46
ABC Tirana Club
Mbi gjetjet e anketës me konsumatorët Anketa me konsumatorët, për të cilën folëm më gjerësisht më sipër, ishte produkti i parë konkret që tërhoqi vëmendjen e medias. Gjetjet e anketës fillimisht u prezantuan në faqen online të ABC Tirana Club (www.abctiranaclub.wordpress.com), si dhe në llogaritë e rrjeteve sociale të saj, në FB dhe INSTA. Më pas dy media shkruan artikuj mbi realizimin e anketës, e përditshmja KOHA JONË dhe platforma online DRONI.AL. KOHA JONË shkruante mes të tjerave dhe se anketa “është pjesë e një projekti që po realizon Qendra studentore ABC Tirana Club, duke u përfshirë në një prej fenomeneve më negative të tranzicionit shqiptar: niveli i lartë i qarkullimit të parasë fizike në ekonominë shqiptare. Preferenca për para fizike, lidhet me shkallën e lartë të informalitetit në ekonominë shqiptare, por dhe me fluksin e lartë të parave që hyjnë në vend nga aktivitetet e jashtëligjshme, të cilat më pas kanalizohen në ekonomi, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Bazuar në statistikat zyrtare gjatë korrikut të këtij viti, sasia e parave cash në vendin tonë ishte 324.4 miliardë lekë, që është 41 miliardë lekë më shumë se sa korriku 2019. Projekti studentor synon dhe zhvillimin e një fushate informimi dhe ndërgjegjësimi për reduktimin e parasë cash, si dhe organizimin e një forumi diskutimi, ku veç studentëve do të jenë pjesëmarrës dhe pedagogë e ekspertë të fushës, përfaqësues të medias etj. Për realizimin e këtij projekti studentor ABC Tirana Club po mbështetet nga Raiffeisen Invest, si dhe po bashkëpunon me Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës”.