9 minute read

HYRJE

Sado që të flitet për industrinë e TIK1, asnjëherë nuk do të mund të thuhet e tëra. Kjo për arsyen se kjo fushë është zgjeruar aq shumë dhe ka shtrirë ndikimin e saj në pothuaj të gjitha fushat dhe industritë tjera. Fatmirësisht, në të shumtën, ky ndikim është i mirëseardhur për secilën industri dhe për njerëzimin në përgjithësi. Është e qartë që TIK dhe interneti janë të një rëndësie vitale në ndihmën që japin për të mirëmbajtur vazhdimin e aktiviteteve biznesore, punësimin, edukimin, ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët, argëtimin, dhe socializimin. (Martin, 2021) Në dekadat e fundit, teknologjia e informacionit dhe komunikimit ka ndihmuar rritjen ekonomike dhe progresin shoqëror (Doong & Ho, 2012). Të dhënat e fundit tregojnë se në vitin 2021 rreth 4.9 miliard njerëz në botë përdorin internetin, apo 63% e popullsisë botërore. Kjo është një rritje prej 17%, apo 800 milion njerëzve nga viti 2019, që i janë bashkuar rrjetit të internetit (Martin, 2021). Vetëm kur, në vitin 2018, pandemia përfshiu tërë botën, edhe njerëzit që nuk ishin të fushës së TIK arritën të kuptojnë rëndësinë e vërtetë dhe të madhe të teknologjisë në përgjithësi e të TIK në veçanti. Me zhvillimin e teknologjisë dhe mundësinë e komunikimit të vazhdueshëm të njerëzve nga anët e ndryshme të botës, prezenca e globalizimit po vërehet më shumë se kurrë (Hoti, 2018). Me një shtrirje kaq të madhe të industrisë së TIK në botë, përveq zgjidhjeve të shumta që ofron kjo industri, parqiten edhe disa sfida. Sfidat kryesore janë: mbulueshmëria e popullsisë botërore me shërbime të TIK, aftësimi i një pjese të popullsisë për të përdorur shërbimet e TIK dhe fuqia

1 Tekonologjia e informacionit dhe komunikimit - në tekstin në vazhdim: TIK

Advertisement

punëtore që i duhet kësaj industrie. Edhe mbulueshmëria me shërbime të TIK, edhe edukimi i përdoruesve të këtyre shërbimeve, lidhen drejtpërdrejtë me fuqinë punëtore të vet kësaj industrie.

Me rritjen e nevojës për shërbime të TIK, është rritur edhe kërkesa për fuqinë punëtore të këtij sektori. Disproporcioni i kërkesës së industrisë së TIK me ofertën e tregut të punës sjellë edhe probleme për kompanitë e TIK.

Përkufizimi i problemit

Përditë e më shumë flitet për digjitalizimin e shërbimeve. Ndërkohë vetë digjitalizimi është sektor në vete. Me shfaqjen e pandemisë dhe nevojës për ruajtjen e distancës sociale, u rrit edhe nevoja për punë nga distanca që realizohet përmes teknologjisë. Teknologjia e informacionit dhe komunikimit brenda industrisë së shërbimeve, në dhjetë vitet e fundit ka shënuar një rritje shumë të shpejtë. Vetëm në vitin 2020 ajo ka pasur një rritje prej 8 % në nivel botëror (WTO, 2021). Rritja e nevojës për shërbime të TIK ka shtuar nevojën për fuqi të mirkualifikuar punëtore. Kosova me një moshë mesatare nën 35 vjet dhe me vlerat kulturore shumë të ngjashme me vendet perëndimore, me theks të veçantë njohjen e gjuhëve të huaja, ka arritur të jetë një treg i punës shumë tërheqës për botën perëndimore. Sipas odës ekonomike amerikane në Kosovë, industria e shitjes së shërbimeve jashtë vendit është një mundësi e mirë për investime (Hoti, 2018). Shërbimet e TIK dhe të kujdesit ndaj konsumatorit (qendrat e thirrjeveCall Centers) janë shërbimet që kanë ndikuar në rritjen e punësimin të të rinjëve në Kosovë. Sipas STIKK, 91.18% e kompanive të TIK eksportojnë shërbimet jashtë vendit. Tregu perëndimor është treg shumë i madh për kapacitetet që posedojnë kompanitë e TIK në Kosovë. Nevoja e madhe për fuqinë e mirëkualifikuar punëtore të sektorit të TI2 i ka shtyrë kompanitë kosovare të TI në një konkurencë të ashpër për fuqi punëtore. Këtë garë për punëtorë të mirëkualifikuar e spjegon pjesërisht edhe rritja e pagës mesatare. Nga një studim i bërë me 42 kompani të TIK në Kosovë, thuhet se; kompanitë kanë deklaruar se ka pasur rritje të pagave në vitin 2019. Paga mesatare më e lartë për vitin 2019 prej 1336 EUR i është dhënë menaxherit të zhvillimit të biznesit me rritje prej 136 EUR nga viti paraprak, e përcjellur nga menaxheri i projektit që merr mesatarisht 1106 EUR me rritjen prej 65 EUR nga viti paraprak (STIKK, STIKK Kosovo ICT Association, 2020). Ndër të tjera (po aty), ishte paraparë një trend pozitiv i rritjes së numrit të punëtorëve dhe të pagave edhe për vitin 2021.

