
3 minute read
Lexojmë Pse Hëna nuk ka fustan
from Gjuha shqipe 3

PSE HËNA NUK KA FUSTAN
Advertisement






Një ditë Hëna vrapoi te nëna e saj dhe i tha: – Nënë e dashur, ah, sa do të dëshiroja të kisha edhe unë një fustan! – Vogëlushja ime e shtrenjtë, – e përkëdheli e ëma. – Shkojmë te rrobaqepësi. Ai do të të marrë masën dhe do të të qepë fustanin.
Hëna shkoi te rrobaqepësi. Ai i mori masën dhe e porositi që të dukej pas pesë ditësh. Vrapoi Hëna pas pesë ditësh te rrobaqepësi. Provoi fustanin, por nuk i bënte: i rrinte i ngushtë dhe i shkurtër. Jo, Hëna nuk mund ta vishte atë fustan.
“Do kem gabuar kur kam marrë masën”, – mendoi rrobaqepësi dhe i mori përsëri masën. – Hënë, eja pas pesë ditësh, – i tha ai.
Vrapon Hëna pas pesë ditësh. Rrobaqepësi i provon fustanin. Ai përsëri nuk i bën Hënës. I rri i ngushtë dhe i shkurtër. Jo, Hëna nuk mund ta vishte atë fustan. – Eh, siç duket, përsëri kam gabuar, – mori frymë thellë rrobaqepësi. – Më duhet të prish çdo gjë dhe të filloj nga e para. Ai iu lut Hënës të mundohej të vinte edhe një herë pas pesë ditësh.








Kaluan pesë ditët. E ndryshoi të tërë fustanin rrobaqepësi.
Ja, në qiell, drejt tij rrëshqet Hëna krejt e rrumbullakët. E pa me kujdes rrobaqepësi Hënën dhe u habit: fustani përsëri nuk do t’i vinte për shtat. Ajo ishte bërë shumë e madhe dhe e rrumbullakët.
Rrobaqepësi kryqëzoi duart dhe i tha: – Jo bijë, jo, nuk mund të të pres fustan. Ti një herë shfaq çerekun e trupit, herën tjetër gjysmën, pastaj tërë trupin. Një herë je e vogël, herën tjetër e madhe. Jo, ty kurrë nuk mund të të marr masën për fustan.
Dhe kështu, Hëna mbeti pa fustan.



Fjalë të reja
do të marrë masën – do të matë përmasat e trupit. i vinte për shtat – i bënte.
LEXOJ DHE KUPTOJ

Shëno me ose me . Hëna dëshironte të kishte një fustan. Nëna propozoi t’ia qepte vetë fustanin Hënës. Kur Hëna bëri provë fustanin pas pesë ditësh, ai i rrinte i ngushtë dhe i shkurtër. Rrobaqepësi kishte gabuar në marrjen e masës. Kur bëri provë fustanin për herë të dytë, ai i rrinte i gjerë dhe i gjatë. Herën e fundit që shkoi te rrobaqepësi, fustani i rrinte shumë bukur. Hëna mbeti pa fustan.
Pse Hëna mbeti pa fustan? Si mund ta zgjidhte ndryshe rrobaqepësi këtë problem?

Shkruaj një mbyllje tjetër për këtë përrallë.
REFLEKTOJ
SHKRUAJ

VEPRIMTARI Gjeni në internet fotografi të ndryshme me pamjet e hënës. Me fotografitë më të bukura, bëni një album.



