4 minute read

Lexojmë Gabimi i Traka-Trukut

Lexojmë

GABIMI I TRAKA-TRUKUT

Advertisement

Na ishte një kukull që quhej Traka-Truk. Ajo jetonte në një dyqan. Aty jetonte edhe një karrocë e vogël me katër rrota, që quhej Ush-pa-kalë. E dini sa e donin njëra-tjetrën? Shumë, shumë! Kur shitësi shkonte në shtëpi për të fjetur, karroca e merrte Traka-Trukun dhe e shëtiste nëpër dyqan. Traka-Truku kënaqej e thërriste: “Urra, urra! Hapuni, hapuni, se ju shtypi karroca Ush-pa-kalë!”. Kështu kaluan shumë kohë. Njëherë shitësi solli në dyqan disa tullumbace ngjyra-ngjyra. I vendosi në një raft pranë kukullës Traka-Truk dhe karrocës Ush-pa-kalë. TrakaTrukut nuk i pëlqyen fare ato copa llastiku si trasta bosh. Mirëpo, ç’na ndodhi një ditë? Një fëmijë bleu një tullumbace dhe e fryu pikërisht aty, në dyqan. − Uaaa, sa e bukur u bëka tullumbacja kur fryhet! – tha Traka-Truku. − Vërtet, shumë e bukur u bëka, − tha edhe karroca. Kaq deshi Traka-Truku. U nda nga karroca dhe zuri shoqëri me tullumbacen Bojë Qielli. − Lozim bashkë, Traka-Truk? Ti hip në shpinën time dhe unë të vrapoj, − i tha karroca. − Jo, jo, unë do të fluturoj në qiell me tullumbacen... Ti ecën vetëm në tokë, si breshkat, − i tha Traka-Truku, pastaj iu kthye tullumbaces: − Po të të fryj, do të më ngjitësh në qiell? − Ëhë, − ia ktheu tullumbacja. Karrocës Ush-pa-kalë i erdhi për të qarë që TrakaTruku po largohej, po ç’të bënte? Ditën tjetër, Traka-Truku fryu tullumbacen që quhej Bojë Qielli. − Kapu fort pas meje! – i tha ajo. Ashtu bëri Traka-Truku. Tullumbacja doli nga dritarja e dyqanit dhe u ngjit lart, drejt qiellit. Ngjitu e ngjitu, arriti te retë e bardha. Traka-Truku thërriste e kënaqur:

− Urra! Urra! Sa bukur qenka këtu! Kurse atje poshtë, ku ka mbetur karroca Ush-pa-kalë, nuk është hiç bukur...

Fryu pak erë dhe e përzuri tutje tullumbacen atje ku dielli përvëlonte. − Bubuuu, ç’na gjeti! – tha tullumbacja dhe plasi nga të nxehtët. Tani Traka-Truku s’kishte ku të mbahej më dhe po rrokullisej poshtë, drejt tokës. Rrokullisej e bërtiste e lebetitur. − Oleleeee! Oboboo! Ç’na bëre moj tullumbace! Oh, oh, do të bëhem copa-copa!

Nga frika i ra të fikët dhe nuk e ndjeu fare kur ra në një gropë me llucë.

Kur u përmend, karroca Ush-pa-kalë po e shpinte te doktori i dyqanit...

Karroca ndjeu t’i njomej shpina. Ajo e kuptoi: kukulla Traka-Truk po qante nga turpi. Ajo i pëshpëriti karrocës Ush-pa-kalë te veshi: − Më fal! Ti je shoqe shumë e mirë, kurse unë...

Karroca Ush-pa-kalë ecte drejt dyqanit e gëzuar, sepse kishte shpëtuar shoqen nga rreziku. Skënder Hasko Fjalë të reja trastë − çantë e madhe që shërben për të marrë me vete sende të ndryshme. përvëlon – është shumë i nxehtë. i lebetitur – i tmerruar.

LEXOJ DHE KUPTOJ

Renditi fjalitë përmbledhëse të mëposhtme sipas radhës së kryerjes së veprimeve (vendos numrat nga 1-9). Karroca nuk i mbajti inat kukullës, por e çoi te mjeku. Karroca Ush-pa-kalë e shëtiste çdo natë kukullën nëpër dyqan. Shitësi solli në dyqan disa tullumbace ngjyra-ngjyra. Tullumbacja plasi dhe kukulla po rrokullisej e trembur drejt tokës. Kukulla i kërkoi falje për sjelljen e saj, karrocës Ush-pa-kalë. Kukulla Traka-Truk dhe karroca Ush-pa-kalë jetonin në një dyqan. Kukulla u nda nga karroca dhe zuri shoqëri me tullumbacen që quhej Bojë Qielli. Duke shëtitur nëpër qiell, ato iu afruan diellit. Traka-Truku vendosi të largohej nga dyqani bashkë me Bojë Qiellin. Trego përmbajtjen e pjesës, duke u mbështetur në fjalitë përmbledhëse.

REFLEKTOJ

Po ti, a mërzitesh ndonjëherë me shokun ose shoqen tënde? Përse? Na trego si sillesh në këto raste.

SHKRUAJ

Nga kjo pjesë mësojmë: Shoku i mirë njihet në ditë të vështira. Bëj shokë të rinj, por të vjetrit mos i harro. Të dyja bashkë.

This article is from: