
2 minute read
Lexojmë Motra e birësuar
from Gjuha shqipe 3
MOTRA E BIRËSUAR
Ato ditë, unë me vëllanë tim, Olsin, ishim shumë të emocionuar. Në shtëpinë tonë po ndodhte një ngjarje e veçantë.
Advertisement
Babi, i cili është gazetar, para disa muajsh bëri një shkrim për kushtet në një shtëpi fëmije. Aty u takua me shumë fëmijë, disa prej të cilëve edhe i intervistoi. Ai na fliste vazhdimisht për ta edhe pasi e përfundoi shkrimin. Pothuajse në të gjitha ndodhitë që na tregonte, ishte e pranishme një vajzë e vogël, me emrin Nita.
Bisedat për Nitën tashmë ishin bërë aq të zakonshme në shtëpinë tonë, sa na dukej sikur e njihnim prej kohësh atë vajzë me sy blu, vështrimi i së cilës babit nuk i hiqej nga mendja.
Një mbrëmje, ai na tha: − Unë dhe mami kemi shkuar disa herë për ta takuar Nitën. Jemi miqësuar me të. Pa asnjë dyshim, ajo vajzë ka zënë vend në zemrat tona dhe prej disa ditësh duam t’ju japim një lajm: Ne mendojmë ta birësojmë Nitën. Kjo do të thotë se ajo do të vijë për të jetuar së bashku me ne, në shtëpinë tonë. Do të jetë një motër për ju të dy. Si ju duket?
Unë me vëllanë shtangëm. Këtë nuk e kishim pritur.
− Vetëm ta shihni sa bukur qesh, − tha mami. − Është shumë gazmore, − shtoi babi. – E kemi fotografuar, ejani ta shikoni.
Sytë blu të Nitës takuan tanët. Vështrimi i saj ishte vërtet i veçantë, mbresëlënës. Unë dhe vëllai u morëm vesh pa fjalë, tundëm kokat dhe përqafuam prindërit.
Pas njëfarë kohe, erdhi dita kur Nita më në fund do të bëhej pjesë e familjes sonë. Mami dhe babi shkuan ta merrnin, unë me vëllanë qëndruam në shtëpi. Nuk na zinte vendi.
Filluam të rregullonim dhomën tonë, të nxirrnim lodrat më të bukura, librat me përralla dhe mjetet e vizatimit. Dëshironim që Nita të ndihej sa më mirë, të kuptonte se çdo gjë e jona, tashmë ishte edhe e saja. Mimoza Çano Fjalë të reja birësoj – marr në familje një fëmijë, duke e trajtuar njësoj si fëmijët e mi. shtëpi fëmije – institucioni ku mbahen fëmijët që janë pa prindër. ka zënë vend në zemrat tona – na ka hyrë në zemër, e duam shumë. ishte i pranishëm – bënte pjesë. shtangem – qëndroj si i ngrirë në vend, pa lëvizur. mbresëlënës – diçka që na lë mbresë, na bën përshtypje. u morëm vesh pa fjalë – u kuptuam pa folur.
LEXOJ DHE KUPTOJ
Renditi fjalitë e mëposhtme sipas radhës së kryerjes së veprimeve (vendos numrat nga 1-6). Babai i fliste çdo ditë familjes për Nitën. Olsi dhe motra e tij ishin shumë të emocionuar. Gjatë intervistave që babai u bëri fëmijëve të një shtëpie fëmijësh, njohu Nitën. Prindërit biseduan me fëmijët për birësimin e Nitës. Prindërit e Olsit kishin takuar Nitën. Të gëzuar, fëmijët filluan përgatitjet për pritjen e Nitës.
Trego përmbajtjen e tregimit duke u mbështetur në fjalitë përmbledhëse.
REFLEKTOJ
Si ju duket veprimi i familjes së Olsit? Pse? Ç’mund të ketë ndodhur kur Nita arriti në shtëpi? SHKRUAJ
Shkruaj cilësitë e Nitës që dalin në tekst.