
3 minute read
Dëgjojmë Dhelpra dhe Lejleku
from Gjuha shqipe 3
1 Dëgjo pjesën teatrore duke mbajtur shënime për çështjet më interesante.
Akti 1, skena 1
Advertisement
(Dhelpra dhe lejleku bisedojnë në pyll. Ata i premtojnë miqësi njëri-tjetrit. Me këtë rast, dhelpra vendos të shtrojë një darkë për mikun e saj.)
Dhelpra: Jam shumë e lumtur që kam një mik si ti. Sonte do të gatuaj një darkë të shijshme. Të pres që të hamë së bashku.
Lejleku: Ndihem i nderuar nga ftesa jote. Do të vij me kënaqësi.
Akti 1, skena 2
(Lejleku pranë shtëpisë së dhelprës. Nuhat në ajër aromën e gjellëve.)
Lejleku: Mmmm, sa aromë e mirë! Një darkë e shijshme po më pret. Nuk po humb më kohë. (Troket në derë.)
Dhelpra: Urdhëro, mik i shtrenjtë! Mirë se erdhe!
Lejleku: Mirë se të gjeta!

Akti 1, skena 3
(Tavolina e shtruar dhe dy karrige bosh.)
Dhelpra: Urdhëro, ulu. I kam mbaruar përgatitjet, ndaj mund të bisedojmë dhe të hamë qetësisht.
Lejleku: Faleminderit, po qenke munduar!
Dhelpra: Për një mik si ti, nuk ndiej lodhje. (I zgjat pjatën me gjellë.)
Lejleku: (e nuhat) Të lumshin duart, duket shumë e mirë. (Fut sqepin në pjatë, por nuk mund të hajë dot, sepse pjata është e cekët.)
Dhelpra: Supa qenka bërë vërtet e mirë! (E shikon me dinakëri lejlekun që nuk ha dot dhe vazhdon të shijojë ushqimin.)
Lejleku: (me ton përqeshës) Po, po, u kënaqëm! Nesër je e ftuar në shtëpinë time, do të gatuaj unë për ty.
Dhelpra: (e habitur) Faleminderit, por nuk është nevoja.
Lejleku: Ngul këmbë, një shoqe si ti nuk është e lehtë ta gjesh.
Akti 2, skena 1
(Dhelpra pranë shtëpisë së lejlekut. Nuhat në ajër aromën e gjellëve.)
Dhelpra: Mmmm, sa aromë e mirë! Lejleku s’e paska kuptuar që e vura në lojë. Pa u vonuar më, po futem brenda. (Troket në derë.)
Lejleku: Urdhëro, mike e shtrenjtë! Mirë se erdhe!
Dhelpra: Mirë se të gjeta!

Akti 2, skena 2
(Tavolina e shtruar dhe dy karrige bosh.)
Lejleku: Urdhëro, ulu. Kam gatuar peshq. (I zgjat një qyp plot me peshq.)
Dhelpra: Të lumshin duart!
Lejleku: Provoje njëherë, pastaj më thuaj të lumshin duart.
Dhelpra: (e nuhat) Nga aroma, duket shumë e mirë. (Provon të futë turirin në qyp, por nuk ia nxë. E kap qypin me të dyja duart dhe i ngec koka brenda.)
Lejleku: Ç’bëre kështu, moj mike?
Dhelpra: (duke bërtitur) Të lutem, më shpëto! Më shpëto se nuk do të tallem më me ty. Nuk do të tallem më as me ty, as me ndonjë shok tjetër. (Përplaset andej-këndej duke ecur nëpër dhomë.)
përshtatur për teatër nga fabula “Dhelpra dhe lejleku”
2 Diskutoni rreth pyetjeve të mëposhtme.
Cilat personazhe shfaqen në këtë pjesë teatrore? Sa akte ka kjo pjesë teatrore? Sa skena ka secili akt? Ku zhvillohet ngjarja në secilën prej skenave? Si përfundon pjesa? Ç’mësove prej saj? Të pëlqeu dramatizimi i kësaj pjese? Pse? Cili nga personazhet të pëlqen më tepër? Pse? Ç’mendim ke për zërin e aktorëve? A të komunikon toni i zërit të dhelprës një mesazh të ndryshëm nga fjalët e saj? Provo të imitosh zërin e dhelprës. Po muzika që shoqëron lojën e aktorëve, si të duket? Si është muzika kur dhelprës i ngec koka brenda në qyp?

3 Tregoje ngjarje duke e ilustruar me hollësi nga teksti.
4 Dallo hyrjen, zhvillimin dhe fundin e pjesës teatrore.
5 Diskuto me shokët e shoqet dhe krijo një mbyllje tjetër për këtë histori.
6 Me ndihmën e mësuesit/es dhe të ndarë në grupe dyshe, interpretoni në role këtë pjesë teatrore.
7 Ke qenë ndonjëherë në Teatrin e Kukullave? Cilën pjesë teatrore ke parë?
Na trego për personazhet, skenën, zërin e aktorëve dhe muzikën që shoqëronte ngjarjen.
8 Po ti, ke marrë pjesë si aktor në ndonjë pjesë teatrore? Na trego për të.