
3 minute read
Lexojmë Tregimi më i bukur
from Gjuha shqipe 3
TREGIMI MË I BUKUR
Na ishte njëherë një përrallë, e në përrallë një princeshë e vogël. Princesha kishte në kokë një kurorë të argjendtë dhe në gisht një unazë të artë. Thesari i saj më i madh ishte fjala. Fjala e saj ishte e ëmbël.
Advertisement
Në këtë përrallë dëshiruan të hynin të gjithë fëmijët e botës. Prandaj s’ka pasur fëmijë që nuk e dinte përmendësh. Secili prej tyre dëshironte të kishte kurorë të argjendtë mbi kokë, unazë të artë në gisht dhe të qeshte ëmbël.
Mirëpo një ditë ngjau diçka e papritur. Fëmijët nuk deshën të mendojnë më për përrallën. E harruan shumë shpejt. Kush ishte fajtor për këtë?
A thua, fëmijët i hidhëroi princesha e bukur apo thjesht e kishin zili?
Jo, as njëra, as tjetra. Por ndodhi shumë shumë e çuditshme. Në përrallë hynë njerëzit e këqij – kusarët. Ata deshën t’ia merrnin princeshës kurorën e argjendtë dhe unazën e artë.
Atëherë princesha iku prej përrallës. Në përrallë mbetën kusarët.
Kështu, këtë përrallë e harruan fëmijët, por tregimi për princeshën nuk mori fund.
Ajo doli në breg të detit dhe takoi peshkatarët. Ata ishin njerëz të mirë. I dhanë një ë barkë me margaritarë dhe i thanë të jetonte në mesin e tyre dhe bashkë të shëtisnin në det. – Ju jeni shumë të mirë. Puna juaj është e ëmbël, rrjetat tuaja janë të dashura, por mua më duhet të shkoj dhe të hyj në


përrallën e bukur që e duan të gjithë fëmijët, – tha princesha.
E kështu, e mori barkën me margaritarë dhe u nis nëpër detin e kaltër. Peshkatarët e përshëndetën prej bregut të detit me shami të blerta dhe i uruan lundrim të këndshëm.
Ajo largohej, e prej së largu i shkëlqente kurora e argjendtë dhe unaza e artë. Rrezet që binin mbi të, shndërroheshin në ylbere.
Para se të arrinte në bregun tjetër, princesha dëgjoi një këngë. Ajo ishte kënga e tre vocërrakëve të mirë, që kishin dalë për t’i përzënë kusarët nga përralla dhe për të shpëtuar princeshën. Kur barka iu afrua bregut dhe zbriti princesha e vogël, vocërrakët i këndonin dhe i buzëqeshnin. Ajo zuri të shpërndante margaritarë dhe t’u fliste plot ëmbëlsi. – Do t’i thërrasim të gjithë vocërrakët e botës! – Të gjithë do të flasim ëmbël! – thanë fëmijët. – Dhe do të këndojnë si ju, – shtoi princesha. – Kjo do të ishte më mirë se në përrallë. Ky do të ishte tregimi më i bukur që është shkruar deri më tash, – buzëqeshën fëmijët. – Në të do të hyjnë të gjithë, – tha princesha. – Në tregimin tonë s’kanë për të hyrë as kusarët, as njerëzit e këqij, – shtuan fëmijët.
Dhe kështu, në vend të përrallës, lindi tregimi për tre fëmijët e mirë dhe për princeshën me kurorë të argjendtë dhe me unazë të artë.
Rrahman Dedaj

LEXOJ DHE KUPTOJ
Renditi fjalitë përmbledhëse sipas radhës së kryerjes së veprimeve (vendos numrat nga 1 deri në 9). Në përrallë hynë kusarët dhe fëmijët nuk donin të mendonin më për të. Princesha iku prej përrallës, por tregimi vazhdoi. Pranë bregut tjetër, princesha dëgjoi këngën e vocërrakëve që do të përzinin kusarët nga përralla. Na ishte njëherë një princeshë me kurorë të argjendtë dhe me unazë të artë. Ajo takoi peshkatarët dhe iu tha se do të hynte në përrallën që e donin fëmijët. Kjo përrallë ishte aq e bukur, saqë të gjithë fëmijët donin të hynin në të. Kështu lindi tregimi për tre fëmijët e mirë dhe për princeshën me kurorë të argjendtë dhe me unazë të artë. Me barkën e mbushur me margaritarë që ia dhuruan peshkatarët, princesha u nis për rrugë. Vocërrakët, princesha dhe të gjithë fëmijët e tjerë do të flasin ëmbël dhe do të hyjnë në tregimin më të bukur.
Ngjyros me blu fjalitë përmbledhëse që i takojnë Hyrjes, me të kuqe ato që i takojnë Zhvillimit dhe me të gjelbër fjalitë që i takojnë Mbylljes.
REFLEKTOJ
A do të doje ta kishe shoqe princeshën? Përse? Pse tregimi që do të bëjë fjalë për vocërrakët, princeshën dhe të gjithë fëmijët e tjerë, do të jetë tregimi më i bukur? Si të duket mbyllja e kësaj historie?
Shkruaj një mbyllje tjetër për këtë histori.
SHKRUAJ