
4 minute read
Lexojmë Masha dhe Ariu
from Gjuha shqipe 3
MASHA DHE ARIU
Na ishin njëherë një gjysh e një gjyshe, që na kishin një mbesë me emrin Masha. Masha ishte një vajzë e vogël, me flokë të verdhë e me sy të gjelbër. Asaj i pëlqente të vishte një fustan ngjyrë trëndafili. Zakonisht, ajo përfundonte në situata zbavitëse.
Advertisement
Një ditë, Mashën e thirrën shoqet për të shkuar në pyll, që të mblidhnin kërpudha dhe manaferra. – Ju lutem, ju lutem, – u tha Masha gjyshërve, – më lini të shkoj me shoqet në pyll.
Gjyshi vështroi gjyshen dhe më pas i tha: – Shko, por mos u ndaj nga shoqet, se pylli është i madh e humbet.
Vajzat hynë në pyll dhe filluan të mblidhnin kërpudha dhe manaferra. Duke kaluar sa te njëra pemë te tjetra dhe sa te njëra gëmushë te tjetra, Masha u largua shumë nga shoqet. Filloi t’i thërriste, por shoqet nuk e dëgjonin, ndaj nuk mori përgjigje. Masha u kthye, erdhi vërdallë, por nuk i kujtohej rruga: kishte humbur me të vërtetë.
Ec e ec, kur pa një shtëpi. Trokiti në derë, por nuk iu përgjigj askush. Shtyu derën dhe hyri brenda. U ul pranë parvazit të dritares dhe po mendonte: “Kush vallë banon këtu? Ku do të jetë tani?”
Aty banonte një ari i madh, që në atë kohë kishte dalë përjashta, në pyll.
Në mbrëmje, Ariu u kthye. Kur pa Mashën, ai u gëzua. – Sa mirë që erdhe tek unë, – i tha. – Tani do të rrish me mua përgjithmonë. Do më ndezësh zjarrin, do të më gatuash dhe do të kujdesesh për shtëpinë.
Masha u trishtua, por nuk kishte se çfarë të bënte. Filloi të jetonte në shtëpinë e Ariut.
Ndërkohë që ditët kalonin, ajo filloi të mendonte se si mund të largohej nga Ariu. Pasi u mendua mirë e mirë, një ditë i tha Ariut: – Do të më lejosh të shkoj një ditë në fshat? Dua t’u çoj ndonjë gjë të mirë gjyshërve. – Jo, – ia ktheu Ariu. – Mund të humbasësh përsëri në pyll. M’i jep mua ato që dëshiron t’u çosh. E mbaroj unë këtë punë.
Ariu nuk mund t’i jepte përgjigje më të mirë.
Përgatiti disa ëmbëlsira, mori një shportë të madhe dhe i tha Ariut: − Kam futur disa ëmbëlsira në këtë shportë. Të lutem, shko te gjyshërit për t’ua çuar. Vetëm bëj kujdes, mos e hap shportën dhe mos i ha ëmbëlsirat. Unë do të ngjitem në majë të atij lisit atje dhe nuk do të t’i ndaj sytë. – Mirë, – tha Ariu, – ma jep shportën.
Masha i tha: – Shih njëherë përjashta, ndoshta bie shi.
Kur doli Ariu, Masha u fut menjëherë në shportë, u mblodh brenda saj, duke mbajtur sipër kokës pjatën me ëmbëlsira.
Ariu u kthye, mori shportën dhe u nis për në fshat. Ec e ec mes përmes pyllit, Ariu u lodh. Ndaloi dhe mendoi: “Ky është vendi i duhur për të ngrënë një ëmbëlsirë”.
Mirëpo, sapo ndaloi, dëgjoi zërin e ëmbël të Mashës: – Të pashë! Mos i prek ëmbëlsirat! Janë për gjyshërit.

“E çuditshme, sa larg arrin të shohë ajo. Paska hipur aq lart në pemë, sa arrin të më shohë. Qenka vajzë e zgjuar. Më mirë të nxitoj që ta kryej këtë porosi, se me Mashën nuk u bëka shaka”, – mendoi ariu. E pa që s’kishte nga t’ia mbante dhe vazhdoi rrugën.
Pas një udhe të gjatë, Ariu mbërriti në fshat. Ai gjeti shtëpinë e gjyshërve të Mashës dhe trokiti në derë.
Ndërkohë që priste pas dere, iu sulën qentë. Ata vraponin dhe lehnin nëpër oborr.
Ariu u tremb dhe iku nga sytë këmbët, duke e lënë shportën në oborr.
Gjyshërit e Mashës dëgjuan zhurmë dhe dolën jashtë. Ata panë shportën dhe e hapën menjëherë. Nuk arrinin t’u besonin syve. Brenda saj ishte Masha, shëndoshë e mirë.
Gjyshërit fluturonin nga gëzimi. Ata e puthën dhe e përqafuan me mall mbesën e tyre. Përrallë ruse
LEXOJ DHE KUPTOJ
Shëno me ose me . Masha është një vajzë me flokë të verdhë e me sy blu. Ajo u kërkoi leje gjyshërve për të shkuar në pyll me shoqet. Gjyshërit nuk e lejuan të shkonte në pyll. Masha humbi rrugën në pyll. Ajo u strehua në shtëpinë e rojës së pyllit. Ariu e lejoi Mashën të kthehej në shtëpi. Masha gjeti një zgjidhje për t’u kthyer në shtëpi. Masha u fsheh në shportën e ëmbëlsirave. Ariu hëngri ëmbëlsira nga ato të shportës. Ariu e la shportën në oborrin e shtëpisë së gjyshërve. Masha u përqafua me mall me gjyshërit.
Po ti, a ke arritur të gjesh zgjidhje në çastin e duhur? Trego një rast. Ke parë ndonjë seri të filmit vizatimor “Masha dhe Ariu”? Të ka pëlqyer? Pse?
Shkruaj një mbyllje tjetër për këtë përrallë. Vizato pyllin ku humbi Masha.
REFLEKTOJ
SHKRUAJ
VEPRIMTARI Sillni në klasë DVD me seritë e filmit vizatimor “Masha dhe Ariu”. Shikoni së bashku disa seri të filmit, duke përdorur një video-projektor.
