
2 minute read
Lexojmë Lodrat e vjetra
from Gjuha shqipe 3
LODRAT E VJETRA
Kur afrohej Viti i Ri, Flori dhe Ina vinin rregull në dollapin e lodrave. Ata vendosnin mënjanë lodrat e vjetra dhe librat që nuk i lexonin më. Pastaj mami fshinte me kujdes raftet dhe i shkëlqente me një pece të butë. Kur gjithçka ishte e pastër, fëmijët sistemonin në dollap sendet që u nevojiteshin. Kështu krijohej pak vend për lodrat e reja dhe librat që do t’ua dhuronin për Vit të Ri. – Ja, – thoshte Flori, – nëse pikërisht tani Babagjyshi i Vitit të Ri po rri e na vështron, sigurisht që do të jetë i kënaqur nga ne.
Advertisement
Një vit, Babagjyshi i Vitit të Ri ndaloi të vëzhgonte pikërisht te familja e tyre. U kënaq shumë që e kishin rregulluar aq bukur dollapin, por u kënaq edhe më tepër kur i pa të dy fëmijët duke rregulluar lodrat e vjetra. Ata rregullonin rrotat e prishura, u vinin bojë të re pjesëve prej druri të çngjyrosura, kontrollonin nëse u mungonte gjë kukullave.
Kur i përfunduan së rregulluari, ato dukeshin tamam si të reja. Atëherë, Babagjyshi i Vitit të Ri i ngarkoi në thesin e tij të lodrave dhe, bashkë me lodrat e reja, shtoi edhe ato që kishte rregulluar Flori me Inën për t’ua shpërndarë fëmijëve nëpër botë.
Lodrat e Florit dhe të Inës ua shtonin gëzimin fëmijëve që kishin moshën e tyre. − Ju lumtë, fëmijë! Nuk e dija që kisha ndihmës kaq të mirë. Babagjyshi i Vitit të Ri ishte shumë i kënaqur.
Kethrin Xhekson
VEPRIMTARI Sillni të gjithë nga një lodër që nuk e përdorni më. Grumbullojini ato dhe me ndihmën e mësueses, dërgojini në qendrat sociale. Kështu do të lumturoni edhe shumë fëmijë të tjerë.

LEXOJ DHE KUPTOJ
Rendit fjalitë përmbledhëse sipas radhës së kryerjes së veprimeve në tekst, duke vendosur numrat nga 1 në 5. Në prag të Vitit të Ri, Ina dhe Flori vendosnin rregull në dollapin e lodrave. Lodrat dukeshin tamam si të reja. Babagjyshi i Vitit të Ri i mori lodrat e rregulluara për t’ua shpërndarë fëmijëve të tjerë. Ata rregullonin lodrat e vjetra. Babagjyshi i Vitit të Ri u kënaq shumë nga ndihma që i dhanë Ina dhe Flori. Trego pjesën duke u mbështetur në fjalitë përmbledhëse të mësipërme.
REFLEKTOJ
Si të duket veprimi i dy fëmijëve? Si e kupton fjalinë e Babagjyshit: “Nuk e dija që kisha ndihmës kaq të mirë”? Po ti, këmben lodra apo libra me shokët apo të afërmit e tu? Na trego.