VIJA | 23 | LINE

Page 3

Intervistë / Zef Gjeta: Fermat po bëhen lokomotiva të zhvillimit të zonave

Eksperti Zef Gjeta gjatë vizitës në parcelat me kiwi të fermerit Mujo Toka

Pas turit të vizitave në disa nga fermat e Qarkut Shkodër, gazeta VIJA bisedoi me Prof. As. Dr. Zef Gjeta, agronomin i cili dha ekspertizën e tij në rolin e konsulentit për fermat e agroturizmit, fillimisht në leksionet e mbajtura në Shkollën “Hamdi Bushati”, e më pas në 10 fermat që u vizituan. Në intervistën që vijon, Gjeta evidenton rëndësinë dhe funksionalitetin e këtij turi, për vizitorët - fermerët e rrjetit të sipërmarrjeve që po mbështeten nga #GO2Innovation, por edhe për fermërët pritës. Duke shprehur kënaqësinë për vizitat e studimore, që dikur bëheshin vetëm jashtë vendit, por që tani mund të realizohen në Qarkun Shkodër dhe kudo gjetkë nëpër Shqipëri, eksperti i njohur thekson nevojën e promovimit të arritjeve të këtyre fermave, sikurse ngre problemin konstant të ndihmës së munguar për fermerët, që nga dokumentacioni bazë i pronësisë së tokës, e deri te mbështetja financiare. Krahas punës teorike në zyrë, #GO2Innovation e zhvendosi konsulencën e agrobiznesit në terren, përmes një turi disaditor në 10 ferma të karaktereve të ndryshme në rajonin e Shkodrës. Si e vlerësoni këtë nismë? Kjo është një nismë mjaft interesante dhe e veçantë e cila u vlerësua edhe nga pjesëmarrësit. Mendoj se kombinimi i trajnimeve në sallë me vizitat në terren, ku pjesëmarrësit kanë kontakte direkte me fermerët e suksesshëm, ku ata shikojnë konkretisht arritjet e tyre, dhe ku mund të komunikojnë, të bëjnë pyetje e të lidhin kontaktet. Janë pikërisht këto kontakte që u shërbejnë atyre në aktivitetin e përditshëm, por edhe të krijojnë një lloj “rrjeti” në fushat përkatëse. Duke marrë parasysh këto të mira që vijnë nga kontaktet e konsulenca në terren, mund të thuhet se vërtetë ishte një zgjidhje pozitive dhe interesante. A mendoni se udhëtime të tilla studimore në terren janë më të dobishme për sipërmarrësit e përfshirë në një program trajnimi/konsulence? Në fillimet e punës në drejtim të ekonomisë së tregut, menjëherë pas përmbysjes së sistemit të kaluar, në mungesë të shembujve konkretë për t’u parë në vend, fermerët i dërgonim në vendet fqinje: Itali, Francë, Greqi, etj. Pra, kaq vlerësoheshin e çmoheshin (me të drejtë) vizitat studimore dhe trajnuese në fermë, saqë harxhoheshin shumë parà për këtë qëllim. Ndërsa tani, që i kemi shembujt në vendin tonë, është mirë që të shfrytëzohen mundësitë që këto udhëtime studimore të realizohen. Shumica e sipërmarrësve që iu bashkuan turit të vizitës në ferma janë vetë fermerë. Në vëzhgimin tuaj a përfituan ato nga këto vizita? Mendoj se të gjithë pjësëmarrësit përfituar, përfshi edhe veten time edhe ju si organizatorë. Por meqënëse fokusi ishte në vizitën në ferma, jam i mendimit se fermerët pjesëmarrës ishin pikërisht ata që përfituan më shumë. Çfarë përfitimesh mund të kenë sipërmarrjet nga ture të tilla studimore në terren? Fermerët pjesëmarrës panë e dëgjuan për zgjidhje të zgjuara apo praktike, për investime efikase që ata kishin realizuar, apo edhe për orientim të orientuar nga tregu. Nëpërmjet pyetjeve që pjesëmarrësit u bënë sipërmarrësve që ne vizituam, morën përgjigje edhe për dilema apo vështirësi që ata kishin ndeshur në punën e tyre. Por unë dëshiroj që t’i vendos theksin njohjes më mirë të aktorëve që janë në treg, si dhe shkëmbimit të kontakteve dhe eksperiencave. Fermë duket një fjalë e madhe, por në të vërtetë thuajse të gjitha fermat që vizituam janë biznese të vogla, ku sipërmarrësit punojnë vetë gjithë ditën. Përveçse në ekonomitë familjare, ku tjetër e shihni kontributin e këtyre fermave në