2 Teknologji informative - në tekstin në vazhdim: TI

“Lufta për talentë” (Talent War) është bërë shprehje e njohur botërisht në fushën e TIK. Edhe për kompanitë e TIK në Kosovë, ndër sfidat kryesore është bërë rekrutimi i fuqisë së mirkualifikuar punëtore dhe plotësimi i vendeve të lira të punës. Me dhjetra pozita të lira të punës për sektorin e TIK publikohen çdo ditë në portale pune, në media sociale, në webfaqet e kompanive të TIK dhe ne kanale të ndryshme të komunikimit. Edhe kompanitë e rekrutimit janë shtuar në numër. Ato vazhdimisht kërkojnë specialist të TIK. Nëse arrijnë, si arrijnë dhe sa arrijnë kompanitë e TIK të komunikojnë ofertën për këto vende të lira të punës te tregu i punës, do të provoj, pjesërisht, të sqarojë ky punim.

Qëllimet e hulumtimit

Objekt studimi i këtij hulumtimi është mënyra e komunikimit të ofertës për vendet e lira të punës në sektorin e TIK drejtuar fuqisë së kualifikuar punëtore. Në analogji, fuqia punëtore e TIK paraqitet si konsumator ndërsa vendet e lira të punës si ofertë për ta.

Qëllimi kryesor i hulumtimit është :

Identifikimi i praktikave të komunikimit marketing, të përdorura nga kompanitë e TIK

në Kosovë, për të komunikuar ofertën (vendet e lira të punës) në tregun e punës. Komunikimi i integruar marketing është mënyra e të njohurit të tërë procesit të marketingut nga perspektiva e konsumatorit (Kotler, 2003). Përveç asaj se çka do t’i ofrojnë tregut të punës kompanitë e TIK, ato duhet të dijnë edhe si do t’ua komunikojnë ofertën e tyre tregut përkatës. Për këtë, dhe në ndihmë të qëllimit kryesor të hulumtimit dalin objektivat e hulumtimit në vazhdim.

Pyetjet hulumtuese

Pyetjet hulumtuese të këtij hulumtimi janë:

a) Cilat janë atributet e një vendi të lirë të punës që kompanitë e TIK i konsiderojnë të rëndësishme për joshjen e fuqisë punëtore. b) Si i komunikojnë kompanitë e TIK këto atribute të pozitave të hapura të punës te tregu përkatës i punës. c) Si ndryshon metoda e komunikimit të ofertës së kompanive, varësisht nga profili dhe senioriteti i fuqisë punëtore të targetuar.

Pyetjet e hulumtimit mundësojnë fokusimin në fushën e interesimit (Bell, Bryman, & Harley, 2019). Megjithëse mendohet se pyetjet e hulumtimit janë mjaft specifike, mund të ndodhë që

ato, gjatë hulumtimit, të specifikohen edhe më shumë, të dalin edhe pyetje tjera, ose edhe të fuzionohen njëra në tjetrën.

Për të mos e zgjeruar trajtimin, e kemi kufizuar numrin e pyetjeve hulumtuese. Sipas Corbin dheStrauss (2015), pyetjet hulumtuese duhet të caktojnë kufinjtë e asaj se çka do të hulumtohet. Ato duhet të parandalojnë hulumtuesin që të mos shpërqëndrohet kah çështjet e parëndësishme, të cilat mund të marrin shumë kohë dhe të jenë joproduktive për studimin.

Megjithëse pyetjet në hulumtimet cilësore zakonisht janë më të përgjithësuara, ato nuk duhet të jenë aq të përgjithësuara sa të japin mundësi të pafundme të përgjigjjeve. Qëllimi i pyetjeve është të udhëheqëin hulumtuesin në mbledhjen e të dhënave që janë të rëndësishme në sqarimin e çështjes që studiohet (Corbin & Strauss, 2015).

