3 minute read

Lexojmë Kthim nga pushimet

KTHIM NGA PUSHIMET

Advertisement

Po kthehem nga pushimet. Isha në një kamp veror në Alpe, ku kalova ditë të paharruara. Atje mësova plot gjëra dhe bëra shumë miq. Do të doja që ato ditë të mos kishin mbarim, por ja që koha kaloi shumë shpejt.

Kur mbërrita në stacionin e autobusit, pashë prindërit që po më prisnin. Iu hodha në krahë mamit dhe babit, duke i përqafuar me mall. Ata më thanë se isha rritur shumë. Mami ishte përlotur, kurse babi më buzëqeshte pareshtur.

Fillova t’u tregoja për të gjitha ngjarjet që kishin ndodhur në kampin veror.

Atë ditë isha vërtet fjalëshumë. Prindërit më dëgjonin dhe qeshnin. Nuk u besohej që ia kisha kaluar aq mirë.

Mami, e merakosur për shëndetin tim, m’u afrua duke më thënë: − Akil, sikur qenke dobësuar pak!

Unë buzëqesha dhe i shpjegova: − Kam bërë gjimnastikë, jam larë në pishinë dhe kam mësuar shumë lojëra.

Kur flisja, mami nuk m’i ndante sytë. Në një çast, teksa më përkëdhelte, ajo pa krahun tim të djathtë pak të gërvishtur dhe menjëherë më pyeti e alarmuar: − Po kjo, ç’është?

− Plagë beteje mami! – iu përgjigja i qetë. – Në pushime ka edhe beteja të vogla që duhen përba lluar. Unë fitova një garë, një trofe dhe këtë plagë. Ishte një lojë dhe një garë e jashtëzakonshme. Dhjetë djem morën pjesë në garën e 100-metërshit. Siç ju thashë, këtë garë e fitoi djali juaj, por jo pa mundime. Një rrëshqitje gjatë garës më la këtë shenjë në krah, që t’i mbaj mend këto pushime sa herë të laj krahët, që tashmë janë bërë me muskuj të fortë.

Prindërit qeshën me këtë fjalim timin. − U rrit djali, grua! – i foli babi. – Nuk është më fëmijë i vogël, që duhet ta mbajmë për dore.

Pas pak, kur u duk se na kishin mbaruar fjalët, shkova në dhomën time për të vënë pak rregull.

Kisha një arsye. Doja t’i gjeja vendin trofeut të fituar. Të nesërmen do t’ua tregoja shokëve të pallatit.

Mimoza Çano

LEXOJ DHE KUPTOJ

Ku i ka kaluar Akili pushimet verore? Si u ndie ai gjatë këtyre pushimeve? Kush e pret në stacionin e autobusit? Për çfarë bisedoi Akili me prindërit sapo u takuan? Çfarë e shqetëson mamin e Akilit gjatë kohës që ai tregon se si ka kaluar në kampin veror? Çfarë bën Akili në fund të ditës së kthimit nga pushimet?

Vizato trofeun që fitoi Akili.

REFLEKTOJ Fjalë të reja

kamp veror − vend pushimi për stinën e verës, larg qendrave të banuara, zakonisht në çadra. e alarmuar – e shqetësuar. trofe – sendi që dëshmon për një fitore ose për një sukses të rëndësishëm.

Plotëso faqen 6 të “Fletores së punës”.

Babai i Akilit shprehet: “U rrit djali, grua!”. Si i kupton këto fjalë? Do të kishe qejf të shkoje edhe ti në një kamp veror? Pse?

SHKRUAJ

This article is from: