3 minute read

Lexojmë Keci i përhimë

KECI I PËRHIMË

Na ishte një djalë që quhej Omer dhe që jetonte në bjeshkë. Ai ishte biri i një trimi të madh, me forcën e njëzet burrave bashkë. Omeri u rrit më shpejt se moshatarët e tij. Kur u bë gjashtë vjeç, dukej sikur ishte dymbëdhjetë. Një ditë Omeri iu lut nënës: − O nënë, edhe unë dua ta kullot tufën e kecave në bjeshkë. Tani u rrita. − Ti je ende i vogël, o bir, kurse bjeshka është e madhe. Kam frikë se tufa do të shpërndahet dhe kecat do të humbasin. − Jo, nënë, mos ki merak. Unë nuk do t’i heq sytë nga tufa. Omeri e çoi tufën në bjeshkë. Papritur, një kec i përhimë, me veshë të mëdhenj, u shkëput nga tufa. Ai u largua duke kërcyer hop këtu e hop atje. − Obobo, ç’më gjeti! − u shqetësua Omeri. − Ky do të më turpërojë para nënës.

Advertisement

Ai vrapoi pas kecit. E ndoqi deri poshtë bjeshkës, derisa më në fund e kapi.

Në mbrëmje zbriti poshtë me tufën dhe e futi në vathë. − Si e kalove ditën? − e pyeti nëna. − Mirë, nënë, po ai keci i përhimë më ka lodhur boll. Mezi e futa në tufë. − Kec të përhimë ne nuk kemi! − u çudit nëna.

Hiperbola është ajo figurë letrare që ndërtohet mbi bazën e zmadhimit tej mase të qenieve, të sendeve, të vetive, të dukurive etj. Në këtë tekst, shprehja “me forcën e njëzet burrave bashkë” është hiperbolë.

− Po, moj nënë. E di kush është? Ja, ai keci me veshë të mëdhenj. − Kecat i kanë veshët e vegjël, mor bir, − i tha nëna. − Eja, ta shohësh! − iu lut Omeri.

Shkuan te vatha. Omeri ia tregoi me gisht. − Ja tek është!

Nëna pa një lepur të madh që rrinte strukur anës gardhit dhe luante veshët. − Po ky është lepur, mor bir! − thirri nëna. − Si munde ta zësh?! Të pastë nëna! − i tha ajo, duke e përqafuar.

Nëna u bind se Omeri ishte i fortë dhe trim, ashtu sikurse i ati, Muji. Përshtatje nga “Cikli i Kreshnikëve” Fjalë të reja bjeshkë – mal i lartë me kullota. i përhimë – që ka ngjyrë si të hirit. vathë − vend i rrethuar me gardh, ku rri bagëtia. Të pastë nëna! – urim i nënës për fëmijën: paç jetë të gjatë!

LEXOJ DHE KUPTOJ

Shëno me ose me . Omeri ishte një djalë trupvogël. Ai kishte dëshirë të kujdesej për tufën e kecave në bjeshkë. Nëna nuk e lejoi të kulloste tufën e kecave. Në bjeshkë, një kec me veshë të mëdhenj iu shkëput nga tufa. Omeri, megjithëse u përpoq shumë, nuk e kapi dot kecin e përhimë. Ai u kthye në shtëpi i lodhur, por krenar që e futi të gjithë tufën në vathë. Nëna u çudit kur ai i tregoi për kecin me veshë të mëdhenj. Ajo u gëzua dhe e përkëdheli Omerin.

REFLEKTOJ

Pse nëna u bind që Omeri ishte i fortë dhe trim? Pse e ngatërroi Omeri kecin me lepurin? SHKRUAJ

Shkruaj dy cilësi të Omerit. Nënvizo në tekst fjalët ose fjalitë që mbështesin këto cilësi. Vizato dhe ngjyros bjeshkën shqiptare.

This article is from: