2 minute read

Lexojmë Thyerje në emisionin e lajmeve

Lexojmë

THYERJE NË EMISIONIN E LAJMEVE

Advertisement

Emisionet e lajmeve televizive rrallëherë fillojnë me fëmijët.

Por puna e Gjergjit tonë është ndryshe. Ai doli në emisionin kryesor të lajmeve...

Për më mirë, shikojeni vetë: − Mirëmëngjesi, Gjergji! − Mirëmëngjesi, teta!

Ai theu derrkucin prej qeramike dhe në tryezën e studios u derdhën monedhat metalike. − Këto para, ju lutem, jepjani Benit që t’i shërohet këmba.

Për të ndihmuar Benin, para disa ditësh ishte bërë një thirrje në programet televizive.

Folësja përqafoi Gjergjin.

Ai përshëndeti me dorë dhe u largua.

Vazhduan lajmet.

Për ca kohë, edhe në shtëpinë e Gjergjit kjo ngjarje sikur u harrua, por... ... Ai po festonte ditëlindjen.

Në kohën që Gjergji do të shuante dhjetë qirinjtë e ndezur, ra zilja. Në apartament u fut një grua dhe një djalë pothuajse në moshën e Gjergjit. Ata mbanin në duar një pako dhe një tortë. Gruaja, duke ndier hutimin e mik pritësve, tha: − Ju nuk më njihni, unë jam nëna e Benit. Gjergji, me paratë që na fali, afroi shumë dhurues të tjerë dhe tani Beni është i shëruar. Mund të ecë mirë. Ai erdhi me këmbët e veta për t’i uruar ditëlindjen mikut të tij, Gjergjit.

− Faleminderit!

Të gjithë sa ishin në dhomë u gjallëruan. Gjergji ishte bërë flakë i kuq.

Gruaja la tortën në tryezë. Beni i dha Gjergjit një derrkuc qeramike, i cili kishte një vrimë lart, dhe i tha: − Thyeje edhe për të tjerë, Gjergji.

Ata u përqafuan fort. Më pas shpërthyen duartrokitjet dhe këngët...

Gaqo Bushaka

LEXOJ DHE KUPTOJ

Cila ishte arsyeja që Gjergji doli në emisionin e lajmeve? Në shtëpinë e Gjergjit ka festë. Me ç’rast? Cilët janë miqtë që erdhën papritur në festë? Çfarë i dhuruan ata Gjergjit? Çfarë ndodhi pas përqafimit të Benit me Gjergjin? Fjalë të reja

qeramike – balte. flakë i kuq – shumë i kuq.

REFLEKTOJ

Ky tregim titullohet “Thyerje në emisionin e lajmeve”, sepse: Gjergji paraqitet pa ftesë në mes të emisionit të lajmeve, duke thyer rregullat e tij; Gjergji thyen në mes të emisionit të lajmeve derrkucin prej qeramike; Beni thyen rregullat e mirësjelljes dhe paraqitet pa ftesë në ditëlindjen e Gjergjit. Shpjego me fjalët e tua zgjedhjen që bëre. Bashkëbisedoni duke sjellë shembuj të ndihmës që keni dhënë ju, ose të njohurit tuaj, për fëmijët në nevojë.

SHKRUAJ

Shkruaj disa fjali, me anë së të cilave të shprehësh se si i kupton fjalët e Benit: “Thyeje edhe për të tjerë, Gjergji.”

VEPRIMTARI Ndahuni në grupe dhe bëni një projekt që synon të ndihmojë fëmijët në nevojë.

This article is from: