
4 minute read
Lexojmë Blerta harroi gërshetat
from Gjuha shqipe 3
Lexojmë
BLERTA HARROI GËRSHETAT
Advertisement

Blerta e vogël kishte vënë përpara një fletë vizatimi dhe po mendonte se çfarë mund të vizatonte: maçokun Piso, qenin që po luante me bishtin e vet, dy zogj që po çukiteshin me shoku-shokun apo diçka tjetër.
Si vrau mendjen gjerë e gjatë, tha: − Do të vizatoj veten time!
Në fillim vizatoi dy qershi, të cilat i ngjyrosi me lapsin e kaltër dhe në mes u vuri nga një pikë të zezë. Mbi to bëri dy harqe të zeza, si harku i ylberit...
Poshtë qershive vizatoi dy mollë të mëdha si starkingat e Pogradecit. Në mes të qershive dhe të mollëve vizatoi një si kalem, pingulthi. Poshtë kalemit vizatoi një kuti stërgjatëshe me kapak të hapur dhe e ngjyrosi me bojë trëndafili. Anash mollëve vuri dy petale të mëdha lulesh. Të gjitha këto i qarkoi me një rreth që i ngjante edhe hënës, edhe diellit. Rreth e rrotull qarkut vuri të fluturonin një bletë dhe një flutur krahëshkruar.
Kur u kthyen nëna dhe babai nga puna, Blerta e kishte mbaruar vizatimin.
Sa pa pikturën e saj, babai pyeti: − Çfarë ke vizatuar kështu, se nuk po e kuptoj? − Kam vizatuar kokën time, − tha Blerta. − Ashtu? – u habitën prindërit. − Po ku i ke sytë, gojën, hundën, veshët? – e pyeti e ëma. − Po vetullat? Po...? – e pyeti i ati. − Të gjitha i kam vizatuar, nuk i shikoni? − Po flutura dhe bleta, çfarë duan këtu? Blerta u shkri së qeshuri dhe u tha: − Shikojini mirë dhe do ta kuptoni se kam vizatuar kokën time. Aq më shumë ti babi, që je edhe piktor dhe i bën njerëzit si shkëmbinj. Unë njerëzit i bëj me fantazi. − Po ti nuk je as qershi, as bletë, as... − Që të bindeni se kam vizatuar kokën time, pyesni gjyshen, − u tha Blerta. Babai thirri gjyshen dhe ajo erdhi në çast. Ai e pyeti: − Çfarë ka vizatuar Blerta në këtë fletë?




− Kokën e saj, − iu përgjigj gjyshja. – Nuk e kupton? Je edhe piktor! Si nuk e kupton këtë pikturë kaq moderne? − Nuk po e kuptoj. Pa na e shpjego ti, moj gjyshe! − Kur Blerta bie për të fjetur, − nisi të tregojë gjyshja, − unë i këndoj një këngë, që ta zërë gjumi. Kjo këngë i thotë:
“I ke faqet si mollë edhe sytë si qershi, e ke hundën si kalem edhe gojën si kuti”.
Gjyshja mori pak frymë dhe vazhdoi:
“I ke veshët si petale, ke fytyrën porsi hënë, edhe ballin si dielli vetë. Pa i them je bletë, pa i them je flutur, sepse është punëtore, sepse është e bukur”. − Mos e zgjat më tepër gjyshe, se tani e kuptuam, − tha babai. – Gjithë lavdërimet që i bën ti, Blerta i paska mbledhur tok në një top të rrumbullakët dhe ka pikturuar kokën e vet. − Sa mirë që e gjete, o bir, − bëri shaka gjyshja. − Të gjitha i gjetët më së fundi, por vizatimi im e ka një të metë, − tha Blerta. − Çfarë? – e pyetën të tre bashkë, gjyshja, nëna dhe babai. − Kam harruar të vizatoj gërshetat... − Pa vizatoji, − i tha babai. – Si do t’i bësh? − Do të vizatoj dy degë kulpre të thurura si gërshet, − tha Blerta dhe i vizatoi në çast. − Të lumtë! − i thanë gjyshja, nëna dhe babai dhe e puthën në të dyja faqet. Odhise Grillo Fjalë të reja pingulthi – në vijë të drejtë, nga lart-poshtë. degë kulpre – degë nga një bimë me degëzime të holla, që përdridhen në një bimë tjetër.
LEXOJ DHE KUPTOJ

Renditi fjalitë përmbledhëse të mëposhtme sipas radhës së kryerjes së veprimeve (vendos numrat nga 1-9). Gjyshja shpjegoi se çfarë kishte vizatuar Blerta. Blerta nuk dinte çfarë të vizatonte. Prindërit dhe gjyshja e përgëzuan. Blerta kishte harruar të vizatonte gërshetat. Në vend të veshëve, Blerta vizatoi dy petale lulesh. Kur erdhën prindërit, e pyetën se çfarë kishte vizatuar. Blerta vendosi të vizatojë veten e saj. Në vend të faqeve vizatoi dy mollë. Në vend të syve vizatoi dy qershi dhe u ndryshoi ngjyrën. Ritrego ngjarjen duke u mbështetur në fjalitë e mësipërme. VEPRIMTARI

Ndahuni në grupe dhe realizoni vizatime tematike. Ekspozojini ato në klasë.
REFLEKTOJ
Pse nuk e kuptuan prindërit vizatimin e Blertës? Po ti, ke ndier ndonjëherë se nuk të kanë kuptuar? Çfarë ke bërë?