ekonomitë lokale dhe më gjerë? Një shoku im i fakultetit ka bërë studim të thelluar në lidhje me konceptin e fermës dhe ai ka arritur në konkluzion se fermë duhet të quhet ajo sipërmarrje në bujqësi që arrin të dalë në treg me së paku 50% të prodhimit të saj. Në këtë kuptim, fermat që vizituam, e meritojnë emrin fermë, apo edhe sipërmarrje biznesi. Në kushtet e fermave tona, përveçse menaxher, pronari duhet që të punojë edhe vetë direkt në fermë. Kjo është logjike, pasi këto biznese janë në hapat e tyre të parë dhe që të rriten, kërkohet punë e madhe. Fermat që vizituam, përveç kontributit për familjet e tyre, janë bërë “lokomotiva” të zhvillimit në zonat e tyre dhe më gjerë: baxhoja mbledh qumështin dhe nxit fermerët të shtojnë numrin e krerëve, kantinat grumbullojnë rrushin dhe nxisin rritjen e sipërfaqes dhe të cilësisë, prodhimi i fidanave nxit shtimin e sipërfaqes së mbjellë me bimë mjekësore, etj. Për ju si agronom dhe njeri i terrenit, shumica e fermave të vizituara gjatë këtij turi kanë qenë të njohura. Prandaj, pyetja është se në sa prej fermave konstatuat progres dhe në ç’drejtim? Për fatin e mirë, te të gjitha fermat që vizituam pashë ndryshime pozitive. Shkalla e përmirësimit të tyre ishte e ndryshme, por secila prej tyre kishte bërë një apo disa hapa progresi, duke: përmirësuar prodhimin, rritur rendimentin, përmirësuar paketimin dhe etiketimin, shtuar investimin, rritur numrin e të punësuarve, etj. Pra, tendenca e përmirësimit dukej dhe ky është drejtimi në të cilin ato duhet të ecin. Në situatën e pandemisë aktuale, cila është ndihma më e nevojshme që mund t’u jepet fermave që u vizituan gjatë këtij turi? Për ndihmën ndaj fermave dhe fermerëve flitet shumë, por në realitet ndihmesa është shumë larg nevojave. Ndaj si në kohë normale, e aq më shumë në këtë kohë pandemie, kërkohet të shtohet ndihma konkrete dhe direkte ndaj bujqësisë dhe fermerëve, por kërkohet edhe ndihmesë indirekte si: paisja e fermerëve me dokumentacionin e pronësisë, përmirësim i klimës së biznesit, përmirësim i infrastrukturës, kredi me interesa të favorshme etj. Si profesionist por edhe si konsumator, a mendoni se produktet e fermave që u vizituan gjatë këtij turi janë të aksesueshme në treg dhe sa konkurruese janë? Një pjesë e fermave e kishin të zgjidhur problemin e daljes në treg, ndërkohë që disa prej tyre kishin akoma probleme për të arritur deri te konsumatori. Prodhimet e fermave që vizituam ishin të cilësisë të pranueshme e deri shumë të mirë, por nuk janë akoma markë, nuk njihen sa dhe si duhet nga konsumatori, si dhe ka probleme të shumta në lidhje me zinxhirin e tregut. S. P.


Turn static files into dynamic content formats.

Create a flipbook
Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.