3 minute read

Lexojmë Ura e fëmijëve

URA E FËMIJËVE

Advertisement

Na ishte një herë një lumë i madh. Në të dyja anët e këtij lumi jetonin dy fshatarë: njëri në anën e djathtë të lumit, tjetri në anën e majtë të tij. Të dy fshatarët ishin të veçuar nga njëri-tjetri. Nuk njiheshin, nuk flisnin.

Një ditë, kur dielli shkëlqente lart në qiell dhe të gjithë ngroheshin nën rrezet e tij, dy fëmijët e vegjël të fshatarëve ishin afruar në anët e lumit. − Sikur të isha rosë dhe të mundja të kaloja në anën tjetër, − fliste me vete njëri. − Sikur të isha peshk dhe të mundja të kaloja në anën tjetër, − murmuriste tjetri.

Kështu, një ditë, kur uji i lumit ishte pakësuar, të dy fëmijët u hodhën në lumë dhe filluan të notonin, gjersa u takuan në mes të tij. Ata nisën të tregojnë historitë e banorëve në të djathtë dhe në të majtë të lumit. Një ditë tjetër, fëmijët u takuan përsëri në mes të lumit.

Ata filluan të bëjnë plane. Nisën t’ua tregojnë edhe prindërve të tyre.

Prindërit të entuziazmuar nga bëmat e fëmijëve, që nuk kishin ndodhur e nuk ishin dëgjuar kurrë më parë, menduan të gjejnë një rrugëzgjidhje. Ata vendosën të bëjnë një urë që të lidhnin dy brigjet e lumit.

Kështu u tha e kështu u bë.

U ndërtua një urë e bukur, si një hark ylberi që del në qiell pas një kohe të keqe.

Fjalë të reja

murmuris – flas nën zë. i entuziazmuar – shumë i gëzuar.

VEPRIMTARI

LEXOJ DHE KUPTOJ

Plotëso: Në të dyja anët e lumit jetonin Të dy djemtë e fshatarëve dëshironin Fëmijët u takuan dhe Prindërit e tyre vendosën

Trego ngjarjen duke u mbështetur në fjalitë e mësipërme. Diskutoni në grupe rreth kuptimit të shprehjes: “Ndërtoni ura dhe jo mure për popujt”. Ngjyros me blu emrat në numrin njëjës dhe me të kuqe emrat në numrin shumës.

Kthe në numrin shumës emrat në numrin njëjës. Gjeni në internet shprehje të ndryshme për tolerancën. Së bashku me mësuesen, zgjidhni shprehjet më të bukura dhe bëni një poster me to.

REFLEKTOJ

SHKRUAJ

This article is from: