5 minute read

Lexojmë Pesha e një kureshtjeje Njohuri për gjuhën Heqim dhe shtojmë fjalë e grupe fjalësh në fjali

Lexojmë PESHA E NJË KURESHTJEJE

Në klasë erdhi një nxënës i ri. Ermal e quanin.

Advertisement

Ai rrinte si i gozhduar në bankën e tij. Nuk fliste me askënd. Nuk merrte pjesë në asnjë lojë e në asnjë diskutim.

Nxënësit thoshin: – Ndoshta është mendjemadh. – Ndoshta është vetjak. – Jo, ore, jo! Duhet të jetë një qyqar i pashoq. S’e shihni si rri? Si i vdekur!

Lushit iu bënë merak sidomos flokët e Ermalit. Ata ishin tepër të verdhë, të ngrirë, disi të lëpirë dhe më të gjatë sesa të nxënësve të tjerë, gati si flokë vajze. Si i rrinin gjithmonë njësoj? Si nuk i rriteshin edhe më? Si nuk e ndërronin formën? – Pse ta mundoj veten më gjatë? – e vendosi një ditë, gjatë një pushimi midis orësh. – Po shkoj andej pari dhe kinse rastësisht...

E zgjati dorën, ia tërhoqi një ble flokësh dhe... papritmas i mbetën në dorë krejt flokët e Ermalit.

Lushi u bë akull. E kapi tmerri. Nuk kishte parë kurrë një parukë dhe as fëmijë me kokë tullace që e mban atë. Ermali, ashtu me kokë të zbuluar, ia plasi vajit. – Lush! – e solli në vete zëri i ashpër i një arsimtari. – Pse e ngacmon?! S’ke turp?! – Unë... unë nuk e dija... – mezi foli Lushi. – Më fal, Ermal!

Ermali vetëm fshiu lotët dhe heshti.

Në orën vijuese, arsimtari u foli nxënësve për fatkeqësinë e Ermalit. Kur kishte qenë shumë më i vogël, duke luajtur me shkrepëse ia kishte dhënë flakën shtëpisë. Për pak kishte shpëtuar gjallë. I ati e kishte dërguar gjithkah, po nuk kishte arritur të gjente mjek e bar për flokët e humbur. Prandaj, që të mbrohej nga dielli dhe që të mos binte fort në sy, i kishte blerë atë parukë.

– Kjo ka mundur t’i ngjajë secilit nga ju, – tha arsimtari. – Mund të na ndodhë edhe më vonë, – u pajtua dikush.

Tash shokët e klasës e ndërruan qëndrimin ndaj Ermalit. E kuptuan se ai vuante shumë për shkak të flokëve të humbur. Ata bënë çmos që ta futnin në lojërat dhe në jetën e tyre në shkollë e jashtë saj. Ishte këmbëngulës sidomos Lushi, të cilin e brente ndërgjegjja për gjestin e tij të pahijshëm.

Kështu, për pak kohë, në Ermalin zbuluan një shok për kokë të shokut. Ai zuri të lirohej dalëngadalë nga brenga e tij. Dikur u bë aq i afërt me shokët dhe shoqet e klasës, sa ndodhte ta flakte fare parukën e të luante pa të.

Po kjo parukë nuk kishte si të mos ia kujtonte Lushit atë ngjarjen e pakëndshme. Sa i vinte keq, aq i vinte mirë se kishte ndodhur pikërisht ashtu si kishte ndodhur. Ndryshe, Ermali do të mbetej edhe më mënjanë dhe klasa do të kishte një shok të mirë më pak.

Ermali tashmë e kishte kuptuar se një ble i humbur flokësh nuk është kurrfarë pengese për të pasur shumë shokë e shoqe dhe për ta gëzuar jetën si të gjithë të tjerët. Në klasë, tashmë askush nuk kujtohej se ai mbante parukë.

Arif Demolli

LEXOJ DHE KUPTOJ

Si quhej nxënësi i ri që erdhi në klasë? Çfarë tipi dukej ai? Çfarë i bënte përshtypje Lushit tek Ermali? Ç’veprim të pahijshëm bëri Lushi? Si reagoi Ermali? Kush e kritikoi Lushin? Çfarë bëri Lushi pas kësaj? Po arsimtari, çfarë u shpjegoi fëmijëve në lidhje me fatkeqësinë e Ermalit? Çfarë kuptuan ata? Si u sollën shokët pas kësaj me Ermalin? Si ndihej tashmë Ermali në shoqërinë e tyre? Çfarë kuptoi ai në fund? Fjalë të reja

rrinte si i gozhduar – rrinte si i ngrirë, pa lëvizur. është vetjak – është tip vetmitar. qyqar i pashoq – njeri aq i pazoti, sa nuk ka të dytë si ai. ble flokësh – tufëz flokësh. u bë akull – ngriu. shok për kokë të shokut – shok shumë të mirë.

