
3 minute read
Lexojmë Gjethja e pemës, era dhe rrezet e diellit
from Gjuha shqipe 3
GJETHJA E PEMËS, ERA DHE RREZET E DIELLIT

Advertisement
Një gjethe peme iu lut një ditë erës: − Erë, moj erë! Eja e këputi të gjitha shoqet që kam rreth e rrotull, se më mërzisin! Shushurijnë shumë e më shurdhojnë veshët. Bobo, ç’po heq! S’i duroj dot më! Dua të jem e qetë, e lirshme, e vetme në degë! Eja, pra, eja e këputi! Të lutem! − Mirë, moj e dashur, i këpus, po se mos pendohesh... − Aspak! Ç’është ajo fjalë!
Vuuu-vuuuu, fryu era dhe i këputi të gjitha gjethet e tjera: Kërtap, kërtap! − Ja, − i tha gjethes që donte të rrinte vetëm në degë, – ta bëra qejfin! − Faleminderit, faleminderit! – ia ktheu gjethja e gëzuar dhe u rehatua. Vërshëlleu prapë era: Vuuu-vuuuu… Dhe fluturoi larg. Kapërceu fushat. Kapërceu malet… Të nesërmen, dita gdhiu me qiell të kaltër. Pak e nga pak, lindi një diell i shkëlqyer. Rrezet e tij përvëluese ranë pingul mbi gjethen, që donte të rrinte vetëm mbi degë.


− Obobo, ç’bëni kështu?! − u bërtiti ajo rrezeve e çuditur dhe e trazuar. − Ju po më digjni! Po më përvëloni! U çmendët?









− Jo, nuk u çmendëm dhe nuk po të djegim, − ia kthyen ato, po ashtu të duket ty, se nuk i ke pranë shoqet e tua, që shushurinin dhe të freskonin.
U tremb dhe u drodh gjethja e pemës që donte të rrinte vetëm në degë.
U pendua dhe thirri në çast erën. − Erë, moj erë, eja e sillmi prapë shoqet e mia, se po digjem, po përvëlohem! Ato shushurinin dhe më freskonin. Eja, të lutem, eja shpejt!
Por era nuk ia sillte dot. Ajo kalonte andej, por e kishte të pamundur t’ia kthente shoqet gjethes. Ramadan Pasmaçiu

Fjalë të reja

shushurijnë – (gjethet) bëjnë një zhurmë të lehtë dhe të vijueshme kur dridhen nga era. gdhiu – zbardhi, nisi të bjerë drita e parë e mëngjesit. ranë pingul − ranë nga lart-poshtë, në vijë të drejtë. Personifikimi është ajo figurë letrare që krijohet kur i veshim një kafshe, një sendi apo një dukurie natyrore vetitë a tiparet e një njeriu. Personifikimi përdoret shpesh në përralla, fabula.

LEXOJ DHE KUPTOJ
Çfarë i kërkoi erës gjethja e pemës? Pse nuk i donte shoqet e veta? Si u ndie gjethja e vetme në pemë? Ç’ndodhi të nesërmen, kur lindi dielli? Po tani, si u ndie gjethja e pemës? Çfarë kërkoi ajo?


REFLEKTOJ

VEPRIMTARI
Luani pjesën në role.
Çfarë mendimi ke për gjethen e pemës? Çfarë personifikon ajo? Po të ishe ti era, a do t’i kishe këputur gjethet e pemës? Pse? Si të duket mbyllja e kësaj historie? kon ajo?
SHKRUAJ


Shkruaj cilësitë e gjethes së pemës. Ngjyros në tekst fjalët ose fjalitë ku tregohen këto cilësi. Shkruaj një mbyllje tjetër për këtë histori.

