë pa njëra-tjetrën, janë kusht i rëndësishëm në drejtshkrim dhe drejtshqiptim.
Trajtojeni këtë tezë në një ese argumentuese, duke sjellë edhe antitezën e saj. Përdorni argumente nga tekste të ndryshme.