Metodologjia e hulumtimit

Fenomen shoqëror quhet gjithçka që ndikon në qeniet njerëzore ose që ndikohet nga qeniet njerëzore dhe që ndërvepron me to (Matthews & Ross, 2010). Një fenomen i tillë është edhe komunikmi në përgjithësi, përfshirë edhe komunikimin marketing. Qëndrimi epistemologjik i këtij punimi është zbulues dhe interpretivist. Hulumtimi është cilësor. Në punim janë përdorur të dhëna primare dhe sekondare. Të dhënat sekondare janë marrë nga literatura, ndërsa të dhënat primare janë marrë përmes intervistave të thella të realizuara me pyetësorë të pastrukuruar, me njëmbëdhjetë kompani të TIK në Kosovë. Metoda e zgjedhur e hulumtimit është Teoria e Bazuar si një nga gjashtë metodat e njohura në hulumtimet cilësore. Teoria e Bazuar, si metodë, haset edhe në hulumtimet e përziera me çasje induktive dhe deduktive; por më së shpeshti përdoret në hulumtimet me çasje induktive. Nga të gjitha modelet e hulumtimit, metodat e hulumtimit cilësor janë më së vështiri të përshkrueshme. Në hulumtimet cilësore përzgjedhja e metodave të hulumtimit kufizohet pothuajse vetëm nga imagjinata e hulumtuesit. Ndër arsyet që çojnë në përcaktimin për një hulumtim cilësor janë edhe zbulimi i fushave që nuk janë hulumtuar sa duhet dhe zbulimi i variablave të rëndësishëm që mund të përdoren në të ardhmen për hulumtime sasiore dhe për t’iu çasur studimit të fenomenit nga një këndvështrim holistik dhe gjithpërfshirës. (Corbin & Strauss, 2015) Është shumë me rëndësi të kuptohet që Teoria e Bazuar si metodë nuk synon të vërtetojë një hipotezë, por të jap përgjigjje në pyetjet hulumtuese dhe të zbulojë sa më shumë të dhëna rreth temës së hulumtimit që shpeshherë ndihmojnë në formulimin e një teorie të re.

Mbledhja e të dhënave bëhet në mënyrë iterative dhe paralelisht bëhet edhe analiza e të dhënave, të cilat orientojnë mbledhjen e mëtutjeshme të të dhënave. Gjatë hulumtimit janë bërë 11 intervista të thella me pyetësorë të pastrukuruar, me kompani të TIK në Prishtinë. Intervistat kanë zgjatur nga 20 deri në 40 minuta. Mostrimi ka qenë i qëllimshëm me tendencë për të zgjedhur kompanitë me numër më të madh të punëtorëve dhe që shquhen në opinion si kompani lidere të fushës së TIK.

Struktura e punimit

Hyrja është një paraqitje e shkurtër rreth zhvillimeve të fundit dhe gjendjes në industrinë e TIK në botë. Përkufizimi i problemit jep disa të dhëna rreth gjendjes së kësaj industrie në Kosovë dhe thekson atë që është bërë nxitje për këtë studim. Në hyrje jepen të shkoqitura edhe qëllimi edhe objektivat e studimit, me pak fjalë për metodologjinë. Kufizimet bashkë me rëndësinë e punimit e përmbyllin hyrjen. Në kapitullin e parë paraqitet rishiqimi i literaturës dhe studimet thelbësore që ndihmojnë në mbështetjen e këtij hulumtimi.Në po këtë kapitull jepen edhe disa të dhëna për gjendjen aktuale me teknologjinë informative në botë dhe në Kosovë. Kapitulli i dytë jep detaje për metodologjinë e zbatuar në këtë hulumtim. Në kapitullin e tretë dalin gjetjet dhe analizat nga hulumtimi. Kapitulli i katërt është diskutim i gjetjeve nga hulumtimi. Dhe krejt në fund, si rezultat i qartësimit të problemit të hulumtuar, dalin përfundimet me sygjerime për hulumtime të mëtejme rreth çështjes së studiuar.

Rëndësia e punimit

Rëndësia e punimit lidhet ngushtë me kontributin që punimi mund të jap për të kuptuar rolin e komunikmit të integruar marketing në fushën TIK. Ky kontribut sado i vogël, është i mirëseardhur, pasi në këtë drejtim nuk ka ndonjë studim që është bërë më herët. Të gjeturat nga ky hulumtim cilësor mund të shërbejnë në zbulimin e variablave të reja, të cilat në të ardhmen do të mund të hulumtoheshin me anë të hulumtimeve sasiore. Në të njejtën kohë, hulumtimi mund të zgjojë kureshtjen e hulumtuesve të tjerë për thellimin e hulumtimit në këtë fushë, por edhe për metodën e përdorur në hulumtim, e cila është mjaft komplekse por edhe shumë produktive. Punimi mund të jetë një nxitje e mirë për thellimin e hulumtimit të marketingut të marrëdhënieve dhe marketingut të rekrutimit në fushën e TIK. Punimi mund të jetë ndihmesë edhe për kompanitë e TIK, që të kuptojnë më mirë ambientin ku veprojnë nga aspekti i komunikimit marketing.

Kufizimet e punimit

Mungesa e literaturës për komunimin e integruar marketing të kompanive të TIK në Kosovë, e posaqërisht të marketingut të rekrutimit bëjnë që tërë hulumtimi të mbështetet në literaturën e huaj dhe në të dhënat primare të këtij hulumtimi. Autori i këtij hulumtimi është edhe intervistues dhe duke mos qenë një intervistues specialist mund të ketë anshmëri të paqëllimshme gjatë mbledhjes së të dhënave. Koha dhe burimet materiale, si në shumicën e hulumtimeve edhe këtu paraqiten si kufizime. Intervistat do të ishte mirë të jenë edhe më të gjata, por respodentët vështirë siguronin kohë për intervistë për shkak të agjendave të tyre të ngjeshura.