REFLEKTOJ

Je ndodhur ndonjëherë në një situatë të ngjashme me atë në të cilën u ndodh Lushi pas veprimit të tij të pahijshëm? Si je sjellë? Na trego. Si u sollën shokët e klasës me Ermalin, pasi kuptuan problemin e tij të vërtetë? Po ti, si do të ishe sjellë në këtë rast? Si e kupton fjalinë e mëposhtme, të shkëputur nga ky tregim? Ermali tashmë e kishte kuptuar se një ble i humbur flokësh nuk është kurrfarë pengese për të pasur shumë shokë e shoqe dhe për ta gëzuar jetën si të gjithë të tjerët. SHKRUAJ

Përshkruaj ndjesitë e tua gjatë leximit të këtij teksti letrar.

Njohuri për gjuhën HEQIM DHE SHTOJMË FJALË E GRUPE FJALËSH NË FJALI

MBAJ MEND

Në fjali mund të heqim fjalë pa ia prishur asaj kuptimin.

MBAJ MEND

Në fjali mund të shtojmë fjalë pa ia prishur asaj kuptimin.

Lexo fjalitë dhe shëno me fjalinë më të vogël.

Ulpiana noton në pishinë me shokët e saj. Ulpiana noton në pishinë. Ulpiana noton.

Ulpiana noton.

Ulpiana noton në pishinë.

Ulpiana noton në pishinë me shokët e saj.

Kujdes!

Fjalia më e vogël mund të ketë më shumë se dy fjalë. P.sh.: Bariu kullot delet.

1 Në fjalitë e mëposhtme hiq fjalë e grupe fjalësh derisa të mbetet fjalia më e vogël. Nxënësit e shkollës sonë shëtisin në pyllin e dendur me pemë. Disa fëmijë luajnë me topa shumëngjyrësh në sheshin para pallatit. Në orën e vizatimit, nxënësit vizatuan një zog. Dalëngadalë, shfaqja e nxënësve të klasës së tretë po përfundonte.

Pyetje ndihmëse:

Ku shëtitin nxënësit e shkollës sonë?

Me çfarë po luajnë disa fëmijë?

Kur vizatuan një zog nxënësit?

Si po përfundonte shfaqja e nxënësve të klasës së tretë?

2 Zgjero fjalitë e vogla duke shtuar fjalë a grupe fjalësh.

Fëmijët luajnë. Babai punon. Mësuesja shpjegon. Zogu cicëron.

Pyetje ndihmëse: Ku po luajnë fëmijët? Ku punon babai? Çfarë shpjegon mësuesja? Si cicëron zogu? 3 Lidh pjesët e fjalive sipas kuptimit. Zvogëlo sa të mundësh çdo fjali.

Shfaqja filloi Jehona dukej e qetë. Pas pushimit, me dhjetë minuta vonesë. Spektatorët qëndronte një vajzë e vogël. Në fund të skenës qeshnin pa pushim.

4 Rishkruaj tekstin duke i zvogëluar sa më shumë fjalitë.

Pse...? Çfarë...? Kë...? Ku...? Si...? Kur...?

Ditën e shtunë, nxënësit e klasës së tretë vizituan qytetin-muze të Prizrenit. Ata shëtitën nëpër rrugicat karakteristike dhe buzë lumit. Të gjithë panë me kureshtje urën e vjetër prej guri. Kalaja qëndronte mbi një kodër. Nga larg, ajo dukej madhështore. Muret e larta rrethuese të kalasë dukeshin si një mburojë e fortë. Shtëpitë e restauruara me kujdes, krijonin një pamje të këndshme. Qytetin e Prizrenit e vizitojnë çdo ditë udhëtarë vendas dhe të huaj. Ai ofron plot aktivitete interesante për ta. Edhe nxënësit e klasës së tretë kaluan një ditë argëtuese dhe të veçantë në këtë qytet.

This article is from: