3 minute read

Lexojmë Buzëqeshjet

BUZËQESHJET

Advertisement

Sa herë që i sheh njerëzit duke qeshur, vocërrakes i rrezon fytyra. Sa herë që i sheh duke qarë, edhe asaj i pikojnë sytë.

Atëherë, vocërrakja ndalet dhe mendohet: Sa të mirë janë njerëzit kur qeshin! Secili i shëmbëllen një margaritari të çmuar, i cili nuk mund të blihet as me të gjitha pasuritë e botës. Ata që qeshin vazhdimisht, sigurisht kanë shumë buzëqeshje, aq shumë, sa nuk do të mundin t’i shpenzojnë gjatë gjithë jetës së tyre. Po ata që qeshin pak? Po ata që nuk i kam parë kurrë duke qeshur, a thua i kanë humbur buzëqeshjet e tyre?

Pas këtyre mendimeve, vocërrakja iu afrua nënës dhe e pyeti: − Ku i kanë humbur buzëqeshjet ata që nuk qeshin kurrë? − Të gjithë njerëzit buzëqeshin, − i tha nëna. − Unë, disa njerëz, nuk i kam parë kurrë duke qeshur, − tha vocërrakja. − Edhe ata qeshin, bija ime, por nuk qeshin gjatë gjithë kohës. Disa qeshin vetëm kur janë në shtëpi, disa në rrugë, kurse disa... − i shpjegoi nëna.

− Mirëpo, unë dëshiroj që të gjithë njerëzit të qeshin përnjëherë dhe kurrë të mos u zhduket buzëqeshja prej fytyrës! – tha vocërrakja gjithë gëzim. − Kjo do të ishte e mrekullueshme! − i tha nëna. − Unë kam menduar për këtë, më ndihmo, nënë e dashur! – iu lut vajza. − Si mund të të ndihmoj, bija ime? – pyeti nëna. − Më bli një shportë laramane, me ngjyrë të bardhë, të kuqe, të verdhë dhe të blertë! Me të do të shëtis nëpër botë: nëpër livadhe të blerta, nëpër qytete të mëdha, nëpër kopshtije të mbushura me fëmijë, dhe do të mbledh buzëqeshje të ëmbla. Kur të kthehem, do t’ua shpërndaj njerëzve dhe atëherë, të gjithë do të qeshin…! – shpjegoi vocërrakja.

Pas disa ditësh, nëna ia bleu shportën laramane vocërrakes. Asaj i ndriti fytyra si hënë dhe u nis me gëzim.

Tash ajo shëtit nëpër botë dhe i viziton të gjitha vendet. Atje do të mbushë shportën dhe, kur të kthehet, do të shpërndajë buzëqeshje. Rrahman Dedaj

Fjalë të reja

LEXOJ DHE KUPTOJ

Shëno me ose me . Vocërrakja qan kur shikon njerëz duke qarë. Vocërrakja bisedon me nënën. Ajo do të dijë pse disa njerëz nuk qeshin kurrë. Nëna i shpjegon se ku i kanë humbur buzëqeshjet këta njerëz. Vocërrakja i kërkon nënës një shportë laramane. Ajo do të shëtisë nëpër botë për të mbledhur buzëqeshje të ëmbla. Kur të kthehet, do t’ua shpërndajë këto buzëqeshje të gjithë njerëzve. Nëna nuk ia bleu vocërrakes shportën laramane. Fjalitë e gabuara ktheji në të vërteta.

i rrezon fytyra – i ndriçon fytyra. i pikojnë sytë – i dalin lot nga sytë. i shëmbëllen – i ngjan.

REFLEKTOJ

Si të duket mendimi i vocërrakes për të mbledhur buzëqeshje? Pse? Si do të veproje ti, nëse do të ishe në vend të saj?

Përcakto dy cilësi të vocërrakes dhe shkëput nga teksti fjalitë ku shprehen këto cilësi. Bëj skemën e personazheve.

SHKRUAJ

This article is from: